• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VIZIONI PERËNDIMOR DHE PROPAGANDA ELEKTORALE

May 6, 2023 by s p

Artan Nati/

Vizioni që kishte Albert Ajnshtajn për energjinë bërthamore përfundoi në destinacion të gabuar në Hiroshima, në tragjedinë njerëzore më të madhe të botës. Në fakt, vetë Ajnshtajni ishte pacifist dhe punoi për të promovuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe çarmatimin. Po kështu vizioni që kishte populli Shqiptar për demokracinë, përfundoi në tragjedinë e 97-ës si pasojë e vizionit të gabuar për arritjen e demokracisë të gjithë aktorëve politikë në Shqipëri. Ashtu si edhe vizioni jonë për të shkuar drejt Europës në fakt na çoi më afër autokracive të tipit Amerikano – Latin .
Vizioni për të ardhmen është bërë fjala magjike në këtë kohë fushate që shqiptohet çdo ditë majtas e djathtas nga veriu në jug, në çdo bashki e komunë. Është e vështirë të dallosh vizionin nga propaganda për marrjen e votave dhe shpesh kur politikanët tanë flasin për vizionin në të ardhmen ,e bëjnë për qëllime propagandistike pa përcaktuar detaje dhe shpesh politikanët janë tërësisht injorant për konceptin e vizionit perëndimor dhe proçesin se si mund të arrijmë në perëndim. Shqipëria nuk mund të shkojë drejt Europës me autobuzë falas apo me fidane të mbjellura në prag fushate, por me një vizion të qartë për të ardhmen të mbështetur në fakte dhe eksperiencën botëore. Kur interesat e politikanëve janë në rrezik, palët e prekura drejtpërdrejt zakonisht kuptojnë qartë se cila është çështja dhe çfarë ata individualisht kanë për të fituar ose humbur. Publiku i gjerë mund të mos kuptojë dhe në të vërtetë mund të jetë i hutuar pikërisht për shkak të propagandës së palëve kundërshtare. Konflikti i vizioneve përcakton ndarjen e epopeve dhe në Shqipëri bëhet fjalë për ndarjen nga tranzicioni i gjatë. Vizioni në vetvete i jep formë mendimeve tona dhe shërben si hartë për rrugën që duhet ndjekur për në destinacion. Në thelb të çdo vizioni qëndron natyra njerëzore, një hartë e universit dhe një version i historisë, kuptohet të perceptuara në mënyra të ndryshme në varësi të eksperiencës personale dhe formimit .
Filozofi Francez Rousseau thotë se “Njeriu lind i lirë, por kudo ku ai shkon është në pranga“ Rousseau besonte se qeniet njerëzore ishin natyrshëm të mirë, por shoqëria i korrupton dhe i skllavëron përmes imponimit të ligjeve, institucioneve dhe normave. Në vendet e korruptuara siç është vendi ynë, kjo është veçanërisht e vërtetë. Korrupsioni është në të gjitha nivelet e shoqërisë dhe ka minuar sundimin e ligjit, duke e bërë të vështirë për individët ushtrimin e të drejtave dhe lirive të tyre. Korrupsioni gjithashtu ka krijuar një kulturë frike dhe mosbesimi, ku njerëzit hezitojnë të flasin kundër abuzimeve me pushtetin nga frika e hakmarrjes. Kjo po ndodh në Shqipëri nën lidershipin e partisë socialiste si në bashki, komuna apo edhe në mbarë vendin. Shqiptarët janë të lirë, por kur shkojnë në institucionet shtetërore, ata e gjejnë veten në pranga. Në gjykatë ne jemi të pafuqishëm të gjejmë drejtësi, sepse fitues del ai që paguan më shumë. Në spitale duhet të marrim shërbimin pa pagesë, por përfundojmë të paguajmë për shërbimin që nuk jepet siç duhet. Biznesmenët e ndershëm duhet të paguajnë tek pushtetarët e korruptuar për të ushtruar veprimtarinë e tyre. Taksapaguesit duhet të paguajnë për inceneratorët e papërfunduar dhe rrugët me cilësi të dobët. Mendoj se ky është vizioni i munguar tek ne, se si mund të bëjmë qytetarët e barabartë para institucioneve që nuk dëgjohet nga akush, as e majta e as e djathta, as nga Veliaj dhe as nga Këlliçi. Çelësi i suksesit të perëndimit është se perëndimi bëri të mundur heqjen e prangave të individit kudo ku ai shkonte në institucione. Gjithashtu në perëndim në qendër të vemendjes është individi dhe jo njeriu i fuqishëm, ata kanë barazi mundësish për të ecur në jetë. Si pasojë e këtij vizioni perëndimor, brenda 30 vitesh pas luftës së dytë botërore, perëndimi arriti të triumfojë ndaj çdo sistemi të njohur botëror dhe krioi një parajsë ku aspiron dhe ëndërron gjithë njerëzimi .
Adam Smith, i referuar shpesh si babai i ekonomisë moderne, ishte një avokat i shquar i individualizmit në sistemin kapitalist. Në veprën e tij më të famshme, “Pasuria e Kombeve”, Smith argumentoi se individët veprojnë në interesin e tyre vetjak dhe përfundimisht këto veprime individuale do të rezultonin në një ekonomi më efikase dhe më të begatë, në dobi të shoqërisë në tërësi. Smith besonte se kur individët ndiqnin interesat e tyre ekonomike, ata natyrisht do të prodhonin mallra dhe shërbime që njerëzit e tjerë dëshironin, duke çuar në një ekonomi më efikase dhe produktive.
Për më tepër, Smith argumentoi se ndërhyrja e qeverisë në ekonomi duhet të jetë e kufizuar, pasi tregjet natyrisht do të vetërregulloheshin për të arritur rezultate optimale .
Shqipëria ka nevojë për këtë vizion perëndimor, ku çdo individ dhe jo njeriu i fuqishëm, të jetë i lirë dhe i barabartë përpara çdo institucioni dhe pushtetarët duhet të jenë shërbëtorët e tyre. Ne si qytetarë kemi nevojë të dëgjojmë vizione të ndryshme për të ardhmen e vendit sepse nuk janë pushtetarët që ndëtojnë vendin, por iniciativa e lirë e individit të lirë. Roli parësor i qeverisë është të krijojë dhe zbatojë ligje që mbrojnë të drejtat dhe liritë e qytetarëve të saj, duke promovuar gjithashtu mirëqenien e shoqërisë në tërësi. Kjo përfshin ofrimin e shërbimeve thelbësore publike, si arsimi, kujdesi shëndetësor dhe siguria publike, si dhe rregullimi i aktiviteteve të biznesit për të garantuar konkurrencë të ndershme dhe për të mbrojtur konsumatorët nga praktikat e dëmshme.

Filed Under: Fejton Tagged With: artan nati

Dorëheqja si proces vetëdijësimi

March 21, 2023 by s p

Artan Nati/

Edipi ishte një princ për të cilin Orakulli kish paralajmëruar profecinë se në moshë të re ai do të vriste të atin dhe me pas do të martohej me nënën e vet. Për të shmangur këtë fat, prindërit e tij e braktisën si foshnjë, por ai u shpëtua dhe u rrit nga një familje tjetër. Si i rritur, Edipi padashur e përmbushi profecinë duke vrarë babanë e tij në rrugë dhe më vonë u martua me nënën e tij, Mbretëreshën Jokasta. Kur e vërteta u zbulua më në fund, Jokasta vrau veten dhe Edipi u verbua nga tmerri dhe turpi. Ai u internua nga mbretëria dhe jetoi pjesën tjetër të jetës së tij si një lypës endacak. Kjo profeci bazohej në njohurinë hyjnore në të cilën kishte akses orakulli dhe besohej se ishte e pagabueshme. Natyrisht kjo njohuri hyjnore sot quhet subkoshiencë ose pavetëdije. Efekti i Edipit veç të tjerash është një koncept psikologjik që i referohet tendencës së njerëzve për të kërkuar dhe rikrijuar në mënyrë të pandërgjegjshme modele sjelljeje që pasqyrojnë konflikte të pazgjidhura nga e kaluara e tyre. Historia e Edipit shihet shpesh si një përrallë paralajmëruese për kotësinë e përpjekjes për t’i shpëtuar fatit, si rezultat i injorimit të pavetëdijes sonë.
Në përgjithësi, efekti i Edipit në kontekstin e udhëheqjes së një partie politike thekson rëndësinë e vetëdijesimit dhe rreziqet e mundshme për të qenë tepër i fokusuar në rezultate të caktuara ose në interesat e veta personale. Udhëheqja efektive kërkon një ekuilibër midis ambicies personale dhe një përkushtimi për t’i shërbyer të mirës më të madhe. Liderët e shtetit apo partive tona politike janë produkt i kulturës kombëtare që bazohet në patriarkalizëm dhe shoqërinë hierarkike, ku autoriteti i të parit të grupit, fisit apo i vendit është i padiskutueshëm dhe nqs ai është vërtetë burrë kurrë nuk tërhiqet, kurrë nuk jep dorëheqje , por qëndron deri në fund, m.gj.s mund të shkaktojë tragjedi. Po të pyesnim orakullin sot, me siguri do të përgjigjej se : ndikimi i një lideri autoritar në një parti politike mund të jetë negativ, pasi mund të çojë në një ulje të unitetit të partisë, humbje të popullaritetit dhe paaftësinë për t’u përshtatur me rrethanat e reja. A nuk duket kjo si realiteti që ne jetojmë në Shqipëri?
Shpesh dëgjojmë nga simpatizantë të partive politike apo edhe anëtarë të tyre dhe njerëz të thjeshtë se edhe të rinjtë i kemi provuar dhe kanë dështuar totalisht. Faktet tregojnë se ata kanë të drejtë dhe është e vështirë të provosh të kundërtën. Ashtu si Edipi nuk mund të ndryshonte dot fatin e tij dhe më në fund verboi veten, sepse ishte i paaftë të shikonte me sy hapur fundin e tij, duket sikur ka ndodhur edhe me politikën dhe qeverisjen e vendit tonë. Problemi mendoj se qëndron tek të rinjtë, por te proçesi nëpërmjet të cilit ata zgjidhen. Mendoj se në pavetëdijen tonë është rrënjosur praktika se të rinjtë duhet të marrin bekimin e njerëzve të fuqishëm në parti apo qeveri dhe pastaj të promovohen. Bazuar në këtë eksperiencë të rrënjosur në pavetëdijen tonë, mund të parashikojmë të ardhmen apo profecine se ku mund të arrijmë. Kështu ka funksionuar vendi ynë, familja jonë, shoqëria jonë. Psikoanalisti Carl Jung e ka shprehur shumë bukur këtë sindromë që po përjeton politika dhe lidershipi i vendit “Derisa ta ndërgjegjësoni të pandërgjegjshmen, ajo do të drejtojë jetën tuaj dhe ju do ta quani atë fat.” Pra përderisa ne nuk do të kuptojmë se kultura dhe eksperienca jonë të rrënjosura në pavetëdijen tonë janë busulla jonë e padukshme, ajo do të drejtojë gjithë jetën tonë deri në momentin që ne arrijmë të njohim veten dhe të fillojmë ndryshimin. Pikërisht kjo ndodhi me Edipin, kjo po ndodh në qeverisjen e vendit dhe në gjithë politikën Shqiptare dhe kjo ndodh me secilin prej nesh. I njëjti fenomen vihet re edhe te PS dhe lideri i saj Edi Rama. Ata janë zhytur tërësisht në batakun e korrupsionit dhe autoriteti i Ramës është i padiskutueshëm. Rama fajëson median për gjithçka, duke e quajtur atë kazan, të cilin e ka në shërbim të tij me përjashtime të vogla, duke mos u bërë i vetëdijshëm për kulturën autoritare dhe korruptive në të cilën është zhytur PS. Rama është një udhëheqës i cili është tepër i përqendruar në suksesin e tij dhe në ruajtjen e fuqisë së tij, duke marrë vendime që përfundimisht minojnë autoritetin e tij dhe po e çon PS dhe vendin drejt një rruge pa fund. Nëse një qeveri ose udhëheqësit e saj nuk mbahen përgjegjës për veprimet e tyre, ekziston një rrezik më i madh korrupsioni. Kjo mund të ndodhë nëse ka një sistem ligjor të dobët ose inekzistent, ose nëse ka zbrazëtira që lejojnë që korrupsioni të mos kontrollohet.dhe është pikërisht kjo situata ku e ka çuar vendin kjo qeveri.
Është gjithashtu e mundur që udhëheqësi mund të zgjedhë të japë dorëheqjen vullnetarisht, veçanërisht nëse mendon se nuk janë më në gjendje të udhëheqin efektivisht partinë ose nëse besojnë se udhëheqja e tyre e vazhdueshme po dëmton shanset e partisë për sukses. Filozofi Gjerman Frederik Niçe thotë: “Gjarpri që nuk mund të hedhë lëkurën e tij duhet të vdesë. Si dhe mendjet që pengohen të ndryshojnë mendimet e tyre; ato pushojnë së qeni mendje”. Shumë nga liderët europianë kanë dhënë dorëheqje kur kanë qenë në pushtet sepse e kanë kuptuar se vendi kishte nevojë për ndryshim. Të tillë janë Angela Merkel në vitin 2018, njoftoi se do të tërhiqej si kryetare e Unionit Kristian Demokrat (CDU) të Gjermanisë pas 18 vitesh në këtë rol m.g.js ishte shumë e suksesshme. Po ashtu në prill 2011, kryeministri i Spanjës, Zapatero njoftoi se nuk do të kërkonte rizgjedhje në zgjedhjet e ardhshme, të cilat ishin planifikuar për në nëntor të atij viti. Ai deklaroi se besonte se është koha që lidershipi i ri të marrë drejtimin dhe partia të ripërtërihet. Këta lider e shumë të tjerë e kuptuan se koha e tyre kishte mbaruar dhe hapën rrugën për brezin e ri. Duket sikur liderët tanë kanë vendosur që ashtu si Edipi ta çojnë vendin në greminë, ata nuk pranojnë të japin dorëheqje ,ata nuk pranojnë të demokratizojnë jetën e partive politike, ata kanë një kompromis me njeri tjetrin të rrinë në pushtet në kurriz të popullit, duke shtruar rrugën për profecinë e vendosur nga populli, që të përfundojnë më parë në SPAK. Shqipëria nuk ka kohë të presi, komuniteti ndërkombëtar nuk mund të lejojë disa të korruptuar me mentalitet mesjetar të mbajnë vendin peng. Drejtësi për politikanët do të thotë që ata të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre, duke iu nënshtruar të njëjtave ligje dhe rregullore si çdo qytetar tjetër, dhe të mbahen me një standard të lartë sjelljeje etike duke pasur parasysh ndikimin që vendimet dhe veprimet e tyre mund të kenë në shoqëri.

Filed Under: Interviste Tagged With: artan nati

Demokracia dhe vetëdija qytetare

March 9, 2023 by s p

Artan Nati/

Duke ecur rrugëve të Tiranës, dëgjon se bisedat përqëndrohen se kush do të jetë fitues i Big Brother, apo sa e bukur ishte prezntuesja e televizionit etj. Duket sikur çdo gjë është në rregull. Argumenti është se në vend që të përfshihemi në diskutime kuptimplota dhe të shkëmbejnë ide, ne jemi bërë më të fokusuar në konsumimin e mediave argëtuese dhe vizuale, si filmat, shfaqjet televizive dhe mediat sociale. Kjo ka çuar në një zhvendosje nga shkëmbimi i ideve dhe opinioneve të bazuara në prova dhe arsye, në një kulturë të bazuar në paraqitjet sipërfaqësore dhe kulturën e të famshmëve. Kur një popullsi shpërqendrohet nga gjëra të vogla, kur jeta kulturore ripërcaktohet si një raund i përhershëm argëtimi, kur bisedat serioze publike bëhen në një formë bisedash argëtuese, kur, me pak fjalë, një popull bëhet audiencë dhe biznesi i tyre publik një akt argëtues, atëherë një komb e gjen veten në rrezik; kulturë-vdekja është një mundësi e qartë. Në kohën e diktaturës ne ishim të privuar nga liritë e të drejtat tona dhe shumica e librave ishin të ndaluar dhe ne ishim në çdo moment tësurvejuar nga Big Brother që në atë kohë ishte partia e punës. Dukej sikur jetonim në skenarin e librit të George Orwell “1984”. Vepra më e famshme e Orwell, “1984”, përshkruan një botë ku qeveria ushtron kontroll absolut mbi çdo aspekt të jetës së qytetarëve. Shteti e ruan pushtetin nëpërmjet përdorimit të propagandës, mbikëqyrjes dhe dhunës brutale, madje edhe mendimet dhe emocionet individuale inënshtrohen kontrollit të shtetit. Orwell besonte se kërcënimi më i madh për lirinë individuale ishte ushtrimi i drejtpërdrejtë dhe i hapur i pushtetit shtetëror, dhe ai e shihte rrezikun e totalitarizmit si rezultat i gatishmërisë së njerëzve për t’iu nënshtruar autoritetit në vend që t’i rezistonin atij. Pas viteve 90 entuziazmi dhe shpresa midis nesh ishte shumë e madhe. Si përfundim ishim të lirë dhe mund të vetvendosnim për fatet tona dhe filluam të perfytyronim jetën tonë si në perëndim. Por ç’ndodhi në fakt ? Faktet tregojnë se ne jemi bërë më pak të interesuar për debatin dhe diskutimin e arsyetuar dhe më shumë të interesuar për paraqitjet dhe anën sipërfaqësore. Kjo mund të çojë në mungesë të të menduarit kritik dhe një dështim për t’u përfshirë me çështje komplekse në një mënyrë kuptimplote. Aldous Huxley në librin e tij “Brave New World” thotë se “Një shtet totalitar me të vërtetë efikas do të ishte ai në të cilin ekzekutivi i plotfuqishëm i bosëve politikë dhe ushtria e tyre e menaxherëve kontrollojnë një popullsi skllevërish që nuk duhet të detyrohen, sepse e duan skllavërinë e tyre”. Vepra më e famshme e Huxley, “Brave New World”, portretizon një shoqëri të ardhshme ku njerëzit janë të kushtëzuar që nga lindja të jenë të kënaqur me rolet e tyre të caktuara në një hierarki të ngurtë shoqërore. Shteti ruan kontrollin duke manipuluar dëshirat e qytetarëve dhe duke kufizuar aksesin e tyre në informacione që mund të sfidojnë botëkuptimin e tyre. Huxley besonte se kërcënimi më i madh për lirinë individuale në botën moderne nuk ishte shtypja e dhunshme, por format delikate të kontrollit shoqëror që mund t’i bënin njerëzit të vetëkënaqur dhe pasivë. Në fakt a nuk po ndodh kështu në Shqipëi? Duket sikur njeriu më i famshëm në Shqipëri do të jetë fituesi i Big Brother, apo personazhet e show biznesit dhe opinionistët që flasim me fjalor vulgar për të tërhequr vemendjen e shikuesve. Pra ndodh si te fraza “nuk ka biznes si biznesi i shfaqjes (Show Business)” që do të thotë që industria e argëtimit, veçanërisht shfaqjet live si teatri dhe muzika, është unike dhe e pakrahasueshme me çdo industri tjetër. Ajo sugjeron që biznesi i argëtimit është magjepsës, emocionues dhe ka njëfarë magjie që nuk gjendet në biznese të tjera. Fraza përdoret shpesh për të theksuar rëndësinë e argëtimit dhe vlerën e arteve., dhe injoranca e rezultatit është e pafalshme. A nuk ndodh kështu kudo tek ne ? Në parlament kemi një show të vërtetë. Të gjithë deputetët mundohen të tregohen të ashpër e të fortë para kamerave dhe pas tyre mundohen të bëjnë marrëveshje në kurrizin tonë. Dëgjojmë që shpesh politiikanët tanë nga të dy krahët ankohem përnjëanshmërinë e komunitetit ndëkombër dhe nuk mendojnë se ishin pikërisht SHBA dhe Anglia që ndihmuan kombin tonë nga zhdukja dhe ndihmuan në çlirimin Kosovës . Ndërkohë Edi Rama thotë se mediat kundra tij janë kazan dhe e ka kthyer qeverisjen ne një show biznes, ndërkohë që korrupsioni po e gërryen këtë vend dhe e ka shpopulluar vendin duke e lënë vendin më të varfër në rajon. E njëjta gjë ndodh edhe me opinionistët në televizione. Opinionostët dalin në television dhe përdorin fjalor vulgar ndaj ambasadores amerikane dhe komunitetit ndërkombëtar, duke krijuar një show me qëllim që të tërheqin shikues dhe duke shmangur thelbin e problemit. E gjitha kjo duket si një shfaqje tragjikomike. E njëjta gjë ndodh me emisionet e lajmeve. Nuk dua të them se lajmet televizive synojnë qëllimisht të privojnë shqiptarët nga një kuptim koherent dhe kontekstual i botës së tyre. Dua të them që kur lajmet paketohen si argëtim, ky është rezultati i pashmangshëm. Dhe duke thënë se emisioni i lajmeve televizive argëton por nuk informon, po them diçka shumë më të rëndë se sa po privohemi nga informacioni autentik. Unë po them se po humbasim kuptimin tonë për atë që do të thotë të jesh i informuar mirë. Ajo që po ndodh është se ne i marrim të gjitha informacionet nga televizioni dhe mediat sociale dhe ne nuk flasin më me njëri-tjetrin, ne argëtojnë njëri-tjetrin. Ne nuk shkëmbejnë ide, shkëmbejnë imazhe. Ne nuk debatojnë me propozime; ne debatojnë me pamjen e bukur, dhe veshjet e aksesorët firmato. Ne kemi harruar totalisht librat dhe harrojmë se librat ofrojnë një thellësi njohurish që shpesh mungon në TV dhe media sociale. Librat janë shkruar nga ekspertë dhe studiues të cilët kanë shpenzuar vite duke hulumtuar dhe shkruar për temat e tyre. Ato ofrojnë një nivel detajesh dhe nuancash që shpesh nuk është e mundur në një segment të shkurtër televiziv ose në një postim në media sociale. Librat gjithashtu mund të ofrojnë një këndvështrim më të gjerë mbi një temë, duke mbuluar historinë, kontekstin dhe implikimet e saj në të ardhmen. “Një dhomë pa libra është si një trup pa shpirt.” thoshte Cicero Jemi në një moment historik që të gjithë ne duhe të pyesim veten :”Ku po shkojmë kështu ?” Ka ardhur koha të krijojmë një kulturë leximi: dhe të limitojmë kohën që u dedikojmë programeve pa vlera në tv duke i dedikuar kështu më shumë kohë vetes tonë dhe komunitetit tonë. Duhet të vendosen kritere dhe të inkurajojmë organet e medias që të përqendrohen te substanca në vend të stilit: Mediat shpesh u japin përparësi historive të bujshme dhe titujve dramatikë në vend tëraportimeve thelbësore. Një mënyrë për të luftuar këtë prirje është inkurajimi i mediave që të fokusohen në çështje të rëndësishme të politikave, në vend të personaliteteve dhe aspekteve argëtuese të politikës. Në përgjithësi, ndalimi i biznesit të shfaqjes në politikë do të kërkojë një përpjekje të bashkërenduar nga qytetarët, politikanët, mediat dhe palët e tjera të interesit. Duke promovuar transparencën, duke inkurajuar pjesëmarrjen e votuesve dhe duke u fokusuar në çështje thelbësore, ne mund të punojmë drejt një sistemi politik më të informuar dhe më të angazhuar që u jep përparësi nevojave të qytetarëve mbi vlerën argëtuese të politikës.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: artan nati

KËPUCA E BOTËS NË NJË ROMAN TË RI

January 19, 2023 by s p

– Një vëzhgim rreth romanit “Këpuca e aktorit” të Visar Zhitit –

Nga Artan Nati

Romani “Këpuca e aktorit”, naracion në vetën e parë, që në fakt janë një shumësi njerëzish që flasin, edhe nëpërmjet simboleve të zakonshme si këpucët, por dhe maskat, të zakonshme për teatrin, të jep përshtypjen sikur flet vetë atdheu.

Në qendër është një familje e shtresës së mesme, e lidhur ngushtë me artin, që pëson transformimin e gjithës shoqërisë shqiptare në tre periudha historike moderne, e para: nga 1912 deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore dhe vazhdon me periudhën e dytë, ate të diktaturës dhe më tej me periudhën e tretë, të demokracisë.

Devizë janë fjalët e Nënë Terezës: “Jeta është lojë, luaje. Jeta është dashuri, dashuroje.”

Dhe pikërisht këtë na shpalos ky roman, lojën dhe dashurinë nëpërmjet karaktereve në ngjarje. Simbolika e zgjedhur, këpuca, është domethënëse. Pothuajse çdo shoqëri ka pasur një histori të gjatë të këpucëve, që shkon përtej të qenit thjesht mbrojtje e dobishme për këmbët tona. Këpucët kanë qenë gjithmonë një mundësi për njerëzit që të tregojnë statusin e tyre shoqëror, stilin e tyre deri edhe madhësinë e portofolit të tyre. Këpuca është mjeti kryesor që na bënë të mundur kontaktin tonë me token, na lidh dhe na ndan. Që prej mitologjisë greke Herkuli arriti të vriste Anteusin, birin e Tokës dhe të Poseidonit vetem pasi e shkëputi atë nga toka. Romani është sa psikologjik, po aq edhe historik, aktual dhe modern, plot me drama që personazhet kalojnë për të bërë të mundur ekzistencën e tyre. Që në fillim autori na tregon rëndësinë e teatrit dhe një pjesë e personazheve janë për ruajtjen e tij dhe jo për prishjen, edhe pse i vjetër. “Sa më shume teatro në një qytet, aq më shumë qytet. Atje ku s’ka teatër, s’ka qytet, s’ka dëshmitarë artistikë të jetës. Ata që s’na duan ne, aktorëve, s’dinë të duan e nuk kanë dashuar kurrë” – thuhet në libër.

Në retrospektivë, këpucët e vendosura në oxhak si ornament, paraqesin një simbol civillzimi dhe statusi, edhe pse komik, rrugë në të cilën shoqëria jonë duhet të udhëtonte, megjithëse çalë-çalë, por drejt një endere te përbashkët, të qartë dhe të turbullit.

Moisiut, babai i protagonistit, shkon student në Normalen e Elbsanit, ku i humbet një këpucë, metaforë e një humbje në jetë, e një vjedhje në dëshirat.

Kjo reflektohet edhe në një monolog, për një ngjarje politike, ku shprehet se me grusht shteti ne pushtet kishte ardhur Fan Noli: “Ishte burrë i ditur, thoshin, i binte dhe gërnetës, kjo është e keqja e tij. Pse është cigan ? Po Lejlaja është revolucionare?…” Pra, mpleksen ndjesitë dhe bëmat. “Edhe ky Noli na paska qenë aktor. Menjëhere u bëra me të. Ku do ta gjeja? Ç’e do, lërë, se është bolshebik me Leninin… Aktor është edhe ai?”

Moisiu takon At’ Gjergj Fishten, që kthehet në një burim frymezimi për të rinjtë.

Dhe nis Lufta e Dytë Botërore, me përçarjes së familjes në roman nënkuptojmë përçarjen e vendit. Një befasi tjetër tronditëse, një duel midis Moisiut dhe një partizani, Në fakt shtresa e edukuar e vendit kërkonte bashkim dhe jo vëllavrasje, por komunistet kërkonin përçarje dhe vëllavrasje, sepse ishin ishin të shitur në krye tek jugosllavët, që I drejtonin. Moisiu përfundon i vrare në një duel, në të cilin nuk donte të vriste partizanin, e shikonte si vëlla, biles i jep edhe fishekë, kur atij I mbaruan të tijët, pra vritet me fishekët e vet. Më pas manipulohet dhe historia, nga komunistet dhe e trajtojnë si tradhtar dhe kjo fatkeqësi ndjek gjithë jetën të birin, Hektorin.

Në roman është dhe një dialog me Mit’hat Frashërin, ku ai akuzon komunistet për tradhtinë e Marrëveshjes së Mukjes. Komunistet nuk ishin te interesuar per bashkepunim, ata ishin të interesuar për marrjen e pushtetiti nën të ashtuquajturin internacionalizmin proletar .

Dhe nisin gjyqet, dënojnë njerëz me gjyqe fiktive. Autori thotë se dukej sikur gjyqtaret ishin aktorë, ndërkohë që njerëzit e pafajshëm dënoheshin vërtet, vrasjet nuk ishin tetatër.

Gazetarja e shquar, ndërkohë dhe fiilozofe, Hannah Arendt, thoshte: “Totalitarizmi në pushtet zëvendëson të gjithë talentet e klasit të parë, pavarësisht nga simpatitë e tyre, me ata të krisur dhe budallenj, mungesa e inteligjencës dhe kreativitetit të të cilëve është ende garancia më e mirë e besnikërisë së tyre.”

Këtë e shikojmë te gjyqtari, që percaktohet në roman si “Nofulla”, pasi ai vetem përsëriste qorrazi porositë e eprorëve dhe injoronte faktet. Pikerisht ky person bëhet ministër në demokraci dhe del kundër demostruesve të teatrit. Ashtu siç Hannah Arendt thoshte: “Revolucionari më radikal do të bëhet konservator një ditë pas revolucionit.” Kështu ndodh dhe në romam me personazhet si Çaçoja apo “Nofulla” dhe Jorgji Gërshera, emra qesharakë, por barbarë. Këta personazhe pas permbysjes se komunizmit shnderrohen në demokratë të flakte dhe marrin poste të rëndësihme. Jorgji Gërshëra, ka kete mbiemer, jo se ishte rrobaqepës, por qethte flokët e atyre që I mbanin të gjata, bëhet i madh në parlament e pritet për president .

Një nga situatat më kulminante është moment, kur Hektori përgëzohet nga diktatori në skene, të dy aktorë dhe kur po festonte ditelindjen e vajzes, e thërrasin në polici. Atje e detyrojnë të shkruaje, madje në një birucë, një dramë të realizmit socialist për një fatkeq që tenton të arratiset dhe që e kapin forcat e Sigurimit. Propagande e frikshme dhe dhunuese. Ndërkohë Hektori përgjohet nga Çaçoja, një anëtar partie, injorant dhe i pamoralshem. Në këtë situatë kafkiane Hektori ndihet i pafuqishëm për të kuptuar ose kontrolluar atë që po ndodh, një situatë përtej absurdit tragjik dhe shumë depresive. Gjendja e brendshme, per shkak të përmasave të vuajtjeve dhe kulmit të ngjarjeve të tmerrshme në të njëjtën kohë, është vërtet kafkiane. Hektori mendon se nuk ka asnjë “kuptim” për t’i dhënë kuptim jetës se tij dhe pikerisht tani ai vendos të jetojë i ndarë nga familja e tij. Kështu mendon se i ndihmon nga ashpërsimi galopant i luftës se klasave. Ai nuk harronte që në dasmën e tij kishte goditur me këpucë në shenjë revolte dhe dehjeje parrullat revolucionare, që interferonin me privatesinë e dasmes. Dashuria e nënës duhej të zëvendësohej me dashurinë e nënës parti. Nuk kishte më familje, por një familje të madhe socialiste, pa mirëkuptim. Situata të tilla krijohen gjithandej, lexuesi ndien emocione të forta, transformimet të bëjnë të krahasosh gjendjen e Hektorit me atë të Gregor Samsa-s tek “Metamorfoza” e Kafkës.

Dhe na nëpërmendet nodhia, kur në 14 dhjetor 2008, gazetari irakian Muntadhar al-Zaidi hodhi të dyja këpucët e tij drejt presidentit të SHBA-së George W Bush gjatë një konferencë shtypi në Bagdad.

Ky lloj sulmi me këpucë është përdorur shpesh, duke përfshirë goditjen e këpucës të Nikita Hrushovit në OKB në vitin 1960, etj, që në roman janë skicur me një lloj humori të zi.

Autori thotë në m;enyrë niçeane: “Çfarë dramash, çfarë ankthesh, por kemi artin që të mos vdesim nga e vërteta.”

Me interes na shfaqen këpucët e një lypësi në dyert e një katedraleje. Këpucet e tij dukeshin të Çaplinta si të pikturuara Van Goghshëm, që fytyrën e tij e shprehnin më shumë se sa vetë ajo e një maske.

Më tej zbulojmë në roman se këpuca ështe si miqësia, ose të rri mire, ta mban këmbën ngrohtë ose të shtërngon e të vret. Një tjetër arsyeton se vetura sot nuk është me luks, por si këpucët. Shoqëria ka evoluar kur kujtojmë revolucionin, vënien e dy këmbëve në një këpucë në kohën e diktatures.

Këpuca, një nga format më të vjetra të teknologjisë njerëzore, është prototipi për të gjitha teknologjitë e tjera, një term i gjithanshëm për instrumentet dhe procedurat që na lejojnë.

Me këpucën ashtu si me një Van Gogh, autori na nxjerr dhe një kuptim të vetë artit, po dhe lidhjen tonë me token, me ngjarjet mbi tokë duke kaluar dhe në mjedise të panatyrshme ose jo mikpritëse. Automjetet si makinat, varkat, anijet, edhe raketat, etj, janë si këpucë të mëdha. Veshjet hapësinore, kostumet hazmat dhe vaksinat janë si këpucët me të gjithë trupin. Mediat e gjuhës dhe të artit mund të mendohen gjithashtu si teknologji në këtë kuptim; si këpucët, ato gjithashtu na ndajnë nga përvoja e drejtpërdrejtë për të na ofruar një realitet të ri, ‘të ngritur’.

Ekzistenca zbathur – na ballafaqon me faktin e çuditshëm se këpucët nuk janë thjesht një teknologji që mund ta adoptojmë ose ta refuzojmë sipas dëshirës, por një objekt artificial që trupi ynë ka evoluar për t’i përdorur.

Në këtë këndveshtrim mund ta shikojme edhe ne lidhjen tonë me artin. Na sugjeron romani. Teatri është si një këpucë gjigande që na bën të mundur të shpjegojmë më mirë realitetin dhe veten me këpucë të tjera, të projektojmë të ardhmen, por me kepucë të reja. Këpuca është metaforë. Prandaj dhe ideja e të riut student në Milano, Atjonit, është sa moderne edhe e drejtperdrejtë, futuriste dhe sfiduese. Ashtu siç perifrazon Hektori fjalët e Nënë Terezës: Jeta është lojë – luaje.

Në fund Hektorin e zuri teatri nën vete gjatë shëmbjes, plagoset keq dhe ende më në fund digjet enigmatikisht në zjarrin që merr apartmaneti i tij. Apo I vun:e flakën? Ç’do gjë ndodh.

“Njelloj më duken të dyja” – thotë autori me gojën e protagonistit. Në Shqipëri çështjet e mëdha e jetike harrohen, ndersa ato të vogla zgjasin pa mbarim. Jemi një vend që diskuton vit për vit se kur është data e çlirimit, në 28 nëntor apo në 29? Hektori përgjigjet: “Jemi një vend që nuk jemi çliruar akoma…”

Irisi, vajza e Hektorit, mbase personazhja më mbresëlënëse, thotë në epilogun e tretë se “Babi kishte sindromin e këpucës së vjedhur. Ecjes se penguar. Ajo këpucë është teatri. Ah, babi sikur u bë këpucë edhe vetë. E futa në valixhe atë këpucën e djegur përgjysmë.” Sa pikëlluese dhe fatale, aq mbeti nga një jetë…Bashkëjetesa e Irisit me Marinit, djalit nga Prizreni, aktor dhe ai, shikohet si një simbol I bukur dhe i ngrohtë i bashkimit të Shqipërisë natyrale dhe fëmija që do të lindë prej tyre, do të jetë Shqipëria e vërtetë, që nuk do të eci në mënyrë të çalë, por do të ndihet normale me këpucët e saj të deshirave dhe ëndrrave të reja. Romani është bashkim kohërash dhe idesh dhe bashkim zërash dhe fatesh, plot me dritë-hije, dyshime njerzëzore dhe dashuri deri në shenjtëri, me copëzime, herë të errëta dhe herë vezulluese, që bashkohen mrekullisht në një tërësi, që krijojnë botë. Bota në një këpucë, këpuca në një botë…

Filed Under: LETERSI Tagged With: artan nati, Visar Zhiti

TRANZICIONI DEMOKRATIK

January 17, 2023 by s p

Artan Nati/

Të jetosh në demokraci, është një ëndërr që shumë njerëz e ëndërrojnë, por shumë pak e jetojnë. Demokracia funksionale thekson ndarjen e pushteteve, një gjyqësor të pavarur dhe një sistem kontrollesh dhe balancash midis degëve të qeverisë .Shkaqet kryesore të prapambetjes demokratike përfshijnë mungesën e mbështetjes publike për demokracinë, pabarazinë ekonomike dhe tensionet sociale, politikat populiste dhe ndikimin e jashtëm nga politikat e fuqive të mëdha, fenomene të cilat ne i ndeshim në Shqipëri. Demokracia në Shqiperi, si dhe vende te tjera, shpesh prodhon mbivendosje pushtetesh dhe mosrespektim të të drejtave te njeriut. Lind pyetja: përse eshte ky ndryshim kaq i madh ? Ne kemi pasur deri diku zgjedhje të pranueshme nga komuniteti ndërkombetar dhe kemi pasur një qeveri legjitime si edhe disa vende te tjera te ballkanit, por rezultatet nga demokracitë tona kanë qenë zhgënjyese. Cfare e ben të mundshme funksionimin normal të demokracisë në vendet perendimore? Të kuptojmë këtë fenomen, mendoj se duhet të kuptojmë si lindi dhe cilët ishin faktorët që bënë të mundur që demkracia të evoluonte. Siç shpjegon filozofi iluminist Benjamin Constant, demokracia ne Greqinë e lashtë nënkuptonte diçka tjetër: që secili (në fakt, çdo qytetar mashkull) kishte të drejtë të merrte pjesë në qeverisjen e komunitetit. Asambletë popullore të Greqisë së lashtë kishin fuqi të pakufizuara. Të drejtat e një individi nuk ishin të shenjta as në teori dhe as të mbrojtura në fakt. Demokracia greke shpesh nënkuptonte, në frazën e Constantit, “nënshtrimin e individit ndaj autoritetit të komunitetit”. Kujtojmë se në shekullin e katërt p.e.s në Athinë, ku thuhet se demokracia greke ka gjetur shprehjen e saj më të vërtetë ,asambleja popullore, me votën demokratike, vrau filozofin më të madh të epokës për shkak të mësimeve të tij. Ekzekutimi i Sokratit ishte demokratik por jo liberal.

Nëse rrënjët greke të lirisë perëndimore shpesh mbivlerësohen, ato romake neglizhohen. Kur Herodoti shkroi se grekët ishin “një popull i lirë”, ai nënkuptonte se ata nuk ishin skllevër nën pushtimin ose dominimin e huaj, një ide që ne sot e quajmë “pavarësi kombëtare” ose “vetëvendosje”. Romakët theksuan një aspekt tjetër të lirisë: që të gjithë qytetarët duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë sipas ligjit. Ky konceptim i lirisë është shumë më i afërt me atë perëndimor modern dhe fjala latine për të, libertas, është rrënja e perdorur sot gjeresisht në perëndim që ështe demokracia liberale. Ndërsa Greqia i dha botës filozofinë, letërsinë, poezinë dhe artin, Roma na dha fillimet e qeverisjes së kufizuar dhe të shtetit ligjor. Republika Romake, me qeverinë e saj të ndarë (tre degë), zgjedhjen e zyrtarëve me mandate të kufizuara dhe theksin mbi barazinë sipas ligjit, ka qenë një model për qeveritë europiane si dhe në krijimin e Republikës Amerikane. Deri më sot konceptet dhe termat politike romake qëndrojnë në të gjithë botën perëndimore: senat, republikë, kushtetutë, prefekturë.

Zakaria bën një dallim të rëndësishëm midis demokracisë dhe liberalizmit, konstruksione që shpesh ngatërrohen. Demokracia është një proces për zgjedhjen e liderëve dhe ka të bëjë me pjesëmarrjen popullore. Të thuash se një shtet është demokratik do të thotë të thuash pak për mënyrën se si qeveriset në të vërtetë.

Liberalizmi, në të kundërt, ka të bëjë me normat dhe praktikat që bejne te mundur jetën politike. Një shtet, qe quhet liberal, është ai në të cilin të drejtat individuale janë parësore. Ai mbron individin , jo vetëm nga abuzimet e një tirani, por edhe nga abuzimet e shumicës demokratike. Kudo që lind i-liberalizmi merr një formë të njohur: më shumë korrupsion, kufizime më të mëdha te organizimit dhe fjalës se lire, kufizime ndaj shtypit, ndëshkim kundër kundërshtarëve politikë, shtypje e pakicave. Të gjitha këto gjëra janë të këqija, por nuk janë domosdoshmërisht jodemokratike. Rusia e Putinit është e mbushur me politika represive dhe joliberale dhe megjithatë Putini është jashtëzakonisht popullor mes rusëve. Ai është, si shumë tiran, një populist

Nëse një vend zhvillon zgjedhje konkurruese, shumëpartiake, ne i quajmë ato demokratike. Kur pjesëmarrja e publikut në politikë rritet, për shembull përmes dhënies së të drejtave të grave, ajo shihet si më demokratike. Sigurisht që zgjedhjet duhet të jenë të hapura dhe të ndershme dhe kjo kërkon disa mbrojtje për lirinë e fjalës dhe të tubimit. Të kesh demokraci do të thotë subjektivisht “një qeveri e mirë”, e bën atë analitikisht të padobishme. A nuk kemi ne në Shqiperi një qeveri të zgjedhur me votë të lirë (m.gj.s shpesh me ndihmën e oligarkëve dhe mediave të tyre, ashtu si edhe opozita kur ishte në pushtet ), por është e gjithë pushtetshme dhe që nuk respekton të drejtat e individit dhe favorizon oligarkët.

Tragjedia e vendit tonë ishte se kulturalisht ne i përkisnim kultures bizantino-otomane, politikisht ishim në lindje dhe gjeografikisht jemi ne europë. Kjo bëri të mundur që tranzicioni në Shqipëri të ishte shumë i gjatë dhe me trauma dhe konflikte të ashpra.

Ndryshimet e mëdhaja qe ndodhën në Shqipëri në vitet 90 përfaqësonin një “revolucion borgjez” pa një borgjezi, një revolucion demokratik që do të duhej të ndërtonte kushtet e ekzistencës së tij. Kushtetuta jonë dhe ligjet u kopjuan në mënyrë mekanike nga perëndimi dhe kjo u bë nga lart poshtë dhe përjashtoi pjesëmarrjen popullore. Kjo është një nga arsyet kryesore të destabilizimit te vendit dhe mosfunksionimit normal të strukturave, procedurave dhe mekanizmave kushtetuese. Aktualisht ne jetojmë në një vend demokratik, por jo liberal. Ne kemi një shtresë të mesme të konsoliduar, por gjithmonë të kërcënuar nga mungesa e zbatueshmerisë së ligjit. Rreziku më i madh janë praktikat korruptive të qeverise me oligarkinë vendase në kurriz të shtresave të mesme dhe të varfëra.

Nga të gjitha sa thamë më lart, mund të themi që Shqiperia e ka kaluar periudhën e tranzicionit, ose është në prag të kalimit te tij, por kuptohet që ne kemi disa probleme serioze per tu bërë demokraci liberale të standarteve europiane. Kuptohet ne shqiptarët në vecanti dhe ballkanasit në përgjithesi, kemi trashëguar një kulturë bizantino otomane që ka një bazë 500 vjecare të pushtimit otoman dhe përkatësisë bizantine të vendit tonë para pushtimit otoman. Por mund te themi se kjo nuk na ka penguar ne shqipëtarëve të jemi të suksesshëm kudo në bote përvec se në Shqiperi, pra është detyrë e qeverisë dhe politikanëve tanë të krijojnë ambient të favorshëm për lulëzimin e individit .Aktualisht ne në Shqiperi kemi një kapitalizëm te sponsorizuar nga shteti. Oligarkët tanë janë në aleancë të hapur apo të fshehtë me qeverinë, politikanët, sistemin e drejtësisë dhe të fortët e vendit si në nivel rajonal ashtu edhe në nivel kombëtar. Në të gjitha bashkitë e vendit oligarkët , në bashkepunim me pushtetin dhe drejtësinë, drejtojnë gjithë jetën politike dhe ekonomike të vendit. Afera e inceneratorëve e tregoi këtë në mënyrë fare të qartë. Sic ka thënë James Madison: “Akumulimi i të gjitha pushteteve, legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit, në të njëjtat duar, qofshin të njërit, të disave apo të shumë, qoftë të trashëguar, të vetëemëruar apo të zgjedhur, me të drejtë mund të quhet vetë përkufizimi i tiranisë”. Pikërisht kjo është situata qe ne jetojmë sot ne Shqiperi. Sidoqoftë nuk mund të themi se situata është e pashpresë, thjesht duhet të kuptojmë se përse ndodhemi në këtë gjendje dhe c’duhet të bëjmë të dalim nga kjo situatë.

Sipas James Bryce, “Nuk ka provë më të mirë të përsosmërisë së një qeverie sesa efikasiteti i sistemit të saj gjyqësor”. Mendoj se ky eshte kyci i suksesit apo dështimit të kalimit nga demokracia joliberale në demokraci liberale të vendosur në europë dhe shtetet e bashkuara.

Kuptohet mënyra si funksionon demokracia në Shqipëri dhe sistemi oligarkik kapitalist që mbizotëron në vend, nuk janë aspak të favorshëm dhe premtues për ndërtimin e një sistemi të pavarur drejtesie në vend. Sigurisht, ne jemi nisur dhe po shkojmë drejt këtij destinacioni, por mund të marri nje kohë te gjatë. Aktualisht, duket sikur yjet janë rreshtuar në favorin tonë, me përjashtim të politikanëve dhe oligarkëve vendas si dhe mediave të zotëruara prej tyre.

Si rrallë në historinë e vendit tonë, ne kemi përkrahë dy faktorët më të fuqishëm në botë, SHBA dhe Komunitetin Europian. Dhe jo rastësisht, SHBA kanë kembëngulur dhe investuar për ndërtimin e sistemit të drejtësisë të pavarur sipas sistemit amerikan. Investimi amerikan tek SPAK dhe BKH tregon qartë seriozitetin e tyre per ta kthyer Shqiperinë në një demokraci liberale. Fatkeqësisht dëgjojmë nga politikanët tanë dhe mediat për dështim të sistemit të drejtësisë të investuar nga komuniteti nderkombetar, për dështim të implementimit të sistemit demokratik në Shqipëri. Kuptohet ata janë në hall të madh por ashtu sic thotë Jim Hightower : “Demokracia nuk është diçka që ndodh, e dini, vetëm në kohë zgjedhjesh, dhe nuk është diçka që ndodh vetëm me një ngjarje. Ai është një proces ndërtimi i vazhdueshëm, por duhet të jetë gjithashtu pjesë e kulturës sonë, pjesë e jetës sonë”. Demokracia nuk është një destinacion por një proces dhe ky proces tashmë është i pandalshëm.

Filed Under: ESSE Tagged With: artan nati

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT