– Drejt faljes së borxheve publike rreth 680 milionë euro-Priten edhe ndryshimet kushtetuese drejt Forcës së Armatosur të Kosovës/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 7 Korrik 2015-Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë seancë plenare në 9 korrik, vendosi sot në mbledhjen pëgatitore Kryesia bashkë me shefat e grupeve parlamentare, kryesuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli.
Pas miratimit nga qeveria në 26 qershor, shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015, do të jetë një nga rreth 10 pikat e seancës së ardhëshme plenare të Kuvendit.
Pas shqyrtimit dhe miratimit në Kuvendin e Kosovës të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin, do t’i hapet rruga rishikimit të Buxhetit të Shtetit për këtë vit, ndërsa sipas paralajmërimeve të qeverisë shpenzimet e parapara do të jenë më të ulëta për 49 milionë euro. Rishikimi i Buxhetit është bërë në harmoni të plotë edhe me marrëveshjet e arritura me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ka theksuar qeveria.
Buxheti i Kosovës 2015 me të hyra të planifikuara 1 miliard e 576 milionë euro, me një rritje prej rreth 8.1% krahasuar me vitin 2014, është miratuar në 29 dhjetor nga Kuvendi i zgjedhjeve të 8 qershorit, i konstituar pas gjashtë muajsh.
Në axhendën e seancës vijuese plenare të Kuvendit pritet të jenë edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për Faljen e Borxheve Publike, si dhe i Raportit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe i Raportit të Fondit të Kursimeve Pensionale për vitin 2014.
Në 3 qershor 2015, qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, miratoi Projektligjin për Faljen e Borxheve Publike, ndërsa sipas Ministrisë së Financave shuma e borxhit që do të falet vlerësohet të jetë rreth 680 milionë euro. Rreth 148 milionë borxh ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, rreth 6 milionë borxh ndaj Doganës së Kosovës, rreth 57 milionë borxh ndaj tatimit në pronë dhe rreth 465 milionë borxh ndaj ndërmarrjeve publike.
Ministri kosovar i Financave, Avdullah Hoti, ka thënë se, sipas vlerësimeve të institucioneve që kanë marrë pjesë në hartimin e këtij ligji, kryesisht do të përfitojnë personat fizikë të cilët kanë paqëndrueshmëri në mirëqenën e tyre sociale.
“Kjo do t’i shërbejë prioriteteve të qeverisë së Republikës së Kosovës në fushën e mirëqenies sociale. Në anën tjetër, falja e borxheve sipas këtij ligji do të krijojë një momentum të ri që do të shërbejë për ngritjen e disiplinës së përgjithshme të personave fizikë dhe juridikë në Kosovë karshi obligimeve të tyre publike”, tha ministri Hoti .
Shtypi i sotëm kosovar paralajmëron edhe ardhjen në rend dite të propozimeve për ndryshimet kushtetuese, që i hapin rrugën transformimit të FSK-së në Forcën e Armatosur të Kosovës, të cilat do t’i dorëzohen Kryesisë e Kuvendit, menjëherë pas shqyrtimit të hënën e ardhëshme në Komisionit parlamentar për legjislacion.
Kosova, e përkushtuar për dialogun dhe zbatimin e marrëveshjeve
-Presidentja Atifete Jahjaga u prit nga komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Francesco Figliuolo/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 6 Korrik 2015.-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u prit sot nga komandanti i forcës paqeruajtëse në Kosovë, KFOR, gjeneralmajori Francesco Figliuolo, në selinë e KFOR-it në kampin “Film City” në Prishtinë.
Presidentja Jahjaga u prit me nderime të larta ushtarake nga garda e nderit e KFOR-it dhe më pas zhvilloi një bisedë të veçantë me gjeneralin Figliuolo. Të dy bashkëbiseduesit folën për rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe forcave paqeruajtëse, për aktualitetin politik në Kosovë, përfshirë edhe zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë dhe ato socio-ekonomike. Presidentja Jahjaga është njoftuar nga gjenerali Figliuolo edhe për aktivitetet aktuale të forcave paqeruajtëse.
Presidentja Jahjaga ka theksuar rolin e rëndësishëm të forcave të KFOR-it në ruajtjen dhe garantimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt në gjithë territorin e Kosovës dhe në vendosjen e lidhjeve ndërmjet komuniteteve. Ajo tha se Kosova ka arritur të ndërtojë një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe demokratike dhe po promovon paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë.
Presidentja Jahjaga tha se Kosova është një demokraci në zhvillim dhe ajo është duke ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore në rajon, përfshirë edhe angazhimin në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Ajo tha se Kosova është e përkushtuar për dialogun dhe implementimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, që lehtësojnë jetën e qytetarëve, relaksojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe i përafrojnë ato me integrimet euroatlantike.
Komandanti i KFOR-it, gjenerali Francesco Figliuolo, duke falënderuar presidenten Jahjaga për vizitën dhe bashkëpunimin që institucionet e Kosovës kanë me forcat paqeruajtëse, tha se procesi i stabilizimit është në një trajektore pozitive. Ai tha se KFOR-i do të jetë i përkushtuar dhe vigjilent derisa zbatimi i marrëveshjeve të jetë i pakthyeshëm.
Presidentja Jahjaga dhe gjenerali Figliuolo theksuan rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ndërsjellë edhe në të ardhmen, marrë parasysh se forca paqeruajtëse KFOR është një prej institucioneve më të respektuara ndërkombëtare në mesin e popullatës së Kosovës.
Lufta e popullit të Kosovës ka qenë për liri, Serbia nuk la shteg tjetër
– Mustafa: Kosova duhet dhe është e aftë të ndërtojë një shtet të së drejtës, ta vejë drejtësinë në vend/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 6 Korrik 2015.-Lufta e popullit të Kosovës ka qenë për liri, Serbia nuk la shteg tjetër, tha theksoi kryeministri kosovar, Isa Mustafa.
“Serbia e Millosheviçit kreu në mënyrë të organizuar dhe sistematike krime çnjerëzore ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës, të cilat u dënuan nga e gjithë bota demokratike. Përmasat e këtyre krimeve e shtynë bashkësinë ndërkombëtare të ndërhynte për ta shpëtuar popullin e Kosovës nga shfarosja dhe shpopullimi që i kanosej nga forcat paramilitare dhe ushtarake serbe”, tha kryeministri Mustafa.
Prandaj, vijoi ai, “asnjë lloj pretendimi për t’i vënë në peshojë ato ngjarje të tmerrshme me krimet individuale, që mund të ketë kryer ndonjë ish-pjesëtar i UÇK-së, nuk mund të ketë kurrfarë baze”.
“Mirëpo, ne, Republika e Kosovës, si shtet i ri, si shtet evropian i ligjit dhe i së drejtës, duhet të tregohemi të gatshëm për t’i përmbushur obligimet dhe zotimet tona përpara drejtësisë ndërkombëtare, të cilën, në asnjë rrethanë dhe në asnjë mënyrë, nuk duhet t’a paragjykojmë si të njëanshme dhe selektive”, u shpreh Mustafa.
Lufta e popullit të Kosovës, vijoi ai, ka qenë luftë për liri, ka qenë luftë për ekzistencën tonë në këto troje, sepse dhuna dhe terrori serb e kishte sjellë popullin e Kosovës në një situatë hamletiane – të jesh apo të mos jesh!
“Dhe, natyrisht, siç do të bënte secili popull tjetër liridashës, populli i Kosovës, pas përpjekjesh të gjata për zgjidhje paqësore, u detyrua t’i rrokte armët në dorë, sepse Serbia nuk la asnjë shteg tjetër”, theksoi kryeministri Mustafa.
Ai përkujtoi se, falë politikës vizionare të Presidentit Rugova, falë kauzës sonë të drejtë çlirimtare, bota e qytetëruar, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga vendet e tjera të Aleancës Veriatlantike, ndërmori fushatën e madhe 78-ditëshe ajrore kundër forcave serbe duke e detyruar Serbinë e Millosheviçit të nënshkruante kapitullimin, të nënshkruante humbjen e luftës.
“Sot, po këta miq që na ndihmuan të arrinim lirinë e synuar shekuj me radhë, na inkurajojnë që të ballafaqohemi vetë me aktet e liga që mund të kenë kryer individët, që të dëshmojmë se jemi të denjë dhe të aftë për të vënë drejtësi, pa marrë parasysh se sa e dhimbshme mund të jetë kjo për secilin prej nesh”, tha Mustafa.
Kosova, vijoi ai, duhet dhe është e aftë të ndërtojë një shtet të së drejtës, ta vejë drejtësinë në vend.
“Veç kërkesës për të zbardhur rastet për të cilat angazhohet drejtësia ndërkombëtare, ne e kemi për borxh të zbardhim të gjitha vrasjet politike të pasluftës. Këtë ua kemi borxh viktimave, ua kemi borxh familjarëve të tyre, ua kemi borxh bashkëluftëtarëve të tyre dhe ia kemi borxh shtetit të Kosovës. Institucionet tona duhet t’i lirojmë nga arenat ku njëra palë fajëson tjetrën për vrasje dhe krime. Këto çështje duhet t’i zgjidhin organet e drejtësisë”, tha kreu i qeverisë kosovare.
Nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, është mbajtur sot në Prishtinë Akademi Përkujtimore kushtuar luftëtarëve të lirisë të rënë në betejën e lavdishme të Loxhës: Rrustem Bruqi, Lumni Surdulli dhe Enver Alaj. Në këtë Akademi, me pietet të lartë është përkujtuar edhe Komandanti i Zonës së III-të të Dukagjinit dhe i Betejës së Loxhës, Kolonel Tahir Zemaj.
“Heronjtë dhe dëshmorët e Betejës së Loxhës, heronjtë dhe dëshmorët e të gjitha betejave të zhvilluara për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, dhanë jetën e tyre për një Kosovë të lirë, për një Kosovë të vlerave të mirëfillta demokratike, në të cilën jeta e secilit qytetar, pa dallim kombi, besimi a race, është njëlloj e vlefshme, është njëlloj e pacenueshme. Këto edhe janë idealet tona, idealet dhe synimet e popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat ne do t’i bëjmë realitet, pavarësisht se rruga që kemi para vetes nuk është aspak e lehtë dhe ende kërkon nga ne vendime të rënda, por të domosdoshme”, përfundoi në fjalën e tij kryeministri Mustafa.
Kosova mot vere dhe rritje fluksi për bregdetin shqiptar
-Patrullime të përbashkëta në mes të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shtetit të Shqipërisë/
Nga: Behlul Jashari/ PRISHTINË,6 Korrik.-Kosova këtë javë, në pjesën dërmuese, do të ndikohet nga masat e nxehta të ajrit, të cilat burimin e kanë nga Afrika Veriore. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-17 gradë celsius, kurse maksimalet ditës, nga e hëna deri të mërkurën, do të lëvizin ndërmjet 31-35. Të enjtën ka mundësi që vende-vende të ketë riga shiu.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës jep parashikimin e motit edhe për bregdetin shqiptar, drejt të cilit pritet të rritet edhe më shumë fluksi i pushuesëve kosovarë në këtë sezon vere.
Thekson se, edhe përgjatë vijës bregdetare pritet të mbajë mot i nxehtë me temperatura tipike verore. Temperaturat më të ulëta do të lëvizin ndërmjet 17-23, derisa maksimalet e ditës do të lëvizin nga 31-38 gradë celsius.
Në vendkalimet kufitare Kosovë-Shqipëri, në qershor 2015 ka pasë gjithësej 500288 hyrje dalje të personave, 142763 ose 39% më shumë se në qershor 2014, kur kishte 357525 personave, e që ishin 105179 më shumë se në 2013-tën.
Në Vërmicë kishte 234167 hyrje e 198513 dalje. Në Qafë Morinë 25688 hyrje e 19530 dalje. Në Qafë Prush 13457 hyrje e 8933 dalje. Këto janë shifrat për hyrje-daljet e personave.
Ndërsa, për automjetet: Në Vërmicë kishte 70258 hyrje e 69590 dalje. Në Qafë Morinë 10009 hyrje e 8664 dalje. Në Qafë Prush 5466 hyrje e 4690 dalje.
Shifratat e hyrjeve-daljeve në tre portat kufitare i bëri të ditura ekskluzivisht për ATSH-në Major Baki Kelani, Shef i Zyrës për Infomim dhe Marrëdhënie me Publikun – Drejtoria e Përgjithëshme e Policisë së Kosovës, në Prishtinë.
Në 1 korrik 2015 ka nisur zbatimi i Marrëveshjes së Mirëkuptimit për patrullime të përbashkëta në mes të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shtetit të Shqipërisë. Pas një konference të përbashkët për shtyp në vendkalimin kufitar në Vërmicë-Morinë, ku u theksua rëndësia e bashkëpunimit mes dy agjencive policore në përpjekje për rritjen e elementëve të sigurisë rrugore, nisi turni i parë i zyrtarëve policorë të trafikut nga Kosova për të patrulluar bashkërisht me njësitet e trafikut të Policisë Shqiptare, në Shqipëri.
U bë e ditur se, gjatë sezonit turistik, ka një rritje të ndjeshme të numrit të shtetasëve nga Kosova që shkojnë për pushime në zonat turistike të Shqipërisë, si dhe të mjeteve që qarkullojnë në akset kryesore rrugore që lidhin të dy vendet, prandaj është parë e nevojshme realizimi i kësaj marrëveshje të përbashkët.
Me synim intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe për të forcuar bashkëpunimin midis policive të dy vendeve, nëpërmjet planifikimit dhe zbatimit të masave të përbashkëta si dhe me qëllim ngritjen e sigurisë në trafik për pjesëmarrësit e të dy vendeve janë vlerësuar të nevojshme dhe të suksesshme patrullimet e përbashkëta në Shqipëri.
Patrullimi i përbashkët është siguri e përkujdesje për të gjithë qytetarët në fluksin e rritur në verë në akset rrugore Shqipëri-Kosovë.
Pas katër çmimeve filmi ‘Babai’ premierë ndërkombëtare në Karlovy Vary
Nga Behlul JASHARI/
Rrëfimi i Nolit (Val Maloku), i fëmijës që shet cigare në rrugë bashkë me të atin Gëzimin (Astrit Kabashi) në Kosovën e viteve të nëntëdhjeta ku babai dëshiron të gjejë një mënyrë për të emigruar në Gjermani u dha premierë ndërkombëtare sot në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Karlovy Vary.
Pas suksesit që filmi ‘Babai’ pati në Filmfest Munchen, ku edhe u shpërblye me çmimet regjia më e mirë – Visar Morina, skenari më i mirë – Visar Morina, aktori më i mirë – Astrit Kabashi dhe Val Maloku si dhe me çmimin One Future Prize, tani ky film është në konkurrencë zyrtare në Karlovy Vary që njihet si një ndër festivalet më të rëndësishme të filmit në botë.
Të pranishëm në premierë përveç regjisorit Visar Morina dhe producentëve Nicole Gerhards, Visar Krusha, Tomi Salkovski, Xenia Margot ishin edhe aktorët kryesor të filmit: Astrit Kabashi, Val Maloku, Adriana Matoshi, Enver Petrovci, Xhevdet Jashari, Aurita Agushi, Armend Ismajli si dhe drejtori i QKK-së Arben Zharku.
Gjithashtu në Karlovy Vary do të shfaqet premierë edhe filmi ‘Krom’ me skenar dhe regji nga Bujar Alimani si pjesë e programit East of the West, ndërsa filmi “Burnesha” do të shfaqet si përzgjedhje e magazines së famshme Variety.