Në prag të 20 vjetorit të formimit të Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia.
LAVER NIKU
Ka kohë që në mjediset tona shoqërore e miqësore diskutohet për një jetësim të përditshëm të mirënjohjes, falenderimit në marrëdhëniet me njeri-tjetrin, të grupeve dhe shoqatës ndaj individit apo edhe në të kundërtën. Jo thjesht për formë, por si një mjet i nevojshëm shpirtëror, qytetar, që nuk ka munguar kurrë në traditën shqiptare, por që në ditët tona, e lëmë me shumë të merret me mend, të nënkuptohet. Tradita shqiptare e ka aq të pasur dhe të fuqishme shprehjen e mirënjohjes sa e ka kthyer në fe. Në shënjë mirënjohjeje lidheshin miqësi brezash, formoheshin krushqira, formoheshin vëllazërira etj. Bile i kalonte edhe kornizat fetare dhe i krishteri u bënte vëlla me myslimanin, apo martonin fëmijët me njëri-tjetrin. Dhe ishin kaq të forta këto lidhje sa shkonin deri në kufijtë e legjendave.
Kjo traditë ka një forcë rrezatuese të fuqishme dhe vjen në ditët tona e bukur dhe frymëzuese. Kjo traditë ishte edhe një nga objektivat e punës së Shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia, që në themelimin e saj. Prindërit emigrantë e sollën në kontinentin e largët, në Amerikë, për t’ua lënë trashëgim fëmijëve, me forcën e vet, me bukurinë e vet: “Made in Albania”.
Një shënjë mirënjohjeje dhe falenderimi ishte dhe takimi i organizuar fundjavën që kaloi nga zoti Bujar Gjoka, kryetar i Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, me të gjithë ish kryetarët e Shoqatës ndër vite Prof. Dr. George Ziu, z. Llazar Vero, z. Petrit Zanaj, Dr. Sadik Elshani e z. Tajar Domi si dhe sekretarin e kësaj shoqate përgjatë dy dhjetë-vjeçarëve, zoti Vlashi Fili. Takimi u zhvilluar në Restorantin “La Voglia”, me adresë; 216 West Street Rd, Warminster, PA 18974 në pronë të dy bashkatdhetareve të rinj shqiptar. Pranë restorantit, ishim në kohën e duhur, por aty na priste Prof. Dr.George, që kishte mbërritur pak minuta para nesh. Ai jeton dhe punon në Quakertown, U përshëndetëm, ashtu, pak zhurmshëm, siç e kemi zakon ne shqiptarët, me temperament mesdhetar. Zumë vend në një tavolinë të rezervuar për këtë rast: në fillim George, pastaj Llazari, Vlashi, Tajari, Petriti, Sadiku e Bujari. Pyetjet e zakonshme në fillim, për shëndetin, familjet dhe punën. Pastaj, si pa dashje, zunë vend kujtimet.
Llazar Vero tregonte se si ishin njohur me Dr. George Ziun. Ishte pranvera e vitit 1998. Shumica e emigrantëve ishin të sapoardhur nga Shqipëria. Dhe ishin këta që kishin marrë nismën për organizimin e një demonstrate në përkrahje të luftës së drejtë të popullit shqiptar në Kosovë për liri dhe pavarësi nga pushtuesit serbë. Me ne u bashkuan edhe një grup i Shoqatës Humanitariane Shqiptare -Amerikane “Nënë Tereza”, që mblidhte ndihma për popullin e Kosovës. Gjatë manifestimit nga Quakertown, Pennsylvania na bashkohet edhe një grup tjetër bashkatdhetarësh me flamuj shqiptarë dhe amerikanë. Grupin e printe një burrë i ri, rreth të dyzetave, i fuqishëm, gjithë etusiazëm, që me flamur në dorë i printe grupit të vet. Ky ishte Dr. George Ziu, i lindur dhe i rritur në Amerikë, si edhe i jati tij,që rrënjët i kishin në Beratin e bukur dhe dashurinë për atdheun e të parëve të pashuar. Demonstruesit u mblodhën para sheshit të Bashkisë së Filadelfias, ku krahas bashkatdhetarëve të tjerë foli edhe Dr. George Ziu.
– Ky ishte takimi i parë me ju George, apo jo? – e pyeti Llazari, për ta futur në bisedë doktorin tonë.
– Po, – u përgjigj ai në shqip,
– Dhe ishte shumë bukur! E paharruar ajo ditë!
Në mbarim të kësaj veprimtarie së bashku me z.Viktor Furxhi e z. Sotiraq Pema biseduam me Dr. George, këmbyem edhe numrat e telefonave, për të mos i shkëputur lidhjet. Dhe koha e solli që të takoheshim përsëri me atë, në përpjekjet tona për formimin e shoqatës që kemi sot. Ai u tregua përsëri i gatshëm. Dhe na ndihmoi shumë me përvojën e tij, me kulturën e tij. Kur u njoh shoqata nga shteti i Pensilvanisë, ai ishte ideatori i stemës së shoqatës, që e kemi edhe sot. Në zgjedhjet e para në shoqatë ai u zgjodh njëzeri kryetar i parë i saj.
Kryetari i shoqatës Dr. George Ziu, punoi pa u kursyer për forcimin dhe rritjen e shoqatës. Por puna e tij në një klinikë në Nju Xhersi dhe dhe udhëtimi për me shumë se një orë për Quakertown, ku kishte familjen, e pengonte për të qënë me shumë pranë shoqatës dhe problemeve të saj. Në zgjedhjet e dyta të shoqatës ai, mes emocionit kërkoi të largohet nga kjo detyrë, por jo nga jeta e shoqatës. Kur u hap shkolla shqipe në mars të vitit 2004, ai solli vajzën e tij, të mësonte gjuhën e gjyshërve të saj, gjuhën shqipe. Edhe në mbrëmjet e flamurit nuk mungonte. Kështu ndër vite. Kjo ka bërë që ai të mos jetë i panjohur edhe për të gjithë kryetarët e tjerë të shoqatës ndër vite, për Petritin, Sadikun,Tajarin dhe Bujarin.
Profesor Dr. George Ziu, atdhedashurinë dhe Shqipërinë e ka në zemër. Një nga shokët e tavolinës e pyeti se si kishte mundësi, që ai, si brezi i tretë i familjes që jetonte në Amerikë, të ruante të pashuar këtë atdhedashuri për vendin e të parëve të tij. Të gjithë ne në tavolinë e dinim se ai ka bërë kërkesën presidentit të Shqipërisë t’i jap shtetësinë shqiptare, krahas asaj amerikane. Shoqata jonë i ka dhënë mbështetjen e saj për realizimin e kësaj dëshire të madhe të tij.
-Kur isha i ri, – tregoi Dr George, – një zonjë në kishën shqiptare me pyeti se çfarë isha unë. – Shqiptar. – iu përgjigja i sigurtë. – Ajo me rrahu shpatullat dhe u largua duke qeshur.
Koha po ikte si pa e kuptur pasi të gjithë ishim të mbërthyer me bisedat, kujtimet e bukura, emocionet dhe vështirësitë që kemi patur në punën vulnetare në drejtim të shoqatës në këto 20 vite të jetës së saj.
Në këtë takim u diskutua dhe për përgatitjet që duhen bërë për festimin e 20 vjetorit të shoqatës.
Më pas, zoti Bujar Gjoka ngrihet në këmbë dhe i dorëzon Dr, Gerge Zeo (Ziu) Çertifikatën “Nderi i Komunitetit” dhënë nga Shoqata Atdhetare – Kulturore “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia me motivacionin “Për trashëgiminë atdhetare të pashuar në mendjen dhe zemrën e tij, si pjesëmarrës dhe organizator në veprimtaritë atdhetare e kulturore të komunitetit shqiptar në Filadelfia dhe më gjërë, për ndihmesën e tij të çmuar në organizimin, themelimin dhe si kryetar i parë i Shoqatës Atdhetare-Kulturore Shqiptare Amerikane “Bijtë e Shqipes“ në Filadelfia, 20 vite më parë.
Doktori shumë i emocionuar falenderon për nderimin që i bëri kjo shoqatë. Të gjithë së bashku të ngritur me gota e verës në duar i urojmë atij shëndet dhe mbarësi për vete dhe familjen e tij të madhe. Kjo çertifikatë ishte e shoqëruar edhe me medalionin e shoqatës, që i shtoi emocionet e tij.
Të gjithë e falenderuam për ndihmesën e dhënë në hapat e para të shoqatës tonë. E falenderoi Vlashi, Petriti, Sadiku,Tajari e Llazari. Doktor George mezi i mbante emocionet dhe vetëm falenderonte në shqip dhe anglisht. Janë emocione krejtë të veçanta që nuk mund t’i gjesh kudo. Zemra dhe mendja sikur ndizen, sikur punojnë ndryshe, më fuqishëm dhe më të rinuara. Janë rezultate të një pune dhe sakrifice të papaguar, por që buron nga shpirti.
LAVER NIKU
01 Nëntor 2021