• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mësoni sa më shumë gjuhë

July 24, 2013 by dgreca

Arjan Th. Kallço/*Pedagog i Gjuhës Italianë/Universiteti “Fan S. Noli”, Korçë/

Sa më shumë gjuhë të dish aq më mirë është. Ky është rezultati i kërkimeve të shumta në disa disiplina që lidhen me edukimin dhe formimin e njeriut. Një rezultat i pritshëm që do të sillte padyshim edhe një ndryshim rrënjësor të disa lloje teorive, të studimeve dhe mentaliteteve në lidhje me gjuhët. Që të arrish në një përfundim duhet kohë e nevojshme për studimet, kërkimet dhe formulimin e teorive të reja pedagogjike, mjekësore dhe gjuhësore. Të treja bashkë mund të na japin një përgjigje më të qartë dhe të plotë lidhur me mësimin e gjuhëve të huaja, me moshën e studimit të tyre në këtë periudhë moderne, ku arritjet teknologjike po kapin majat e saj. A mund të ndryshonte gjithçka në konceptet e deri tanishme? Sigurisht përderisa bota mendon se nga hopi i madh shkencor duhen përpunuar teori të reja, të cilat t’i përgjigjen stadit aktual të zhvillimit shkencor dhe shoqëror.  Një prej këtyre fushave është edhe mësimi i gjuhëve të huaja, përvetësimi i tyre dhe vënia në funksion për nevoja shoqërore dhe personale. Por të tjerë studiues mund të mendojnë se ka edhe arsye të tjera që lidhen me multikulturitetin në të cilën gjendet bota, pas valëve të shumta të emigrimeve, të detyruara apo të vullnetshme qofshin ato. Multikulturiteti është një realitet sot dhe si i tillë kërkon më shumë vëmendje dhe kujdes. Vitin e kaluar mora pjesë në një konferencë në Tiranë që lidhej pikërisht me plurilinguizmin, ku Shqipëria është pjesë e saj, pavarësisht rrethanave që e sollën këtë realitet. Gjithashtu kemi nevojë për një koncept modern amerikan se multikulturiteti është faktor njohje reciproke, mirëkuptimi, bashkëpunimi, respekti dhe bashkëjetese për kulturat respektive. Asnjë kulturë nuk është e tepërt, e panevojshme, e vogël në tërësinë e larmishme të trashëgimisë botërore, në këtë gërshetim të tyre në çdo cep të globit. Por këtij realiteti duhet t’i prijmë me poltika kulturore të zgjuara, të studiuara mirë, të provuara në veprimtaritë e panumërta që organizohen çdo vit tek ne, larg nga çdo karakter përbuzës, mospërfillës dhe racist. Një prej detyrave imediate të arsimit shqiptar, që duhet të jetë në qendër të vëmendjes së qeverisë së re, është qëndrimi ndaj këtij realiteti shqiptar, i cili ka disa veçori i krahasuar me vendet e tjera. Mendoj se nga moria e tyre, disa janë më kryesoret: qëndrimi ndaj gjuhëve të huaja dhe heqjen dorë nga çoroditja e viteve të mbrapshta të reformave të pakuptimta. Ndërsa duhet përshëndetur futja e disa gjuhëve në shkollat fillore që prej disa vitesh, pavarësisht nivelit të përvetësimit të tyre, nga ana tjetër duhet kritikuar shumë masivizimi i një gjuhe të vetme, dominimi i saj, pra i gjuhës angleze. Gjuha e huaj është një mjet tepër i nevojshëm për t’i përdorur të gjitha arritjet e një vendi, por edhe për shkëmbime kulturore me ta. Tek e para interesat mund të jenë kolektive dhe individuale, prandaj shteti duhet t’i mëshojë cilësisë së mësimit të gjuhëve të huaja në të gjitha shkollat dhe nivelet e tyre, ose të paktën në ato shtetërore. Cirqet ministrore nga një gjuhë tek tjetra duhet të marrin fund, pasi edhe nxënësit dhe të rinjtë duhet të jenë të sigurt për gjuhën që zgjedhin dhe jo ta ndryshojnë mendjen sa herë që ndryshojnë qëndrimet zyrtare servile shtetëore. Futja e anglishtes si gjuhë e vetme në master prodhoi një fiktivitet tepër të dëmshëm, pasi çështja u pa vetëm në aspektin ekonomik, të fitimit dhe jo të përvetësimit real të gjuhës. A ishte e nevojshme që edhe ata që nuk e kishin studiuar asnjë herë gjuhën angleze t’i nënshtroheshin një provimi me kosto 135 euro? Është e pakuptimtë dhe tepër qesharake ta mendosh se interesat e studentëve mund të ngushtohen thjesht në një gjuhë të vetme. Më e arsyeshmja do të ishte që studentët ta mbronin atë gjuhë që e kanë studiuar dhe më pas, nëse për interesat e tyre u duhej një gjuhë tjetër, ta mësonin dhe mbronin. Prodhimi i çertifikatave masive të pavlera, si diplomat, janë një prej dështimeve më të mëdha arsimore të Shqipërisë. Shumë herë në shkrimet e mia i jam referuar Italisë, për të vetmin synim që politikat e saj strategjike kultuore që lidhen me disa aspekte të arsimit, nuk kanë qënë të drejta. U bë e mërzitëshme thënia se duhet të mësojmë nga gabimet e të tjerëve dhe në vend që të mësojmë, Italia është një ndër vendet me një traditë kulturore të jashtëzakonshme, biem gjithmonë në gabime foshnjarake që tregon se tek ne nuk ka seriozitet në largpamësinë e strategjive afatgjata. Shqipëria nuk e ka një realitet si ai Italian, ku multietnia është bërë fjalë e ditës dhe në shkolla apo klasa do të gjesh një përbërje tepër heterogjene. Të mos harrojmë se shumë fëmijë me origjinë shqiptare janë pjesë e këtij spektri multikulturor. Nëse tek ne do të ndodhte një gjë e tillë dhe me këtë qëndrim ndaj arsmit, duhet pranuar se do të gjendeshim në një kaos total multikulturor. Por edhe pa këtë, kaosi arsimor shqiptar është imazhi më i keq edhe në botë. Shkolla – shkruan një prej gazetave më të mëdha italiane –  është vendi kryesor i studimit, i pritjes dhe porta e hyrjes për shoqërinë, ku gjithçka i besohet mjeshtërisë së mësuesve, apo vullnetit të tyre të mirë, por pa u dhënë mjete të nevojshme që ta favorizojnë njohjen dhe përdorimin e më shumë gjuhëve, me qëllim që të bien paragjykimet e vjetra. Akademia italiane për ruajtjen dhe pasurimine gjuhës ka hartuar një dokument që do t’i paraqitet kryeministrit Leta, presidentit Napolitano dhe ministrive, si një faktor kryesor dhe i rëndësishëm i rritjes intelektuale dhe shoqërore me të cilin kërkojnë poltika të përshtashme dhe mjete strukturore për mësuesit dhe formuesit. Njohja dhe përdorimi i shumë gjuhëve – thonë ekspertët – jep një marsh më shumë, pasuron në nivel personal, është një e mirë me vlera të paçmuara për rritjen e personit dhe shoqërisë. Nuk është e vërtetë se gjuha del me gjuhë – thotë një pedagoge e gjuhësisë së përgjithshme dhe promovuese e kësaj nisme. Konsolidimi i gjuhës mëmë, lejon të ndërtosh një urë drejt gjuhëve të tjera dhe favorizon mësimin e tyre dhe vulën ia vë shkenca. Ka edhe të tjerë të bindur që mendojnë se për fëmijët duhen prerë urat me gjuhën mëmë që të përqëndrohen tek ajo e vendit ku jeton, që të mos i bëjë lëmsh.
Nisma lindi si nëvojë e domosdoshme, pasi ka një opinion të përhapur mes disa faktorëve që janë në qendër të mësimdhënies, ose të lidhur me të, se përdorimi i gjuhës mëmë mund të frenojë mësimin e italishtes. Shkenca në bazë të studimeve të bëra sugjeron se nëse përjashtohet gjuha mëmë nga mësimi, fëmijëve do t’u mungojë baza që të mësojnë gjuhët e tjera. Konsolidimi i saj krijon një trampolinë drejt gjuhëve të tjera. Besoj se një problem i tillë është ngritur shpesh edhe tek ne, por ka patur disa qëndrime negative të orientuara politikisht dhe që lidhen me gjuhën shqipe.

Vetë titulli i nismës – Të njohësh dhe përdorësh shumë gjuhë është burim pasurie – e përforcon faktin se bashkëprania e shumë gjuhëve nuk është jashtë natyrës sonë shoqërore, apo që nuk ka lidhje me organizmin, por është fiziologjike, që nga kohët më të lashta të bashkëekzistencës së gjuhëve dhe dialekteve të ndryshme, ku edhe Shqipëria nuk mund të mos e shikojë veten në të. Dekadat e fundit si pasojë e flukseve emigruese, në Europë kemi komunitete të shumtë që flasin edhe gjuhë të tjera, fakte të rëndësishme nga pikëpamja kulturore dhe shoqërore. Prandaj mendoj dhe këtu jemi në një unison edhe me studiuesit e tjerë, se një edukim i tillë duhet të nisë nga shkolla, në çdo nivel të saj, me metodologji të përshtatshme, të azhurnuara dhe korrekte. Apeli që del, edhe para arsmit tone, është se Institucionet duhet të favorizojnë nisma formimi dhe azhurnimi në fushën e Shkencave të gjuhësisë që ta pajisin më mirë mësuesin dhe çdo operues tjetër me risitë e kohës.

Shkenca – shprehen ekspertët – nuk ka më dyshime për avantazhet se rritja, duke zotëruar disa gjuhë, sjell rezultate nga ana konjiktive, e hap mendjen dhe e ambienton nxënësin apo të riun që, në vlerësimin e perspektivave të ndryshme, t’i çmojë dhe kulturat e tjera. Çfarë kërkohet nga shteti sot? Pikërisht ajo që e kemi theksuar shumë herë, që politikat e sotme duhet t’i shkojnë pas kërkesës, që çështja e formimit të të riut të futet në një kontekst më të gjerë, kontributi i secilit të jetë kontribut edhe për shoqërinë dhe në veçanti formimin plurigjuhësor të qytetarëve. Nëse i hyjmë thelbit të shoqërisë më tej, atëherë duhet parë edhe si kusht  për ushtrimin e të drejtave të qytetarisë, si mjet kohezioni dhe si rritje shoqërore. Ministrja italiane me ngjyrë e integrimit, e para në historinë e Italisë, e kapi thelbin e apelit, duke thënë se tutela e të drejtave dhe e pasurimit ta jep mundësinë të zotërosh më shumë gjuhë dhe më to ta përshkruash botën.

* Prej kater vitesh eshte bashkepunetor I rregullt I Gazetes “Dielli”

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Arjan Kallco, gjuhe te huaja, mesoni sa me shume

Arsimi dhe vendi i tij në OSBE

July 18, 2013 by dgreca

Nga Arjan Th. Kallço/

Universiteti Fan S. Noli, Korçë /

Arsimi dhe përsëri arsimi, ky është dhe do të mbetet lajtmotivi më madhor i një vendi nëse dëshiron që e ardhmja vërtet t’i buzëqeshë. Bota ose më mirë pjesa dërmuese e saj e ka kuptuar qysh në agimet e shoqërisë, e kupton edhe sot, pavarëisht se dituria ka arritur shkallë të tilla që dikur ishin vetëm ëndrra. Me arsimim mund të arrihet dhe të fitohet mbi çdo sfidë. Me arsim projekton vizione dhe arrin rezultate. Me arsim fiton njeriun dhe ngre një shoqëri të denjë për kohën. Por  tek ne në të gjitha këto vite, nuk janë pak, por 8-të, arsimimi i njeriut u pa si një gjë e dorës së dytë, pa të cilin mund të mbijetosh në pushtet, por që shumë shpejt tregoi se është vetëm një iluzion që herët a vonë do të shpërthente. Ta reduktosh sektorin më strategjik të një vendi në një synim ku vetëm teknologjia është primare, ndërsa njeriu skllav i tij që vetëm thith, por kurrë nuk mendon, rezulton gabim fatal. Arsimi është si një shoqëri që kërkon vëmendje të gjithanshme, por dy shtyllat kryesore nuk mund të lëvizen: forma dhe përmbajtja. Të investosh vetëm për të parën dhe këtu nënkuptoj të gjithë infrastrukturën apo modele të shëmtuara të Perëndimit, do të thotë të mos kuptosh abc-në e thelbit. Forma është logjika e përmbajtjes, por tek ne kjo e dyta, e humbi të gjithë vlerën, pasi u prodhuan reforma që në realitet e shkatërruan krejtësisht atë. Ideja e politikës militantiste bëri që shkolla shqiptare të endej në paformësi përmbajtjesh dhe ndryshime të pathemelta që nuk mund të mbanin dot peshën e rëndë të dijes. Kur idetë apo orientimet dalin nga kaosi politik, detyrimisht që edhe shkolla do të ishte një kaos i vërtetë. Një produkt i menduar si një plotësues i nevojave të politikës rrugace për synime afatshkurtëra, nuk mund të funksiononte normalisht dhe me jetëgjatësi. Po të fillojmë dhe të ballafaqohemi pak me Europën ku ende vazhdojmë të bërtasim se duam të hyjmë në të, do të shohim se jemi afër gjeografikisht, sepse me ëndrrën politike ia kemi kaluar, do ta kuptojmë sesa na kushtoi i gjithë shkatërrimi 8 vjeçar.  Jo shumë larg, porn ë ditët e fundit të muajit të kaluar, OSBE-ja nxori raportin e saj të përvitshëm që lidhet me arsimin në të gjitha vendet që e përbëjnë atë. Por më tërhoqën vëmendjen dy fakte që lidhen me shifra të shprehura në investime për arsimin dhe tjetri kur investimi nuk realizohet në % e disa vendeve lidër, kriza e ka mbërthyer keq edhe vetë Europën, i mëshohet faktorit njeri dhe brezave të arsimitarëve të përgatitur dhe formuar në vite. Qeveria e re që do të instalohet në muajin shtator dhe që mori plebishitin mbarëpopullor, duhet të fillojë të mendojë seriozisht që t’i vendosë mbi brazda të reja dhe baza të qëndrueshme të gjitha nivelet e arsimit. Europa kërkon standarte dhe këto duhen siguruar sa më mirë dhe shpejt. E kuptoj se kriza ka bërë punën e vet dhe ndoshta investimet nuk do të jenë në masën që duhet, por kemi në dorë faktorin e dytë që të mund ta mbyllim disi plagën. Përzgjedhja e mësuesve dhe pedagogëve nuk duhet më t’i lihet në dorë militantizmit, por një seleksionimi tepër të rreptë. Përmbajtja është faktor i cili nuk mund të nënvleftësohet më, prandaj profesionistët e arsimit duhet ta thonë fjalën e vet. Në raportin e OSBE-së një prej vendeve që u kritikua për progress të vogël është Italia. Përveç moshës së mësuesve, ky nuk do të ishte problem, nëse ndryshojnë ligjet e pensionit, ka mungesë të theksuar të diplomuarisht që të përgatiten për punësim në arsim.  Por edhe paga e tyre është shumë më e vogël se e vendeve kryesore europiane që në disa prej tyre ëshët edhe dyfishi. Ndërsa tek ne të diplomuarit janë të panumërt, sigurisht dihen nivelet e tyre, dhe universitetet janë shndërruar në fabrika diplomash. Për më tepër, ironia e fatit, po bëjmë me diploma edhe të huajt që nuk janë në gjendje t’i marrin në vendin e tyre. Ky është niveli real i universiteteve shqiptare përballë atyre simotrave europiane.

Instituti i njohur i Parisit, pas raportit të OSBE-së, botoi një tjetër raport që lidhet me arsimin në vitin 2013, duke evidentuar të gjitha të metat e sistemit të formimit Italian. Sipas tij Italia është i vetmi vend i OSBE-së që nuk e ka rritur shpenzimin për nxënës në dy nivelet e para të shkollës që nga viti 1995. Kur ndërkohë vendet e B.E-së e kanë rritur mesatarisht 62% nivelin e shpenzimeve për të njëjtat nivele arsimore. Pyetja është e pashmangshme: tek ne sa herë janë rritur shpenzimet për nxënës në 8 vjetët e qeverisjes së djathtë? Nuk është nevoja që të jepen shifra fiktive sa për të dhëna, por duhen parë saktësisht që më pas të bëhet dallimi me qeverisjen e mëparshme. Ky do të ishte hapi i parë i qeverisë Rama që më pas të krijohen strategjitë e drejta të arsimit. Sa ka investuar shteti shqiptar për njeriun dhe sa situata e sotme kërkon që të investohen. Përsa u përket  universiteteve italia ka një meritë, pasi qëndron më lart se vendet e tjera, me një investim prej 39% që në vendet e OSBE-së është në masën 15%. Por kjo rritje i detyrohet financimeve që vijnë nga burime private – sipas gazetave italiane. Ndërsa tek në kultmin e krizës, financimet shtetërore u kaluan edhe për sektorin privat të arsimit. Por përsëri niveli i shpenzimeve është një raport tepër i vogël me vendet e tjera që shpenzojnë një mestare prej 13.528 dollarë për student, ndaj 9580 që shpenzohen në Itali. Politikat e këtyre vendeve të përparuara janë të qarta dhe largpamëse, pasi që të jenë konkurruese në treg, duhet  investojnë për arsimin universitar. Nga ana tjetër duke kursyer për arsimin, është rritur numëri i nxënësve për mësues dhe i orëve vjetore të mësimit për ta, ndërsa ka një pakësim të orëve për nxënësit. Një masë e tillë mund të kishte dëmtuar mundësinë e të mësuarit, por nuk e kanë bërë këtë gjë: në vlerësime 15 vjeçarët  kanë rezultate të qëndrueshme në lexim dhe janë përmirësuar më matematikë dhe shkenca. Ka një përmirësim të efikasitetit në përdorimin e burimeve, por pjesa tjetër është shkatërrim – theksojnë gazetat. Disa shifra të tjera flasin qartë për gjendjen aktuale të të diplomuarve: Të diplomuarit janë të paktë, 15% e popullsisë nga 24-64 vjeç, ndaj një mestareje 32% të OSBE-së. Në vitet 2003-2009 ka rënie të 15 vjeçarëve që shpresonin të merrnin diplomë, nga 52 në 41%. Sipas Senatores Puglisi duhet dyfishuar numëri i të diplomuarve dhe përgjysëmuar humbja brenda vitit 2020. Në reduktimin e numërit del kriza e besimit tek të rinjtë. Deri këtu pamë sesi është administruar fakti i parë me probleme të shumta për të ardhmen e vetë Italisë, pasi shifra të tilla do të thotë se pas një periudhe 20 vjeçare, do të duhet të përballen me mangësi të shumta në kudro. Por fakti I dytë është më domethënësi sipas zonjës Di Menna e sindikatave UIL, e cila përsërit qëndrimin e sindikatës për rritjen e shpenzimeve në arsim, si për nxënësit, ashtu dhe për që janë  më të ulta në Europë. Rezultatet – vazhdon ajo – vijnë si rezultat i impenjimit profesional të mësuesve, pavarësisht  numërit  në rritje të nxënësve për klasë. Italia është një ndër vendet më të industrializuara të botës dhe nga politika të gabuara arsimore, po i paguan sot ato në renditjen europiane, që do të thotë një vend më pak kompetitiv në tregun e përbashkët europian. Por kemi edhe një fakt tjetër shumë domethënës, pasi shumë të diplomuar, duke mos gjetur punësim në Itali, po detyrohen të largohen drejt vendeve që u ofrojnë kushte më të mira pune dhe pagese. Në një krizë të tillë alarmante është dhe Greqia e cila vitin e kaluar pa t’i largoheshin rreth 40% e të diplomuarve drejt Amerikës dhe Europës.

Uroj që qeveria e re ta marrë shumë në konsideratë arsimin, për ta bërë atë siç ka qënë dikur të fortë dhe tani konkurrues në një realitet të ri, atë europian. Kjo kërkon prej saj një impenjim që në ditët e para, me përzgjedhjen e satfeve fituese, ndaj korrupsionit dhe apatisë. Një shkollë e rënuar nga korrupsioni, paaftësia dhe plogështia, do të ishte gjemb në këmbë në të ardhem e kombit.


Filed Under: Kulture Tagged With: Arjan Kallco, Arsimi, dhe vendi i tij, në OSBE

Margarita Dyras : Gjëja më e keqë që mund të të ndodhë në jetë është të mos dashurosh

July 16, 2013 by dgreca

Është e vështirë të vdesësh, por në një farë momenti e vë re se gjërat e jetës përfundojnë./

Nga Arjan Th. Kallço/

 Të shkruash sot për femrën gjendesh para disa dilemave të mëdha të kohës. Përhapja e dhunës ndaj grave në familje këto ditët e fundit tek ne po nxjerr qartë sesa nevojë ka shoqëria e sotme shqiptare që të civilizohet në marrëdhëniet burrë-grua. Duket se ndërrimi sistemeve e përkeqësoi figurën dhe pozicionin e gruas. Jeta sot po tregon se vështirësitë e ekonomike po e ashpërsojnë raportin mes tyre jo vetëm në familje, por edhe më gjerë. Një shoqëri duke mos patur asnjë kriter vlerësimi në selektimin e njeriut, detyrimisht që do të shkiste në këtë tragjedi që çdo ditë flet për dhunën e pashembullt ndaj saj. Nuk ka dyshim se pozicioni dhe roli i saj në jetën e përditëshme ka ndryshuar, sidomos në shekullin e fundit. Shekulli i ri ka një fizionomi tjetër kur flitet për femrën. Në shumë vende të botës, sidomos vendet arabe, gratë po përpiqen që të fitojnë më shumë të drejta në jetë, duke kërkuar edhe barazinë me burrin. Në vende të tjera qytetërimi po u krijon kushte marramendëse grave të cilat duket se po kërkojnë më shumë të drejta sesa u duhen në realitet. Kjo ka sjellë si pasojë një mbivlerësim të tyre në jetën shoqërore, duke krijuar idenë se sot bota mund të ecë para vetëm me rolin e tyre udhëheqës. Nëse të gjitha gratë, nuk ka asnjë mundësi që të jenë të barabarta edhe brenda llojit, do të tregonin një supremaci totale, siç pretendohet nga shoqatat e pafund të grave, atëherë gjeniu i sotëm do të mbante emrin femër. Por nëse i referohemi fakteve, nga e gjithë moria e grave që përpiqen të kenë karrierën e tyre në jetë, jo të gjitha i përmbushin standartet, pasi janë të pakta, shumë të pakta ato që vërtet e mëritojnë respektin e shoqërisë kur bëhet fjalë për pozicionin në hierarkinë e saj. Nuk e kam fjalën për kulturën dhe shkencën, se ndoshta janë më të shumta se në politikë apo në drejtime të tjera. Sa janë ato gra që bëjnë dhe duan të bëjnë sakrifica të pafund për shoqërinë? Sa janë ato gra që sot përballen me regjimet për të drejtat e tyre? Dukë qënë firmëtar i disa apelimeve të Amnisty Internacional në mbrojtje të të drejtave të njeriut, ju siguroj se numëri i tyre është shumë i papërfillshëm në krahasim me atë të burrave. Nuk dua të ndalem dhe të bëj apologjinë e burrit apo e rrethanave historike të ecurisë së dominimeve. Ka shumë mendime dhe ide, saqë nuk mund të gjesh kurrë dy mendje bashkë. Ditë më parë po lexoja një artikull për një shkrimtare franceze që vërtet ta mbush mendjen për femrën që e meriton të gjithë vëmendjen. Jo sepse është shkrimtare, por po të lexosh për jetën e saj, duke ju kujtuar se jetoi në shekullin e kaluar, do të shohësh dhe vlerësosh karakterin, forcë, guximin, kurajon në përballjen me jetën dhe me problemet shoqërore. Një shekull më parë duhet të jemi të vetëdijshëm, problemet shoqërore kanë qënë edhe më të rënda se sot, të paktën në Europën tonë.  Flitet për një Shovinizëm të francezëve që çuan në gabime të bujshme që me Margarita Dyrasin dhe zgjatën 25 vjet. Po sjell nëj profil të saj, duke u bazuar tek intervistat që ajo ka dhënë.

Margarita Dyras lindi në vitin 1914 dhe u nda prej saj në Paris në vitin 1996. Shkrimtare dhe regjizore franceze e shumë tregimeve të shkurtëra, të filmave dhe kryesisht romaneve. Famën e vet duhet t’ia dedikojë një gazetareje italiane që me shumë zell dhe këmbëngulje bëri atë që nuk e kishin bërë dot francezët për një bashkëkombase të tyren. E quan shkrimtare tekanjoze dhe të ashpër, të shkurtër, të himët dhe autoritare. Në fillim mosbesimi e shtyu shkrimtaren që ta kontrollonte intervistuesen se mos shkruante për bisedat, ndërsa ajo fliste në telefon. Por më pas bisedat e tyre, edhe pse Dyrasi i kishte thënë se nuk kishte shumë kohë, i kaluan caqet e një konfidence diplomatike, duke kaluar në rrëfime të gjata.

Familja, fëmijëria në Vietnam, i dashuri kinez, Franca, komunizmi, martesa, letërsia, kinemaja, teatri, alkolizmi. Dyrasi fliste lirshëm, ndoshta duke menduar se rrëfimet nuk do të mbërrinin kurrë tek lexuesit francezë.  Dhe vërtet libri “Pasioni pezull”  në fillim nuk u duk në atdheun e saj, por shpejt u bë  tepër i kërkuar. Me gazetaren Della Torre foli për shumë gjëra, për dashurinë, poltikën, shijet seksuale. Shkrimtare dhe grua e pamëshirshme me veten dhe të tjerët. Lindi në Indokinë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë, deri në moshën 18 vjeçare e kaloi aty dhe për atë kohë ka kujtime plot vuajtje. “E gjithë letërsia ime lindi aty, tek orizoret, në pyjet, tek vetmia. Isha një fëmijë e emancipuar dhe përhumbur, një Borebardhë e vogël, me fytyrën e djegur nga dielli, zbathur, pa orar dhe e paedukuar. Më bren ndërgjegjia për pjesën më të madhe të asaj jete. Por papritur me dhunë, gjërat e jetuara me pavetëdije, kur isha 12 vjeçe, më bënë sërisht një vizitë tek mua. E gjeta të paprekur varfërinë, frikën, hijen e pyllit, tigrat, lebrozët që më terrorizonin. Diçka e egër mbetet brenda meje edhe sot. Një lloj ngjitje kafshore me jetën”. Më pas kujtimet marrin tjetër rrugë dhe shkojnë në tjetër vend. “Në Kamboxha nëna prej kohësh bleu një koncesion për një orizore që nuk mundi ta kultivonte nga përmbytjet detare. Punoi 20 vjet dhe i dha fund jetës së varfër, e vetme në brigjet e Loiras”. Udhëtimet dhe vendet ku jetoi kanë brenda tyre edhe ndjenja dhe emocione që ndryshojnë nga një vend tek tjetri. Në vitin 1930 Dyrasi u transferua në Saigon, ku dashurohet me një të ri kinez, që do të jetë protagonist i librit të saj që në Itali doli me titullin “I dashuri”. Libri I dha famë ndërkombëtare dhe mori çmimin Goncourt. “Deri atëherë isha një klandestine, jetoja me të drejtat gjermane dhe angleze të autorit. I dashuri është një libër i egër që doli nga errësira ku e kasha mërguar fëmijërinë time. Pastaj në një farë pike thashë: përse tani që nënë ime nuk jeton më të mos i tregoj këto gjëra? Për atë njeri kujtoj trupin kinez që nuk më pëlqente, por që e shijonte  timin. Forca e dëshirës ishte totale, e papërcaktuar, e verbër, përtej ndjenjave. Dashuroja dashurinë e tij për mua dhe atë erotizëm të ndezuar shpesh herë nga keqkuptimet tona”. Pas dy vjetësh u tranferua në Paris, ku u martua me Robert  Antelmin dhe filloi të shkruajë. “Kisha nevojë ta bëja të fliste heshtjen nën të cilën më kishin ndrydhur”.  Pushtimi nazist nuk mund të mos ndikonte edhe tek Dyrasi e cila bashkë me burrin mori pjesë në Rezistencë dhe më pas hyri në Partinë Komuniste. “E bëra, sepse desha të dilja nga vetmia, të hyja në një grup me ndërgjegje kolektive. Isha në djeni të Gulagut, të Pogromit,  por të hyja, do të thoshte ta gjeja veten tek fati i Partisë dhe të çlirohesha nga i imi. Kështu vuajtjet e mia, dhimbjet e mia bëheshin dhimbje klasore. Tash jam një komuniste që nuk e gjen veten tek komunizmi”. Romani i saj i parë Të pacipët , ia hapi derën tek botuesi i Gallimard-it që në fillim e refuzoi, edhe pse e quajti “madamë, ju jeni një shkrimtare”, por një vit më vonë ia botoi librin “Jetë e qetë”. “Shkruaj që të kem njohje, që të masakrohem dhe në vazhdim të tërhiqem që vepra ta zërë vendin tim dhe unë të dukesha më pak. Arrij të çlirohem prej vetes me idenë e vetvrasjes dhe shkrimit”. Përsa i përket shijeve letrare, i pëlqente shkrimtarja italiane Elsa Morante dhe Colette, por është e ashpër me të gjithë shenjtorët e letërsisë franceze. Margarita Jurcenar me librin Kujtimet  e Adrianos  është për të një libër i madh, pjesa tjetër, duke filluar me Arkivi i veriut e të tjerë, duken të palezueshëm.  E lashë në mes. Sartri? Besoj se është përgjegjësi i vonesës së vajtueshme kulturore dhe poltike franceze. Kamyja? Si të gjithë bashkëkohorët është i mërzitshëm”. Pati problem të shumta me alkolin, gati 40 vjet, dhe vetëm shtrimi në një spital amerikan, ia ndryshoi  jetën. Por të bën përshtypje forca e saj e padiskutueshme kur flet për dashurinë, një urtësi me të cilën po e mbyll këtë shkrim: Gjëja më e keqë që mund të të ndodhë në jetë është të mos dashurosh.

Filed Under: Kulture Tagged With: Arjan Kallco, dashuria, Margarita Dyras

Kultura ka nevojë për një manifest të ri

July 12, 2013 by dgreca

Nga Arjan Th. Kallço/

Tashmë gjithëkush e ka të qartë se globalizmi po kalon një krizë të dyfishtë, krizë ekonomike për të cilën nuk kemi çfarë të shkruajmë më, janë thënë e stërthënë shumë gjëra, por më e rëndësishmja se është krizë e sistemit. Kriza e dytë që është pasojë e drejtpërdrejtë e të parës, është kriza në kulturë e cila po godet pa mëshirë çdo aspekt të saj. Në këtë udhëkryq ku nodhet sot kultura, e braktisur totalisht nga strategji politike afatgjata me karakter kombëtar, nuk mund të rrijë duarkryq, pasi kështu do t’ia afronte ngadalë fundin vetes. Shoqata Ndërkombëtare e Kritikëve Letrarë ka një mision të lartë për të kryer dhe po e kryen më së miri me konferencat e saj të përvitëshme me synimin që jo vetëm të evidentojë letërsinë e vendeve të ndryshme me autorët e saj më të njohur, por edhe të shërbejë si urëlidhëse midis kulturave. Konferenca e fundqershorit që u mbajt në Leçe, Itali, nga data 28 – 29 qershor 2013 është dëshmia më e madhe e këtij kontributi. Nëse e shohim me kujdes temën e konferencës, Mesdheu në origjinën e letërsisë së udhëtimit, do të bindemi plotësisht se ky deti që lag shumë shtete, është një mundësi më shumë, ku këto kultura të komunikojnë mes tyre. Në deklaratën e përbashkët të të gjitha institucioneve që organizuan këtë konferencë, nuk janë pak, por 11, thuhet shprehimisht se Mesdheu është deti që në shekuj i ka bashkuar popujt dhe kulturat, djepi i qytetërimit dhe frymëzuesi i kohëve të historisë, të njerëzve dhe heronjve që e kanë eksploruar, të shtyrë nga dëshira për  njohje në kërkim të kuptimit të jetës dhe të ballafaqimit me njëri-tjetrin.

Në konferencë gjatë përshendetjes së zv/kryebashkiakes Carmen Tessitore na bëri përshtypje një nismë sa e bukur aq dhe humane. Kriza e përhershme e shoqërisë e ka bërë njeriun gjithnjë e më human ndaj tjetrit, populli është gjeniu më i madh i zgjidhjeve praktike, duke dashur gjithmonë të mendojë edhe për të varfërit, pë rata që nuk kanë mundësi të pinë qoftë edhe një kafe në lokalet e shumtë të qyteteve. Varfëria është plaga më e rëndë që mbart bota dhe para saj askush nuk duhet të soditë ata njerëz që nuk kanë asnjë mundësi për të jetuar me dinjitet jetën. Legjenda napolitane flet për njerëz të mirë që mëngjeseve dhurojnë një kafe për të varfërit, në anonimatin më të plotë, në respekt të dhuratës, ai që e bën nderin, nuk e tregon kurrë atë. Kjo legjendë e kishte shtyrë zonjën që të ndërmerrte një nismë të klonuar, por mjaft të dobishme. Në vend të një kafeje, do të dhurohet një libër për të gjithë ata që nuk e kanë mundësinë që ta blejnë atë. Jemi në periudhë vere dhe shumë njerëz do të shkojnë me pushime, të tjerë do të qëndrojnë në shtëpitë e tyre për arsyet e krizës që thamë më sipër, por të bindur se është koha më e çmuar për të lexuar libra nën çadrat buzë detit, ose pasditeve në pauzën pas dreke. Një nismë që mendoj ta marrim të gjithë, aq më shumë tek ne, kur duket se libri është braktisur nga shumica e shqiptarëve, të cilët rendin në mënyrë masive, të paktën të rinjtë, drejt teknologjisë, internetit.  Siç e kam theksuar edhe një herë, bamirësit më të mirë janë dhe do të mbeten vetë shkrimtarët dhe poetët, që edhe për shkak të tregut të librit në Shqipëri dhe kompleksitetit të kushteve, pjesën më të madhe të botimeve, ua dhurojnë miqve dhe shokëve. Besoj se edhe këtë verë botimet e shumta që do të dalin do të kenë të njëjtin fat, pra do të përfundojnë në duart e njerëzve të cilët pasi e fjetën mendjen nga zgjedhjet, tash duhet t’i rikthehen punës dhe kulturimit. Nuk e di nëse është bërë ndonjë sondazh këto javët e fundit tek ne, ku të merren përqindje për numërin e librave të lexuar nga çdo shqiptar në muajin qershor. Vështirë do të mendojnë shumë qytetarë, pasi një impenjim jetësor ia zuri vendin kulturimit. Dhe tek ne është plotësisht e drejtë, duke parë sesi preferencat në punësim nuk ndjekin rregullin e përcaktuar në një shoqëri demokratike, por bazohen ende tek militantizmi, korrupsioni më i madh i shoqërisë sonë. Dua ta shtrij këtë nismë, pikërisht mes donatorëve që edhe tek ne nuk mungojnë, me qëllim që kjo verë të mos kalojë lokaleve duke e vrarë kohën kot për të rinjtë, por të rifillojë një proces riedukimi, duke e kthyer të gjithë vëmendjen tek kultura. Kultura është e shumëfishtë, prandaj duhen gjetur mënyra dhe forma që secili element përbërës i saj të gjejë rrugën e drejtë të të startit, kryerjes dhe përfitimit. Nuk ka përfitim më të madh sesa pajisja me dije dhe kulturë. Ka ardhur koha që të gjithë njerëzit e vërtetë të kulturës, të ndihmuar edhe nga Ministria e Kulturës, uroj që ministër i ri të jetë një njeri që i përket asaj, ta drejtojnë shpirtin dhe mendjen tek e gjithë trashëgimia jonë. Ka shumë pasuri që duhen evidentuar, promovuar dhe stimuluar, e thënë më qartë, politika të qarta ku të bashkohen interest tona më të gjera kombëtare. Institucionet lokale në Leçe e kishin prioritet, pasi shohin tek kultura një prej burimeve më të çmuara edhe të lehtësimit të krizës ekonomike që e ka përfshirë Italinë. Poeti italian Bruno Rombi, të cilin tashë e njihni përmes një cikli poezish që sollëm bashkë me revistën Obelisk dhe organe të tjera, priret drejt një risije tjetër që duhet ta sjellë vetë kultura: një manifest kombëtar të secilit vend dhe më pas një botëror, ashtu si shumë manifeste apo deklarata që kanë vlefshmëri europiane dhe botërore. Në stadin aktual të shoqërisë së sotme, një manifest i ri për kulturën është domosdoshmëri, duke iu referuar edhe vetë gjendjes ku vegjeton kultura sot, e parë në të gjitha llojet e mediave, në skenat e teatrove,  kinemave dhe ekraneve televizive. Kultura e mediokritetit e propoganduar si modeli i shekullit të ri, nuk ka moment kur kjo të mos e shfaqë fytyrën e vet, duhet t’ia lerë vendin një kulture tjetër, asaj të mbrujtur me një frymë të re, me një koncept të ri, me një vizion të ri. Pra nga njerëzit e kulturës kërkohet një revolucion i madh gjithpërfshirës ku antikultura t’ia hapë rrugën asaj kulture që nuk i çedukon të rinjtë, por përkundrazi i edukon, i mëson ta duan kulturën kombëtare, ta mësojnë, ta përhapin, ta ruajnë, ta respektojnë atë. E gjithë kultura jonë, edhe e shekullit të kaluar, sado e vogël që të jetë, është kultura e një populli që diti ta krijonte, ta shprehte, ta përhapte kudo, edhe nëpër botë, por tash po rrezikon që të zhduket, e mbërthyer fort nga mania e shkatërrimit të gjithçkaje të kaluar, për ta zëvendësuar me një të re në dukje moderne. Bota nuk është kaq e papërgjegjëshme ndaj së shkuarës, mjafton të shkoni dhe të vizitoni Leçen, qyteti që shumë mirë i gërsheton disa kultura të qytetërimeve që dominuan në shekuj.

*Anëtar i SH.N.K.L

Filed Under: Kulture Tagged With: Arjan Kallco, Kultura, nje manifest i ri

Mesdheu : origjina e letërsisë së udhëtimit

July 6, 2013 by dgreca

Nga Arjan Th. Kallço/

Në orën 21.00 trageti mbëriti në portin e Brindizit dhe ngadalë iu afrua molit që të ankorohej. Pasagjerët nisën qysh më parë që të lëviznin drejt derës kryesore të hekurt, me qëllim që të mos vonoheshin në dalje. Bashkë me djalin beratas u gjendëm të parët tek shkallët, pasi në atë orë nuk është e lehtë të gjesh tren apo autobus për të shkuar në Leçe. Dera e tragetit u hap dhe njerëzit vraponin për tek dogana. Tek dera e hyrjes disa policë na ftuan që të prisnim derisa gjithçka të ishte gati. Më pas u gjendëm në brendësi të godinës ku kontrolloheshin dokumentat. Për pak minuta kontrolli përfundoi, ashtu dhe meraku i bashkëudhëtarit tim që në çastin e kontrollit, ia përktheja bisedën midis tij dhe policit. Një lloj konfuzioni i paqtë mbizotëroi disi në kërkim të njerëzve dhe dokumentave përkatëse dhe më pas dolëm për t’u drejtuar tek hyrja e portit ku na priste i vëllai i bashkëudhëtarit. Pasi u prezantuam, më ftuan që ta bëja bashkë me ta rrugën deri në Leçe. Një kortezi që në atë orë të vonë të natës vështirë se e gjen mes qytetarëve të huaj që nuk i ke njohur kurrë. Gjaku nuk bëhet ujë – thonë. Pas nja 45 km mbërritëm në qytetin e Leçes dhe gati në qendër ishte hoteli ku do të qëndronim disa ditë, bashkë me të gjithë anëtarët e tjerë të Shoqatës Ndërkombëtare të Kritikëve Letrarë. Pasi bëra regjistrimin dhe mora celësin, vrapova për në dhomën time ku surprizat nuk mungonin. Hoteli ishte i një klasi të lartë dhe sapo hyra, mbi tryezën e dhomës, një letër që më uronte mirëseardhjen në konferencë. Ndeza televizorin sepse kishte ndeshje, luante Italia dhe Spanja. Pas një dushi të domosdoshëm në ato momente, rruga e gjatë nga Korça deri në Brindizi, sado e lehtë që të jetë, e kërkon një çlodhje dhe nuk ka më mirë sesa një banjë. Kur mbërrin në qytetin për ku je nisur dhe pasi i zgjidh disa probleme emergjente të strehimit dhe akomodimit, edhe mendja sikur qetësohet. Ndjen një relaks të këndshëm, pas stresit të rendjes deri fundin e aventurës së udhëtimit, kur bagazhet pushojnë në një hotel dhe zemra fillon të rrahë normalisht, e lehtësuar nga të papriturat e panjohura të vendit ku ke shkuar.

Të nesërmen në mëngjes, pasi u takova me miqtë e ardhur nga shumë vende dhe pas një mëngjesi bujar në hotel, u drejtuam për në qendrën historike të qytetit, një perlë e gërshetimit të disa kulturave, me emrin Barok,  ku do të zhvillonte punimet konferenca dy ditore me temë : Mesdheu : origjina e letërsisë së udhëtimit. Na pritën drejtues të Agjensisë së Trashëgimisë kulturore euromesdhetare të Leçes, kryetari i Provincës së Leces, zv/kryebashkiakja, zv/rektorja e universitetit e të tjerë. Presidentja e Agjensisë znj. Bortone na uroi mirëseardhjen dhe foli për rëndësinë e këtij bashkëpunimi në evidentimin e traditave të kulturës kombëtare në kuadrin mesdhetar dhe përpjekjet që kultura të jetë urë lidhëse për të gjithë popujt. Më tej u ndal edhe tek bashkëpunimi i disa institucioneve që bëri të mundur realizimin e konferencës. Përshëndetën autoritetet lokale të cilat e vunë përsëri theksin tek roli i madh i kulturës dhe mundësisë që ajo të jetë gjithëpërfshirëse dhe tërheqëse për popujt, si dhe inkuadrimin e politikave të drejta për promovimin e saj. Një përshëndetje e këndshme që dua ta nxjerr në pah, ishte edhe e zv.rektores që e vlerësoi këtë takim, duke theksuar se edhe universiteti që përfaqësonte kishte kontributin e vet.

Por në këtë kohë krize edhe kultura po vuan nga mungesa e fondeve, por gjithësesi duhen gjetur rrugë që promovimi të mos e cënojë apo shkatërrojë ndihmën ndaj saj. Ideja dhe propozimi i zv/kryebashkiakes Tessitore, për një dhuratë, libër, të lënë për miqtë, do të ishte një nismë që mund të shtrihej kudo. Dihet se vera është stina më e mirë për të lexuar, por leximi duhet të jetë pjesë e jetës në të gjitha stinët. Nismë që shumë mirë mund ta adoptojmë edhe tek ne, duke parë rënien e interesit total për leximin. Besoj se avangarda e kësaj nismë kanë qënë dhe do të jenë poetët dhe shkrimtarët të cilët janë dhuruesit më të mirë të librit.

Presidentja e Shoqatës De Giovanni pasi i falenderoi të gjithë faktorët që ndihmuan në organizimin e konferencës, u ndal tek mesazhi që kjo veprimtari përcjell, atë të njohjes së letërsive respektive, të autorëve të Mesdheut, të kulturave që e gjallojnë atë dje dhe sot me të gjitha vargjet e bukura që lexojmë. I falenderoi të gjithë pjesëmarrësit, edhe ata që erdhën nga larg, shumë larg, deri dhe nga Japonia, pasi e tillë është natyra e shoqatës.

Më pas filloi punimet konferenca dy ditore me një temë tepër interesante dhe të gjerë që kishte në qendër detin, udhëtimin, krahinat që lagen nga Mesdheu, autorë dhe autore, epoka, histori, mite. Ditën e dytë të punimeve më takoi të flisja për Letërsinë shqiptare, pikërisht për poezinë që nga viti 1944 e deri në vitin 1990 dhe për autorin dhe lirikun më të madh shqiptar të asaj periudhe, gjeniun dhe mjeshtërin e vargut, Dritëro Agollin. Nuk mund ta ndash atë nga poetët e tjerë të mëdhenj të Mesdheut, nga deti, edhe pse nuk e ka njohur që në vogëli, nga udhëtimi që ka emrin jetë, nga të gjitha udhëtimet që Shqipëria përshkoi në mbi 45 vjet të historisë së saj, nga libri i madh Udhëtoj i menduar, që çdo autor do ta meritonte ta shkruante. Në thelb udhëtimi është një filozofi më vete që, nëse shkenca e mendjes dhe arsyes nuk e ka marrë shumë në konsideratë, janë poetët ata që i japin frymëmarrje gjithë filozofisë së udhëtimit. Konferenca i mbylli punimet në një abaci, kishë, ku ende dukeshin gjurmët e traditave ortodokse të ndërtimit dhe afreskeve. Ndoshta midis piktorëve të asaj kohe ka patur edhe shqiptarë të cilët si kurdoherë kanë lënë gjurmët e tyre të gjalla në kulturën e vendit fqinj.  Në fund një recital me poezi të autorëve pjesëmarrës në konferencë dhe disa çmime për kontributet në kulturë. Gjatë qëndrimit tonë në Leçe patëm mundësi që të shijonim edhe kuzhinën e pasur të Salentos, krahinë që mbi 22 vjet më parë hapi dyert e saj për të pritur me mijëra emigrant Shqiptarë. Asgjë nuk kishte ndryshuar nga mikpritja e tyre fisnike dhe e dashur. Kanë ndryshuar vetëm kohët.

Ditën e dielë 30 qershor rruga e kthimit për në atdhe ndalet në Brindizi, një qytet ku deti është kryefjala e ditës, ku vera edhe pse disi e freskët, kishte hapur zemrën dhe pushues të shumtë shëtisnin mbrëmjeve buzë detit, përgjatë shëtitores së saporestauruar. 5 orë më tutje, drejt lindjes, përballë, ndodhej atdheu im.

Nga njëra Itakë tek tjetra

Ai rrip toke mbi të cilin

Hodha hapat e fundit në tokën amëtare

Për të hipur lart në anijen “Shuttle”,

Po largohej gjithnjë e më shumë

Dhe mjegulltazi po zhdukej në det.

Valët e bardha shkumbonin

Si të zemëruara me ndarjen:

Kush është ai njeri që nuk derdh lot,

Kur diçka të dashur e humbet !…

Filed Under: Reportazh Tagged With: Arjan Kallco, Mesdheu, origjina e leterersise, se udhetimit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 10
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT