-Unioni i Gazetarëve Shqiptarë i ndan Çmimet në një veprimtari në Prizren/
PRIZREN, 13 Nëntor 2015/-Korrespondenti në Kosovë aktualisht i Gazetës Dielli – korrespondenti i ATSH nga Kosova e themelues i bashkëpunimeve të para të medias Kosovë-Shqipëri prej gati çerek shekulli, Behlul Jashari, gazetar shumëvjeçar, redaktor e kryeredaktor i gazetës tradicionale kosovare Rilindja, është fitues i Çmimit Karriera të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë. Kryetari i Unionit, Aleksandër Çipa, duke prezantuar motivacionin për çmimin tha se, “Behlul Jashari është dëshmia e gjallë e qëndresës së gazetarit përballë shtypjes dhe terrorit okupues. Jo vetëm shembull i gazetarit korrekt në një kohë kur sundonte censura e shumëfishtë dhe sidomos ajo shtetërore.
Behlul Jashari është emri i gazetarit jetëgjatë në profesion që përjetoi e përballoi sakrifica të mëdha. Ai si rrallë kush mori në dorë gazetën ‘Bujku” kur pushteti serb mbylli të vetmin titull të përditshëm “Rilindjen”.
Behlul Jashari ishte kryeredaktor i parë-themelues i gazetës së përditshme të rezistencës e pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi “Bujku” që nisi të dalë nga 18 janari 1991 dhe si korrespondent i parë nga Kosova i një mediumi të Shqipërisë nga 24 maji 1992.
Raportimet e tij janë pjesë e rëndësishme e historisë së raportimit gazetaresk për krejt hapësirën shqiptare”.
Gazetari Behlul Jashari, duke pranuar çmimin u shpreh se ndihet shumë i nderuar që merr çmimin më të lartë të gazetarisë shqiptare, duke theksuar se para një çerek shekulli nisi raportimet për median në Shqipëri nga Kosova në rrethana të jashtëzakonshme dhe pjesë e atyre raportimeve ishte edhe reportazhi për “kufirin ndërshqiptar si mur, si fundi i botës”.
“‘Udhëtimi për në Prizren’, ishte reportazhi që kam shkruar në fundvitin 1996, në kohën e viteve të rënda të okupimit, kur me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave. Personazhi, e nisura nga Arta, jugu i trojeve ku flitet shqip, në kërkimet e saj drejt ‘Mollës së Kuqe’, ku tregohet se dikur ishte kufiri verior, erdhi edhe në Prizren, qytetin e Lidhjes Shqiptare, ku ndodhte diç e ngjashme si sot”, vijoi ai në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të gazetarëve nga të gjitha trojet shqiptare.
Ai reportazh është botuar edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, në 31 dhjetor 1996, duke thyer kufirin e hekurt me shkrimet shqip.
“‘Udhëtimi për në Prizren…’ ishte përsëri titulli i shkrimit që bëra për ATSH para takimit të parë historik të qeverive të Shqipërisë e Kosovës mbajtur në 11 janar 2014 pikërisht këtu në Prizren”, vijoi Jashari.
“Edhe sot të gjithë së bashku jemi në udhëtim për në Prizren, dhe do jemi”, theksoi Behlul Jashi dhe duke e përmbyllur fjalën u shpreh: “Ishte një rrugë shumë e gjatë. Edhe shumë e vështirë, sa njëra këpucë më ra sot në Prizren”.
Fitues të Çmimit Karriera janë edhe gazetarët e njohur prej dekadash Zenun Çelaj nga Kosova dhe Besnik Dizdari nga Shqipëria.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë organizoi sot në Prizren veprimtari në kuadër të 10 vjetorit të tij, ku në një ceremoni ku ishin ish presidentët Alfred Moisiu e Fatmir Sejdiu, si dhe ministri i Financavi i Kosovës, Avdullah Hoti, u ndanë çmimet vjetore
Karriera, Gazetari i Vitit, Çmimi Special. U bë edhe ndarja e çmimeve vjetore ”Vangjush Gambeta” për gazetarinë ekonomike. Në kuadër të veprimtarisë, u bë edhe nenshkrim i memorandumit të bashkepunimit të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë me Unionin e Gazetarëve të Preshevës