• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Speciale- Sa Ar e Argjend prodhonte Trepça

October 15, 2016 by dgreca

-Dhe historiku i gjigandit ekonomik të Kosovës/

2-ok-trepca

-Çka raportoja para 20 viteve, në 9 tetor 1996, dhe para 19 viteve, në 16 shtator 1997,  për arin, Trepçën  e thëngjillin e pasurive nëntokësore të Kosovës dhe shfrytëzimin kolonial të tyre/

1-trepca

Shtypi i Kosovës, kryetitull balline sot: “Trepça” hyn në qorrsokak/

2-ok-trepca3SPECIALE – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

1-vesh-trepca

PRISHTINË, 15 Tetor 2016/ Brenda 45 viteve, nga  viti 1945 deri në 1990, në Trepçë janë prodhuar gjithsej 10.710 kg ari i pastërtisë së lartë. Mesatarja ishte 238 kg ari për një vit, sipas të dhënave të ekspertëve, njohësve të gjigandit ekonomik të Kosovës. Edhe 113 tonë argjend të pastër brenda një viti është një nga të dhënat e prodhimit në Trepçë në atë kohë.

Në faqen zyrtare të Ndërmarrjes Trepça shkruan:

HISTORIKU

Miniera Trepça në Stantërg i përket qytetit të Mitrovicës. Mitrovica është pa dyshim ndër qytetet më të rëndësishme jo vetëm në Kosovë por edhe në gjithë Gadishullin Ballkanik e më gjerë, për nga pasuritë minerare. Shtrihet në fushën aluviale të lumenjve: Ibër, Sitnicë dhe Lushtë ,si dhe në shpatet e kodrave që e rrethojnë. Mitrovica  gjendet në lartësinë mbidetare 508 – 510 m dhe ka pozitë të mirë gjeografike.

Vendi ynë është i begatë me pasuri natyrore, veçanërisht është i njohur për mineralizimet e Pb – Zn – Ag, për të cilat dihet që nga kohërat e lashta.

Që atëherë, pasuritë e Kosovës shfrytëzoheshin nga paraardhësit tanë ilirët, më pas nga bizantinët, sasët, turqit dhe së fundi nga okupatori serb. Që në kohërat e lashta është ditur për vendburimet polimetalore të sulfureve të Pb, Zn, Ag, Au, në Kosovë. Këtë e kanë vërtetuar zbulimet e shumë punimeve të vjetra minerare: galeri, puse, vegla të punës, që janë përdorur në kohëra të ndryshme gjatë shfrytëzimit të mineralizimeve të këtij lloji, si dhe mbetjet nga shkrirja e tyre. Disa nga vendburimet sulfure (Trepça në Stantërg, Belo Brdo, Cërnac, Përroi i ngjyrosur – Artanë), edhe sot pas luftës së fundit në Kosovë (1998/99), gjenden në shfrytëzim. Ndërkaq vendburimet si: Hajvalia, Badovci dhe Kishnica janë të zhytura në ujë dhe kanë mbetur pa kurrfarë mbikëqyrje edhe pse para luftës (periudha 1988/99), ishin prodhues të rëndësishëm të xehes së Pb, Zn dhe Ag etj.

Për herë të parë në literaturë emri Trepca përmendet më 1303, në dokumentet që ruhen në arkivin e Dubrovnikut (Republika e Kroacisë), si dhe në arkivat osmane në vecanti për rajonin e Artanës.

Për zhvillimin e xehetarisë në territorin ku gjenden minierat e Trepçës, dihet qysh në kohën ilire e romake, e që vazhdon deri në Mesjetë. Ndërkaq, më vonë zhvillimin më të vrullshëm xehetaria e arrin në shekullin e XIII.

Hulumtimet e para gjeologjike filluan në vitin 1924, atëherë kur gjeologët anglez filluan kërkimet gjeologjike për mineralizimet polimetalore sulfure të Pb – Zn, në suaza të fushës xeherore të Trepçës në Stantërg. Më vonë saktësisht në vitin 1926, në Londër formohet një shoqëri aksionare e njohur me emrin Trepca Mines Limited e cila merr me koncesion shfrytëzimin e këtij vendburimi për 50 vjet.

Në vitin 1930, fillon prodhimi provues i mineralizimeve sulfure të Pb – Zn në këtë vendburim. Gjatë luftës së dytë botërore gjermanët e mbajnë minierën e Trepçës në Stantërg në gjendje pune, por me një nivel të zvogëluar të prodhimit. Ndërsa nga vitin 1945 e këndej, deri më 1990, miniera ka punuar pa ndërprerë, me një kapacitet mesatar të prodhimit rreth 600 000 ton në vit. Gjatë kësaj periudhe në shfrytëzim ishin këto minera: Stantërg, Cërnac, Belo Brdë, Koporiq dhe Zhuta Perlla – Albanik (ish Leposaviq); Kishnica, Hajvalia, Badovci dhe Përroi i Ngjyrosur – Artanë. Bazuar në statistikën e prodhimit miniera e Trepçës në Stantërg, nga viti 1930 deri në vitin 2000, ka pasur këtë ecuri të prodhimit.

Ndërkaq, pas luftës, gjatë periudhës 2000 – 2004, miniera nuk ka prodhuar, por ka qenë në permanizim, hulumtim dhe përgatitje të punishteve për prodhim. Kështu në vitin 2005 miniera ka filluar me prodhimin e xehes së Pb dhe Zn me kapacitet minimal.

Suksesi më i madh i kombinatit të Trepçës u arrit në vitin 1983, atëherë kur Trepça eksportoi mallra me vlerë prej 103 milion dollarë, duke u radhitur në vetin e 5 të eksportuesve në ish Jugosllavi. Për 58 vjet të punës prodhuese, kombinati i Trepçës ka prodhuar 33 milion ton xeheror me përmbajtje mesatare 9% (Pb dhe Zn), apo rreth 3 milion ton metal (Pb dhe Zn).

Përveç kësaj në metalurgjinë e Trepçës dhe fabrikën e pasurimit, në kohëzgjatje të ndryshme, janë prodhuar këto sasi të metaleve të çmueshme:

  • argjend (Ag)
  • ar (Au)
  • bismut (Bi)
  • kadmium (Cd)

Në periudhën dhjetë vjeçare: 1975 – 1985, prodhimi mesatar vjetor në kombinat ka qenë:

  • plumb i rafinuar
  • zink elektrolitic
  • argjend i pastër
  • ar
  • bismut
  • kadmium
  • pirit dhe pirrotinë
  • acid sulfurik

Vendburimi polimetalor i Pb, Zn, Ag dhe Au në Stantërg, është ndër vendburimet polimetalore më të njohura në Evropë, për nga madhësia dhe më atraktivi nga shumë llojshmëria e mineraleve dhe bukuritë kristalore që ka ky vendburim. Bazuar nga bukuritë mahnitëse të kristaleve ka ekzistuar ideja e themelimit të muzeut të kristaleve në Stantërg. Kështu, në vitin 1964 u themelua Muzeu i Kristaleve të Trepçës në Stantërg. Në atë kohë kishin filluar grumbullimet e para të mineraleve dhe më pas, vendosja e tyre në muze. Fillimisht numri i nxjerrur i kristaleve ishte i vogël, mirëpo me kalimin e kohës ky numër erdhi duke u rritur deri në ditët e sotme. Numri i kristaleve të nxjerruar nga vendburimi Trepça është i madh dhe vështirë të dihet numri i saktë i tyre. Mirëpo, në fondin e muzeut të kristaleve Trepça, aktualisht gjenden të ekspozuara 1560 eksponante.

DY RAPORTIME, PARA 20 E 19 VITEVE

Dy raportime që kam bërë në Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë (ATSH-ATA), njëri para 20 viteve, në 9 tetor 1996, dhe tjetri para 19 viteve, në 16 shtator 1997,  për arin, Trepçën  e thëngjillin e pasurive nëntokësore të Kosovës dhe shfrytëzimin kolonial të tyre:

http://www.hri.org/news/balkans/ata/1996/96-10-09.ata.html

[16] KOSOVA WANTS ITS GOLD FROM FORMER YUGOSLAV RESOURCES

PRISTINA, OCT 9 (ATA)- By B.Jashari, Kosova is asking its own gold from the former Yugoslav resources, in the context of its right to inherit assets of the federation, where it had an equal status with six other federal units.

Last week President of the Republic of Kosova, Dr. Ibrahim Rugova, asked Switzerland to block in its own banks the gold reserves of former Yugoslavia, until Kosova’s right to inheritance is accepted.

The gold reserves of former Yugoslavia continue to be a state secret but Albanian experts say that approximately it can be estimated as Kosova’s share. Figures what Trepce’s output can be or has been in a year are very well known.

According to a scientific analysis on Kosova’s resources, academician Minir Dushi has jumped to the conclusion that some 686 kg of gold and 204 tons of silver can be turned out in one year by “Trepce”.

Former director of “Trepce”, Aziz Abrashi, has admitted that in cases of “low productivuty”, Trepce’s annual output was 270 kg of gold and 113 tons of silver, of great purity.

According to experts and witnesses the whole gold extracted from the Kosova mines whose quantity has always been kept secret during the whole existence of former Yugoslavia, has been taken and sent to Belgrade, to the state’s treasury, under a tight surveillance.

The return of gold, which is an unalienable asset of Kosova, is an important segment of former Yugoslavia’s inheritance. But without Kosova there can be no inheritance, and for this correct approach, the state and political leadership of Kosova demands and expects internationally backing as well as support from the former Yugoslav republics. p.pa/jz/lm/Z/

Albanian Telegraphic Agency

http://www.hri.org/news/balkans/ata/1997/97-09-16.ata.html

[05] BELGRADE AIMS TO INTENSIFY EXPLOITATION OF KOSOVA RESOURCES

PRISHTINE, SEPT 16 (ATA)-Discovery and intensive exploitation of coal resources of Kosova is at the centre of a study undertaken by the Mineral-Metallurgical Faculty of Belgrade, for the supply of the whole energy system in rump Yugoslavia.

The project envisages the construction of nine heat-power stations, with a 2 800 Megawatt capacity, which will be added to the seven heat-power-station block set up earlier, with a 1.500 Megawatt capacity.

According to the above project there are 20 billion tonnes of coal reserves, which would be enough for a 1 500 year period. B.J. P.Ta/pas/lm/sh/

NJË SHKRIM SOT I SHTYPIT TË KOSOVËS, KRYETITULL E KRYEARTIKULL BALLINE:

“Trepça” hyn në qorrsokak/1-koha-trepcaTri njësitë thelbësore të “Trepçës” – minierat me flotacion në Stan Tërg, minierat me flotacion në Kizhnicë dhe Artanë dhe minierat me flotacion në Leposaviq – rrezikojnë të shkojnë në likuidim nga 2 nëntori, në rast se deri atëherë Gjykata Kushtetuese nuk e nxjerr verdiktin përkitazi me kontestin e ngritur nga deputetët e Listës Serbe ose nuk vendos për masë të jashtëzakonshme.

Kjo për shkak se ligji me të cilin ato njësi janë transformuar në shoqëri aksionare, nuk mund të hyjë në fuqi pa e dhënë verdiktin final Kushtetuesja, shkruan sot Koha Ditore.

Ligji është miratuar në fund të javës së shkuar dhe e bën Qeverinë pronare të 80 për qind të aksioneve në këto miniera e flotacione.

Por, një ditë më parë, atë e kanë bërë lëndë të Kushtetueses deputetët e Listës Serbe, të cilët kanë kundërshtuar ligjin si për përmbajtjen, ashtu edhe për procedurën nëpërmjet së cilës është miratuar.

Shkaku i kësaj, ligji nuk do të hyjë në fuqi brenda afatit të rregullt kushtetues.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, prodhonte Trepça, Speciale- Sa Ar e Argjend

Busti i Azem Galicës në fshatin Galicë

October 12, 2016 by dgreca

1-azem-bejte-Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli: Azem Bejta flijoj gjithçka që ne të jemi të lirë në tokën tonë, t’i kemi shkollat tona, të jetojmë me dinjitet si të gjithë popujt e lirë/

1-busti-salle2-familja-azem-bejtes

PRISHTINË, 12 Tetor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë në ceremoninë e vendosjes së bustit të heroit Azem Bejtë Galica, në oborrin e shkollës fillore të fshatit Galicë të Vushtrrisë, e cila mban emrin e këtij tribuni popullor.

Në fjalën e tij para nxënësve dhe mësimdhënësve të kësaj shkolle, si dhe banorëve të fshatit Galicë e të fshatrave përreth, kryeparlamentari Veseli vlerësoi lart figurën markante të luftëtarit dhe udhëheqësit të shquar të rezistencës shqiptare kundër pushtuesve të ndryshëm, Azem Galicës, i cili, ndër dekada, u bë frymëzim për gjenerata dhe breza luftëtarësh e veprimtarësh të çështjes kombëtare.

“Kemi ardhur sot këtu për zbulimin e bustit të Azem Bejtë Galicës, të cilin unë, sikurse shumë bashkëluftëtarë, e kam pasur hero. Azem Galica ka dhënë shumë për vendin dhe emri i tij nuk duhet harruar asnjëherë”, theksoi kryeparlamentari Veseli, ndërsa paralajmëroi se Azem Bejtë Galica shumë shpejt do të jetë me shtatore në Vushtrri, Mitrovicë dhe Prishtinë.

“Kjo shkollë mban një emër të madh, emrin e Azem Bejtes, njërit prej themeluesve të Lëvizjes Sonë Kombëtare për çlirimin e Kosovës. Azem Bejta flijoj gjithçka që ne të jemi të lirë në tokën tonë, t’i kemi shkollat tona, të jetojmë me dinjitet si të gjithë popujt e lirë. Sot ne ndihemi krenar dhe qëndrojmë ballëhapur para bustit të tij, sepse amaneti i tij është përmbushur”, tha Veseli.

Duke iu drejtuar nxënësve, kryetari i Kuvendit shtoi se ata nuk duhet të harrojnë asnjëherë prej nga vijnë dhe cilit popull i takojnë.

“Përgatituni që e ardhmja të jetë më e mirë, por punoni edhe për të sotmen, ndërsa të djeshmen mos e harroni. Duajeni vendin e juaj, duke punuar dhe duke qenë çdo sekondë në shërbim të tij”, tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Busti i Azem Galicës, në fshatin Galicë

Arbëneshët e Zarës, historia dhe etnokultura e tyre

October 10, 2016 by dgreca

 

2-arbereshet-Organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, po mbahet  sesioni shkencor “Arbëneshët e Zarës, Historia dhe Etnokultura e tyre”/

1-abereshet-e-zaresPRISHTINË, 10 Tetor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Në Institutin Albanologjik të Prishtinës, po mbahet sot sesioni shkencor “Arbëneshët e Zarës, historia dhe etnokultura e tyre”, i cili hapet me një pikë muzikore nga krijimtaria e Pavle Deshpalit dhe fjalën drejtorit, Hysen Matoshit.

“Ndonëse një komunitet i paktë në numër dhe pothuajse pa asnjë mundësi të kontakteve institucionale me trungun amë, Arbëreshët e Zarës do të dëshmonin se rrënjët e tyre kulturore nuk do të tretnin lehtë, se ata do të dinin t’i zhvillonin ato edhe në rrethana të reja. Po përmend në këtë fjalë të hapjes vetëm disa nga kontributet e çmueshme të tyre. Kështu, bie fjala, epi kombëtar ‘Lahuta e Malcis’ nisi botimin e saj në këtë ngulim shqiptar, drama e parë shqipe në ish-Jugosllavi u shkrua nga arbëreshi Josip Rela, pastaj ishte Aleksandër Stipqeviçi me ndihmesën e tij emblematike për studimet e gjenezës ilire të shqiptarëve”, tha Matoshi.

“Abreshët e Zarës janë një bashkësi historike, tradicionale, të cilët i karakterizon kontributi i tyre i madh në kulturën kroate, nëpërmjet personaliteteve të mëdha të kulturës, në fusha të ndryshme të saj, prej Deshpalit dhe kontributi i tij në muzikë e deri te kontributi i tyre në politikë”, theksoi ambasadorja e Republikës së Kroacisë në Kosovë, Marija Kapetanović.

Më pas në axhendë është hapja e ekspozitës “Vepra të arbëneshëve dhe për arbëneshët” (përgatitur nga Nuridin Ahmeti).

Kumtesat e tyre do t’i  prezantojnë 17 studiues shqiptarë: Sadri Fetiu, Kultura tradicionale e arbëneshëve të Zarës; Zeqirja Neziri, Arbëreshët e Zarës përgjatë shekullit XIX; Gjovalin Shkurtaj, Vlerat dialektologjike të së folmes së arbëneshëve të Zarës; Qemal Murati, Vëzhgime leksiko-semantike në Fjalorin e arbëneshëve të Zarës; Mustafa Ibrahimi, veçori  etnolinguistike  në fjalorin e të folmes së arbëneshëve të Zarës të Kruno Kërstiçit; Ismet Osmani, Fjalori i Kruno Kërstiqit; Naser Ferri, Aleksandër Stipqeviç, studiues dhe promovues i kulturës iliro-shqiptare;  Memli Krasniqi, Roli i Josip Gjergjës në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave; Isak Shema, Arbëneshët e Zarës dhe identiteti i tyre në letërsi; Hysen Matoshi, Vepra letrare e Shime Deshpalit; Lulëzim Lajçi, Vështrim mbi diasporën shqiptare në mesjetë; Bardhosh Gaqe, Tradita dhe kultura arbëreshëve të Zarës në Kroaci në vështrimin e dijetarit Aleksandër Stipqeviç; Adem Zejnullahu, Lirika popullore e arbëreshëve të Zarës; Leontina Gega-Musa, Format e shkurtra të folklorit arbënesh; Fitim Çaushi, Ngjashmëri rituale dhe artistike midis arbëneshëve të Zarës dhe të “qarës me ligje” në Labëri;  Bashkim Lajçi, Besimet popullore të arbneshëve të Zarës; Sylejman Morina, Arbëneshët e Zarës sot.

Do vijohet me diskutime, ndërsa fjalën e mbylljes do e mbajë Memli Krasniqi, shef i Degës së Historisë.

Filed Under: Histori Tagged With: Arbëneshët e Zarës, Behlul Jashari, Instituti Albanologjik

Ligj për Trepçën bashkoi politiken kosovare

October 8, 2016 by dgreca

 

1-kuvendi-Kuvendi i Kosovës miraton Ligjin për Trepçën. Raportin me rekomandime të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, si komision funksional , kompetent për ta amendamentojë projektligjin (pas shqyrtimit të parë), e paraqiti Muhamet Mustafa, kryetar i këtij komisioni/

*Kryeministri Mustafa: Aprovuam një ndër ligjet më të mira. Trepça na bashkoi të gjithëve/

*-Veseli: Trepça ishte, është dhe do të jetë e Kosovës/

PRISHTINË, 8 Tetor 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Kuvendi i Kosovës në seancën e dytë të veçantë, të nisur  rreth mesnate, pas të parës të ditës së djeshme, shqyrtoi edhe për herë të dytë dhe miratoi sot në orët e herëshme me shumicë votash Ligjin për Trepçën.

Raportin me rekomandime të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, si komision funksional , kompetent për ta amendamentojë projektligjin (pas shqyrtimit të parë), e paraqiti Muhamet Mustafa, kryetar i këtij komisioni. Ai  theksoi se amendamentet shkojnë në disa drejtime. Tre amendamente kanë të bëjnë me forcimin e rolit të Kuvendit lidhur me shfrytëzimin e pasurive minerare dhe transformimin e ndërmarrjes. Një amendament ka të bëjë me mënyrën e ndarjes së aksioneve, kurse një tjetër ka të bëj me mbetjet teknologjike.

Një amendament ka të bëjë me asetet jashtë Kosovës dhe për këtë është autorizuar Agjencia Kosovare e Privatizimit, e një amendament ka të bëjë me kërkesat e kreditorëve, vijoi Mustafa, duke vlerësuar se Trepça do të mbrohet më mirë. Ai shprehu keqardhje që përfaqësuesi i grupit parlamentar të Listës Serbe, Sasha Milosavleviç, nuk ka qenë i pranishëm në mbledhjen e Komisionit, megjithëse kishte biseduar me te dhe e kishte ftuar edhe personalisht. Kryetari i Komisionit, Mustafa përfundoi raportin me konstatimin se Trepça do të jetë atraktive për investitorë të rinj.

Seanca vijoi me shqyrtimin e 21 amendamenteve të propozuara, një nga një. Amendamentet ishin të propozuara nga komisioni funksional, nga komisionet e përhershme të Kuvendit, nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe nga deputeti Sabri Hamiti.

Në përfundim të seancës së shqyrtimit të dytë, me shumicë votash u miratua Ligji për Trepçën bashkë me amendamentet që paraprakisht morën mbështetjen e deputetëve.

Më parë, Kuvendi i Kosovës në seancën e parë plenare të nisur pasdite miratoi dje në  mbrëmje në parim Projektligjin për Trepçën, me shumicë votash.

 

***

Kryeministri Mustafa: Aprovuam një ndër ligjet më të mira. Trepça na bashkoi të gjithëve

-Veseli: Trepça ishte, është dhe do të jetë e Kosovës/

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, deklaroi sot: Dje kaluam një ditë të rëndësishme destinuar Trepçës dhe ardhmërisë së saj. Aprovuam një ndër ligjet më të mira në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Ligjin e Trepçës. Trepça na bashkoi të gjithëve, ata që e përkrahën, por edhe ata që nuk e përkrahën ligjin. Një kontribut shumë të mbarë e dhanë edhe deputetët e AAK-së dhe të Nismës. Aty ishin edhe deputetët e Listës Serbe, të cilët e shfrytëzuan të drejtën e tyre të prezantojnë qëndrimet për Ligjin në një proces demokratik.

E përgëzoj Kuvendin, i cili 17 vjet pas çlirimit arriti, që së bashku me Qeverinë, t’i jap drejtimin e duhur zhvillimit të Trepçës.

Akoma nuk i kemi përfunduar të gjitha punët e shtetndërtimit tonë, prandaj na nevojitet një bashkëpunim dhe unitet më i lartë për tema që janë në interes të të gjithëve.Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka shkruar në ‘facebook’: Trepça ishte, është dhe do të jetë e Kosovës. Urime!

 

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: bashkimi i politikes, Behlul Jashari, Ligji per Trepcen

Ligji për Trepçën miratohet në parim, sot dy seanca të Kuvendit të Kosovës

October 7, 2016 by dgreca

1-kosove-bllokim-rruge-proteste-serbeisa-mustafa-trepce

kuvendi-kosove-isa-mustafa-7tetor2016-Kryeministri Isa Mustafa: Projektligji për Trepçën është i një rëndësie të veçantë për Kosovën, Trepça paraqet një sinonim të zhvillimit por edhe të sakrificës dhe flijimit për Kosovën/

-Me ligj, i cili mundëson zhvillim dhe të ardhme, është thënë qartë se prona e Trepçës është pronë e Republikës së Kosovës dhe se kjo nuk mund të negociohet/

-Sipas statusit të ri që do të ketë Trepça, qeveria e Kosovës do të ketë 80 % të pronësisë së saj, ndërsa 20 % -shi do t’u takojë punëtorëve/

-Kundër Beogradi dhe serbët në qeverinë e Kuvendin e Kosovës/

-Kundërshtimet e serbëve në veri të Kosovës me bllokime të rrugës, protestë e takim urgjent të përfaqësuesve të katër komunave, Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut e Leposaviçit/

 

 

PRISHTINË, 7 Tetor 2016-Gazeta DIELLI-Behlul JASHARI/ Kuvendi i Kosovës në seancën plenare të nisur pasdite miratoi sonte në parim Projektligjin për Trepçën me  82 vota pro e 12 abstenime. Shqyrtimi i dytë  bëhet po sonte në një seancë tjetër të veçantë që nga kryetari i Kuvendit Kadri Veseli u paralajmërua të nisë në orën 20:30 e ndërkohë takohet grupi punues për amendamentimin.

Shqyrtimi i Projektligjit për Trepçën mbeti e vetmja pikë e rendit të ditës në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, e cila nisi me 13 pika në axhendë. Me kërkesë të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetarit të grupit Ismet Beqiri, me 73 vota pro e  8 kundër, të gjitha pikat tjera u hoqën nga rendi i ditës dhe u vendos edhe për shmangie nga rregullorja që shqyrtimi të bëhet me procedurë të përshpejtuar.Në anën tjetër grupi parlamentar i Listës Serbe, kryetari Slavko Simiç kërkoi që Projektligji për Trepçën të hiqet fare nga rendi i ditës, por 86 deputetë ishin kundër e vetëm 8 pro.

Projektligji për Trepçën është i një rëndësie të veçantë për Kosovën, Trepça paraqet një sinonim të zhvillimit por edhe të sakrificës dhe flijimit për Kosovën, tha kryeministri Isa Mustafa sot pasdite në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, duke bërë prezantimin.

“Me këtë projektligj synojmë të hapim të ardhmen për Trepçën e jo ta kthejmë të kaluarën e Trepçës”, u shpreh ai.Kryeministri tha se, për përgatitjen e këtij ligji, janë shfrytëzuar përvoja nga vendet dhe raste të ndryshme, për të gjetur një zgjidhje e cila ndihmon zhvillimin ekonomik, respekton kriteret e ekonomisë së tregut dhe mbron interesat e punonjësve, përkatësisht të minatorëve të Trepçës.

“Ligji përcakton qartë se resurset minerare janë pronë e Republikës së Kosovës, prandaj me këtë ligj, prona e Trepçës është dhe mbetet pronë e Kosovës. Ndërsa, shfrytëzimi i resurseve minerale bëhet në bazë të licencës për hulumtim dhe zhvillim të lëshuar në përputhje me ligjet në fuqi”, tha kryeministri Mustafa.

Ai theksoi se, Trepça, sipas këtij ligji, do të organizohet si shoqëri aksionare, në të cilën aksionar kryesor do të jetë Qeveria me 80% të aksioneve dhe 20% do të jenë aksione të punonjësve të Trepçës.

“Mbi këtë bazë përcaktohet e drejta në qeverisje dhe në ndarjen e dividendit ndërmjet aksionarëve, proporcionalisht me pjesëmarrjen e tyre në asete të Trepçës. Fjala është për asetet mbitokësore, jo në rezervat minerale. Organizimi i tillë nxitë një frymë konkurruese për të rritë efiçiencën në punë. Është kjo një zgjidhje e cila ka treguar rezultate në vendet tjera dhe e cila, si risi, meriton të aplikohet edhe në rastin tonë”, tha kryeministri kosovar.

Ai vijoi se, çështje tjetër që meriton të nënvizohet është se Trepça do të jetë një korporatë unike, me bilanc të konsoliduar, por njësitë biznesore do të kenë pavarësinë e tyre në të ardhura dhe shpenzime, prandaj edhe në identifikimin e rezultatit financiar, i cili nuk mund të bartet nga një njësi në tjetrën, dhe se punëtorët do të korrin rezultatet e tyre, sipas punës që e bëjnë në njësitë biznesore, përfshirë edhe shpërndarjen e dividendit.

“Njësitë biznesore të Trepçës, sipas këtij projektligji janë: Minierat me Flotacion Trepça – Stan Tërg, Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë dhe Minierat me Flotacion Kopaonik – Leposaviç”, bëri të ditur kryeministri Mustafa.

Ai tha se, Ligji lë mundësi të hapura, që pas studimit të fizibilitetit, të themelohen njësitë tjera afariste të Trepçës, siç janë Metalurgjia e plumbit, e zinkut, industria kimike, por edhe njësi të tjera, për të cilat vlerësohet se ka llogari ekonomike si dhe hap mundësi optimale për tërheqjen e kapitalit privat, qoftë përmes partneritetit publik privat, investimeve direkte, investimeve të përbashkëta apo shitjes së aksioneve.

“Projektligji siguron një kujdesje ligjore dhe sipas praktikave ndërkombëtare për mjedisin dhe siguron që 20% nga renta minerare të alokohet për komunitetin në lokacionet e komunave ku ndodhen njësitë biznesore, që destinohet për mbrojtje të mjedisit, infrastrukturë, sport, shëndetësi dhe arsim”, tha kryeministri kosovar.

Ai shtoi se, asetet e tjera të, tani, ndërmarrjes shoqërore Trepça, të cilat nuk trajtohen me këtë ligj, do të trajtohen sipas rekomandimeve të studimit të fizibilitetit.

“Pretendimet e kreditoreve ndaj njësive biznesore të përcaktuara në këtë projektligj, të krijuara deri në ditën e hyrjes në fuqi, do të trajtohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në cilësinë e administratorit dhe nga Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme, ndërsa qeveria do të merr të gjitha obligimet që pastaj caktohen me ligj”, tha kryeministri Mustafa.

Ai bëri të ditur se, në hartimin e këtij projektligji, përveç konsultimit të ministrive dhe organeve të tjera të administratës, janë zhvilluar konsultime edhe me përfaqësues të Trepçës, Agjencisë Kosovare të Privatizimit, përfaqësues të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, përfaqësues të Fakultetit të Gjeoshkencave, ekspertë të pavarur dhe njohës të çështjeve pronësore.

“Gjithashtu, është shfrytëzuar mbështetja profesionale e institucioneve dhe organizatave përkatëse vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë ekspertët ndërkombëtarë të thirrur nga Komisioni Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, pastaj janë shfrytëzuar të dhënat e gjashtë studimeve të rastit të cilat janë drejtuar nga komisioni parlamentar, nga të cilat ne kemi marrë përvojat e vendeve të tjera lidhur me raste të ngjashme sikurse i Trepçës”, tha kryeministri.

Ai falënderoi grupin punues të themeluar nga qeveria për punën e bërë dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, por po ashtu edhe Kuvendin e Kosovës, sidomos Komisionin për Ekonomi të Kuvendit dhe prof. Muhamet Mustafën, për një punë të përbashkët konsultative në të gjitha procedurat e deritanishme.

“Në fund, dëshiroj të them se transformimi i Trepçës sipas këtij Ligji, është në interes të të gjithëve, të zhvillimit ekonomik të vendit, është në interes të komunitetit në përgjithësi në vendet ku do të operojë Trepça, prandaj ligji meriton përkrahjen e të gjithëve”, theksoi kryeministri Isa Mustafa.

A vlerësoi se Ligji ka valorizuar të gjitha kriteret ekonomike dhe kriteret tjera ambientale, ka karakter inkluziv dhe hap perspektivë për ndërlidhje të fuqishme ekonomike, si faktor i rëndësishëm i jetës së përbashkët.

“Prandaj, shoh arsye që këtë ligj ta përkrahin të gjithë deputetët dhe të gjitha grupet parlamentare dhe ju rekomandoj miratimin e tij”, përfundoi kryeministri Mustafa.

Proejektligjin për Trepçën, të proceduar nga qeveria të mërkurën,  e prezantoi dhe arsyetoi në seancën plenare të Kuvendit kryeministri Isa Mustafa. Kryetari i Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Muhamet Mustafa, njoftoi për shqyrtimin dhe mbështetjen në mbledhjen e Komisionit në prag të seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës dhe vlerësoi se me ligj do krijohen mundësi për një  orientim të duhur të zhvillimit ekonomik  të Trepçës.

Në debatin që vazhdoi, grupet paralamentare  dhe deputetët nga pozita dhe opozita mbështetën Projektligjin për Trepçën, ndërsa prezantuan edhe këndvështrime të ndryshme dhe dhanë propozime për grupin punues për amendamentimin, të formuar.

Në seancën e kaluar të Kuvendit të Kosovës, në 29 shtator, kryeministri Mustafa, duke u përgjigjur në pyetjet parlamentare, paralajmëroi një Ligj për Trepçën  “në afatin që të mos rrezikohet e ardhmja e saj”.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka njoftuar Komisionin parlamentar se me këtë projektligj është paraparë që statusi i Trepçës të jetë shoqëri aksionare. “Sipas statusit të ri që do të ketë Trepça, qeveria e Kosovës do të ketë 80 % të pronësisë së saj, ndërsa 20 % -shi do t’u takojë punëtorëve”, theksoi ai.

Kryetari i Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Muhamet Mustafa, që para afër dy viteve në një bisedë që kam zhvilluar paralajmëronte se “Trepça, ristrukturimi dhe transformimi i saj do të rregullohet me ligj të veçantë”,  derisa në 19 janar 2015 në seancën e Kuvendit të Kosovës ishte në axhendë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërmarrjet publike.

“Trepça ka shumë probleme të ndjeshme, të natyrave të ndryshme, duke filluar prej emocionale, politike, e më së shumti ekonomike. Do të kemi mundësi që me një ligj gjithëpërfshirës të sigurojmë perspektivën e mëtejme të Trepçës”, theksonte Muhamet Mustafa, i cili është edhe ekspert i ekonomisë.

Problemet rreth Trepçës, edhe në raportet  e veriut e serbëve atje me jugun në Kosovë dhe me autoritetet e Prishtinës, edhe në qëndrimin ndryshe të serbëve në qeverinë e në Kuvendin e Kosovës, edhe në pretendimet e Beogradit, u manifesuan edhe këtë javë me rastin e procedimit të projektligjit.

Në mbledhjen e qeverisë së Kosovës projektligjin për Trepçën nuk e votuan tre përfaqësuesit e Listës Serbe, që janë një zëvendëskryeministër e dy ministra. Ndërsa, në mbledhjen e Komisionit parlamentar deputeti Sasha Milosavleviç, përfaqëues i grupit parlamentar të Listës Serbe, që ka 11 deputetë në Kuvendin 120 anëtarësh, ka paralajmëruar se nuk do e përkrahin projektligjin për Trepçën.

Menaxhmenti dhe Sindikata e  Ndërmarrjes Trepça në jugun me shumicë shqiptare kanë falënderuar për procedimin e projektligjit nga qeveria e Kosovës në Kuvend dhe u kanë drejtuar mesazh të gjitha grupeve parlamentare që “duke votuar pro ligjit të bëhen pjesë e fillimit të epokës së zhvillimit për Trepçën”.

Ndërsa, në veri punëtorët serbë të Trepçës kanë  kundërshtuar procedimin e projektligjit në Kuvendin e Kosovës edhe me bllokim në Rudare të rrugës magjistrale që kalon nëpër komunën e Zveçanit dhe drejt kufirit me Serbinë, ndërsa sot në ditën e tretë zhvillohet edhe një protestë.

“Në Rudare është i pranishëm një numër i madh i qytetarëve të cilët qëndrojnë në shi, që kanë mbërritur nga Mitrovica, Zveçani, Zubin Potoku e Leposaviçi”, njofton nga vendngjarja reporteri i një mediumi të Serbisë.

Në protestë janë punëtorët serbë të Trepçës në veri, të cilët gjatë tre ditëve të fundit organizojnë këto tubime, e me qytetarët janë edhe përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës. Të tubuarit mbajnë flamuj shtetërorë të Serbisë dhe të Trepçës, raporton media e Beogradit.

Për të kundërshtuar ligjin e Kosovës për Trepçën sot po mbahet edhe një takim urgjent i përfaqësuesve të katër komunave veriore të Kosovës me shumicë serbe, Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut e Leposaviçit.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç ka deklaruar se, “autoritetet e Prishtinës përmes projektligjit për Trepçën duan ta nacionalizojnë atë kombinat, por kjo nuk do iu kalojë dhe se Beogradi do e mbrojë në çdo mënyrë”.

Autoritetet kosovare kanë siguruar e theksuar se ligji i ri do të jetë në favor të punëtorëve, pa dallim etnie, në të mirën e të gjithëve në jug e veri të Kosovës dhe përcakton edhe se 20 për qind nga taksat minerare do të ndahen për komunitetin, përkatësisht për komunat, në të cilat veprojnë njësitë organizative të Trepçës, në mënyrë që t’i ndihmohet atje ndërtimit të infrastrukturës, objekteve të arsimit, kulturës, shëndetësisë dhe përgjithësisht zhvillimit.

Pasuria minerare e nëntokës së Trepçës arrin vlerën  së paku 13 miliardë euro, sipas një studimi të fizibilitetit të kryer nga ekpertë vendorë dhe ndërkombëtarë, vite më parë, por mendohet se është edhe shumë më e madhe e në vlerë më të lartë.

Trepça, me minera plumbi, zingu, argjendi e ari, ka pasur mëse 22 mijë punëtorë deri në vitin 1990, kur administrata e dhunshme e instaluar nga Beogradi dëboi shqiptarët nga puna. Përfundimi i luftës para 17 viteve, në qershorin 1999, Trepçën e gjeti me shkatërrime të mëdha nga shfrytëzimi kolonial dhe në Kosovën e lirë nisën përpjekjet për rimëkëmbje.

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, Kuvendi, Ligji per Trepcen, qeveria

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 156
  • 157
  • 158
  • 159
  • 160
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT