-Organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, po mbahet sesioni shkencor “Arbëneshët e Zarës, Historia dhe Etnokultura e tyre”/
PRISHTINË, 10 Tetor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Në Institutin Albanologjik të Prishtinës, po mbahet sot sesioni shkencor “Arbëneshët e Zarës, historia dhe etnokultura e tyre”, i cili hapet me një pikë muzikore nga krijimtaria e Pavle Deshpalit dhe fjalën drejtorit, Hysen Matoshit.
“Ndonëse një komunitet i paktë në numër dhe pothuajse pa asnjë mundësi të kontakteve institucionale me trungun amë, Arbëreshët e Zarës do të dëshmonin se rrënjët e tyre kulturore nuk do të tretnin lehtë, se ata do të dinin t’i zhvillonin ato edhe në rrethana të reja. Po përmend në këtë fjalë të hapjes vetëm disa nga kontributet e çmueshme të tyre. Kështu, bie fjala, epi kombëtar ‘Lahuta e Malcis’ nisi botimin e saj në këtë ngulim shqiptar, drama e parë shqipe në ish-Jugosllavi u shkrua nga arbëreshi Josip Rela, pastaj ishte Aleksandër Stipqeviçi me ndihmesën e tij emblematike për studimet e gjenezës ilire të shqiptarëve”, tha Matoshi.
“Abreshët e Zarës janë një bashkësi historike, tradicionale, të cilët i karakterizon kontributi i tyre i madh në kulturën kroate, nëpërmjet personaliteteve të mëdha të kulturës, në fusha të ndryshme të saj, prej Deshpalit dhe kontributi i tij në muzikë e deri te kontributi i tyre në politikë”, theksoi ambasadorja e Republikës së Kroacisë në Kosovë, Marija Kapetanović.
Më pas në axhendë është hapja e ekspozitës “Vepra të arbëneshëve dhe për arbëneshët” (përgatitur nga Nuridin Ahmeti).
Kumtesat e tyre do t’i prezantojnë 17 studiues shqiptarë: Sadri Fetiu, Kultura tradicionale e arbëneshëve të Zarës; Zeqirja Neziri, Arbëreshët e Zarës përgjatë shekullit XIX; Gjovalin Shkurtaj, Vlerat dialektologjike të së folmes së arbëneshëve të Zarës; Qemal Murati, Vëzhgime leksiko-semantike në Fjalorin e arbëneshëve të Zarës; Mustafa Ibrahimi, veçori etnolinguistike në fjalorin e të folmes së arbëneshëve të Zarës të Kruno Kërstiçit; Ismet Osmani, Fjalori i Kruno Kërstiqit; Naser Ferri, Aleksandër Stipqeviç, studiues dhe promovues i kulturës iliro-shqiptare; Memli Krasniqi, Roli i Josip Gjergjës në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave; Isak Shema, Arbëneshët e Zarës dhe identiteti i tyre në letërsi; Hysen Matoshi, Vepra letrare e Shime Deshpalit; Lulëzim Lajçi, Vështrim mbi diasporën shqiptare në mesjetë; Bardhosh Gaqe, Tradita dhe kultura arbëreshëve të Zarës në Kroaci në vështrimin e dijetarit Aleksandër Stipqeviç; Adem Zejnullahu, Lirika popullore e arbëreshëve të Zarës; Leontina Gega-Musa, Format e shkurtra të folklorit arbënesh; Fitim Çaushi, Ngjashmëri rituale dhe artistike midis arbëneshëve të Zarës dhe të “qarës me ligje” në Labëri; Bashkim Lajçi, Besimet popullore të arbneshëve të Zarës; Sylejman Morina, Arbëneshët e Zarës sot.
Do vijohet me diskutime, ndërsa fjalën e mbylljes do e mbajë Memli Krasniqi, shef i Degës së Historisë.
Ferhat Ymeraga says
Sa bukur qe Sesioni Shkencor Arbneshet e Zares ka filluar me 10 tetor–kur eshte dhe datelindja
e prof.dr. Aleksander Stipceviqit (10 tetor 1930).
Dje e mora ne telefon dhe bisedova me Zonjen Andjelka Stipceviq. Kujtuam personalitetin e rralle e te dashur te dijetarit e humanistit te madh, jeta e te cilit u shua me 30 gusht te vitit te kaluar.
Uroj qe kjo date (10 tetori) te behet tradite e perkujtimit te pervitshem te kontributit te arbnesheve te Zares ne gadishullin Ilirik e me gjere!
Sesionit te nderuar dhe pjesemarresve: pune te mbare e suksese!