Kosovë – Opozita, protesta “non-stop”
Foto Gazeta Dielli-Behlul Jashari/– Ka paralajmërime se pranë Kryeministrisë dhe Kuvendit të Kosovës do vendosen edhe tenda për protestuesit opozitarë në sheshe, ku në këto orë të paraditës kanë nisë të shtohen forcat policore/PRISHTINË, 23 Shkurt 2016-B.Jashari/.-Opozita e bashkuar në Kosovë, e tre subjekteve, VV, AAK e Nisma, me gjithësej 31 deputetë në Kuvendin 120 anëtarësh mban sot në shësh në Prishtinë konferencë shtypi, ndërkohë që ka paralajmëruar protesta të reja kundër qeverisë, kundër seancave parlamentare dhe kundër zgjedhjes së Presidentit të Republikës.“Haradinaj, Ymeri dhe Limaj sot mbajnë konferencē për shtyp. Vendi: Sheshi para Teatrit Kombëtar. Ora 14:00 Tema: Fillimi i protestave non-stop”, thekson njoftimi i dërguar.
Ka paralajmërime se pranë Kryeministrisë dhe Kuvendit të Kosovës do vendosen edhe tenda për protestuesit opozitarë në sheshe, ku në këto orë të paraditës kanë nisë të shtohen forcat policore.
Opozita e bashkuar, në përfundim të protëstës së ditëfestës së 8 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës – 17 shkurtit, ku sipas saj ishim mbi 100 mijë pjesëmarrës e sipas Policisë kosovare rreth 15 mijë, ka paralajmëruar protestë tjetër në 27 shkurt nëse deri atëherë nuk dorëhiqet “qeveria që ka shkelur Kushtetutën me marrëveshjen për bashkësinë-asociacionin e komunave me shumicë serbe” dhe nuk shpallen zgjedhje të jashtëzakonshme paralamentare, por protestë kishte edhe derisa Kuvendi zhvillonte seancë plenare të premtën e kaluar, me tre ndërprerje nga gazi lotsjellës i opozitës, e cila sot pasdite pritet të nisë “protestat non-stop”.
“Zgjedhjet mbahen në 10 qershor 2018”, të rregullta sipas Kushtetutës së Kosovës, dhe nuk do ketë dorëheqje, ishte përgjigja e qeverisë në një konferencë shtypi pasditen e 17 shkurtit pas protestës së opozitës, ku u shpreh e palëkundur në punën e saj, “duke respektuar votuesin dhe ata që u kanë dhënë mandatit që janë mbi 200 mijë votues të LDK-së dhe mbi 230 mijë të PDK-së dhe mijëra tjerë të partive tjera të koalicionit”.
Liderët e partive më të mëdha të koalicionit qeverisës i kanë bërë ftesa të përsëritura opozitës që të gjitha çështjet që e preokupojnë, që mund të jenë reale, t’i diskutojë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Kosovë-Regjistrohet diaspora
-UNDP dhe MeD zbatojnë së bashku fushatën për regjistrimin e diasporës/ -Ministria e Diasporës e qeverisë së Republikës së Kosovës në vitin 2015 ka regjistruar rreth 200 mijë bashkatdhetarë në botë, procesi vazhdon edhe në vitin 2016/-Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, por, numri është më i madh, meqë nuk ka përfshirë edhe një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit/
PRISHTINË, 22 Shkurt 2016-B.Jashari/ Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe Ministria e Diasporës e qeverisë së Kosovës nënshkruan sot një marrëveshje për bashkëpunim në zbatimin e projektit Angazhimi i Diasporës në Zhvillimin Ekonomik.
Marrëveshja, që kap vlerën prej 75,000 euro, u nënshkrua nga Alessandra Roccasalvo, Zëvëndës Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së dhe Osman Shahini, sekretar permanent në MeD. Kjo shumë do të kontribuojë në realizimin e fushatës informuese dhe sensibilizuese për promovimin Regjistrimit të Diasporës që do të zbatohet gjatë vitit 2016 nga projekti DEED.
Projekti DEED është duke u zbatuar së bashku nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM). Ky projekt synon ofrimin e mundësive për kosovarët që jetojnë jashtë vendit për të qenë aktivë në zhvillimet ekonomike të Kosovës duke përkrahur krijimin e vendeve të punës dhe ndërmarrësisë përmes investimeve dhe ndryshimit të shfrytëzimit të dërgesave për konsumim, thekson njoftimi dërguar nga UNDP.
Ministria e Diasporës e qeverisë së Republikës së Kosovës në vitin 2015 ka regjistruar rreth 200 mijë bashkatdhetarë në botë. Procesi i regjistrimit do të vazhdojë edhe në vitin 2016, për të pasur kështu një publikim përfundimtar të shifrave të detajuara në fillim të vitit 2017, ka paralajmëruar ministria.
Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun ku u refuzua, u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, 92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 % serbë, 1.08 % turqë, etj.
Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Kosova para më shumë se gjysëm shekulli arrinte numrin prej një milion banorëve. Në 6 korrikun e vitit 1962, gazeta tradicionale kosovare Rilindja shkruante se Kosova “fitoi këto ditë banorin e njimilionit…”
Sipas statistikave kosovare, në regjistrimin e popullsisë së vitit 1981, ku u përfshinë të gjitha etnitë, Kosova kishte një popullsi prej 1.584.440 banorësh.
Kosova, javë vendimtare për zgjedhjen e Presidentit
-Të katër presidentët e deritashëm janë zgjedhur me marrëveshje politike – koalicone, apo ndërhyrje ndërkombëtare/
-Presidenti i parë i Kosovës nën okupim në kohën e Lëvizjes për Liri e Pavarësi dhe i Kosovës së pasluftës në liri, Dr. Ibrahim Rugova, deklaronte: “Çdo ditë ne duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?”. Kështu e citonte në 5 mars 2002 në kryetitull gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, për të cilën lideri historik Rugova ka folur menjëherë pas zgjedhjes President./
Nga Behlul Jashari*/ PRISHTINË/ Kosova në afër 17 vjet Liri dhe në 8 vjet Pavarësi shkon drejt zgjedhjes së Presidentit të saj të pestë, që pritet javën e ardhëshëme, e duhet të bëhet më së largu në javën e parë të marsit, pasi sipas Kushtetutës “zgjedhja duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit”, derisa 6 prilli është fundi i mandatit të Presidentes aktuale Atifete Jahjaga.
Presidenti i ardhëshëm i Kosovës do kandidohet lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, sipas marrëveshjes së koalicionit të dy partive më të mëdha kosovare, që në 8 e 9 dhjetor 2014 i dha fund situatës së “ngrirë” dhe mundësoi konstituimin e Kuvendit e zgjedhjen e qeverisë gjashtë muaj me humbje kohe pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit, e që si rezultat i saj lideri i LDK-së, Isa Mustafa, u bë kryeministër.
Për zgjedhjen e Presidentit të Republikës në Kuvendin e Kosovës, në votimin e parë e të dytë duhen dy të tretat e votave, së paku 80 nga gjithësej 120 deputetët, e në votimin e tretë së paku një më shumë se gjysma – 61.
Aktualisht, grupet parlamentare, i PDK-së me 35 e i LDK-së me 33, së bashku kanë 68 deputetë, votat e të cilëve mjaftojnë për zgedhjen e Presidentit në raundin e tretë. Ndërsa, për të pasur kuorumin e nevojshëm dhe zgjedhjen në raundin e parë e të dytë duhen së paku dy të tretat e deputetëve të pranishëm dhe votat e tyre.
Në rrethanat kur nuk mund të llogaritet në votat e opozitës, për zgjedhjen e Presidentit në raundin e parë e të dytë duhen edhe votat e komuniteteve pakicë, pjesë e koalicionit qeverisës – nga grupet parlamentare Lista Serbe me 11 dhe Gjashtë Plusi me 6, gjithësej 17 deputetë. Të katër grupet parlamentare të koaliciont qeverisës – PDK, LDK, Lista Serbe dhe Gjashtë +, së bashku kanë gjithësej 85 deputetë.
Pa grup parlamentar janë 4 deputetë dhe mund të llogaritet edhe në vota të tyre pro zgjedhjes së Presidentit. Por, në anën tjetër, ka ndonjë deklaratë nga deputetë të koalicionit qeverisës që kanë paralajmëruar votë kundër.
Ndërsa, opozita, me gjithësej 31 deputetë (VV 16, AAK 9 e Nisma 6), kundërshton mbajtjen e seancave të Kuvendit edhe me hedhje gazi lotsjellës në sallën plenare, siç ndodhi edhe të premtën e kaluar me tre ndërprerje nga lotsjellësi të seancës së parë të sesionit pranveror dhe ka shpallur “gjendje gatishmërie” për grumbullime protestuese në ditën e orën e seancës për Presidentin kurdoqoftë, që “të pamundësohet zgjedhja”.
Opozita e bashkuar, në përfundim të protëstës së ditëfestës së 8 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës – 17 shkurtit, ku sipas saj ishim mbi 100 mijë pjesëmarrës e sipas Policisë kosovare rreth 15 mijë, ka paralajmëruar protestë tjetër në 27 shkurt nëse deri atëherë nuk dorëhiqet “qeveria që ka shkelur Kushtetutën me marrëveshjen për bashkësinë-asociacionin e komunave me shumicë serbe” dhe nuk shpallen zgjedhje të jashtëzakonshme paralamentare.
“Zgjedhjet mbahen në 10 qershor 2018”, të rregullta sipas Kushtetutës së Kosovës, dhe nuk do ketë dorëheqje, ishte përgjigja e qeverisë në një konferencë shtypi pasditen e 17 shkurtit pas protestës së opozitës, ku u shpreh e palëkundur në punën e saj, “duke respektuar votuesin dhe ata që u kanë dhënë mandatit që janë mbi 200 mijë votues të LDK-së dhe mbi 230 mijë të PDK-së dhe mijëra tjerë të partive tjera të koalicionit”.
Ndërsa, një ditë pas protestës, nga mbledhja e qeverisë, kryeministri Mustafa dhe zëvndëskryeministri Thaçi i kanë bërë sërish ftesë opozitës që të gjitha çështjet që e preokupojnë, që mund të jenë reale, t’i diskutojë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
“Të zhvillojmë debat demokratik, ashtu siç e do demokracia evropiane dhe properëndimore. Ne jemi në gjendje që të japim argumente për çdo shqetësim dhe kërkesë të çdo qytetari, edhe të atyre që ishin dje në protestë dhe nuk aplikuan dhunë, dhe unë përgëzoj të gjithë ata që kanë qenë që në mënyrë të dinjitetshme e kanë përfunduar protestën, por po ashtu kërkoj prej krerëve të opozitës që ata të mos veprojnë edhe më tutje në këtë formë, por të kthehen në Kuvend dhe që në Kuvend t’i zgjidhim të gjitha çështjet”, tha Mustafa.
Ndësa, zëvendëskryeministri Thaçi tha se ishte i mirëseardhur vendimi i njerëzve që morën pjesë në protestën e opozitës për të hequr dorë nga përdorimi i dhunës apo, siç shtoi ai, të mos i përgjigjen thirrjeve të eprorëve opozitarë për protestën e organizuar në Prishtinë, për përdorimin e dhunës.
“Të gjithë jemi të vetëdijshëm se dhuna nuk çon askund, përkundrazi dialogu është zgjidhje e vetme që duhet të ndodhë, qoftë në Zyrën e Presidentes, qoftë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, siç e tha edhe kryeministri”, tha zëvendëskryeministri kosovar, i cili pritet të merr postin e Presidentit të shtetit e të lërë atë të kryetarit të partisë më të madhe politike aktualisht në Kosovë.
“Zgjedhja e presidentit të vendit do të ndodhë në afatin e rregullt kushtetues e ligjor në një procedurë të përpiktë dhe një proces transparent gjatë muajit shkurt”, është shprehur këtë javë Thaçi.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e miratuar nga Kuvendi në 9 prill 2008, më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, e që ka hyrë në fuqi në 15 qershor të atij viti historik, rreth zgjedhjes së Presidentit përcakton:
“Neni 86 [Zgjedhja e Presidentit]
1. Presidenti i Republikës së Kosovës zgjedhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë.
2. Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.
3. Secili shtetas i Republikës së Kosovës mund të nominohet si kandidatë për President të Republikës së Kosovës, nëse ajo/ai siguron nënshkrimet e të paktën tridhjetë (30) deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidatë për President të Republikës së Kosovës.
4. Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
5. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjedhet President i Republikës së Kosovës.
6. Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh.”
Të gjithë, të katër presidentët e Kosovës në 17 vitet e lirisë, duke nisur nga Presidenti historik Ibrahim Rugova, pas tij Fatmir Sejdiu, pastaj Behgjet Pacolli që qëndroi vetëm një muaj në këtë post, si dhe Presidentja aktuale Atifete Jahjaga, janë zgjedhur me marrëveshje politike, koalicionesh, apo edhe me ndërhyrje ndërkombëtare.
Zgjedhje e para parlamentare në Kosovën e lirë që nga qershori 1999 u mbajtën në 17 nëntorit 2001, por kishte vonesë rreth 3 muaj e gjysmë për zgjedhjen e Presidentit e të qeverisë. Vonesa dhe humja e kohës kishte derisa u arrit marrëveshja dhe në 4 mars 2002, Kuvendi i Kosovës, për vetëm 45 minuta seancë, në një atmosferë të mrekullueshme, e bëri Kosovën me të gjitha institucionet e zgjedhjeve të përgjithshme të 17 nëntorit 2001: President i Kosovës u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova (LDK), kryeministër i Kosovës – Dr. Bajram Rexhepi (PDK).
Presidenti i parë i Kosovës nën okupim në kohën e Lëvizjes për Liri e Pavarësi dhe i Kosovës së pasluftës në liri, Rugova, deklaronte: “Çdo ditë ne duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?”. Kështu e citonte në 5 mars 2002 në kryetitull gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, për të cilën lideri historik Rugova ka folur menjëherë pas zgjedhjes President.
*Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari/
Rilindja, nga Konferenca e Bujanit deri në Pavarësinë e njohjen ndërkombëtare të Kosovës
Foto Gazeta Dielli-Behlul Jashari: Ballina e Gazetës tradicionale e historike të Kosovës Rilindja, 22 shkurt 2008/
-Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova: Duhet të shikojmë të gjejmë një zgjidhje për Rilindjen, që të mund të vazhdojë si një gazetë tradicionale. Unë ju kam premtuar përkrahje edhe më herët. Duhet të shikojmë, po flas praktikisht, si ta aktivizojmë gazetën, që ka një traditë. S’po flasim më shumë, e dimë të gjithë. Pastaj, me emrin “Bujku”, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 22 Shkurt 2016/Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, para 8 viteve, në 22 shkurt 2008, doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI.
Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.
Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: RILINDJA JU URON SHPALLJEN DHE NJOHJEN E KOSOVËS SHTET I PAVARUR.
Arkiv-22 shkurt 2008: RILINDJA DEL SOT, NJË DITË PAS 6-VJETORIT TË MBYLLJES
Rilindja, del sot, një ditë pas 21 shkurtit – 6-vjetorit të mbylljes, si një mesazh ndjellamirë për rikthimin e gazetës tradicionale të Kosovës pas Pavarësisë. Si një thirrje për sundimin e ligjit edhe në rastin e shkeljes së të drejtës së saj, shkelje kjo e pashembullt në botën e lirë e demokratike.Rilindja, e lindur në Prizren më 12 shkurt 1945 në kuadër të vendimeve të Kuvendit të Bujanit, ka vendosur që 63-vjetorin ta shënojë jo në ditën e saj që ka kaluar (12 shkurt), por pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe pas njohjeve të para, prandaj këtë e bën sot me botim special.Në këtë numër festiv për Pavarësinë botohen shkrimet ekskluzive Kosova në Rilindje drejt pavarësisë gjatë 63 vjetëve, shkrime këto që mund t’i ketë vetëm një gazetë tradicionale dhe historike. Botohen edhe raporte të gjera nga shpallja dhe festimi i pavarësisë, si dhe për njohjet e para ndërkombëtare të shtetit të Kosovës.
Rilindja është dëbuar kundërligjshëm nga Pallati i saj dhe detyrimisht është mbyllë më 21 shkurt 2002, vetëm pak ditë pasi festoi 57-vjetorin. Pallati i Rilindjes është shndërruar në gërmadhë dhe kjo ndërtesë, më e larta në Kosovë, është lënë e zbrazët qe gjashtë vjet. Rilindjes i është shkatërruar edhe gjithë teknika, e në masë të madhe edhe arkivi – pasuri kombëtare e pakompensueshme, me një akt kulturocidi – hedhjen e ngujimin në një bunker të errët e me lagështi.
Edhe në këto kushte Rilindja del në kushte të jashtëzakonshme me numra të jashtëzakonshëm të kohëpaskohshëm, për të shënuar ngjarjet historike nepër të cilat kalon Kosova dhe për të ruajtur emrin e traditën.
Rilindja është në pritje që t’i jepet fund shkeljes së ligjit në rastin e saj dhe Kosovës t’i rikthehet gazeta tradicionale, siç e ka secili shtet normal në botë gazetën e vet të traditës. (Shkrim në gazetën Rilindja – 22 shkurt 2008)
***
PRESIDENTI HISTORIK I KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVA: DUHET TË GJEJMË NJË ZGJIDHJE PËR RILINDJEN, QË TË MUND TË VAZHDOJË SI NJË GAZETË TRADICIONALE
Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive për gazetën Rilindja të jubileut të 60-vjetorit, i vlerëson lart zhvillimet dhe proceset që shpiejnë drejt statusit final – Pavarësisë së Kosovës, për çka ai pret njohje të drejtpërdrejtë nga SHBA-të dhe BE-ja, e mandej edhe nga vendet fqinje e të tjera. Me këtë rast Presidenti Rugova priti në Rezidencën e tij kryetarin e Këshillit Drejtues dhe kryeredaktorin e Rilindjes, Behlul Jashari, i cili ia dhuroi Pllakatin e Jubileut të 60-vjetorit të kësaj gazete tradicionale të Kosovës, të punar me ar e argjend nga argjendarët e Prizrenit, qytetit historik ku më 12 shkurt 1945 doli numri i parë i gazetës së parë të Kosovës. Presidenti Rugova dha përkrahjen e plotë për
të drejtën dhe ridaljen e Rilindjes duke e vlerësuar “pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar dhe do të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës”. Presidenti Rugova uroi për Jubileun e gazetës Rilindja, e cila gjatë gjashtë dekadave, është në jetën dhe në familjet e kosovarëve.
Nga intervista e botuar më 12 shkurt 2005:
RILINDJA: Z. Presidenti, Ju falenderojmë shumë për këtë intervistë për gazetën tradicionale të Kosovës “Rilindja”, që në këtë 12 Shkurt ka Ditën e Jubileut të 60-vjetorit. Kemi edhe një falenderim të madh për përkrahjen Tuaj për krijimin e kushteve për punën e “Rilindjes”, të drejtën legjitime të saj.
PRESIDENTI RUGOVA: Unë Ju përgëzoj për këtë përvjetor Jubilar, pra 60-vjetorin e Rilindjes, dhe dëshirojmë që kjo gazetë sa më shpejt të konsolidohet. Duhet të shikojmë të gjejmë një zgjidhje për Rilindjen, që të mund të vazhdojë si një gazetë tradicionale. Ne duhet të kemi edhe mjete të informimit të formave të ndryshme, mund të gjejë, ta ketë atë formën të një informacioni dhe prezentimi të çështjeve shtetërore, nëse nesër do ta pranojë Rilindja apo dikush tjetër. Dhe, gjithsesi do të gjendet në mozaikun e masmeriumeve të Kosovës. Ne do t’i shikojmë të gjitha mundësitë dhe do të ndihmojmë në këtë plan dhe do t’ju përkrahim. Rilindja është një gazetë që është një pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar zhvillimin e Kosovës në përgjithësi. Natyrisht, tash edhe Rilindja duhet të gjendet në këtë çështjen e tregut të mediumeve. Dhe, duhet t’i ketë ato të drejtat që i takojnë si shtëpi botuese, ose si shtëpi informacioni. Sepse ishte një gjigant i masmediumeve, i botimeve për atë kohë, e sot, tash, duhet ta gjejë rolin e vet si gazetë, e të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës. Prandaj, do të keni përkrahjen tonë dhe do të shikojmë gjitha mundësitë administrative si do të ecin.
Pra, Urime edhe një herë dhe Gëzuar!
RILINDJA: Shumë faleminderit Z.President.
PRESIDENTI HISTORIK RUGOVA: GAZETA “BUJKU”, KËTU DHJETË VITE KA MBAJUR TË GJALLË INFORMIMIN NË KOSOVË
Nga intervista ekskluzive e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, që kam zhvilluar para afër 14 viteve, botuar në gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja – numër special në ditën e 31 dhjetorit 2002 për festën e Vitit të Ri 2003:
RILINDJA: Z. President, falemnderit për këtë intervistë për botimin special të gazetës «Rilindja» për Vitin e Ri. Kemi edhe një falënderim të madh për Ju zoti President i Kosovës për mbështetjen dhe angazhimet për një zgjidhje institucionale për gazetën tradicionale të Kosovës «Rilindja», të cilës shpresojmë se së shpejti do t’i krijohen kushtet dhe mundësitë të rifillojë botimin e rregullt. Mendojmë që është një rast shumë i mirë që «Rilindja» të rifillojë botimin e rregullt në ditën e përvjetorit të saj të 58-të, më 12 shkurt 2003. Shfrytëzojmë rastin, dhe kemi nderin dhe kënaqësinë, që qysh tash t’Ju ftojmë në festën, në solemnitetin që do të bëjmë, edhe për Ditën e Rilindjes edhe për rifillimin e botimit të gazetës «Rilindja».
PRESIDENTI RUGOVA: Unë ju kam premtuar përkrahje edhe më herët. Duhet të shikojmë, po flas praktikisht, si ta aktivizojmë gazetën, që ka një traditë. S’po flasim më shumë, e dimë të gjithë.
Pastaj, me emrin “Bujku”, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë, pra derisa bëmë edhe Televizionin Satelitor. Kjo ka qenë shumë e rëndësishëme. Pra, ishte një bazë e informimit në Kosovë. Dhe, një mirënjohje për ju dhe të gjithë ata që në këto vite të vështira punuan dhe mbajtën të gjallë informimin në Kosovë.
Duhet të shikojmë praktikisht si të aktivizohet gazeta “Rilindja”, t’i sigurohet vendi. Duhet të bisedohet dhe të shihen mundësitë. Edhe zyra ime për informim do të interesohet për këtë çështje; besoj edhe komisioni për media i Parlamentit, që është krijuar tash së voni, edhe institucionet e tjera. Duhet parë punën e statusit të “Rilindjes”. Ju mund të jeni si gazetë e pavarur, por duhet të shikojmë sa mund të ndihmoheni nga institucionet tona.Është shumë mirë që gazeta “Rilindja” edhe në këto kushte gjatë kësaj kohe të fundit ka dalë me botime të kohëpaskohshme për ngjarje e data të rëndësishme, duke vazhduar të jetë histori e shkruar e Kosovës, dhe ruan në një mënyrë vazhdimësinë deri në rifillimin e botimit të rregullt.
RILINDJA: Z. President, Ju falënderojmë shumë për këtë përkrahje të madhe për “Rilindjen”. Shfrytëzojmë rastin, kemi nderin dhe kënaqësinë, që t’ Ju urojmë: Gëzuar Vitin e Ri 2003, më shumë shëndet, mbarësi, suksese për Ju dhe për gjithë Kosovën.
PRESIDENTI RUGOVA: Urime, po ashtu, edhe Juve, me shumë suksese dhe për punën që po bëni, për “Rilindjen”, që ta kemi së shpejti përditë. Falemnderit.
***
PARA 14 VITEVE, NË 21 SHKURT NË ORËN 16:00 ADMINISTRATA E UNMIK NDËRPREU ENERGJINË ELEKTRIKE NË PALLATIN E RILINDJES DHE MË PAS E MBYLLI ME GRILA HEKURI
Para 14 viteve, në 21 shkurt në orën 16:00 administrata e UNMIK ndërpreu energjinë elektrike në Pallatin e Rilindjes dhe më pas e mbylli me grila hekuri, detyrimisht mbylli gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, dëboi kolektivisht nga puna gazetarët e punëtorët e tjerë të saj, të cilët nuk u vetëlarguan përkundër presioneve e afateve ultimative.
Edhe pas dëbimit në 21 shkurt 2002, deri në të cilën datë gazeta doli përditë, Rilindja nuk u ndal, si në kohën e luftës vazhduam të punojmë nëpër shtëpia. Botuam numra të jashtëzakonshëm dhe protestues të gazetës tradicionale të Kosovës, jo të përditshëm-të kohëpaskohshëm.
Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së Pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave të jashtëzakonshëm të kohëpaskohshëm në 30 dhjetor 2008, me numrin festiv të Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: DUKE BESUAR NË SUNDIMIN E LIGJIT NË SHTETIN E KOSOVËS PRESIM QË NGA NUMRI I ARDHSHËM RILINDJA TË DALË PËRDITË.
Kryetitulli në ballinën e gazetës Rilindja ishte i ëndërres dhe i të ardhmes: KOSOVA SHTET NË OKB. Dy nga titujt tjerë në ballinë: 53 SHTETE NJOHËN SHTETIN E KOSOVËS dhe VITI 2009 I SHQIPËRISË NË NATO.
Në kalendarin e gazetës Rilindja për Vitin 2009 ishte piktuara ekskluzive, e autorit Veli Blakçori: Molla e Kuqe. Te ajo mollë, sipas kujteses historike të shqiptarëve, ishte kufiri shqiptaro-serb para dëbimit të përgjakshëm të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit e Toplica, para mëse 130 vjetëve (sa ishin në vitin e daljes së atij numri të gazetës Rilindja). Molla e Kuqe është si një mesazh atyre që duan të vendosin kufi në Mitrovicë, se nëse ndryshon kufiri – dihet ku ishte…GAZETA HISTORIKE E KOSOVËS RILINDJA, KA FILLUAR TË DALË PARA 71 VITEVE, NË 12 SHKURT 1945 NË PRIZREN, NË FRYMËN E KONFERENCËS SË BUJANIT E ME ANGAZHIMIN E INTELEKTUALËVE MË TË SHQUAR TË ASAJ KOHE, ME SHKRONJA PLUMBI QË U SOLLËN ME ARKA NGA TIRANA, NUK U NDAL EDHE KUR U NDALUA NË 7 GUSHT 1990 NË KOHËN E OKUPIMIT SERB, DUKE DALË EDHE ME EMRIN “BUJKU” NGA 18 JANARI 1991 VAZHDOI MISIONIN GAZETË E REZISTENCËS, E LËVIZJES PËR LIRI, PAVARËSI E DEMOKRACI, ME ORIENTIM E PËRCAKTIM TË FUQISHËM PERËNDIMOR EUROATLANTIK, KRONIKË E NGJARJEVE HISTORIKE, E PËRCOLLI KOSOVËN DERI NË PAVARËSI E NJOHJET NDËRKOMBËTARE DHE ËSHTË NË PRITJE PËR TË DREJTËN E VET…
*Autori, korrespondenti në Kosovë i gazetës Dielli, Behlul Jashari – kryeredaktori i gazetës Rilindja në kohën e dëbimit dhe deri në numrin e fundit, ishte edhe kryeredaktor i parë-thmelues i gazetës së rezistencës “Bujku”
- « Previous Page
- 1
- …
- 186
- 187
- 188
- 189
- 190
- …
- 245
- Next Page »