NGA SPIRO GJIKONDI/
Një mëngjes pranvere, njëzeteshtatë vjet të shkuara, kur punoja në Pallatin e Kulturës në Tiranë, më erdhi në zyrë aktori i Teatrit Popullor, Ilia Shyti. Kishte me vete një dosje të madhe kartoni, të cilën e shtrëngonte fort nën sqetull. E ftova të ulej në një nga kolltukët e zyrës. Ai e vendosi dosjen sipër tavolinës. E pyeta se përse ishte munduar “Dua të hap një eksopzitë,- tha dhe e vendosi dorën sipër dosjes,si për të thënë se atje ishte eksopzita e tij. “Eksopzitë!?…” u habita unë. “Po, -tha,- eksopzitë…” Mu duk disi e çuditshme kërkesa e tij. Ilia Shytin e njihja prej kohësh. Kisha ndjekur prej vitesh shfaqjet e Teatrit Popullor. E kasha admiruar lojën e tij në shumë role. E kisha duartrokitur shumë herë. Ishte nga aktorët më në zë të Teatrit. Ndonëse jo i bujshëm, ai ishte i ngrohtë, realist, i besueshëm në skenë, ishte i pasur në detaje dhe komunikativ me spektatorin. E njihja, pra, si aktor, prandaj mu duk e çuditshme kërkesa e tij për të hapur një ekspozite, tashmë si piktor. Pa nguruar ai hapi dosjen dhe nisi të më tregonte punimet e tij, kryesisht grafika në penel të thatë me portrete aktorësh të Teatrit Popullor, në rolet e tyre më të spikatur. Ishte, si të thuash një koleksion me skena dhe personazhe nga jeta në teater, një krijimtari që ishte rezultat i një pune të madhe disa vjeçare, cilësore dhe e një lloji të vaçantë. I premtova se do ta ndihmoja. Dhe ekspozita u hap, në hollin e katit të dytë të Pallatit, që ne e quanim “mexanino”, më 28 maj të vitit 1984 e u ndoq me shumë interes nga mijra visitorë…
Ma solli këtë moment në kujtesë libri “ILIA SHYTI- monografi”, shkruar nga Kristaq Papa, që rastësisht më ra në dorë kohët e fundit e që më nxiti të shkruaj këto radhë. Eshtë një libër i shkruar thjesht, në formën tashmë tradicionale të monografive një libër që në një menyrë kronologjike rreket të japë jetën e aktorit që nga lindja, në fshatin Sinjë të Beratit, e deri sa u nda nga kjo jetë; një libër që pasqyron krijimtarinë artistike te aktorit Shyti që në fazat më të hershme, kur ai ishte nxnës shkolle, kontributin artistik në lëvizjen amatore teatrale te qytetit të Lushnjës, punën tridhjetevjeçare në Teatrin Popullor, kontributin në fushën e kinematografise, pa lënë mënjanë krijimtarinë në fushën e pikturës dhe pjesëmarrjen aktive në emisionet televizive, i njohur nga brezat e atyre viteve si “Gjyshi i perrallave.”
Duke ndjekur hap pas hapi jetën dhe krijimtarinë e tij, ashtu siç thashë, nga lindja e deri në fund, me dashurinë e bashkëqytetarit dhe me interesin profesional të aktorit, autori Kristaq Papa ka arritur të japë të plotë një tablo jetësore dhe një portret te spikatur të artistit që nuk iu nda kurrë aktrimit duke thither pa hesap pluhurin e skenës, të asaj skene që e ngriti atë nga një aktor amator në një aktor titullar. Nuk janë pak pesëdhjetëpesë role që ai realizoi në tetatër dhe rreth tridhjetështatë të tjerë në kinematografi. Eshtë një galeri pa fund tipash e karakteresh, herë të moshuar e herë të rinj, herë fshatarë e herë qytetarë, herë shqiptarë e herë të huaj, ku u përthye aktori Ilia Shyti e ku u afirmua portreti i tij artistik, si një nga aktorët më në zë të Teatrit Shqiptar.
Ilia Shyti i përket atij brezi artistësh që vunë bazat e teatrit profesionist në Shqipëri. Ishte ajo plejadë artistësh si Kadri Roshi, Naim Frashëri, Loro Kovaçi, Pjetër Gjoka, Prokop Mima, Marie Logoreci, Drita Pelinku, Margarita Xhepa e mjaft të tjerë që konsoliduan tiparet më thelbësore të tetarit tonë kombëtar. Portretet e tyre janë të pandashëm nga ngrehina e teatrit dhe teatri nuk mund të përfytyrohet pa portretet e tyre, Ata formuan e konsoliduan teatrin dhe teatri i ngriti ata në nivelin e artistëve titullarë, të Popullit e të Merituar.
Monografia e Kristaq Papës, për aktorin Ilia Shyti, është një pohim i vlerave që u krijuan në atë periudhë 50 vjëçarë, që është bërë zakon të quhet “periudha e diktaturës”, vlera që shumëkush, kryesisht grafomanë të verbër militantë, përpiqen ti mohojnë me një të goditur të lapsit, vetëm për faktin se ato u krjuan nën diktaturë, e se, në një mënyrë e në tjetrën, i shërbyen diktaturës. Fakti që edhe në atë periudhë u krijuan vlera të mirfillta artistike tregon në fund të fundit se arti ishte më i fortë edhe se diktatura. E në se diktatura ra, artistët mbijetuan, sepse mbijetoi krijimtaria e tyre. Kjo ua shton edhe më tepër vlerat dhe askush s’mund ti mohojë ato.
Ka dy kapituj të veçantë në librin e Kristaq Papës, të titulluar”Një dimër i shkurtër” dhe “Në buzë të greminës” ku përshkruhen përpelitjet e artistit Ilia Shyti në vorbullën e sistemit, me alternativën: a do të vazhdojë jetën dhe krijimtarinë artistike në teatër, apo do ti ndërpritet rruga e kësaj krijimtarie.Për një arsye që nuk rrjedh prej tij po prej rrethit familjar, për shkak të arratisjes së vëllait të vet Zoi Shyti, atë e lenë mënjanë për shumë kohë, po edhe në aktivizimin e tij të mëtejshëm, pas mbrojtjes dinjtoze që i bënë vetë aktorët e teatrit, ka përsëri një qëndrim disi armiqësor, gjë që rëndon në shpirtin e artistit por që nuk e thyen atë. E bën përkundrazi edhe më të fortë, edhe më këmbëngulës, edhe më kërkues, edhe më krijues.
Jeta e Ilia Shytit dhe krijimtaria e tij artistike pasqyruar me saktësi në librin e Kristaq Papës, në shumë aspekte, është një paralele e zhvillimit të artit në Shqipëri gjatë periudhës së diktaturës. Eshtë një paralele edhe me shumë jetë artistësh të tjerë shqiptarë. Dhe pikërisht për këtë ajo del nga kuadri i të veçantës e bëhet edhe përgjithësuese.
Pa dashur të hyj në hollësirat e librit, por me dëshirën për ti bërë një përcjellje te lexuesi e duke e uruar autorin, shpreh bindjen e plotë se ai do të pritet mirë, për vlerat që ka dhe për kontributin që sjell. Kjo monografi do të zerë një vënd të veçantë në kollanën e këtij lloji, krahas monografive të tjera që merren me jetët dhe veprat e artistëve tanë, të atyre që janë shkruar e atyre që do të shkruhen në të ardhmen. Ato kanë vlerën e pamohueshme se u flasin brezave për çka u krijua në këtë periudhë dhe ndihmojnë në tërësi historiografinë e artit shqiptar.(Dielli-arkiv)