• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Krijimi i Ushtrisë së Kosovës në koordinim të plotë me Amerikën

February 7, 2019 by dgreca

-Ministri i Jashtëm Pacolli në ministerialin e Koalicionit Global në Uashington: Krijimi i Ushtrisë së Kosovës ngrit kapacitetet në ndërtimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt/

1 Pompeo Pacolli

UASHINGTON D.C., 6 Shkurt, 2019 – Gazeta DIELLI/ Krijimi i Ushtrisë së Kosovës në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ngrit ndjeshëm kapacitetet e vendit tonë në ndërtimin e një  ambienti të qetë dhe të sigurt.

Kështu ka thënë ministri i jashtëm i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, në adresimin e tij para rreth shtatëdhjetë  ministrave të jashtëm nga e gjitha bota, që përfaqësonin vendet e tyre në ministerialin e Koalicionit Global kundër ISIS-it, që po i zhvillon punimet në Uashington D.C.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryediplomati kosovar, Pacolli, ka treguar hapat konkret, që shteti i Kosovës bashkë me SHBA-në ka ndërmarrë në vazhdimësi në këtë drejtim.Gjatë këtij takimi, pjesëmarrësve nga e gjithë bota i është drejtuar edhe Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo dhe Presidenti i SHBA-së, Donald Trump. Ndërkohë, një shtrëngim duarsh ndërmjet sekretarit Pompeo dhe ministrit të jashtëm të Kosovës, Pacolli, pas fotos familjare me ministrat e jashtëm pjesëmarrës ka marrë vëmendjen dhe është publikuar në mediat më të rëndësishme të botës.

 Përshkrimi i Fotos: Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, në qendër, shtrëngon duart me Ministrin e Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, me Ministrin e Jashtëm të Irakut, në mes tyre Mohamed Alhakim, pas një foto familjare gjatë takimit të Koalicionit Global për Mposhtjen e ISIS-it, në Departamentin e Shtetit, të mërkurën më 6 shkurt, 2019 në Uashington. (Fotografia: Associated Press/Alex Brandon).

Filed Under: Kulture Tagged With: amerika, Pacolli, Pompeu, Ushtria e Kosoves

David Phillips: Amerika nuk e ka aprovuar korrigjimin e kufijve

October 17, 2018 by dgreca

Deklarimi që e ka bërë John Bolton për këtë çështje ka qenë plotësisht i panevojshëm. Natyrisht që ShBA-ja përkrah çfarëdo që palët pajtohen. Së pari, duhet të ketë një marrëveshje dhe marrëveshja duhet të jetë e shkruar dhe e detajuar. Duhet të jetë e miratuar nga Kuvendi, dhe duhet të përkrahet nga shoqëria civile. Akoma jemi larg çfarëdo marrëveshjejeje për të arritur në këtë përfundim./

1-david

Eksperti amerikan i politikës së jashtme, David L. Phillips, në një intervistë për KALLXO.com thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë pajtuar për idenë e korrigjimit të kufijve të cilën Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është duke e avokuar tash e disa muaj nëpër Kosovë dhe jashtë saj.
Phillips, drejtor i Programit për Ndërtim të Paqes dhe të Drejta të Njeriut në Institutin për të Studime të të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia, i tha Jeta Xharrës se nëse Presidenti Thaçi po thotë që Qeveria amerikane e përkrah pozicionin e tij, atëherë “ai ose i ka keqkuptuar ata, ose po i keqinterpreton”.
Deri para pak ditëve, Phillips ka qenë i angazhuar në ekipin e ekspertëve të huaj të Presidentit Thaçi, por ka dhënë dorëheqje duke shprehur hapur mospajtimet me idenë për ndarje të Kosovës.

Jeta Xharra: z. Philips, së fundmi të dy liderët tanë, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj kanë qenë në Amerikë. Që nga koha që janë kthyer, ajo çfarë ne dimë është që të dy janë takuar me zyrtarë të lartë amerikanë dhe që të dy kanë thënë gjëra të ndryshme para delegacionit të njëjtë të qeverisë suaj. Si e shihni këtë dhe çfarë mendoni se tregon për Kosovën fakti që presidenti ynë shkon në takim dhe thotë “jam i gatshëm t’i negocioj kufijtë”, përderisa kryeministri thotë “kufijtë janë të paprekshëm, nuk dëshirojmë të negociojmë këtë”.

David Phillips: Së pari unë nuk i kam ndarë të gjitha takimet, takimi me Sekretarin e Shtetit ishte mbajtur vetëm nga z. Ramush Haradinaj. Ka pasur takime tjera të përbashkëta me zyrtarë tjerë të Departamentit të Shtetit. Është me rëndësi që të qartësojmë se cili është pozicioni i ShBA-së, kur (John) Bolton, këshilltari për Siguri Kombëtare, tha që ShBA dëshironte që palët të gjenin një marrëveshje dhe pastaj do ta konsideronin përkrahjen, nuk ka qenë një përkrahje për korrigjim të kufirit apo ndarje.

Jeta Xharra: A jeni i sigurt?

David Phillips: Po, jam i sigurt. Kam folur me zyrtarë amerikanë. Qeveria amerikane nuk e përkrah korrigjimin e kufirit, ajo përkrah gjetjen e një zgjidhje të përbashkët të cilën mund ta vlerësojë dhe ajo marrëveshje duhet të gjejë përkrahje nga qeveritë përkatëse dhe nga shoqëria civile.

Jeta Xharra: Prit, prit, me çfarë zyrtarësh keni folur, sepse presidenti ynë po e thotë të kundërtën e asaj çfarë po e thoni ju?

David Phillips: Nuk do të jap emra, por unë kam shërbyer si këshilltar i lartë për tre presidentë, mbaj lidhje me zyrtarët amerikanë, kam folur me zyrtarë të lartë të Qeverisë amerikane.

Jeta Xharra: Edhe me Administratën e Trumpit? Ajo çfarë di për ju është që keni punuar për qeveritë e Demokratëve. A jeni i sigurt që keni kontaktet edhe me Administratën e Trumpit?

David Phillips: Po, kam punuar për Administratën Demokrate dhe Republikane, jam i lumtur që kam bashkëpunuar me znj. Klinton. Kam folur me zyrtarë në Administratën e Trumpit. Askush zyrtarisht nuk e ka përkrahur ndarjen apo korrigjimin e kufijve. Kështu që nëse Presidenti Thaçi po thotë që Qeveria amerikane e përkrah pozicionin e tij, ai ose i ka keqkuptuar ata, ose po i keqinterpreton.

Jeta Xharra: Më trego çfarë përkrahin ata? Me lejo që ta përkthej për audiencën tonë, nëse Qeveria juaj po thotë që “ne do t’ju përkrahim për atë që presidentët e juaj pajtohen”. A nuk nënkupton kjo që ata janë të hapur për të pranuar korrigjimin e kufijve, ndarjen, çfarëdo që e quani? Në fakt ata janë të hapur, Qeveria juaj është e hapur që të pranojë këtë.

David Phillips: Deklarimi që e ka bërë John Bolton për këtë çështje ka qenë plotësisht i panevojshëm. Natyrisht që ShBA-ja përkrah çfarëdo që palët pajtohen. Së pari, duhet të ketë një marrëveshje dhe marrëveshja duhet të jetë e shkruar dhe e detajuar. Duhet të jetë e miratuar nga Kuvendi, dhe duhet të përkrahet nga shoqëria civile. Akoma jemi larg çfarëdo marrëveshjejeje për të arritur në këtë përfundim.

Jeta Xharra: Në fakt, sot, çfarë dimë është që presidenti Thaçi është i vetmi që po e shtyen këtë marrëveshje, nuk duket që ka përkrahjen e partisë së tij, e cila ka dalë me një rezolutë ku thotë që “nuk dëshirojnë ndryshim të kufijve”. Opozita natyrisht që nuk e përkrah, ka pasur një protestë që ishte përkrahur nga njerëz që nuk e përkrahin këtë opsion. Kështu nuk jam e sigurt nëse dikush tjetër në Kosovë e përkrah këtë opsion. Dhe natyrisht që kryeministri publikisht po e thotë që nuk e përkrah këtë opsion. Kështu, ku na shpie kjo neve si vend dhe në veçanti përballë një administrate të tillë si kjo e ShBA-së, ku të dy liderët tanë shkojnë në Departamentin e Shtetit dhe thonë gjëra të ndryshme?
David Phillips: Pra nuk ka qëndrim të unifikuar në Kosovë, keni të drejtë. Bazuar në intervistat që i kam bërë, nuk do të jap emra, por ka qenë një mostër e gjerë me liderë të partive politike dhe politikanë. Askush nuk e ka përkrahur korrigjimin e kufijve. Pikë! Brenda Quint-it, po ashtu nuk ka qëndrim të unifikuar dhe Qeveria amerikane nuk e përkrah korrigjimin e kufirit.
Jeta Xharra: A mund të më thuash edhe një herë se cilat janë qëndrimet e ndryshme të vendeve të Quint-it. Është e qartë se çfarë shohim, por çfarë thuhet në diskutimet e juaja? Njerëz të afërt me presidentin tonë thonë që Quint-i do të ndryshojë qëndrim, gjermanët do të bashkëngjiten për të ndihmuar dhe mbështetur ndryshimet e kufijve. Kjo është ajo çfarë disa ndihmës të Thaçit po na e thonë, po ashtu po punohet me britanikët. A mendoni që kjo do të ndodhë?
David Phillips: Politikëbërja efektive nuk bazohet në dëshira dhe nuk ka asgjë që tregon që Gjermania, Mbretëria e Bashkuar apo ShBA-ja do të bashkëngjiten për të përkrahur propozimin për korrigjim të kufirit. Përpos nëse ka një pikëpamje të fortë midis Quint-it. Nuk mendoj që politikanët e Kosovës do të gjejnë një pozicion të unifikuar. Për fat të keq kjo ka shkaktuar një kaos dhe mosfunksionim. Dhe kjo përshtypje po manipulohet dhe po përdoret nga Beogradi për ta minuar më tej kredibilitetin e Kosovës dhe për të vënë në pikëpyetje nëse opinioni i GJND-së, i cili ligjërisht e autorizoi Kosovën si shtet të pavarur-sovran, është ende i zbatueshëm. Andaj i gjithë ky debat i brendshëm që po zhvillohet dhe të cilin Thaçi është duke e nxitur është duke u përdorur nga kundërshtarët e Kosovës për të minuar vendin. Është koha që ne të kemi një konsensus, që njerëzit të bashkohen dhe të kenë një dialog, të vijnë si një platformë e përbashkët. Kjo mosmarrëveshje publike që e kemi parë së fundmi nuk është aspak në interesin e shtetit të pavarur të quajtur Kosovë e të përkrahur nga bashkësia ndërkombëtare.
Jeta Xharra: Atë që e dimë prej bisedave që i kemi zhvilluar ne dhe ju me burime të ndryshme është që administrata amerikane i ka kërkuar presidentit tonë të “bëhet kreativ”, kjo duket të jetë shprehja që e kanë përdorur “negocioni me Vuçiqin dhe bëhuni kreativ sepse ju keni nevojë për një marrëveshje”. Tash, vendose veten në pozitë të këtij presidenti e më trego çka ishte dashur ai të negociojë tutje, çka kemi na Kosova të japim në këtë “marrëveshje përfundimtare”?
David Phillips: Nëse brenga e Beogradit ka të bëjë me nivelin e demokracisë që në fund do ta afektojë gjendjen e serbëve të Kosovës, nëse ata brengosen për këtë gjë, atëherë kjo është shumë e thjeshtë: mund të bëni decentralizim të plotë me kusht që qeveria e Kosovës i mban kompetencat në çështje të caktuara si në drejtësi, polici, planifikim urban, ambient, financa, i cakton rregulloret që do ta mbrojnë trashëgiminë kulturore që duhet të jetë një praktikë që vlen për gjithë qytetarët e Kosovës.
Jeta Xharra: Z. David, Kosova e ka nënshkruar planin e Ahtisarit si dhe Asociacionin e Komunave Serbe. Po të pyes, a ka tjetër çka të japë pas gjithë kësaj?
David Phillips: Të gjitha këto masa për të cilat fola duhen të zbatohen në plotëni dhe Kosova duhet të tregojë seriozitet në udhëheqjen e një qeverie që është kredibile. Duhet të ritregojë përkushtim ndaj parimeve të planit të Ahtisarit, përkushtim ndaj Kushtetutës së vet dhe duhet ta luftojë korrupsionin.

Filed Under: Opinion Tagged With: amerika, David L Phillips, Jeta Xharra, kufije e Kosoves

11 Shtatori gjithnjë është një thirrje për vigjilencë

September 11, 2018 by dgreca

Amerika pas 11 Shtatorit, ideologjia e islamit radikal dhe strategjia e presidentit Trump/

1 Trump 11 shtator

Nga Rafael Floqi/

1-rafel-floqi3

Për banorët e New York-ut, por edhe për shumë amerikanë e qytetarë të botës, 11 Shtatori i vitit 2001 nuk do të harrohet kurrë. Edhe sot si 17 vjet më parë janë të freskëta skenat kur dy aeroplanë që transportonin pasagjerë u përplasën me ato që njiheshin si Kullat Binjake. Avionët ishin marrë peng nga një grup terroristësh të organizuar e frymëzuar nga Al Kaeda. Dy avionë të tjerë gjithashtu ndryshuan rrugën e parashikuar atë ditë, njëri duke u përplasur në selinë qendrore të Pentagonit e tjetri u rrëzua pa arritur Washington-in nga kundrëveprimi i pasagjerëve amerikanë. Në mes mijëra vetëve që humbën jetën atë ditë, ishin edhe tre shqiptaro-amerikanë: Simon Dedvukaj, Rrok Camaj dhe Mon Gjonbalaj. 11 Shtatori 2001 nuk ishte vetëm një sulm kundër Amerikës e New York-ut, por një sulm kundër mbarë njerëzimit, dhe ai ndryshoi botën për gjithmonë. Sot, 17 vjet më vonë, kur SHBA e bota po kujton viktimat e asaj tragjedie, edhe ne këtu në komunitet kujtojmë me respekt e dhimbje tre bashkatdhetarët tanë. Por edhe biem në mendime.

11 Shtatori, tregues i plagëve tona të pashëruara

Por koha ka kaluar, tani në New Jork në vendngjarjen e tragjedisë, u rihap të shtunën një stacion nëntokësor metroje, dikur i shkatërruar, kur u shembën Kullat Binjake, pothuajse dy dekada pas sulmeve të 11 Shtatorit. Stacioni është një nga pjesët e fundit më të rëndësishme të Qendrës Tregtare Botërore që u rihap, ndërsa në Manhattan vazhdohet të rindërtohet ajo çka humbi nga tragjedia. Rruga e Cortlandt Street në Linjën nr. 1, e cila ndodhej drejtpërdrejt nën Qendrën Botërore të Tregtisë, ka qenë e papërdorur për 17 vitet e fundit – megjithëse ka pasur mjaft ndërtime lart, duke përfshirë Qendrën e re të Tregtisë dhe Transportin Oculus Hub.

Që kur kullat u rrëzuan një pjesë të ndërtesave ranë përmes terminalit. Fotot e marra pas sulmit tregojnë stacionin e varrosur nën mbeturina, dhe një vrimë të hapur mbi të, ku dukeshin trarët metalikë që kërruseshin në gjysmën e tyre. Tavani duhej të rinovohej plotësisht dhe duhet të rindërtoheshin 1,200 metra rrugë. Të shtunën e kaluar në mesdite trenat filluan të rendin në stacionin, qe tani quhet WTC Cortlandt,. Rihapja u bë vetëm pak ditë përpara 17 vjetorit të sulmeve të 11 Shtatorit. Kanë kaluar 17 vjet por sa gjera kanë ndryshuar qysh nga ajo ditë?

Ka kaluar mjaft kohë kur ajo heshtje e rëndë zëvendësoi lotët e zemëruar. Megjithatë pothuajse të gjithë amerikanet mbi moshën 21 vjeçare mund të tregojnë se ku gjendeshin, kur mësuan se Amerika papritur ishte në luftë me një armik të fshehtë. Ky është një tregues i plagëve tona të pashëruara se është pothuajse e pamundur të mendosh për një roman të madh, film apo seri televizive dramatike që mos ketë trajtuar 9/11 si temën e saj qendrore. Por edhe pse një sukses edhe vdekja e Osama bin Ladenit në vitin 2011, nuk solli paqe në Afganistan dhe as pakësim të kërcënimit terrorist në mbarë botën.

Kalimi i kohës ka bërë disa momente që duken të vogla ne kujtesën tone pas 9/11. Si ai p.sh kur Xhorxh W. Bushi vizitoi atëherë një qendër islamike më 17 shtator, dhe deklaroi: “Amerika numëron miliona muslimanë në mesin e qytetarëve tanë dhe myslimanët japin një kontribut jashtëzakonisht të vlefshëm për vendin tonë. … Dhe ata duhet të trajtohen me respekt. Në zemërimin dhe emocionet tona, amerikanët tanë duhet të trajtojnë njëri-tjetrin me respekt “.

Një klishe e pashmangshme në ditët pas 11 Shtatorit ishte refreni që amerikanët duhej të vazhdonin të bënin një jetë normale ne çdo aspekt (qysh nga udhëtimet me aeroplan, blerja e pajisjeve të mëdha ose hyrja në një kinema të mbushur plot e përplot me njerëz shkuarja në koncerte), ose përndryshe terroristët do të kishin fituar.

Privaci vs. Siguri

Një gjurmët e përhershme që mbetet edhe sot, 17 vjet më vonë, ku gjërat duken më normale në sipërfaqe, përsëri përbrenda në ndërgjegjen njerëzore mbeten dyshime. Ne bëjmë gjerat e zakonshme, shkojmë në punë, vizitojmë dentistin, shkojmë në pazar , shohim një seri televizive dhe planifikojmë të ardhmen tonë sikur 9/11 nuk ka ndodhur. Por frika e terrorizmit ka lënë një gjurmë të përhershme në psikologjinë tonë. Një anketë e Institutit Gallup në qershor zbuloi se 38 përqind e amerikanëve thonë se ata kanë më pak gjasa të marrin pjesë në event të madh dhe 26 përqind syresh kanë më pak gjasa të hyjnë në rrokaqiejt për shkak të frikës nga terrorizmi. Çuditërisht, sipas Gallup, më pak amerikanë (32 përqind) janë të gatshëm të shkonin në tubime të mëdha në nëntor 2001, dy muaj pas sulmeve. Dhe sot, dramatikisht, 57 përqind e republikanëve në krahasim me 35 përqind të demokratëve thonë se ata janë “shumë të shqetësuar” ose “disi të brengosur” në mos ata ose ndonjë anëtar i familjes do të jenë viktimë e terrorizmit. Jeta jonë e përditshme ka ndryshuar sot në mënyra të tjera, që ne mezi vëmë re, por prapë kjo mbetet e dukshme Personeli i armatosur që ruan aeroportet dhe stacionet e trenave tanë, tani është një dukuri rutinë. Këto ditë, ne jemi të detyruar të tregojmë licencën e shoferit disa herë në ditë – dhe rrallëherë kjo për shkelje trafiku. Sot e drejta për privatësi, vazhdimisht po gërryhet në emër të sigurisë. Këto janë kompromise që shumica e amerikanëve do t’i pranonin në këmbim të 17 viteve, pa pasur ndonjë një sulm te madh terrorist, si ai i 11 Shtatorit. Por konsensusi popullor nuk duhet të na verbojë se poashtu në realitet ne kemi marrë vendime në emër të sigurisë, gjë brezat e mëparshëm të amerikanëve do t’i kishin të vështirë për t’i kuptuar. Gjë të cilat madje sot maturantët e sotëm 17 –vjeçarë i quajnë si të mirëqena, pasi ata nuk arrijnë ta kuptojnë ndryshimin , dhe për ta, 11 Shtatori është vetëm 2 faqe më shumë në Historinë e Amerikës. Shumë ujëra kanë rrjedhur dhe gjërat kanë ndryshuar .

Pas 17 vjetësh, terroristët e 11 Shtatorit të padënuar

Por ende mbetet një pikëpyetje e madhe, pse terroristët si Khalid Sheikh Mohammed, ideatori i 11 Shtatorit një militant islamik pakistanez i burgosur nga Shtetet e Bashkuara në kampin e burgut të Guantanamos në bazë të akuzave për terrorizëm , i cili u quajt si “arkitekti kryesor i sulmeve të 11 Shtatorit” në Raportin e Komisionit të 11 Shtatorit, edhe sot pas 17 vjetësh ai dhe të tjerët edhe pse e pranuan fajin mbeten i pa ekzekutuar? Administrata Obama dhe ish -Prokurori i Përgjithshëm, Eric Holder duhet ta sqarojnë këtë .

Kur presidentit Donald Trump caktoi drejtoren e re CIA-s, Gina Haspelin, Komiteti i Inteligjencës i Senatit ishin më të interesuar për rolin e saj të diskutueshëm në programin e “waterbording” të epokës Bush. Dhe për ironi , kritiku i saj i fundit nuk ishte ndonjë grup i të drejtave të njeriut apo një senator demokrat –por vetë Khalid Sheikh Mohammed, organizatori i sulmeve terroriste të 11 Shtatorit.
Ai u torturua gjithashtu nga CIA, duke përfshirë edhe duke u mbytur me ujë – dmth “ waterbording”. Duke u mbytur dhe duke u mbytur në mënyrë të përsëritur duke derdhur ujë mbi një pëlhurë në gojë dhe hundë derisa ai ishte afër mbytjes – 183 herë gjatë 15 seancave ndërsa ishte në paraburgim në SHBA. Aktualisht ai është arrestuar në burgun amerikan në Gjirin e Guantanamos, Kubë – dhe se ai duket se ka diçka për të thënë për Gina Haspelin. Duket se ai Jihadin e tij po e vazhdon nga burgu kundër sistemit gjyqësor amerikan.

Masat ndaj terrorizmit dhe rreziku i anti -muslimanizmit

Nga ana tjetër, nuk duhet bere asnjë gabim në lidhje me atë se terrorizmi radikal islamik është një kërcënim transcendental ndaj vlerave, lirisë dhe mënyrës sonë të jetës së Amerikës. Është absolutisht qesharake të mendohet se nxitja e një ndasie mes myslimanëve dhe jo-muslimanëve, ose ndalimi i njerëzve nga shtatë vendet që u vunë në shënjestër nga Presidenti Trump do të eliminonte terrorizmin në Amerikë. Që prej 11 Shtatorit, asnjë Amerikë nuk është vrarë nga një sulm terrorist nga të shtatë vendet (Irak, Siri, Iran, Sudan, Libi, Somali dhe Jemen) të veçuar në urdhrin ekzekutiv të Presidentit Trump.

Kohët e fundit, pjesa më e madhe e terroristëve që kanë vrarë amerikanë dhe qindra qytetarë në të gjithë botën, janë te rritur në vendet ku kryen aktet. Ashtu si varfëria, terrorizmi brenda vendit është një farë e keqe, shumë e vështirë për t’u çrrënjosur. Kritikët e presidentit Trump thonë se kjo politikë e tij shërben vetëm për të siguruar municione të rekrutimit për armiqtë që Amerika u ka shpallur luftë kundër të gjithë botës muslimane. Vlerësimet janë se vetëm 45,000 muslimanë mbështesin ISIS nga 1.8 miliardë muslimanë që ka në mbarë botën dhe 3 milionë në Shtetet e Bashkuara. Presidenti Trump duhet të dërgojë mesazhin tek myslimanët anembanë botës që ne e pranojmë se ISIS është një grup i vogël fanatikësh dhe nuk përfaqëson pikëpamjen mbizotëruese të shumicës dërrmuese të myslimanëve ndaj Perëndimit. Presidenti Donald Trump e bëri luftën kundër “terrorizmit radikal islamik” dhe kjo është bërë politika e SHBA-së. Duke e venë theksin mbi ideologjinë, kjo është një luftë ndryshe në kundërshtim me dy paraardhësit e tij. Ndërkohë që ish-Presidenti Xhorxh W. Bush dhe se Presidenti Barak Obama e kanë shmangur luftën ndaj terrorit në terma ideologjikë nga frika e tjetërsimit të aleatëve muslimanë, por Trump ka theksuar këtë dimension dhe nevojën për ta kundërshtuar atë ideologjikisht. Ai mbështeti “luftën ideologjike” kundër shtetit islamik dhe u zotua të punojë me NATO-n dhe “miqtë tanë në Lindjen e Mesme” dhe për të gjetur “tokë të përbashkët” madje edhe me Rusinë për të mposhtur ISIS-n, dhe duket se e arriti.

Por sot edhe pse rreziku i Shtetit Islamik është zvogëluar në masë të madhe, megjithatë degët e tij dhe grupet e tjera terroriste vazhdojnë të bëjnë kërdi në të gjithë botën. Lufta kundër terrorit tani renditet si lufta më e gjatë në Amerikë. Megjithatë, gjithnjë e më shumë, lufta kundër terrorizmit nuk zë vend më në titujt kryesorë te medias dhe është zëvendësuar nga politikat e ashpra vendore dhe pikat e nxehta si programi bërthamor i Koresë së Veriut dhe mosmarrëveshjet tregtare me Kinën. Sidoqoftë lufta kundër terrorit vazhdon të mbetet por se fusha e betejës për atë luftë po ndryshon ndjeshëm.

Kalifati Kibernetik i ISIS-t dhe ujqit e vetmuar

“Administrata ime do të ndjekë në mënyrë agresive operacione ushtarake të përbashkëta dhe me koalicionin për të shtypur dhe shkatërruar ISIS-in, me bashkëpunimin ndërkombëtar për të prerë fondet e tyre, për të zgjeruar shkëmbimin e inteligjencës dhe për “cyberwarfare” për të prishur dhe çaktivizuar propagandën dhe rekrutimin e tyre”, tha para inaugurimit Trump..

Sot në Lindjen e Mesme, fushata ushtarake e zhvilluar nga SHBA dhe partnerët e saj të koalicionit gjatë dy viteve të fundit e kane degraduar me sukses “kalifatin” fizik të grupit të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri. Por mesazhi dhe apeli ideologjik i grupit vazhdojnë të rezonojnë, nëpërmjet internetit dhe mediave sociale si pjesë e një strategjie të sofistikuar të medias globale. Për më tepër, shteti islamik tani gjithashtu përbën një lloj tjetër kërcënimi, pasi “nxënësit” e prototipit të tij radikal në Siri dhe Irak (janë përhapur ne më shumë se 80 vende të ndryshme)po fillojnë të kthehen në vendet e tyre të origjinës. Ndërkohë, grupe të tjera terroriste kanë lulëzuar në hije, të ndihmuar nga preokupimi kryesor i Amerikës me grupin e Shtetit Islamik. Duke përfituar , si rezultat i operacioneve të koalicionit në Afganistan, al-Kaeda ka përdorur vitet e kaluara mundësinë për të rindërtuar rrjetet e veta dhe për të rimarrë veten si një alternativë më autentike dhe e moderuar lokale ndaj Shtetit Islamik, me rezultate të rëndësishme. Ekspertët tani thonë se rrjeti Bin Laden kontrollon më shumë territore sesa në çdo kohë në historinë e tij dhe e ka pozicionuar veten si një kërcënim afatgjatë për Perëndimin. Talibanët gjithashtu po ringjallen në Afganistan, ku edhe një herë paraqet një sfidë në rritje për qeverinë e dobët qendrore të atij vendi. Dhe në Afrikë, grupet si Boko Haram i Nigerisë dhe Shabaabi i Etiopisë vazhdojnë të kërcënojnë paqen kontinentale, pavarësisht nga përpjekjet më të mira të autoriteteve lokale. Në të vërtetë, vendet në mbarë botën tani po ballafaqohen me një raund të ri kërcënimesh terroriste – të nxitur nga rënia e grupit të Shtetit Islamik, si dhe nga ringjallja e ekstremizmit lokal. Sulmet e kohëve të fundit në vende si Surabaya, Indonezi , ne Francë, në Britani, Kanada, sulmet me makina si ato në Londër apo New York dhe komplote të tilla si përpjekja e dështuar për të shpërthyer një paradë të katërt të korrikut në Cleveland, Ohio, tregojnë faktin se grupi i Shtetit Islamik dhe udhëtarët e tij ideologjik vazhdojnë të ushtrojnë fuqinë për të frymëzuar, mobilizuar dhe kërcënojnë shoqëritë demokratike. Administrata dhe profesionistët e sigurisë në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë e kuptojnë këtë shumë mirë, edhe nëse publiku dhe elitat politike gjithnjë e më shumë nuk e bëjnë këtë. Tani shumica e sulmeve janë nga të ashtuquajturit ujq të vetmuar, që indoktrinimi i tyre është ideologjik neper mediave sociale. Në të vërtetë, Europol, autoriteti i zbatimit të ligjit në Evropë, kohët e fundit e klasifikon kërcënimin e terrorizmit në Evropë si “të lartë”, pavarësisht nga rënia e Shtetit Islamik. Dobësimi i sigurisë ne Evropë rrjedh edhe nga emigrimi i shkallës së lartë nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut që ka ndodhur gjatë gjysmë dekadës së kaluar – emigrim që ekstremistët islamikë janë përpjekur të shfrytëzojnë për të depërtuar në eurozonë. Këtë kërkon të kufizojë politika Trump e emigracionit.

Ndërkohë, thirrja e përhershme e Shtetit Islamik, al-Kaedas dhe e bashkëpunëtorëve te tyre të ndryshëm ka nxitur vende të ndryshme nga Azia Qendrore dhe Afrika e Veriut për të rritur përpjekjet e tyre për të luftuar ideologjikisht ekstremizmin islam.

Strategjia e re Trump-it

Tani presidenti Donald Trump thuhet se po adopton një strategji të re në Siri që do bënte që shohë trupat amerikane të qëndrojnë në Siri pafundësisht. Tani që grupi terrorist ISIS është larguar kryesisht në shkretëtirë, administrata Trump dëshiron të përqendrohet dhe të sigurohet që të gjitha forcat iraniane të largohen nga Siria përpara, tha një përfaqësues i Departamentit të Shtetit të enjten. Xhejms Xhefri, një oficer i shërbimit të jashtëm i pensionuar, i cili ishte përzgjedhur kohët e fundit nga Sekretari i Shtetit Mike Pompeo për të qenë përfaqësuesi i tij për angazhimin e Sirisë, u tha gazetarëve:

“Politika e re nuk është se nuk do te tërhiqemi nga Siria deri në fund të vitit”. Ai shtoi: “Kjo do të thotë që ne nuk jemi me ngut.” Jeffrey tha se është “i bindur” se Trump ka plan të ri, të cilin ai tha se do të përfshijë një “iniciativë të madhe diplomatike” që do ta shpalosë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Ajo që ekspertët e sigurisë dhe qeveria amerikane e di se edhe në dekadën e kaluar Shtetet e Bashkuara arritën fitore të mëdha strategjike kundër rrjetit Bin Laden, bashkëpunëtorëve të tij dhe degëve të tij (si Shteti Islamik). Por megjithatë në Amerikë nuk duhet të lulëzojë një ndjenjë e rremë sigurie nga këto suksese. Nevojitet vigjilencë dhe kërkime të vazhdueshme për ta kuptuar sfidën e vazhdueshme që vjen nga radikalizmi islamik – dhe duhet që politikëbërësit amerikanë të jenë në gjendje të krijojnë politika të përshtatshme për të trajtuar ndryshimet e kërcënimit terrorist, që të mos kemi një tjetër, 11 Shtator.

Filed Under: Politike Tagged With: 11 shtatori, amerika, Presidenti Trump, Rafael Floqi

Amerika shënon përvjetorin e sulmeve të 11 shtatorit

September 11, 2018 by dgreca

1 Trump 11 shtator
Photo:President Donald Trump, left and first lady Melania Trump, center, and Pennsylvania Governor Tom Wolf, listen as the names of the 44 people who died in the crash of Flight 93 are read during the September 11th Flight 93 Memorial Service in Shanksville, Pa

Amerikanët shënuan të martën 17 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 ku humbën jetën pothuajse 3000 njerëz në Nju Jork, Virxhinia dhe Pensilvani.

Presidenti Donald Trump mori pjesë në një ceremoni në memorialin e 11 shtatorit në Shanksville të Pensilvanisë, pranë vendit ku avioni i United Airlines me numër fluturimi 93 u rrëzua pasi 40 pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit rimorrën kontrollin e avionit nga rrëmbyesit e lidhur me al-Kaidën.

“Lotët tuaja nuk derdhen të vetëm, sepse ata janë pjesë e hidhërimit të një kombi të tërë”, tha Presidenti Trump përpara familjeve të të vrarëve më 11 shtator.

“Ne brengosemi së bashku për çdo nënë dhe baba, motër dhe vëlla, bijë dhe bija që na u morën në Kullat Binjake, Pentagon dhe këtu, në këtë fushë të Pensilvanisë”.

“Avioni me numër fluturimi 93 u përplas vetëm disa metra vendit ku ne ndodhemi, vetëm 20 minuta fluturim nga kryeqyteti i Shteteve të Bashkuara. Përmes sakrificës së tyre, të 40 pasagjerët shpëtuan jetën e amerikanëve të panumërt, shpëtuan kryeqytetin tonë nga një goditje shkatërrimtare,” tha Presidenti Trump. “Kjo fushë tani është një monument i qëndresës amerikane. Ky memorial është tani një mesazh për botën, se Amerika kurrë nuk do t’i nënshtrohet tiranisë. Faleminderit.”

Shumë pranë Uashingtonit, Zëvendëspresidenti Mike Pence dhe sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis morën pjesë në një ceremoni në Pentagon për familjet e atyre që u vranë kur një aeroplan i rrëmbyer u rrëzua në ndërtesë.

“Familjeve të të rënëve, të mbledhur këtu dhe të gjithë atyre që ndodhen me ne! Ju kujtoni me mall momentet e fundit që ndatë me njerëzit tuaj të zemrës, diçka që pa dyshim duket sikur ka ndodhur dje – një puthje lamtumire, një përqafim i ngrohtë ose një përshëndetje e fundit me dorë. Dijeni se vendi juaj e kupton, që ndërsa ne të gjithë kemi pësuar humbje atë ditë, ju keni një barrë të veçantë. Por ne mblidhemi këtu në hijen e ndërtesës ku të dashurit tuaj u larguan nga kjo jetë, për t’ju thënë se ju nuk e mbani atë barrë të vetëm,” tha Nënpresidenti Pence.(VOA)

SHBA shënojnë 17-vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit

Filed Under: Featured Tagged With: amerika, shenoi 11 shtatorin

America First si model për Albania First dhe Dardania First

August 10, 2018 by dgreca

1kapinovaNga Klajd Kapinova/* Vendlindja ime Shqipëria dhe Dardania martire, duke e parë gjendjen e keqe ekonomike dhe politike ku ato ndodhen, sot më shumë se kurrë kanë nevoj për formën dhe stilin e punës atdhetare shembullore të Presidentit të SHBA zotit Donald J Trump.
Ndoshta shumë vetë nuk ndajnë të njëjtin opinion me mua, por e verteta që jetojmë këtu në SHBA është në favorin pozitiv të bisnesmenit të sukseshëm amerikan, sot President i 45-të i SHBA-së zotit Donald John Trump.
Pa dashur të bëj biografinë e jetës së tij të mbushur me fitore, dua të ndalem në disa pika kryesore të suksesit, që do të ishin një model edhe për Shqipërinë dhe Kosovë, klasat politike, të cilat fatkesisht janë të tejmbushur nga korrupsioni dhe etja e shfrenuar për pushtet, me çdo formë dhe mjet.
Kujtojmë, se zoti Trump zhvilloi në vitin 2016 një fushatë elektorale model dhe të suksesshëm, duke u përqendruar në pikat e dobëta të kundërshtares së tij Hilari Klinton, që në politikë prej shumë dekadash përbën një dinasti më vete në SHBA.
Ajo deshtoi, sepse amerikanët e zgjuar preferuan një bisnesmen korrekt, që kishte prova bindëse se mund ta bëjë Amerikën Sërisht të Shkelqyer, se sa një politikane korrekte.
Mbas ceremonisë së betimit më 20 Janar 2017 dhe deri tani për 15 muaj ai ka bërë një reformë model dhe të panjohur më parë, në mënyrën e drejtimit plot sukses të Shtëpisë së Bardhë, duke berë realitet deri tani të gjithë premtimet e dhënë gjatë fushatës elektorale.
Media marramendëse dhe shumë propagandistike se sa informuese asokohe nuk e kishin parashikuar si fitues. Ata në unison deshtuan për herë të parë në historinë e fushatave presidenciale në SHBA, mbasi ishin të sigurtë se e perkdhelja e tyre Hilari do të fitonte, në saj të fryerjes dhe mbështetjes së madhe, që ata i jepnin asaj rregullisht.
Ata non stop 24/7 bën çmos për të krijuar histori të rrejshme (fake) kundër Trumpit, të cilat publiku dhe populli amerikan nuk i mori parasysh, por hodhi në kutitë elektronike mbi 70.000.000 vota, ku amerikanët votuan për kandidatin e tyre më të mirë. Midis votuesve kishte me qindra dhe mijëra demokratë dhe të pavarur.
Të marrim disa shembuj dhe t’i krahasojmë ato me Shqiperinë dhe Kosovën sëbashku. Në dy shtetet shqiptare me popullsi afërsisht 5 milion banorë (2.9 deri në 3 milion Shqipëria dhe 1.8 deri në 2 milion Kosova) mbi 60-70% e popullsisë së aftë për punë nuk punon. Kjo eshtë dobësi e premtimeve boshe elektorale, që qeveritë e shteteve respektive në Tiranë dhe Prishtinë i kanë bërë vazhdimisht elektoratit të tyre shqiptar.
Përballë injorancës së politikanëve dhe qeveritarëve shqiptarë, Presidenti amerikan Trump si inteligjent, largpamës me politikën e tij të zgjuar racionale dhe praktike, për 15 muaj ka hapur 3.7 milion vende të reja pune, pra sa e gjithë popullsia e aftë për punë e Shqipërisë dhe Kosovës të marrë sëbashku.
Kryetari i shtetit tonë, ka shkurtuar menjëherë fondet për shtetet jo mike, që e kanë konsideruar për shumë vite SHBA si një lopë (apo sportel banke tërheqjesh parash), që mund t’a mjelesh me dy duar kur të duash dhe sa të duash.
Në shumë pika të platformës elektorale, për të cilat nga media FAKE NEWS kritikohet Trumpi pa të drejtë, ai zbatoi planet e Obamës “demokrat”, të cilat i mbante në syrtarë për shumë vite.
Kështu një prej projekteve të Obamës ishte edhe ndalimi i hyrjes së përkohshme në Amerikë të 7 (shtatë) shteteve me shumicë të popullsisë islame, të cilat, sipas investigimeve afatgjate të CIA dhe FBI del se ata mbeshtesnin rregullisht terrorizmin ndërkombëtar dhe kundër interesave të SHBA.
Media e ekstremit të majtë qeveritare, sikurse njihet në popull si FAKE NEWS në SHBA, Europë dhe Shqipëri e Kosovë, bënin propagandë fallco dhe keqinformuese, sikur Presidenti Trump është kundër muslimanëve të botës, gjë e cila bie ndesh me të vertetën historike në SHBA.
Si shembull shumë i mirë janë vete dy shtetet me shumicë të popullsisë muslimane në Kosovë dhe Shqipëri, që nuk kanë qenë asnjëherë në listën e 7 shtetëve të ndaluara të hyjnë në Amerikë.
Por kjo, s’do të thotë se SHBA dhe Departamentit i Shtetit nuk e njeh gjendjen e brendshme në Kosovë dhe Shqipëri. Shumë ekstremistë muslimanë shqiptarë (sipas mediave të pavarura amerikane dhe europiane), kanë shkuar për të luftuar kunër trupave amerikane dhe NATO-s, duke u rreshtuar përkrah radikalizmit islamik ndërkombëtarë me Al Qaiden, ISIS etj., në mënyrë individuale, grup dhe familje, duke marrë shpesh me vete gratë dhe femijët e tyre…
SHBA, duke e ditur gjendjen dhe situatën psikologjike, morale, ekonomike të shqiptarëve nga këto shtete nuk ka mbajtur qëndrim të ashpër ndaj tyre. Pikërisht falë politikës së tolerancës dhe qartësimit të gjerave në trojet shqiptare, SHBA i ka qendruar pranë si Prishtinës dhe Tiranës, duke qenë një ndër miqët dhe aleatët më të ngushtë të popullit shqiptar.
Nga ana e tjetër, Kosova zë vendin e parë në botë për simpatinë apo respektin dhe dashurinë e veçantë që tregon gjithnjë për SHBA, pavarësisht se kush drejton shtetin republikanët apo demokratët.
Duke mos lejuar hyrjen në tokën amerikane të refugjatëve muslimanë nga zonat e konflikteve ushtarake, si: Lindjes së Mesme, Sirisë dhe Irakut, sot, Amerika falë politikës largpamëse të Presidentit Trump, është më e sigurtë nga kërcenimet e radikalizmit islamik.
Qeveria e sukseshme e SHBA, po punon shumë për reformimin e ligjeve të emigracionit, duke i dhënë fund Lotarisë Amerikane (përzgjedhjes me short apo numëra) dhe për të pranuar në të ardhmen emigrantë të rinj nga mbarë bota, ku përparësi do të ketë meritokracia e intelektualëve të përgatitur.
Në politikën e jashtme ndërkombëtare Presidenti Trump ynë po orientohet drejtë, duke shikuar në fillim interesat amerikane ose sikurse quhet sot AMERICA FIRST, duke eleminuar çdo marrëveshje dhe veprime të mëparshëm diskriminuese, të bërë gjatë administrat së ish Presidentit Obama.
Ja disa shembuj. Administrata e kaluar e  Obamës i jepte nga taksat tona çdo vit Lindjes se Mesme mbi $600 bilion, në një kohë kur palestinezët e Hamasi, etj., mbasi merrnin rregullisht dollarët e taksapaguesve amerikanë, bërtisnin (ulurinin), duke mbajtur në duar pararudha anti amerikane në anglisht: “Vdekje Amerikës!”…
Gjithashtu globalisti liberal Obama, i dhuroi Iranit $1.5 bilion nga taksat tona, për hir të “marrëveshjes” më skandaloze në historinë e SHBA si dhe liroi disa sektorë të embargos ndaj këtij shteti dhe qeverisë së mullave ekstremistë iranianë.
Trump, më 6 Gusht 2018, rivendosi me të drejtë sanksione të reja dhe më të ashpra ndaj Iranit, sepse shteti i mullave ekstremistë po vazhdon punën për prodhimin e armëve bërthamore të shkatërrimit në masë, synimi i të cilëve është shkatërirmi i aleatit të SHBA shtetit autokton të Israelit.
Përmes Presidentit Trump, SHBA u bë shteti i parë në botë, që hapi Ambasadën e SHBA në Jerusalem, kryeqytetin e lashtë 3000 vjecar të Israelit, të cilin Libri i Shenjtë i Biblës e permend 95 herë, si kryeqytet i lashtë i ebrejve, popullit të zgedhur të Zotit.
Mbas pak kohe 12 shtete të tjera iu bashkuan SHBA, në transferimin e ambasadave të tyre, me përjashtim të Shqipërisë së komunistit E. Rama, i cili, me urdhër të presidentit turk Erdogan, porositi ambasadoren e vet, vajzën e Kadaresë, që të votoi kundër SHBA dhe pro palestinezëve të Hamasit, në një seancë në Selinë e OKB, ku më pas Shqipëria humbi një kredi $10.5 milion nga Qeveria Amerikane.
Duhet theksuar, se në fakt Konsullata Amerikane dhe disa departamente të saj qysh në fillim të vitit 1948 kanë funksionuar në Jerusalem.
Presidentët Bush, i vjetri dhe i ri, sikurse globaliti majtis Obama, disa herë i kishin premtuar popullit të Israelit se do të transferojnë ambasadën e tyre në Jerusalem, por ata NUK e kanë mbajtur premtimin dhe e fshehën urdhër-zbatimin në syrtarin presidencial.
Trumpi, është i vetmi president në historinë e SHBA, që premtimet ndaj elektoratit serioz amerikan i ka bërë realitet dhe për ketë gëzon mbështetjen më të madhe popullore dhe si gjithmonë deri tani më të voglën nga mediat FAKE NEWS.
Vëtëm për 15 muaj, Presidenti Trump, falë zgjuarësisë dhe talentit në marreveshjet e ndryshme tregtare me shtete të veçanta, ka ulur me sukses dyfiçitin tregtar të SHBA me Kinën në masën $50 miliard.
Marketi i Mallrave në Bursën e famshme të New York-ut në Wall Street, gjithmonë tprej 15 muajsh ka qenë në nivelet më të larta record, duke lëvizur nga 35-40%.
Media e majtë amerikane, asnjëherë nuk ka dhe shkruar folur për këto fakte pozitive të ekonomisë amerikane, sepse qëllimi i tyre është shkatërrimi i presidencës së zotit Trump dhe jo mirëqënia e popullit tonë. Shame – Turp!
Administrata Trump dhe Pentagoni, për herë të parë po krijojnë Forcën e së Ardhmes Ushtarake Amerikane të Hapësirës, mbasi me të drejtë në planetin Tokë, ushtria e jonë e mrekullueshme është fatmirësisht Zoti vetë…
Ushtria modern amerikane, së shpejti do të ketë armatime të reja bashkohore dhe të sofistikuara si asnjëherë më parë.
Trump, po bën shumë përpjekje për të vënë në vend dinjitetin dhe respektin për veteranët heronj, të cilët fatkeqsisht shpesh janë lënë mbas dore nga administrata e mëparshme.
Presidenti, ka larguar nga ndihma sociale ekonomike shtetërore, njerëzit e aftë për punë, përmes futjes së kultures se re të vetëpunësimit. Arka e kursimeve të shtetit po shtohet vazhdimisht.
Ai, shkurtoi nga buxheti pagesën qeveritare sociale të mbi 3.5 milion amerikanëve, të cilët sot punojnë në profesione dhe punë të ndryshme. Trump, risolli shpresën dhe besimin tek amerikanët.
Në dy shtetet tona atje në trojet shqiptare nuk u hap asnjë fabrikë dhe punësime, ndësa Presidenti i palodhur Trump, ka arritur të punësoj në fabrika të reja apo të rinovuara etj., mbi 400.000 punëtorë, me benefice shëndetësore etj.
Shumë kompani të mëdha, që gjatë kohës se ish presidentit globalist “demokrat” Barok Hysen Obamës janë larguar nga SHBA në drejtim të Kinës, Meksikës, Kanadasë, Europës etj., kurse tani falë Presidentit bisnesmen TRUMP po rikthehen sërisht, sepse ai u ka hequr pengesat buroktratike, taksat dhe u ka krijuar lehtësira të tjera, për bisnes dhe hapjen e vendeve të reja të punës për amerikanët.
Dhe këtu nuk flitet për pizza apo biçikleta, por për industri të mëdha, të prodhimit të makinave, shkrirjes së çelikut, prodhimin e frigoriferëve etj.
Trump dhe administrate e tij, me enërgji të pashtershme po bën investime të mëdha në bujqësi, për femerët amerikane. Mallrat e prodhuara me marken Made in USA, janë cilësore, të forta dhe me garanci prodhimi, në krahasim me produktet e dobeta dhe të lira kineze…
Papunësia, është ulur në masën 3.9% duke qenë një record në histotorinë e SHBA për gati 50 vjet. Komuniteti afrikano-amerikanë, që në kohën e Obamës (për 8 vjet) kishte papunësinë më të madhe, sot e ka nivelin e papunësinë më të ulët në të gjithë historinë e SHBA.
Keshtu mund të thuhet edhe për punësimin në rritje të komunitetit latin, aziatike etj. Për vajzat dhe gratë amerikane, niveli i papunësisë se tyre është ulur shumë dhe përben një shifër record, qysh prej vitit 1950.
Edhe në planin e politikës ndërkombetare, Presidenti Trump për herë të parë u ul në tryezen e bisedimeve direkte me Presidentin e Koresë së Veriut, ku tema kryesore ishte ç’militarizimi berthamor i Gadishullit të Koresë. Ai zhvilloi bisedime direkte dhe të suksesshme me Presidentin Putin të Rusinë, NATO-n, etj., etj.
Me dekret të Presidentit, unë dhe miliona amerikanë të tjerë, që punojmë shumë, kemi përfituar nga ulja e taksave federale në masën 20%.
Shteti i New York-ut, që për fat të keq kontrollohet nga Partia Demokratike e Obamës dhe Hilarit, nuk na i kanë ulur taksat. Me taksat tona të larta demokratët e NY mbajnë të hapura qindra dhe mijëra programe për njerëzit e papunë (shumica të rinj, janë të aftë për punë), të cilët, janë shifra numerike për votat e tyre.
Shtetet, ku drejtojnë apo qeverisin zyrtarët republikanë, kanë ulje të taksave nga federalja dhe shteti përkatës në masën 20-35%, duke futur në kuletë (portofol) më shumë para ($$$).
Është i habitshëm fakti, se pjesa më e madhe e shqiptaro amerikanëve edhe pse votojnë në masën 95% për “demokratët” apo socialistët e SHBA-së (njësoj sikurse në Shqipëri e Kosovë), nuk kanë përfituar asnjëherë nga ulja e taksave (sepse demokratët asnjëherë nuk i ulin taksat) dhe me fanatizëm e kryenecesi tipike shqiptare vazhdojnë të përkrahin Hilarin dhe Obamën, duke berë foto dhe krenuar edhe ne rrjetet sociale a thua se kanë rizbuluar Amerikën!!!!
Ne kemi këtu në New York një shqiptaro amerikanë, i cili ka shërbyer në Këshillin e Qytetit të New York-ut në distriktin 13-të që nga viti 2018. Ai përfaqësoi rrethin 80 të Asamblesë Shtetërore të New York-ut nga viti 2013-2017, në kryeqytetin e shtetit tonë në Albani. I zgjedhuri me shumicën dermuese të votave të bashkëatdhetarëve (të pavarur, republikanë dhe demokratë), asnjëherë nuk ka kërkuar nga kolegët e tij demokratë që të shkurtojnë taksat për punëtorët dhe shtresën e mesme të shoqërisë shqiptare dhe amerikane këtu, ndonëse partia demokratike thotë se përfaqëson ketë shtresë. Ai ngre supet dhe largohet pa thënë asnjë fjalë, kur shumë amerikanë e pyesin për shkurtimin e taksave.
Eshtë e habitshme dhe e pakuptueshme fakti, se shqiptarët këtu në SHBA, vazhdojnë të duan me nostalgji idetë utopiste të deshtuara të majta, të cilat i mbajtën të shtypur në vendlindje nga 1944-2018, në komunizëm dhe socializëm sot.
Sëfundi, në vendlindje apo rrjetet sociale nuk ekziston shprehja kombëtare Albania First ose Dardania First, sikurse e kemi ne America First, sepse atje nuk i intereson askujt të ketë shtet të fortë demokratik, të pavarur dhe të zhvilluar.
Ne mezi po presim të RIVOTOJMË sërisht Presidentin tonë të suksshëm Donald J Trump, në muajin Nëntor të vitit 2020.
God Bless America!
God Bless President Donald J Trump!

  • E sergio per Dielli, autori Klajd Kapinova2 kapinova

Filed Under: Analiza Tagged With: amerika, Donald Trump, Klajd Kapinova

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Sopranoja Shqiptare Ermonela Jaho “Artisja e Vitit 2023” Sonte në Operën Metropolitan
  • ASLLAN BUSHATI: “DIKTATI I ADM-ve NË LUFTËN E FTOHTË E PAS SAJ”
  • Eksperimenti, Asociacioni/Bashkësia …!
  • Department of State Signals Pressuring Kosovo to Discuss the EU Proposal, Vucic “Drama Queen” Says President Osmani
  • ZGJEDHJET PRESIDENCIALE TEST PËR ATO PARLAMENTARE
  • Presidentja Osmani dekoroi me Medaljen Presidenciale Ushtarake komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajor Benjamin J.Correl
  • VATRA PROMOVOI “DIKTATI I ADM NË LUFTËN E FTOHTË E PAS SAJ”, BOTIM I GJENERAL ASLLAN BUSHATIT MBI ARMËT BËRTHAMORE DHE SIGURINË KOMBËTARE
  • Biseda me Mjeshtrin e Fotografisë Roland Tasho
  • Deputeti i Parlamentit të Kosovës Prof. Besnik Tahiri mbajti fjalën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës
  • ÇËSHTJA E KOSOVËS DHE ROLI I DIPLOMACISË NDËRKOMBËTARE NË PROCESIN E ÇLIRIMIT TË SAJ
  • ZËRI DHE FJALA MAGJIKE…
  • Nderim 179 vjetorit të lindjes dhe 104 vjetorit të vdekjes së Themeluesit të shtetit të pavarur shqiptar, Ismail Qemal Vlora
  • Përse akoma në vend numëro?!
  • Njё arap Vlore qё quhet Otello
  • JU MIRËPRESIM SONTE TE VATRA

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT