• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TREG PANSHQIPTAR PËR ZHVILLIMIN E EKONOMISË KOMBËTARE

October 3, 2013 by dgreca

NGA ARTUR VREKAJ, WORCESTER,MA /

Në kuadrin e Draft-Strategjisë Europa 2020 që është në prezantim e sipër,  Shqiptarët e Ballkanit kanë nevojë jo për prezantime kompjuterike në Tiranë dhe Prishtinë, por për tryeza të përbashkëta për të projektuar e bashkëpunuar, për të ndërtuar një ekonomi kombëtare të integruar me kërkesat jetike e bashkëkohore të të gjithë Shqiptarëve të rajonit në radhë të parë,( jo vetëm të Shqipërisë dhe Kosovës) si dhe të integruara me ato të fqinjëve e më gjerë me BE.

Bashkëpunimi  ekonomik Shqipëri-Kosovë sot për sot është simbolik. Kosova në Shtator 2012 ka të regjistruar 16.6% ( ose 3.3 milionë Euro) të eksportit për në Shqipëri, kurse importi po nga Shqipëria zë vlerën 4.3%.

“Sipas statistikave zyrtare, në Shqipëri veprojnë 386 biznese kosovare, prej të cilave 197 janë shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, kurse 180 kanë statusin e personit privat. Për nga prejardhja e kapitalit, 339 janë me kapital kosovar, kurse 50 me kapital të përzier”,- transmetoi Radio Europa e Lirë më 14 Shtator 2013.

Gazeta Dita e datës 29 Nëntor 2012 nënvizon, se tregu Shqipëri- Kosovë është një treg që nuk funksionon. Ndërkohë, shënon se janë dhjetë kompani (nga Shqipëria në Kosovë) që zotërojnë 53.187.866 euro kapital, apo 98,9 për qind të kapitalit që kanë të gjitha kompanitë nga Shqipëria që operojnë në Kosovë. Për nga veprimtaria, dominojnë ndërmarrjet tregtare. Janë gjithsej 139 të tilla, me një kapital prej 2.272.531 eurosh.

Kosova importoi nga Maqedonia për vitin 2012, mallra në vlerë 392 milionë dollarë, krahasuar me 29 milionë dollarë për eksport.

Shihet që Rruga e Kombit nuk ka ndikuar shumë në tregëtinë ndërshtetërore Shqiptare, përveçse gjatë verës më shumë, për pushime verore. Por e ardhmja, patjetër që do të flasë  pozitivisht. Më shumë se kurrë janë kërkesë e ditës vënia në zbatim e projekteve për një infrastrukture rrugore ndërlidhëse në trojet Shqiptare, me qëllim lidhjen e të gjitha krahinave Shqiptare të rajonit përfshi Shqiptarët e Malit të Zi, sidomos zonën e Plavës dhe Gucisë me Shqipërinë dhe Kosovën, apo edhe Shqiptarët e Maqedonisë  me bregdetin e Adriatikut nëpërmjet projektit të rrugës së Arbrit.

Mundësimi i një tregu të mirëfilltë panShqiptar, për të gjithë Shqiptarët e rajonit pa dallim duke ndërlidhur bizneset lokale e ndërshtetërore me njëri-tjetrin është baza e një ekonomie kombëtare. Kjo mund të arrihet edhe me marrëveshje ndërshtetërore, me ekonomi të mirëplanifikuar bazuar në kërkesat jetike, burimet e lëndëve të para dhe mundësitë prodhuese të Shqiptarëve të rajonit duke bërë të mundur promovimin e çdo prodhimi të markës Shqiptare sa më afër konsumatorit Shqiptar të rajonit.

Ekspertë të qeverive Shqiptare bashkë me agjenci zhvillimi vendore, grupe biznesi të Shqiptarëve që jetojnë në vendet Perëndimore apo edhe agjenci të huaja duhet të konsultohen e konkludojnë për hapjen e bizneseve industriale në trevat Shqiptare, me qëllim prodhimin e produkteve që vijnë nga industria e lehtë tekstile apo edhe si rezultat i konservimit apo përpunimit të produkteve bujqësore e blegtorale që tregëtoheshin me sukses edhe dekada më parë gjer para luftës së Dytë Botërore.

Ka shumë iniciativa individuale Shqiptare që janë të suksesshme edhe në këtë treg të egër të Ballkanit, edhe pse jo të gjithë janë të favorizuar njëlloj, por ajo që është më e rëndësishmja është krijimi i një klime politike biznesi nga vetë qeverisjet  Shqiptare qëndrore apo lokale, që sot për sot janë të korruptuara brenda tyre, me qëllim që në rajon e më gjerë në BE të rritet besueshmëria e partnerëve ekonomikë dhe financiarë ndaj nesh.

Krijimi i monopoleve për fusha të veçanta si dhe favorizimi i një klientele të tipit mafioz e ka dëmtuar jo vetëm Shqipërinë dhe Kosovën, por më shumë Shqiptarët e trojeve jashtë kufijve të këtyre dy shteteve. Prandaj, duke parë me përparësi edhe lëvizjet e Shqiptarëve të Kosovës Lindore, Malit të Zi dhe Maqedonisë drejt Kosovës apo Shqipërisë për hir të një politike konstante diskriminuese karshi tyre nga regjimet Serbo-Malazeze e Maqedonase nëse vërtet qeveritë Shqiptare kanë një program kombëtar zhvillimi duhet të bashkërendojnë për çdo projekt zhvillimi në të mirën tonë të përbashkët, për tu dhënë jetë zonave ku popullsia është më nevojtare për zhvillim, sidomos qytetet dhe zonën urbane pas vijës bregdetare Shqiptare deri më në thellësi të komunave Shqiptare të Malit të Zi, Maqedonisë apo gjer në Kosovën Lindore për të ruajtur një integritet të territorit të banuar nga Shqiptarët,.

Shqiptarëve të rajonit duhet tu jepet mundësia e konkurimit në një proces tenderimi më të hapur për nevoja shtetërore apo publike ku të marrin pjesë me përparësi  kompani Shqiptare për të shmangur praktikën korruptive të favorizimit të  vetëm disa emra pranë klasës politike Shqiptare apo edhe klientëve fqinjë me kombësi jo Shqiptare.

Hapja e qëndrave të edukimit teknollogjik me perspektivën e zhvillimit të një industrie të lehtë për mësimin e proceseve teknologjike të prodhimit për të mbuluar nevojat që do të paraqiten për prodhim me cilësi e standarte ndërkombëtare do të përmbushë edhe një vizion të ri për ardhmërinë e shoqërisë Shqiptare që endet qyteteve më shumë duke hamëndësuar për të ardhmen e brezit të ri.Kjo vlen për këdo nga Shqiptarët kudo që ndodhen të marrin përsipër hapjen e këtyre qëndrave mësimore, sidomos atyre që kanë eksperiencë edukimi dhe prodhimi ngaqë jetojnë në Perëndim.

Punësimi me përparësi i brezit të ri me edukim managerial të modelit Perëndimor në kompanitë Shqiptare të prodhimit si dhe procedurimi me trajnime të drejtpërdrejta nga specialistë të huaj në vënd apo edhe me trajnime pranë fabrikave prodhuese në vëndet e Bashkimit Europian do tu jepte shanse të barabarta të gjithë studentëve Shqiptarë që mbarojnë suksesshëm studimet në universitetet e vendeve Perëndimore më së shumti për të vënë ekonominë kombëtare mbi baza të shëndosha drejtimi e projektimi për të arritur prezantimin në tregun rajonal dhe BE me produktet e markës Shqiptare që kanë parametra cilësie bazuar në çertifikimin sipas standarteve ndërkombëtare.

Zhvillimi i një bujqësie bashkëkohore me plan afatgjatë të ndërlidhur me nevojat si dhe të bazuar me kontrata për nevojat e tregut panShqiptar në radhë të parë si garanci, e pastaj me vëndet e Bashkimit Europian për zgjerim prodhimi do të çelte një perspektivë suksesi të një zhvillimi  e punësimi më të motivuar për kushtet klimaterike mesdhetare që kemi.

Riçelja e veprimtarisë prodhuese të plehrave kimike për nevojat e tregut panShqiptar apo edhe të rajonit duke e studjuar dhe evidentuar kapacitetet prodhuese në rajon do të jetë edhe një mundësi më shumë për efiktivitetin e prodhimit bujqësor, por edhe për rritjen e fuqisë punëtore dhe kapaciteteve prodhuese industriale, sepse ne Shqiptarët kemi eksperiencë prodhuese që ishte konkururese edhe me vëndet e BE. Sot plehrat kimike importohen nga vëndet e Lindjes së Mesme apo edhe nga veriu i Afrikës.

Shqiptarët tashmë kanë filluar ti drejtohen tokës bujqësore si që lashtë, si e vetmja mundësi për të përballuar nevojat e jetesës, edhe pa mjete e teknikë bujqësore në më të shumtën, por atyre duhet tu gjendemi në krahë me objekt fuqizimin e fermave që janë e ngritjen e fermave të reja për ndryshimin e përparimin e jetës së tyre edhe për tu shërbyer me politika agrare e infrastrukturë ligjore që ndihmojnë edhe investitorët e huaj për të shfrytëzuar tokën me qera, sipas mënyrës perëndimore për të garantuar kështu një treg pune të qëndrueshëm për Shqiptarët e rajonit, gjë e cila do të sillte edhe një kooperim e prezantim më të mirë të emrit Shqiptar në produktet tona bujqësore dhe blegtorale.

Inkurajimi për shtimin e fermave blegtorale dhe të bletarisë do të përbëjë një nga synimet më të arrira nëse shtetet Shqiptare angazhohen më shumë për të sjellë në takimet me vëndet  e BE edhe këtë fushë që meriton vëmëndje, sepse natyra Shqiptare është ende e virgjër dhe garanton prodhime me cilësi të lartë të mishit, qumështit e nënprodukteve të tij , mjaltit etj.

Ngritja e një Dhome Ekonomike Kombëtare që të bëjë kordinimin e tregut panShqiptar me një treg më të drejtpërdrejtë me partnerët ndërkombëtare të BE apo edhe SHBA do të jetë patjetër një kërkesë e kohës në udhë e sipër.

Një nga burimet vetfinancuese të ekonomisë kombëtare është rritja e kapacitetit të industrisë nxjerrëse të mineraleve dhe zgjerimi i industrisë rafinuese e përpunuese në vënd për metalet si magnezium, krom, hekur, bakër etj duke rritur kështu të ardhurat prej tyre, por edhe fuqinë punëtore dhe çeljen e perspektivës për përftimin e metaleve të rralla për të plotësuar nevojat e shteteve Shqiptare apo edhe të kërkesave në rritje në tregun botëror.

Ka vlerësime ekspertësh në qindra milionë dollarë vetëm për Magnezin në Tropojë dhe Kukës, po po kaq janë edhe për qymyrin në Kosovë, apo edhe në Shqipëri, si dhe të ardhurat nga vendburimet naftë dhe gaznxjerrëse etj.

Nuk është më sekret të thuhet se qindra milionë dollarë presin të realizohen nga industria nxjerrëse e përpunuese e mineraleve, naftës, gurit dhe mermerit etj në trevat Shqiptare. E rëndësishme është të tregojmë, se sa të aftë jemi ne Shqiptarët të marrim maksimumin nga to pa e shitur lirë këtë lëndë të parë që trondit bursat e botës financiare dhe ta vëmë në shërbim të kombit tërë këtë pasuri.

Trevat Shqiptare me nëntokën e tyre të pasur janë lakmi e kahershme e fqinjëve tanë ardhacakë për të shtënë në dorë territore që edhe i përkasin shtetit të pavarur të Kosovës siç është rajoni i Mitrovicës (nënkupto Trepçen).

Ndaj edhe Veriu i Kosovës u cilësua në Bashkësinë e Komunave Serbe në marrëveshjen Serbi-Kosovë për qëllime ekonomike të shfrytëzimit të zonave mineralmbajtëse nga Serbia, si edhe Greqia që do si e si të marrë me shumë pjesë detare duke lëvizur kufijtë detarë për interesat e saj ekspansioniste ekonomike.

Prandaj, lipset maturi në diplomaci me fqinjët dhe ndërkombëtarët.

Shfuqizimi i kontratave të përpunimit të plehrave të importit nga Shqipëria apo edhe tërheqja e vëmëndjes për mosrritjen e ndotjes së tokës Shqiptare të rajonit me projekte industriale ku janë të favorizuar fqinjët do të përbëjë edhe një standart të ri në marëdhëniet me fqinjët apo vende të BE që flirtojnë me fqinjët në dëmin tonë.

Tregu panShqiptar duhet të lulëzojë nga përdorimi i një sistemi energjitik të  përballueshëm lehtas financiarisht nga çdo familje Shqiptare nëse do të shihen e inkurajohen edhe metodat e përfitimit të energjisë me anë të erës, paneleve diellore ( këto për ndërtesa publike apo shtetërore) apo edhe prej projekteve energjitike nga burimet lokale ujore duke i bërë qëndrat e banuara nga Shqiptarët më të pavarura dhe duke krijuar kështu më shumë kapacitet prodhues nga hidrocentralet për eksportin e energjisë elektrike në rajon e më gjerë.

Krijimi i një klime politike atdhedashëse do të ndihmonte për shkëmbime tregtare më të lira e më konkuruese jo vetëm brenda tregut PanShqiptar, por edhe pranë qyteteve ku ka me shumicë Shqiptarë në Europë apo edhe në SHBA. Kjo do të sillte edhe zgjimin e dëshirës nga Shqiptarët e mërguar për të hedhur sytë nga vëndlindja për të investuar për një biznes të sukseshëm edhe në dobi të tregut Perëndimor por gjithmonë duke patur parasysh një klimë të kënaqshme biznesi që nuk i ushqen praktikat korruptive si deri më sot.

Nëse vërtet do të kemi qeverisje ( Shqiptare) në shërbim të rritjes ekonomike në trevat Shqiptare të Ballkanit, atëherë çdo gjë është e mundur. Emigracioni masiv i Shqiptarëve do të ndalet. Dhe me patjetër Shqiptarët e mërguar edhe do të kthehen, sepse Shqiptarët e Ballkanit kanë të ardhme vetvetiu sepse janë komb vital dhe e duan punën dhe vëndin e tyre!

Por nëse përsëri ne akoma do përdorim Fazlliçërinë si kontakt dhe kontraktor në Tiranë apo edhe Prishtinë, apo edhe skema klienteliste që ngrejnë oborre apo klane të reja Shqiptare ( me lidhje politike në Tiranë dhe Prishtinë të ndikuara nga Beogradi apo Athina) mos të kërkojmë të bëjmë be e rrufe se Ideologjia e Rilindasve do gjejë zbatim edhe këtë shekull.

Filed Under: Analiza Tagged With: artur vrekaj, ekonomio Kombetare, treg Panshqiptar

FUQIZIMI I LOBIT SHQIPTAR NË SHBA – DOMOSDOSHMËRI PËR INTEGRIMIN DHE ARDHMËRINË E KOMBIT

September 29, 2013 by dgreca

NGA ARTUR VREKAJ, WORCESTER,MA (SHBA)/

Lobimi i Shqiptarëve në SHBA përfshin më shumë se bindjen e ligjvënësve Amerikanë. Ai përfshin edhe hulumtimin, analizën e legjislacionit, propozimet rregullatore, ndjekjen e seancave të Kongresit, por më kryesorja është edukimi i qeveritarëve apo të zgjedhurve të popullit Amerikan për çështje të rëndësishme të integrimit tonë ( si shtete dhe komb) në BE, NATO dhe OKB për Kosovën apo në BE për Shqipërinë në kuadër të Çështjes Kombëtare Shqiptare apo edhe për mbrojtjen e të drejtave të Shqiptarëve të Ballkanit në  tërësi, përfshi edhe ata në Greqi. Por mos të harrojmë se puna më e madhe është sigurimi i fondeve financiare për lobim të fortë.

Çfarë është një lobist Shqiptar në SHBA? Një lobist mund të jetë një aktivist vullnetar (një drejtues organizate Shqiptare) , një agjenci private ( që ne nuk kemi) apo një organizatë joqeveritare ( LQSHA ose KKSHA) që kërkon të bindë anëtarët e qeverisë, Kongresit apo Senatit Amerikan për të miratuar legjislacionin apo veprimin diplomatik Amerikan në vënd apo edhe në arenën ndërkombëtare që të përfitojnë grupi i tyre, kauza apo vendet e origjinës që përfaqësojnë. Lobimi është një pjesë integrale e ligjshme e procesit demokratik që nuk është kuptuar shumë mirë edhe nga ne Shqiptarët se si funksionon. Ka lobistë vullnetarë ( indivdët dhe organizatat), por edhe profesionistë ose agjenci private të paguara.

Më herët, 135 vjet më parë, këndohej kënga : Abdyl shite pasurinë,/ një barrë flori…/. Kjo këngë është një dëshmi për Rilindasin Abdyl Frashëri që loboi në kancelaritë Europiane për Shqipërinë e të katër vilajeteve. Dhe kjo flet shumë se sa e deshi Shqipërinë Abdyli!

Lobimi Shqiptar në Amerikë ka filluar me VATRA, me Nolin dhe Konicën dhe patjetër ka kushtuar para! Po nuk ka rrugë tjetër! Ka vazhduar pastaj me DioGuardin si Kongresman Arbëresh që udhëheq Lidhjen Qytetare që megjithëmënd është ndjerë për Kosovën edhe pse shtetarët Shqiptarë nuk e kanë nderuar për meritat që i takojnë! Dhe më pas kemi lobim edhe me Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan apo edhe me VATRA.

Po të ketë shpirt e zemër të bardhë nga qeveritë Shqiptare dhe Diaspora, për  lobimin Shqiptar në SHBA do ketë dhe mënyra për të financuar, jo fshehurazi siç ndodh rëndom me Shqipërinë! Sepse në fillim të këtij viti Shqipëria me qeverinë e Berishës firmosi një kontratë të re me Patton Bogs, agjenci private që të rregullonte imazhin e saj përpara zgjedhjeve të 23 Qershorit 2013. Dhe Berisha humbi zgjedhjet, por humbën edhe paratë. Është e dyshimtë kjo kontratë, sepse Berisha me një shtet në borxhe me mbi 60 për qind, nuk u tregua i hapur me popullin shqiptar për shpenzimin e afër 2 milion dollarëve për lobim me agjenci private Amerikane si Podesta Group, Podesta Group etj. Vetëm në dy vjet ( 2009 dhe 2010 Berisha shpenzoi 1.38 milionë dollarë për lobim në SHBA. ( Mendo këto para ti kishte në përdorim lobi Shqiptaro-Amerikan…)

Ardhja e Ramës për herë të parë në SHBA si Shtetari numër Dy, patjetër që ngriti problemin e lobimit për tani dhe për më tej. Kryeministri Rama nuk erdhi me një axhendë përbashkuese të faktorit Shqiptaro-Amerikan! Pra, tu bënte një ftesë vëllazërore të gjitha shoqatave, organizatave aktive të Shqiptaro-Amerikanëve për tu takuar e pleqëruar së bashku, jo vetëm programin e Rilindjes, por edhe ajo që është më e rëndësishmja se çfarë mund të bëjmë së bashku për Shqiptarët e Ballkanit dhe për Çështjen Kombëtare Shqiptare – dy shtetet shqiptare dhe Diaspora. Pra, shkurt, sa takat kemi për tu bashkuar e lobuar së bashku! Me një zë të vetëm!Për më shumë ti inkurajonte edhe Shqiptaro-Amerikanët të përbashkohen për më shumë përfaqësime elektorale në qytetet ku baojnë që ta kemi lobimin Shqiptar më të fortë.

Darka lobiste e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan ( 350 dollarë bileta minimum  deri edhe 1000 dollarë) në programin e të cilës ishte nderimi i diplomatit Philip Riker, nderimi i Kongresmanit Engel nga presidenti Nishani dhe prezantimi i Ramës si kryeministër tregoi për një thyerje akulli të shtetarëve më të lartë të Shqipërisë që darkuan bashkë për një syrreth më të mirë ndër Amerikanët se ne Shqiptaro-Amerikanët kemi dijeni më shumë, sepse na erdhën dy delegacione të ndara.

Sa për fjalët e bukura e në përgjithësi për Shqipërinë dhe kombin që tha Rama në Amerikë këto janë të mira për qoka, por jo për Shqiptaro-Amerikanë të shkolluar. Ai u përshëndet për fjalën në OKB, për mbështetjen botërisht të Kosovës! Ajo që Diaspora donte të shihte tek programi i Ramës do të ishte: ta shihte Ramën dhe Nishanin bashkë në Boston tek Kisha e Nolit! Sepse Rilindja u frymëzua dhe u vu në jetë nga Njerëzit e Mëndjes së Ndritur Shqiptare siç janë Noli dhe Konica dhe shokët e tyre që bënë gjithçka mundën për ta bërë Shqipërinë Zonjë! Është minus kjo mungesë koordinimi e paraqitjeje! Le më që shtypi i Diasporës nuk kishte as edhe njoftim për axhendën e Ramës! Duken detaje pa vlerë,  por mediat shqiptare janë më të ndjeshme kur vjen një titullar Shqiptar në Amerikë. Sepse komunikimi tregon pjekurinë dhe seriozitetin e qeverisë së re.

Mosdëgjimi i zërave të Diasporës për ngritjen në rang Ministrie të përfaqësimit të Diasporës tregon edhe një sjellje jo fort vëllazërore karshi Diasporës kur vjen në Amerikë. Se më ndryshe do kishim, si edhe Kosova që e ka një Ministri të tillë aktive, edhe një kordinim punësh më efiçent. Pra, ka një boshllëk të madh, sepse edhe shërbimi diplomatik i Shqipërisë pothuaj nuk funksionon për hir të fondeve minimale.

E vetmja porosi që duhet të mbajë shënim Rama është fuqizimi i Shqiptarëve të Amerikës si faktor lobimi për Shqiptarët e Ballkanit në tërësi. Sepse, sikur edhe një çerek milion dollarë Amerikanë të shpenzojë Rama për 4 vjetët e ardhshme ( mos tu duket çudi se pa para nuk ka lobim!)  është mirë tu jepen lobistëve Shqiptaro-Amerikanëve që janë afirmuar tashmë si të zgjedhur nga komuniteti Shqiptar apo edhe nga Amerikanët në qytete apo dhe shtete.

Darka lobiste ku mori pjesë Nishani dhe Rama u quajt si ngjarje e madhe e Diasporës, por aty nuk u nënvizua se çfarë do të bëhet në të ardhmen, çfarë Strategjie Kombëtare Përbashkuese do të kenë Shqiptarët e Ballkanit dhe Diaspora. Fotot në këtë darkë u bënë të bukura, por ato janë kujtime jo shumë të suksesshme për ardhmërinë e Shqipërisë nëse ndarja e Ramës me institucionin e Presidentit thellohet.

Rama nuk premtoi se do të ndahet përfundimisht nga komunizmi si praktikë, sepse Partia e Ramës dhe vetë Rama nuk kanë kërkuar falje për krimet e komunizmit akoma. Hapja e dosjeve të komunizmit nuk duhet të jetë pengesë më për Ramën me fuqinë Kushtetuese të Parlamentit që ka, sepse ende ka shtetarë apo dhe deputetë Shqiptarë majtas dhe djathtas që kanë emrat në këto dosje. Por kjo duhet bërë. Pa vonesë. Themi diktatura më e egër në Shqipëri po as Berisha, as Nano nuk e bënë këtë gjë sepse ishin komunistë e më vonë ish-komunistë. Se nuk ka hije për Shqipërinë të integrohet në BE a do marrë status për në BE edhe me spiunët në parlament, në shtet a në institucione. Ndryshe, çfarë Rilindje do jetë kjo ? Për fasadë vetëm?

DioGuardi, udhëheqës i lobizmit Shqiptar për 25 vjet në Amerikë, për Çështjen e Kosovës në veçanti,  ja kërkoi këtë ndarje përfundimtare nga komunizmi Berishës kur mori pushtetin që më 1992, por Berisha refuzoi. Dhe nënkupton shumë ky refuzim i Berishës.

VATRA, organizatë 101 vjeçe, për herë të parë i nënvizoi edhe Ramës në një takim kalimthi (të kërkuar nga Rama) se: kjo organizatë nuk do të mbajë më krahun e asnjë rryme politike në Shqipëri, gjë që flet se është e hapur për bashkëpunim me qeverinë Shqiptare në shërbim të kombit. Ramës nuk i duhen kundërshtarë Shqiptaro-Amerikanë në Amerikë, sepse nuk i shkon përshtat as ardhmërisë së kombit të ndodhë që segmente të shtetit dhe politikës së Shqipërisë apo Kosovës të përkrahin veças segmente të Diasporës sipas rrymave a bindjeve politike.

Çdo Shqiptaro-Amerikan që tashmë ka një profil publik në qytetin Amerikan ku jeton ka kontakte me të zgjedhurit Amerikanë në Kongres dhe Senat. Pra, bën njëfarë lobimi pa ndonjë kredi për vete, por sepse i dhëmbet atdheu. Dhe kjo mos ti duket pak Ramës, sepse Shqiptarët e Amerikës kanë treguar me qytetari dhe shqiptari se i duan njëlloj të gjithë Kongresmenët dhe Senatorët Amerikanë, pavarësisht se ata përfaqësojnë Demokratët apo Republikanët.

Prandaj, Rama duhet që vëllazërisht të ulet në një kohë (të duhur) me të gjithë faktorët Shqiptaro-Amerikanë në Tiranë apo në Amerikë për të hartuar një Strategji Kombëtare për një faqe të Re të Shqiptarisë dhe Shqiptarëve të Ballkanit. Ndryshe do kërkojë agjenci private për lobim në Amerikë si Berisha, për vete, jo për Shqipërinë! Pra ti shmangemi klientelizmit dhe sekserllëkut financiar me paratë e Shqiptarëve të varfër për lobimin në veçanti.

Nëse Rama do të tregojë vendosmëri për vëllazërim me bashkëpunim ekonomik, arsimor dhe kulturor për gjithë Shqiptarët e Ballkanit, luftë pa kompromis për korrupsionin ekonomik ( ndëshkimin me ligj të shpërdorimit të detyrës shtetërore si nga paraardhësit dhe të vetët), hapjen e dosjeve të komunizmit, respektin për të përndjekurit politikë, e probleme që kanë cënuar sovranitetin e Shqipërisë nga Greqia ( si varrezat Greke, kufijtë detarë, etj) patjetër që do të ketë më shumë përkrahje edhe ndër faktorë lobistë siç është Lidhja Qytetare Shqiptare me DioGuardin, KKSHA apo edhe VATRA. Rama nuk duhet të harrojë se një shumicë e mirë e Kongresmenëve dhe Senatorëve Amerikanë kanë moshën e DioGuardit apo drejtuesve të komunitetit Shqiptar në New York dhe duhet të kuptojë se fitimi i respektit për Ramën fillon me vënien në praktikë të një regjimi puro demokratik në Shqipëri.

Thirrja që ju bë nga Rama Shqiptaro-Amerikanëve në darkën lobiste, më 27 Shtator 2013, që të investojnë në Shqipëri do të tingëllonte më mirë po qe se do të kishte dhe një takim më të zgjeruar të Dhomave të Tregëtisë të shteteve Amerikane ku janë me shumicë Shqiptarët bashkë me faktorin Shqiptaro-Amerikan për ta bërë sa më konkrete se çfarë infrastrukture ofron Rama që këto biznese që vijnë nga Shqiptaro-Amerikanët të ndihmojnë dhe lobimin. Se ndryshe, kjo thirrje bie erë klientele ose sa për të kaluar radhën.

Shqipëria është vend me rrisk politik dhe korrupsioni është tashmë praktikë e njohur edhe për arsyen se militantizmi partiak është parë si e vetmja mundësi punësimi për të zënë një vend pune në shtet që bën para. Dhe mendo kjo klasë kapitaliste Shqiptare me imunitet nga populli ka kapur jo pak hapësirë në Parlament dhe Institucionet Shqiptare për tu majmur shpejt. Kurse në Diasporë paratë fitohen me djersë dhe veprimtaria atdhetare është më shumë ndjeshmëri shpirtërore për ta mbajtur gjallë Identitetin Kombëtar si një mundësi për tu treguar Amerikanëve se ne Shqiptarët jemi krenarë që kemi lindur në Shqipërinë që u thirr në Prizren më 1878 dhe në Vlorë më 1912!

Prandaj, duhet të mendojmë më me vizion se  çfarë do bëjmë së bashku – Shqiptarët e Ballkanit dhe Diaspora me një Strategji Kombëtare! Dhe para kombit janë më shumë përgjegjës qeveritë dhe klasa politike Shqiptare ashtu sikundër çdo Shqiptar. Dhe të jemi të gjithë një hap nëse duam integrim me bashkim dhe përparim. Ky proces do të ndodhë më shpejt nëse shtetet Shqiptare ( në veçanti shteti amë që duhet edhe të udhëheqë) e përkrahin Diasporën dhe e shohin lobin Shqiptar të SHBA si faktor të rëndësishëm. Jo ta shohin vetëm nga ana folklorike, sepse asimilimi i Diasporës do të jetë dhe asimilim i kombit tonë të shumëvuajtur edhe si rrjedhojë e armiqësive që ushqejmë ndërmjet nesh ne Shqiptarët, pa qënë nevoja.

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: artur vrekaj, Lobimi shqiptar, ne Amerike

KLITHMËLINDJE…Nga ARTUR VREKAJ

September 11, 2013 by dgreca

KLITHMËLINDJE*/

Si kalimtar i përditshëm klithmëlindjet e jetës/

i përjetoj në çdo stinë./

Kur ndjeni që  mushkëritë ju  çliren,/

një oksigjen i ri, jetëson/

gjithësinë…/

Dhe shoh si dheu  barin e kon/

me frymën shpërthyese të lulesythnajës/

dhe tërë bota  bleron./

Dua të jem klithmë-lindje …/

 

Çdo ditë  me lindjet njerëzore,/

Çdo ditë me klithmë-dehjen e agimeve pranverore .

 

Kurrë nuk do t’u ndahem klithmave.

Edhe  dhimbjeve,

gjithsesi.

 

Kur nuk do të më ndjeni,o njerëz,

kërkomëni,

dhe do të më  gjeni:

me një trëndafil Përmeti në dorë…

dhe, herë-herë,

…edhe  me lot’ në sy…

 

Me lindje është mbushur plot-përplot zemra ime:

me mall, me këngë dhe me ëndërrime….

 

Kam një dhimbje njerëzore, që më mundon:

“Pse , moj Vesë-parfumeri-agimesh

Më tretesh pa gjurmë dhe,

…më avullon?!…

 

Përse, moj  Vesë-parfumeri-agimesh, pse ?!

Jetën kaq të shkurtër e ke ?!”…

 

 

 

 

ME NJË ENDËR E LIDH  DITËN

 

Pas një vargu naimian,

shpirtshtegtuar dritëDiellit,

i thaj lotët e mërgimit

me agimet  e Përmetit….

 

Sa dal portës, në oborr

shpirt e këngë bilbilkënduar;

Pas një lule trëndafili

paqem, gazem lulëruar!

 

Me një endërr e lidh ditën,

shpresëruar me besë e zot;

Si zotin kam Amerikën,

kombvëlla si dje, si sot!

 

Kënga visesh më shtegton,

ku e ardhmja shpresëron!

 

 

 

VALËZAMBAKËRISHT

Liqeni val bregut

të tijat buzëvalë;

Tufat e zambakëve

i përkund pa fjalë.

 

Syre, syre pihen

pas zambakërisë;

Shpirtër-a që krihen

qeshur vajzërisë.

 

Lulebardhët puthin

faqeujësinë;

Vajzëria shtiz

pritjedashurinë.

 

Era merr liqenin

në ditët katran;

zambakëve majëthikash

fytyrëgjakur qan.

 

I urti liqen

gjizambakëruar;

Shpirtbardhë si lulja

rrathë-rrathë shkruar.

 

Si dashuria ime

ëndërrlëmshëzuar;

Me mall të vendlindjes

mërgimit pikuar!

 

Syprinës rrathëprerë

Valëzambakërisht;

Vargu im këndon

Ditën djalërisht!

 

 

KTHE, O SHPIRTMËRGUAR

 

Dita përmes zërash kthjell veç zëbilbilin,

bahçes krehur, larë me erë kamomili;

Ajri ajkëzënë me ajkë nektari,

rrugëve nga shkon bleta harliset behari.

 

Bleta e mjalt ditën në zgavër të lisit,

që jeta të zërë farë lumturimi;

Në të shenjtin vend ku ndrin hij’ e fisit

kthe, o shpirtmërguar g’zoju paqësimit!

 

 

 

LOTI  DHËMB SI NJË FRYMOR

 

Loti dhëmb si një frymor,

sepse shpirti i tij vaj:

I nxehtë si dalë nga furra,

moshëfoshnjë i pafaj.

 

Qiell’n e syrit lan me qarje

kripen dhe gurët pa zë;

Këputet nga buzë e syrit

njolla e lotit ngrin e fle…

 

Kur një shpirt loton plaguar,

vështron urtë si vetë zoti,

sa njeriu shpirtlënduar,

nuk arrin të fshijë lotin.

 

Lot’n e pafaj qelq të larë,

mos e pafshim që të bjerë;

Të fiket dashurivrarë,

tek vetja dhe tek të tjerë!

 

FARËZIMI I GRURIT

 

Si një foshnjëz  pa pelena,

brazdës në bukëvaltin shtrat,

nis një jetë e madhërishme,

farë e vogël  ngrihet lart…

 

Rrënjëzon kjo jetë e re,

thith nektarë e nënës- tokë,

farëzon e shtohet jeta,

ndrit  një yll i art’ në botë…

 

Ja një kokërr shtohet, rritet,

pushton fushën  tejpërtej…

Farëzon një kokërr fare,

dhe pavdekësinë  mbjell…

 

 

KUMBULLA IME

 

Kaq të bardha, kaq të paqme,

i çel lulet kumbull-o;

Të mbolla as njëvjeçare

edhe pse mërguar-o!

 

Kaq e paqme, kaq e bardha,

velloveshur kumbull-o;

Sa zili të ka dhe dardha,

sythfjetur, vonuar-o.

 

Sa gëzuar bletët rendin,

se ti kumbull çel e  para;

Lulegjinjtë nektar u falin,

të ëmblave këngëmjalta!

 

S’dua që bletët të trëmben,

kur një degëz e shkund era;

Bleta shtegtare  dhe  unë,

rrugëve, në kërkim përhera…

 

Ah, moj kumbull që të pres

Çdo pranverë, si lajmëtare,

bardhësia jote më jep

pasaportën përmetare …

 

 

 

 

TË MOS THAHEM I MËRGUAR

 

Det mendimi e kthjell vargun,

të pastër, të ngrohtë, të dashur;

Dhe një shpirt që shkon frymëmardhur

e ngre gjallë, të papërmbajtur.

 

Me të shpirtit ajkëkuar,

ditënatë shqipëroj;

Të mos thahem i mërguar,

vargun vesh e pranveroj!

Me vargun çmend edhe detin,

kur hoven hiret e fjalës;

Dashurin’ e dashurive

shkruaj tantellave të valës!

* Cikël me poezi nga libri “Klithmëlindje”, 2013/

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: artur vrekaj, cikel poetik, klithmelindje

ARVANITASIT – UDHËHEQËS TË KRYENGRITJES PËR PAVARËSINË DHE SHTETIN E GREQISË MODERNE

September 5, 2013 by dgreca

NGA ARTUR VREKAJ, WORCESTER,MA SHBA/

Ne Foto:Disa nga Kryeministrat e Greqise nga radhet e arvanitasve/

Shqiptarët në Perandorinë Osmane ishin kryengritës në çdo cep , në Selanik, Athinë, More, Epir, Kosovë, Nish, Shkodër, Manastir e kudo. Skënderbeu i Shqipërisë dhe në veçanti Shqiptarët e Moresë, u bënë promotorë të Rezistencës  dhe ishin baza për të mbajtur gjallë shpresën për Pavarësi nga Turqia edhe në territorin ku sot shtrihet Greqia.

Kryengritja për Pavarësinë e Greqisë e udhëhequr nga Arvanitasit u inicua edhe ndikimi i pushtimeve të Napolonit por do të ishte e pamundur pa ndihmën e Europës Perëndimore.

Lëvizja e parë erdhi nga Veriu. Philiqi Etaireia ishte shoqata që u themelua në Odesë më 1814 dhe shërbeu si forum për idetë që do të realizoheshin si primare për kryengritjen. Cari i Rusisë qe mbështetës i programit dhe aktiviteteve të saj.

Jani Kapodistria, me origjinë Gjirokastrite, politikani udhëheqës pro-Rus nuk u përfshi në të, ndërsa vëllezrit e tij ishin aktivë.

Në Mars të vitit 1821 princi Aleksandër Yplsilantis lider i Philiqi Etairea udhëhoqi kryengritjen prej zonave Danubjane të Moldavisë dhe Vallaçisë dhe kaloi lumin Pruth me trupat e tij. Mori mbështetje në Rumani por ekspedita e tij dështoi.

Në të njëjtën kohë më 25 Mars 1821 në Peloponez filloi kryengritja. Si kordinator shërbeu vëllai i princit Aleksandër, Dimitris. Liderë ishin fanarioti Aleksandër Mavrokordatos, Petrobey i Manit dhe Gjergj Kundurioti i Ishullit Hidra.

Drejtimi nga princi Ypsilantis ra dhe drejtimi i kryengritjes ra në dorë të udhëheqësve jo të rregullt, me origjinë Arvanite që i kishin shërbyer më parë Ali Pashë Tepelenës, udhëheqësi i parë që kërkonte shkëputjen në atë që sot është tokë e Greqisë nga Perandoria Turke.

Më të spikaturit  nga komandantët Arvanitë ishin Theodhor Kollokotroni në More, Odise Andruço në Malin Parnassus, Marko Boçari në Sul, Bubulina në Ishujt, Gogo në Epir, dhe Karaiskaqi në Mesolongji.

Në Prill 1821 u bënë luftime të ashpra në More. Filheleni Thomas Gordon e la kauzën. Që nga fillimi i Kryengritjes kishte një qeveri provizore me Asamble Kombëtare në Epidarius prej fundvitit 1821. Kishte një shpresë nga diplomati Jani Kapodistria për një shtet të Pavarur të garantuar nga shteti Ortodoks i Rusisë dhe tjetra nga Aleksandër Mavrokordatos me vështrim nga Perëndimi.

Kushtetuta e deklaruar më 1822 u përpilua nga Mavrokordatos. Fuqitë Europiane të përfshira në nivelin politik në Greqinë e asaj kohe donin dobësimin e Turqisë por shumë fonde financiare erdhën jo nga burime zyrtare por nga Filhelenët. Idealistët Britanikë dhe Gjermanë dhe nga vende të tjera u derdhën me heroizm dhe me para.

Lordi Byron, poet me famë, njeri imoral i detyruar të linte Anglinë më 1823 se do të ndëshkohej nga ligjet e kohës u bë agjent financiar dhe përfaqësues i Komitetit Grek që u formua në Londër për mbështetjen financiare për Kryengritjen më së shumti nga Lord Major i Londrës. Byron vdiq nga temperatura pa hedhur një pushkë kundër Turkut në shtëpinë e Aleksandër Mavrokordatos në Mesolongji dhe u thirr hero kombëtar!

Teatri i luftimeve përfshiu Morenë, Rumelinë dhe Mesolongjin. Popullsia e Athinës u shpërngul në Salamis. Më 23 prill  1821 Turqit morën Akropolin. Athinjotët të ndihmuar nga forcat shqiptare të fshatrave shqiptarë nën udhëheqjen e Odise Andruços bllokuan Turqit në Akropol. Nga Korriku në Nëntor 1821 Pashai  i Janinës Omer Vrioni ?

u përpoq ti çlironte forcat Turke të rrethuara gjer sa erdhi në komandën e Rumelisë Lindore. Pas luftimesh të ndihmuara nga Jani Koleti dhe Francezi Olivier Voutier ende nuk u arrit sukses. Turqit e neglizhuan furnizimin me ujë duke u bazuar vetëm tek mbrojtja e murit Serpentzi dhe kjo rezultoi në kapitullimin e  garnizonit Turk në Akropol  më 21 Qershor 1821.

Në Shtator 1822 në konferencën e Athinës delegatët kundërshtuan dhe shfuqizuan trupin e qeverisjes vendore të Rumelisë Lindore me Aerios Pagos. Odise Andruço u bë komandant i Akropolit, një lëvizje që mori më pas edhe fuqinë e Rumelisë Lindore.

Në fund të vitit 1822 Naplua ishte në duart e kryengritësve të udhëhequr nga Kollokotroni që mundën ekspeditën Turke të Dramali.

U vetëshpall shteti por ende luftoheshin forcat Turke për shpëtimin e fitoreve të kryengritjes pasi nuk kishte stabilizuar bazën kushtetuese.

Kollokotroni që luftonte për pozicionin e tij dhe për Greqinë nuk i njohu anëtarët e asamblesë së re kombëtare që u mblodhën në Astros në Dhjetor 1822.

Kjo Asamble zgjodhi Gjergj Kunduriotin President të Greqisë.

Në verë të 1823 Boçarin e vranë në Karpensis.

Lordi Byron, poet me famë, njeri imoral i detyruar të linte Anglinë më 1823 se do të ndëshkohej nga ligjet e kohës u bë agjent financiar dhe përfaqësues i Komitetit Grek që u formua në Londër për mbështetjen financiare për Kryengritjen më së shumti nga Lord Major i Londrës. Byron vdiq nga temperatura pa hedhur një pushkë kundër Turkut në shtëpinë e Aleksandër Mavrokordatos në Mesolongji dhe u thirr hero kombëtar!

Mbështetja financiare Angleze për Mavrokordatos u rrit që në Gusht 1822 kur George Caning u bë Sekretar i Jashtëm.

Vetëm Kundurioti si President ishte i autorizuar të shpenzonte kredinë Angleze ndaj Kollokotroni hoqi dorë dhe e pranoi atë në Nauplia. Greqia shkau në luftë civile dhe Turqit më 1824 me strategji të re ndërkohë vazhdonin luftën ndaj tyre në tre fronte.

Ibrahim Pasha prej Egjipti sulmoi Morenë. Flota Turke ishte në veprim në ishujt ku qëndronin Shqiptarët. Ishulli Psara u dogj me themel.

Ndërsa lord Byron ishte akoma në Mesolongji koloneli Leicester Stenhope mbërriti në Athinë më 2 Mars 1824. Ai nuk i besoi ambiciet e Mavrokordatos për Greqi demokratike dhe mendonte se lideri bandit Odise Andruço ishte burri i së ardhmes.

Odise si komandant i Greqisë Veriore ishte ligjvënës i Athinës me kryeqëndër në malin Paranassos. Stanhope hapi një muze,shtypshkronjë, gazetë që u dëmtuan sepse Greqia  ishte në anarki. Forcat kryengritëse treguan pak interesa në këto projekte dhe donin influencën e Odise Andruços ta bënin Athinën si kapitanlik të armatolëve. Tregëtarët formuan një garnizon dhe ftuan Dimitri Ypsilantes të merrte komandën e Akropolis . Forcat kryengritëse nuk e pranuan atë dhe Odise erdhi prapë në fuqi në Athinë mori në dorëzim gjithë pasuritë e saj më 2 Shtator 1824 kur themeloi edhe një asamble provinciale.

Komandimi i tij ishte brutal.

Në shkurt 1825 Odise Andruço po shihte se interesat e tij po kërcënoheshin nga qeveria e Gjergj Kunduriotit që nën influencën e ministrit Rumeliot Jani Koletitn po e nxirrnin atë në anë duke e sulmuar njëlloj si Turqit.

Sidoqoftë, organizimi i tij u tërhoq shpejt  dhe në prill 1825 Jani Gura (Gouras) mori kontrollin e Athinës. Odise Andruço u burgos në Kullën Frankish në Akropol.

Në mëngjesin e 17 Korrik 1825 trupi i Andruços u gjet i pajetë dhe u tha që ai ra në tentativë arratisje por gjithkush e dinte se atë e vranë autoritetet.

Në Greqi luftonin forca Franceze nën komandën e kolonel Fabvier dhe marina Angleze me komandant Lord Cochraine. Në verë të 1825 qeveria Greke ra, por më 1826 Asambleja e re kombëtare e mbledhur në Epidarius i dha aventurierit Richard Church komandën Supreme të ushtrisë Greke dhe komandën e Marinës ja dha lordit Cochraine.

Luftimet vazhdonin. Pas vrasjes së Jani Gura, Karaiskaqi ndihmoi të hapte rrugën për çlirimin e plotë të Athinës.

Në Shkurt 1827 Gjenerali Gjerman Heideck në Oropus u ndihmua nga deti edhe nga forcat e Miaulit.Ndërkohë Karaiskaqi komandonte drejt Pireut tre mijë forca sipas planit të  Asamblesë së Bashkuar në mars 1827.

Vrasja e më shumë se 200 trupave Shqiptare nën uniformën Turke që u dorëzuan në një Manastir  bëri që gjeneral Thomas Gordon të japë dorëheqjen. Karaiskaqi u përpoq të ndalte masakrën e Grekërve ndaj Shqiptarëve por pa sukses.

Më 4 Maj 1827 Karaiskaqi kishte marrë plagë për vdekje. Lufta vazhdonte në favor të Turqve. Ndihmat perëndimore u prenë sa në verë të 1827 Greqia tymoste. Traktati i Londrës më 6 Korrik 1827 i dha autonomi të kufizuar. Lufta mbaroi në Mars 1829 por Turqit nuk u tërhoqën deri në Shtator 1829 deri kur Rusia mori Adrianopolin që përfundoi me Traktatin e Adrianopolit. Sulltani njohu Mbretërinë e Greqisë në Korrik 1832. Kufiri ishte fiksuar me një vijë nga Arta në Volos.

Fuqitë Europiane në vitet e fundit të luftës ishin përfshirë me ushtri, para dhe diplomaci dhe më 1826 kur po konkludonin se çfarë kushtetueshmërisht ta bënin Greqinë – shtet të pavarur brenda Turqisë, me forcat Turke të larguar nga toka e tyre; republikë federale apo shtet presidencial dhanë pëlqimin të  gjenin një mbret për shtetin e ri.

Më 14 Prill 1827 Jani Kapodistria u zgjodh President i Greqisë me mandat për shtatë vjet në fillim në Trozen dhe pastaj në Nauplia që u bë kryeqytet. Kapodistria u kthye në tiran. Kështu Miauli rindezi kryengritje që u shtyp nga trupat qeveritare dhe klani i Manit  me Mavromihalin.

Më 9 Tetor 1931, ndërsa hynte në kishë dy anëtarë të familjes së Mavromihalit vranë Presidentin Kapodistria.  Pas kësaj u krijua një komitet qeverisës që mori kontrollin me në krye vëllanë e Kapodistrias, Agostinon dhe doktorin e Ali Pashë Tepelenës, Vllahun Jani Koleti. Anarkia u mbyll me mbretin kukull, 18 vjeçarin Otto, djalin e vogël të Mbretit të Bavarisë që miratuan Fuqitë Europiane  më 4 Tetor 1832 dhe e dërguan bashkë me 3500 trupa Bavareze më 1 Shkurt 1833 të merrte fuqinë si Mbet i Greqisë në Nauplia.

Për këtë material është përdorur burimi i Richard Stoneman në “A Traveller’s History of Athens”

 

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: artur vrekaj, Arvanitasit, e kryengritjes per pavaresi, te Greqise, udheheqesit

“Klithmëlindja” e një poeti*

August 6, 2013 by dgreca

Nga YLLI HOXHAJ /

Arturi, ky poet i ri e i begatshëm, djalë i Përmetit, jeton e punon në Amerikë për më shumë se një dekadë. Si shumë bashkëkombës edhe ai ndoqi rrugët e botës për një jetë më të mirë. Tej kontinentesh dhe oqeanesh, larg vendlindjes, ish-ushtaraku, këto vitet e fundit, na u shfaq poet… Arturi poet?!…Në gazetat e vendlindjes : “Dëshnica”dhe “Përmeti” dolën faqe me poezi, dërguar nga Massachusetts-SHBA. …. Shpejt erdhi dhe libri i parë poetik, me një titull,si një rënkim mërgimtari: “ Dashuri që më kthen pas”.Edhe për këtë libër, këto gazeta shkruan e botuan komente. Dëshnicës i vinte një poet i ri.Është gëzim e ogur i madh, kur vjen edhe një poet më shumë. Poetët janë lisat e lartë të kulturës dhe të qytetërimit të një komuniteti. Ata kanë brumin e dritës dhe të shkëlqimit, kanë butësinë e begatinë e blerimit të natyrës, kanë shpirtin e qiririt, kanë aftësitë dhe dobësitë e profetëve për t’u sakrifikuar për “pakëz dritë”, kanë diçka të përbashkët me bilbilat, me dallëndyshet dhe me agimet e ditës. Dhe, megjithatë janë kaq të thjeshtë, kaq të zakonshëm, kaq të nevojshëm dhe të dashur…Një qytet pa një poet do të ishte i vrazhdë, i heshtur,i shurdhët, disi si një muzg ,… midis mjegullave gri… Dëshnica me atë reliev të bukur, me të gjitha mirësitë,djep i orakullit të Dodonës pellazgjike, siç ka bilbilat e natyrës, dhe lisat hyjnorë, ka edhe djemtë e saj: poetë , shkrimtarë, intelektualë të dëgjuar e të mirënjohur, që kudo ku ndodhen, punojnë, krijojnë e këndojnë poezi plot frymëzim. Ndaj, kur i vjen një poet apo poeteshë e re, Dëshnicës i shndrit më shumë nuri e i shkëlqen më shumë balli…Tërë krahina ka mbi dhjetra buronja poezish, që vijnë hera-herës me prurje të begata. Dhe nuk e tepëroj po të them se çdo fshat ka pasur e vazhdon të nxjerrë: poetë e shkrimtarë, studiues e shkencëtarë, këngëtarë e krijues, artistë të fjalës e të valles, të punës dhe të skenës. Artur Vrekaj është lindur poet në njërën prej këtyre vatrave: në Vatrën e Fshatrave të Rrëzës Lindore të Trebeshinës së Dodonës, në buronjat e Podgoranit të Përmetit.

Po kush e bëri poet Arturin?

… Kur lexon librat e tij poetikë dallon qartë: mallin e përvëluar për Shqipërinë, për miqtë e për shokët, për prindërit e të afërmit, për bashkëdëshnicarët,…për gjuhën shqipe, për këngën e bilbilave të lumit të Podgoranit, për Trebeshinën dhe trëndelinën e saj… Eh, sa mall i pashuar!…Dhe tërë këtë trazim të shpirtit ai e përjeton si mërgimtar, dhe kjo ia dyfishon muzën:

/”Malli bëhet diell,

diell për mërgimtarin,

atje kemi jetën,

atje duam varrin”…

Ja, tani kemi në dorë Librin e ri poetik, të cilit i jep emrin “Klithmëlindje,” emër, që flet sa për lindjen edhe për klithmën. Këtë dukuri të përjetshme sa për botën njerëzore aq edhe të natyrës, Arturi e përjeton si poet, dhe na e jep nëpërmjet një metafore të përngjitur. Sa herë ka lindje, ka edhe klithmë, dhe anasjelltas: Lind një fëmijë nëpërmjet dhimbjeve dhe klithmave ; lind një stinë, nëpërmjet erërarave dhe shkreptimave ; lind blerimi i natyrës nëpërmjet reve dhe shirave; lind edhe një këngë, nëpërmjet tingëllimës së shpirtit dhe një pikë -lotmalli:

” Si kalimtar i përditshëm klithmëlindjet e jetës

i përjetoj në çdo stinë./

…Dua të jem një klithmë-lindje !…. /

Çdo ditë me lindjet njerëzore,/

Çdo ditë me klithmë-dehjen e agimeve pranverore.

Sigurisht, edhe libri i tij poetik:”Klithmëlindje “ është gjithashtu një lindje. Autori vjen tek kjo përmbledhje poetike me një pasuri motivesh. E tërë lënda poetike e librit grupohet në pesë cikle, të cilat i lidh lajtmotivi i kësaj metafore. Në hapësirën gjeografike Shqipëri –Amerikë poeti gjen motivet dhe strallin e shkrepjes poetike; sheh në ëndërr kumbullën e oborrit të fëmijërisë,…dëgjon zogjtë e malit që I ngjiten tej e tej Trebeshinës me këngë e klithma; dëgjon gurgullimën e burimit dhe të lumit poshtë fshatit dhe i hedh ato në vargje. Janë motive të shpirtit të malluar…Eshtë larg dhe afër. Dëgjon vajzën qe lexon e flet shqip,sheh bashkëkombësit e tij atje që përparojnë e civilizohen,ndjek edhe me mall e shqetësim përparimin e ngadalshëm të vendlindjes dhe bën poezi, dhe grumbullon motive. Punon dhe shkruan edhe kur është me familjenedhe kur është në turnet e natës.

” …Malli bëhet zë,…

zëri i nënës plakë,

djem na dogji malli,

me lot e me flakë…

Malli na jep flatra

flatra si shqiponja

vijmë e do të vijmë/

në vatanet tona…

Edhe në këtë vëllim poetik, poeti rimerr motive malli dhe vjershëron , por mundohet të mos e përsërisë veten. Ka një tis trishtimi pse edhe vendi i tij nuk ecën si Amerika,atdheu i tij i dytë. Dhe ky merak, e bën poetin edhe “ inxhinier urash të papara”:

“ Dhjetra ura kam hedhur Atlantikut ,

gjer tutje, në Adriatik.

Zbathur do ta bëj kthimin, ju betohem

…Pa pushuar kund,

Duke kapërcyer çdo trafik.

… Këtyre urave të mallit të përvëluar,

që më afrojnë Shqipërinë me atdheun tim të dytë,

Ua derdha shpirtin tim shqiptar kollonave,

që t’u qëndrojnë stuhive,/

edhe pasi të kem mbyllur sytë!

Ka një frymë lirike që e përshkon librin në çdo cikël. Ajo është e ngrohtë, e sinqertë, madje e derdhur ëmbël që të mbetet në mendje. Poeti ia jep në dorë zemrën e tij lexuesit,dhe të duket se lexuesi në ato lirika gjen zemrën e vet… Kjo

është edhe një nga veçoritë e poezisë së Arturit:

“…Ah, moj kumbull që të pres

çdo pranverë, si lajmëtare,

bardhësia jote më jep

pasaportën përmetare …

Gjuha poetike e autorit ka një hop përpara në krahasim me librin e parë. Kjo është dukuri premtuese për një poezi të ardhshme më të maturuar… Ai priret nga

metafora të cilën, kryesisht, e përpunon duke krijuar bashkime fjalësh. Duhet t’i shqyrtosh me vëmendje ato,sepse, në disa raste, e vështirësojnë kumtimin poetik.

Por ka edhe poezi të arrira që me këto fjalë kompozita tingëllojnë bukur e plot muzikalitet:

… Shkoi dhe lumi lumërisht,

Doli shtratit turbullisht,

Me zall mali zalloi fushën,

La njerëzit në hall për bukën!

Libri që po na vjen është një prurje e re cilësore dhe vetiake që na sjell poeti Vrekaj në sofrën e begatë poetike të poezisë dëshnicare e kombëtare. I urojmë poezisë së Arturit mirëseardhjen dhe udhën e mbarë, të lexuesit!

* Parathënia e librit “Klithmëlindje” me autor Artur Vrekaj botuar në Qershor 2013.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: artur vrekaj, e nje poeti, klithmelindja, Ylli Hoxhaj

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT