• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JA E VËRTETA E VARREZAVE GREKE TË 1940-1941

February 14, 2013 by dgreca

NGA ARBEN LLALLA*/

Në zbatim të marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë për “kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe rivarrimin e ushtarëve të rënë në luftën italo-greke t; 1940-1941, në Shqipëri filluan punimet për gjetjen e kockave.Kërkime do fillojnë në Prefektuat e Korçës e Gjirokastrës, respektivisht në Kalivaç të Pogradecit, Hormovë e Peshtani në Tepelenë si edhe në Peshkëpi e Poshtme të Gjirokastrës. Gjatë luftës italo-greke janë vrarë saktësisht 7.948, por nuk dihet sa janë vrarë në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Sipas disa të dhënave vetëm ushtar grek që ishin nga ishulli i Kretës janë vrarë në Shqipëri 1.141 vetë. Një problem tjetër është se shumë ushtar u plagosën në Shqipëri gjatë luftimeve, por vdiqën nëpër spitalet ushtarake greke, besoj se edhe kockat e tyre Greqia do i kërkoj në tokën shqiptare.

Nga shënimet e ushtarëve grek që shpëtuan shkruajnë për tmerret e luftës dhe varfërinë e fshatrave shqiptar, shtëpi të rrënuar nga bombardimet. Ushtarët grek endeshin nëpër fshatrat shqiptar me të holla në dorë për të blerë diçka, por dyqanet ishin bosh. Ushtari grek Stadhis Goçina do të shkruante në shënimet e tij Paraja nuk ka asnjë vlerë në fshatrat shqiptar, dua të blej cigare, çaj, por asgjë smund të blej. Kërkova një pulë ta blej, pa e menduar se ku do e ziej, shqiptarët nuk mi morën të hollat pasi ma dhanë pulën.

Taqis Sisko shkruan: Ushtria greke në shumë raste kërkonte ndihmën e fshatarëve shqiptar për të prerë dru natën në pyje, me marrëveshje ose me kërcënime shqiptarët nga mosha 12-60 vjeç mblidheshin në mbrëmje në kampet e ushtrisë greke dhe nisesh në mal për të bërë dru. Nëse dikush largohej ai dënohej, Korça ishte larg dhe ishte i vetmi qytet afër këtyre fshatrave.

Nga shënimet e ushtarëve grek mësojmë se përball tyre ishte një armik i padukshëm, ai i urisë, i qindra fshatrave të braktisur, shtëpi me llamba vajguri. Për tu ngrohur ushtarët grek prishnin gardhet prej druri të shtëpive dhe prisnin pemët rreth tyre, shkruan ushtari Thanasis Caros.

Ushtarët grek nga shënimet e tyre thonë se nuk kanë patur problem për tu kuptuar me vendasit shqiptar sepse në ushtrinë greke kishte ushtar që vinin nga familjet arvanitase të cilët e dini gjuhën shqipe më mirë se greqishten. Leonidha Papadhima shkruan se në ushtrinë e tij kishte grek nga Greqia Jugore, ata vini nga familjet arvanitase, kështu nuk kishim probleme kur trokisnin në shtëpitë e shqiptarëve.

Dhimosthenis Zadhes shkruan se kishte një shok Tason i cili ishte nga fshatrat e krahinës së Sulit dhe ai gjithnjë e vinim përpara për të biseduar me shqiptarët. Shpeshherë shqiptarët habiteshin që Tasos e fliste aq pastër gjuhën shqipe.

Dhimitrios Lukatos shkruan për dy shqiptar që kishin dezertuar nga ushtria italiane dhe dëshironin të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Atëherë thirrëm dy ushtar grek që dinin gjuhën shqipe sepse ishin arvanitas.

Sipas shënimeve të ushtarëve grek ata në përgjithësi janë pritur mirë nga vendasit, komunikimi i tyre ka qenë miqësor dhe siç del nga shënimet e tyre nuk kanë patur vështirësi në bisedimi sepse kishte ushtar grek që dinin shqip, vllahe dhe turqisht.

Lufta italo-greko e vitit 1940-1941 është një luftë e veçantë, ajo ka disa karakteristika unike të cilat këto karakteristika janë shfrytëzuar qëllimisht për të nxitur urrejtje dhe pengesa jo midis dy ushtrive luftuesve greke dhe italiane, por midis luftuesve grek dhe shqiptarëve të cilët ishin pothuajse indiferentë në fushëbetejat midis dy ushtrive. Ajo luftë ka veçantinë e saj sepse zhvillohej në një territor asnjanës, në vendin e një populli tjetër. Për çudi grekët ende e nxjerrin kartonin e kuq të ligjit të luftës fantazmë e cila nuk është zhvilluar asnjëherë midis grekëve dhe shqiptarëve. Ndërsa nga ana tjetër dy kundërshtarët Italia dhe Greqia kanë mbi 50 vite marrëdhënie të shkëlqyera, sikur nuk ka ndodhur asnjëherë ajo luftë midis tyre.

Për fat të keq lufta e vitit 1940-1941 midis Italisë dhe Greqisë është shfrytëzuar nga të gjithë qeveritë greke për të nxitur organizatat ekstremiste greke për aneksimin e jugut të Shqipërisë. Në vend që grekët të këndojnë këngët e mikpritjes të popullit shqiptar në atë luftë, ata këndojnë këngën e Motrës së Vogël Vorio – Epiriote që italianët ja dhuruan Shqipërisë. Por ushtarët grek të asaj lufte kanë lënë shënime të vyera ku tregojnë të vërtetën, mikpritjen e shqiptarëve të cilët u dhuruar ujë e bukë në dimrin e ftohtë.

 

Ndërtimi i varrezave kushtëzim dhe nënshtrim i Shqipërisë.

 

Nënshkrimi i marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë për ndërtimin e dy varrezave të ushtarëve grekë në vendin tonë tregoji edhe njëherë se politikanët, ministrat, deputetët shqiptar u gjunjëzuan përpara presioneve greke për disa varre. Sot ndërtimi i këtyre varrezave na duket si diçka normale dhe e shenjtë, por grekët kanë arritur të ngrenë tezën për edukimin e brezave të ardhshëm grek se Shqipëria ka pushtuar Voriepirin(jugu i Shqipërisë) në luftën italo-greke. Të gjithë e dimë që po realizohen skenarë të tillë dhe heshtim, heshtim përpara tragjedisë që po na troket në derë. Nënshkrimi i marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë për ndërtimin e dy varrezave të ushtarëve grekë në vendin tonë ishte vënë si kusht për ratifikimit nga ana e Kuvendit të Republikës Greke të MSA-së mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Kushtin për bllokimin e MSA-së për shkak të ndërtimit të varrezave e ka deklaruar atë kohë ish-nënkryetari i Kuvendit të Greqisë Jorgos Surlas.

Lind pyetja: Çfarë kushti do të verë Greqia për pranimin e Shqipërisë në BE?

Mos po përgatitet terreni për shpalljen e autonomisë së Vorioepirit?

Përse Greqia nuk kërkon ndërtimin e varrezave të Ushtrisë Demokratike Greke (DSE) që udhëhiqeshin nga komunistët të vrarë në luftën qytetare 1946-1949 në territorin e Shqipërisë, në Malin Gramoz?

 

Rreth 10 mijë komunistë grek mund të jenë vrarë në Malin Gramoz

 

Në vitin 1946-1949 u zhvillua lufta qytetare në Greqi për pushtet midis forcave të djathta (IDEA) që ndihmoheshin pa rezerva nga Britania e Madhe, Sh.B.A. dhe forcave të majtat të njohura Ushtria Demokratike Greke(DSE) Në përfundim të kësaj luftës qytetare (1946-1949), u vranë 41.970 ushtarë të Ushtrisë Demokratike Greke që udhëhiqej nga komunistët, u dorëzuan 24.300, u kapën rob 23.950. U larguan nga Greqia për në vendet e Evropës, 70 mijë njerëz , pleq, gra dhe fëmijë.

Edhe pse të përçarë nga grindjet e brendshme, ushtarët e Ushtrisë Demokratike Greke(DSE) bënë një qëndresë heroike, por pa rezultat në malet e Vicit e të Gramosit, pak më në jug të kufirit me Shqipërinë. Edhe sot e kësaj dite, Gramosi ka një ngastër pa bimësi në terrenin e tij të pyllëzuar, ku ushtria mbretërore(IDEA) pati përdorur napalm, e para herë që ushtarët amerikanë mundën të vlerësonin efektet e kësaj lënde djegëse.

Ushtrija e majtë DSE e izoluar kishte përfituar ndihmë nga Shqipëria dhe vendet e tjera komuniste disa mushka me pushkë dhe dhjetëra topa. Strategjija e izolimit te forcave te Ushtrise Demokratike Greke në male ishte e gabuar dhe fatale. Ndërhyrja e aviacionit amerikan për asgjesimin e forcave të qëndresës ishte vendimtare. Forcat e djathta(IDEA) të mbretërisë greke kishin marrë nga aleatët e tyre Anglia dhe Sh.B.A ndihma ushtarake me vlerë 353, 6 milionë dollarë, ku hynin 159.922 armë të vogla dhe 4.130 mortaja e topa…

Pra, duke parë që gjatë luftës qytetare greke 1946-1949 janë vrarë në tokën shqiptare qindra apo mijëra ushtarë grek, atëhere pse qeveria greke nuk kërkon të ndërtohen varreza edhe për këta ushtarë që u vranë për ideologji dhe luftë për pushtet?!

 

Varrezat shqiptare të zhdukura në Selanik

 

Në shekuj Selaniku ka qenë i banuar nga shumë raca njerëzish si grekë, shqiptar, turq, çifut, sllavë etj. Të cilët kishin edhe varrezat e tyre në këtë qytet. Ligji grek përcakton që të vdekurit duhet të kenë varr të paguar nga familjarët e tyre. Kështu bashkësia shqiptare që për shekuj kishte jetuar dhe punuar në qytetin e Selanikut kishin varrezat e tyre në një kodër. Por në vitet 1974-1976 qeveria e asaj kohe greke urdhëroi që të zhdukeshin varrezat shqiptare dhe mbi ato varre të ndërtohej një lagje me banorë të gjallë. Sot ajo lagje quhet “TRIANDRIA”. Për çudi ende sot e kësaj dite nuk ka interesim nga qeveria shqiptare se ç’u bë me eshtrat e të vdekurve. Gjatë kërkimeve të mia historike në Selanik nuk gjeta asnjë dokumentacion që lagja Triandria kishte qenë varrezë e shqiptarëve. Në vitin 2003 ndesha në librin e Artë të Adresave të Selanikut një hartë ku si varrezë të shqiptarëve përcaktohej qendra Maqedoniko në lagjen e Neapolit. Por nga dëshmitë e njerëzve mësova se përpara kjo qendër kishte qenë varrezë e rumunëve dhe jo të shqiptarëve. E cila edhe kjo varrezë e rumunëve ishte prishur në vitet 1974-1976, me urdhër të qeveris greke. Për përcaktimin e saktë të varrezave të shqiptarëve në Selanik më ndihmoi djali i motrës së atdhetarit Avni Rustemit i cili në ato varreza kishte pasur varrin e prindërve. Në varrezat shqiptare në Selanik ka patur varrin edhe ish-kryeministri i Shqipërisë Hasan Bej Prishtina, eshtrat e të cilit u kthyen në Shqipëri në vitin 1976. Janë të vetme eshtra që nuk i zhdukën grekët gjatë prishjes së varrezës shqiptare. Po kështu një dokument për ekzistimin dikur varrezë e shqiptarëve në lagjen Triandria është botuar në Gazeta e Athinës në shtator të vitit 2002. Ku Shahin Qenan Mesareja nipi i gjeneralit turk me kombësi shqiptare Hasan Tahsin Pasha deklaron se varri i Hasan Tahsin Pashës ka qenë në varrezat shqiptare në Triandria në Selanik të cilat janë zhdukur. Gjenerali Hasan Tahsin Pasha ka shërbyer komandat i ushtrisë turke në Greqinë e Veriut. I cili më 26 tetor të vitit 1912 u dhuroi grekëve qytetin e Selanikut midis pretendimeve edhe të ushtrisë bullgari. Shteti grek mund të zhduki varrezat e çdo kombi jogrek, ndërsa Shqipëria duhet të nderojë ushtarët grek që janë vrarë në Shqipëri si pushtues në luftën italo-greke të vitit 1941.

*Historian

Filed Under: Histori Tagged With: arben llalla, e ushtareve greke, e verteta

DEKLARATE E HISTORIANIT ARBEN LLALLA

February 13, 2013 by dgreca

Unë kam të dhëna të saktë për rreth 8.000 ushtarët grek, ku janë varre, mosha, nga ishin, grada ushtarake etj. Një problem tjetër është se shumë ushtar u plagosën në Shqipëri gjatë luftimeve, por vdiqën nëpër spitalet ushtarake greke, besoj se edhe kockat e tyre Greqia do i kërkoj në tokën shqiptare./

Historiani Arben Llalla, një njohës i mirë i marrëdhënieve greko –shqiptare reagon për numrin e ushtarëve grek të vrarë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke. Ai thotë se sipas të dhënave zyrtare në Shqipëri janë vrarë 7.948 ushtarë. Të dhënave që disponoj unë vetëm ushtar grek që ishin nga ishulli i Kretës janë vrarë në Shqipëri 1.141 vetë. Unë kam të dhëna të saktë për rreth 8.000 ushtarët grek, ku janë varre, mosha, nga ishin, grada ushtarake etj. Një problem tjetër është se shumë ushtar u plagosën në Shqipëri gjatë luftimeve, por vdiqën nëpër spitalet ushtarake greke, besoj se edhe kockat e tyre Greqia do i kërkoj në tokën shqiptare. Nga shënimet e ushtarëve grek që shpëtuan shkruajnë për tmerret e luftës dhe varfërinë e fshatrave shqiptar, shtëpi të rrënuar nga bombardimet. Ushtarët grek endeshin nëpër fshatrat shqiptar me të holla në dorë për të blerë diçka, por dyqanet ishin bosh. Ushtari grek Stadhis Goçina do të shkruante në shënimet e tij Paraja nuk ka asnjë vlerë në fshatrat shqiptar, dua të blej cigare, çaj, por asgjë smund të blej. Kërkova një pulë ta blej, pa e menduar se ku do e ziej, shqiptarët nuk mi morën të hollat pasi ma dhanë pulën.

Taqis Sisko shkruan: Ushtria greke në shumë raste kërkonte ndihmën e fshatarëve shqiptar për të prerë dru natën në pyje, me marrëveshje ose me kërcënime shqiptarët nga mosha 12-60 vjeç mblidheshin në mbrëmje në kampet e ushtrisë greke dhe nisesh në mal për të bërë dru. Nëse dikush largohej ai dënohej, Korça ishte larg dhe ishte i vetmi qytet afër këtyre fshatrave.

Nga shënimet e ushtarëve grek mësojmë se përball tyre ishte një armik i padukshëm, ai i urisë, i qindra fshatrave të braktisur, shtëpi me llamba vajguri. Për tu ngrohur ushtarët grek prishnin gardhet prej druri të shtëpive dhe prisnin pemët rreth tyre, shkruan ushtari Thanasis Caros.

Ushtarët grek nga shënimet e tyre thonë se nuk kanë patur problem për tu kuptuar me vendasit shqiptar sepse në ushtrinë greke kishte ushtar që vinin nga familjet arvanitase të cilët e dini gjuhën shqipe më mirë se greqishten. Leonidha Papadhima shkruan se në ushtrinë e tij kishte grek nga Greqia Jugore, ata vini nga familjet arvanitase, kështu nuk kishim probleme kur trokisnin në shtëpitë e shqiptarëve.

Dhimosthenis Zadhes shkruan se kishte një shok Tason i cili ishte nga fshatrat e krahinës së Sulit dhe ai gjithnjë e vinim përpara për të biseduar me shqiptarët. Shpeshherë shqiptarët habiteshin që Tasos e fliste aq pastër gjuhën shqipe.

Dhimitrios Lukatos shkruan për dy shqiptar që kishin dezertuar nga ushtria italiane dhe dëshironin të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Atëherë thirrëm dy ushtar grek që dinin gjuhën shqipe sepse ishin arvanitas. Deklarojë historiani Arben Llalla.

Filed Under: Histori Tagged With: arben llalla, deklarate, e ushtareve greke, per varret

JU LUTEM Z.MINISTËR GJUHËN E SHTETIT TIM MOS MA MOHONI!

February 4, 2013 by dgreca

Letër të hapur ministrit z.Blerim Bexhetit/

  I nderuar Ministër!/

Më datë 1 Shkurt 2013 parashtrova kërkesë në gjuhën shqipe për një certifikatë kurorëzimi, certifikatë që unë e marr çdo vit pranë zyrave të gjendjes civile në Tetovë dhe që janë në varësi të Ministrisë së Drejtësisë (kështu më thanë punonjësit e asaj zyre). Ditën e premte nuk kishin mundësi të ma jepnin këtë certifikatë me arsyetimin se janë shumë të ngarkuar me punë dhe sipas logjikës njerëzore e lamë që të hënën më 4 Shkurt të marr certifikatën. Të hënë më japin certifikatën vetëm në gjuhën maqedonase dhe unë kërkoj përse nuk është në gjuhën shqipe, punonjësit e tuaj më thonë se nuk ke bërë kërkesë që duhet të jetë edhe në gjuhën shqipe. Por unë si shtetas i Shqipërisë dhe që nuk kam njohje fare të gjuhës maqedonase u them se ajo është mbushur vetëm në gjuhën shqipe dhe është logjike që certifikata të duhet të jetë në dy gjuhë në bazë të Kushtetutës së RM. (Gjatë pranimit të kërkesës punonjësit më pyetën tre herë se për ku e dua certifikatën dhe u them për në Tiranë, pra në dy gjuhë e dua). Punonjësit ngulmojnë se me gënjeshtra se nuk jepen certifikata të martesës në gjuhën shqipe, atëherë unë i nxjerr certifikatën e vitit 2011 në gjuhën shqipe. Më tej këta gjakprishës shqiptar të cilët mohojnë gjuhën e mëmës së tyre, gjuhën e shtetit tim shqiptar më thonë se makineria nuk e njeh gjuhën shqipe.

Z.Ministër! Deri kur ju dhe ministria që drejtoni do talleni me gjuhën shqipe të Republikës së Shqipërisë? Ju them me gjuhën shqipe të Shqipërisë sepse ju gjuhën e mëmës suaj e mohoni personalisht, këtë ua vërtetoj. Ju vazhdoni të talleni edhe përse janë aprovuar ligje me gjuhën e shqipe bashkë me punonjësit tuaj gënjeshtar dhe analfabet. Unë po të shkruaj shqip e shkurt, pa prapavija politike, pa ndonjë luftë personale, por dua që gjuha ime amtare si shtetas i Republikës së Shqipërisë të respektohet në bazë të marrëveshjeve reciproke, të njohura edhe me vulën APOSTILLE.

Me respekt për postin që keni

Arben Llalla

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, Blerim Bexheti, leter, Ministrit

Hakmarrja e gjakshprishurve, apo psikopatologjia e Agimit të Artë

February 1, 2013 by dgreca

Nga Rafael Floqi*/

Dhe deklaratat e Kostas Papas e të tjerëve, nuk  janë veç se nje përpjekje e njerit prej këtyre personaliteteve të atij “ grek”, për të mposhtur anën tjetër arvanite “shqiptare”./

somario/

Agimi i Artë si organizatë u themelua për të dobësuar partitë e majta në Greqi, jo kundër shqiptarëve, bile shpesh herë, në revistën e tyre botoheshin shkrime ku thuhej se grekët dhe shqiptarët janë vëllezër. Por pas viteve 2000, kjo organizatë u bë kundërshtarja më e fortë e emigrantëve shqiptarë dhe Shqipërisë

      ***

Nje dokumentar mjaf realist të “Sky TV” të shfaqur në Greqi vitin e kaluar , me titull “ 1821” ku  thuhej se ishin shqiptarët  arvanitas  ata që bënë Revolucionin grek të 1921, pohohet dhe një e vertëtë tjetër “se ata u bënë më grekë se grekët”, është kjo gjë që po ndodh edhe sot me një pjesë  të  Agimit e Artë, një pjesë e themeluesve partisë  perfshirë dhe Kostas Papas, janë me origjinë arvanitase .Analisti i medias shqiptare, Artur Zheji, para 10 ditësh bëri një rikthim me emisionin e tij “360 gradë”, në Televizionin “News 24”, në Tiranë, duke shkaktuar një provokim furtunal mediatik, nëpërmjet realizimit të  një interviste në Greqi me kreun e Grupit Parlamentar të Partisë “Agimi i Artë”, Kristo Papas, që është cilësuar si ideologu neonazist i kësaj partie.  Papas, siç ishte e njohur, shprehu edhe një herë qëndrimet  fashiste të një pjese të politikës greke ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, por në veçanti edhe ndaj çështjes çame dhe të ashtuquajturit  “Vorio- Epir”. 

Por ajo që më shtoi më shumë kurreshjen time , ishte një shkrim në gazetën “Dielli”- on line të   historianit të mirinformuar për problemet e Greqisë , Arben Llalla, ku shkruhej: “Nëse do të shohim anëtarët e organizatës “ Agimi  i  Artë”, ata  nuk janë vetëm nazistë, as neonazistë, por janë diçka tjetër, për të cilët bota duhet të trembet. Ata janë një organizatë e errët, e tmerrshme të cilët promovojnë ushtrinë naziste të Hitlerit. Kristo Papa që në e shohim duke dhënë deklarata për një luftë midis Greqisë dhe Shqipërisë  ishte drejtuesi i shtypit dhe propagandës së Agimit të Artë, në shkrimet që shkruante Papa ngrinte lart figurat e nazistëve gjermanë me një përkushtim patologjik. Agimi i Artë si organizatë u themelua për të dobësuar partitë e majta në Greqi, jo kundër shqiptarëve, bile shpesh herë, në revistën e tyre botoheshin shkrime ku thuhej se grekët dhe shqiptarët janë vëllezër. Por pas viteve 2000, kjo organizatë u bë kundërshtarja më e fortë e emigrantëve shqiptarë dhe Shqipërisë.”. Por,  pse?

Dhe zoti Lalla, si një nga trashëgimtarët e një fisi të madh nga Çamëria që e njeh mirë edhe përbërjen etnike të këtyre organizatave, dhe ashtu siç e vë në dukje ai  “ Nëse do shohim nga e kanë origjinën shumica e deputetëve të Agmit të Artë. do të vërejmë se shumica e tyre vijnë nga fshatrat arvanitas si p.sh.: Nikolaos Mihalolakos, Eleni Zarula, Kristo Papa, Mihail Arvaniti, Nikolaos Mihas (mbiemri këtij ka qenë Bythkali para shumë viteve sepse e njoh familjen e tij), Dhiumitrios Kukuçi, Estathios Bukuras (edhe një kushëririn e këtij e njoh thotë ai , flasim shqip shumë mirë ), Ilias Kacidharis etj. Lirisht mund të them se po t’u bëhet ADN-ja  do tëdalë se e kanë të njëjtë me shqiptarët”.

Duke pasur parasysh këto fakte, por edhe të tjera, se personat historikë grekë , të cilët janë treguar më armiqësorë ndaj shqiptarëve kanë pasur lidhje gjaku me shqiptarët ( arvanitas- apo çamë ortodoksë) kujtoj këtu edhe kriminelin Napoleon Zerva, i cili kishte lindur pikërisht ne Artë, të Çamerisë , në Maj 17, 1891 dhe kishte hyrë vullnetar me 1910, duke luftuar ushtrinë turke , apo edhe Karapanon e Spiromilon me Republikën e Epirit të Veriut, të cilët kryen krime makabre  në gjithë Jugun e Shqipërisë duke djeguar e rrënuar 90 fshatra me ushtrinë greke dhe andartët, kriminelët e liruar e Kretës ,duke kryer akte genocidi  të tilla si Masakra e Panaritit, apo e fshatit Kodër, në Tepelenë,  duke vrarë dhe prerë  burra pleq e gra e fëmijë muslimanë  të krishterë,  etj.

Historiani  Abedin Rakipi në një  shkrim të tij mbi fillimet e gjenocidit çam, flet për  masakrën e Dervizianes (Dervishanes) të  vitit 1772 , pohon se fillimet e genocidit të çamëve ne zonën e Sulit dhe Artës kishin karakter fetar të yshtur nga Kisha Greke.  “Te gjithë gratë, dhe jetimët e mbijetuar të Dervishanës u vendosën, në Artë dhe një pjese e konsiderueshme e çamëve të Artës e kanë origjinën nga Dervishana, ose Derviziana në greqisht. Fshati pas depërtimit dhe masakrës se çamëve u popullua nga Suliotët.  Kjo masakër do te shënonte therjen, çnderimin dhe depërtimin e 200 familjeve çame myslimane, fshati i te cilëve do të popullohej pastaj nga kleftët suliotë. Është për t’u theksuar fakti se një nga familjet qe banonin Sulin ne atë kohë ishte dhe familja e Tusas Zerva, familje nga e cila rrjedh edhe Napoleon Zerva i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore do te përfundonte veprën famëkeqe duke masakruar gjithë çamët dhe duke i deportuar nën hijen e thikave, gratë dhe jetimet çamë mbetur pa burra, dhe baballarë”.  Nuk dua t’i jap lexuesit  idenë se edhe me Agimin e Artë , kemi të bëjmë me një luftë fetare ndërshqiptare, “suliotë e arvanitas kundër çamëve muslimanë.”  Por,s iç  pohon  dhe vetë “Papas se me çamët kishte mbaruar punë Zerva”. Kështu ka dhe një arsye a posteriori për të kuptuar se puna e bashkëpunimit të çamëve me nazistët gjermanë ishte vetëm preteks. Pasi kjo nuk i jep shpjegim edhe një mospërputhjeje tjetër, nëse çamët bashkëpunuan me nazistët, (gjë që s’është fare e vërtetë pasi qe Zerva ai që bashkëpunoi me gjermanët dhe masakroi, me miratimin e heshtur të britanikëve), atëhere , pse këta nazistët e rinj, të Agimit të Artë duhet t’i urrejnë çamët?  Pra,  nuk është çështje ideologjie, por sipas mendimit tim një patologji sociale.

Ky arsyetim mund të shërbejë për të analizuar devijacionet psikopatologjike të zotit Kristo Papa, dhe ato se ato ç’ka thotë ai për flamurin e Skënderbeut apo Jorgo Kastriotin ,nuk janë veçse projeksione të një mendje të frustruar. Gjergj Kastrioti i takon sa shqiptarëve dhe arvanitasve, edhe pse  ata vetëm emrin ia kanë përkthyer në Jorgon e këtij Kristos Papas , që i quan “shqiptarët kusarë dhe bastardë”.  

Intuita me shtyu të humumtoj, se mos vallë, këtu kishim të bënim  me një sindromë identiteti tek një pjesë e arvanitasve, të cilët të ndodhur në një realitet opresues grek me  shekuj  ndaj tyre, kërkojnë të theksojnë më me forcë identitetin e tyre të dytë atë grek , kundrejt identitetit gjenetik shqiptar, ndryshe nga arbëreshët e Italisë.  Nga pikëpamja psikologjike dhe socio-linguistike  burim i këtij qëndrimi  është frustrimi i tyre nacional dhe racor që sipas hulumtimeve më të fundit, është  sindroma  që çoi në  të njëjtat pasoja të rrezishme  sociale  siç qe ajo që çoi Hitlerin tek Holokausti. (Për koncidencë kjo javë shënon edhe 80- vjetorin e ardhjes së Hitlerit në pushtet).

Sindroma e Çrregullimit Multilingual të Personalitetit,sipas psikiatërve   ka simptomat dhe shkaqet e veta, por fatkeqësisht sipas specialistëve, nuk ka trajtim ose shërim, që do të thotë, se kjo përbën një Çrregullim Personaliteti të Shumëfishtë  (ose çrregullim disociues identiteti të personalitetit) që është një gjendje  që përbën bazat e skizofrenizë”. Kur dy personalitete në mënyrë rutinore të ndryshme marrin në dorë  kontrollin e sjelljes së individit me një humbje të kujtesës asociuar që shkon përtej harresës normale”. (Grohol)  Në fakt, në një studim të kryer nga hulumtuesit Torsten Ringberg dhe Laura A. Perracchio nga Universiteti i Wisconsin, Milwaukee, dhe David Lewis nga Baruch College, zbulohet se personat bilingualë  ose bikulturalë  (p.sh. individë t të cilët janë pjesë e dy kulturave të ndryshme dhe flasin gjuhë të shoqëruara me ato kultura) shpesh raportojnë se ndjehen si persona të ndryshëm, kur flasin gjuhë të ndryshme. Përveç kësaj, ky çrregullim disociues i identitetit “pasqyron një dështim të tyre për të integruar aspekte të ndryshme të identitetit, të kujtesës e ndërgjegjes. Çdo status personaliteti mund të ketë përvojë dhe një histori të veçantë personale, me  imazhin e vet, dhe identitetin, duke përfshirë madje dhe quajtjen e vetes një emër të veçantë  përkitas sipas gjuhës që flasin  “( sipas Shoqates Amerikane  të Psikiatrisë).

 Këto karakteristika janë të ndara në Ç’rregullimin  e Personalitetit Multilingual (Bilingual) ;kur këto dy gjuhë përfundimisht zhvillojnë  dy, personalitete  të ndryshme të veçanta që jetojnë në dy botë të ndara. Dhe deklaratat e Papas e të tjerëve, nuk  janë veç se nje përpjekje  e njerit prej këtyre personaliteteve  -të atij  grek, per të mposhtur anën tjetër arvaniten ( shqiptaren).  Këto dy personalitete janë të ndërshkëmbyeshëm, në varësi të presioneve sociopolitike dhe kulturore që përcaktojnë identitetin që individët përzgjedhin.   Kështu mund të marrë shpjegim dhe fakti që përmendet në shkrimin e A.  Llallës  ku shkruhet se “Në përgjithësi organizata “Agimi i Artë” përdor simbolet e vjetra shqiptare, ajo si ngjyrë kryesore ka pasur  fushën e kuqe me shkronja të zeza dhe shqiponjën dy krenare që është simboli i familjes së Kastriotëve. Por pasi fitoj disa vende në Kuvendin e Greqisë ndryshoi ngjyrat nga e Kuq e Zi, në të Kaltër me të Bardhë, kjo pasi partitë majtiste i akuzuan  se janë me origjinë shqiptare dhe përdorin ngjyrat e flamurit të Skënderbeut. Në numrin e revistës të Agimi i Artë të Tetorit 1986, para valës së emigrantëve të vitit 1992, shkruhej me shkronja të mëdha: “Grekët dhe Shqiptarët, një popull, një racë, një atdhe”. Ç’farë ndryshimi?!

Po kështu, me këtë çrregullim personaliteti shpjegohet dhe qëndrimi ndaj Vorio- Epirit. “Ministria e Jashtme ka frikë të përdorë emërtimin Vorio- Epir”, tha Papas . Ndaj ne jemi shumë krenarë si parti, dhe unë personalisht, që e detyruam zv/ministrin e Jashtëm të Greqisë, z. Ciara, të pranojë në sallën e Parlamentit grek dhe të shqiptojë emërtimin Vorio-Epir. Made, duke iu përgjigjur pyetjeve tona, z. Ciara pohoi se edhe ai është vorio-epirot.”  

Kjo vërteton sipas meje egzitencën e Çrregullimit Multilingual të Personalitetit, dhe unë do të shkoja edhe më tej, se  njerëzit dygjuhësh përjetojnë në fakt një lloj çrregullim të shumë fishtë  (Multiple) të personalitetit.  Në individët me çrregullim personalitetit Multiple ka një moment në të cilin personi shfaqet me një personalitet dhe pastaj  merr përsipër një tjetër dhe  tranziton nga njeri tek tjetri. Kjo periudhë transitore  mund të marrë diku nga disa sekonda deri në disa orë. Dhe individ i vetë  përjeton ato si realitete të vërteta , sikur është duke jetuar në një vend tjetër, me një kulturë tjetër .  Diçka që duhet të theksohet është dallimi në mes të qenit thjesht dygjuhësh dhe të qenit dygjuhësh dhe dy-kulturash, ky është dallimi në mes, të themi, dikujt që ka trashëgimisë arvanite që u rrit duke folur të dyja gjuhët greqisht  dhe shqip dhe dikush nga Shqipëria , gjuha amtare e të cilit shqipja dhe që ka mësuar gjuhën greke  kur shkoi si emigrant në Greqi. Në rastin e pare, personi do ta paraqesë këtë çrregullim, sepse ata janë dygjuhësh, por bi-kulturorë, në rastin e fundit personi thjesht ka  mësuar  vetëm një gjuhë të re. 

 Eshtë interesant se çrregullimet të njejta me ato të personalitetit të Papas gjejmë dhe në “kartelën” e Hitlerit. Sipas  një studimi të Universitetit të Kolorados, në Kolorado Springs të  akademikëve Frederick L. Coolidge *, Felicia L. Davis, dhe Daniel L. Segal rreth Hitlerit diagnostikuan me hypotheze se Hitleri do të ishte diagnostikuar me skizofreni, paranojake. Kjo hipotezë është bazuar mbi përkushtimin e tij të shpeshtë me iluzionet e persekutimit (p.sh., nga babai i tij mospranues, ose nga ata që nuk duan të njihnin  “talentet” e tij dhe protagonistët hebrenj iluzionet rreth hebrenjve ( idea e të qenit gjysmë- hebre dhe iluzionin e diskutueshëm të tij mbi delirin e madhështisë në Pasewalk. Preokupimi i tij me hebrenjtë si të Gjermanisë kundërshtarët e tij dhe besimet irracionale e përhapjes të sëmundjes çifute e bëne që ai sipas  shumë gjasash të kishte një çrregullim paranoid personalitetit”.

Ky përkim psikopatologjik në mes Hitlerit dhe “nazistëve të Agimit të Artë ka të njëjtin mekanizëm psikopatologjik që bazohet në një çrregullim personaliteti, i cili po të marrë përmasa sociale dhe politike mund ta çojë botën sërish në një kasapanë si ajo hitleriane. Tendencat totalitare nuk janë  unikisht një problem gjerman, siç etiketonin njerëzit asokohe. Shumë akte gjenocidi kanë ndodhur qysh prej asaj kohe, dhe madje tejembanë botës.  Por ngjarjet e 30 janarit të 1933-shit shërbejnë ende si paralajmërim. Këtu mund të nxjerrin mësim edhe politikanët grekë . 80 vjet janë një periudhë e gjatë, por ngjarjet e asaj dite janë ende kuptimplota . Nëse ne harrojmë ç’ka ndodhur, ato ngjarje mund të ndodhin përsëri dhe nuk do të mjaftojë një “persona non grata” për t’i ndalur.

Kryeredaktor I TV të Shqiparëve të Amerikës/

 

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, Artur Zheji, Hakmarrja e gjakshprishurve, Rafel Floqi

REPLIKË CJERRJEVE LUFTËNXITËSE TË KRISTO PAPËS

February 1, 2013 by dgreca

NE FOTO: KUVENDI I GREQISE 1856.NE KEMBE DEPUTETE SHQIPTARE-CELO PICARI ME FUSTANELLE/

– THIRRJE E LIDHJES ARVANITËT E ATHINËS DREJTUAR VËLLEZËRVE ARBËR TË ARBËRISË /

-Nuk mund të ndryshohen rrjedhat e historisë, nuk mund gjakun ta bëjë ujë! Ata, erdhën arbër, jetuan suliot, vdiqën si grek/

NgaArben Llalla/

Pas intervistës së deputetit Kristo Papa dhënë gazetarit Artur Zhejit , i dërgova një letër private z.Papa, ku i tregoja se nuk mund të ngrinte dorë kundër vetvetes, kundër gjakut të arbërit, kundër familjarëve të suliotve, por deputeti i Agimit të Artë paska probleme me vetveten, me njohjen e historisë greko-shqiptare. Atëhere po i ribotoj letrën e shqiptarëve të Greqisë dërguar shqiptarëve të Shqipërisë më 1899, pasi Kristo Papa deklaroj se do na hante të gjallë si komb pas shpalljes së tij Non Grada në Shqipëri. Kristo Papa i jep kurajo minoritarëve grek që jetojnë në Shqipëri të bëjnë durim, por unë i them se minoritarët grek i dënojnë deklaratat e këtij nazisti që janë nxitëse drejti një lufte midis Greqisë dhe Shqipërisë. Edhe pse grekët i kanë bërë shumë të këqija kombit shqiptar, përsëri ne shqiptarët i kemi falur, jemi treguar tolerantë dhe këtë e kemi bërë për paqen e dy popujve dhe jo për frik, sepse Kombin shqiptar nuk e tremb një Greqi e shpartalluar ekonomikisht dhe psikologjikisht. Nga pikëpamja numerike grekët janë një komb i vogël i krahasueshmëm me shqiptarët në Ballkan, ndërsa progresionet demografike të çojnë në përfundimin se në mesin e shekullit 21 do të ketë më shumë shqiptar se grekë në Ballkan.    Dokumenti i mëposhtëm mban titullin “THIRRJE E LIDHJES ARVANITËT E ATHINËS DREJTUAR VËLLEZËRVE ARBËR TË ARBËRISË” është marrë nga libri me titull “Η ΠΡΟΚΗΡΥΞΗ ΤΟΥ ΑΡΒΑΝΙΤΙΚΟΥ ΣΥΝΔΕΣΜΟΥ”. Ky libër është botuar në vitin 1996 nënkujdesin e studiuesit arvanitas Aristidh Kola i cili ka bërë dhe komentet e tij. Në fund të dokumentit na paraqiten tre nënshkrimet me mbiemrat Shehu, Boçari, dhe Xhavella. Këta mbiemra i përkasin familjeve të shquara arvanitase që i kanë dhënë lavdisë Greqisë.

THIRRJE E LIDHJES ARVANITËT E ATHINËS DREJTUAR VËLLEZËRVE ARBËR TË ARBËRISË

VËLLEZËR! Ju themi dhe ju quajmë vëllezër, pasi edhe na ndajnë vendi dhe feja, nuk pushojmë së qeni vëllezër, sepse të gjithë arbërit kudo që gjendemi sot, jemi pasardhës të pellazgjëve, të cilët ata të parët erdhën nga Azia në Europë dhe u vendosën në Arbëri. Sepse jemi bij të Aleksandri i Madh, të parit burrë me emër në botë që fitoi ndaj gjithë Azisë. Sepse jemi bij të Pirros, atij mbreti e gjenerali të madh të Arbërisë, i cili fitoi mbi romakët dhe do të bëhej edhe ai si Aleksandri i Madh, po të kishte rrethanat e tij, domethënë të kishte përballë armiq të çrregullt e barbarë si persët, midët dhe indianët dhe jo si romakët që ishin të rregullt e të shkolluar. Sepse jemi bij të Skënderbeut të madh, që fitoi mbi tre Sulltanë dhe ruajti lirinë e Arbërisë deri në çastin që mbylli sytë, prej plagëve të rënda që kishte marrë në betejën e fundit kundër armiqve të atdheut të vet, Arbërisë. Sepse, fundja më në fund, kemi të njëjtin atdhe, të njëjtin gjak, të njëjtat veshje dhe të njëjtën gjuhë. VËLLEZËR! Lloj-lloj armiqsh hynë ndërmjet nesh dhe na ndanë, dhe na bënë të huaj, dhe na shkapërdanë, e na bënë armiq me njëri-tjetrin, dhe kështu arbër gjenden në Austri, arbëreshë në Itali, arvanitë në Greqi, por lavdia më e madhe dhe nderi më i madh është tek ju, që duruat gjithë të këqijat e skllavërisë dhe qëndruat në Arbëri, në atdheun tonë të dashur e të madh. Mirëpo, sado që të gjendemi larg atdheut tonë të madh, Arbërisë ne të tjerët, sado që të bëhemi të mëdhenj në vend të huaj si njerës; pashallarë, gjeneralë dhe ministra, nuk e harrojmë kurrë brezin tonë dhe atdheun tonë të vërtetë. Në Austri na thonë austriakë, në Itali italianë dhe në Greqi grekë; por ne jemi mirënjohës ndaj këtyre kombeve që na përbujtin dhe na nderojnë si vëllezër të tyre dhe na besojnë poste drejtuese nëpër shtete dhe ushtri, ndërsa u shërbejmë me besnikëri siç u ka hije njerëzve të ndershëm, gjithë herë ëndërrojmë atë ditë të lavdishme e të ndritur që do të ngrihet kombi arbër i lirë me flamurin e vet, me mbretin e vet, me administratë të vetën dhe me ushtrinë e vet. Sot ndodhemi në një kohë që kombet po rilindin. Shikoni grekët! Ishin skllevër dhe vuanin nën zgjedhën turke. U zgjuan një ditë nga zëri i Rigas Fereos dhe u ngritën, thyen zinxhirët e skllavërisë, e përzunë tiranin nga dheu i tyre e u bënë mbretëri. Shikoni serbët! Ngritën krye dhe u çliruan! Shikoni malazezët! Nuk i ndanë kurrë armët nga duart e tyre dhe u çliruan! Shikoni vllehët! Luftuan dhe u çliruan. Shikoni bullgarët! Luftoi për ta Rusia dhe u çliruan. Ata janë të vetmit që u çliruan me gjak të huaj.    Gjithë këto kombe, grekët, serbët, malazezët, vllehët e bullgarët, ishin raja të Sulltanit dhe tani u bënë mbretëri të lira, secili me flamurin e vet, buxhetin e vet, gjykatat e veta e ushtrinë e vet. U bënë të lira e të vetëpushtetëshme dhe nga gjithë këto kombe, vetëm ne, arbërit, jemi ende në gjumë dhe armiqtë tanë na rrethojnë, na shtrëngojnë nga të gjitha anët e duan të na shqyejnë e të na copëtojnë. Austria i ka sytë të mbërthyera  mbi Arbërinë tonë. Don ta gllabërojë të gjithën e të zbresë në Selanik. Italia don Vlorën tonë. Mali i Zi don Shkodrën tonë, Serbia, Bullgaria dhe Vllahia hahen për Manastirin tonë, për Durrësin tonë, Prizrenin e Krujën tonë, që ishte kryeqytet i Skënderbeut tonë! Nuk kemi asnjë mik. Të gjithë janë armiqtë tanë, sepse të gjithë duan të keqen dhe shkatërrimin tonë. Gjithë kombet që i kishte shkelur Turqia pak a shumë u çliruan. Vetëm armenët, çifutët dhe ne arbërit gjendemi ende pa lirinë tonë, dhe më e keqja, humbëm qenien tonë kombëtare dhe të gjithë na quajnë turq, ndërsa nuk jemi aspak turq, por arbër të pastër. Pasardhës të pellazgjëve dhe jemi të parët njerëz që shkelën dhe u vendosën në Europë.         Ne arbërit ishim gjithmonë shtylla e Turqisë. Eshtrat tona gjenden të mbjella në Hungari, në Serbi, në Mal të Zi, në Krime, në Bullgari, në Greqi, në Persi, në Arabi, e gjer në kufijtë e Indisë. Gjaku i arbërit për katërqind e ca vjet rrodhi e rrjedh për jetën e Turqisë. Po të mos ishim ne, Turqia do të kishte ikur prej vitesh nga Europa. E megjithatë Turqia as që ka ndërmend të na japë lirinë, por don të na këtë roje të saj, që t’i ruajmë trojet derisa të shkatërrohet ajo dhe ne bashkë me të. Mirëpo nëse Turqia është e natyrshme ashtu siç po e shohim si dritën e diellit, që të shkojë andej nga ka ardhur, pse është popull i huaj i ardhur nga thellësitë e Azisë, dhe u vendos në troje të huaja, pasi shkatërroi lirinë dhe mbretëritë e këtyre vendeve, po përse të shkatërrohemi dhe ne bashkë me të? Përse dheu ynë të bëhet austriak, apo të ndahet mes austriakëve, italianëve, serbëve, bullgarëve dhe grekëve? Nëse Turqia na jepte lirinë, do të bëheshim barrikadë ndaj rrebeshit austriak dhe italianë nuk do mundte të shkelte trojet tona. Sa për malazezët, serbët, bullgarët dhe grekët, do të gjenim mënyrën që të mbroheshim. Por Turqia nuk e do të mirën tonë, ajo do vetëm gjakun dhe eshtrat tona. Mirëpo koha ecën dhe armiqtë tanë që na rrethojnë, mprehin shpatat e duan të na shkelin e të gllabërojnë dheun tonë e të na bëjnë skllevër. Erdhi, vëllezër, koha që të gjithë arbërit të kemi një mendim. Duhet të lëmë armiqësinë që na lindën Turqia dhe besimet fetare. Turqinë dhe fenë duhet ta lëmë mënjanë. Turqia është turp i huaj dhe duhet ta flakim, feja është për secilin më vete dhe secili duhet ta mbajë siç e gjeti. Do të ishte mirë të qemë arbërit të gjithë muhamedanë apo të gjithë të krishterë, mirëpo, gjersa kemi besime të ndryshme: muhamedanë dhe të krishterë dhe të ndarë në herezi të ndryshme: ortodoksë, papistë, myslimanë, bektashinj, rufainj, do të ishte mirë t’i linim fetë mënjanë ashtu siç janë, pse njeriu duhet të ketë një fe dhe parajsa u bë nga Zoti për të mirët dhe Ferri për të këqinjtë. Asnjë i krishterë i keq nuk do të shkojë në parajsë dhe asnjë muhamedan i mirë në Ferr. Prandaj të shohim fisin tonë dhe gjendjen tonë. Për sa kohë që gjendemi nën Turqinë është si të jemi mbyllur në një shtëpi që po digjet. Po të mbesim aty do të digjemi dhe ne. Turqia është e dënuar nga rrethanat që të largohet prej Europës. Atë nuk mund ta shpëtojë asgjë. Duhet të largohemi nga zjarri, duhet të ndahemi sa më shpejt nga Turqia, që të mos zhdukemi dhe ne bashkë me të. Thamë se jemi të rrethuar prej armiqve: austriak, malazezë, serbë, bullgarë dhe grekë, por nga armiqtë, disa janë të rrezikshëm e disa jo. Italia dhe Austria mund të na hanë e të na gllabërojnë e të na zhdukin nga faqja e dheut. Po të biem në thonjtë e Italisë apo të Austrisë, pas pak vjetësh nuk do të ketë Arbëri. Që të shpëtojmë, duhet të bëjmë marrëveshje me një prej armiqve tanë të parrezikshëm; malazezët, serbët, bullgarët apo grekët. Le t’i shqyrtojmë: malazezët, serbët dhe bullgarët janë copëza të Rusisë. Ata punojnë për Rusinë dhe kush bashkohet me ta bie në gojën e Rusisë. Ata të tre, duan apo s’duan, një ditë do të bëhen vasalë të Rusisë. I vetmi shtet nga të gjithë këto që dolën prej hirit e prej gërmadhave të Turqisë, që e ka të garantuar jetesën e vet nga e gjithë Europa, është Greqia. Tokën e Greqisë nuk mund ta shkelë askush. Kastile përfshimë edhe Greqinë ndër armiqtë tanë, pse aparanca e gjërave kështu tregon. Mirëpo, po të thellohemi pak në esencë, po të këshillohemi paksa me historinë, po t’i shqyrtojmë mirë gjërat, do të shohim se Greqia nuk ka asnjë armiqësi me ne dhe as mund të ketë. Historia na thotë se grekët janë pasardhës të pellazgjëve, gjyshërve tanë, se grekët dhe arbërit në vitet e Bizantit kishin një fe, një mbretëri dhe një shtet, se Skënderbeu fliste dhe arbërisht dhe greqisht dhe se shkruante greqisht dhe se Greqia e sotme është vepër arbërore dhe greke. Në luftën e 1821-shit që bëri Greqia kundër Turqisë, luftoi edhe fara jonë, arbëreshët dhe Greqia u çliruan edhe me ndihmën tonë. Në mes të kaq heronjve që nxori Kryengritja greke, të gjithë heronjtë detarë, përveçse vetëm Psarionëve, ishin arbër të Hidrës, të Specës, të Poros dhe të Kranidhit. Heronjtë më të shumtë të steresë ishin arvanitas të Sulit, të Himarëss, të Athinës, të Tebës, të Livadhjasë, të Atlandës, të Korinthit dhe shumë zonave të Moresë, që deri më sot flasin arbërisht. Përveç arvanitasve të krishterë qenë edhe 3500 arvanitas muhamedanë që luftuan bashkë me grekët kundër turkut dhe prijësa të tyre qenë Tafil Buzi, Gjoleka, Hodoja e të tjerë kapedanë të shquar arvanitas. Nuk do të themi asnjë gënjeshtër, vëllezër, po të themi se Arvanitët çliruan Greqinë! Është e vërtetë se gjatë revolucionit grek të 1821-shit, grekët dhe arvanitët u goditën ndërmjet tyre dhe arvanitasit mysliman vranë Marko Boçarin, ndërsa Karaiskaqi vrau Musa Qafëzezin, mirëpo nuk luftonin grekët kundra arvanitasve, por luftonin grekët me turqit dhe turqit me grekët. Suliotët, himariotët dhe kaq arvanitas të tjerë, i luftonin arvanitasit sikur të ishin turq e jo arvanitas, Shkodran pasha, Musa beu, Çelo Picari, Omer Vrioni, Ago Vasjari, Ahmet Dimo e kaq të tjerë luftuan kundër grekëve si turq e jo arbër. Dy ngjarje të mëdha të asaj kohet na bindën se arvanitët dhe grekët mendonin si të ishin vëllezër e jo si të qënit të huaj ndërmjet tyre. Njëra ngjarje është kjo: Kur Ali Pasha i vuri Kardhiqoitët të çarmatosur në një vathë dhe u tha kapedanëve grek të zbraznin armët mbi ta, kapedanët i thanë Ali Pashës:   “Jepu më parë armë e pastaj fillojmë luftën. Sa janë të çarmatosur, ne nuk i vrasim!”   Dhe kështu kapedanët grekë nuk i ngjyen duart në gjakun e vëllezërve kardhiqiotë dhe e lanë këtë lavdi të pandershme tek qenia më e ndyrë që ka lindur Arbëria, tek Thanas Vaja me lekliotët e tij! Ngjarja e dytë ndodhi në urën e Alamanës kur Athanas Dhiako ra i gjallë në duart e turqëve. Omer pashë Vrioni komandant arvanitas, u përpoq me çdo mënyrë ta shpëtonte, por nuk mundi, sepse Qose Mehmet pasha kur mësoi se Omer Vrioni donte ta shpëtonte gjithsesi Dhiakon nga duart e turqëve, dha urdhër që sa më shpejt ta shkonin në hell si derr. Kur e mori vesh këtë Omer Vrioni qau si fëmijë për vdekjen e Dhiakos. Këto dy ngjarje dëshmojnë se në zemrën e popullit grek e arvanitas është rrënjosur ndjenja e farefisnisë që kanë grekët me arvanitët. Greku, para se të bëhej grek ishte arvanitas, domethënë pellazg. Grek do të thotë: Arvanitas i qytetëruar. Gjuha jonë, arbërishtja është më e vjetër se greqishtja e lashtë, që sot e quajnë gjuha homerike. Gjuhëtarët e mençur të Europës e konsiderojnë greqishten si një përkryerje të arbërishtes. dhe Greqia pa Arbëri dhe Arbëria pa Greqinë janë gjëra gjysmake. Kur Greqia dhe Arbëria të bashkohen, atëherë do të bëhet Greqia e Madhe dhe Arbëria e Madhe.   Kështu siç jemi, kemi nevojë të mbështetemi në shpatullat e një fqinji. Po të mbetemi me Turqinë, rrezikojmë të humbasim bashkë me të. Po të shkojmë me Italinë, do të na gëlltisë, dhe pas disa vitesh do të kemi humbur etnitetin tonë e do të bëhemi italianë, pasi interesi i saj është që të mos mbetemi arbër e të ngremë krye ndonjë ditë. Po të shkojmë me Austrinë do ta pësojmë më keq se me Italinë. Po të shkojmë me malazezët apo serbët, apo bullgarët, do të bëhemi një ditë vasalë të Rusisë. Veç kësaj, malazezët, serbët dhe bullgarët janë popuj të huaj dhe është turp për ne që jemi vendas të kërkojmë mëshirë nga malazezët, serbët dhe bullgarët. Po të duam të veprojmë vetëm, e para do të na godasë Turqia e s’do të na ndihmojë askush dhe e dyta, edhe po të çlirihemi nga Turqia, nuk do mundim të jetojmë vetëm, pse vendi ynë është i varfër, nuk kemi shkollë dhe më e keqja, nuk kemi një besim: ca jemi muhamedanë, ca të krishterë dhe mbretëritë e krishtera që ndodhen rreth nesh do të gjejnë çdo mënyrë që të na bëjnë të grindemi mes nesh e të gjejmë shkak të huajt të ndërhyjnë në punët tona të brendshme e të na coptojnë. Jetesa e një shteti te tillë arbëror në mes gjashtë shteteve të krishterë, Italisë, Austrisë, Malit të Zi, Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë, është jetë shkurtër dhe shkatarrimtare e madhe për kombin tonë.    Nuk na mbetet mënyrë tjetër, vëllezër, veç t’i thërrasim mendjes sa më shpejt, të harrojmë kush është muhamedan e kush i krishterë dhe të mbështetemi mbi Greqinë e të krijojmë Mbretërinë Greko-Arbërore, si Hungarezët me Austriakët, dhe Suedezët me Norvegjezët. Janë të shumta arsyet që na detyrojnë të bëjmë këtë dhe vetëm këtë: 1- Dheu i Greqisë është i garantuar dhe askush nuk mund ta shkelë, edhe po shkeli do ikë shpejt. 2- Grekët janë fara jonë dhe ne jemi vëllezër të larguar, pasi janë edhe ata bij të gjyshërve tanë, pellazgjikëve. 3- Kemi të bëjmë me Greqinë, pse kemi mijëra arvanitas këtu dhe gjuha arvanitase flitet gjer brenda në Athinë. 4- Sepse liria e Greqisë është gatuar edhe me gjakun arvanitase dhe po të mos qenë arvanitasit, Hidrasit, Speciotët, Poriotët, Suliotët, Himariotët, etj. Nuk do të mundte të çlirohej Greqia. 5- Grekët dhe arvanitët kanë të njëjtat zakone dhe të njëjta sjellje, veshin të njëjtat veshje-fustanellat, flasin gjuhën tonë dhe ne të tyren dhe nderin e familjes e kemi dhe ata dhe ne, mbi kryet tona e jo nën këmbët siç e kanë të tjerët, që nuk dinë ç’do të thotë nderi i gruas dhe i kanë gratë e tyre hoteleve e birrarive të hargalisen me botën e huaj para syve të tyre! Zoti e ruajt arbërin nga një gjendje e tillë. 6- Grekët janë pak, siç jemi dhe ne, nuk do të mundin kurrë të na bëjnë si të duan e të na helenizojnë, por do të jemi në jetë të jetëve arbër përkrah tyre. 7- Se në te vërtetë shkronjat arvanitase janë ato të greqishtes dhe ne me grekët të bashkuar të kemi shkronjat tona të natyrshme, të shkruajmë me germat tona dhe jo vllaçe, italiane si ato që sajojnë në Bukuresht e gjetkë. 8- Grekët i njohim e na njohin. Jetuam mijëra vjet me grekët e jetojmë ende si vëllezër, sepse farat tona, Grekja dhe Arbërorja, gjenden në një vend që u përket të dyve. Mijëra grekë jetojnë brenda në Arbëri dhe mijëra arbër jetojnë brenda në Greqi dhe kurrë deri më sot nuk luftuan njeri-tjetrit. Dhe në Arbëri grekët dhe arvanitasit jetojnë si vëllezër, dhe në Greqi arvanitasit me grekët jetojnë si vëllezër, sepse të dy popujt grek dhe arbër jetojnë në vende që u përkasin që të dyve, dhe nuk është njëri popull në tokën e tjetrit si në tokën e huaj. Ajo çka është greke është dhe arvanitase dhe ajo çka është arvanitase është dhe greke. Gjaku nuk bëhet ujë!    Shikoni vëllezër, sa arsye të mëdha kemi që të bëhemi një me grekët, ndërsa nuk kemi asnjë arsye që të qasim italianët, austriakët, vllehët, malazezët, serbët dhe bullgarët!!! Kur të themi të bëhemi një me grekët, nuk themi të bashkojmë fetë tona, apo qeverisjen tonë. Një bashkim të tillë as e mendojmë, as e duam! Ne duam nga Greqia që të sigurojmë vendin tonë, të zhvillojmë tregtinë tonë, të ndriçohemi nga dija e saj….. Ne mendojmë që Greqia të ketë fuqi si shtet në Greqi dhe Arbëria në Arbëri, dhe jo Arbëria të jetë e nënshtruar ndaj Greqisë. Nënkuptojmë bashkimin vetëm në një bashkimi të dukshme të mirëkuptuar, duke pasur të njëjtin mbret, të njëjtin ministër të jashtëm dhe të njëjtin ministër të luftës dhe të luftojë Greqia për Arbërinë dhe Arbëria për Greqinë, me një fjalë të kemi të njëjtët miq e të njëjtët armiq. Nënkuptojmë që Arbëria të ketë ushtri të sajën, xhandarmëri të sajën, polici e administratë të sajën, financa të vetat, gjykata e sistem arsimor të vetin. Një shembull të tillë e kemi tek Austria e Hungaria, ku nuk është afria që është ndërmjet arvanitëve e grekëve. Austriakët janë gjermanë dhe hungarezët një popull lindor, krejtësisht i huaj.   Përpara vëllezër! Ejani të bëhemi një Mbretëri Greko-Arbërore dhe duhet të bëhemi, sepse kemi një gjak, një atdhe, dhe një zot!

Nënshkruesit

SHEHU

BOÇARI

XHAVELLA

Filed Under: Editorial, Opinion Tagged With: arben llalla, cjerrjeve, Replike, te Kristo Papes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT