(Ndodhi pas çlirimit nga okupatorët….)/
Nga Agim Xh. Dëshnica/
Vjeshtë e tretë hidhte në ajër e rrëzonte përtokë gjethet e verdha. Gryka e Tujanit ngarkuar me re, nxinte e ndrinte e gjëmonte. Shiu dhe era shfrynin mbi pullaze e drurë, rrugëve,trotuareve e mureve me figurën e një ushtari të sertë, me një sy e një vesh, me pushkën, bajonetën e parrullën: „Vigjilencë!“
Lartafolësit si gryka ullukësh gri,mbërthyer në shtylla e nën strehët e ndërtesave zyrtare, kullonin ujë çurk e dridheshin si ndër ethe nga zërat e recituesve të poemave, që shqyenin maskën e revizionizmit modern,ndërsa borgjezisë i bërtisnin sus!
Zërat jehonin në sheshe e në bulevard.Në disa zona,nga përplasja e tyre nuk merrej vesh seç thuhej.Në kafe, nën strehë,në ecje e sipër e në shtëpi,dëgjonin të habitur, se duhej të punonin me nerva të tendosur! Nerva? Punë me nerva? Të punonin si të xhindosur? Të qetë ndiheshin vetëm pensionistët, shurdhët dhe ata,që nuk lexonin dot, apo s’kishin radio në shtëpi.Ndërkaq në sheshin Skënderbej, nga kapela, supet e krahët e shtatores së Stalinit, binin rrëke ujrash të ndotur gri…
Në një prej atyre ditëve me erë e shi, Agroni afër dritares pyeste veten, se a mund të shkohej në atë kiamet për të blerë një palë këpucë të reja? Këpucët që mbante në këmbë,pa u vjetëruar mirë fusnin ujë sa,kur binte shi pandehte se ecte zbathur, pa le në pellgjet gracka! As ngjitjet, as qepjet, as gozhdët, nuk bënë derman.Ndaj, kur rrebeshi reshti paksa,u nis për te dyqani më i madh i kryeqytetit, me emrin Magazina Popullore, shkurt MAPO,në rrugën e Dibrës, ku shiteshin këpucë të markës “NISH-Këpuca”.
MAPO, për nga madhësia,ia kalonte dyqanit tjetër shtetëror që sipas forcës së zakonit, veçanërisht gratë, vijonin ta quanin“Xingoni”,si në vitet, kur pronarët italianë botonin në gazeta e revista reklamën: “Zzingone veste tutta la Roma!”. Nëse,dikush atje blinte kostum e pallto e një palë këpucë,i dhuronin një kravatë, një çadër apo bastun.Pastaj me pakon e lidhur me fjongo e përcillnin gjer në prag të portës me fjalët, “tante grazie e arivederla!”
Në MAPO pamja qe ndryshe. Në disa ditë të javës dyqani i madh mbetej me kopsa e kordele, beze e basme me lule që shiteshin më të rrallë,e kështu ndërmjet shitseve kriste muhabeti për punët e shtëpisë. Pa asnjë reklamë papritur dilnin mallra importi. Lajmi merrte dhenë.Aty për aty MAPO mbushej përplotë me burra e gra.E ç’të shihje pastaj? Ca majtas e ca djathtas suleshin drejt banakëve, duke u shtyrë me duar, bryle e supe.Një ditë për pardesy,që ua kishin ngjitur emrin “fësh-fëshe”, të holla sa, kur frynte veriu ua hiqte nga supet; një ditë tjetër për këpucë çeke grash,ose për radio Hungareze “Orion”,që kapnin vetëm Tiranën, për habi dhe…Budapestin! Gojët e liga pëshpërisnin, se ua kishin rregulluar frekuencat vetëm për këto dy radio-stacione. Por,disa radioteknikë kundrejt një pagese,thuajse falas,shtonin fshehtas llampen F-2. E kështu në radion e vogël në trajtë kubi,dëgjoheshin disa gjuhë, si:“Burasi Ankara!”-“Edho Londinon!”- “Vi parla Roma!”-“Ju flet Zëri i Amerikës!”-“Bum, bum! Ju flet Londra!…”
MAPO qe një vend i këndshëm, sidomos për takime e biseda më këmbë si te Qafa e Pazarit në Gjirokastër. Shërbente për bukuri, edhe si strehë për t’u mbrojtur nga të papriturate motit, me shi, vetëtima,breshër e thëllim.Nëpër sallën e ngrohtë endeshin,edhe kureshtarë, pa një dysh në xhep.Të githa këto u hapnin punë punonjësve të dyqanit të madh pasi mbyllnin portat për pastrimin e sallës nga letrat, paketat e bishtat e cigareve,llumi i baltës e për largimin e ujrave.
Agroni hyri e shkoi në banakun e këpucëve. Teksa pyeste shitësen për numrat, mbante në duar pas shpine, një gazetë, për ambalazh, sepse këpucët shiteshin pa të. Ndjeu se dikush e preku lehtë në sup. U kthye prapa. U befasua,kur pa për përballë vetullziun e trotuarve të rrugës së Durrësit e Dibrës.
Pa e përshëndetur ai e pyeti:
-Nga e ke gjetur këtë gazetë?
Djaloshi i hodhi një sy gazetës. U trondit e u habit, kur lexoi titullin, “L‘Unita- La Gazzeta di Partito Komunista Italiano”. Ç’t’i thosh i zënë ngushtë, kur i ra ndër mend se ishim prishur keqas me partitë komuniste të drejtuara nga Hrushovi apo Moska. Mblodhi buzët e ngriti supet.
-As vetë s’e di! E kam marrë për të mbështjellë ndonjë send….Do ta ketë gjetur nëna, ndoshta në ndonjë autobus.-U shqetësua dhe më, kur përmendi nënën, që punonte në PTT.
Vetullziu për një imtë e pa në sy e tha:
-Kot pyeta- dhe u largua.
Por,Agroni e vuri re tek u mbështet te një banak, me njerin sy drejt tij. Si mumdtë zhdukej pra, nga ai vëzhgim dinak? E kapi për dreq, edhe një si e qeshur e hidhur, kur mendoi se po i kanosej një rrezik i çuditshëm, me që ata lart na qenkeshin grindur me partitë dikur motra. Po ai ç’hynte në këtë mes? Kush kishte faj? Nga blerës,tani ai ndihej si i arratisur, që kërkon shtegun,jo për t’u hedhur tej kufirit, por për të dalë jashtë… mureve të dyqanit shtetëror.Oh! Sa zili u kishte atyre që hynin e dilnin nga u vinte më për mbarë. Këpucët i harroi. Gazetën e flamosur e bëri shuk dhe e rrasi në xhep. Ecte e ndalonte para banakëve e pyeste kot më kot shitëset, për fustanet,bezet, basmet, kopsat e kordelet.Shihte vitrinat e pasqyrat e MAPO-s me dy porta, ku për një pardesy apo këpucë çeke, nga burrat e gratë thyeshin xhama e pasqyra. Veçse ato pasqyra të bekuara tani po e ndihmonin të pikaste ndjekësin që s‘i ndahej. Tek sillej i shqetësuar veshi i kapi edhe një këngë dashurie burrash e kënduar nga një artiste: “Te desha, të desha, si i marrë…“ Në pasqyra herë këtu, herë atje, vinte re,se vetullziui ishte qepuar e s’i ndahej,si zagar i heshtur. Por, atij i bëhej se ai lehte egër: “të kapa, të kapa agjent i poshtër, s’ke nga ia mban!“ Pra, ai po përpiqej të zbulonte folezën e tij! Ç’drejtim do të merrte „agjenti?“ Ndërkohë djaloshi e hetonte ndjeksin nga ç’krah lëvizte përmes blerësve. Për një hop u shtir sikur po shkonte drejt portës së majtë. Pa se„vetullziu“ mori djathtas,mesa kuptohej,për ta pritur jashtë e të shihte se nga do t’ia mbante, tatëpjetë rrugës së Dibrës për në Bulevard, a përpjetë për nga Spitali? Agroni u kthye djathtas dhe e ndoqi zagarin gjer afër portës. Atje ndaloi e pa me kujdes. Kaleci kishte ndaluar në mëdyshje në trotuar. Me që s‘po e shihte ndërmjet njerëzve, që hynin e dilnin mendoi,se „agjenti“i shpëtoi nga duart, ndaj nxitoi për nga Bulevardi. Agroni lëvizi ngadalë,doli jashtë e pa;vetullziu kishte humbur tatëpjetë në turmën mizë lisi që endej poshtë lartë si grigja në livadh. Gjithsesi po e brente dyshimi nga çdo e papritur. U hodh me ndrojtje në trotuarin tjetër përballë MAPO-s, kaloi para dyqanit Flora e u fut tutje labirintit me dyqane të zdrukthëtarëve, kovaçëve e saldatorëve. U soll rrotull kolonave të kinemasë, dikur”Rex”, më pas “Nacional”, së fundi “17 Nëntori”. Në sportelin e biletave ndaloi. Diku për bela, një zë i njohur i thirri në emër.Bëri sikur nuk dëgjoi gjë. Shpejtoi hapat e doli te Fusha e Druve prapa Maternitetit. Pasi mori nga e majta, preu Bulevardin e hyri në rrugën Fortuzi me vila doktorësh e profesorësh e me pemë në dy krahët.Atje eci më qetë përbri tyre dhe ndaloi te çezma e hekurt, ku në të djathtë zgjatet rruga e Burgut të Vjetër.Matanë rrugës së Durrësit dukej në muzg Ambasada Sovjetike që përgjohej ditë e natë nga civilët e shërbimit sekret. U ul të pinte ujë. Ndëkohë hodhi sytë drejt rrugës, që la pas.Ishte e shkretë…
Në shtëpi përballë çezmës e buzë rrugës së Burgut të Vjetër, i fshehur prapa perdeve pa më kot. Qeshi me vetullziun e zemëruar diku në bulevard. Por nga fqinji burg pak më tej, dëgjohej befas britma e rreptë e rojës:„Ndal!“Në anën tjetër të shtëpisë mbështetur në mur, civilët e sigurimit në hije vëzhgonin ambasadën.Iu kujtuan filmat me spiunazh, ndjekës, të ndjekur, pranga, hetues, tortura, pushkatime e burg.Pra, i kishte të gjithë aty tok. Veçse tani për disa muaj, duhej të bënte kujdes: të nisej e të kthej nga puna e miqtë e vet, vetëm në muzg, apo në mot me erë e shi, kur lartafolësit njoftonin me zhurmë e bujë,se ishim çliruar nga sundimi i pushtuesve të huaj.Megjithatë shfreu i lehtësuar, por edhe me një farë dridhme, se për pak do të binte në duart e sigurimit komunist për shkak të një gazete komuniste. . .
Sofra e Diellit- Tri poezi nga Agim Xh. Dëshnica
FORT PO SHNDRIT E PAK PO XE’!/
Vërviten dallgët një mbi një,/
në ag, kur befas drita shkrep./
Herë hiqen mbrapsht në largësi,/
herë shtyhen hovshëm për në breg./
Këtu të qeta, më tej me bujë,/
atje më sipër ngadhnjimtare,/
pa vezullojnë, ndërrojnë ngjyrë/
me valëzime ledhatare./
Si marrin frymë në thellësi
i derdhen tokës përmbi shkëmb,
buçimë e tyre këngë e moçme
këtu si gaz, atje si brengë.
Ah! sikur të isha ajër-ajër
mbi male tej dallgësh, nën re,
te lugjet e lahutave, ku
“fort po shndritë njaj diell e pak xe’!
borë e madhe që ka ra
p’e merr frima rrapin e Jutbinës
rrandojnë ahet për me u thye” 1)
prej rrungajash e suferinës..,
1-Vargjet në thojza janë të përshtatur
nga rapsoditë
e veriut.
SHKEMBI DHE LUMI
Turbull, turbull lumi, rrjedh në çaste zgjimi
përplaset brigjeve në vrull vërshimi.
Turbull lumi, ndesh, uturin nën urë,
zhyten, brofin e shtyhen, drurë e gurë.
Gjeratoret shtillen e kridhen nën shkëmb,
ujrat mal ngrihen e bien me gjëmë.
E sipër valësh vjen me vërshëllim,
thëllimi i stoçenit nëpër mjegullim,
drejt shkëmbit dëshmitar
në shekuj, dramash,
të vërtetash tragjike e bëmash.
ku ujrat, kohrat e fati i mbrapsht,
gdhëndin legjendat e misterit të lashtë,
për qytetin e bardhë e të përgjakur,
që jeton mbi lumë i ri e i plakur.
ÇEKBEN, ÇEK BEN!*
Çekben! Çek beni!
Shi, rrufe, erë, furi,
sulen, çajnë përmes resë
rrahin shkëmbin e pabesë.
Çekben, Çekben!
Ç’ësht’ një hije, shket në lumë,
kur gjithçka hesht në gjumë?
Kthehet lajmësi si nata,
purpurantët flenë mbi shpata.
Një litar i zi si gjarpër,
natën zbret nga shkëmbi ashpër.
Çek beni!-dëgjohet zëri,
kapet, ngjitet lart asqeri.
Çek beni! Çek beni!
Shkëmb i zymtë i prapësisë,
Çekben i pabesisë,
nga rrufetë ditën nxin,
nga thëllimi natën ngrin.
Çekben! Çekben!
Ndihen zëra nëpër terr:
Skënderbe! Skënderbe!
Vjen pashai, vret ushtria!
Prapa shpine pret tradhtia!
Ah! Çekben Çekben i nëmur!
Mure e Kulla të përnëmur!
Purpurantët e përgjakur
tok me djemtë e përflakur
mbetën n’atë tragjedi,
mes zjarreve për liri
në kujtime mot e jetë,
afër lumit, që nuk hesht,
dhimbje e mallkim
nëpër valë e uturimë.
2014
———————-
*Çekben-(Më terhiqni!- turq.) një shkëmb në Kalanë Beratit, nga zbriti me litar ushtari osman, gjatë marrëveshjes së armëpushimit dhe njoftoi Portën e Lartë për rrethimin e kalasë nga ushtria e Skënderbeut. Ushtari u kthye dhe u ngjit me litar me thirrjen ”Çek beni!“ (më tërhiqni!) Pas tij, një ushtri e shumtë në numur nën komandën e Isa bej Evrenozit mbërriti pa pritur dhe masakroi ushtarët shqiptarë të shpërndarë e të shkujdesur në pritje për rifillimin e luftimeve, ndërsa Skenderbeu ndodhej për vizitë në një këshjellë diku pranë.
JETA E FAN S. NOLIT
Nga Agim Xh. Dëshnica/
JETA E NOLIT- PARA E GJATE LUFTES SE PARE BOTERORE/
Nëse Autobiografia lexohet pa hyrje e parathënie, Noli merr pamjen e një mali të lartë, të cilin „profesorët“ janë orvatur më kot ta vendosin në krahun për të cilin nuk pat ëndërruar kurrë.
Fan S. Noli u lind më 6 janar 1882 në një familje shqiptare, në qytezën Ibrik Tepe, pranë Edrenesë, në Turqi. Mësimet e para i mori në vendlindje, në shkollën gjashtëvjeçare për katër vjet. Mësimet e mesme i kreu në gjimnazin grek të Edrenesë. Ndërkohë bashkëpunon me shoqëri të ndryshme artistike. Më 1900 për pak kohë punon në Stamboll. Me shpresë për t’u regjistruar në universitet, niset për në Athinë. Gjen punë vetëmsi sekretar pranë një mësuesi grek. Me rekomandimin e tij, pranohet në një kompani artistike. Askush nuk e beson shpifjen, se Noli i ri qenka “arratisur natën për borxhe”, siç nxihet në letrën e sajuar. Në shoqërinë e aktorëve u shqua për mirësjellje dhe për talent në artin dramatik. Punon me ta rreth tre vjet. Viziton shumë vende të Perandorisë Turke, Ballkanin, Turqinë dhe Afrikën, të cilat i lanë mbresa të pashlyeshme. Në këto vite kërkon të lidhet me lëvizjen patriotike shqiptare, me Nikolla Naçon në Bukuresht dhe Faik Konicën në Belgjikë. Me kompanin ndahet në Egjypt.
Më 1902 nis veprimtaria e tij atdhetare, e lidhur ngushtë me krijimtarinë artistike. Boton në gazetën Drita, të Shahin Kolonjës. Siç del nga letrat dërguar jo një fantazme, por atdhetarëve shqiptarë në Egjypt, u njoh e bashkëpunon me Jani Vruhon, Thanas Tashkon, Spiro Dinen dhe nuk “u arratis për të shpëtuar nga një martesë.“ Me ndihmën e tyre financiare, përkthen e boton në greqisht veprën e njohur të Sami Frashërit, “Shqipëria, ç’është, ç’ka qenë, e ç’do të bëhetë.” Sipas këshillave dhe ndihmës së tyre bujare, në moshën 24 vjeç, më 10 maj 1906 mbërrin në Nju Jork. Po atë ditë niset për në Bafallo, ku ndodhej shoqëria “Mall’i Mëmëdheut“, themeluar nga Petro Nini Luarasi. Pas tre muajsh, me ftesë të Sotir Pecit, vjen në Boston dhe bashkëpunon në gazetën Kombi. Më 8 janar 1907, themelon shoqërinë patriotike Besa-Besën dhe më 15 shkurt 1909, gazetën Dielli. Kjo gazetë historike i shërbeu çështjes së madhe, lirisë dhe pavarësisë së Atdheut. Aty lexuesit shqiptarë njohën penën e artë të Fan S Nolit.
Theofan Stilian Noli njihet si themeluesi dhe drejtues i Kishës Ortodokse Shqiptare të pavarur në Amerikë.Eshtë koha, kur më 1908 dorëzohet prift në Kishën e Shën Kollit, në Nju Jork.Meshën e parë e jep në gjuhën shqipe, në Boston.Ndërkohë studion për katër vjet në Universitetin Harvard dhe më 1912 diplomohet me sukses për letërsi. Të kësaj kohe janë krijimet në revistën Albania, në gazetat Dielli, Drita etj.
Në vitet 1910 e 1911, përpara shoqërisë Besa-Besën, mban fjalime të zjarrta në përkrahje të kryengritësve shqiptare në Kosovë, duke ngritur lart luftën e trimërinë e tyre, me Isa Boletinin e Idris Seferin në krye, në betejat e Cernalevës e në Grykën e Kaçanikut.
Më 1911, i ngarkuar me mision fetar e atdhetar, viziton kolonitë shqiptare në Bukuresht, Sofje e gjetkë, i pritur me dashuri nga shumë bashkatdhetarë.Në praninë e tyre meshon me gjuhën e bukur shqipe. Pas një largimi të gjatë, në Sofje pati një takim të mallëngjyer me prindët e të afërmit e vet, mandej një ndarje tepër të hidhur.
Në kohën kur Perandoria Turke po humbiste Ballkanin, me nismën e Nolit e Konicës, shoqëritë shqiptare Besa–Besën, Arësimi, Malli i Mëmëdheut, Hylli i Afërditës etj. u bashkuan në Federatën Panshqiptare Vatra, me seli në Boston, më 28 prill 1912. Sekretar i Komisionit Qendror u zgjodh Fan Noli, kurse Faik Konica me Kristo Floqin u caktuan organizatorë të degëve. Noli zgjidhet kryetar i Vatrës më 17 korrik 1915 dhe më 1 korrik të vitit 1917. Krahas Diellit botohet në anglisht, Revista Adriatike.
Federata Panshqiptare Vatra në ato vite, mori pamjen e një qeverie në mërgim. Drejtuesit e saj u mirëpritën nga institucionet zyrtare, si përfaqësues të Shqipërisë. Me ligjëratat e tyre të shkëlqyera, mbrojtën çështjen shqiptare. Fan Noli shpesh largohej i ngarkuar me detyra të rëndësishme. Në vjeshtën e vitit 1912, kur Atdheu ndodhej para rrezikut të copëtimit, i dërguar nga Vatra ndodhet në Londër.Nga kryeqyteti britanik, përshëndet Ismail Qemalin për shpalljen e pavarësisë.
Më 1913 Federata Vatra, me udhëhqës si Noli dhe Konica, me anën e gazetës Dielli, mitingjeve të fuqishme, momerandumeve dhe telegrameve, të shumta, protestoi me vendosmëri, kundër vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, të cilat përgjysmonin teritoret e Shqipërisë.
Në mars të atij viti Noli së bashku me veprimtarë të tjerë, merr pjesë e flet në Kongresin e Triestes, të organizuar nga Faik Konica, për çështjen e tërësisë tokësore të shqiptarëve. Në korrik viziton për herë të parë tokën amtare. Më 1914 ndodhet përsëri në Shqipëri, në shërbesat e Kishës Ortodokse Shqiptare.
Gjatë Luftës së Parë Botërore 1914-1918, Shqipëria u kthye sërish në një arenë të rrezikëshme për të ardhmen. Në emër të Vatrës, vatranët me Nolin në krye, vepruan gjallërisht me një politikë të zgjuar, kundër qëllimeve grabitqare të shteteve ndërluftuese.
Në momerandumin e dates 28 nëntor 1918, dërguar Preidentit Uillson, ku firmatari kyesor është Fan Noli, pasi parashtrohet historia e Shqipërisë jugore, kalohet në çështjen e Kosovës. Ndër të tjera shkruhet:“Arsyet etnografike nuk janë të vetmet ato, të cilat kërkojnë korigjimin e kufijve në emër të Shqipërisë.. Humbja përfundimtare e krahinave pjellore të Kosovës dhe Çamërisë, apo Epirit të Jugut, do të gjymtojë jetën ekonomike të shtetit shqiptar. Qytetet e Pejës, Prizrenit, Gjakovës , Strugës e Dibrës që iu dhanë Sërbisë e Malit të Zi janë tregje të krahinave që iu hoqën Shqipërisë në mënyrë krejtësisht absurde dhe të padrejtë nga Konferenca e Londrës.”
Lidhjet e fuqishme me veprimtarët në Atdhe, ndihmat dhe nxitja e luftës së tyre për çlirimin e mbrojtjen e tij, u kurorëzuan me Kongresin e Lushnjës dhe formimin e Qeverisë së Sulejman Delvinës.
Më 1920, në emër të Qeverisë Shqiptare, Noli merr pjesë në bisedimet e Lidhjes së Kombeve, në Gjenevë. Në debatet për çështjen e kufijve, si një diplomat i madh, hedh poshtë argumentet e delegatëve fqinjë, me ligëratat e njohura në histori. Falë zotësisë së tij, Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve. Më 1921 kthehet në Atdhe. E shohim Peshkop në Korçë, Metropolit në Durrës. Si i dërguar i Vatrës merr pjesë në jetën politike dhe zgjidhet deputet. Gjatë seancave parlamentare Noli ngrihet e flet për çështje të pazgjidhura kombëtare, për probleme të ndryshme ekonomike e shoqërore.Ligjerata e njohur e Nolit në nderim të presidentit amerikan Udrou Uillson, shpreh respektin e thellë të popullit shqiptar ndaj SHBA, si e vetmja shpëtimtare e Shqipërisë.
Vrasja e Avni Rustemit, më 20 prill 1924, shkaktoi papritur zëmërimin e anëtarëve të Shoqërisë Bashkimi dhe deputetëve të opozitës. Kjo ngjarje në histori njihet me disa emra. Analistët e historisë e quajnë, disa “Kryengritje, disa “Revoltë”, disa “Grusht Shteti” dhe “i ashtuquajtur Revolucion”, por zakonisht në tekstet e historiografisë së majtë, emërtohejme bujë „Revolucioni Demokratik i Qershorit“. Kjo lëvizje intelektualësh, e përkrahur nga qytetet dhe zonat fshatare, u zhvillua pothuaj paqësore, herë si marshim me armë në sup, herë si procesion fetar me qirij ndër duar, ku fryma gandiste e Peshkopit Theofan, ishte e pranishme kudo. Në gjendjen e krijuar, Noli gjykoi drejt, ku mori përsipër me short drejtimin e Qeverisë e re,
Më 10 e 12 qershor 1924, në emër të Vatrës Konica përshëndeste:“Lutemi bëni të njohur ushtërinë kombëtare simpatitë tona prej zemre për veprimin patriotik të saj…Vatra uron ushtërinë kombëtare dhe udhëheqësit civilë e ushtariakë të revolucijes shpëtimtare për suksesin e shkëlqyer.”
Sipas Qerim Panaritit, “Me bekimet e Konitzës dhe të Vatrës Noli më 17 qershor 1924 formoi Kabinetin si pason: Noli, Kryeministër; Sulejman Delvina, Ministër i Punëve të Jashtme, Kolonel Kasëm Qafëzezi, Ministër i Luftës; Luigj Gurakuqi, Ministër i Financave; Qazim Koculi, Ministër i Punëve Publike; Stavro Vinjau, Ministër i Drejtësisë.”
Programi i Qeverisë me tipare amerikane, në fakt ishte një hap përpara në zhvillimin demokratik të viteve 20, por siç dihet për mungesë kohë nuk mundi të zbatohej tërësisht.. Më 24 dhjetor 1924, kur Qeveria Demokratike ra, pas kërcëmit me armë Noli u detyrua të largohej nga Atdheu, duke shmangur luftën vëllavrasëse.
Panariti sqaron se “Viti 1924 i dha funt karierës politike të Nolit dhe filloi kariera letrare. Në shumë bisedime me Nolin gjatë tridhjetë vjetëve të funtme, shpesh herë bisedonim për vendin e tij në historin’ e Shqipërisë, i cili thoshë: nëqoftëse emër-i im do të mbahet mënt në të ardhmen, munt të rronjë, vetëm në fushën e letrave.”I vendosur në Gjermani, krijon poezi të fuqishme dhe shqipëron kryevepra nga letërsia botërore. .Një pjesë e tyre u botua në gazetat Republika, Imigranti, Liria Kombëtare etj. Në mbarim të vitit 1932, vendoset përgjithmonë në SHBA. Republika, Imigranti, etj. u mbyllën, kurse Vatra dhe Dielli vijuan më tej, veprojnë gjallërisht edhe sot.
Sipas Faik Konicës, qysh në vitin 1921, Fan Noli e Ahmet Zogu u njohën e bashkëpunuan në një parti.Pas qendrimeve të kundërta për zgjidhjen e çështjeve kombëtare që shtronte koha, më 1933 u miqësuan sërish dhe patën marrëdhënie të qendrueshme. Kjo u duk në kursin e ri të shtetit shqiptar, nga viti 1933 deri më 1939. Në gazetën Republika të datës 12 mars 1931, Noli boton shkrimin „Atentati kundër Ahmetit.“ Pasi parashtron disa nga idetë e veta demokratike, mban një qendrim të vendosur kundër përdorimit të dhunës: „Atentati i vajtur mbarë munt t’i bënte dëmca më të math Shqipërisë dhe një shërbim të paçmuar Musolinit dhe fashizmës italiane.“
Gjestet bujare të Ahmet Zogut flasin qartë. I pari më 1933, financimi për shërimin e Fan Noli. I dyti më 1938, për diplomimin në Konsevatorin e Nju Englandit në Boston.
JETA E NOLIT
GJATE DHE PAS LUFTES SE DYTE BOTERORE
Jo vëtëm më 1932, por as në vitet që do të vinin, Noli nuk e ndërpreu kurrë veprimtarinë në shërbim të Kombit të vet. Më 1937, me rastin e festimeve të 25 Vjetorit të Pavarsisë Kombëtare, në botimet zyrtare të Qeverisë së Mbretit Zog, shkruhej: „me alfabetin e Manastirit merrte një herë e mirë fund çështja e shkrimt të gjuhës shqipe, historia e të cilit ka një rëndësi të posaçme për historinë e kulturës e të letratyrës s’onë, pse me të janë lidhur emnat më të bukur e më të mallëngjyerë të shkrimtarëve t’onë të kaluar. Çdo alfabet pati një sërë shkrimtarësh, po mbi të gjithë vetëm katër shkëlqejnë si yje të pa shoqë: Naimi, Fishta, Konica e Noli.” Në Albumet e përkryera me fotografi pa retush, krahas figurave të shquara të kombit, shkëlqente dhe portreti i hijshëm i Fan S Nolit.
Po atë vit Faik Konica do të thoshte: ”At Noli do të mbetet në historinë e Shqipërisë si burri që arriu i pari me hir të vullnetit dhe hollësisë së tij, të kllasi gjuhën shqip në meshë. Dita që meshoi për të parën herë, është ogur i bardhë n’udhë të përparimit t’onë. Dhe as e harrojmë, as mund të lëmë të tjerët të harrojnë.”
Kur Atdheu u rrezikua përsëri më 1939, Fan Noli, Ahmet Zogu, Faik Konica, Mit’hat Frashëri etj. janë në krye të detyrës. Në gusht të vitit 1942, Konica i dërgon mbretit Zog një letër mjaft me rëndësi për temën që trajtohet. Letrën e gjetëm në anglisht në librin “Faik Konitza- Selected Correspondence.”, botuar në vitin 2000, me hyrje nga Robert Elsie. Ndër të tjera, shkruhet: „Opinioni i popullit shqiptar tashtiështë në favorin Tuaj Madhëri. Dhe ky kryesisht për shkak të gojëtarisë dhe influencës së Imzot Nolit. Unë mendoj se Imzot Noli, do të ishte njeriu ideal për kryeministër, por për fat të keq fakti që tani ai është qytetar i Shteteve të Bashkura një zgjidhje e tillë paraqet vështirësi…“Më 27 maj 1943, Noli i shkruan ministrit të oborrit, Sotir Martinit: “Jam gati të jap gjithçka për Frontin e BashkuarShqiptar.”Në letrën për Anton Logorecin, gazetar i BBC më 1943, shkruan: “Njohja e mbretit Zog, është po aq e domosdoshme si prove e pa ekivoke.”Njëkohësisht interesohet të njihet me grupimet nacionalistë që luftonin kundër fashizmit.Miraton marrëveshjen e Mukjes. Përshëndet rininë trime e cila pat dalë malit kundër pushtuesve fashistë, për një Shqipëri të lirë dhe demokratike. Situatën e luftës në Shqipëri e njihte pak a shumë mirë. Në raste të veçanta shprehej optimist, për sigurinë e tërësisë tokësore, me ndihmën e SHBA.Historiani Beqir Meta shkruan:“Nuk është aspak ekzagjerim, po të nxjerrim përfundimin se gjatë Luftës së Dytë Botërore “Vatra” qe e vetmja organizatë shqiptare, i vetmi grupim shqiptar që u orientua drejt politikisht”. Merita u takon, sigurisht, Fan Nolit, Faik Konicës dhe miqëve amerikanë.
Pas luftës, Noli u ftua të kthehej në Shqipëri për të bashkëpunuar me “Guvernën Demokratke”.Përgjigjet vetëm me një përshëndetje diplomatike.Mosardhja në Atdhe fliste qartë, se ai nuk mund të miratonte një qeveri, e cila drejtohej nga një parti, sado e fshehur në maskën e Frontit Demokratik apo Republikës.Megjithatë punoi energjikisht për njohjen dhe pranimin e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, vetëm për popullin dhe vendin e tij. Me autoritetin e një personaliteti të njohur në SHBA, këtij misioni patriotik, ashtu si dikur, ia doli mbanë.
Më 1945, në moshën 63 vjeçare, në Universitetin e Bostonit, mbron dizertacionin, Gjegj Kastrioti Skënderbe, dhe nderohet me titullin doktor në filozofi. Si kryetar nderi, merr pjesë rregullisht në mbledhjet e Vatrës.Ndërkohë, me aftësinë e një peshkopi të nderuar, drejton Kishën Ortodokse Shqiptare.
Nga letrat e Nolit dërguar diktatorit E. Hoxha, merret vesh se viti 1946 shënon fundin e marrrëdhënieve të Vatrës me „Guvernën Komuniste të Tiranës“. Shkaqet qenë të shumta që nga mosvarveshjet për çështje kombëtare, politike dhe për ndërhyrjet në punët e brendëshme të Vatrës nga njërëz të dërguar nga diktatori. Në këtë kohë bisedon me përfaqësuesit e Shqipërisë dhe për çështjen e varrimit të Faik Konicës në Atdhe. Ata u përgjigjen: „Shumë mirë munt ta varrosim Konicën në Shqipëri, por më parë duhet ta sjellim para gjyqit të popullit“. Noli tha: „Po dëgjojmë dita ditës se jeni duke gjykuar kundërshtarët tuaj të gjallë! Por kurrë nuk na kishte shkuar mendja se jeni aq trima sa të hithni në gjyq dhe të vdekurit!“
Më 1947 boton dy vepra në anglisht, “Historia e Gjergj Kastriotit Skënderbe” e “Bethoveni dhe Revolucioni Francez”, më 1948, “Albumin” me shkrime letrare, më 1950, „Historia e Skenderbeut“ në shqip, një version i ri dhe më i plotë shkencor Fan Noli ishte i lidhur shpirtërisht me popullin e vet, i cili vuante nën sundimin e një diktature të paparë në histori. Sipas shkrimtarit Petro Marko, në librin “Retë dhe Gurët,, me rastin 28 Nëntorit më 1952, do të fliste në Zërin e Amerikës me këto fjalë: „O ti që je në fuqi me hanxhar në dorë për të prerë kokat e patriotëve, thuam ç’po bën… Shqipëria pret një Shën Kostandin për të shpëtuar ngakjo kasapanë.”
Në takimin e 50-vjetorit të Diellit më 1958, me një zë djaloshar tha: :“Kishim në program një Shqipëri indipendente, e bëmë; të mirë a të keqe, e bëmë. Kishim në program një Kishë Autoqefale, e bëmë; të mirë a të keqe, e bëmë.U a lëmë si barrë të tjerëve ta mirësojnë, po ne e bëmë.”Kjo ligjëratë e bukur e inçizuar dhe në një disk, fillon me përshendetjen drejtuar Baba Rexhepit dhe Imam Vehbiut. Në ligjërimet e botuara nga Profesor Jorgaqi, në shënimet e veta këto dy emra kuptimplotë, nuk shpjegohen as më 2002. Por fotografia në gazetën Dielli me deçiturën “Besnikët e Nolit”, tregon në heshtje se si Noli buzëqesh në mes të Baba Rexhepit, Imam Vehbiut dhe demokratëve Anton Athanasit e Kristo Thanasit.
Petro Marko përmend dhe një ndodhi të vitit 1960.Mehmet.Shehu vjen në Nju Jork për të marrë pjesë në një mbledhje të hapur në OKB.Pas dërgimit të tri letrave, për një takim me Nolin, nuk mundi të merrte asnjë përgjigje. Duke kërkuar në arkiva, përgjigjen e gjetëm në gazetën Dielli, 28 shtator 1960: „Letër e hapur Mehmet Shehut.“ Nga mbarimi i kësaj letre të gjatë noliane, lexohet: “Nga sa mund të kuptojmë neve së largu, sistemi juaj, sistem fashist, nuk vepron në bazë të kanunit, shvillohet në bazë të kobures dhe të burgut…“
E kësaj kohe është deklarata tjetër.: „Shteti shqiptar nuk mund të mbahet më këmbë dyke vrarë, persekutuar dhe dyke burgosur kundërshtarët që s’bashkohen me politikë me mejtimet tuaja.”
Më 1961, Fan S Noli, krijon kryeveprën “Sulltani dhe Kabineti”. Më 1963 merr pjesë në një seancë të rëndësishme, në Parlamentin e Masaçusetsit në Boston, kurse më 1964 në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington. Nga fundi i vitit 1964, i sëmurë rëndë, shkruan poezinë e fundme “Vdekja e Sulltanit.”
Ditët e fundit të jetës, i kalon në shtëpinë e bukur, të dhuruar nga Vatra qysh më 1953, në Fort Lauderdale, Florida.Më 13 mars 1965, pasi u ndie më mirë, doli të shetiste nëpër bregun e oqeanit. Befas pranë valëve të zhurmëshme, shpirti i tij fluturoi si një shtërg paqësor i lirisë, duke lënë për brezat e ardhëshme mesazhin:
Se pas dimrit vjen një verë
Që do kthehemi një herë
Pranë vatrës, pranë punës,
Anës Vjosës, anës Bunës.
Në gazetën Dielli të datës 24 mars, shkruhej: „Ati ynë kaloi ngakjo jetë, si dita që i zen vendin natës.”
NOLI DHE POEZITE E FUNDIT
Lexuesit të njohur tashmë me Fan S Nolin e vërtetë, për marrëdhëniet e tij me Ahmet Zogun dhe me Qeverinë komuniste të Tiranës, e kuptojnë lehtësisht Albumin-1948, me poezi në dukje të “majta”, “antifetare”, “leniniste” dhe “antizogiste”. Në kohën e diktaturës komuniste ato merrnin një kuptim krejt të ri, ndër to, edhe “Sulltani dhe Kabineti“-1961, ku personazhet kryesorë të udhëheqjes komuniste, mbulohen me ofiqe zyrtarësh osmanë dhe tituj fetarë, të pajisur me Bibëll e Kuran. Si diell i ndritur, aty shfaqet gjenialiteti i Nolit të Madh. Edhe krijimi i tij i fundit “Vdekja e Sulltanit”- 1964, i komentuar keq nga profesorët, nuk ka të bëjë aspak me mbretin Zog, është një poezi intime e Nolit!Ashtu si veprat e Shekspirit, edhe veprat e Nolit, jetojnë në kohë përjetësisht.
Për poezine Kabineti dhe Sulltani, pa dashur të paraprij me sqarime të kota , e lëmë lexuesin të nxjerr përfundimet nga vetë poezia e Nolit më 1961, nga shkrimi plotë i Qerim Panarit dhe jo i cunguar nga “nolistët”, në Albumin II, Boston 1966.
Kërkoni origjinalin Albumi- 2 dhe lexoni.
FAN S NOLI
SULLTANI DHE KABINET
(Fragment- botuar për herë të parë në gazetën Dielli- 1961 )
Shokë, sot kam panair
Shokë, bëmëni sehir;
Sillni kupat e gostisë,
Sillni shishet e rakisë.
Kupë e parë, jam aga,
Kup’ e dytë, jam Pasha,
Kup’ e tretë, shpall ferman,
Ngjesh një pall’ e jam Sulltan.
Jam Ali Qopeku i Parë,
Qen si unë s’keni parë;
Pra kur leh duartrokitni,
Zbrasni topat brohoritni!
Jam imami e jam dovleti,
Padishahu e Muhameti,
Jam Xhenemi e Xheneti ,
Kijameti e selameti.
Jam xhamia e jam namazi
Jam zinxhiri e jam kafazi,
Jam budrumi e jam zullumi
Kush ngre kokën e merr lumi,
Kush do ligj’ e republikë
Me statut e me logjikë,
E ka pisk e ngordh si hor
Në konop si tradhëtor.
Ju a nisa historinë,
Dhe ju solla prokopinë;
Lë pas meje dinasti
Për vazhdim e për lavdi.
Nukë pata parëardhës,
ju lë një bir pasardhës
Gjurmën time të pasonj
Dhe vatanin ta sundojë.
Shkruaj ti o Bash –Qatip
Shkruaj mprehtë’ e me tertip,
Lidhi llomotit’ e mia,
Shkrepi nesër te xhamia.
Ty Abdull- Jezid Sersem,
Ty të bëra Sadrezem;
Merr nga burgu çdo rezil,
Çdo kusar dhe çdo katil.
Ty Abdull- Xhahil Nefer
Ty të bëra Serasqer;
Bjeru armiqve, shuaji,
Thyeji e bluaji.
Ty Halim që s’di këndim
Je vezir për arsim.
Mbylli shkollat se na nxinë,
Me kallamn’ e tradhëtisë.
Leri hapur medresetë
Seminaret e teqetë
Po me gjuhët arabishte,
Hebraishte dhe turqishte.
Këtë urdhër çpalle vrap;
Libër ti laik, mos hap;
Me Ungjillin e Kuaranin
Merret Prifti me Imamin.
Ty Haxhi Domuz evlat
Ty të bënj Vezir Xhelat
Lidh litar dhe mbreh sëpatë
Var e ther po pa shamatë.
Vraji , preji kundërshtarët
Si të funtmët dhe të parët
Se ma prishën qetësinë
Ma çkallmuan mbretëtinë.
————
MESNATA E FTOHTE E NJE PUSHKATIMI BARBAR…
63 VJET ME PARE U EKZEKUTUAN 22 INTELEKTUALE/
Nga Agim Xh. Dëshnica/ Boston/*
Pas pyetjesh e kërkimesh të shumta, aty nga viti 1993, buzë lumit Erzen, nën një kodrinë afër Urës së Beshirit, u zbulua një gropë me eshtra njerëzish. Ç’qe ajo gropë? Prania e grave të përzishme dhe e burrave të tronditur, tregonte se nuk ishte gjetur një tumë ilire, por një varr i përbashkët, varr makabër i vitit 1951. Nga shenja të ndryshme ata njohën mbetjet nga trupat e 22 njerëzve të dashur, të pushkatuar në mesnatën e 26 shkurtit 1951, të lidhur tok me tela me gjemba, midis tyre dhe një vajzë. Oh tmerr! Përse i vranë ata?
Nuk do të mjaftonin vrasjet e shumë patriotëve, pa gjyq e me gjyq, që nisën qysh nga nëntori i vitit 1944, kur sadisti Mehmet Shehu, i njohur për epitetet “terror i bardhë”, “terror i kuq”, në vitin 1949 do të shprehej: “Ne duhet ta ashpërsojmë luftën kundër armiqve të pushtetit tonë, të vrasim njerëz që të mundemi të përballojmë situatën.”
Viti 1951 ish një kohë, kur shumë qytetarë të zhgënjyer shpresonin, se pas prishjes me jugosllavët, do të ndodhnin ndryshime të thella. Ata që kishin radio, dëgjonin Radio Londrën, me sinjalin e njohur “Ju flet Londra!”, apo Ankaranë, me “Burasi Ankara!” Shpresonin më kot! Ndërkohë natën, aktivistët e Frontit Demokratik, kërkonin nëpër rrugët e taracat e Tiranës fletushkat e hedhura, ndoshta nga qielli, kurse ditën nëpër trotuare, civilë të paguar gjurmonin kalimtarë të dyshimtë. Në mure u dukën pankarta me fjalën e rreptë “Vigjilencë!” Në Durrës, kur qytetarët ktheheshin në shtëpi, gjenin mbi radio letra me shënimin tronditës: ”mos hapni radion në kanalet italiane!” Në bregdet pushuesit porositeshin të ndërprisnin lojën me domino e të hynin ndër fjetore. Nga dritaret dukej në muzg patrulla e rojeve bregdetare me armë në duar. Banorët e majmur të Bllokut, natën shihnin ëndrra të frikshme me sulme të befasishme nga deti e ajri dhe nga malet. Ndaj zgjoheshin të trembur dhe në mbledhje të fshehta, hartonin lista arrestimesh me emra të diktuara nga krerët kryesorë të partisë, disa të njoftuara edhe nga agjentët e sigurimit.
Befas, në krahun e shkretë të oborrit të Ambasadës Sovjetike në rrugën e Durrësit në Tiranë, shpërtheu një sasi e pakët dinamiti, nga e cila u thyen vetëm disa xhama. Dhe ja, brenda një nate, sipas listave të përgatitura qysh më parë, u shoqëruan të lidhur mbi treqind vetë, midis tyre, Sabiha Kasimati, dijetare e Institutit të Shkencave, Jonuz Kaceli, nga familja e madhe e Kacelëve, Fejzi Dika, i laureuar në Montepelier për filozofi dhe pedagogji, poet e mendimtar patriot, Ing. Vasil Noçka, një prej yjeve të Universitetit të Shtutgardit, Prof. Ibrahim Babamusta, personalitet i njohur i kulturës perëndimore, Gaqo Qano, doktor i kirurgjisë dentare, i kthyer nga studimet në SHBA, Gani Strazimiri, inxhinier i shquar i ndërtimit, Rok Radovani, profesor i kimisë, Tefik Gabrani, ekonomist, zotërues i disa gjuhëve, patriot i kthyer nga Selaniku në atdhe për Kosovën e shumë të tjerë. Nga listat e zeza nën diktatin e E. Hoxhës dhe të M. Shehut, u përzgjodhën për pushkatim 22 vetë, të gjithë banues në Tiranë. Shumë njerëz qenë të bindur se atentati dhe arrestimet u kryen me urdhër nga lart, me anën e shërbimit të fshehtë, me emrin Sigurimi i Shtetit, duke fashitur kështu ëndrrat e shpresat e qytetarëve për shembjen e diktaturës. Asnjë nuk u pyet për ngjarjen e bujëshme me dinamit, por veç për ndodhi e biografi të paraluftës. Madje pati zyrtarë rusë që ndërhyn për lirimin e disa prej tyre. Ishte koha, kur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, po bënin hapat e para.
Ata 22 fatkeq, pasi lindën, u rritën dhe u shkolluan, ecën nëpër udhën e jetës, herë me gëzime të pakta, herë të tronditur nga zhgënjime, apo nga dramat familjare, së fundi do t’i priste një mbarim tragjik, nga dora gjakatare e tiranit komunist E.Hoxha dhe e xhelatit M. Shehu. Pas arrestimit u pushkatuan në mbarim të pesë ditëve, pa prokuror, pa gjyq e pa asnjë shpjegim zyrtar, në mesnatën e 26 shkurtit të vitit 1951, pranë Urës së Beshirit. Ky veprim u quajt i përligjur, sipas një dekreti mizor me gjashtë nene, për „veprimtaritë terroriste“ që u hartua me vonesë nga kreu i Ministrisë së Brendshme M. Shehu dhe u miratua rrufeshëm nga Presidumi i Kuvendit Popullor dhe Byroja e PPSH, më 26 shkurt 1951, kur gjithçka, pa gjyq, kish marrë fund. Ministri i Drejtësisë u përjashtua nga kjo orgji juridike e pështirë. 26 shkurti shënon një datë të zezë të drejtësisë shqiptare që ngjeth jo vetëm çdo jurist në botë, por edhe njeriun më të thjeshtë. Një oficer i lartë i asaj kohe të mbrapsht dëshmon: “Për pushkatimin e këtyre personave, nuk është bërë gjyq dhe këtë e them pasi nga pyetja që bëhej nga zyrat e Ministrisë së Brendshme, ata janë çuar direkt në vendin e pushkatimit dhe nuk është lënë kohë për gjykimin e çështjes..“ Pra, asnjë seancë gjyqësore nuk u zhvillua. Nuk u dëgjua as prokurori, as gjyqtari. Mungonin dëshmitarët dhe avokati. Viktimat, të lidhur me tela me gjemba të kohës së luftës, i hipën në një kamion. Jonuz Kacelin të vdekur nga torturat e hodhën nga dritarja. Askush prej tyre nuk u njoh me vendimin. Në mes të natës, kur era e maleve ulurinte si mallkim, i pushkatuan barbarisht të gjithë ashtu siç qenë, të lidhur tok. Kur krismat e armëve pushuan, u dëgjua britma e dhimbshme e një gruaje: “Ç’i paskam bërë perëndisë!“ Ishte Sabihaja! Plumbi nuk e kishte kapur! Atëhere ushtarët u sulën dhe ia shuan jetën, duke e qëlluar egërsisht me kondakët e pushkëve. Pas disa çasteve britma pushoi. Ndihej vetëm ulërima e erës dhe rrjedha e tërbuar e Erzenit. Një vetull hëne e pikëlluar rrezëllinte midis reve. Të vrarët, ashtu siç qenë, i mbuluan shkel e shko, në një gropë të përbashkët. Gjithçka kishte marrë fund. U dëgjua një motor që u ndez. Xhelatët, pasi mbaruan detyrën me sukses, u zhdukën si hajna nëpër natë. Në të nesërmen nëpër shtëpitë e Tiranës, fshatarët e fshatit pranë, trokitën të tronditur në dyert e miqve të tyre dhe sipas një zakoni të lashtë, rrëfyen se ç’kishte ndodhur në mesnatë. Më vonë, ndërsa punohej për shpyllëzimin e asaj zone, një traktoristi i ra të fikët, kur pa që traktori nxori papritur një kufomë gruaje dhe po e hiqte zvarrë. Qe trupi i patretur i martires Sabiha Kasimati…
Pas ekzekutimit të viktimave, që shkuan drejt vdekjes pa e ditur pse, dokumentet gjyqësore u plotësuan të mangëta. Kur viktimat nuk jetonin më, nga një dokument i vonuar gjyqësor, merret vesh një vandalizëm i paparë, se më datën 27 shkurt 1951, një trup gjyqtarësh fantazmë i përbërë nga tre vetë, pa praninë e prokurorit, kish dhënë një vendim: dënimin me vdekje për 22 të vdekur!! Në atë dokument të turpshëm mungon sërish një nënshkrim.
Pra, bllokmenët, uzurpatorët e Shqipërisë, me atë vrasje, kërcënuan gjithë popullin liridashës, kërcënuan drejtësinë, kërcënuan edhe Zotin. Me këtë rast E. Hoxha u rek të tregonte dashurinë e madhe për miqtë e rinj sovjetikë, e mbi të gjitha të qetësonte jetën e tij të mbrapsht. As Shekspiri i tragjedive, s’do të mund të gjente fjalë për të treguar, sesi brenda një nate u krye ajo masakër e llahtarshme.
Pas atij akti kriminal, diktatori E. Hoxha do të hakërrehej me grushtin lart: “Reaksioni i brendshëm është strukur si miu dhe po lëvizi, e piu e zeza!”
Ja cilët ishin ata, shumica në moshë të re që humbën jetën, pa asnjë faj, nga pushkatimi mizor në natën e ftohtë të 26 shkurtit 1951:
Sabiha Kasimati, 38 vjeçe. E lindur në Edërne të Turqisë, e diplomuar në Itali. Megjithëse iu ofrua një vend pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo vajzë patriote e ditur, dëshiroi vendin e saj, Shqipërinë. Pas kthimit në atdhe, punoi në Institutin e Shkencave krahas shkencëtarëve të shquar në histori. Si ishte e mundur të dënohej me vdekje dhe të masakrohej një ëngjëll si ajo? Fajtor për këtë krim barbar ndaj asaj vajze të rrallë dijetare, ishte vetë dora e përbindëshit ziliqar, E. Hoxha.
-Manush Peshkëpia, 39 vjeç, poet patriot, u lind në Vlorë. Analistët e letërsisë e rendisin krahas me Fishtën. Poradecin, Koliqin, Kutelin etj. Ja, si është shprehur shkrimtari i shquar Vedat Kokona:“Shumë nga shokët e mi vdiqën zemërplasur pas dekada vuajtjesh dhe mjerimesh. Një nga këta fatzinj ishe edhe ti, Manush. Askush në këtë sallë dhe jashtë saj nuk të ka njohur si të kam njohur unë, si vëllai, gjashtëdhjetë vjet më parë…Shumë njerëz kam njohur në jetën time, pak kam çmuar, shumë pak kam dashur siç të kam dashur ty. Ti shkruaje vjersha pa e hequr veten poet, të mos jeshë poet në vargje, nuk është faj. Faj është të mos jeshë njeri. Ti, Manush, ishe poet njeri“ Edhe pas pushkatimit nga terrori i kuq në mesnatën e 26 shkurtit, ky poet njeri mbeti i gjallë në vargje e në dritë.
-Tefik Shehu 39 vjeç, i lindur në Gjakovë. I diplomuar në Zagreb për ekonomi, financë dhe drejtësi. Në vitin 1939 u vendos e punoi në Tiranë. Pas pushtimit të Shqipërisë u kthye në Gjakovë. Atje u arrestua nga serbët, por mundi të shpëtonte me ndihmën e nacionalistëve shqiptarë. Më 1945 u arrestua nga komunistët shqiptarë në Tiranë, por me ndihmën e avokatit Koço Dilo, shpëtoi nga pushkatimi. Më 26 shkurt 1951, askush nuk mundi ta mbronte nga vandalët.
-Pjerin Guraziu 45, vjeç i lindur në Shkodër. Doktor i Shkencave Ekonomike, sportist me rezultate të nivelit ndërkombëtar. Pedagog në shkollën tregtare të Vlorës. Drejtor i Doganës së Tiranës më 1938. Pas luftës, shef finance në Ministrinë e Finacave dhe në Ministrinë e Bujqësisë. Anëtar i komisionit për organizimin e garave atletike në Ballkaniadën e vitit 1946. Për këto aftësi meritoi pushkatimin.
-Jonuz Kaceli 43 vjeç U lind në Tiranë, në familjen e madhe patriote të Kacelëve, e njohur për shërbime në dobi të atdheut, në ekonomi, kulture, art etj. Më vonë, sipas një dëshmitari, për këto vlera, sadisti ministër i Ministrisë së Brendshme M. Shehu e vrau në tortura dhe e hodhi nga dritarja. Shkuan vite dhe sadisti i “terrorit të kuq”, u dergj në shtrat i vrarë.
-Anton Delhysa, 47 vjeç. U lind në Prizren, specialist ndërtimi, kreu me përfundime të shkëlqyera Shkollën Teknike të Fulzit. Njihet si drejtues i punimeve për ndërtimin e Shkollës Amerikane në Golem të Kavajës, të Shkollës Teknike të Fulzit dhe të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Pas luftës drejtoi punimet për për ndërtimin e fabrikës së sheqerit në Maliq, për spitalin në Gjirokastër, për fabrikën e tullave në Vorë etj. Për punën e tij, u dekorua edhe nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, së fundi u shpërblye edhe me pushkatim…
-Haki Kodra-, 30 vjeç. U lind në Dibër të Madhe. Pasi u diplomua për ekonomi në Universitetin e Zagrebit, u kthye në Dibër, ku ngriti një biznes të madh, por u luftua nga serbët, ndaj u largua dhe u vendos më 1940 në Tiranë. Pas luftës punoi në sektorin ekonomik. Në vitin e zi 1951 u pushkatua pa mëshirë e pafaj nga terroristët e kuq shqiptar.
-Gafur Jegeni, 41 vjeç. U lind në Dibër.Ishte një nga përfaqësuesit e shquar të Jegenëve të Dibrës. Kreu studimet e larta në Akademinë Ushtarake në Itali. Nga viti 1935 më 1937, komandant i kufirit bregdetar në Shqipëri. Në ditët e prillit 1939 në Vlorë, me gradën kapiten, kreu detyrën si patriot për mbrojtjen e atdheut. U arrestua dhe gjyqi ushtarak e dënoi me vdekje, më pas u internua në Ventotene. U lirua nga anglo-amerikanët më 1943. Pas kësaj u tërhoq nga ushtria. Në shkurt të vitit 1951, në vend të plotonit ushtarak italian të ekzekutimit, u ndodh përballë skuadrës së pushkatimit barbar me ushtarë shqiptar, që mbanin yll të kuq në ballë.
-Myftar Jegeni, 36 vjeç. U lind në Dibër. Kreu Akademinë Ushtarake më 1937 në Itali. Me gradën kapiten më 7 prill 1939, luftoi në Durrës për mbrojtjen e atdheut, më pas edhe kundër ushtrisë gjermane. Kundërshtoi masakrat jugosllave, ndaj serbët pasi e arrestuan e dërguan në duart e komunistëve në Shqipëri. Pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, punoi llogaritar në një ndërmarrje ndërtimi në Tiranë, deri në vitin 1951. Nuk mundi të punonte më sepse në mesnatë e priste pushkatimi i pabesë.
.-Reiz Selfo, u lind në Gjirokastër. U shqua si një nga sipërmarrësit e aftë në tregëti dhe në ndërtim. Disa nga veprat, si Firma “Selfo” në Vlorë, Ura e famshme e Dragotit mbi lumin Vjosë, Ura e Bënçës në Tepelenë, disa shkolla, ndër to, Gjimnazi në Gjirokastër dhe shumë të tjera, janë tregues të qartë të ndihmesës së tij për lulëzimin e Shqipërisë. Si njeri bamirës dikur i dha ndihmë finannciare dhe vet E. Hoxhës, por dora e këtij diktatori gjaktar, më 26 shkurt 1951, ia rrëmbeu pa mëshirë, jetën këtij biznesmeni të madh patriot.
-Qemal Kasaruho, 49 vjeç. U lind në Gjirokastër. Ekonomist, zotërues i disa gjuhëve të huaja, Në vitet 20-40 punoi si kryeinspektor në doganën e Sarandës, më pas drejtor i përgjithshëm i Monopoleve dhe i Tatimeve në Ministrinë e Financave, ndërkohë mori pjesë në luftën kundër pushtueve italo-gjerman. Pas luftës nuk u pranua të punonte si ekonomist në Tiranë, por jashtë saj, në minierën e Rubikut, së fundi jashtë edhe nga jeta, por nuk mundën ta fshinin nga kujtesa e Kombit.
-Zyhdi Herri, 30 vjeç. U lind në Tiranë. Mësoi në Liceun e Korçës dhe në Gjimnazin e Tiranës, më pas vazhdoi studimet për drejtësi. Gjatë luftës bashkëpunoi me Frontin N.Ç. Pas luftës kryeredaktor i gazetës Bashkmi në Tiranë. Më pas e priste nata e ftohtë e pushkatimit pa gjyq e pa faj.
-Gjon Temali, 47 vjeç. U lind në Shkodër. Në vitet 40 studioi për farmaci në Universitetin e Firences. Nga viti 1946 deri në shkurt të vitit 1951, farmacist në Spitalin e Tiranës. Ky njeri, i përkushtuar në shërbimin human të mjeksisë, duhej të vritej si “terrorist”, pa gjyq e pa faj.
-Petro Konomi, 30 vjeç. U lind në Kajro. Kreu studimet e larta në Turqi në Robert Kolezh, mandej në Akademinë Ushtarake në Itali. Gjatë luftës përkrahu Frontin N.Ç. Pas luftës u emërua në ATSH. Edhe ky punonjës ëngjëll, duhej lidhur me tela, për t’u vrarë barbarisht.
-Niko Lezo, 50 vjeç. U lind në Delvinë. Kimist. Zotërues i disa gjuhëve të huaja. Ka kryer Universitetin e Tuluzës. në vitin 1921. Më 1923, ngriti të parin laborator kimik.në Tiranë. Po atë vit zgjidhet deputet i Delvinës. Më 1940 arrestohet e internohet në Ventotene. Pas luftës punon sërish kimist në laboratorin, tashmë nën vartësinë e Ministrisë së Shëndetësisë. Ky themelues i paharruar i laboratorit të parë shqiptar, duhej pushkatuar pa mëshirë.
.-Pandeli Nova 59 vjeç. U lind në Opar, në një familje të pasur. Ekonomist. Zotërues i disa gjuhëve të huaja. Deri në vitin 1944 u mor me tregëti dhe njëkohësisht ndihmoli Frontin N.Ç. Pas luftës punoi në një shoqëri tregtare çeko-shqiptare. Ky prind, i një djali partizan në mesatën e 26 shkurtit 1951, do të dëgjonte për herë fundit, zërin e ashpër të komandantit partizan: Zjarr!!
-Thoma Katundi- Më i “vjetri” në moshë, 64 vjeç! U lind në Katund të Korçës. Ish Vatran në SHBA. I djegur nga malli, u kthye në atdhe dhe punoi me ndershmëri. I edukuar nga idetë demokratike amerikane, duke përbuzur çdo tirani, humbi jetën më 26 shkurt 1951. Faji i tij nuk ishte vetëm dashuria për lirinë, por edhe malli për atdheun.
-Mehmet Shkupi, 58 vjeç. U lind në Shkup dhe banoi në Tiranë. Ish pronar me arsim të mesëm dhe me profesion nëpunës kaloriferi. Dyshohej si “agjent” i Legatës Francze dhe se zhvillonte veprimtari terroriste. Pra prova konkrete për dënimin me vdekje pa gjyq, shërbeu sajesa me emrin dyshim.
-Ali Qorraliu, 61 vjeç U lind në Tiranë. Tiranas i pasur. Jurist. Kreu studimet e larta në Kolegjin Juridik të Selanikut. Në kohën e luftës ka perkrahur Ballin Kombëtar, ndaj u burgos nga rregjimi komunist. Megjithatë pas lirimit nuk ndërmori asnjë veprim kundër regjimit. Pa patur asnjë trashgimtar u arrestua si “terrorist“ dhe u pushkatua pa mëshirë, pa gjyq. La vetëm kujtimin e një njeriu, të ditur e të pasur. Kur u zbulua varri, u vu re se para pushkatimit ia kishin shkulur dhëmbët e florinjtë.
-Fadil Dizdari, Me origjinë nga Shkodra, u lind në Kavajë, Në kohën e Zogut kishte punuar si sekretar prefekture. I dashuruar pas librave dhe të fejuarës së vet, mbante hapur një librari në qendër të Tiranës. U arrestua dhe u pushktua pa gjyq, i dyshuar si “terrorist”, apo “armik i Pushtetit. Popullor.” Në të vërtetë faji i tij, ishte bujaria, teksa shiste pothuaj falas kryeveprat botërore, të ashtuquajtuara “të verdha”, të autorëve me famë, si Viktor Hygo, Aleksandër Dyma, Frederik Shiler etj. Shpëtoi vetëm unaza e fejesës që u gjet në gropë, për të dëshmuar për krimin e fshehtë e barbar në mes të natës.
-Hekuran Troka, 32 vjeç. U lind në Kuçovë dhe banoi në Tiranë, me profesion tregtar. Në listën e zezë për këtë djalë të hijshëm, është shënuar “tregtar i dyshimtë spekulant”, “agjent i shërbimeve të huaja” dhe “ terrorist.” U pushkatua i dyshuar, pa gjyq. Familja u internua e punoi në punë të rënda për bukën e gojës. Ja, si dënoheshin me mungesë provash e vriteshin natën ata, që dyshoheshin.
-Lluka Rashkoviç, 51 vjeç. U lind në Mal të Zi. Ka ardhur në Shqipëri me familjen në kohën e mbretërisë. Gjatë kohëve të ndryshme u mor me transport udhëtarësh, në Shqipëri e Ballkan, jashtë çdo rryme politike. Për gjithë këtë jetë të pastër dhe punë të ndershme në shërbim të vendit tonë, u arrestua dhe u pushkatua pa gjyq.
Për gropën e braktisur në errësirën e ftohtë 63 vjet më parë, nga xhelatët e nga fajtorët e shekullit, folën eshtrat, folën edhe gurët, folën arkivat e zbuluara edhe ato si gropa e të vrarëve, foli dhe kujtesa e njerëzve të ndershëm, e motrave, e vëllezërive, e nipave, e qytetarëve dhe e fshatarëve të ndershëm. Folën me zë të lartë që ta dëgjonte bota dhe rinia të merrte vesh, megjithëse me vonesë, se kush ishte në të vërtetë Republika Popullore Socialiste, ose Komuniste e E. Hoxhës dhe e M. Shehut, “fanar ndriçues”, burg apo varr i përbashkët i shqiptarëve?
—————–
Shkruesi i këtyre radhëve të trishtuara, u ka kushtuar, këtyre martirëve të pafajsisë edhe disa vargje:
RRJEDHA E LUMIT NEN URE
Kushtuar 22 shqiptarëve të vrarë,
pa gjyq e pa faj, në vitin 1951,
pranë Urës së Beshirit.
Erzeni trishtueshëm te Urë e Beshirit rrjedh,
e sillet e shtillet vorbulla, te bregu nën gjeth.
Me zhaurimë në zall, mbi bar hedh lotë-stërkala
sado krim në terr, me pëshpërimë përhapet fjala!
Dritaret e hijet, dushqet e shkurret, tregojnë,
për gropë martirësh ne heshtje dhe gurët vajtojnë.
Dhe toka e zezë për njerëz të mirë pa faj,
ndër tela me gjemba thurur gjallë, skaj më skaj.
Cilës epoke tiranësh u përkasin, o antropolog
këto eshtra shpupurisur në pluhur të lidhur tok?!
Mos janë ilire, në errësira kohësh vrarë
nga spata, shigjeta, ushta hordhish barbarë?
Jo jo! Vrastarët nuk janë prej fisesh leshtorë,
por komisarë të kuq, me yll të kuq gjëmborë!
Komisarë qelish, pa gjyqe, pa firmë e vulë.
Komisarë pa shpirt, pa besë, pa mend e pa turp.
Komisarë me hakërime e me mandatën,
me ngjirje, plotonë, krisma e plumba natën.
Dhe bisha fle, kur ngryset në pyll a në shpellë!
Dhe ujët fle, drurët prehen në gjumë të thellë!
Më kot fërkojnë duart me gjak komisarët,
më kot mundohen të harrohen gjithë të vrarët!
Nga gropa, nga gropa shpirtrat fluturuan lart,
me fllad Perëndie u qetua çdo lëngatë!
Një poet qiejsh ndër muza, libra diturie,
një bir Kosove e burrë i urtë malsie!
Njeri fisnik nga derë artistësh lulëzimi!
Ekonomist një tjetër me ëndrra përparimi!
Tjetri vatran, zhuritur nga mall mërgimi!
Një ëngjëllore, nimfa e gjallërisë ujore,
Sabi, Sabihaja, puhiza mëngjezore!
Në lumej, det e oqean dëgjohet thirrje e saj,
shpirti fëminor endet livadhesh në parajsë.
Mërmërojnë valët: Sabiha! Sabiha!
Buçasin dallgët: Sabi! Sabiha! Sabiha!
Erzeni u zgjua, te urë e Beshirit rrjedh,
e sillet e shtillet nën lule e gjeth,
me zhaurimë në zall e mbi bar hedh lotë-stërkala,
për krime terri me oshëtimë përhapet fjala!
Ne foto:Foto, autori i shkrimit ne moshe te re/
TE PRISHESH NJE MONUMENT KULTURE
Nga Agim Xh. Dëshnica/ Boston/
Ne Foto: Hakamrrja e pushtetit popullor kundë Sarajeve të Pashallarëve rreth vitit 1947 në qendër të Beratit Muze./
Çdo shtëpi ka historinë e saj. Qindra shtëpi krijojnë një qytet me tërë historinë e tij, Si gjithmonë trashgimtarët, pas rrënimesh për shkaqe nga më të ndryshmet, përpiqen të ruajnë vjetërinë e bukur, krahas ndërtimeve moderne në zona të veçanta si vazhdim i jetës në kohë të re. Historia për qytetet e vdekur është e mjegullt, shpesh e sajuar sipas hamendjeve. Për mrekulli Berati i lashtë, pas dëmtimesh të qëllimshme në vitet e një sistemi të huaj siç qe socialimi, mundi të mbërrinte në kohët tona, si një dëshmitar i gjallë i ndodhive parake e tragjike, mjerisht vetem me tre lagje edhe këto të prekuara nga ndertime të gabuara. Asnjë popull dhe as një shtet në botë nuk prish monumtet e veta të kultures, sipas manisë perverse të një njeriu, e thënë ndryshe “prish shtëpi e bëj kasolle.” Nga një revistë italiane mësohet se pasi armët e Luftës së Dytë Botërore heshtën, shumë qytete të rrënuar u ringritën siç qenë më parë. Turistët amerikanë me origjinë nga këto vende, befasoheshin. kur gjenin pallatet, kafet, parqet, rrugët e kohëve të bukura të rinisë.
Në Shqipëri në mbarim të luftës pas largimit të trupave pushtuese gjermane, kudo u ndie fryma e pesha e një jete të re; për disa e lumtur, ndërsa për shumë vetë e panjohur, joshëse, e dhunshme dhe e frikëshme. Të moshuarit ishin më të matur në biseda. Të rinjtë shfletonin libra dhe ëndërronin. Vetëm fëmijët si përherë vraponin pas fluturave në botën e tyre të pastër e të lirë.
Shtatëmbëdhjetë vjet më pas, me nje vendim të paqartë të qeverisë, Berati u shpall qytet muze. Muze? -pyesnin shumë vetë të hutuar. Pra, shteti i ri tash e tutje do të kujdesej për mirëmbajtjen e shtëpive të tyre dhe të qytetit në tërësi, të njohur për lashtësinë dhe bukuritë e rralla; për Kalanë me dramat tragjike, shtëpitë e bardha e dritaret si mijëra yje mbi lum e urë; për ullishtat e fiqtë, xhamitë e kishat, legjendat, këngët dhe bejtexhinjtë. Por ç’ndodhi në të vërtetë?. Siç dihet qysh në vitet e para, si një akt hakmarrës i pakuptimtë, ishte rrënimi i Sarajeve të Pashallarëve në qendër të qytetit dhe hedhja në lum e shumë elementëve arkitektonikë. Sot, edhe ashtu të shkallmuara, ato dëshmojnë për bukurinë e hershme dhe për marrëzinë e diktaturës. Pas vendimit për Muze, qendra e qytetit me sheshe, pazare e një varg dyqanesh u shemb dhe u tjetërsua. Xhamitë, medreseja, teqetë e kishat u mbyllën disa u shëmbën. Po atë fat patën gjithë lagjet e tjera. Emrat e vjetër me vlerë historike u ndryshuan.
Njëra nga lagjet edhe sot mban emrin Murat Çelepi. Ky emër i shqiptarit Kara Murat-Çelepi, mytesarif i Sanxhakut të Vlorës me qender në Berat, mbeti i pashlyer nga kujtesa, edhe pas vendimit zyrtar “Çlirimi” edhe shpalljes Muze. Flitej nga të gjithë, përdorej nga postierët e policët. Karrocierët e pajtoneve, deri sa u ndaluan, thërrisnin “Hajt! Për Çelepi”. Dikur kjo lagje e mbuluar nga një gjelbërim i dendur, shtrihej nga hyrja e qytetit deri në urën e Goricës, me shtëpi në shpatin e Kalasë dhe në zonën fushore buzë Osumit. Ajo kujtohet për shkollat, për Kullën e Sahatit e xhamitë e teqetë, për parkun plot me lule, me Përmendoren e Dëshmorëve të Kombit, për ndertesat dhe bahçetë monumetale që kufizoheshin me fushat e fshatrave në rrethinën e qytetit. Njëra nga mëhallat e saj, afër lumit e përballë Shpiragut, njihej me emrin Sarajet. S’dihet as sot, sesi ato saraje madhështore të Omer Pashës me rojtarë e shërbyes të shumtë, u përfshinë nga flakët e një zjarri të madh dhe u kthyen në gërmadhë, brenda mureve të lartë. Në atë vend të braktisur me një portë të zymtë, nuk u ndërtua asnjë shtëpi. Askush nuk guxonte ta blinte atë tokë të mbuluar nga hithra e ferra, ku lëvrinin gjarpërinj e hardhuca. Gjyshet shamibardha pëshpërisnin, se atje, kur binte nata, shfaqeshin xhindet e bukura që endeshin si hije poshtë e lartë me veshje të bardha dhe hidhnin valle. Çdo njeri, që besonte rrëfimet me xhinde të gjysheve, nëse kalonte natën nëpër sokak përbri mureve gjysëm të rënuar, s’kthente sytë anash, por shpejtonte hapat. Edhe emri Sarajet, seç kishte diçka të frikëshme. Në atë mëhallë të pastër me sokakët e gjerë, shtruar me gurë të sheshtë kalonin lehtë e lehtë, kuaj e karroca, biçikleta, vetura dhe kamiona. Një nga sokakët fillonte nga porta e bejlerëve Vokopolas, vijonte përmes shtëpive të mësuesve, tregtarëve dhe zejtarëve të njohur beratas. Pak më thellë, djathtas, ndodhej shtëpia e Ibrahim Buharasë, më vonë e Vexhi Buharasë. Në fund të një rrugice të vetmuar majtas, lartohej një portë e rëndë me dy kanata druri nën harkun e gurtë. Në çastet kur qe e hapur, dukej një pjesë e shtëpisë së bardhë e të madhe e gjysh Sulejmanit, me prejardhje nga Roshniku. Sipas kujtimeve, ai qe një burrë i pashëm, shtatlartë, me sy e flokë gështenj, i respektuar nga të gjithë, herë herë i rreptë, por i matur e bujar. Thuhej, se shtëpia qe themeluar aty nga viti 1750, fare afër Osumit. Shtëpia ngrihej ngjitur me muret e Sarajeve. Rreth motit 1880, Sulejmani aso kohe oficer me gradën kapiten, e bleu dhe shtoi një pjesë të dytë sa e para. Në përfundim të punimeve u ruajt pamja e bardhë beratase me shumë dyer e dritare, në katër anët me dy pjesët bashkë në harmoni të plotë. Në anën lindore gjyshi u kish falur shërbyesve, që merreshin me punë të ndryshme në shtëpinë e madhe dhe në bahçe, një shtëpi përdhese, me disa kthina, oborr, pus e kopësht. Nga oborri kryesor nëpër dy dyert e gjerë, shkohej në mjediset e brendëshme të ndërtesës së bardhë që shihte diellin tërë ditën. E freskët në verë, e ngrohtë në dimër. Pjesa e dytë megjithëse u ndërtua me mjeshtëri, e vjetra në krahun e djathtë. qe vepër e shkëlqyer arti. Atje, miqtë kalonin nëpërmjet katoit, ku lidhnin kuajt. Pastaj nëpër shkallët e brendëshme, ngjiteshin në dhomëne pritjes. Njerëzit e shtëpisë e quanin “dhoma me bojë”. Aty binin në sy tavanet me rombe ngjyra-ngjyra; figura zoqsh, zambakësh e trandafilash, gdhendur në kanatat e derës, kamareve dhe musandrës. Në dhomë shkëlqente gjithçka, nga muret, vatra me rasa guri gri dhe daullja e saj e bardhë tek dyshemeja e mbuluar me qylym persian. Llampadarët në tavanë dhe disa shandanë shumëdegësh në dysheme, plotësonin ndriçimin natën, kurse ditën gjashtë dritare me perdet hapur kapnin rrezet e diellit nga lindja e perëndimi. Në katin dyte ndodheshin, edhe dy hamame, dhoma e zjarrit, (akçillëku apo guzhina), e ndriçuar nga një baxha konike nën çatinë me katër gërshanëza e strehë të gjera. Në një kënd të saj shihej hambari i drunjtë dhe mokra e gurtë për bluarjen e drithit. Më tej pas nje dere kalohej në një mjedis, ku renditeshin furra për të pjekur bukët e tavat, larësja e enëve, robelarësja me një koridor të zgjatur që kthehej në anën jugore për tharjen e teshave. Hapësira mbi tavan shërbente si depo. Në pjesën e dytë të shtëpisë brenda një dere të gjerë me dy kanata, ngjyrë kafe shtrihej hajati, një koridor i gjatë e i gjerë, i mbuluar me pllaka guri të gdhëndura imët. Në të djathtë ndodhej kthina e kafesë me nime për miqtë, ku shërbehej nëpërmjet një dollapi rrotullues të vendosur në murin e hajatit. Kafetë zbrisnin me tabaka nga dhoma e zjarrit nëpër një shkallë të fshehtë me kapak sa nje derë. Në fund të hajatit hapej një derë tjetër për në odën e freskët gjatë muajve të verës. Majtas përsëri pas një dere, ndodhej qilari i errët e i ftohtë pa asnjë dritare, me voza druri, shtëmba e qypat e mëdhej për zahiretë e dimrit. Një shkallë rrethore e brendëshme me parmak, të hipte lart në sallonin e gjerë me piktura e katër dyer. E para, për dhomën ku flinte gjyshi, e dyta për dhomën me bojë të miqëve, e treta tek e zjarrit, e katërta për dhomën e bibliotekës me nime në krahun jugor plot dritë që përçonte rrezet e diellit përmes tri dritareve të brendëshme për në odën e zjarrit. Një zgjidhje e mençur e ustallarëve të panjohur. Nga oborret dukej kalaja, mali i Goricës dhe më tej shpesh, kur shkrepte dielli i mëngjezi shfaqej në lartësi madhështor mbi re mali i Tomorit. Në fund të pusit herë pas here shiheshin ngjala që ndaheshin nga tufa në lum, pas shtegtimit të gjatë nga deti i Sargaseve dhe mbërrinin në puset e mëhallës së Sarajeve. Në orë të caktuara dëgjoheshin kambana nga Kulla e Sahatit pranë xhamisë e çesmës dhe zeri i myezinit nga minareja. Në oborr hera herë kryheshin rite fetare. Në raste festash e dasmash dëgjoheshin këngët qytetare beratase të shoqëruara me def e saze. Në ato çaste hareje, kur hëna qe e plotë, dukej sikur zbriste mbi kullat e muret e Kalasë dhe dëgjonte e kënaqur ato këngë të paharruara.
Bahçeja u ngjante oazeve të përrallave arabe, me palma, kopshte, lulishte e zoq. Anës bahçesë nxitonte rrjedha e remës, që kthehej më sipër nga lumi me anën e një sfrati me trungje e degë drurësh, më vonë digë betoni. Deri në kohët e vona ai pellg i pastër, ku laheshin të rinjtë, quhej “te trarët.” Dy ledhet e remës i lidhte një urë druri. Pranë saj sillej rrotull me kërkëllima çikriku me kova teneqeje, që hidhte me gurgullimë ujë në vijën për të vaditur perimet. U bënte mirë, edhe pemëve. Kalimtarët tek kalonin përtej remës deri në kohët e shqetësuara te pasluftës, ndalonin e sodisnin pamjet e pemëve me fryta gjthfarësh, si fiq, kumbulla e rrush i bardhë e i zi në hardhitë, që kacavireshin në kavakët e lartë; mes tyre arra,lajthi, bajame, mana, ftonjë, shegë, kajsi e zerdeli. Në një kënd të ngrohtë afër murit dukeshin zgjonjtë e bletëve. Në kohë pranvere e gjatë verës nëpër breg tej remës, vraponin fëmijtë e mëhallës me pipëzat e gajdat prej druri të njomë.Disa hidheshin “topçe” në remë dhe ndiqnin rosat. Ato zhyteshin në nujë dhe shfaqeshun larg mbi sipërfaqe. Në freskinë e blerimit, tok me cicërimat e zoqëve, ndiheshin edhe xhi-xhi-të e gjinkallave në trungjet pemëve. Bletët, fluturat e pilivesat fluturonin lule më lule. Ndërkohë ndihej mërmërima e uturima nanuritëse e Osumit me ajrin e pastër nga kodrat përtej nën lartesitë e malit Shpirag, që shtrihej si i fjetur nën diell e re.
Gjysh Sulejmani, priste në ditë të kremte, në atë shtëpi, madje edhe në bahçe nën një qoshk apo verandë të mbuluar, për kafe, drekë a darkë, miq nga qyteti e fshati, zyrtarë, ushtarakë, doktorë, mësues, sherbestarë të feve, si Bab Dud Karbunara, Xhelal Koprencka, Sulo Resuli, Baki Gjebreja, Ibrahim Buharaja dhe shumë të tjerë nga mëhalla, të njohur në gjithë qytetin. Aty, bisedohej edhe për çështje të mëdha, siç qenë hapja e shkollave shqipe dhe ngritja e flamurit në qytet e në Vlorë.
Ç’farë ndodhish ndoqën njera tjetrën, në rrjedhën e kohës në atë shtëpi të rallë për nga bukuria, vlerat artistike dhe historia e saj? Mund të tregohen shkurt kështu:
U ndërtua nën pushtimin osman.
U gëzua kur lindi djali që do të shquhej më vonë si patriot.
Kremtoi në kohën e pavarësisë. U dhunua nga rebelët më 1914, me kërcënime, zënka, sharje e qortime ndaj gjyshit për gjuhën e flamurin shqiptar nga myftiu i Tiranës Musa Qazimi, por nuk u prek.
U vlerësua në kohën e Austro-Hungarisë.
Festoi në vitin e Kongresit të Lushnjës.
U gëzua më kot në ngjarjet qershorit dhe u braktis nga djali i vetëm i arratisur mal më mal në dhjetorin e shqetësuar dhe mbeti në duart e motrës me të shoqin, telegrafist, i njohur në gjithë prefekturën. Në ato ditë ndodhi diçka e papritur. Një mëngjes trokitën në portën e madhe. Një tog xhandarësh me teneqe vajguri në duar u duk në oborr. Dilni jashtë, thirri kapteri, se kësaj shtëpie do t’i vëmë zjarrin! Për një çast u step, kur pa atë shtëpi aq të bukur. Halla mbylli dyert nga brenda, doli në dritare dhe thirri: po të jeni burra digjeni! Asnjë njeri nuk del nga kjo shtëpi. Kapteri u hutua, edhe më teksa po mbërrin burra e gra nga mëhalla. Me urdhërin e tij xhandarët ngritën teneqetë me vajguri dhe u larguan për të mos u kthyer më.
Në kohën e Luftës italo-greke, në shtëpi me urdhër të Bashkisë u vendosën në katin e parë zyrat e komandës së një reparti ushtarak italianë që kishte fshehur kamionët e luftës me topa e mitroloza në sokakët e lagjes Murat Çelepi. Shpesh herë oficerët dilnin në oborr për të soditur në qiell dyluftimin e ajrorëve anglezë e italianë mbi fushën e Otllakut. Halla e shqetësuar për shtëpinë u fliste oficerëve të hynin brenda. Pasi ikën italianët në qytet erdhën trupat gjermane. Një ditë në oborr u pa një ushtar gjerman pa pushkë e pa helmetë. me kapelen me strehë në duar. Halla doli e trembur në dritare. Gjermani me duar e kapele bënte shenjë drejt bahçesë. U kuptua se lutej për pak kumbulla të një peme rritur vetiu buzë remës, kokrat e tharta e të cilës njerëzit e shtëpisë nuk i mblidhnin kurrë. Ato piqeshin e binin në remë dhe i merrte me vete rryma e ujit. Merrni, merrni bëri me shenjë halla. Pas pak ushtari u kthye e tregoi kapelen me pak kumbulla, falenderoi e u largua drejt urës me dërrasa, ku e priste shoku i tij. Një ditë tjetër halla pa një ballist që kishte mundur të ngjitej në një nga kavakët e po shijonte rrushin e verdhë të pjekur për bukuri. O djalë, i bërtiti halla, kjo bahçe ka zot! Hë moj hallo. ia ktheu ballisti, s’u bë kiameti, më shumë se një vesh rrush nuk ha dot. Ja mbarova! Zbriti poshtë dhe duke qeshur kaloi urën e u zhduk.
Kur Shqipëria u çlirua prej “armiqëve e tradhtarëve”, siç shkruhet edhe sot nga akademikët e thinjur dhe gazetarët e rinj, erdhën ditë të papara ndonjëherë. Në kohën e hapjes së tokave të reja, aty nga orët e para të mëngjezit, një civil me dhjetë punëtorë me sharra e sëpata u futën në bahçe. Ai që printe me letër në dorë njoftoi se me vendim të Komitetit të PP dhe Komitetit Ekzekutiv, bahçeja qe shtetëzuar për të mbjellë grurë e misër. Halla aktiviste guximtare e luftës u përpoq t’i bindëte që pemët të mos priteshin dhe në atë gjendje le t’i mbante ferma e shtetit. Pra, pas pushkatimit e burgosjes së të gjallëve, do të priteshin pa mëshirë edhe pemët e ëmbëla të gjyshit. Përfytyroni për disa çaste rrëzimin e kavakëve të lartë, ku pat hipur ballisti për dy tri vesh rrush, këputjen e dhimbëshme dhe harlisjen mbi parcelat e perimeve të hardhive me rrush të verdhë e të zinj; shembjen e zhurmëshme të arrës vigane me degë si direkët anijesh me fletët e blerta; plandosjen e manit të lartë; përmbysjen e pemëve me kumbulla e fiq e trungjet e pemëve të frytave gjithfarësh; hedhjen në remë të kumbullës së thartë që kurseu gjermani. Merreni me mend dhimbjen e hallës dhe fyerjen e rëndë të vëllait nën dhe. Më pas e kishte radhën tragjedia e shtëpisë së regjistruar nga etnografët si monument kulture. Në oborr u panë disa ustallarë me përgjegjësin e tyre. Mos vallë kishin ardhur për mirëmbajtjen e saj? Përgjegjësi mbante në duar një letër nga Komiteti Ekekutiv, ku lexohej fjala urdhër, si vendim gjyqi politik nga Komiteti i Partisë së dashur. Punëtorët të ngjashëm me xhelatë kohësh barbare, mbanin në duar kazma, lopata, sharra, sëpata, sqeparë, ganxha e qysqi. Sipas vendimit ata rrafshuan shtëpinë më të bukur të lagjes Murat Çelepi tok me historinë saj dhe artin e mjeshtrave të panjohur. Kazma e qysqia shkallmuan muret e gurtë të rrethimit, përmbysën portën me qemer guri; sharra shembi tavanet e çatinë e gjerë tok me oxhakët e llampadarët, nimet e shkallët, furrën e qilarin me qypa, hajatin e dhomën e kafesë. Gjithçka me vrull revolucionar. Halla nuk jetonte më dhe s’mund ta mbronte shtëpinë deri në vetmohim. Dhimbjen me lot e provoi i nipi, shkruesi i këtyre radhëve, i pafuqishëm si të gjithë. Përse e prishën atë mrekulli bujare? Shkaku nuk u mor vesh kurrë. Mister!
Ndoshta në arkivin e Kino-studios “Shqipëria e Re” ruhet edhe sot një film dokumentar, ku shfaqet ajo shtëpi e bardhë, në të cilën u strehua e sigurtë disa ditë e netë, shëndosh e mirë Margarita Tutulani, më vonë rreth tridhjetë hebre dhe ushtarë të sfilitur italianë të arratisur nga kampi gjerman i robërve të luftës. Disa foto të asaj shtëpie në prag të rrënimit rrëfejnë për hijeshinë e saj edhe në ditët e fundit të jetës. Një etnografe e vonuar në kërkim të veprave monumentale për studime shkencore, ashtu si policët që mbërrijnë disa orë pas krimit, gjeti nje rrafsh të pastruar nga mbeturinat e një ndërtese të shkatërruar nga një bombardim në kohë paqeje, edhe heshtje varri. Tashmë trualli i rrafshuar ka mbetur shkret. Nuk dëgjohen më zërat e një brezi të tërë njerëzish me kulturë që lindën, u rritën, banuan aty e shërbyen në arsim, shëndetësi dhe ekonomi. Pipëzat e gajdat prej druri të njomë të pranverës heshtin. Nuk ndihen as cicërimat e zogjëve, as krisma e kaposhit mbi degët e fikut në oborr, as kakarisja e pulave, as xhi-xhi-të e gjinkallave në trungje pemësh, as kërkëllima e çikrikut e llapashitja e krahëve të rosave në remë. Rema është diku nën themelet e shtëpive pa vlerë. Nuk fluturojnë më bletët e fluturat lule më lule, as pilivesat mbi ujë. Askush s’e merr me mend, se ku ndodhej ajo shtëpi zemër gjerë si vetë madhësia e bardhësia e saj. Në atë mëhallë të ngrohtë u rrafshuan, edhe shtëpitë e dijetarit e poetit Vexhi Buharaja, e mësuesve, tregtarëve dhe e zejtarëve të njohur në gjithë qytetin. Edhe shtëpia e vogël me oborr, por e këndëshme e pep Avdylit, që mblidhte gjarpërinj në Saraje edhe në remë, për barnatoret, shkollat dhe spitalet. Nuk dëgjohet më, as kambana nga Kulla e Sahatit e rrafshuar tok me çesmën, pranë xhamisë në lagjen Murat Çelepi, sipas vendimit zytar “Çlirimi”, në qytetin e shpallur MUZE.
Eshtë për të ardhur keq, kur ndonjë nga ish-banorët e asaj mëhalle, që merret me punë arti dhe me studime të monumenteve të kulturës, i qan hallin Shkodrës e Tiranës për zonat historike, që tashmë pak nga pak po marrin frymë, në një kohë, kur qyteti i vet i lindjes, ka një një gjendje të dhimbëshme për shkak të shkujdesjes së ish-bashkëpunëtorëve, atij vetë dhe zyrtarëve përgjegjës sot, që mburren me librushkat për turistët.
Tashmë në truallin e harruar, shihen vetëm disa shtëpi përdhese. Kalldrëmet e sheshta dhe shtëpitë e mëhallës janë zhdukur. Pamjet e dikurshme përtej mureve e mbi pemët e bahçesë së dhunuar, kanë humbur trishtueshëm. Janë shlyer edhe nga kujtesa. Diku pranë tyrbes së Baba Aliut të shenjtë, prehet gjyshi i urtë. Ai nuk e di seç bëhet me shtëpinë e vet të bukur, ku gëzoi dhe u hidhërua gjatë një pjese të jetës. Edhe hëna, teksa ulet mbi muret e Kalasë, ashtu e zbehtë mallkon e qan. Vetëm mrekullia e Zotit ka shpëtuar nga shfarosja, shegën, mjaltë të ëmbël e plot lëng të fshehur në një kënd, pranë murit, që dikur rretonte shtëpinë dhe bahçenë. Shega qysh nga koha e gjyshit, rrit kokrat e shëndosha duke dëshmuar, ashtu siç ndodh shpesh pas një masakre barbare, se jeta në atë vend të shenjtë vazhdon.
- « Previous Page
- 1
- …
- 6
- 7
- 8
- 9
- Next Page »