• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Me shkas-Rreth ish Spiunëve të Sigurimit të Shtetit

October 15, 2020 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj – Këto ditë në shtypin shqiptar janë botuar disa dokumenta të bëra publike nga Agron Tufa që dëshmojnë se Profesor Nasho Jorgaqi në moshën 23 vjeçare është rekrutuar nga ish-Sigurimin e Shtetit me pseudonimin Dragoi dhe kish spiunuar miqtë e tij.

Ka reaguar përkthyesja Rezarta Reso që e ka marrë në mbrojtje Profesor Nashon duke sulmuar Agron Tufën.

Kjo është historia tridhjetëvjeçare. Ndjeshmëria e madhe posa flitej se do të hapeshin dosjet e ish spiunëve. Nga ajo pjesë e elitës që, sikur thotë populli, e kishte mizën nën kësulë. Mjerisht ish spiunët, prej tri dekadash të integruar në të gjitha qelizat e shtetit shqiptar, ia vunë flakën sistemit.

Është e drejta e Rezarta Resos të mbrojë Profesor Nashon, të dëshmojë se si e njeh ajo dhe familja e saj, pa sulmuar Agron Tufën që i ka bërë dokumentat publike.

Por publike duhet të bëhen të gjithë emrat e ish të rekrutuarve të ish Sigurimit, veçanërisht të atyre që gjatë këtyre 30 viteve janë pjesë e kastës me poste të zyrtarit të lartë publik apo e elitës politike që ka pushtuar gjithë televizionet, mediat dhe jetën kulturore e publike të shoqërisë, që bën moral, ndërsa Shqipëria dergjet dhe shqiptarët janë kthyer në një shoqëri e gjitha vulnerabël.

Preç Zogaj dihet se ka qenë ish spiun i Sigurimit. Po kështu në vitet ’90 kanë qarkulluar dokumenta që dëshmojnë se ka marrë njerëz në qafë edhe Rudolf Marku. A janë të vërteta ato që qarkullojnë në publik si thashethemnaja? Agron Tufa mund t’i sqarojë.

Shqipëria nuk e pati një Vasili Mitrokhin që t’i zbulonte të gjitha dosjet e ish Sigurimit të Shtetit shqiptar. Një pjesë e të cilave janë zhdukur. Janë zhdukur dosjet e ish spiunëve dhe po ashtu edhe dosjet e viktimave për të marrë në mbrojtje ish spiunët.

Kam kërkuar Dosjen e poetit Vehbi Skënderi si viktimë e diktaturës dhe më kanë thanë që im atë nuk paska Dosje. Diçka e pamundur, sepse im atë është dënuar dy herë me gjyqe politike që i bëheshin në KQPPSH dhe gjyqe publike. Herën e parë më 1967 si “grup antiparti” dhe të dytën më 1974 si i përfshirë në një “grup korrupsioni”, herën e parë midis emrash të shquar akademikësh, si Prof.Selman Riza, Prof.Zija Shkodra, prof.Dhimitër Pilika etj dhe  herën e dytë midis emra gjeneralësh.

Që Profesor Nasho Jorgaqi, autori i librit “Mërgata e qyqeve” kushtuar emigracionit, politik gjatë periudhës të diktaturës kishte qenë në ish Sigurim, kjo pak a shumë dihej.

Por jo të gjithë ata që kanë qenë në ish Sigurim kanë kryer krime.

Në rrethet letrare dihej se Profesor Nasho bashkëpunonte me Sigurimin e Shtetit, aq më tepër kur arma e partisë e kishte rrjetin e vet mjaft të gjërë, pasi mbulonte dhe përgjonte çdo qelizë të shoqërisë.

Ishte kthyer në anekdotë, që në Shqipëri 1 milionë shqiptarë kishin qenë ish të rekrutuar të ish Sigurimit, dmth në çdo tre shqiptarë të popullsisë së asaj kohe, njëri ishte spiun.

Kështu shpjegohej edhe lufta e klasave deri në familje. Natyrisht që ishte një luftë klase e ushqyer nga regjimi diktatorial.

Moszbardhja e së shkuarës ka një qëllim shumë të zi. Sepse kësisoj fshihen krimet e diktaturës.

Sot elita europiane po kërkon një Nuremberg për krimet e komunizmit. Prandaj kasta në Shqipëri, që ka uzurpuar shtetin në çdo qelizë, nuk lejon as katharsis, as pajtim, as shërim të plagëve duke mbajtur peng të djeshmen, të sotshmen dhe të ardhmen e vendit. Janë mizorë, pa ndërgjegje, të kalbur.

Vijon të mbetet në fuqi stili që baba Çeni i mësoi Enver Hoshës se si t’i mposhtte shqiptarët. Kalit të ushqyer nuk i hypet dot, i kishte thënë baba Çeni Enverit. Lere pa bukë, pa ujë, që të ngordhë urije dhe pastaj hypi. Këtë histori e ka treguar Dritero Agolli.

Kjo kastë me integritet të cënuar, që nuk e di se çfarë do të thotë vlerë dhe meritokraci, pasi njeh vetëm katapultim nga ish PPSH, PS, PD etj, është shkaku që Shqipëria ka mbetur pa shtet të së drejtës dhe pa hierarki, ose thjesht ku këmbët i bien kokës.

Hapja e Dosjeve dhe zbardhja e krimeve të diktaturës është obligim kushtetues.

Përse shqiptarëve u vjen keq për ish Spiunët dhe nuk u vjen keq për viktimat?

Përse Ardian Vehbiu me ca komita hapi si temë debati publik rilinçimin e Martin Camajt dhe Ernest Koliqit nën akuzën si gjoja spiunë të Perëndimit, ndërsa bëhen kaq zemërgjërë me ish të rekrutuarit e ish sigurimit shqiptar që kanë çuar viktima nëpër burgje, pushkatim e varje ?!

E vërteta duhet të zbardhet, sidomos për ata që kanë marrë njerëz në qafë.

Zbardhja e të vërtetës është themeli për të ndërtuar shtetin e së drejtës.

Që kërkon paanësi, integritet dhe kurrsesi që të spostohet vëmendja tek klasa e të persekutuarve, për t’i zbuluar ish spunët tek kjo klasë, të cilët mund të kenë bashkëpunuar me ish Sigurimin nën frikë, terror, nën tortura, internime apo burgje.

Ndaj viktimave të diktaturës kasta politike prej 30 vitesh vijon persekutimin, duke patur në krah ata shkrimtarë dhe poetë të partisë, që këta janë pjesë e integruar e pushtetit politik dhe jetës publike.

Ka plot shkrimtarë dhe artistë që prej 30 vjetësh ndihen të pafuqishëm, sepse politika i ka ekskomunikuar. Politikës shqiptare gjithmonë i kanë interesuar figurat me integritet të ndotur, sepse kështu njëra palë ka mbuluar pislliqet e palës tjetër.

Është e qartë që ish Sigurimi për të ushtruar presion ndaj shtresës së intelektualëve ka përdorur vetë intelektualët. Por gjithçka është varur nga ndërgjegja personale e secilit. Një pjesë nuk ka pranuar të bashkëpunojë dhe ka patur pasoja drastike në jetën profesionale, sociale e familjare. Një pjesë ka pranuar prej presionit t’i spiunojë kolegët, por nuk i ka dëmtuar. Ndërsa një pjesë i ka marrë në qafë. Me dëshmitë dhe firmat e tyre janë pushkatuar apo burgosur njerëz të pafajshëm.

Këtyre ditëve është përmendur se Profesor Nasho ka spiunuar Skënder Luarasin. Nga tregimet e tim eti që e kishte mik, kam dëgjuar se Skënder Luarasi ishte një natyrë rebele, që goja i shkiste lehtë. Babait tim Skënder Luarasi i thosh se e kish shpëtuar nga burgu Mehmet Shehu, pasi kishin qenë bashkë në Spanjë, por Mehmet Shehu nuk e kishte shpëtuar nga burgu të birin e Petro Markos, Jamarbër Markon me të cilin po ashtu kishte qenë në Spanjë.

Faji nuk është kolektiv. Faji është individual. Shoqëria shqiptare nuk do të shërohet kurrë pa katharsis apo nëse ky katharsis do të jetë selektiv, si triag, si qërrim hesapesh, stil tërësisht mafioz, sipas formës që ka shteti shqiptar sot.

Duke iu kthyer dokumentave që Agron Tufa ka bërë publike për Profesor Nasho Jorgaqin. Këto nuk janë të vetmet. Agron Tufa me shumë kurajo civile ka bërë publike edhe ekspertizën ku Diana Çuli ka firmosur de facto ekzekutimin e poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Nuk e di se çfarë do të thosh Rezarta Reso për Diana Çulin.

Përse nuk flasin shkrimtarët asnjëri për Diana Çulin? Përse heshin?

Tmerri është se elita e Tiranës zyrtare dhe nëntoka e saj, ajo që vjen direkt nga superstruktura e djeshme, në vend që t’i dilte në mbrojtje Agron Tufës, mori në mbrojtje Diana Çulin duke i dhënë hapësira nëpër mediat vizive dhe të shkruara, duke e zgjedhur kryetare jurish për ndarje çmimesh letrare për të nderuar me çmime të tjerë shkrimtarë të ish Sigurimit të shtetit me ndergjegje të ndragura.

Kanë kaluar 30 vjet nga përralla e rrëzimit të diktaturës dhe nuk ka dalë asnjë shkrimtar që ishte pjesë e superstrukturës të regjimit të bëjë një mea culpa.

Vetëm Bashkim Shehu ka dënuar dhe denoncuar krimet e diktaturës dhe të jatit Mehmet Shehu!

Shqipëria po rrezikon shpërbërjen dhe shoqëria shqiptare po dergjet për fajin e elitës shqiptare që është pjesë e integruar e kastës të politikës që konformohet dhe shitet për lluks, vila, poste, çmime dhe dekorata.

Natyrisht në Tiranë jeton edhe elita e pastër, ajo që ka jetuar gjithmonë me aftësitë e saj dhe me dinjitet, por kjo elitë nuk ka fuqi, sepse kasta e ka përjashtuar nga jeta publike dhe e ka lënë të jetojë në varfëri. Dje u mbushën dy vjet nga vdekja e poetit Fatos Arapi, i harruar në gjallje dhe në vdekje. Dhe kështu shuhen njerëz të nderuar çdo ditë. Para disa ditësh u largua nga kjo jetë Rozmari Jorganxhi, dirigjentja e parë shqiptare, mbretëreshë e muzikës lirike që vetëm përpara tre vjetësh, në moshën 80 vjeçare mezi i dhanë dekoratën Mjeshtri i Madh!

Po të shohim Profesorët, Doktorët e Shkencave, Akademikët apo ata që kanë marrë dekorata Nder i Kombit, Ambasador i Kombit, Skënderbe i Kombit që janë me mijra e mijra, Shqipëria duhej të ishte Zvicra e Ballkanit, në fakt vazhdon të mbetet Afganistani i Ballkanit.

“Zvicër apo Afganistan”*, ka pyetur Ismet Toto që në vitin 1936 për fatin që do të ketë Shqipëria, gjithmonë në udhëkryqe! Ismet Toton e vrau Zogu më 1937.

Mjerisht, 84 vjet më pas, Shqipëria vazhdon të jetë në udhëkryq. Nuk janë armiqtë e jashtëm, por armike e Shqipërisë është kjo kastë politike pa integritet, e korruptuar që nuk pranon të bëjë katharsis, që ka uzurpuar pushtetin duke shkelur meritokracinë, hierarkinë dhe dinjitetin e çdo shqiptari të ndershëm..
———————

“Zvicër apo Afganistan”, këtë fakt, se çfarë ka thënë Ismet Toto në një shkrim të tij të1936 e ka përmendur në kumtesën e saj në konferencën “50 vjet marrëdhënie diplomatike Zvicër-Shqipëri” Prof. Nevila Nika…..

Filed Under: Analiza Tagged With: Agron Tufa, Dragoi, Elida Buçpapaj, PROF.NASHO JORGAQI, Rezarta Reso, SKËNDER LUARASI, VEHBI SKËNDERI

VATRA, KRENARIA, BRERORJA E SHENJTË E SHQIPTARISË

November 3, 2018 by dgreca

– SHKRIMTARI AGRON TUFA VIZITOI VATRËN-/*

1 agroni sheh

Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit denoncoi instalimin e strukturave të trashëgimisë së diktaturës komuniste, fshehjen e krimeve të diktaturës, riciklimin e elitave të vjetra akademike dhe riprodhimin e elitave të reja me  lidhje me trashëgiminë e diktaturës; rikthimin e ish sigurimsave në institucionet e shtetit etj.-

1 Agron shenimet librat1 dalip spjegon1 ne ekmbe

Shkrimtari AgronTufa, njëkohësisht drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojat e Komunizmit ishte mysafir në Vatër të premten me 2 nëntor. Gjatë vizitës së tij ai shoqërohej nga shkrimtari Ramiz Gjini.

Shkrimtari Tufa u prit nga Zef Balaj, anëtar i Kryesisë së Vatrës, nga ish gazetari i Zërit të Amerikës, studiuesi Idriz Lamaj, njëkohësisht anëtar i Këshillit të Vatrës, dhe nga ish zv. Kryetari i Vatrës Asllan Bushati.

Editori i Diellit Dalip Greca e njohu mysafirin me pikat kulmore të historisë 106 vjeçare të Vatrës, me vatranët që lanë Amerikën për ti shërbyer Shqipërisë , por ranë në kurthin e  diktaturës, shumë prej tyre u burgosën, u pushkatuan dhe u persekutuan. Ish nënkryetari i Vatrës Asllan Bushati i prezantoi mysafirit veprimtaritë e kohës së sotme të Vatrës në qendër dhe degët e saj nëpër shtete të ndryshme të Amerikës dhe Kanada.

Zef Balaj dhe Idriz Lamaj i uruan mirëseardhjen mysafirit dhe e uruan për kontributin e tij të veçantë në luftën pa kompromis për të zbardhur krimet e komunizmit, luftën

pa kompromis të tij për të denoncuar instalimin e elementëve të diktaturës në tranzicionin shqiptar.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Z. Tufa, pasi falenderoi për mikpritjen shpalosi tablon e sotme të tranzicionin Shqiptar, duke u ndalur  veçanërisht tek instalimi i strukturave të trashëgimisë së diktaturës komuniste si dhe rikthimin e ish sigurimsave në institucionet shtetërore. Në Shqipëri vazhdojnë të riciklohen elitat e vjetra komuniste, përfshi dhe ato akademike, që riprodhojnë elitat e reja pasardhëse. Linja komuniste vazhdon të jetë dominante. Realiteti është i dhimbshëm: Shqipëria nuk po dekomunistizohet realisht, tha z.Tufa.

Eshtë e dhimbshme që shqiptarët të shkojnë deri atje sa të mohojnë ekzistencën e ish kampeve të internimit dhe vdekjen e femijeve ne ato kampe, siç ishte rasti i Tepelenës, tha z. Tufa. E keqja është e instaluar që në programet dhe tekstet mësimore ndër shkolla, ku periudha komuniste , diktatura, krimet, nuk përmendet drejtëpërdrejtë, por kanë filluar të krjojnë terma që fshehin krimet e diktaturës , duke përdorur terma si “lufta e ftohtë” etj, tha ai.

  1. Tufa tregoi përpjekjet që bën Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit për të qenë në ballë të luftës për sjelljen në optikën e sotme të krimeve të komunizmit. Ai tregoi për botimet e shumta të Institutit siç ishte dhe rasti i promovimit para pak ditësh i Vellimit të VII të Fjalorit Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist në Shqipëri.

Po ashtu ai prezantoi dhe veprimtari të Institutit siç ishte ajo e fundtetorit e konceptuar si Konferencë Ndërkombëtare Shkencore: “Të mohuar nga regjimi”: burgjet, sistemi i internim-dёbimeve dhe puna e detyruar në Shqipëri 1945-1990”, ku morën pjesë studiues vendas dhe te huaj.

Gjatë takimit u fol edhe për një bashkëpunim të ndërsjelltë mes Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit e Vatres.

Në fund të takimit shkrimtari Agron Tufa dhuroi për bibliotekën e Vatrës librat e tij:”Gurit të varrit ia Rrëfej”, “Elegji për Dritën- Elegy on Light”(anglisht), si dhe “Avec Des Abimes Au Milieu”(frëngjisht). Edhe shkrimtari Ramiz Gjini i dhuroi bibliotekës së Vatrës librin e tij“Pëllumbat e Rrugës”.

Shkrimtari Agron Tufa shkroi në librin e vizitorëve:

Pata kënaqësinë të vizitoj “Vatrën Shqiptare” të Amerikës; më pritën si në Shtëpinë e Atdheut të zotët e shtëpisë. Më rrëfyen historikun e Vatrës, përpjekjet e atdhetarëve për lirinë e dinjitetit të Kombit tonë.Vatra dhe vatranët janë krenaria, brerorja e shenjtë e Shqiptarisë.

Biseduam përzemërsisht me z. Idriz Lamaj,Zef Balaj,  Asllan Bushati,  dhe gazetarin/ciceronin-Editorin e Diellit, Dalip Greca. Gjeta në Vatër një pasqyrë të shqetësimeve tona kombëtare e shoqërore.

Jam shumë i kënaqur që isha këtu, në Shtëpinë e Vatrës së bashku me shkrimtarin Ramiz Gjini. Faleminderit Vatranë!

Jepni gjithcka për Vatrën!

Agron Tufa

Shkrimtar

(Korresp i Diellit)

  • per me shume fotografi shihni ne Facebook(dielli vatra)

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Agron Tufa, dalip greca, vizite ne Vater

Një zë kundër harrimit

January 24, 2018 by dgreca

Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK)  ka gati botimin e Albumit narrativ “Një si mijëra familjet e tjera” të autorit Musa Çapani, një i mbijetuar i kampeve të internimeve komuniste që në mituri e deri në rënien e diktaturës, të shoqëruar me parathënien e shkrimtarit Agron Tufa/

Agroni-tufa

Nga Agron Tufa/ Z.Musa Çapani e ndesha gjatë një aktiviteti përkujtimor në kampin famëkeq të shfarosjes në Tepelenë. Ishte një zotëri i heshtur, shtatmesatar, mbi të shtatëdhjetat, i pabujë e i pavënë re; shkurt, nga ata që nuk luftojnë të dalin në pah në radhët e para. E veçanta e tij ishte një buzëqeshje e plotë dhe e gjerë që të falet gjer në fund të shpirtit, gjithë familjaritet. Më tha se donte të më takonte në Institut për të biseduar diçka. Kur të mundesh, i thashë. Mendova se interesohet për ndonjë të afërm të dënuar, të cilin nuk e ka gjetur në germat e “Fjalorit Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist”. Andaj këtë prisja të më thotë kur erdhi në zyrë. Por jo. Bëhej fjalë për një seri portretesh e skicash, peizazhesh e vizatimesh nga kampe të ndryshme të “telave me gjemba”, e mandej për kampe të tjera internimi me punë të detyruar anekënd Shqipërisë komuniste.

Në bisedë e sipër, duke kundruar këto vizatime e portrete bashkëvuajtësish të kohës, kuptova se kisha të bëj me një dëshmitar të përhershëm të atyre realeve të trishta kampesh, me një përjetues nga brenda tyre, i cili i ka përcjellë me dekada të gjata ato pamje të zymta, në fillim me sytë shastisur të një fëmije, e mandej me sytë e adoleshentit, të djaloshit dhe të burrit të pjekur. Një kalvar i gjatë e i pasosur i vetvetes, familjes dhe familjeve të tjera.

Edhe në ferrin komunist të internimeve e degdisjeve fati ruan surpriza: fëmija i internuar ishte i pajisur me dhuntinë e kujtesës vizuale dhe mbresimit të saj në letër, përmes skicimeve, vizatimeve e pikturimit. Për fat të mire, lapsi e peneli i tij vazhdoi t’i mbresonte thjesht, në letër, këto pamje e portrete bashkëvuajtësish, për të mos ia lënë harrimit gjithëpërpirës. E sot këto mbresa përbëjnë dëshmi të rralla, madje unikale, në kushtet kur kanë mbërritur kujtimet për atë topografi të dhimbshme lotësh e vuajtjesh nga kampet e hershme me “telat me gjemba”, por që prej tyre sot nuk ka mbetur më shenjë e as gur mbi gur. Ne nuk e dinim se si ishin këto kampe, por falë dëshmive të fëmijës-djaloshit-burrit Musa Çapani, ato i jepen lexuesit për herë të parë, duke na përafruar sadopak me shembëlltyrën e atyre kampeve.

Përpos këtyre, krijimtaria e lapsit dhe penelit të Çapanit (i cili e quan veten, modestisht, “amator”), bashkëshoqërohet në këtë album edhe me një narrativë memuaristike, që i ilustron dhe i shpjegon këto pamje e portrete. Përftohet kështu një panoramë kuptimore, antropologjikisht e imagjinueshme se si kanë funksionuar kampet komuniste të internimit, si kanë regëtirë fatet njerëzore të braktisura në udhëkryqet e atdheut, me fëmijë të vegjël, pa prindër, pa shtëpi e strehë, të hedhur nga karroceritë e kamionëve nëpër sheshet e qyteteve e fshatrave nga qenë dëbuar. Një akt i papërshkrueshëm mizorie e moskokëçarjeje, sikundër e shohim në fragmentin e mëposhtëm:

Ushqimi vazhdonte me kazan, buka shpërndahej një herë në ditë dhe supa kryesisht ishte me koloniale, mbeturina të ardhura nga depot e ushtrisë sovjetike dhe më së shumti me bathë foragjere që ishte kulturë kryesore për fermën e lopëve të ngritur para viteve ’40 në Kamëz. Gjella e kazanit ishte një lëtyrë e shpifur, që edhe pa e provuar të përzjehej, e megjithatë ishte i vetmi ushqim që mbante gjallë trupat kufoma, të drobitur nga kequshqyerja dhe veshja e pamjaftueshme. Dimri 1951-52 me urinë dhe epidemitë e herëpashershme i përgjysmoi fëmijët dhe pleqtë e kampit.

Fuqia punëtore, gra dhe vajza të rritura, ishte e angazhuar në Fabrikën e Tullave dhe pjesërisht në punë bujqësore në fermë.

Fundi i vitit 1951 ishte fatkeqësia më e madhe që u ndodhi familjeve të internuara në kampet e Kamzës. Me një vendim ogurzi të Ministrisë së Brendshme të gjitha familjet u ndanë në tre pjesë:

Fëmijët e moshës 5-13 vjeç u liruan dhe forcërisht të hipur në karroceri makinash e të shoqëruar me 2-3 policë, u nisën në drejtim të vendlindjes. Në atë mes dimri të egër e të uritshëm, u përplasën në sheshet e qyteteve e lokaliteteve nga ishin internuar dhe u lanë në mëshirë të fatit, në mes të katër rrugëve pa prindër, pa strehë e pa ushqim.

Pleqtë e plakat, të paaftë për punë e të sëmurë, u ngarkuan nëpër makina e u nisën drejt Kampit të Tepelenës.

Të aftët për punë, mes tyre dhe nënat e reja së bashku me fëmijët e gjirit, u lanë përkohësisht aty derisa me një urdhër të dytë, pas 6 muajsh, u nisën drejt Kampit të Paprit për t’u marrë me punë bujqësore në kodrat e këtij fshati dhe në fushat e Cërrikut.

Këtë fat të keq patën gjithë familjet. Po e ilustroj këtë me fatin e familjes Çapani, e cila u nda në këtë mënyrë: 4 fëmijë të moshës deri në 13 vjeç, u nisën drejt Leskovikut; gjyshet u nisën drejt kampit të Tepelenës; kryefamiljarja Enveria, së bashku me djalin e vogël 3 vjeç, ngeli në Kodër Kamëz.

Për herë të parë, në sajë të këtij albumi me pamje e portrete, ne kemi mundësinë, falë lapsit e penelit të Musa Çapanit, të perceptojmë vizualisht, se si kanë qenë një sërë kampesh të komunizmit, që nga ato me “tela me gjemba”, deri tek ato të mëvonshmit nga Vlora, Fieri e Lushnja. Deri më tash nuk kemi pasur asnjë dokument pamor (foto apo vizatime) nga kampet e Kamzës (“Kampi i Mesit”; “Kampi Poshtë”; “Kampi Lart”; “Kodër-Kamzë”; “Kampi te Kodra e Beut” në Paskuqan), por tani ato i kemi për here të parë të vizualizuar me sytë e një fëmije të talentuar që gjendej brenda tyre.

Vizatimet e tjera, si ato të kampit famëkeq të Tepelenës e të Porto Palermos, kanë përsëri një rëndësi të jashtëzakonshme, sepse vijnë si dëshmia e dytë vizuale, pas atyre që ka sjellë piktori ish-i internuar Lekë Pervizi, të botuara tashmë nga Instituti ynë në albumin “Në rrathët e Ferrit” (ISKK, 2014). Janë të njëjtat reale pothuaj, me të cilat Musa Çapani përforcon vizualisht ato pamje e mjedise të trishta që sjell Lekë Pervizi.

Në një seri vizatimesh, skicash e portretesh dalin përsëri kampe të tjera, si ai i Paprit në Elbasan, i Petes në Vlorë, i Ngurës, i Gjazës dhe i Kryekuqit në Lushnjë, për të cilët nuk ekzistonte më parë asnjë dëshmi pamore. Kampet e tjera të internimi, të Plugut, Grabianit, Çermës e Savrës – përsëdytin sërish, me të veçantën autoriale të Çapanit ato pamje, portrete e realitete që i kemi ndeshur edhe tek Lekë Pervizi.

Libri “Një si mijëra familjet e tjera”, i konceptuar si një album narrativ, ka një vlerë të pazëvendësueshme në cilësinë e guidës pamore, rrëfimore e meditative për kalvarin e familjeve të internuara. Ne vetëm se mund të hamendësojmë mbi përditshmërinë e rëndë e të privuar nga çdo lloj gëzimi e shprese, për perspektivën e zymtë e shtypëse të fateve individuale brenda këtyre kampeve të punës së rëndë, deri në shfytyrim. Sigurisht, na ndihmojnë shumë në këtë drejtim dëshmitë e shkruara memuaristike të atyre që ia dolën “me rrnue e me tregue”, sikundër janë memuaret e Lekë Pervizit, Fatbardha Mulletit, Dine Dines, apo ditari i mrekullueshëm e lapidar i Lekë Tasit “Grabiani mes kodrash”. Edhe autori i këtij libri-album, Musa Çapani ka shtjelluar memuaret e veta në librin “Jetë apo dhembje” (Tiranë, 2001). Madje në këtë libër ne mund t’i përafrohemi një gjendjeje konstante të të vetëndjerit në përditshmërinë e internimit, nëse i referohemi njërës nga poezitë e Musa Çapanit me titull “GRI…”:

Qielli i rimët me horizonte gri,

Toka pa bimë, ujë e baltë gri,

Rreth e qark mjegull, heshtje, qetësi,

I ftohtë, bezdisës, shi e vetëm shi.

Në trupin e cfilitur, kapitëse dhimbja rri

Në shpirtin e harruar, brengë e mërzi.

Po si do ta mposhtim dhimbjen, si?!

Ku është agimi që do çjerrë terrin e zi?!…

Grabian, 1985

Albumi pamor e memuaristik i ish-të internuarit Musa Çapani, me pamjet, panoramat, portretet e tablotë e mbijetuara,jo vetëm shpëtoi, për fat të mirë, tok me vetveten, nga harrimi i kampeve të përqendrimit dhe internimit, por shtron sërish para shtetit shqiptar apelin për t’u zgjuar nga mefshtësia e amnezisë së përgjithshme dhe për t’i shënuar në harta memoriale të gjitha burgjet dhe kampet e internimit anembanë Shqipërisë. Askush nuk mund të krenohet me harresën, e harresa e qellimshme është një turp dhe krim i dyfishtë, është sindroma e njohur e kriminelit që fsheh gjurmët e krimit.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Agron Tufa, kundër harrimit, Nje ze

REAGIM PER VISAR ZHITIN NGA AGRON TUFA

March 23, 2017 by dgreca

Në një status në faqen e tij në facebook, shkrimtari Agron Tufa, drejtor i Insitutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, e cilëson të nxituar, të papërgjegjshme dhe mjaft e dëmshme p deklaratën e Bujar Nishanit kundër poetit Visar Zhiti se “ka qenë spiun në burgun e Spaçit”. Statusin e tij Agron Tufa e shoqëron me dokumentin origjinal nga Sigurimi i Shtetit, të cilin e disponon ISKPK. Ja statusi i plotë:

Pa hyrë në natyrën e ndërsjelltë të replikave midis Presidentit të Republikës, z. Bujar Nishani dhe poetit të njohur Visar Zhiti, që është dhe një ish-i dënuar politik i regjimit totalitar të Enver Hoxhës, mendoj, se deklarata e Presidentit për Zhitin – “…Ka qenë spiun në burgun e Spaçit”, – është një deklaratë e nxituar, e papërgjegjshme dhe mjaft e dëmshme për këto arsye:

1. Kreu i shtetit, Presidenti, nuk duhet të transmetojë në publik, se ç’thonë thashathemexhinjtë, pa qenë i sigurtë, me fakt të dokumentuar. Kush mund t’ia refuzonte të drejtën kreut të shtetit ta shihte dosjen e Zhitit, meqë Autoriteti i Dosjeve ka filluar punën e hapjes së tyre? Z. President duhet të jetë zëdhënës i fakteve dhe jo i shpifjeve.

2. Edhe sikur, fjala vjen, hipotetikisht, poeti Visar Zhiti të kishte qenë spiun, ka një logjikë, të përfshirë në të gjitha të drejtat ndërkombëtare që thotë: “Çdo dëshmi, çdo akt, çdo pohim i personave që gjenden robër, pengje lufte, të arrestuar dhe në tortura, nuk merret parasysh”. Dhe Visar Zhiti ka qenë nën këtë presion, si çdo i burgosur tjetër, përballë bishave më çnjerëzore.

3. Por për fat të mirë, për dinjitetin e tij dhe të tjerëve që vuajtën ferrin e burgjeve të komunizmit, Visar Zhiti ka bërë të kundërtën: ka firmosur një deklaratë, që nuk pranon, që refuzon të vihet në shërbim spiunimesh. Këtë e di mirë unë e jo ndofarë shpifësi me iniciale P.V, pasi z. Zhiti ka qenë pjesë e Këshillit Shkencor të ISKK dhe na është dashur të kontrollojmë, sipas ligjit, pastërtinë e figurave.

Pafajësia e z. Zhiti do të bëhet e qartë dhe publike shumë shpejt, në një reagim institucional, zyrtar.

Me presidentin e Republikës, z. Nishani kemi pasur gjatë këtyre viteve një sërë bashkëpunimesh të suksesshme dhe me vlerë të madhe për kujtesën dhe krimet e diktaturës, për nderimin e tyre me një sërë medaljesh, për çka i jemi sinqerisht mirënjohës. Por ndjej keqardhje të thellë për deklaratën e tij të fundit, siç e thashë më sipër, të nxituar, të papërgjegjshme dhe thellësisht të dëmshme për personin që atakon dhe për ata mijëra burra, të vdekur e të mbijetuar nga diktatura gjakatare komuniste.

Filed Under: Opinion Tagged With: Agron Tufa, reagimi i Presidfentit, Visar Zhiti

Mjerimi i mjerimit të kritikës së “kulluar”…

March 21, 2017 by dgreca

Përgjigje miqësore për Z. Agron  Tufa/

2 Alfons-Grishaj1-250x300

Nga Alfons Grishaj/

Një mik më dërgoi një farë “skrapi” i përgatitur nga Z.Agron Tufa, shkrimtar, studiues, pedagog. Ky skrap, as mish as peshk, herë serviret si mbrojtje, herë si sulm, herë si sqarim. Herë përdor kloroformë e herë amoniak. Laboratori nuk ka funksionuar si duhet dhe rënia në përsëritje tregon qartë febrilitetin e autorit. Megjithatë, është e drejta e tij  të mbjellë dhe të korrë sipas oreksit tribalist.

“Shkrirja së qeshuri” me shkrimin e kushëririt (!!!) tallur me një shkrimtar që,  në jetën e tij  ka një krijimtari si pak kush nga shkrimtarët shqiptarë dhe qëndrimi i tij fisnik në periudha të vështira, siç ishte ajo e diktaturës, tregon dhe seriozitetin e tij si njeri i letrave. Se sa e hijshme është kjo për një intelektual dhe mësimdhënës si Z.Tufa, e di vetëm ai. Një nga filozofët grekë (që nuk po më kujtohet emri tani), thoshte: “Doza e të qeshurit duhet te jetë e arsyeshme, se po të shndërrohet në qëllim në vetvete, kthehet në palaçollëk”. Z.Tufa e kupton mirë këtë, se ka sens humori postmodern…

Mirëpo ky sens padit një problem estetik tek Z. Tufa. Që të mos diktohet problemi, ai e emërton shkrimin e kushuririt si shkrim satirik i modelit konician. Këtë, ai e quan dhe armën më të mirë të Ramizit. Atëherë na del se ky i fundit nuk është një shkrimtar origjinal, por një imitues, ndërkohë që shkrimtari i vërtetë është vetë stili i tij, është vetë njeriu. Konica është e vërtetë që satirën e kishte të mprehtë, ndoshta jo sa Fishta dhe sigurisht jo me aq bindje. Ai e përdori mjeshtërisht satirën kur synoi të godiste të keqen, delinkuencën, asasinët, brigantët, vrasësit. Janë të njohura qëndrimet e tij edhe në publicistikë, por në krijimtarinë e tij artistike kulmin e ka te Doktor Gjëlpëra. Duke mbajtur qëndrim ndaj deliktit të Mamurrasit ku u vranë dy shtetas amerikanë, për çka u konsiderua i përfshirë ministri i brendshëm, i karakterizuar në vepër në personazhin grotesk të Salem Bozës. Pra, satira koniciane e ruante edhe funksionin e vet etik. Por a është koniciane, tallja e Ramiz Gjinit ndaj një shkrimtari me qëndrime fisnike? Këtu, Z. Tufa e gjen thjesht të tepruar shkrimin e kushuririt, ndërkohë dhe aq argëtues sa të na  shkulë së qeshuri. Por çka ka koniciane satira e Ramizit? Papajtueshmërinë mes kodit etik dhe kodit estetik, sepse nuk ekziston gjëkundi ndonjë estetikë që lejon shkeljen e kodeve etike. Konica, nuk shkoi gjatë dhe u pajtua me Salem Bozën duke kompromentuar veprën dhe vetveten dhe kur e lypi puna që Amerika t’i përmbahej doktrinës Uillson, e të denonconte pushtimin e Shqipërisë nga Italia, ai nuk qe në gjendje ta luante rolin e tij si diplomat, pikërisht se u konsiderua se përfaqësonte monarkun e diskredituar, pra vetë Salem Bozën. Kalorësi i letrave shqipe, është gjithashtu edhe autori i faqes më të zezë në gjithë publicistikën shqiptare parakomuniste. Fjala është për profanimin e figurës së Luigj Gurakuqit, (të cilin sa qe gjallë e ngrinte në qiell) menjëherë pas vrasjes së heroit nga dora tradhtare, çka përveçse shkelte etikën universale, shkelte edhe kodin shqiptar të respektimit të të vdekurit. Mos vallë edhe këtë sjellje ka parasysh Tufa kur e përqas satirën e Gjinit me atë të Konicës?

Megjithatë, më duhet të sqaroj se nuk më jep ndonjë kënaqësi të polemizoj jashtë çdo kodi etik me zotin Tufa. Së pari, sepse, si antikomunist, ndaj të njëjtat pikëpamje dhe qëndrime me të, Së dyti, sepse kam vlerësuar rolin e tij në drejtimin e Institutit të Hetimit të Krimeve të Diktaturës. Këto kanë qenë arsyet që në shkrimin tim reagues ndaj Ramiz Gjinit, nuk ia kam përmendur emrin, por thjesht, fenomenin. E theksoj këtë, për të sqaruar se nuk kam pasur qëllim ta injoroj.

Sigurisht, kjo është pika që e ka ngacmuar së tepërmi Z. Tufa. Sqarimi i pozicionit të tij në dhënien e çmimit, nuk është aspak i nevojshëm se  nuk bind askënd. Ndërsa për atë që e konsideron akuzë apo teori konspirative, të rrijë i qetë, sepse unë nuk jam prokuror letrash dhe as shoh në këtë rast ndonjë shkelje ligjore, meqë në Shqipëri, për konfliktin e interesit, ligji nuk shkon aq larg sa shkon fenomeni. Thjesht konstatohet aty një problem etik. Tufa, me formimin e tij, ose të paktën me prirjet perëndimore, duhej të tërhiqej nga komisioni, kur ka parë se në konkurim, për çmim, figuron edhe kushuriri. Në Amerikë, kjo ndodh edhe për lidhje më të largëta, miqësore apo kolegësh. Një akt i tillë mund t’i kishte bërë nder edhe vetë kushuririt. Sa për çmimin ndaj Martin Camajt, qoftë ai personalisht, qoftë komisioni duhet të ndihet i nderuar që e kanë pasur një fat të tillë, se Martinin e nderon që në krye të herës vepra e tij e pavdekshme.

Teoria konspirative është vetëm produkt i mendjeve të sëmura të Z.Tufa dhe bannerit të tij. Kur më flet për Salierin, dhe ç’është më e keqja, për të nuk di më shumë se ç’ka parë në filmin “Amadeus” … O Zot! Sa keq më erdhi! Menjëherë, fraku i akademikut  bie. Tek ai film, përveç muzikës nuk ka asgjë të vërtetë me historinë e shkruar. Kjo tregon sa prapa janë “intelektualët” me kulturë të përgjithshme. Sa për kulturë, po ndalem pak edhe te Salierizmi.

Thashethemexhinjtë (si sot disa fundërrina) e asaj kohe, hapën fjalë se, Salieri helmoi Mozart nga xhelozia. Por kjo nuk u vërtetua kurrë. Salieri e admironte talentin e Moxartit, biles ata kompozuan sëbashku. Ai e ndihmoi kompozitorin e madh disa herë. Gjithashtu, Salieri pati nxënës Bethoven, Shubert, List, Carteli. Për çudi, asnjë nga këto kompozitorë të mëdhenj nuk u vra  as nuk u helmua nga “Salierizmi”. Salieri, qe i vetmi kompozitor që kompozonte në  tri gjuhë. Në rastin e shfaqjes së operas ‘Flauti Magjik” publiku duartrokiste, kurse Salieri brohoriste si fëmijë…

Kur e pyetën  Salierin se cili ishte muzikanti më i madh në botë, ai u përgjigj: “Pa dyshim Bethoven!” Intervistuesi e ngacmoi më tej – “Profesor, ju harruat  Mozartin?!” – Salierit i shkëlqyen sytë: – “ Mozarti është muzika  vetë!”. E pra, kur e varrosën Mozartin, nuk ish askush aty, biles as e shoqja, përveç Salierit me vorraxhinë, të cilët mbuluan trupin e kompozitorit të madh…

Po t’a kishin të gjithë “smirën time” dhe atë të Salierit (të cilin, as që e njihkan),  garantoj  se shumë gjëra do të ishin ndryshe. Por, le t’u shmangemi përfytyrimeve utopike!

Tufa thotë se metodat e mia janë të shekullit nëntëmbëdhjetë (Z.Tufa duhet ta dijë se termi postmodernizëm, që e ka për zemër, është përdorur për herë të parë në shekullin e XIX, “në kohën time”, nga John Watkins në pikturë. Gjithësesi e kam për nder të jem atje) dhe me një “bujari” për ta pasur zili më afron punimet e tija. Uroj me gjithë shpirt që punimet në fjalë të jenë të arrira. Por, falë Zotit që më ka dhënë mundësinë të bëj zgjedhjet e mia, i them Z. Tufa se ato që më rekomandon, i lexoj ose në origjinal ose të përkthyera sipas standarteve të çertifikuara në anglisht, pa pasur nevojë t’i marr në mënyrë aberrative. Sa për këtë druaj se dëshmon fakti që diplomat e lëshuara nga universitetet shqiptare që këtu në perëndim s’i njeh njeri, duke çuar dëm vite mund e investim. Këta ia theksoj Z. Tufa që ta dijë se këtu, nuk çmohet “hamallëku” por produkti. Sa për literaturë, mund t’i rekomandoj atij dhe cilitdo studiues të interesuar shumëfishin e asaj që citon Tufa, por kjo atëherë do të ishte Ego phallocentrism. (Në fakt ky term është i goditur për vetë shkrimin e Tufës!). Por është mirë që të mbetemi seriozë. Ai thotë gjithashtu se Verisimilituda dhe Deus ex Machina janë terma të vjetër…dhe nuk përdoren në postmodernizëm. Mirëpo me cilët çelësa do të kyçemi për të interpretuar kryevepra alegorike si Ferma e Kafshëve apo Udhëtimet e Guliverit?

Gjithësesi, aberrative është mënyra e qëndrimit të tij shkencor, që konsiston jo thjesht ndaj mendimit kritik tradicional, por për faktin se duke u hequr si postmodern, vepron si avanguardist. E pra, postmodernizmi në letërsi dhe në kulturë lindi pikërisht si një nevojë për të rizgjeruar horizontin që ngushtonte paprerë dukuria e avanguardave! Dhe koncepti i të “perënduarave” është kryekëput avanguardist. Do Zoti, që kjo të ketë ardhur ashtu shkarazi e nuk bën pjesë në literaturën që u serviret studentëve!

Unë nuk kam bërë një kritikë postmoderne dhe ai e di mirë këtë. Kam shfaqur disa mendime të bazuara në parime kritike dhe kam përmendur edhe metodat. Kritika ime nuk përbën një kritikë të mirëfilltë në sensin akademik. Jo se nuk jam në gjendje të shkruaj edhe sipas metodave akademike. Por lexuesi i gjerë, nuk është pikërisht ai akademik. Përkundrazi, lexuesi akademik jo gjithmonë i ndjek zhvillimet letrare, përpos pjesës që i intereson. Unë operoj në atë drejtim që operon kritika biografike dhe kritika sociologjike, sepse ato janë më komunikuese me lexuesin e gjerë. Këto metoda përdoren në Amerikë dhe më shpesh edhe sot në faqet e shtypit bashkëkohor, për të tërhequr vëmendjen e lexuesve. E kanë përdorur dhe e përdorin edhe sot një pjesë e studiuesve tanë. Arshi Pipa, në kryeveprën e vet Trilogia Albanica, iu largua metodës filologjike të dy pjesëve të para për të operuar me kritikën sociologjike kur shkroi pjesën e tretë. Sa për të perënduarat që përmend Z. Tufa, i kujtoj atij se në shumë shkrime kritike librat e Borges, Thompson, Ellis, Beckett, Kafka e shumë të tjerëve, i shohim të përdorin termat “klasike”: Verisimilituda dhe Deus ex Machina, parabolic, apodictic, metafor, narrative, paradox, semiotics, apprehension, esoteric, apothic, eulogy, catharsis (të cilin e përdor dhe Agroni), ponopticon  e shumë e shumë të tjera, sigurisht krahas atyre që kanë hyrë me zhvillimin e mendimit kritik e teorik postmodern, edhe pse ende nuk ka një teori definitive për të. Interesantja është se, kritikët postmodernistë shqiptarë nuk i përdorin, po përse i përdorin budallenjtë e perëndimit xhanëm?!

E siguroj, z.Tufa, se  ( Freud , Jones  , Derriden  dhe  shumë filozofë që  nga Talesi i Miletit deri  tek , Wittgenstein , Russell , Heidegger ,  Sartre ,  Quine etj  , kam  filluar ti njoh para 30   vitesh…)     më pas  dhe  të tjerë  që njoh  kur të merrem me kritikën postmoderniste do të merrem me terminologjinë e posmodernizmit, dhe me pseudo-postmodernistët, por druaj se kjo do të ndodhë pak vonë, sepse postmodernizmi si dukuri letrare dhe kulturore bashkëkohore, tek ne, është ende në fazën eksperimentale, pavarësisht ndonjë rasti të izoluar që ka vërtet prurje postmoderniste, siç mund të jetë shkrimtari Ridvan Dibra. U ndala këtu, jo për të treguar dijet e mia mbi postmodernizmin, por për t’iu kujtuar atyre që e ngatërrojnë, që postmodernizmi nuk shënon një epokë, por një fenomen kulturor, natyrisht dhe letrar, me shtrirjen e vet kryesisht në perëndim dhe për kulmore ka arritjet në arkitekturë. Do të ishte një kapërcim astronomik që kultura dhe letërsia jonë të arrinin nga komunizmi drejtpërdrejt në postmodernizëm…

Tjetër gjë që dua t’i bëj të ditur Tufës në lidhje me atë që mendon për mua. Dijet e mia në letërsi dhe në kulturë nuk kanë fare lidhje me atë tipologji të rëndomtë që është përhapur si epidemi në Shqipëri e që mund t’i përkufizojmë si dije sa për një vend pune a sa për një copë rrogë. Falë Zotit, kam bërë zgjedhjet e duhura. Letërsia dhe kultura janë vetë jeta ime dhe pse prej tyre ushqehem vetëm shpirtërisht.

Veprat e Naum Priftit janë mbi 100. Në periudhën e gjatë të tij si shkrimtar ka natyrisht edhe krijimtari që i përket realizmit socialist, por, siç vëren me të drejtë edhe Z. Tufa, Prifti e ka kapërcyer me sukses atë hendek që ndante atë letërsi me vlerat e letërsisë universale, çka nuk mund të ndodhte, përveçse falë talentit të madh dhe kulturës së gjerë që pak shkrimtarë të tjerë te ne i gëzojnë. Këto i kam vënë në dukje, siç kam theksuar dhe gabimet e shkrimtarit Prifti, lidhur me punimin e tij: “Kush e Filloi Luftën Vëllavrasëse në Shqipëri”, kështu që pretendimi i Z. Tufa, për “glorifikim” të Priftit nga ana ime, bie poshtë…

Filozofi Daniel Dennett thotë: “Postmodernism , the school  of “thought” that proclaimed, There are no truths, only interpretations’ has largely played itself out in absurdity, but it has left behind a generation of academics in the humanities disabled by their distrust of the very idea of truth and their disrespect to evidence, setting for conversations’ in witch nobody is wrong and nothing can be confirmed, only asserted with whatever style you can muster”.

Në këtë rast, modernisti dhe më pas postmodernisti  Orhan Pamuk, do të shprehej : “Afedersiniz! “

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Agron Tufa, alfons Grishaj, Mjerimi i mjerimit, të kritikës së “kulluar”

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT