- Kryetarit të Komisionit Parlamentar të Serbisë për Kosovë Millovan Drecun-i është kriminel lufte që duhet të jep përgjegjësi për pjesëmarrjen tij në këto krime…/
Letër Publike drejtuar:/
Asociacionit të Medieve të Pavarura Elektronike të Kosovës/
Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës/
Këshilli i Medieve të Shkruara të Kosovës/
Unioni i Gazetarëve të Kosovës/
Drejtorëve dhe Kryeredaktorëve të medieve të Kosovës,/
Të nderuar përgjegjës të institucioneve të lartpërmendura,/
Të nderuar Kryeredaktorë të medieve në Kosovë,/
Më 1 korrik 2009, në Gjykatën për Krime Lufte në Serbi, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë dorëzoi padinë kundër gazetarëve të «Radio Televizionit të Beogradit», të «Radio Televizionit të Novi Sadit» si dhe kundër gazetarëve të gazetave «Politika», «Večernje Novosti» dhe të gjithë atyre që gjatë shpërbërjes së Federatës Jugosllave u vunë në shërbim të propagandës luftënxitëse të Serbisë.
Me këtë padi penale, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë akuzoi gazetarët, që i shërbyen kësaj propagande, se duke manipuluar me mediet, ndikuan në përhapjen e urrejtjes ndërnacionale dhe ndërfetare, në nxitjen e diskriminimit dhe të armiqësive, me çka kanë krijuar parakushtet psikologjike për dhunën dhe për krimet më brutale.
Për këtë arsye, ky asociacion kërkoi nga Gjykata për Krime Lufte në Serbi që në përputhje me nenin 145 të Kodit Penal të Republikës Federative të Jugosllavisë të dënoheshin këta gazetarë për vepër penale të organizimit dhe të nxitjes së kryerjes së gjenocidit dhe të krimeve të luftës.
Në mesin e gazetarëve, që u paditën për manipulime mediatike në funksion të nxitjes së krimeve në Kosovë, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë akuzoi edhe Milovan Dracun-in, gazetarin e çështjeve ushtarake e politike të Radio Televizionit të Serbisë.
Për të gjitha nxitjet dhe gënjeshtrat që kishte bërë kundër shqiptarëve gjeneralkoloneli famëkeq serb Nebojsha Pavkoviqi e dekoroi Millovan Drecun-in me dekoratën më të lartë që ndonjëherë kishte marrë ndonjë gazetar.
Për përgjegjësitë në krimet e kryera në Kosovë, gjeneralkoloneli famëkeq serb Nebojsha Pavkoviqi u dënua nga Gjykata ndërkombëtare e Hagës me 22 vjet burg. Ndërsa, njëri nga të dekoruarit e tij, Milovan Drecun-i, i cili kishte marrë pjesë në nxitjen e akteve të dhunës, në montimin e proceseve kundër vëllezërve Mazreku dhe në fshehjen e gjurmëve të gjenocidit, nuk u dënua.
Akuza e Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Serbisë për manipulime mediatike në funksion të nxitjes së krimeve, për përhapjen e urrejtjes ndërnacionale dhe ndërfetare, si dhe për nxitjen e diskriminimit dhe të armiqësive nuk pati asnjë pasojë negative për Milovan Drecun-in. Përkundrazi, ai pati vetëm privilegje!
Pas veprimtarisë së gjatë aktive në kuadër të partisë së Milošević-it, në qershor të vitit 2011 u anëtarësua, në Partinë Përparimtare Serbe të kryesuar nga Kryeministri aktual i Serbisë, Alеksandar Vuçiqi. Po i sjell për lexuesin që nuk është i informuar se bëhet fjalë për partinë politike të themeluar nga presidenti aktual i Serbisë, Tomislav Nikoliqi, që ka qenë nënkryetarë i Partisë Radikale Serbe të Vojislav Sheshelit.
Në vend që të përgjigjet për pjesëmarrje në krimet e kryera në Kosovë, ai në cilësinë e kryetarit të Komisionit Parlamentar të Serbisë për Kosovë vazhdon logjikën e përhapjes së urrejtjes dhe nxitjes së armiqësive kundër shqiptarë. Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë insiston që ky kriminel të merr dënimin e merituar. Fatkeqësisht mediet tona i japin hapësirë qëndrimeve të këtij krimineli pa ia rikujtuar lexuesit shqiptar që nuk është në dijeni se prapa funksionit të kryetarit të Komisionit Parlamentar të Serbisë për Kosovë qëndron një kriminel lufte me emrin Millovan Drecun.
Ndaj kësaj dukurie kam reaguar me një shkrim autorial të titulluar “Kush është Milovan Drecun-i?I falënderoj të gjitha mediet dhe portalet që e publikuan. Fatkeqësisht ndikimi i shkrimit tim nuk ka pasur as efektin më të vogël. Mjafton të shihet hapësira që ju dha qëndrimeve të këtij krimineli lidhur me zhvillimet në Kuvendin e Kosovës për Marrëveshjen e demarkacionin me Malin e Zi.
Letra ime publike nuk kërkon të imponohet censurë ndaj kujtdo qoftë. Por, ka për qëllim që të sensibilizojë gazetarët dhe përgjegjësit e medieve që gjërat të thuhen me objektivitetin e duhur: kur një kriminel lufte del me qëndrim të caktuar, pa marrë parasysh se nga cili funksion politik aktual flet, duhet t’i përmendet fakti se ai është i akuzuar për krime lufte. Kryetarit të Komisionit Parlamentar të Serbisë për Kosovë Millovan Drecun-i është kriminel lufte që duhet të jep përgjegjësi për pjesëmarrjen tij në këto krime.
Me respekt
Bardhyl Mahmuti