*Sot paradite kryetari demokrat Lulzim Basha deklaroi se “nuk ka asnjë kusht të ri. Ky është një mashtrim i turpshëm. Partnerëve ndërkombëtarë sot dua t’u bëj me dije se çdo mashtrim që mund të kenë marrë dje nga pala kundërshtare bie përtokë me prova”/
*Kryetari i Parlamentit Meta ndërmjetëson negociatat mes ambasadorëve të SHBA-së dhe BE-së dhe kryetarit të PD-së Basha për formulën e emërimit të anëtarëve të dy institucioneve të Drejtësisë. Meta thirrje për një votë konsensuale “ndryshe jap dorëheqjen”./
Në Shqipëri parlamenti nisi sot paradite seancën e tij ku është parashikuar votimi i Reformës në Drejtësi, ndërkohë që ka ende çështje pezull. Mbrëmë përfaqësuesit e Partisë Demokratike kërkuan që formula e dakortësuar për përzgjedhjen e anëtarëve të komisioneve të verfikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të përdorej edhe për dy institucionet e tjera Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Ambasada amerikane u shpreh “e zhgënjyer” për “kërkesën e re të zotit Basha” duke e cilësuar atë “të papranueshme”. Në deklaratën e saj ambasada përdori tone të forta ndërsa theksonte se “ky zhvillim i fundit na detyron të arrijmë në përfundimin se kjo është një përpjekje e qëllimshme nga kreu i opozitës për ta bllokuar këtë reformë”.
Sot paradite kryetari demokrat Lulzim Basha deklaroi se “nuk ka asnjë kusht të ri. Ky është një mashtrim i turpshëm. Partnerëve ndërkombëtarë sot dua t’u bëj me dije se çdo mashtrim që mund të kenë marrë dje nga pala kundërshtare bie përtokë me prova”, tha zoti Basha duke kujtuar se dy ditë më parë ai kishte deklaruar në një konferencë për shtyp se sipas formulës së dakortësuar për komisionet e verifikimit “përzgjidhen anëtarët e KLGJ-së jogjyqtarë dhe anëtarët e KLP-së joprokurorë”
Në hapje të seancës parlamentare, kreu i parlamentit deklaroi se “asgjë nuk duhet të pengojë miratimin e Reformës me konsensus”. Ai u tërhoq nga drejtimi i seancës për t’ju dedikuar ndërmjetësimit për “zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes zotit Basha dhe Shteteve të Bashkuara” duke ftuar që në këto përpjekje të angazhohej dhe ambasadori amerikan Donald Lu dhe kreu i delegacionit të BE-së, Romana Vlahutin. Të dy ambasadorët të pranishëm në hapjen e seancës ju bashkuan menjëherë zotit Meta në zyrat e Parlamentit, ku më pas ka shkuar dhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Sipas kryetarit të parlamentit, negociatorët e partive politike duhet ndërkohë të përmbyllnin kthimin në një akt ligjor të marrëveshjes së arritur dje me ndërmjetësimin e Komisionerit europian Johannes Hahn, në mënyrë që më pas ajo të përfshihej në projektin e ndryshimeve kushtetuese nga Komisioni i Posaçëm parlamentar. Kjo çështje në fakt ishte pjesë e debateve të gjata në fillim të ditës edhe në Konferencën e kryetarëve të grupeve parlamentare. Zoti Meta në fjalën e tij bëri disa herë thirrje për domosdoshmërinë që Reforma të kalojë me konensusin e të gjitha palëve “në interest ë stabilitetit të vendit”. Ai deklaroi se votat e partisë që drejton, LSI-së janë të gjitha në favor të Reformës, duke njoftuar se nëse ajo nuk kalon me konsensusin edhe të opozitës, “do të jap dorëheqjen nga detyra e kryetarit të parlamentit, sepse nuk mund të rri në një parlament që funksionon me presione”, deklaroi zoti Meta.
Pak përpara se të niste seanca e sotme Delegacioni I Bashkimit Europian përmes një deklarate theksonte se “sot është një ditë shumë e rëndësishme për qytetarët shqiptarë dhe të gjithë ne presim që Kuvendi do të votojë reformën historike të gjyqësorit. BE dhe SHBA kanë punuar në partneritet të ngushtë që nga fillimi dhe janë në dakortësi të plotë për të githa çështjet në diskutim. Ne presim që të gjitha palët të respektojnë angazhimin publik të shprehur dje për të votuar pro reformës”, përfundon deklarata.