• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JU TREGOJ PENGUN E BARDH KUPIT

February 23, 2016 by dgreca

Nga Dalip Greca/

Fatbardh Kupi, i vetmi djalë i Abaz Kupit,që mbeti në Shqipëri, nuk pati fat që t’i hidhte një dorë dhe’ të atit. Aktin e te atit e perjeton me krenari. Por sa here troket 7 prilli,brenda vetes ndjene dhimbjen që i shkakton pengu që nuk arriti t’i thoshte atit: ”Babë nuk ligshtohem, nuk pendohem për vuajtjet gjatë 45 viteve nëpër burgje e kampet e internimit. Gjithçka e kemi bërë me vetëdije se ia vlente të vuaje për një babë –hero.”

-Do të doja t’i thosha edhe një gjë tjetër: Baba, e mbajta besën që ju dhashë kur u ndamë….

***

Fatbardhin, djalin e Abaz Kupit, që mbeti në duart e komunistëve së bashku me nënën dhe motrat, e takova kohë më parë. E kishim lënë takimin tek restoranti “Dani’s House of Pizza” , që ndodhet në Kew Gardens në Queens. Kishim zgjedhur enkas, mjedisin ku kishte kaluar kohën më të shumtë të fundjetës së tij, heroi i qëndresës së 7 prillit, babai i Fatbardhit, Abaz Kupi.

Në takim, ishte dhe një i tretë: Ndrec Gjergji, i cili ka qenë shpesh nën shoqërinë e Abaz Kupit. Fatbardhi ishte ulur pikërisht në tavolinën e dytë, tek dritarja, me vështrimin nga rruga dhe dukej i përhumbur tek sodiste peisazhin. Me vështrim të tretur tutje në hapësirë, e gjeta tek hyra pas një vonese në trafik.

– Ja këtu qëndronte Abaz Aga. Vinte në mëngjes në orën 9, pinte kafen, shkëmbente lajmet e reja përmes bisedave me bashkëpunëtorët, aty nga ora 10, dilte shëtitje në parkun e afërt të zonës dhe kthehej rreth orës një të drekës, – sjell në kujtesë kohën e largët, Ndrec Gjergji….

Fatbardhi, ka një ndriçim në sytë e lagur nga lotët, ndërsa në diktofonin tim ruhet tingulli i përvajshëm i atij rrëfimi plot mall për të atin. Kështu ia kam parë atij përherë sytë, të lagur nga lotët dhe të ndriçuar nga një shkëlqim i veçantë. I ndodh kjo sa herë bie fjala për të atin e tij, Abazin. Më kujtohet një moment kur legalisti veteran, Enver Shaska(ndjese paste), solli një kujtim nga Abaz Kupi në kohën e ikjes nga Shqipëria, Bardhit i ndriçonin sytë nga kënaqësia që dëgjonte mire për të atin.

Kur i them se do të shkruaj diçka për vuajtjet e Fatbardhit në burgjet dhe kampet e internimit, ai shqipton një ”Jo” të prerë. Nuk është e para herë që ia bëj këtë propozim, por ai sërish kundërshton prerazi:

-Të lutem, mos e bëj këtë, jam tepër i vogël para atit tim. Gjatë të gjithë jetës kam jetuar me krenarinë e të qenit bir i atij, që i vuri gjoksin luftës në Durrës dhe i priti këmishzinjtë fashistë, me luftë. Vuajtjet e mia janë të vogla para madhështisë së tim eti. Shkruaj për atë, se ma lehtëson dhimbjen dhe mallin….I bindem vendimit te tij.

1- Peter Kemp, Abaz Kupi luftoi si luan kundër gjermanëve

Në tavolinë, para duarve, Bardhi mban librin e britanikut Peter Kemp ”No Colour or Crest”. Ndjehet i lumtur që britanikët kanë arritur ta japin madhështinë e atit të tij, në kundërshtim me historiografinë komuniste, që i mohoi heroit jo vetëm kontributin në luftën kundër fashizmit dhe nazizmit, por edhe qëndresën e 7 prillit.

Bardhi shfleton dhe ndalet diku në faqen 142 të librit të Peter Kemp, ku britaniku shpreh habinë se si Enver Hoxha, edhe pse nuk ishte i pranishëm në luftimet e gjermanëve gjatë sulmit mbi Krujë, i mohonte Abaz Kupit mbajtjen e peshës së luftës në këtë betejë. Për Peter Kemp, Abaz Kupi luftoi si luan për të shpëtuar Krujën e tij të dashur, ndërkohë, shkruan ai, nuk vepruan kështu as partizanët e Haxhi Lleshit, as formacioni italian, që pasi ishte dorëzuar e bashkuar me forcat shqiptare, kishte vendosur të luftonte kundër gjermanëve. Britaniku përdor tamam fjalën “luan” për të përshkruar mënyrën e luftimit të Abaz Kupit në atë betejë. Gjermanët u përpoqën që ta thyenin me artileri, Abaz Kupin, kryembrojtësin e Krujës, por ai qëndroi dhe i udhëhoqi trimat e tij, si hero. Peter Kemp dëshmon nga fronti i luftës. Ai sjell edhe detajin tjetër, atë që gjatë bombardimeve, humbi jetën kunata e Abaz Kupit. Dhe si mund të mos luftonte Abaz Kupi kundër gjermanëve, ku luftonte brenda në shtëpinë e tij? Mbronte jetën e familjes së tij, të atdheut të tij? Ishte në interes të komunistëve për të mos ia njohur pjesëmarrjen në betejë kundër gjermanëve heroit të 7 prillit sepse Enver Hoxha kërkonte t’i radhiste të gjithë nacionalistët në anën e pushtuesve, që t’ia faturonte vetes atributet e çlironjësit dhe tortën e pushtetit nuk pranonte ta ndante me të tjerët. Ishte po ai Enver Hoxha, që në buletinet e “Zërit të Popullit”, shkruante me entuziazëm, se Bazi i Canes, lufton si luan dhe askush nuk mund të nënshtrojë Shqipërinë me heronj të tillë. Mirëpo më pas, kur Mukja tregoi se kush ishin nacionalistët dhe kush internacionalistët, Abaz Kupi u shpall armik nga komunistët dhe ia mohuan luftën.

2- Abaz Kupi, shtyllë e luftës

Abaz Kupit nuk mund t’i mohohen meritat e luftës. Komunistët u përpoqën që ta rrëzonin mitin e tij në Shqipëri por nuk mundën, demokratët duhet të bëjnë më shumë për ta lartësuar figurën e këtij heroi, që i vuri gjoksin armikut.Abaz Kupi nuk është nga ata heronj që ngjiten sot e rrëzohen nesër. Ai me aktin e vet ka fituar përjetësinë. E kishte rrëmbyer pushkën që kur ishte 15 vjeç. Ndërsa në momentin e 6 prillit 1939, kur mori urdhërin, për t’i dalë ballpërballë sulmit të hordhive fashiste në Durrës, ai u fut në historinë e Shqipërisë me të dyja këmbët. Përballë dhjetëramijëra fashistëve ai kishte nën komandë vetëm 500 xhandarë me uniformë të rregullt dhe 500 vullnetarë, që s’ishin gjë tjetër veçse ithtarë të tij. Me këta një mijë luftëtarë e organizoi mbrojtjen e Durrësit, ai që mbretërorët e thërrasin, Gjenerali Abaz Kupi, ndërsa anglezët, heroi shqiptar. Kështu e cilëson David Smiley, kështu e përshkruan edhe Julian Emery tek ”Sons of the Eagle”, po kështu edhe Peter Kemp në librin e tij ”No colour or Crest”.

Në një letër që Abaz Kupi i dërgonte pas luftës, Ministrit të Jashtëm britanik Anthony Eden, rezistencën e tij gjatë luftës e përshkruan me fakte, që komunistët u përpoqën t’ia mohonin. Rezistencën ndaj sulmit fashist në Shqipëri ai e përshkruan kështu: ”Kur anijet e armikut arritën pranë molos, i lashë fashistët të zbrisnin në tokë, madje dhe të na afroheshin nja 200 metra. Atëhere dhashë urdhër që të hapej zjarr kundër tyre. Kështu në ora 4 të mëngjesit kishte filluar një betejë e vërtetë. Gjatë këtyre luftimeve, të tre sulmet e tyre të njëpasnjëshme i zmbrapsëm, duke i detyruar agresorët që të ktheheshin e të futeshin sërish nëpër anijet e tyre. Gjatë sulmit të katërt, armiku, duke vënë në përdorim të gjithë mjetet dhe forcat e tij luftarake që dispononte, u përqëndrua në një sulm të përgjithshëm kundër krahut tonë të djathtë. Në këtë mes, ne, duke mos i patur mjetet e nevojshme gjatë 6 orë luftimesh të përgjakshme dhe të pandërprera, qemë të detyruar që të tërhiqeshim. Duhet thënë se gjatë kësaj kohe, artileria jonë goditi rëndë dy nga anijet e armikut, ku ushtarët e tij ishin të grumbulluar aty ngushtë, me ç’rast armiku humbi aty qindra të vrarë. Në këto rrethana u largova nga vendi im dhe dola në Jugosllavi, ku u takova me kolonelin Oacly Hill dhe oficerë të tjerë britanikë, kolegë të mi, me të cilët kam patur shumë raste bashkëpunimi”.

Abaz Kupi nuk do t’i rreshte përpjekjet e tij për të organizuar qëndresën antifashiste. Heroizmi i tij nuk përfundon në Durrës. Në vitin 1941 së bashku me kolonelin anglez Hill, Gani Kryeziun dhe Abaz Kupi dhe çeta e tij, rihynë nga Jugosllavia në Shqipëri për të vazhduar luftën. Drejtimi ishte për në Shkodër. Pas përpjekjesh në Tropojë arritën që të mbërrijnë deri në Bogë. Kapitullimi i Jugosllavisë bëri që të ktheheshin mbrapsht dhe të qëndronin në malet e Gjakovës. Koloneli Hill preferoi të qëndronte me Gani Kryeziun, ndërsa Abaz Kupi u fut në thellësi të Shqipërisë për të organizuar rezistencën kundër fashistëve. Abaz Kupi u bë tmerr për milicinë fashiste, e cila angazhoi më shumë se 2 mijë forca për ta kapur atë. Numri i luftëtarëve që e pasonin Abaz Kupin shtohej çdo ditë.Ai ishte një ndër faktorët kryesorë të luftës, ishte një ndër shtyllat që mbante rezistencën. Në vitin 1943, forcat e tij rrethuan një batalion të armikut në Burrel. Rrethimi ishte një darë e shtërnguar fort, që nuk e lëshonte armikun, të cilit iu nis për ndihmë nga Tirana një tjetër regjiment i armatosur rëndë. Forcat e Abaz Kupit e rrethuan edhe këtë regjiment, i cili u ngujua shumë kohë në malet e Matit.Fashistët lanë në këtë rrethim 300 të vrarë. Edhe forcat e tjera që nisën okupatorët nga ana e Qafë Shtamës për t’i ardhur në ndihmë të rrethuarëve lanë pas shumë të vrarë e të plagosur.

Një tjetër betejë kanë zhvilluar forcat e Abaz Kupit, tri javë më pas në Suç të Matit. Vërtetë që pat të vrarë e të plagosur nga radhët e tij, por armiku pas beteje publikoi në buletinin e luftës 170 të vrarë nga radhët e veta, kurse pjesa tjetër u dorëzuan. Pas kësaj forcat fashiste bënë reprezalje në Mat, ku dogjën më shumë se 2 mijë shtëpi të përkrahësve të Abaz Kupit.

Kur kronikat e betejave të Abaz Kupit morën jehonë edhe jashtë Shqipërisë, aleatët çojnë në shtabin e tij majorin anglez Niel. Së bashku përgatitën planin për t’u marrë gjermanëve Krujën. Lufta zgjati tre ditë dhe gjermanët pësuan humbje të mëdha. Në ditën e tretë mbërritën përforcime të shumta naziste, dhe Abaz Kupi i tërhoqi forcat në lartësitë e maleve.

Më pas në shtabin e tij mbërrijnë gjenerali Davies bashkë me kolonelin Nikols. Pas bashkëbisedimit vendosin që të rifillojnë luftimet guerrilje. U hartua edhe një projekt i përbashkët për të shtrirë rezistencën në Dibër, Kosovë dhe në të gjithë Shqipërinë e Mesme. Gjenerali Davies dhe majori Nikols do të shoqëroheshin nga Abaz Kupi në këtë axhendë. Fatkeqësisht ky projekt nuk u realizua sepse gjenerali kishte rënë në përpjekje dhe qe zënë rob, ndërsa Nikolsit i kishin ngrirë këmbët. Abaz Kupi çoi në ndihmë të Nikols një skuadër trimash dhe arriti ta tërhiqte nga malet e Matit. E vendosi në shtëpinë e një miku të tij dhe u mor vetë me mikun anglez, duke i siguruar të gjitha kushtet dhe gjetjen e kirurgut për operacionin e këmbës, por mjerisht Nikols nuk e përballoi dot, ai vdiq dhe u varros pranë shtëpisë të një miku të Abaz Kupit. Në vijim të ngjarjeve të luftës në shtabin e Abaz Kupit mbërriti një tjetër anglez, koloneli Bill Maclin. Në bashkëpunim me të Abaz Kupi vendosi të merrte përsipër luftën guerrilje në një front të gjërë nga Kosova në Pogradec.

Në dispozicion të kolonelit Maclin, Abaz Kupi vuri një çetë të madhe me 300 luftëtarë, duke vënë në krye të tyre një kolonel të sprovuar dhe të birin, Petrit Kupi. Gjithçka përballohej financiarisht nga vetë Abaz Kupi. Kjo çetë, e ndihmuar edhe nga oficerët anglezë ka kryer shumë akte sabotazhi për të paralizuar pushtuesin. Një aksion të bujshëm përbën hedhja në erë e urës së Gjoljes dhe shumë aksione kundër gjermanëve gjatë bregut të Detit, ku u sulmuan kolonat gjermane, u dogjën makina dhe u vranë gjermanë. Abaz Kupi nuk i mori premtimet që i dhanë aleatët dhe e përballojë luftën me financat e veta, madje siç shkruan Julian Amery, ai mbajti dhe misionin anglez. Abaz Kupi priti zbarkimin e aleatëve, por më kot, zbarkimi nuk u krye siç premtohej. Në këto kushte, në marrëveshje me kolonelin Maclin, majorat Amery dhe Smiley, ai vendosi që t’i shpërndante forcat e veta dhe të largohej nga Shqipëria. Me vete mori dy djemtë, Petritin dhe Rrustemin, ndërsa më të voglin, Fatbardhin e lë për të pasur në kujdes familjen e mbetur.

3- Besa dhe pengu i të birit

Fatbardhit i kujtohet si tani takim i fundit me të atin, i cili e kishte thirrur dhe i kishte përcjellë vendimin, që sapo kishte marrë:- “Unë po iki për pak kohë. Ti Bardhi shko në shtëpi dhe qëndro pranë nënës dhe motrave”. Bardhi, që ende nuk e dinte vendimin e ikjes, e ka pyetur, po pse duhet të kthehem në shtëpi? Unë s’jam fëmijë… Qetë-qetë, i ati i është kthyer me fjalë të matura:”- Ato kanë nevojë për mbrojtje dhe unë po ta besoj ty këtë detyrë sepse kam besim”. Pas kësaj, i ati, kishte nxjerrë një letër, dhe i kishte kërkuar që të nëshkruante aty një deklaratë bese se nuk do t’i braktiste kurrë nënën dhe motrat; . Pa e kuptuar mirë se ç’po i kërkohej, djaloshi 17 vjeçar ia kthen:

– “Kur të mërzitem, do të iki ndonjëherë se s’mund të rri gjatë në shtëpi me gratë”.

Ati këmbënguli që s’duhej të lëvizte pa i ardhë lajmërimi prej tij dhe të kujdesej për nënën dhe motrat, Dudinë, Hyrien dhe Bukurinë. Madje i kërkoi që ta firmoste besën përmes deklaratës dhe të jepte fjalën e burrit.

Letra pasi u firmos nga i biri, u palos në katërsh dhe babai e futi në portofol.

Letra kishte vetëm një fjali, kujton Bardhi:

”Nuk largohem nga familja pa më lajmëruar baba”….

Poshtë firma.

Kur erdhi në Amerikë, pasi shkoi dhe qau gjatë mbi varrin e babës, Bardhi pyeti nëse dinte ndokush gjë për atë letrën që baba mbante në portofol, por mjerisht nuk ia gjeti gjurmët.

Kjo e ka ligështuar Bardhin dhe ende vazhdon të pyes ata që kanë qenë afër tij nëse ka kush dijeni për atë copëz letër, që e mbajti lidhur shpirtërisht me atin e vet gjatë kohëve të vëshitira në qelitë e ftohta, në galeritë e vdekjes, apo gjatë vuatjeve të pafundme nëpër kampet e internimit.

4- Kur e provokonin për të atin

Kur Abaz Kupi kishte marrë rrugën e largimit nga atdheu dhe kapërcimin e detit Adriatik, fati i Bardhit ishte parashkruar për vuajtje.

Por le ta ndjekim fatin e tij. Për pak kohë Fatbardhi që ende nuk i kishte mbushë 18 vjeç, përfundon në radhët e partizanëve. Historia ndodhi kështu:Abaz Kupi ishte bërë vëllam me babën e Gjin Markut. Familjen e Gjin Markut e ka mbajtë Abaz Kupi për shumë kohë. Madje ai e ka çuar Gjin Markun në shkollë dhe i ka dhënë përkrahje. Pasi kishte ikur Abaz Kupi, Gjin Marku në krye të Divizionit të gjashtë partizan mbërriti në Shkodër. Shkoi dhe takoi nënën e Bardhit dhe i kërkoi që ta merrte të birin me vete. I tha nënës:- Bardhin po e marr me vete se nuk i dihet se ç’ndodh me të. Është djal i ri. Kam firkë se po e lashë këtu me ty, atë ose do ta vrasin ose do ta burgosin. Dhe Bardhi hyri në rreshtat e divizionit duke pasur mbështetjen e mikut të familjes, komandantit të divizionit.

Kujton se provokimeve dhe ngacmimeve, që i vinin, u përgjigjej sy më sy. Kur oficerët madhor i thonin se Kadri Hoxha do ta kap dhe do ta vrasë babën tënd ose do ta sjell të lidhur këtu duarlidhur, ai qëndronte gjakftohtë. Por kur provokimet shtoheshin me pyetje të tilla: Po ti çdo të bësh kur ta vrasim babën?

Ai u përgjigjej: Po vranë babën tim, unë o Enverin, o Koçi Xoxen do t’i vras!

Duket si kokëkrisje…Ishte reagimi i një 17 vjeçari, i rritur nën legjendat e trimërisë të të atit.

Nuk i ndoqi gjatë gjurmët e partizanëve. Ndërkohë që Divizioni i Gjin Markut kapërceu në Vishegrad, Bardhi i sëmurë rëndë u shtrua në spital. Pasi u shërua mori raport mjeksor për paaftësi shëndetsore. Mirëpo raporti duhej firmosur në Korpusin e Shkodrës. Shkoi në komandë, ku gjeti Shefqet Peçin dhe Beqir Ballukun.Pa firmën e tyre s’mund të lirohej, do ta cilësonin dezertor. Sekretari ishte krutan, daja i Sami dhe Gani Kupit, kushëririt të tij.Ai ia përgatiti lejen në bazë të raportit, të cilën duhej ta firmoste ose komandanti ose komisari. Kur hyn në zyrë, Shefqet Peçi e provokon për babain duke ia sharë. Bardhi ia kthen dhe debati ashpërsohet. Hyn në mes Beqir Balluku, i cili shmangu sherrin. Ia mori raportin dhe ia firmosi duke i bërtitur fort:Hajt ik tani!

– Këtë burrëri e bëri Beqir Balluku, nuk e di nga se u nis, por unë nuk ia harroj, më shpëtoi se Shefqeti ishte ekstremist dhe gjaksor, e kujton atë incident të vështirë.

5- Arrestohet si armik i popullit

Fatbardh Kupi është një ndër ata që i kanë bërë qëndresë diktaturës. Ai provoi qelitë e hetuesisë dhe burgjet në një moshë të re. U burgos dy herë, dhe u internua për 30 vjet, por nuk u thye. Nëse ndokush do t’më kishte detyruar të nënshkruaja për bashkëpunim, sot nuk do të isha gjallë, as unë, por as ai që do të kishte arritë t’ma merrte firmën,thotë me vështrim të kthjellët.

Fatbardhi e provoi internimin që në kohën e pushtimit fashist, pas rezistencës së Abaz kupit. Fillimisht në Himarë, më pas në Itali. Diktatura komuniste nuk mund t’i ofronte një jetë të qetë, përkundrazi e futi nëpër dhëmbzat e diktaturës. Ai qëndroi dhe e sfidoi atë.

Po si erdhi arrestimi i parë?

Kishte rënë Gjermania, Luftës së Dytë Botërore i kishte ardhë fundi. Filluan festimet edhe në Krujë si në të gjithë Shqipërinë. Bardhi kishte të gjithë arsenalin e armatimeve në shtëpi, ende s’kishte filluar aksioni i çarmatimit të popullsisë. Ai kujton se si zbrazeshin armët dhe hidheshin bomba sa i gjithë qyteti tronditej nga shëprthimet. Mirëpo gjashtë bomba nuk plasën dhe përbënin rrezik për banorët. Ushtarët filluan t’i gjuanin për t’i plasur. Nuk po plasnin dot nga që nuk arrinin t’i godisnin. I thotë një krutani që kishte pranë, a ma jep pushkën? Ai ia jep dhe Bardhi merr shenjë. Në çdo gjuajtje plaste një bombë. I plasi të gjashta.

Ai që i dha pushkën thirri fort:- S’ka mor vlla, është me xhins kjo punë. Shtëpi pushke Kupi! Lisi nën lis mbin!

Kjo dikënd xhelozoi dhe në këto rrethana erdhi arrestimi i parë i Bardhit. Ishte 9 qershor 1945, kur përfundoi në qelitë e torturave.

Prokurori në aktakuzë e akuzoi se kishte mobilizuar popullin në radhët e Legalitetit, kishte bashkëpunuar me rininë e ballit, ishte në radhët e armiqve të popullit. E dënoi Petrit Hakani. Nënën dhe motrat i internuan në kampin e Tepelenës, i cili njihet mirë për kushtet çnjerëzore, sa ndryshe thirrej si kampi i vdekjes. Vdekja rrëmbeu shumë jetë të pafajshme në atë kamp shfarosës.Bardhi i përballoi me stoicizëm vuajtjet e burgut. Pasi kreu dënimin e internuan në Porto Palermo, një tjetër ferr i diktaturës. Pas 6 muajësh kthehet edhe ai në kampin famkeq të Tepelenës, ku qëndroi një vit.

Kur e pyes se çfarë i ka mbetur në kujtesë nga Tepelena, përmes trishtimit shqipton vetëm një fjali:”Kur merrnim tasin me supë pastronim krimbat edhe pastaj e hanim atë që mbetej.”

Në kujtesë sjell rastin, kur një nënë këmbëngulte që të qëndronte në kamp një ditë të ftohtë dimri, të mos shkonte në punë, se kishte vajzën të sëmurë, por polici e tërhoqi zvarrë dhe e detyroi që të shkonte në punë. Të shkretës i mbeti koka pas. Kur u kthye vajzën e gjeti të vdekur.

Pas Tepelenës Bardhin e internuan në Çorovodë, Skrapar, në një kamp me tela me gjemba dhe atje. Aty punuan si skllevër.

Kalvari s’ka të mbaruar. Kudo ku ndërtohej, çonin “bijtë e armiqëve”. Më pas e dërgojnë në fabrikën e tullave në Tiranë.Pas heqjes së kampeve me tela i dërguan në kampet fushore të Myzeqesë. Në fillim në Pluk. Pas kësaj e internuan në një kamp brenda burgut në Radostinë, ku e mbajtën deri në vitin 1958, më pas erdhi internimi tjetër në Kuç. Kur u hap sektoi i ri internimit në Gradishtë e internuan atje familjen.Më vonë internuan atje dhe Bardhin.

Për herë të dytë u arrestua me 1981.Arrestimi erdhi pa asnjë shkak. U akuzua pse ishte shprehur se Partia e Enverit ia ka mohuar të drejtat babait Abaz Kupi, që ka luftuar kundër armiqëve të Shqipërisë. Kaq mjaftonte për ta dënuar për agjitacion dhe propagandë kundër partisë dhe pushtetit. Ai kujton gjyqin e montuar. Dëshmitarët fallso, të cilët kur ai doli nga burgu të penduar qanin dhe i kërkonin ndjesë.

Si tani i kujtohet, kur njëri prej dëshmitarëve, G V, i tha se poshtërsia më e madhe në jetën e tij ishte dalja dëshmitar i rremë në gjyqin kundër Bardhit, por e kishin detyruar. I gjithë gjyqi ishte i montuar. Atëherë i kishin bërë ekspertizën e një hartimi që kishte shkruar Bardhi në shkollën e natës. Në atë hartim shkruante për vjeshtën, stina ku binin gjethet. Dhe natyrisht që akuzohej se aludonte për rrëzimin e pushtetit.

U dënua me 10 vjet burg. Kaloi kohë të vështira në burgun e Ballshit. Më pas do të provonte Qafë-Barin, Bulqizën etj.

6- Me kujtimet për të atin

Edhe në çastet më të vështira të jetës Fatbardh Kupi është ushqyer nga madhështia e veprës së atit të tij. Kujton nga burgimi i parë: “Kur isha në burg më thërret Patër Anton Harapi. Eja ti djali i Abazit luajmë një shah bashkë! Në fakt ai luante shkëlqyeshëm, shahun, por edhe unë e kisha qejf.

Ngrihem dhe shkoj në qelinë e tij dhe bëj gati gurët e shahut. Kur ishin vendosur gurët dhe loja ishte gati për të filluar, Patër Anton Harapi, më thotë:Nuk të kam thirrë për të luajtur shah vërtetë, por të thirra që të them se ke pasë një baba trim e të mençur. Përpiqu t’i ngjash!”

Atëherë Bardhi, e pyet:-e keni njohur babain tim?

Ai i qe përgjigjur:” Si jo! E kam takuar. Para se ta takoja për të parën herë, mendova se po takoja thjesht një kaçak, nga ata luftëtarët që thjeshtë dinë të luftojnë dhe aq. Por, pas takimit, u ndjeva shumë i gëzuar se kisha takuar një njeri mendjehollë, të mençur. Që kur e nxirrte fjalën e mendonte gjatë, por nuk i binte në tokë!”

Këtë bisedë Bardh Kupi e ruante si një hajmali brenda shpirtit të vet, edhe kur e torturonin apo e provokonin, dhe ajo i jepte kurajo. Ndjehej krenar që një euridit si Patër Anton Harapi ishte ndarë me mendimet më të mira nga takimi me atin e tij. Pas shembjes së komunizmit, studiuesi Uran Butka, i kishte thënë Bardhit se të njëjtin mendim ia kishte shfaqë edhe Lef Nosit, Patër Harapi. Bardhi sërish u ndje mirë sepse tashti këtë opinion të Patër Antonin e kishte nga dy burime.

Ish shokët e burgut, Lek Mirakaj dhe Esat Çoku e portretizojnë Bardhin të pathyeshëm në vuajtjet e diktaturës.

– Ai ruajti emrin e mirë të babës së vet. Vetëm një karakter i fortë mbetej i pathyeshëm para torturësve të pashpirtë,-thotë Lek Mirakaj.

– Bardhi është njeri fisnik. Në burg ka qenë shpesh në rrezik. E kanë provokuar jo pak herë, por ai nuk ka rënë në kurth. Ka pasë provokatorë, që i propozonin të arratiseshin nga burgu, por Bardhi heshtëte, madje as nuk shkonte që t’i denonconte. Me intuitë e kuptonte se ishin të futur dhe nëse ai i hynte asaj aventure, plumbat e prisnin.(Dielli-arkiv)

Filed Under: Histori Tagged With: dalip greca, ju tregoj, PENGUN E BARDH KUPIT

BASHKIMI I TOKAVE PAS BASHKIMIT TË KOKAVE

February 20, 2016 by dgreca

SHQIPTARËT E AMERIKËS MBYLLËN FESTIMET PËR PAVARËSINË E KOSOVËS/

Festimet e sotme në MAESTRO’S , organizuar nga ansambleisti Mark Gjonaj, kanë shënuar mbylljen e festimeve për këtë përvjetor të trazuar të Pavarësisë së Kosovës, ku ishin bashkë protesta dhe festa, gëzimi dhe zemrimi, gazi lotsjellës(në Kosovë) dhe këngët e vallet e fjalimet(në Diasporë).
Z. Mark Gjonaj ka falenderuar pjesmarërsit, mysafirët dhe ka përcjellë mesazhin e urimit për përvjetorin e tetë të Pavarësisë së Kosovës.
Përshëndeti dhe ua uroi shqiptarëve festën e pavarësisë edhe Senatori i Shtetit të Nju Jorkut Jeffrey D. Klein,si dhe si dhe Z. Scott Stringer-NYC Comptroller .
Një përshëndetje të veçantë u drejtoi shqiptarëve miku i tyre i kahershëm, Kongresisiti Eliot Engel, i pranishëm në festë.
Ka përshëndetur dhe ka uruar bashkatdhetarët Konsulli i Republikës së Kosovës në Nju Jork z. Ylber Kryeziu.
Një mesazh të veçantë përcolli Miss Nju Jork-u, Serena Buçaj.
Në festimin e organizuar nga anëtari i Ansamblesë së Nju Jork-ut z. Mark Gjona, u mbajtën fjalime, u kënduan këngë nga Gëzim Nika, Hajro Ceka e Albërie Hadërgjonaj , u bënë fotografi dhe u përkujtua përvjetori i tetë i Pavarësisë me entuziazem.
Në këtë festë morën pejsë edhe një sërë vatranësh si dhe anëtarët e Kryesisë, Asllan Bushati-zv/ Kryetar me Familjen, Marjan Cubi, arkëtari i Vatrës dhe anëtar i kryesisë me zonjën, Pashko Camaj-anëtar i kryesisë, me zonjën, Zef Balaj, anëtar i këshillit të Vatrës me zonjën, Ramiz Mujaj, anëtar i këshillit, Besim Malota-anëtar i Këshillit, Elmi Berisha-kryetar i degës së Vatrës Hudson Valley, editori i Diellit Dalip Greca e të tjerë.
Në dekorin e festimeve, në vend të ndonjë urimi për Festën e Pavarësisë së Kosovës, përvjetorit të Tetë, organizatorët kishin zgjedhur një shprehje, që thonë se ka për autor At Gjergj Fishtën, ca të tjerë këmbëngulin se është e Faik Konicës, por që në fakt e ka përdorur gjatë një interviste dhënë nga prifti atdhetar, bibliografi më i shquar i Nënës Terezë Don Lush Gjergji, gjatë një interviste , këtu në Nju Jork, 12 vite të shkuara, dhënë për Gazetën Illyria (Gazetarit të atëhershëm Dalip Greca-sot editor i Diellit”). Don Lush Gjergji përdori pikërisht këtë shprehje”Shqiptarët, para se të bashkojnë tokat, duhet të bashkojnë kokat”. Kjo ishte një shprehje që u përdor për trojet e copëzuar shqiptare dhe msogjetjen e fjalës bashkuse të shqiptarëve, por që ansambleisti Mark Gjonaj po e përdor së fundmi si slogan gjatë tubimeve me shqiptarët.
Për të parën herë ai e përdori në piknikun e organizuar në anije me rastin e 103 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Në fakt kjo është një shprehje që na përshtatet shumë ne shqiptarëve, por efekti në komunitet duket i dyshimtë. U pa edhe sot në këtë organizim, ku edhe pse bileta e hyrjes ishte vetëm $25.00, pjesmarrja ishte për të dëshiruar. Në përpjekjet e tij për t’i bërë bashkë shqiptarët e Nju Jork-ut me rrethina, z. Gjonaj ka arritë që të bashkojë 25 kryetarë shoqatash(pjesën më të madhe ai e nderoi sot me Mirënjohje), por jo komunitetin,.. nuk ka arritë ta bashkojë. E dëshmoi këtë edhe salla e përgjysmuar. Pse ndodh kjo? Ose shoqatat kanë vetëm kryetarë dhe s’kanë anëtarë, ose anëtarët nuk po i dëgjojnë më kryetarët.(Dalip Greca)

Filed Under: Komunitet Tagged With: bashkimi i kokave, dalip greca, Mark Gjonaj, pavaresia e Kosoves, Tokave

15 Shkurt 1909- 2016- SOT DITELINDJA- DIELLI U BE 107 VJEC

February 15, 2016 by dgreca

Ende nuk dihet se kush e pagëzoi gazetën me këtë emër simbolik në kohën e errësirës otomane për Shqipërinë, por si kumbar mbahet Noli, ndersa ”Vatra” ka kumbar Konicen. Si vertetohet se se emri i Vatrës ka për ”at” Konicën.Është e dokumentuar kjo në një artikull të botuar në Diellin e 10 vjetorit të themelimit të Vatrës, në numrin special, ku Konica dëshmon:”Për emrin, formën federale, Kanunoren, rregulloren, dhe shpiriten e parë të VATRËS, jam responsible unë./
Nga Dalip Greca/
Kur festohej 50 vjetori i gazetës Dielli, me 24 gusht 1959, editori i parë , Fan Noli, u deklaroi vatranëve: “Kur themeluam Diellin me 15 të shkurtit 1909, nuk besonim që Turqia do shkonte nga Ballkani aq shpejt, ndonëse e dinim që ditët i kishte të shkurtëra, pranadaj për atë shkak, në programin e Diellit, kërkonim nga Turqia, pikat maksimume, por jo ckëputje prej saj. Kërkonim shkolla në gjuhën tonë, kërkonim kufi të caktuara me katër vilajetet: Kosovën, Shkodrën, Janinën dhe Manastirin brenda, dhe më në fund shtonim në program-Shqipëria të mos ketë gjë të përbashkët me Turqinë, vec ushtrinë, punët e jashtme dhe punët e luftës…Sot 50 vjet më vonë, gëzojmë një Shqipëri indipendente, por jo një shtet me katër vilajetet sikundër e dëshironim neve asi kohe.Për shpëtimin e kësaj copë Shqipërie të vogël, neve shqiptarët e Amerikës, me anë të Vatrës dhe Diellit, duhet të jemi kryelartë, se me sakrificat tona, shpëtuam Shqipërinë nga copëtimi, krijuam Kishën Kombëtare, botuam libra me rëndësi letrare, kombëtare dhe kishtare, dhe me anë të Diellit muntëm të mbajmë gjuhën dhe zakonet tona të gjalla për një gjysëm shekulli.
Në mbyllje të fjalës së tij Imzot Noli uronte”Urojmë me gjithë zemër që Dielli, gazetë e parë në gjuhën shqipe , që u botua e përditme,të arrinjë të festonjë dhe njëqind vjecarin.100 vjecarin e uruar nga Noli, Dielli u ringjall, pas dy vite e gjysëm mosbotim, dhe organizoi një festim madhështor në një nga Universitetet e New York-ut, në Monroe College. Sot ai feston ditëlindjen e 103-të.
Gazeta më e vjetër e Botës Shqiptare, me emrin simbolik “Dielli” me 15 shkurt mbushi 103 vjeç. Një mbijetesë shekullore që ua rrit krenarinë Shqiptarëve të Amerikës, të cilët e mbajtën gjallë këtë thesar të shtypit të lirë në vendin e lirisë, duke e financuar me kursimet e tyre. Gazeta”Dielli” u themelua në Boston prej Shoqërisë atdhetare Besa-Besë me 15 shkurt 1909, si gazetë e përjavshme.Më 11 mars 1912, mbasi shoqëritë shqiptare të Amerikës vendosen që të federohen në Vatër (dita zyrtare e e deklarimit te themelimit të Vatrës 28 prill 1912, dita e bashkimit 31 mars 1912, dita e njohjes nga shteti i Mass 13 qershor 1912 ), Dielli u bë pronë e Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra dhe nisi të dalë dy herë në javë.
FOTOGRAFIA: Eshte foto e vitit 1908, kur Noli dhe Peci nxirrnin ne SHBA gazeten Kombi.Mbyllja e Kombit solli lindjen e Diellit….Ne qender- Noli me Sotir Pecin dhe Kristo Kirken. (Me shume lexoni me Gazeten Dielli te printuar)

Filed Under: Editorial, Histori Tagged With: 15 Shkurt 1909- 2016- SOT DITELINDJA, dalip greca, dielli, U BE 107 VJEC

Dr. FUAD MYFTIA, Nga Greqia në Amerikë…

February 10, 2016 by dgreca

Dr. FUAD MYFTIA, Nga Greqia në Amerikë…– NE KETE INTERVISTE DR. MYFTIA TREGON EDHE SI DEPERTOI I DERGUARI I SIGURIMIT TE SHTETIT, CUFE MULLAI NE RADHET E LEGALISTEVE NE BELGJIKE-/
KUJTESE E KOMUNITETIT SHQIPTAR NE SHBA- Ne kujtim te Dr. Fuad Myftia, 9 vjet pas vdekjes/
INTERVISTE E DR. FUAD MYFTIA, DHENE GAZETARIT DALIP GRECA, EDITOR I SEC. SHQIP TE GAZETES ILLYRIA(Sot Editor i Gazetes DIELLI), SHTATOR 2008/
– Por kur erdhi Fuadi në Amerikë?, – e pyes bashkëbiseduesin.
– Kjo është një tjetër aventurë me telashe, – thotë Fuadi, që vazhdon të tregojë me detaje historinë e jetës së tij: – Në Amerikë erdha në 1958-n, sepse në Greqi u mbyll zyra amerikane. Babai vazhdonte të ishte në Aleksandri. Unë isha martuar dhe doja të sillja edhe babanë të qëndronte pak kohë me ne. Ia dhanë vizën për 24 orë dhe qëndroi dy javë me ne në Greqi. Më pas ai iku përsëri në Egjipt. Kishte ardhur koha që bashkë me gruan të udhëtonim drejt Amerikës. Kisha dy mundësi: ose të shkoja me aeroplan, ose me vaporin “Constituation” që ishte komod për atë kohë. Mirëpo donim të shkonim në Itali tek njerëzit e gruas, se më kishte lindur vajza. S’kishim pasaporta e asnjë lloj dokumenti. Unë udhëtoja me një letër që ma kishte dhënë zyra amerikane. Për vajzën, kur lindi, na dhanë vizën në një copë letër. Shkuam në konsullatën italiane për vizë, se ishte një vapor që nisej ne fundjave për në Gjenova e mbas dy javësh, po ky vapor, do të udhëtonte për në Amerikë. Përsëri telashe; kur shkoj atje, më thonë se tani për tani nuk ka mundësi, por do të kërkojmë autorizimin nga Roma, kjo zgjat nja 5-6 javë. Unë s’kisha kohë; për 5-6 ditë nisej vapori. Nga kjo situatë e vështirë më nxori Ernest Koliqi, të cilit i bëra një telefon. Ndërhyrja iku lart deri tek Andreoti. Ernesti kishte miq të fortë në qeverinë italiane. Të nesërmen shkova në konsullatë për vizë. Konsulli, që nuk i erdhi mirë, që unë kisha trokitur larg dhe lart, më pyeti; ç’miq paske në Romë se na ka ardhur një telegram emergjence andej?
– Mora vizat dhe shkuam në Itali. Pas 15 ditësh u nisëm po me atë vapor prej Gjeneve në Barcelona, pastaj në Lisbonë e prej Lisbone në Kanë. Takuam Mbretin Zog me Mbretëreshën. Princin e kishin në Zvicër. Vapori qëndroi tri ditë në Kanë. Mbas tri ditësh u nis direkt për në Nju Jork. Udhëtimi ishte tepër i gjatë dhe ne ishim me fëmijë të vogël dhe vështirësitë shtoheshin. Kemi bërë rrugë 15 ditë gjithsej.
Si depërtoi Sigurimi i Shtetit në radhët e legalistëve?
Sigurimi i Shtetit gjithnjë ka luftuar që organizatat nacionaliste t’i përçajë dhe në radhët e tyre të fusë agjentët e vet. Fuadi mendon se një pjesë prej tyre kanë kaluar nga Beogradi dhe e kanë treguar veten me veprimtari përçarëse, madje ndonjëri vazhdon edhe sot të veprojë kundër interesave të mbretëroreve. Disa kanë qenë “dhuratë” nga Sigurimi i Shtetit dhe kanë depërtuar nga Athina. Një pjesë janë zbuluar rastësisht, ndërsa disa të tjerë janë zbuluar dhe janë përjashtuar nga partia, ndonjë dhe ka mbetur pa u zbuluar, por jo pa rënë në sy.
E pyes për historinë më të bujshme, atë të agjentit Cufe Mullaji, i cili arriti qe të zinte poste deri në Komitetin Qendror të legalsistëve, pasi pat zënë edhe pozicionin e numrit një të legalistëve të Belgjikës, degës më të madhe të mbretërorëve në Evropë. Cufja, kujton Fuadi, hyri nga Greqia dhe qëndroi ca kohë në kampin e Lavrios, ku ishte dhe vetë Fuadi.
-Kur e zbuluat Cufen si agjent të sigurimit të shtetit?, – e pyes Fuadin.
– Ne s’kemi qenë të zotët për t’i zbuluar, se nuk na shkonte mendja kurrë se ai ishte agjent. E kanë zbuluar të tjerët. Mandej unë e kam përkrahur, e kam vënë në kontakt me shokët tanë që ishin në Bruksel.
– Si u paraqit agjenti i Sigurimit tek ju? Si e takuat Cufen, ju kujtohet fillimi i prezantimit me të?
– Kur erdhi Cufia, unë isha në Greqi atëherë. Ka qenë viti 1956. Grekët u bënin intervistën dhe pastaj i binin në kampin e Lavrios. Mandej vinin për të na parë atje e për të na dhënë ndonjë lajm për Shqipërinë. Siç vinin të gjithë erdhi edhe Cufja. Prezantohet. Në të vërtetë ustallarët e kishin llogaritur mirë punën, ai ishte i besueshëm se i ati kishte pas qenë toger i mbretit Zog. Më thotë se jam filani, kam simpati për Legalitetin, por jam me Hasan Dostin. Që sot e mbrapa unë do të jem pa parti e do të mundohem të kontribuoj në mërgatën shqiptare. Unë jam gati të bashkëpunoj me ju. Këto ishin fjalët e para të tij. Fillimisht ka qëndruar si qengj. E kemi ndihmuar edhe financiarisht e i gjetëm dhe një punë. Punoi si ndërlidhës me Athinën, ku shkonte e vinte, bënte telefona. Siç duke tani mezi e ka pritur atë pozicion se ishte i lirë me i raportu Sigurimit. Jo rrallë vinte edhe në shtëpi. Të them të drejtën, e para që ka dyshuar tek ai si njeri i dyshimtë, ka qenë gruaja ime. Ajo më thoshte shpesh; se çfarë ka ky njeri; gjithmonë është i shqetësuar. Duket si i dyzuar. Ke parë se si i lëviz këmbët, si i dridhen duart kur merr filxhanin e kafesë?
– E po i vjen zor, i thosha unë. Ajo këmbëngulte në të sajën: ai është shumë nervoz. Duhet të ketë probleme.
– Kjo ndodhte ngaqë ai ishte përherë i dytë në veten e tij; ishte legalist, nacionalist, roli që luante dhe ai i vërteti, agjenti i Sigurimit. Herën e parë që emigroi në Belgjikë, desh të regjistrohej në Legalitet. Tashti, na tha, po e kuptoj se duhet të regjistrohem në Lëvizjen e Legalitetit mbasi po shkoj në Belgjikë. Sikur të isha regjistruar më përpara, do të thoshit se po e bëja për oportunitet, domethënë, që kisha nevojën tuaj. Tashti s’kam më nevojë, jam duke u nisur për në Belgjikë, besoj se s’mundeni të thoni se po e bëj për oportunitet. Unë i thashë se këtu nuk është nevoja. Ne kemi degën atje. Të regjistrohesh në Belgjikë. Nuk e dija dhe atëherë, por ishte si princip që të pranonte dega atje. Sidoqoftë Cufja arriti ta realizojë qëllimin e vet. Ai u bë kryetar i degës më të madhe, asaj të Belgjikës. Më vonë, arriti të zgjidhet edhe në Komitetin Qendror të Organizatës.
– Mendoni se Cufja kontrollonte gjithçka në radhët tuaja?
– Nuk mendoj se tek ne kishte sekrete të mëdha, por është fakt se ai ushqehej me të gjithë informacionin që ushqeheshin anëtarët e Komitetit Qendror, pra parësia jonë. Në atë kohë unë isha Sekretar i Komitetit dhe korrespondoja me të gjitha degët në botën e jashtme. Ishin 19 degë e ndër më aktivet ishte dega e Waterbyr- it, e Detroitit, e Kanadasë dhe e Belgjikës.
Kur u bë Kongresi i parë i Legalitetit ai u zgjodh anëtar i Komiteti Qendror nën kryesinë e Nuçi Kotës, si Sekretar i Përgjithshëm. Kështu që ai merrte informacion mujor për gjithçka dhe besoj se i ka kënaqur ustallarët e vet të Tiranës.
– Por kur e mësuat të vërtetën?
– Dyshimet kishin kohë që po dukeshin. Çuam në Belgjikë dy shokë gjoja se po studionin historinë e mërgatës, të cilëve u dhashë me vete edhe një rekomandim, që të ndihmoheshin. Duke qenë se ata qëndruan gjatë dhe nuk e linin t’u dilte nga kontrolli, atij i duhej të shkëputej për t’u lidhur me qendrën e vet, por nuk e dinte se survejohej nga ne. Kështu që dyshimet u vërtetuan. Pas kësaj nuk bëmë ndonjë veprim të hapur, veçse ia shkurtuam postën. I çonim fillimisht pak informacion të përgjithshëm, derisa ia shkëputëm fare. Ai merrte në telefon dhe ankohej, unë i thosha se ta kam nisur por shih se mos ka ngecë gjëkundi…
-Dhe kur u largua Cufja?
– Ka ikur tamam në ditën e festës së Flamurit, më 28 nëntor 1967…
– Ka pasur të tjerë të dërguar nga Sigurimi që janë zbuluar?Në kujtimet e veta Cufja thotë se edhe ai që e zëvendësoi ishte bashkëpunëtor i Sigurimit. Ju si mendoni?
– Po, unë thashë se Sigurimi ka bërë shumë përpjekje me e pasë në dorë mërgatën dhe nuk i ka rresht përpjekjet për të futë bashkëpunëtorë të tij në radhët tona. Në kampin e Lavrios kemi pasur një çam. Ai jo vetëm që vepronte vet, por filloi t’i bënte presion dhe një elbasanlliu, të cilin e kërcënoi se djali që kishte në burg në Shqipëri do ta pësonte nëse ky nuk bashkëpunonte. Ka dhe raste të tjera, për të cilët është marrë masa e përjashtimit nga Partia…
11 kongreset e legalistëve në emigrim/
Refuzimi i ministrit të Drejtësisë së Shqipërisë për ta regjistruar PLL-në në zgjedhjet e para pluraliste, prapaskenat e kongresit të 13-të që u mbajt në Tiranë më 1996
-Dr. Fuad Myftia është një ndër drejtuesit që ka qenë në krye në legalistëve për më shumë se tri dekada, ndërkohë që jetë aktive në strukturat e mbretërorëve ai ka rreth gjysmë shekulli. E filloi aktivitetin që në demonstrimet antifashiste në vitet ‘40 të shekullit të kaluar e vazhdoi në kampet e pasluftës, në Itali dhe Greqi. Kur legalistët filluan të organizojnë strukturat e tyre, edhe Fuad Myftia ka pjesën e vet të kontributit. Pas kongresit I, atij të Zall-herrit të nëntorit 1943, kongresi tjetër do të mblidhej pas 19 vjetësh jashtë atdheut. Shkak u bë vdekja e Mbretit Zog. Një grup eksponentësh, dr. Nuçi Kota, avokat Selim Damani dhe dr. Fuad Myftia, u bënë nismëtarët e një përkujtimi madhështor. Përkujtimi u bë në Manhattan në qershor 1961, ku morën pjesë personalitete të botës shqiptare në mërgim dhe personalitete ndërkombëtare. Ky rast shërbeu për riorganizimin e Lëvizjes Legaliste. Një Këshill Provizor mori përsipër parapërgatitjen e kongresit, i cili u mblodh në nëntor 1962. Fuadi kujton se ai qe një manifestim shumë i organizuar i legalistëve. Në përfundim të punimeve u zgjodhën drejtuesit dhe anëtarët e Komitetit Qendror të Lëvizjes së Legalitetit. Dr. Nuçi Kota u zgjodh sekretar i përgjithshëm, ndërsa avokat Selim Damani nënsekretar. Fuadi u zgjodh në Komitetin Qendror. U vendos që të krijoheshin degë të Lëvizjes në çdo kontinent ku kishte shqiptar të mërguar. Numëroheshin atëherë 19 degë në Evropë, Amerikë, Kanada, Zelandën e Re, Australi etj. Lëvizja e Legalistëve e përjetoi me dhimbje humbjen e sekretarit të përgjithshëm, dr. Nuçi Kota, i cili vdiq në mënyrë të papritur në vitin 1965. Vendin e tij e zuri avokat Selim Damani, i cili drejtoi deri në vitin 1968. Në nëntor të atij viti u bë kongresi dhe avokati Damani dha dorëheqje për mospajtim idesh; Fuadi u zgjodh sekretar i përgjithshëm. Ai arriti ta udhëheqë me metoda demokratike Lëvizjen e Legalitetit dhe forcoi demokracinë e brendshme. Ishte kjo arsyeja që ai do të triumfonte edhe në kongresin e pestë edhe në atë të gjashtin. Për të kuptuar demokracinë e brendshme që kishte kjo organizatë politike, që natyrisht ishte më e madhja në mërgim, po sjellim si pikë reference kongresin e gashtë të legalistëve, i cili i zhvilloi punimet nga 26 deri në 27 nëntor 1977 në New York. Pas procedurave të rregullta, që nga seanca e parë që filloi në orën 10 të mëngjesit, deri në seancën e fundit, pas zgjedhjes së kryesisë së përkohshme për drejtimin e kongresit, e përbërë nga Shehat Osmani, kryetar; Mustafa Kulla, nënkryetar dhe Rasim Sina, sekretar deri tek kontrolli i mandateve; pas fjalimeve të të ftuarve dhe fjalimit të sekretarit të përgjithshëm, dr. Fuad Myftia, u erdhi radha zgjedhjeve. Është një model që mund t’u shërbejë dhe partive të tjera politike sot në Shqipëri. Dolën dy kandidatë për postin e sekretarit të përgjithshëm: Fuad Myftia dhe Idriz Basha. Secili nga ata paraqiti platformën para delegatëve. Dr. Fuadi gërshetoi përvojën që kishte fituar me objektivat që e prisnin Lëvizjen Legaliste në të ardhmen; ndërsa Idriz Basha tregoi aktivitetin e tij individual politik në shërbim të çështjes monarkiste, demaskimin e politikës së Tiranës përmes shkrimeve që ai vetë kishte botuar në “Lë Mond” dhe gazeta të tjera; secili nga kandidatët paraqitën listën e bashkëpunëtorëve të tyre me të cilët do të realizonin objektivat e paraqitura. Dr. Idriz Basha,në rast se fitonte kishte zgjedhë si nënsekretar të përgjithshëm zotërinjtë Ragip Lohja e Ibrahim Kulla dhe kishte hartuar një listë me 26 anëtarë të KQ-së; ndërkohë që dr. Fuad Myftia kishte përzgjedhë si zëvendës të tij, bashkëpunëtorin e ngushtë Hysen Mulosmanaj dhe Arif Fazo si dhe 36 anëtarë në KQ të OKLL-së. Të 154 delegatët i duartrokitën të dyja platformat dhe më pas kaluan në votim të fshehtë. Platforma e dr. Fuadit kishte bërë për vete 99 delegatë, ndërsa dr. Idriz Basha mori 55 vota. Në mes të duartrokitjeve, dy kundërshtarët i dhanë dorën njëri-tjetrit dhe u përqafuan nën duartrokitjet e sallës. Kjo përvojë është e vlefshme sot si për vetë legalistët e Shqipërisë, të cilët e kthyen në rrëmujë kongresin e tyre në vitin 1996 në Tiranë, ashtu edhe për partitë e tjera, të cilat e kanë kthyer në skematizëm formal konkurrimin e alternativave brenda partive.
Duke ndjekur kronologjinë e zhvillimeve në kampin e legalistëve mësojmë se dr. Myftia u tërhoq në kongresin VII, që u mblodh në nëntor 1980. Arsyeja ishte shëndetësore. Menjëherë u paraqitën katër kandidatura: Shehat Osmani, Nderim Kupi, Fahri Barolli dhe Idriz Basha. “Pati ca tensione ai kongres, – thotë Fuadi, – pasi për herë të parë konkurruan katër kandidatë”. “Pas shumë debatesh fitoi kandidatura e Nderim Kupit, i cili nuk qe se arriti një periudhë të artë drejtimi, përkundrazi, organizata pati shumë probleme”, – shton ai.
Pas presionit të miqve legalistë, Fuadi e rivë kandidaturën në kongresin e tetë. Ky kongres i ka zhvilluar punimet me 1983. Kandidatura e Fuad Myftisë fitoi lehtësisht. Përballë, sërish kishte kandidaturën e Idriz Bashës, i cili këtë herë nuk mundi të fitonte më shume se 30 vota.
“Kam pasur fatin, – thotë Fuadi, – që të punoj me Hysen bej Prishtinën si kryetar të Këshillit Kombëtar, ndërkohë që Hysen Mulosmanaj ka qenë një ndër ndihmësit e tij shumë të kualifikuar”. Në aktivitetin e tij ai thotë se ka pasur në mbështetje dhe këshillat e vazhdueshme të heroit të 7 prillit, Abas kupit.
Kongresi IX i legalistëve sërish u mblodh në mërgim, në Nee York. Punimet e këtij kongresi, si dhe të kongresit të Bllokut Kombëtar dhe të Kongresit IX të Partisë së Punës së Shqipërisë, gazeta e Vatrës, “Dielli” i ka paraqitur në faqen e parë të numrit të 31 janarit 1987, ku janë ballë përballë portretet e mëdha të Ramiz Alisë dhe Fuad Myftisë, në mes qëndron vendi bosh i kryetarit të Bllokut, Ndue Gjomarkaj. Le ta citojmë “Diellin” për legalistët: “Organizata Kombëtare Lëvizja e Legalitetit mbajti kongresin IX të saj më 29-30 nëntor. Punimet e këtij kongresi u zhvilluan në “Sheraton Hotel”, në New York… Punimet e kongresit u zhvilluan në katër seanca. Kongresin e hapi z. Ibrahim Kulla, i cili zëvendësonte sekretarin e përgjithshëm, z. Fuad Myftia, që ishte i pamundur atë ditë. Kryetar i kongresit u zgjodh z. Xhemal Laçi, i mirënjohuri ushtar i kombit dhe i legalitetit, i cili e drejtoi kongresin në mënyrë të pëlqyeshme”.
Fuadi kujton si tregues të madhështisë së kongresit pjesëmarrjen e shumë përfaqësuesve të partive politike shqiptare në mërgim, përfaqësues të fesë, si dhe përfaqësues nga vendet e robëruara nga komunizmi. Nga këta të fundit përshëndetën kongresin dërgata e Mbretërisë së Bullgarisë, ajo e shtetit të Kroacisë, dërgata e Republikës Çekosllovake në mërgim, e kryesuar nga z. Jan Kuncir, i cili shërbente si ministër i Jashtëm i Çekosllovakisë në mërgim, dërgata e Polonisë, e kryesuar nga z. W. Veleman në detyrën e ministrit të Jashtëm të Polonisë në mërgim, dërgata e Mbretërisë Rumune, dhe dërgata e Këshillit të Evropës Qendrore.
Z. Myftia ka paraqitur raportin, ndërsa për veprimtarinë 3-vjeçare të Këshillit Kombëtar foli kryetari Hysen Prishtina. Sekretar i përgjithshëm u rizgjodh Fuad Myftia, zëvendës të tij Ibrahim Kulla dhe Fari Barolli. Kryetar i këshillit u rizgjodh Hysen Prishtina, zëvendës të tij Ramiz Dani dhe Safet Malushi.
Dr. Myftia në arkivin e tij ruan dokumentacion të shumtë të Organizatës që ka drejtuar për dhjetëra vjetësh dhe letërkëmbimin privat. Në arkivin e tij gjenden edhe letërkëmbimet me familjen mbretërore dhe personalitete politike e shtetërorë në Evropë dhe në Amerikë. Në 15 nëntor 1986 ka korrespondencë me zv.presidentin amerikan, George Bush, ku përgëzohet për problemet që Fuadi ka ngritur në emër të “Albanian-American Community”. I shkruajnë nga zyra e Presidentit të Austrisë, dr. Franz Parak, ku e falënderojnë për informacionet dhe shqetësimet e ngritura për shqiptarët në Jugosllavi. Në një letër të shkruar nga Mbretëresha Geraldina, që e niste prej Spanje, flitet për hallet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Në një faqe e gjysmë format të shkruar shqip, me shkrim dore, përcillen shqetësimet e çështjes shqiptare dhe problemet shëndetësore. Në një letër të shkruar nga Mbretëresha Suzana, përcillen falënderimet ndaj Fuadit, në një tjetër letër, të dërguar nga ambasadori anglez në Washington, i cili e falënderon për informacionin që ai i ka përcjellë Kryeministres së atëhershme britanike, Margaret Thatcher, janë me qindra letra; i shkruan nga Londra, Nicholas Bethell, e falënderon Alfons d’Amato, për problemet që ka ngritur për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi, i shkruajnë nga kongresi, nga Shtëpia e Bardhë.
Fuadi tregon se si e zhvendosën organizatën e tyre legaliste në Shqipëri dhe pengesat e mëdha që nxorën komunistët për t’i penguar. Në fakt alarmi ishte dhënë me kohë nga Ramiz Alia, i cili tek kërkonte pluralizëm mendimi, nuk mund të pranonte pluralizëm politik, pse kjo nënkuptonte pikërisht rikthimin e partive kundërshtare të komunistëve, partive tradicionale, Balli dhe Legaliteti. Kërkesës së legalistëve për të regjistruar Partinë Lëvizja e Legalitetit në zgjedhjet e para pluraliste, u refuzua nga ministri i Drejtësisë. Fuadi ende e kujton replikën me ish-ministrin atëhershëm të Drejtësisë, Muçi: “Nuk mund të pranojmë parti që janë themeluar jashtë territorit të Shqipërisë…!” Jo, mor zotëri ministër, legaliteti është themeluar brenda në Shqipëri, madje jo shumë kilometra larg kryeqytetit, në Zall-herr, ne e mbajtëm gjallë në mërgim”, – i pat kthyer përgjigje Fuadi. Mirëpo koha iku, dhe legalsitët nuk morën pjesë në ato zgjedhje.
“Kthimi i organizatës në Shqipëri i kaloi nëpër shumë vështirësi, – thotë dr. Myftia dhe flet pa konsideratë për Guri Durollarin, i cili me metodat e tij gati e falimentoi partinë. Ai futi metoda jodemokratike në jetën e legalistëve, përçau radhët e organizatës dhe krijoi grupime interesash në parti. Një pjesë e ndërzeve që i kanë sjellë kokëçarje legalistëve, kryesisht kanë kaluar nëpër shkollat e Beogradit, mendon Fuad Myftia. Sipas tij, pak nacionalistëve u janë dhënë të drejtat për të studiuar në universitetet e ish-Jugosllavisë, ndërsa u është mohuar atyre që kanë qenë të betuar për Shqipërinë etnike.
Dr. Fuadi mendon se me kthimin në Shqipëri, Lëvizja e Legalitetit ka pasur një dëm të brendshëm. Në kongresin e 12-të pati krizë figurash. Na duhej një figurë simbol, por nuk mundëm ta gjenim. Bardh Kupi ishte një figurë e kompletuar, por ai u tërhoq. Më pas mbetën Rasim Sina dhe Guri Durollari. Tërheqja e Rasimit, fatkeqësisht e la partinë në duart e Gurit, i cili e tregoi veten plotësisht në kongresin e 13-të, që i zhvilloi punimet në vitin 1996. Nga ana tjetër, edhe Nderim Kupi me kongresin e vet paralel me tonin, nuk bëri gjë tjetër veçse uli vlerat që patëm sjellë nga mërgata.
Dr. Fuad Myftia ndërroi jetë në shkurt të vitit 2007, në moshën 83-vjeçare, në New York dhe u varros me nderime ne varrezën e Queens-it, ku janë varrosur edhe Abaz Kupi, Abedin Mulosmani, Hysen Mulosmani dhe legalistë të tjerë.
*Kjo eshte vetem nje Pjese nga Intervista me te ndjerin Dr. Fuad Myftia, Botuar fillimisht ne Gazeten ILLYRIA NE NEW YORK dhe me pas ne gazeten “Standard” ne numrat e 21, 22, 23, 24 shtator 2008)

Filed Under: Interviste Tagged With: dalip greca, Dr. FUAD MYFTIA, Nga Greqia në Amerikë...

Illo Foto shkruan në Amerikë Kolanën “Blegtoria Shqiptare”

January 31, 2016 by dgreca

Doktrina amerikane e Harry Fultzit, aktuale edhe sot në Shqipëri/
Nga Dalip Greca/
Illo Foto është në moshë pensioni, por ai nuk di të pushojë, vetëm shkruan dhe boton libra që nga Amerika për Shqipërinë. Jeton në Queens, New York, që prej vitit 1995. Aty ka nisur të shkruaj Kolanën e Blegtorisë shqiptare. Deri tani ka botuar tetë libra të Kolanës:”Flas me Fermerët”,”Nga Harry Fultz tek Ilia Pali”, “15 shkencëtarët e vërtetë të bujqësisë shqiptare”,”Celnikët shtrydhin malet”; “Derri euro-amerikan i Roskovecit”, “Mëma e njerëzimit”, “Fshatarësia e tradhëtuar”, “Monopatet e dhisë shqiptare”. Në proces ka librin e nëntë ”Toka, Bujku, Shteti”, i cili pas procesit të redaktimit është dorëzuar për print në shtypshkronjë. Asnjë libër nuk ia ka sponsorizuar kush, gjithëcka me kursimet e familjes.
Arkivi i përvojës së tij është i pasur; që nga viti 1958, ku u diplomua si zooteknik në Institutin e Lartë Bujqësor në Tiranë, ai i ra Shqipërisë kryq e tërthor; punoi nëpër ferma të mëdha e në institucione shkencore, duke krijuar një përvojë të jashtëzakonshme. Nuk e njohu dështimin në asnjë rast, përkundrazi; vetëm sukses. Punonte pa orar, nuk donte që të ngjallte dyshime nga që ishte i biri i një emigranti që kishte jetuar në Amerikë për dhjetëra vite.

Kur fitoi të drejtën që të vinte në SHBA

E drejta për të ardhur në SHBA ia dha ligji amerikan si biri i një ish shtetasi amerikan, që e kishte lënë vendin e ëndërrave në kohën e luftës Botërore.Babai qe bërë shtetas amerikan që nga viti 1928, por që më vonë u kthye në Shqipëri dhe ndërroi jetë në vitin 1968. Illo, nga frika e një persekucioni e kishte asgjësuar pasaportën amerikane së bashku me dokumentet e tjerë të babait. Ia tregoi këto konsulles së ambasadës amerikane, Barbara Swing, duke u përpjekur që ta shfajësojë veten nga faji që kishte bërë se në kohën e komunizmit, intelektuali që dyshohej për ndonjë lidhje me Amerikën, përfundonte nëpër qeli dhe nxirrte krom pa para dhe nën kërbac gjithë jetën . Ia tregoi zonjës Swing se c’mund t’i ndodhte realisht po t’ia gjenin ato dokumete në kohën e komunizmit, gjë që ishte e natyrshme sepse Amerika ishte shpall armike nga Enver Hoxha.Pasi kishte dëgjuar rrëfimin e shkenctarit që gjatë të gjithë jetës kishte punuar vetëm për një kafshatë bukë, konsullja i kishte rekomanduar që të gjente mundësinë e angazhimit të një avokati në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ta zgjidhte në mënyrë ligjore problemin e gjetjes së dokumentacionit të atit të vet.
Pyetja e parë që i pat drejtuar Illua konsulles ishte nëse do t’i duhej të paguante avokatin amerikan dhe sa mund të ishte shuma, që do të duhej që të përballonte.
Konsullja ishte përgjigjur se natyrisht që duhej të paguante dhe shuma ishte e konsiderueshme.Illos, shifra iu duk tepër e madhe sepse e krahasoi me gjendjen financiare që kishte ai si shumica e shqiptarëve të asaj kohe.
I tha konsulles se nuk egzistonte një mundësi e tillë për të shlyer pagesën që duhej për avokatin. Ai i tregoi konsulles se kishte punuar 32 vite dhe kishte marrë mesatarisht 7 dollarë në muaj.
– Mos deshët të thonit 7 dollarë në ditë, tentoi ta korrigjonte konsullja, pasi aq sa thatë ju është pagesa ditore në Kinë, kishte ndërhyrë ajo me takt, pa e lënduar në shpirt.
Illo këmbëngulte në shifrën që dha dhe ia theksoi zonjës Swing se ajo ishte pagesa mujore, po të kemi parasyshw se dollari në kohën që ai ishte në konsullatë, këmbehej me 1000 lekë të vjetër shqiptare.
Biseda kishte qenë e gjatë. Intelektuali që ishte rropatur gjatë 32 vjetëve nëpër fusha e komplekse blegtorale, shkencëtari që eksperimentoi rendimente të larta në kushte të vështira në blegtorinë shqiptare, autori i dy botimeve të plota dhe i mbi 200 artikujve shkencor, ishte shpërblyer në mënyrë qesharake.
E prekur nga fati i hidhur i intelektualit shqiptar, zonja Sëing i kishte thënë që të kthehej në shtëpi se do ta gjente vetë zgjidhjen. Dhe u mor vetë konsullja me dokumentacionin e babait të Illos dhe mundësoi natyralizimin e Illos si shtetas amerikan. Ai nuk e harron kurrë shërbimin që i solli konsullja dhe ndjehet i gëzuar që iu mundësua pajisja me dokumente. Tani e gjithë familja e tij jeton në Amerikë.

Në një klasë me Ismail Kadaren

Illo Foto ka lindur në fshatin Tërbuq të rrethit Gjirokastër.U lind në një familje emigranti, e cila merrej pak me bujqësi, por vetë Illo, u përfshi shpejt me punët e bujqësisë ngaqë i përballoi ato në familjen e tezes së tij, e cila kishte ngarkesë të plotë në punët bujqësore. Përvojën e hershme në punët e bujqësisë ai e ka objekt në librin që ka në proces printimi ” Toka, bujku, shteti”. Edhe pse nuk është persekutuar gjatë regjimin komunist, Illo ka ecur me kujdes në jetë, ka shmangur kurthet dhe keqinterpretimet. Nuk ishte e lehtë në Shqipërinë komuniste të përballoje biografinë , kur kishe një njeri që kishte jetuar për vite në Amerikë.
Ai pati fatin të shkollohej në një gjimnaz me tradita në Shqipëri, sic ishte Gjimnazi i Gjirokastrës, nga më të vjetrit në Shqipëri. Në kohën kur ai studionte aty, studionin personalitete të shquar të kulturës shqiptare si shkrimtari Ismail Kadare, me të cilin Illo ishte shok klase, poetët e shquar Dritëro Agolli e Agim Shehu, mjeku i shquar Ulvi Vehbiu, studiuesi i Folklorit, Agron Fico etj.
Illo kujton nga koha e largët e studimeve të shkollës së mesme edhe plagët e kohës, që vranë shpirtrat e ish gjimnazistëve, që do të binin në kthetrat e luftës së klasave për faje të pakryera.

Tani i duket absurde vala e demaskimeve, nëpërkëmbjes për arsye biografike, por Illo sjell ndërmend se asokohe janë dënuar me burgim të gjatë politik nxënës të vitit të dytë dhe tretë të shkollës së mesme si:Ilia Tereska, Thanas Dhespa, Bajram Zymeri. Ai nuk mund ta harroi atë frymë pakënaqësie që u end në shkollë e sidomos në klasën e tij, kur shoqen e klasës,Vojsava Kalljxhi (Cocoli) pasi e demaskuan publikisht, e përjashtuan në mënyrë ceremoniale nga shkolla, pa kryer kurrëfarë faji.Gjithësesi ai sjell ndërmend shumicën e mësuesve, të cilët u ngritën mbi ideologjinë e kohës absurde dhe u qëndruan afër nxënësve dhe i edukuan ata që të bëheshin njerëz të vlefshëm.
Pas gjimnazit, Illo kishte dëshirë që të studionte për inxhinier bujqësor. Nuk e kishte ditur fare se kishte fakultet Zooteknie. Atëherë nuk të pyesnin shumë se ku kishe dëshirë të studjoje, aq më shumë Illo, që ishte i biri i një shqiptaro-amerikani.Disa herë ishte përpjekur që ta ndërronte degën e studimeve, por pa sukses. E pa se ishte e kotë dhe iu nënshtrua studimeve. Doli me rezultate të shkëlqyera.

Një jetë nëpër ferma

Pas përfundimit të studimeve Illo Foto kujton se ndjehej i shqetësuar se mund të emërohej në ndërmarrjet blegtorale. Nëse do të ndodhte kjo, atëherë ”Lamtumirë familje”, do të bëje jetë stanesh, me dele a dhi maleve a fushave, shtegëtim i detyrueshëm dy herë në vit.I ra shorti i emërmit që të mos ishte në ndërmarrje blegtorale, po në ato bujqësore.Prova e parë ishte në një fermë të re; atë të Levanit në Fier, e cila sapo ishte ndarë nga Ferma mëmë e Fierit dhe kishte aneksuar një fermë blegtorale, atë me numër 3.Kujton se ishte me fat nga që bashkë me të ishin emëruar aty dhe tre shokë të fakultetit. Jeta në provincë natyrisht që ishte e vështirë, por ai iu fut punës dhe rezultatet nuk munguan. Të katër ish studentët përpjestuan bashkë vuajtje dhe shqetësimet e para. Në të njëjtën kohë ai pat dhe një fat tjetër, bashkëpunoi me personalitete të njohur, të cilët qenë sjellë aty me masë dënimi për shkaqe biografike apo për faje politike, që natyrisht nuk i kishin kryer.
Ai sjell ndërmend personalitete të tillë si:Dr. Jakov Milaj, agronomët e njohur Sami Bitincka, Refat Toptani, Faik Lumi, ekonomistin Jakub Vrioni. Gjithashtu Illo krijoi miqësi edhe me shkrimtarin Astrit Delvina, njohu Drita Kosturin, që ishte internuar aty e shumë të tjerë. Gati në të gjitha fermat ku punoi Illo Foto, shumica e punëtorëve ishin të internuar.Ai i trajtoi me ngrohtësi njerëzore. Me një pjesë prej tyre shihet edhe tani në Queens dhe pi kafe në fundjave.

Puna, avokatja që i doli në krah

Illo punoi shumë, studioi dhe eksperimentoi gjatë të gjithë kohës. E kishte parashikuar se vetëm puna do të ishte avokatja e tij më e mirë.Kjo ishte ideja fikse që e shoqëroi në cdo hap që hodhi në jetë. Kudo që e emruan nuk tha jo dhe kudo ku punoi la gjurmë prej shkencëtari pasionant, që nuk njihte dështime. Në sektorin e Cermës të ish Fermës së Lushnjës ka gjetur 700 krerë lopë nga të cilat merrej një rendiment 1600 litra për krerë, kur është larguar ka lënë mijëra krerë me rendiment 4000 litra qumësh për cdo krerë.
Tek i përmend këto rezultate, shkencëtari Foto nuk ka për qëllim që t’i thurë lavde socializmit të dështuar, por të evidentoi pasionin e përkushtimin e blegtorëve dhe të specialistëve, që në ato kushte mizerable, arritën të bënin të pamundurën. Ai, edhe pse ishte një shkencëtar, që shquhej për rezultate të larta, nuk arriti që të krijonte asnjë lloj pasurie dhe nuk iu la asgjë fëmijëve, por ndjehet i gëzuar se nuk i ka hyrë kujt në borxh, nuk ka asnjë konflikt personal, dhe fëmijët e tij me nipër e mbesa jetojnë të qetë në SHBA. Në kohën e tij, ai nuk u la asnjëherë që ta kapërcente kufirin shtetëror të Shqipërisë; të shihte se si bëhej mbarshtimi i blegtorisë në fermat e vendeve perëndimore. Illo nuk hynte tek grupimi i të besuarëve të partisë. Ai do të dilte për të parën herë jashtë shtetit vetëm pas vitit 1990, ku do të vizitonte Greqinë fqinj.
Shkatërrimet që u vunë re në bujqësinë shqiptare pas përmbysjes të sistemit në Shqipëri e shqetësuan së tepërmi njeriun që kishte lidhur jetën me të. U përpoq që të ndikonte përmes shtypit të kohës duke hedhur idenë e privatizmit të shpejtë të ish fermave, por orteku i shkatërrimeve nuk kishte të ndalur. Shkatërrimi i komplekseve blegtorale, të marrë kush ishte më i shpejtë e më i fortë, zhdukja e planatcioneve të pemëve, përfshirë dhe ullinjtë, ia drithëruan zemrën dhe i përcuan ngrica në shpirt, por ishte e pamundur të ecje kundër rrymës.Shkoi atëherë dhe bisedoi me Petrit Kalakulën, ish ministrin e ndjerë të Bujqësisë, i cili i dha të drejtë për idenë e privatizimit të shpejtë të fermave, por ishte e pamundur që të ndalej qerthulli i shkatërrimeve.
Kur erdhi në Amerikë ai ndjeu se mund të ndikonte në një mënyrë tjetër, të përcillte përvojën dhe mendimin shkencor përmes librave.Dhe ia nisi punës.

Kolana e Blegtorisë shqiptare

Kolanën e nisi me librin”Flas me fermerët”. Krahas përvojës, përmes këtij libri ai përcolli mesazhin e argumentuar për domosdoshmërinë e ringritjes së fermave kapitaliste si mundësi zhvillimi kapitalist të bujqësisë shqiptare të zhytur në kaos.Illo përdor termin ”ringritje” pë rtë theksuar faktin se fermat kapitaliste në Shqipëri kanë egzistuar para atyre socialiste. Ai bashkëbisedon perms faqeve tue librit me fermerët shqiptarë dhe u përcjell atyre mesazhe shprese dhe u jep ide se si duhet të riorganizohen.
Një ndër librat e Illo Fotos quhet “Celnikët shtrydhën malet”. Ky është një libër me 250 faqe, që evokon celnikët. Celnik, në Jug të Shqipërisë, quhej pronari i dy a më shumë staneve me bagëti të imta, dele ose dhi.Illo ngre lart kontributin e tyre sepse ata u dhanë jetë maleve, shfrytëzuan resurset e maleve dhe nxirnin që andej të mira materiale për shoqërinë, që kishte aq shumë nevojë. Ata ishin mjeshtër të shfrytëzimit dhe mirëmbajtjes së kullotave, që së bashku me pyjet përbënin gjysmën e territorit të vendit.Mirëpo shteti monist, i izoluar nga të gjithë, i futi traktorët kodrave dhe maleve dhe tjetërsoi kullotat për të prodhuar nga ato bukën, mungesa e së cilës në kushtet e vetëizolimit total vinte në pikëpyetje jetët njerëzore.Shkencëtari Illo Foto u përcjell mesazhin bujqërve dhe blegtorëve që gjithëcka duhet të shkojë atje ku ishte, së paku para se të vinte komunizmi. Tendenca e sotme e bujqësisë globale presupozon rritjen e sipërfaqes kullosore. Celnikët , të përfaqësuar nga biznesmeni Ndine Jano e të tjerë, sjellin një përvojë nga duhen kthyer sytë. Aktualisht kullotat alpine shqiptare nuk shfrytëzohen, ndërkohë që tokat bujqësore janë kthyer në kullota.Në malet e shteteve fqinjë, sidomos Greqisë, është zhvilluar sistemi fermer shumë racional dhe barinj janë djemtë e Shqipërisë, që punojnë hyzmeqarë atje.Ky handikap kohor e ka detyruar Illo Foton që t’u drejtohet varreve të celnikëve martirë:Ndin Jano, Vasil Shupuli, Kolal Goci, Jorgji Cukali, Sotir Dede e të tjerëve, që përcjellin përvojë. Duke iu drejtuar përvojës që ata krijuan, duke sjellë qëndresën e tyre, ai pyet se ku e gjetën forcën dhe idetë që t’u dilnin zot maleve shqiptare. Libri për celnikët merr formën e një testamenti, që brezat duhet ta zbatojnë në jetë në kujtim të etërve dhe gjyshërve të maleve.Shkencëtari konastaton se shqiptarët janë të përfshirë nga mania e pafalshme e mbipopullimit të fushave dhe zbrazjes totale të maleve. Nuk do të kishte ndodhur as Gërdeci, nëse malet do të shiheshin më të përshtatshëm si aleatë së paku për destinancionin e gabuar që iu dha duke vendosur në fushë armatim mes mbipopullimit.
Si vazhdimësi e librit të Celnikëve , erdhi libri tjetër; “Mëma e njerëzimit”. Bëhet fjalë për mbarshtimin shkencor të dhisë, e cila zë vendin e parë në botë për prodhimin e qumështit. Kështu tregojnë statistikat e përbotshme, këmbëngul Illo. Shqipëria ka përvojë të lashtë në mbarshtimin e dhive, por shteti monist i shpalli ato të padëshirueshme, duke e konsideruar dhinë si “sopata e pyllit”. Monizmi zhduku edhe dhinë, edhe pyjet. Kullotat e dhive u kthyen në toka buke, ndërsa dhitë u dënuan të mos egzistonin.Duke studiuar literaturën shkencore në SHBA, Illo ka konstatuar se mbarshtuesit e dhisë në Shqipëri janë shumë mbrapa me arritjet e këtushme, ku një dhi në SHBA jep normalisht sa dy lopë që mbarshtoheshin në ish kooperativat bujqësore të Shqipërisë, ndërsa dhija rekordiste angleze prodhon sa 35 dhi aktuale shqiptare.
Shkenctari i pensionuar ndjehet i revoltuar për këtë gjendje, ku është katandisur dhija e Skënderbeut, përvojë që u ndal në 50 vitet e komunizmit.Deri tani Illo ka shkruar dy librat e parë për specien në zhdukje, aleaten historike të shqiptarëve në luftë dhe paqe, brinjtë e së cilës Skënderbeu i kishte vendosur në përkrenare.
Një mesazh kuptimplot sjell edhe libri për mbarshtimin e derrit në Shqipëri.Në politikën moniste derri tentohej të rritej pa drith dhe pa tokë.Në ato kushte derri i butë u kthye në gjysëm të egër.Në ferma, rezistenca qe më e madhe. Në 10 ferma të vendit u rritën dhjetëra mijëra derra. Shkencëtarët shqiptarë arritën që të sfidonin ideologjinë. Dr. Pavli Papaisi, që punoi për shumë vite në fermën e Roskovecit në Fier, ishte një ndër ata që nuk do të harrohet.Disa nga specialistët u burgosën e persekutuan për të vetmen arsye se deshën që të praktikonin rritjen e derrit sipas praktikave shkencore perëndimore të mbarshtimit.
Illo Foto ka punuar nëpër fermat e Shqipërisë, ku ishin përfshirë edhe të internuarit e kampeve të internimit. Ai, duke qenë se edhe veten e shihte si pjesë e tyre, i trajtoi njerëzisht dhe u ofroi ngrohtësi. Ai sjell ndërmend familjet e Jorgji Diamantit në Nartë, familjen e Feti Rexhepit të internuar në Cermë, Kollcinakët në Plug dhe Cermë, si dhe specialistët e aftë dhe patriotë si Donika Vrioni(OMari), Javer Halili, e Xhevat Ago, që meritonin jo vetëm rolin e specialistëve, por edhe të ministrave do ta kishin pak.

Doktrina amerikane e Harry Fultzit

Në librin e dytë në radhën e botimit të Kolanës, që titullohet ”Nga Harry Fultz tek Ilia Pali”, përshkruhet me detaje doktrina e Fultzit, që ishte produkt i ndihmës amerikane për Shqipërinë në vitet ’30 të shekullit XX.Kjo doktrinë u konkretizua me ngritjen e fermës model në Golem të Kavajës.
Illo Foto argumenton se ferma e Fultzit përbën një fenomen, pasi shënon fundin e bujqësisë feudale në Shqipëri dhe nisjen e erës kapitaliste, që filloi të fryjë në Shqipërinë e prapambetur. Me të nis ngritja e fermave kapitaliste në fushë, kodër e mal.Fultzi ishte gjeni, shkruan Illo.Ai parashikon se doktrina e Fultzit për bujqësinë do të jetë aktuale edhe në këtë shekull, ku po udhëtojmë.
Illo kujton se në shkollë askush nuk u pat folë studentëve për Fultzin, por ama praktikën e patën kryer në fermën e krijuar prej tij. Gjithëcka që di për shkencëtarin amerikan, që edukoi një brez të shkëlqyer, i cili më vonë do të burgosej e persekutohej nga regjimi komunist, duke i etiketuar si agjentë të amerikanëve të rekurtuar nga Harry Fultz. Ndërsa vetë shkencëtari dhe diplomati amerikan Fultz do të shpallej i padëshiruar nga Enver Hoxha dhe do të përzihej nga Shqipëria. Shpërblim më përbuzës s’kishe ku të gjeje. Illo, gjithëcka dinte për Fultzin e kishte mësuar nga Xhoxhi Mihali, i cili kishte studiuar në Amerikë. Kur e njohu Illo, Xhoxhin e kishin nxjerrë përkohësisht nga burgu dhe punonte si zooteknik në ish fermën e Xhafzotajt në vitin 1956. Ilia Pali, një specialist kurajoz, mundi të ruante shumë nga tiparet e doktrinës së Fultzit në ish fermat e mëvonshme të shtetit monist.
Ilia Pali mundi t’u jepte prioritet edhe fermave në veri të vendit. Shumë nga ato ferma arritën që të kishin rezultate shumë të mira dhe konkuruan ferma të fushës.
Në librin “15 shkenctarët e vërtetë të bujqësisë shqiptare”, Illo nuk ka ngritur kulte, por ka përshkruar personalitet që kanë lënë gjurmë.Ai e ndjen se ka krijuar xhelozira, sidomos për ngritjen e personalitetit të dr. Jakov Mile. Për disa Mile nuk ishte shkencëtar, por një zooteknik i thjeshtë, e madje dhe një kolaboracionist, ish ministër i qeverisë së pushtimit. Por Illo, nuk është i atij mendimi. Ai argumenton se Jakov Mile ishte një shkencëtar i madh e shumëdimensional, ishte jo vetëm specialist i zoti, por dhe një letrar i pëlqyer, antropolog e politikan me vision. Ai u burgos e u internua, por nuk hoqi dorë nga pasioni për shkencën.
***
Në librat e Illo Fotos lëvizin ngjarje reale, personazhe realë (më shumë se 300 të tillë), mjedise reale. Ai shkruan dhe shkruan në vazhdimësi.Librat e tij kanë jo vetëm përvojë, por edhe shkencë, edhe histori. Nuk dihet se cfarë presin në Univesritetin Bujqësor të Shqipërisë, që nuk ua rekomandojnë studentëve si literaturë ndihmëse 9 librat e Illo Fotos. Ndoshta ka ardhë koha që shteti t’i kthejë sytë më mirë nga librat, aq më shumë kur kryeministri shqiptar këto ditë bëri një apel publik se shteti do të bejë kthesë. Le të shpresojmë! Shpresa është supa e të uriturit.(Dielli-Arkiv)

Filed Under: Histori Tagged With: dalip greca, Illo Foto, Kolanën “Blegtoria Shqiptare”, shkruan në Amerikë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 82
  • 83
  • 84
  • 85
  • 86
  • …
  • 135
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT