Projekti i BE-së në vlerë 1.5 milion do të ndihmojë krijimin e kushteve për të kthyerit nga vendet e BE-së. Projekti do të menaxhohet nga Zyra e BE-së në Kosovë, ndërsa do të implementohet nga MPB/
Kthimi dhe riatdhesimi i kosovarëve që jetojnë nëpër vendet e Bashkimit Evropian vazhdon të mbetet njëri nga kriteret themelore të BE-së për liberalizim të vizave. Prandaj që ky kriter të mos jetë sfidë, Bashkimi Evropian ka ndarë një shumë prej 1.5 milion € për të krijuar kushte më të mira për riatdhesim.Qeveria e Kosovës, ndërkaq ka krijuar mekanizmat e nevojshëm për riintegrimin e personave të riatdhesuar. Kështu deklaroi të martën ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi me rastin e fillimit të projektit të binjakëzimit në menaxhimin dhe zbatimin e marrëveshjeve të ripranimit dhe riintegrimit.
Projekti në vlerë 1.5 milion eurosh do të menaxhohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe do të implementohet nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Ministri Rexhepi shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës, por edhe të ministrisë që ai drejton për ofrimin e ndihmës për të gjithë të riatdhesuarit në Kosovë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës e ka marrë shumë seriozisht këtë proces dhe ka ndërtuar mekanizmat shtetëror për riintegrimin e personave të riatdhesuar. Kemi ngrit nivelin e organizimit në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjithashtu kemi nda fonde milionëshe në vitet e fundit në këtë proces”, tha Rexhepi.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Naim Ismajli ka thënë se deri më tani me sukses i kanë përballuar sfidat që kanë të bëjnë me të riatdhesuarit dhe të riintegruarit, mirëpo ka kërkuar ndihmë edhe nga Qeveria e Kosovës dhe Komisioni Evropian për të realizuar me sukses projektin e riatdhesimit.
Shefi i Operacioneve në Zyrën e Komisionit Evropian në Kosovë, Christof Stock, ka vlerësuar si pozitive angazhimin e Qeverisë së Kosovës, në riatdhesimin dhe riintegrimin e personave që janë kthyer nga shtetet e ndryshme në Kosovë.
Ai edhe një herë përsëriti se njëra ndër kriteret kryesore për liberalizimin e vizave është edhe ky projekt.
Projekti Fuqizimi i Riatdhesimit dhe Riintegrimit të qëndrueshëm në Kosovë, do të mbështesë komunat në projektimin dhe ofrimin e shërbimeve të riintegrimit në përputhje me legjislacionin, strategjinë kombëtare dhe barazinë përmes trajnimeve.
Një detyrë e rëndësishme e projektit është edhe përmirësimi si i vetëdijesimit të përgjithshëm publik, ashtu edhe atij të të kthyerve lidhur me kthimin, riatdhesimin dhe riintegrimin.
Ndryshe, çdo vit, rreth 2,000 persona riatdhesohen në Kosovë nga shtetet anëtare të BE-së si rezultat i marrëveshjeve bilaterale të ripranimit në mes të shteteve anëtare individuale dhe Kosovës.(Kortezi Albinfo.ch)