Zv/Ministrja Elona Gjebrea: Do të ketë penalitete të forta/
Nga pika kufitare e Kakavijës, zv.ministrja e Brendshme Elona Gjebrea u bëri sërish apel qytetarëve, të mos bien pre e premtimeve të trafikantëve, që u premtojnë Gjermaninë, pasi ata do të kthehen të gjithë.
Gjebrea theksoi se nuk ekzistojnë mundësitë që qytetarët të përfitojnë azil. Zv.ministrja inspektoi pikën e Kakavijës, ku bashkëpunojnë me Policinë Kufitare edhe ekspertë të Policisë Federale Gjermane, me synimin për të luftuar migracionin e paligjshëm.
“Dy avionë kanë riatdhesuar disa qytetarë shqiptarë dhe do të vazhdohet më tej me riatdhesimin e të tjerëve. Po diskutohen penalitete më të forta ndaj shqiptarëve. Gjithsesi, po bashkëpunojmë me autoritetet përkatëse dhe ajo që është e qartë se shqiptarët nuk kanë mundësi azili në Gjermani”, tha Gjebrea. Zv.ministrja deklaroi se, edhe ndaj agjencive turistike janë forcuar kontrollet, ndërkohë që 4 prej tyre do të përballen me ligjin: “Nëse një person nuk ndjek rregullat e lëvizjes në vendet Shengen, Policia Kufitare është autoriteti përgjegjës që e refuzon daljen e personit”. Vizita e Gjebreas erdhi vetëm pak ditë nga vizita e ambasadorit gjerman, Helmut Hoffmann, në Kakavijë, ku u theksua gjithashtu se nuk do të ketë azil për arsye ekonomike.
Që prej 16 korrikut të këtij viti, në Kakavijë janë vendosur 12 punonjës të Policisë Federale, të cilët mbështesin kolegët shqiptarë gjatë mbikëqyrjes dhe kontrollit në kufi, me qëllim evitimin e migracionit ilegal dhe krimit ndërkufitar.
Ambasada e Gjermanisë: Azilkërkuesit nuk do të paguhen
Ambasada e Gjermanisë ka reaguar në lidhje me lajmin se azilkërkuesve që do të largoheshin vullnetarisht nga Gjermania, do u paguante para’ për kthimin në vendet respektive. Ambasada sqaron: “Ky informacion është i gabuar. Informacioni i vërtetë është se në fillim të korrikut 2015, për azilkërkuesit nga Ballkani, u bë oferta e mëposhtme unike dhe e limituar në kohë: Personat, të cilët kanë tërhequr aplikimin e tyre për azil deri më 24 korrik 2015 dhe do të dalin nga Gjermania deri më 14 gusht 2015, mund të marrin një mbështetje financiare nga Qarku Federal Lörrach. Kjo ofertë nuk është më e vlefshme që prej datës 24 korrik 2015. Në të ardhmen nuk do të ketë shpërblim në para’ në rast kthimi vullnetar në atdhe”. Në lidhje me akomodimin e azilkërkuesve, Ambasada e Gjermanisë thotë se “situata në të gjithë Gjermaninë muajt e fundit është përkeqësuar në mënyrë dramatike, aq sa dhe Qarku Federal Lörrach është i detyruar t’i strehojë azilkërkuesit e tjerë në vazhdim në çadra dhe palestra”. ”Për azilkërkuesit, strehimi në këto qendra të improvizuara në kushte urgjence, shoqërohet jo vetëm me rrethana banimi shumë të ngushta dhe mungesën e hapësirës private, por edhe me reduktimin e kuotës në para, pasi për shkak të shpërndarjes së ushqimit në mënyrë të përqendruar, hiqet pagesa në para’ për ushqim për azilkërkuesit”, shton ambasada.