• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SPECIALE-Pritjet për Trepçën: Çka pas Ligjit…

October 29, 2016 by dgreca

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/trepca-kosove -Në Prishtinë u mbajt tryeza “Trepça-Çka pas Ligjit: Sfidat, mundësitë dhe rreziqet”/

blerand-stavileci-muhamet-mustafa-debat-trepca-1

 –Me Ligjin për Trepçën i kemi hapur një derë dhe mendoj që tash me strategji dhe me një model të përcaktuar dhe të elaboruar me kujdes, Trepçën e pret një e ardhme më e mirë, mirëpo jo pa rreziqe, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik në qeverinë e Kosovës, Blerand Stavileci/

-Kryetari i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, tha se Qeveria, Kuvendi të gjithë duhet të jenë aktivë për të dhënë informimin e duhur, përfshirë qytetarët serbë, sepse ata janë edhe të manipuluar edhe të painformuar/-Qeveria e Kosovës: Me askënd nuk do ta diskutojmë çështjen e pronësisë së Trepçës, ajo i përket Kosovës. Në takimin e 20 tetorit 2016 të bisedimeve në Bruksel pala serbe ka tentuar ta ngrisë edhe çështjen e Ligjit për Trepçën, por delegacioni i Kosovës ka refuzuar /blerand-stavileci-muhamet-mustafa-debat-trepca-1

-Brenda 45 viteve, nga  viti 1945 deri në 1990, në Trepçë janë prodhuar gjithësej 10.710 kg ari i pastërtisë së lartë. Mesatarja ishte 238 kg ari për një vit, sipas të dhënave të ekspertëve, njohësve të gjigandit ekonomik të Kosovës. Edhe 113 tonë argjend të pastër brenda një viti është një nga të dhënat e prodhimit në Trepçë në atë kohë/

-Media: Gjykata Kushtetues e Kosovë ka hedhur poshtë kërkesën e Listës Serbe rreth Ligit për Trepçën/

 PRISHTINË, 28 Tetor 2016/ “Trepça-Çka pas Ligjit: Sfidat, mundësitë dhe rreziqet”, është tryeza e organizuar sot në Prishtinë  nga Forum 2015, projekt i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS.
Forum 2015, duke nisur me tryezën, synon të hap debatin qytetar për Trepçën, duke tentuar të nxisë vendim-marrës dhe grupe tjera të interesit të shpalosin alternativa të ndryshme zhvillimore, nga cilado lëmi që është me ndikim në suksesin e këtij projekti të madh.Panelistët e ftuar për të diskutuar çështjen e Trepçës, me moderim të Luan Shllakut nga KFOS, ishin:  Muhamet Mustafa – kryetar i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri; Nazmi Mikullovci – drejtor i Trepçës në periudhat 1978-1984 dhe 2001-2008; Blerand Stavileci, ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe Iraj Hashi, profesor i Ekonomisë – Qendra për Hulumtime për Ekonomitë në Zhvillim, Shkolla e Biznesit,  Universiteti Staffordshire.Me Ligjin për Trepçën i kemi hapur një derë dhe mendoj që tash me strategji dhe me një model të përcaktuar dhe të elaboruar me kujdes, Trepçën e pret një e ardhme më e mirë, mirëpo jo pa rreziqe, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik në qeverinë e Kosovës, Blerand Stavileci.Sipas tij, pas 17 vitesh çështja e Trepçës dhe Termocentralit Kosova e Re po marrin rrugë të mbarë, dhe merita këtu duhet ‘ti atribuohet të gjithë atyre që kanë punuar si një ekip, Kuvendiit, Qeverisë, Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ngase interesi publik ka prevaluar mbi çdo gjë tjetër.Stavileci tha se ka pasur shumë vonesa dhe fatkeqësisht Trepça ka vuajtur, por fatmirësisht disi është menaxhuar. “Të gjithë e dimë se për shkak të këtyre vonesave ne kemi bërë një renditje që në fakt do të duhej të shkonte ndryshe, pra parafizibiliteti, fizibiliteti, strategjia, pastaj ligji, ku ne kemi qenë të detyruar në mënyrë që ta bëjmë zgjidhjen e parë në mënyrë që ta shpëtojmë nga likuidimi”, u shpreh ai.
Sipas Stavilecit, fokusi ka qenë te zgjidhja ekonomike, ndërsa është apostrofuar shumë edhe dimensionin ekologjik, duke i dhënë Trepçës trajtën e një korporate.“Ne jemi treguar korporativë me të gjitha palët, nuk ka asnjë shkronjë të vetme brenda ligjit që ka karakter diskriminues ndaj dikujt, pra është shumë përfshirës, është me mundësi të mëdha të bashkëpunimit”, tha ai.Kryetari i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, tha se Qeveria, Kuvendi të gjithë duhet të jenë aktivë për të dhënë informimin e duhur, përfshirë qytetarët serbë, sepse ata janë edhe të manipuluar edhe të painformuar. “Ne duhet të kuptojmë tregtinë, financat dhe strategjinë e përpunimeve të metaleve. Është me rëndësi të përgatitemi deri në shkurt në mënyrë që ta kemi Trepçën në përpunim”, theksoi Mustafa.Ish-drejtori i Trepçës, Nazmi Mikullovci, tha se në lidhje me ambientin në vitin 2000 është përgatitur një studim,  ndërsa foli edhe për historikun e zhvillimeve të gjigantit ekonomik të Kosovës.Profesori i ekonomisë në Universitetin Staffordshire, Iraj Hashi, tha se edhe pse Trepça e ka potencialin, nuk është një mundësi e investimit që nuk ka rreziqe, andaj investitorët e huaj duhet të inkurajohen dhe sigurohen në investimet.Organizatorët e tryezwa theksojnë se, komunikimi i ardhshëm me qytetarë duhet të jetë shumë intensiv dhe efikas, në mos për tjetër, për të larguar brengosjen se shëndeti i tyre dhe interesat ekonomik mund të mos merren parasysh gjatë vendosjes së skenarit që do ta përcaktojë mënyrën e revitalizimit të kompleksit metalurgjik Trepça.
Forum 2015 synon të diskutohen aspekte ekonomike, sociale dhe politike, që lidhen me modalitetet për ta aktivizuar potencialin e fjetur dhe posaçërisht debati do të duhej të ndihmojë në përcaktimin e vijave të kuqe mbi të cilat Trepça e re nuk guxon të shkojë. Vlerësohet se, përkundër perspektivës konkrete që kanë metalurgjitë sot, ato përcillen edhe me shumë kufizime, në të gjitha sferat e veprimit, ekonomike dhe mjedisore në rend të parë, por në rastin e Trepçës edhe politike.

trepca-2TREPÇA ME LIGJ, TË ARDHME ZHVILLIMI TË SIGURT

-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, vizitë në Trepçë: Ligji, në mënyrën më të mirë e ka bërë zgjidhjen për perspektivën dhe tani vetëm duhet të punojmë që të përgatitemi që ta zbatojmë posa të hyj në fuqi/

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë një vizite në fillim të javës, në 24 tetor, në Mitrovicë tha se me miratimin e Ligjit, Trepça ka marrë rrugën e vet të zhvillimit dhe ardhmëria e saj është e sigurt. “Vlerësuam bashkërisht se ardhmëria e Trepçës është e pa kthim, ajo e ka marrë rrugën e vet. Ligji për Trepçën në mënyrën më të mirë e ka bërë zgjidhjen për perspektivën dhe tani vetëm duhet të punojmë që të përgatitemi që ta zbatojmë posa të hyj në fuqi”, u shpreh kreu i qeverisë kosovare gjatë vizitës gjigandit ekonomik, ku është takuar me drejtuesit e menaxhmentit, përfaqësuesit e sindikatës dhe minatorët.Në 13 tetor 2016 subjekti politik kosovar Lista Serbe i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës lidhur me Ligjin për Trepçën, miratimin e të cilit e ka kundërshtuar më parë edhe në qeveri  e Kuvend, kur është miratuar. Lidhur me ketë kryeministri Mustafa tha se, është e drejtë e të gjithëve që të bëjnë ankesa, t’iu drejtohen institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës dhe kjo fare nuk e pengon Trepçën.“Ne jemi të përcaktuar që ta forcojmë Trepçën, që ta organizojmë si korporatë moderne dhe Ligji pikërisht e mundëson këtë organizim të Trepçës në interesin e punëtorëve të saj dhe qytetarëve të Mitrovicës dhe gjithë Kosovës”, theksoi kryeministri kosovar.Me Ligj është paraparë që statusi i Trepçës të jetë shoqëri aksionare, qeveria e Kosovës do të ketë 80 % të pronësisë së saj, ndërsa 20 %-shi do t’u takojë punëtorëve.Kryeministri Mustafa u shpreh i kënaqur me statusin e minatorëve në Ligjin e ri, i cili do të mundësojë tërheqjen e investimeve publike, private e të kombinuara, për procedimin e produkteve të Trepçës. “Trepça kështu si është paraparë me ligj, është në interes të të gjithëve. Asnjë komunitet nuk mund ta sheh veten të rrezikuar, por e sheh veten të avancuar, sepse nuk ka pasur shanse më përpara ta mendojë askush se do të bëhet pjesë edhe pronësore e aseteve të Trepçës, ashtu siç ne tani e kemi rregulluar me Ligj”, tha Mustafa.Ligji është kundërshtuar me deklarata edhe nga Beogradi, madje në takimin e 20 tetorit 2016 të bisedimeve në Bruksel pala serbe ka tentuar ta ngrisë edhe çështjen e Ligjit për Trepçën, por delegacioni i Kosovës ka refuzuar.

trepca-mine

“E kemi thënë qartë, që ne me askënd nuk do ta diskutojmë çështjen e pronësisë së Trepçës. Ajo i përket Kosovës, minatorëve të Kosovës, ndërsa pasuritë minerare janë pasuri e shtetit të Kosovës dhe kjo çështje mbetet e mbyllur njëherë e përgjithmonë. E hapur mbetet, se si ne ta çojmë Trepçën përpara”, theksoi kryeministri Mustafa.Trepça, pasuri e madhe shumëmiliardëshe e Kosovës, me minera plumbi, zingu, argjendi e ari, ka pasur mëse 22 mijë punëtorë deri në vitin 1990, kur administrata e dhunshme e instaluar nga Beogradi dëboi shqiptarët nga puna. Përfundimi i luftës para 17 viteve, në qershorin 1999, Trepçën e gjeti me shkatërrime të mëdha nga shfrytëzimi kolonial dhe në Kosovën e lirë nisën përpjekjet për rimëkëmbje.Brenda 45 viteve, nga  viti 1945 deri në 1990, në Trepçë janë prodhuar gjithësej 10.710 kg ari i pastërtisë së lartë. Mesatarja ishte 238 kg ari për një vit, sipas të dhënave të ekspertëve, njohësve të gjigandit ekonomik të Kosovës. Edhe 113 tonë argjend të pastër brenda një viti është një nga të dhënat e prodhimit në Trepçë në atë kohë.trepca-1

MEDIA: GJYKATA KUSHTETUES E KOSOVË KA HEDHUR POSHTË KËRKESËN E LISTËS SERBE RRETH LIGIT PËR TREPÇËN/

Gjykata Kushtetues e Kosovë ka hedhur poshtë kërkesën e Listës Serbe, për kontestimet e saj rreth Ligjit për Trepçën, pasi ka vlerësuar se pretendimet e saja nuk qëndrojnë, mëson KTV-ja.Deputetët serbë janë ankuar në Kushtetuese duke theksuar se gjatë miratimit janë shkelur procedurat pasi ligji nuk është proceduar sipas nenit 81 të Kushtetutës së Kosovës që flet për ligjet me interes vital.Por Ligji për Trepçën nuk bënë pjesë në këtë kategori, pasi neni thotë se legjislacioni vital janë ligjet që kanë të bëjnë me themelimin e komunave, zgjedhjet lokale, mbrojtën e trashëgimisë kulturore, për gjuhët, simbolet dhe fetë, simbolet dhe festat publike.Andaj duke qenë se Trepça bën pjesë në asetet shtetërore dhe nuk bën pjesë në legjislacionin vital, Kushtetuesja nuk e ka parë si palë kundërshtimin e një komuniteti për një ligj me interesa nacionale.KTV-ja mëson se vendimi është në fazën përfundimtare dhe do të publikohet javën e ardhshme.

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, Pritjet për Trepçën: Çka pas Ligjit…, Speciale e Diellit

Kosovë-Presidenti Thaçi: Izolimi nga BE-ja është i padrejtë

October 28, 2016 by dgreca

-Izolimi, duhet të marrë fund sa më shpejt/1-thaci-Kjo është hera e parë, që presidenti Thaçi ka thirrur Këshillin Kombëtar për Integrim Evropian, prej që ka marrë këtë post në prill të vitit 2016/

2-thaci

PRISHTINË, 28 Tetor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbledhur sot Këshillin Kombëtar për Integrim Evropian.Presidenti Thaçi ka theksuar se është jashtëzakonisht e rëndësishme që ky këshill të vazhdojë të funksionojë, por duhet të jetë kuptimplotë dhe i drejtuar kah rezultatet. Presidenti ka thënë se Kosovës nuk i duhet edhe një takim, këshill, komunikatë apo fotografi protokollare më shumë. “Duhet të lëvizim edhe një hap më larg prej burokracisë dhe të shkojmë përpara një hap drejt komunikimit, bashkëpunimit dhe angazhimit konkret”, ka thënë presidenti Thaçi.Ai ka thënë se këshilli duhet të jetë më shumë një platformë shtesë për të identifikuar bashkërisht mundësitë për ta avancuar procesin e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian, por edhe të adresojmë sfidat dhe ngecjet aty ku janë.

3-thaciPresidenti Thaçi ka shtuar se qëllimi jonë i vetëm është ta ofrojmë vendin tonë përmes punës së përbashkët, më afër BE-së. Por, sipas tij, për këtë duhet të flasim hapur dhe konkretisht, se ku jemi dhe çfarë duhet të bëjmë. “Prandaj edhe tema e takimit të sotëm është shumë konkrete: Izolim apo Integrim!”, ka thënë ai.Presidenti Thaçi ka thënë se nëse shikojmë nga perspektiva e integrimit evropian, kemi të bëjmë me një situatë mbase paradoksale.  Sipas tij, Kosova ka bërë hapat më të mëdhenj drejtë BE-së, duke kurorëzuar punën tonë të shtetndërtimit, të më se një dekade e gjysmë pas çlirimit dhe 8 viteve pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës. Ai ka thënë se Kosova ka nënshkruar një marrëveshje kontraktuale të dyanshme mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, kurse hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje ka formalizuar dhe e bën të pakthyeshëm procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian. 4-thaci“Dje ishte përvjetori i parë i nënshkrimit të MSA-së, kësaj marrëveshjeje historike. Fatkeqësisht, kjo datë e rëndësishme kaloj në heshtje për shkak të situatës aktuale stagnuese në vendin tonë”, ka shtuar ai.Presidenti ka bërë thirrje për një kulturë dhe maturi politike, për një debat të hapur politik, me respekt të ndërsjellë, që sjell zgjidhje të çështjeve me mjete demokratike.Ai më pas është ndalur te dy çështje konkrete, te vazhdimësia e procesit reformues dhe te procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.Presidenti Thaçi ka thënë se me gjithë zhvillimet dhe debatet me të cilat jemi duke u marrë, ne nuk kemi luksin që të lejojmë të kemi stagnim. “Dhe këtu kemi të gjithë një rol. Tani kur kemi filluar të prekim rezultatet e para të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit si një kontratë për të ardhmen tonë evropiane, duhet të dëshmojmë seriozitet dhe rezultate në zbatimin e obligimeve dhe reformave”, ka shtuar ai.Si president i vendit, ai ka thënë se do të ofroj gjithë mbështetjen institucionale për të zbatuar këtë agjendë të reformave të cilat janë jo vetëm që janë të rëndësishme për të ardhmen tonë evropiane, por në radhë të parë e zhvillojnë vendin dhe përmirësojnë kualitetin e jetës së qytetarëve të vendit. Presidenti ka folur edhe për çështjen e dytë, të cilës ka kërkuar që t’i kushtohet vëmendje e veçantë, për të përfunduar sa më shpejtë procesin e liberalizimit të vizave. “Është e pajustifikueshme gjendja ekzistuese në të cilën qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë të privuar nga e drejta për të lëvizur pa viza në vendet e Bashkimit Evropian, respektivisht në Zonën Schengen. Ne jemi të zgjedhur dhe kemi përgjegjësi kushtetuese dhe morale para qytetarëve tanë që ta zgjidhim problem”, ka thënë ai.Presidenti Thaçi ka ritheksuar se sado e padrejtë të konsiderohet kjo qasje e Bashkimit Evropian në raport me Kosovën, e vërteta është që vendimi nga institucionet e BE-së për liberalizimin e vizave është peng i përmbylljes së ratifikimit të Marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, por edhe me demonstrimin e rezultateve bindëse në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.“Si president i vendit e konsideroj krejtësisht jo të drejtë këtë qasje të Bashkimit Evropian”, ka shtuar ai.Presidenti Thaçi ka pyetur përfaqësuesit e BE-së dhe ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së, se sa kufij shtetëror i kanë shënuar dhe ratifikuar shtetet e rajonit, duke filluar nga Serbia, Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina, përpara se BE-ja të merrte vendimin për liberalizimin e vizave?Ai ka thënë se një përgjigje të zakonshme, që e dëgjojmë vazhdimisht në raste të tilla, është se BE-ja nxjerrë mësime nga përvojat dhe gabimet e mëparshme.“Por, fatkeqësisht as ky argument nuk qëndron fare, sepse brenda disa javëve për qytetaret e Gjeorgjisë dhe Ukrainës, Parlamenti i Bashkimit Evropian dhe Këshilli i BE-së do të vendos për heqjen e vizave”, ka thënë presidenti.“Cilët kufij shtetëror i kanë shënuar këto dy shtete për të cilat BE me entuziazëm pritet të merr vendim për heqjen e vizave?”, ka pyetur presidenti Thaçi.Për të mos u keqkuptuar, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova i gëzohet çdo vendimi për heqjen e vizave për qytetarët e së cilit shtet, por nuk pranon të diskriminohet në mënyrë të hapur nga BE-ja.

Presidenti Thaçi ka folur edhe për fuqizimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.“Kjo është një punë e vazhdueshme, e cila duhet të fuqizohet edhe më shumë. Prandaj, as BE-ja dhe askush tjetër nuk ka të drejtë të bëj presione në punën e gjyqësorit, e cila do të vazhdojë edhe pas liberalizimit të vizave”, ka thënë presidenti Thaçi.Në fund, presidenti Thaçi ka thënë se izolimi i padrejtë i kosovarëve duhet të marrë fund sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të saj nuk e kanë as edhe një argument të vetëm që t’i mbajnë të izoluar qytetarët e Republikës së Kosovës.Kjo është hera e parë, që presidenti Thaçi ka thirrur Këshillin Kombëtar për Integrim Evropian, prej që ka marrë këtë post në prill të vitit 2016.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, është i padrejtë, Thaçi: Izolimi nga BE-ja

Kosovë-Përkrahet puna e Ministrisë së Diasporës

October 26, 2016 by dgreca

-Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme/

2-diaspora

-Për dy vjet Ministria e Diasporës ka regjistruar 400 mijë pjesëtarë të diasporës sonë dhe po punohet për vënien në funksion të regjistrimit online/

-Gjatë vitit të shkuar në Kosovë janë futur mbi 750 milionë euro remitanca, të rëndësishme për shumë familje kosovare por edhe për buxhetin e vendit/

-Bashkë me ministritë e arsimit në Kosovë dhe Shqipëri po punohet për hartimin e korrikulave të përbashkëta për mësim plotësues në gjuhën shqipe/

-Ministri i Diasporës, Valon Murati,  është angazhuar për gjetjen e mundësive ligjore për përfaqësimin e  mërgatës dhe të diasporës sonë në Kuvendin e Kosovës, duke kërkuar nga deputetët që të mbështesin idenë për vendet  e rezervuara për mërgimtarët, çështje kjo që mund të zbatohet me ndryshimin e Kushtetutës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 26 Tetor 2016/ Ministri i Diasporës, Valon Murati, raportoi sot para Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës për punën e Ministrisë që e udhëheqë.

Në raportin e tij, ministri Murati prezantoi detajisht aktivitetet e realizuara nga Ministria e Diasporës por edhe sfidat me të cilat është ballafaquar gjatë realizimit të tyre.  Në këtë takim u diskutua edhe rruga që duhet ndjekur në raport me diasporën tonë.

Ministri Murati mori përkrahje nga të gjithë anëtarët e komisionit, si nga deputetët e pozitës, po ashtu edhe nga ata të opozitës, të cilët i ofruan mbështetje atij  dhe Ministrisë së Diasporës për punën që po e bën dhe qasjen ndaj diasporës.

Në takimin e sotëm të Komisionit për Punë të Jashtme, të kryesuar nga Elmi Reçica, kryetar, ishte ftuar ministri i Diasporës, Valon Murati, të raportojë për aktivitetet e ministrisë të cilën e drejton dhe për gjendjen e mërgatës sonë të fuqishme në vende të ndryshme të botës.

Që në fillim të fjalës së tij para anëtarëve të Komisionit,  Murati ka theksuar se  sipas Ligjit dhe të Strategjisë për diasporën dhe mërgatën, si objektivë është identifikuar fuqizimi i bashkëpunimit ekonomik me diasporën për zhvillim të qëndrueshëm të Kosovës, për promovim dhe tërheqje  e lehtësim investimesh. Për këtë qëllim, ka thënë ministri, janë krijuar 23 rrjete që ndërlidhin bizneset e bashkatdhetarëve tanë nëpër botë, si dhe rrjeti qendror që e koordinon punën e rrjeteve në nivel shtetesh. Ai tutje ka pohuar se Ministria e Diasporës udhëheq me njërën nga katër grupet punuese të Këshillit Kombëtar  për zhvillimin ekonomik, përkatësisht me Grupin për tërheqjen edhe lehtësimin e  investimeve nga diaspora në Kosovë.

“Diaspora është jo vetëm potencial njerëzor, por edhe kapital kulturor dhe ekonomik për vendin tonë”, ka theksuar Murati, duke e vlerësuar lartë kontributin e saj, jo vetëm për mbijetesën  e banorëve të Kosovës gjatë viteve të okupimit serb, por edhe për luftën e UÇK-së. Ai ka prezantuar edhe probleme dhe vështirësi që hasin mërgimtarët tanë kur duan të investojnë në Kosovë, apo thjesht ta vizitojnë vendin e lindjes: që nga sigurimet e shtrenjta kufitare, Kartoni i gjelbër, pastaj problemet për gjetjen e parcelave për të ngritur biznesin e tyre, sigurinë e pamjaftueshme ligjore për funksionimin e tyre, etj.

Duke pohuar se gjatë vitit të shkuar në Kosovë janë futur mbi 750 milionë euro remitanca, të rëndësishme për shumë familje kosovare por edhe për buxhetin e vendit, Murati ka pohuar angazhimin e tij që të gjenden mundësitë që në ekonominë e vendit të investohet rreth 8 për qind e kësaj vlere. Ministri ka mbështetur idenë se duhet të krijohen lehtësira për investimet e kapitalit të bashkëkombësve tanë nëpër botë, për të rigjeneruar zhvillim ekonomik, punësim dhe eksport të mallrave  e të shërbimeve.  Ai ka pohuar gjithashtu se nëpërmjet panaireve të ndryshme që ka organizuar Ministria e Diasporës për produktet e prodhuara nga kompani të mërgimtarëve tanë në vende të zhvilluara ekonomike, si për shembull të atyre në Gjermani, janë krijuar një mijë vende pune për qytetarë tanë.

Murati ka përmendur aktivitete të shumta të Ministrisë , të cilën e drejton, si takimin me Odën e Avokatëve të njerëzve tanë nëpër botë, krijimin e asociacioneve të tjera të intelektualëve, ekspertëve të lëmenjve të ndryshëm, të artistëve etj, duke theksuar faktin  se shqiptarët migrantë në botë më nuk janë vetëm forcë krahu, por edhe  krijues vlerash intelektuale e shkencore, madje edhe profesorë universitetesh të njohura dhe deputetë në parlamentet e vendeve ku jetojnë dhe veprojnë.

“Bashkatdhetarët tanë nëpër shtetet perëndimore duhet ta ruajnë identitetin e tyre kombëtar, por edhe të integrohen në vendet ku jetojnë dhe punojnë”, ka theksuar Murati, duke pohuar për dy vjet Ministria e Diasporës ka regjistruar 400 mijë pjesëtarë të diasporës sonë, dhe se po punohet për vënien në funksion të regjistrimit on-line.

Duke folur për arsimin shqip të fëmijëve nga radhët e mërgimtarëve tanë ai ka përmendur një var vështirësish dhe  problemesh, si: mplakja e kuadrit arsimor, financimi i tyre, sigurimi i hapësirave për mësim plotësues, etj. Në këtë kuadër ai është angazhuar që universitetet publike, por edhe ato private në Kosovë dhe Shqipëri të kujdesen për ngritjen e kuadrit të ri për mësimin plotësues në gjuhën shqipe, duke rezervuar një numër solid studentësh nga fëmijët e mërgimtarëve, për të mbajtur gjallë dhe kultivuar gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtarë të trashëgimtarëve. Ai ka pohuar se bashkë me ministritë e arsimit në Kosovë dhe Shqipëri po punohet për hartimin e korrikulave të përbashkëta për mësim plotësues në gjuhën shqipe, kurse ka thënë se nuk ka probleme për sa i përket furnizimit të nxënësve me tekste shkollore falas.Ministri për Diasporë, Murati, është angazhuar për gjetjen e mundësive ligjore për përfaqësimin e  mërgatës dhe të diasporës sonë në Kuvendin e Kosovës, duke kërkuar nga deputetët që të mbështesin idenë për vendet  e rezervuara për mërgimtarët, çështje kjo që mund të zbatohet me ndryshimin e Kushtetutës.

Anëtarët e Komisionit, të pranishëm në takim: Blerta Deliu Kodra, Ismet Beqiri, Pal Lekaj, Zafir Berisha dhe Luljeta Veselaj- Gutaj , por edhe deputetja Aida Dërguti, e cila nuk është anëtare e Komisionit, e kanë komplimentuar Muratin si rrallë ndonjë ministër tjetër për punën e tij dhe të dikasterit që e udhëheq. Ministri Murati kishte ardhur me ekip më të numërt të bashkëpunëtorëve se sa numri i anëtarëve të Komisionit, të  pranishëm në takim.Ministri Murati me bashkëpunëtorë u zotua se MeD-ja do të vazhdojë të punojë edhe më shumë, me gjithë buxhetin e vogël që ka, në mënyrë që lidhjet me diasporën të vazhdojnë të forcohen.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, Kosovë-Përkrahet puna e, Ministrisë së Diasporës

NATO mbetet në Kosovë

October 23, 2016 by dgreca

-Ambasadori i SHBA, Greg Delawie: NATO nuk po shkon askund. Ajo do të mbetët këtu për një kohë të gjatë. NATO nuk mund të tërhiqet përderisa Kosova nuk e ka aftësinë vetëmbrojtëse/

greg-delawie-ambasador-shba-kosove-Sesionin e tretë të seminarit të 93-të Rose Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s e moderoi kryesuesi i delegacionit shqiptar, Pandeli Majko/

2016_10_23_seminari-i-93-te-rose-roth-i-asamblese-parlamentare-te-nato-s-5

PRISHTINË, 23 Tetor 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në Prishtinë, sot, në sesionin e tretë të Seminarit të 93-të Rose Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, të cilin e moderoi kryesuesi i delegacionit shqiptar në AP të NATO-s, Pandeli Majko, panelistët diskutuan për të ardhmen e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, si dhe rolin e NATO-s si një ofrues i sigurisë. U analizuan, gjithashtu, kontributet e NATO-s për stabilizimin e rajonit dhe partneritetet e saj.

2016_10_23_seminari-i-93-te-rose-roth-i-asamblese-parlamentare-te-nato-s-6

Sesioni u hap me diskutimin e komandantit të KFOR-it, Giovanni Fungo, i cili foli për rolin e kësaj force ushtarake në krijimin dhe ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ai tha se KFOR-i kontribuon në krijimin e kapaciteteve vendore, përfshirë edhe mbështetjen e veprimeve të pranisë ndërkombëtare civile në Kosovë. Gjendja e sigurisë në Kosovë, shtoi gjenerali Fungo, është përmirësuar dukshëm që nga viti 1999, kur KFOR-i ka luajtur rol kryesor në krijimin e stabilitetit. Megjithatë, sipas, tij, ende mbeten shumë sfida.

greg-delawie-ambasador-shba-kosove-pandeli-majko-ne-mes

“Kam besim në këtë aspekt se ky proces do të vazhdojë edhe më tej me mbështetjen e plotë të të gjithë akterëve të rëndësishëm, qoftë në nivel lokal apo në arenën ndërkombëtare, duke ndarë të njëjta objektivat, siç janë: paqja, stabiliteti, prosperiteti, të drejtat e njeriut, rendi dhe ligji”, theksoi komandanti i 21-të i KFOR-it në Kosovë.

Gjeneral Dietmar Mosmann, drejtor, Këshilltar i NATO-s dhe Ekipit Ndërlidhës (NALT), tha se NATO-ja mbetet e përkushtuar për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit, duke mirëpritur aspiratën e Kosovës që të përmirësojë aftësinë e saj për të garantuar siguri për të gjithë banorët e saj dhe të kontribuojë për sigurinë e përgjithshme të rajonit.

Në vazhdim, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie,  foli për rolin e NATO-s në Ballkan, nga pikëpamja e SHBA-ve. Ai tha se për rreth 25 vjet rresht NATO-ja ka qenë garantuesi kryesor i sigurisë në Ballkan dhe KFOR-i si shprehje e këtij përkushtimi. Delawie tha se KFOR-i ka qenë destimulues i dhunës dhe i jostabiletit. Sipas tij, ky mision është treguar i suksesshëm dhe roli i tij nuk ka përfunduar ende.

“NATO-ja nuk po shkon askund. Ajo do të mbetët këtu për një kohë të gjatë. NATO-ja nuk mund të tërhiqet përderisa vendi nuk e ka aftësinë vetëmbrojtëse”, theksoi ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, duke shtuar se mbështet transformimin gradual të FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës.

Ambasadori amerikan Delawie tha se tre vende të rajonit, Sllovenia, Kroacia dhe Shqipëria, tashmë janë anëtare të Aleancës Veri-Atlantike, ndërsa së shpejti kjo do të ndodhë edhe me Malin e Zi. Këtë hap, ambasadori i SHBA-ve e konsideroi të arritur të madhe dhe sinjal të fuqishëm për të gjitha vendet e tjera të rajonit, të cilat aspirojnë anëtarësimin në këtë organizatë.

Duke u ndalur në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, ambasadori amerikan theksoi se Kosova është lider në këtë aspekt.

Për rolin e NATO-s në rajon dhe perspektivën e Kosovës, foli edhe ambasadori Istvan Gyarmati, kryetar i Qendrës Ndërkombëtare për Tranzicion Demokratik në Hungari. Ai tha se edhe pse Kosova është një prej vendeve të rajonit në binarët e duhur drejt Evropës, ky progres, sipas tij, mund të rrezikohet nga zhvillimet në rajon. Ai tha se rajoni po përballet me kërcënime të vjetra, por në forma të reja.

“Kemi deklarime se nuk rrezikohemi nga terrorizmi. Kjo është edhe e vërtetë edhe e pavërtetë. E vërtetë ngase në këtë moment s’po shohim shumë rrezik. Por e pavërtetë ngase kemi përpjekje në tentativë”, tha Gyarmati, duke shtuar se konfliktet e vogla nuk mund të përjashtohen as këtu e as larg prej këtu.

Në sesionin e katërt të seminarit, të cilin e udhëhoqi Antje Fritz, zëvendësshefe e Operacioneve në Evropën Juglindore, Qendra e Gjenevës për Kontrollin Demokratik të Forcave të Armatosura (DCAF), u diskutua për progresin në reformën e sektorit të sigurisë në Kosovë dhe rëndësinë e forcimit të mekanizmave të llogaridhënies, në funksion të transferimit të ardhshëm të mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një strukturë tradicionale ushtarake.

Duke folur rreth mundësisë së këtij transformimi, ministri i FSK-së, Haki Demolli, tha se kjo çështje ende nuk është vënë në rend dite të Kuvendit, ngaqë nuk ka pasur gatishmëri të deputetëve nga komuniteti serb, ndërkohë që ka konsensus midis pozitës e opozitës dhe deputetëve të pakicave tjera joserbe. Ai foli për angazhimet e ministrisë dhe të FSK-së në këtë proces, duke shtuar janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura dhe se pritet vetëm vendimi politik.

“Ne jemi të interesuar që të transformojmë FSK-në në FAK dhe jemi të gatshëm për këtë transformim”, theksoi ministri Demolli.

Ai përmendi edhe Medaljen e artë që Skuadra e Brigadës së Reagimit të Shpejtë e FSK-së, ka fituar ditë më parë në Uells të Mbretërisë së Bashkuar, në një ndër ushtrimet më sfiduese dhe më prestigjioze në botë, “Cambrian Patrol’’. Demolli e konsideroi këtë dëshmi të përgatitjes së lartë të pjesëtarëve të kësaj Force.

Anëtarja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së të Kuvendit të Kosovës, deputetja Ganimete Musliu, foli për integrimin gjinor në sektorin e sigurisë së Kosovës dhe rolin e komisionit parlamentar në mbikëqyrjen e mekanizmave të sigurisë.

“14 % e gjithë strukturës së Policisë së Kosovës përbëhet nga femrat, e ku më shumë e ku më pak edhe në strukturën komanduese është afërsisht kështu. Ndërsa, uniformën e FSK-së e kanë të veshur 8,52% femra. Më mirë në përfaqësimin gjinor femra është në Doganat e Kosovës, ku rreth 30 % e stafit përbëhet nga gjinia femërore”, theksoi deputetja Musliu.

Mbi perspektivat për reformën e sektorit të sigurisë në Kosovë, me qëllim të orientimit të Kosovës drejt NATO-s, foli Besfort Rrecaj, profesor në Universitetin e Prishtinës. Ai tha se NATO-ja ende e sheh Kosovën në prizmin e Rezolutës 1244 të KS të OKB-së, ndërsa shtroi nevojën që NATO-ja të gjejë një zgjidhje për këtë, duke tejkaluar këtë rezolutë dhe duke i ofruar Kosovës perspektivë të qartë.

Panelistët u përgjigjën edhe në pyetje të të pranishmëve.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, mbetet në Kosovë, NATO

Ushtarakë nga Kosova e SHBA “Së bashku për paqe”

October 20, 2016 by dgreca

3-mbi-300-pjesetare-te-fsk-se-gardes-kombetare-ushtrise-amerikane-para-fillimit

-FSK-ja, Garda Kombëtare e Ajovës dhe Ushtria Amerikane për Evropë mbajtën krosin me moton  “Së bashku për paqe’’/

6-zevendes-komandanti-i-kft-se-duke-hyre-ne-cak

-Vendin e parë në këtë garë në kategorinë e meshkujve e zuri Jesemin Zverko, të dytin Valdet Brahimi dhe në vendin e tretë u rendit Adnan Ademi, që të tre pjesëtarë të FSK-së, kurse në kategorinë e femrave vendin e parë e zuri ushtarja Donjeta Korpuzi, vendi i dytë i takoi pjesëtares së Ushtrisë Amerikane, rreshter Stefany Stock dhe në vendin e tretë u rendit ushtarja Bahare Bytyçi/

4-vendi-i-pare-i-takoi-ushtarit-jesemin-zverko-1

-Gara sportive u zhvillua në kuadër të aktiviteteve paraprijëse të Ushtrimit fushor “Shqiponja 5” të FSK-së, i cili do të mbahet nga 22 deri më 26 tetor/

7-foto-e-perbashket-me-vrapuset-e-para

PRISHTINË, 20 Tetor 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në Prishtinë u zhvillua sot gara në atletikë “Së bashku për paqe” – krosi në vrapim i oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gardës Kombëtare të Ajovës dhe  të Ushtrisë Amerikane për Evropë.

Ceremonia fillestare u mbajt në Sheshin Skënderbeu, prej nga filloi edhe shtegu i vrapimit i cili vazhdoi deri tek rrethrrotullimi afër Shkollës së Mesme të Mjekësisë Dr. Ali Sokoli në Prishtinë dhe anasjelltas, në një gjatësi prej 5 mijë metrave.

1-hapjen-e-krosit-e-beri-ministri-i-mfsk-se-haki-demolli-se-bashku-me-kom-e-gardes-kombetare-et-ajoves-gjeneralin-orr

Në garë ishin 300 ushtarakë nga FSK, Garda e Ajovës dhe Ushtria Amerikane për Evropë dhe në fund u shpallen rezultatet.

Në hapjen zyrtare  të garës morën pjesë ministri i FSK-së, Haki Demolli, komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneral brigade Thimoty Orr,  drejtori i Drejtorisë për Operacione, gjeneral brigade Zymer Halimi, zëvendëskomandanti i Komandës së Forcave Tokësore, gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, si dhe zyrtarë të Ministrisë dhe oficerë të FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës.

Në fjalën e tij, drejtuar ushtarëve dhe oficerëve të Gardës Nacionale të Ajovës, Forcave Amerikane dhe të FSK-së, ministri Demolli tha se aktivitetet e tilla po mbahen me qëllim të thellimit dhe të bashkëpunimit ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës.

“Përpos vizitave në shtetin e Kosovës po zhvillojmë edhe këtë kros. Këto dy forca përveç aktiviteteve ushtarake, siç janë ushtrimet e përbashkëta fushore dhe trajnimet, po zhvillojnë edhe aktivitete të ndryshme kulturore dhe sportive, siç është edhe ky kros me sloganin ‘Së bashku për Paqe’”, u shpreh ai.

Në fund ministri Demolli përgëzoi sportistët duke ju uruar suksese të gjithë pjesëmarrësve  dhe duke jua  rikujtuar se fituesit e garës do të shpërblehen me medalje.

Ndërsa, komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneral brigade Thimoty Orr, pas i uroi pjesëmarrësit, tha se, “fuqia e shteteve tona është në zemrat tona” dhe se pret t’i nderojë me medalje fituesit.

Drejtori i Drejtorisë për Operacione, gjeneral brigade Zymer Halimi,   tha se edhe ky aktivitet i përbashkët dëshmon më së shumti bashkëpunimin për paqe në mes të FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës.

Vendin e parë në këtë garë në kategorinë e meshkujve e zuri Jesemin Zverko, të dytin Valdet Brahimi dhe në vendin e tretë u rendit Adnan Ademi, që të tre pjesëtarë të FSK-së, kurse në kategorinë e femrave vendin e parë e zuri ushtarja Donjeta Korpuzi, vendi i dytë i takoi pjesëtares së Ushtrisë Amerikane, rreshter Stefany Stock dhe në vendin e tretë u rendit ushtarja  Bahare Bytyçi.

Tre vendet e para u nderuan me medaljen e artë, argjendtë dhe të bronztë si dhe me certifikata, të cilat u ndanë nga ministri i FSK-së, Haki Demolli, zëvendës komandanti i Komandës së Forcave Tokësore gjeneral brigade Gëzim Hazrolli dhe gjeneral brigade Zymer Halimi, drejtor i Drejtorisë për Operacione.

Ky aktivitet sportiv, në një mot të mirë, u përcoll nga një numër i madh i qytetarëve dhe mediave.

Gara sportive u zhvillua në kuadër të aktiviteteve paraprijëse të Ushtrimit fushor “Shqiponja 5” të FSK-së, i cili do të mbahet nga 22 deri më 26 tetor.

“Shqiponja 5” është ushtrimi fushor i përgjithshëm i FSK-së, i cili mbahet çdo vit nga Forca e Sigurisë së Kosovës, e ku marrin pjesë të gjitha njësitë taktike dhe operacionale.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, për Paqë, së bashku, Ushtarakë nga Kosova e SHBA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 155
  • 156
  • 157
  • 158
  • 159
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT