• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Noel Malcolm: Çamëria- Sekreti më i errët i historise

April 17, 2013 by dgreca

Nga Daut Dauti/

Shtëpia botuese “IB Tauris” në Londër, në vazhdimësi ka botuar tema që flasin mbi çështjen shqiptare. Së fundi, kjo shtëpi botuese, në bashkëpunim me “The Center for Albanian Studies” ka botuar librin me titull: “The Cham Albanians of Greece – A Documantary Story” (Shqiptarët Çamë të Greqisë – Një Tregim i Dokumentuar), një libër ky i edituar nga historiani shqiptar Bejtullah Destani dhe albanologu i njohur kanadez Robert Elsie.
Prej kohësh është ndjerë nevoja që opinioni botëror të njohë të vërtetën e dokumentuar mbi çështjen e Çamërisë dhe banorëve të saj. Libri “The Cham Albanians of Greece – A Documantary Story” (Shqiptarët Çamë të Greqisë – Një Tregim i Dokumentuar), i cili edhe nga titulli shihet qartazi se shpalos të dokumentuar tragjedinë çame, është përgjigje adekuate. Përmbajtja e librit e informon opinionin ndërkombëtar mbi krimet që ushtroi Greqia ndaj shqiptarëve të Çamërisë, mbi një shekull më parë e në vazhdim. Libri mbart një vlerë të madhe edhe për vetë opinionin shqiptar, pasi shërben për t’iu përkujtuar atyre të shkuarën e hidhur të kombit shqiptar dhe përcjell porosinë për të mos e harruar këtë tragjedi e cila nuk është mbyllur akoma, paçka asaj që pretendon Greqia.
Duke folur mbi tematikën e librit, historiani i njohur dhe anëtari i Akademisë Mbretërore Britanike, Dr. Noel Malcolm thekson se “fati i shqiptarëve çamë është një nga sekretet më të errëta të historisë bashkëkohore evropiane”. Ndërsa duke folur për rëndësinë e përmbajtjes, Malcolm bën me dije se libri është një koleksion i dokumenteve të rëndësishme, që hedhin dritën e nevojshme mbi temën e trajtuar.
Libri, është përmbledhje e dokumenteve të nxjerra nga arkivat e Ministrisë së Jashtme Britanike dhe arkiva të tjera. Material dokumentues janë korrespodencat e diplomatëve shqiptarë, britanikë dhe të tjerë, në lidhje me këtë çështje. Po ashtu, janë përmbledhur memorandume, raporte, shkrime nga shtypi, vlerësime apo kujtime të personaliteteve të ndryshme dhe dokumente të tjera relevante që vijnë nga anë të ndryshme të botës.
Libri ndahet në tre kapituj kryesorë, që përfshijnë periudhën e kohës së sundimit otoman, periudhën pas Marrëveshjes së Lozanës dhe periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore. Libri ilustrohet me harta të ndryshme, ndërsa për të dokumentuar në mënyrë vizuale një pjesë të tragjedisë çame, janë dhënë edhe disa fotografi të nxjerra nga arkivi i UNRRA-s.
Rrëfimi i tragjedisë fillon me kalimin e Çamërisë në anën greke të kufirit, veprim ky që u realizua sipas vendimit të Komisionit të Kufijve dhe Protokollit të Firences të vitit 1913. Territori i Çamërisë, me madhësi përafërsisht të ngjashme me territorin që ka sot Kosova, u bë poligon i ushtrimit të dhunës së egër greke kundër shqiptarëve të Çamërisë. Kjo dhunë e shfrenuar, mori përmasa të gjenocidit për të cilin bota nuk tregoi ndonjë ndjeshmëri. Plani grek ishte që shqiptarët ortodoksë të asimiloheshin ndërsa ata myslimanë të dëboheshin jashtë Greqisë ose të shfaroseshin në çfarëdo forme. Në këto rrethana të vështira, shteti i sapokrijuar shqiptar, i cili pothuaj nuk funksiononte, nuk qe në gjendje t’i ofronte popullsisë shqiptare të Çamërisë asnjë lloj ndihme.
Ishin pikërisht këto momente kur filloi persekutimi dhe dëbimi i shqiptarëve çamë, që u nis nga regjimi i Metaksës. Masa e parë e persekutimit që zbatoi ky regjim, ishte ndalimi që iu bë shqiptarëve të trevës së Çamërisë për të folur gjuhën e tyre amtare në ambientet publike dhe private. Regjimi i Athinës, lejoi bandat e kriminelëve grekë të vepronin sipas dëshirës në rajonet shqiptare. Banda paramilitare, që u dallua më së shumti kundër shqiptarëve të pambrojtur, ishte ajo e Deli Janakisit, e cila plaçkiti, dhunoi dhe vrau një numër të madh të banorëve, të më shumë se 100 fshatrave shqiptare.
Në këtë valë të krimeve, siç shohim nga dokumentet e botuara në libër, as qeveria greke nuk ndenji duarkryq. Ajo urdhëroi shpronësimin e shqiptarëve çamë duke shfrytëzuar si pretekst reformën agrare. Çamët e pabindur dhe udhëheqësit e tyre u dërguan nëpër kampe përqendrimi, që ekzistonin në shumë vende të Greqisë.
Pas luftës greko-turke (1919-1922) pasoi marrëveshja për ndërrimin e popullatës greke dhe turke, e cila u nënshkrua në Lozanë në vitin 1923. Kjo marrëveshje përjashtonte shqiptarët myslimanë çamë, pasi këta nuk ishin turq dhe si pasojë nuk mund të shpërnguleshin në Turqi. Regjimi i Athinës nuk e respektoi këtë dallim që impononte marrëveshja dhe, duke përdorur dhunën, filloi t’i përzinte çamët në drejtim të Turqisë. Persekutimet ishin aq të padurueshme, saqë një numër i konsideruar i shqiptarëve çamë u deklaruan si turq vetëm e vetëm për t’i shpëtuar vdekjes, maltretimeve, poshtërimeve dhe dhunës së çdo lloji, që ushtronte Athina ndaj tyre.
Persekutimi vazhdoi dhe arriti kulmin me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore. Regjimi i atëhershëm grek filloi vrasjen masive të shqiptarëve çamë dhe dëbimin e tyre, duke përdorur si pretekst akuzën e bashkëpunimit të çamëve me Fuqitë e Boshtit. Pas tërheqjes së forcave gjermane në vjeshtën e vitit 1944, britanikët, duke dashur të krijojnë siguri për rrugët detare në pjesën e detit Jon, inkurajuan, deri në një masë, gjeneralin fashist grek Napoleon Zervasin, që të okuponte rajonin në fjalë. Zervasi, i cili ishte një antishqiptar i tërbuar, filloi menjëherë dëbimin e çamëve nga vatrat e tyre. Brenda një viti, forcat e tij vranë mbi 3000 çamë. Vetëm brenda një nate, më 27 qershor 1944, këto forca kriminele vranë, në Paramithi, 600 çamë të paarmatosur, në mesin e të cilëve shumë fëmijë dhe gra. Më 23 shtator 1944, në fshatin Spatër, këto forca vranë 157 vetë. Lista e grave të dhunuara, pasurive të plaçkitura, shtëpive të djegura etj., ishte e pafund. Në fund të vitit 1946 në tërë Çamërinë nuk kishin mbetur më shumë se 100 shqiptarë. Në vitin 1946, fashisti Napoleon Zervas u emërua ministër i Punëve të Brendshme, pavarësisht faktit që ishte bashkëpunëtor i forcave okupuese naziste gjermane dhe ekzekutues i masakrave në Çamëri.
Çamët e përzënë me dhunë nga vatrat e tyre, u detyruan të largohen në vende të ndryshme të botës, por shumica dërmuese u vendosën në Shqipëri. Tragjedia e rëndë e çamëve nuk përfundoi me vendosjen e tyre brenda territorit shqiptar. Edhe regjimi i sapovendosur komunist i Enver Hoxhës nuk i shihte me sy të mirë shqiptarët e Çamërisë, pasi i konsideronte si kolaboracionistë të italianëve dhe gjermanëve.
Meqenëse kjo popullsi konsiderohej “refugjate”, për të u kujdes UNRRA, nga shtatori i vitit 1946 deri në pranverën e vitit 1947. Në kampet e ngritura në Delvinë, Durrës, Kavajë, Fier, Vlorë dhe Tiranë, ku u vendosën dhjetëra mijëra çamë, UNRRA shpërndau ushqime, ilaçe, tenda dhe sende të tjera të nevojshme për këta njerëz të pafat, që përjetuan tmerret më të mëdha që mund të imagjinohen.
Që prej asaj kohe e në vazhdim, të gjitha qeveritë greke e kanë injoruar këtë tragjedi me përmasa të gjenocidit, që iu shkaktuan çamëve. Athina asnjëherë nuk është pajtuar që të hapë çështjen çame dhe të përgjigjet pse e privuan nga shtetësia greke këtë popullsi vendëse, me kombësi shqiptare. Asnjëherë grekët nuk dhanë përgjigje pse ua konfiskuan pasuritë këtyre njerëzve, të cilët ishin pronarë të shtëpive dhe tokave të mëdha, në njërën nga pjesët më të pasura dhe më të bukura të Greqisë. Athina vazhdimisht e ka injoruar ekzistimin e problemit çam, dhe në anën tjetër ka shkaktuar probleme dhe komplikime politike e diplomatike, duke përdorur komunitetin grek në Shqipëri, i cili krahasuar me atë çam është inekzistent.
Megjithëse përzënia e çamëve, ishte as më pak e as më shumë spastrim etnik, Greqia asnjëherë nuk u ballafaqua me ndonjë kritikë apo sanksion serioz ndërkombëtar. Një veprim i këtillë krijoi sinjale të gabuara, pasi la të kuptohej se ishte themeluar një presedan dhe mund të vazhdohej me përzënie të popujve edhe në situata të mëvonshme. Duke u bazuar në këtë shembull, por edhe në disa të tjerë, një veprim të tillë provoi edhe Serbia e Millosheviçit mbi popullsinë shqiptare të Kosovës një gjysmë shekulli më vonë. Për fat të mirë, në këtë rast nuk u përsërit “suksesi” i Greqisë, dhe imitimi serb i këtij krimi dështoi.
Greqia nuk do të duhej ta injoronte këtë tragjedi, që e ka shkaktuar vetë dhe që është dokumentuar me profesionalizëm në këtë libër. Libri “The Cham Albanians of Greece” nuk është vetëm libër i karakterit historik. Ky libër-dokument do të duhej të shërbente jo vetëm për ta kujtuar Greqinë për të keqen që ka bërë, por edhe për t’i dhënë rast që të fillojë të mendojë për të përmirësuar gabimin dhe të bëjë të mundur lejimin e kthimit të çamëve në shtëpitë e tyre dhe kompensimin e tyre për dëmet e shkaktuara. Në anën tjetër, pas botimit të këtij libri, as shqiptarët dhe qeveritë e tyre nuk do të duhej të vazhdonin me të vjetrën, duke vajtuar impotencën që kanë treguar deri tani ndaj Greqisë. (E dergoi per Diellin Sali Bollati)
*Studiues

Filed Under: Kulture Tagged With: Cameria, i historise, Noel Malcolm, sekreti me i erret

Shoqata Camëria dhe PDIU i përgjigjen zëdhënësit të vetëemruar të Qeverisë në Greke në Tiranë, Vangjel Dule

March 26, 2013 by dgreca

Nga Artan Tane*

Deklaratat e djeshme të zëdhënesit të vetëemëruar të qeverisë greke në Tiranë, Vangjel Dule se klika të cilën drejton do të refuzojë ftesat për bashkëpunim të partive politike që janë në koalicion me PDIU-në, vërtetojnë qëndrimin tonë të kahershëm se Dule, Bollano & co, nuk përfaqësojnë minoritetin grek e aq me pak të drejtat e njeriut që trumbetojnë. Çështja çame, e cila fal PDIU është sot në qendër të politikës shqiptare, nuk mund të zvenitet nga tentativat e pashpresa të kamikazëve të Athinës në Tiranë. Ajo, si një çështje e të drejtave të njeriut nuk mund të goditet nga shoviniste si z. Dule.

PDIU e ndan prerazi z. Dule me ato pak vota që merr nga vëllezrit tanë minoritarë dhe i bën thirrje të ndalojë provokimet ndaj shqiptarëve, përndryshe do të pësoje fatin e shovinistëve dhe fashistëve të larguar me votën e qytetarëve nga skena politike e shoqërore. Nga ana tjetër PDIU vlerëson faktin që për herë të parë në histori, të gjitha partitë politike në vend, me përjashtim Partinë Bashkimi për të Drejtat e Athinës e kanë çështjen çame në programin e tyre, përfshi këtu edhe të shantazhuarit prej Dules, e është çasti që mesazhi i shoqërisë shqiptare të kthehet në mesazh politik, duke votuar rezolutën për zgjidhjen e çështjes çame në Kuvend. Dilema që vendos Dule: ose me të drejta e njeriut pra rezolutën, ose me tekat e Agimit të Artë e simotrës së saj në Shqipëri, PBDNJ, e ka marrë prej kohësh përgjigjen e kombit tonë. Tani mbetet që edhe ndërgjegja e çdo deputeti të veprojë në emër të së drejtës, së vërtetës dhe të integrimit.

*Deklarata e mbajtur nga Sekretari Politik i PDIU dhe kryetari i Shoqatës “Çamëria”, zoti Ardian Tana

Filed Under: Kronike Tagged With: Artan tane, Cameria, PDIU, Vangjel Dule

SHOQATA CAMERIA KRIJON DEGE NE IZMIR

March 2, 2013 by dgreca

Themelohet në Izmir të Turqi, dega e Shoqatës Çamëria me pjesëmarrjen e shqiptarëve të Çamërisë të dëbuar gjatë shkëmbimit të popullsisë në vitin 1923-1924/Idrizi: Amaneti ynë i përbashkët rikthimi në trojet amtare/

Idrizi takime edhe me deputetë me origjinë shqiptare në parlamentin turk/

Komuniteti i shqiptarëve të Çamërisë të shpërngulur në Turqi, gjatë viteve 1923-1924 kanë themeluar në Izmir, Shoqatën për Kulturë dhe Bashkim të të shpërngulurve shqiptarë si dhe degën e Shoqatës Çamëria. Në takimin ku merrnin pjesë qindra shqiptarë të Çamërisë të vendosur me banim në qytetin e Izmirit merrte pjesë edhe kryetari i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, zoti Shpëtim Idrizi, Kryetari i Shoqatës “Çamëria”, njëkohësisht zv/ministër i Arsimit dhe Shkencës, zoti Ardian Tana, ish kryetari i kësaj Shoqate, zoti Servet Mehmeti, si edhe deputeti i Partisë për Drejtësi të Turqisë, njëherazi dhe kryetar i shoqatës së parlamentarëve Turqi- Shqipëri, zoti Rifat Sait, me origjinë shqiptare nga Drenica e Kosovës. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse kryetari i PDIU-së zoti Shpëtim Idrizi theksoi se është shumë e rëndësishme që shqiptarët e çamërisë takohen pas 90 vjetësh dhe kanë mbajtur gjallë gjuhën shqipe, zakonet dhe kulturën. Ai theksoi se ky takim dhe krijimi i degës së shoqatës çamëria në një qytet si Izmiri në turqi , ku jetojnë mijra shqiptarë të shpërngulur nga trojet e tyre është një hap drejt bashkimit të shqiptarëve jo vetëm të çamërisë për të ruajrur vlerat dhe traditat e identitetit tonë kombëtar.

“Gjyshi im ja kaloi të drejtën babait tim, i cili ishte 2-vjeç kur erdhi në Shqipëri. Amanetin babai im ma ka kaluar mua bashkë me shokët e mi, e unë jam i bindur që të gjithë bashkë këtë amanet të fortë, këtë amanet që na i ka lënë zoti, këtë amanet mbi të cilin punohet e ndërtohet çdo ditë dhe që ka të bëjë me identitetin tonë, me të drejtat e njeriut, me mënyrën më paqësore që ne e shohim njëri-tjetrin do të jetë amaneti i bashkimit dhe jo përçarjes. Unë jam i bindur që me ndihmën e miqve tanë ne do të jemi qytetarë të një amaneti të realizuar. Së bashku me kryetarin e shoqatës “ÇAMËRIA”, njëkohësisht edhe zv/ministër i arsimit të Shqipërisë , ne kemi qënë vazhdimisht aktiv edhe në parlamentin shqiptar të kërkojmë që kudo, ku janë shqiptarët të kemi mundësi ta ruajmë gjuhën tonë, ta njohim kulturën, traditën. Edhe ne shqiptarët e çamërisë kemi mbijetuar falë një kulture dhe tradite të lashtë, e cila tregon që ne jemi një popull me rrënjë dhe një popull me rrënjë jo vetëm që nuk mund të zhduket, por rritet në mënyrë progresive duke shkuar drejt të drejtës së tij. Edhe në parlamentin shqiptar ne po punojmë për çështjen e çamërisë. Ne kemi bërë gati një rezolutë ku parlamenti do të shprehet, për nevojën historike të munguar për të drejtat e shqiptarëve të çamërisë, por siç e thashë flamuri jonë janë të drejtat e njeriut dhe ne jemi gati të vendosemi në krah të cdo etnie, kombi, që mbron këtë flamur”.

Hapja e degës së shoqatës “ÇAMËRIA”, shiriti i së cilës është prerë nga kryetari i PDIU-së, zoti Shpëtim Idrizi dhe deputeti i parlamentit të Turqisë, zoti Rifat Sait përbën një rëndësi të vecantë për komunitetin e shqiptarëve të shpërngulur nga çamëria, që jetojnë në Izmir, jo vetëm për lidhjen e ngushtë që do të kenë këtej e tutje më Shqipërinë, por edhe për ti ardhur në ndihmë të gjithë atyre, që kanë lindur në turqi e duan të mësojnë gjuhën shqipe, historinë dhe traditat e çamërisë.

Gjatë qëndrimit në Izmir të Turqisë, kryetari i PDIU-së zoti Shpëtim Idrizi u prit në një takim miqësor nga kryetari Partsië për Drejtësi në zonën e Karshiakës, ku jeton edhe komuniteti më i madh i shqiptarëve të çamërisë. Ai vlerësoi bashkëpunimin midis dy komuniteteve i cili ka një rëndësi të veçantë. Ndërsa zoti Idrizi theksoi se ky bashkëpunim ashtu siç është edhe midis dy popujve miq, turk edhe shqiptar është një mbështetje për shqiptarët e çamërisë, të cilët 90 vjet më parë u shpërngulën padrejtësisht nga trojet e tyre, por gjetën një atdhe të dytë në Turqi.

Filed Under: Kronike Tagged With: Cameria, dege ne Izmir, me origjine came, Shpetim Idrizi, takon deputetet

A E DI KRISTO PAPA SE ÇFARË KANË THËNË STUDIUESIT GREKË PËR ÇAMËRINË?

February 10, 2013 by dgreca

– Kristo Papa, e din mirë, që ka një varg studiuesish grek, si Zonja Elefteria Manda dhe Jorgos Margaritis, që thonë:  “Krimet e pashëmbullta dhe çpopullimin e territoreve çame e kanë krahasuar me genocidin nazist ndaj hebrejve./

– Aleksandër Lambert është shprehur se: “Europa duhet të jetë krenare që të ketë në gjirin e saj kombin shqiptar… Janë një popull me vlera historike dhe kulturore./

 Nga Rasim Bebo/

Javën e fundit të janarit 2013, u intervistua nga Artur Zhei, deputeti grek i “Agimit të Artë” Kristo Papas. I cili nxorri shumë vrerë nga goja e tij kundër vendit tonë. Kristo Papa Thotë: “Shqipëria është një shtet i krijuar artificialisht,  njëqindvjeçar, në rajonin tonë. Këta kusarëve na shtypin vëllezërit tonë grek. Duhet ti bëjmë që të kuptojnë njëherë e mirë se çfarë do të thotë Greqi. (1)

Ndalu pak z. Kristo se e keni marë me shumë nxitim, Maks Zotaj citon Prof. Robert Temple i cili thotë: “Grekët dhe hebrejtë janë shumë të vonshëm në historinë e lashtë, sa që mund të themi, që bëhet fjalë për mijëra vite distancë (“të parët janë shqiptarët”). Emrat Greqi dhe Hebre, u degjuan vetëm pas shek të 10 për hebrejtë dhe të 7 për grekët p.e.s. (2).

Ndërsa, Aleksandër Lambert thotë: “Europa duhet të jetë krenare që të ketë në gjirin e saj kombin shqiptar… Janë një popull me vlera historike dhe kulturore. Janë ENGJEJ. Këtë e kanë treguar me shembuj gjatë gjithë periudhës së sigurimit të mbijetesës së tyre. Askush nuk mund t’u ndërrojë bindjen shqiptarëve për dinjitetin e tyre kombëtar, për të cilin ata kanë të drejtë të jenë krenar. (3).

Kristo Papa vazhdon: “Çështja çame për ne nuk egziston, për fat të keq që diskutohet në këto çaste. Çështja çame është zgjidhur njëherë e përgjithmonë në periudhën 1944-1945 nga strategu i guximshëm dhe i zoti, Napolon Zerva me ushtrinë e tij. Ata pak banorë myslimanë të zonës bashkëpunuan me armikun kundër grekëve dhe morën përgjigjen e duhur. Çamët nuk janë grekë në asnjë rast. Ata goditën dhe luftuan Greqinë dhe ajo tokë nuk u përket. Ajo është tokë greke. (4).

Kristo Papa, e din mirë, që ka një varg studiuesish grek, si Zonja Elefteria Manda dhe Jorgos Margaritis, që thonë:  “Krimet e pashëmbullta dhe çpopullimin e territoreve çame e kanë krahasuar me genocidin nazist ndaj hebrejve. Këta shkruajnë: “…regjimi që kishte vendosur në vendin fqinj Fronti Çlirimtar i Shqipërisë, nuk pranoi të vazhdonte raprezalje në kuriz të minoritetit grek, që jetonte në vendin fqinj. Në kundërshtim me praktikat e vazhdueshme ballkanike, gjaku nuk u shpërblye me gjak dhe dëbimi nuk u shpërblye me dëbim. …Vendi ynë “mesoi qytetërim”…sigurisht nuk vjen nga pala greke. (5).

Çamëria u pushtua nga Greqia, në mars 1913, një popull autokton,  pasardhës i pellazgëve dhe Epirotëve të më vonshëm e sot shqiptarë, të masakruar nga krimineli Zerva. Ndërsa minoritetit grek i ardhur me trastën e lypsit në krah përpara rreth 200 vjetëve, filluan të punonin tokat e agallarëve të Gjirokastrës dhe Delvinës në Dropull dhe Vurg. Sali Berisha me ligjin agrar 7501 dekretoi dhënien në pronësi të tokave shqiptare më 1994. Gëzojnë të gjitha të drejtat sipas konventave ndërkombëtare dhe grekët prap na akuzojnë duke e ngritur kurdoherë minoritetin grek si mollë sheri.

Për “Protokollin e Korfuzit”. Komisioni ndërkombëtar i ngarkuar nga Fuqitë e Mëdha vijoi negociatat me autoritetet greke, ku ishin të pranishëm edhe “epirotët” e Zografit. Negociatat u mbyllën më 17 maj 1914 me “dispozitat e Korfuzit”, të cilat do t’iu parashtroheshin Kryeqyteteve Europiane, që lipsej të garantonin vënien e tyre në jetë, miratimi erdhi më 2 korrik 1914. “Dispozitat konfirmuan domozdoshmërinë e tërheqjes së plotë të forcave greke, prej Shqipërisë së Jugut”. (6).

Kristo Papas thotë: “…zgjidhja e vetme për çështjen e Vorio-epirit formulohet: Liri në Vorio-Epir. Kjo nënkupton: Ushrtinë greke do të jetë në Vorio-Epir. Ta dini këtë…”. Atëhere neve na ipet një shans i ngjashëm si i Milosheviçit që sulmoi Kosovën dhe Kosova u çlirua dhe u bë shtet i pavarur Shqiptar. Tani pritet rasti i Çamërisë dhe trojeve të tjera shqiptare. Gjithmonë është folur: “Pa Kosovë dhe Çamëri nuk ka Shqipëri”. Nëqoftëse doni ta përsëritni si në dy rastet e kaluar që u ka ndodhur, urdhëroni se u presim…

A.) Më 15 maj 1919 iu vërsulët mizorisht Anadollit, Izmirit dhe Thrakës. Dhe siç dihet, duke u vërtitur nëpër gjumë për të mbledhur mjengullën në thes, u rrëzuat nëpër buza e humnera aq keq sa thyet jo vetëm turrinjtë po edhe kokën. Gjatë verës së vitit 1922 u dërmuat e u shkatërruat përfundimisht. Kokë varur duke u rrukullisur e zvaritur u përplasët në bregdetin turk të Izmirit me 9-9-1922, shpëtuan më pak se gjysma, falë luftanijeve angleze që u tërhoqi.(7).

B.) Rasti tjetër është kur renegati shqiptar ish Ministri i Mbrojtjes Kiço Mustaqi erdhi me forcat greke në vitin 1997 dhe ngriti flamurin grek në Shqipërinë e Jugut. Por, gëzimin ua preu, Magdalena Ollbrajt kur ju tha: “Ju pushtuat Shqipërinë e Jugut, ne nuk e ndalojmë Turqinë qe t’u bjerë juve dhe qeveria turke u dha ultimatumin, ju u kthyet mbrapa me kokë varur pa arritur lumin e Shkumbinit, që ia kishit vënë syrin. Mbas 20 vjetëve kthehet në Shqipëri tradhtari Kiço Mustaqi, në vend që ta çonin përpara skuadrës së pushkatimit, jo që jo, por e priti Edi, Saliu, Fatosi e Janullatosi me nderime dhe bankete. Në biseda midis shokësh, Kiçua mburr demokracin greke dhe i vjen keq që ajo demokraci i mungon Shqipërisë. Mësoni ju shokët e banketeve: Po të aplikohej demokracia greke këtu në Shqipëri nuk do të kishte ngelur këmbë minoriteti, Dule, Tavo, Ksera me. Nëse ju filloni agresionin të cilin Janullatosi po e pregatit shkëqyeshëm për dy dekada dhe ju z.

***Ngjyra e verdhë është harta     e Greqisë vjetër

Kristo Papa me kërcënimin e pa fre që po dëgjojmë, ne shqiptarët u presim, se kështu do të vijë rasti i pritur si i Kosovës për të vendosur kufirin te kufiri i “Greqis së Vjetër” që kalon në jugë të Epirit dhe të Thesalisë dhe në veri të Eubesë. (shiko hartën ne enciklopedinë Amerikane, vol. 13, f. 377, bot. 1828, korigjimi në vitin 1971). (9).

 

 

VENDBANIMET ARVANITASE

Prapë kërkon dhe pretendon Greqia, “pushton Epirin e Veriut”  me ushtrinë e vdekur. Është në ngjajshmëri si varrezat e ushtarëve greke me kufoma shqiptarë   që ka ngritur Janullatosi për gjatë kësaj kohe. Ju kërkoni një hapësirë më të madhe… Gazeta kombëtare prej dy ditësh ka publikuar fakte që tregojnë se Athina zyrtare ka kërkuar nga Shqipëria lejen për të kryer kontrolle në 696 vende për eshtrat e ushtarëve të rënë para 72 viteve të luftës italo-grek. Sot ju sjellim një tjetër të dhënë, e cila zbulon se të 696 vendet…përkojnë saktësisht me kufijtë i magjinarë të “Eprit të Veriut”. Është e çuditshme se ky numur është i njëllojtë me 696 fshatra arvanito-shqiptare që ka zbuluar A. Belushi në Greqi. (A. Fico, “ILLIRIA” 28-3-2005).

 

… Kërkimet fillojnë: në Korçë, Pogradec, Gjirokastër, Përmet, Tepelenë, zbret në fshatrat e bregdetit në afërsi të Kepit të Gjuzës në Karaburun. Greqia kërkon eshtrat e ushtarëve të vrarë gjatë luftës italo-greke “pas 72 vjetëve”. Ç’farë absurditeti, Taciti Romak thoshte: “Humbi turpi, sundon poshtërsia, zanati i shpifjes nuk njeh turpin! Shpifja gjithmonë kërkon të vrasë të vërtetën … të vrasë historinë.  Këto pika kërkimi arrinë deri në afërsi të Elbasanit, ku asnjë këmbë ushtari grek nuk ka shkelur prej shekujsh. Këto kërkesa, kane arritur sa të kërkojnë autonomin e kësaj zone, e cila më pas do t’i bashkohet “tokës mëmë”.

Në këto fshatra shqiptare në Greqi rrjedh në dejet e tyre gjak shqiptari. Të parët e tyre ishin heronjtë mijëvjeçar të historisë greke dhe kurdoherë kanë marrë si dhuratë pabesinë. Ka nipër të tyre që kanë humbur idetitetin dhe nuk dinë ç’kërkojnë. (10).

A. De. Lamartine, pohon: “E vetmja gjë e patundur te shqiptarët është pasioni për pavarësi dhe lavdi. Ky pasion për lavdi është tipar mbizotërues i karakterit dhe burim i trimërisë së tyre. Shqipëria është toka e heronjëve të të gjitha kohëve”. (“Historia e Turqisë”, Laipcig, Ë. Ëerhard, 1885). (11).

Ky zotëri flet për vlerat e luftës dhe përpjekjeve të heronjve tanë duke i bërë të tyre Pirron e Epirit, Teuten, Gentin e me radhë Skënderbeun, udhëheqësit e revolucionit 1821 etj. Ç’farë maskarade luan greku me emisaret e saj!  Kristo Papas na akuzon se kemi vjedhur flamurin. Ne i referohemi historisë, që grekut nuk u njihej as nami as nishani atëhere. (Ju quheni grek pas vitit 1826), Volteri i antikitetit,  Lukiani i shek II-të shkruan: “Shqiponja jeton tani në qiell, rri mbi skeptrin mbretëror dhe vetëm sa s’bën edhe folenë në kokën e Zeusit” (Vepra të zgjedhura. Bot. shqip 1979, f. 17). Ne shqiptarët prej kësaj shqiponje të Zeusit e  kemi origjinën e Flamurit tonë.

Vazhdon Kristo Papa: “Popullsitë në veri të Greqisë janë popullsi që përbëhen nga grekë të cilët ndërruan besimin dhe fituan një ndërgjegje të rreme kombëtare, ndërsa shume mirë do të kishte mundësi që jo vetëm Vorio-Epiri por edhe e gjithë Shqipëria të jetë një rrethinë apo një periferi e Greqisë.

Në Leipzig, Johan Tutman shkruan: “Asnjë populli vjetër i botës në të cilën jetojmë, nuk është aq i panjohur për europianët e perëndimit, i përket prejardhjes, historisë dhe gjuhës sa ç’janë shqiptarët … Ata janë një popull kryesor, i lashtë dhe i rëndësishëm…

Presidenti i greqis (arvanitas) Karlos Papulias përshëndeti organizatën e OMONIA-s me rastin e 22 vjetorit të themelimit, ka shprehur hapur krenarin e tij për helenizimin e trojeve që i cilëson vorio-epirotë. Prani shekullore e helenizimit në shtëpitë strëgjyshërore si një burim frymëzimi e krenarie për gjithë grekët … Shpreh shqetësim për rrezikun e mbylljes së shkollës greke në Korçë ku mësojnë 370 nxënës dhe 80 femijë të shkollës fillore dhe të kopshtit, veç kësaj kundërshtuan hapur ligjin që parashikon prerjen e 18.000 pensioneve të minoritarëve që nuk kanë punuar asnjë ditë në Greqi. Ky është helenizimi i paguar nga greku për minoritetasit pa rrënjë që janë në Shqipëri. (12).

Lajosh Taloci (1834-1916) shpall hapur: “Nuk egziston popull tjetër në Ballkan, as ai i greqise së re, që mund të ndjekë historinë e fisit të vet, ashtu me rend kronollogjik, qysh prej kohëve të lashta gjer në ditët tona, sikurse populli shqiptar”. (13).

Veprimtaria heleniste për gjatë këtyre dy dekadave të zhvilluara në praktike nga Janullatosi dhe të shprehura në teori nga Kristo Papa është një degradim për shtetin grek, aq më tepër kur ruajnë “Ligjin e Luftes pas mbi shtatë dekada, kurdoherë mendojnë për të bërë një intervecion kundra Shqipërisë.                             Aref Mati zbuloi historinë e manipuluar të Greqisë, nga Universiteti i Sorbonës. Ai mori titullin “Doktor në shkencen e historisë së antikitetit (Greqia antike) Të Universitetit Paris – Sorbonë”. Kështu që ky është njeriu që përmbysi një mit fals, që vuri bazat e një historie të re. Puna e Arefit do të kthehet në pikë referimi në bibliografi, për të gjitha shkencat e botës që do të merret këtej e tutje me antikitetin europian. Tezat e tij u pranuan përfundimisht në sferat akademike të Francës. Ky është dhe suksesi më i madh që kemi korrur ndonjëherë në këtë fushë. (15).

Referenca

1. Interneti “Shqiptarët do ti përzëme” 16-4-2012

2. Maks Zotaj “Orakulli i Dodonës” gazeta “ILLYRIA”, 6-2-2006, f. 24.

3. Aleksandër Lambert, “Europa duhet…” internet 22-10-2011.

4. Kristo Papa “Jeni racë plaçkitës” internet  29-1-2013.

5. Jorgos Margaritis  “Bashkëpuntorë… “,  bot. 2009, f. 147.

6. Ferdinando Saello, “Shqipëria 6 muaj…”, bot. 2001, f. 70, 78.

7. Ibrahim Hoxha, “Viset kombëtare…”, bot. 2000, f. 99.

8. Rasim Bebo, “Artikuj dhe ngjarje”, bot. 2012, f. 245.

9. Enciklopedia Amerikane, vol. 13, f. 377, bot. 1828, 1971.

10. “Greqia pushton Epirin e Veriut” internet 16-4-2012.

11.  A. De Lamartine “Historia e Turqis Laipzig” W. Wehard 1885.

12. Internet Presidenti grek përshëndet 16-4-2012

13. Lajosh Taloci 1834-1916 (R. Bebo “Artikuj dhe ngjarje”, f. 8).

14. Përparim Demi “doktoratura e Arif Matit” Illyria 22-12-2011, f. 24.

15. Internet “Shqipëria e Madhe” Dhimbje koke për Greqin, 24-4-2002.

Rasim  Bebo  Addison  Çikago shkurt 2013

Filed Under: Opinion Tagged With: Cameria, Kristo papas, rasim bebo

SHQIPERIA 100 VJET PAVARESI, ÇAMERIA 99 VJET ROBERI

November 22, 2012 by dgreca

NGA ERVIN FETAHU/

 “Supozohet se fantashkenca po mundëson ëndrrën e kahershme të njerëzmit,depërtimin në të shkuarën e ngjarjeve duke jetuar të tashmen,duket paksa joreale,por njeriu e ka seriozisht këtë tentativë,novacionet dhe shpikjet e mëparshme i mbushin mendjen njeriut se mund tia dalë të ndërtojë një satelit eksplorues e zhbirilues të hapesirës yjore, ky satelit nuk përngjan me satelitët e tjerë,është disi ndryshe,ai rrëket të thithi valë hapsinore duke tentuar të takoj një yll fotograf “Yllin memorizues”, i cili ka për funksion regjistrimin e së tashmes e cila kthehet në të shkuar, pra në të gjitha dimensionet,edhe pse ky yll ndodhe mijëra vite drite larg nesh,ai afron objektivin,e me lehtësi të madhe,na regjistron në detaj. Madje edhe “N.A.S.A” bashkë me gjigandin “Google Earth” kur lëshojnë satelitët e tyre regjistrues në hapësirë,domosdo këtë yll do të kenë kopjuar. Ndoshta nuk do të jetë e largët dita kur ai të dëshmoj,po po,jam i bindur se një ditë e kaluara jonë do paraqitet si dëshmitare e asaj çka mendja e gjymtyrët tanë kanë vepruar, do të na zëri rrugën e do të na thojë hej ti, hej ju…! shikoni me sytë tuaj njgjarjet e moteve të shkuar,e bashkë me to,do të rrefehen të vertetat…!”

E nisa kështu jo më kot,dëshiroj të ndalem pak,e të vlerësoj memorien, pa të cilën s do kishim trashëgimi,e jo vetëm kaq,por ajo rivalizon gjithë shqisat e marra sëbashku.Madje,siç do gjë në këtë ruzull,edhe ajo ka një armik e antagonist të fortë,dualizon e ndeshet me të, “harresa dhe kujtesa”,armike të vjetra së njëra tjetrës,betejë e hershme sa vetë njerëzimi.Madje në civilizimet e popujve të lindjes,njeriu etiketohej me cilësinë predominante të tij “Harrues”, rreziku qëndron gjetkë,nëse harron,patjetër që mohon.Kujtesa shpesh herë të zgjat jetën,ajo mundëson të jetosh në dy kohë,të ngacmon nostalgjitë e së kaluares,por ama,jo pak herë gërvisht plagë të zëna kore nga e shkuara,mund të themi që të dyja janë një mrekulli,lum ai që i menaxhon.Popujt e kombet e ndryshëm,edhe pse e dinë fare mirë se harresa është veti njerëzore,kjo nuk i ka penguar të marrin masa,e të kacavirren në trungun e kujtesës duke vjelë në degët e saj memorien e tyre histroike,duke e shtrydhur fort e fort,e kështu lëngu i dalë prej saj shndërrohet në melhem,bëhet mësim e përvojë për të ardhmen.

Shqipëtarët duke qenë qytetarë të kësaj bote,normalisht janë antarë të familjes madhe njërëzore,e ndarë në fise e fara,popuj e kombe, edhe ne na takon të kemi pozicionin tonë historik,po vallë, deri në ç’masë po e shtrydhim frutin e memories…!Shekulli që po përcjellim,pra jo ai kalendarik,por shekulli historik i joni,duket se atribuohen shumë fatkeqësi të,dhimbje,përpjekje e mundime,pse jo,edhe arritje, evenimente e ngjarje historike,ku vlen të veçojmë pavarësinë e Kosovës,realizimin e disa të drejtave të kufizuara tek shqiptarët e Malit të Zi e Maqedonisë e gjetkë,dhe ja tek jemi në jubileun e “100-vjetorit” të pavarësisë,ku u vunë gurët e parë të themelimit të shtetit shqipëtar.Pikërisht ky vit,ekzaktësisht ky muaj,kulmon ëndrën e kahershme,sakrificën e burrave dhe grave të këtij vendi për të arritur  ditën madhështore,pra “ 100 vjet shtet ”.Fillimisht,si shqiptar i Çamërisë,më takon tia uroj vetes sime këtë pavarësi,e më pas gjithë kombit tim.Mos harrojmë se shumë popuj në botë  kanë sakrifikuar dhe ende nuk kanë një shtet të tyren,ndaj ne si shqipëtarë duhet të falenderojmë të madhin Zot,që bëri të mundur të kemi “shtëpizën tonë të vogël”,por të madhe në shpirt,ku mblidhen gjithë shqiptarët anë e kënd,dhe kjo është “Shqipëria jonë”.E si mund të mos cekim rolin e shqiptarëve të Kosovës e Çamërisë,ku fronti i parë i betejave ishin këto dy treva martire,ku ranë dëshmorët e parë të kësaj Shqipërie që gëzojmë sot.Pak më lart në mënyrë simbolike përmenda “shtëpizën tonë të vogël”,themë kështu,sepse shumë bukur mund të kishim shtëpinë e vërtetë shumë herë më të madhe,por siduket gërshërët e fqinjve ishin goxha të mprehta,shqiponjës ia prenë krahët. Ç’kërkonin shqiptarët,ata kurrë nuk i hynë  në hak askujt ? normal që ata nuk kërkonin asgjë më shumë sesa hallallin që u takonte,atë që mijëra vjet u ka takuar.U sakrifikuan trojet më të mbegata e më strategjike,e kështu ngeli “shtëpiza e vogël me zemër të madhe”.Ky vit jubile na bënë disi më të fortë,jemi antarsuar në “N.A.T.O”,kandidat për në “B.E”,rrëzuam komunizmin,po luftojmë ende me komplekset e së kaluarës,e kështu me rradhë po kalojmë tranicionin e gjatë.Nëse për një çast meditojmë pak më thellë,do të shohim që rrugës na ka ngelur ende shumë obligime e detyra pa mbaruar,e nëse nuk i bëjmë ato,atëher brezat pasonjës do hakmerren ndaj nesh,ndoshta do të na harrojnë,ndoshta do të na abandonojnë,ndoshta mallkim i madhë do bjerë mbi ne…! Në fund të fundit detyrat duhen ndarë,e më pas bashkëveprojnë të koordinuara,psh shqiptarët e Çamërise festojnë këtë pavarësi të atdheut tyre në dy realitete, njëri sy i shndrin, i qeshur nga gëzimi,teksa tjetri,vajtonjës me ligje,e brejtur me mallë  Çamërie.Nuk jam emocional,por deri tani kjo hise na ka rënë pë pjesë.Astrologët e vlersojnë shumë renditjen e yjeve,ndoshta edhe ata janë dëshmitar prej andej larg,ekunoksi vjeshtar,ku cikli plot “99” vjet po na largohet,ky numër mesa duket paska goxha simbolikë,ndoshta i merr me vete brengat tona,ku dimret e acarta kthehen në pranvera, ku vatani  ynë i marrë peng kthehet tek të zotët,të cilët janë flakur e dëbuar në shurdhërine e miopinë e atyre që “drejtësi vendosin”.Shekull i çuditshëm,ritmi i dhe dinamizmi i këtij 100-vjeçari ia ka kaluar mijëra viteve sëbashku.Veçse shqiptarët e Çamërisë në planin individual kanë arritur të kapin kohën,por në planin e tyre historik të mbetur në periferinë e shoqërisë,s’mund të shijojnin sukseset dhe inovacionet e politikës,ekonomisë,diplomacisë etj.Të gjitha këto që sapo përmenda i kanë pas kundra,për mos mjaftuar me kaq,ata kanë pësuar mbi shpinë presionin dhe trysninë e makinës luftarake kriminale të barbarëve dhe forcave të errta grekë,që mbi ta ushtruan genocid të pa shoq.Treçereku i këtij shekulli e mbajti botën  mbërthyer me dy luftra shkatërruese,krijoi drama e tragjedi,fatkeqesisht la shumë pak hapesirë të viheshin në vendë të drejtat e mungura,e për pasojë po dëshmojmë 99-të vite mërguar e malluar,me shpresën se patjetër do të ketë zgjidhje për ne,përderisa ka Zot,përderisa ka memorie,përderisa ka ende lapës e letër, e përderisa ka “Gen të fortë”,zgjidhja është tek pragu i derës,pak nuhatje,pak durim dhe ne do ta shohim veten  protagonist të zgjidhjes.Dikush,ndoshta me të drejtë mund të mendojë se drama juaj nuk mund të jetë e vetmja,qoftë brenda kombit shqiptarë,qoftë edhe në kombe të tjerë,pra pse duhet ta përjetojmë,e të ndihemi  kaq të lenduar…! Sigurisht,nuk është hera e parë ku tokat shqiptare robërohen,ato kanë njohur pushtime e robërime prej Romakëve, Bizantinëve,Sllavëve,Venedikasve,Otomanëve etj, pse pikërisht duhet të ketë ndryshim dhe të jetë më e dhimbëshme kjo robëri nga ato të mëparshmet?! S’do shumë mend të dashur miq,në pushtime ka vrasje,masakra,ka edhe grabitje e dhunime,por ama,askush më parë nuk mundi ta zbrazte Çamërinë nga popullësia e saj autoktone,askush nuk e zhbëri fisnikërinë,askush nuk prishi kultet,askush nuk ndaloi të flitej shqip aty,askush nuk arriti të pengonte kulturën,vallet dhe etnografinë tonë,askush nuk eksperimentoi me “ADN” tonë,pra ne ishim kollonë vertebrale e Çamërisë.Nuk lejuam askënd të na nëpërkëmbte,e as kemi ndërmend të lejojmë shtetin “uzurpatoro-modern”grek.Nuk mund të shtyhet duke vazhduar akoma  me pengmarrje,s’mund të zhurisi dot nderin tonë. Këtij 100-të vjeçari po i vjen fundi,komshiu ynë jugor po e kupton rëndësinë e një zgjidhje për çështjen çame e të transaksioneve tona ligjore e legale,këtë ia imponon vetvetiu koha, veriu i Greqisë ka vite që ka ngecur në një ngërç ekonomik,s’mund të ketë investime në tokat e tjetër kujt,ndaj të bëjmë thirje ty o Greqi,që vetë na ke regjistruar si nënshtetasit e tu, bëhu realiste,mjaft më me tokat tona nën sqetull…! bëhu pak koherente,çdo gjë e ka një limit e një hark kohor.Jemi në një kurs të ri botëror,i cili krijon mundësi e hapësira për rregulla e situata të reja gjeostrategjike,ku çdo 100-të vjet prodhohen e dalin personalitete që marrin popujt prej dore e u tregojnë atyre rrugët e së ardhmes.Sigurisht,edhe për ne shqiptaret,do ketë gjenerata të cilat do drejtojnë vendin  drejt aspiratave të drejta e sublime,ndaj duhet të shpresojmë…! Pas rrebesheve,qielli kthjellohet e dielli ndrin i bukur si dikur. Pyetja shtrohet se si do tia dalim të rikthejmë atë që ky 100-të vjeçarë na e rrëmbeu prej duarve,e na la jetim në mes të udhëkryqeve të kohës.Shpresën e parë duket se na e dhuron koha,ajo na divorcoi nga ky shekull,duke na përcjellë tek pasuesi i tij,që kurrësesi nuk do i ngjasoj pararendësit.Ndodhur në realitete krejt të ndryshme,ku bota nuk i ka hasur më pare,në kriza monetare,ku xhepa e rripa konfliktesh ziejnë ngado,korridoret ku kombi unë është i ngulur prej mijëra vjetësh, mundësojne një rol predominant në rajon,pra shqiptarët do rikonfigurohen edhe njëherë Arkontët (Zotërit) e korridoreve lindje-perëndim,pra do riaktivzojnë zanatin e vjetër,atë të posedimit të rrugëve ekonomike,ku prekin akset më të rëndësishme të rajonit e më gjerë, patjetër që ne shqiptarët e Çamërisë kemi hipotekuar asetet tona , në hapësirat ujore e tokësore të Epirit.Shqiptarëve të Çamërisë u duhet rizgjuar disi nervi,nuk mund të jesh aktiv nga boksit të televizionit apo kompjuterit,nuk mund ta prekësh lindjen e perëndimin thjesht duke qenë vëzhgues apo tifoz.Normal,kjo situate sjell disi konfuzion,por s mund të jemi thjesht poseduesit e fjalëve të ngrohta.Duhet ritëm e kurajo për sfidat që na presin,normal,nuk do të jenë edhe aq të lehta, pa një projekt dhe platformë mbarëkombëtare. Mënyra e vetme e reformimit të kauzës tonë është unifikimi dhe dakortësia e mendimeve të pjakura,por edhe larmia e tyre nuk na bënë dëm.Vjelja dhe gjetja e burimeve humane,ku këto dy dekada shihet qartë se kanë ndihmuar në një produkt cilësor të kapaciteteve intelektuale e drejtuese të komunitetit Çamë,do ishte adekuate.Po perse vallë,duhet një rizgjim,përse novojitet një subkoshiencë…? është fare e thjeshtë,fëmija nëse nuk qan,nëna nuk i jep të pijë, bota e madhe nuk dëgjon nëse nuk e ngremë zërin,të drejtat nëse nuk kërkohen, nuk realizohen,dhe për pasojë vdesin kauzat e bashkë me to edhe zotërit e tyre. Për të evidentuar anë pozitive përherë ka vend,aspak nuk është se kemi qëndruar në vendë numëro,nga një organizim qytetar,pra Shoqatë Atdhetare Patriotike Çamëria,me pak vonesë,por gjithësesi kaluam në një platformë të mirëfilltë politike,kemi tashmë një parti që e krijuam me mund e me djersë,pra partinë Drejtësi,Integrim dhe Unitet“P.D.I.U”.Shpeshherë na kap kriticizmi për ato çka veprojmë,por kjo s na pengon të vlerësojmë ato çka kemi arritur,në këto çaste duhet të mbështesim nismën për rezolutën Çame në parlament,zëri parlamentar është i domosdoshëm,askush nuk e mbron dot këtë kauzë më mirë se bijtë e saj.Ky vit gjithashtu është vit elektoral,çdo kush do mblidhet në kosheren e vet,ne na takon të koordinohemi tek kosherja jonë,tek kosherja e bletëve punëtore,nuk duhet të kemi filozofinë “mbush e mbush,e më pas vëri shkelmin”, nëse do presim degën ku kemi hipur,ne të parë do vritemi e lëndohemi,boll jemi lënduar nga ata që na dëbuan.Duke lexuar një thënie profetike e cila thotë,”punët gjykohen nga qëllimi që ke në to” të gjykojmë qëllimet është pak e vështirë,duhet pak kohë,ne nuk posedojmë të fshehtat e zemrave,ndaj koha është gjykuesi më i drejtë.Në mbyllje i uroj edhe njëherë kombit shqiptarë këtë 100-vjetor,jetë të gjatë sa malet e Shqipërisë…!

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: 100 vjet, 99 vjet, Cameria, ervin fetahu, pavaresi, roberi, shqiperia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT