• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BALLKANI, ROLI AMERIKAN NE ZMBRAPSJEN E RUSISE

June 15, 2017 by dgreca

Roli amerikan, i nevojshëm për stabilitetin dhe zmbrapsjen e ndikimit rus në Ballkan/

1 Yee

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha të mërkurën se Ballkani Perëndimor përballet me sfidat më serioze që nga viti 1990. Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee foli në një seancë për rajonin në Senat, ku senatorë dhe ekspertë bënë thirrje për vazhdimin e angazhimit amerikan në Ballkan për të zmbrapsur ndikimin rus dhe për të shmangur përshkallëzimin e krizave, si edhe për të mbështetur reformat dhe stabilitetin. Keida Kostreci e Zërit të Amerikës, ndoqi seancën.

Në një ditë kur një anëtar i Kongresit dhe disa persona të tjerë u plagosën pranë Uashingtonit, zoti Yee e filloi seancën duke shprehur keqardhjen dhe solidaritetin e kolegëve të Departamentit të Shtetit, në seancën e Nënkomisionit për Evropën dhe Bashkëpunimin për Siguri Rajonale.

Zoti Yee tha se nëse kërcënimet e jashtme dhe të brendshme, nuk marrin përgjigje, ato mund të kenë pasoja serioze për Ballkanin Perëndimor, Evropën dhe Shtetet e Bashkuara.

“Ballkani Perëndimor përballet me një numër kërcënimesh: Institucione të brishta, mangësi në shtetin ligjor dhe media jo e lirë, i kanë hapur rrugën një korrupsioni të rrënjosur thellë. Ky korrupsion vë në rrezik këto demokraci të reja dhe u hap rrugën aktorëve destabilizues, përfshirë ekstremistë të dhunshëm, grupe të krimit të organizuar dhe vende që duan të ushtrojnë ndikim keqdashës”, tha ai.

Zoti Yee tha se problemet e brendshme, u kanë hapur rrugën kërcënimeve të jashtme si Rusia që synon të frenojë përpjekjet e vendeve të rajonit për të ndjekur një rruhë euro-atlantike.

Zyrtari i Departamentit të Shtetit, përmendi disa përparime të arritura me mbështetjen amerikane, përfshirë zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri.

“Me angazhimin tonë dhe të Evropës, gjatë muajit të kaluar, kemi parë disa suksese reale, me hyrjen e Malit të Zin ë NATO, sigurisht me ndihmën e Senatit, udhëheqësit e Maqedonisë bashkëpunuan për të formuar një qeveri të re, opozita e Shqipërisë ra dakord që t’i jape fund bojkotit dhe të marrë pjesë në zgjedhje më 25 qershor dhe Serbia pritet të hapë dy kapituj të ri me Bashkimin Evropian këtë muaj”.

Ai gjithashtu theksoi nevojën e vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryetari republikan i nënkomisionit Ron Johnson, që sapo ka bërë një vizitë në rajon, tha se mesazhi i atyre vendeve është i qartë:

“Udhëheqja amerikane është e nevojshme në Evropën juglindore. Kur tërhiqen Shtetet e Bashkuara, vakuumi i ndikimit mbushet nga vende me synime të dëmshme”, tha ai duke iu referuar ndikimit rus, një nga shqetësimet më të mëdha që u shprehën në seanca.

Senatori Johnson tha se është në interesin e Shteteve të Bashkuara të ketë stabilitet në Ballkan.

Edhe nënkryetari i nënkomisionit, demokrati Chris Murphy theksoi se Shtetet e Bashkuara duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje Ballkanit, duke shprehur rëndësinë e rajonit në arenën ndërkombëtare.

“Tre nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet politika e jashtme amerikane, gërshetohen në Ballkan. Së pari, sfida e maskuar dhe e hapur e ndikimit rus që minon mbështetjen e instutucioneve perëndimore dhe gërryen më tej, qeverisjen demokratike; së dyti korrupsioni i rrënjosur që frenon përparimin ekonomik dhe i destabilizon qeveritë në gjithë rajonin dhe së treti radikalizimi në rritje i të rinjve myslimanë dhe numri relativisht i atyre që kanë shkuar në Siri nga ky rajon që të luftojnë me ISIS-in”.

… por senatori demokrat shprehu pakënaqësinë për mesazhin që përçon administrata aktuale amerikane e drejtuar nga republikani Donald Trump.

“Ka një mospërputhje totale mes ekspozesë që bëni ju dhe sfidave të shumta që kanë nevojë për shtimin e burimeve dhe buxhetit që është paraqitur”, iu drejtua ai zotit Yee.

Zoti Murphy i referohej projekt-buxhetit të Shtëpisë së Bardhë për politikën e jashtme që sapo është prezantuar në Kongres dhe që ai tha se parashikon shkurtime të mëdha për Ballkanin. Ai tha se sipas mendimit të tij, ato shkurtime nuk kanë asnjë shans për t’u miratuar.

Zoti Murphy foli për përshtypjet që merr kur takohet me udhëheqësit e Ballkanit.

“Ata janë të shqetësuar se ne po dërgojmë një mesazh me këto shkurtime, me mungesën e mbështetjes për NATO-n, me kritikat ndaj aleatëve të BE-së, se ne nuk jemi më të interesuar për rajonin”.

Si senatorët ashtu edhe zoti Yee dhe ekspertët, në shumë raste theksuan shqetësimin për rritjen e interesit dhe aktivitetit rus në Ballkanin Perëndimor dhe thanë se po punojnë me vendet e Ballkanit për t’u përballur me ndikimin keqdashës të Moskës. Ata thanë se dobësitë e brendhshme dhe presionet e Rusisë, ekspozohen në mungesë të politikave të qarta të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara.

Argumenti i tyre ishte se mungesa e vëmendjes mund t’i kthejë problemet që janë të zgjidhshme, në situata të rrezikshme.

“Mesazhi im qendror është se paqartësia e vazhdueshme e mesazhit amerikan sot, mund të shkaktojë një krizë nesër, që nga ana tjetër do të kërkonte një angazhim shumë më të madh amerikan sesa do të ishte dashur për shmangien e krizës që pa filluar”, tha Damon Wilson, zëvendës president ekzekutiv i Këshillit të Atlantikut.(Kortezi:Zeri i Amerikes)

Filed Under: Politike Tagged With: Ballkani, Rusi, SHBA

BALLKANI I TRAZUAR DHE SHQIPTARËT

May 6, 2017 by dgreca

1 arsim-sinaniShkruan: Arsim SINANI, Tetovë/

Zgjedhjet presidenciale në SHBA sollën ndryshim në qeverisjen e deritanishme në vendin me më së shumti ndikim në botë. Ardhja e Trump-it ishte befasia e radhës, që demokracia amerikane po e përjeton. Bota e priti me skepticizëm ardhjen e Trump-it si president i ri i Amerikës, por në esencë demokracia dhe institucionet amerikane treguan edhe njëherë se sa i fortë është sistemi amerikan i qeverisjes. Në të vërtetë, ardhja e Trump-it dëshmoi se do të kemi përforcim të pozicioneve amerikane edhe për një arsye më shumë, pasi që u shikua me shumë dyshim ardhja e tij si president i vendit. Ndërkaq institucionet, si Senati, Kongresi e shërbimet inteligjente, dëshmuan një lidership të fuqishëm, duke treguar se mbi të gjitha Amerika do t’i ruajë vlerat e saja demokratike. Disa skeptikë, në mesin e të cilëve hyjnë rusët, sllavët dhe aleatët e tyre tradicionalë, menduan se do ta shfrytëzojnë tranzicionin e administratës amerikane dhe deshën t’i bëjnë një spin e befasi administratës së re amerikane, duke menduar se Amerika do ta ndryshojë kursin e saj në raport me ta. Në të vërtetë, deri më tani Trump-i tregoi se vendi i tij do të vazhdojë të jetë lider edhe në raport me ne dhe Ballkanin. Vizitat e fundit, që i kishin liderët e Ballkanit në Lutjet e mëngjesit në Uashington, nxorën në pah se pozicioni amerikan mbetet i palëkundur. Në fakt, Trump-i po i mban në stres të madh rusët dhe aleatët e tyre, pasi që me veprimet e fundit në Siri u tregoi se çfarë d.m.th. lidershipi amerikan. Një ditë më parë presidenti amerikan Trump ia dha dorën homologut të tij kinez, ndërsa të nesërmen – pas atyre skenave të dhimbshme në Siri – administrata e re, me sulmet ajrore, i dha një goditje të fortë Asadit. Realisht, goditja ishte edhe për politikën dhe lojërat ruse, që pësuan një të çarë të madhe, pasi që nuk e dinë se si do vazhdojë më tutje Trump-i i paparashikueshëm, por mjaft i vendosur. Realisht, goditja në Siri ishte një sinjal i një fitoreje morale të Trump-it përballë Putinit dhe politikës meskine ruse.

Po ndalem edhe pak në ndikimin rus në Europë dhe në Ballkanin Perëndimor. Europa, realisht, do të ketë vështirësi në zgjedhjet që do mbahen, pasi që Rusia do të insistojë që të influencojë me instrumentet e veta për të ndihmuar liderë që i konvenojnë asaj që të vijë në shprehje. E kam thënë edhe në një intervistë timen më parë se Europa lipset të jetë e vëmendshme, pasi që Rusisë i duhet një lidership i dobët dhe konflktuoz, që t’i realizojë synimet e saj dhe për ta bërë diversionin e duhur brenda BE-së nëpërmjet lidhjeve tradicionale nga e kaluara dhe nga ish aleatët që sot janë brenda në BE e që kanë dhënë shenja se mund t’i bien thikë pas shpine Europës. Franca është në një sfidë të këtillë, si edhe Gjermania dhe atje dhe gjetkë është jetike që të fitojnë forcat demokratike që e mbajnë anijen e Europës në ujëra të qeta dhe të sigurta, sepse kjo e paqton botën dhe ia heq ëndrrat ekspansioniste Rusisë cariste të Putinit.

 Rusia luajti me Serbinë me trenin e Vuçiqit

 Në raport me Ballkanin perëndimor Rusia luajti një lojë interesante me trenin e Vuçiqit, e cila me bekimin e Patrikanës ruse dhe mentorit ideologjik, Vlladimir Putin, e bekuan në detyrën e e presidentit serb. Në fakt, Vuçiqi luan në kartën e të moderuarit me Europën, ndërsa luan edhe me ndjenjat ruse, duke dashur ta shfrytëzojë këtë që është tipike për politikën ruse. Serbia edhe dje, edhe sot, edhe nesër, pa e pastruar terrenin e saj me të kaluarën dhe me krimet që i ka bërë në ish Jugosllavi, që filluan në Bosnjë dhe përfunduan në Kosovë, nuk është aleat i besueshëm për Perëndimin. Por, ajo që lipset të kuptohet është se Perëndimi do të jetë më mirë të investojë në shtete dhe forca të cilat gjenetikisht janë me të sesa të investojë në një Serbi e cila nuk është çliruar nga makthi i saj dhe sheh ëndrra me sy hapur. Vuçiqi, realisht, e ka shfrytëzuar me elegancë Europën dhe fondet i merr me shumë kujdes, që – për mendimin tim – është një gabim strategjik, sepse me paratë e Europës ai po e ndërton imazhin e tij si një car serb i rajonit. Europa është mirë ta kuptojë se Serbia asnjëherë nuk heq dorë nga Rusia për një të ardhme evropiane. këtë e ka dëshmuar në kontinuitet, qoftë haptazi ose fshehurazi.

Trekëndëshi Tiranë-Shkup-Prishtinë ta forcojë demokracinë

Por, le t’u kthehemi pak shqiptarëve në këto konstelacione në raport me Perëndimin (BE) dhe SHBA-të. Shqiptarët, tradicionalisht, e kanë ruajtur pozicionin e tyre në brigjet e Detit Adriatik dhe Jon, si edhe idenë e europianzmit, por deri më sot jo se e kanë marrë atë që e kanë dashur dhe nuk e kanë realizuar synimin e tyre – anëtarësimin e plotë në Bashkimin Europian. Kjo edhe për faktin se brenda BE-së ka shtete që në vazhdimësi e kanë penguar aderimin e Shqipërisë. Në një matje që e kam bërë për nevojat e mia me studentët në auditorë në Kosovë dhe Shqipëri, mbetet i lartë admirimi i të rinjve që të jenë pjesë e Europës, por nuk kemi pasur një ndjenjë të njëjtë kthyese nga BE-ja. Por, strategjikisht, BE-ja lipset ta ndryshojë kursin e saj dhe, në aleancat që po bëhen nëpër botë, do të ishte mirë që shqiptarët t’i mbajë afër vetes, për shkak se në raport me sllavët vetëm shqiptarët mund ta balancojnë dhe ta mbajnë Ballkanin të qetë dhe pa konflikte. Por, pa një Shqipëri të fortë dhe një Kosovë e cila do të hapëronte drejt Perëndimit, do të jetë vështirë që të vendoset një paqe e qëndrueshme në Ballkanin perëndimor, sepse Serbia në trajektoren nga Republika Sërbska, Mitrovica, FYROM e deri në Luginën e Preshevës, e përdor shpesh efektin domino për ta mbajtur situatën të tendosur dhe konfliktuoze. Edhe në rastin e FYROM-it shqiptarët me këmbëngulje e kanë mbajtur kursin e tyre pro Perëndimit. Edhe me rastin e Malit të Zi shqiptarët i ndihmuan malazezët që të shpëtojnë nga tutela serbe, që flet më së miri se shqiptarët kanë treguar dashamirësi me Perëndimin. Por, kjo lipset të kuptohet nga Perëndimi dhe aleanca me shqiptarët të forcohet me projekte dhe investime kapitale. Shpresoj që kjo mos të kuptohet si romantike, por si një vlerë që shqiptarët e ndjejnë se janë europianë të regjur. Por, edhe lidershipi shqiptar ka nevojë, si ai në pozitë ashtu edhe ai në opozitë – në linjën Tiranë-Shkup-Prishtinë, që ta forcojë demokracinë, t’i forcojë institucionet, ta luftojë korrupsionin, të jetë i vëmendshëm për rolin e tyre në këtë proces gjeostragjik për veten dhe të ardhmen e shqiptarëve. Ata duhet t’i lënë inatet në shtëpi dhe të luftojnë fuqishëm në institucione që ta zhvillojnë mirëqenien dhe të ardhmen e qytetarëve.

Pozicionim i qartë i shqiptarëve në linjën SHBA-BE-Turqi bashkë me Britaninë

 Në planin global po rikonfigurohen forcat dhe kjo është më se e qartë, pasi që kemi një Gjermani të fortë, një Turqi të fortë, një Amerikë që po rikthehet dhe një Rusi, që po ashtu po e shtrin influencën e saj. Rikompozimi i Ballkanit perëndimor varet nga këta faktorë se si ata e duan Ballkanin dhe si do t’i shtrijnë influencat e tyre dhe çka  duan në lojërat e mëdha gjeopolitike. Por, roli I shqiptarëve në këtë rikompozim do jetë i qartë në linjën: SHBA-BE-Turqi bashkë me Britaninë e Madhe si faktorë te të cilët shqiptarët i shohin aleatët e tyre në politikën e madhe dhe, në këtë vijë, shqiptarët pikësëpari do të luajnë duke i përforcuar pozicionet e tyre. Edhe në aspektin rajonal shqiptarët mbeten qartë me idenë e europianizimit të Ballkanit, por me një faktor shqiptar në të, duke e ruajtur miqësinë me sllovenët, kroatët, bullgarët, malazezët dhe boshnjakët.

Se sa do kuptohen shqiptarët në rajon, kjo mbetet të shihet. Dëshira e shqiptarëve mbetet e njëjtë – ne jemi në anije me aleatët tanë, të cilët nuk është keq të investojnë më shumë në demokracinë dhe në zhvillim tonë, sepse as dje, as nesër, ne nuk ndryshojmë qëndrime dhe mbetemi këmbëngulës në pozicionet tona me Perëndimin, si në brigjet e detit Adriatik e detit Jon. Ballkanin e trazuar e qetësojnë vetëm detarët e mirë, që dinë të lundrojnë mirë në ujërat e deteve, dhe që dinë t’i ndalojnë stuhitë që vijnë nga popuj grabitqarë

Filed Under: Analiza Tagged With: Arsim Sinani, Ballkani, I TRAZUAR DHE SHQIPTARËT

Europarlamentari McAllister inkurajon Shqipërinë

March 20, 2017 by dgreca

Europarlamentari gjerman i CDU-së dhe kreu i Komisionit të Parlamentit Europian për Politikën e Jashtme, David McAllister paralajmëron në “Die Welt” nga rritja e ndikimit rus në Ballkan./

Në një artikull të së hënës, (20.03) me titullin “Ballkani një rajon me rrezikshmëri të lartë”, gazeta “Die Welt” shkruan se sikur Bashkimit Europian të mos i mjaftojnë problemet me Brexit, populizmin, Trumpin dhe Turqinë, tani para dyerve të BE-së po rriten tensionet. Në shumë vende të Ballkanit situata zien. Në të njëjtën kohë përpiqen Rusia, Turqia, Kina, Arabia Saudite e Katari të rrisin influencën në rajon -një përzierje e rrezikshme. Kreu i Komisionit të Parlamentit Europian për Politikën e Jashtme, David McAllister, (CDU) thekson se “Ballkani është një rajon me rrezikshmëri të lartë, ku në një kohë të shkurtër një veprim i papërgjegjshëm mund të rindezë konfliktet që besonim se i kishim tejkaluar.”

McAllister: Shqipëria në rrugën e duhur

BE kërkon të kundërveprojë ndaj këtij rreziku duke sjellë një atmosferë të re në bisedimet e anëtarësimit. Shpresa nuk ka vetëm Serbia, shkruan “Die Welt”, por edhe Shqipëria. McAllister thekson, se “sipas Komisionit Europian, parlamentit dhe qeverive ky vend është në rrugën e duhur. Bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë mund të hapen brenda 12 muajve të ardhshëm, më së voni në fillim të vitit 2018”.Eurodeputeti gjerman McAllister ka lëvduar ujdinë që arritën partitë politikë në Tiranë për reformën në drejtësi. “Ky ka qenë një kriter i rëndësishëm për fillimin e negociatave. Kur të fillojnë negociatat, do të hapet që në fillim çështja e shtetit ligjor”, ka theksuar europarlamentari me influencë në Bruksel. Por megjithatë McAllister e sheh Shqipërinë ende larg anëtarësimit në BE.

Serbi: Rrezik nga ndikimi rus

Ndërsa duke folur për Serbinë, e cila i ka hapur në janar 2014 bisedimet e anëtarësimit me BE, McAllister shikon përparime, por edhe probleme. Shqetësimi i tij është përpjekja ruse për influencë në këtë vend. “Moska përpiqet të ndikojë në mënyrë masive mediat, pjesë të shoqërisë civile në Serbi”, thotë eurodeputeti. BE me 1,5 miliardë euro asistencë financiare në Serbi është -me distancë- donatori më i madh në këtë vend që mbështet reformat dhe projektet ekonomike. Megjithatë McAllister është i vetëdijshëm, se në të njëjtën kohë Rusia perceptohet në Serbi si një nga mbështetësit më të mëdhenj të vendit. “Për BE kjo do të thotë që së bashku me ndihmën e politikës serbe dhe shoqërisë civile të bëjë më prezentë angazhimin e saj.”(DW)

Filed Under: Politike Tagged With: Ballkani, McAllister: Shqipëria, në rrugën e duhur, Rreziku rus

Konferenca e Parisit: Ballkanit i bëhen premtime të dyshimta

July 2, 2016 by dgreca

Të hënën në Paris (4 Korrik 2016) fillon konferenca e tretë për Ballkanin Perëndimor. Këto konferenca vetëm fshehin mungesën e gatishmërisë së BE-së për t’i pranuar këto vende, kritikon Thomas Brey, korrespondent i DPA-së.

Konferenca për Ballkanin ka mjaft. Para katër javësh janë mbledhur liderët e rajonit në Sofje dhe kanë festuar 20 vjetorin e “Procesit të bashkëpunimit në Evropën Juglindore”. Për më shumë se tetë vite mbahen takimet e “Këshillit rajonal për bashkëpunim”. Në fund të majit është mbajtur në Sarajevë takimi i radhës i procesit „Brdo-Brioni“.

Megjithatë Gjermania ka nisur para dy vitesh një proces të ri – Konferencën për Ballkanin Perëndimor. Pas Berlinit (2014) dhe Vjenës (2015), tani të hënën me 4 korrik mbahet në Paris takimi i tretë me radhë. Presidentët dhe kryeministrat e Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi duhet të takohen me krerët e Bashkimit Evropian, Gjermanisë, Francës, Austrisë dhe vendeve të tjera. Qëllimi zyrtar: afrimi i vendeve të Ballkanit me BE.

Mungesa e gatishmërisë

Problemi është që në një të ardhme të shpejtë nuk do të ketë zgjerim të BE – gjë që e kanë thënë edhe Komisioneri i BE Juncker dhe presidenti i Bundestagut gjerman, Norbert Lammert. Pas Brexitit nuk ekziston gatishmëria e BE për pranimin e vendeve të tjera. Konsolidimi para zgjerimit – është dogma e fundit në Bruksel. Por në Bruksel ekzistojnë shumë politikanë, diplomatë dhe ekspertë, të cilët e kanë për detyrë të përgatisin vendet e Ballkanit për anëtarësim. Këtë ekip e udhëheq Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn. Ata thonë se BE ka premtuar zgjerimin dhe pranimin e Ballkanit, në Selanik në vitin 2003, kur është thënë se BE nuk është i plotë pa Ballkanin.

Westbalkan-Konferenz Rama Merkel Barroso Konferenca e parë e Ballkanit u organizua në Berlin (28 gusht 2014) Kryeministri Rama dhe kancelarja Merkel me ish-presidentin e KE-së, Barroso

Ekspertët që udhëtojnë rregullisht në Ballkan thonë se “perspektiva e anëtarësimit mbetet e hapur”. Ndonjëherë flasin madje edhe për afate të mundshme. Kështu mediat boshnjake në maj kanë raportuar për mundësinë e anëtarësimit të B-H në BE brenda dhjetë vitesh.

Politika e ndihmave

Konferenca për Ballkanin Perëndimor ka për qëllim që të tejkalojë humnerën mes zgjerimit të ndaluar të BE dhe premtimeve të dhëna. BE do që këto shtete të vogla të ruajnë disponimin për anëtarësim, përmes mbështetjes me miliarda Euro, në periudhën prej 2014-2020. Këtu bëjnë pjesë projekte të ndryshme, siç është autostrada Nish – Prishtinë, apo ajo rreth Adriatikut, modernizimi i hekurudhave etj. Apo dhe me krijimin e rrjeteve për të rinj, të ngjashme me ato gjermano-franceze.

Por politika e derdhjes së parave në 15 vitet e fundit zbulon më shumë probleme se sa zgjidhje. Edhe pse para tri vitesh Brukseli ka arritur një marrëveshje mes armiqve tradicionalë, Serbisë dhe Kosovës, gati asnjë prej këtyre pikave nuk është realizuar në tërësi. BE ende nuk ka arritur të zgjidhë krizën në Maqedoni, e cila po zgjat më shumë se një vit. Brukseli nuk ka zgjidhje as për grindjet mes Shkupit dhe Athinës për emrin e Maqedonisë.

West Balkan Konferenz Angela Merkel Gruppenfoto Wien Österreich Heinz Fischer Österreich Edi Rama AlbanienFoto e përbashkët në konferencën e dytë të Ballkanit- Vjenë (27 gusht 2015)

Kroacia dhe Serbia kanë zhvilluar vitin e kaluar një luftë tregtare. Popujt e grindur shumë keq në B-H nuk kanë arritur marrëveshje për fillimin e zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim. Gjithnjë e më shumë flitet për shkeljen e të drejtave të mediave, drejtësinë e manipuluar, korrupsionin e lartë. Ndërkohë njerëzit po ikin nga këto vende – drejt Bashkimit Evropian!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Ballkani, Konferenca e Parisit, premtime per BE

Pse Kosova dhe Ballkani gjetën lehtësim në rezultatin e zgjedhjeve të Austrisë

June 2, 2016 by dgreca

Si president i Kosovës, republikës së vogël në Ballkanin Perëndimor, Hashim Thaçi është i pari i cili pranoi të ketë ndjerë lehtësim nga rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Austria./

Shkruan: Hashim Thaçi, president i Republikës së Kosovës/*

I kam dërguar urimet e mia presidentit të zgjedhur Alexander Van der Bellen dhe e mirëpres bashkëpunimin me të në çështjet që bashkojnë rajonin tonë me Vjenën – kryeqytetin e vjetër të Perandorisë së Habsburgëve – e cila ka luajtur një rol kyç në historinë, kulturën e madje edhe në arkitekturën tonë.

Zgjedhja e presidentit ishte një çështje krejtësisht austriake dhe do të ishte e pavend për cilindo prej nesh në Ballkan që të flisnim në favor të ndonjërit prej kandidatëve gjatë fushatës.

Megjithatë, zgjedhjet ishin me rëndësi jetike për ne në Kosovë dhe në rajon.

Ashtu si homologët e tij të ekstremit të djathtë në Francë dhe Gjermani, Norbert Hofer sulmoi politikën e jashtme të garniturës austriake që kishte njohur sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës. Ai gjithashtu kishte deklaruar publikisht se “do të ishte gabim që të pranohej Kosova në organizata ndërkombëtare, sepse kjo vetëm se do të shkaktonte probleme”.

Ky është lloji i argumentit që jemi mësuar të dëgjojmë nga Moska e Putinit, por jo nga një vend me një histori të gjatë të mbështetjes së vetëvendosjes së ish-republikave jugosllave që kanë fituar lirinë e tyre nga diktatori Sllobodan Millosheviq.

Austria u bë një fanar i shpresës kur ajo i hapi dyert e universiteteve për studentët tanë, pasi që Serbia ndaloi mësimin në gjuhën shqipe në Kosovën e pushtuar në vitet 1990. Unë, personalisht, kurrë nuk do t’i harroj homazhet për demokracinë dhe të drejtat e njeriut nga ana e politikanëve si Alois Mock dhe Otto von Habsburg, në kohën kur unë isha student.

Kjo është arsyeja pse ne në Kosovë ishim kaq të tronditur që një politikan arriti fare pranë presidencës kombëtare përmes një platforme që hodhi poshtë dekada të politikave të përcaktuara progresive që kanë ndihmuar Ballkanin për të kapërcyer urrejtjen dhe nacionalizmin.

Platforma e Hoferit, ashtu si e lëvizjeve të tjera të ekstremit të djathtë në Europë, mbështetet në konceptin e Hantingtonit të përplasjes së qytetërimeve dhe në promovimin e teorisë sE Islami është i papajtueshëm më Europën. Për ne në Kosovë, Shqipëri apo Bosnje, me shtresa të mëdha të shoqërivE tona që i përkasin besimit islam, një teori E tillë na përjashton nga ndjenja e të qenit pjesë e kontinentit ku kemi jetuar me shekuj dhe mijëvjeçarë.

Përveç kësaj, Kosova nuk është myslimane: shoqëria jonë është laike dhe qytetare.

Kosova u bë vendi i parë në Ballkani që zgjodhi një president grua më 2001 dhe është shteti i parë në Ballkan që ka njohur komunitetet LGBTI në kushtetutën e saj. I kam prirë paradës së komuniteteve LGBTI në Kosovë muajin e kaluar, për të përçuar mbështetjen tonë për këtë komunitet, pikërisht për t’i treguar qytetarëve tanë dhe botës se ekstremizmi dhe paragjykimi nuk kanë vend në mesin tonë.

Gjithashtu, ne nuk jemi as strehë e sigurt për ekstremistët. Shërbimet tona të sigurisë kanë bërë 100 arrestime dhe kanë siguruar 67 aktakuza si dhe 26 dënime kundër mbështetësve të ISIS-it në vendin tonë. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry vuri në një vizitë të fundit në Kosovë se kosovarët janë prijës rajonalë në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Bam Ki-moon, po ashtu, njohu rolin e Kosovës në promovimin e dialogut ndërfetar në një raport të vitit 2013. Edhe Bashkimi Europian theksoi ritmin e përshpejtuar të reformave tona dhe nënshkroi me Kosovën traktatin e parë para anëtarësimit, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Sentimentet e thella euroskeptike të propaguara nga Hofer dhe ekstremi i djathtë janë jashtëzakonisht dhe qenësisht të rrezikshme për të gjitha vendet e Ballkanit.

Ishte pikërisht tërheqja gravitacionale e Brukselit që solli paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë. Pa perspektivën e anëtarësimin në BE, si një familje e vlerave dhe interesave të përbashkëta, politikat e rajonit tonë rrezikojnë të katandisen në një boshllëk që mund të mbushet nga ekstremistë në vendin tonë.

Sipas sondazheve, më shumë se 95 për qind e kosovarëve dëshirojnë anëtarësimin në BE dhe në NATO.

Si një hap drejt këtij qëllimi, Komisioni Europian tashmë ka rekomanduar zyrtarisht liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë brenda zonës Shengen, në përputhje me pjesën tjetër të Ballkanit.

Liberalizimi i vizave është fituar me shumë mund, pas reformave të vështira të brendshme, por është e qartë se disa politikanë në Europë po përfitojnë nga disponimi aktual i pakënaqësisë publike ndaj migrimit dhe po përdorin Kosovën dhe Ballkanin si një kokë turku.

Në ndërkohë që po festojmë fitoren e ngushtë të forcave progresive të Austrisë, një gjë është e sigurt. Krerët e Ballkanit duhet të punojnë më shumë në forcimin e sundimin të së drejtës dhe në luftimin e emigracionit të paligjshëm si dhe ekstremizmit të dhunshëm, për të siguruar një ndjenjë në rritje të sigurisë dhe për t’i qetësuar skeptikët në mbarë Europën.

Në duhet të jemi – siç është një thënie – “më katolikë se Papa”, në mënyrë që t’i bindin kundërshtarët se ëndrra europiane, rruga europiane, është shansi ynë i vetëm, kontrata më e mirë që ne mund të nënshkruajmë për të garantuar të ardhmen tonë.

*Presidenti Thaçi për “EurActiv”

Filed Under: Editorial Tagged With: Ballkani, kosova, Presidenti Thaçi, zgjedhjet ne Austri

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT