• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Amerika ende nuk është aleate e Serbisë

October 25, 2020 by dgreca

Shkruan: Prof.Dr.Mehdi HYSENI/ Një fjalë urtë popullore thotë: “Nga e thëna në të bërë, është një det i tërë”. Ose si thonë anglezët : “ From  words to deeds is a great  sea”. 

*** Edhe pse A.Vuçiqit këta ia “kana” shumë, që edhe Amerika të jetë një aleat i Serbisë sikurse Rusia dhe Kina, mirëpo, ai, duhet të ketë parasysh faktin se ka për të kryr shumë “detyra shtëpie” për ta bindur Amerikën dhe aleatët e saj evro-perëndimorë, se Serbia vërtet e meriton që Amerikën ta ketë aleat të saj, A. Vuçiqi, së pari, duhet ta njohë Republikën e Kosovës, ashtu si e ka njohur Amerika. Ndryshe, Serbia  nuk ka gjasa minimale që ta  përfitojë Amerikën si aleat të saj ndërkombëtar.

*** Natyrisht, këtë do ta dëshironte shumë presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe Serbia, mirëpo, derisa  Beogradi zyrtar nuk e njeh Reublikën e Kosovës, është e pabesushme dhe joreale, që Amerika të jetë  aleate e Serbisë, ashtu sikurse janë Rusia dhe Kina.

Me gjithë ndihmën e deritashme ekonomike, tregtare, të bizneseve dhe të investimeve të ndryshme të Amerikës në Serbi (2001-2020), si dhe të marrëdhënieve të mira ndërshtetërore diplomatike midis Beogradit dhe Uashingtonit, sidomos pas nënshkrimit të Marrëveshjes ekonomike në Uashington, më 4 shtator 2020, ku presidenti Donald Tramp me emisarin e tij shtetëror Richard Grenell për Dialogun e Brukselit të palëve negociuese serbo – shqiptare (Beograd-Prishtinë) inkurajoi dhe mbështeti presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kreyeministrin Avdulla Hoti, që të nënshkruanin marrëveshjen  për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Serbisë dhe Kosovës, kjo nuk do të thotë se tani, pas 4 shtatorit, Amerika  “është bërë aleate e Serbisë”, ashtu sikurse është prononcuar  naivisht A. Vuçiq : “Me gjithë standradin e dyfishtë, Serbia nuk ka rrugë tjetër  përveç rrugës evropiane, të cilën, duhet ta vazhodjë dhe, njëkohësisht  t’i ruajë aleatët  dhe miqtë e vet tradicionalë siç janë Rusia, Kina dhe SHBA-ja”.( https://www.novosti.rs/vesti/politika/922750/vucic-srbija-nema-bolji-put-evropskog).

Edhe pse presidenti A.Vuçiq Amerikën e konsideron si aleat të mundshëm, duke i riparuar dhe, duke i ngritur marrëdhëniet dhe lidhjet në shkallën më të lartë ndërshtetërore, jetësimi në praktikë i kësaj  skeme strategjike nuk është fare e lehtë, sepse derisa Serbia nuk e njeh Republikën e Kosovës (17.02.2008), ashtu siç e ka njohur Amerika dhe më se 100 shtete të tjera të OKB-së, as presidenti Aleksandar Vuçiq, as Serbisa nuk mund të llogarisin e as të shpesojnë se Amerika do bëhet aleat i tyre. Kjo nuk do të ndodhë pavarësisht  nga dëshira e presientit A. Vuçiq, si dhe nga  shkalla e tanishme e marrëdhënieve diplomatike të Beogradit me Uashingtonin.

Në Bruksel nuk do arrihet kurrfarë kompromisi politik mes Beogradit dhe Prishtinës, nëse Serbia nuk e njeh Republikën e Kosovës !

Kjo nuk e vështirë për t’u ditur, sepse qe 8 vjet presidenti serb Aleksandar Vuçiq me fanatizëm mbron konceptin strategjik të politikës, të diplomacisë dhe propagandës së regjimit të Slobodan Milosheviqit, të Kishës Ortodokse Serbe, të Akademisë Shkencave dhe të Arteve Serbe të Beogradit, si dhe të “Velika Srbija” të Vojislav Sheshelit, se  “Kosova është e Serbisë”. Kështu thuhet edhe në Kushtetutën e Republikës së Serbisë së vitit 2006.

Prandaj, ata liderë politikë  me medium e tyre të verdha ditore, që po propagandojnë se Serbia do ta njohë Kosovën me të përfunduar Dialogu i Brukeslit,  janë duke parë  “ëndrra duke ecur”, përkatësisht janë duke e mashtruar  dhe dezorientuar popullin shqiptar në Kosovë, që ai t’u japë ndonjë “dritë të gjelbër” përfaqësuesve të vet në qeveri apo në parlament, në mënyrë që të bëjnë ndonjë “kompromis të dhembshëm” , të keq, të dëmshëm dhe katastrofik për fatin e Kosovës shqiptare.

Mirëpo, kjo nuk do të ndodhë, nëse Serbia nuk e njeh Kosovën brenda kufijve të sajt ekzistues. Këtë pazar të keq-anipavarësi dhe antisovranitet territorial dhe shtetëror të Kosovës, do ta prishë Lëvizja Vetëvendosje së bashku me popullin, i cili nuk do të lejojë copëtimin e territorit të Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë, ashtu si i konvenon politikës kolonialiste dhe neokolonialiste të saj.

“Kompromisi” sipas “syzeve diplomatike” të presidentit A. Vuçiq !?

Ende pa u arritur Marrëveshja e Uashingtonit (4 shtator 2020) për normalizimin e marredhënieve ekonomike mes Prishtinës dhe Beogradit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq që në mbledhjen trilaterale në Bruksel (16 korrik 2020), ku veç palëve negociuese serbo – shqiptare të Serbisë dhe të Kosovës, morën pjesë edhe  ndërmjetësit e BE-së, Zhosep Borell dhe Miroslav Lajçak, pati deklaruar se gjoja “pala negociuese shqiptare me kryeministrin Abdulla Hoti në krye, nuk i kanë të qarta temat për të cilat duhet biseduar, duke qenë se kryeministri Hoti 20 herë përsëriti sintagmën  ‘dy shtete’. –E,  çfarë, do bëhej nëse,  edhe unë do përsërisja çdo herë ‘ një shtet dhe një krahinë autonome. Kjo do të thoshte se ndokush ka ardhur këtu jo të bisedojë, por të mendojë se ekziston mundësia për  ndonjë nënçmim të rëndë, që të pranohet ajo çfarë është në interesin e tyre.”

Së pari, ky është  një budallallëk apolitik i Vuçiqit, i cili  kurrë nuk do ta shpierë drejt BE-së dhe Amerikës, pa e njohur de fakto dhe de jure shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, edhe pse  sipas Kushtetutës në fuqi të Serbisë, “Kosova është krahinë e Serbisë”(2006),  Kosova është shtet i pavarur, ashtu si Serbia , edhe pse Kosova ende nuk është e njohur nga OKB-ja, si rrjedhim i VETO-s së Rusisë dhe abstenimit të Kinës, që duke favorizuar kolonializmin gjenocidal dhe hegjemonizmin e Serbisë,  duke u mbështetur në Rezolutën 1244 të KS-së të OKB-së (10.VI.1999), e cila nuk e njeh  shtetin e pavarur të Kosovës. Mirëpo, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e së OKB-së, në bazë të Opinionit të saj këshillëdhënës e njeh Republikën e Kosovës (22 korrik 2010), duke vlerësuar se, është shpallur në përputhje me parimet dhe me normat e së drejtës ndërkombëtare.

-E tërë kjo gjendje faktike dhe juridike, do të thotë se Kosova është shtet i pavarur, edhe pse  këtë nuk e njeh Beogradi zyrtar. Mirëpo, kjo është çështje e brendshme politike e Serbisë, jo e së drejtës ndërkombëtare , siç ka konstatuar në mënyrë të argumentuar dhe me plot të drejtë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Pra, në rastin konkret, presidenti Serb A.Vuçiq nuk ka pse ta kritikojë kryeministrin Avdullah Hoti, pse ai  “20 herë e paska përsëritur togfjalëshin-DY SHTETE”. -Hoti, shumë mirë ia paska qëlluar, se vërtet Kosova dhe Serbia janë dy shtete, pavarësisht kundërshtimit të gabuar të Vuçiqit, i cili, sikurse dikur kryekrimineli Slobodan Milosheviq, ashtu edhe sot krimineli Vojislav Sheshel nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran jashtë Serbisë kolonialiste.

Mirëpo, kryeministri A. Hoti ka të drejtë dhe, sipas Kushtetutës, është i detyruar të shprehet, se Kosova dhe Serbia janë dy shtete të barabarta, edhe pse nuk janë të barabarta në OKB, sepse Rusia dhe Kina kanë bllokuar ndryshimin e Rezolutës 1244 në Këshillin e Sigurimit  të OKB-s. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se Kosova nuk është shtet i pavarur nga Serbia, edhe pse kjo, Rusia, Kina, Greqia, Sllovakia, Rumania, Spanja dhe gjysmëqiproja greke nuk e njohin  Republikën e Kosovës.

Prandaj, kështu, si Avdullah Hoti, “edhe SHBA-ja, edhe shumica e BE-së, Kosovën dhe Serbinë i konsiderojnë si dy shtete të pavarura”. Këtë e ka deklruar vetë presidenti serb Aleksandar Vuçiq” . (Shih në: https://www.blic.rs/vesti/politika/vucic-i-sad-i-vecina-eu-srbiju-i-kosovo-posmatraju-kao-dve-nezavisne-drzave/fh2t0cj).

Andaj, Aleksandar Vuçiqit nuk ka pse t’i “dhembë koka” ,dhe, pse të “ndihet alergjik”  ose “ i nënçmuar”, kur ulet përballë Hotit, dhe nga ai dëgjon akuzat e tij të drejta dhe të argumentuara se “ shqiptarët janë viktima e serbët kriminelë, se ne duhet t’i paguajmë reparacionet e luftës…, se Kosova është shtet etj. Të gjitha këto i kam  hedhur poshtë, duke mbyllur çdo bisedë lidhur me to.” !?

Po, meqë Vuçiqi qenka  alrgjik në cilësimin e serbëve si “kriminelë”, ashtu sikurse akademiku Frashër Demaj, i cili në një panel televiziv me kryeakademikun Mehmet Kraja,  deklaroi se “Serbët nuk janë ata që kanë kryer terror dhe vrasje në Kosovë; se Gjykatat serbe nuk janë ato që kanë dënuar me qindra e me mija shqiptarë, por ishin gjykatat jugosllave” (Shih në: https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=2736067606656832&id=100007608580549 ).

-Atëherë, shtrohet pyetja serioze, pse, ç’kërkon presidenti Aleksandar Vuçiq në negociatat e Brukselit, kur ai nuk pranon ta njohë Republikën e Kosovës (2008); nuk pranon që të paguajë të gjitha reparacionet e luftës së Serbisë, e  cila ka shkatërruar dhe djegur Kosovën, si dhe ka vrarë e maskaruar mbi “13.0000” shqiptarë të të gjitha moshave.

-Ja,  këto janë faktet dhe argumentet  për të cilat presidenti serb Aleksandar Vuçiq, duhet të ndihet keq dhe të kërkojë falje publike në emër të të gjithë serbëve dhe të Serbisë për shkak të krimeve të gjenocidit të kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë (1989-1999).

Sipas  “Telegrafi.com” të Prishtinës,  bilanci i vrasjeve  në njerëz, si dhe i shkatërrimeve dhe i dëmeve materiale në Kosovë nga ana e Serbisë gjenocidale pushtuese , është ky:  ““Shtëpi të shkatërruara – dëmtuara të popullatës shqiptare: 100.589; shkolla të shkatërruara – të dëmtuara me dokumentacion: 358; zyra të vendit: 71; shtëpi kulture: 30; biblioteka publike dhe shkollore: 93; objekte shëndetësore: 123; objekte fetare (xhami, teqe, tyrbe): 215; kisha katolike: 5; objekte ndihmëse – përcjellëse: 88.101; pasojat e luftës në njerëz, masakra të mëdha, vrasje e organizuar, madje edhe të familjeve të tëra gjatë periudhës janar 1998 – 12 qershor 1999; Të vrarë: 11.840 viktima nga Kosova,  1.392 fëmijë deri në 18 vjeç;  296 fëmijë deri në 5 vjeç;  1.739 femra;  1.882 të moshuar mbi moshën 65-vjeçare;  1.450 banorë ende janë të pagjetur; Janë dhunuar 20.400 femra shqiptare. Sipas të dhënave të UNCHR, në fillim të qershorit 1999, nga Kosova ka pasur afro 1 milion refugjatët të dëbuar prej Kosove, gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-së. Vendosja e refugjatëve sipas shteteve ishte: 443.300 ishin vendosur në Shqipëri; 247.800 në Maqedoni, 69.300 në Mal të Zi; 21.700 në Bosnjë-Hercegovinë. Pra, një totali prej 782.100. Në vendet e tjera të botës u vendosën gjithsej 76.475 refugjatë, duke përfshirë 13.639 në Gjermani, 7.581 në Turqi, 5.829 në Itali, 5.730 në SHBA, pastaj në Francë, Norvegji, Suedi, Britani të Madhe, Poloni, Spanjë, Portugali, Finlandë, Zvicër, Izrael etj.”” (Burimi: Bilanci i krimeve serbe në Kosovë).
Bilanci i krimeve serbe në KosovëIsh funksionari i lartë shqiptar, në kohën e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ) dhe njohësi…

Sa më sipër, këto shifra statistikore të kryerjes së gjenocidit serb në Kosovë ndaj shqiptarëve nuk mund të cilësohen ndryshe veçse krime kundër njerëzimit,që kanë pasur për qëllim shfarosjen e  një pjese të kombit shqiptar në Kosovën e Shqipërisë Etnike.

Këtë të vërtetë  dhe tragjedi të hidhur historike, kombëtare dhe të përgjkashme të mbi 90% të shqiptarëve nuk mund ta shlyejnë as  pseudoakademikët serbomëdhenjë të ASHAS-së,  as priftërinjtë, peshkopët dhe patriarkët falsifikatorë dhe manipulues serbomëdhnejë, të cilët me shekuj kanë misitifikuar dhe shtrembëruar të vërtetën historike, kombëtare, territoriale dhe shtetëore shqiptare dhe të Shqipërisë Etnike në Ballkan (1389-2020).

Gjithashtu, këtë të vërtetë të gjenicidit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë (1989-1999) nuk mund “retushojnë”  dhe ta shlyejnë nga kujtesa historike e  brezit të sotëm dhe, e asnjë brezi të nesërm shqiptar, as ato paçavure të  alla-akadmikëve shqipfolës, të cilët pohojnë dhe shkruajnë botërisht, se në “Kosovë serbët nuk kanë kryer krime dhe terror; se në Kosovë, shqiptarët nuk i kanë dënuar gjykatat serbe, por ato jugosllave” !?

-Letra duron gjithëçka, por faktet dhe argumentet e krimeve të gjenocidit serb në Kosovë janë të parrëzueshme dhe nuk parashkruhen kurrë sipas së drejtës ndërkombëtare. Zbardhja e këtyre fakteve varet vetëm nga vetë shqiptarët, domethënë  nga Qeveria dhe nga Kuvendi i Kosovës, duke u bazuar edhe në “Rezolutën për gjenocidin serb të kryer në Kosovë,  të miratuar në Kuvendin e Kosovës, më 16 maj 2019”, në mënyrë të ngritet procedura ligjore për formimin e një Gjykate Ndërkombëtare për dënimin e krimeve të gjenocidit serb në Kosovë, gjatë viteve 1998-1999.

Filed Under: Analiza Tagged With: amerika, Prof.Dr.Mehdi Hyseni

Amerika duhet të ri-angazhohet me pjesën tjetër të botës për të rikthyer besimin në të ardhmen

June 2, 2020 by dgreca

Shkruan: Madeleine Albright, The Economist/

Në filmin e vitit 1951, “Dita kur Toka u ndal”, vizitorët nga gjithësia (kosmosi) kërcënojnë të shkatërrojnë planetin tonë nëse Lindja dhe Perëndimi nuk bien dakord të ndalojnë rivalitetin e tyre të rrezikshëm ushtarak. Si ilustrim, qytetarët e huaj e drejtojnë paralajmërimin e tyre te shkencëtarët nga të dy palët, në të cilët ata kanë më shumë shpresë se tek politikanët. Njerëzimi mund të shpëtohet, sugjerojnë ata, vetëm nëse qeveriset nga arsyeja e shëndoshë; një ndërgjegjësim i një qëllimi të përbashkët duhet t’i tejkalojë pasionet fisnore.

Në fund të vitit të kaluar, një virus i vogël filloi të transmetojë një mesazh të ngjashëm. Si përgjigje, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, u kërkoi luftëtarëve kudo që ishin t’i pezullonin konfliktet e dhunshme. “Duhet të ketë vetëm një luftë në botën tonë sot,” tha ai, “lufta jonë e përbashkët kundër COVID-19.”

Deklarata elokuente e Z. Guterres gjeneroi më shumë mbështetje verbale sesa ndaljen e luftimeve. Askush nuk u befasua nga kjo gjë. Përgjatë historisë, njerëzit kanë shfaqur një tendencë dëshpëruese për përballje atëherë kur logjika e shëndoshë do të thoshte se ata duhen bërë bashkë. Dhe vitet e fundit, shumë krerë qeveritarë janë distancuar nga i gjithë koncepti i bashkëpunimit global.

Presidenti amerikan, Donald Trump, është më i zjarrti midis një grupi telashexhinjsh hiper-nacionalistë që thonë se ndërvarësia është një iluzion i krijuar nga intelektualët për të shkatërruar sovranitetin e shtetit dhe për t’ua plaçkitur njerëzve identitetin e tyre. Kjo tezë është e pakuptimtë, por mund të jetë politikë e dobishme. Në vend të frenimit të pasioneve fisnore, këta oportunistë shfrytëzojnë frikën e ndjekësve të tyre për të rritur fuqinë e tyre.

Bota po paguan një çmim të lartë për këto skajshmëri autoritare. Nuk është rastësi që pandemia filloi në një vend ku qeveria nuk ka besim te njerëzit e saj, shtyp rrjedhën e lirë të informacionit dhe parandalon që zyrtarët e saj, përfshirë profesionistët shëndetësorë, të flasin të vërtetën.

Nuk është gjithashtu rastësi që shumë prej vendeve që janë përballur efektivisht me virusin janë demokraci të forta, përfshirë Gjermaninë, Islandën, Zelandën e Re, Norvegjinë, Tajvanin dhe Finlandën (të gjitha këto vende të udhëhequra, siç po ndodh, nga gratë). Këto dhe shembuj të tjerë tregojnë se rrjedha e lirë e informacionit, debati i bazuar në fakte mbi opsionet e politikave, vetë-organizimi vullnetar i shoqërisë civile dhe angazhimi i hapur midis qeverisë dhe njerëzve janë pasuri esenciale në luftimin e pandemisë.

Për të qenë të sigurt, kur përballemi me emergjencë shëndetësore publike ne kemi nevojë që qeveritë të veprojnë me vendosmëri për të mbrojtur të mirën e përbashkët. Nuk është antidemokratike të mbyllësh shkolla dhe restorante, të kufizosh masa njerëzish, të menaxhosh udhëtimet, të urdhërosh prodhimin e pajisjeve mjekësore dhe të ngjashme. Sidoqoftë, ekziston një dallim i qartë midis përdorimit të fuqisë dhe abuzimit të tij. Kryeministri i Hungarisë, për shembull, e ka mirëpritur këtë krizë për të anashkaluar parlamentin dhe për të kufizuar lirinë e mediave.

Nëse lihen të pakontrolluara, praktikat e tilla do të dëmtojnë demokracinë në të gjithë botën. Kjo na përkujton shumë fillimet e viteve ’30 kur Depresioni i Madh minonte besimin në qeveritë konvencionale dhe pasioni nacionalist çoi në vrasjen e miliona njerëzve.

Demokracitë dhe demokratët “d” të vogël (një person që mban pikëpamje demokratike; jo domosdoshmërisht dikush që është anëtar i “Partisë Demokratike” të një shteti) në çdo shoqëri duhet të alarmohen para këtij kërcënimi. Ne duhet fuqishëm të konfirmojmë vlefshmërinë e qëndrueshme të të drejtave dhe lirive të fituara me shumë vështirësi. Ne duhet të shpërfaqim përpjekjet për të përdorur emergjencën aktuale si një arsyetim për të shkaktuar dëme të përhershme në institucionet demokratike. Më tej, ne duhet të punojmë bashkërisht për të arritur atë që asnjë vend nuk mund ta realizojë vetë – fitoren ndaj virusit.

Një nga rreziqet e mëdha të paraqitura nga liderët autoritarë është se ata kërkojnë legjitimitet duke kërkuar monopol aftësish dhe muskujsh, të nevojshme për të mbrojtur shtetet e tyre. Kjo iu lë atyre më pak mundësi sesa homologët demokratikë qe të pranojnë, e lëre më të nënvizojnë, vlerën e bashkëpunimit me të tjerët. Përkundrazi, ata i trajtojnë apelet për mirësjellje ndërkombëtare si shenja të dobësisë ose tradhtisë.

Mirëpo pandemia na përkujton se bota moderne kërkon udhëheqje të fortë në çdo nivel. Për të arritur sukses kundër virusit dhe kërcënimeve të tjera që i shpërfillin kufijtë ndërkombëtarë, shtetet demokratike duhet të ndihmojnë në ringjalljen e një mirëkuptimi themelor ndërkombëtar: duke punuar në mënyrë kreative me të tjerët, secili shtet mund të korrë përfitime.

Kjo nuk do të thotë, që demokracia ofron një garanci të një udhëheqjeje të sofistifikuar. Në Amerikë, pandemia ka ekspozuar më tej mangësitë tashmë të theksuara në besueshmërinë dhe aftësitë e banorit aktual të Shtëpisë së Bardhë. Por virtyti më i madh i demokracisë është fleksibiliteti i tij dhe aftësia për të korrigjuar vetveten. Zgjedhjet amerikane në nëntor janë më pak se gjashtë muaj larg.

Kur udhëhiqet siç duhet, Amerika mund të bëjë akoma më shumë se çdo vend tjetër për të lëvizur botën në drejtimin e duhur. Një Amerikë që e ka rikthyer zërin e saj të vërtetë mund ti ndihmojë njerëzit kudo për t’i kundërshtuar zaptuesit e pafre të pushtetit, autoritarë dhe diktatorë të mundshëm. Mund të punojë ngushtë me aleatët demokratikë për ti mbështetur  ata që përpiqen ti mirëmbajnë të drejtat e tyre, zërat e tyre dhe dinjitetin e tyre. Amerika mund të bëjë shkencën dhe arsyen, jo duke përfituar në kurriz të shkathtësive të rrejshme në raport me rivalin (one-upmanship), edhe një herë bazë për vendimmarrje globale. Mund të themi, me pak fjalë, për të rikthyer besimin tonë kolektiv në të ardhmen.

Në Samitin e Gjenevës në vitin 1985, ku Ronald Reagan dhe Mikhail Gorbatchev u takuan për herë të parë, presidenti amerikan ia shtroi udhëheqësit sovjetik një pyetje që po e shqetësonte një kohë të gjatë. “A do të na ndihmonit,” pyeti ai, “nëse Shtetet e Bashkuara sulmohen papritmas nga gjithësia (kosmosi)?” Gorbatchev u përgjigj pa hezituar. “Pa dyshim,” tha ai. “Edhe ne po ashtu,” u përgjigj Reagan.

Dialogu dhe solidariteti midis kundërshtarëve, atëherë, kur përballet me pyetje të tipit “Dita kur Toka u ndal”, është një kujtesë e dobishme për ne tani. Dhe sapo kriza me COVID të qetësohet, kombet do të përballen me rreziqe të tjera që kërkojnë bashkëpunim ndërkombëtar, duke filluar nga ndryshimet klimatike deri tek terrorizmi. Ashtu sikurse Reagan, ata do të pyesin njëri-tjetrin: “A do të na ndihmonit?”

Përgjigja do të tregojë nëse ne nuk kemi mësuar asgjë nga kriza aktuale, ose – siç do të preferoja të besoja – e ka rizgjuar logjikën që, duke qëndruar së bashku, ne mund të rifillojmë progresin drejt një bote më paqësore, më të prosperuar dhe më të sigurt.

*Madeleine Albright ka qenë Sekretare Amerikane e Shtetit në vitet 1997-2001

Filed Under: Analiza Tagged With: amerika, besimi ne te ardhmen, Madeliene Albright

Kosova po rrezikon ta përsëris pas një shekulli gabimin e Shqipërisë në raport me SHBA-të?

March 28, 2020 by dgreca

NGA XHYLIJE IBRAHIMI*/

Premtimi për amerikanët është baras me besën për shqiptarët! (A promise is a promise – premtimi është premtim)

Nga përvoja ime e punës me organizata të ndryshme amerikane, kam mësuar një gjë: Te amerikanët vlen rregulla: ,,kurrë mos premto atë që nuk je në gjendje ta përmbushësh”.

Këtë thënie, më vonë e kam hasur edhe gjatë studimeve të mia post-diplomatike, që jo rastësisht zgjodha marrëdhëniet Shqipëri-SHBA 1919-1939.

Marrëdhëniet diplomatike SHBA-Shqipëri në vitet 1922-1928 rezultuan me njohjen e Shqipërisë nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në gusht 1922. 

Shqiptarët, të zhgënjyer nga lëkundjet e diplomacisë evropiane ndaj çështjes shqiptare dhe duke qenë të pafuqishëm përballë apetitet imperialiste të shteteve fqinje, vendosin t`i drejtohen Amerikës, me kërkesë që të pengojë përpjekjet për copëtimin e Shqipërisë. 

Zyrtarët amerikanë e arsyetonin nevojën për njohje të Shqipërisë nga qeveria e tyre edhe me faktin se Shqipëria, edhe në ato kushte, ishte vend pa borxhe të jashtme, posedonte rezerva të mëdha nafte dhe ofronte mundësi të mira për investime në hekurudha, rrugë dhe industrinë e drurit. 

Gjithashtu, ata insistonin që interesat amerikane të trajtohen sipas rregullave për kombin më të favorizuar, kusht ky që u pranua nga qeveria shqiptare, pas njohjes de jure, bashkë me dy kushtet tjera të marrëveshjes. 

Njëra prej tyre kishte të bënte me angazhimin e qeverisë shqiptare që të respektonte natyralizimin e shtetasve të huaj në SHBA, kurse tjetra – me një hua të madhe nga bankat amerikane, që do të përdorej për rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare, nën kontrollin e ekspertëve amerikanë.

Periudha 1923-1925 karakterizohet me një ftohje të marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, pas përmbysjes së qeverisë së Fan Nolit, që ishte një goditje e rëndë në përpjekjet e forcave demokratike. 

Favorizimi i interesave ekonomike të Italisë dhe Anglisë, bëri që marrëdhëniet e SHBA-ve me Shqipërinë të ftohen dukshëm. 

Amerikanët mendonin se SHBA meritonte së paku një trajtim të barabartë, duke pasur parasysh shërbimet që i kishin bërë Shqipërisë përmes presidentit Uillson dhe Kryqit të Kuq. 

Në këtë mënyrë, Shqipëria kishte shkelur tri pikat e marrëveshjes në raport me SHBA-të. 

Pas në periudhe ftohje, në prill të vitit 1926, fillon të përmirësohet qëndrimi ndaj Amerikës, falë Faik Konicës, i shkolluar pjesërisht në Harvard, që ishte emëruar ambasador në Uashington. 

Në vitet 1928-1939, periudhën e Monarkisë në Shqipëri, Qeveria e SHBA-së, duke njohur Mbretërinë e Shqipërisë kishte parasysh marrëveshjen e lidhur nëpërmjet shkëmbimit të notave në qershor të vitit 1922, midis Maksvell Bllejkut dhe qeverisë shqiptare, e cila mbetej në fuqi. 

Por, SHBA-ja nuk ndërmori asgjë, në vitin 1939, për të penguar pushtimin e Shqipërisë nga Italia, edhe pse Faik Konica, si përfaqësues diplomatik i Qeverisë Mbretërore të Shqipërisë në SHBA, kishte njoftuar Departamentin e Shtetit se Shqipëria gjendej para greminës dhe se së shpejti do të pushtohej nga Italia fashiste. 

Fajtore për këtë mos reagim të SHBA-së konsiderohet të ishte politika e Zogut. 

Më 10.06.1939, me udhëzim të Departamentit të Shtetit, mbyllet ambasada amerikane në Tiranë dhe marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve ndërpriten.

Këtë  kronologji të marrëdhënieve të SHBA-së me Shqipërinë e ri-solla për të rikujtuar politikanët tanë në Kosovë me rrezikun për të provokuar një zemërim tjetër amerikan ndaj shqiptarëve, pas gati një shekulli, edhe pse arsyet mund të ndryshojnë.

Roli i Amerikës ishte vendimtar edhe te çlirimi i Kosovës dhe pavarësia e saj.

Politikanët tanë duhet ta kuptojnë se Amerika mundet pa Kosovën, por është pikëpyetje e madhe nëse Kosova mundet pa Amerikën. Kjo nuk nënkupton se ne duhet të lëshojmë pe në interesat jetike të shtetit të Kosovës, por duhet të dinë që gjërat t`i bëjmë me më shumë diplomaci.

Mjerisht, Kosova ka shumë politikanë e pak diplomatë. Ata duhet kuptuar se Amerika nuk mund të barazohet me çfarëdo shteti tjetër, në raport me interesat shqiptare.

Shpresojmë për ditë më të mira.

………………………………….

(Autorja është master i marrëdhënieve ndërkombëtare&diplomacisë

Filed Under: Analiza Tagged With: amerika, kosova, Xhylije Ibrahimi

AMERIKA, FATI I KOSOVËS

June 19, 2019 by dgreca

-Kryeministri Haradinaj: Kosova ka pasur fat që në rrugëtimin e saj historik ka vendosur partneritet strategjik me SHBA-në /

PRISHTINË, 19 Qershor 2019-Gazeta DIELLI/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim një delegacion të drejtuesve dhe profesorëve nga James Madison University dhe Mercer University, të cilët po qëndrojnë në vend për konferencën dyditore “Nga Paqja në Prosperitet- Transformimi i Shoqërisë Kosovare përmes Lidershipit të mirë”, organizuar nga Fondacioni për Lidership, mbështetur nga Ministria e Arsimit, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane.


Kryeministri Haradinaj falënderoi profesorët e këtyre universiteteve të njohura për organizimin e kësaj konference, që ka për qëllim ngritjen e njohurive të lidershipit dhe menaxhmentit si dhe zhvillimit të mëtejshëm të shkathtësive.


“Kosova ka pasur fat që në rrugëtimin e saj historik ka vendosur partneritet strategjik me ShBA-në. Mbështetja në shkollimin e të rinjve tanë është një nga fushat kyçe që Qeveria e vendit është e përkushtuar ta vazhdojë këtë bashkëpunim”, tha kryeministri Haradinaj.


Kryeministri Haradinaj shprehu vullnetin dhe gatishmërinë, që kjo eksperiencë të shndërrohet në rrugë afatgjate të bashkëpunimit, duke ua mundësuar fëmijëve tanë, shkollimin cilësor dhe praktikat më të avancuara të lidershipit.


Nga ana e tyre, delegacioni i drejtuesve dhe profesorëve nga James Madison University dhe Mercer University, e falënderuan kryeministrin Haradinaj për pritjen dhe konfirmuan gatishmërinë e tyre për thellim të bashkëpunimit në fusha të interesit të përbashkët./b.j/

Filed Under: Analiza Tagged With: amerika

NJË RIANGAZHIM I SHTETEVE TË BASHKUARA NË EVROPËN QËNDRORE

February 11, 2019 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1-1

Nga Frank Shkreli/

Të ënjtën që kaloi, Departamenti Amerikan i Shtetit, (DASH) njoftoi se politika e jashtme amerikane, përveç tjerash, do t’i kushtohet këtë javë Evropës, më saktësisht disa vendeve ish-komuniste të Evropës Qëndrore.  Në njoftimin për mediat thuhet se Sekretari Amerikan i Shtetit, Z. Michael R. Pompeo do të vizitojë nga 11 deri me 15 shkurt, Budapeshtin, Bratisllavën, Varshavën (një ndalesë ku do t’i bashkohet edhe Zëvëndës Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence), pastaj Brukselin dhe në fund të javës edhe  Reykjavikun.  Njoftohet se me të arritur në Hungari të hënën, kryediplomati amerikan është takuar me Kryeministrin e atij vendi, Z. Orban, me Ministrin e jashtëm dhe me Ministrin e mbrojtjes, për të diskutuar mbi një numër çështjesh që prekin marrëdhëniet dypalëshe amerikano-hungareze, përfshirë bashkpunimin në fushën e mbrojtjes, çështje të energjisë dhe të sigurisë, mbështetjen për Ukrainën dhe mënyrat për të kundërshtuar influencën ruse dhe kineze në rritje e sipër në rajon dhe për përforcimin e Aleancës perëndimore, ndërkohë që do të gjejë kohë të takohet edhe me udhëheqsit e shoqërisë civile të atij vendi.

DASH thekson në njoftimin e tij mbi vizitën e kryediplomatit amerikan në Evropën Qendrore se pas Hungarisë, të martën Z. Pompeo do të ndalojë në Bratisllavë të Sllovakisë ku ka në plan të takohet me Presidentin e atij vendi, Z. Kiska, me Kryeministrin, Z. Pellegrini dhe me Ministrin e jashtëm, Z. Lajcak,  për bisedime mbi marrëdhëniet amerikano-sllovake të sigurisë si dhe çështje që kanë të bëjnë me rajonin e Evropës Qëndrore në veçanti dhe subjektetë  rëndësishme botërore.  Në Sllovaki, Sekretari Amerikan i Shtetit do të vizitojë edhe Memorialin e Lirisë, ku më shumë se 400-veta kanë humbur jetën duke u përpjekur të largoheshin nga ish-Çekosllovakia komuniste për në Austrinë e lirë duke filluar nga viti 1948 e deri në vitin 1989.   Në këtë këndveshtrim, gjatë vizitës së tij në kryeqytetin e atij vendi, zyrtari i lartë amerikan do të zhvillojë një bisedë me studentët sllovakë mbi trashëgiminë e lirisë dhe demokracisë perëndimore dhe për triumfin e saj mbi komunizmin, 30-vjet më parë.

Ndërkaq, gjatë vizitës së tij në Varshavë, Z. Pompeo do të takohet me Ministrin e jashtëm, Z. Czaputowicz për të diskutuar çështje të sigurisë dhe të energjisë, me qëllim të përforcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të ngushta midis Shteteve të Bashkuara dhe Polonisë.  Në Varshavë, së bashku me Zëvëndës Presidentin amerikan, Z. Mike Pence — sipas njoftimit të DASH — Z. Pompeo do të marrë pjesë në konferencën e përbashkët në nivel ministror, të organizuar nga SHBA dhe Polonia, “Për Promovimin e paqës dhe të sigurisë në Lindjen e Mesme”.

Nga Varshava, Kryediplomati amerikan do të udhëtojë për në  Bruksel, ku rpitet të takohet me Ministren e Jashtme të Bashkimit Evropian, Z-njën Federica Mogherini për bisedime për bashkpunimin midis Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, mbi një numër çështjesh, përfshirë gjëndjen në Venezuelë, përforcimin e sigurisë në Evropë dhe për mënyrat për të përballuar kërcënimet nga Irani dhe Rusia.

Në këthim e sipër për në Washington, Sekretari Amerikan i Shtetit do të ndalojë në Reykjavik të Islandës, ku pritet të takojë Kryeministrin e atij vendi, Z. Jakobsdottir dhe Ministrin e jashtëm, Z. Thordarson për bisedime, ndër të tjera, mbi çështje të sigurisë në Atlantikun verior.

Në vigjilje të vizitës së Z. Pompeo në Evropë, nga zyra e zëdhënsit të DASH është shpërndarë për median një dokument (Fact Sheet) në lidhje me vizitën e Kryediplomatit amerikan ku thuhet se, “Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për një aleancë të fortë, të bashkuar dhe të aftë, bazuar në mbrojtjen e përbashkët, në demokraci dhe në liritë themelore të njeriut”.  Më tej theksohet se, “Vizita e Sekretarit të Shtetit shënon 30-vjetë nga koha kur vendet e Evropës Qëndore shpartalluan perden e hekurt, duke rivendosur kështu lirinë dhe sovranitetin e tyre, ndërsa kanë zgjedhur, njëkohësisht, rrugën e demokracisë perëndimore, gjë që u ishte mohuar atyre për dekada të tëra dhe kanë përforcuar angazhimin e tyre ndaj këytre vlerave, duke u bërë anëtar të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian.”

Ndërkohë që në dokumentin në fjalë — i shpërndarë për median një ditë para se të arrinte në Evropë, Z. Pompeo – nenvijohet edhe njëherë angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj këtij rajoni, ndërkohë që theksohet se, “Shtetet e Bashkuara zotohen për një angazhim më të madh diplomatik, ushtarak, tregëtar dhe kulturor me vendet e Evropës Qëndrore, me qëllim për të forcuar lidhjet e këtij rajoni me Perëndimin, ndërsa ky rajon përballet me trysnitë që po ushtrojnë atje Rusia dhe Kina.  Bazuar në vlerat tona të përbashkëta që ndajmë me njëri tjetrin, do të garojmë për një influencë pozitive për të siguruar për brezat e ardhëshëm një të ardhëme demokratike, të begatë, dhe të sigurt”, thuhet në dokumentin në fjalë, që siç duket, në thelb, përshkruan objektivat e bisedimeve që do të zhvillojë Sekretari Amerikan i Shtetit në këto ish-vende komuniste gjatë vizitës së tij, këtë javë, në Evropën Qëndrore.

Në këtë 30-vjetor të shembjes së komunizmit në Evropë, dokumenti thekson se Shtetet e Bashkuara po ri-angazhohen për një aleancë transatlantike të fortë, të bashkuar dhe të aftë për tu përballur me çdo sfidë, e bazuar në parimet e mbrojtjes së përbashkët, bazuar në demokraci dhe në liritë bazë të njeriut.  Sipas këtij dokumenti, “Angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj artikullit 5 të NATO-s është i çelikt.  Ne presim nga të gjithë aleatët që të investojnë mjaftueshëm për të plotësuar nevojat dhe përgjegjësitë për mbrojtje të vet dhe ndaj nevojave të aleancës NATO”, thuhet në njoftimin e DASH për media, ndërkohë që i bëhet thirrje Hungarisë dhe Sllovakisë që të plotësojnë detyrimet e tyre ndaj aleancës.  “Ne i trajtojmë aleatët tanë si aleatë dhe presim prej tyre që të mbajnë angazhimet e marra, si aleatë.  Si anëtar të NATO-s dhe të OSBE-së, si dhe instuticioneve të tjera transatlantike, qeveritë tona janë betuar se do të punojnë pa pushuar për të drejta dhe liritë e qytetarëve tanë.  Vendet demokratike janë aleatët tanë më të fortë. Një shoqëri civile aktive si dhe një medie e lirë, janë gurthemelet e një demokracie pluraliste”, thuhet gjithashtu në njoftimin e DASH, shpërndarë për media, një ditë para së Sekretari Amerikan i Shtetit të fillonte të hënën vizitën e tij këtë javë në disa vende të Evropës Qëndrore.   Dokumenti përfundon me thirrjen për zgjërimin e bashkpunimit drejtë prosperitetit dhe lirive demokratike, ndërsa thekësohet se, “Anë e mbanë Evropës Qendrore kemi shtuar mbështetjen për luftën kundër korrupsionit, përfshirë bashkpunimin dhe mbështetjen për gazetari investigative për të bërë hetime se ku bashkohen korrupsioni dhe të korruptuarit rajonalë me influencat ruse dhe kineze” anë e mbanë atij rajoni, përfundon dokumenti i ashtuquajtur “Fact Sheet”, i DASH dhe i përhapur me rastin e vizitës disa ditëshe të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Z. Mike  Pompeo këtë javë në Evropën Qendrore.

Ekspertët thonë se vizita e Sekretarit Amerikan të Shtetit     amerikan këtë javë në Evropën Qendrore në veçanti dhe në vendet ish-komuniste të Evropës në përgjithësi, po bëhet në përpjekje për të kapur kohën e humbur, gjë që sipas tyre kishte hapur dyertë për përhapjen e influencave politike, diplomatike dhe ekonomike të Rusisë dhe Kinës në rajon.   Ish-ambasadori amerikan në Poloni, Z. Daniel Fried citohet nga Zëri i Amerikës të ketë thënë se angazhimi dhe interesimi amerikan për Evropën Qendrore kishte rënë pas zgjërimit të Bashkimit Evropian dhe NATO-s në atë rajon,   ndërkohë që vëmëndja e Washingtonit ishte çvendosur në Azi dhe në konfliktet e Lindjes së Mesme.  “Shumë amerikanë mendonin se puna jonë kishte kryer në atë rajon, por nuk ishte ashtu”, është shprehur ish-ambasadori Fried, tani pranë Institutit Atlantic Council në Washington, duke shtuar se ky është një proces që, sipas tij, kishte filluar me administratën e ish-Presidentit Barak Obama.  Shpresojmë të mos jetë një përpjekje e vonuar nga ana e diplomacisë amerikane për të rikapur kohën dhe mundësitë e humbura, megjithëse për këtë kanë përgjegjësite e veta edhe klasa e korruptuar politike e shumë vendeve ish-komuniste, që kanë krijuar një mjedis dhe atmosferë të volitshme për angazhimin e politikave dhe metodave korruptive ruso-kineze, anë e mbanë rajonit.

Filed Under: Opinion Tagged With: amerika, Evropa Qendrore, Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Sopranoja Shqiptare Ermonela Jaho “Artisja e Vitit 2023” Sonte në Operën Metropolitan
  • ASLLAN BUSHATI: “DIKTATI I ADM-ve NË LUFTËN E FTOHTË E PAS SAJ”
  • Eksperimenti, Asociacioni/Bashkësia …!
  • Department of State Signals Pressuring Kosovo to Discuss the EU Proposal, Vucic “Drama Queen” Says President Osmani
  • ZGJEDHJET PRESIDENCIALE TEST PËR ATO PARLAMENTARE
  • Presidentja Osmani dekoroi me Medaljen Presidenciale Ushtarake komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajor Benjamin J.Correl
  • VATRA PROMOVOI “DIKTATI I ADM NË LUFTËN E FTOHTË E PAS SAJ”, BOTIM I GJENERAL ASLLAN BUSHATIT MBI ARMËT BËRTHAMORE DHE SIGURINË KOMBËTARE
  • Biseda me Mjeshtrin e Fotografisë Roland Tasho
  • Deputeti i Parlamentit të Kosovës Prof. Besnik Tahiri mbajti fjalën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës
  • ÇËSHTJA E KOSOVËS DHE ROLI I DIPLOMACISË NDËRKOMBËTARE NË PROCESIN E ÇLIRIMIT TË SAJ
  • ZËRI DHE FJALA MAGJIKE…
  • Nderim 179 vjetorit të lindjes dhe 104 vjetorit të vdekjes së Themeluesit të shtetit të pavarur shqiptar, Ismail Qemal Vlora
  • Përse akoma në vend numëro?!
  • Njё arap Vlore qё quhet Otello
  • JU MIRËPRESIM SONTE TE VATRA

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT