• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BRUKSEL – KE: I drejtë vendimi grek për kontrollin e kapitaleve

June 29, 2015 by dgreca

BRUKSEL, 29 qershor / – Vendimi i Greqisë për kontrollin e kapitaleve është plotësisht i drejtë dhe i justifikuar, deklaroi sot Komisioni Evropian, pas diskutimit të kësaj mase të ndërmarrë nga vendi ballkanik.“Në situatat aktuale, stabiliteti i sistemit financiar dhe bankar në Greqi përbën një çështje thelbësore për interesin publik që ka lidhje me vendosjen e shtrëngesave të përkohshme për rrjedhjen e kapitaleve”, tha me anë të një deklarate eurokomisioneri për Shërbimet Financiare, Jonathan Hill.”Këto kontrolle të kapitaleve janë të domsdoshme dhe në proporcion”, theksoi ai.

”Megjithatë, lëvizja e lirë e kapitaleve duhet të rivendoset sa më shpejt të jetë e mundur në interes të ekonomisë greke, eurozonës dhe tregut të përbashkët të Bashkimit Evropian”, shtoi Hill.

Filed Under: Kronike Tagged With: Bruksel, KE, kontrolli i kapitaleve, vendimi grek

BRUKSELI PRET KRYEMINISTRAT E KOSOVËS E SERBISË NË RAUNDIN E 27-të

June 28, 2015 by dgreca

Nga: Behlul Jashari/

PRISHTINË, 28 Qershor.-Delegacionet nga Kosova dhe Serbia shkojnë në Bruksel, ku në 29 qershor, zhvillohet raundi i 27-të i dialogut në nivel të lartë kryeministror Prishtinë-Beograd, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA. Pas raundit të 26-të, shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka thënë se bisedimet midis kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiç, janë përqendruar në çështjet e pazgjidhura midis palëve, si: energjia, telekomi, krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe në veri të Kosovës dhe liria e lëvizjes.“Përparim i mirë është bërë në të gjitha çështjet. Ekipet tona do të vazhdojnë të punojnë për këto katër çështje në orët e ardhshme dhe ne do të mblidhemi shumë shpejt, në ditët e ardhshme, për të finalizuar marrëveshjet”, ka thënë Mogherini përmes një deklarate për media.Ajo po ashtu ka bërë të ditur se Memorandumi i Mirëkuptimit për njohjen e ndërsjellë të sigurimeve të makinave është nënshkruar në margjina të takimit.

KOSOVA KA ÇËSHTJE TË PADISKUTUESHME E TË PANEGOCIUESHME

Kryeministri i Kosovës, Mustafa, nuk është deklaruar për mediat as para, as pas takimit në Bruksel, ndërsa pas kthimit  në Prishtinë, në një mbledhje të qeverisë, tha se, “ gjatë takimit të datës 23 qershor janë trajtuar disa prej çështjeve që kanë qenë të parapara, si çështja e parimeve themelore lidhur me asociacionin e komunave, çështja e energjisë, çështja e kodit telefonik, çështja e kalimit mbi urën e Ibrit dhe poashtu është arritur që të nënshkruhet Marrëveshja lidhur me policat e sigurimit”.

“Mund të them se për çështjet e tjera, sa i përket asociacionit të komunave, energjisë, për të cilat është diskutuar në mënyrë specifike, të tjerat nuk kanë arritur të diskutohen thellësisht. Kemi mbetur që të punojmë edhe më tutje në nivel të ekspertëve për të sqaruar disa çështje që kanë qenë shumë të hapura ndërmjet nesh dhe jemi marrë vesh që të vazhdojmë këtë të hënë”, shtoi ai.

Ne, vijoi Mustafa, jemi angazhuar që të gjitha këto çështje të zgjidhen në suaza të parimeve të cilat ne i kemi përcaktuar më parë dhe unë mendoj se ashtu edhe do të ndodhë. 

“Jemi marrë vesh që dialogu të vazhdohet për të njëjtat tema, që të mos dalim dhe të themi se kush kujt çka i tha, sepse ajo nuk na ndihmon ne që të zhvillojmë një dialog konstruktiv, por që, çështjet të cilat i kemi biseduar atje të jenë çështje të një dialogu i cili zhvillohet natyrisht nganjëherë edhe me pajtime dhe mospajtime, por që të bëjmë përpjekje që t’i përafrojmë qëndrimet duke u bazuar në parimet e domosdoshme që ne duhet t’i respektojmë, që është Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ligjet që janë në fuqi, që është prona e Kosovës, që është e padiskutueshme dhe e panegociueshme”, tha kryeministri Mustafa.

“Ne do të bëjmë përpjekje maksimale që dialogu të jetë konstruktiv dhe që zgjidhjet të jenë ato të cilat do të ndihmojnë që ne në të ardhmen t’i lëmë anash problemet të cilat i kemi tani të hapura, por edhe të orientohemi në perspektivën tonë zhvillimore dhe në mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, theksoi kreu i qeverisë kosovare.

Kryeministri i Serbisë, Vuçiç, ka folur në Bruksel, pas takimit me kryeministrin e Kosovës Mustafa,  ku ka thënë se bisedimet kanë qenë shumë të vështira dhe se nuk është arritur ndonjë marrëveshje finale.

“Kemi shënuar mjaft përparim, para së gjithash për çështjen më të vështirë që është Asociacioni i Komunave Serbe. Shpresoj se në ditët e ardhshme, së paku këtë marrëveshje mund ta finalizojmë, por po punojmë intensivisht dhe seriozisht për të gjitha temat e tjera”, ka thënë Vuçiç.

Ndërsa sot, kryeministri serb Vuçiç, ka thënë se në takimin e nesërm në Bruksel, pjesë e dialogut me Prishtinën, shkon me besim të mirë dhe ka theksuar se Serbia është e gatshme për kompromis, por se ka thënë se “nuk varet prej nesh se çfarë do të ndodh”.

Sipas Vuçiç  përfaqësuesit e Prishtinës kanë shkelur marrëveshjen për mos-dhënie të detajeve në lidhje me bisedimet që janë zhvilluar në Bruksel herën e fundit.

Kryeministri i Serbisë, sipas raportimit të medias, ka shprehur edhe pakënaqësinë e tij në lidhje me mos-themelimin e Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës.

Edhe në takimin e nesërm temat kryesore pritet të jenë të njëjta me ato të takimit të kaluar. “Bashkësia e komunave serbe” në Kosovë, renditej e para nga “katër temat” e raundit të 26-të të dialogut në nivel të lartë kryeministror Prishtinë-Beograd. Media në Serbi ka renditur të dytën “energjetikën”, të tretën “telekomunikacionin” dhe të katërtën “Parkun e paqes” siç e quajnë barrikadën në urën kryesore mbi lumin Ibër të qytetit të Mitrovicës, që ndanë veriun me shumicë serbe nga jugu me shumicë shqiptare.

Burimet zyrtare në Prishtinë po ashtu kanë theksuar katër tema, me dallim vetëm në renditje, “energjinë, telekomin, barrikadën mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë dhe Asociacionin e komunave serbe”, duke bërë të ditur se për këto çështje para takimit të kryeministrave të Kosovës e Serbisë në Bruksel kanë qëndruar dhe kanë vazhduar të jenë atje grupet punuese kosovare në kuadër të dialogut.

KOSOVA DHE SERBIA PËR KATËR VITE BISEDIMESH NË BRUKSEL KANË ARRITUR 20 MARRËVESHJE

Për katër vite bisedimesh në Bruksel, që nisën me teknike e kaluan në nivel të lartë kryeministror, Kosova dhe Serbia kanë arritur 20 marrëveshje. Këtë e bëri të ditur sot në Prishtinë ministrja për Dialogun në qeverinë kosovare, Edita Tahiri, në konferencën e tretë të ambasadorëve të Republikës së Kosovës, ku foli për temën “Progresi  në dialogun e Brukselit dhe perspektiva euroatlantike e Kosovës”.

“Sot katër vite pas, janë arritur njëzet e dy  marrëveshje me Serbinë, disa janë zbatuar nga Serbia, e disa janë rrugës së zbatimit, dhe në disa fusha Serbia ka shënuar ngecje serioze në zbatimin e marrëveshjeve”,  u shpreh ajo.

Ministrja Tahiri tha se dialogu që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet Republikës së Kosovës  dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit  Evropian ka dhënë rezultate të rëndësishme në disa plane. Vlen të veçohen rezultatet në forcimin e kushtetutshmërisë, ligjit dhe demokracisë në tërë vendin dhe shuarja e strukturave paralele serbe në fushat ku janë arritur marrëveshjet, pastaj përparime ka pasur në normalizimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore me Serbinë, dhe në mënyrë të veçantë dialogu i Brukselit ka kontribuar në perspektivën euro-atlantike për Kosovën. Ajo pastaj u ndal në veçanti tek procesi i zbatimit të marrëveshjeve në fushën e drejtësisë dhe shuarjen e të ashtuquajturës “Mbrojtje Civile” si dhe informoi mbi takimin e radhës në Bruksel në nivel kryeministrash ku do të trajtohen dhe eventualisht mbërrihen marrëveshjet për temat që janë në rend dite.  Ajo shprehu pritshmërinë që do të ketë rezultate për përmbylljen e çështjes së kodit shtetëror telefonik, për të cilën do të aplikojë shteti i Austrisë, pastaj do të ketë përparime në çështjet e zbatimit të marrëveshjes për energjinë, në përkufizimin e parimeve të përgjithshme për asociacionin dhe për heqjen e barrikadës nga ura e lumit Ibër.

Ministrja Tahiri shprehu kënaqësinë për nënshkrimin e marrëveshjes për njohjen reciproke të polisave të sigurimit të automjeteve mes dy shteteve, e cila marrëveshje do të ulë koston e tarifave dhe mundësojë një lëvizje më të lirë për qytetarët dhe në veçanti për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Kosova me dialogun e Brukselit  po dëshmohet si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, dhe vetë Dialogu i Brukselit po konsiderohet si kontribuuesi kryesor për paqen në rajon duke qenë se në vendet tjera nuk ka pasur zhvillime inkurajuese, duke pasur parasysh që në Maqedoni ka probleme demokratike dhe etnike ku nuk ka pasur përparime në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe po ashtu Bosnja vazhdon me sfidat e saja”, tha ministrja Tahiri.

Në Bruksel të hënën e 29 qershorit 2015 takohen për herë të katërt kryeministrat Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë, ndërsa  nga 26 raundet e zhvilluara deri tash të dialogut Prishtinë-Beograd në nivel të lartë, 23 ishin mes kryeministrave të atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç. Takimi i parë kryeministror në Bruksel është zhvilluar në 19 tetor 2012, ndërsa i 26-ti në 23 qershor  2015. Bisedimet në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik Kosovë-Serbi, të filluar në 8 mars 2011, po ashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre.

PYETJE NË KUVENDIN E KOSOVËS: PËR ÇKA U DAKORDUAT DHE ÇKA DO TË NËNSHKRUANI TË HËNËN ME DELEGACIONIN E SERBISË NË BRUKSEL?

Pas raundit të 26-të, seanca plenare e Kuvendit të Kosovës në 25 qershor ka nisur me pyetjet për delegacionin kosovar se çka biseduan e për çka u dakorduan në raundin e 26-të kryeministror në 23 qershor dhe çka do të nënshkruajnë të hënën me delegacionin e Serbisë në Bruksel. Gjatë koha për deklarimeve  jashtë rendit të ditës, këto pyetje i bënë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda, dhe deputetja e Nisma për Kosovën, Valdete Bajrami, duke theksuar opinonin e tyre se bashkësia e komunave serbe në veri do jetë një autonomi apo republikë.

“Te ne po krijohet rajoni autonom…Ky rajon autonom as nuk ka lojalitet ndaj shtetit të Kosovës, do të jetë në plotëni i udhëhequr politikisht prej Republikës së Serbisë”,  u shpreh deputeti Deda. Sipas tij, “kompromiset në emër të Kosovës po vazhdojnë dhe janë duke u shkelur vijat e kuqe”.

 “Për çka keni biseduar dhe çfarë vendimesh keni arritur me palën serbe…Ju do të jeni ata që në Bruksel do ta firmosni një marrëveshje në dëm të vendit, atë të bashkësisë serbe, apo thënë më mirë krijimin e një Republika Srpska brenda Kosovës. Kjo është e papranueshme për ne dhe qytetarët e vendit tonë”, është shprehur deputetja Bajrami.

Gjatë këtyre deklarimeve jashtë rendit të ditës, ku u bënë edhe pyetje, kryeministri Isa Mustafa e zëvendëskryeministri Hashim Thaçi nuk ishin prezentë në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, prandaj as nuk pati përgjigje.

Shtypi i Prishtinë në mëngjesin e 23 qershorit theksonte se, “në bisedimet e sotme në Bruksel, pala serbe do të insistojë në themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe brenda dy muajve”. “Nëse realizohen pritjet e Beogradit zyrtar që Asociacioni i Komunave Serbe të themelohet brenda dy muajve, atëherë veriu i Kosovës do të mbetet nën kontrollin e Serbisë edhe për një kohë të pacaktuar. Prandaj kërkohet nga pala kosovare që sot në Bruksel të mos arrijë ndonjë marrëveshje, që ua zgjat jetën strukturave paralele që financohen nga Serbia”, shtohet më tej.

Përkujtohej se, “në Prishtinë është thënë disa herë se Asociacioni do të themelohet vetëm kur të sigurohet shpërbërja e tërësishme e strukturave ilegale” dhe se pjesë e tyre “në veriun e Kosovës nuk është vetëm ‘Mbrojtja Civile’ (‘Civilna Zastita’) për të cilën është arritur një marrëveshje për transformim”.

Marrëveshja 15 pikëshe për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e vlerësuar historike, e parafuar para dy vitesh, në 19 prill 2013, nga Thaçi e Daçiç, si dhe ndërmjetësuesja, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, Baronesha Catherine Ashton, në 6 pikat e para  ka Asoaciacionin apo Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë:

TEKSTI I MARRËVESHJES KOSOVË-SERBI, PARAFUAR NË 19 PRILL 2013 NË BRUKSEL

1. Do të ketë një Asociacion/Bashkësi e komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësimi do të jetë i hapur për cilëndo komunë, me kusht që anëtarët pajtohen.
2. Bashkësia/Asociacioni do të krijohet me statut. Zhbërja e tij/saj mund të ndodhë vetëm me një vendim të komunave pjesëmarrëse. Garancitë ligjore do të sigurohen përmes ligjit në fuqi dhe ligjit kushtetues (përfshirë 2/3 e shumicës së trupit vendimmarrës).
3. Strukturat e Asociacionit/Bashkësisë do të themelohen mbi po të njëjtat baza sikurse statuti ekzistues i Asociacionit të Komunave të Kosovës, si për shembull, kryetari, zëvendëskryetari, Asambleja, Këshilli.
4. Në pajtim me kompetencat e ofruara nga Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe ligjin e Kosovës, komunat pjesëmarrëse do të kenë mundësi në gjendje të bashkëpunojnë për të ushtruar fuqinë e tyre në gjithë Bashkësinë/Asociacionin. Asociacioni/Bashkësia do të ketë qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural.
5. Asociacion/Bashkësia  do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore.
6. Bashkësia/Asociacioni do të ketë një rol përfaqësimi te autoritetet qendrore dhe për këtë qëllim do të ketë një ulëse në këshillin konsultativ për komunitete. Në përputhje me këtë, është paraparë një funksion vëzhgues.

7. Do të ketë një forcë policore në Kosovë, që quhet Policia e Kosovës. Të gjithë policët në veri të Kosovës do të jenë të integruar brenda kornizës së Policisë së Kosovës. Pagat do të jepen vetëm nga Policia e Kosovës (PK).
8.Anëtarëve të strukturave serbe të sigurimit do t’iu ofrohet nga një vend në strukturat ekuivalente kosovare.
9. Do të ketë një komandant Rajonal të Policisë për katër komunat me shumicë serbe (Mitrovica e veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç) . Komandant i këtij rajoni do të jetë një serb i Kosovës, i nominuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, nga një listë që do të sigurohet nga katër kryebashkiakët, në emër të Komunitetit/Bashkësisë. Përbërja e PK-së në veri do të pasqyrojë përbërjen e popullatës së katër komunave. (Do të ketë edhe një komandant tjetër rajonal për komunat e Mitrovicës, Skënderajt dhe Vushtrrisë). Komandanti rajonal i katër komunave në veri do të bashkëpunojë me komandantët e tjerë rajonalë.
10. Autoritetet gjyqësore do të jenë të integruara dhe do të veprojnë brenda kornizës ligjore të Kosovës. Gjykata e Apelit në Prishtinë do të krijojë një panel shumica e gjykatësve të të cilit do të jenë serbë të Kosovës, për t’u marrë me të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë. Një sektor i kësaj Gjykate të Apelit, e përbërë nga stafi administrativ dhe gjyqësor, do të qëndrojë përherë në veri të Mitrovicës (Gjykata e Qarkut në Mitrovicë). Shumica e secilit panel të sektorit të mësipërm do të përbëhet nga gjykatës serbë të Kosovës. Vendqëndrimi i gjykatësve respektivë do të varet nga natyra e rasteve në të cilat janë të përfshirë.
11. Zgjedhjet komunale në komunat e veriut do të organizohen në vitin 2013, me ndihmën e OSBE-së, në përputhje me ligjin e Kosovës, dhe me standardet ndërkombëtare.
12. Një plan zbatimi, përfshirë edhe kornizën kohore, do të hartohet më 26 prill. Për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, do të adresohet parimi i fondit transparent. 
13. Diskutimet lidhur me energjinë dhe telekomin do të intensifikohen nga të dyja palët, dhe do të përfundojnë deri më 15 qershor.
14. Është arritur pajtimi që asnjëra palë të mos e bllokojë, apo inkurajojë të tjerët për të bllokuar progresin e palës tjetër në rrugëtimin drejt BE-së.
15. Me ndihmën e BE-së, nga të dyja palët do të krijohet një Komitet i Zbatimit.

 DATAT E TË GJITHA TAKIMEVE KRYEMINISTRORE KOSOVË-SERBI NË BRUKSEL:

THAÇI-DAÇIÇ:

Viti 2012:
Raundi 1 – 19 tetor
Raundi 2 – 7 nëntor
Raundi 3 – 4 dhjetor
 
Viti 2013:
Raundi 4 – 17 janar
Raundi 5 – 19-20 shkurt
Raundi 6 – 4 mars
Raundi 7 – 20 mars
Raundi 8 – 2 prill
Raundi 9 – 17 prill
Raundi 10 -19 prill
Raundi 11 – 21 maj
Raundi 12 – 20-21 qershor
Raundi 13 – 8 korrik
Raundi 14 – 24 korrik
Raundi 15 – 27 gusht
Raundi 16 – 8 shtator
Raundi 17 – 7 tetor
Raundi 18 – 6 nëntor
Raundi 19 – 5 dhjetor

Raundi 20 – 13 dhjetor

 Viti 2014:
Raundi 21 – 27 janar
Raundi 22 – 12 shkurt
Raundi 23 – 31 mars

MUSTAFA-VUÇIÇ:

 Viti 2015:

Raundi 24 – 9-10 shkurt

Raundi 25 –  21 prill

Raundi 26 –  23 qershor

Raundi 27 –  pritet në 29 qershor

Filed Under: Rajon Tagged With: Bruksel, Kryeminstrat Thaci, Vucic

BLERJA E VOTAVE , NE BRUKSEL

June 27, 2015 by dgreca

Albana Vokshi në forumin e grave të PPE: Kemi depozituar pranë OSBE-së fakte e argumenta për blerjen e votave/

Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë (LDGSH), deputetja Albana Vokshi e cilësoi të manipuluar dhe të cënuar procesin zgjedhor në 21 Qershor.

Në forumin e grave të Partive Popullore Europiane që u mbajt në Maltë, zonja Vokshi i bëri me dije kolegeve europarlamentare, deputeteve dhe politikaneve të vendeve të BE-së se ka patur një proces masiv të shitblerjes së votës, klimë shantazhuese të qeverisë dhe mazhorancës mbi vullnetin e lirë të shqiptarëve, angazhim në proces kandidatë me rekorde kriminale, të gjitha të evidentuara edhe në raportin paraprak të OSBE-ODIHR.

“Në një skenar të mirëpregatitur me ndarjen e re territoriale, PS dhe LSI minuan standardet e zgjedhjeve, duke e kthyer votimin, në një proces diktatorial, ku votuesit fotografonin votën në këmbim të parave dhe të vendeve të punës”, tha  Vokshi.

Vokshi vuri theksin te klima kërcenuese për të marrë votën e grave dhe të nënave me vendin e punës, tek parregullsitë e shumta që lidheshin me organizimin e infrastrukturës zgjedhore, si kutitë, shpërndarja e fletët e votimit, vulat dhe terma të tjera teknikë, të cilët ndikuan drejtëpërsëdrejti në mbarëvajtjen e procesit.

“Partia Demokratike ka depozituar të dhëna të shumta me fakte dhe argumenta pranë OSBE, ODHIR dhe të gjithë organizmave ndërkombëtare  për fenomenin e blerjes se votave, për presionin  dhe klimën shantazhuese ndaj administrates dhe  biznesit në favor të një rezultati manipulues të mazhorancës në zgjedhjet locale”, tha Vokshi.

Presidentja e Forumit të Grave të Partive Popullore, Dors Pack dhe lideret e vendeve të BE-së në referencë të raportit paraprak të misionit të vëzhguesve OSBE-ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri, shprehën shqetësimin e madh për cënimin e standardeve, manipulimin e zgjedhjeve, te cilat mund te kene ndikim në proceset integruese të vendit.

Demokracia dhe shteti i së drejtës është më në rrezik se kurrë nga qeverisja dhe mazhoranca e inkriminuar, e cila ka sfiduar sistemin dhe me vendosjen e kandidatëve të lidhur me krimin, tha më tej Vokshi. Partia Demokratike, deklaroi deputetja Vokshi, do të nisë një betejë frontale për të vënë para përgjegjësisë politike dhe ligjore manipuluesit e zgjedhjeve në Shqipëri. Opozita  do të vazhdojë e pa lëkundur në betejën e saj me antiligjin dhe pushtetin  e inkriminuar i cili ka kapur çdo institucion dhe strukturë të pavarur.

Filed Under: Opinion Tagged With: Albana Vokshi, Bruksel, denoncim i blerjes, votat

Një shqiponjë në RTL

May 18, 2015 by dgreca

Në Bruksel, influenca është (çështje) personale/
André Lamy (i lindur Leveugle) në publikun belg dhe atë francez nuk ka më nevojë të prezantohet. Me një karriere tëfilluar që në fillimin e viteve ’80 ky njeri i skenës, televizionit dhe radios ka pushuar së numëruari edhe vet shfaqjet e tij në publik. Dhe nëse cilësime si «komiku më i mirë belg » janë delikatë pasi mbartin me vete një pjesë subjektiviteti, Lamy është sigurisht një nga më të mirë-paguarit. Le të vemi aty ku është qëllimi i këtij artikulli. Lamy në One Man Show-n e tij të 20, « Lamy qui vous veut du bien » (Lamy që j’ua don të mirën) për të cilin po pregatitën shfaqjen e tij të 70 në Belgjikë, nuk kursen njeri. (Ish) Mbreti Albert, i biri, ish Kryeministri, Kryeminstri aktual të gjithë politikanët më në zë po edhe shqiptarët kësaj radhe janë përsonazhet e tij. Më poshtë intervista e tij e plotë.
EZh : Në spektaklin tuaj « Lamy që j’au don të mirën » të gjithë kalojnë në sitë,(ish)Mbreti Albert, Bart De Wever, Elio Di Rupo, Maggie De Block, Olivier Maingain, Joëlle Milquet madje edhe shqiptarët. Përse zgjodhët këta të fundit ?
AL : Oh mund të kishin qënë romunët, ose polakët ose ku ta di unë. Në fakt mund të j’u siguroj që përtej fjalëve nuk ka asgjë ide të mbrapshtë, as larje hesapesh, as tjetër gjë. Dhë nësëdoni të dini të gjithë të vërtetën kam një mik shumë të mirë shqiptar që quhet Avni Vatansever i cili është disi në botën e spektaklit dhe i thashë vetës sa të përmend një komunitet më mirë po përmend shqiptarët se kam këtë mikun.(qesh) Por siç e thoni edhe ju, në spektakël nuk kursehet asnjeri. Ja merrni shembullin e Kryemistrit, gjysma e skeçit është hequr nga transmetimi në televizion pasi Charl Michel është shumë i ndjeshëm. Apo skeçi mbi « coming out » të Di Rupos nuk është po ashtu shumë delikat. Apo sindikatat që e kishin radhën edhe sot në mëngjes në « Votez pour moi » (Votoni për mua) Në fakt njerëzit politik dhe çdo gjë që i rethon janë për mua si pëllumba prej argjile, i gjuaj pareshtur.
Pra, edhe njëherë nuk ka patur asnjë ide keqdashëse, por është e vërtetë që shpesh herë dëgjojmë të thuhet : kemi marrë një punëtor shqiptar apo njëromun siç flitej më përpara për italianët. Tani ata janë stabilizuar dhe është radha e të ardhurve nga Europa e Lindjes për të bërë vendin e tyre.
EZh : Cili është imazhi që keni për shqiptarët dhe si j’u është krijuar ky imazh. A mendoni që mediat luajn rolin kryesor ?
AL :Imigrantët janë një realitet europian dhe është e vertetë që ka një karikaturizim në media. Dhe meqë profesioni im është që të shes karrikaturizimin, po ju lë të dilni vet në konkluzione (qesh). Megjithatë nuk kam një imazh negativ për shqiptarët por as pozitiv, miku im që ju fola më sipër është si gjithë të tjerët, nuk i shof ndonjë të metë ngaqëështë shqiptar. (qesh) Por është e vërtëtë që ka një imazh karikaturesk për emigrantët, flitet nganjëherë për mafian shqiptare siç është folur për mafian italiane dikur apo siç flitet tani për mafian kineze dhe atë ruse, një ditë do të dalë edhe një mafie belge, ndoshta për trafikimin e patateve të skuqura. (qesh)
EZh : Ju keni kaluar fëmijërinë tuaj në Scharbeek, komunë që cilësohet si kryeqyteti i shqiptarëve prej politikaneve që ju i keni për zemër. A ka ndryshuar imazhi që ju kishit për shqipëtarët gjatë fëmijërisë tuaj me imazhin që keni për ta tani ?
AL :Filloren e kam bërë në një shkollë komunale ku ishim ghithsej 5 nxënës belg dhe të gjithë të tjerët të huaj. Por kjo nuk ka bërë që të jem racist ndryshe nga im atë i cili ishte mjaft racist . Në atë kohë nuk më kujtohet të kem njohur shqiptarë. Për mua ardhja e shqiptarëve daton nga fundi i viteve ’90.
EZh : Figura e shqiptarit që prodhohet nga spektakli juaj është folklorik, jo shumë i kultivuar dhe që ushtron zanate manuale. Përveç mekanizmave artistik të humorit a ka ky skeç një mesazh më të fshehur. Mendoni ju që Belgjika ka një problem me politikat e saj të integrimit të popullatave të « belgjeve të rinj » term që përdoret per kualifikimin e imigrantëve ?
AL : Eshtë thjesht një spektakël i bazuar mbi vëzhgime të jetës së përditshme asgjë më shumë. Eshte reale që emigrantet e lindjes janë të stigmatizuar në imazhin e punëtorëve të punës së dorës dhe kjo mund të jetë diskriminuese por është një realitet që nuk fshihet. Dhe sa për politikat e integrimit të të huajve në Belgjikë nuk e kam as edhe idenë më të vogël. Për mua politika është si të flasësh kinisht, një gjuhë që as nuk e flas e as nuk e kuptoj (qesh)
EZh : Shqiptarët duket se ju intrigojnë përderisa i keni menduar si produkt të marketingut artistik që mund të shesin por a keni menduar ndonjëherë të vizitoni Shqipërinë qëështë shpalluar edhe si njëri prej 20 destinacioneve pë të zbuluar për 2015 nga prestigjozja TT ?
AL : Jo asnjëherëdhe ju do të kuptoni menjeherë se përse. Në fakt unë nuk udhëtoj gati kurrë. Më së shumti mund të bëj ndonëj xhiro në Paris për të shoqëruar vajzën kur i shkrepet të bëjë shopping dhe kaq. Jam një shtëpiak i vërtetë.
EZh : Javën e fundit edhe mediat belge kanë transmetuar informacione rreth aktualitetit në Ballkan dhe më saktësisht në Maqedoni ku shqiptarët kanë qënë sërish viktima të dhunës raciste. A keni ju një opinion mbi këtë subjekt ?
AL : Kam qënë shumë i zënë me shfaqjet e spektakleve dhe me pergatitjen e 8 vjetorit të « Votez pour moi » (Votoni për mua) dhe nuk kam ndjekur zhvillimet internacionale keshtu që nuk mund ti përgjigjem kësaj pyetjeje. Por faleminderit për intervistën, mendoj se në të ardhmen do të jem më i ndjeshëm dhe këto janë mes të tjerash efektet e lobimit pasi po mendoj që ky është qëllimi i kësaj interviste.
EZh : Cili është mesazhi juaj për lexuesit shqiptarë ?
AL :Më lini të sqaroj që nuk kam asgjë kundra shqipëtareve dhe që spektakli im i radhës nuk do të titullohet « Vdekje shqiptarëve » për shembull ( qesh) Unë jam një humorist varietesh dhe roli im është që ti bej njerëzit të qeshin në mënyrën sa më të thjeshtë të mundshme.
Dhe ndërsa ndahem nga Lamy, pas kësaj interviste qëështë larg së qënurit një « qasje intelektuale » apo një «sipërmarrje patriotike» duke degjuar regjistrimin e intervistës për të gjetur përgjgjet e mia më shumë tek të pathënat sesa tek ajo që u fol, bindem në vërtësinë e thënies së Tony Long ; « A Bruxelles, l’influence est personnelle. » Në Bruksel, influenca është (çështje) personale.

Filed Under: Interviste Tagged With: Bruksel, Një shqiponjë në RTL

Mora ne Bruksel dashurine tuaj nga Florida

March 7, 2015 by dgreca

NGA BAJAME HOXHA-ÇELIKU, BRUKSEL/
Po largohem nga Florida me dashurinë tuaj me vete/
Dikur kam qenë e internuar dhe s’i kaloja dot as e vogël e as me tim shoq, rreth katër km² territor që e rrethonin kampin e Savrës. Është një keqardhje e përzier dikur me lot dhimbje kur njeriu mendon se çfarë është liria,hapësira, detet, oqeanet, treni, autobusi,anija, avioni,vetura, aq më tepër kur e kapërcen atë prag dreqi të ndaluar e merr udhëtimin për shumë larg, deri atje ku kemi shkuar vetëm me imagjinatë, dhe le pas ato shpella skëterre, apo kampet të fëlliqura si nga ambienti dhe nga personazhet e titullarët diktatorë e të çmendur për të shtypur, e fyer, për të të marrë edhe frymën e fundit, dhe jo në pak raste në tortura të tmerrshme fizike dhe ato psikologjike, kur temperatura i kalonte 42°c. Nuk shkohet përpara pa menduar të djeshmen, pa lidhur kohët, pa bërë krahasimet, pa kujtuar fëmijërinë tejet të vrarë e të rreckosur,të pa ngrënë e të braktisur, syrgjynosur e katranosur, nëpër kampet e komunizmit të dalë boje, por ne krenarë për pastërtinë shpirtërore të nënave tona heroike mbijetuam duke u rritur jetimë por me dinjitet. Ishim shembull i pastërtisë në ato kushte e kohë të kufizuar sepse duhej të gdhiheshe e të ngryseshe nëpër fushat e apelet e pafund të myzeqesë të cilën e kthyem në hambarin e Shqipërisë, duke hapur me krahë kanale të thella kulluese,vaditëse, lloj-lloj punësh të tjera të rënda, me kazma e lopata, duke e niveluar, si i vogli në moshë punoi, ashtu dhe i madhi, kur në çdo vend të botës, këto punë teje dërmuese, i bënin makineritë përkatëse të kohës.
Liria! O zot! Sa fjalë e gjerë dhe e bukur sa vet jeta!Dhe erdhi koha që diktatorët të mos kenë më skllevër pune, vallë ç’bëjnë ata tani pa ne? Kë shtyjnë? Kë fyejnë e ofendojnë? kujt i çirren e hakërrehen? Ua kemi falur kampet t’i mbajnë me shëndet! Mjaftë punuam për ta! Me keqardhje e shkruaj: po ne u kemi falur të gjithë Shqipërinë, atdheun, që të kacafyten tani me njëri tjetrin. Këtu, nuk kemi bërë zgjidhje të drejtë. Gabimi qe se mungoi partia e duhur në 24 vjetët e fundit, ajo që duhej krijuar në “ditët e fundit të pompeut” Partia e të përndjekurve politik, në të cilën do të merrnin pjesë me qindra e mijëra shqiptarë që vuajtën ferrin komunist e të mbronin të drejtat e tyre të cilat edhe pas demokracisë u shkelën, u morën nëpër këmbë, e të gjithë mbetën pa strehë pasi dolën nga kampet e burgjet. Në këtë kategori njerëzish, bëj pjesë dhe unë,familja ime e përbërë nga pesë persona, dhe sot e kësaj dite nuk ka shtëpi në asnjë vend të botës, me e dhimbshmja s’kam në atdheun tim, ku punuam e derdhëm djersën lumë si kafshë tërë jetën që nga mosha 11vjeçare e deri në “demokraci”. Shpesh kam bërë kërkesë në qeverinë e Berishës për të kërkuar atë pjesë të vogël të pensionit të veçantë si gjithë kolegët e mi, si krijuese me shumë e shumë tituj e kontribute të tjera në dobi të demokracisë. Këtë ma jep ligji, po fatkeqësisht nuk e kam fituar, ligji ma jep, sundimi e ndal!Edhe verën e shkuar e kërkova përsëri po përgjigjja mbërriti negative. Vetëm kryeministrit të sotëm nuk i jam drejtuar ende, po le të shpresoj.

Pas shumë sakrificash për të qëndruar në Atdhe, kapërceva me vështirësi kufijtë dhe u stabilizova në Bruksel, duke u bërë Belgjika një atdhe i dytë për mua, më dha vendin e merituar, më kthehu dinjitetin të cilin ma kishte mohuar vendi im Shqipëria. Ky atdhe i dytë, më bëri vend si bijës së vet të vuajtur nën një diktaturë të urryer. Kështu prej shumë vitesh gëzoj pasaportën Belge, pasi nacionalitetin me gjithë familje na i dhanë brenda dy vjetësh.
Kur viziton Evropën sigurisht ka dhe më tutje është toka e premtuar, ose e bekuar, Amerika. Mua m’u dha rasti fillimisht të vizitoja shtetin e Floridës në Amerikë, për çështje pune, por dhe motra ime Shpresa Kulla, me familjen e saj të nderuar,të shoqin gëzimin, dhe tre fëmijët Sonilën Evën dhe Gencin banojnë atje. Ata kur shkuan kishin me vete dhe heroinën, nënën e mrekullueshme të Gëzimit,Myneverin, e cila sakrifikoi jetën duke provuar të gjitha kampet famëkeqe të Shqipërisë, që nga Tepelena dhe së fundi në kampin Savër,me të birin katër vjeç e s’u martua kurrë më. Ajo i qëndroi të shoqit të arratisur në Amerikë besnike për tërë jetën. Tani ajo s’është më. Po unë sa herë që shkoj përulem para varrit të saj me një tufë lule, dhe instinktivisht më pikojnë dy pika loti në kujtim të së kaluarës së hidhur dhe të qëndresës së saj heroike. Pas demokracisë motra u sistemua në këtë vend të begatë me shumë demokraci. Fëmijët tani janë të rritur Sonila punon në një zyrë shtetërore, Eva punon Stewardess që me rastin e 11 shtatorit, kurse Genci, Inxhinier elektronik.
Në shtetin e madh e të bukur të Floridës, të bien në sy rrugët të gjëra me nga katër korsi, e me shumë ura moderne ku qarkullimi i dendur nuk pengohet kurrë, dhe syri të sheh e të ngopet me fusha të pa fund, ku mungojnë vetëm malet sidomos në Orlando mungojnë edhe kodrat, dhe çdo shtëpi ka pishinë, ose liqen origjinal te ballkoni i katit të parë. Me që Florida është e njohur nga liqenet e shumtë, banesat janë ndërtuar rreth e rrotull tyre, që nga lartë duken aq bukur si lule-lule të vizatuara në forma të ndryshme.
Këtë shtet është e dyta herë që e vizitoj, dhe mbeta e mahnitur për vet faktin se aty është gjithmonë ngrohtë e nuk bën dimër. Vend për fukarenjtë por në fakt atje janë të gjithë të pasur se i thonë:Amerikë. Pa le të vizitosh Manhattan New York, me qendrën e tij madhështore, e me ura marramendëse pastaj Statujën e Lirisë, Brooklyn, Bronx, Pennsylvani, Çikago, Michigan, etj, mbetesh pa mend, pa e zënë në gojë Kanadanë që duhet kohë për të qëndisur një libër për mrekullitë e saj.
Gjëja e parë që më ka rënë në sy dhe herën e parë, është se, femrat shqiptare ishin shumë të avancuara, kishin ecur përpara me guxim, duke çarë jetën me forcën e dijes, të mendimit,të kurajës dhe me krenarinë e origjinës. Të gjitha të zonjat, të shkolluara apo mbrojtur diplomat me aftësi të paparë në vendet që banonin, e jo qyqare të sunduara nga burrat, që të prisnin gjithçka nga burrat apo fëmijët e tyre. Ato janë shembull i krenarisë, si Shpresa Kulla,Flutura Simaku, Alketa Gega Shingjergji, Nazmie dorona, Adela Reçi, sidomos Liri Themollari vetëm me zotësinë e saj mbante një restorant të madh i cili frekuentohej shumë nga amerikanët. Në Orlando lashë pas, miket e mia të mira ku shpesh pinim kafe së bashku në Starbucks, apo nëpër familjet e njëra tjetrës ku tema kryesore ishte: Shqipëria sot, letërsia,puna, dashuria. U largova nga ky shtet mikpritës, duke marrë me vete dashurinë e tyre të pakufishme. Ndër të tjerat, përshtypje të mëdha më la një zonjë e nderuar që quhej: Meli Alla, më e moshuara ndërmjet tyre. Kjo grua vitale me autoritet, e cila kapi Amerikën në moshë të konsiderueshme 59 vjeçare,me të shoqin Nexhmi Alla, mësoi mirë anglishten, mësoi dhe mori patentën për veturë në Orlando, pastaj, studioi për të fituar Nacionalitetin Amerikan dhe e fitoi. Kështu Meli Alla, i doli për zot vetes dhe familjes, sepse në Florida, pa makinë je pa këmbë. Kjo Zonjë e nderuar që sot është te të shtatëdhjetat, që në pamje të parë të le përshtypjen e një gruaje që vinte nga gene fisnike, aktive si në punë e në shoqëri, dhe së fundi anëtare e kryesisë së shoqatës “Vatra” në Orlando, e cila u krijua një vit më parë,dhe mbetet një nga themelueset e saja. Meli Allën do ta gjeje duke lexuar gazetën “ Dielli” apo në çdo kuvend apo bisedë shoqërore, ndonëse e moshuar ajo nxitonte me një veturë të vogël, sa te njëra te tjetra për t’i ardhur në ndihmë ndonjë patriotes që kishte probleme shëndetësore,me letrat, në familje, apo probleme shoqërore. Ajo i shtronte qetë-qetë punët dhe i sheshonte me mençuri e dashuri njerëzore, se zoti e dërgoi vetëm për të bërë mirë e t’u gjendet njerëzve në nevojë. Natyra e saj e butë e bujare, gjithnjë e qeshur të bënte për vete, të ngjallte admirim,dhe mendimi shkonte larg, aq larg sa të dukej se nuk kanë fund Nënë Terezat shqiptare, dhe kështu, të pajisur me kaq shumë virtyte të larta, e njoha unë këtë shqiptare të pa lodhur dhe krenare. Thjeshtësia e saj e karakterizonte në çdo hap që hidhte, edhe pse tërë jetën e saj e kaloi në kryeqytetin e Shqipërisë,Tiranë. Meli, ndjehej e barabartë me më të thjeshtat gra,edhe pse kishin nga një punë të mirë bashkë me të shoqin inxhinier në zyrën e projektimit. Ky çift i mrekullueshëm, rriti dhe edukoi mirë si askush tjetër dy vajza të bukura Matildën dhe Adelën, duke çuar Matildën e shkëlqyer të kryente universitetin në Ekonomi. Familja Alla, njihet për mirësitë e pakufishme edhe kur banonin në Tiranë. Kështu kanë gëzuar respektin dhe dashurinë e të gjithë atyre që e kanë njohur. Por ja, jeta ka të papritura, dhe zemrat lëndohen deri aty ku dhemb shpirti në pafundësi. Çifti Alla, së fundi, afrohet pranë vajzës së tyre të vetme Adelës, e martuar me Aldo Reçin, me banim në shtetin e Floridës, që prej 11 vjetësh. Çifti i ri Reçi, qe stabilizuar në Orlando, kur Çifti Alla, vendosi të largohej nga Tiranë e të banojnë pranë vajzës dhe nipave në Orlando. Ata të dy vendosën të marrin një shtëpi të vogël me qira, në të njëjtin qytet që vajzës t’ia lehtësonin sadopak dhimbjen e anasjelltas, por pa ndërhyrë në familjen e saj të re, e të mrekullueshme. Meli dhe Nexhmiu tashmë në moshë, kanë dhe dy nipa në Shqipëri nga Matilda, Kim dhe Ted. Kimi tashmë tetëmbëdhjetë vjeçar, këtë vit, i gëzoi gjyshërit e vet me vizitën që u bëri në Orlando mbasi ai është me studime në Kanada,(shkollën që kreu dhe e ëma) kurse Tedi vazhdon gjimnazin në Tiranë pranë të atit,Ilir Kurti. I shoqi i Adelës, Aldo ,një djalë flori nga pamja dhe nga puna, i zoti dhe largpamës, mikpritës në familje dhe në restorantin e tij si askush tjetër. Ai ka një restorant të bukur të madh ku shpesh ftohen prej tij njerëz të kulturës shqiptare dhe shtron dreka e darka për nder të tyre. Pra Zonja Meli, gjen forca e gjithmonë shikon përpara, për t’i ardhur në ndihmë me veturën e saj të vogël çdo shqiptari që është në nevojë, sidomos femrave, të cilat janë nga natyra më delikate kur ndodhen për herë të parë në dhe të huaj.

Filed Under: ESSE Tagged With: Bajame Hoxha-Celiku, Bruksel, florida

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kosova’s 15th Anniversary of Independence Celebration
  • PAL ËNGJËLLI, KRYEIPESHKËV I DURRËSIT I SHKRUAN GJERGJ KASTRIOTIT SKENDERBEUT – PRINCIT TË EPIROTËVE PËR FILLIMIN E LUFTËS KUNDËR SULLTANIT OSMAN – MEHMETIT TË II-TË
  • In Memoriam Presidenti Woodrow Wilson
  • Thirrje !!! Ka kohe qe makina e jetes po “jep shpirt” !
  • “Fijet”, kur shteti gjunjëzohet përballë krimit
  • Qëndrimi i Kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së Kosovës: Gjashtë kushte për Asociacionin…
  • Mirënjohje përjetë Senatorit Bob Dole
  • How Prosecutors Say a Top F.B.I. Agent Sold His Services Overseas
  • HISTORIA E HIDHUR E “KROIT TË LOTIT”
  • Ç’PO NDODH ME ALEATËT PERËNDIMORË – KOSOVA
  • BUKËPJEKËSI ME ZEMËR TË MADHE
  • Një shënim mbi librin “Esencat e mendimit letrar”, të Dr. Besim Muhadri
  • Shoqata Shqiptaro Amerikane e Punonjësve të Policisë për gjithë Amerikën organizoi aktivitetin e saj vjetor
  • Libër me vlera të veçanta në ndriçimin e figurës atdhetare, politike dhe shkencore të profesor Rexhep Krasniqit
  • Kalendar – Kosova drejt Pavarësisë: Para 16 viteve Propozimi i Ahtisaarit, SHBA e falënderonin 

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT