• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

POLIFONIA FEMERORE

September 16, 2016 by dgreca

Grupi i Vajzave të Tërbaçit/

Nga MSc. Albert Habazaj, studiues i etnologjisë dhe folkorit/

3-polif

4-polifonia

2-polifoniaDy fjalë hyrëse/

 Folkori femëror po e pasuron dhe e zbukuron hijshëm folkorin tradicional, me zbatimin e normave të traditës, si dhe duke mbajtur mirë parasysh parimet specifike, ato “ligjet” e pashkruara, që e bëjnë folkorin lloj të veçantë artistik. Folkori femëror po rishfaqet guximshëm, mes sfidash, ballafaqimesh e konkurencash, por edhe mes miqësirash, qokash e hatëresh. Turbullohet folkori nëpër llagëmet e “turbofolkut” ende. Dhe përsëri shfaqet i vërtetë, i qartë në dritë të diellit dhe në furtuna të vetëtimave. Veçse një gjë nuk e kuptojnë si duhet apo bëjnë sikur nuk e kuptojnë si duhet shkruesit e mëdhenj e me kollare të shkrimeve të rënda e me goxha vëllim për folkorin, specialistët e jurive, vlerësuesit e notavënësit e krijimtarisë folkorike në tërësi dhe të këngës labe në kuptimin më të ngushtë të këtij punimi. Krijimi folkorik i këngës labe, sikurse folkori shqiptar apo dhe folkori i popujve të tjerë, mik ka ka vetëm natyralitetin dhe origjinalitetin e tekstit të poezisë popullore, muzikën, instrumentet (kur dhe ku përdoren, si tejtëhu), vallëzimin popullor (vallen), krahas veshjes, mjedisit, kohës dhe hapësirës së praktikimit. Ka mik vetëm nivelin artistik, cilësinë e lartë, shndërrimin në krijimtari folkorike nëpërmjet qarkullimit folkorik të një bashkësie të caktuar, jetës që bën në komunitet, pëlqimit apo shpërfilljes nga banorët dhe asgjë tjetër. Një nga figurat më të njohura të folkoristikës shqiptare sot, prof. dr. Agron Xhagolli përmend veçoritë e folkorit, ato “ligjet” e pashkruara të magjisë hyjnore, të cilat na rrëmbejnë në gjirin e Mbretësisë së Këngës labe, ndër të cilat, profesori përmend: “karakterin e tij sinkretik (të folkorit- shën. im: AH); përhapjen gojore; improvizimin; prirjen ndaj së bukurës, sublimes; lidhjen e së bukurës me të dobishmen; pasqyrimin e atypëratyshëm apo menjëherë pas ndodhjes apo shfaqjes së dukurive të ndryshme; zgjidhjen e çështjeve të shtruara nga pozita e bashkësisë apo të komunitetit; kontrastin e prerë; dinamizmin estetik; përgjithësimin tipologjik; parimin e zbukurimit; koncizitetin; simbolimin nga pozitat e bashkësisë etj.”. (Xhagolli, Agron, “Etnologjia dhe folklori shqiptar”, Vlorë, “Triptik”, 2017, f.17). Folkori, në rrjedhat e kohës, pëson ndryshime, deri edhe transformime, por asnjëherë nuk mund të shkëputet prej traditës, kritereve të krijimit e të funksionimit të vetë folkorit. Edhe kënga labe. Në vitet 1970 mbahet mend grupi i vajzave të Dhërmiut, (sot bashkia Himarë, qarku Vlorë) që u mirëprit si një dukuri e re folkorike në rang kombëtar. Po në atë kohë u paraqit në hapësirat lokale të Mesaplikut e Lumit të Vlorës edhe Grupi i Vajzave të Tërbaçit (sot bashkia Himarë, qarku Vlorë).  Sot, mbi bazën e traditës së Grupit të vjetër të Vajzave të Tërbaçit shfaqet Grupi i Ri i Vajzave të Tërbaçit, si një risi cilësore e polifonisë labe.

Tërbaci, historia, kënga. Tërbaçi i Labërisë ka emër të mirë në histori për liri, dituri e kulturë. Krahas burrave të shquar në rrjedhat e kohës, fshati ynë, që duket si fole shqiponjash mbi luginë të Mesaplikut, me kontributin e gruas dhe vajzës tërbaçiote në luftërat për pavarësi, liri, emancipim shoqëror, dinjitet dhe përparim, i ka dhënë kujtesës kombëtare thesare të çmuara. Miro Tëbaçja me histori fluturon në këngë dhe legjenda. Trimëresha e Tërbaçit, Legjenda Miro u rrit bonjake, pa nënë e pa babë, dhe, siç e këndon kënga “hasmit pashallarë,/ i vranë vëllanë”, pabesisht e padrejtësisht. Kështu realiteti shndërrohet në legjendë … Miro Tëbaçja ngrihet si heroinë popullore, që doli nga gjiri i këtij fshati, u vesh e u ngjesh si djalë dhe ormisi (vrau) pashain e Beratit, sepse tërbaçiotët s’mund të duronin më t’i jepnin haraçe hordhive barbare gjatë pushtimit feudal ushtarak të Perandorisë së vjetër osmane.  

Siç ka bërë emër në histori, Tërbaçi ka emër të lartë dhe në folkorin shqiptar me vallen dhe këngën hijerëndë labe tërbaçiote. Falë birit të fshatit tonë, dragoit të këngës labe, Kujtim Micit të paharruar, më 1966 u krijua i organizuar e i strukturuar grupi polifonik i Tërbaçit, që më vonë u quajt nga të tjerët dhe specialistët Grupi i Madh i Tërbaçit. Ky grup u ngrit mbi bazën e traditës së të parëve, ardhur si stafetë e bukur e trashëgimisë shpirtërore me vargje e melodi karakteristike vendore, që përhapej gojë më gojë nëpër gëzime, dasma e ceremoni familjare.

Kjo majë folkorike nga Grupi i Madh i Tërbaçit u arrit falë tre elementëve të veçantë të Kujtim Micit: talentit të jashtëzakonshëm krijues, dhuntisë së rrallë organizative dhe autoritetit të padiskutueshëm me të gjitha grupmoshat. Ishte vetëm 29 vjeç kur filloi atë punë kulturore titanike në Tërbaç. Kujtim Mici ishte mësues i spikatur, drejtori më jetëgjatë i shkollës 8 vjeçare “Halim Xhelo”, Tërbaç dhe drejtuesi i vetëm, regjisori, krijuesi i teksteve – perla të gurrës popullore. Ai konceptoi, projektoi dhe realizoi punën e grupeve sipas sistemit zinxhir. Krijoi grupin e burrave për këngë e për valle, grupin e grave, grupin miks, grupin e fatosave dhe të pionierëve të shkollës, siç quhej atëhere dhe, më vonë, grupin e famshëm të vajzave të shkollës së mesme të Bratit, (nga që në Tërbaç nuk pati gjimnaz). Këto grupe funksioninin paralelisht, pa ndërprerje avktiviteti në fshat, në lokalitet, në zonë, në rreth, nëpër festa, ceremoni e festivale, funsiononin si një ansambël i mrekullueshëm ylberor, saqë dhe krijuan stilin tërbaçiot të këngës labe. Tashmë, folkori i mirëfilltë tërbaçiot ngrihet në stadin e folkorit të kultivuar mbi shtratin e traditës, duke i freskuar karakteristikat lokale e duke i pasuruar ato me elementë të rinj. Në këngën polifonike labe të Tërbaçit, sidomos me të pakapshmin Sinan I. Hoxha, ashtu sikurse në këngën e Himarës së meteorit Neço Muka e bilbilit Dhimitër Varfi apo smokthinjoçen qazimademçe, që na e sjell me shkëlqim të qartë Hysen Ruka, dallon tejdukshëm karakeri etnoveçues, po aq sa karakteri etnopërbashkues si pjesë e së tërës folkorike.

Dy fjalë për grupin e grave dhe vajzave. Siç e shprehëm, se ashtu ka funksionuar rregullisht, krahas grupit të burrave, u ngrit dhe grupi grave, po në vitin 1966. Personalisht i mbaj mend edhe fillimet e këngës grarishte tërbaçiote, që të organizuara e të regjistruara në Radio Tirana nisën me njësinë folkorike “Tërbaçi, gur’ e përrallë, ma-ja-ve…”, që ia merrte me aq ëmbëlsi, shtruar e qetë, grarishte, ish – mësuesja e mirë Hatixhe Hodo (dtl. 1937, me arsim të mesëm pedagogjik), bijë nga Radhima, nuse në Tërbaç, ia thyente Edie Muho (dtl. 1938, me arsim 7 vjeçar, kthyese e grupit), ia hidhte Farì Skëndaj (dtl. 1936, me arsim 7 vjeçar) dhe ia mbushnin (mbanin iso) disa gra të tjera. Të tria, këto që u përmenda emrin kanë qenë zërat kryesorë të këngës dhe sot janë më moshë të tretë, gëzojnë respekt nga fshati, fëmijët, nipërit e mbesat. Shumë këngëtare të tjera të këtij grupi janë larguar nga jeta. (Qofshin përjetë të paharruara dhe të kujtuara nga brezat e pasëm!) Krahas këtij grupi më të vjetër, krijuesi ngriti dhe një grup me vajza të reja, ku spikatën, sidomos në vitet 1968 – 1972 vajzat e Tërbaçit: Dashuri Hodo (Mehmetaj), Afërdita Demo (Nevraj), Natasha Hoxha (Rrapoj), e paharruara Besie Hodo (Mehmetaj), Lumturi Hodo (Habazaj), Fatbardha Lushaj (Lulaj), Velide Shirokaj, Fatbardha Barjami (Kapo), Bukuroshe Abazi (Ramohito), Pestrova Mehmeti (Abazi), Ferzilete Barjami, Shpresa Abazi (Gjondeda), Nazo Dautaj (Ribaj), Shpresa Kapo (Çelaj) etj., nga të cilat, disa ishin angazhuar qysh me grupin e nxënësve e të tjera, shpesh herë e në vijimësi, këndonin edhe me grupin miks. Shpresa Kapo dallohej (që me grupin e fëmijëve në Gryka) dhe në krye të valles, si më e gjata në trup e grupit elegant dhe hedhëse me ngjyra të pastra e të ngrohta e këngëve të Nazos. Si tekste, drejtuesi u jepte së pari ato të traditës, të krijuara nga Xhebro Gjika, Hamdi Hodo, Sinan Gjondeda, Sinan Mullahu, Puçe Veliko apo pa autorësi (autorë anonimë). U kënduan po ashtu tekste të Kujtim Micit, i cili i ngriti shumë artistikisht si poezi dhe melodi. Grupi i vajzave i ka sjellë stilit Tërbaçiot përherë nota të freskëta e të bukura në këngë. Marrëset kryesore të grupit kanë qenë:

  1. Natasha Hoxha (Rrapoj) me këngët “Dëshmorët e fshatit tonë – Dola në saba’ pa dirë” (teksti Xh. Gjika), “Le t’ja thot’ labi në Jugë” (teksti K. Mici), dhe “Këngë për dëshmoren bonjake Anife Kiçaj” (teksti H. Hodo). Mbahet mend (janë dhe çertifikatat përkatëse si dëshmi) që me këngën “Le t’ja thot’ labi në Jugë” grupi i Tërbaçit fitoi çmmin e parë në Festivalin Krahinor në Brataj, ku u vlerësua edhe marrësja. Nuk këndoi shumë vite me grupin, pasi u largua nga Tërbaçi (martesa puna, largësia, pamundësia).
  2. Dashuri Hodo (Mehmetaj), ka qenë një marrëse me zë të qartë, të lirshëm, që rridhte vrullshëm, sidomos me këngën “Ç’i gjet’ zakonet që pamë” (teksti K. Mici, 1967), e cila pati jehonë për vitet kur u këndua, u përhap, u pëlqye, u regjistrua në Radio Tirana dhe transmentohej shpesh, sepse dhe motivi i saj qe lufta kundër mbeturinave dhe zakoneve prapanike të kohës së kaluar. Kjo njësi folkorike me ritëm recitativ i dha hov këngës së Tërbaçit. Dashuria jeton në Tërbaç. Janë si familje këngëtarë, (megjithëse në Tërbaç dhe gurët këndojnë labçe).
  3. Afërdita Demo (Nevraj), marrëse nga më të vjetrat e grupit të Tërbaçit, e cila dallohej për shqiptimin e kumbueshëm të fjalëve në melodi, sidomos në këngën “Ju, bijt’ e Tërbaçit plak” (teksti K. Mici), që harmonizohej aq mirë me mbushjen (ison) në krahët e notave liriko-epike të këngës aq të dashur për ne. Dhe Afërdita, sikurse Natasha pak vite bëri me grupin, për arsye se u largua nga fshati.
  4. Bukuroshe Habazaj (Ramohito) (dtl.: 30.11.1953-) u angazhua me grupin në vitet 1971-1973. Ka marrë pjesë në veprimtari të dendura artistike – kulturore në një kohë të shkurtër të aktivizimit të saj me grupin e më gjerë. Në qershor 1973 ishte marrëse e këngës “Flet Halimi, është i gjallë”, me tekst të mësuesit krijues, të paharruarit Zaim Hoxha. Gjatë viteve, që punoi në vendlindje, ishte mësues Zaimi që krijoi këngën shumë të bukur me vlera artistike, estetike dhe emocionale “Veshur Bronx e ballë lartë” kushtuar tërbaçiotit të madh Halim Xhelo, figurë demokratiko-revolucionare për pavarësi, liri e përparim, e rangut kombëtar. “Flet Halimi, ësht’ i gjallë,/ për atë s’ka vdekje./ Do sikur të thot’ ca fjalë/ bashk’ me ne në mbledhje./ Rri e do të puthë dheun,/ rri, po nuk i rrihet…” janë  disa vargje thurur nga mësues Zaimi për grupin e shkollës, që kishte ngritur drejtor Kujtimi dhe mësuesi kujtestar, mësues Rexhepi me ne, e, kur u bë kjo këngë, më 1973, ishim në klasë të shtatë dhe bënim prova me këtë tekst, me marrëse Nazon, për të cilën do të flasim në vijim. Bukuroshja ka qenë heqëse vallesh deri dhe prezantuese e festivalit zonal dhe në shkallë rrethi, (falë timbrit të kulluar të zërit), që u zhvillua në Sheshin e Flamurit, qershor 1973 si pararendës përgatitor për Festivalin Folkorik Kombëtar të Gjirokastrës të tetorit 1973. Për shkak se u martua, në gusht të atij viti, u shkëput nga grupi dhe shkoi në Shijak me familjen që krijoi.   
  5. Fatbardha Barjami (Kapo), ka qenë një nga marrëset e dalluara të grupit, me rrënjë e degë kënge. U shqua sidomos si prijëse e valles dhe marrëse e valles mikse të kënduar: “Hidhe vallen, Shqipëri” (teksti K. Mici). Kishte një zë melodioz, të fortë, të ëmbël, të lirshëm, që e zotëronte grupin dhe e nderonte këngën. Nuk lëvizi nga fshati, por për arsye të angazhimit me punët e pushtetit dhe drejtimit të komunës, nuk mund të vijonte shumë vite me grupin miks apo atë të grave të fshatit.
  6. Ferzilete Barjami, motra e Bardhës, i dha një impuls lirik të veçantë këngës tërbaçiote. U dallua si marrëse e dashur, me zë trëndeline, sidomos për këngët me motive baritore të dashurisë. Janë të shumta këngët e Ferziletes, ku, ndër të tjera, do të veçonim ato me dy marrës: djalë-vajzë, ku ajo bën rolin e vajzës si marrëse tërësisht tek këngët e Kujtim Micit, si tek: “Dil çoban nga tënda!”, apo tek e famshmja “Bujkesh’, më shkele meranë…” etj., etj. Pati jetëgjatësi me grupin e Tërbaçit, por duke u martuar në Tiranë, vetvetiu do të ndodhte shkëputja.
  7. Nazo Dautaj (Diana Ribaj) (25.06.1960-) dhe vajzat e Mesaplikut. Qysh në vitet 1967 – 1970, krijuesi zbuloi, përgatiti, inkurajoi dhe realizoi një marrëse fenomenale, bonjaken shembullore Nazo Dautaj (Ribaj), e cila shkëlqeu si marrëse dhe tronditi Festivalin e Tretë Kombëtar të Gjirokastrës më 1978 me këngën lapidare si tekst, melodi dhe interpretim “Gjurmë të kuqe latë mbi borë” – himn për Brigadën e Pestë Sulmuese Heroinë e Popullit. Zëri i Nazos magjepsi krijues, kompozitorë, orkestrantë e muzikantë. Ajo s’qe këngë. Ajo qe simfoni labe. Ajo s’qe simfoni. Qe një operë epiko-lirike. Dhe Nazua qe vetëm 17 vjeç, kur filloi provat me këtë këngë. 18 në Festival. Kalamake. Po aq ishin dhe  gjashtë vajzat e tjera. Adoleshente. E pabesueshme, kur e kujton sot dhe e krahason me çupat e kohës që jemi. Çfarë kanë patur në grykë ato vajza që ndezën atë zjarr folkorik të paparë në Kalanë e Gjirokastrës?! Një forcë tronditëse, një interpretim mjeshtëror nga grupi i vajzave të shkollës së Bratit apo i vajzave të Mesaplikut, si u quajt e mori nam atëherë. Një ndërthurje e rregullt dhe e këndshme e shumë tingujve magjikë, ngjyrave ylberore, etj., krijuan atë tërësi të harmonishme të “Shamikuqes Bramyshnjë lëndinë”. Grupi i vajzave kishte 7 veta; katër nga Tërbaçi dhe pikërisht Nazua – marrëse e talentuar, Shpresa Kapo (Çelaj), një hedhëse e përsosur, Vangjelina Gjini (Deda) dhe Shazie Hoxha (Shyti), që mbushnin këngën me iso, së bashku me Dilore Ballën (Arshiaj) nga Gjormi dhe Baire Hasanin nga Lezhani. Khtyese e këtij grupi simpatik vajzash gjimnaziste ishte Fedirete Sulçaj nga Mesapliku. Dhe ku nuk dhanë shfaqje ato thëllëza mali?! Në Vlorë, në Gjirokastër, në Libohovë, në Përmet, te Ura e Përmetit, në Sarandë, në Delvinë…Dhe u pritën si princesha.

Një visar të ri për folkorin tonë solli me zërin e saj brilant Nazua me këngën liriko-elegjiake “Mal’ i Çikës kokën uli”, 1979. Tekstit të viganit Kujtim Mici, zëri i marrëses Nazo Dautaj i dha dinjitet dhe emocion artistik sfidues. Karakterit sinkretik të këngës labe të Tërbaçit i dha krenari. Fjalë e muzikë e interpretim në këtë perlë folkorike ishin në një unitet me të vërtetë harmonik. Pak vite bëri në Tërbaç Nazua, pas mbarimit të shkollës së mesme dhe, detyrimisht, u ndërpre veprimtaria folkorike e saj. Sot jeton në Athinë me bashkëshortin e dashur e fisnik Besnik Ribaj dhe gëzojnë dy fëmijë: një djalë e një vajzë. Takimi rastësor me të, të mërkurën e 3 gushtit 2016, ndërsa bëheshin prova me grupin e grave të Tërbaçit, qe një mrekulli (falë rastësisë që u kthye për pak ditë pushime në Vlorë me familjen dhe mundësisë e takimit që na krijoi Shpresa Kapo Çelaj, shoqja e saj më e ngushtë e fëmijërisë, që në klasë të parë, shoqe e shkollës fillore në Gryka, e tetëvjeçares në Fshat, e së mesmes në Brataj; të pandara në këngë). Kujtuam atë shoqëri aq të pastër, sinqerisht të padjallëzuar e vëllazërore në kuptimin më ideal të fjalës. Kujtuam vitet e lavdishme të këngës. Shpresa, Nazua dhe unë kemi qenë shokë klase nga klasa e parë në Gryka (1967) deri sa mbaruam klasën e tetë sipër në Fshat (1974-’75). Shpresa vazhdoi shoqërinë me Nazon dhe në shkollën e mesme në Brataj. Në tetëvjeçare në klasë me ne qe dhe Hava Çelaj Muçaj, me të cilën ato vijuan udhëtimin në Brataj të tria, ndërsa unë shkova në Tiranë me bursë në gjimnazin ushtarak (ish-Shkolla e Mesme e Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej” (1975-’79) … Qysh në 8 vjeçare, po ravijëzohej profili folkorik i Nazos si marrëse absolute. Më kujtohet kur krijuesi thuri këngën baladeske “Të lutem, o nënë e dashur!” – kushtuar dëshmorit të fshatit Riza Salati, ndërtuar në formën e dialogut midis nënës dhe djalit. Një këngë e bërë me shumë ndjenjë, dashuri e dhembshuri, ndërtuar me ritëm recitativ, me metrikë 8 rrokëshe dhe rimë të kryqëzuar ab ab. Viti 1973. Kemi qenë në klasë të shtatë. Nazua ia mirrte këngës në rolin e nënës, gruas së dëshmorit, ndërsa, në rolin e djalit, ia merrja unë, Albert Habazaj. Largimi nga fshati, që 15 vjeç me shkollë e detyra larg vendlindjes, për kohën nuk mund të më rikthente më me atë grup fantastik, që s’ribëhet më…Nazua mbeti e paarritshme në interpretim, falë zërit të saj, që sikur vinte nga hyjnitë në tokë; po ashtu falë dhe natyrës së saj serioze, thjeshtësisë e karakterit të fortë. Disa e quajnë Vaçe Zela e këngës së Tërbaçit, disa i thonë Inva Mula e këngës labe e disa i flasin Ermonela Jaho e stilit tërbaçiot. Nazua i dëgjon qetë, qesh ëmbël, se e kupton që ia thonë me respekt e dashamirësi njerëzit këto vlerësime, veçse ua kthen: “U faleminderit, po, këtyre hënave, nga jemi ne, sikur nuk i mbamë dot peshat që s’i ngrëmë dot apo që s’na përkasin. Si thoni?-Sikur u kërkon miratimin me qortim për ato fjalë që të sajve, u dalin nga shpirti. -Unë jam Nazua. Thjesht. Më mjafton kaq. Ju e dini që si kam qejf ato superlativat vend e pa vend. Apo na e heq dera euforinë!… Jeni shumë të mirë! Hajt’ të këndojmë tani, se ndaj erdha t’u takoj, se më kish’marrë malli për këngë!…

Grupi i fatosave të Tërbaçit. Qysh në klasë të tretë, Nazua spikati si marrëse e rrallë e këngës labe të Tërbaçit dhe s’iu nda më asaj. Ishte pikërisht viti 1969. Kujtim Mici krijoi grupin e parë të fatosave të Tërbaçit, me 10 vogëlushë të klasës së tretë, që ishim: Nazo Dauti-marrëse, Krenar Mehmeti-kthyes, Shpresa Kapo-hedhëse, në mbushje (iso) Sulote Kapo, Liri Gaçe, Donika Rroko, Vangjelina Gjini, Kaçandon Çane, Farudin Gjondeda dhe unë, shkruesi i këtyre radhëve, Albert Habazaj. Duke kërkuar në arkivin personal, gjej disa fletë të zvedhura, shkruar me laps, që mezi lexohen. Për të qenë i vërtetë, unë po e plotësoj këtë shkrim, me shënimet ashtu siç i kam shkruar, pa ua tjetërsuar kuptimin, sepse ashtu ka qenë e vërteta e jetuar. (Unë s’di e s’mund të gënjej, sepse jam përdorues i penës dhe jo shpërdorues i saj). Po shkëpus nga shënimet e vjetra pjesën ku shkruaj për grupin e parë të fatosave të Tërbaçit, si quhej atëherë: “Kishim grupin miks, grupin e pleqve, grupin karakteristik të burrave, të valleve, grupin e vajzave dhe grupin më simpatik, atë të fatosave [janë 8 rreshta që nuk e dalloj qarët shkrimin] Grupi i fatosave doli në skenë për herë të parë me këngën: “Do këndoj xhaxhi Enverit/ dhe nënës Parti/ për të mirat që na sollën/ ne, brezit të ri/ nëpër kopshte na mësojnë,/ sa jemi fëmi/ dhe në shkolla na dërgojnë/ ne për dituri./ Tani që jemi fatosa/ lule na ke ti,/ kur të rritemi dhe pak,/ ushtar’ në kufi,/ Shqipëris’ i dalim zot,/ kemi zjarr në gji”. Me këtë këngë u bëmë të njohur në Festivalin Zonal të Vranishtit. Më vonë morëm jehonë me këngë të tjera, kur dhamë shumë shfaqje përpara sheshit të Flamurit dhe në sallën e kinoklubit “Perlat Rexhepi”. Kënga e fatosave të Tërbaçit dukej sikur hidhte tufa-tufa në sallë luleborë, lulëkuqe e luleshqerre. Çiltërsia fëminore ndërthyrej me ëmbëlsinë e zërave dhe jepte një kombinim të bukur melodioz që të mbushte me emocion. Dhjetë veta kishte në fillim grupi i fatosave, 6 vajza e 4 djem, [Ky grup shënohet si i pari i këtij formati në Tërbaç (shën. im, i sotëm – AH)]: Nazua, që ia merrte këngës si cicërimë biblili, Krenari, që kur ia kthente kumbonte si trokje buzë shpatit, Shpresa që e dridhte zërin aq bukur e me ndjenjë, Sulotja, Liria, Donika, Vangjelina, Kaçandoni, Farudini dhe Alberti, që bënin iso. Inçizuan dhe në radio disa këngë, si “Zemrën shkëmb e ballin lart”, marrës Alberti, kthyes Krenari, hedhëse Pesa; apo “Gjirokastra heroike”, “Zëra po ushtojnë”, “Kjo kalaja jonë e fortë” etj., marrëse e të cilave ishte Nazua, thyes Kruqi e hedhëse Pesa …

Tani ata janë rritur, disa këndojnë me grupin e fshatit, të tjerë janë nëpër shkolla, ku mësojnë për agromonë, mjekë, oficerë, naftëtarë, për t’i shërbyer Atdheut në çdo skaj. Gjatë pushimeve të verës mblidhen për vit, kujtojnë fëmijërinë e çiltër e ja thonë këngës në hije, te lisi i Bilbilave, si i thonë fshatarët vendit me hije të freskët ku mblidhen artistët amatorë të Tërbaçit. Nazua është marrëse e grupit polifonik dhe zërin e saj e dëgjojmë shpesh në këngët e grupit “Unë shaminë e zezë e preva shqiponjë”, “Gjurmë të kuqe latë mbi borë” apo në këngën “Kemi një shok më pak, po një amanet më shumë”, kushtuar kujtimit të ndritur të shokut Hysni Kapo. Pasardhësit e grupit të parë të fatosave e kanë çuar më tej traditën. Ata janë valltarë të mrekullueshëm, porsi baballarët. Ja, Mireli, që e heq vallen sikur është burrë serioz e duke dredhur shaminë; pasohet nga Beni, Dashamiri, Andi, Genci, Tori, Arbiri …, serbesë e me sytë që u shkrepin çika stërralli …”. Siç e shpreha më sipër, paragrafët vendosur në thonjëza janë shkëputur nga shënimet e mia me titull: “Këngë që gurgullojnë si gurrë mali”, dhjetor 1979, f. 9-11. Lehtë vihet re atmosfera romantike dhe me ngjyra politike, por ashtu është shkruar në ato faqe, s’mund t’i ndryshoj. Vërehet po ashtu, se poeti i madh liriko-epiko i vargjeve të skalitura për tekstet e këngëve të mëdha të Tërbaçit të madh kishte, tek-tuk, edhe tekste me përmbajtje politike, disa nga të cilat, qëlloi që i kemi kënduar dhe ne, fëmijët, ndër të të cilat, duhet pranuar se kishin edhe tekste të rëndomta, artistikisht të dobëta dhe jashtë botës fëminore, me mjete jo të natyrës së popullit, që denatyralizimin e folkorit kanë finale, sepse janë folkorizma. Mund të themi dhe s’mund të themi: “Ashtu ishte koha. Ashtu kërkohej”. Ashtu bëhej. Lum, kush ruante raportet dhe nuk shkarravitej, aq më keq ekstremisht, si ca të patalentuar, që sot mohojnë ç’kanë shkruar e kënduar dhe na dalin të persekutuar e flasin si pasnesër apo, si i thonë ndryshe, kuvendojnë si kaposhi majë plehut. Mos gënje, qerrata! Është e neveritshme gënjeshtra, sido që të jetë puna, sido që ta keshë patur hallin. Aq më tepër sot, që diktatura iku, vate… Apo i ha hija e saj ca e ca. (Kthehemi në tekst, se mërzita veten, jo më ju, lexues të respektuar, prandaj më falni).

  1. Grupi i sotëm i grave të Tërbaçit që ne pëlqejmë ta quajmë dhe ato ashtu kanë dëshirë t’u flasim me emrin e thjeshtë, të bukur, historik dhe simbolik: Grupi i Vajzave të Tërbaçit (ish-vajzat e viteve 1975-’80)… Ikën kohëra, erdhën kohëra. Rrodhën vitet. “Turbull lumi, turbull-o” thotë një këngë e vjetër. Jeta na vjen si det me lule dhe furtunë. U venit grupi i vajzave, iu harrua emri. Dhe Dragoi i këngës së Tërbaçit u plagos, u sëmur, ra, iku. Por, ai ka qenë. Bëri emër, na dha dhe na la emër. Dhe ne kemi qenë dikur dikush. Bëmë emër. Tërbaçi na lindi, na mësoi, na inkurajoi, na pëlqeu, na vlerësoi dhe na nderoi. Ndodhën ato që ndodhën e që ne i dimë mirë, por s’është e nevojshme të dalin matanë qafës së Shënmitrit, se mërziten e na qortojnë të parët. Të qajmë gjithë jetën, atëhere? Jo! Për nder të Tërbaçit, për paharrim të Kujtim Micit, për dinjitetin tonë do ta ringremë grupin, se s’bën! – Kështu thanë gratë e Tërbaçit, të cilat u organizuan në këtë grup të veçantë, që ka një simbolikë të madhe. Ato janë shoqe që nga fëmijëria, në përgjithësi të ditëlindjes  Gjashtëdhjetë. Janë nëna të nderuara, janë bërë dhe gjyshe të lumtura. Po kush janë këto zonja tërbaçiote, kush janë këto strëmbesa të Miro Tërbaçes, që sikurse Ajo me jatagan, këto me këngë po ia bëjnë forra dhe shënojnë emrin në historinë kulturore të fshatit e hapësirave tutje? Ato janë 9 zonja të respektuara, familjare të rregullta, që kontribuojnë vullnetarisht për vendlindjen dhe pikërisht: Shpresa Kapo (Çelaj), (02.03.1960-), Baftie Dautaj (Xhelili), (07.03.1963-), Hava Çelaj (Muçaj), (02.02.1960-), Shpresa Habazaj (Gjondeda), (25.03.1959-), Lavdie Goxho (Xhaka), (30.11.1958-), Liljana Rrapi (Kapo), (07.08.1961-), Evgjeni Habilaj (Seferi), (01.10. 1964-), Vangjelina Gjini (Deda), (-.-.1960-) dhe Margarita Kapo (Habilaj), (03.10.1965-). Shtatë janë bija Tërbaçi, nga të cilat pesë janë martuar po në Tërbaç (dy Shpresat, Lavdia, Vangjua dhe Rita) dhe tri në fqinjë, (Havaja në Brataj, Baftua në Lapardha, Gjena në Gjorm, ndërsa Liljana, bijë Gorishti, është nuse në Tërbaç). Fillimgushti 2016 është edhe ditëlindja e këtij grupi. Më datat 2, 3 gusht e në vijim, mbasditeve u mblodhën, u organizuan e nisën provat mbasditeve, duke sakrifikuar nga koha e tyre, e familjes, e nipërve dhe mbesave për të përmbushur një misioni shumë fisnik. Me mundësitë e tyre, ende pa mbështetje financiare, këto gra dinjitoze, sedërtare dhe nëna tërbaçote të nderuara u paraqitën për herë të parë me një buqetë me lule këngësh në Festën e Fshatit, në takimin e brezave, të shtunën e 20 gushtit 2016, vetëm me grupin e tyre të pagëzuar “Grupi i Vajzave të Tërbaçit”. Dhe synojnë që “Ditë më të mira paskëtaj të vinë” për promovimin, prezantimin, përhapjen dhe dobinë e këtyre visareve për komunitetin në hapësirë dhe nëpërmjet videoklipeve. Në repertorin e tyre ka këngë tërbaçote të stilit grarisht, ku ndihet se kontakton me një art të lashtë të traditës, po ashtu kërkesat e tyre janë për risi me tekste dhe melodi, të përshatshme dhe të pranuara nga banorët e trevës. Kanë krijuar një grup korret, kompakt, të mirëkuptueshëm, që të japin përshtypjen se janë nëntë motra. Baftua është marrëse. Dhe Liljana. Kthyese Rita, hedhëse Shpresa Kapo. Shpresa bën dhe marrësen. Grupi që mban këngën, që e mbush në vijën e duhur melodike me iso, me Havanë, Shpresa Gjondedën, Lavdien, Vangjelinën e Evgjeninë bën, jep e përhap një jehonë harmonike të konsoliduar. Kanë këngë për Tërbaçin, për sintesën e tij historike, që vjen si himn për folenë e shqiponjave, siç e quajmë ne vendlindjen, një këngë mallëngjimi, homazh për Kujtim Micin e paharruar. Këto zonja fisnike, shoqe dhe motra të mia, kërkuan këshillim me mua, Albert Habazajn, autorin i këtij shkrimi, për t’u organizuar si grup polifonik i grave të Tërbaçit. Unë i ndihmoj aq sa mund dhe bashkarisht kërkojmë të realizojmë të duhurën, se ka kohë që humbi. Kërkojmë ta realizojmë dhe për respekt të kujtimit të paharruar të Kujtim Micit të madh të Tërbaçit. Në repertorin e zgjedhur ka këngë të vjetra, por bazën e përbëjnë këngët e Kujtim Micit. Në festën e Tërbaçit u paraqitën me  këto tri këngë: “Himni i Tërbaçit”, marrëse Liljana Kapo, kthyese Rita Habilaj, hedhëse Shpresa Çelaj, teksti Albert Habazaj; “Elegji për dragoin e këngës”, marrëse Baftie Xhelili, kthyese Rita Habilaj, hedhëse Shpresa Çelaj, teksti Albert Habazaj; dhe “Tërbaçi ynë”, marrëse Shpresa Çelaj, kthyese Rita Habilaj, hedhëse Baftie Dauti, teksti Kujtim Mici. Në vijim, Grupi i Vajzave të Tërbaçit u plotësua me aktivizimin e dy zërave të fuqishëm Vitore Shiroka (Vera), bijë dhe nuse në Tërbaç dhe Floreta Caca (Lutaj), bijë nga Tërbaçi, nuse në Lapardha. Premton një ndihmesë të çmuar në tekste dhe në vijën melodike mjeshtri i këngës labe, Pelivan Barjamaj, monument i gjallë i lirikës dhe epikës poppullore me aromë trëndeline. Baza folkorike e “Grupit të Vajzave të Tërbaçit” janë meloditë e pasura të gurrës tërbaçiote dhe tekstet e fuqishme të Dragoit të këngës labe, të paharruarit Kujtim Mici. E veçantë është kënga e tij aq mbresëlënëse “Nënat tona shqiptare, nëna moj!”, të cilën këto gra të nderuara e kanë kënduar qysh kur ishin vajza të reja, 40 vjet më parë. Po ashtu, ka dhe këngë të ndryshme lirike, këngë të lindjes, nina-nana (ninulla), këngë zbavitëse, me motive nga puna e përditshme, të përvajshme, këngë festash, ritmike, me ritëm gazmor, shoqërore, dashurore, dasme, gëzimtare, këngë të jetës. Duan të vijojnë gjurmët artistike të Nazos dhe ta nderojnë, sa të kenë zë e shpirt, Kujtimin e Kujtim Micit të pavdekshëm.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Albert Habazaj, Grupi i Vajzave të Tërbaçit

Kënga e Petro Markos për Halim Xhelon dhe dy vjersha të Halimit

September 10, 2016 by dgreca

Shkruan:MSc. Albert Habazaj/2-busti

2-pamjeKur ishim të vegjël, në vitet 1967-1974, nxënës në shkollën 8-vjeçare “Halim Xhelo” të vendlindjes time, në Tërbaçin e dashur, drejtori i shkollës, mësuesi madh, që vërtet e meritonte të ishte Profesor, poeti popullor i teksteve të këngëve të grupit të madh të Tërbaçit, dragoi i këngës labe Kujtim MICI, punonte si ai edhe me folklorin. E veçanta e tij qe puna në sistem zinxhir me grupet e të rriturve, të burrave, të grave, me grupin miks, të pionierëve dhe të fatosave.

Kënga e Petro Parkos për Halimin. Mbaj mend, qysh nga klasa e parë deri në të tetën, që këngën “Halim Xhelo trim, o trim” e këndonte grupi i madh, ai miks dhe grupi i vogël, yni, i shkollës, vit pas viti (me variantet përkatëse). E dinim këngë të popullit, kur krijuesi rrjedh në përroin e përjetshëm të anonimatit. Në fakt ajo qe bërë këngë e dashur e popullit. Kur u rritëm, morëm vesh që ky tekst kishte një autor. Autor i këngës, aq të dashur edhe sot e kësaj dite në Tërbaç, në Labëri dhe në Vlorë është Kalorësi Rebel i Lirisë, i pamposhturi dhe i pavdekshmi Petro Marko Dhërmiu, që e adhuroj aq shumë, sa do të doja të qe lindur në Tërbaçin tim. Tekstin e këngës e kam lexuar më vonë në librin e parë me poezi të Petros “Horizont” (Tiranë, “Naim Frashëri”, 1959). Ja teksti i këngës: “Të kish rritur Labëria,/ Djalë i popullit Halim,/ Halim Xhelo trim o trim,/ (vargjet 2, 3 janë refren, shën. im – A. H) Të kish pritur Shqipëria,/ Të prit të delje në Vlorë,/ Me flamur të kuq në dorë,/ Po ti u trete i mërguar/ Në Francë, në vend të huaj,/ Shqipërinë për ta shpëtuar./ Ti vdiqe, njeri s’të qau,/ Mau djalëria, mau/ (ashtu është shkruar në tekst, është dialekt.: mbahu, shën im – A.H) Halimi rrugën e çau,/ Hall e popullit e qau”. Kjo këngë, sa e thjeshtë, aq e bukur, në shtratin e shtruar të labërishtes, është thurur si një këngë e përvajshme qysh në vitin 1937, sepse Petro Marko qe adhurues idealist i shpirtzjarrtit për atdhe Halim Xhelo Tërbaçi. (Dhe i ngjante në karakter, në dinjitet). Vetëm një lexues i vëmendshëm mund të merrte informacion dhe tepër shkarazi, që këtë tekst e ka bërë P. Marko. Tek vepra përgjithësuese “Historia e Letërsisë Shqiptare” 1983, kur trajtohet P. Marko si një nga poetët dhe prozatorët kryesorë të brezit të viteve ’30 të shek. XX, shkruhet: “Poeti do t’i këndonte Halim Xhelos, një nga komunistët shqiptarë të shquar të kohës, dhe vjersha do të bëhej më pas popullore” (Shih: “Historia e Letërsisë Shqiptare që nga fillimet deri te Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare”, Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë 1983 f. 577).

Mjeshtri i madh Muhamet Tartari për Halim Xhelon. I mirënjohuri i Vranishtit të valleve së vetëtimave, Muhamet Tartari ka bërë disa këngë për Halim Xhelon, të cilat i ka kënduar grupi i Tërbaçit. Po prezantojmë vetëm pak vargje, që të japin imazhin e një pikture poetike të peizazhit epik të vendlindjes së Heroit: “Po rrjedh ujë nga burimi,/ Ujë mali, ujë bore,/ Po ushton një këngë labe,/ Këngë trimash, burrërore./ Ja fillon e para Çika,/ Iso Çipini, Stogoi,/ Ja hedh bukur Bogonica/ Për Halim Xhelo dragoin./ Nga balt’ e Tërbaçit doli,/ E ushqeu toka labe,/ Mori forcën dhe qëndresën,/ Trimërin’ në këto male”.

Kënga për Halimin e mësuesit krijues, të paharruarit Zaim Hoxha: Mësues e bir mësuesi, Zaimi jepte gjuhë e letërsi në shkollën 8 vjeçare “Halim Xhelo”, Tërbaç. Gjatë gati dhjetë vjetëve, që punoi në vendlindje, ai krijoi edhe një këngë shumë të bukur me vlera artistike, estetike dhe emocionale “Veshur Bronx e ballë lartë” kushtuar tërbaçiotit të madh Halim Xhelo, këtij burri të lartë kombi, kësaj figure demokratiko-revolucionare për pavarësi, liri e përparim, e rangut kombëtar. “Flet Halimi, ësht’ i gjallë,/ Për atë s’ka vdekje./ Do sikur të thot’ ca fjalë/ Bashk’ me ne në mbledhje./ Rri e do të puthë dheun,/ Rri, po nuk i rrihet…” janë  disa vargje që thuri mësues Zaimi për grupin e shkollës, që ngriti drejtor Kujtimi dhe mësues Rexhepi me ne, që kur u bë kjo këngë, më 1973, ishim në klasë të shtatë. Si e përjetësuar në bronx na vjen portreti i Halimit në këngën recitative të mësuesit veteran, dritanit i arsimit në Vlorë, fisnikut Zaim Nuro Hoxha
Vjershërimi dhe kënga, një anë pak e njohur e Halim Xhelos. Pak e dinë që Halimi ka shkruar dhe poezi. Gjithashtu ai e këndonte shumë bukur këngën labe. Ka ngritur edhe vetë këngë. Këtë fakt na e kanë thënë e na e kanë lënë në memorien tonë ata lisat e moçëm që u rrëzuan me kohë e një nga një, duke transmetuar pas kujtesën individuale e atë sociale brezave, ata pleq të mençur të fshatit, qysh në vitet ’70 të shekullit të kaluar si Sali Lusho, Rustem Xhaka, Hairo Laze etj., të cilët e njihnin nga afër Halimin. Është një këngë për Luftën e Vlorës. Si praktikë folklorike, kanë qenë raste të rralla aktivizimet e njerëzve të arsimuar, të cilët kanë krijuar vargje e i kanë kënduar së bashku me banorët, luftëtarët, kuvendarët etj. Të tillë, pra, mund të përmendim Halim Xhelon, i cili më 9 maj 1920, kur bobla mblodhi tërbeçtë në Bregun e Bragjine (që nga ai çast mori emrin Bregu i Alarmit), në ballë të fshatit Tërbaç të Lumit të Vlorës thuri dhe këndoi në mes të bashkëfshatarëve të tij këtë njësi folklorike të regjistruar dhe të memorizuar në kujtesën sociale të komunitetit që e pranoi dhe e përcolli tek të pasmit e gjakut. Kënga. Ja vargjet e këngës që improvizoi Halimi, si pasqyrim të atypëratyshëm të shfaqjes së dukurisë apo nevojës  së menjëhershme për t’u bashkuar në luftë kundër armikut për lirinë e Atdheut të pushtuar: “Shqipëri e dashur/ Je në robëri./ Jamte buzëplasur/ Se ti s’ke liri./ Un’ për ty do des,/ I dashur Atdhe,/ I gjall’ të mos jes,/ Ndryshe pse më ke?/ Ngrihi burra trima,/ Armikun përzëmë/ Porsi vetëtima/ këtu mos ta lëmë!/ Shqip’ria thërret-ë/ lirinë kërkon-ë,/ nga nevej e pret-ë/ mvetësi dëshron-ë./ Nevej të bashkuar/ O për një qëllim-ë./ Me flamur në duar:/ Vdekje për shpëtim-ë”. E shënuam këngën siç e kemi dëgjuar atje ku është kënduar, sikurse është praktikuar, me të folmen dialektore të Tërbaçit, duke respektuar parimin fonetik detyrimisht. Ky krijim foklorik ka një fillesë krijuese individuale. U paraqit, u pranua, u përfshi në praktikim, në qarkullimin folkorik të bashkësisë përkatëse. Individi krijues është Halim Xhelo. Banorët që e pranuan dhe e bënë të tyren janë tërbaçiotët. Data e krijimit është 9. 05. 1920. Këtë këngë të H. Xhelos e kemi gjetur të botuar në gazetën “Mbrojtja Kombëtare”, gjatë gërmimit në arkivat e shtypit periodik të Bibliotekës Kombëtare, Tiranë. Gjithashtu, memorja na e sjell si në ekran, ngaqë në vitet 1967-’70, kur ndihej një situatë sa festive, aq solemne në Tërbaç, sepse gëzonin njerëzit, tek prisnin 50 vjetorin e kujtimit të fitores së bujshme që kishin arritur në Luftën e Vlorës, më Njëzetën, “kur hodhën talanin në det”, siç thoshnin ish-vullnetarët e kësaj lufte çlirimtare. Parë në rrafshin krahasimtar me njësitë e tjera folkorike, kjo këngë mund të jetë edhe akretipi i ciklit të këngëve të Epikës historike të Luftës së Vlorës.

Vjersha. Nga Parisi, më 17 Prill 1936, Halim Xhelo, me frymëzim atdhetar, bën vjershën “Të njëmbëdhjetë xhandarët”, me 6 strofa 12 rrokëshe (edhe pse nuk respektohet fort metri), e cila është shkruar nën përshtypjen e thellë të shtypjes mizore që iu bë Kryengritjes së Fierit nga regjimi. Vjersha i referohet faktit të vrasjes pa gjyq të 11 xhandarëve antizogistë që morën pjesë në atë kryengritje: “Përtej nga lëndinat, mu për nënë shelgje/ Dëgjohen ca bërtima, po bien ca dyfeqe,/ Ç’është andej, mor djema, or ju udhëtarë?/ Mos pyet xha Nako, njëmbëdhjetë xhandarë./ Me plumba i qëndisnë, mu në zëmër e në ballë/ Po syri s’iu përënt sa qenë të gjallë,/ Me kryet përpjetë, thirrën me një zë:/ Të bëni ju popull, atë që dot s’u bë./ Njëmbëdhjetë varre, njëmbëdhjetë qivurë/ U ngrehnë në Fier, ndën arat me grurë/ Ju nënat e tyre, pushoni pak ligjet,/ O nuset e reja, që xhani po ju digjet./ Djemt e burrat t’uaj vdiqën për liri,/ I qan gjithë populli, tër një Shqipëri./ Me xha Nakon, bujk, Lalë Myzeqeje,/ Që s’ka hi në vatër, as çull e mbuleje./ Do ngrihet vegjëlia, si një trup më këmbë,/ Sulltanin e Tiranës, ta çqepë me dhëmbë,/ Për vete të fitojë male e vërri,/ Çifliqet e grabitur, nder e burrëri./ Në Fier një Pantheon mermeri të skalisur,/ Me krejt martirët t’anë, tejpërtej stolisur./ Do vemi haxhilerë të hedhim trëndelinë,/ Mbi varret e atyre, që ranë për lirinë.”. Duke bërë pelegrinazh në varret e të rënëve, autori shfryn gjithë urrejtjen kundër regjimit dhe i bën thirrje popullit për ta përmbysur atë. Vjersha është botuar pas vdekjes së Halimit në gazetën “Bashkimi Kombëtar”, nr. 6, më 15 Shkurt 1937. Pa u futur në analizë të hollësishme, nuk mund të flasim për nivel artistik, sepse është më tepër një vjershë kushtruese, deklaratë e këngëzuar me duf, është një poezi e përkushtuar, e angazhuar, deklarative, por e mbushur me dashuri për atdheun, me adhurim për lirinë, me nderim për martirët.

Filed Under: ESSE Tagged With: Albert Habazaj, Kenge per Halim Xhelon, Petro Marko

“MENDIM ESTETIK MBI LETËRSINË BASHKËKOHORE, AUTORË VLONJATË”

July 28, 2016 by dgreca

 Parimet dhe struktura, konceptualiteti i autorit Eqerem Canaj  në formulimin e librit studimor “Mendim estetik mbi letërsinë bashkëkohore”./

 Nga MSc. Albert HABAZAJ/*

Setenca e gjeniut të letrave Johan Volfgang Gëte: “Më shumë dritë mendimi, më shumë dituri, më shumë vërtetësi” duhet të çeli syth te shkrimtari dhe  esteti Eqerem Canaj me zhvillim në librin “Mendim estetik mbi letërsinë bashkëkohore (autorë vlonjatë)”

Ky libër është një studim i mirë, që i rrit vlerat autorit në kontributet e tij letrare dhe i shërben qytetit. Kjo vepër realizon një shërbim për Vlorën, një ndihmesë për shkollat e mesme, sepse pikërisht “Mendimi estetik mbi letërsinë bashkëkohore: autorë vlonjatë – është regjistër vlerësues për krijimtarinë e sotme letrare që prodhohet në Vlorë. Ky fakt meriton vëmendje sepse bëhet fjalë për “një letërsi shqipe në miniaturë, pjesa jugperëndimore e saj”, siç shprehet me dashamirësi prof. Zeqirja Neziri, i Katedrës së Letrësisë Shqipe, Shkup. Gjykojmë, se ai ka patur parasysh që në Ndërtesën Letrare Shqiptare katër dhoma të katit të parë i kanë patur të zotët nga Vlora dhe konkretisht: Ali Asllani – dashnor i poezisë së vesuar, Petro Marko – kalorës i lirisë, rebel me tufanet, Shevqet Musaraj – shkrimtar i angazhuar i spikatur për humorin e tij, Fatos Arapi – krijues i poezisë moderne shqiptare, fitues i çmimit të parë në Europë për poezi vitet e fundit dhe në fillim të tyre e në themele të Ndërtesës  Letrare Shqiptare, eruditi biblik Eqerem bej Vlora, i famshëm për bibliotekën e tij jo vetëm në Shqipëri, por në tërë gadishullin e Ballkanit. Në Ndërtesën Letrare Shqiptare dhe në Kat të Parë dhe në katet e tjera kishte dhe ka dhoma të tjera më të vogla me zotër nga Vlora. Një nga këta zotërinj është edhe miku i Letrave Eqerem Canaj, që po i bëjmë sot këtë respekt të merituar.

Ndër parimet që ka ndjekur autori në ndërtimin e librit do të veçoja:

1 – Trajtimin global të autorëve që kanë botuar libra mbas viteve `90 të shekullit të kaluar deri më sot, të cilët kapin shifrën 99 tituj për 93 autorë.

2 – Për të studjuar dhe për të shpjeguar mendimin e tij estetik për veprat, ai ka përdorur një kërleshje të metodës analitike me atë sintetike.

3 – Struktura e kësaj dhomëze letrare të Eqerem Canajt ka këtë përbërje të brendshme: Është e ndërtuar me 7 kapituj, që janë vendosur të lidhur sipas një rregullsie llogjike: Pjesa e parë rrok poezinë popullore të 19 autorëve të shkallëzuar që nga bejtexhinjtë, rapsodët, poetët popullorë e deri te Perandori i Polifonisë Labe Lefter Ҫipa apo zotëria i vargut të  ëmbël Nertesi Asllani.

Pjesa e dytë, përfshin poezinë moderne të 37 autorëve, ku natyrshëm bën hije të freskët zbukuruese edhe Hiqmet Meçaj, i krahasueshëm për artin e fjalës së tij me Xhevair Spahiun, Tomorrin e Poezisë Shqipe. Trajtohen Miljano Stefa, Alisa Velaj, Anastas Bita, Xhemil Lato, Seit Seitaj Albert Habazaj, Idajet Jahaj, Kristaq Xhaho, etj.

Pjesa e tretë trajton prozën dhe konkretisht tregimin e 17 autorëve, ku spikatin dhe emra të njohur si Shefqet Tigani, Astrit Hajdini, Astrit Xhaferri, Leka Skëndaj, Pali Shtëmbari, Skënder Hasko etj. Ky kapitull është dhe më i begati, sikur të mbush me më shumë frymë artistike. Kapitulli IV ka novelën e 5 autorëve dhe kreu V romanet e 7 autorëve të  tjerë. Disa nga shkrimtarët e këtyre dy xhanreve të fundit, esteti Canaj i ka pikasur që kanë qenë jo të shëndetshëm në realizimin artistik të veprës, por janë shfaqur si ndërtues të vobektë. Studiuesi e ka thënë fjalën e tij me guxim qytetar, me përgjegjësi profesionale, duke zbatuar një kriter të domosdoshëm që, pa ndershmëri intelektuale nuk ka kulturë serioze. Synimi i autorit ka qënë dashamirësia. Këto vërejtje të mos keqkuptohen, as të keqinterpretohen, sepse Canaj i bën për të mirën e Shëndetit Letrar të Shkrimtarëve të Vlorës sot.

Kapitulli VI trajton letërsinë për fëmijë, ku përfshihen 9 autorë. Në këtë letërsi Vlora ndihet më mirë deri në rang kombëtare dhe kritika e Canajt e pasuron më tepër vlerën e vjershave  dhe fabulave për moshën fëmijërore të autorëve të dëgjuar vlonjatë që nga i paharruari Ferhat Ҫakërri, Sazan Goliku, Bardhosh Gaçe, Pëllumb Velo. Një gjedhe e kësaj lënde apo kreu 7  trajton: “Një zë të veçantë në Letërsinë Bashkëkohore”, ku përfshihen 4 shkrime nga autorë të tjerë për poezinë -Hajk, për novelën dhe për romanin e vetë zotërisë Eqerem Canaj.

Natyrisht, që autori i këtij libri e di që Estetika = teori e së bukurës + artit dhe nuk e ka harruar fjalën e urtë të nobelistit Indian të vitit 1913 Rabindranath Tagore (07.05.1861-07.08.1941): “Yjeve nuk u vjen turp të duken si xixëllonja dhe, ne i afrohemi Diellit të madh, kur jemi të mëdhenj në thjeshtësi…”

Ndër kriteret e punës në laboratorin e tij krijues esteti Canaj nuk ka bërë përzgjedhje të veprave të autorëve, por ka trajtuar vetëm një libër të një gjinie, pavarësisht se autori mund të ketë botuar, ta zëmë dy libra me poezi, nëntë novela apo 37 romane!… Ta zëmë, ë? Se dhe bën vaki!… Studiuesi trajton në këtë botim vetëm 1 vepër për zhanrin përkatës që lëvron shkrimtari.

Vepra letrare ka dy pole: polin artistik + polin estetik: 1.- Poli artistik është teksti i krijuar nga autori. 2.- Poli estetik është realizim i polit artistik nga lexuesi. Bashkëveprim i tekstit me lexuesin e sjell veprën letrare në jetë. Këtë kriter autori e ka respektuar dhe, aq më tepër, me përgjegjësinë serioze të penës së tij emërton mesazhin njerëzve që harxhojnë lekë e prishin letër, se kilogramë me gërma janë harxhuar kot, prandaj me ato para që kanë më mirë të bëjnë një çezmë, të mbjellin pesë ullinj apo diçka tjetër të dobishme të bëjnë, të lënë një gjurmë, që të kujtohet për mirë e me respekt. Eqeremi e shikon një libër, i pari i këtij lloji në Vlorë. Punoi, harxhoi kohë, harxhoi mendim dhe me dashamirësi e fisnikëri mbolli një pemë në kopështin e letrave me këtë studim të mirë. Ndonjë kritizer mund t`i kujtojë Konicën që thoshte: “Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën mbyllur, kur s`kemi gjë për të thënë…” Ndërsa nesër do të thonë për Eqeremin, se të ikshëm nga kjo jetë jemi të tërë. “Ky pluhur ishte burrë dikur”, sipas një fjale të artë të Uollt Uitmanit (Wollt Witman: 31.05.1819-1892).

Eqerem, ke bërë punë të mirë, me vlerë, ke shfaqur mjeshtërinë artistike me një stil lakonik. Mos u tut, se edhe Fridrik Niçe (Friedrich Nietzsche: 15.10.1844-25.08.1900), te “Kështu foli Zarathustra”, shkruan: “Vetëm kur të më mohoni të gjithë, do të dua të kthehem tek ju”.

Këtu te ne, i nderuar Eqerem Canaj, letërsia është si një republikë ku çdo kush mundohet të bëhet mbret. Ti, me përkushtimin tënd të palodhur bëre radioskopinë e letërsisë së sotme, të autorëve që janë dhe banojnë në Vlorë. Nesër do të duhet të bëhet një.

Le të bëhet dritë për lexuesit, për nxënësit dhe për studentët ky libër, që të njihet ecuria drejt ngritjes e personaliteteve krijuese të Vlorës. I urti Firdensi ka një visar për ne: “Mos e nga milingonën që mbart kokrra drithi/ sepse ka shpirt dhe shpirti është i ëmbël dhe i dhembshur”

Duke të uruar shëndet të plotë, u bekofsh nga e shenjta thjeshtësi dhe po e përfundoj këtu fjalën time më një kujtesë vëllazërisht poetike: As ti, as unë, as të gjithë krijuesit të mos e harrojnë këtë fjalë të urtë italaine: “Chi va piano, va sano” = (Kush ecën ngadalë, ecën i sigurtë).

*Albert R. Habazaj

Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve

“Petro Marko”, Vlorë

Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”

Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, Albania

Filed Under: ESSE Tagged With: Albert Habazaj, autore vlonjate, Mendimi estetik

Ali Asllani, dritëhijet dhe vepra e rrallë “Mbreti ynë”, 1935, që mori në qafë lirikun e madh

July 6, 2016 by dgreca

50 vjetori i vdekjes së poetit Ali Asllani/

Shkruan:MSc. ALBERT HABAZAJ/ studiues*/

Kemi plot 50 vjet pa e parë me sy Ali Asllanin. Po bëhen 80 vjet pa i parë më të ribotuara në libër 8 vjeshërimet e para të poetit elegant, përkthyesit brilant, atdhetarit të zjarrtë, diplomatit largpamës, pushtetarit punëmbaruar, politikanit shqiptar, qytetarit aristokrat e dashnorit të vesuar të poezisë, Ali Asllani. (Bëjmë fjalë për vjershat e botuara, jo ato të pabotuarat, që s’i pamë kurrë). Ali Asllani u lind në Vlorë, me baba Asllan Sulejmanin nga Vajza e Lumit të Vlorës, Labëri dhe nënë Hyrie Meminaj nga Trevllazri i Topalltisë më 28 nëntor 1884. [Studiuesi Bardhosh Gaçe paraqet datëlindje të poetit 20.11.1882, ndërsa kritiku Mark Gurakuqi nëntorin e vitit 1883, mbështetur në bisedën e bërë me xha Aliun, në Tiranë, më tetor 1960]. Mbylli sytë në Tiranë, më  20 dhjetor 1966, në moshën 82, 83 apo 84 vjeçare. Në Vajzë e kaloi fëmijërinë poeti, tek të afërmit nga baba, se, kur qe 6 vjeç e la i ati, e, kur u bë 9, i iku dhe nëna …Tipik qe Ali Asllani, i ngjashëm me vetveten. Aqsa emër i përveçëm dhe i veçantë në letrat shqipe, aq dhe figurë komplekse me qëndrime kontradiktore. Veçse gjithmonë një fisnik i klasit të lartë. Dhe ishte 51, 52 apo 53 vjeç kur botoi libërthin e tij të parë në shtypshkronjën “Atdheu”, Vlorë …

Edhe në kohën e kaluar, tek-tuk, janë botuar libra me poezi të Ali Asllanit. Por, si të thuash, qe gjetur një “status quo”. Edhe sipërorët e ububushëm të kohës “as i bënë, as u bëri zhurmë”[1]. Marrëveshje e dëshiruar apo e detyruar Poet – parti shtet: “Mos më nga, mos të ngas!”, këtë veç e hamendësojmë, se s’mund ta dimë të saktën. Po kush është ai njeri, që s’e do qetësinë në jetë, që nuk e ka tendencën e një jete të rehatshme?! Edhe pse plak, Ali Asllani mbahej pastër e bukur dhe një ditë s’e hiqte kravatën nga jaka e këmishës, sikur të ishte ende ambasador në Europë (siç qe në kohën e Zogut) apo Sekretar i Përgjithshëm i Ismail Qemal bej Vlorës (në kohën e Pavarësisë). Biografia politike, diplomatiko-shtetërore e “Bilbilit të Vlorës”, siç e quanin miqtë poetin e Labërisë, tashmë njihet nga lexuesi shqiptar, prandaj nuk e shikojmë të arsyeshme ta trajtojmë në këtë punim.

Poezia e tij ka qenë përherë e frymëzuar, me ndjenja të holla e të larta, e sinqertë, e dashur, sociale, sa autoktone, aq universale. Përherë binte era trëndelinë, zbukuruar natyrshëm me ngjyrën e lirisë. Në luhatjet që ka pasur gjatë jetës, nuk ka asgjë oportuniste përveç iluzioneve të zakonshme, që mund të ushqehen në çaste të caktuara të historisë nga cilido qoftë. Portreti poetik i Tij është diellor, veç jo si ai dielli i nxehtë që të djeg, por si një diell i ngrohtë, që të shëron xhanin me vargjet e tij më të mira. Dhe e fshehim akoma, se paska dritëhije në udhëtimin politik të xha Aliut?!… Dhe i themi me gjysmë zëri apo fshehurazi, me pësh-pëshe e cepeve si ato gratë e liga?! Bëjmë mirë apo i bëjmë mirë poetit kështu? Patjetër, jo. Na vjen në ndihmë dhe na kthjellon mendimin vërejtja e studiuesit, poetit dhe përkthyesit të paharruar Jorgo Bllaci, kur shkruan: “Në disa parathënie e pasthënie të librave të tij, botuar pas vitit 1962, si dhe në disa monografi, më ka rënë në sy pasaktësi (të mos them dashakeqësi) për qëndrimin e poetit ndaj okupatorit fashist thuhet se gjatë kohës së Luftës Nacionalçlirimtare, ai ishte anëtar i Këshillit të Naltë të Shtetit. Në fakt, këtë emërim e ka marrë para zbarkimit të trupave fashiste në trojet tona. Vërtet emri i tij figuron në listën e atij këshilli, madje edhe në atë të dërgatës që do t’i shpinte Viktor Emanuelit në Romë kurorën e Skënderbeut, por vetë ai, në shenjë proteste ndaj pushtimit, u tërhoq nga jeta politike, braktisi kryeqytetin dhe vajti në fshatin e prindërve të tij, në Vajzë të Vlorës”[2]. Dhe atje, në Vajzë, në fillim të vitit 1942, xha Aliu shkroi “Hakërrimin” aq tronditës, më të fuqishmin krijim që qe shkruar gjatë Luftës, të cilën ata të “nacionalçlirimtares” e shpërndanë me traktet e tyre. Por, pas Çlirimit xha Aliu s’kish as “triskë fronti”, as shtëpi, as pension. Me pak të ardhura që nxirrte nga përkthimet në Institutin e Shkencave rronte, veç nuk ulej.

Ai e adhuronte poezinë e Fan Nolit, sepse e vlerësonte shumë “Viganin liberator” për forcën e ndjenjave, mjetet stilistike të një mjeshtërie të përsorur, edhe për poezitë me motive biblike, për sistemin stilistiko-figurativ alegorik. Ali Asllani e çmonte Theofan Stilianin sidomos për diturinë, që, siç do ta vlerësonte më vonë Kadareja, qe “Kryeministri më i kulturuar evropian, në vendin më të prapambetur”[3]. Poeti lab i dinte përmendësh dhe i recitonte me dëshirë kryeveprat e Nolit: “Elegji për Luigj Gurakuqin”, “Himni i Flamurit”, “Elegji për Bajram Currin”, ndërsa vjershën “Tomsoni dhe kulçedra” e citonte shpesh si kulm të forcës dhe muzikalitetit të fjalës shqipe. Noli, me pseudonimin Rushit Bilbil Gramshi, kishte përkthyer Rubairat e Kajamit). Asllani kishte kulturë të gjerë dhe ia kishin nevojën në të tri kohët që jetoi (të Ismail Qemalit, të Zogut, të Enverit). Qe mik i Gjergj Fishtës homerik e Lasgush Poradecit kozmogonik, i nobelistit indian Rabindranath Tagore dhe klasikut të poezisë greke Kostis Palamas. Ai e kishte shumë qejf poezinë persiane, sidomos rubairat e Omar Khajamit (Hajamit) i përpinte, saqë kuptohet ndikimi dëshiror nga liriku magjepsës i vendit të trëndafilave (Persia, Irani i sotëm). Lexohet patjetër ndikimi nga lirika popullore shqiptare, sidomos nga poezia gojore e trevës së Lumit të Vlorës nga kishte origjinën, jo vetëm në motivet labërishte. Edhe dimensioni lindor i rubairave të Omar Khajamit, që vjen si reminishencë me musht, i rri bukur vargut të freskët të Ali Asllanit. Por Asllani nuk imiton majmunërisht si ndoca poetucë liliputër të kollarepsur e që fryhen si kokoshat e vitit të ri, të shkretët…

Vjershat dashurore – erotike, që ka krijuar pena e shpirtit të tij si modeli i Princit të Kaltër Lirik, kënga e popullit i ka në gjirin e saj si thesar shpirtëror. Qytetarët i dinë përmendësh këngët e Ali Allanit, të rinjtë i përdorin si citate dashurie, ndërsa të plagosurit nga dashuria si receta shërimi. Në Vlorë dhe në Labëri të thonë se dashuria e ka selinë në vargjet e Ali Asllanit… Po ai valëzim baladesk i fjalës poetike, po ajo frymë e ëmbël mitike që të shkrin e të njëson me shpirtin aliasllanian a nuk është vetë dashura e jetës e për jetën, të dashur deri në qelizë? Prof. Aurel Plasari ka pikasur se poeti lab “edhe në poezinë politike apo dhe në atë atdhetare u bie fort notave erotike”. Por, ç’t’i bësh? S’i ndalon dot vargjet e tij që t’i dinë dhe një tufë nga këta horrat e zuzarët që kemi në krye, që janë bërë si derra e dosa, por fare të padobishëm për integrimin europian e qytetar të Shqipërisë tonë të dashur e hallemadhe nga zorzopët e drejtimit. Duke u ruajtur se mos biem në eufuizëm, gjykojmë se sikurse Gëte shkonte aq mirë letrarisht me Shilerin edhe Ali Asllani me Lasgushin “në sojin e vet rri i rinuar harmonishëm, si një disktik që secili ka shok veten”[4], siç bën bukur cilësimin studiuesi dhe poeti Agim Shehu. Ka raste që na vijnë paralele drite nga Gëte për Ali Asllanin. Sinqerisht, na krijohen ca paralele të largëta e të zbehta midis gjeniut Gëte të Gjermanisë së madhe dhe grimcëzës gjeniale Ali Asllani të Shqipërizës së vogël: 83 vjeç qe Gëte kur mbylli sytë. Më 1785 ftohet nga dukesha e Vajmarit dhe i biri Karl Augusti. U bë poet oborri dhe funksionar i lartë i këtij oborri, ministër shteti. I një shteti që bëri kushtetutë. Johann Wolfgang von Goethe (Gëte, 28 gusht 1749-22 mars 1832) lidhi një miqësi të ngushtë letraro-diturore me Johann Christoph Fridrich von Schiller (Shiler, 10 nëntor 1759-9 maj 1805). Gëte dhe Shiler, në fillim të jetës letrare u vunë në ballë të lëvizjes iluministe romantike “Stuhi dhe vrull”. Ata bënë epokë në letërsinë gjermane. Por, edhe këtu në Shqipërizën tonë të vockël, një Ali Asllan i madh iku 83 vjeç. Edhe ai i shërbeu mbretit dhe u bë poet oborri. I një shteti që bëri kushtetutë. Ndër të metat e shumta që ka Zogu, mbarëpranohet pozitivisht që bëri kushtetutë. Edhe Asllani njohu një lirik të përvëluar zemrash, zotni e aristokrat i lartë. Ai ishte Lasgush Poradeci (Llazar Sotir Gusho, 27 dhejtor 1899-12 nëntor 1987). Pati miqësi të mirë vlonjati me pogradecarin dhe koha i klasifikoi si dy lirikët më të mëdhenj të poezisë shqipe, duke e tejkaluar kohën që jetuan. Edhe sot pëlqehen po aq sa në vitet ’30, kur shkëlqyen. Ali Asllani, ashtu siç qe në fillimet iluministe dhe romantike, rrojti romantik dhe romantik vdiq, “or tungjatjeta! Amore felicita!”. Femrën e donte të shëndetshme e plot hire, dashurinë pa moshë. Për xha Aliun, njërin nga qytetarët e parë të Republikës sonë të Letrave, i papërsëritshmi Fatos Arapi më ka thënë: “Ali Asllani është gjurmë ku shkel vetëm suferina shqiptare”. Dhe vërtet, korpus madhështor me vlera është vepra e Ali Asllanit në Republikën e Letrave Shqipe, se është një nga poetët më të mëdhenj të letërsisë shqipe, ashtu sikurse e kanë vlerësuar studiuesit seriozë.

Qëndrimin ndaj rilindasit realist të Letërsisë shqipe të kohës që jetoi e përcakton drejtë prof. Muzafer Xhaxhiu: “… vepra poetike e Ali Asllanit (me ndonjë përjashtim të rrallë) është gjykuar së prapthi, nuk është parë me objektivitetin e duhur, sidomos pas vitit 1944, ajo i është nënshtruar “analizës” me tendenciozitet politik ideologjizues”[5], që bëri të shmangej gjithë ai emër fisnik i letrave shqipe, deri në mospërfillje. Miku im, Ferdinant Sulaj, nip i Poetit, duke pirë kafe buzë detit, para nja 15 ditësh, na thotë: “Harrimi, indiferenca dhe lënia në hije janë goditje më e rëndë se çdo dënim çfarëdo, ngaqë dënimi publikohet, merret vesh dhe interpretohet, kurse këta tregues përmbledhin ndalimin e botimit e përndjekjen, sepse, në fund të fundit, Ali efendiu, – siç i flisnin më të mëdhenjtë në shtëpitë tona dhe në odat e Vlorës – shihej me sy të shtrembër, apo jo? Megjithatë, këto rrethana nuk e penguan elitën e poetëve shqiptarë, me Dritëroin, Jorgo Bllacin, Kin Dushin, Drago Siliqin, Dalan Shapllon, Nasho Jorgaqin e miqtë e mirë të letrave që ditën kur vinte Ali Asllani në klubin e Lidhjes ta kthenin në ditë feste e gëzimi letrar, sepse humorin, qytetarinë, fjalën, sqimën liriku aristokrat i kishte magjike”. Si duket, Ali Asllan = magnetizim.

Ndërsa, në kohën e sotme janë bërë botime e stërbotime, duke pretenduar se publiku po njihet me veprën e plotë letrare të tij. Megjithë reklamimet e bëra aq bujshëm, poeti, diplomati dhe atdhetari i madh i vargut elegant dhe i veprimit qytetar, ende s’është thënë e lexuar i tëri.

Do të ravijëzojmë sadopak çështjen se përse Ali Asllani ende s’është lexuar i tëri. Përgjigja e parë që na vjen ndoresh është se ai patjetër s’është botuar i tëri. Më moshatarët në Vlorë thonë se, ende nuk po e shohim atë Ali Asllan që kemi njohur, që na kanë rrëfyer të parët tanë; ata, të cilët e kanë njohur vërtet të plotë atë, emrin, bëmat dhe veprën letrare të tij, lënë shkruar. Në poezitë e xha Aliut, ku spikat furishëm shpirti atdhetar trazuar bukur dhe me finesë me ndjenjën poetike, vërejmë se vjershërimet romantike i ka entuziaste dhe s’bën t’u futësh gërshërë e t’i qethësh, (aq më tepër sot, kur kemi veshur poture moderniciteti dhe gunë të qytetarisë demokratike). Është i turpshëm dhe i pamoralshëm gjesti i “bllokimit” që i bëhet asaj pjese të krijimtarisë letrare të Lirikut të madh të Labërisë, Vlorës dhe Shqipërisë, e cila, nga “pronarët” e shkrimtarisë shqiptare, ende gjykohet si letërsi dekadente e “pa partishmëri proletare” (sot kupto: interes ose para). Poeti ka krijuar si i ka ardhur muza, ato i që ka ndjerë shpirti. Ai ka shkruar për ndjenja, mendime, vende, njerëz, ngjarje, edhe për persona, që me bëmat e tyre “pozitive” apo “negative”, patjetër janë futur në fondin e historisë së popullit shqiptar, por  nga të pasmit e vertikalitetit drejtues u trajtuan si personazhe historikë të liq, të zinj, jo të mirë, të kuq. Hajde, dakort për dje, po sot, një çerek shekulli demokraci?!…Është thënë e shkruar që A. Asllani ka shkruar vjersha që në moshë të re, por u bë i njohur me poemën “Hanko Halla”, që e botoi në vitin 1942 (në fakt poema është shkruar në vitin 1929 dhe botimi i parë i saj është bërë në vitin 1932). Në librin “Studime për letërsinë shqiptare” (1988), gjatë analizës që i bëhet poemës së Musarajt “Bujku i Hanko Hallës” (vb. 1934) shkruhet: “Në këtë poemë për herë të parë Shevqet Musaraj ka përdorur gjerësisht gjuhën, frazeologjinë, sinkaksin poetik dhe vargun popullor, vërtet sipas modelit të përpunuar prej Ali Asllanit, po të pasuruar e të përshtatur temës së veprës dhe tipit që është vënë në qendër të saj”[6]. Edhe në disa libra të lirikut vlonjat apo kushtuar atij (që panë dritën e botimit pas viteve 1990-të) jepet e paplotë bibliografia e botimeve të autorit. Por, specialistët e fushës në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, njerëzit e arsimuar dhe të specializuar për katalogimin e librit e bëjnë mirë punën; atë që u takon, që duhet të bëjnë, e bëjnë detyrën me korrektesë shkencore. Gjykojmë se një studiuesi të veprës poetike të Ali Asllanit, mund t’i vlejë informacioni i mëposhtëm, të cilin po e paraqesim vërtetësisht, (dhe e ndjejmë si detyrim, mundësi dhe kënaqësi), meqenëqë kemi arsimimin e specializimin në fushën e shkencës së Bibliotekonomisë. Numri i regjistrimeve të gjetura në faqen elektronike të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë në Katalogët Online për autorin Ali Asllani është 17 dhe numri i regjistrimeve të shfaqura është 17. Dhe konkretisht, nga vepra letrare e botuar e Ali Asllanit, në Bibliotekën Kombëtare janë regjistruar këto njësi bibliografike:

  1. “Mbreti i ynë”: vjersha; Vlorë, Shtypshkronja “Atdheu”, 1935, 10 faqe, (4 kopje);
  2. “Mbreti i ynë”: vjersha për zogun; Vlorë, Shtypshkronja “Atdheu”, 1936, 10 f., (3 kopje), [Libri që kam unë (i vitit 1936) ka 12 faqe];
  3. “Hanko Halla“: Tiranë; “Kristo Luarasi”, 1942, 54 f., (5 kopje);
  4. “Vidi vidi pullumbeshë dhe Hanko Halla”: vjersha, paraqitur dhe red. nga Razi Brahimi, Tiranë: “Naim Frashëri”, 1960, 144 f. (18 kopje);
  5. “Shqipëria kryezonjë”: vjersha; Tiranë, “Naim Frashëri”, 1962, 63 f., (5 kopje);
  6. “Vajzat dhe dallëndyshet” Tiranë, “Naim Frashëri”, 1964, 83 f., (7 kopje); [libri ka red. Donika Omarin, por nuk është shënuar në përshkrimin bibliografik të katalogut të Bibliotekës Kombëtare, Tiranë];
  7. “… Ku merr zjarr rrufeja: vjersha të zgjedhura dhe “Hanko Halla“, [përmbledhje, (antologji)]; Tiranë: “Naim Frashëri”, 1966, 211 f., (5 kopje);
  8. [Poezi]; [Titulli i serisë: Poezia shqipe]; Tiranë, “Naim Frashëri”, 1975, 89 f., 1 fletë portret, (4 kopje);
  9. “Vepra”, zgjodhi dhe përgatiti: Kajtaz Rrecaj, red. Fahredin Gunga; Prishtinë, Rilindja [(Ky titull përbëhet nga V. 1: Poezi; V. 2 Poezi. Jeta dhe vepra): Vepra 1, 1984, 187 f., me 1 fl. portr., (3 kopje);
  10. Vepra 2: Poezi. Jeta dhe vepra, 1984, 221 f. me 1 fl. portr. dhe bibliografi], (3 kopje);
  11. “Poezi të zgjedhura”, përgat.: Jorgo Bllaci, red.: Jorgo Bllaci, Bardhosh Gaçe; Tiranë: “Naim Frashëri”, 1996, 209 f., me il., (5 kopje);
  12. “Vidi-vidi pëllumbeshë”: poezi të zgjedhura; red. Bardhosh Gaçe, Tiranë, Toena, 1999, 294 f.; (Titulli i serisë: Kambana. Poezia e zgjedhur shqipe), (4 kopje);
  13. “Hanko Halla”: poezi të zgjedhura, përgat. për shtyp: Përparim Xhixha, Tiranë: Mësonjëtorja e parë, 1999, 142 f., 1 fl. port., me parathënie një esse e Fatos Arapit “Kohët dhe poeti”, (5 kopje);
  14. “Këngë të dashurisë”: poezi, red. Xhevahir Lleshi, Tiranë: Uegen, 2004, 84 f., (5 kopje);
  15. “Hanko Halla”: poemë, red. Xhevahir Lleshi, Tiranë: Uegen, 2004, 48 f., (5 kopje);
  16. “Hanko Halla”: poemë, Tiranë: “Naim Frashëri”, 2006, 94 f., (5 kopje);
  17. “Vepra e plotë poetike”, përg.: Nasho Jorgaqi, Ardian Klosi; Tiranë: K & B, 2011, 381 f.; kopert. mbi aut. – dy fjalë në hyrje: f. 11-13 nga përgatitësit, (5 kopje).

Ndër studimet e reja kushtuar veprës së tij kujtojmë 3 monografitë e përgatitura nga prof.dr. Bardhosh Gaçe:

  1. “Ali Asllani, liriku i madh i poezisë shqipe”, Tiranë, Eurorilindja, 1998, 39 f.];
  2. “Ali Asllani në kujtimet dhe studimet letrare”, red. Nasho Jorgaqi, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1997, 302 f.;
  3. “Ali Asllani në kujtimet dhe studimet letrare”: ribot. i ripunuar, Tiranë, Toena, 2006, 440 f.;

– përmbledhjen “Ali Asllani, princi i lirikës shqiptare: konferenca shkencore”, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Akademia e Shkencave, Tiranë, Universiteti Teknologjik “Ismail Qemali”, Vlorë; Tiranë, Maluka, 2007, 164 f.;

– si dhe monografinë e autorit Shkëlqim Zotaj: “Tipologjia e lirikës së Ali Asllanit”, sprovë letrare, red. Bardhosh Gaçe, Tiranë, Globus R., 2007, [164 f.]

Ndërkohë, që vërejmë se vepra e plotë, (ajo e plota fare, jo ajo që reklamojnë botuesit e derisotëm) e Ali Asllanit ende nuk është botuar as sot, një gjysmë shekulli pas vdekjes së Tij. Nuk njihet deri në fund vepra e tij apo ende sundon mentaliteti? Pse? Nga kush paskemi frikë xhanëm? Vuakemi nga komplekset e së kaluarës. Na mundoka mirëfilli apo s’e pranokemi dot hapësirën e pastër, të kaltër, të bukur, të mirë e të dobishme të demokratizimit qytetar të vetvetes, të shpirtit tonë, vetëdijes sonë, fjalës së folur dhe  sidomos asaj së shkruarës. Pse, o, kaq keq na paska kompromentuar e deformuar pjesa e poshtme e letërsisë ideologjike socrealiste, me kornizat e shkrimit bardhë e zi, me funksionimin e skemave të krijimit në rresht?! Me çfarë sonde u dashka larë stomaku i këtij lloj mendimi të indoktrinuar që na paska pushtuar materien dhe ndërgjegjen tonë segmentare, saqë nuk u çliruakemi dot?! Apo, mos vallë duam vetë të vuajmë nga ky lloj pushtimi?! Akoma vetëm poetët partiakë me poezi partististe do të promovojmë? (Sot: parti = interes+para). Kujtesa e leximit në këtë situatë po na sjell në ekran të vështrimit studimor thënien famëkeqe e me flamë të Leninit: “Poshtë letrarët pa parti!” Botojeni, ore të mjerë, poetin siç ka shkruar! Pse e censuroni kaq rreptë? Ç’keni ju?! Është stafeta e brezave që e gjykon veprën e tij. Është koha që i vë notën poetit për krijimtarinë letrare, në të cilën ka shprehur në mënyrë figurative mendimet, idetë e ndjenjat me anë të fjalës së bukur. Është përsëri koha që i vë notën poetit për nivelin artistik, morfologjinë poetike, rregullat e metrikës, stilin apo dhe stilistikën e gjuhës poetike të autorit, ritmin, përdorimin e mjeteve të ndryshme të përforcimit të shprehjes së fjalës, deri tek përdorimi i veçorive akustike të asaj fjale aq të ëmbël. Ali Asllani krijimtarinë letrare e ka tërësisht në formë vjershe dhe ajo na rrëmben, na bën për vete. Ka një bukuri magjepse, si ndër pak autorë. Asllani është një poet shqiptar që u lind, jetoi, luftoi, punoi, ndërtoi, udhëhoqi, gaboi, dashuroi, u plak e vdiq për Shqipëri dhe në Shqipëri. Ai donte një Shqipëri të mirë, me emër, me dinjitet, qytetare, të dashur, të bukur. Kjo vihet re në çdo vjershë të autorit e prandaj lajtmotivi i veprës së Tij letrare ngelen vargjet brilante: “Vlorën edhe Vlorën/ thelp e kam në zemër,/ ditën e kam dritë,/ natën e kam ëndërr…”[7] Ai është gjitholog i vërtetë dhe një bilbil i bukur i poezisë shqiptare. Krijimtaria e Ali Asllanit, për veçoritë që ka, për individualitetin, tipiken, kontekstin, nëntekstin, këndvështrimin e trajtimit si poezi e rrethanave apo qëllimore, si art i Ali Asllanit mund të jetë shumë bukur një shkollë letrare për shkrimtarët e tjerë, një shkollë e mjeshtërisë artistike. Po atëhere, përse nuk botohet i plotë Ali Asllani? Se ka shkruar për Zogun? Edhe?!… “Ku është problemi”?! … Ai, po ashtu, ka shkruar poezi të mrekullueshme dhe për Perlat Rexhepin, (njërin nga 3 heronjtë e Shkodrës, që, bashkë me Branko Kadinë dhe Jordan Misjen, ranë në përpjekjen legjendare më 22 qershor 1942 kundër fashistëve në Shkodër). Poezia “Perlat Rexhepi” e Ali Asllanit me 5 strofa 4 vargëshe, me rimë melodioze të kryqëzuar abab, është e dashur, frymëzuese, ka gjuhë të sinqertë e burrërore, vargje të mbrujtura me thekse shumë prekës, një gjashtërrokësh të thjeshtë e magjik, nota retorike, ku ngrihet i gjallë e madhështor portreti i bashkëfshatarit të tij – dëshmor lirie në përfytyrimin e lexuesit. Edhe për Vajzën (vendlindjen e tij), edhe për Vlorën, edhe për Labërinë, edhe për Shqipërinë ka shkruar me shpërthime romantike, herë me nota iluministe e himnizuese, herë me ngjyra realiste. Ai është qejfli në varg, qejfli në jetë, i ndezur në vargje siç qe në jetë, i pastër në vargje, siç qe një jetë. Qibar në çdo gjë, siç e njohin në Vlorë dhe Sovran i fjalës. Ai është Këngëtari i Lirisë. Madje, edhe nga personalitete politike të regjimit të kaluar ai është cilësuar KËNGËTARI I LUFTËS SË VLORËS, sepse i tillë ishte, sepse ai dhe askush tjetër e bëri Himnin e Luftës së Vlorës, atë këngë solemne kushtuar asaj beteje çlirimtare me dobi kombëtare, këngë që mbahet si simbol i asaj ngjarjeje të shënuar. “Vlora – Vlora” e Ali Asllanit u muzikua nga Thoma Nasi, vatrani atdhetar, i cili erdhi me bandën muzikore “Vatra”, që nga Amerika, se e thirri gjaku, kocka, zëri i të parëve, e kërkoi mëmëdheu, bashkë me trimat. Dhe kështu, vjersha e poetit, kryekatundarit, kryebashkiakut vlonjat u bë një vepër muzikore lirike, me përmbajtje patriotike, që këndohej jo vetëm nga kori, por nga gjithë luftëtarët e Njëzetës.

Le të kthehemi tek “dregëza” e xha Aliut, tek ajo kleçka në biografi, që ende mundoka keq botuesit tanë të shqyer (më falni … të shquar…). I thonë dhe rapsod ca nga këta kritikët tanë profanë me fasadë kollaresh a mjekrash të ditura. U duket se e zbresin nga piedestali, por s’e luptojnë që kohë e kohëra kalojnë e Ali Asllanit vetë vepra e tij e tejkohshme, e fuqishme e aktuale e bën profét të bardhë të artit të fjalës. Po çfarë thotë Ali Asllani në ato vargjet e pa njohura sot e 80 vjet, xhanëm? Nga leximi i libërthit kuptojmë se poeti (në atë kohë 51, 52 apo 53 vjeçar) ka krijuar 202 vargje, të thurura përkatësisht në vjershat “Zog i Parë”, “Fat’ i yn’ i mir’ udukë”, “Rreth Mbretit gjith vëllezër”, “Ka më tepër duf shqiponja, se kur fryn e vetëtinë”, “Me ty jemi”, “Mbani kokat atje sipër, ku mer zjarr’ e flak’ rrufeja”, “Në Atdheun e Shqiponjës” dhe “Flamurit kombëtar”, që janë vjersha lirike madhështore, ku lavdëron e himnizon mbretin e vendit në ato vite. Ali Asllani është shfaqur një zë i vërtetë i kohës që jetoi dhe vjen tek ky libërth siç qe, zëri i kohës së tij. Nuk mund të dilte nga koha dhe personazhet e asaj kohe që jetoi, (se e punësoi, e vlerësoi, e kënaqi, e joshi, e ndëshkoi, e shqetësoi dhe prapë e nderoi). Ky pra është Ali Asllani. Ka përdorur gjuhë romantike, lëvdata të tepruara dhe i ka bërë ca lajkatime të tepruara Zogut?! Po, i ka bërë. Është poet ai. Dhe poeti njeri është. Njeri i ndjeshëm, si të tjerët (më pak a më shumë – tjetër gjë), por që mund ta shprehë edhe artistikisht në vargje ndjesinë që ka. Ashtu e ka ndjerë. Ashtu i ka ardhur. Ashtu i paskej thënë, si duket, kali me fletë i Pegasit, kur poeti i hipi dhe u pa nga të tjerët për herë të parë më 1935 – ën me zërin e tij më vete, jo në kor me të tjerë. Nga Nexhat Hakiu mësojmë se vjershat e para A. Asllani i ka shkruar turqisht, kur ishte nxënës në gjimnazin e Janinës, [pas viteve 1898], sidomos në vitet 1902 – 1903 në të përkohshmet: “Malumat” (“Dituria”-Stamboll) “Mysaver fen e edep”, (“Përfytyrimi i shkencës dhe edukatës”, “Baballëk”, që dilte në Konjë[8], etj. Ndërsa, nga vjershat fillimtare poeti nis t’i botojë aty nga vitet 1913-’14. Në vitin 1914, kur ishte internuar në Itali hartoi një poemth me karakter patriotik, që mund të merret si pikënisja e veprimtarisë së tij letrare në gjuhën shqipe. Janë më tepër se 53 vjersha të shkruara me frymë patriotike, por shumica nuk e panë dritën e botimit. Ai botoi në shtypin e kohës në gjuhën shqipe krijimet “Mir’se ardhët” e “Marshi i Vlorës”, gazeta “Mbrojta Kombëtare”, Vlorë, 28 Tetor 1920; “Vjersha për shkollarë”, revista “Minerva”, nr. 1, 1932 (të vetmet për të vegjël që ai botoi). Në vëllimin “Vajzat dhe dallëndyshet” janë botuar fragmente nga poema didaktike “Kujtime të vjetra” (97 vargje në 5 kre) me shënimin në fund të faqes: “Poema “Kujtime të vjetëra”, prej së cilës botojmë disa fragmente, është shkruar në vitin 1921 në formën e këshillave për brezin e ri, i cili duhej ta shihte çdo gjë nën prizmin e interesave t’atdheut dhe të mos binte në kurthin e të liqve dhe armiqve”[9]. Po në këtë vëllim është botuar vjersha “Një flamë” (një spiuni) me shënimin fundor: “Vlorë, 1917”.[10] E famshmja “Hanko Halla” u botua pjesë-pjesë në “Kosova”, nr. 1, 2, 3, maj 1932, Kostancë, Rumani (shkruar në Sofje, 1929), bot. i plotë i poemës: revista “Shkëndija”, nr. 24-25/ 1942); në vitin 1932 “Në Atdheun e Shqiponjës”, gazeta “Besa”, nr. 1273, viti 1935, etj.

Sipas M. Gurakuqit, në vitin 1932 do të gjejmë vjershën e parë të Asllanit kushtuar Zogut, titulluar “Mbreti ynë” (shih: “Besa”, 1932, viti II, Nr. 435, f. 2) botuar edhe në “Minerva” (shih: “Minerva”, 1932, nr. 2, f. 1). Një vjershë me të njëjtin titull do ta gjejmë prapë te “Minerva” dy vjet më vonë (shih: “Minerva”, 1934, nr. 23-24, f. 3), ndërsa më 1935 me të njëjtin titull do të botojë një libër. (shih: “Ali Asllani “Mbreti ynë”, Vlorë, shtyp. “Atdheu”, 1935). Ai vijon të botojë disa vjersha me karakter patriotik dhe shoqëror. Kështu më 1933 në “Minerva” boton vjershën “Zonjat hedhin valle” (shih: “Minerva”, 1933, Nr. 12-13, f. 8). Po në këtë revistë “Soirèe” (Festë) (shih: “Minerva”, 1933, Nr. 6, f. 14), në “Besa” vjershën “Flamurit kombëtar” (shih: “Besa”, 1933, viti III, nr.715, f. 3). Një pjesë të poemës së tij të dëgjuar “Hanko Halla” e botoi së pari në revistën “Minerva” më 1933 (shih: “Minerva”, 1933, Nr. 10, f. 4) e po në këtë vit, në të njëjtin organ, do të botojë një pjesë tjetër. Ali Asllani do të bashkëpunojë edhe në organe të tjerë, si “Ilyria” (vjersha “Ismail Qemali”, 1935), “Kombi” (vjersha “Gjoni”), “Bota e Re”, “Vatra shqiptare”, “Tomorri i Vogël”, Fryma”, “Revista Letrare” etj.

Në librin me poezi të zgjedhura “Vidi-vidi pëllumbeshë”, (1999) gjejmë krijime: nga cikli i lirikave të dashurisë si “Vajzat heqin valle”, e cila ka në fund shënimin 1929 dhe vjersha e gjatë “Vajza Shqiptare”, qershor 1930; nga cikli i poezive patriotike “Ç’do të thotë patriot?”, 1916; “Dëshpërim dhe shpresë”, 1918; “Buza ime kur do qeshë?”, 1918; “Do na bënet Shqipëria? (Si përgjigje pyetjes që bëri Halim Xhelua)”, 1919; “Sazani”, 1919; vjersha e gjatë “Ismail Qemali”, 1919, poema “Fejzo Xhafua”, 1919; “Unë dhe bota”, Vlorë, korrik 1919; “Vlora, Vlora! (Pjesa I – para luftës)”, 1919; “Vlora, Vlora! (Pjesa II – pas luftës”, 1920; “Mir’se ardhët” Vlorë, shtator 1920; “Këngë”, 1921; “Për dëshmorët”, 1922, “Ah, ky vënd…”, 1924 dhe “Mbani kokat sipër ku merr zjarr e flak’ rrufeja”, 1935; nga cilki i poezive shoqërore (satirike) “Një flamë (Një spiuni)”, 1917; “Ja programi im është ky”, nuk ka vit të shkruar, por shënimin “Kjo vjershë është shkruar me rastin e zgjedhjeve të deputetëve  në kohën e Zogut” (shih: f. 164) dhe poema e gjatë “Dasma shqiptare”, Sofje, qershor 1928.

Në librin “Vajzat dhe dallëndyshet”, botuar pas çlirimit është edhe poezia “Flamuri kombëtar”[11] me 27 vargje dhe 7 thyerje vargfundorësh me fjalë 2-3 rrokëshe. Poezisë i është bërë një dush i mirë, duke i pastruar strofat ku përmendet Zogu. S’do mend shumë të kuptohet që poezia është qethur mirë e mirë nga vargjet e strofat me Mbret, sepse në botimin e vitit 1936 kjo vjershë ka 50 vargje[12].

Kritiku Mark Gurakuqi na ka lënë një ndër botimet më serioze për jetën dhe veprën letrare të Ali Asllanit, studim monografik (me gjithë ndonjë rezervë që mund të kemi, e cila do të dalë në vijim të kësaj trajtese). Ai shkruan “Një ndër krijimet ma të mirë poetike patriotike të Ali Asllanit asht vjersha “Mbani kokat atje sipër, ku merr zjarr e flak’ rrufeja!” (Asht vjersha e besimit, e bindjes se për Shqipninë do të vijnë ditë të bukura, edhe për ata që i kanë zemrat e plagosuna nga lufta, burgjet, “kurbetet e flamosura”. Këndej del edhe thirrja e poetit: “Pra të gjith’ për njëri-tjetrin dhe me bindje të patundur,/ Rreth flamurit të pandarë, rreth atdheut të pamundur,/ Të patundur, të pamundur, as nga era as nga reja,/ Mbani kokat atje sipër, ku merr zjarr e flak’ rrufeja!”[13]. Ky variant është botuar dhe në poezinë me të njëjtin titull në vëllimin me poezi të zgjedhura të vitit 1996[14]; po ashtu, pa asnjë ndryshim edhe në botimin tjetër vijues me poezi të zgjedhura të vitit 1999[15]. Kjo poezi është botuar edhe tek libërthi “Mbreti i ynë” me po të njëjtin titull: “Mbani kokat atje sipër, ku mer zjarr’ e flak’rrufeja”, por në 12 vargje. Në të dy botimet poezia ka 16 vargje dhe në fund të faqes vitin [e botimit] 1935. Në botimet e 1996-ës dhe 1999-ës strofa e parë: “Kurse dimri bën të tijat, faq’ e dheut ngelet keq,/ kurse dega, fleta thanen [thahen është në bot. e v. 1935[16]], çdo gjë vuan e çdo gjë heq!/ si një dorë, dor’ e zotit [në origjinal është shkruar me shkronjë të madhe: Zotit], ajo dor’që s’ka të dukur,/ dalngadalë, nënë tokë, përgatit behar’ e bukur”[17] pothuaj nuk është ngacmuar. Strofa e dytë me vargjet 5-8 në botimet e 1996-ës dhe 1999-ës vjen në formën: “po ashtu dhe këtë ditë, ku gjith’ bota u goditë/ dor’ e bardh, e patriotve pa dyshim që përgatitë,/ përgatit një dit’ të bukur, një të arthme më të pasur!/ ku do qesh’e do dëfrej edhe zemra më e plasur![18]”. Në variantin e parë, që përbën strofën e dytë të vjershës, është shkruar kështu nga Ali Asllani: “Po ashtu dhe këtë ditë, ku gjith’ bota u goditë/ Dor’ e bardhë e Zogut t’Parë pa dyshim që pregatitë,/ Pregatit një dit’ të bukur, një të arthme shum’ të pasur!/ Ku do qesh’e do dëfrejë, edhe zemra më e plasur.[19]” Është shtuar në të dy rastet një strofë, vendosur e treta në trupin e poezisë dhe pikërisht vargjet 9-12 “ku do qesh e do dëfrej’ajo nënë dhe ajo…haj!/ ajo nuse shamizezë rreth govatës laj’ e qaj’,/ rreth govatës laj’ e qaj’ me ca halle e plagosur,/ me ca halle, me ca burgje, me kurbete të flamosur!”. Duke u bazuar tek kjo strofë (e shtuar) M. Gurakuqi komenton poezinë patriotike të Asllanin, siç e sipërcituam (shih referencën 13). Por, në dy botimet e para, të viteve 1935-‘36 kjo strofë nuk është …

 

Strofën e tretë dhe të fundit e vjershës, në botimin e parë, e lexojmë me këto vargje të Ali Asllanit: “Pra të gjith’ për njëri-tjetrin dhe me bindje të patundur,/ Rrotull Mbretit të pa ndarë, rreth’ Atdheut të pa mundur,/ Të pa tundur’ të pamundur, as nga era as nga reja,/ Mbani kokat atje sipër, ku merr zjarr e flak’ rrufeja!”[20]. Në botimet e viteve 1996 dhe 1999 kjo strofë vjen në variantin që përmendëm nga kritiku Gurakuqi dhe nuk e quajmë të nevojshme ta përsërisim.

Në librin me poezi të zgjedhura “Vidi-vidi pëllumbeshë”, (1999), siç vëmë re, është botuar dhe poezia “Mbani kokat sipër ku merr zjarr e flak’ rrufeja”, në 16 vargje me 3 strofa, e cila është gjetur e gjashta në ciklin 8 vjershor të libërthit “Mbreti i ynë”, po me titullin “Mbani kokat sipër ku merr zjarr e flak’ rrufeja”, 1935, por me 3 strofa katërvagjgjëshe=12 vargje. Në botimet e viteve 1935-‘36 nuk gjendet strofa e tretë që është shtuar në botimin me poezi të zgjedhura të vitit 1999. Vargu 6, strofa 2 (1936) është “Dor’ e bardhë e Zogut t’Parë, pa dyshim që pregatitë” (shih: bot. cit., f. 7), ndërsa po ky varg i kësaj strofe (1999) bëhet “dor’ e bardh, e patriotve pa dyshim që përgatitë” (shih: bot. përkatës, f. 146); pra është zëvendësuar emri i përveçëm Zog i Parë me emrin e përgjthshëm patriot. Vargu 10, strofa 3 (1936) është “Rrotull Mbretit të pa ndarë, rreth’ Atdheut të pa mundur” dhe bëhet “Rreth flamurit të pandarë, rreth atdheut të pamundur” (shih përkatësisht librat në faqet e sipërcituara). Në botimin e vitit 1999 është përfshirë vjersha “Flamuri Kombëtar”, f. 93 – 94, por pa vit botimi. Ka 27 vargje  në 8 strofa, kurse në botimin e v. 1936 ka 50 vargje në 16 strofa. Pra, në botimin e vitit 1999  vjersha vjen e qethur mirë, e përgjysmuar, ku, patjetër, gërshëra ka  hequr emrin e Zogut dhe vargjet idilike kushtuar atij nga autori, ato vargje ku fluturimet romantike asllaniane nuk mbajnë më fre: “Me një fat të bardhë borë,/ Më të bardh’ nga bor’ e malit;/ Bashk’ me ZOGUN me kurorë,/ Me një yll në mes të ballit”. […]

Pezmatueshëm, shtrojmë pyetjen: Akoma do të ecim me metodën e realizmit socialist, karakterin klasor të letërsisë, revolucionarizimin e mëtejshëm e të gjithanshëm të jetës së vendit, luftën dhe përpjekjet e masave punonjëse për kapërcimin e vështirësive të shkaktuara nga bllokada armiqësore, dënimin e njëzëshëm nga masat punonjëse të armiqve dhe tradhëtisë revizioniste, vizatimin e njeriut të ri muskuloz, heroik e vetëm me anë pozitive e me të tjera e të tjera lodhësira të tilla zverdharake e të bezdishme?! E pra, pse?! Se i ka shkruar ditirambe Zogut?! I ka thurur ode?! Po njihet ditirambi në letërsi. Është i ngjashëm me oden. Qysh në lashtësi, në Greqinë e Vjetër këndoheshin këngë korale, të gëzueshme e plot gjallëri për nder të Dionisit, perëndisë së rrushit e të verës. Edhe odet, si vjersha lirike a këngë solemne, me frymë të ngritur, që u kushtohen ngjarjeve historike të shënuara a njerëzve të shquar ose që shprehin me forcë ndjenjat e dashurisë, të nderimit, të gëzimit, të miqësisë, etj., janë përdorur për të shprehur diçka të rrallë, ndjesore sipërore, një mirënjohje të veçantë. Njihet dhe poezia e angazhuar. Pse gjeniu gjerman Gëte a nuk qe poet oborri i Weimarit? A nuk i ka thurur ditirambe ai dukës Carl-August [në fund të shek. XVIII (vitet 1775 e më pas)]? Por, në Vajmar Republika e parë Gjermane nxori kushtetutën e saj, ndërsa sot Vajmari njihet si kryeqytet i kulturës europiane. Mos të ikim tutje. Noli a nuk i ka kënduar ditirambe Skënderbeut?! Po të quajturat rapsodi të Lasgushit apo kënga e popullit tonë për Ismail Qemalin a nuk janë ditirambe?! Vetë vjersha e gjatë e Ali Asllanit kushtuar “Plakut profit” a nuk është e tillë?! Dritëroi e Kadareja a nuk i kënduan himne e ditirambe Enverit?! (Nuk po merremi me kakarisjet letrarucka që u lëpihen këtë çerekshekullin e fundit karagjozopolitikanëve tanë, jo vetëm të nivelit të sipërm, por edhe atyre më minorë, por të trashë nga qeseja dhe gjëmat që të bëjnë …). Gjithsesi, ky realitet shkrimor nuk ua ul vlerat dhe lartësinë letrare, që kanë fituar me penë e dinjitet krijues. “Bota, fatkeqësisht është reale”, shkruan Jorge Luis Borges. Pse u dashkan mohuar të vërtetat? Aq më tepër në letërsi. Poeti është pena artistike e kohës, është zëri i saj i zbukuruar me figura letrare. Bota ka kënduar dhe këndon ditirambe. Dhe do të këndojë. Edhe të pamerituara. Jetëgjatësia e tyre, udhëtimi që bëjnë në kohën e nesërme është treguesi konkret i vlerave artistike dhe estetike, apo dhe atyre morale, atdhetare, qytetare e universale të këtyre lloj krijimeve letrare, (të merituara apo të pamerituara). Ndërkohë, 76 vargjet sarkazmatike të “Hakërrimit” të tij të fuqishëm: “Hani, pini e rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,/ të pabrek’ u gjeti dreka, milioner’ ju gjeti darka!/ Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,/ gjersa populli bujar t’ju përgjgjet: peqe, lepe!/…Hani, pini e rrëmbeni, është koha e çakenjvet;/ hani, pini e rrëmbeni, ësht’ bot’ e maskarenjvet/…Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,/ dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’/…Ja, ja grushti do të bjeri përmbi kokat e zuzarëve,/ koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqiptarëve!… [1942] janë si 76 vetëtima titanike për pushtetarokaragjozët e sotëm, që nuk i reciton vetëm Reshat Arbana, Mirush Kabashi, Bujar Asqeriu apo Vaso Godo, por mbarë shqiptarët, të 10 miljonët!

Burimi i frymëzimit poetik dhe prodhimi letrar origjinal, autentik i Ali Asllanit përbën një rast unikal të krijuesit shkëlqimtar dhe të pashtershëm, që di si ta shfrytëzojë gurrën popullore, që di ta përzgjedhë ujin e kulluar folkorik, që di ta pijë, që di si dhe sa të pijë, me synimin që t’i bëjë mirë për shëndetin letrar të tij dhe të shqiptarëve. Krijimtaria e tij është bio labe, bijë letrare e natyrës shqiptare, e pastër, e virgjër, si ajo. Gjuha e tij lokale, kur shpërthen nga pena e mjeshtrit, merr përmasa universaliteti. Asllani është vështrirë të përkthehet në gjuhë të huaja, për të mos thënë që mund të jetë poeti i vetëm shqiptar, që më bukur se në shqip s’tingëllon në asnjë gjuhë tjetër të botës. E kush mund ta përkthejë, fjala vjen, vargun e tij: “Gugu-gugu guguftu!”, etj., etj. Se ka atë visar fjale, se përdor ato idioma të rralla si thesare shpirti, se ka atë magji arti, muzikalitet e fuqi vargu, lartësisht të bukur në thjeshtësinë dhe spontanitetin befasues të të krijuarit, ndaj Ali Asllani është ALI ASLLAN. Edhe ironinë e ka të bukur, jo fyese. I shkon, se di kur, ku, në ç’masë dhe për ç’efekt ta përdorë. Ai të kënaq shpirtin e të shëron xhanin në shqip. Si ai. Ku të gjendet një Fan Nol i Ri, që, ashtu si Noli i madh pruri në shqip Kajamin, Shekspirin, Servantesin e viganë të tjerë të letrave të globit, ta japë në gjuhë të huaja Ali Asllanin me tërë madhështinë e ndritshme të artit poetik që na la trashëgim si një shufër e rrallë floriri në letrat shqipe?!

 

*) Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Fasalchi”,

                    Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA

 

[1] )Shehu, Agim: “Nënshtetas i mbretërisë së lirikës”, shih: Gaçe, Bardhosh, “Ali Asllani në kujtimet dhe studimet letrare”, Tiranë, Toena, 2006, f. 111.

 

[2] ) Bllaci, Jorgo: “Miku i të gjithëve, Ali Asllani”, shih: “Ali Asllani në kujtimet dhe studimet letrare”, vep. e cit., f. 103-104.

[3] ) Hamit, Sabri: “Letërsia moderne shqiptare”, Tiranë, Alb-ass, 2000, f. 311.

[4] ) Shehu, Agim: “Nënshtetas i mbretërisë së lirikës”, vep. e cit., f. 113.

[5])  Xhaxhiu, Muzafer, “Kush është Ali Asllani”, po aty,  f. 77.

[6] ) “Studime për letërsinë shqiptare”, Pj. 2, Tiranë, Akad. e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Inst. i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, 1988, f. 398.

[7] ) Asllani, Ali; “Poezi të zgjedhura”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1996, f. 39.

[8] ) Hakiu, Nexhat; “Shkrimtarët shqiptarë, prej Lidhjes së Prizrendit deri sot [v. 1930]”, “Ali Asllani” Tiranë, Botim I Ministris’ Arsimit, 1941, XIX, Pj.2,  f. 326-327.

[9] ) Asllani, Ali; “Vajzat dhe dallëndyshet”, Tiranë, “Naim Frashëri”,1964, f. 13.

[10] ) Asllani, Ali; “Vajzat dhe dallëndyshet”, vep. e cit. f. 41.

[11] ) Asllani, Ali; po aty, f. 49-50.

[12] ) Asllani, Ali; “Mbreti i ynë”, “Atdheu”, 1936, [f. 10-12].

[13] ) Gurakuqi, Mark; “Jeta dhe vepra letrare e Ali Asllanit”, studim monografik, shih: “Ali Asllani në kujtimet dhe studimet letrare”, vep. e cit., f. 235.

[14] ) Asllani, Ali; “Poezi të zgjedhura”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1996, f. 49.

[15])  Asllani, Ali; “Vidi-vidi pëllumbeshë”: poezi të zgjedhura; Tiranë, Toena, 1999, f. 146.

[16] ) Asllani, Ali; “Mbreti i ynë”, “Atdheu”, 1935, [f. 7].

[17] ) Asllani, Ali; “Poezi të zgjedhura”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1996, f. 49; Asllani, Ali; “Vidi-vidi pëllumbeshë”: poezi të zgjedhura; Tiranë, Toena, 1999, f. 146.

[18] ) Asllani, Ali; “Poezi të zgjedhura”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1996, f. 49; Asllani, Ali; “Vidi-vidi pëllumbeshë”: poezi të zgjedhura; Tiranë, Toena, 1999, f. 146.

[19] ) Asllani, Ali; “Mbreti i ynë”, “Atdheu”, 1935, [f. 7].

[20] ) Po aty.

Filed Under: LETERSI Tagged With: 50 vjetori, Albert Habazaj, Ali Asllani, Vepra"Mbreti Yne"

HISTORI-96 vjetori i luftës çlirimtare të Vlorës

May 27, 2016 by dgreca

“Lufta e Vlorës. Historia në Epikën Historike” e studiuesit Albert Habazaj/

E ardhmja e të shkuarës/

Shkruan: Dr. Llukë GJIDEDE/

  1. Promovimi i librit: “Lufta e Vlorës. Historia në Epiken Historike” me autor publicistin, studiuesin dhe shkrimtarin e njohur Albert Habazaj në mjediset e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, aty ku rreh fort zemra e kujtdo shqiptari të vërtetë patriot, është nder dhe vlerësim i madh që i bëhet, kënaqësi e respekt edhe për ne që kemi ardhur për ta vlerësuar.

Pyetjes proverbiale: “Ç’bëre ti për Atdheun?” Luftëtarët e luftës së Vlorës, ata që sollën riçlirimin e Shqipërisë, përgjigjen e dhanë me pushkë, këngë e diplomaci, flijuan jetën bashkë me atë pak pasuri që patën. Është ky një moment reflektimi për të respektuar e vlerësuar pishtarët e Atdheut, kontributet e brezave të mëparshëm. Ata janë gurë kilometrik që i shërbejnë të tashmes e t’ardhmes, udhërrëfyes të ligjëruar nga koha, nga historia.

Albert Habazaj sot, me të drejtë mund të thotë: “Bëra atë që më takon”. E përgëzojmë!

Për shkrimin e kësaj monografie studimore, shkencore për Vlorën e për Shqipërinë autori ka ditur të shfrytëzojë në mënyrën më të mirë të mundshme, tre favore të spikatura:

– Krenarinë e të qenit Lab – Vlonjat të mëkuar nga traditat atdhetare të familjes e të krahinës;

– Frymëzimin burimor nga eposi i këngës Labe për luftën e Vlorës;

– Kulturën e gjerë historike e letrare, dashurinë njerëzore si dhe bujarinë për të dhuruar dituri.

Kushdo që do ta lexojë këtë libër do bindet për të vërtetat historike të argumentuara, do krenohet e do bëhet me qytetar i  të ardhmes, më Europian, pa inferioritet në raport me të tjerët. Sprova për rikthim në kujtesën tonë të një periudhe kohore ku balanca e ekzistencës së Shqipërisë si shtet e tërësi territoriale ishin në harkun e “gërshërës” për amputime monstruoze nga trupi i drobitur është sa e lavdërueshme po kaq edhe e guximshme.

  1. Meraku për të ardhmen e të shkuarën autorin e ka intriguar jo pak, për të mbajtur të gjallë amanet merakun e Ismail Qemalit kur shkruan: “Kur flenë fëmijet, rriten, kur flenë kombet, vdesin”. Lëndën e grumbulluar nëpërmjet Epikës popullore për luftën e Vlorës autori ka ditur ta studjojë, përpunojë e sistemojë në funksion të historigrafisë shkencore shqiptare. Po të më lejohet, do të bëja një analogji, njashtu sikurse gjermani Shliman për zbulimin e Trojës në vitet 1871 – 1873 u nis nga legjenda e Iliadës së Omerit për të arritur te e vërteta e ekzistencës së saj. Në libër, me argumenta bindëse, përcaktohen tre faktorët kryesore që çuan në fitoren e Luftës Epope:

Faktori i parë përcaktues ishte lufta mbarëpopullore me epiqendër në Vlorë e më pas edhe kontributi i viseve të tjerë të Shqipërisë si dhe angazhimi i cunguar i Qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës (1920).

Faktori i dytë: Ndihmesa e diasporës shqiptare në Amerikë ka qenë e një rëndësie shpëtimtare. Atdhetari i madh dhe një nga njerëzit më të ditur të kombit, Fan Noli, e bindi presidentin e Amerikës, Willson, mik i Shqipërisë, kur deklaroi se: Amerika është pro Shqipërisë, ajo nuk do preket, nuk do shpërbëhet. Një mirënjohje kombëtare që nuk duhet harruar!

Faktori i tretë: I një rëndësie të veçantë është edhe solidariteti i popullit Italian që e detyroi qeverinë e tij të tërhiqte trupat pushtuese nga Shqipëria.

Fitorja e Luftës, 1920 e bëri te pavlefshëm Traktatin e Fshehtë të Londrës, 1913. Në teatrin e luftimeve u vranë 400 luftëtarë, vullnetarë, në çetat e mirëorganizuara për çlirimin e Vlorës. Nga pala italiane u vranë pak ose asnjë ushtar. Robër u kapën mbi 1100 vetë dhe që të gjithë u liruan pa u dëmtuar sikur të kishin ardhur jo si pushtues por turistë! Ofendimi poshtërues i bërë nga gjenerali Piacentini se “Shqipërinë e pushtoj me shurrën e putanave” u anashkalua me autokontroll dhe mospërfillje pëçmuese nga Luftëtarët e Vlorës! Një shpagim për dinjitet do të ishte më se i merituar dhe tërësisht i justifikuar. Kjo nuk duhet harruar nga pala tjetër!

  1. Nga fronti i luftimeve Nase Beni u përgjegj:

“Breshkë e ndyrë e moçalit,

S’qëndron dot në gur të thatë,

Se këtu këndon bilbili,

Që e ka zërin e lartë.”

Në Normandi, kur zbarkuar, aleatët, në Luftën e Dytë Botërore, pësuan humbje të mëdha nga gjermanët. Në datën përkujtimore shkojnë edhe kancelarët gjermanë për të kërkuar falje historike. Shembulli është. Italianëve nuk do t’u bjerë nderi sikur të vinin në muajin Qershor, që është 96 vjetori i kësaj Lufte, për të njohur të vërtetën që na bashkon. Gjej rastin që t’i rekomandoj Universitetit “Ismail Qemali” të organizojë një konference shkencore, kushtuar 96 vjetorit të kësaj ngjarjeje me përmasa kombëtare, duke patur si pikë referimi librin “Lufta e Vlorës. Historia në Epikën Historike” me autor Albert Habazaj.

Filed Under: Histori Tagged With: 96 vjetori i luftës çlirimtare të Vlorës, Albert Habazaj, Dr. Llukë GJIDEDE

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 19
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT