• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A DO TË KTHEHET ALEANCA E HERSHME NDËRMJET EVROPËS E SHBA ME ARDHJEN E BIDEN-IT?

January 15, 2021 by dgreca

Nga ANGELO PANEBIANCO- Përktheu Eugjen Merlika / Ndërsa në ekranet televizive rridhnin pamjet e mësymjes  mbi Capitol Hill ndihej shpesh  të përsëritej prej atyre që i komentonin se n’atë çast po kryhej një sulm kundër “tempullit” të demokracisë. Duke lënë mënjanë fjalët e bukura, n’ato fjalë përceptohej përveç përhumbjes përballë të pamendueshmes (sulme kundër Parlamentëve mund të priteshin në shumë vënde të botës, me përjashtim të Shteteve të Bashkuara), edhe pak a shumë një vetëdije të çoroditur mbi çfarë është me të vërtetë demokracia kur arrin në një pikë vendimtare. Demokracia është, para së gjithash e mbi të gjitha, një metodë për të zëvendësuar qeveritarët në fuqi pa dhunë e pa derdhje gjaku kur, në zgjedhje të lira, një shumicë votuesish (por shpesh bëhet fjalë për pakicën më të fuqishme) vendos t’I ndryshojë.

                Demokracia “i numëron kokat në vënd që t’I presë”. Kjo e dallon nga regjimet e tjerë politikë. Jo gjithmonë arrin t’a shmangë dhunën, siç dëshmon historia e gjithë demokracive. Duke filluar nga ajo e Shteteve të Bashkuara me të gjithë episodet e dhunës politike. Megjithatë, pavarësisht nga Capitol Hill, pavarësisht nga orvatjet e Trump-it për të helmuar të gjithë puset e mundëshme para tërheqjes së pashmangëshme, duhet thënë se lajmet që qarkullojnë sot mbi krizën e demokracisë amerikane janë “ të zmadhuara në mënyrë trashanike”. 

                Presidenti Trump, me fjalën e tij mbi fitoren e vjedhur, jo vetëm ka shtyrë për veprim kryengritësit e Capitol Hillit. Ka kërkuar, nëpërmjet çfarëdo mjeti të ligjshëm në mundësitë e veta, përmbysjen e përfundimeve zgjedhore. Nuk ka gjetur asnjë guvernator e asnjë gjykatës të gatshëm për të përmbushur qëllimin e tij. Mjaft demokraci rreth e përqark botës janë shembur sepse kryetari i qeverisë në fuqi ka kundërshtuar dorëheqjen mbas humbjes së zgjedhjeve. Por institucionet amerikane janë tepër të qëndrueshme për t’i lejuar Presidentit të Shteteve të Bashkuara atë që, në vende të tjera, institucione më të dobëta i lejojnë disa lloj kryeministrave.

                Është e njohur se Trump-i, edhe se ka humbur Shtëpinë e Bardhë, ka dëshmuar se ruan një fuqi të madhe zgjedhore, se është ende një tërheqës shumë i mirë. Kanë mundur t’a vërtetojnë demokratët që kanë ruajtur shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, por duke humbur vota e deputetë.

                Janë rrjeshtuar shumë herë arsyet që e bëjnë aq të turbulltë sot jetën amerikane: një rënie e theksuar e besimit të publikut kundrejt qeveritarëve, një stinë e gjatë e polarizimit politik, fuqia m’e madhe e dukshmëria më e plotë e pakicave skajore të prirjeve të ndryshme. Është kjo në fund të fundit që i dha mundësi njërit si Trump-i, katër vjet më parë të fitonte e që bën të mundur zgjedhjen, në rradhët e demokratëve të kandidatëve që po të ushtronim parametrat evropianë, mund t’i klasifikonim si skajorë të së majtës.

                Megjithatë kjo nuk ka ndaluar fitoren e një qëndërsori si Joe Biden. As do të pengojë, me gjasë e me të drejtë ata parlamentarë republikanë, që kanë pësuar Trump-in gjatë këtyre viteve, duke qeshur se nuk mund të qanin, për të gjetur pragmatikisht pika takimi me Administratën demokratike, sa herë që për ta do t’ishte e leverdisëshme.

                Por thuhet se Amerika është një “Vend i ndarë”, ku garuesit trajtohen si kundërshtarë (Po nuk është ashtu n’Itali?). Ndonjë herë është përshtypja se ndonjeri dënon jo vetëm dhunat por edhe ndasitë si të tilla. A thuajse është e mundur dhe e urueshme një demokraci  pa ndarje (pak a sumë të thella). Problem nuk janë ndarjet por aftësia e institucioneve për t’i mbajtur nën kontroll e për të ndaluar konfliktet – të pashmangëshme e të nevojshme – të përdhosen deri n’atë pikë sa të venë në rrezik rendin shoqëror. Pavarësisht nga episodi shumë i rëndë i Capitol Hillit apo i dhunave qytetare që kanë shkundur Amerikën në muajtë e fundit nuk duket aspak se institucionet e demokracisë së Shteteve të Bashkuara t’a kenë humbur atë aftësi.

                Nëse janë të tepruara piskamat për t’ardhmen e demokracisë amerikane, kjo nuk do të thotë se nuk ka arsye të fuqishme për t’u shqetësuar për ne evropianët. Rreziku më i madh është që Biden-i megjithë përvojën dhe vullnetin e tij  të shfaqur shpesh, në rinyjëzimin e lidhjeve me Evropën, të pësojë trysninë e forcave që shtyjnë në drejtim të kundërt. Duhet të kujtojmë se e majta e Partisë demokratike është e interesuar vetëm për reforma rrënjësore shoqërore të brëndëshme dhe qëndrimet e saj ndërkombëtare (izolacioniste e proteksioniste), nëse do të mbizotëronin, do të kishin për ne pasoja po aq rrënuese sa dhe ato të shkaktuara nga Administrata Trump.

                Ka arsye ai që mendon se humbja e Trump-it nuk mund të përbëjë një kthim të pastër e të thjeshtë në të shkuarën. Edhe se, sigurishht, marrëdhëniet ndërmjet Amerikës dhe Evropës do të përmirësohen, Biden-i do të mbajë parasysh faktin se publiku amerikan nuk pranon më të paguajë çmime shumë të larta për të ushqyer mbizotërimin ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara. Mbulesa do të jetë më e shkurtër se një kohë. Kjo do të thotë se investimi amerikan i kujdesit dhe i burimeve ekonomike në shemërinë me Kinën do të shpërblehet me një disponueshmëri më të pakët për të siguruar me të njëjtën fuqi e besueshmëri të së kaluarës sigurinë evropiane. Me që siguria është thelbësore për të garantuar jo vetëm paprekshmërinë fizile të qytetarëve, por dhe qëndrueshmërinë e institucioneve demokratike, në teori do të na takonte ne evropianëve të merremi me të në vitet që vijnë. Më e lehtë të thuhet se të bëhet. Dihet se sa të pabindur janë shumë evropianë, ndoshta shumica, për të zhvendosur tek mbrojtja e siguria burime të papërdorëshme e deri tani të përdorura për qëllime të tjera. Në vend të fatit të demokracisë amerikane (që, megjithatë, nuk duket se kalon rreziqe të mëdha), duhet të fillojmë të shqetësohemi për t’ardhmen e demokracive tona.

                “Corriere della Sera”, 10 janar 2021    

   Përktheu Eugjen Merlika  

Filed Under: Analiza Tagged With: ALEANCAT, Evropa, perktheu Eugjen Merlika, SHBA

Po, sa mbialeanca iu duhen shqiptarëve në Ballkan?!

March 3, 2020 by dgreca

Shkruan:Prof.Dr. Mehdi Hyseni/

Ne me kroatët jemi në aleancë që nga shekulli XII, si dhe kemi të njëjtën gjenezë ilire. Ndaj, nuk na duhen kurrfarë aleancash të reja, sepse  kemi mirëbesim dhe e njohim shumë mirë njëri-tjetrin (edhe në luftëra mbrojtëse, edhe në paqe, edhe në shkencë, edhe në kulturë  edhe në art etj.). Sa i respektojmë dhe sa i duam kroatëtë, këtë e dëshmuam me pushkë në një front të përbashkët në luftën mbrojtëse kundër agresorit të përbashkët  çetniko-fashist serb për çlirimin, për pavarësimin dhe për  lirinë e Kroacisë (1990-1995).

*** Praktika e marrëdhënieve ndërkombëtare ka provuar se, krijimi i aleancave ndërshtetërore bëhet në kushte dhe në rrethana shumë specifike dhe të jashtëzakonshme, kur rrezikohet sovraniteti territorial i ndonjë shteti, ose kur për hir të interesave hegjemoniste dhe kolonialiste vjen në shprehje përputhja e interesave  gjeopolitike, strategjike dhe ushtarake e disa shteteve. 

Shumë çudi e madhe, në kohë paqeje, politika dhe diplomacia e jashtme e Shqipërisë me kryeministrin Edi Rama dhe me ministrin e Jashtëm Gent Cakaj në krye, po nxitojnë për lidhje aleancash me ballkanikët, mirëpo, në kohë lufte, kur digjej Kosova dhe 2 milionë gjysmë shqiptarë, Shqipëria nuk pati pranuar të hynte në Aleancën ushtarake me UÇK-në për ta mbrojtur Kosovën nga terrori dhe gjenocidi i Serbisë (189-1999), e tash po duaka  “aleancë sepeciale” me Kroacinë, kinse për ta “zbatuar njëfarë strategjie të përbashkët”, gjoja për ta frikësuar Serbinë. Mirëpo, nuk ka pse të formohet aleanca me Kroacinë, kur Shqipëria është  në Aleancë me Serbinë.

Megjithatë, i lutem Zotit, që ajo farë “strategjie e përbashkët” të mos e prek Kroacinë, se do ta gjente i njëjti fat sikurse Kosovën më  1999, që e lanë në zjarin dhe në gjenocidin e Serbisë së Slobodan Milosheviqit.

Objektivi parësor i politikës së jashtme strategjike të Kosovës-ADEMRIMI NË OKB, jo në aleancat  e moçaleve ballaknike  antishqiptare !

Pranmdaj, kryediplomati i Kosovës, Glauk Konjufca, duhet ta refuzojë  propozimin e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Gent Cakaj, kinse për formimin e një alence të re me Kroacinë, sepse nuk është koha e krijimit të aleancave, të antantave dhe të pakteve ballkanike, por aderimi i Kosovës në OKB, në Aleancën e NATO-s dhe në Bashkimin Evropian (BE). Ky duhet të jetë objektivi parësor strategjik nacional dhe shtetëror  i politikës dhe i diploamcisë së Republikës së Kosovës.

Për më tepër, Kosova nuk duhet të aderojë në asnjë aleancë, JASHTË AMERIKËS, NATO-s dhe BE-së.

Si mund të hyjë Kosova në një aleancë me Shqipërinë, qoftë kur është fjala edhe për Kroacinë, kur Shqipëria tanimë ka hyrë në aleancën e quajtur  Minishengeni Ballkanik  me Serbinë dhe me Maqedoninë e Veriut?

-Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet ta pengojë iniciativën e minsitrit të Jashtëm Gent Cakaj për hyrjen në aleancë të Shqipërisë dhe të Kosovës me Kroacinë.

Aleancat krijohen vetëm kur shteti rrezikohet nga ndonjë agreson dhe invadim i huaj

Mirëpo, hëpërhë as Kosova e as Shqipëria nuk  kërcënohen nga një ivadim i tillë, sepse janë të mbrjtura nga Amerika dhe nga Aleanca e Atlantikut Verior-NATO.

Prandaj, as minishengeni i Ramës, as iniciativa propozuese e ministrit të Jashtëm, Gent Cakaj për hyrjen në aleanca me shtetet ballkanike, nuk duhet pranuar as Kosova e as Shqipëria, sepse janë të dëmshme për interesat naconale komplementare  me aleatët evro-perëndimorë të tyre.

Kosova ka pasur nevojë për ALEANCËN E MADHE HISTORIKE ME AMERIKËN DHE ME NATO-n, sepse u rrezikua nga agresioni dhe gjenocidi i Serbisë. Kështu që, kjo aleancë evro-perëndimore ishte plotësisht e pranueshme edhe nga shqiptarët; e ligjshme edhe nga  Amerika, edhe nga OKB-ja, edhe nga NATO-ja (1999), sepse shpëtuan 2 milionë e gjysmë shqiptarë nga masakrat dhe nga gjenocidi i Serbisë së Slobodan Milosheviqit (1989-1999).

Mirëpo, sot, shqiptarëve  nuk iu nevojiten kurrfarë minialeancash e as mbialeancash me vendet ballkanike, sepse, tanimë  janë në ALEANCË me AMERIKËN, me NATO-n dhe me BE-në. Ndërkaq, çdo aleancë tjetër e Shqipërisë dhe e Kosovës me shtetet rajonale, është një zero e madhe dhe, një gabim i pariparueshëm politik, diplomatik, strategjik, kombëtar dhe shtetëror. Me një fjalë, JASHTË ALEANCËS EVRO-PERËNDIMORE, të gjitha minialeancat e tjera hibride ballkanike të shqiptarëve, janë  “dushk për gogla” sa për të tretur energji të kotë (duke harxhuar para të buxhetit, për të shetitur poshtë-lart nëpër “metropolet” e aleanacave ballkanike, kinse nëpër “samite me interes të përbashkët strategjik”?) dhe për të shteruar burimet dhe mjetet ekonomike dhe fiannciare,duke u shpërqëndruar nga interesat, nga bashkëpunimi dhe nga bashkëveprimi reciprok strategjik afatgjatë me Amerikën, me NATO-n dhe me BE-në.

Pse  aleancë mbi aleancë me Kroacinë, kur Tirana dhe Zagrebi, tanimë që nga viti 2009 janë në Aleancën e Atlantikut Verior-NATO-n dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës?

Pse  aleancë mbi aleancë, kur Kroacia është anëtare e BE-së, dhe, së shpejti pritet që edhe Shqipëria, do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian sikurse Kroacia?

Gjithashtu, pse aleancë mbi aleancë ballkanike si Aleanca  e Minishengenit Ballkanik (Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia Veriore) e kryeministrit Edi Rama, dhe, tani, së fundi nga  “polli” ideja, edhe  për një alancë mbialeancë: Shqipëria, Kosova dhe Kroacia, të “dizajnuar” nga ministrii i Jashtëm, Gent Cakaj,  gjë që kjo iniciativë absurde dhe naïve  është përgjigje direkte (gjoja alternativë)  Minishengenit Ballkanik (Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia Veriore) të “arkitektit” Edi Rama, mbase Aleanca  (Shqipëri, Kosovë, Kroaci), do të jetë e pranueshme për strategjinë politike dhe diplomatike shtetërore të Republikës së Kosovës, në krahasim me hedhjen poshtë të Minishengenit Rama-Zaev-Vuçiq (2019).

Kjo farë iniciative naïve dhe komike, është bërë sa për të bërë cirk dhe lojëra të pakufijshme me diplomacinë e  Tiranës dhe të Prishtinës, gjoja për ta pajtuar Edi Ramën me  përfaqësuesit zyrtarë të Kosovës, domethënë, se në këtë mënyrë perfide alladiplomatike, ata të lëshojnë pe, dhe të pranojnë strategjinë antikombëtare dhe antishtetërore të Minishengenit Ballkanik  serbomadh.

Gjithashtu, ata liderë politikë dhe diplomatë shqiptarë  (Edi Rama dhe  Gent Cakaj… etj. me aleancat e  tyre) që shohin ëndrra në diell për të krijuar aleanca të reja  me shtete ndryshme balkanike, keq mashtrohen se  do të mund të zbatojnë  ndonjë “ojektiv unik strategjik” JASHTË OBJEKTIVAVE DHE KORNIZAVE  GJEOSTRATEGJIKE  të Aleancës së NATO-s, të  Uashingtonit ,  sepse Shqipëria si anëtare e tyre nuk ka asnjë shans që të zbatojë ndonjë “strategji të përbashkët” speciale me Kroacinë, ose me ndonjë vend tjetër rajonal, JASHTË ALEANCËS   EVROPIANE PERËNDIMORE.

         Aleancat e vendeve të vegjël janë një zero në skenën e marrëdhënieve politike ndërombëtare

Në kuptimin e zbatimit të rregullave, të normave dhe të parimeve të së drejtës ndërkombëtare  dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara derisa një shtet ka marrëdhënie normale dhe miqësore diplomatike(de fakto dhe de jure) me një shtet tjetër, sikur që është rasti i Shqipërisë dhe i Kosovës me Kroacinë,  nuk ekziston kurrfarë arsye, që të “lodhet aq shumë” ministri Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, duke propozuar një Aleancë të re ndërshtetërore me Kosovën dhe me Kroacinë,  kinse “për t’i thelluar marrëdhëniet dhe për t’i zbatuar objektivat e përbashkëta strategjike”.

-Pse atfarë “thellimi të marrëdhënieve” mes dy vendeve, nuk ka paska mundësi që ta bëjnë ambasadat në Tiranë dhe në Zagreb, por, sipas G. Cakajt, po u dashka një  aleancë jashtë protokollit të marrëdhënieve ndërshtetërore diplomatike mes Shqipërisë dhe Kroacisë, apo mes Shqipërisë dhe Serbisë, siç është aleanca e “Minishengenti Ballkanik”?!

-S’ka çfarë të “thellohen” , as të ngushtëhen e as të zgjerohen marrëdhëniet  Tiranë-Prishtinë-Kroaci jashtë rregullave, normave dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së OKB-së, duke krijuar ALEANCA dhe MINISHENGENE  të copëtuara dhe të shemtuara ballkanike, që të kujtojnë historinë e hidhur të ALEANCAVE dhe të ANTANTAVE  SLLAVE, që sollën luftërat ballkanike (1912-1914),  Luftën e Parë Botërore dhe Luftën e Dytë Botërore (1939-1945), ku më së keqi pësuan shqiptarët dhe Shqipëria Etnike ngase u copëtuan, u ankesuan dhe u kolonizuan me gjencid nga shtetet fqinje sllave me ndihmën e fuqive të mëdha të Evropës.

Shqiptarët duan shkolonizim dhe bashkim, jo alenaca dhe mbialeanca të tandemit Rama- Cakaj !

Mirëpo, kryeministri Edi Rama dhe Gent Cakaj duan aleanca edhe me Serbinë, edhe me Maqedoninë, edhe me Kroacinë. –Pse gjithë këto aleanca me ballkanikët?!

Ja, edhe inicijativa më e re e  Gent Cakajt (ministër i Jashtëm i Shqipërisë: “Pas bisedave me Ministrin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca, së bashku me Ministrin e Jashtëm të Kroacisë, z. Goran Grlië-Radman, kemi vendosur përfundimisht themelimin e nismës trepalëshe mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Republikës së Kosovës”. (https://www.kosova-sot.info/lajme/448714/themelohet-aleanca-kosove-shqiperi-kroaci-ndash-cakaj-tregon-per-takimin-e-pare/).

Çfarë absurdi,  “për të thelluar marrëdhëniet dhe për bashkëpunim, duam aleancë  me Kroacinë”?!

-Po, atëherë, çfarë roli po luakanë ambasadat  në Tiranë dhe në Zagreb?!

-JO, jo, nuk kemi nevojë për aleancë  të re me Kroacinë, sepse shqiptarët  janë në lidhje të lashtë historike aleatore dhe miqësore me kroatët, që nga Republika e Dubrovnikut (1358). Kështu që, sot, në fund të dekadës së dytë të shekullit XXI, nuk  ekziston kurrfarë arsyeje për lidhjen e ndonjë Aleance të Re me Kroacinë, sepse me shekuj jemi pranë njëri-tjetrit, duke qenë se kemi një gjenezë të përbashkët ilire  (histori, kulturë, shkencë, art etj.).  

Prandaj, kjo “filozofi matematikore” e G. Cakajt, disa shekuj, është  e vonuar dhe jashtë kohe. Mirëpo,  është “interesante”, se përputhet me diplomacinë e kryeministrit të vet, Edi Rama, i cili e ka futur Shqipërinë në Alencën e Minishengenit Ballkanik me Serbinë dhe me Maqedoninë Veriore (2019).

-Pse tash, MBIEALEANCË me Kroacinë?

– Në sa aleanca, do ta fusni Shqipërinë?

–Kjo strategji  e hyrjes në shumë aleanca, është plotësisht e gabuar dhe e dëmshme si për inetresat vitale kombëtare, ashtu edhe për ato shtetërore, kur dihet se Shqipëria është në ALEANCË ME AMERIKËN, ME NATO-n DHE, NDOSHTA, NESËR EDHE ME BASHKIMIN EVROPIAN.

Vetëm në këtë sfond aleator dhe të partnerizmit amerikan dhe evropian perëndimor,  politika dhe diploamcia e  Shqipërisë dhe e Kosovës, mund ta realizojnë strategjinë e tyre të përbashkët, e jo kurrsesi në minialeanca rajonale dhe ndërajonale qoftë me Serbinë, qoftë me Kroacinë, qoftë me Greqinë, qoftë me Maqedoninë, apo me Malin e Zi.

Sipas ministrit Cakaj, qëllimi i formimit të kësaj Aleance të re (Shqipëri, Kosovë dhe Kroaci) qenka “ Thellimii i marrëdhënieve mes vendeve tona, por edhe zbatimi i objektivave të përbashkëta strategjike veçanërisht në fushën e politikës së jashtme”. (Po aty, “Kosova Sot”).

Mirëpo, Kosova dhe Shqipëria si anëtare e NATO-s kanë  marrëdhënie shumë të mira bashkëpunimi  me Republikën e Kroacisë si anëtare e NATOs dhe e BE-së (politikë, ekonomi, tregti, diplomaci, kulturë dhe shkencë).

Prandaj, është nonsens diplomatik të kërkohet ndonjë  “lidhje speciale”, apo aleancë me Kroacinë tonë mike shumëshekullore, kur dihet se Shqipëria ka marrëdhënie  normale dhe të shkëlqyera diplomatike me Republikën e Kroacisë.

 –Çfarë aleance e re nevojitet në këtë rast?

– Gjoja  për “thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve…” !?

– Po, de fakto dhe de jure këto marrëdhënie diplomatike ekzistojnë mes Tiranës dhe Zagrebit, qëkur Shqipëria e ka njohur Republikën e Kroacisë (1992).

–Çfarë ka këtu, të “thellohet më shumë” , (madje, edhe të lidhet  njëfarë aleance me Kroacinë!?) në kuptimin e  zhvillimit të marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet  Shqipërisë dhe Kroacisës sipas normave dhe rregullave të së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara.

-Vërtet, nëse kemi parasysh rëndësinë dhe prioritetin e vënies në jetë të objektivave  strategjike afatgjata kombëtare dhe shtetërore të  Shqipërisë dhe të Kosovës, si dhe të gjithë shqiptarëve në Ballkan, atëherë, as Shqipëria e as Kosova nuk kanë asnjë arsye, që të aderojnë në aleanca  me asnjë shtet tjetër ballkanik, sepse, tanimë  ndodhen në aleancat e tyre-Amerikën dhe NATO-n (1999-2020).

Prandaj, kryediplomati i Kosovës, Glauk Konjufca nuk duhet të pranojë një propozim të tillë naiv dhe absurd të homologut të tij në Tiranë, Gent Cakaj, sepse ka për qëllim pajtimin  dhe riafrimin e kryemiistrit Edi Rama me qeverinë e Kosovës, duke qenë se ia pat huqur me krijimin e aleancës së Minishengenit Ballkanik (Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia Veriore), me ç’rast u vetizolua nga Kosova.

Shqiptarët nuk janë superfuqi si Amerika, që të krijojnë aleanca në mbarë botën

Ne, duhet t’ia dimë hallin vetes, si dhe t’i kemi parasysh obligimet dhe përgjegjësitë që i kemi ndaj partnerëve tanë, siç janë Amerika, NATO-ja dhe BE-ja, të mos thyejmë qafën nëpër disa aleanca  mini , apo makro shengene ballkanike, sepse kjo është vetëm bjerrje kohe, që nuk shpie në Evropën Perëndimore, por vetëm në  stagnimin dhe në fundosjen shekullore të “ujërave  të amullta” ballkanike.

Realisht, derisa shqiptarët kanë hyrë në aleancë me Amerikën, me NATO-n dhe, po pretendojnë të hynë edhe në BE, është e absurde, qesharake, iracionale dhe krejtësisht e panevojshme  që të shumëfishohen aleancat e  Shqipërisë dhe të Kosovës, përkatësisht të  shqiptarëve në Ballkan.

Shqipëria e as Kosova nuk kanë nevojë për Aleancë të re me Kroacinë, sepse gjenezën dhe fatin e kanë të përbashkët që nga shekulli i mesjetës

Derisa Shqipëria dhe Kroacia janë aleatë të NATO-s, si dhe të Amerikës, nuk ka asnjë nevojë që Shqipëria dhe Kosova, të lidhin Aleancë të re me Kroacinë, sepse historikisht dihet që shqiptarët dhe kroatët kanë pasur lidhje të ngushta bashkëpunimi dhe kanë bashkëjetuar me shekuj, që nga themelimi i Republikës Raguza (Dubrovniku) më 1358 e deri më sot në dekadën e dytë të shekullit XXI). Këtë afërsi, mirëbesim dhe miqësi me popullin kroat, së fundi e vërtetoi edhe pjesëmarrja e qindra shqiptarëve në luftën mbrojtëse të Kroacisë kundër Serbisë agresore dhe gjenocidale (1990-1995).

Prandaj, as Kosova e as Shqipëria nuk kanë pse të lidhin “aleancë të re” me Kroacinë, sepse ne  jemi në aleancë dhe miq  me kroatët shumë shekuj më parë.

Pra, shikuar historikisht, shqiptarët dhe kroatët , jo vetëm që kanë pasur, por edhe sot kanë pikëpjekje afrie dhe bashkëpunimi kulturor,  shkencor, politik, diplomatik, ekonomik e tregtar, mbase shumica pej tyre kanë edhe të njëjtën gjenezë ilire sikurse shqiptarët . Këtë të vërtetë historike me veprat e tij shekncore, e dëshmoi edhe akademiku dhe shkencëtari kroat me prejardhje shqiptare, Aleksandar Stipçeviq, ilirolugu më i shquar në Ballkan.

Sa më sipër, Shqipëria dhe Kosova, realizimin e  objektivave dhe të interesave të tyre gjeostrategjike, gjeopolitike , gjeoekonomike, të zhvillimit, të mbrojtjes, të sigurisë, të bashkëpunimit, të paqes dhe të mirëbesimit reciprok me Kroacinë mike, duhet t’i kërkojnë në kuadrin e partneritetit dhe të bashkëpunimirt me të  në BE, në NATO, në OKB, në OSBE dhe në Amerikë, si faktori më relevant   aleator dhe miqësor i shqiptarëve në Ballkan.

Filed Under: Analiza Tagged With: ALEANCAT

Ngërçi paszgjedhor – koalicione të reja për formimin e Qeverisë

June 12, 2017 by dgreca

1 Kosove zgjedhjeNga Zijadin Gashi/Kosova mund të përballet me një ngërç të ri kur është në pyetje formimi i Qeverisë së ardhshme.Nëse përqindjet e votave të fituara kthehen në ulëse të Kuvendit, përbërja e re e legjislativit do të dukej afërsisht me 39 apo 40 deputetë të koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma.Pastaj, me 31 apo 32 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje. Kurse koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës me 29 ulëse.Ndërkaq, komunitetet mbeten në kuotat e njëjta, serbët marrin 10 ulëse dhe pakicat tjera po ashtu 10 vende të garantuara.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit, vlerësohet se nuk kanë nxjerrë një koalicion apo parti politike si fituese bindëse të zgjedhjeve. Andaj, lidhja e koalicioneve paszgjedhore mbetet e pashmangshme nëse synohet të evitohen zgjedhjet e reja.Koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma i njohur edhe si PAN, me mbi 34 për qind të votave të fituara, mund të sigurojë nga 39 deri në 40 ulëse në Kuvend. Ky numër, nuk i mjafton këtij koalicioni ta formojë Qeverinë, pavarësisht që si pjesë e Qeverisë, në bazë të Kushtetutës, duhet të jenë edhe komunitetet pakicë.

Formim i Qeverisë, kërkon minimumin prej 61 votave të deputetëve të Kuvendit. Kështu që, koalicioni PAN edhe nëse do të llogariste në të gjitha votat e pakicave, 20 gjithsej, nuk do të arrinte ta formonte Qeverinë e ardhshme pa lidhjen e një koalicioni me ndonjë prej subjekteve shqiptare, qoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) apo edhe partitë më të vogla si Aleanca Kosova e Re (AKR) apo Alternativa.

Ndërkaq, mbetet fare pak e besueshme që koalicioni PAN të lidhë ndonjë koalicion me Vetëvendosjen, si partia që shënoi rritjen më të lartë në këto zgjedhje, por që megjithatë është renditur e dyta.

Zgjidhja më e lehtë do të ishte që PAN të lidhte koalicion të ri me Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke ia kaluar drejtimin e Qeverisë së ardhshme, koalicionit PAN.

Modeli i Maqedonisë

Marrë parasysh që koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma do ta ketë mjaftë vështirë ta formojë Qeverinë e ardhshme, formula logjike do të ishte që nëse subjekti fitues i zgjedhjeve nuk arrin ta formojë Qeverinë, mandati t’i kalohej subjektit të dytë, ngjashëm me modelin e Maqedonisë.

Sipas këtij modeli, Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës me Aleancën Kosova e Re dhe Alternativën do ta formonin Qeverinë, kurse subjekti fitues, do të dilte të opozitë.

Albin Kurti, i nominuari i Vetëvendosjes për kryeministër

Albin Kurti, i nominuari i Vetëvendosjes për kryeministërMegjithatë, nëse procesi i ndërtimit të Qeverisë do të thirrej në precedentin tashmë të krijuar, ky model do të binte poshtë menjëherë.Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në vitin 2014, e kishte interpretuar formimin e Qeverisë si të drejtë ekskluzive vetëm për koalicionin apo partinë politike që i fiton zgjedhjet, që në këtë rast del të jetë vetëm, koalicioni PAN.Bazuar në këtë interpretim, Vetëvendosje mund të futet në Qeveri, vetëm nëse e pranon koalicionin me PAN-in, ku bën pjesë edhe Partia Demokratike e Kosovës, me të cilën Vetëvendosje është deklaruar se nuk do të lidhë në asnjë rrethanë koalicion qeverisës.

Prishja koalicioneve dhe lidhja e aleancave të reja politike

Një formulë tjetër “magjike”, e cila përflitet, mund të jetë prishja e dy koalicioneve parazgjedhore sapo që Kuvendi i Kosovës të konstituohet.Sipas kësaj formule, Partia Demokratike e Kosovës do të ndahej nga partitë aktuale në koalicion, duke synuar që të merr sipër mandatin për formimin e Qeverisë me një subjekt tjetër, përkatësisht Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila tashmë nuk është partia e dytë, por e treta.

Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli, 11 qershor

Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli, 11 qershor/Në anën tjetër, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të ndahej nga Aleanca Kosova e Re apo edhe Alternativa dhe në fund, do të përsëritej ajo formula e njohur e koalicionit të gjerë, PDK, LDK dhe pakicat.Për jetësimin e kësaj formule, përfshirja e faktorit ndërkombëtar në negociatat ndërpartiake, vlerësohet se do të ishte e domosdoshme, marrë parasysh që Lidhja Demokratike e Kosovës për të satën herë është deklaruar se nuk do të kthehet më në koalicion me Partinë Demokratike.

Naim Rashiti: Rezultati vështirëson formimin e Qeverisë

Analisti i Grupit Ballkanik për Politika, Naim Rashiti parasheh mundësinë e vonesave dhe turbulencave në raport me formimin e Qeverisë së ardhshme të Kosovës.“Ende mbetet e panjohur krejt gjendja përderisa t’i shohim edhe rezultatet finale, por ajo që dihet është se partitë e koalicionit PAN dhe LDK-ja me koalicionin e saj, kanë humbur shumë në këto zgjedhje dhe ka një rritje enorme, që vjen si rezultat i pakënaqësisë shumëvjeçare në raport me politikat e tyre (PDK –LDK), e cila është përkthyer në votë për Vetëvendosjen”, thotë ai.“Rezultati është i pakënaqshëm, i pakëndshëm për blloqet (PAN dhe LDK-në) i cili e vështirëson edhe formimin e institucioneve dhe Qeverisë”, vlerëson Rashiti.Nëse PAN është nën 42 – 41 ulëse në Kuvend, sipas tij, kjo situatë do ta vë atë në vështirësi të mëdha rreth formimit të Qeverisë. Në anën tjetër, vijon Rashiti, LDK-ja dhe Vetëvendosje së bashku mund t’i bëjnë 61 vota për formimin e Qeverisë.“Por, kjo varet pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve dhe mbetet të shihet se si do të rrjedh procedura e formimit të institucioneve”, thekson Naim Rashiti.“Ky rezultat, duke i ditur edhe qëndrimet e partive politike, parashikon disa vonesa dhe turbulenca, përveç nëse ndodh ndryshimi radikal i qëndrimeve të njërit apo tjetrit subjekt politik”, parashikon ai.

Formimi i institucioneve

Në bazë të Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.

Kuvendi i Kosovës, foto arkiv

Kuvendi i Kosovës, foto arkiv/

Pas konstituimit të Kuvendit, fillon procedura e zgjedhjes së Qeverisë.Në bazë të marrëveshjes politike është e pritshme që partia apo koalicioni fitues të propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë së Kosovës.Më pas, Presidenti i Republikës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës (61 vota).Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë.Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.(RFL)

Filed Under: Analiza Tagged With: ALEANCAT, kosova, Ngerci, Zijadin gashi

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT