Bisedë me Ajshe Gjonbalajn, ish-e burgosur politike/
Ajshe Gjonbalaj, nga Vuthaj, e burgosur politike e viteve 80, ka qenë pjesëmarrëse e demonstratave më 1968 dhe 1981, ku edhe është dënuar me burg 13 vjet, e që shtatë prej tyre i ka vuajtur në disa burgje, e shumicën në burgun e Pozharevcit, në Serbi.
Prej qelie në qeli…
“Kosovarja”: Kush është Ajshe Gjonbalaj?
Ajshe Gjonbalaj: – Jam e lindur më 1 tetor 1948, në Vuthaj, në Mal të Zi. Shkollën fillore e kam kryer në Vuthaj, normalen në Pejë, kurse Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, më 1971. Kam punuar dy vjet në vendlindje, kurse 11 vjet në Shkollën fillore “Ganimete Tërbeshi” në Llukar,komuna e Prishtinës. Jam pjesëmarrëse e demonstratave të vitit 1968 në Pejë. Në Prishtinë mora pjesë në demonstratat e vitit 1981. Më arrestuan më 23 mars 1984, në Prishtinë, në vendin e punës ku punoja, pra në shkollë, në Llukar. Dënimin me burg e mbajta nga 23 mars 1983 deri më29 nëntor 1990.
Tash jetoj në SHBA. Momentalisht ndodhem për pushim në vendlindje, por edhe në Prishtinë.
Nuk jam martuar asnjëherë.
“Kosovarja”: Na flisni për fëmijërinë tuaj?
Ajshe Gjonbalaj: – Prindërit e mi kanë qenë shembullorë. Babai Ramë Qerim Gjonbalaj dhe nëna Zojë Balidemaj, janë kujdesur shumë për ne dhe shkollimin tonë. Kemi qenë katër motra e dy vëllezër
dhe prindërit e kanë shitur kafshatën e gojës për të na shkolluar. Deri në moshën 15 vjeçe kam qenë nxënëse në dy shkolla:
në Vuthaj e Guci, kurse pas kësaj moshe
jam ndarë nga prindërit për të vazhduar
shkollimin në Pejë. Prindërit nuk punonin
askund, andaj janë munduar shumë
për ne, fëmijët, duke u marrë me gjëra
të bujqësisë. Na kanë shkolluar e rritur
me shumë mundime… Ishte vështirë të
kërkonim para nga babai, kur e dinim se
nuk ishte në marrëdhënie pune…
Këmbë nga Vuthaj
në Pejë!
“Kosovarja”: Keni bërë udhë në këmbë
nga Vuthaj në Pejë. Na i tregoni detajet
e asaj sfide?
Ajshe Gjonbalaj: – Kur erdha të regjistrohesha
në Pejë, erdha me nënën. Ajo
hipur në kalë, kurse unë ecja këmbë. Dhe,
nga ajo kohë e deri në fund të shkollimit
tim, për çdo festë unë dhe nxënësit tjerë
të anës sime shkonim në vendlindje.
Pra, udhëtonim nga Vuthaj në Pejë dhe
anasjelltas. Kalonim kah vendi “Qafa e
diellit” nëpër Çakorr. Dimrit binte borë e
madhe në Çakorr. Ishte rrugë me rreziqe…
Sa herë që udhëtonim, kah ora 2 pas
mesnate, takoheshim ne, nxënësit, nga
fshati Martinaj, Gucia, Plava, Vuthaj dhe
vendet e tjera dhe niseshim bashkërisht
për në Pejë dhe anasjelltas. Vetëm nga
Peja për në Kuqishtë bënim 4 orë e gjysmë
në këmbë. E, ku pjesa tjetër e rrugës?
“Kosovarja”: A keni pasur rastin të keni
probleme me ndonjë nxënës gjatë
rrugës?
Ajshe Gjonbalaj: – Ka ndodhur ndonjë
nga nxënësit në rrugë edhe të sëmurët
nga udhëtimi i gjatë. Dhe, kur sëmurej
ndonjë nxënës rrugës, ia fërkonim fytyrën
me borë. Unë isha më e vogla prej të
gjithëve, se kishte edhe më të moshuar.
Mbaj mend që më caktonin të ecja e para,
t’më kishin nën përkujdesje si më të voglën
e grupit, ashtu që t’më kishin në çdo
moment para syve.
Rruga, zakonisht, bëhej për festa, d.m.th.,
4 herë çdo vit shkollor.
“Kosovarja”: Si u trajtonin në Pejë?
Ajshe Gjonbalaj: – Na trajtonin mirë.
Rexhep Podrimja, profesor, më thoshte
– ti je vajza ime, Avni Lama sillej mirë me
ne, pastaj profesor Aliu, edhe ai ishte i
shkëlqyeshëm, sikur edhe Sylë Dreshaj
dhe Sali Likaj, që më kishte regjistruar në
shkollë, në Pejë. Gjithashtu, ishin edhe të
tjerët që na trajtonin shkëlqyeshëm dhe
na donin shumë. Kishim autoritet të madh
dhe shoqëri të mirë.
Banoja në Pejë, kurse në vizitë shpesh
më vinte nëna dhe, si gjithherë, rrugën e
bënte hipur në kalë deri në Pejë.
“Kosovarja”: E, pasi e kreve shkollën në
Pejë?
Ajshe Gjonbalaj: – Kur e kreva shkollën
normale në Pejë erdha në Prishtinë, për t’u
regjistruar në SHLP. Pas kryerjes së SHLP-së
u ktheva në vendlindje, ku edhe punova dy
vjet rresht. Kisha dëshirë të punoja atje se
kishte nevojë populli për mua, si të them,
t’ua qel sytë… Por, shpejt rashë në sy të
pushtetit, sepse asnjëri arsimtar deri atëherë
në librin e kujdestarisë kurrë s’kishin shkruar
shqip dhe unë isha e vetmja që e bëja në
shqip raportin ditor. Unë nuk dija që ishte
e ndaluar të shkruhej shqip. Dhe, neve, që
ishim shkolluar në Kosovë, në Vuthaj na
quanin nacionalistë. Drejtori malazez, Çedo
Vukoviqi, më thirri të raportoja pse kisha
shkruar shqip. Nuk e dija mirë serbishten.
I erdhi rëndë drejtorit kur i thashë nuk di
mirë serbisht. Ai e thirri ish-kujdestarin tim
të klasës, arsimtarin Hysen Nimanin, që ishte
bërë sebep të pranohesha në atë shkollë,
dhe e urdhëroi t’më mësonte që edhe unë
të shkruaja serbisht.
Lind në burg
e vdes në burg!
“Kosovarja”: Je burgosur. Si rrodhi
ngjarja?
Ajshe Gjonbalaj: – 18 vetë na kanë burgosur.
Ishim përcjellë në demonstratat e vitit
1981. Kryetari ynë i grupit ka qenë Rifat
Kafexholli. Grupi ishte shumë aktiv dhe i
guximshëm, aq sa na quanin “bombaçët”,
grup që njiheshim si minues të Jugosllavisë!
Dy net burg të rëndë i kemi mbajtur në
Prishtinë, ditët tjera në Mitrovicë. Një vit u
mbajtëm në burg nën hetime në Mitrovicë.
Na kanë rrah shumë… Pastaj, na e
shqiptuan dënimin në Prishtinë. Rifati u
dënua me 20 vjet burg, unë me 13, kurse
vëllai im, Beqiri, me 2 vjet. Nuhi Bunjaku
me 15 vjet burg, Shaqir Ruhani me 15 vjet,
Hazir Xhafolli me 12 vjet burg, Nazmi Krasniqi
vdiq në qeli, në Pozharevc, në burgun
qendror. (Interesante: Nazmiu ishte i lindur
në burg nga nëna e burgosur dhe vdiq në
burg, tash si i burgosur).
Gjithashtu, shumë prej të burgosurve të
grupit tonë kanë mbetur me pasoja të
përjetshme, ku dy prej tyre edhe kanë
vdekur në burg. Disa prej tyre edhe tash
janë psikikisht keq, e disa me pasoja të
tjera fizike. Sidoqoftë, të gjithë kanë qenë
të shkatërruar.
“Kosovarja”: Si ndodhi lirimi yt nga burgu?
Ajshe Gjonbalaj: – Kur dola prej aty, mendova
se ma ndërronin burgun. Lëshonin
rrena të përditshme dhe nuk u besoja që
lirohesha. Kam dal me rroba të burgut nga
burgu i Pozharevcit. Më kishin amnistuar
në festën e 29 nëntorit për Jugosllavi, më
1990. Ishte amnistia e fundit për lirime
politike në atë shtet.
“Kosovarja”: A ke qëndruar edhe në qeli
të burgut?
Ajshe Gjonbalaj: – Në Pozharevc kam
bërë burg qeli më qeli. Në një rast erdhi
të na vizitonte Kryqi i Kuq dhe policja
më tha se më kërkonte dikush për vizitë.
Unë bëhesha se nuk kuptoja gjë. Kisha
dyshimin se vinin nga Beogradi t’më
provokonin, pasi shpesh ndodhte kështu.
Shokët e mi i kishin thënë Kryqit të Kuq
t’më intervistonin si rast i veçantë. Kërkuan
nga unë t’u tregoja se si më trajtonin në
burg. U tregona në hollësi për të gjitha
torturat… Në fund, ua dhashë dorën e u
thashë: “Unë u tregova gjithë çka kanë bë
në mua…”. Pse të frikësohesha të tregoja
kur e dija se edhe ashtu do më maltretonin
edhe në të ardhmen, siç ishte edhe në
kohën e shkuar… Bile, të tregoja krejt se
çka ndodhte aty…
Pasi kryen punë ata shkuan. Dhe, në fillim
të atyre ditëve nuk më ndëshkuan për
ato që i thashë. Pas një muaji i nxorën do
kushte që nuk mund t’i bëja, andaj 6 javë
më dënuan të qëndroja në qeli të errët,
duke fjetur në dysheme. Për fat të keq, në
burgun e Pozharevcit ka qeli të rënda dhe
unë kam kaluar nëpër 4-5 sosh…
“Kosovarja”: Na e përshkruaj ndonjë
detaj në qeli?
Ajshe Gjonbalaj: – Një nate të ftohët, kah
gjysma e natës jam zgjuar nga të ftohtit
dhe kam filluar të lëviz nëpër qeli. Nga
lëvizja e gjatë u nxeha dhe para mëngjesit
përsëri më kishte zënë gjumi… Por, më
zgjuan udbashët, duke bërtitur: “A hala
gjallë qenke bre nënën…”. Kishin pritur të
vdisja në qeli nga të ftohtit e madh që
bënte ato ditë… Prandaj, e kuptova pse më
mbanin mu në atë qeli…
Edhe një rast tjetër interesant: në burg
ishte radioja, nga e cila lëshonin muzikë
serbe. Radioja ndodhej në fillim të korridorit
të gjatë. Një ditë, kur më erdhi
radha ta pastroja korridorin, u afrova te
radioja dhe fillova t’i ndërroja stacionet.
Për çudi, hasa në “Radio Kukësin”, e që në
atë moment ishte duke kënduar Dervish
Shaqa! Ishte kënga “E lashë verë e gjeta
dimër”. Dhe, ato pak çaste, derisa nuk ma
ndërruan stacionin, m’u duk se fluturoja
maleve të Malësisë së Madhe… Por, u bë
bujë e madhe se kush e kishte lëshuar
radion, e unë nuk pranoja kurrsesi… Por,
pas pak u zbulua se unë e kisha bërë një
gjë të tillë…
“Kosovarja”: Dhe, cili ishte dënimi?
Ajshe Gjonbalaj: – Më dënuan të punoja
punë të rënda, të bartja paketa të rënda, e
që në to ndodheshin shporet elektrik.
“Kosovarja”: Si ishte momenti i lirimit?
Ajshe Gjonbalaj: – Ishte festa e 29 nëntorit
dhe unë kisha përfituar lirimin si e
amnistuar. Lirimi im ishte amnistia e fundit
që ndodhi në Jugosllavi. Mendoja se ma
ndërronin burgun dhe nuk kisha idenë se
më lironin.
Por, një gjë e tillë edhe ndodhi…
Safet Krivaça
KOSOVARJA 21