• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Thirrja e seancës, ftesë për kaos

October 26, 2015 by dgreca

Kosovë-shtypi: Përfaqësuesit e Quint-it, takime me qeverinë për zgjidhje/
-Seanca parlamentare e ftuar vetëm nga përfaqësuesit e pozitës për pasditën e 23 tetorit u pamundësua nga opozita edhe duke hedhur gaz lotsjellës, disa herë, deri në mesnatë, e pas mesnatës në orët e para të 24 tetorit u mbajt një seancë në rrethana të jashtëzakonshme jo në sallën plenare, në të cilën qëndronte vetëm opozita e “përjashtuar”./
PRISHTINË, 26 Tetor 2015/ “Përfaqësuesit e Quint-it, takime me qeverinë për zgjidhje”, paralajmëron sot në një kryetitull shtypi në Prishtinë për zhvillimet e fundit në Kuvend dhe jashtë tij, me bllokadë dhe protesta nga opozita, në kundërshtim të katër marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Pas skenave të dhunshme brenda dhe jashtë ndërtesës së Kuvendit fundjavën e kaluar, mes të cilave shumica parlamentare megjithatë ia doli ta miratojë ligjin për shëndetin mendor, kuvendi do të pushojë për disa ditë, shkruan sot Koha Ditore.
Kjo do të bëhet me qëllim që të reflektohet mbi situatën dhe provohet gjetja e një zgjidhje. Mbajtja e seancave nën masa policore dhe jashtë sallës së seancave plenare nuk po shihen si zgjidhje, as nga ndërkombëtarët, të cilat mund t’i kontribuojnë funksionimit normal të institucioneve.
Gazeta merr vesh se qysh këtë fillim javë përfaqësues të vendeve të Quint-it do të zhvillojnë takime me kryeministrin Isa Mustafa për të parë nëse Qeveria ka ndonjë plan në lidhje me kërkesat e opozitës. Të dielën, gazeta nuk ka arritur të marrë përgjigje nga zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi, në lidhje me këtë çështje dhe nëse do të ketë ndonjë iniciativë nga Qeveria për të diskutuar rreth kërkesave të opozitës. Deri më tani, përveç mungesës së propozimeve, kryeministri Isa Mustafa e zëvendësi i tij Hashim Thaçi edhe kanë mohuar se vendi gjendet në krizë institucionale, shkruan gazeta.
“Thirrja e seancës, ftesë për kaos”, është kryetitulli i gazetës Zëri, e cila paralajmëron se partitë në koalicion prapë do të thërrasin seancë javën që vjen, se opozita këmbëngul në bllokadë dhe se pritet sërish tensionim i situates.
Gazeta shkruan se, dy blloqet e barrikaduara, pushteti dhe opozita, e kanë ndarë mendjen. Ato nuk heqin dorë nga qëndrimet e tyre, seanca sërish thirret për javën tjetër edhe pse paralajmërohet se do të ketë sërish bllokadë. Kjo situatë shihet si ftesë për kaos nga të dyja anët. Analistët thonë se Kuvendi i Kosovës nuk guxon edhe këtë javë të luajë me “zjarrin”, duke thirrur seancë të re për aq sa kohë palët (mazhoranca dhe opozita) vazhdojnë të jenë fortifikuara në “istikamet e tyre”. Sipas tyre, në këtë situatë dramatike në të cilën është futur legjislativi duhet dhënë mundësinë presidentes së vendit, Atifete Jahjaga, që të vazhdojë më dialogun e nisur me palët me qëllim që të gjetjes së një zgjidhjeje për tejkalimin e kizës. Analistët politikë konsiderojnë se vetëm përmes një dialogu mund të zhbllokohet Parlamenti. Në anën tjetër, partitë e koalicionit janë të vendosura që t’i mbajnë seancat plenare, qoftë edhe në katin e katërt të Kuvendit, në salla të improvizuara, sikurse ndodhi javën e kaluar, siç thonë ata vetëm për të mos bllokuar proceset e Kosovës. Partitë në pushtet thonë se puna e legjislativit nuk mund të mbahet peng nga një grusht deputetësh, që dëshirojnë të vijnë dhunshëm në pushtet, shkruan gazeta.
Seanca parlamentare e ftuar vetëm nga përfaqësuesit e pozitës për pasditën e 23 tetorit u pamundësua nga opozita edhe duke hedhur gaz lotsjellës, disa herë, deri në mesnatë, e pas mesnatës në orët e para të 24 tetorit u mbajt një seancë në rrethana të jashtëzakonshme jo në sallën plenare, në të cilën qëndronte vetëm opozita e “përjashtuar”.
Kuvendi i Kosovës, kishte më shumë se një muaj nga fillimi i sesionit vjeshtor, nuk kishte arritur të përfundojë asnjë nga seancat plenare të ndërprera nga opozita edhe me hedhje gazi lotsjellës, të vezëve e shisheve të ujit, me “rrethime” të foltores e kryesuesit, mes fërshëllimash e fjalorit të ashpërsuar gjithnjë e më shumë, madje deri në banalitet, derisa jashtë Kuvendit në shesh kishte edhe protesta.
Para seancës së javës së kaluar të Kuvendit, Presidentja e Republikës i kishte ftuar “për dialog politik partitë parlamentare në përpjekje për të tejkaluar gjendjen e krijuar në vend”, kishte takuar ndaras liderët e pozitës dhe opozitës dhe kishte përpjekje që t’i takojë “përfundimisht, në mirëbesim, në tryezë të përbashkët”, por kjo nuk ndodhi./b.j/
Ne foto: Pamje nga seanca e Kuvendit te Kosoves jashte salles plenare ne 24 tetor 2015 pas mesnate pa opoziten

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, kaos, shtypi, third per seance

Kosova po lëviz përpara

October 25, 2015 by dgreca

PRISHTINË, 25 Tetor 2015/ Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, shkruan: Sot isha i nderuar me pjesëmarrjen inauguruese të segmentit të parë të Autostradës “Arbën Xhaferi”.
Infrastruktura rrugore është shtyllë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik përmes së cilës rritet cilësia e sistemit të transportit, mundësohet qarkullimi i njerëzve, mallrave dhe kapitalit. Rrjedhimisht, investimet në infrastrukturën rrugore siç janë Rruga e kombit që lidh Kosovën me Shqipërinë dhe autostrada “Arbën Xhaferi”, ndikojnë në zhvillimin ekonomik, standardin e jetës dhe konkurrencën ekonomike.
Sot u lëshua në qarkullim një segment autostrade, ndërsa pas pak ditësh, hapim zyrtarisht rrugëtimin historik të perspektivës evropiane për Kosovën duke nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe mëpastaj, liberalizimin e vizave. Këto janë argumente se Kosova po lëviz përpara, duke dëshmuar se është faktor stabiliteti në rajon, partner kredibil i bashkësisë ndërkombëtare dhe partner i besueshëm në marrjen e detyrimeve ndërkombëtare.
MSA-ja e rikonfirmon fuqishëm përcaktimin e qytetarëve të Kosovës dhe qasjen tonë integruese për komunitetet, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike e politike, kështu bashkërisht ta kemi vendin tonë të merituar brenda familjes evropiane.
Të gjithë atyre që do ta shfrytëzojnë këtë autostradë, ju dëshiroj rrugëtim të mbarë, të sigurt dhe me fat. Po ashtu, përgëzoj autoritetet qeveritare për investimin e tyre dhe punëkryesit e këtij segmenti të Autostradës.
Kjo Autostradë, mban me plot meritë emrin e Arbën Xhaferit, mendimtarit dhe politikanit që besonte në fuqinë e komunikimit të lirë, në rrugët që lidhin popujt dhe që thyejnë paragjykimet, që sjellin zhvillim për shtetet dhe popujt e këtij rajoni./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, kosova, po lëviz përpara, Veseli

Kosova lidhë autostradat drejt Shqipërisë e Maqedonisë

October 25, 2015 by dgreca

-Mustafa: Ky udhëkryq këtu konsiderohet si më i madhi në këtë rajon, që lidh Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë. Na lidh me Prizrenin, Shkupin, Tiranën dhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor./
Nga Prishtina Behlul Jashari/ PRISHTINË, 25 Tetor 2015/ Kosova lidh autostradën drejt Shqipërisë me atë në ndërtim drejt Maqedonisë, dy projektet më të mëdha të infrastrukturës kosovare të rëndësishme edhe për gjithë rajonin. Sapo u mbajt sot ceremonia inauguruese e hapjes së nyjës lidhëse të Rrugës 6 “Arbën Xhaferi” me Rrugën 7 “ Ibrahim Rugova”. Në ceremoni folën kryeministri Isa Mustafa, kryeparlamentari Kadri Veseli, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, ambasadorja e Turqisë, Kivilcim Kiliç, zëvendëskryeministri e ministri i Jashtëm Hashim Thaçi dhe ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku. Të gjithë së bashku, pak më parë, prenë shiritin e inaugurimit.
Kryeministri Isa Mustafa, në fjalën e tij para të pranishmëve, ka vlerësuar se kjo autostradë është vepër e madhe dhe e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit.
Kryeministri Mustafa po ashtu tha se ky është një projekt i cili ia mundëson Kosovës që të arrijë standardet e shteteve të Bashkimit Evropian, në infrastrukturën rrugore.
“Sot po përurojmë kyçjen e autostradës “Ibrahim Rugova” me autostradën “Arbër Xhaferi”, që është një vepër e madhe për ne dhe tepër e rëndësishme. Ky udhëkryq këtu konsiderohet si më i madhi në këtë rajon, që lidh Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë. Na lidh me Prizrenin, Shkupin, Tiranën dhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Ajo që na gëzon është se janë punë shumë cilësore të cilat po bëhen”, tha kryeministri Isa Mustafa.
Duke bërë të ditur se ky është një projekt i cili Buxhetit të Kosovës i kushton rreth 600 milionë euro, kryeministri po ashtu tha se kjo është një vepër tepër e rëndësishme për Kosovën, sepse do të përfitojnë qytetarët, do të përfitoj ekonomia dhe do të përfitojnë lidhjet e Kosovës me shtetet fqinje dhe miqtë e saj.
“Ky është edhe një projekt i cili na mundëson që ne të arrijmë kompleksin e projekteve që po i realizojmë bashkë me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, me të cilat po bëjmë përpjekje që të arrijmë standardet që kanë shtetet e BE-së. Ne kemi arritur një marrëveshje të rëndësishme me FMN-në, e cila do të na mundësojë që ne të ndërtojmë edhe rrugë të tjera të rëndësishme për vendin. Këtë autostradë do ta lidhim edhe me autostradën për Gjilan, do të vazhdojmë deri në Podujevë me autostradën “Ibrahim Rugova” dhe do të bëjmë lidhjen për Nish. Do të zgjerojmë rrugën për Mitrovicë dhe do të arrijmë në Mitrovicë me autostradë, e po ashtu do të rikonstruktojmë linjën hekurudhore që na lidh nga Hani e Elezit deri në Leshak”, tha kryeministri Isa Mustafa, duke shtuar se këto rezultate dhe suksese të mëdha do të jenë në shërbim të qytetarëve tanë, rajonit dhe miqve të Kosovës.
Në Kosovë, në 3 korrik 2014 është organizuar ceremonia me rastin e fillimit të ndërtimit të autostradës drejt Maqedonisë, Prishtinë-Ferizaj-Kaçanik-Hani i Elezit. Kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi në një ceremoni të organizuar nga qeveria kosovare ka bërë përurimin e nisjes së punimeve për autostradën që është emërtuar me emrin e intelektualit dhe veprimtarit shqiptar nga Maqedonia Arbën Xhaferi.
Në shtator paralajmërohej edhe fillimi i punimeve në autostradën nga Shkupi drejt Kosovës.
Gjatë vitit 2016 pritet fillimi i ndërtimit të autostradës Shkup-Bllacë (kufiri me Kosovën), me qëllim të plotësimit të autostradës “Arbën Xhaferi” në pjesën maqedonase.
Zv/ministri i Transportit dhe Lidhjeve të Maqedonisë, Nimetullah Halimi i deklaronte RTK-së se gjatë muajit do përfundonte projekti i fizibilitetit për ndërtimin e këtij aksi nga firma projektuese.
“Është nënshkruar kontratë ndërmjet Kornizës Investuese për Ballkanin Perendimor (ËBIF) për projektimin e kësaj rruge. Është bërë edhe zhvendosja e nyjes në Stenkovec.
Projektimi i ri ka paraparë edhe përcaktimin e saktë të pikës kufitare Bllacë-Hani Elezit, përmes së cilës do të lidhet autostrada Shkup-Prishtinë”, paralajmëronte Halimi.
Autostrada Prishtinë-Hani i Elezit është e gjatë rreth 60 kilometra, e një pjesë e saj, pas inaugurimit sot, të hënën do të lëshohet në qarkullim për qytetarët.

Filed Under: Rajon Tagged With: autostrada, Behlul Jashari, kosova, Shqiperi-Maqedoni

Kosovë-Qeveria miraton MSA-në, e nënshkruan në 27 tetor në Strasburg

October 24, 2015 by dgreca

-Negociatat për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, kanë filluar në 28 tetor të vitit 2013. Më 22 tetor 2015 Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian./
-Marrëveshja ka strukturë dhe përmbajtje të njëjtë sikur marrëveshjet e të gjitha vendeve të rajonit dhe përfshinë të gjitha elementet e një bashkëpunimi të plotë politik, ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian./
-MSA është marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian./
-Ministri i Brendshëm, Skender Hyseni, ka njoftuar kabinetin qeveritar për gjendjen e sigurisë në Kosovë, duke vlerësuar se është e mire. “Fatkeqësisht, nuk mund të thuhet edhe për sa i përket përpjekjeve të ndryshme të grupacioneve të caktuara politike që me mjete dhune të realizojnë synime dhe objektiva të caktuara politike”, tha ai./
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 24 Tetor 2015/ Nisma për lidhjen e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociimin ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, u miratua sot nga qeveria kosovare, në mbledhjen e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa. Ai e njoftoi kabinetin qeveritar se nënshkrimi i MSA-së do të bëhet në 27 tetor në Strasburg.
“Do ta nënshkruaj unë në emër të qeverisë, dhe poashtu do të kërkojmë sot autorizimin nga presidentja e Republikës së Kosovës edhe për ministrin Çollaku që të jetë së bashku me mua në nënshkrimin e marrëveshjes. Nga Bashkimi Evropian do ta nënshkruajnë përfaqësuesja e lartë Mogherini dhe komisioneri Hahn”, bëri të ditur kreu i qeverisë kosovare.
Për ne, vijoi ai, është një prej marrëveshjeve tepër të rëndësishme që po arrijmë në këtë periudhë dhe një sukses i madh i Republikës së Kosovës.
“Me këtë, ne po arrijmë që të krijojmë marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian për herë të parë. Me marrëveshje po përkufizohet edhe territori i Republikës së Kosovës në të cilin zbatohen rregullat e Bashkimit Evropian. Dhe, ne zhvillojmë negociata me Bashkimin Evropian në procesin e anëtarësimit tonë në BE, që në një formë e përkufizon edhe njohjen, edhe rolin që Bashkimi Evropian do ta ketë ndaj Kosovës në veçanti”, u shpreh Mustafa.
Ministri i Intergimit Evropian, Bekim Çollaku foli edhe për përfitimet ekonomike nga MSA, që nënkupton liberalizimin e tregut me Bashkimin Evropian në tërësi, përpos disa produkteve specifike të përfshira në marrëveshje, rritjen e investimeve direkte në Kosovë.
Marrëveshjen Stabilizim Asocim ministri Çollaku e ka vlerësuar “të rëndësisë historike dhe jetike për integrimin politik, ligjor dhe ekonomik të Republikës së Kosovës ne Bashkimin Evropian”.
Negociatat për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, kanë filluar në 28 tetor të vitit 2013. Më 22 tetor 2015 Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Marrëveshja ka strukturë dhe përmbajtje të njëjtë sikur marrëveshjet e të gjitha vendeve të rajonit dhe përfshinë të gjitha elementet e një bashkëpunimi të plotë politik, ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. MSA është marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Qeveria e Kosovës sot mbajti mbledhjen e rregullt, të 54-të, që nga zgjedhja në 9 dhjetor nga Kuvendi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit 2014, derisa është duke u përballur me kundërshtime të opozitës së bashkuar.
Ministri i Brendshëm, Skender Hyseni, ka njoftuar kabinetin qeveritar për gjendjen e sigurisë në Kosovë, duke vlerësuar se gjendja është e mirë dhe se ka trende të rënies së krimit ordiner. “Fatkeqësisht, nuk mund të thuhet edhe për sa i përket përpjekjeve të ndryshme të grupacioneve të caktuara politike që me mjete dhune të realizojnë synime dhe objektiva të caktuara politike”, tha Hyseni, duke folur për hapat e Policisë së Kosovës dhe institucioneve të rendit në këtë rrafsh.
Në këtë pikë, kryeministri Mustafa ka përgëzuar Policinë për punën shumë profesionale, ligjore, dhe të përkushtuar që ka bërë në mbrojtje të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Kryeministri po ashtu ka theksuar e vlerësuar sjelljen e kulturuar nga ana e deputetëve të pozitës përkundër punës shumë të vështirë dhe ambientit të pasigurt dhe të rrezikshëm, njëkohësisht punën e Kryesisë dhe kryetarit të Kuvendit për gjetjen e mënyrës për të evituar konfliktin, për të mundësuar që Kuvendi të kryejë punën në harmoni me rregulloren dhe me ligjin. “Me këtë, Kuvendi ka treguar se mund të funksionojë dhe se askush nuk mund ta ndalë punën e tij. Se Kuvendi është në gjendje të bjerë vendime, se koalicioni është krejtësisht stabil dhe i fuqishëm, është i përgjegjshëm, zbaton ligjin dhe Kushtetutën. Ne do të vazhdojmë edhe si qeveri të përkrahim krejtësisht punën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke i bërë poashtu ftesë opozitës që t’i kthehet punës normale dhe të respektoj ligjin, Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit”, u shpreh kryeministri Mustafa.
Edhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi shprehu mbështetje të fuqishme për qëndrimin e mbajtur. “Është shumë me rëndësi që partnerët e koalicionit janë të vendosur për të vazhduar punën në institucionet e vendit, me legjitimitetin e tyre të plotë, me tre të katërtat në Parlament që nuk janë vetëm numra por janë drejtpërdrejt legjitimitet qytetar”, tha ai.
Po ashtu, Thaçi falënderoi deputetët e koalicionit për durimin e tyre, kulturën e lartë të treguar dhe udhëheqjen e shkëlqyer nga kryetari i Kuvendit.
“Në anën tjetër, askush s’mund ta sfidojë demokracinë në Republikën e Kosovës. Në veçanti në këtë periudhë, kur jemi drejt anëtarësimit në UNESCO, nënshkrimit të marrëveshjes historike për vendin tonë, Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Në vitin evropian për Kosovën, pamjet në Parlament nga opozita janë pamje me të vërtetë që nuk përkojnë me realitetin, me standardet, me vlerat, por as me traditën tonë”, u shpreh kryediplomati kosovar.
Ajo që është shumë me rëndësi, theksoi Thaçi, nuk do të ketë bllokim fizik për Kuvendin, do të jetë i pamundur, dhe do të vazhdojmë me axhendën tonë të zhvillimit dhe evropiane.
As në mesnatën e kaluar nuk ka përfunduar dita e gjatë e ngjarjeve në Kuvendin e Kosovës e rreth tij, një seancë në rrethana të jashtëzakonshme jo në sallën plenare, pa opozitën, u mbajt në orët e para të pas mesnatës, pasi gazi lotsjellës u hodh përsëri në mesnatë nga opozita në sallën e seancës plenares dhe e ndërpreu.
Kuvendi i Kosovës, kishte më shumë se një muaj nga fillimi i sesionit vjeshtor, nuk ka arritur të përfundojë asnjë nga seancat plenare të ndërprera nga opozita edhe me hedhje gazi lotsjellës e të vezëve, me “rrethime” të foltores e kryesuesit, mes fërshëllimash e fjalorit të ashpërsuar gjithnjë e më shumë. Opozita edhe me protesta e peticion kërkon anulimin e marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe të demarkacionit me Malin e Zi.
Sipas kryetart të partisë opozitare AAK, Ramush Haradinaj, “ngjarjet e djeshme ne Kuvend dëshmojnë se në Kosovë është përmbysur edhe jeta parlamentare edhe sistemi demokratik”.
“Unë po të isha në vendin e kryeministrit Mustafa”, ka thënë Haradinaj, “sot do të kisha dhënë dorëheqje”. “Janë të pa akceptueshme situatat kur në kuvendin e Republikës, më shumë ka policë se sa deputetë!”, është shprehur lideri i AAK në konferencën për shtyp.

Filed Under: Komente Tagged With: 27 Nentor, Behlul Jashari, nenshkruhet ne Strasburg, Qeveria MSA

Kosovë, dita e nata e Kuvendit

October 24, 2015 by dgreca

-Paradita me marsh paqësor, pasdite dhe deri në mesnatë përsëri gaz lotsjellës në Kuvend dhe përplasje jashtë tij në shesh, seancë pas mesnate jashtë sallës plenare/
-Kronikë përmbledhëse e ngjarjeve të një dite e nate të gjatë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 24 Tetor 2015/ As në mesnatë nuk ka përfunduar dita e gjatë e ngjarjeve në Kuvendin e Kosovës e rreth tij, një seancë në rrethana të jashtëzakonshme jo në sallën plenare, pa opozitën, po edhe pa median, u mbajt në orët e para të pas mesnatës.
Gazi lotsjellës u hodh përsëri në mesnatë nga opozita në seancën e Kuvendit të Kosovës dhe e ndërpreu. “Pauzë të shkurtë”, dha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ndërsa u dëgjuan “replika” me fjalor të ashpër. Pati edhe një “shprehje në mënyrë joadekuate” të kryeparlamentarit, për të cilën kërkoi falje.
Gjatë ditës së djeshme pati marsh paqësor paradite në rrugët e Prishtinës, organizuar nga shoqëria civile, me mesazhe drejt Kuvendit, ku u pamundësua nga gazi lotsjellës i opozitës seanca e ftuar për pasdite dhe e ndërprerë dhe paralajmëruar për orë të mbrëmjes, ndërkohë që në sheshin pranë vazhdonte protesta e aktivistëve opozitarë e qyetatarëve të mbledhur, nga të cilët kishte edhe gjuajtje bomolash tymi me ngjyra drejt Policisë që kishte shtuar masat e sigurisë edhe me kordone. Jashtë Kuvendit në sheshin përballë kishte edhe përplasje mes protestuesëve dhe Policisë së Kosovës.
Kuevendi i Kosovës nuk u rimblodh në orën 20:00 e as në 22:00 e 23 si kishte paralajmërime pas pamundësimit me hedhje gazi lotsjellës e bllokim nga opozita të fillimit të seancës plenare që ishte ftuar nga Kryesia e shefat e grupeve parlamentare vetëm të pozitës, përfshirë minoritetet, për në orën 16:00. Ishte seanca e tretë e sesionit vjeshtor, fillimi i së cilës u pamundësua nga gazi lotësjesës që gjatë ditës së djeshme u hodh disa herë nga opozita, e për herë të parë edhe jashtë sallës plenare, pranë zyrës së kryeparlamentarit, rreth gjysëm ore para kohës kur pritej nisja e seancës.
Kuvendi i Kosovës, kishte më shumë se një muaj nga fillimi i sesionit vjeshtor, nuk ka arritur të përfundojë asnjë nga seancat plenare të ndërprera nga opozita edhe me hedhje gazi lotsjellës e të vezëve, me “rrethime” të foltores e kryesuesit, mes fërshëllimash e fjalorit të ashpërsuar gjithnjë e më shumë.
Kryetari i partisë opozitare AAK, Ramush Haradinaj, në një deklaratë tha se para se të fillonte seanca i kishte kërkuar koalicionit qeverisës “të gjejnë një mënyrë për anulimin e marrëveshjeve” të 25 gushtit me Serbinë dhe të demarkacionit me Malin e Zi. “Pa anulim të marrëveshjeve, nuk ka kushte të mbahet seanca e Kuvendit”, u shpreh ai.
Pas hedhjes së parë të gazit lotsjellës të ditës së djeshme LVV deklaronte se, “protesta jonë brenda Kuvendit vazhdon, deri në tërheqjen e marrëveshjeve me Serbinë dhe demarkacionit me Malin e Zi”.
Pas rindërprerjes së seancës me gaz lotsjellës në mesnatë, grupet parlamentare të partive të koalicionit qeverisës, përfshirë minoritetet, zhvilluan seancën në një sallë të improvizuar-byfe brenda ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, derisa në sallën e seancave po qëndronin deputetë të opozitës. Seanca e Kuvendit u mbajt në katin e pestë të Kuvendit të Kosovës, ku Policia-sigurimi kishte pamundësuar shkuarjen e deputetëve opozitarë, po edhe mediave.
Më parë, Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, në të cilën ishin prezentë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, po jo të opozitës, vendosi që seanca e ndërprerë e rindërprerë dje të vazhdonte në orët e natës.
Pas diskutimeve të nënkryetarëve dhe kryetarëve të grupeve parlamentare lidhur me gjendjen aktuale dhe nevojën e tejkalimit të kësaj situate, Kryesia, me katër vota pro dhe një kundër, vendosi që “në pamundësi të mbajtjes së seancave plenare më 17 shtator, 8, 15 dhe 23 tetor 2015, ku është bllokuar puna, është cenuar siguria dhe shëndeti i deputetëve, të kërkohet veprim plotësues, duke përfshirë ndërhyrjen e zyrtarëve të policisë, për sigurinë, shëndetin e deputetëve dhe mbarëvajtjen e punimeve të seancës plenare”.
Ky vendim u është dërguar për zbatim kryeministrit, ministrit të Punëve të Brendshme dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Në vazhdimin e seancës jashtë sallës plenare pa opozitën në orët ë para të ditës së sotme, Kuvendi miratoi Projektligjin për shëndetin mendor, si dhe Projektligjin për mbrojtjen e të ushqyerit me qumësht gjiri.
Në vazhdim Kuvendi votoi pro emërimit të Elbasan Dervishajt, për anëtar të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës. Ndërksa, emërimi i anëtarëve të Këshillit për Ndihmë Juridike Falas u shty për një seancë tjetër.
Kuvendi pastaj emëroi Abdullah Aliun,anëtar të Komisionit për Kërkesa Pronësore, si dhe formoi Komisionin ad hoc për përzgjedhjen e një anëtari të Bordit të RTK-së nga komuniteti serb.
Në fund të seancës u përkrahën propozimimet e disa grupeve parlamentare për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet e Kuvendit.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas menate shkrujti në “Facebook”: “Në Seancën plenare të mbajtur sonte, në një moment gjatë përpjekjeve për të qetësuar situatën e krijuar jam shprehur në mënyrë joadekuate, shprehje me të cilën mund të preken nënat dhe motrat tona.
Dëshiroj t’ju kërkoj falje atyre nga thellësia e zemrës, duke filluar nga nëna ime, bashkëshortja ime dhe të gjitha nënave dhe motrave të Kosovës sonë”.
Në sallën e Kuvendit të Kosovës në zhvillimet e mesnatës kishte edhe hedhje shishesh të ujit nga opozita në drejtim të kryeparlamentarit dhe kabinetit qeveritar, që u larguan.
Subjekti më i madh politik opozitar kosovar, LVV pas menate, derisa zhvllohej seanca e Kuvendit të Kosovës jashtë sallës plenare, shkruante në ‘Facebook’: “Aktualisht po mbahet një takim ilegal i strukturave partiake të LDK-PDK, të cilët e kanë uzurpuar një sallë të institucioneve publike për ta zhvilluar një takim ilegal të strukturave të tyre brenda Kuvendit. Kjo në asnjë mënyrë nuk është seancë, prej së cilës në mënyrë të papranueshme është përjashtuar opozita”.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Behlul Jashari, dita e nata e Kuvendit, Kosove

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 212
  • 213
  • 214
  • 215
  • 216
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT