• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BERZH, ndihmë Kosovës në projektet e zhvillimit ekonomik

July 14, 2015 by dgreca

PRISHTINË, 14 Korrik 2015-Drejtorët e Konstituencës për Kosovë në Bankën për Zhvillim dhe Rindërtim (BERZH), Ove Jensen dhe Sean Donlon, sot në Prishtinë, shprehën përkushtimin e tyre për të ndihmuar Kosovën në realizimin e projekteve të cilat ndikojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës, sidomos mbështetjen e projekteve në sektorin privat.
Ministri kosovar i Financave, Avdullah Hoti dhe drejtorët e Konstituencës për Kosovë në BERZH diskutuan rreth financimit të projekteve në sektorin e hekurudhës, ku u bë e ditur se është shumë afër përfundimit të negociatave për nënshkrimin e Marrëveshjes së kredisë për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10.
Ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se fondet nga BE-ja që janë vënë në dispozicion për projektet hekurudhore kanë mundësuar për të punuar më tej në rehabilitimin e një pjesë të mirë të rrjetit hekurudhor në Kosovë, kështu që presim gjithashtu fillimin e rehabilitimit të linjës hekurudhore Lindje-Perëndim, segmenti Fushë Kosovë – Merdare dhe Klinë – Prizren.
Në takim u diskutua edhe për mundësinë e financimit të sektorit të energjisë, rehabilitimin e rrugëve rajonale, si dhe për lëshimin e garancionit për trafikun urban në Komunën e Prishtinës.
Me këtë rast ministri Hoti bëri të ditur se Qeveria e Kosovës sapo ka marrë vendimin për të filluar negociatat për marrëveshjen e kredisë që do të ndihmojë në reformimin e transportit publik për komunën e Prishtinës, ku pritet që në ditët e ardhshme të themelohet edhe ekipi negociator dhe të vazhdohet me hapat e ardhshëm./B.J/

Attachments area
Preview attachment Kosove-MF-BERZH.jpg
[Image]

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, Berzh, kosova

Shqiperi-Kosove-MARRËVESHJE PËR PËRGATITJEN E RINISË PËR NJË SHQIPËRI DHE KOSOVË EVROPIANE

July 14, 2015 by dgreca

MARRËVESHJE PËR PËRGATITJEN E RINISË PËR NJË SHQIPËRI DHE KOSOVË EVROPIANE

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 14 Korrik 2015-Kosova dhe Shqipëria u bënë sot me marrëveshje për Bashkëpunim në Fushën e Rinisë. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe i Rinisë i Republikës së Shqipërisë, Blendin Klosi, dhe ministri kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala nënshkruan në Prishtinë Marrëveshjen për Bashkëpunim në Fushën e Rinisë, me të cilën Shqipëria dhe Kosova harmonizojnë politikat në fushën e rinisë.
Sipas kësaj Marrëveshje, Kosova dhe Shqipëria do të ndërmarrin politika dhe programe të përbashkëta në mbështetje të frymës së bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe miqësisë ndërmjet të rinjve të dyja vendeve.
Ministri Blendi Klosi e vlerësoi këtë Marrëveshje si një hap tejet të rëndësishëm që ndihmon në përgatitjen e rinisë për një Shqipëri dhe Kosovë Evropiane.
Ministri Shala e vlerësoi Marrëveshjen si vazhdimësi të bashkëpunimit të frytshëm, që tashmë Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit e Kosovës ka me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë. Ai po ashtu u shpreh se me marrëveshjen e sotshme edhe formalisht konkretizohen veprimet e përbashkëta për politikat e rinisë.
Pas nënshkrimit të Protokollit të Bashkëpunimit në fushën e kulturës, kjo marrëveshje u vlerësua se është një mundësi më shumë që Kosova dhe Shqipëria të përafrojnë politikat dhe programet, me aktivitete dhe veprime të përbashkëta në fusha të ndryshme, dhe në funksion të përgatitjes së dy vendeve për integrim në Bashkimin Evropian.
Marrëveshja e nënshkruar sot ndërmjet ministrave Klosi e Shala parasheh hapa konkretë, nëpërmjet të cilave nxitet bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojave në fushën e rinisë.
Ministri Klosi sot në Prishtinë zhvilloi takime edhe me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, zv/kryeministrin e parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi dhe ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.

PËRKUSHTIM I QEVERISË SË SHQIPËRISË PËR THELLIMIN E BASHKËPUNIMIT ME QEVERINË E KOSOVËS NË TË GJITHA FUSHAT

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosi.
Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Shala dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, u bisedua për progresin e deritashëm dhe mundësitë e avancimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve në fushën e punësimit, mirëqenies sociale dhe rinisë.
Kryeministri Isa Mustafa e njoftoi për të arriturat në Kosovë në të gjitha fushat, me theks të veçantë për reformat dhe prioritetet e Qeverisë që lidhen me zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës, forcimin e shtetit ligjor, si dhe reformat në arsim e shëndetësi.
Kryeministri Mustafa theksoi se mirëqenia sociale, punësimi dhe rinia janë prioritete qendrore të programit qeveritar, duke e njoftuar për hapat konkretë që po ndërmerr Qeveria e Kosovës në fushën e punësimit, aftësimit profesional, mirëqenies, përkrahjes së veçantë për rininë dhe gruan në fushën e punësimit.
Kryeministri Mustafa po ashtu theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të zgjeruar bashkëpunimin me Shqipërinë në proceset zhvillimore ekonomike e sociale, që lidhen dhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ngritjen e mirëqenies dhe punësimit në të dyja shtetet.
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i Shqipërisë, Blendi Klosi, e falënderoi kryeministrin Mustafa për pritjen, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë së Shqipërisë për thellimin e bashkëpunimit me Qeverinë e Kosovës në të gjitha fushat, duke përfshirë aspektet prioritare që lidhen me punësimin, mirëqenien sociale e rininë.

KOSOVA DHE SHQIPËRIA DUHET TË HYJNË NË FAZËN E BASHKËPUNIMIT KONKRET EKONOMIK

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli ka pritur sot në takim ministrin e Mirëqenies sociale dhe rinisë së Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosin. Në takim u diskutua për aspektet e mirëqenies sociale, tregun e punës, edukimin profesional të rinisë dhe çështjet tjera me interes të përbashkët.
Kryetari Veseli mirëpriti këtë vizitë duke vënë në pah gatishmërinë e legjislativit për bashkëpunim të gjithanshëm, në veçanti me Komisionin që mbulon fushën e mirëqenies sociale, punën dhe rininë. Veseli tha se raportet në mes Kosovës dhe Shqipërisë duhet të lëvizin përtej shprehjes verbale të dashurisë vëllazërore dhe të hyjnë në fazën e bashkëpunimit konkret ekonomik, duke hequr barrierat që po e pengojnë ende këtë bashkëpunim.
“Sot, axhenda ekonomike dhe mirëqenia sociale është prioritet jo vetëm i legjislativit por tërë institucioneve tona. Projektet konkrete në fushat e caktuara me interes të përbashkët mund të fillojnë menjëherë, jo vetëm për edukimin profesional, duke vënë në theks specifikat dhe komplementaritetin e këtij lloji të edukimit por edhe përvojat e mira me kurikula, punësimin e të rinjve nëpërmjet edukimit profesional. Rinia jonë duhet të jetë e aftësuar jo vetëm për tregun tonë të punës, por edhe për tregun global, ngase ajo përbën aset të rëndësishëm nacional”, theksoi kryetari i Kuvendit Kadri Veseli.
Ministri Klosi vuri në pah nevojën e të dyja vendeve për aktivitete të përbashkëta që i lëvizin iniciativat e deritanishme drejt konkretizimit të projekteve.
“Përvojat e mira që kanë sjell rezultate në vendet tona mund të jenë pikënisje e mirë për thellimin e bashkëpunimit, jo vetëm për edukimin profesional, tregun e punës dhe trajnimet profesionale, por edhe në trajtimin e fëmijëve pa përkujdesje prindërore”, theksoi ministri Blendi Klosi.
Kryekuvendari Veseli dhe ministri Klosi u dakorduan që iniciativat konkrete të përbashkëta sa më parë të vihen në zbatim me qëllim të plotësimit të nevojave të qytetarëve në fushën e përkujdesjes sociale, përgatitjen e rinisë për tregun e punës dhe në pajtim me interesat e biznesit.

KOSOVA DHE SHQIPËRIA NUK KANË KURRFARË PENGESE NË BASHKËPUNIM
Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot ministrin e ri të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë së Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosin.
Zëvendëskryeministri Thaçi dhe ministri Klosi kanë diskutuar për projektet e përbashkëta në shërbimet sociale, për tregun e punës dhe ofrimin e pakove komplementare në fusha me interes të ndërsjellë përbashkët. “Kosova dhe Shqipëria nuk kanë kurrfarë pengese në bashkëpunim, por këtë duhet ta thellojmë edhe më shumë në rrafshin praktik, sepse vullneti dhe gatishmëria nuk ka munguar asnjëherë”, ka thënë Thaçi.
Ministri Klosi theksoi se vendet tona kanë nevojë për axhenda të përbashkëta për skemat sociale. “Është e nevojshme që të praktikojmë shërbime dhe skema të njëjta aty ku mundemi, si për të moshuar, ashtu edhe për tregun e punës, duke u ofruar trajnime të interesuarve, në përputhje me nevojat e bizneseve”, ka thënë ministri Klosi.
Zëvendëskryeministri Thaçi i ka ofruar përkrahjen e tij ministrit Klosi për përgatitjen dhe zbatimin e çdo projekti me interes të përbashkët dhe ka shprehur gatishmërinë që të lehtësojë dhe përshpejtojë implementimin e tyre.
Zëvendëskryeministri Thaçi i ka ofruar përkrahjen e tij ministrit Klosi për përgatitjen dhe zbatimin e çdo projekti me interes të përbashkët dhe ka shprehur gatishmërinë që të lehtësojë dhe përshpejtojë implementimin e tyre.

NDARJET JANË SHUMË TË PAKËTA, E ATO QË NA BASHKOJNË JANË SHUMË TË ARRIRA

Ndarjet janë shumë të pakëta, e ato që na bashkojnë janë shumë të arrira, tha ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosi, sot në Prishtinë, në vizitën e parë zyrtare si ministër i pyetur nga korrespondenti në Kosovë, Behlul Jashari, për të ardhmen e bashkëpunimeve, derisa fjalën shumë e ka përsëritur tre herë.
“I përkas një brezi të ri në politikën shqiptare e të Kosovës dhe mendoj që ndarjet janë shumë të pakëta, e ato që na bashkojnë janë shumë, shumë, shumë të arrira. Kemi fusha që ne duhet ta ndiejmë veten në politika të njëjta. Unë jam shumë dokard me të gjitha ato çfarë kemi folur në shumë takime sot”, u shpreh ministri Klosi.
Ne si politikë, vijoi ministri shqiptar, kemi shumë për të bërë për të arritur ritmin e qytetarëve, të cilët jetojnë një jetë të përbashkët.
“Nuk është më ngjarje kur marrim pjesë në aktivitete të përbashkëta kulturore. Nuk përbën më lajm kur shkojmë për pushime tek njëri-tjetri për arsye të ndryshme. Nuk përbën më lajm kur kalojmë kufirin. Prandaj, nuk do të përbëjë më lajm edhe kur të bëjmë takime të përbashkëta pune. Mbledhja e qeverive në mars mendoj do na gjejë me një sërë arritjesh në fushat e bashkëpunimit”, theksoi ministri Klosi.
“E thash që politika vazhdon të jetë mbrapa dëshirave të qytetarëve”, u shpreh ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosi.

Filed Under: Rajon Tagged With: Behlul Jashari, Blendi Klosi, marreveshje, Shqiperi e Kosove Europiane

Kosovë -FSK, kontribut në forcimin e sigurisë së përbashkët

July 13, 2015 by dgreca

-Ministri i FSK-së Haki Demolli, takon Dr. Evelin Farkash Zëvendës Asistente e Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-ve/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 13 Korrik 2015-Ministri i FSK-së, Haki Demolli, priti Dr. Evelin Farkash (Evelyn Farkas) Zëvendës Asistente e Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-ve. Ai në emër të Ministrisë së FSK-së, Qeverisë dhe popullit të Kosovës shprehu mirënjohje dhe falënderime për Departamentin e Mbrojtjes dhe SHBA-të për ndihmën e dhënë dhe për bashkëpunimin kaq të gjerë dhe intensiv. Demolli e njoftoi Farkash me fushat dhe shkallët e nivelit të bashkëpunimit në mes të Departamentit të Mbrojtjes, Ushtrisë së SHBA-së me Ministrinë e FSK-së dhe FSK-në. Duke vlerësuar lartë këtë bashkëpunim ai theksoi ‘Partneritetin për Paqe’ që ka FSK-ja me Gardën Kombëtare të Ajovës. Fushat e bashkëpunimit janë të shumta si në programe dhe projekte të ndryshme, trajnime, edukim, donacione materiale dhe financiare si dhe kontribut përmes ekipeve këshilluese për shumë fusha të rëndësishme.
Me këtë rast ministri Demolli njoftoi mysafiren nga SHBA-të edhe me fushën e bashkëpunimit rajonal dhe bilateral me të gjitha shtetet që kanë shpreh gatishmërinë, deri tek ushtrimet e përbashkëta dhe fusha tjera të bashkëpunimit me interes të dyanshëm. Ai poashtu e vlerësoi edhe pjesëmarrjen e Ministrisë së FSK-së dhe FSK-së në nismat rajonale të sigurisë, me dëshirën për të dhënë edhe më shumë kontribut në forcimin e sigurisë së përbashkët. Çështje me rëndësi ishte edhe njoftimi i dr. Farkash me procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK) dhe sfidat aktuale që ekzistojnë me procedurat kushtetuese dhe parlamentare të aprovimit të amendamenteve që kanë të bëjnë me këtë transformim dhe procedimit të Projektligjit për Transformimin e FSK-së në FAK.
Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama e njoftoi Farkash me të arriturat në FSK-së, me procesin e përgatitjeve për transformim, sidomos në ato fusha që nuk kanë të bëjnë me vendime politike, për të pritur këtë proces sa më të përgatitur, për çka si ministri dhe FSK edhe e kemi themeluar edhe Departamentin për Transformim.
Dr Farkash shprehi kënaqësinë e saj me zhvillimet në FSK, me punën që është bërë në përgatitjet për transformim dhe shkallën e gjerë të bashkëpunimit të shumanshëm korrekt dhe konstruktiv, duke theksuar se Partneriteti për Paqe (PpP) mund të jetë rruga e ecjes përpara drejt bashkëpunimit me NATO-n. “Është me rëndësi që ju të punoni sa më shumë për shtyrjen përpara të axhendës së transformimit, e cila do të hapë rrugë dhe mundësi më të mëdha bashkëpunimi, si në planin bilateral po ashtu edhe në atë multilateral”, citohet ai në komunikatën e dërguar nga Ministria e FSK-së.
Nga ana e saj, Dr. Evelin Farkash shoqërohej edhe nga Gjeneral brigade Viliam Hall (William Hall) nga Komanda e Bashkuar për Evropë, nënkolonel Xhekob Kandelaria (Jacob Candelaria) nga Komanda e Bashkuar për Evropë, Melisa Henlon (Melissa Hanlon) – nga Zyra e Sekretarit të Mbrojtjes, Shon Krovlej (Shawn Crowley) –Këshilltar për çështje politike dhe ekonomike nga Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë, kolonel Anthoni Bats (Anthony Butts) Atashe i Mbrojtjes në Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë, majori Juan Murillo Atashe Ushtarak i Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë dhe major Adam Girouks (Adam Giroux) nga Zyra e Bashkëpunimit të Mbrojtjes e Ambasadës së SHBA-ve në

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, FSK, Haki Demolli, Siguri

KOSOVË, KUVENDI MBLIDHET TË ENJTEN

July 13, 2015 by dgreca

-Në Komisionin për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës raport për shënjimin e kufirit me Malin e Zi/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 13 Korrik 2015-Kuvendi kosovar mblidhet të enjten në seancë plenare për shqyrtimin e dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015 dhe çështje tjera në axhendë. Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga kryetari Kadri Veseli.
Votimi i Projektligjit u bë javën e kaluar, në 10 korrik, në vazhdimin e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës pas debatit të një dite më parë. Pas votimit me shumicë e miratimit në parim u kërkua nga Komisioni Funksional dhe komisionet e përhershme që të shqyrtojnë Projektligjin dhe Kuvendit t’ia paraqesin raportin me rekomandime për seancën plenare që do mbahet në 16 korrik.
Kuvendi i Kosovës fillimisht votoi për shmanige nga rregullorja – shqyrtim të parë dhe të dytë me procedurë të përshpejtuar të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Shtetit 2015.
Në prezantimin e projektligjit nga qeveria iu dha një rëndësi e veçantë marrëveshjes me FMN-në, ruajtjes së fondeve për investime dhe uljes së shpenzimeve në mallra dhe shërbime.
Nga Komisioni për Buxhet u tha se shqyrtimi i dytë i projektligjit duhet të bëhet në seancën plenare në 16 korrik pasi që në 24 korrik bordi i FMN-së në Uashington do të diskutojë marrëveshjen me Kosovën.
Miratimi në Kuvendin e Kosovës i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin do t’i hapë rrugë rishikimit të Buxhetit të Shtetit për këtë vit, ndërsa sipas paralajmërimeve të qeverisë shpenzimet e parapara do të jenë më të ulëta për 49 milionë euro. Rishikimi i Buxhetit është bërë në harmoni të plotë edhe me marrëveshjet e arritura me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ka theksuar qeveria.
Buxheti i Kosovës 2015 me të hyra të planifikuara 1 miliard e 576 milionë euro, me një rritje prej rreth 8.1% krahasuar me vitin 2014, është miratuar në 29 dhjetor nga Kuvendi i zgjedhjeve të 8 qershorit, i konstituar pas gjashtë muajsh.
Kuvendi i Republikës së Kosovës këtë të enjte do të shqyrtojë disa projektligje dhe pritet të zgjedh Auditorin e Përgjithshëm.
Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, Kuvendi do të procedojë me zgjedhjen e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, ndërsa do të shqyrtojë për herë të parë Projektligjin për Sigurimet.
Në lexim të dytë do të shqyrtohen edhe tre projektligje që kanë të bëjnë me çështje financiare: Projektligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Projektligji për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave dhe Projektligji për Tatimin në të Ardhurat Personale.
Në fund, Kuvendi pritet të debatojë lidhur me veprimtarinë e misionit të BE-së në Republikën e Kosovës, sipas kërkesës së deputetes Albulena Haxhiu, e mbështetur nga pesë deputetë nënshkrues.
RAPORTON KOMISIONI SHTETËROR PËR SHËNJIMIN E KUFIRIT ME MALIN E ZI
Sot u mbajt edhe mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga Enver Hoxhaj, kryetar i komisionit, ku ka raportuar Komisioni Shtetëror për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi.
Në hapje të debatit, kryetari i komisionit Hoxhaj, vuri në pah se deri më tani nuk ka marrëveshje të nënshkruar që përcakton kufirin në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, ndërsa nga anëtarët e Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Kufirit kërkoi të studiohen me kujdes dhe profesionalizëm të lartë dokumentet që ata posedojnë.
Në vijim raportoi kryetari i Komisioni Shtetëror për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi, Murat Meha.
Ai i siguroi se nuk do të ketë ndryshim të kufijve ndërshtetëror prej atyre të vitit 1974. Meha tha se dokumentet, të cilat ata posedojnë dhe shërbehen me to janë të vitit 1974. “Posedojmë edhe dokumente të para këtij viti, e që përputhen me ato të ‘74-ës. Me të njëjtat dokumente shërbehet edhe Komisioni i Malit të Zi, ndërsa janë dokumente të pranueshme për të dyja palët”, theksoi Meha.
Lidhur me pakënaqësitë dhe dyshimet e shprehura nga qytetarët lidhur me këtë çështje, Meha sqaroi se ato vijnë më shumë nga frika se sa nga rreziku real që mund të ekzistojë, dhe shtoi se prona nuk i rrezikohet askujt përgjatë vijës kufitare me Malin e Zi. Duke iu referuar fakteve që ata posedojnë, ai kujtoi kur banorë të asaj ane shfrytëzonin prona të shumta për kullosa dhe tatimin e paguanin në Rozhajë. Është dashur që atje të paguhet tatimi, sqaroi ai, sepse, prona ka qenë në atë anë të kufirit të atëhershëm dhe kjo praktikë është zhvilluar në rrethana të ndryshme prej atyre që janë sot. Meha ka dhënë sqarime sa u përket edhe dy pikave të tjera kontestuese, në Çakor dhe Kullë.
Sqarimet dhe dokumentet e ofruara nga Komisioni shtetëror për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, u kontestuan me këmbëngulje nga deputeti i AAK-së, njëherësh lider i këtij subjekti, Ramush Haradinaj. Ai i vlerësoi të pasakta deklarimet e anëtarëve të Komisionit shtetëror, ndërsa në shenjë mospajtimi me ta braktisi mbledhjen e komisionit.
Anëtarët e komisionit premtuan mbështetje për komisionin shtetëror, kërkuan kujdes gjatë punës së tyre dhe përkujtuan se asnjë marrëveshje e nënshkruar nuk mund të jetësohet pa miratimin e saj nga Kuvendi.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Buxheti, Kosove, Kuvendi, rishikim

Ndihmës Sekretarja Amerikane të Shtetit, Victoria Nuland:THEMELOJENI GJYKATEN SPECIALE!

July 13, 2015 by dgreca

Mustafa-Nuland: Kosova ka kapacitet për të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e saj
PRISHTINË, 13 Korrik /ATSH-B. Jashari/.- Ndihmës Sekretarja Amerikane të Shtetit, Victoria Nuland, dje pasdite në Prishtinë zhvilloi takime të veçanta me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, Presidenten e Republikës Atifete Jahjaga, Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, Zëvendëskryeministrin e parë e Ministrin e Jashtëm, Hashim Thaçi dhe me Kryetarin e partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim Ndihmës Sekretaren Amerikane të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland.
Kryeministri Isa Mustafa shprehu falënderimet e Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se për këtë mbështetje të përhershme, Republika e Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse.
Kryeministri Mustafa po ashtu shprehu përkushtimin Qeverisë së Kosovës për fuqizimin mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partneri kryesor strategjik i Republikës së Kosovës.
Komunikata e dërguar nga Kryeministria kosovare thekson se, gjatë takimit u bisedua për proceset aktuale në Kosovë dhe më gjerë. Kryeministri Mustafa dhe Ndihmës Sekretarja Amerikane Nuland biseduan për progresin që po arrihet në Kosovë, zhvillimet në rajon, proceset integruese rajonale dhe euroatlantike, si dhe për progresin në dialogun për normalizimin e relacioneve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Kryeministri Mustafa dhe Ndihmës Sekretarja Nuland biseduan edhe për krijimin e Dhomave të Specializuara dhe rëndësinë e madhe që ka për Kosovën themelimi i tyre, pasi që kjo dëshmon se Kosova ka kapacitet për të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e saj, për të përmbushur obligimet ndërkombëtare si dhe për të ecur përpara në integrimet euroatlantike. Në këtë kontekst, Kryeministri Mustafa theksoi se Republika e Kosova do t’i marrë të gjitha obligimet që ka dhe do të ecë sigurt në rrugën e saj drejt të ardhmes euroatlantike.
Kryeministri Isa Mustafa e njoftoi Ndihmës Sekretaren Amerikane të Shtetit, Victoria Nuland edhe për hapat konkretë që po ndërmerr Qeveria e Kosovës në zhvillimin ekonomik, forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm, korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, vlerësoi progresin që po arrihet në Republikën e Kosovës, duke shprehur përkrahjen e mëtutjeshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën.
Kosovë-Jahjaga në takim me Nuland: Pres që institucionet së shpejti të themelojnë Gjykatën Speciale
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti në takim Ndihmës Sekretaren e Shtetit të SHBA-së, Victoria Nuland, me të cilën bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë, përkushtimin e institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit dhe të rendit dhe krijimin e Gjykatës Speciale, sfidat në luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizmit dhe përshpejtimin e procesit të integrimeve evropiane.
Njoftimi i dërguar nga Presidenca kosovare bën të ditur se, Presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e vendit dhe qytetarët e Kosovës janë të përkushtuar në ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe në veçanti në përmbushjen e obligimeve të marra ndërkombëtare dhe se pret që institucionet së shpejti të themelojnë Gjykatën Speciale për t’i adresuar akuzat e ngritura nga raporti i Këshillit të Evropës dhe për të shmangur që një hap i tillë të merret nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Duke folur për procesin e dialogut me Republikën e Serbisë, Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova është e përkushtuar në këtë proces dhe kërkon zbatim konkret të të gjitha marrëveshjeve të arritura. Ajo tha se shkalla e zbatimit të marrëveshjeve duhet të jetë kushtëzim për rrugën evropiane të Serbisë, e cila edhe më të tutje vazhdon të mbështes strukturat ilegale serbe në Kosovë.
Presidentja Jahjaga theksoi se konsolidimi ndërkombëtar i shtetit të Kosovës është i rëndësishëm dhe vlerësoi se rruga evropiane e saj, sikundër edhe i gjithë rajonit të Ballkanit duhet të jetë e qartë dhe e sigurt, për të mos lejuar ndikime të tjera të jashtme. Ajo tha se Kosova duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë dhe njëlloj me shtetet e tjera të Ballkanit në procesin e integrimeve evropiane dhe theksoi përkushtimin e plotë të institucioneve të vendit në përmbushjen e të gjitha standardeve dhe kushteve në rrugën evropiane.
Nuland-Veseli:Kosova dhe lidershipi i saj politik të tregojnë mençuri
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, pati poashtu takim me Ndihmësen për çështje të Evropës dhe Azisë të sekretarit të shtetit, John Kerry, Victoria Nuland.
Kryetari Veseli falënderoi Nuland për mbështetjen e vazhdueshme që Qeveria amerikane është duke dhënë për Kosovën në avancimin e proceseve politike dhe ekonomike të saj.
Sipas njoftimit zyrtar nga Kuvendi, në takim u theksua nevoja e ecjes përpara të shtetit të Kosovës, në integrimet euroatlantike dhe për këtë Nuland ofroi mbështetjen e plotë të SHBA-së.
Po ashtu Nuland shprehu nevojën që shteti i Kosovës dhe lidershipi i saj politik të tregojnë mençuri dhe vendosmëri në ballafaqimin me sfidat integruese dhe zhvilluese të Kosovës, siç janë procesi i dialogut dhe gjykata speciale.
Duke u ndalur në këtë të fundit, Nuland theksoi se është e nevojshme që Kosova me vendosmëri ta mbyllë këtë kapitull në mënyrë që vendi të ecë përpara, ndërsa kryetari Veseli theksoi se Republika e Kosovës do të kapërcejë këtë sfidë me përgjegjësi shtetërore në partneritet me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian.
Në takim u bisedua edhe për çështjen e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si parakusht themelor për të ndërtuar një ambient më kredibil për investime dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Nuland gjithashtu shprehu vlerësimet e Qeverisë amerikane për rolin shumë pozitiv dhe rezultativ që është duke dhënë shteti i Kosovës në luftën kundër terrorizmit dhe ideologjive të tij. Ajo siguroi se edhe në këtë rrafsh mbështetja amerikane për Kosovën do të jetë e plotë.
Thaçi: Kosova dhe SHBA-të kanë partneritet strategjik
Zëvendëskryeministri i parë e Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar:
“U takova me Zëvendës Sekretaren e Shtetit Victoria Nuland për të diskutuar zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon përfshi procesin e dialogut në Bruksel, Forcat e Armatosura, krijimin e dhomave të veçanta si dhe zhvillimin ekonomik”.
“Kosova dhe SHBA-të kanë partneritet strategjik bazuar në vlera të përbashkëta”, ka shkruar Thaçi në ‘Facebook’.
Haradinaj: Mirënjohje dhe respekt për SHBA-të
Edhe Kryetari i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, për takimin me Ndihmës Sekretaren e Shtetit të SHBA-së, Victoria Nuland, ka njofuar në mbrëmë në ‘Facebook’: “Sot, pata nderin të pres në takim, Ndihmës Sekretaren amerikane të Shtetit, Victoria Nuland.
Mirënjohje dhe respekt për punën dhe angazhimin e znj. Nuland. Mirënjohje dhe respekt për SHBA-të”, është shprhur ai.
Nuland intervistë për RTK-në: Më mirë themelojeni vet Gjykatën sesa OKB-ja
Ndihmës sekretarja e shtetit amerikan Victoria Nuland ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë qenë shumë të zhgënjyer kur nuk janë votuar ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë themelimit të Spesiales.
Në një intervistë për RTK-në Nuland tha se themelimi i Gjykatës do ta ndihmojë edhe SHBA-në në mënyrë që Kosova të ecë përpara.
“Është shumë me rëndësi që të themelohet Gjykata dhe shpresoj se do të ketë edhe një votim tjetër për këtë para pushimeve verore”, ka thënë Nuland.
Ajo po ashtu ka thënë se nëse Kosova nuk e krijon vet Gjykatën, atë do ta bëjë OKB-ja dhe se marrëdhëniet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare mund të vihen në pikëpyetje
“Ne nuk duam që të ndodhë kjo sepse ne duam që Kosova të ecë përpara me Evropën dhe me neve”, ka thënë Nuland.
Ajo ka folur edhe për korrupsionin si dhe dialogun me Serbinë.
Nuland tha se nëse Kosova dëshiron që të ketë investime nga jashtë atëherë duhet të luftohet korrupsioni.
Zyrtarja amerikane ka folur edhe për terrorizmin ku sipas saj Kosova ka marrë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim.
Shtypi: Nuland merr premtime për themelimin e Speciales
“Nuland merr premtime për themelimin e Speciales”, është një nga kryetitujt e shtypit të sotëm të Prishtinës.
“Presidentja Jahjaga, kryeministri Mustafa dhe kryetari i Kuvendit, Veseli, i kanë premtuar ndihmëssekretares amerikane, Victoria Nuland, se Kosova do ta themelojë vetë Gjykatën Speciale”, thekson shtypi i sotëm kosovar.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Jahjaga, Mustafa, ne Prishtine, Ramushi, Thaci, vizita e Nuland

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 237
  • 238
  • 239
  • 240
  • 241
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT