• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidenti Rugova: Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA

December 2, 2015 by dgreca

* GAZETA DIELLI KUJTON PRESIDENTIN HISTORIK TË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA NË DITËN E LINDJES, RIBOTON INTERVISTËN EKSKLUZIVE TË GAZETËS RILINDJA TË DHJETORIT TË PARA 13 VITEVE/

*Kujtojmë sot Presidentin historik, liderin arkitekt i Pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i lindur pikërisht para 71 viteve,  në 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut./

* Gazeta Dielli në SHBA, më e hershmja shqiptare, me këtë rast riboton intervistën ekskluzive të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, të para 13 viteve, dhënë gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja – botim special në ditën e 31 dhjetorit 2002  për festën e Vitit të Ri 2003. Intervista duke nisur nga ballina me kryetitullin “Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA” u botua në 5 faqet – 1,2,3,4 dhe 5./Intervistën me Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova e ka zhvilluar kryeredaktori i gazetës historike e tradicionale Rilindja, Behlul Jashari, aktualisht korrespondent në Kosovë i gazetës Dielli.

*Ne Foto: Presidenti Ibrahim Rugova dhe gazetari Behlul Jashari-interviste fundviti 2002 per Rilindjen/

Intervista e plotë:/Intervistë ekskluzive e Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, dhënë gazetës “Rilindja”/

Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA/

Vlerësimet për progresin në Kosovë janë të përgjithshme – edhe nacionale, edhe ndërkombëtare, ky progres gjithsesi e shpie Kosovën më shpejt në njohjen formale të Pavarsisë.- Gjithsesi njohja formale e pavarësisë së Kosovës do t’i shpejtonte proceset, edhe ekonomike, edhe demokratike, edhe të integrimit të shoqërisë së Kosovës – dhe do të qetësonte edhe rajonin e Evropës Juglindore, apo të Gadishullit Ilirik; do të qetësonte edhe popullin e Kosovës.- Njohja formale e pavarësisë së Kosovës do t’i detyronte edhe disa fqinjë tanë ta pranojnë realitetin e ri që është krijuar pas fushatës së NATO-s për lirinë e Kosovës, do t’i detyronte të bashkëpunojnë dhe do të merrnin fund kalkulimet, manipulimet e ndryshme, disa, nëse mund të shprehem kështu, ëndërrime joreale për Kosovën, që ata kanë nga e kaluara. Njohja e Kosovës nga SHBA-të, Bashkimi Evropian, që do ta formalizonte OKB-ja, do të ishte rruga shumë më produktive, më e drejtë.- Unë insistoj që të njihet Kosova drejtpërdrejt, sepse ne kemi kryer negociata të ndryshme: ju kujtohen Rambujeja dhe Parisi. Pastaj erdhi intervenimi i NATO-s, kur u ndëshkua pala tjetër pse nuk pranoi.

****

Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, priti në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë Kryetarin e Këshillit Drejtues dhe Kryeredaktorin e gazetës “Rilindja”, Behlul Jashari, me ç’rast i dha një intervistë ekskluzive, duke i dhënë kështu edhe mbështetjen e fuqishme institucionale krijimit të mundësive dhe kushteve për rifillimin e botimit të gazetës simbol i traditës së informimit në Kosovë.RILINDJA: Z. President, kemi nderin dhe kënaqësinë që të kemi këtë intervistë në përfundim të një viti historik të bërjes së Kosovës me institucionet e njohura ndërkombëtarisht dhe në pritje të një viti tjetër shumë të rëndësishëm. Fillimisht, Ju lutem, si e vlerësoni vitin 2002?

PRESIDENTI RUGOVA: Ju thatë se është një vit historik, por unë po them i rëndësishëm. Filluan punën institucionet qëndrore apo shtetërore të Kosovës. Në përgjithësi kemi vazhduar rrugën e progresit që po e shënojmë qe tri vite e gjysmë në Kosovë. Kemi një situatë shumë më të mirë të sigurisë, më shumë stabilitet dhe tolerancë. Natyrisht, ende ka probleme, ende ka incidente të ndryshme, por në përgjithësi – edhe ju e dini – është një situatë krejt tjetër. Edhe në planin ekonomik ka pasur një ecje, sidomos të sektorit privat. Sektori shtetëror punon tash me një kapacitet ekonomik më të vogël, dhe këtë sektor duhet ta privatizojmë. Për vitin e ardhshëm presim të vazhdojë gjithsesi në mënyrë më dinamike ky progres që e kemi pasur. Edhe institucionet e Kosovës do të jenë më të përgatitura – pra Kuvendi, Qeveria, Presidenca – po edhe ministritë, edhe shoqëria civile, që të ecim më shpejt në zhvillimin ekonomik, në privatizimin dhe në krijimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë e Kosovës. Po e theksoj këtë sepse kemi një popullatë të re që duhet t’i hapim përspektivë, dhe gjithsesi të krijojmë një stabilitet edhe më të madh politik, që të kemi investime, që të bëhet Kosova atraktive për investime në Kosovë.

RILINDJA: Kosova po bëhet edhe me simbolet shtetërore. Në Festën e Flamurit e të 90-vjetorit të Pavarësisë Shqiptare dolët me propozimin për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës. Para pak ditësh, në 13-vjetorin e LDK-së, partisë që e udhëheqni Ju që nga fillimi si një lëvizje për liri, pavarësi e demokraci, përuruat edhe një monument, një shenjë shtetërore – Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës. Ju lutem të na flisni edhe për këto momente të rëndësishme në rrugën e bërjes së Kosovës shtet.

 PRESIDENTI RUGOVA: Gjithsesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës. Siç e dini, flamurin qe sa vite unë e përdor edhe si stemë të Presidentit të Kosovës, pra si emblemë, edhe në komunikime

ndërkombëtare zyrtare, po edhe të brendshme. Edhe flamurin shtetëror duhet ta kemi, flamur që shpreh specifikën e Kosovës. Tani shenjat kombëtare i përdor Shqipëria si shtet aktual.

Për himnin, do përkujtuar se është ajo kënga e dashur e 1912-tës, që e kanë kënduar të gjithë shqiptarët. Natyrisht do të ketë përpunim artistik, po them standarde artistike, po edhe standarde shtetërore. Për këto do të ndiqen procedurat, pra në konsultim me institucionet e Kosovës, me Parlamentin, me Qeverinë. Po edhe njerëzit le të diskutojnë, le t’i thonë hapur mendimet e veta. Por, besoj se shumica në Kosovë – e popullit, e intelegjencies, e klasës politike – janë dakord që të kemi simbolet tona. E kam marrë këtë si një inisiativë të Presidentit. Është në detyrën time t’i ec këto punë dhe besoj se së shpejti do të kryhen. Në këtë vazhdë ishte edhe përurimi i Shtëpisë së Pavarsisë. Dëshiruam të lëmë një monument, një traditë, atje ku janë krijuar institucionet e para të Republikës së Kosovës. Do të ketë një kompleks të Pavarësisë aty, që do të ketë objekte përcjellëse, ndërsa po ajo shtëpi nismëtare do të ruhet dhe do të ketë edhe karakter muzeal, po edhe aktiv. Do ta mbajmë gjallë atë kompleks. Pra,

të krijojmë edhe një traditë. Ne kemi një traditë me Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, pastaj në Shqipëri është Shtëpa e Pavarësisë në Vlorë, edhe këtu tash Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, që ka simbolikën e vet. Kemi edhe një shenjë të veprimit, sepse të gjithë, i gjithë populli i Kosovës, kemi kaluar nëpër atë shtëpi që ka qenë një shtëpi e shpresës, e pavarësisë, e lirisë dhe e demokracisë.

RILINDJA: Institucionet shtetërore të Kosovës së pasluftës, të zgjedhjeve të lira e demokratike, po përmbyllin vitin e parë të fuksionimit të tyre. Si e vlerësoni këtë periudhë të këtyre institucioneve, Presidencës, Parlamentit e Qeverisë, bashkëpunimin, edhe bashkëqeverisjen, e forcave politike të Kosovës, bashkëpunimin me administratën e OKB – UNMIK-un, si dhe procesin e kalimit të kompetencave nga ndërkombëtarët te vendorët?

PRESIDENTI RUGOVA: Në përgjithësi, ky ishte viti i parë i funksionimit të institucioneve. Ishin çështjet teknike, praktike, kompletimi i Presidencës, do të thotë i administratës, i Qeverisë, i Parlamentit, i ministrive. Më shumë kemi punuar në këtë plan sivjet. Shpresoj se në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm do të kompletohen të gjitha këto institucione, që të jenë efikase. Poashtu ne kemi pasur një bashkëpunim të frytshëm në mes nesh, por gjithsesi edhe në kuadër të ndarjes së pushtetit, pushtetit legjislativ – Parlamenti, ekzekutiv – Qeveria, dhe Presidenti – Presidenca ai pushtet reprezentativ, përfaqësues i Kosovës, por edhe që garanton për funksionimin demokratik të institucioneve të Kosovës. Pra, gjithsesi, Presidenca u ka dhënë përkrahje Parlamentit, Qeverisë, ministrive, edhe shoqërisë civile. Mund të them se në këtë vit në plan të parë ishte funksionimi i institucioneve të Kosovës.Çështja tjetër është raporti me UNMIK-un, me pushtetet e rezervuara me kompetenca. Vitin e ardhshëm shpresojmë se do të punojmë më shumë që të kemi raporte produktive dhe forma produktive të bashkëpunimit me UNMIK-un. Siç e dini, për dy vite kemi punuar së bashku (me UNMIK-un), ndërsa tash janë krijuar institucionet e Kosovës dhe duhet të gjejmë forma më produktive të bashkëpunimit. Siç është e paraparë me dokumente, duhet të ketë bartje graduale të kompetencave në pushtetin nacional, apo pushtetin kombëtar, të Kosovës.

RILINDJA: Nga përfundimi i luftës kanë kaluar vetëm më pak se katër vjet, dhe edhe pse një periudhë e shkurtër, Ju vazhdimisht flisni për një progres të madh në Kosovë, ndërsa bashkësia ndërkombëtare ka vlerësime të larta, siç ishin edhe ato për zgjedhjet parlamentare si «të shkëlqyeshme e më të mirat në rajon», zgjedhjet lokale si «të standardeve evropiane, ndërkombëtare», vlerësime këto të Këshillit të Evropës, të OSBE-së, etj. Cila është rruga nëpër të cilën po shkon Kosova, nga e shpie Kosovën kjo ecje me vlerësime kaq të larta?

 PRESIDENTI RUGOVA: Gjithsesi, vlerësimet për këtë progres janë të përgjithshme – edhe nacionale, edhe ndërkombëtare. Ky progres gjithsesi e shpie Kosovën më shpejt në njohjen formale të Pavarsisë së Kosovës. Po ju përgjigjem kështu shkurt.

Veç kësaj, ky përparim në këto tri vite shpie edhe në rrugën e një zhvillimi më dinamik ekonomik të vendit. Do të thotë janë krijuar parakushte edhe për investime, për zhvillim më të shpejtuar ekonomik.

RILINDJA: Ju për shumë vjet keni folur për një Kosovë të pavarur,euroatlantike, për NATO-n në Kosovë. Ka vite më parë që keni deklaruar se Kosova ka çka t’i ofrojë NATO-s, keni folur për një protektorat ndërkombëtar si fazë kalimtare. Ishte ajo që si një formulë zgjidhjeje e keni theksuar vazhdimisht dhe shumë herë. Si e vlerësoni këtë fazë të zgjidhjes në të cilën ka arritur e nëpër të cilën po kalon Kosova dhe çfarë do të jetë e ardhmja?

 PRESIDENTI RUGOVA: Ky ishte, pra, objektivi yni qe sa vite, synim i popullit të Kosovës. Kërkesën për pavarësi e kam afirmuar unë si President i Republikës së Kosovës, dhe tash si President i Kosovës. Ishte rezultat i bazuar në Referendumin për Pavarësi të popullit të Kosovës që është mbajtur në shtatorin e vitit 1991. Pra, kjo ishte detyrë e institucioneve të Kosovës. E kërkonim edhe prezencën e NAT0-s, që është tashti në Kosovë. Sigurisht që me pavarësinë e Kosovës NATO do të ketë një mandat tjetër në Kosovë, do të ketë baza këtu. Kosova do të jetë anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian, e strukturave euroatlantike. Edhe protektorati që, pas luftës pra, erdhi si një fazë kalimtare, nëpër të cilën tash po kalojmë, edhe që i jep një siguri Kosovës, një perspektivë. Gjithsesi njohja formale e pavarësisë së Kosovës do t’i shpejtonte këto procese – edhe ekonomike, edhe demokratike, edhe të integrimit të shoqërisë së Kosovës – dhe do të qetësonte edhe rajonin e Evropës Juglindore, apo të Gadishullit Ilirik; do të qetësonte edhe popullin e Kosovës.Pra e ardhmja, nëse doni t’ju përgjigjem shkurt, e ardhmja, po edhe e tashmja, është pavarësia e Kosovës, sa më shpejt. Pra, pavarësia formale, se ne de fakto jemi të pavarur. Pavarësia formale do të na hapte shumë dyer në planin e institucioneve financiare, të organizmave ndërkombëtare, në prezencën e drejtpërdrejtë në integrimet veriatlantike.

RILINDJA: E ardhmja e Kosovës, siç thuhet edhe në mesazhet e ndërkombëtarëve, varet nga përmbushja e standardeve të domosdoshme, veçmas të atyre që kanë të bëjnë me komunitetet pakicë. Ju edhe shumë më herët, si kryetar i LDK e President i Republikës së Kosovës, vazhdimisht i keni theksuar, e i theksoni edhe tash, garancitë e shtetit të Kosovës për të drejtat e interesat e pakicave. Çka ofron dhe çka do të bëjë Kosova në përmbushjen e standardeve që kanë të bëjnë me komunitetet minoritare?

 PRESIDENTI RUGOVA: Po, ky, siç thuhet, është një prej standardeve. Po, njohja formale e pavarësisë do të jepte mundësi më të mëdha në të gjitha fushat. Sa i përket minoriteteve, ne kemi pasur progres në këto tri vite e gjysmë në Kosovë. Minoritetet tash janë prezente në Parlamentin e Kosovës, pastaj janë në Qeveri nëpër ministri, kanë dy poste ministrash, dhe tash kanë marrë pjesë në zgjedhjet e dyta vendore për pushtetin lokal. Por, gjithsesi, nuk po e them si sllogan, ka dhe do të ketë garanci dhe mbrojtje për grupet etnike, për minoritetet. Dhe, ju e dini, sot është e lirë gjuha për të gjitha minoritetet dhe po përdoret edhe në Parlamentin e Kosovës, që për një vend që ka dalë menjëherë pas luftës nuk është shumë e lehtë. Ju e dini se minoritetet kanë qenë të përfaqësuara edhe në qeverinë e përbashkët me UNMIK-un, në Këshillin e Përkohshëm Administrativ dhe në Këshillin Transitor, në ministri, në dokumente. Pra, ka progres edhe në këtë plan.Natyrisht, ende është një kohë me plagë nga lufta; janë ende të zhdukurit, ata që ende nuk u dihet fati. Por, vërtetë kemi ecur shumë, sepse populli i Kosovës është një popull tolerant, me bazë, edhe në praktikë, popull që i respekton të tjerët, por gjithsesi edhe pakicat duhet të tregojnë një vullnet që të integrohen. Ne duhet të garantojmë edhe si shtet, edhe si popullatë shumicë, për të ardhmen e tyre, për një integrim ku do ta shohin perspektivën e vet në planin social, ekonomik edhe politik, që ua garanton Kosova.

RILINDJA: Evropa, ku Kosova dhe rajoni dëshirojnë të integrohen, ka edhe standardet e komunikimeve e integrimeve kombëtare, si dhe të bashkëpunimeve midis vendeve. Si e shihni bashëkpunimin e komunikimin ndërshqiptar, bashkëpunimin mes Kosovës e Shqipërisë, po edhe me vendet e tjera fqinje të rajonit?

PRESIDENTI RUGOVA: Ne folëm pak për këto standarde, që i kemi tash në Kosovë. Me pavarësinë, në këto standarde të tjera, që i paraqesin Bashkimi Evropian dhe integrimet euroatlantike, do të shkonim shumë më shpejt. Gjithsesi, një prej pikave është edhe bashkëpunimi rajonal, apo bashkëpunimi me fqinjët. Me Shqipërinë kemi një bashkëpunim të mirë, në trembëdhjetë vjetët e fundit kemi zhvilluar një bashkëpunim me Shqipërinë, që, për shkaqe praktike ka qenë shumë i vështirë, por ka qenë produktiv. Tash pas luftës është një bashkëpunim në të gjitha fushat, në planin ekonomik, politik, etj. Gjatë këtij viti ishte një bum i vogël turistik i kosovarëve në Shqipëri, të cilin besoj se e kanë respektuar edhe autoritetet e Shqipërisë, edhe populli i Shqipërisë. Dhe, natyrisht, duhet të krijojmë edhe mundësi komunikimi, rrugë – rrugën që e kërkojmë ne, Prishtinë-Durrës apo Prishtinë-Lezhë, për në bregdetin shqiptar. Patjetër duhet të punojmë për këtë, duhet t’u krijojmë njerëzve mundësi si pushtet, edhe institucionet shtetërore të Kosovës edhe të Shqipërisë. Kosova ka një bashkëpunim të mirë reciprok me Shqipërinë.Gjithsesi do të bëjmë përpjekje që me Maqedoninë të zhvillojmë marrëdhënie… UNMIK-u bën disa përpjekje. Me Malin e Zi, siç e dini, marrëdhëniet janë të mira kështu, në heshtje. Mali i Zi ka qenë më korrekt në raport me Kosovën. Ndërsa me Serbinë ju e dini se momentalisht UNMIK-u i mban disa marrëdhënie. Është më vështirë, sepse Beogradi ende nuk e ka ndryshuar logjikën e vjetër, ende i ka disa ngarkesa, edhe pse janë bërë ndryshime në Beograd. Por, do të bëjmë përpjekje që me të gjithë fqinjët të kemi marrëdhënie të mira edhe me hapa praktikë.

Për fat të keq, e theksoj edhe këtu, disa fqinjë tanë ende bëjnë pengesa që janë kundër OKB-së, kundër bashkësisë ndërkombëtare. Nuk njihen regjistrimet e targat e makinave të Kosovës, pasaportat e UNMIK-ut, pra të Kosovës…Kemi bërë disa përpjekje, por po ecën shumë vështirë, edhe UNMIK-u ka pasur vështirësi në këtë plan. Pra, ende janë ato alergjitë e vjetra, por shpresoj se shpejt do të thyhen edhe këto.

Përsëri po them, ndoshta dikujt do t’i dukem i tepërt, por njohja formale e pavarësisë së Kosovës do t’i detyronte edhe disa fqinjë tanë ta pranojnë realitetin e ri që është krijuar pas fushatës së NATO-s për lirinë e Kosovës, do t’i detyronte të bashkëpunojnë dhe do të merrnin fund kalkulimet, manipulimet e ndryshme, disa, nëse mund të shprehem kështu, ëndërrime joreale për Kosovën, që ata kanë nga e kaluara. Pra, njohja formale e pavarsisë së Kosovës do të shpejtonte edhe procesin e marrëdhënieve pozitive apo fqinjësore, edhe miqësore, më fqinjët.

RILINDJA: Shqiptarët jetojnë në trojet e veta etnike edhe në disa vende të rajonit, si në Maqedoni, në Luginën e Preshevës në Serbi, në Ulqin – Mal të Zi. Si e shihni të ardhmen, zgjidhjen e çështjes shqiptare, duke pasur parasysh edhe këtë fakt? Lidhur me këtë ekziston qe më se një dekadë edhe Dokumenti i opcioneve i partive politike shqiptare.

 PRESIDENTI RUGOVA: Po, është Dokumenti i ‘tri opcioneve’. Këtë politikë, për fat të mirë, e kemi bërë të gjitha partitë politike të trojeve shqiptare, dhe ai dokument i ka dhënë frytet e veta, do të thotë jemi organizuar. Zgjidhja e çështjes shqiptare, nëse duam të hyjmë kështu, në mënyrë globale, shihet: Shqipëria si shtet, që është e njohur, Kosova e pavarur, shtet i njohur, i integruar në Bashklimin Evropian, në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është një vend që i pari është interesuar për ne dhe na ka ndihmuar, dhe që na ndihmon vazhdimisht. Në Maqedoni shqiptarët gjithsesi të jenë element i shtetit, shtetformues; tash janë bërë hapat e parë, siç është Marrëveshja e Ohrit, pastaj integrimi i shqiptarëve në institucionet e tjera, që do të jenë element me rëndësi. Në Mal të Zi, poashtu, shqiptarët duhet të kenë një administrim të vetin, pra të kenë përfaqësim në nivel të Republikës së Malit të Zi në instiucione; edhe atje ka filluar një proces. Poashtu edhe në Preshevë, në Luginën e Preshevës, ka filluar një proces pozitiv; ka robleme, do të ketë probleme, por disponimet janë pozitive. Natyrisht, po e them në mënyre legale, ne, Kosova, do të interesohemi si shtet për shqiptarët në Mal të Zi, për Luginën e Preshevës, po edhe në Maqedoni, dhe nuk do të përzihemi në punët shtetërore, që të krijojmë çrregullime, siç dëshirojnë disa fqinjë ndaj Kosovës.Po e theksoj për ju, e kam theksuar edhe më parë, në Evropën Juglindore, në këtë pjesë të Evropës e të botës, popujt duhet ta njohin njëri-tjetrin: edhe historikisht, edhe në pikëpamje politike, edhe shtetërore, sespse kjo mungon. Për fat të keq, shumica e popujve në rajonin tonë kanë pasur atë logjikën e dominimit, kanë injoruar shqiptarët në përgjithësi, nuk i kanë njohur, ose janë përpjekur edhe të bëjnë eliminime të ndyshme. Prandaj është një plan perspektiv, për të cilin ne si Kosovë do të punojmë në të ardhmen. Duhet të njohim njëri-tjetrin në rajonin tonë, përndryshe mund të ketë probleme. Mirëpo, është pozitive se në përgjithësi tash në rajonin tonë shikojnë nga Evropa. Këtë nuk e kishim deri para disa vjetësh. Ndërsa ne, shqiptarët, në përgjithësi, kemi shikuar gjithmonë e shikojmë nga Evropa, nga integrimet evroalantike.

RILINDJA: Z. President, të kthehemi edhe një herë te pyetja e parë.Thamë se pas një viti historik Kosova pret një vit tjetër shumë të rëndësishëm. Ka paralajmërime se në vitin 2003, ardhjen e të cilit po e festojmë, do të fillojnë negociatat për statusin, për pavarësisë e Kosovës, që do të njihet edhe ndërkombëtarisht. A mund të na thoni diç më shumë lidhur me këtë?

PRESIDENTI RUGOVA: Ka spekulime të ndryshme se do të fillojnë negociatat, pikëpamje të ndryshme. Këto i shoh si pozitive. Të gjithë po e shohin se kjo është një domosdoshmëri që duhet të bëhet. Por, unë insistoj që të njihet Kosova drejtpërdrejt, sepse ne kemi kryer negociata të ndryshme: ju kujtohen Rambujeja dhe Parisi. Pastajerdhi intervenimi i NATO-s, kur u ndëshkua pala tjetër pse nuk pranoi. Pra, është një epokë e re tani në rajonin tonë, të Evropës Juglindore, ndoshta edhe për shumë perspektiva në Evropë, në plan ndërkombëtar.Njohja e Kosovës nga SHBA-të, Bashkimi Evropian, që do ta formalizonte OKB-ja, do të ishte rruga shumë më produktive, më e drejtë, dhe do të krijonte mundësi më të mëdha për zhvillim të përgjithshëm, ndërsa populli i Kosovës dhe rajoni përgjithësisht do të qetësoheshin.

RILINDJA: Viti i ardhshëm do të jetë edhe i një momenti të rëndësishëm për gjithë njerëzimin, e që ka të bëjë me një shqiptare, Nënën Terezë,Shenjëtërimin e saj, që e ka paralajmëruar edhe Papa Gjon Pali ll, tëcilin në Urimin e Krishlindjeve e keni ftuar të marrë pjesë në vënien e gurthemelit të Katedrales në Prishtinë…

 PRESIDENTI RUGOVA: Po, do të jetë padyshim një vit i veçantë.Parashikohet shenjtërimi i Nënës Terezë. Këto ditë Ati i Shenjtë enjohu, e pranoi, një mrekulli që ka ndodhur me Nënën Terezë, pra, me njerëzit që janë shëruar edhe me kultin e saj, me mrekullinë e saj… Se ajo vetë ishte një mrekulli, një nënë kosovare-shqiptare, por edhe një nënë universale e njerëzimit. Dhe do të jetë edhe ky një simbol i madh për Nënën Terezë, që i takon gjithë botës, po edhe për shqiptarët në përgjithësi, edhe për Kosovën si shtet, që ajo e çmonte, e donte, e respektonte, dhe të cilën e ndihmonte.Ju e dini, veprimi i shoqatës me emrin e Nënës Tereze ka qenë jo vetëm një simbol, por edhe një ekzistencë e njerëzve tanë në planin e shërimit, të mjekësisë, të jetës sociale në Kosovë, që ka luajtur rolin e një ministrie në dhjetë vitet e kaluara. Edhe tash, në kohën e pasluftës, u tregua se kjo shoqatë mund të ekzistojë si pjesë e shoqërisë civile që i duhet shtetit. Pra, do të jetë një simbol për të gjithë shqiptarët. Skënderbeu ishte një simbol i Evropës, i botës – njihet. Nënë Tereza sot është një simbol universal, i njerëzimit, dhe ne jemi krenar që është shqiptare, që ka dalë nga bota shqiptare, prej popullit shqiptar.

Dhe, gjithsesi, edhe katedralja që parashikon Ipeshkvia ta ndërtojë në kryeqyetin e Kosovës do të jetë me rëndësi, një simbol dhe një vepër që i duhet kryeqytetit të Kosovës. Unë, si President i Kosovës, e kam përkrahur, dhe natyrisht e njoftova në emër të popullit të Kosovës Atin e Shenjtë për atë që do të bëjmë. Pra, për Pashkët do të vendosim gurin e themelit të katedrales, që do të jetë një qendër fetare dhe kulturore me objekte përcjellëse, që do të jenë për të gjithë qytetarët e kryeqytetit e të Kosovës. Vërtet na duhet katedralja. Ju e dini: ka qenë në qendër të Prishtinës një kishë e vjetër katolike shqiptare, që është larguar dikund pas viteve 60-të, që është prishur a është shkatërruar. Katedralja në Prishtinë do të jetë edhe një simbol për Kosovën. Do ta përkrahim të gjithë, do ta përkrahin të gjithë qytetarët e kryeqytetit e të Kosovës.

RILINDJA: Z. President, falemnderit për këtë intervistë për botimin special të gazetës «Rilindja» për Vitin e Ri. Kemi edhe një falënderim të madh për Ju zoti President i Kosovës për mbështetjen dhe angazhimet për një zgjidhje institucionale për gazetën tradicionale të Kosovës «Rilindja», të cilës shpresojmë se së shpejti do t’i krijohen kushtet dhe mundësitë të rifillojë botimin e rregullt. Mendojmë që është një rast shumë i mirë që «Rilindja» të rifillojë botimin e rregullt në ditën e përvjetorit të saj të 58-të, më 12 shkurt 2003. Shfrytëzojmë rastin, dhe kemi nderin dhe kënaqësinë, që qysh tash t’Ju ftojmë në festën, në solemnitetin që do të bëjmë, edhe për Ditën e Rilindjes edhe për rifillimin e botimit të gazetës «Rilindja».

PRESIDENTI RUGOVA: Unë ju kam premtuar përkrahje edhe më herët. Duhet të shikojmë, po flas praktikisht, si ta aktivizojmë gazetën, që ka një traditë. S’po flasim më shumë, e dimë të gjithë.

Pastaj, me emrin «Bujku», këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë, pra derisa bëmë edhe Televizionin Satelitor. Kjo ka qenë shumë e rëndësishëme. Pra, ishte një bazë e informimit në Kosovë. Dhe, një mirënjohje për ju dhe të gjithë ata që në këto vite të vështira punuan dhe mbajtën të gjallë informimin në Kosovë.

Duhet të shikojmë praktikisht si të aktivizohet gazeta «Rilindja», t’i sigurohet vendi. Duhet të bisedohet dhe të shihen mundësitë. Edhe zyra ime për informim do të interesohet për këtë çështje; besoj edhe komisioni për media i Parlamentit, që është krijuar tash së voni, edhe institucionet e tjera. Duhet parë punën e statusit të «Rilindjes». Ju mund të jeni si gazetë e pavarur, por duhet të shikojmë sa mund të ndihmoheni nga institucionet tona.Është shumë mirë që gazeta “Rilindja” edhe në këto kushte gjatë kësaj kohe të fundit ka dalë me botime të kohëpaskohshme për ngjarje e data të rëndësishme, duke vazhduar të jetë histori e shkruar e Kosovës, dhe ruan në një mënyrë vazhdimësinë deri në rifillimin e botimit të rregullt.

RILINDJA: Z. President, Ju falënderojmë shumë për këtë përkrahje të madhe për “Rilindjen”. Shfrytëzojmë rastin, kemi nderin dhe kënaqësinë, që t’ Ju urojmë: Gëzuar Vitin e Ri 2003, më shumë shëndet, mbarësi, suksese për Ju dhe për gjithë Kosovën.

PRESIDENTI RUGOVA: Urime, po ashtu, edhe Juve, me shumë suksese dhe për punën që po bëni, për “Rilindjen”, që ta kemi së shpejti përditë. Falemnderit.

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Behlul Jashari, interviste 2012, me presidentin Ibrahim Rugova, Rilindja

Kosova kujton Presidentin historik Rugova në 71 vjetorin e lindjes

December 2, 2015 by dgreca

-Mustafa: Presidenti Ibrahim Rugova, është arkitekt i padiskutueshëm i shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës-/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 2 Dhjetor 2015/ Kosova kujton sot Presidentin historik, liderin arkitekt i Pavarësisë, Dr. Ibrahim Rugova, i lindur pikërisht para 71 viteve,  në 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka përkujtuar Presidentin Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me rastin e shënimit të 71 vjetorit të lindjes. Kryeministri Isa Mustafa, theksoi se Presidenti Ibrahim Rugova, është themeltar i shtetit të Kosovës, burri i madh i këtij vendi, i cili me vizionin, mençurinë, urtësinë dhe vendosmërinë e pashoq, e udhëhoqi popullin e Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, duke e bërë të mundshëm realizimin e këtyre aspiratave shekullore. “Presidenti Ibrahim Rugova, është arkitekt i padiskutueshëm i shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Ai u vu në ballë të rezistencës së popullit të Kosovës, të elitës intelektuale dhe të gjitha forcave të atdhetarëve, duke fituar simpatinë dhe përkrahjen e botës demokratike perëndimore. Ky bashkim vlerash, solli lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, theksoi kryeministri Isa Mustafa. Duke iu referuar trashëgimisë intelektuale, politike dhe shpirtërore që Presidenti Rugova ka lënë pas vetes, kryeministri Mustafa theksoi se me jetën dhe veprën e tij kolosale, Presidenti Rugova është bërë sinonim dhe simbol i epokës që solli pavarësinë e Kosovës. “Qeveria e Republikës së Kosovës me përkushtim maksimal do të vazhdojë rrugën e konsolidimit të shtetësisë, integrimit në strukturat euroatlantike, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rrugë e nisur nga Presidenti Ibrahim Rugova, e cila po vazhdohet me vendosmëri nga qytetarët e Kosovës”, tha kryeministri Isa Mustafa.Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe Kryesia Qendrore e LDK-së, kanë bërë homazhe sot pranë varrit të Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me rastin e 71- vjetorit të lindjes.Kryetari Mustafa dhe anëtarët e Kryesisë së LDK-së, ka vënë kurora lulesh, si dhe kanë përkujtuar jetën dhe veprën e arkitektit të pavarësisë së Kosovës, themeluesit dhe liderit të LDK-së, Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.Të pranishëm në këto homazhe ishin edhe pasardhësit e Presidentit Rugova, Mendim dhe Teuta Rugova.

 Që para më se dy dekadave, Rugova hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte  idenë për shtet. “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, ka thënë shumë prerë  Ibrahim Rugova në  6 tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjitjhshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.Të zhvilluara kështu të ndërmjetësuara e garantuara ndërkombëtarisht bisedimet për statusin – pavarësinë e Kosovës, Presidenti IbrahimRugova i parashikonte e kërkonte në intervisten ekskluzive, të parën të Presidentit të parë të Kosovës dhënë Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), të cilën e zhvillova në shtator 1994.Presidenti Rugova theksonte se, “ne kemi kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta, mandej të bisedohet me serbët për ardhmërinë e Kosovës”.
Bisedimet shqiptaro-serbe duhet të zhvillohen gjithsesi në prani të një pale të tretë të autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do ta udhëhiqte atë, theksonte Presidenti Rugova, dhe shtonte se, kjo palë e tretë duhej të gjendej nga SHBA-të, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

 “Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale…”, theksonte e ritheksonte Presidenti historik, Ibrahim Rugova, Referendumin për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur të 26 deri 30 shtatorit 1991 e vlerësonte “një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë”, fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”…Me Presidentin Rugova bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, në Prishtinë, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës.“Kur Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur kjo shtëpi do jetë muze”, thoshte  Presidenti Rugova në vitet e rënda të nëtëdhjeta të okupimit në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës të shndërruar në seli të institucioneve të Republikës së shpallur.

 “Kjo shtëpi është shtëpi e Pavarësisë së Kosovës, shtëpi e lirisë, shtëpi e demokracisë, shtëpi e rezistencës së gjithanshme të popullit të Kosovës”, thoshte Rugova duke e përuruar muzeun më të ri të kryeqytetit të vendit, në dhjetor 2002. Më pak se një muaj para përurimit të Shtëpisë së Pavarësisë, Presidenti Rugova në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare kishte dalë me propozimin për simbolet shtetërore, për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës.“Gjithsesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës”, thoshte ai në një intervistë poashtu ekskluzive që zhvillova në fundvitin 2002 për gazetën Rilindja.Mes pyetjeve që i bëra Presidentit Rugova, në bashkëbisedim, iu drejtova: “Kosova po bëhet edhe me simbolet shtetërore. Në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare dolët me propozimin për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës. Para pak ditësh, në 13 vjetorin e LDK-së, partisë që e udhëheqni Ju që nga fillimi si një lëvizje për liri, pavarësi e demokraci, përuruat edhe një monument, një shenjë shtetërore – Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës. Ju lutem të na flisni edhe për këto momente të rëndësishme në rrugën e bërjes së Kosovës shtet”.Presidenti Rugova u përgjegj: “Gjithësesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës. Siç e dini, flamurin qe sa vite unë e përdor edhe si stemë të Presidentit të Kosovës, pra si emblemë, edhe në komunikime ndërkombëtare zyrtare, po edhe të brendshme. Edhe flamurin shtetëror duhet ta kemi, flamur që shpreh specifikën e Kosovës. Tani shenjat kombëtare i përdor Shqipëria si shtet aktual.Për himnin, do përkujtuar se është ajo kënga e dashur e 1912-tës, që e kanë kënduar të gjithë shqiptarët. Natyrisht do të ketë përpunim artistik, po them standarde artistike, po edhe standarde shtetërore. Për këto do të ndiqen procedurat, pra në konsultim me institucionet e Kosovës, me Parlamentin, me Qeverinë. Po edhe njerëzit le të diskutojnë, le t’i thonë hapur mendimet e veta. Por, besoj se shumica në Kosovë – e popullit, e intelegjencies, e klasës politike – janë dakord që të kemi simbolet tona. E kam marrë këtë si një inisiativë të Presidentit. Është në detyrën time t’i eci këto punë dhe besoj se së shpejti do të kryhen. Në këtë vazhdë ishte edhe përurimi i Shtëpisë së Pavarsisë. Dëshiruam të lëmë një monument, një traditë, atje ku janë krijuar institucionet e para të Republikës së Kosovës. Do të ketë një kompleks të Pavarësisë aty, që do të ketë objekte përcjellëse, ndërsa po ajo shtëpi nismëtare do të ruhet dhe do të ketë edhe karakter muzeal, po edhe aktiv. Do ta mbajmë gjallë atë kompleks. Pra, të krijojmë edhe një traditë. Ne kemi një traditë me Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, pastaj në Shqipëri është Shtëpa e Pavarësisë në Vlorë, edhe këtu tash Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, që ka simbolikën e vet. Kemi edhe një shenjë të veprimit, sepse të gjithë, i gjithë populli i Kosovës, kemi kaluar nëpër atë shtëpi që ka qenë një shtëpi e shpresës, e pavarësisë, e lirisë dhe e demokracisë”.Flamuri i Dardanisë, i dizajnuar sipas idesë së Presidentit historik Rugova dhe Flamuri Kombëtar Shqiptar janë të vendosur pëjetshëm në të dy anët e Flamurit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Shtëpinë e Pavarësisë me emrin e Ibrahim Rugovës. Në 21 janar 2006, kaloi në amshim njeriu që bëri epokë, Presidenti historik Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke lënë me veprën e tij jetësore gjithmonë ndezur dritën e të ardhmës për Kosovën shtet euroatlantik.Më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik të Pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit.

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, kosova kujton, PRESIDENTIN RUGOVA

Presidentja Jahjaga:Shqipëria e pavarur e bëri të mundur Kosovën shtet

November 27, 2015 by dgreca

-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga: Mëvetësia e Shqipërisë ka treguar se sa e rëndësishme është liria e një populli dhe përfshirja e tij në proceset e përparimit edhe për Evropën në tërësi. Shekulli i kaluar filloi me pavarësinë e Shqipërisë dhe u përmbyll me lirinë e Kosovës/

Nga Behlul Jashari/  PRISHTINË, 27 Nëntor 2015/ Shqipëria e pavarur e bëri të mundur Kosovën shtet, tha mbrëmë në Prishtinë Presidentja kosovare, Atifete Jahjaga, në pritjen e organizuar nga ambasadori shqiptar Qemal Minxhozi me rastin e shënimit të 103 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

 “Nuk ka një ditë më të veçantë në historinë e popullit shqiptar sesa kjo Ditë e Flamurit, që sublimon gjithë përpjekjet e sakrificën e popullit për pavarësinë e tij. Nuk ka një Ditë më të shënuar në historinë e popullit shqiptar se sa kjo Festë që bën bashkë të gjithë, që lirinë dhe pavarësinë e ndjejnë si vlerën më të lartë njerëzore”, theksoi ajo.

 Jahjaga tha se, kjo është Dita që ka mbajtur të gjallë frymën dhe ëndrrën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve për të ecur papenguar në rrugën e zhvillimit dhe të përparimit, në kohë të ndryshme – sa të vështira dhe sfiduese – por me një qëllim të vetëm për të qenë pjesë e pandashme e vlerave demokratike në botë.

“Dhe mëvetësia e Shqipërisë ka treguar se sa e rëndësishme është liria e një populli dhe përfshirja e tij në proceset e përparimit edhe për Evropën në tërësi”, vijoi Presidentja e Kosovës.

 Në vijim, Jahjaga tha se kjo është gjithashtu Dita që ka mbajtur përjetësisht të fuqishëm e të gjallë jo vetëm mishërimin por edhe synimin dhe aspiratën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, dhe për një të ardhme ndryshe dhe po aq të qartë – për t’u bërë bashkë pjesë e rëndësishme e familjes evropiane.

“Shqipëria e pavarur e bëri të mundur Kosovën shtet të pavarur e sovran – një realiteti të pandalshëm dhe të pakthyeshëm, një garanci e  paqes jo vetëm në rajon dhe një vend i barazisë dhe i lirisë si dhe shembull i diversitetit kulturor e fetar. Të dyja shtetet sot janë bërë pjesë të pandashme të arkitekturës globale të sigurisë dhe përpjekjeve të botës demokratike për t’i bërë ballë sfidimeve ekstremiste me qëllim të ruajtjes së vlerave njerëzore – besimit në njëri tjetrin dhe jetës së përbashkët”, theksoi Presidentja kosovare.

 Ajo u shpreh se, shekulli i kaluar filloi me pavarësinë e Shqipërisë dhe u përmbyll me lirinë e Kosovës.

“Ky shekull na gjen  të  rreshtuar së bashku në idenë, synimin dhe përpjekjen për integrimet evropiane, si demokraci që ndërtohen e maturohen për çdo ditë, pavarësisht sfidave, bazuar në themelet e sundimit të ligjit dhe të rendit, ku respektohet çdo liri e secilit qytetar, me përgjegjësi e obligime për shtetin, që garanton të ardhmen e tyre të përparuar”, tha  Jahjaga.

 Në përmbyllje, duke iu drejtuar ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, përgëzoi: “Ambasador Minxhozi, për ju dhe gjithë ambasadën, urime! Urime Shqipëri! Zoti i bekoftë dy shtetet tona”.

Në pritjen me rastin e 103 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipësë, organizuar nga ambasadori shqiptar Minxhozi, në hotel Amazona, ishin edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ambasadorë, ministra e deputetë, të zgjedhur vendorë, njerëz të artit, kulturës, biznesit, etj.

Kontigjenti ushtarak i Shqipërisë në ambientet e KFOR-it parmbrëmë festoi 103 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Të ftuar ishin dhe përfaqësues të misioneve të tjera ushtarake. Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Minxhozi mbajti një fjalë rasti.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, kosova, Mvetesia e Shqiperise, Presidentja Jahjaga

Pandeli Majko në Kosovë-28 Nëntori – Urimie për të gjithë shqiptarët

November 24, 2015 by dgreca

-Pandeli Majko në Kosovë: Festa e 28 Nëntorit na fton të reflektojmë. Ajo nuk është një festë që nxit ndarje, por nxit bashkëpunim dhe negociata/-Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli priti sot në takim ish-kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Pandeli Majko/Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 24 Nëntor 2015/ Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, i cili ishte në krye të qeverisë shqiptare në kohën e luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-99, sot në Prishtinë dha mesazhin se, Festa e 28 Nëntorit na fton të reflektojmë, ajo nuk është një festë që nxit ndarje, por nxit bashkëpunim dhe negociata.Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli priti sot në takim ish-kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Pandeli Majko.Në prag të 28 Nëntorit, Veseli dhe Majko përcollën mesazhe urimi për të gjithë shqiptarët, me porosinë që ajo të shënohet në frymën e mirëkuptimit vëllazëror dhe mirëbesimit ndërqytetar.Në takim zyrtar, njëkohësisht edhe midis miqsh, u evokuan kujtimet e përbashkëta të kohës së Luftës çlirimtare dhe këmbyen ide për gjendjen në rajon dhe tejkalimin e situatës në Kuvendin e Kosovës.Kryetari Veseli falënderoi ish-kryeministrin Majko për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për Kosovën nga të gjitha pozitat e tij drejtuese, në kohë dhe rrethana të ndryshme, që nga Lufta çlirimtare, kur Majko ishte në krye të ekzekutivit shqiptar.Kryeparlamentari Veseli çmoi lart bashkëpunimin që Kosova dhe Shqipëria kanë ndërmjet tyre, duke e konsideruar atë shembull për vendet e tjera në rajon. Kreu i Kuvendit shfaqi interesimin dhe gatishmërinë për t’i vazhduar marrëdhëniet e tilla me Tiranën zyrtare në të gjitha fushat, duke i kultivuar dhe intensifikuar më tej ato, në të mirë të të dyja vendeve, veçanërisht lëmin parlamentar.

Lidhur me zhvillimet aktuale në skenën politike të Kosovës, ishte dakordim i përbashkët nevoja e komunikimit midis subjekteve politike, i cili do t’i hapte rrugë arritjes së një konsensusi të përbashkët, në të mirë të qytetarëve të Kosovës dhe përmirësimit të jetës sociale e ekonomike të tyre, zhvillimit të shtetit ligjor dhe demokracisë parlamentare.

Ish-kryeministri Majko, nga ana e tij, tha se çdo vizitë në shtëpinë e tij të dytë, siç e konsideroi ai Kosovën, përcillet me emocion të veçantë, ndërsa këtë radhë, edhe me shqetësim për situatën e krizës politike në Prishtinë, e cila shpesh herë, sipas tij, eksportohet si kulturë nga Tirana zyrtare. Por, ai u shpreh i bindur se gjërat do të shkojnë në drejtimin e duhur.
“Ne kemi një varg shumë të bukur te Himni Kombëtar, ‘Rreth flamurit të përbashkuar’. Mendoj se 28 nëntori nuk është një festë që nxit ndarje, por nxit bashkëpunim dhe negociata, sepse shqiptarët kanë ditur që në momentet më të vështira për vendin të falin edhe gjakun, e jo më të tejkalojnë inatet politike të natyrave të ndryshme, nga më të drejtat, deri në më të gabuarat. Festa e 28 Nëntorit na fton të reflektojmë”, theksoi Majko.
Ai shprehu optimizmin se të gjithë ata që janë pjesë e kujtimeve të tij, e që sot veprojnë nëpër parti të ndryshme politike, kanë mundësitë që në prag të Festës së Flamurit të gjejnë një gjuhë të përbashkët, me qëllim që t’i japin Kosovës atë që meriton, një ëndërr për të nesërmen, për të vazhduar rrugën e cila ka të bëjë jo vetëm me Kosovën, por me të gjithë shqiptarët.
Ndërsa, pas takimit, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka shkruar në ‘facebook’:
“Në takim me mikun tim, ish kryeministrin dhe tash deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Pandeli Majkon, evokuam kujtimet e përbashkëta të kohës së Luftës çlirimtare dhe këmbyem ide për gjendjen në rajon dhe tejkalimin e situatës në Kuvendin e Kosovës.
Po ashtu, së bashku, ua uruam shqiptarëve kudo që janë, Ditën e Flamurit, që kjo festë të shënohet në frymën e mirëkuptimit vëllazëror dhe mirëbesimit ndërqytetar”.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Kosove, ne Kosove, Pandeli majko, Veseli

Korpusi amerikan i Paqes në Kosovë

November 23, 2015 by dgreca

Korpusi amerikan i Paqes në Kosovë, ndihmë të gjitha komuniteteve/
-Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, në takim lamtumire me drejtorin e Korpusit amerikan të Paqes në Kosovë, Stephen Kutzy i cili shoqërohej nga drejtoresha e re, Darlene Grant/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 23 Nëntor 2015/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim lamtumire drejtorin e Korpusit amerikan të Paqes në Kosovë, Stephen Kutzy i cili shoqërohej nga drejtoresha e re e këtij korpusi, Darlene Grant.
Presidentja Jahjaga çmoi lartë kontributin e Kutzy si drejtori i parë i Korpusit amerikan të Paqes në Kosovë. Ajo theksoi se angazhimi i Kutzy dhe i të gjithë vullnetarëve është shumë i rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve midis qytetarëve të Kosovës dhe popullit amerikan si dhe për thellimin e miqësisë midis dy vendeve.
Në të njëjtën kohë, Presidentja Jahjaga i dëshiroi mirëseardhje në Kosovë drejtoreshës së re të Korpusit amerikan të Paqes, Darlene Grant dhe e inkurajoi atë për të vazhduar me sukses misionin e filluar nga Kutzy, që përmes angazhimit të vullnetarëve, t’i ofrohet ndihmë të gjitha komuniteteve që jetojnë nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës.
Drejtori i Korpusit amerikan të Paqes në Kosovë, Stephen Kutzy, e falënderoi Presidenten Jahjaga për mbështetjen që institucionet dhe qytetarët e Kosovës i kanë ofruar atij personalisht por edhe vullnetarëve të Korpusit amerikan të Paqes.
Në Kosovë, në gusht 2015 filluan shërbimin për dy vitet e ardhshme 36 vullnetarë amerikanë të Korpusit të Paqes, të grupit të dytë, të cilët kanë përfunduar trajnimin parapërgatitor në komunitete kosovare.
Grupi i parë i Korpusit të Paqes i SHBA-ve kishte 25 vullnetarë, të cilët patën dhanë betimin solemn në gusht 2014, poashtu pas trajnimit parapërgatitor në komunitetet në Kosovë.
Korpusi i Paqes në Kosovë ka nisur programin që nga data 9 shator 2013, kur edhe ështe nënshkruar marrëveshja ndërshtetërore ndërmjet Korpusit të Paqes dhe Republikës së Kosovës.
Korpusi i Paqes pret një marrëdhenie të gjatë dhe të frytshme me popullin dhe qeverinë e Kosovës, grupi i tretë i përbërë nga 40 vullnetarë është paraparë të mbërrij në vitin 2016.
Korpusi i Paqes ka rrënjët në vitin 1960 kur senatori i atëhershëm John F. Kennedy i sfidoi studentët e Universitetit të Michigan-it për t’i shërbyer shtetit të tyre në kauzën e paqes duke jetuar dhe punuar në shtetet në zhvillim.
Nga ky frymëzim u ngrit një agjenci e qeverisë federale e përkushtuar ndaj paqes dhe miqësisë botërore. Tre qëllimet e saja fillestare mbeten të njëjta: T’i ndihmojë popujve të shteteve që janë të interesuara për t’i plotësuar nevojat e tyre për persona të kualifikuar; të ndihmojë në promovimin e të kuptuarit më të mirë të amerikanëve nga ana e popujve që shërbehen; të ndihmojë në promovimin e të kuptuarit më të mirë të popujve tjerë nga ana e amerikanëve.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, Korpusi amerikan i Paqes, ne Kosove

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 207
  • 208
  • 209
  • 210
  • 211
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT