• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Tri goditjet kundër arsimit në Kosovë

May 26, 2023 by s p

Bajram Mjeku/

Arsimi në Kosovë i ka patur rënie-ngritjet e tij, por tri goditjet e rënda që i ka pësuar në gjysmëshekullin e fundit, kërkojnë kohë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm për t’i rikuperuar.

Goditjen e parë, arsimi në Kosovë e përjetoi menjëherë mbas demonstratave të pranverës së vitit 1981, kur mësimdhënësit shqiptarë përjetuan goditje në dy segmente; presionin politik të kohës nga regjimi serb dhe pagat e jodinjitetshme. Që nga kjo kohë, nuk ishte joshëse të ishe mësimdhënës, përkundër idealizmit të madh që mësimdhënësi shqiptar e përdori për mbijetesë edhe për disa vite tjera.

Goditjen e dytë, arsimi në Kosovë e përjetoi mbas rënies së autonomisë së Kosovës, kur regjimi serb mbylli me dhunë institucionet arsimore, si dhe të gjitha institucionet tjera. Mijëra nxënës e studentë shqiptarë u detyruan që procesin mësimor të ndjekin në shtëpitë-shkolla, më saktë në bodrumet e shtëpive private. Rreth njëzetedy mijë mësimdhënës shqiptarë mbetën nën mëshirën e fatit me të ashtuquajturat paga, të cilat në fakt nuk ishin as ndihma sociale. Nxënësit dhe studentët shqiptarë, përveç mungesës së hapësirave për mbarëvajtje normale të procesit mësimor, u përballën edhe me dhunën e regjimit policor serb, pastaj me shumë mungesa elementare të mjeteve për konkretizim, si dhe të shumë mungesave tjera, vargu i të cilave del të jetë i gjatë.

Goditjen e tretë, arsimi shqip në Kosovë e pësoi kur ndodhi licencimi pa asnjë kriter i dhjetëra të ashtuquajturve kolegje, si dhe “decentralizimi” i Universitetit të Prishtinës gjithandej Kosovës.

Përgjegjësit e arsimit në situatat më vendimtare, heshtën përballë presionit të madh të eksperimentimit të arsimit në Kosovë edhe nga faktori i huaj. Familjet shqiptare, të vetëdijshme se arsimi mbeti nën mëshirën e kohës, provuan t’i gjejnë dy rrugë; t’i dërgojnë fëmijët e tyre jashtë vendit për studime dhe kështu vepruan familjet që kishin mirëqenie ekonomike, derisa familjet tjera investuan në kolegjet private, duke “harruar” se si do të përfundonte kjo odiseadë.

Ishin përgjegjësit e arsimit që i vunë kazmën segmentit më të rëndësishëm, prandaj jemi këtu ku jemi, prandaj kemi marrë ikën për në Evropë. Nuk ka si të ndodh ndryshe, derisa një popull i paarsimuar veç punëtorëve të krahut, nuk ka çfarë të jap tjetër…

Foto: Enver Bylykbashi.

Filed Under: Komente Tagged With: Bajram Mjeku

Festa që më kujton Nanën

July 9, 2022 by s p

Bajram Mjeku/

Sa herë ofrohet ndonjë festë apo event familjar, është e pamundur të mos e kujtosh Nanën, më saktë shenjtërinë e njerëzimit në këtë botë.

Lidhja midis Nanës dhe fëmijës mbetet gjithmonë e veçantë dhe dashurinë për nanën e ka të vështirë ta portretoj secili njeri, qoftë edhe ne që e njohim zejen e shkrimit. Vjen një moment i vështirë e thua; asnjë gjuhë amtare në botë nuk ka leksik aq të pasur për të shprehur ndjeshmërinë dhe dashurinë për nanën!

Me lexuesit e mi, dua të ndaj një episod të jetës time në prag të festës, por që nuk do të bëj ndonjë “zbulesë”, pasi secili nga brezi im i ka përjetuar këto episode siç i kam përjetuar unë.

Në prag të festave, nana ime kujdesej fort për pastërtinë e trupit të secilit nga ne fëmijët dhe sa herë më fuste në banjo, përdorte një refren që më është ngulitur fort në kujtesë:

– Nuk ia vlen të kesh vetëm shpirtin e pastërt, pa e patur edhe trupin!

Ceremonia e larjes nuk bëhej sa për të thënë, por zgjaste disa minuta dhe në prag të festave ishte edhe më e veçantë. Edhe sikur të isha larë një orë më parë, ajo e përsëriste këtë, për respekt të festës dhe për dashurinë ndaj Zotit. Në fillim me duart e saj provonte ujin mos ishte tepër i nxehtë, pastaj vazhdonte pastrimin e trupit tim me shumë pasion, ashtu siç është pasionante dora e nanës mbi trupin e fëmijës së saj.

Nana ime ishte një besimtare e devotshme, por jo “pompoze”, duke lëshuar zë që ta dëgjojnë të tjerët se i lutej Zotit. Kam ndjesinë se derisa lutej në këtë mënyrë, lutjet e saj ishin më kuptimplote dhe më të fuqishme, derisa në këtë pjesë vazhdoj ta admiroj derisa të jem gjallë.

Mbas ceremonisë së larjes, e veçantë ishte edhe ajo e veshjes. Nanat e brezit tim nuk mbanin parfime të ndryshme siç përdoren sot, por arkat e tyre ku i mbanin të palosura rrobat tona, mbanin erë mollësh dhe ftonjësh dhe këto erëza të ëmbla nuk i zëvendëson asnjë parfim i kohës sonë.

Ditën e Bajramit të Vogël, do t’ia dedikoj nanës time dhe lutjet e mia nuk do t’i bëj pompoze, ashtu siç nuk i bënte nana ime e mirë. Lutjet e mia për shpirtin e saj do t’i ndjej vetëm Zoti…

Filed Under: Fejton Tagged With: Bajram Mjeku

Një ese e shkurtër për Mbretërinë e madhe*

June 3, 2022 by s p

Bajram Mjeku/

Në tetor të vitit 2007, autori i këtyre radhëve vizitoi Mbretërinë e Bashkuar. Sipas protokollit ishte ftuar të ligjërojë znj. Samantha Cohen, sekretarja për Shtyp e Mbretëreshës Elizabeth në Buckingham Palace. Prania e saj shkaktoi ndjesi të veçantë. Gjithë jetën më kanë intriguar mbretëritë e botës, por asnjëra më shumë se anglezja në Ishull dhe shqiptarja në Gadishull, derisa kjo e fundit ishte më jetëshkurtëra në Gadishull pas Mbretërisë malazeze.

Sekretarja për Shtyp, një zonjë e zgjuar dhe e hijshme, pamja e së cilës i shkonte aq shumë shkëlqimit mbretëror, foli me elokuencë për Mbretërinë angleze, ndër më të vjetrat e qytetërimit evropian. Erdhi radha të flas dhe në fund bëra një sinopsis për dhjetë vjet të Mbretërisë shqiptare në Gadishull. Fjala u mbyll me migrimin e çiftit mbretëror shqiptar dhe suitës së tij, e cila një kohë kishte jetuar edhe në Londër dhe kurrë s’u kthye në atdhe. Sekretarja për Shtyp në fillim u habit, pastaj pyeti:

– Familja juaj mbretërore ka jetuar në Londër? Pse kaq jetëshkurtër, si ndodhi kështu?!

Mbretëria shqiptare ishte e paafirmuar. Në dhjetë vjet ekzistimi të saj, më shumë se mbretëri është parë me përbuzje në Gadishull. Një popull me shumicë analfabete, i rrethuar me armiq qindvjeçarë dhe vetëm me 16 vjet shkëputje nga Perandoria Osmane, zor të kuptonte Evropën dhe t’i ngriste skelat për evropeizimin e Shqipërisë.

Mbretëria shqiptare kalonte stinën e vetmisë së gjatë. Çatin Saraçi, këshilltar politik i mbretit Zog thotë se kur Mbreti dëgjonte se në hotelet e Tiranës ishte akomoduar ndonjë vizitor i huaj, të cilëve më shumë se kurreshtja për të vizituar Shqipërinë u kishte rënë rruga të preftonin, Zogu dërgonte shpurën e tij dhe i ftonte për të biseduar me nge në Pallatin Mbretëror.

E injoruar nga mbretëritë ballkanase dhe e papërfillshme nga ato evropiane, shqiptarja sikur u tund nga përgjumja e madhe. Në fund të vitit 1930, dijetari dhe filologu kroat, Milan Shuflaj u ftua të vizitojë Shqipërinë. Akademia e Vjenës i kishte propozuar të vazhdonte botimin e tretë të Acta Albaniae. Dijetari kroat u prit solemnisht nga mbreti Zog dhe kryeministri, Pandeli Evangjeli. Në janar të vitit 1931, Shuflaj para deputetëve në Parlamentin shqiptar, shpalosi projektin e Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia dhe të Historia e Shqipërisë. Parlamenti shqiptar urdhëroi Qeverinë që në llogari të Shuflajt të derdhte shumën prej 75 mijë franga ari, që sot është e barabartë me rreth 4 milionë dollarë amerikan. Shuma ishte e madhe për Shqipërinë e varfër.

Historia e Shqipërisë nuk u shkrua. Një muaj më vonë, organizata terroriste Mlada Jugosllavia kreu atentat kundër Shuflajt. Atentati ndodhi derisa Shuflaj kthehej në shtëpinë e tij në Zagreb. Atentatorëve pak ditë para aktit, u kishte mbajtur leksion politik mbreti serb, Aleksandar Karagjorgjeviq. Atentatorët në fillim i dërguan Shuflajt letër kërcënuese, pastaj e vranë. Shefi i atentatorëve Branko Zverger, nëntë vjet pas atentatit përfundoi në çmendi. Shuflaj i emocionuar, projektin shqiptar e kishte biseduar me studiuesit serbë, prandaj u dekonspirua dhe i kushtoi me jetë. Një histori afirmative për shqiptarët dhe Shqipërinë, ishte kërcënim për serbët dhe Serbinë.

Paradokseve shqiptare nuk u dukej fundi. Katër vjet më vonë, botuesi amerikan Robert McBride në Nju Jork, i propozoi diplomatit shqiptar, Faik Konica të shkruante historinë e Shqipërisë. As Konica nuk e mbaroi. Pa provuar paragjykime, historia e Konicës do të ishte më e arrirë se e kroatit Shuflaj. Konica ishte erudit i madh dhe kishte dije të jashtëzakonshme jo vetëm për Shqipërinë dhe Gadishullin e Madh. Projekti nuk iu dha, pse mbreti Zog kishte smirë ndaj tij. Trembëdhjetë vjet Konica ishte ambasador fuqiplotë i Mbretërisë Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por marrëdhënie normale nuk patën kurrë. Projekti për historinë e Shqipërisë doli të jetë ters. Shuflaj u vra pse nisi të shkruante historinë e Shqipërisë dhe Konica nuk e përfundoi pse bënte jetë mondane dhe ndjehej i harruar.

Serbia më shumë se të ngulfatur, Shqipërinë e donte të vdekur përballë Evropës. Atentati ndaj Shuflajt e faktoi këtë. Kur serbët bën atentat në dijetarin kroat, që Shqipëria të mos kapërcente jashtë Gadishullit, për habinë e të gjithëve bënin të kundërtën për veten. I ashtuquajturi krah zenitist kërkonte “ballkanizimin e Evropës”. Ky krah, anarkist në formë e përmbajtje, përfaqësonte misticizmin e çuditshëm midis pansllavizmit dhe dekadentizmit rus dy shekuj më parë.

* Këtë ese e publikoj për nder të Mbretëreshës Elisabeth me rastin e 70 vjetorit të mbretërimit të Saj.

Filed Under: ESSE Tagged With: Bajram Mjeku

Si e kujtoj Atin e Pavarësisë së Kosovës

December 3, 2021 by s p

Bajram Mjeku

Në përvjetorë të presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, kam ndjesinë sikur më së paku shkruajnë dhe flasin bashkëpunëtorët e Tij dhe kanë të drejtë, pasi personaliteti i Tij nuk është lehtë për t’u shpjeguar!Personalisht besoj në tre hapa të mëdhenj të Rugovës, por edhe në shumë vendime tjera, që janë po aq të mëdhenj e të rëndësishëm për pavarësinë e Kosovës.Hapi i parë i madh i presidentit Rugova ishte orientimi i shqiptarëve kah Perëndimi, më saktë kah Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj evropian. Është lideri i parë shqiptar, i cili me objektiva të qarta orientoi popullin e tij që t’ia kthente shpinën Lindjes dhe të orientohej drejt Perëndimit dhe Evropës së qytetëruar.Hapi i dytë i madh i tij ishte opsioni paqësor si zgjidhje politike për sendërtimin e pavarësisë së Kosovës dhe shmangia e konfliktit të armatosur me Serbinë në fillim të lëvizjes politike në Kosovë. Në fillim të viteve nëntëdhjetë, ish-presidenti kroat Franjo Tugjman, insistonte në një luftë të pabarabartë shqiptaro-serbe, në mënyrë që Kosovës t’ia hidhte paq dhe të shpëtonte Kroacia e tij nga ploja e luftës. Ai kishte edhe një ëndërr tjetër, e cila nuk u realizua kurrë. Donte që mbas një lufte të përgjakshme shqiptaro-serbe të përmasave siç ndodhi më vonë në Bosnjë, serbët e Kroacisë me theks të veçantë ata të Likës, të ishin kolonët e radhës në Kosovë!Hapi i tretë i madh i Rugovës ishte besimi në pavarësinë e Kosovës. Edhe sikur të gjithë bashkëpunëtorët e tij ta braktisnin, Rugova edhe i vetmuar do ta shtynte “anijen” e pavarësisë në ujërat e Ballkanit të trazuar. Ka edhe shumë hapa të tjerë të Atit të Pavarësisë së Kosovës, si miqësia e përjetshme me Shtetet e Bashkuara, pastaj ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë në Bashkimin Evropian, krijimi i miqëve ndërkombëtarë, të cilët me kalimin e kohës u bënë gjeneratorë të fuqishëm në sendërtimin e projektit të pavarësisë Kosovës, si dhe administrimi i Kosovës nën një protektorat ndërkombëtar, si fazë kalimtare deri në realizimin final të pavarësisë së Kosovës.Mbi të gjitha, presidentin Rugova e çmoj pafundësisht edhe për disa gjëra tjera fundamentale. Në Kuvendin e Dytë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili u mbajt më 14 korrik të vitit 1994 në Prishtinë, segmente të caktuara të së majtës bën gjithçka që ishte e mundur që lëvizja e tij politike legale të shndërrohej në lëvizje ilegale! Sikur të ndodhte kjo, projekti i pavarësisë do të shembej si kulla prej letre dhe pavarësia si opsion do te mbetej vetëm një ëndërr e pasendërtuar, por ishte Rugova që pengoi këtë projekt ogurzi. Kundërshtarët më të mëdhenj politikë i refuzonte heshtur në mënyrën e tij estetike dhe mbi të gjitha shquhej për thjeshtësinë e tij, derisa bashkëpunëtorët e ngushtë i respektonte me pietetin më të madh.

Filed Under: ESSE Tagged With: Bajram Mjeku

Rrëfimi për Flamurin në vetën e parë

November 29, 2021 by s p

Bajram Mjeku/

Secili shqiptar, ka një rrëfim mbresëlënës për Flamurin kombëtar me shqiponjën dykrenare të shtrirë mbi cohë të kuqe.Personalisht kam njëfarë bindje se kur flas apo shkruaj për Flamurin kombëtar, kam edhe ndjesi, edhe emocione ndryshe.Për herë të parë më është bërë dhuratë Flamuri kombëtar që e shihni në këtë fotografi më 6 tetor të vitit 1968. Ishte një ditë e bukur me diell, derisa ia shtonte hijeshinë rrëzëllima e vesës së mëngjesit. Ishte dita kur ish-Jugosllavia komuniste lejoi që shqiptarët në ish-Jugosllavi, do të mund ta përdornin zyrtarisht flamurin kombëtar, pasi deri në këtë kohë, për flamurin dhe shqiponjën dykrenare ishin vrarë e burgosur qindra shqiptarë.Po këtë vit në kampin komunist, ndodhën shumë protesta studentore në Evropën Lindore, derisa protesta të këtilla pati edhe në Kosovë.Ditën e 6 tetorit të vitit 1968, nuk do ta harroj asnjëherë në jetën time. Isha vetëm pesë vjeç dhe Flamuri që m’u bë dhuratë ishte i përmasave të vogla. Ai u soll në familjen time nga studentët shqiptarë, të cilët ishin anëtarë të Shoqatës Kulturore të Studentëve Shqiptarë në Universitetin e Lubjanës, të cilët atëbotë studionin në këtë Universitet prestigjioz së bashku me axhën tim.Tre vjet më vonë, të njëjtit studentë vizituan Republikën e Shqipërisë. Dekanati i Fakultetit Teknik në Universitetin e Lubjanës, kishte krijuar pretekstin se studentët kishin nevojë për një vizitë studimore në Republikën e Shqipërisë dhe kështu rreth dhjetë studentë shqiptarë patën fatin e tyre të vizitonin Shqipërinë në një vizitë dyjavëshe!Mbas vizitës, unë fitova edhe dy dhurata; një flamur me shkabën dykrenare dhe një fanelë kuqezi të Klubit të futbollit “Flamurtari” të Vlorës! Flamurin dhe fanelën i ruante me kujdesin më të madh nëna ime në arkën e saj, të cilës gjithmonë i vinte erë ftonjësh. Fanelën kuqezi, nuk e kam veshur më shumë se dy herë në jetën time nga frika se do të më grisej. Derisa unë rritesha, fanela mbeti po ajo në përmasat e vogla të saj!Edhe sot kujtoj se Flamuri i prodhuar atëbotë në Shqipëri i përkiste një stofi cilësor, por njëzetetetë vjet më vonë, më saktë gjatë operacionit të ushtrisë serbe i koduar me emrin “Patkoi” në luftën e fundit në Kosovë, flamuri kombëtar dhe fanela e Klubit të futbollit “Flamurtari”, mbetën nën gërmadhat e shtëpisë së djegur…Flamuri kombëtar, jo vetëm është simboli ynë i shenjtë, por është edhe ndër më të bukurit në botë. Është shkaba dykrenare, e cila qëndron aq bukur mbi stofin e kuq dhe simbolizon aq denjësisht shkathtësinë, forcën dhe energjinë në historinë tonë tragjike, për të mbërrijtur këtu ku jemi sot.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bajram Mjeku

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT