• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA KËRKON TË ZHDUKURIT E LUFTËS

November 20, 2020 by dgreca

-Ministrja Hardinaj-Stublla bën kërkesë zyrtare për ta vizituar lokacionet e varrezave masive në Serbi/

PRISHTINË, 20 Nëntor 2020–Gazeta DIELLI/ Ministrja Kosovare e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka bërë kërkesë zyrtare për të realizuar të shtunën, me 21 nëntor, një vizitë në vendet e varrezave masive ku ditëve të fundit u gjetën trupat e shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë, e që së shpejti pritet të nisë procesi i zhvarrosjes së tyre.
Ajo ka shprehur vendosmërinë e saj për të qenë afër familjarëve që kanë humbur më të dashurit e tyre në mënyrën më ç’njerëzore nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit, duke lartësuar sakrificën dhe dhimbjen e tyre duke kërkuar përgjegjësinë dhe drejtësinë, 21 vjet pas!

Shefja e diplomacisë Kosovare pret që ta realizojë këtë vizitë dhe përmes saj ta sheh nga afër procesin e gërmimeve dhe ta sensibilizojë ndërkombëtarisht të vërtetën kriminale për fshehjen e qëllimshme që është bërë dhe po bëhet nga Serbia të varrezave masive të shqiptarëve nëpër Serbi.

KOMUNIKATË PËR SHTYP E EULEX-it:

Sqarimi për Kizhevakun: ekspertët e EULEX-it e përshkruajnë mënyrën se si e identifikuan ata lokacionin e saktë ku u zbuluan mbetjet mortore…

Të hënën më 16 nëntor 2020, ekspertët nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur zbuluan mbetje mortore në Kizhevak, ku ndodhet një gurore e madhe në Serbi.

Ekspertët e EULEX-it kanë kryer gërmime në Kizhevak që prej vitit 2015. Pas disa sezonave të pasuksesshme të gërmimeve në Kizhevak, në vitin 2020 ndodhi një përparim falë shfrytëzimit të imazheve fotografike nga ajri.

“Problemi ishte se këto janë lokacione guroresh të mëdha dhe se peisazhi ka pësuar ndryshime të vazhdueshme me kalimin e kohës për shkak se kjo gurore ka qenë në përdorim ende për një numër të viteve,” tha Javier Santana, arkeolog forenzik i EULEX-it. Procesi i identifikimit të vendndodhjes së saktë të mbetjeve mortore ishte komplikuar edhe më shumë për shkak të faktit se në këtë minierë janë katër deri pesë galeri ku secila ka një lartësi prej përafërsisht 13 metrash.

Pas kërkesës së EULEX-it për t’i marrë imazhet fotografike nga ajri të vitit 1999, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ia siguroi imazhet fotografike nga ajri Komisionit Qeveritar të Kosovës për Personat e Zhdukur dhe Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur në fund të vitit 2019.

“Ne i pranuam imazhet fotografike nga ajri në fund të vitit 2019. Mes fundit të vitit 2019 dhe fillimit të vitit 2020, koordinatori i EULEX-it për zhvarrime Krassimir Nikolov dhe unë i kemi analizuar fotografitë. Në bazë të analizave tona ne u kthyem në atë lokacion në muajin shkurt 2020 dhe e piketuam vendndodhjen e saktë të këtij lokacioni. Kjo është koha kur filloi puna gjatë këtij viti”, tha Santana.

Pas identifikimit të lokacionit, ekspertët nga EULEX-i, Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur kanë kryer punën në terren në Kizhevak, e cila solli deri te zbulimi i mbetjeve mortore.

“Puna në Kizhevak është larg nga të përfunduarit. Procesi është shumë i ndërlikuar dhe merr shumë kohë. Për të pasur mundësi të vazhdohet puna, duhet të ketë një urdhër gjykate. Pas kësaj, hapi tjetër është që të vazhdohet me zhvarrimet dhe gjetjen e mbetjeve mortore. Pasi të gjinden mbetjet mortore, duhet të bëhet autopsia dhe do të merren mostrat e eshtrave për testet e profilit të ADN-së. Në rastet ku të afërmit e ndonjë personi të zhdukur i kanë dhënë mostrat e gjakut dhe do të ketë raport për përputhje pozitive të ADN-së, procesi i identifikimit përfundon. Pastaj, familjet informohen për identifikimin dhe atyre u dorëzohen mbetjet mortore të personit të zhdukur”, tha Koordinatori i EULEX-it për zhvarrime, Krassimir Nikolov.

“Zbulimi i mbetjeve mortore në Kizhevak është një zhvillim tejet pozitiv dhe shpërblim për përpjekjet tona të vazhdueshme për ndriçimin e fatit të më shumë se 1640 personave, të cilët janë ende të pagjetur në Kosovë. Çështja e personave të zhdukur është çështje e të drejtave të njeriut. Ajo ka të bëjë me të drejtat e njeriut të afërmëve për të kuptuar se çfarë u ka ndodhur më të dashurve të tyre”, tha Zëvendës Drejtorja e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Tarja Formisto. Formisto u bëri thirrje edhe një herë të afërmëve të gjithë personave të zhdukur që t’i japin mostrat e gjakut për ta lehtësuar procesin e identifikimit.

Nga fillimi i mandatit të EULEX-it deri më 19 nëntor 2020, EULEX-i i ka kryer 662 operacione në terren për gjetjen e personave të zhdukur, përfshirë 169 zhvarrime. Janë identifikuar mbetjet mortore të 457 personave, përfshirë edhe ato të 317 personave të zhdukur.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, kosova

Kosova, çmime për Dramë Origjinale Shqipe

November 11, 2020 by dgreca

Ndahen çmimet për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2020, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Qeverinë e Kosovës, Vlora Dumoshi, ka nënshkruar vendimet/ 

PRISHTINË, 11/ 11/ 2020 – Gazeta DIELLI/ Në Kosovë sot, 11 Nëntor 2020, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka nënshkruar vendimet për çmimet për laureatët për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2020, në bazë të vlerësimeve të Jurisë Profesionale. 

Çmimi i parë për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2020 i ndahet dramës “Cari i Carave”, të autorit Agim Sopi; Çmimi i dytë për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2020 i ndahet dramës “ Shtëpia e të humburve “, të autorit Zgjim Baraliu; Çmimi i tretë për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2020 i ndahet dramës – “ Era”, të autores Albana Muja. 

Ministrja Dumoshi me rastin e nënshkrimit të vendimeve i uroi laureatët për çmimet duke e vlerësuar dhe marrë në konsideratë punën e jurisë profesionale. 

“I uroj fituesit e çmimeve sivjet dhe i falënderoj autorët e dramave për sjelljen e këtyre dramave në jetë duke kontribuuar kësisoj në krijimtarinë artistike për këtë vit. Si ministri përmes këtyre çmimeve ne e tregojmë mirënjohjen për autorët që shkruajnë drama si dhe nxisim krijimtarinë e vlerat e mirëfillta”, tha mes tjerash ministrja. 

Në bazë të vendimeve të nënshkruara nga ministrja Dumoshi, çmimi i parë shoqërohet me shpërblim financiar prej 3600 euro, i dyti me 2400 euro dhe i treti me 1200. 

Çmimet u janë ndarë laureatëve pa ceremoni të organizuar ashtu siç edhe tradicionalisht MKRS-ja i ndan këto çmime, për arsye se njëri prej tyre është i infektuar me virus dhe kjo gjë ka pamundësuar një organizim të këtillë. 

Juria Profesionale ka qenë në përbërje të Selman Jusufi – kryesues, dhe anëtarët: Arian Krasniqi – dramaturg, Ilir Bokshi – regjisor, Naser Shatrolli – dramaturg (përfaqësues i MKRS-së) dhe Adrian Morina – aktor. 

Filed Under: Kulture Tagged With: Behlul Jashari, çmime për Dramë, kosova, Ministrja Vlora Dumoshi, origjinale

KOSOVË-SPECIALJA NË VEPRIM DREJT HAGËS, EDHE PRESIDENTI THAÇI

November 5, 2020 by dgreca

-Presidenti Hashim Thaçi dha sot dorëheqje pas konfirmimit të aktakuzës nga Specialja dhe para nisjes drejt Hagës. Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, po sot ka marrë zyrtarisht funksionin e ushtrueses së detyrës të Presidentes së Kosovës-

 PRISHTINË,  5 Nëntor 2020-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dha sot dorëheqje, pasi ishte informuar nga Zyra e Prokurorit të Dhomave të Specializuara se gjyqtari i procedurës paraprake ka konfirmuar aktakuzën kundër tij.

“Nuk do të lejojë që para gjyqit të dal si President prandaj për të mbrojtur integritetin e shtetit unë sot jap dorëheqje”, deklaroi Thaçi në konferencë shtypi, pas së cilës u nis drejt selisë në Prishtinë të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe pritet udhetimi edhe drejt Selisë së Gjyakëtës Speciale në Hagë.

Gjatë luftës në Kosovë të përfunduar në pranverën e lirisë 1999, nga viti 1997 Hashim Thaçi ishte udhëheqës i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa ishte edhe Kryeministër i Kosovës.

Në përputhje me obligimet kushtetuese, pas dorëheqjes së Presidentit  Hashim Thaçi, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani, po sot ka marrë zyrtarisht funksionin e u.d. të Presidentes së Kosovës.

Ceremonia e pranim- dorëzimit është bërë në prezencën e stafit të Presidencës dhe kryetares së Kuvendit të Kosovës.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli njoftoi sot se, dje pasdite ishte informuar nga Zyra e Prokurorit të Dhomave të Specializuara se gjyqtari i procedurës paraprake ka konfirmuar aktakuzën kundër tij dhe se ka bërë aranzhimet e nevojshme për të udhëtuar vullnetarisht drejt Hagës në mënyrë që t’iu përgjigjem këtyre akuzave.

Dje, ish zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi,  i cili pas luftës kishte edhe poste të larta politike si Kryeparlamentar e ushtrues i detyrës së Presidentit etj, u arrestua dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), në Hagë. Arrestimi u krye nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në bazë të një aktakuze të konfirmuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe në zbatim të fletarrestimit dhe urdhrit për transferim, të lëshuara nga gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Edhe deputeti Rexhep Selimi ka konfirmuar se ka marrë një njoftim nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale se ndaj tij ka një aktakuzë të konfirmuar dhe se të enjten do të udhëtojë në Hagë. Selimi ka qenë drejtor i Operacioneve pranë Shtabit të Përgjithshëm, ndërsa me vonë Inspektor i Përgjithshëm i UÇK-së.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, DREJT HAGËS, EDHE PRESIDENTI THAÇI

BOTOHET KOMPLETI I VEPRAVE TË ANTON ÇETTËS

November 4, 2020 by dgreca

PRISHTINË, Nëntor 2020- Gazeta DIELLI/Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës dërgoi me 3 nentor këtë komunikatë: 

Botohet kompleti i veprave të Anton Çettës në 25-vjetorin e tij të vdekjes/

Sot bëhen 25 vjet që prej kur është ndarë nga jeta atdhetari, patrioti, mbledhësi i folklorit e shkrimtari ynë i madh, Anton Çetta. Për nder të figurës së tij, me propozim të Ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, Qeveria e Kosovës, ka marrë vendim që muaji nëntor të jetë muaji i Anton Çettës. 

Në kuadër të këtij muaji janë planifikuar që të organizohen një sërë aktivitetesh në nderim dhe kujtim të kësaj figure të ndritshme të Kosovës, por për shkaqe pandemie shumë nga organizimet do të mbahen në mënyrë online ose me sa më pak njerëz të grumbulluar për të respektuar rekomandimet e institucioneve shëndetësore. 

Aktivitetet kanë nisur nga sot me botimin e kompletit të veprave të Anton Çettës, të cilat i prezantoi Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, në një takim me Ministren e Financave, Hykmete Bajrami. Ndonëse sot parashihet që të bëhej edhe promovimi i kompletit të veprave, mirëpo për shkak të rrethanave me Covid-19, organizimi një promovimi të tillë ishte i pamundur. 

Kompleti i veprave të Çettës përmban 13 vëllime, duke përfshirë krijimet për fëmijë, përmbledhjen e folklorit në 5 vëllime, kërkimet folklorike, balada dhe legjenda, këngë kreshnike, varia, të tjerët për veprën e Anton Çettës janë përmbledhur në një vëllim, Anton Çetta dhe aksioni i pajtimit të gjaqeve dhe vëllimi i fundit Intevista dhe letërkëmbime. Botimi i kompletit është mbështetur nga MKRS-ja dhe Qeveria e Kosovës. 

Ministrja Dumoshi me këtë rast tha se e falënderon Ministren Hykmete Bajrami për mbështetjen që i ka dhënë këtij botimi, përmes Ministrisë së Arsimit, si ish ministre e Arsimit. 

Ministret Dumoshi e Bajrami e vlerësuan lart figurën e Çettës dhe u shprehën se përmes këtyre aktiviteteve Qeveria e Kosovës e nderon dhe e çmon figurën e tij. 

Në përvjetorin e Anton Çettës, ministret Dumoshi e Bajrami qëndruar për homazhe tek varri i tij, në Prizren, së bashku profesor Rizah Krasniqin, si rikujtim dhe përulje për angazhimin dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm për pajtimin e mijëra familjeve të hasmuara dhe në çrrënjosjen e dukurisë së keqe të gjakmarrjes. 

“Aksioni për Pajtimin e Gjaqeve bëri që viti 1990 të futej në histori si viti kur kjo plagë do të zhdukej rrënjësisht. Si institucione të shtetit të Kosovës e kemi për obligim dhe detyrim që historinë e Kosovës ta kujtojmë dhe nderojmë brenda të gjithë mekanizmave institucionalë që posedojmë”, tha ministrja Dumoshi. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Behlul Jashari, kompleti i veprave, në 25-vjetorin e tij të vdekjes, të Anton Çettës

“Mbetëm pa një emër të shquar të kulturës kombëtare”…

November 3, 2020 by dgreca

SPECIALE – Para 25 viteve u shua Anton Çetta, Ditë Zie e shpallur nga Presidenti Rugova/

-Në Kosovë Nëntori 2020 Muaji i Anton Çettës, Qeveria e Program aktivitetetesh, disa mbahen edhe në Shqipëri/

-Anton Çetta i lindur në 3 Janar 1920 në Gjakovë, i shkolluar edhe në Tiranë dhe Korçë, profesor letërsie, shkrimtar e mbledhës i shquar i folklorit, u shua në 3 Nëntor 1995 në Prishtinë, kur në nderimet e gjithë kombit u shpall Ditë  zie në Kosovë nga Presidenti historik Ibrahim Rugova, i cili e ka derkoruar me “Medaljen e artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” në 10 Qershor 2003, në 125 vjetorin e ngjarjes historike/

-Nga raportimet e gazetës së rezistencës Bujku para 25 viteve – Presidenti Rugova: Profesor Anton Çetta do të mbetet njëri prej burrave më të mëdhenj të botës shqiptare…Ishte institucion i urtisë shqiptare…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 3  Nëntor 2020/ Në Kosovë ky Nëntor 2020 është Muaji i Anton Çettës, i shpallur nga Qeveria në 100 vjetorin e lindjes dhe 25 vjetorin e shuarjes, që është sot, si dhe në 30 vjetorin e nisjes së aksionit të pajtimit mes shqiptarëve – pajtimit të gjaqeve, të cilit i printe.

Anton Çetta i lindur në 3 Janar 1920 në Gjakovë, i shkolluar edhe në Tiranë dhe Korçë, profesor letërsie, shkrimtar e mbledhës i shquar i folklorit, u shua në 3 Nëntor 1995 në Prishtinë, kur në nderimet e gjithë kombit u shpall Ditë  zie në Kosovë nga Presidenti historik Ibrahim Rugova, i cili e ka derkoruar me “Medaljen e artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” në 10 Qershor 2003, në 125 vjetorin e ngjarjes historike. “Medalja e Paqes dhe Pajtimit Anton Çetta” është një nga dekoratat që ndante Presidenti Rugova që nga 24 Dhjetori 2003, kur nënshkroi Rregulloren për dekoratat që i jep institucioni i Presidentit të Kosovës.

Anton Çetta është dekoruar edhe nga Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu  me “Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm-Dr. Ibrahim Rugova” , në  30 Prill 2010 – 20 vjetorin e Kuvendit të Pajtimit të Verrat e Llukës. Para  30 viteve, në 1 Maj 1990,  te Verrat e Llukës në rrethinën e Deçanit gjysëm milioni  shqiptarë u tubuan në Kuvendin e Besëlidhjes shqiptare dhe të nisjes së aksionit të pajtimit të gjaqeve, i cili në rrethanat më të vështira të okupimit i ka bashkuar drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Profesor Anton Cetta do të mbetet njëri prej burrave më të mëdhenj të botës shqiptare. Vepra e tij e madhe ishte udhëheqja e aksionit të madh kombëtar e njërëzor – pajtimi i gjaqeve në fillim të viteve ’90-të…Profesori Anton  kontribuoi në forcimin e rrugës për liri e pavarësi duke u zgjedhur deputet i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e para të lira. Kisha nderin të jem student i tij dhe ta kam mik”, shprehej Presidenti Rugova para 25 viteve në mbledhje komemorative.

Në muzeun “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova” në Prishtinë ruhet një fotografi krejt e veçantë, e Anton Çettës me Presidentin historik Ibrahim Rugova, e cila e vetme i ka shpëtuar djegies nga zjarri i vënë në atë shtëpi nga forcat serbe para 21 viteve – në pranverën 1999.

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe Programin e aktiviteteve gjatë nëntorit në përkujtim dhe nderim të jetës dhe veprës së Anton Çettës, disa prej të cilave do mbahen edhe në Shqipëri:

Përurimi i veprave të Anton Çettës;   Përurimi i Kullës se Fazli Buqollit në Raushiq, investim i Ministrisë se Kulturës, Rinisë dhe Sportit;  Këndi i Anton Çettës – ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Kosovës;  Emisione Televizive- RTK, shfaqja e emisioneve dhe dokumentareve te vjetra dhe punimi i një dokumentari të ri;  Simpozium shkencor në Prishtinë dhe Tiranë; Ekspozitë e fotografive ne Prishtinë dhe Tiranë – Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Muzeu Kombëtar i Kosovës dhe Muzeu Historik në Tiranë;  Themelimi i Çmimit “Anton Çetta”.

Në 4 Maj 2017 Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, ka aprovuar kërkesën e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Pejës për përfshirjen e hapësirës Verrat e Llukës, në Fshatin Llukë të Epërme të Komunës së Deçanit, në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje.

Me atë rast u theksua se, me këtë akt institucionet e Kosovës shtet nga 17 Shkurti historik 2008 i shpalljes së Pavarësisë, tregojnë e vijojnë kujdesin e shtuar ndaj trashëgimisë kulturore të Kosovës, të cilën e marrin në mbrojtje, e promovojnë dhe ua përcjellin brezave si vlerë e shtetit të Kosovës. 

Gazeta Bujku, e përditëshme e rezistencës, e lëvizjes për liri e pavarësi të Kosovës, me orientim e përcaktim të fuqishëm propërëndimor euroatlantik që nisi të dalë  nga 18 Janari 1991, kryeredaktori i parë-themelusi i së cilës isha, e që sfidonte ndalimin e dhunshëm nga regjimi okupator serb të gazetës Rilindja – të vetmes të përditshme shqipe në Kosovë, në numrin e  6 Nëntorit 2005 – ditë e hënë, në ballinë e në dy faqe tjera të brendshme shkruante gjerësisht, duke nisur me mbititullin “Të premtën kah mesnata vdiq Profesor Anton Çetta” dhe me kryetitullin “Mbetëm pa një emër të shquar të kulturës shqiptare”.

“Kumti i rëndë dhe i dhembshëm se të premtën në mbrëmje, në Prishtinë, në moshën 75 vjeçare, vdiq intelektuali ynë i shquar Anton Çetta, jehoi pikëllueshëm ndër të gjitha mjediset shqiptare”, shkruante gazeta Bujku, e cila lart në ballinë kishte kryelajmin.

ME RASTIN E VDEKJES SË ANTON ÇETTËS

Sot ditë zie në Republikën e Kosovës

Presidenti i Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, me rastin e vdekjes së deputetit më të vjetër – Anton Çetta, të zgjedhur në zgjedhjet shumëpartiake dhe të lira për Parlamentin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 24 maj 1992, shpalli ditë zie 6 nëntorin e vitit 1995.

Në ballinë Gazeta Bujku shkruante edhe për ngushëllimet nga Shqipëria me titullin “Presidenti Berisha ngushëlloi Rugovën dhe Familjen Çetta”, ndërsa duke raportuar nga mbledhja komemorative në Prishtinë të plotë e të veçantë botonte:

FJALA E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA

Anton Çetta ishte institucion i urtisë shqiptare

Familje e Nderuar, Zonja dhe Zotërinj, përfaqësues të institucioneve shtetërore e kulturore të Kosovës, Miq të Anton Çettës, në emër të Republikës së Kosovës, dhe timin, më lejoni t’i them disa fjalë me rastin e vdekjes së Profesor Anton Çettës.

Profesor Anton Çetta, siç e quan populli i Kosovës, arriti për të gjallë të bëhet Institucion i urtisë shqiptare, duke zbuluar thesarin dhe shpirtin e tij dhe duke punuar për të.

Profesor Çetta është shembulli më i mirë se si pasuria intelektuale lidhet mirë me aksionin praktik në momente të vështira e të rënda për një popull. Gjatë 50 vjetëve veprimtarie, ai nuk u ndal kurrë dhe nuk u dorëzua kurrë.

Profesor Anton Çetta do të mbetet njëri prej burrave më të mëdhenj të botës shqiptare.

Sot Profesori s’ndërroi jetë, sepse Institucioni i personalitetit të tij i mendjes dhe aksionit, formulë e urtisë shqiptare, do të jetojë në brezat që vijnë dhe do të hyjë në analet shqiptare dhe ndërkombëtare.

Vepra e tij e madhe ishte udhëheqja e aksionit të madh kombëtar e njërëzor – pajtimi i gjaqeve në fillim të viteve ’90-të.  Vetëm njeriu që e njeh mirë  shpirtin e popullit dhe të këtyre trojeve, siç ishte Çetta, kishte mundësi të shëronte shoqërinë shqiptare, të paqetonte njerëzit, edhe në këto vite okupimi.

Profesori Anton  kontribuoi në forcimin e rrugës për liri e pavarësi duke u zgjedhur deputet i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e para të lira.

Kisha nderin të jem student i tij dhe ta kam mik.

I falem kujtimit të tij.

I qoftë i lehtë dheu i Kosovës.

Filed Under: Featured Tagged With: 25 vite, Anton Cetta, Behlul Jashari, u shua

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT