• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

CEREMONIA PERKUJTIMORE PER PRESIDENT RUGOVEN E IMZOT SOPIN…TEELEGRAMI I NGUSHELLIMIT DHE NJE KUJTIM I 2005-sës

January 13, 2016 by dgreca

Kosovë-Në Katedralen Nënë Tereza, meshë në nderim të Presidentit historik Rugova dhe Imzot Sopit
-Guri themeltar i Katedrales Nënë Tereza është vënë në 26 gusht 2005 nga Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova dhe Kardinali i Katedrales së Uashingtonit, Teodor Mekarik (McCarrick)/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 13 Janar 2016/ Në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë, është mbajtur mbrëmë meshë në nderim të Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe Imzot Mark Sopit, në 10 vjetorin e kalimit të tyre në amshim.
“Disa muaj para se të kalonin në shtëpinë e Atit tonë qiellor, që të jetonin në amshim, e kurorëzuan veprën e tyre mbi tokë, duke bekuar gurin e këndit të kësaj Katedraleje”, kujtoi Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji. Gjatë meshës, ai ka përkujtuar veprat e mëdha të dy personaliteteve të shquara të Kosovës, njëri i Shtetit e tjetri i Kishës, duke bërë thirrje që të ndiqet rruga e trasuar nga ta dhe që të realizohen amanetet e tyre.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë e politikë të vendit e të pranisë ndërkombëtare, morën pjesë në meshë dhe, po ashtu, vizituan ekspozitën e hapur në ambientet e Katedrales në nderim të dy korifejve të kombit, Presidentit historik Rugova dhe ish-Ipeshkvit të Ipeshkvisë se Kosovës, Imzot Sopit. Ekspozita do jetë e hapur deri në 22 janar.
Guri themeltar i Katedrales Nënë Tereza është vënë në 26 gusht 2005 në oborrin e ish-gjimnazit “Xhevdet Doda” në qendër të kryeqytetit, Prishtinës, nga Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova dhe Kardinali i Katedrales së Uashingtonit, Teodor Mekarik (McCarrick).
***
Telegrami i ngushëllimit i para 10 viteve:

PRESIDENTI RUGOVA NGUSHËLLON IPESHKVINË E KOSOVËS ME RASTIN E VDEKJES SË IMZOT MARK SOPIT
Me rastin e vdekjes së Imzot Mark Sopit, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës, Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i ka dërguar një telegram ngushëllimi Ipeshkvisë së Kosovës.
Më poshtë po e japim tekstin e plotë të këtij telegrami:
11 janar 2006
Prishtinë, Kosovë
Ipeshkvisë së Kosovës
Prizren
Ipeshkvi e nderuar,
Me rastin e vdekjes së Imzot Mark Sopit, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës, Ju lutem pranoni ngushëllimet e mia të thella dhe të popullit të Kosovës.
Në historinë më të re të Kosovës Imzot Mark Sopi do të mbetet një burrë i madh që gjithë jetën punoi për fe e për atdhe. Duke vepruar për forcimin e kishës katolike shqiptare, pra të Ipeshkvisë së Kosovës, që e drejtoi për një dekadë të tërë, u bë njeri i dashur dhe i nderuar për të gjithë popullin e Kosovës. Imzot Mark Sopi gjithmonë ishte me popullin e Tij dhe me Zotin. Kjo i bën njerëzit të jenë të mëdhenj e të nderuar përgjithmonë.
Imzot Mark Sopi me vite të tëra u angazhua për pavarësinë e vendit tonë, Kosovës, duke na dhënë zemër e forcë se ajo do të bëhet së shpejti nga miqtë tanë.

Sot në këto momente të dhembjes, ndihem krenar që pata një mik të tillë, çfarë ishte Imzot Mark Sopi, të cilin gjithnjë e kisha krah të fortë pranë vetes në punët shtetërore në momentet më të vështira e më të mira.
I falemi kujtimit të Tij të përjetshëm.I qoftë i lehtë dheu i Kosovës së lirë.
Zoti e bekoftë Imzot Mark Sopin, siç e ka bekuar.
Zoti e bekoftë Familjen Sopi.
Zoti e bekoftë Ipeshkvinë e Kosovës.
Zoti e bekoftë Kosovën.
Dr. Ibrahim Rugova
President i Kosovës
***
KUJTESË- NJË TAKIM, SI NJË BEKIM
Në ditëfestën e 28 Nëntorit – të Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Flamurit Kombëtar Shqiptar, para më shumë se 10 vitesh, në vitin 2005, kam shkruar si në ditar një shënim për një takim në Prishtinë me Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Mark Sopin, me të cilin folëm edhe për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha deri në numrin e fundit dhe në angazhimet për ta rikthyer të përditshme. Shënimi, që e gjejë sot në një mesazh të dërguar me e-mail, ishte ky:
Takimi spontan me Imzot Mark Sopin
Tek po festonim në Grand 28 Nëntorin, ku kishte shumë personalitete, me shumë prej të cilave edhe u takova personalisht dhe ngritëm dolli, një emocion e përshtypje shumë të veçante më solli momenti i takimit me Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Mark Sopin, me të cilin nuk isha takuar ndonjëherë më parë ashtu drejtpërdrejtë.
-Besoj se nuk po gabohem, je Behlul Jashari, më tha derisa po më afrohej dhe pas shtërgimit të duarve edhe më perqafoi.
Më përgëzoi për angazhimet për Rilindjen dhe më ftoi për një vizitë në Ipeshkvi. Më vlerësone dhe më njihte edhe nga shkrimet. Dhe për vendosmërinë per Rilindjen.
E përjetova këtë edhe si një bekim.
E falënderova shumë për vleresimin, nderin dhe përkrahjen që më bëri. Dhe, me shumë kënaqësi iu përgjigja ftesës për vizitën.
Behluli
28 Nëntor 2005

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, ceremonai, Imzot Mark Sopi, President Rugova, telegrami

Aktakuzë ish-kryetarit të Kushtetueses në Kosovë

January 13, 2016 by dgreca

-Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Enver Hasani për veprat penale: Falsifikimi i dokumentit zyrtar dhe Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar/
Prishtinë, 13 janar 2016/Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit Enver Hasani, për kryerjen e veprave penale: Falsifikimi i dokumentit zyrtar, nga neni 434 par.1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422 par.1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe ka pushuar hetimet për një vepër penale, për të cilën ka qenë duke u hetuar.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Enver Hasani, në cilësinë e personit zyrtar – kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, më dashje, duke e shfrytëzuar në mënyrë të kundërligjshme pozitën dhe autorizimin zyrtar me rastin e vendosjes për kërkesën e Presidentes së Republikës së Kosovës, lidhur me dekretin e saj, që kishte të bënte me emërimet e gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, duke vepruar në kundërshtim me autorizimet e tij zyrtare, në mënyrë të kundërligjshme ka vendosur lidhur me rastin KO-155/14, duke nxjerrë aktvendim për papranueshmëri, nga i cili kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme mandatet shtesë si gjyqtarë ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, tre persona.
Gjithashtu, i pandehuri Hasani, me dashje ka shënuar të dhëna të rreme në aktvendimin e njëjtë mbi papranueshmëri, duke e shënuar në faqen e parë të këtij aktvendimi edhe emrin e një gjyqtari, si pjesëmarrës në trajtimin e kësaj çështje kushtetuese, i cili nuk kishte marrë pjesë në trajtimin e kësaj çështje.
Andaj me këto veprime i pandehuri ka kryer veprat e lartëcekura penale, thuhet në njoftimin e Prokurorit të Shtetit, të dërguar sot./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Aktakuzë ish-kryetarit të, Behlul Jashari, Kushtetueses në Kosovë

Kosovë-qeveria: Shuhet “Mbrojtja civile”

January 11, 2016 by dgreca

-Sot janë integruar 378 ish pjesëtarë të mbrojtjes civile në institucionet qendrore të Kosovës duke e kompletuar numrin prej 483 personave të integruar/
-Ministrja kosovare e Dialogut, Edita Tahiri: Shuarja e të ashtuquajturës “Mbrojtje civile”, e cila ka ndodhur sot, shënon një hap shumë të rëndësishëm në shtrirjen e sovranitetit shtetëror në pjesën veriore të vendit/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 11 Janar 2016/ Qeveria e Republikës së Kosovës njofton se sot është shuar e ashtuquajtura “Mbrojtje civile” (“Civilna zaštita” – strukturë ilegale paralele serbe në veri) në pajtim me Marrëveshjen e Brukselit për këtë çështje të datës 26 mars 2015. Ish pjesëtarët e kësaj strukture gjithsejtë 483 janë integruar në institucione qendrore të shtetit të Kosovës, në bazë të ligjit për shërbimin civil, pas një procesi të rekrutimit ligjor. Sot kanë nënshkruar kontratat e punës me institucionet qendrore të Kosovës gjithsejtë 378 ish pjesëtarë të “Mbrojtjes civile” ndërsa më herët në tetor të vitit të kaluar 105 të tjerë.
Me këtë rast ministrja kosovare e Dialogut, Edita Tahiri, ka deklaruar se shuarja e të ashtuquajturës “Mbrojtje civile”, e cila ka ndodhur sot, shënon një hap shumë të rëndësishëm në shtrirjen e sovranitetit shtetëror në pjesën veriore të vendit, e cila u mundësua duke iu falënderuar Dialogut të Brukselit dhe Marrëveshjes për shuarjen e mbrojtjes civile.
“Sot janë integruar 378 ish pjesëtarë të mbrojtjes civile në institucionet qendrore të Kosovës duke e kompletuar numrin prej 483 personave të integruar, duke qenë se më herët ishin integruar 105 persona. Integrimi i këtyre personave në sistemin e Kosovës, të cilët nënshkruan kontratat e punës me institucionet e Kosovës, është një zhvillim i rëndësishëm në kuadër të objektivave të Qeverisë së Kosovës për konsolidimin e sovranitetit dhe normalizimit të gjendjes në pjesën veriore të vendit dhe integrimin e serbëve të kësaj pjese jetën publike dhe shoqërore”, tha ministrja kosovare.
Ne, si Qeveri e Kosovës, vijoi Tahiri, konsiderojmë që progresi në shtrirjen e sovranitetit në pjesën veriore të vendit është i një rëndësie strategjike, duke marrë parasysh se që nga fundi i luftës jemi ballafaquar me këtë sfidë dhe të cilën ne si Qeveri po e zgjidhim në mënyrë sistematike dhe hap pas hapi.
“Dialogu i Brukselit po tregohet një instrument i rëndësishëm që po ndihmon Kosovën për forcimin e sovranitetit shtetëror në çdo cep të vendit, ku roli i BE-së, SHBA-ve, Gjermanisë është vendimtar”, theksoi ajo.
Ministrja, Edita Tahiri, po ashtu bëri me dije Ministria për Dialog kishte bërë të gjitha përgatitjet dhe koordinimet e nevojshme me të gjitha institucionet qendrore si dhe me BE-në, e cila rezultoi me sukses dhe ceremonia e nënshkrimit të kontratave të përfundoi me dinamikat e parapara.
“Ceremonia është zhvilluar nën koordinimin e zyrtarëve të qeverisë, Besnik Osmani, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë kosovare të Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Dren Zeka, këshilltar kryesor i ministres për Dialog si dhe është mbajtur në Kuvendin Komunal të Mitrovicës Veriore. Po ashtu, vlerësojmë bashkëpunimin dhe gatishmërinë për integrim të ish-pjesëtarëve të kësaj strukture nën koordinimin e Milenko Milentijeviç dhe EULEX-in”, tha ministrja.
Ajo theksoi se, në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës, 378 personat që nënshkruan sot kontratat e punës me institucionet e Kosovës do të jenë të përfshirë në listën e pagave të buxhetit të Kosovës që nga 1 janari 2016.
Tahiri po ashtu potencoi se Kosova me përkushtim e përmbushi këtë Marrëveshje të Brukselit si edhe të gjitha të tjerat.
“Tash është radha te Serbia që t’i ndal pagat për këta pjesëtarë dhe të shfuqizoj ligjërisht këtë strukturë ilegale si dhe të bëhet dorëzimi i objekteve tek institucionet e Kosovës. Ne do të presim konfirmimin e BE-së që Serbia do t’i kryejë këto obligime. Vlen të theksohet se pjesa e marrëveshjes për mbylljen e pikave të vëzhgimit në veri, të depove dhe dorëzimi i pajisjeve dhe ndalja e përdorimit të uniformave është kryer tashmë”, tha ministrja kosovare e Dialogut.
Nga Kryeministria kosovare njoftohet edhe plani për integrim, ku pasqyrohet lista institucioneve qendrore dhe numri i personave të integruar/punësuar.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Kosove, mbrojtja civile, shkrihet

Kosova në pritje të liberalizimit të vizave

January 11, 2016 by dgreca

-Progres maksimal në përmbushjen e shtatë nga tetë pikat e rekomanduara nga Komisioni Evropian/
PRISHTINË, 11 Janar 2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka mbledhur sot përfaqësuesit e institucioneve të ngarkuara për finalizimin e përmbushjes së rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Gjatë takimit, përfaqësuesit i raportuan kryeministrit lidhur me progresin e arritur për përmbushjen e këtyre rekomandimeve dhe u konstatua njëzëri se është shënuar progres maksimal në përmbushjen e shtatë nga tetë pikat e rekomanduara nga Komisioni Evropian.
Në takim u konstatua se ka mbetur ende e pazgjidhur çështja e objektit të Avokatit të Popullit, si rezultat i mos zhvendosjes së Gjykatës Kushtetuese në Pallatin e Drejtësisë, ashtu siç ishte paraparë me vendim të Qeverisë dhe të konfirmuar me letërkëmbimin e ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.
Përfaqësuesit e institucioneve u dakorduan që deri më 15 janar do të përgatitet raporti final lidhur me përmbushjen e rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës, në mënyrë që më pas rezultatet konkrete t’i raportohen institucioneve relevante të BE-së.
Të gjithë përfaqësuesit u zotuan për angazhim edhe më të fuqishëm për të përmbushur secilin rekomandim, në mënyrë që qytetarëve të Republikës së Kosovës, me meritë të plotë, t’iu mundësohet lëvizja e lirë në vendet e Bashkimit Evropian.
Kryeministri Isa Mustafa vlerësoi përkushtimin dhe falënderoi institucionet përkatëse si dhe të gjithë qytetarët e vendit, për kontributin e tyre në avancimin e rrugës integruese evropiane, duke rikonfirmuar angazhimin e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të punuar maksimalisht në realizimin e plotë dhe sa më të shpejtë të aspiratave eurointegruese./b.j

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, liberalizimi i vizave, Në pritje

Kosovë-Shqipëri, qeveritë mbledhje të përbashkëta

January 11, 2016 by dgreca

-Kalendar: Dy vjet nga mbledhja e parë historike e dy qeverive, Shqipërisë dhe Kosovës, e zhvilluar në Prizren në 11 janar 2014/
-“Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’” e përshkruaja në një reportazh para 20 viteve kufirin e hekurt Kosovë-Shqipëri, që sot dhe në përditshmërinë e tashme është me porta të hapura plot fluks, e në 2016-tën do jetë edhe me “autostradën” energjetike/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 11 Janar 2016/ Para dy vitesh, në 11 janarin e 2014-ës, u mbajt në qytetin e Prizrenit mbledhja e përbashkët e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, e vlerësuar historike, e para pas më shumë se 100 vjetëve të shtetit të parë e pas 6 vjetëve të shtetit të dytë të shqiptarëve.
“Modestish mendoj se ajo që na ka bërë bashkë sot, në një tryezë të bashkëqeverisjes strategjike, Qeverinë e Shqipërisë dhe Qeverisë e Kosovës, është një nismë që ka të bëjë pikë së pari, me kontributin tonë për integrimin shqiptar dhe rajonal në Evropën e bashkuar, si shprehje e vendosmërisë sonë të përbashkuar për ta jetësuar këtë integrim si hapësirë evropiane të tejkufijve”, theksonte në mbledhje Kryeministri shqiptar Edi Rama.
“Është e vërtetë se ne jemi më shumë se qytetarë të dy shteteve fqinje, sepse shumica dërrmuese e qytetarëve tanë i takojnë një kombi që megjithë diferencat e brendshme, kanë një gjuhë, një kulture dhe një traditë të përbashkët”, shtonte ai.
“Por, nëse mbledhja e përbashkët e dy qeverive, një kombi të shtrirë në dy shtete, bëhet arsye trembjeje, apo nga ana tjetër inkurajimi, për këdo që ka shqetësime në lidhje me vijat kufitare, dua ta them kryekreje, kthjellët dhe fort, se kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës është për ne shumë i qartë dhe i patjetërsueshëm, si një vijë që na kujton, qoftë pamundësinë e historisë nga njëra anë, apo përpjekjen heroike që solli krijimin e shtetit të dytë shqiptar nga ana tjetër, dhe qoftë edhe detyrimin tonë për t’i qëndruar besës së dhënë atyre, pa të cilët Kosova e lirë dhe pavarur do të kishte mbetur një ëndërr e përgjakur, SHBA-ve dhe BE-së”, shprehej, mes tjerash, Kryeministri Rama.
Kryeministri i atëherëshëm i Kosovës, Hashim Thaçi theksonte se “qëllimi i këtij takimi mes dy qeverive, dhe i atyre të ardhshme, ka për të qenë pikërisht përshpejtimi apo përmirësimi i zbatimit të marrëveshjeve të mëhershme dhe njëherazi zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit bilateral nëpërmjet hartimit të marrëveshjeve të reja”.
“Adoptimi i praktikës së mbledhjeve të përbashkëta nga dy qeveritë, nga Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë është relativisht e vonuar, duke patur parasysh se sa shumë herë janë organizuar këto mbledhje të përbashkëta qeveritare në rajon. Për këtë arsye lindë nevoja që mbledhjet ardhshme të përbashkëta duhet të jenë edhe më të ngjeshura e të ngarkuara me punë, për të kompensuar kohën e humbur dhe për të kapur ritmin e vendeve të tjera të rajonit”, shprehej Thaçi.
Ai deklaronte gjithashtu se, “nëpërmjet mbledhjes zotohemi jo vetëm që të bëjmë çmos për përmirësimin e marrëdhënieve mes qytetarëve të shteteve respektive, por edhe që të marrim përsipër përgjegjësinë historike për t’u kujdesur për bashkombasit që gjenden pakicë në rajon si dhe për të forcuar lidhjet me mbarë diasporën”.
Në mbledhjen historike, të hapur me fjalimin e Kryeministrit (të atëhershëm) të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, janë shqyrtuar:
Dokumenti për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë; Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunim në Lehtësimin e Tregtisë; Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunim në fushat e Transportit dhe Infrastrukturës; Propozimi për Bashkëfinancim të pajisjeve mjekësore të Maternitetit të Preshevës; Propozimi për përfaqësimin e përbashkët konsullor midis Republikës se Kosovës dhe Republikës se Shqipërisë; Marrëveshja për Bashkëpunim të ndërsjellë në fushën e sigurisë; Marrëveshja për Bashkëpunim në fushën e zhvillimit ekonomik dhe të energjisë; Themelimi i iniciativës për Fondin Zhvillimor për Luginën e Preshevës; Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e kulturës dhe aktivitetet për ndërtimin e kalendarit të përbashkët kulturor; Propozimi për bashkëfinancimin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokufest në Prizren; Propozimi për heqjen e taksës së TVSH-së apo taksës tjetër doganore për importin e librit nga Shqipëria; Dorëzimi i legjislacionit të BE-së të përkthyer në gjuhën shqipe nga Ministria e Integrimit Evropian e Republikës së Shqipërisë te Ministria e Integrimit Evropian e Republikës së Kosovës; Themelimi i Komisionit të Përbashkët Teknik për përkthimin e legjislacionit të BE-së, si dhe bashkëpunimin në sferën e përafrimit të legjislacionit ndërmjet Ministrisë së Integrimit Evropian të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë Integrimit Evropian të Republikës së Kosovës.
Pas mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë në 11 janar 2014, në ceremoninë e organizuar te Shtëpia e Lidhjes Shqiptare në Prizren, u bë nënshkrimi zyrtar i Dokumentit për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet dy shteteve dhe marrëveshjeve tjera mes dy qeverive.
Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës janë takuar sërish, në një mbledhje tjetër, të dytë, në 23 mars 2015 në Tiranë, nën moton “Një tokë, një popull, një ëndërr”, ku u firmosën 5 marrëveshje, 4 memorandume, 2 protokolle dhe një deklaratë e përbashkët për zonat e lira ndërkufitare, ndërsa mbledhja e tretë pritet në 2016-tën.
Për Kosovën e Shqipërinë në vitin 2016, një nga ngjarjet e rëndësishme është paralajmëruar të jetë inaugurimi i “autostradës” energjetike – linjës interkonektive 400 kV, ndërtimi i së cilës në pjesën kosovare, me investim rreth 34 milionë euro, përfundoi para festës së Vitit të Ri, në 17 dhjetor 2015.
Viti 2015 në vendkalimet kufitare Kosovë-Shqipëri ka shënuar rritje të fluksit të njerëzve në hyrje-dalje gjithësej 26.75% – në hyrje 30.2% e në dalje 23.3%, si dhe të automjeteve 14.1% gjithësej në hyrje-dalje – 22.1% në hyrje e 6.2% në dalje, krahasuar me 2014-tën. Ishin gjithësej 5412238 hyrje-dalje të personave dhe 1849987 hyrje-dalje të automjeteve, ka bërë të ditur për Gazetën Dielli Policia e Kosovës.
Në tre portat kufitare, Vërmicë-Morinë, Qafë Prush dhe Qafë Morinë, në 2015-tën kishte 2955026 hyrje dhe 2457212 dalje të personave, si dhe 961827 hyrje e 888160 dalje të automjeteve.
Mes Shqipërisë e Kosovës, më shumë se 2.7 milionë (2732089) hyrje dalje të personave kishte vetëm gjatë tre muajve të verës 2015 – në qershor, korrik e gusht.
Në vendkalimet kufitare Kosovë-Shqipëri, viti 2014 kishte shënuar rritje të fluksit të njerëzve për 19.312 % dhe të automjeteve për 21.883 %, krahasuar me 2013-ën.
Ndërsa, sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar të Kosovës, në kufirin Kosovë-Shqipëri, në vendkalimin kryesor nëpër autostradën e kombit, në Vërmicë-Morinë, në këto momente sot në fillimjavë në hyrje kalohet për 3-5 minuta e në dalje për 5-10 minuta. Në dy vendkalimet tjera, Qafë të Prushit dhe Qafë të Morinës, kalohet për më së shumti 3 minuta.
Kjo është sot e përditshmëria Kosovë-Shqipëri në kufirin me porta të hapura e plot fluks, e që para 20 viteve në një reportazh të botuar edhe në Prishtinë edhe në Tiranë, në 19 mars 1996, e përshkruaja si ishte i ndarjes dhe i hekurt – “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”.
“Udhëtimi për në Prizren”, ishte reportazhi që kam shkruar në fundvitin 1996, në kohën e viteve të rënda të okupimit, kur me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave. Personazhi, e nisura nga Arta, jugu i trojeve ku flitet shqip, në kërkimet e saj drejt “Mollës së Kuqe”, ku tregohet se dikur ishte kufiri verior, shkoi edhe në qytetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku ndodhte diç e ngjashme me takimin e parë historik të qeverive të Shqipërisë e Kosovës në 11 janar 2014 pikërisht në Prizren. Edhe ai reportazh është botuar edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, në 31 dhjetor 1996, duke thyer e kaluar me shkrimet shqip kufirin e ndaluar.

Filed Under: Rajon Tagged With: Behlul Jashari, Kosovë-Shqipëri, mbledhje, qeverite, TË PËRBASHKËTA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 198
  • 199
  • 200
  • 201
  • 202
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT