• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KENI HARRUAR NJË MINISTRI PËR DIASPORËN, ZOTI KRYEMINISTER

July 24, 2013 by dgreca

LETËR E HAPUR/ Drejtuar  Zotit Edi Rama/Kryeministër i Ardhshëm i Republikës së Shqipërisë/

 Nga Artur Vrekaj,/

Kryetar i shoqatës Atdhetare Kulturore KOMBI/

Worcester,Massachusetts, SHBA/

24 korrik 2013/

 I nderuar Kryeministër i Ardhshëm i Republikës së Shqipërisë Zoti Edi Rama! Urojmë me qeverinë e re të çelni një etapë të re për ti dhënë frymë Ëndrrës Shqiptare në Europë që çdo shqiptar të rrojë në dheun e tij me dinjitet.

Duke parë se edhe Diaspora është në hall ashtu sikundër edhe Shqipëria, duke parë se edhe kombi shqiptar është në hall ashtu sikundër edhe ëndrra për përparim dhe qytetërim të shqiptarëve në trojet e tyre, duke parë se të dyja bashkë Shqipëria dhe Diaspora mund të bëjnë më shumë vetëm me një ngritje të nivelit përfaqësues në rang Ministrie të Diasporës Ju drejtohem juve shqiptarisht të përdorni autoritetin Tuaj, sepse keni vullnetin e popullit të shumëvuajtur që ka bijtë në mërgim për ta bërë realitet krijimin e dikasterit ministerial të Diasporës.

Përse i duhet Shqipërisë dhe shqiptarëve që jetojnë në Diasporë, Ministria e Diasporës?Mbi të gjitha për hartimin dhe vënien në funksion të një Strategjie Kombëtare për vëmëndjen që duhet ti kushtojmë Diasporës si pjesë vitale dhe integrale e kombit shqiptar.Ministria e Diasporës do të na ndihmojë edhe për bashkërendim dhe udhëheqje të punës atdhetare e kulturore, por më shumë për këto përparësi:1-Promovim të Identitetit Kombëtar shqiptar me veprimtari atdhetare e kulturore të programuara dhe të kordinuara midis shqiptarëve në Ballkan dhe Diasporës Shqiptare në botë sipas edhe një kalendari kombëtar për ngjarje e figura madhore të kombit.

2-Bashkim me bashkëkuvendim të Diasporës Shqiptare në Europë dhe Amerikë duke ruajtur modelet e sukseshme të organizimeve shqiptare me bazë qyteti a ndërqytetëse siç janë sot në SHBA për angazhimin e brezit të ri të shqiptarëve të shkolluar në Perëndim që janë sot për sot zëri i shqiptarëve në shtetet apo qytetet ku jetojnë, si e ardhmja lobuese dhe përfaqësuese në qeveritë lokale dhe qëndrore të vendeve pritëse.

3-Institucionalizim dhe mirëintegrim të agjencive të qeverive të shteteve shqiptare në Ballkan në rang Ministrie të Diasporës jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri si edhe ngritjen e një Bordi bashkëpunimi për Diasporën ndërmjet tyre me përfaqësim edhe të Diasporës.

 4-Punë më e kualifikuar dhe e studjuar nga institucionet arsimore shqiptare për trajnimin e mësuesve të Gjuhës Shqipe për specifikat që paraqet zhvillimi i mësimit të Shqipes në Diasporë sipas vendeve pritëse.

5-Hapja e qëndrave të Edukimit dhe Kulturës për Komunitetin shqiptar në Diasporë me bashkëfinancim të të dy shteteve shqiptare më shumë dhe të Diasporës në përputhje me mundësitë ekonomike të mbitokës dhe nëntokës shqiptare.

6- Perspektivë më e qartë për Investimin e Diasporës shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë e trojet ku ka shqiptarë me sipërmarrje direkte në bashkëpunim me qeveritë shqiptare dhe të vendeve pritëse.

7-Botimi i literaturës letrare apo shkollore e nevojshme kjo, në gjuhën Shqipe dhe të huaj sipas vendeve pritëse për promovimin e historisë dhe kulturës kombëtare shqiptare.

8-Ringjallja e një Ansambli Kombëtar me program muzikor perlat e këngës dhe valleve popullore, me artistë nga të gjitha trevat shqiptare që të promovojë në Diasporë trashëgimë e pasur dhe të ndihmojë ringjalljen e pasionit tek brezi më i ri për të ruajtur traditën kombëtare.

9-Aktivizimin e intelektualëve të sukseshmëm të Diasporës në shërbimin diplomatik të Shqipërisë dhe Kosovës që kanë potenciale edukimi dhe punësimi në fushën e politikës dhe marëdhënieve ndërkombëtare në Europë dhe SHBA për ta bërë më të besueshëm shërbimin diplomatik nga qeveritë e vendeve pritëse. 10-Hapësirë të nevojshme mediatike, në median e shkruar dhe atë elektronike për Diasporën në Shqipëri.

Duke ju uruar : Zoti ju ndihmoftë! për ta bërë Shqipërinë jepini një shans shqiptarëve të mërguar të përfaqësohen pas 100 vjetëve shtet edhe institucionalisht në vendlindje!

Nëse vërtet e doni Diasporën koha është e mjaftueshme për të shtuar në strukturën e Qeverisë së Re, Ministrinë e Diasporës!

Gjithë të mirat për Ju dhe Shqipërinë!

 

Filed Under: Komente, Opinion Tagged With: artur vrekaj, Edi Rama, kryeministrit, leter

Diaspora shqiptare e Amerikes dhe politika e Tiranes dhe Prishtines

July 19, 2013 by dgreca

Shkruan: ARTUR VREKAJ, WORCESTER, MA – SHBA /

Riorganizimi i Diasporës së Amerikës pas vitit 1992 është njëlloj si në Shqipëri dhe Kosovë. Ajo pamje. Lulëzojnë përmbi dyqind shoqata shqiptare por rreth 20 janë aktive. Ka shoqata edhe me një njeri përgjegjës dhe anëtar për përfitime personale. Edhe me bazë familje a fisi. Janë në çdo qytet amerikan ku ka shqiptarë. Asnjë organizim shqiptar në Amerikë nuk ka kontrollin e Diasporës në të gjitha qytetet amerikane ku banojnë shqiptarët dhe shqiptaro-amerikanët.

Nuk ka një program të përbashkët kombëtar të shoqatave aktive. As edhe një platformë të vërtetë mbarëkombëtare ( të të gjitha shoqatave bashkë) për të përmbushur çdo vit misionin kombëtar. Ajo që është më e rëndësishmja është fat që ka edhe shoqata aktive si në New York, Worcester dhe Boston,MA , Filadelfia, Dallas, Konektikut, Clevland, Detroit,Florida,Uashington apo edhe gjetkë që janë të pozicionuara në programin e Identitetit Kombëtar pa përkrahje palësh politike në Shqipëri. Sepse Diaspora duhet ti rrijë larg politikës. Por segmente të Diasporës së Amerikës, individë apo organizata shqiptare në Amerikë herë-herë përqafojnë hapur segmente të politikës shqiptare apo edhe politikanë me pushtet më së shumti në New York apo edhe në Washington duke e dëmtuar imazhin kombëtar. Kjo lloj sjelljeje e dëmton imazhin kombëtar të një shoqate atdhetare apo edhe të një veprimtari të Diasporës.

Shqip fut përçarje në Diasporë dhe në popullin shqiptar në vendlindje. Siç edhe nuk i kemi parë bashkë presidentin e Shqipërisë, kryeministrin dhe liderin e opozitës në Diasporën e Amerikës të japin duke qënë së bashku një mesazh bashkimi. Sepse edhe organizime shqiptare në New York herë-herë janë shfaqur se ja kanë mbajtur më shumë anën njërit krah. Pa qënë në ekuilibër atdhetar. Shqipëria me këtë klasë politike sot e mbi 70 vjet ka sjellë mesazhe negative në Amerikë. Edhe pse ka ardhur për qoka! Por, ka ikur koha e qokllëkut. Edhe e rregullimit të biografive të politikanëve shqiptarë me mbështetje krahinore apo fisnore sipas modelit të organizatës shqiptare apo degëve të tyre në Amerikë!

E dinë mirë në Shqipëri se po të bëhen të gjithë shqiptarët e Amerikës bashkë kanë fuqi më shumë për Çështjen Kombëtare, sepse ka një vendnumëro edhe në Diasporën e Amerikës. Sepse ende nuk e kanë në program një Kuvendim për RiBashkim të  gjitha shoqatat  atdhetare aktive të Amerikës sot sikur i bëri bashkë Noli dhe Konica 101 vjet më parë! Sot ne jemi të parcelizuar sipas qyteteve edhe të ndarë me shoqata. Vetëm në New York operojnë 160 organizime shqiptare!

Shqiptarët e Amerikës kanë protestuar kundër klasës politike të Tiranës, Nanos kur ishte në pushtet dhe Berishës muajin e kaluar para OKB-së por nuk e kanë bërë këtë më të organizuar për cilindo shtetar tjetër që ka bërë zullume krizash politike në dëm të integrimit në BE apo afera korruptive duke përfituar nga shitja e pasurisë kombëtare, apo kanë cënuar të drejtën e Lirisë së shqiptarëve në këtë tranzicion demokratik edhe pse Amerika ua ka dhënë qartë mesazhin çdonjërit nga këta!

Ne e duam si kombin, Shqipërinë edhe Diasporën të pastër në Amerikë! Sepse  Qeveria, Senati, dhe Kongresi janë tashmë në ndihmë të mirëfilltë për kombin shqiptar, demokracinë shqiptare dhe popullin shqiptar në veçanti!

Nëse Amerika thotë se, komunizmi vdiq edhe me përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri, kjo nënkupton se ai nuk është më rrezik për Shqipërinë – anëtare e NATO, e favorizuar më shumë nga vetë ajo!

Hapni sytë mirë shqiptarë të Shqipërisë dhe Amerikës! Diaspora duhet të jetë në një linjë me Amerikën që bën thirrje për zgjedhje me standarte ndërkombëtare që zgjidhjet e problemeve që ka sot Shqipëria të marrin përparësi.  Të mos ushqejmë asnjë krah politik me deklarata të papërgjegjshme! Të lëmë popullin të vendosë për fatin e tij! Dhe ta respektojmë zgjidhjen e tij! Ciladoqoftë ajo, sepse ne duam ta shohim Shqipërinë në BE siç është në Europë edhe gjeografikisht! Duam të shkojmë një zë! Të gjithë për ta ndritur kombin! Nëse duam ti shërbejmë ardhmërisë së Shqipërisë dhe jo të një krahu politik!

Nuk kemi shumë këllqe ne në Diasporë, në Amerikë për të ndrequr katrahurën e klasës politike shqiptare nëse nuk bashkëbisedojmë me palët përfaqësuese në Parlamentin shqiptar për të kthjelluar deputetët shqiptarë se e kanë gabim kur nuk janë të vetëdijshëm kombëtarisht për ardhmërinë e Shqipërisë!

Shqipëria filloi Asocim-Stabilizimin me BE me kusht varrezat greke në Shqipëri! Noli me Konicën që ne mburremi sot edhe pse s’u kemi bërë ndonjë shtatore as në Tiranë e as në Boston nuk do ta lejonte këtë gjë, as dhe Janullatosin të mbretëronte jo e jo! Kjo bie erë klientelizmi, e bërje e syrit qorr nga shqiptaro-amerikanë që drejtojnë organizime shqiptare në Amerikë.

Ja pra, sa bosh dalim ne në Diasporën e Amerikës! Sepse kemi mes nesh që janë në drejtim të organizatave shqiptare edhe nga ata që fshihen ende pas lavdisë dhe emrave të kollosëve si Noli e Konica! Tashmë, nuk mund të jemi më dritëshkurtër! Të biem pre e ndikimeve politike të Tiranës në pushtet apo edhe në opozitë! Kombëtare është të mos heshtim përpara zullumeve të klasës politike të Tiranës në Amerikë siç është bërë këto 23 vjet tranzicion demokratik edhe me farsën e zgjedhjeve jotransparente në numërim?

Ne në Amerikë si edhe populli shqiptar vërtet nuk duam që në Shqipëri të vegjetojnë praktika komuniste të lyera me interesa klanore a fisnore si deri më tani në 23 vjet .Tirana zyrtare kurrë nuk e ka parë me syrin e lobuesit punën e Diasporës në Amerikë, sepse lobuesit e vërtetë siç është Lidhja Qytetare e DioGuardit luftojnë praktikat komuniste dhe korrupsionin në Shqipëri në veçanti. Ndaj edhe Tirana zyrtare kurrë nuk e  ka nderuar punën e DioGuardit si i vetmi lobist dhe misionar përbashkues i Çështjes Kombëtare Shqiptare sot e 27 vjet në Amerikë .

Ashtu si edhe për Nolin dhe Konicën a për vëllezrit Frashëri edhe për DioGuardin ka patur një heshtje varri për tu dhënë vendin që u takon përgjatë ceremonive të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë në Tiranë, sepse këta nuk kanë qënë nga krahina e pushtetit! Ndryshe, do ti mbetej qejfi edhe Janullatosit që e ka pagëzuar pushtetin në Shqipëri ose bën sikur nuk e kupton pse shqiptarët besojnë më shumë tek SHQIPTARIA! Aq më keq që Tirana zyrtare e ka harruar për 23  vjet ku bie Frashëri i Përmetit të Shqipërisë!

Shtetarët shqiptarë me vdekjen e Antoni Athanas në Boston dhe zhvendosjen e zyrës së VATRA në New York shkojnë e bëjnë qoka në New York. Po shqiptarë nuk ka vetëm New York! Ka kudo e sidomos në bregun Lindor të Atlantikut.

Shqiptarët e Amerikës ja mbushën arkën shtetit shqiptar kur ishte në hall më 1917! Por shteti i sotëm i Shqipërisë ka shpenzuar miliona dollarë për lobim me angjeci amerikane lobuese private në Zyrat e shtetit , Kongresit apo Senatit Amerikan.

Le ta marrim se janë pak para të takspaguesve shqiptarë dhe se shqiptarët janë aq të pasur sa thonë televizorët e shtetit shqiptar sot e 23 vjet!  Po pse është anashkaluar  Diaspora e Amerikës nga shteti shqiptar  këto 23 vjet? Ku janë shkollat shqipe në Amerikë të hapura nga Shqipëria që brezi i ri të rritet me ndjenjë kombëtare?  Ku janë strategjia kombëtare për një Diasporë dhe komb të përparuar?

Pse ç’kujtojnë shtetarët shqiptarë me harxhimin e  miliona dollarëve për lobim privat në Amerikë? Mos vallë Kongresmenët dhe Senatorët amerikanë nuk e dinë se çfarë ata bëjnë dhe se çfarë ndodh në trojet shqiptare kur në stafet e përfaqësuesve amerikanë janë të punësuar shqiptarë të Shqipërisë, Kosovës dhe trojeve shqiptare? Se kemi edhe dy rrugë të mirëfillta të informacionit publik për përfaqësuesit e lartë amerikanë. Njëra është ajo zyrtare në takime direkte me shoqatat aktive në veprimtaritë kombëtare, tjetra është takimet e lira të drejtëpërdrejta me shqiptaro-amerikanë, sepse ne tashmë jetojmë në Amerikë, por falë sistemit demokratik jemi votues, por edhe me të drejtën e plotë të përfaqësimit lokal, shtetëror apo edhe më lart.

Pra, e mira apo zullumi i qeverisjeve shqiptare në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup vjen ashtu siç është në Amerikë, e paredaktuar nga shtetarët shqiptarë, sepse ne shqiptaro-amerikanët që aspirojmë për një Shqipëri të të gjithë shqiptarëve jemi të përkushtuar për ta ndihmuar ardhmërinë e trojeve shqiptare duke u thënë të vërtetën përfaqësuesve tanë amerikanë ashtu siç ne e shohim kur vizitojmë vendlindjen apo edhe nga të afërmit tanë që jetojnë atje.

Ky mesazh ndihmon edhe përfaqësuesit tanë amerikanë në Senat dhe Kongres të qartësojnë më mirë Washingtonin që mbështet Shqipërinë e shumëvuajtur nga proceset zgjedhore me shumë probleme në Shqipëri.

Synimi dhe kapja e Diasporës së Amerikës nga segmente shtetërore apo politike të shqiptarëve të trojeve shqiptare kurrë s’do ta ndihmojë ardhmërinë e kombit! Ndaj të jemi vigjilentë që misioni kombëtar i Diasporës së Amerikës të mos korruptohet nga politikanët shqiptarë qoftë edhe me dhjetëra mijëra dollarë apo edhe me favore në vendlindje për individë që banojnë në Amerikë.

Shqiptarë të Amerikës hiqni dorë nga politika! Edhe nëse individë apo kushdo segment i organizatave të Diasporës ka përkrahur parti politike në Shqipëri apo kudo tjetër dje dhe sot,  është bërë largim i pastër nga misioni kombëtar.

Sepse Diaspora nuk është pronë e askujt. Nuk mund të përfaqësosh shqiptarët e Amerikës kur nuk ndjek frymën e Rilindasve, të Nolit, Konicës dhe DioGuardit që kanë treguar vërtet se janë të pastër për frymën kombëtare!

Prandaj, ka vend për një kthjellim të Diasporës! Sidomos shoqatat shqiptare të Amerikës kurrë nuk duhet të jenë vegla të partive! Kurrën e kurrës! Sepse liderët shkojnë e vijnë kurse kombi mbetet! E çfarë do lëmë pas? Pa vepruar shqiptarisht edhe në Amerikë? Sepse Shqipëria e vuan që korrupsioni është praktika më kanceroze pas komunizmit që po e ha edhe vetë shtetin dhe popullin e pambrojtur. Që institucionet janë bolshevikisht të varura në Tiranë! Që bota është ulur këmbëkryq në Tiranë dhe klasa politike bën lojën e pistë me shitjen e pasurive kombëtare, me tjetërsimin e pronës me ligjin famëkeq 7501, me vjedhjen sistematike të gurit të themelit të demokracisë – votës së bardhë të shqiptarëve, etj.

E ka parë mirë bota se e ardhmja e Shqipërisë mbahet peng nga kjo klasë politike që bën pazare ditën dhe natën që kapin miliona dollarë për klane e koalicione që kanë prodhuar deri tani varfëri e vendnumëro e pak përparim! Sepse nuk e kanë dënuar shtetarët shqiptarë a liderët partiakë komunizmin ndaj edhe  kanë katandisur Shqipërinë si jetime .

Në e duam Shqipërinë, Kosovën dhe trojet shqiptare se rrojmë me ëndrrën e tyre, që të jenë më mirë, më afër botës demokratike. Ne e ndihmojmë kombin vetëm me mision atdhetar për ta mbajtur Diasporën të kthjellët për Çështjen Kombëtare Shqiptare sepse edhe shoqatat i regjistrojmë me statute që kanë për mision shërbimin ndaj kombit shqiptar dhe vetëm atij! Ndaj, larg politikës së ditës në Shqipëri dhe bërjes vegël e partive shqiptare!

Shteti dhe institucionet e (pa)varura shqiptare të Shqipërisë  janë të kapura prej dekadash nga një grusht politikanësh që qeverisin ende. Urojmë kjo të mos ndodhë me Diasporën e Amerikës.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: artur vrekaj, diaspora e amerikes, politika e tiranes

101-vjetori i Vatrës është dhe 101 vjetori i Bashkimit të Parë me VATREN i Kombëtarëve të Worcesterit

April 30, 2013 by dgreca

Fjala përshëndetëse e kryetarit të Shoqatës KOMBI ,z.Artur Vrekaj në Kuvendin e VATRË-s /

I nderuar Kryetar i Vatrës Zoti Gjon Buçaj! /

I nderuar Ministri i Diasporës së Kosovës Zoti Ibrahim Makolli! Të nderuar veprimtarë, njerëz të letrave shqipe dhe të mediave! Në emër të anëtarësisë së shoqatës Atdhetare Kulturore KOMBI jemi sot këtu të përshëndesim Punë të mbarë Kuvendit të Vatrës!Është nder për misionin tonë të përcjellim sot Vizionin përbashkues të Shoqatës Atdhetare Kulturore KOMBI të Worcester,MA e themeluar 5 vjet më parë, që mori rrugë nga Pavarësia e Kosovës si ngjarja e dytë e sapritur e kombit shqiptar. Është përgjegjësi të jesh sot veprimtar i Diasporës, është nder për veten, familjen. Por mbi të gjitha, është frymëmarrje për Shqiptarinë! 101-vjetori i Vatrës është dhe 101 vjetori i Bashkimit të Parë  me të i Kombëtarëve të Worcesterit,MA. Shqiptarët e Worcester,MA të ardhur me valën e Dytë të pas 1990-ës më së shumti nga Shqipëria dhe Kosova e rihodhën në hartën e Diasporës Shqiptare këtë qytet amerikan me veprimtarinë atdhetare e kulturore të shoqatës me emrin domethënës KOMBI sipas emrit të shoqërisë së parë KOMBËTARE të brezit të parë të emigrantëve. Edhe amerikanët e Worcester në qeverinë lokale tashmë e dinë se shoqata KOMBI përfaqëson me dinjitet komunitetin shqiptar, sepse ne si shoqatë modeste kemi në program ruajtjen e Identitetit Kombëtar që e kemi dëshmuar me Ngritjen zyrtare të Flamurit para Bashkisë Worcester, me simpoziume për figura si Skënderbeu e Nënë Tereza a ngjarje si Kongresi i Manastirit, me përfaqësime modeste në festat e komuniteteve Italiane dhe Irlandeze siç janë pjesëmarrjet në paradat e St Patrick dhe Columbus Day apo me takimet kulturore. Ne kemi dhënë prova të bashkimit me veprimtari udhëhequr nga Vizioni ynë përbashkues i të gjithë grupeve organizuese të komunitetit të shqiptarëve të Massachusetts e më gjerë në New England. Ndaj sot ne jemi më të hapur dhe bashkëpunojmë për veprimtari cilësore sipas kalendarit historik kombëtar me Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane, me shoqatat Kosova e MassBesa të Boston, me Kishën Shqiptare të Worcester,MA , me shoqatën e studentëve shqiptarë të Universitetit të CT, si dhe jemi në kontakte edhe me veprimtarë të shoqatave Në Filadelfia dhe New York. Parë nga misioni kombëtar shoqatat shqiptare të Amerikës janë në një linjë. Parë nga organizimi i Diasporës ne jemi të parcelizuar sipas qyteteve ku në disa qytete veprojnë disa organizime ( kombëtare apo fetare) që jo rrallëherë sjellin edhe konfuzion në komunitet sepse disa prej tyre në mesin tonë i kushtojnë më shumë rëndësi mbledhjes së parasë me moton për Identitetin Kombëtar! Vërehet ndër shqiptarët e Amerikës edhe një protagonizëm i pakuptimtë në disa raste. Darkomania e kripur nga çmimi dhe festivalet për parambledhje nuk e ndihmojnë sa duhet shqiptarinë edhe pse ne shqiptarët e kemi më të lehtë të marrim pjesë në veprimtari me dolli dhe këngë dhe të shijojmë më shumë lavdi. Kush më mirë se Amerika ta jep mundësinë e të qënit aktiv në Diasporë për gjithë komunitetin shqiptaro-amerikan të Amerikës apo për komunitetin shqiptar të qytetit ku banon? Ndaj ne duhet të jemi në veprim! Organizimet shqiptare të Amerikës duhet të shohin më larg  për ardhmërinë e përbashkimit sepse kemi organizime edhe në bazë trevash ose qytetesh. Çdo ekip drejtues ka barrën e madhe për një reflektim me bashkëkuvendime. Në të mirë të ardhmërisë së Diasporës së bashkuar. Ne duhet të japim shembuj konkretë për të ribërë Bashkimin e Diasporës, për ti dhënë frymë shqiptarëve të Amerikës si faktor përfaqësues, e promovues, si përçues të vlerave më të mira kombëtare shqiptare që të ndihmojmë kombin në nevojë dhe të nderojmë vetveten ! Bashkë mund të bëjmë më shumë se do të jemi me një fjalë! Shoqata KOMBI është e  hapur me çdo organizim aktiv në Amerikë  për të ndikuar më shumë tek brezat e rinj duke i ftuar ata në drejtim me kandidim vullnetar e zgjedhje demokratike siç bëjmë në Worcester. Sepse ata janë e ardhmja! Për një Diasporë të bashkuar në Amerikë! Një komunitet shqiptar i fortë i Amerikës është shpresë më shumë për ardhmërinë e kombit. Jeni të mirëpritur në Worcester,MA për çdo program që mund ta organizojmë së bashku sepse ne jemi të ushqyer nga shqiptaria si feja e përbashkët dhe e para që na mbledh në veprimtari kombëtare. Ne lexohemi se veprojmë dhe  bashkëpunojmë duke qënë të hapur me Shqiptarët e Worcester, Boston, Hartford, New York dhe Diasporën në tërësi. Urime Kuvendit Tuaj! 27 Prill 2013 ,New York

 

Filed Under: Kronike Tagged With: artur vrekaj, pershendetje en Kuvendin e Vatres

SINJAL PËR FUNDIN E KONFLIKTEVE NË BALLKAN?

April 25, 2013 by dgreca

NGA ARTUR VREKAJ, WORCESTER, MA (SHBA)/

Me përshëndetjen e marrëveshjes së firmosur nga Thaçi dhe Daçiç më 19 Prill, nga BE dhe SHBA, ka filluar tashmë përfundimi i konfliktit ballkanik. Nuk u mbyll me kaq. Një seancë dëgjimore që u zhvillua më 24 Prill në Kongresin Amerikan me dy panele dëshmitarësh tregoi se SHBA është e interesuar që rajoni të jetojë në paqe.

Dialogun Beograd-Prishtinë e udhëheq BE, por më e favorizuar është Serbia edhe pse nuk e ka pranuar genocidin ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Kosovën e Pavarur nuk e kanë dashur qeveritë Serbe që me Titon, por nga sondazhet e sotme populli serb mendon të kundërtën. Qeveritë serbe edhe pse aspirojnë të integrohen me Perëndimin e kanë dhe një sy nga Rusia që bën sikur nuk di gjë për çfarë ndodh, por Rusia i ngroh me pozitën e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.  Serbia do që ta përsërisë suksesin e arritur me Republikën e Serbëve në Bosnje duke luajtur me kartën e mosnjohjes së Pavarësisë së Kosovës dhe ndikimin me struktura paralele në Veri të Kosovës. Por Serbia përfundimisht, e do dialogun me Perëndimin në favor të saj. Sa të mundet!

Edhe pse konflikti ushtarak Serbi dhe Kosovë mbaroi pothuaj 14 vjet më parë dhe Kosova u shpall e Pavarur nga Serbia 5 vjet më parë, ende Pavarësia e Kosovës mbahet peng nga mosnjohja e pesë vëndeve anëtare të BE-së. E ka të vështirë vetë BE si familje zgjidhjen e konfliktit ballkanik, sepse Fuqitë e Mëdha Europiane bashkë me Rusinë e sakatuan problemin e kombit shqiptar e të Kosovës në veçanti 135 vjet më parë. Janë të thella rrënjët e këtij konflikti. Është dhe jo e lehtë zgjidhja. Dhe konflikti ballkanik po ju kushton më shumë shqiptarëve të Kosovës që kurrë nuk kanë nisur një luftë kundër fqinjëve (Serbëve) përveç qëndresës për liri dhe pavarësi në truallin e tyre të mbushur edhe me kollonë serbë.

” Për fat të keq, marrëveshja ndërmjet Kryeministrit të Serbisë Daçiç dhe Kryeministrit shqiptar të Kosovës është një rregullim i përkohshëm. Nuk jep një kuptim për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe efektive që do të krijojë marëdhënie fqinjësie ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të sjellë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon.

Kjo do të ndodhë vetëm kur Serbia te njohe sovranitetin e Kosovës dhe regjistrimin e saj në institucionet ndërkombëtare, garanton të drejtat qytetare dhe njerëzore për shqiptarët në Luginën e Preshevës, heq dorë nga strukturat paralele në Veri të Kosovës dhe fokusohet në zhvillimet ekonomike dhe politike të Serbisë”,- nënvizoi zonja Shirley Cloyes Dioguardi, këshilltare dhe analiste për Çështjen e Ballkanit e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane që dëshmoi në seancën dëgjimore në Kongresin Amerikan për mbrojtjen e Pavarësisë së Kosovës.

SHBA vlerësojnë aspirimin e Kosovës dhe Serbisë për anëtarësim në BE. Dhe BE edhe pse ndikon së fundi më shumë që Serbia ta njohë Kosovën si shtet të Pavarur ende nuk e ka sanksionuar se anëtarësimi i Serbisë në BE duhet të kushtëzohet me njohjen e Pavarësisë së Kosovës.

Edhe pse Veriu i Kosovës është autonom në fakt, pasi veprojnë strukturat paralele të Serbisë, SHBA po bëjnë kujdes që autonomia të mos bëhet de juro. Ndërkohë, në seancën dëgjimore në Kongresin Amerikan të drejtuar nga Kongresmeni Dana Rohrabacher, ky i fundit  kërkoi shpjegime edhe për kërkesën e Luginës së Preshevës për autonomi si ngjashmëri e aplikimeve që kërkon Serbia për Veriun e Kosovës. Përgjigja e Jonathan Moore ishte se Departamenti i Shtetit është i fokusuar në respektimin e sundimit të ligjit për të dy rastet kur minoritetet kanë shumicë në rajone të caktuara.

BE tashmë ka në dorë dialogun por edhe ardhmërinë e rajonit ballkanik nëse bëjmë fjalë për fillimin e përfundimit të konfliktit. Dhunën, tashmë, që më së shumti e ndjellin Serbët, nuk e do më askush, as SHBA dhe as BE.

Mesazhi i Kongresit Amerikan është i qartë si për Kosovën që mbahet me ndihmën ndërkombëtare dhe të Diasporës ashtu edhe për Serbinë që është në prag të kolapsit ekonomik.

Vetëm me sundim të ligjit, me bashkëpunim, me tregëti të lirë si dhe duke ruajtur ekuilibrin e paqes të dy vendet dhe tërë rajoni do të ecin përpara. Kështu dëgjuam edhe nga Kongesmenët Rochrabacher dhe Keating. Ndaj dhe SHBA ka investuar më shumë se BE në rajon dhe po i mbështet demokracitë e reja që të fuqizohen dhe integrohen sa më mirë.

Por pa njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga Serbia zor se konflikti ballkanik do të jetë i mbyllur. Edhe Serbia e di këtë, por manovron në hije dhe në diell për ta mbajtur nën kontroll mosnjohjen e Pavarësisë së Kosovës. Dhe duket se tani është më përballë BE-së në Prishtinë dhe në Bruksel.

Por edhe në SHBA, Departamenti dhe Kongresi Amerikan po tregojnë më shumë vëmëndje ndaj Ballkanit në tërësi, se është tërë ai kapital diplomatik, ushtarak dhe financiar që është shpenzuar dhe po shpenzohet në vazhdimësi.

Fati i keq i Kosovës që vuan nga plagët e luftës, kriza ekonomike, korrupsioni i lartë dhe nga ndikimi i dorës së Beogradit në territorin e saj. Kjo situatë e stërgjatur me përparim të ngadaltë, tregon edhe për një keqmanaxhim të agjencive Europiane në Kosovë që jo si duhet e kanë ushtruar misionin e tyre në Kosovë, sepse e kanë rënduar mbikqyrjen e Pavarësisë së Kosovës me mosveprime në kohë, në Veri të saj, për ndalimin e veprimit të strukturave paralele Serbe për kaq vite.

Shqiptarët janë të parët në Ballkan që ky konflikt përmbi një shekull duhet të përfundojë sa më parë. Pa i sakatuar ata për herë të dytë qoftë në Kosovë, qoftë në Serbi, qoftë në Mal të Zi, qoftë në Maqedoni. Edhe pse kanë më shumë besim tek SHBA që i ka dhënë tonin për bërjen realitet të aspiratave të tyre euro-atlantike, prapëseprapë BE e ka në dorë përshpejtimin e procedurave për integrim në familjen e saj si të Serbisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë bazuar kjo në përmbushjen e kritereve të Integrimit në të. Por njëanshmëria për të favorizuar Serbinë për anëtarësim në BE pa ja bërë mirë të qartë jo vetëm njohjen absolute të Pavarësisë së Kosovës, por edhe garantimin e të drejtave qytetare dhe njerëzore të shqiptarëve të Luginës së Preshevës  nuk është shenjë e mirë për ardhmërinë e Ballkanit në BE. Aq më tepër që Serbia nuk po i dënon krimet kundër njerëzimit në Kosovë. Dialogu është ende i hapur në institucionet ndërkombëtare.

Është fat që lobimi për Kosovën e Pavarur është ende në veprim. Por, vlen për tu theksuar, sepse ne shqiptarët duhet të bashkohemi edhe më shumë, të jemi në krah të zërave lobues të vërtetë, të jemi Një edhe në lobim. Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane gjendet për një çerek shekulli tashmë në vijë të parë si një zë i qartë për të treguar me fakte se çpo ndodh me Kosovën dhe me Pavarësinë e saj. Dhe ka punuar shumë për këtë. Edhe pse e vetme.

Amerika edhe vepron, por edhe dëgjon zërin në mbrojtje të Çështjes shqiptare. Kjo na ngroh më shumë, se Kosova dhe rajoni ka ardhmëri.

Filed Under: Opinion Tagged With: artur vrekaj, e konflikteve en Ballkan, sinjal per fundin

VIZION PËRBASHKUES PËR DIASPORËN SHQIPTARE SI VLERË KOMBËTARE

April 15, 2013 by dgreca

SHKRUAN ARTUR VREKAJ, WORCESTER,MA (SHBA)/

Shqipëria dhe Kosova; komuniteti shqiptar shtetformues në Maqedoni; komuniteti shqiptar vetqeverisës vendor në Luginën e Preshevës; pakica kombëtare shqiptare në Mal të Zi; shqiptarët e Greqisë pa status të plotë të emigrantit për dy dekada; diaspora e shqiptarëve në Europë dhe ajo në Amerikë po dëshmojnë se nuk janë në një zë kur bie fjala për ardhmërinë e Çështjes Kombëtare Shqiptare në tërësi.

Kur themi “një komb- një qëndrim”, të gjitha çfarë përmënda më lart duhen marrë në konsideratë për të patur një strategji të përbashkët për Çështjen Kombëtare që ende nuk e kemi. Dhe patjetër duhet të mendojnë për këtë të gjithë faktorët qeverisës dhe shoqërorë të shqiptarëve në Ballkan dhe në Diasporë.

Kurrë ndonjëherë në historinë tonë kombëtare s’kemi patur kaq përkrahje dhe vëmendje të plotë nga Amerika dhe Europa Perëndimore në Tiranë dhe Prishtinë apo dhe ndër komunitetet shqiptare në Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi. Dhe ka një arsye të fortë përse ne e kemi këtë miqësi. Edhe interesat e tyre po e po, por edhe prej Diasporës Shqiptare që është kthyer në të vetmin ambasador të vërtetë, sepse sakrifikoi dhe ja doli mbanë që çdo familje shqiptare të gjente vetveten e të përfaqësojë me dinjitet vlerën kombëtare, dhe të realizojë aspiratën për liri e rend demokratik me ekonomi të zhvilluar në vendet pritëse ku liria dhe mundësitë e jetesës janë më të prekshme.

Ne shqiptarët ndër më të vjetrit e Europës si komb, jemi me shumicë mërgimtarësh jashtë kufijve natyralë, disa milionë, për arsye që tashmë dihen si: prej luftrave pushtuese të perandorisë Turke dhe prej ndarjes së padrejtë nga Fuqitë e Mëdha që me Traktatin e Shën Stefanit e mandej, njëqind vjet më parë, më 1913, me ndarjen politiko-gjeografike të truallit etnik në Ballkan në interes të fqinjëve satelitë të Rusëve më shumë dhe shteteve të Europës Perëndimore.

Arsye të tjera të largimit nga trualli etnik janë regjimi asimilues dhe spastrues ndaj shqiptarëve të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kosovës Lindore në Jugosllavinë e dikurshme apo dhe Serbinë e sotme, nga dëbimë më një gjenocid të paparë të popullsisë Çame që ende lëngon vendlindjen e saj si dhe nga instalimi i regjimit komunist në Shqipëri.

Dhe më e fundit ishte vala e Re e pas 1990-ës e Diasporës larguar nga Shqipëria fill pas rënies së regjimit komunist me shpresën e Lirisë dhe mundësive ekonomike për një jetë më të mirë në Greqi dhe në vendet perëndimore.

Historikisht Diaspora Shqiptare e ka udhëhequr ose e ka përkrahur me para, me diplomaci, dhe me luftëtarë kauzën kombëtare që me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë me organizimin kombëtar, politik e diplomatik të Federatës Panshqiptare VATRA të shqiptarëve të SHBA-së (më e fuqishme në vitet 1912-1924). Spikati më vonë, përkushtimi që prej 1986 e deri më sot nga Lidhja Qytetare e DioGuardit ( ish-Kongresmen me origjinë Arbëreshe) në SHBA si dhe pjesëmarrja direkte e  shqiptarëve të Amerikës me formacionin luftarak të Batalionit Atlantiku në UÇK si dhe ndërveprimi midis Kosovës, Shqipërisë dhe  Organizimeve të Diasporës Shqiptare në Europën Perëndimore ( Fondi “Vendlindja na thërret” kryesisht në Zvicër, Gjermani, Suedi dhe Belgjikë) në shërbim të Lidhjes së Lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës.

Edhe sot pas 135 vjetësh të Lidhjes së Prizrenit me gjithë ndikimin e rendit demokratiko-integrues të familjes Europiane, shqiptarët si komb në Ballkan hasin barriera në ushtrimin e të drejtave për pakicat kombëtare, për komunitetet shtetformuese e vetqeverisëse apo edhe për përdorimin e Gjuhës Shqipe në institucione qëndrore, publike apo vendore si dhe përdorimin e simboleve kombëtare në truallin e tyre etnik.

Ka presione të hapura shtetërore serbe, greke, maqedonase dhe malazeze nga policia sidomos në Preshevë dhe Maqedoni së fundi, nga ushtria e përqëndruar në Preshevë dhe në Greqi nga segmente politike neonaziste si Agimi i Artë apo ish-struktura policore të Serbisë që veprojnë në rajonin përreth Mitrovicës.

Diaspora duhet parë e vlerësuar si frymë e shëndoshë e demokracisë shqiptare dhe e përbashkimit të kombit. Asaj duhet ti krijohet mundësia për një infrastrukturë sa më efikase që të marrë pjesë në vendimmarrje sepse shumica e saj edhe pse jeton në Europë i janë mbyllur shtigjet për të dhënë kontributin e saj që me themelin e demokracive shqiptare -Votën. Prandaj, reflektimi dhe ndërgjegjësimi i klasave politike në Tiranë dhe Prishtinë për ti hapur rrugë Diasporës është nevojë e ngutshme për ta finalizuar stadin e integrimit që duhet të kemi nesër me Europën por edhe një falenderim për kontributin e shqiptarëve të mërguar kur bie fjala për remitancat në miliarda dollarë që e kanë zbutur krizën financiare edhe pse qeveritë po e rritin borxhin në dëm të ardhmërisë.

Rikthimi i vetqeverisjes lokale pas 70 vjetësh nga shqiptarët në Kërçovë (Maqedoni) tregoi edhe njëherë se nuk ka dëshmi më të madhe të atdhedashurisë nga shqiptarët e mërguar. Prandaj, respektimi, inkurajimi dhe ftesa vëllazërore që Diaspora të jetë pjesë e vendimmarrjes ( me votë apo me kandidatë përfaqësues) në Shqipëri dhe Kosovë apo në komunitetet vetqeverisëse shqiptare në Preshevë, Maqedoni, apo dhe në Mal të Zi duhen parë si sjellje e një fryme të re të demokracisë perëndimore në zhvillimet demokratike ndër shqiptarët e Ballkanit.

Qindra zëra shqiptarë të intelektualëve të shkolluar në Perëndim pjesa më e ndjeshme e Diasporës Shqiptare po tregojnë maturi dhe aksion të përbashkët atdhetar jo të paktë për të hedhur poshtë një ndikim Turk së fundmi, për rishkrimin e historisë shqiptare për periudhën kur territoret shqiptare etnike ishin nën administrimin Turk.

Prapa këtyre përkujdesjeve Turke është me sy e vesh edhe Serbia, që mezi pret të njolloset me duar shqiptare figura e Skënderbeut dhe Identiteti i tij Kombëtar shqiptar që ajo të fitojë terren ( politik dhe mediatik në botë) për të ndikuar keqasi më shumë në Kosovë edhe pse kjo lojë e pistë e fqinjësisë po vjen erë me shekuj.

Zgjimi i intelektualëve shqiptarë për të firmosur një peticion kundër ndryshimit të historisë kombëtare shqiptare për periudhën e shqiptarëve nën sundimin Turk duhet përshëndetur me çdo media dhe forum.

Ja për çfarë kemi nevojë të përkushtohemi për ardhmërinë:

1-Promovim të Identitetit Kombëtar shqiptar me veprimtari atdhetare e kulturore të programuara dhe të kordinuara midis shqiptarëve në Ballkan dhe Diasporës Shqiptare në botë sipas edhe një kalendari kombëtar për ngjarje e figura madhore të kombit.

2-Bashkim me bashkëkuvendim të Diasporës Shqiptare në Europë dhe Amerikë duke ruajtur modelet e sukseshme të organizimeve shqiptare me bazë qyteti a ndërqytetëse siç janë sot në SHBA për angazhimin e brezit të ri të shqiptarëve të shkolluar në Perëndim që janë sot për sot zëri i shqiptarëve në shtetet apo qytetet ku jetojnë, si e ardhmja lobuese dhe përfaqësuese në qeveritë lokale dhe qëndrore të vendeve pritëse.

3-Institucionalizim dhe mirëintegrim të agjencive të qeverive të shteteve shqiptare në Ballkan në rang Ministrie të Diasporës jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri si edhe ngritjen e një Bordi bashkëpunimi për Diasporën ndërmjet tyre me përfaqësim edhe të Diasporës.

4-Punë më e kualifikuar dhe e studjuar nga institucionet arsimore shqiptare për trajnimin e mësuesve të Gjuhës Shqipe për specifikat që paraqet zhvillimi i mësimit të Shqipes në Diasporë sipas vendeve pritëse.

5-Hapja e qëndrave të Edukimit dhe Kulturës për Komunitetin shqiptar në Diasporë me bashkëfinancim të të dy shteteve shqiptare më shumë dhe të Diasporës në përputhje me mundësitë ekonomike të mbitokës dhe nëntokës shqiptare.

6- Perspektivë për Investimin e Diasporës shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë me sipërmarrje direkte në bashkëpunim me qeveritë shqiptare dhe të vendeve pritëse.

7-Botimi i literaturës letrare apo shkollore e nevojshme kjo, në gjuhën Shqipe dhe të huaj sipas vendeve pritëse për promovimin e historisë dhe kulturës kombëtare shqiptare.

8-Ringjallja e një Ansambli Kombëtar me program muzikor perlat e këngës dhe valleve popullore, me artistë nga të gjitha trevat shqiptare që të promovojë në Diasporë trashëgimë e pasur dhe të ndihmojë ringjalljen e pasionit tek brezi më i ri për të ruajtur traditën kombëtare.

9-Aktivizimin e intelektualëve të sukseshmëm të Diasporës në shërbimin diplomatik të Shqipërisë dhe Kosovës që kanë potenciale edukimi dhe punësimi në fushën e politikës dhe marëdhënieve ndërkombëtare në Europë dhe SHBA për ta bërë më të besueshëm shërbimin diplomatik nga qeveritë e vendeve pritëse.

10-Hapësirë të nevojshme mediatike, në median e shkruar dhe atë elektronike për Diasporën në Shqipëri dhe Kosovë qoftë me kronika të drejtpërdrejta po të kemi parasysh teknologjinë e sotme elektronike dhe me emisione të përjavshme.

Duke e marrë seriozisht punën me Diasporën patjetër që do të kemi një përmirësim gradual dhe shpresëdhënës për më shumë projekte atdhetare e diplomatike, studimore e kulturore, artistike e sportive për një evidentim e zhvillim të talenteve të reja në Diasporë.

Sepse po shohim në realitet që mosaktivizimi i brezit të ri të shkolluar të shkolluar në Perëndim, parcelizimi i organizimeve komunitare pa ndonjë përbashkim të të gjithë Diasporës Shqiptare dhe mungesa e një strategjie kombëtare për Çështjen Kombëtare në tërësi kanë krijuar terren për një vendnumëro të pakuptimtë.

Faktori kohë është në favor të Çështjes Kombëtare Shqiptare falë edhe përkrahjes për mbështjen nga SHBA dhe BE për Shqipërinë dhe Kosovën në aleancat euro-atlantike, por shqiptarët si në Shqipëri dhe në Kosovë kanë më shumë probleme social-ekonomike me tranzicionet demokratike se sa të merren seriozisht në unison për më shumë promovim dhe përfaqësim të Saj në organizmat ndërkombëtare.

Vetë Diaspora i ka mundësitë ta tejkalojë situatën e vendnumërosë, me anë të një përafrimi të të gjithë organizimeve shqiptare kudo ku janë në Europë, SHBA dhe Kanada. Ekipet drejtuese të shoqatave shqiptare me përgjegjësi të plotë po përgatiten për bashkëkuvendime ndërkomunitare për të patur një platformë të përbashkët, një zë të vetëm si e vetmja shpresë për të vazhduar misionin kombëtar të Diasporës me projekte bashkëkohore e gjithëpërfshirëse pa dallim.

Këto bashkëkuvendime janë mënyrë e drejtëpërdrejtë e rrahjes së mendimeve për mirëorganizimin e Diasporës si dhe ngritjen e punës sensibilizuese për nevojën e përbashkimit programor dhe projektimin e një strategjie sa më afër nevojave të integrimit të Diasporës apo edhe me shtetet dhe komunitetet shqiptare në Ballkan.

Puna e hapur me çdo organizatë apo agjenci shtetërore shqiptare ka më shumë vlerë se sa praktika e deritanishme kur takohemi në Diasporë apo në vendlindje (në Ballkan) vetëm për darka që nuk japin frymë për ardhmërinë e dyanshme. Të dy palët së bashku, shqiptarët e Ballkanit dhe Diaspora duhet të jenë më të qartë të përcaktojnë realisht nevojat dhe mundësitë që kemi të ecim përpara të sigurtë për të përballuar sfidën e asimilimit që është evidente në çdo komunitet shqiptar të Diasporës.

Diaspora është pasuri kombëtare sepse me të identifikohet kombi ynë dhe përpjekja e vazhdueshme e saj për ta parë kombin shqiptar të lirë, të bashkuar dhe të respektuar si në truallin etnik dhe në vendet pritëse, duke qënë urë bashkëpunimi e identifikimi e dyanshme midis shqiptarëve të Ballkanit dhe qeverive të vendeve euro-atlantike.

Mirëorganizimi i Diasporës është për më shumë edhe një mundësi lobuese kur bie fjala për integrimin e njëhershëm të Shqipërisë dhe Kosovës në BE dhe të Kosovës në OKB dhe në NATO. Ndaj kërkohet më shumë vullnet, sakrificë dhe kontribut të të gjithëve, në Diasporë dhe ndër shqiptarët e Ballkanit.

A kemi mundësi ta bëjmë përbashkimin e Diasporës? Mund të nënvizojmë se mundësitë janë po të kemi parasysh shqiptarët e sukseshëm në Amerikë dhe Europë, organizimet e përkushtimin e tyre, po të kemi parasysh komunikimin e përditshëm Diasporë – Vendlindje si dhe dorën e ngrohtë të shteteve shqiptare.

Sepse shqetësimi për ardhmërinë është i përbashkët dhe evident si për vetë Diasporën, për demokracitë shqiptare dhe për Çështjen Kombëtare. Ndaj dhe duhet të punojmë së bashku dhe vetëm së bashku për ta çuar më përpara integrimin kombëtar duke i shërbyer më shumë interesave jetike të sotme dhe të nesërme të kombit se kombi është i pari.

Vetëm me  vizion përbashkues Diaspora shqiptare do ti përkushtohet kombit, dhe do të ndihmojë edhe më shumë për ardhmërinë e tij si e vetmja shpresë që duhet ushqyer nga çdokush që i thotë vetes shqiptar, që ta bëjmë këtë realitet të prekshëm e frytdhënës. Ti dalim kështu përpara problemit asimilues të brezit të ri të Diasporës. Pra, vetëm me veprim të koordinuar e të planëzuar, me përbashkim do të përfitojmë në kohë.

Filed Under: Opinion Tagged With: artur vrekaj, per diasporen, si vlere kombetare, Vizion i perbashkuar

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT