EDITORIAL/
Po bëhen afër dy vjet që, me shumicë dërmuese votash, Këshilli Drejtues vendosi për të mbajtë Kuvendin e Përgjithshëm të Vatrës jo përpara, por mbas 100 vjetorit të themelimit të saj. Përveç angazhimit për realizimin e kremtimevet të 100 vjetorit të Vatrës e mandej edhe atij të Pavarësisë, lypej kohë e punë serioze për përgatitjen e një Kuvendi të suksesshëm, nga i cili pritej se do të varet e ardhmja e Vatrës, prandaj u shty për më vonë.
Suksesi i kremtimeve të 100 vjetorit, i arritur me përkushtimin e vatranëve dhe me përkrahjen e komunitetit, duke filluar nga entet fetare, ngjalli interesim për Vatrën dhe ndihmoi për të regjistruar antarë të rinj dhe për hapjen e degëve.
Vatra sot ka 5 degë funksionale, të cilat drejtohen nga persona që praktikisht ishin nismëtarë bashkëthemelues. Ato janë, simbas radhës së themelimit: Washington DC, kryetare Merita Bajraktari-McCormack; Michigan, kryetar Alfons Grishaj; Hudson Valley (NY), kryetar Elmi Berisha; South Florida (Fort Lauderdale), kryetar Kolec Ndoja; Jacksonville (Florida), kryetar Adriatik Spahiu.
Gjatë këtyre ditëve janë dëgjuar interesime edhe nga shqiptarë që jetojnë në Wisconsin e Chicago dhe në South Westchester (NY), ku ka perspektivë për degë të reja. Edhe në vetë qytetin e New York-ut është një numër i konsiderushëm vatranësh që po interesohen, të cilët janë të rregullt dhe në kontakt të ngushtë me Këshillin Drejtues, por ende të pa organizuar në degë. Është në krijim e sipër edhe dega e Vatrës për Queensin, u mblodh komisioni nismëtar javën e shkuar.
Në këto rrethana, Këshilli Drejtues vendosi mbajtjen e Kuvendit me 27 dhe 28 prill 2013, në: Royal Regency Hotel, 165 Tuckahoe Rd, Yonkers, NY 10710. Phone: (914) 476-6200.
Janë emëruar disa grupe pune, për rezervimin e hotelit dhe për të studiuar ndryshimet në Kanunore. Nuk mendojmë që të preken pikat parimore të saj, por duhen ndryshuar nenet që kanë të bëjnë me rregullimin administrativ dhe funksional, në përshtatje me kohen. Disa ndryshime të tilla janë bërë nga Kuvendet në të kaluarën, por nuk janë reflektuar në Kanunore, siç është emërimi i nënkryetarëve, kur në kohën themelilit nuk kishte nënkryetar. Në Kuvend do të marrin pjesë nga një delegat për çdo 10 anëtarë të rrgullt të degëve. Për shpenzimet e delegatëve, edhe kësaj here do të ndjekim praktikën e kaluar që t’i përballojnë degët. Logjika e këtij veprimi ka pasë parasyshë faktin se kuvendet nuk janë mbajtë çdo herë në të njëjtin qytet. Kuvendi mund ta ndryshojë këtë për të ardhmen. Anëtarët duhet të pajisen me libreza antarsie; në Kuvend do të propozohet caktimi i një shume për anëtarsi dhe për parapagimin në gazetën Dielli, një përqindje të mbahet në arkën e degës për nevojat e veta, e të tjera propozime që do të studjohen në javët që vijnë.
Duke marrë parasyshë rëndësinë e jashtëzakonshme të këtij Kuvendi, Këshilli Drejtues ka kërkuar dhe ka marrë sygjerime e propozime të ndryshme nga degët, rreth të cilave është diskutuar në dy mbledhjet e kaluara dhe procesi i konsultimeve do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Janë të nevojshme marrja e mendimeve edhe nga të tjerë, që nuk janë vatranë por janë dashamirës të Vatrës. Duhet të gjendet mënyra se si kjo Federatë të jetë vërtetë e Shqiptarëve të Amerikës. Emri dhe trashëgimia e saj historike e morale duhet të shfrytëzohet më shumë dhe në mënyrë më të dobishme për interesat kombëtare, duke qëndruar mbi ato parciale. Vatra duhet të ketë një platformë kombëtare; veprimtaria e saj duhet të rregullohet me kushtetutë, së cilës do t’i përmbahen zyrtarët dhe antarët e saj.
Kuvendet kanë qenë manifestime të forcës dhe energjive të Vatrës dhe kanë shërbyer për garantimin e jetëgjatësisë së saj dhe kryerjes të Misionit të saj Kombëtar. Me anë Kuvendesh Vatra shtroi rrugën e së ardhmes së saj dhe garantoi më shumë se një shekull jetë. Që nga mbledhja themeltare e 31 marsit 1912 deri tek Kuvendi më i fundit, Vatra ka elaboruar probleme të çështjes Kombëtare dhe i ka shërbyer Kombit me devocion e besnikëri.
Në fillim, tre-katër vitet e para të pasthemelimit, Kuvendet e Vatrës mblidheshin shpesh edhe për shkakun se shumica e degëve ishin përreth Bostonit, ku ishte qendra e Federatës. Qëllonte që brenda një viti mbaheshin disa kuvende. Madje edhe për probleme të vogla, thirreshin kryetarët e degëve të Vatrës në “Kuvende të posaçme”. Ia vlen që të përmendet një statistikë për të kuptuar se sa shpesh mblidheshin këto kuvende; për shembull që nga 4 korriku 1912 deri me 8 dhjetor 1912, ishin mbledhur katër Kuvende të Vatrës.” Shih: Historia e Federatës Vatra, Refat Xh. Gurrazezi). Në Kuvendet e Vatrës kishte dhe debate të forta, kishte edhe luftë përçarëse; kishte dhe pengime që vinin nga armiqtë e Vatrës, që përpiqeshin me çdo mënyrë ta minonin atë nga brenda, kishte dhe qejfmbetje, veçse rregullat nuk thyheshin dhe Vatra nuk u mposht.Përherë me urtësi janë kapërcyer pengesat dhe Vatra mbeti një fortesë Kombëtare e papushtuar nga armiqtë e cështjes shqiptare, edhe pse pati dy ndarje të thella, një më 9 gush të vitit 1917 dhe tjetra në mes vitet ’30.
Vatra në Kuvendet e saj ka marrë vendime të rëndësishme që i kanë shërbyer çështjes Kombëtare, ka zgjidhur mosmarrveshjet e brendshme;ata kanë qenë jetike për atë. I tillë ishte psh Kuvendi i Shpëtimit të Shqipërisë, që nisi fushatën e ndihmës me moton e “Shpëtimit të Shqipërisë”. Është e njohur fushata e 3 qershorit 1917, kur Vatra nxiti dhe frymzoi anëtarët e saj që të jepnin kursimet e tyre për të shpëtuar Shqipërinë. Rezultati ishte i jashtzakonshëm. Petro Ktona do ta përshkruane kështu këtë fushatë : Dhe mrekullia u bë! Si shqiptarët që vraponin pesë shekuj më parë kur Skënderbeu jepte kushtrimin e rrezikut, ashtu dhe punëtorët vatranë vrapuan për të dhuruar ç’kishin kursyer që të shpëtonin Shqipërinë. Një punëtor në Worcester, pasi hodhi në shportën e fushatës sa kishte në xhep, tha që nuk kishte të tjera, por kishte diçka tjetër që të dhuronte: nxori xhaketën e trupit dhe e hodhi në shportë.Kur u grumbulluan shumat nga të gjitha degët e Vatrës, askujt nuk i shkonte ndër mend se punëtorët që punonin rëndë nga 12-14 orë në ditë do të dhuronin 150.000.00 dollarë, që sipas kursit të dollarit, të kohës kur e shkroi P. Ktona broshurën”Misioni i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra Dje dhe Sot”, 1978, kjo shumë konvertohej në 4 milionë dollarë.
Ja pra se cfarë force magjike zotëronte Vatra ndër shqiptarët e Amerikës.Këta njerëz të thjeshtë dhanë gjithçka për Shqipërinë, pa kërkuar kurrgjë. Po ashtu ishte dhe fushata për Huanë Kombëtare, ku vatranët mbushën arkën e boshatisur të shtetit shqiptar me rreth 200 mijë dollarë.
Kishte raste kur Kuvendet vazhdonin për ditë e javë. I tillë ishte psh Kuvendi i 1 Korrikut 1917. Në atë Kuvend u përfaqësuan 43 degë me 73 vota gjithësej(atë kohë një delgat përfaqësonte 50 vatranë). Kur po zgjidheshin zyrtarët e Kuvendit u ashpërsuan bisedimet. Për këtë shkak u ndërprenë punimet derisa u ftohën gjakrat. Më pas u hap Kuvendi dhe nisi nga puna për zgjedhjen e zyrtarëve. Për cairman u zgjodh delegati Saco, Me, Hasan M. Bitincka me 39 vota, kundër delegatitit Akron, Ohio, Kostaq Lepçishti me 33 vota; Sekretar Ndreko Stavrua, delegat i degës Albany, NY, dhe reporter Dhimitër Tushemishti, delegat i degës Red Winng, Minn. Zënkat kishin filluar pesë ditë më parë kur ishte mbledhë për parapërgatitje të Kuvendit, Komisioni i Vatrës, dhe tre kontrollorët e hequr disa muaj më parë, Hamit Lumi, Sadik Lekdushi dhe Kristo Dako, kishin hyrë në mbledhje për të marrë pjesë si zyrtarë të Vatrës, por kryetari u ishte lutur që të dilnin se nuk e kishin më të drejtën që të merrnin pjesë nga që ishin pushuar, dhe në vend të tyre Komisioni dhe degët kishin zgjedhur tre zyrtarë të rinj.Dy të parët e dëgjuan këshillën e kryetarit, ndërsa Kristo Dakua nuk pranoi të dilte. Atëhere u thirr policia dhe e largoi Dakon si prishës të rregullit. Ky Kuvend ishte më i zgjaturi në kohë, vazhdoi për 12 ditë dhe u bë i mbyllur për shkak të trazimeve. Në Kuvend u thirr dhe kundërshtari Kristo Dako, të cilit iu kërkuan dokumente për pretendimet se kryetari i Vatrës kërkonte të bashkonte Toskërinë me Greqinë. Kur ai nuk kishte ç’të paraqeste, iu bë thirrje të hiqte dorë nga sajimet dhe të bëhej faktor bashkimi. U ndalëm gjatë në këtë Kuvend sepse ai pati më shumë seanca, nëntëmbëdhjetë, filloi me 1 korrik dhe përfundoi 12 korrik. Kryetar të Vatrës Kuvendi zgjodhi Fan S Nolin dhe editor të Diellit, Bahri Omarin, i cili fitoi 40 vota, përballë 32 të Kostë Çekrezit.
Me kalimin e viteve Kuvendet e Vatrës u bënë të rregullt në përgjigje të Kanunores dhe mblidheshin çdo mot dhe vazhdonin për 2-3 ditë. Ata ktheheshin në Kuvende pune ku hidheshin ide të reja për mbrojtjen e çështjes Kombëtare dhe punët e brendshme të Vatrës.
Kështu kemi arritur në Kuvendin që pritet të mblidhet në fund të prillit të vitit 2013. Ky Kuvend mblidhet në ditëlindjen e 101 të Vatrës dhe merr një rëndësi historike sepse do të marrë përsipër që të institucionalizojë punët e mëtejshme të Vatrës për cështjen kombëtare, të fuqizojë veten duke rritur numrin e anëtarësisë dhe të degëve, si dhe të aprovojë programin e ri në kushtetet e tanishme, dhe përshtatjen e disa neneve të Kanunores. Kushtet ku mblidhet Kuvendi i sivjetëm kanë specifikën e tyre, por i bashkon me pararendësit e tjerë, misioni fisnik i Vatrës për çështjen Kombëtare. Le të japim të gjithë kontributin maksimal për këtë Kuvend, kontribut që e lyp Vatra historike, Misioni i saj fisnik, historia e saj 101 vjeçare.
Kemi shumë punë për të bërë dhe koha është shumë e shkurtër, prandaj duhet të angazhohemi të gjithë me përkushtim!
ViktorDaragjati says
Dega e Brukselit. Gjat nji vizite ne Bruksel ne Tetorin e 2010-es takova sa Shqiptar qe nuk jan te kenaqun me politiken ne Atdhe dhe me mungesen organizimi jashta Atdheut per te mundsue nji aktivitet kombtar te dobishem. PROPOZOVA QE TE FORMOHET NJI DEGE E VATRES NE BRUKSEL. Por mungojn kushtet organizative. Ndoshta jam gabim por me duket se vendosmenija e Vatres me perfshi nen veprimtarine e saj te shkelqyshem edhe vende te tjera ne bote, ku emigracioni shqipetar ka nji perfaqesim te madh nuk ka mrrit hala nivelin e duhun. Si antar i pertrim i Vatres nuk kam te drejten as vote as perfaqesimi ne kuvendin e ardhsem. Pra ju lutem atyne qe at drejt e kan, te ken mirsine me marr parasysh ndryshimet e statutores qe nevoiten per me lejue formimim e degave jahsta Amerikes dhe Kanades. Pune te mara.
Sadik Elshani, Philadelphia says
“Vatra” eshte sinonim, eshte identiteti i bashkesise shqiptare te Amerikes, eshte nje kapitull i ndritur i historise sone kombetare. Rreth “Vatres” dhe ne gjirin e “Vatres” shqiptaret u brumosen me idete atdhetare dhe nder vite mbajten gjalle frymen dhe qenjen shqiptare. Ne edhe sot kemi nevoje per nje “Vater” te organizuar mire, per nje “Vater” kombetare ku duhet te mblidhen te gjitha mendjet e ndritura te kombit tone dhe me devotshmeri e perkushtim u qasen ceshtjeve madhore te kombit tone. Ende kemi per te bere shume, te gjitha punet nuk jane kryer. Deshiroj qe “Vatra” edhe me tutje te zhvillohet e forcohet edhe me shume ne te ardhmen duke mbajtur gjithmone lart e me larte Flamurin e Shenjte te Shqiptarizmit. Edhe dicka, “Vatra” ne keshillin (bordin) e saj duhet te kete edhe femra. Ne kete cast “Vatra” nuk ka asnje femer ne keshillin e saj dhe kjo nuk duhet te jete e pranueshme.
Uroj qe Kuvendi juaj te jete i suksesshem. Pune te mbare!