• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Z. AGIM KARAGJOZI, QYTETAR NDERI I GJIROKASTRËS

April 25, 2013 by dgreca

Qyteti i lindjes e ka shpallë z. Agim Karagjozi”Qytetar Nderi të Gjirokastrës”. Ky është një vlerësim i merituar për z. Agim Karagjozi, i cili e ka nderuar qytetin me përkushtimin e tij atdhetar. President Nderi i Vatrës, për dy dekada kryetar i Vatrës, dhe për 55 vjet vatran, ai të gjithë jetën ia ka kushtuar çështjes Kombëtare.

Z. Karagjozi i tha gazetës “Dielli” se ky është nderi më i madh që i është bërë në jetën e tij, është  një vlerësim që e ka gëzuar shumë. Ai ka marrë tituj e mirënjohje të shumta nga organizata dhe individë; nga shteti i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, përfshirë dhe dekorimin me “Urdhërin e Artë të Shqiponjës” nga Presidenca e Shqipërisë apo nderimi nga Bashkia e New Yorkut, por ky nderim nga Gjirokastra e ka emocionuar shumë. I ndjehem mirënjohës Gjirokastrës, tha ai.

Gjirokastra ka nderuar me këtë titull personalitete të larta të kulturës  si: Shkrimtaren antikomuniste Musine Kokalari, Gjuhëtarin Eqrem Çabej, shkrimtarin Ismail Kadare,ish kryeministrin e Italisë Romano Prodi, presidentin grek Karolos Papulias, pedagogun Muzafer Xhaxhiu, gazetarin Agron Çobani, akademikun Rexhep Qosja, ish kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj e të tjerë

 

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: agim karagjozi, dalip greca, Qytetar Nderi i gjirokastres

Udhë të mbarë Kuvendit të Vatrës!

April 24, 2013 by dgreca

NE FOTO; Pamje nga darka e 100 vjetorit te vatres me 29 qershor 2012 në restorantin romantik Chelsea- Piers 60, me pamje magjike mbi lumin Hadson./

Nga Dalip Greca/

Të shtunën me 27 prill, një ditë para ditëlindjes të 101-të të Federatës Panshqiptare të Amerikës, do të mblidhet Kuvendi i saj. Rrugë të mbarë Kuvendit të Vatrës!

Ky është i pari Kuvend pas dy dekadave, dhjetëvjeçarit të fundit të Shekullit të shkuar dhe 13 vite të shekullit të ri, që Vatra vjen në një kuvend të rregullt, ku përfaqësohen realisht disa degë, me delegatë të zgjedhur nga vetë degët. Është një atmosferë ringjalljeje e Federatës, e cila ka nisë të shtrihet në disa shtete të Amerikës së Veriut. Janë degë me nga 40 anëtarë e lartë ato të Michiganit, Jacksonville në Florida, Hudson Valley, Queens dhe Westchester-South, si dhe më e reja në Newburgh, të gjitha këto në shtetin e New York-ut. Po ashtu funksionon prej tri vitesh dega  e Vatrës në Washington, që është një urëlidhje me kryeqytetin amerikan, me Departamentin e Shtetit, si dhe dega në Palma Beach në Florida, që funksionon prej dy vitesh.

Ky Kuvend do të bëjë përpjekje që të sjellë edhe ndryshime në funksionimin më të mirë organizativ të Federatës, që ajo të ketë frymëmarrje në përshtaje me kohën që jetojmë. Natyrisht nuk do të preken parimet mbi të cilat u ngrit Vatra nga themeluesit, korifejtë e Kulturës Kombëtare Fan S Noli dhe Faik Konica me bashkëpunëtorë.

Ringjallja nisi me përvjetorin njëshekullor. 100 Vjetori i themelimit të Federatës Panshqiptare të Amerikës ishte madhështor, gjithëkombëtar, gjithëfetar dhe shkëndijoji shpresën për ringjallje të plotë të sajsaj.

Në fakt ringjallja e Vatrës nisi me organizimin e degës së Vatrës në Washington, vijoi me degën e Michiganit, me degën në Fort Lauderdale, Florida, dhe u pasua radhazi nga degët, Hudson Valley, Jacksonville, Westchester, Queens dhe Newburgh të shtetit të New Yorkut. Pra tetë degë në harkun e tre vjetëve.     Por le të kthehemi edhe një herë tek fryma dhe mesazhet që përcolli Vatra në botën shqiptare me rastin e përvjetorit të njëqind të saj: Në qershor 2011 Këshilli i Vatrës ngarkoi një grup me tre veta që të përcillte mesazhin për 100 vjetorin e Vatrës në vendlindje. Grupi i udhëhequr nga kryetari dr. Gjon Buçaj dhe me pjestarë juristin Bashkim Musabelliu dhe editorin e Diellit, Dalip Greca, i ra viseve Kombëtare nga jugu në veri. Grupi mesazher i Vatrës u prit me nderet më të larta; nga kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, ish presidenti Bamir Topi, prefektja e Gjirokastrës Mimoza Çomo dhe kryetari i Bashkisë Flamur Bimo, princi Leka II, kryetari i sapozgjedhur i Tiranës, Lulzim Basha, kryetari i Qarkut të Shkodrës Maxhit Cungu, komunitetin çam etj. Përfaqësuesit e Vatrës u pritën nga krerët më të lartë fetarë ; si prej Shkëlqesisë së Tij Imzot Rrok Mirdita – Arqipeshkëv Metropolit i Dioqezës Tiranë – Durrës  dhe gjithë Shqipërisë, kryetari i Komunitetit Musliman të Shqipërisë Haxhi Selim Muça, kryegjyshi Edmond Ibrahimi etj.

Në Prishtinë misionarët e Vatrës u pritën nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, Ministri i Arsimit Ram Buja, amabsadori i Shqipërisë në Kosovë, Dr.Islam Lauka, drejtori i Institutit të Historisë, Prof. Dr. Jusuf Bajraktari; Ipeshkëvi i Kosovës  Imzot Dodë Gjergji dhe biografi i shquar i Nënë Terezës dom Lush Gjergji, po ashtu përfaqësuesit e Vatrës vizituan edhe shqiptarët e Maqedonisë, ku u pritën nga kryetari i grupit parlamentar të BDI-së. Telat  Xhaferri, bënë takimi më stafin drejtues të Universitetit të Tetovës, kryesuar nga rektori Prof. Dr. Agron Reka, u takuan me stafet e ambasadave dhe ambasadorët e Shqipërisë dhe të Kosovës në Shkup etj.

Misionarët e mesazhit të 100 vjetorit të Vatrës ishin të pranishëm edhe në manifestimin e madh përkujtimor të komunitetit çam në Qafë Botë. Mbështetje të fuqishme gjeti përfaqësia e Vatrës tek media, kudo ku shkoi. Mesazhi i 100 vjetorit të Vatrës shkoi në të gjitha trojet Kombëtare.

Ishte kjo një nga arsyet që në festimet e 100 vjetorit të Vatrës të gjitha trojet amtare ishin të përfaqësuara siç ishin të përfaqësuar të gjithë komunitetet fetare.

Konferenca Shkencore  “Federata Pan-shqiptare e Amerikës “VATRA, 100 vjet në shërbim të Kombit”, shpalosi historinë 100 vjeçare të Vatrës dhe shërbesat e saj Kombëtare. Studiues të njohur të botës akademike shqiptare, paraqitën kumtesa, në të cilat ritheksohej roli i federatës që nga lindja e saj, themelimi i shtetit shqiptar, deri në 100 vjetor.

Mbrëmja gala ishte një mrekulli më vete. Sipas gazetës amerikane Daily News të 4 majit 2012, Federata Pan-shqiptare e Amerikës, mblodhi bashkë 1100 shqiptaro-amerikanë në Mbrëmjen Gala, organizuar më 29 prill 2012, në restorantin romantik Chelsea- Piers 60, me pamje magjike mbi lumin Hadson.

Dega e Washingtonit, e Michiganit dhe ajo e Palma Beach në Florida, ishin dallëndyshet e para që paralajmëruan ringjallje të Vatrës dhe shpresën për shtrirjen e saj kudo ku jetojnë shqiptarë. Më pas erdhi dega e Vatrës në Hudson Valley, që afroi një masë të madhe vatranësh. Ngritja dhe funksionimi i degës së Jacksonville në Florida është meritë e kryetarit të sotëm të saj, Adriatik Spahiu me bashkëpunëtorë. Adriatiku familjarisht ishte pjesë e festimeve të 100 vjetorit të Federatës, dhe aty mori zotimin e ringjalljes së Vatrës në Jacksonville. Kjo degë edhe pse ka vetëm një vit jetë që nga themelimi, ka marrë statusin e organizimit të veprimtarive kulturore, artistike apo historike në Jacksonville.

Dega e Vatrës në Westchester south erdhi me kualitete anëtarësh, shumë prej tyre me doktoratura shkencore, profesionistë të suksesshëm, avokatë, bankierë, financierë,mjekë, që premtojnë rritjen e veprimtarive kualifikuse të Vatrës.     Menëjherë pas kësaj dege erdhi dega e Queensit, ku meritë në organizimin e saj ka dr. Skënder Murtezani dhe Bashkim Musabelliu e Halit Shpuza. Dyzet vetë numëroi kjo degë që në ditëthemelimin e saj. Më e fundit degë e ngritur në prag të Kuvendit është ajo që u ngrit me inisativë të dr. Nexhat Kaliqit dhe Sylë Ramosaj në Newburgh, New York.

Degë të tjera priten të riorganizohen, disa prej të cilave janë të gatshme , si në Bronx, Brooklyn, Staten Island, New Jarsey etj. Vatra pas këtij Kuvendi i ka të gjitha mundësitë që të rikthehet në kohët e saj më të mira. Janë të gjitha mundësitë që Vatra të grumbullojë rreth vetes bashkombasit tanë dhe të shtrihet në të gjithë Amerikën, si tri dekadat e para të shekullit të shkuar, duke u kthyer në një institucion të fuqishëm Kombëtar.

Statura e Vatrës është e tillë që i plotëson të gjitha kushtet për të qenë një institucion kombëtar me ndikim të fuqishëm në Amerikë dhe në trojet kombëtare. 101 vitet e saj dhe bëmat që kanë bërë paradhësit e vatranëve të sotëm, ia japin Vatrës prestigjin për të përfaqësuar Kombin shqiptar në Amerikë dhe për të pasë ndikim më të fuqishëm në vendlindjen. Rruga 101 vjeçare e Vatrës është plot ngjarje dhe shërbesa ndaj Kombit. Vatra ëshët pasuri e çmuar historike me përmasa Kombëtare. Themelimi i saj ka qenë një ndër veprat më të çmuara që kanë bërë shqiptarët e Amerikës. E themeluar shtatë muaj para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ajo shërbeu si orientuese edhe për  shtetin e ri shqiptar të pavarësuar me 28 Nëntor 1912. Telegrami i Vatrës drejtuar Kuvendit të Vlorës, që mbante firmën e kryetarit të atëhershëm të Vatrës, eruditit Faik Konica, përcillte frymën e Vatrës për t’u orientuar nga Perëndimi; ishte një orientim logjik.

Shteti i ri shqiptar i ngjante një foshnje të porsalindur, që fqinjët kërkonin të zhduknin. Grekët, serbët dhe malazezët ushqenin shpresën se shteti i ri nuk mund ta kishte jetën e  gjatë.

Do të ishte Vatra ajo që do të shërbente në vend të shtetit të vdekur, sidomos gjatë dhe Pas Luftës së Parë Botërore, ku me fondet e saj organizoi mbrojtjen ndërkombëtare të Shqipërisë dhe ngriti  e financoi shërbimin diplomatik në Evropë dhe Amerikë.

Vatra shkëlqeu në dy fushata të fuqishme; në atë të 3 qershorit 1917, ku u grumbulluan për mbrojtjen e Shqipërisë, 150 mijë dollarë, si dhe në organizimin e Huasë Kombëtare, ku u mblodhën më shumë se 197 mijë dollarë.

Kur po luhej drama më e dhimbshme e Kombit shqiptar, u mblodh në Londër Konferenca e ambasadorëve për të caktuar fatin e Shqipërisë, nën kryesimin e Ministrit të Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Sir Edward Gray. Shqiptarët, nga të gjitah anët  e Amerikës,  të udhëhequr e të frymëzuar nga Vatra, filluan ta bombardonin Konferencën me qindra e mijëra kabllograme, sa Sir Edëard, i tha një miku të Shqipërisë:”Thuaju shqiptarëve që të mos prishin shumë para për kabllograme pasi ne e dijmë se Korça dhe Gjirokastra janë shqiptare dhe jo greke.”(Citim: Peter Ktona”Misioni i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, dje dhe sot”). Mirëpo Vatra nuk mund të flinte e qetë kur grekët po punonin fort për të bindur ndërkombëtarët se Korça dhe Gjirokastra ishin greke.Për këtë qëllim Vatra dërgoi në Evropë Fan Nolin dhe Faik Konicën dhe nisi të mbledhë mijëra nënshkrime të orthodoksëve. Me këtë rast të gjithë shqiptarët e Amerikës u nënshkruan orthodoksë. Vatra ia arriti të mposhte propogandën e sofistikuar greke, dhe ia arriti të fitoi.Në maj të 1913-ës Shqipëria u njoh si shtet i pavarur me garancinë e Fuqive të Mëdha. Me 17 Dhjetor 1913 Komisioni lëshoi raportin, i cili u nënshkrua më vonë në Firence, i njohur si Protokolli i Firences, që la jashtë trungut Kombëtar, Çamërinë dhe Kosovën.

Fan S Noli u kthye nga Evropa më 1915 dhe e gjeti Vatrën të organizuar mirë dhe me 80 degë, gazeta Dielli dilte e përditshme nën drejtimine  Kostë Çekrezit.

Takimi i Nolit me 4 korrik 1918 me presidentin Amerikan Wilson, ishte një rast i artë për të marrë fjalën presidentit amerikan për t’i dalë krah Shqipërisë në Konferencën e Paqes. Dhe po të mos ishte presidenti Wilson, fati i Shqipërisë do të ishte në udhëkryq.

Vatra e tregoi fuqinë e saj në konferencën e Paqes, ku organizoi mbrojtjen e Shqipërisë. Aq e ndjeshme ishte lufta e Vatrës, sa kryeministri grek deklaroi:”E vetmja pengesë që hasi Greqia për Vorio Epirin ishte Federata Vatra.”

Vatra nuk e ndërpreu luftën për shpëtimin e Shqipërisë. Bindja se Shqipëria do të shpëtonte dhe se pavarësia do të rikthehej, ishte aq e fortë sa Vatra nisi përgatitjen e grupeve të ushtarëve vullnetarë për t’i dërguar në Shqipëri. Federata mori me qera mjedise në Boston ku stërviteshin vullnetarët, bijë e vatranëve, të cilët më 1920 nën drejtimin e Aqif Përmetit shkuan në Shqipëri, dhe morën pjesë në Lufëtn e Vlorës dhe në ruajtjen e kufijëve me Greqinë. Ishin 200 vullnetarë, të cilët u shoqëruan edhe nga banda e Vatrës e drejtuar nga professor Thoma Nassi.    Vatra kishte pjesën e vet edhe në Kongresin Kombëtar të Lushnjës. Nëse nuk do të ishte Vatra qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës do të ishte në hall të madh me arkën e shtetit bosh.

Është Vatra ajo që përmes kryetarit të saj, Imzot Nolit, do të siguronte edhe pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Bëmat e Vatrës është vështirë që të numërohen; janë të shumta.

Vatra i shërbeu shteti të tri edhe në fushën e kulturës dhe të arsimit duke shtypur e dërguar falas në Shqipëri më shumë se 120 mijë libra për nevoja të shkollave shqipe.

E gjithë jeta e Vatrës, me gjithë zig zaket e saj, është e mbushur me faqe të çmueshme të shërbesës kombëtare dhe përkushtimit atdhetar. Vatra ka kaluar vështirësi të mëdha, edhe për shkak të qëndrimit të saj nacionalist, antikomunist, por  ajo mbijetoi për meritë të përkushtimit dhe të frymës rilindase që ajo trashëgoi. Pas shkëlqimit në 30 vitet e para të shekullit XX, ajo mbijetoi dhe hyri në shekullin e XXI me shpresa ringjalljeje. Që në fund të viteve ’70 dhe në mes të viteve ’80 ishte dhënë alarmi për të dalë nga gjendja e paralizës ku kishte rënë Vatra, por u desh 100 vjetori i themelimit që shpresa për ringjallje të konkretizohej.

I takon këtij kuvendi që të bëjë analizë realiste dhe të përcaktojë piketat për të ardhmen duke e kthyer Vatrën në kuptimin real, leksikor që përmban fjala që ka pagëzuar këtë bashkim të shqiptarëve të Amerikës, fjala “Vatër”.

Duke vlerësuar puën e çmuar të vatranëve të vjetër që e mbajtën me mundim e përkushtim çelë derën e saj, brezi i ri që ka vërshuar kohët e fundit duhet të përgatitet, që të marrë përsipër detyra që ta kthejën Vatrën në nivelin e kohës dhe të kujdesen që ajo të mos shuhet dhe fryma e saj të ngrohë shqiptarët e Amerikës për t’i shërbyer Kombit.

Ky Kuvend i ka të gjitha mundësitë që të orientojë vatarnët drejt një të ardhmeje më të mirë për të pasur një federatë të fuqishme.

Udhë të mbarë Kuvendit të Vatrës!

 

Filed Under: Editorial Tagged With: dalip greca, Kuvendit te vatres, udhe te mbare

NË PRAG TË KUVENDIT TË VATRËS

April 1, 2013 by dgreca

EDITORIAL/

Po bëhen afër dy vjet që, me shumicë dërmuese votash, Këshilli Drejtues vendosi për të mbajtë  Kuvendin e Përgjithshëm të Vatrës jo përpara, por mbas 100 vjetorit të themelimit të saj. Përveç angazhimit për realizimin e kremtimevet të 100 vjetorit të Vatrës e mandej edhe atij të Pavarësisë, lypej kohë e punë serioze për përgatitjen e një Kuvendi të suksesshëm, nga i cili pritej se do të varet e ardhmja e Vatrës, prandaj u shty për më vonë.

Suksesi i kremtimeve të 100 vjetorit, i arritur me përkushtimin e vatranëve dhe me përkrahjen e komunitetit, duke filluar nga entet fetare, ngjalli interesim për  Vatrën dhe ndihmoi për të regjistruar antarë të rinj dhe për hapjen e degëve.

Vatra sot ka 5 degë funksionale, të cilat drejtohen nga persona që praktikisht ishin nismëtarë bashkëthemelues. Ato janë, simbas radhës së themelimit:  Washington DC,  kryetare Merita Bajraktari-McCormack; Michigan, kryetar Alfons Grishaj; Hudson Valley (NY), kryetar Elmi Berisha; South Florida (Fort Lauderdale), kryetar Kolec Ndoja;  Jacksonville (Florida), kryetar Adriatik Spahiu.

Gjatë këtyre ditëve janë dëgjuar interesime edhe nga shqiptarë që jetojnë në Wisconsin e Chicago dhe në South Westchester (NY), ku ka perspektivë për degë të reja. Edhe në vetë qytetin e New York-ut është një numër i konsiderushëm vatranësh që po interesohen,  të cilët janë të rregullt dhe në kontakt të ngushtë me Këshillin Drejtues, por  ende të pa  organizuar në degë. Është në krijim e sipër edhe dega e Vatrës për Queensin, u mblodh komisioni nismëtar javën e shkuar.

Në këto rrethana, Këshilli Drejtues vendosi mbajtjen e Kuvendit me 27 dhe 28 prill 2013, në:  Royal Regency Hotel, 165 Tuckahoe Rd, Yonkers, NY 10710. Phone: (914) 476-6200.

Janë emëruar disa grupe pune, për rezervimin e hotelit dhe për të studiuar ndryshimet në Kanunore. Nuk mendojmë që të preken pikat parimore të saj, por duhen ndryshuar nenet që kanë të bëjnë me rregullimin administrativ dhe funksional, në përshtatje me kohen. Disa ndryshime të tilla janë bërë nga Kuvendet në të kaluarën, por nuk janë reflektuar në Kanunore, siç është emërimi i nënkryetarëve, kur në kohën themelilit nuk kishte nënkryetar. Në Kuvend do të marrin pjesë nga një delegat për çdo 10 anëtarë të rrgullt të degëve. Për shpenzimet e delegatëve, edhe kësaj here do të ndjekim praktikën e kaluar që t’i përballojnë degët. Logjika e këtij veprimi ka pasë parasyshë faktin se kuvendet nuk janë mbajtë çdo herë në të njëjtin qytet. Kuvendi mund ta ndryshojë këtë për të ardhmen. Anëtarët duhet të pajisen me libreza antarsie; në Kuvend do të propozohet caktimi i një shume për anëtarsi dhe për parapagimin në gazetën Dielli, një përqindje të mbahet në arkën e degës për nevojat e veta, e të tjera propozime që do të studjohen në javët që vijnë.

Duke marrë parasyshë rëndësinë e jashtëzakonshme të këtij Kuvendi, Këshilli Drejtues ka kërkuar dhe ka marrë sygjerime e propozime të ndryshme nga degët, rreth të cilave është diskutuar në dy mbledhjet e kaluara dhe procesi i konsultimeve do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Janë të nevojshme marrja e mendimeve edhe nga të tjerë, që nuk janë vatranë por janë dashamirës të Vatrës. Duhet të gjendet mënyra se si kjo Federatë të jetë vërtetë e Shqiptarëve të Amerikës. Emri dhe trashëgimia e saj historike e morale duhet të shfrytëzohet më shumë dhe në mënyrë më të dobishme për interesat kombëtare, duke qëndruar mbi ato parciale. Vatra duhet të ketë një platformë kombëtare; veprimtaria e saj duhet të rregullohet me kushtetutë, së cilës do t’i përmbahen zyrtarët dhe antarët e saj.

Kuvendet kanë qenë manifestime të forcës dhe energjive të Vatrës dhe kanë shërbyer për garantimin e jetëgjatësisë së saj dhe kryerjes të Misionit të saj Kombëtar. Me anë Kuvendesh Vatra shtroi rrugën e së ardhmes së saj dhe garantoi më shumë se një shekull jetë. Që nga mbledhja themeltare e 31 marsit 1912 deri tek Kuvendi më i fundit, Vatra ka elaboruar probleme të çështjes Kombëtare dhe i ka shërbyer Kombit me devocion e besnikëri.

Në fillim, tre-katër vitet e para të pasthemelimit, Kuvendet e Vatrës mblidheshin shpesh edhe për shkakun se shumica e degëve ishin përreth Bostonit, ku ishte qendra e Federatës. Qëllonte që brenda një viti mbaheshin disa kuvende. Madje edhe për probleme të vogla, thirreshin kryetarët e degëve të Vatrës në “Kuvende të posaçme”. Ia vlen që të përmendet një statistikë për të kuptuar se sa shpesh mblidheshin këto kuvende; për shembull që nga 4 korriku  1912 deri me 8 dhjetor 1912, ishin mbledhur katër Kuvende të Vatrës.” Shih: Historia e Federatës Vatra, Refat Xh. Gurrazezi). Në Kuvendet e Vatrës kishte dhe debate të forta, kishte edhe luftë përçarëse; kishte dhe pengime që vinin nga armiqtë e Vatrës, që përpiqeshin me çdo mënyrë ta minonin atë nga brenda, kishte dhe qejfmbetje, veçse rregullat nuk thyheshin dhe Vatra nuk u mposht.Përherë me urtësi janë kapërcyer pengesat dhe Vatra mbeti një fortesë Kombëtare e papushtuar nga armiqtë e cështjes shqiptare, edhe pse pati dy ndarje të thella, një më 9 gush të vitit 1917 dhe tjetra në mes vitet ’30.

Vatra në Kuvendet e saj ka marrë vendime të rëndësishme që i kanë shërbyer çështjes Kombëtare, ka zgjidhur mosmarrveshjet e brendshme;ata kanë qenë jetike për atë. I tillë ishte psh Kuvendi i Shpëtimit të Shqipërisë, që nisi fushatën e ndihmës me moton e “Shpëtimit të Shqipërisë”.  Është e njohur fushata e 3 qershorit 1917, kur Vatra nxiti dhe frymzoi anëtarët e saj që të jepnin kursimet e tyre për të shpëtuar Shqipërinë. Rezultati ishte i jashtzakonshëm. Petro Ktona do ta përshkruane kështu këtë fushatë : Dhe mrekullia u bë! Si shqiptarët që vraponin pesë shekuj më parë kur Skënderbeu jepte kushtrimin e rrezikut, ashtu dhe punëtorët vatranë vrapuan për të dhuruar ç’kishin kursyer që të shpëtonin Shqipërinë. Një punëtor në Worcester, pasi hodhi në shportën e fushatës sa kishte në xhep, tha që nuk kishte të tjera, por kishte diçka tjetër që të dhuronte: nxori xhaketën e trupit dhe e hodhi në shportë.Kur u grumbulluan shumat nga të gjitha degët e Vatrës, askujt nuk i shkonte ndër mend  se punëtorët që punonin rëndë nga 12-14 orë në ditë do të dhuronin 150.000.00 dollarë, që sipas kursit të dollarit, të kohës kur e shkroi P. Ktona broshurën”Misioni i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra  Dje dhe Sot”, 1978, kjo shumë konvertohej në 4 milionë dollarë.

Ja pra se cfarë force magjike zotëronte Vatra ndër shqiptarët e Amerikës.Këta njerëz të thjeshtë dhanë gjithçka për Shqipërinë, pa kërkuar kurrgjë. Po ashtu ishte dhe fushata për Huanë Kombëtare, ku vatranët mbushën arkën e boshatisur të shtetit shqiptar me rreth 200 mijë dollarë.

Kishte raste kur Kuvendet vazhdonin për ditë e javë. I tillë ishte psh Kuvendi i 1 Korrikut 1917. Në atë Kuvend u përfaqësuan 43 degë me 73 vota gjithësej(atë kohë një delgat përfaqësonte 50 vatranë). Kur po zgjidheshin zyrtarët e Kuvendit u ashpërsuan bisedimet. Për këtë shkak u ndërprenë punimet derisa u ftohën gjakrat. Më pas u hap Kuvendi dhe nisi nga puna për zgjedhjen e zyrtarëve. Për cairman u zgjodh delegati Saco, Me, Hasan M. Bitincka me 39 vota, kundër delegatitit Akron, Ohio, Kostaq Lepçishti me 33 vota; Sekretar Ndreko Stavrua, delegat i degës Albany, NY, dhe reporter Dhimitër Tushemishti, delegat i degës Red Winng, Minn. Zënkat kishin filluar pesë ditë më parë kur ishte mbledhë për parapërgatitje të Kuvendit, Komisioni i Vatrës, dhe tre kontrollorët e hequr disa muaj më parë, Hamit Lumi, Sadik Lekdushi dhe Kristo Dako, kishin hyrë në mbledhje për të marrë pjesë si zyrtarë të Vatrës, por kryetari u ishte lutur që të dilnin se nuk e kishin më të drejtën që të merrnin pjesë nga që ishin pushuar, dhe në vend të tyre Komisioni dhe degët kishin zgjedhur tre zyrtarë të rinj.Dy të parët e dëgjuan këshillën e kryetarit, ndërsa Kristo Dakua nuk pranoi të dilte. Atëhere u thirr policia dhe e largoi Dakon si prishës të rregullit. Ky Kuvend ishte më i zgjaturi në kohë, vazhdoi për 12 ditë dhe u bë i mbyllur për shkak të trazimeve. Në Kuvend u thirr dhe kundërshtari Kristo Dako, të cilit iu kërkuan dokumente për pretendimet se kryetari i Vatrës kërkonte të bashkonte Toskërinë me Greqinë. Kur ai nuk kishte ç’të paraqeste, iu bë thirrje të hiqte dorë nga sajimet dhe të bëhej faktor bashkimi. U ndalëm gjatë në këtë Kuvend sepse ai pati më shumë seanca, nëntëmbëdhjetë, filloi me 1 korrik dhe përfundoi 12 korrik. Kryetar të Vatrës Kuvendi zgjodhi Fan S Nolin dhe editor të Diellit, Bahri Omarin, i cili fitoi 40 vota, përballë 32 të Kostë Çekrezit.

Me kalimin e viteve Kuvendet e Vatrës u bënë të rregullt në përgjigje të Kanunores dhe mblidheshin çdo mot dhe vazhdonin për 2-3 ditë. Ata ktheheshin në Kuvende pune ku hidheshin ide të reja për mbrojtjen e çështjes Kombëtare dhe punët e brendshme të Vatrës.

Kështu kemi arritur në Kuvendin që pritet të mblidhet në fund të prillit të vitit 2013. Ky Kuvend mblidhet në ditëlindjen e 101 të Vatrës dhe merr një rëndësi historike sepse do të marrë përsipër që të institucionalizojë punët e mëtejshme të Vatrës për cështjen kombëtare, të fuqizojë veten duke rritur numrin e anëtarësisë dhe të degëve, si dhe të aprovojë programin e ri në kushtetet e tanishme, dhe përshtatjen e disa neneve të Kanunores. Kushtet ku mblidhet Kuvendi i sivjetëm kanë specifikën e tyre, por i bashkon me pararendësit e tjerë, misioni fisnik i Vatrës për çështjen Kombëtare. Le të japim të gjithë kontributin maksimal për këtë Kuvend, kontribut që e lyp Vatra historike, Misioni i saj fisnik, historia e saj 101 vjeçare.

Kemi shumë punë për të bërë dhe koha është shumë e shkurtër, prandaj duhet të angazhohemi të gjithë me përkushtim!

 

Filed Under: Editorial Tagged With: dalip greca, Editorial, Kuvendi i Vatres

U MBLODH GRUPI NISMËTAR PER ORGANIZIMIN E DEGËS SË VATRËS NË QUEENS, NY

March 30, 2013 by dgreca

NE Foto: Nga takimi i komisionit organizator për krijimin e degës së Queensit/

Të enjten  me 28 mars 2013, në klinikën e  dr. Skënder Murtezanit, i anëtarësuar në Vatër që në vitin 1990, në Flashing, Queens, u mblodh grupi organizator për krijimin e degës së Vatrës për Queensin, New York. Inisiator ishte dr. Skënder Murtezani, juristi Bashkim Musabelliu, anëtar i këshillit të Vatrës, vatrani Halit Shpuza,  dhe miq të tjerë të Vatrës.

Në mënyrë simbolike nisja e punës për organizimin e degës në Queens, dr. Skënder Murtezani kishte porositur edhe një tortë, që shënonte rilindjen e degës, e cila vite të shkuara ka qenë aktive, por për më shumë se dy dekada, e ka pushuar veprimtarinë.

Në takimin e parë të komisionit organizator, u fol për rëndësiën e organizimit të degës, për  historinë e Vatrës dhe përkushtimin e saj për cështjen kombëtare.

Po ashtu u rrahën mendime se si të organizohet dega, u përpiluan lista me emra të njërëzve që kanë kontakte me Vatrën, ka ndër ta të anëtarësuar, janë të abonuar në gazetën Dielli dhe janë të përkushtuar për cështjen kombëtare.

Takimi promovues i degës së Vatrës për Queensin do të bëhet në ditët që vijnë.(Korresp. I DIELLIT)

Filed Under: Kronike Tagged With: Bashkim Musabelliu, dalip greca, Dega e Vatres, Dr. Skender Murtezani, Halit Shpuza, Queens

Mesazh nga editori i DIELLIT

March 19, 2013 by dgreca

Te nderuar miq;

Ju falenderoj shume per mesazhet perkrahese dhe kurajoze qe me keni derguar gjate te gjithe ketyre diteve. Emailet e mia ishin aq te shumta sa do te ishte veshtire t’u ktheja pergjigje nje per nje, telefonatat-mesazhet po ashtu. Keshtu qe zgjodha kete forme per te falenderuar dhe per te sqaruar miqte e mi per ate e me ndodhi ne Shqiperi.

Nje falenderim te vecante u dergoj vatraneve, atyre te qendres dhe te degeve, kryesise se Vatres, presidentin e nderit z. Agim Karagjozi, qe i qendruan prane familjes time ne NY, duke telefonuar dhe derguar mesazhe perkrahese. Po ashtu edhe te gjithe atyre qe arriten te kontaktonin permes telefonave  me njerezit e mi ne Tirane, te cilet ishin gjate te gjithe kohes prane meje. I falenderoj koleget gazetare, jo vetem ne SHBA e Shqiperi, por edhe ne Europe, qe me kane shkruar dhe me kane telefonuar.

Falenderoj Dr. Kujtim Balidemaj ne NY, qe disa here u lidh me familjen time per te mesuar rreth gjendjes time shendetsore dhe per ta udhezuar ate se si duhej kryer kthimi ne New York, duke dhene keshillat perkatese per qendrimin ne avion dhe gjithcka tjeter.

Cfare ndodhi me mua? Te henen me 4 mars u nisa nga JFK per ne Tirane per te shkuar prane prinderve, te cilet kalonin caste te veshtira semundjeje. Me 5 Mars isha prane tyre, ne qytetin e Lushnjes. Tre dite me pas, te premten e 8 marsit ne mengjes, kur gjithcka ishte e qete nisi dhimbja e gjoksit me shterngime te forta dhe pengesa ne frymemarrje. 10 minuta me pas isha ne spitalin e qytetit te Lushnjes nen kontrollin e kardiolgut te njohur dr. Vasil Lushnjari, i cili me dha ndihmen e pare. Sipas tij kisha kaluar Infarkt, por nuk mund te saktesonte me tekniken qe dispononte masen e demtimit te zemres. Dhashe okay per t’me percjelle ne nje spital te specializuar te Zemres ne Tirane. Per 1 ore ambulance e Spitalit te Zemres Dr. Roland Xhaxho me personel mjeksor, mjek dhe infermier, mberriten ne spitalin e Lushnjes, me vune ne mjekim intensive dhe me nisen ne Tirane.Per gjate te gjithe rruges vazhdonte dhimbja ne gjoks megjithese me kishin injektuar morfine.

Sapo me futen ne sallen e operacionit, bene Koronografine, u pa se kisha pesuar Infark Akut te Miocardit. Arteria kryesore ishte 90 per qind e bllokuar, po ashtu e majta ishte e bllokuar 80 perqind. Ekipi i udhehequr nga kardiologu i njohur Dr.Alban Dibra, arriti ta kryej me sukses procesin e nderhyrjes dhe te te vendosjes te stentave te medikuara.

I falenderoj te gjithe miqte e mi te cilet m’u gjenden prane ne ato dite te veshtira. Per 6 dite sa qendrova ne spital nje mase e madhe miqesh qendronte ne mjediset e spitalit edhe pse jo te gjithe arriten t’me shihnin pas operacionit, per shkak te rregullave strikte te spitalit. I falenderoj te gjithe ata duke u mbetur borxhli per jete, sic falenderoj dhe koleget gazetare,miqte te mi qe sapo e emsuan lajmin mberriten ne spital.

Ashtu sic kisha shkuar une per te pare prinderit e mi, im bir- Dorjani dhe dhendri -Latifi,udhetuan me emergjensi nga NY dhe nje dite pas operacionit ishin prane mjeje duke u perkujdesur, edhe pse nuk me mungonte kujdesi nga vellezerit, motrat dhe miqte.

Me erdhi mire qe pashe nje spital shqiptar (Privat) ku kishte sherbim te perkryer , mjeke te afte dhe kushtet ishin shume te mira, sherbimi professional, personeli mjeke dhe infermiere ishte perhere prane te semureve!

Pas 6 ditesh qendrim ne spital, qendrova dhe dy dite ne Tirane per t’u zhvendosur dhe nje here tek prinderit ne Lushnje per t’u ndare me ta.

Te Dielen me 17 Mars pas nje udhetimi te veshtire mberrita ne NY. Te nesermen u vura nen kontrollin e mjekut kardiolog  Gregory Gustafson  ne New York Hospitak Queens, i cili pasi pa nderhyrjen e Tiranes(Spitali me kishte dhene tere procedure ne CD dhe te shkruar)  e vleresoi ate te specializuar dhe pas ekzaminimeve te specializuara me vuri ne mjekim intensive duke me rekomanduar edhe nje Stress Test dhe nje terapi paskardiake 2 javore.

Kalova me pas tek mjeku qe me ndjek dr. Skender Murtezani, i cili gjate te gjithe kohes te pasatakut e deri ne kthim qendroi ne lidhje me familjen time dhe me djalin ne Tirane. E falenderoj publikisht.

Kjo ishte e gjithe historia. Ne menyre graduale me eshte rekomanduar kthimi ne veprimtarine e me parshme, por nevojitet  nje periudhe kontrolli  40 dite pas Infarktit te Miocardit.

Edhe nje here ju falenderoj te gjitheve per interesimin!

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, i Diellit, mesazh, nga editori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 126
  • 127
  • 128
  • 129
  • 130
  • …
  • 135
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT