• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË DEKADË MË PARË ISMAIL KADARE PARALAJMËROI RREZIKUN E TERRORIZMIT

January 29, 2016 by dgreca

– Shqipëria është një vend që rrezikohet seriozisht nga terrorizmi, ndaj luftën kundër tij mund ta konsiderojë si luftë të saj dhe për interesat e saj. Nga ana tjetër, miqësia me ShBA-të mbetet faktor i rëndësishëm në të gjitha rrafshet: politike, ekonomike, të së ardhmes së Kosovës./
– Nga përvoja e hidhur e “miqësive” ose më saktë kinsemiqësive të kaluara, Shqipëria duhet megjithatë të nxjerrë një mësim themelor. Miqësia e një vendi të vogël demokratik evropian, siç është vendi ynë, s’ka asgjë të përbashkët me sjelljen e sejmenit. Psikologjia e sejmenit karakterizohet nga një ndjekje e verbër ndaj të zot, qoftë edhe kur bie ndesh me interesat e veta./
-Shteti shqiptar duhet të ruajë kështu drejtpeshimin dhe balancën natyrale të tri besimeve, të vendosura prej shekujsh në Shqipëri. Ky drejtpeshim është i njëmendtë dhe nuk është një shpikje poetësh. Të tre fetë kanë të njejtin legjitimitet./
– Në këtë kah shteti duhet të ndalojë revizionimin e historisë kombëtare sipas interesave të njerit apo tjetrit besim. Një shtrembërim i tillë u nxit sidomos vitet e fundit nga propaganda serbe. Për të përligjur dëbimin e shqiptarëve si banorë të rrënjës (autoktonë) të gadishullit, u bënë përpjekje që teza e autoktonisë të shpallej nacionaliste, ose të zëvendësohej nga teza e ardhjes dhe vendosjes së shqiptarëve në Kosovë prej perandorisë otomane. Kjo gënjeshtër serbe përkon me tezat e disa islamistëve arabë e shqiptarë sot./
***
Nga Dalip Greca/
Në optikën e prijësit të letrave shqipe, Ismail Kadare, rreshtimi i Shqipërisë në krah të Amerikës dhe Anglisë, vlerësohet si një hap pozitiv dhe në drejtimin e duhur. Rreshtimi i Shqipërisë në këtë krah përkon me interesat madhore të kombit. Nga ana e moralitetit ky rreshtim riprodhon mirënjohjen tradicionale për SHBA-të, të cilat në fillim të shekullit të shkuar kundërshtuan copëtimin e saj dhe në fundshekullin që u mbyll, luajtën rolin kryesor në çlirimin e Kosovës.Unanimitetin e shqiptarëve për të ndërhyrë ushtarakisht kundër Irakut, Kadare e shpjegon me faktin se jo shumë kohë më parë, gjithë shqiptarët, kudo që jetonin, prisnin me ankth ndërhyrjen ushtarake, për t’i dhënë fund masakrave në Kosovë dhe regjimit kriminel serb të Millosheviçit, aq shumë të ngjashëm me atë të Sadam Hyseinit.
Në këtë intervistë Kadare flet me shqetësim për tendencën që vihet re për të mbjellë përçarjen fetare.
Shkrimtari na kujton se formula shqiptare e gjertanishme e vendosjes së kombit mbi tre besimet fetare të tij ka qenë dhe vazhdon të mbetet e vetmja formulë e pranueshme.
Një pjesë të rëndësishme të intervistës e zë mendimi i shkrimtarit për gjuhën kombëtare shqipe….

Si e gjykoni qëndrimin e Shqipërisë në krahun Anglo – Amerikan, në acarimin e sotëm?

Kadare: Mendoj se zgjedhja që ka bërë Shqipëria ka qenë e drejtë. Në raste si ky, zgjedhja politike diktohet nga gërshetimi i detyrimeve morale dhe interesat e vendit, duke përfshirë dhe ato pragmatike. Renditja e shqiptarëve në krahun e Evropës Atlantike (një Evropë që nuk mund të konceptohet e ndarë nga ShBA) përkon me interesat madhore të vendit. Nga ana e moralitetit, Shqipëria riprodhon mirënjohjen tradicionale për ShBA-të, të cilat në fillim të shekullit kundërshtuan copëtimin e saj, dhe në fund të shekullit luajtën rolin kryesor për çlirimin e Kosovës. Ky detyrim moral, për fat të mirë, nuk bie ndesh me interesat kombëtare. Shqipëria është një vend që rrezikohet seriozisht nga terrorizmi, ndaj luftën kundër tij mund ta konsiderojë si luftë të saj dhe për interesat e saj. Nga ana tjetër, miqësia me ShBA-të mbetet faktor i rëndësishëm në të gjitha rrafshet: politike, ekonomike, të së ardhmes së Kosovës. Lidhur me opinionin pothuajse unanim shqiptar, për ndërhyrjen në Irak, unanimitet që ka shkaktuar në rrethe të caktuara një farë habije, për të mos thënë ironi, do të dëshiroja të shtoja se jo shumë kohë më parë gjithë shqiptarët, kudo që jetonin, prisnin me ankth ndërhyrjen ushtarake, për t’i dhënë fund masakrave në Kosovë dhe regjimit kriminel serb të Millosheviçit, aq shumë të ngjashëm me atë të Sadam Hysenit. Kjo ishte një arsye më tepër, për të shpjeguar qëndrimin shqiptar sot. Meqënëse janë të ditura qëndrimet e ndryshme midis anglo – amerikanëve dhe një pjesë të Evropës, lidhur me Irakun, është e nevojshme të ndalemi në një pikë. Për herë të parë në historinë e saj, Shqipëria pati kontakte, probleme dhe drama me shtete të mëdhenj ose aleanca botërore, në gjysmën e dytë të shekullit të XX. Në gjysmën e parë të shekullit problemet sado dramatike të ishin, kishin patur karakter rajonal: acarimi me Italinë, Jugosllavinë, rrallë me Greqinë.
Përpjekjet e Shqipërisë komuniste me atë që mund të quhet “botë e madhe”, kanë qenë, për fat të keq, një koleksion dështimesh nga më të hidhurat.
Nga përvoja e hidhur e “miqësive” ose më saktë kinsemiqësive të kaluara, Shqipëria duhet megjithatë të nxjerrë një mësim themelor. Miqësia e një vendi të vogël demokratik evropian, siç është vendi ynë, s’ka asgjë të përbashkët me sjelljen e sejmenit. Psikologjia e sejmenit karakterizohet nga një ndjekje e verbër ndaj të zot, qoftë edhe kur bie ndesh me interesat e veta. Sejmeni, për t’i bërë qejfin të zot, është gati të armiqësohet me tërë botën. Një bejte e kohës së socializmit: “Jemi lidhur te Stalini,
S’trembemi nga hiç njeri!”
e jepte saktë këtë psikologji poshtëruese. Ajo jepte gjithashtu thelbin e strategjisë antishqiptare të qeveritarëve komunistë. Për hir të besnikërisë ndaj Jugosllavisë në fillim, ndaj Rusisë sovjetike pastaj, ndaj Kinës staliniste më pas, e së fundmi ndaj marksizëm – leninizmit, për 40 e ca vjet Shqipëria komuniste bëri një politikë vetëvrasëse, duke u armiqësuar me gjithë botën e qytetëruar.
Sot, në kushtet e acarimit midis Evropës dhe ShBA, është e nevojshme të kujtohet kjo njollë e së kaluarës sonë. Acarimi evropiano – amerikan i ka vënë në pozitë të vështirë disa vende të kontinentit, sidomos ata të ish – Lindjes, që presin të hyjnë në familjen evropiane. Trysnia dhe shantazhet kundër këtyre vendeve, që renditen përkrah ShBA dhe aleatëve të saj, kanë qenë krejt të pavend dhe zgjuan me të drejtë nervozizëm në këto vende. Antiamerikanizmi që është bërë modë sot, në një pjesë të Evropës, nuk mund të kapërdihet në pjesën tjetër, e sidomos në ato shtete që kanë dalë nga sundimi sovjetik dhe diktatura komuniste. Në këtë grup vendesh bën pjesë edhe Shqipëria. Për këto vende është një trishtim i madh krijimi i aleancave të reja me Rusinë e sotme, kundër ShBA-ve. Për këto vende është e papranueshme ringjallja e antiamerikanizmit, ashtu si gjatë luftës së ftohtë. Antiamerikanizmi ka qenë shtylla mbajtesë e gjithë diktaturave të lindjes. Ai ka qenë programi kryesor i gjithë përkrahësve të stalinizmit dhe gjithë servilëve të Bashkimit Sovjetik në Perëndim. Rikthimi i kësaj nostalgjie sot në këtë zonë të botës është një shenjë shumë e keqe.
Për vizionin e ketyre vendeve, që është edhe vizioni ynë shqiptar, nuk mund të ketë perëndim dhe vlera perëndimore të ndara më dysh. Me fjalë të tjera, të pretendosh të jesh evropian, duke qenë kundëramerikan, është një gjë absurde. E kundërta gjithashtu: proamerikanizmi, në një vështrim të thellë nuk mund të kuptohet si kundërvënie ndaj Evropës. Në këtë pikshikim nuk ka asnjë kundërthënie e aq më pak një qëndrim dyfytyrësh, tek ata vende që, ndërsa mëtojnë të hyjnë në Evropë, nuk heqin dorë nga miqësia me ShBA. Mund të thuhet me plot gojën se qëndrimi i tyre është në logjikën e gjërave dhe se vizioni i tyre për perëndimin është më i saktë se i “Evropës së vjetër”. Për ne perëndimi nuk mund të jetë veçse një botë unike, që duhet të zhvillohet së bashku e të mbrohet së bashku. Pa bërë kompromise morale, pa prekur parapëlqimet e saj, Shqipëria duhet të kuptojë se është në interesat e saj madhore që ky acarim të kalojë dhe që uniteti midis ShBA dhe Evropës të rivendoset sa më shpejt.
-Në Shqipërinë e karakterizuar nga bashkëjetesa fetare jo rrallë ka depërtime të sekteve të ndryshme që përpiqen të ndikjonë dhe të mbjellin përçarjen mes qytetarëve.Ka patur kritika edhe për një farë servilizmi të shtetit dhe politikës ndaj fesë dhe një prirje për të plotësuar çdo kërkesë për ndërtimin e objekteve të kultit vend e pa vend?
Kadare: Është e vërtetë se sot në Shqipëri ka përpjekje për të mbjellë përçarje fetare. Përçarja fetare është konsideruar tradicionalisht në vendin tonë si një mënxyrë, e cila do të vinte në rrezik qënien e vetë kombit, qënien e Shqipërisë. Ka dy shekuj që mëndjet më të ndritura të kombit e kanë dhënë alarmin për këtë rrezik të mundshëm. Ka disa shekuj që populli shqipatr, ai që si çdo popull ka bërë disa herë gabime, për këtë gjë themelore nuk ka gabuar. Toleranca fetare dhe harmonia ndaj feve kanë qënë një nga meritat më të mëdha, meritë për të cilën shqiptarët kanë të drejtë të krenohen.
Për fat të keq, shenjat e sëmundjes po duken tani dhe ato mund të bëhen vdekjeprurëse po nuk u morën masat.
Formula shqiptare e gjertanishme e vendosjes së kombit mbi tre besimet fetare të tij ka qenë dhe vazhdon të mbetet e vetmja formulë e pranueshme.Ajo rrjedh nga logjika e jetës dhe e historisë sonë. Duke qenë kombi një dhe fetë tre, është e natyrshme që çdo problem fetar do të jetë i ndërvarur nga faktori kombëtar. Shqiptari para se të jetë ortodoks, katolik ose myslyman është shqiptar. Kjo kontratë e pranuar pothuaj njëzëri nga populli ynë, nuk duhet megjithatë të na vejë në gjumë. Historia tregon se toleranca, paqa fetare, nuk është e dhënë përgjithmonë. Ajo mund të prishet lehtë, për t’u kthyer në të kundërtën e saj, shembulli i Libanit e dëshmon.
Për të kuptuar më mirë këtë, ne duke u krenaruar me të drejtë për paqen fetare të gjertanishme, duhet të dimë se kjo paqe, përveç logjikës së jetës, është edhe rrjedhojë e një lufte titanike të bërë nga Rilindja kombëtare shqiptare në shekullin XIX. Tabloja nuk ka qenë megjithatë aq idilike saç na pëlqen ta besojmë. Vetë studimi i Rilindjes jep tërë dramaticitetin e gjendjes.
Besimet fetare në Shqipëri, në mos janë vënë drejtpërdrejt në rivalitet me kombin, duke pretenduar përparësinë mbi të, tërthorazi kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë për këtë. Shembulli klasik që vazhdon deri në ditët tona, është nga njëra anë koncepti arkaik i kishës greke, për identifikimin e besimit ortodoks me kombësinë greke, dhe nga ana tjetër, koncepti i islamit radikal, që bën të njejtin identifikim të ballkanasve muslimanë me kombin islam ose arab.
Të dy këto koncepte kanë qënë të drejtuara praktikisht kundër kombit shqiptar, duke u përpjekur t’i shkëputin, në emër të fesë, copa të tëra të tij. Me fjalë të tjera t’i shkëputin qindra mijëra ortodoksë shqiptarë, duke i quajtur grekë, dhe qindra mijëra myslimanë shqiptarë, duke i quajtur turq ose arab. Nën këtë flamur fetar Greqia ende sot vazhdon konvertimin, me trysni direkte, të shqiptarëve në grekë, duke u ndërruar identitetin, madje edhe emrat. Nën këtë flamur nga Kosova u dëbuan në mes të shekullit mbi 300 mijë shqiptarë (çka do të thotë rreth një milion shqiptarë të ardhshëm, domethënë të sotëm) duke u quajtur turq.
Janë këta vetëm dy shembuj, për të kuptuar se çështja e sotme e besimeve në Shqipëri duhet parë në radhë të parë nisur nga interesi kombëtar dhe nga asgjë tjetër. Historia ka treguar se përndezjet e tepruara fetare, dallditë, intrigat, histeritë përfundojnë një ditë kundër kombit shqiptar.
Në këtë vështrim shteti shqiptar ka për detyrë madhore të mbrojë kombin nga ky rrënim, që ka shekuj që vazhdon. Si rrjedhojë e kësaj gërryerje, e këtij genocidi latent, shqiptarët e humbën shtratin dhe peshën e tyre natyrale në Ballkan dhe bashkë me to humbën shumë gjëra.
Shqipëria duhet të mbrojë qenien dhe identitetin e vet me të gjitha ato mjete që përdorin sot vendet demokratike të Evropës. Për fat të keq, një nga mënyrat dinake që përdoret sot në disa vende, për të shkelur mbi interesat kombëtare të vendeve të tjera, është ngatërrimi i qëllimshëm i identitetit me nacionalizmin agresiv.
Shqipëria duhet që pa asnjë kompleks dhe pa fshehur, të vejë interesat kombëtare mbi ato fetare. Për sigurinë e tolerancës dhe të paqes fetare në vend, është e domosdoshme që shteti dhe ligjet e Republikës të ndalojnë çdo veprimtari, ngacmim apo bezdi, të secilit besim kundër tjetrit. Shteti shqiptar duhet të ruajë kështu drejtpeshimin dhe balancën natyrale të tri besimeve, të vendosura prej shekujsh në Shqipëri. Ky drejtpeshim është i njëmendtë dhe nuk është një shpikje poetësh. Të tre fetë kanë të njejtin legjitimitet.
Në këtë kah shteti duhet të ndalojë revizionizmin e historisë kombëtare sipas interesave të njerit apo tjetrit besim. Një shtrembërim i tillë u nxit sidomos vitet e fundit nga propaganda serbe. Për të përligjur dëbimin e shqiptarëve si banorë të rrënjës (autoktonë) të gadishullit, u bënë përpjekje që teza e autoktonisë të shpallej nacionaliste, ose të zëvendësohej nga teza e ardhjes dhe vendosjes së shqiptarëve në Kosovë prej perandorisë otomane. Kjo gënjeshtër serbe përkon me tezat e disa islamistëve arabë e shqiptarë sot.
-Çfarë duhet të bëjë shteti shqiptar që të parandalojë shoqatat me karakter fetar të eksportojnë në Shqipëri, nën mbulesën e fesë, ideologji dhe politika, që bien ndesh me interesat e vendit?
Kadare: Shteti shqiptar duhet të marrë masa që, ashtu si në shumicën dërmuese të vendeve perëndimore, besimet fetare të mos përzihen në politikë. Që shkollat, fondacionet, shoqatat me karakter fetar të mos eksportojnë në Shqipëri, nën mbulesën e fesë, ideologji dhe politika, që bien ndesh me interesat e vendit dhe të njerëzimit mbarë. Që vendet e kultit dhe simbolet fetare të jenë më të tërhequra dhe më modeste, (gjë që është në thelbin e të tri feve të mëdha monoteiste: krishtërimit, islamizmit dhe judaizimit). Që kurrsesi të mos synojnë të konkurojnë dhe aq më pak të vënë në hije institucionet dhe simbolet republikane. Që klerikët të jenë vendës dhe predikimet të bëhen në gjuhën shqipe. Me këtë të fundit lidhet çështja e autoqefalisë së Kishës ortodokse shqiptare, largimi i peshkopit grek dhe rivendosja në krye të saj e një peshkopi shqiptar. Së fundi, Shqipëria duhet të quajë jo të ligjshme hyrjen në çfarëdo lloj aleance me baza fetare, sepse pjesëmarrja në një aleancë të tillë do të jetë një provokacion për dy besimet e përjashtuara, rrjedhimisht një lejim i përçarjes kombëtare. Në këtë kah është e ngutshme rishikimi i anëtarësimit të Shqipërisë në Ligën Islamike, anëtarësimi i nismëtuar nga demokratët dhe heshturazi i miratuar nga socialistët, ndonëse i paratifikuar prej Parlamentit.
Shqipëria nuk duhet të pranojë të identifikohet me kurrfarë cilësimi fetar. Ajo nuk mund të cilësohet as vend ortodoks, as katolik e as islamik, i moderuar ose jo. Propozime të tilla mund të qëllojë të bëhen edhe nga miqtë e saj, për arsye konjukturale dhe me qëllime aspak dashakeqëse, por që mund të kenë përfundime të kundërta. Shqipëria nuk mund të shërbejë si një ekspozitë, si një disneyland, apo një rezervat speciesh të rralla. Vite më parë, Hrushovi, miku dhe pastaj armiku i saj, hodhi tezën që Shqipëria të shërbejë si karrem për tërheqjen e vendeve araba drejt komunizmit. Ne e kemi provuar mbi shpinën tonë se ç’pasoja katastrofike mund të sjellë pasioni për të dhënë shembuj groteskë, si ai i shpalljes së vendit të parë pafe në botë. Të identifikosh vendin me njërën fe është pak a shumë e njejta histori. Në rastin e parë shkeleshin me këmbë të tre besimet e tij, në rastin e dytë, për hir të njërit, shkelen dy të tjerët.
– Në fillim të ndryshimeve që sollën rrëzimin e komunizmit në Shqipërinë e viteve ‘90-të, u fol shumë për kontributin e diasporës në demokratizimin e shpejtë të vendit, por në të vërtetë, edhe sot ai kontribut është simbolik.Çfarë nuk shkon në marrëdhëniet e ndërsjellta mes dy palëve?
Kadare: Pyetja juaj ka lidhje me një problem të ndërlikuar dhe delikat, që tepër rrallë është prekur në shtyp. Edhe kur është prekur trajtimi ka qenë i njëanshëm.
Ka qenë e pritshme që pas 45 vjet izolimi komunist, krahas ngazëllimit, që do të shoqëronte hapjen e kufijve dhe krijimin e kontakteve midis diasporës shqiptare dhe atdheut, do të lindnin edhe keqkuptime të dyanshme. Ishin shqiptarë vërtet të dy palët, por ishin shqiptarë të formuar në rende dhe regjime të ndryshme. Të shumtë ishin ata që mbartnin nostalgji dhe mall. Po të tjerë kishin kujtime të hidhura dhe mllefe.
S’është vendi këtu të analizohet kjo dukuri në mënyrë shterruese. Do të përpiqem të kap disa anë të saj.
Në qoftë se për komoditet shprehjeje do t’i quanim Shqipërinë dhe diasporën dy palë, mund të themi se të dy palët kanë patur iluzione për njëra – tjetrën. Shqipëria ka pritur shumë nga diaspora, kjo e fundit gjithashtu nga atdheu i vet. Iluzionet, ose më mirë gënjimet, vijnë si rrjedhojë e mungesës së njohjes, e mallit, e përfytyrimeve të gabuara që krijon ndarja.
Diaspora shqiptare nuk ishte dhe vështirë se mund të ishte, ajo që në mënyrë naive e mendonte një pjesë të shqiptarëve: e pasur, e mbushur me milionerë, moderne, çudibërëse. Ajo nuk e kishte fuqinë ekonomike ose të lobingut, si diaspora e hebrejve ose e grekëve, për të sjellë vetëm dy shembuj. Investimet që u pritën prej këaj diaspore ishin të kufizuara, në karahasim me reklamën që u bë. Nga ana e vet, Shqipëria nuk e priti këtë diasporë me atë hare që kjo e fundit kujtonte. Shkak për këtë mund të ishte modestia e saj ekonomike, por shkaqe gjithashtu ishin zilitë, mllefet, mbeturinat e mosbesimit komunist: po vijnë për të fituar, për të na shfrytëzuar etj.
Në Shqipëri, si kudo në Ballkan, aq sa i vështirë është mirëkuptimi, aq të lehta janë keqtrajtimet. Mendoj se të dy palët kanë ç’të qortojnë në këtë rast.
Mendoj se ky problem ka lidhje, ose më mirë, fsheh një tjetër problem madhor, që duke qenë i kohës, ka edhe një vazhdë historike: lehtësinë me të cilën shqiptarët revoltohen kundër vendit të tyre. Është një sëmundje e vjetër e një pjese të kombit shqiptar kudo që ai jeton, brenda ose jashtë Shqipërisë. Ngatërrimi i atdheut me regjimin, me partitë, shkrofëtimat dhe mallkimet kundër tij, janë kthyer, për fat të keq, në një lloj sporti kombëtar.
Një pyetje shqetësuese lind në këtë rast. Përse me kaq lehtësi dhe për çdo gjë hidhet baltë kundër atdheut? Përse kaq lehtë lëshohet, nëma dhe fjala e fundit: mos ia pafsha kurrë bojën Shqipërisë! Dhe janë po ata shqiptarë që në vende të tjera respektojnë çdo rregull, i paguajnë taksat çdo vendi, vetëm Shqipërisë nuk duan t’i japin asgjë. Binden kudo, madje shpesh janë edhe servilë, kurse me t’u gjendur përpara zyrave dhe administratës shqiptare, trimërohen e janë gati të rrëmbejnë kazmën për t’i shkatërruar.
Shembull tipik për këtë ka qenë bllokimi verën e kaluar në kufirin grek të emigrantëve shqiptarë që, pas pushimeve të kaluara në Shqipëri, ktheheshin në Greqi. Doganierët grekë i linin ditë të tëra të prisnin në rrugë të madhe, i fyenin me cinizëm, u grisnin pasaportat, i shtynin si bagëtitë e megjithatë, për një habi të madhe, për një habi të neveritshme, këta mijëra shqiptarë, jo vetëm që nuk thoshin gjysmë fjale kundër torturuesve të tyre, por gjithë vrerin e nxirrnin kundër Shqipërisë, e cila në këtë rast, nuk kishte asnjë faj. Dhe si të mos mjaftonin mallkimet kundër vendit të vet, dy hapa më larg në mënyrë servile e puthnin tokën greke!
Këtë hakërrim kundër Shqipërisë e kam vënë re edhe te disa liderë apo intelektualë të Kosovës. Janë gati të takojnë këdo e të marrin udhën për këdo, me përjashtim të institucioneve shqiptare dhe të kryeqytetit shqiptar. Ka edhe gazeta në gjuhën shqipe, që përdorin kundër Shqipërisë një gjuhë prej nepërke. Shprehjet “Boshti Tiranë – Athinë – Beograd kërkon të shesë Kosovën”, ose “Tirana kuislinge”, ose “Shqipëria kuislinge bëhet gati t’i bashkohet Greqisë”! janë të zakonshme në këto gazeta. Gjithkush mund të ketë kritika tepër të rrepta kundër qeverisë shqiptare, kundër partisë që drejton, por askujt nuk i lejohet të mohojë atdheun, për hir të politikës. Tirana nuk është e asnjë partie, por është kryeqyteti ynë i përbashkët. E aq më tepër Shqipëria. Është shkuar aq larg saqë Shqipëria është quajtur diktaturë e fëlliqur, si ajo e Sadam Hyseinit etj. etj.
I gjithë ky helm antishqiptar, që shpërndahet ditë e natë nga vetë renegatët shqiptarë, ka pasoja të rënda për të ardhmen e kombit tonë. Thyerja shpirtërore e një kombi është ajo që shpesh parapërgatit thyerjen e përgjithshme. Populli shqiptar, opinioni i tij, duhet të ngrihet kundër kësaj veprimtarie antishqiptare që po zhvillohet mu në sytë tanë. Si rrjedhojë e kësaj etheje propagandistike, një pjesë e emigracionit shqiptar, si ai që punon dhe jeton në Greqi, ndodhet në një gjendje çoroditjeje. Shtypi shqiptar, duke qenë shpesh në këtë trysni atdhemohuese, nuk i ngre këto probleme. Nuk kam parë ndonjëherë të flitet për faktin e dhimbshëm se si emigrantët tanë në Greqi u thonë fëmijëve :”mos tregoni se jeni shqiptarë!”. Këta prindër të papërgjegjshëm e këto gra me tru të kufizuar, nuk e kuptojnë se, duke i detyruar fëmijët të fshehin identitetin e tyre, bëjnë një krim të rëndë, në radhë të parë kundër vetë fëmijëve. Sepse fëmijë të tillë, që rriten me këtë frikë e këtë mashtrim, nuk mund të jenë fëmijë normalë. Ata do të jenë të gjymtuar psiqikisht, do të urrejnë në fillim prindërit e vet, që i kanë pjellë të tillë, do të urrejnë Shqipërinë, do të urrejnë Greqinë që i ka shtypur, e pas saj do të urrejnë gjithë botën. Prindërit e papërgjegjshëm shqiptarë, duke kujtuar se me atë fshehje identiteti i kanë shpëtuar fëmijët e tyre, në të vërtetë s’kanë bërë gjë tjetër veçse i kanë përgatitur fatkeqësitë. Sepse fëmijë të tillë, më së shumti, janë pre e krimit dhe e burgjeve.
Si përfundim i kësaj drame raciste të kohës sonë, ne kemi mijëra fëmijë që i kanë humbur Shqipërisë e njëkohësisht njerëzimit. (Pjesa e pare e Intervistes ekskluzive, qe Shkrimtari i madh, Ismail Kadare nga Parisi i dha editorit te sek. Shqip te Gazetes Illyria ne Nju Jork në shtator 2003, Dalip Greca, editori i sotem i Diellit. E risjellim me rastin e 80 vjetorit te Lindjes te Shqkrimtarit)
Shenim:Fotografia paraqet nje cast intervistimi te Ismail Kadaresë nga Dalip Greca për TV Kultura Shqiptare në Nju Jork, Shtator 2006, kur Shkrimtari u nderua nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.Në këmbë ish botuesi i ILLYRIA-s Ekrem Bardha, dhe Adem Belliu, president i TV Kultura Shqiptare, duke filmuar.

Filed Under: Interviste Tagged With: dalip greca, NJË DEKADË MË PARË ISMAIL KADARE PARALAJMËROI, RREZIKUN E TERRORIZMIT

SI E PERCOLLI GAZETA DIELLI 40 VJET ME PARE VDEKJEN E HEROIT KOMBËTAR ABAS KUPI

January 11, 2016 by dgreca

Nga Dalip GRECA*/
*Fan S. NOLI- 28 Nentor 1939: Sot jemi të gjithë të helmuar, shkaku se Shqipëria është zaptuar nga armiku i huaj dhe e humbi lirinë e saj Kombëtare. Do të na kish mbetë merak po të mos kishim lufuar; atë merak e nxuarrëm se neve luftuam, ata tre fishekë që patëm i zbrazëm dhe i treguam tërë botës se armiku hyri në Shqipëri duke derdhur gjak…Ata tre fishekë i zbrazi Abas Kupi me një grusht ushtarë trima dhe nderoi Kombin shqiptar përpara tërë Botës…./
*DIELLI:Abas KUPI nderoi Kombin Shqiptar si Skënderbeu qëmoti…/
* Nexhmije Zaimi, ish kryetare e Vatres per Nju Jork-Nju Xhersi: Burrë trim, luftëtar i shkëlqyer, që ke nderuar Historinë e Shqipërisë, po ashtu Vatran besnik, dhe buajr, çdo anëtar i Federatës sonë, nderon Kujtimin Tuaj,që do të qëndrojë i pavdekur derisa të ketë qoftë dhe një shqiptar të vetëm në këtë botë. Sot, me respekt dhe dorë në zemër, të përcjellim në jetën e përjetshme…/
*Shefki MIRAKU: Bas…!, ishin shqiptarët që të përcuellën, të përcuellën për një prehje të shkurtën, vetëm për me i dhanë kohë të tjerë shqiptarëve me u përgatitun për të përcjellun drejt Altarit t’Atdheut. T’Atij Altari akoma të vorfun nga mungesa jote, por shumë i zengjinosur nga Historia jote…./
***
Komuniteti shqiptar i Amerikës dhe e gjithë Mërgata nacionaliste shqiptare e vajtuan dhimbshëm Heroin e 7 Prillit, në atë Janar të ftohtë të 40 viteve të shkuara. Dielli i Vatrës e hapte Faqen e parë me titullin qendror:” Vdekja e Heroit Kombëtar Abas Kupi Hidhëroi të gjithë Shqiptarët Kombëtarë”.
Gazeta shkruante: Me vdekjen e Gjeneral Abas Kupit Shqipëria humbi një nga bijt’ e saj më të shquar, luftëtarin trim të rrallë i cili më 7 Prill 1939 e priti armikun e huaj në Durrës dhe e hodhi në det gjashtë herë. Ai nderoi Kombin Shqiptar si Skënderbeu qëmoti. Vdekja e Abas Kupit hidhëroi gjithë shqiptarët kombëtarë, jo vetëm ata që e duan dhe e çmojnë, por dhe ata që nuk e shikojnë me sy të mirë për arsye politike.
Dielli shënon në kronikën e rastit se Abas Kupi vdiq më 9 Janar 1976 dhe u varros më 14 Janar. Në varrimin e Tij mori pjesë dhe Mbreti Leka I, i cili udhëtoi nga Madridi së bashku me Ministrin e atëhershëm të Oborrit Dr. Selim Damani. Dielli shkruante se Familja Mbretërore e adhuronte Abas Kupin si një Hero Kombëtar të çmuar,dhe ndjeu një hidhërim të madh për vdekjen e tij.
Në kronikën e Diellit shënohet se në varrim ishte edhe z. Alexander Macmillan, i biri i ish Kryeministrit të Anglisë, i cili udhëtoi nga Londra, enkas për këtë rast.
Po ashtu Dielli përshkruante miqësinë dhe vlerësimin e madh që i bënë heroit shqiptar oficerët e lartë anglez, veçanërisht Julian Emery me grupin e vet që kishin qëndruar e luftuar pranë Shtabit të Abas Kupit në vitet e Luftës së Dytë Botërore.
….Qindra shqiptarë dhe miq amerikanë, burra dhe gra, ngushëlluan duke u përkulur me nderim e dhimbje mbi arkivolin e Heroit. Shumë prej tyre nuk mbanin dot lotët. Dy zonja vajtuan me zë të larët duke i numëruar me vjersha veprat që kishte bërë heroi Abas Kupi. Ato vajtuan sipas zakonit që kanë gratë nga Labëria, vaj të këngëzuar me vargje. Vajtimi i tyre mallëngjeu të gjithë shqiptarët dhe miqtë amerikanë e anglezë.
Shqipatrët e treguan dashurinë për heroin e tyre kombëtar me qindra kurora me lule(që nuk i mbajtën dot dy sallat e funeralit-vinte në dukje Dielli) dhe me një pjesmarrje të madhe në Funeral-Home dhe në varrim.
Shërbimet fetare i udhëhoqën dy Imamë të Xhamisë dhe dy Klerikët e tjerë, babai i Teqesë së Detroitit dhe prifti katolik dom Zef Oroshi. Të katër klerikët bënë lutje dhe vlerësuan shpirtin kombëtar të Heroit.
Dr. Fuad Myftija, Sekretar i Përgjitshëm i Organizatës Komëbtare Lëvizja e Legalitetit, shënonte Dielli,e vajtoi bukur me fjalë të mallëngjyera Kryetarin e Përjetshëm të Legalitetit, Abas Kupin.
Ndër shumë folës, Dielli përmend edhe fjalimin që mbajti Zonja e Vatrës,Nexhmije Zaimi, aso kohe Kryetare e Degës së Vatërs nr. 29 për Nju Jork e Nju Xhersi, degë ku ishin anëtarë edhe legalsitët, por edhe Abas Kupi, i cili në manifestimin e nderit që organizoi Vatra së bashku me Arbëreshët e Italisë dhe të Amerikës me 28, 29, 30 Nëntor 1969, e pat zgjedhur Abas Kupin në podiumin e nderit dhe në tavolinën kryesore në darkën festive. Zonja Nexhmije Zaimi foli me fjalë të zgjedhura në emër të Vatrës. Shkëpusim pak fjali nga fjalimi i saj: Në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, paraqes ngushëllimet më të përzemërta për largimin nga kjo jetë e luftëtarit kreshnik, e heroit Kombëtar Abas Aga. Ngushëllimet e Vatrës i drejtohen çdo anëtari të familjes që ndodhet këtu sot, por dhe familjes së tij që ndodhet në Shqipëri.
Dhe prapë me respekt ngushëllojmë Mbretin Leka, Nënën Mbretëreshë Geraldinë dhe Lëvizjen Kombëtare të Legalitetit.
Gjithashtu ngushëllimet tona i paraqiten çdo shqiptari, qofshin në këtë sallë, e qofshin në anë të ndryshme të Botës, atyre që e kanë çmuar, adhuruar, respektuar këtë atdhetar të flakët, që jetën ia dedikoi Shqipërisë duke luftuar me armë në dorë.
Duke u drejtuar nga arkivoli, zonja e Vatrës përfundoi: Burrë trim, luftëtar i shkëlqyer, që ke nderuar Historinë e Shqipërisë, po ashtu Vatran besnik, dhe buajr, çdo anëtar i Federatës sonë, nderon Kujtimin Tuaj,që do të qëndrojë i pavdekur derisa të ketë qoftë dhe një shqiptar të vetëm në këtë botë. Sot, me respekt dhe dorë në zemër, të përcjellim në jetën e përjetshme…
Folësit i prezantoi Reshat Agaj, ish editor i Gazetës Atdheu, që kishte udhëtuar nga shteti i Wisconsi-t. Folësit e lartësuan veprën e Heroit Kombëtar.
Po në Faqen e parë të Diellit botohej edhe një esse e bukur kushtuar heroit me titull”Vizuer Vigan:Abas Kupi” shkruar nga Shefki Miraku. Ai përshkrunte me nota heroike jetën e Abas Kupit, që pat lindë në një kohë kur Shqipërisë nuk i diheshin kufijtë, kur emrat shqiptar dhe Shqipni, nuk lejoheshin të shqiptoheshin, lindi atëherë kur gjithçka i mohohej Shqipërisë dhe shqiptarëve. Por, ai i dha emër Shqipërisë me veprën e vet.
Miraku shkruan: Oh, sa kryenaltë jam që e njofta, sa i lumtun jam që prej tij mësova, sa faqebardhë qeshë që prej tij u udhëzova…. e pashë, shkruan Miraku, për të parën herë atje, në sheshin e Kryeqytetit të lirë, mbushun plot e përplot me shqiptarë të lirë, ishte Dita e flamurit, ishte dita e 25 vjetorit të Indipendencës sonë Kombëtare. Atë ditë, Kryenaltë dhe me vend qëndronte shqiponja dykrenore mbi ballin e Tij, t’atij që trupin, mendjen dhe zemrën ia kishte pasë dedikue asaj lirie, asaj indipendence, atij përvjetori.
E njofta për të parën herë ndër truelle të huaja,…Ishte mbas 7 prillit, atëherë kur atdheut i kishte mbrojtë nderin, Shqipnisë i kishte dhanë emën, Shqiptarëve u kishte përtërirë burrërinë.
Abas Kupi kishte lindur me ruejtë nderin e Shqipnisë,ishte burrnue me qarkue flamurin me të tjera dafina, ishte brurrnue të veprojë me vendosmëni dhe vetmohim, për me i shtue historisë së Shqipnisë të tjera faqe t’arta, të tjera faqe të ndritshme.
Dje, trokëllini dhe dera e këtij vigani, dje iu hap edhe Atij dera amshimit. Ai e ksihte ballafaque disa herë atë derë, por nuk ishte dorëzue…
Miraku do ta mbyllte essenë e tij me këtë esklamacion: Cilin me ngushëllue për humbjen e këtij vigani?
…Cilin, vallë duhet me e shtërngue duersh, me i hapur krahët e përqafimit, me lotue dhe, me atë lotët me i përzie?
Me të gjithëëë!
Të gjithë janë shqiptarë dhe të gjithë si shqiptar po e përcjellin. Të gjithë janë miqë dhe Atij miku po i përulen….
Bas…!, ishin shqiptarët që të përcuellën, të përcuellën për një prehje të shkurtën, vetëm për me i dhanë kohë të tjerë shqiptarëve me u përgatitun për të përcjellun drejt Altarit t’Atdheut. T’Atij Altari akoma të vorfun nga mungesa jote, por shumë i zengjinosur nga Historia jote….
… Edhe Editorialin e atij numri, Gazeat Dielli ia kushton heroit Abas Kupi. Editoriali mbanë titullin” Heroi kombëtar:Abas Kupi”. Editor i asaj kohe për gazetën Dielli ishte një nga dishepujt e Faik Konicës,një nga monarkistët idealistë, Refat Xh. Gurrazezi, i cili e pat drejtuar Diellin që nga viti 1929. Përmes fjalive të zgjedhura, Dielli, përmes editorialit,evokon jetën e heroit dhe përshkohet nag ideja:” Trim i trimave, Heroi Abas Kupi, nuk është më, po emri dhe fama e tij nuk vdesin kurrë: do të kujtohen me mburrje-gjithmonë bashkë me Historinë e Shqipërisë dhe do të jetë një shembull patriotik për brezat e ardhshëm”… Dielli evokon 7 prillin kur Abas Kupi nderoi Shqipërinë. Me këtë rast Dielli kujton se : Kur ishte festuar Dita e Flamurit me 28 Nëntor 1939, në Kryekishën Shën Gjergjit në Boston, pas Meshës Peshkop Fan Noli, kishte mbajtë një fjalim të gjatë, ku midis të tjerave kishte thënë edhe këto: Vjet(28 nëntor 1938) ishim mbledhë këtu që festuam Ditën e Flamurit, dhe ishim të gjithë të gëzuar se kishim një Shqipëri të Lirë. Kurse sot jemi të gjithë të helmuar, shkaku se Shqipëria është zaptuar nga armiku i huaj dhe e humbi lirinë e saj Kombëtare. Do të na kish mbetë merak po të mos kishim lufuar; atë merak e nxuarrëm se neve luftuam, ata tre fishekë që patëm i zbrazëm dhe i treguam tërë botës se armiku hyri në Shqipëri duke derdhur gjak…Ata tre fishekë i zbrazi Abas Kupi me një grusht ushtarë trima dhe nderoi Kombin shqiptar përpara tërë Botës. Pak më parë se të zaptohesh Shqipëria prej fashistëve italianë, u zaptua Çekosllovakia nga nazistët gjermanë,po çekët nuk zbarzën asnjë pushkë, sido që kishin një ushtri të armatosur mirë, shkruante Dielli.
Editoriali përfundonte me fjalinë:”Shqipëria qe e lumtur që pati një Hero Kombëtar si Abas Kupi, i cili nderoi Kombin shqiptar.
Nga gjithë kjo që ju lexova, dua t’ju fokusoj ju të rinëjve të Legalitetit, dhe ne të tjerëve, atë ç’ka shkruante Shefki Miraku përa 40 vjetëve: Ajo përcjellje ishtë e përkohshme. Altari i Heronëjve ende e pret Abas Kupin. Altari mbetet i varfër pa Heroin e 7 Prillit!
Faleminderit që më dëgjuat! I përjetshëm Kujtimi dhe Vepra e Heroit Kombëtar Abas Kupi!
• Mbajtur ne perkujtimin e 40 vjetorit te Abas Kupit me 9 Janar 2016

Filed Under: Featured Tagged With: Abas Kupin, dalip greca, para 40 vjetesh, si e percolli Dielli

U PËRKUJTUA 40 VJETORI I NDARJES NGA JETA TË ABAS KUPIT

January 11, 2016 by dgreca

Të Shtunën me 9 Janar 2016 u përkujtua 40 vjetori i ndarjes nag Jeta të Heroit të 7 Prillit Abas Kupi. Ceremonia e organizuar nga Partia Lëvizja e Legalitetit për SHBA dhe Familja Kupi, u konceptua në dy pjesë. Në pjesën e parë, në sallën e ceremonive të Varrezave Maple Grove Cemetery, në New Gardens, Queens-New York, aty ku prehet heroi i 7 Prillit, u organizua ceremonia përkujtimore e shoqëruar nga kumtesa. Veprimtarinë e ka hapur Kryetari i Lëvizjes Legalitetit për SHBA z. Hakik Mena. Ai ka falenderuar pjesmarrësit dhe i ka ftuar ata për të përcjellë Hymnet Kombëtare. Më pas u mbajt një minut Heshtje për heroin e 7 Prillit Abas Kupin dhe të gjithë dëshmorët e Kombit.
Më pas z. Mena ftoi zv/kryetarin e Partisë Lëvizja e Legalitetit për SHBA, z. Ahmet Hoti për të mbajtë kumtesën e përgatitur në emër të Partisë së Legalitetit. Në fillim të kumtesës së tij z. Hoti tha: Nuk ka gja ma te mire se sa me perkujtu e nderu jeten e bamat e Abaz Kupit ne keto dite rrapulline ne te cilat kalon raca shqiptare, rrapullime e shkaktume prej ideologjise coroditese te cilen ai, Abas Kupi, me mish, shpirt, pushke e mergim u mundua t’ia parandaloje Shqipnise. Më pas ai ak analizuar binomin Abas-Kupi- Zogizmi. Për Hotin: Zogizmi si thelb te filozofise se saj ka shtetformimin. Kriteri i vetem te cilin kjo filozofi perdori per te mbledh njerezit rreth saj ishte kontribut i gjithanshem ne kete shtetformim. Po te analizojme perbamje njerzore te kesaj filozofie aty gjejme Shqipnine e vertete. Aty gjejme hoxhen, priftin apo popin, gjejme qytetarin dhe katundarin, beun dhe bujkun, te shkollumin dhe te paditunin, gegen edhe tosken, kosovarin dhe camin. Ajo ashte filozofi gjitheperfshirse dhe jo perjashtuese. Ajo nuk asht filozofi Elitash apo te ashtequjtura elita. Aty asht gjithsecili qe e ndjen se shqiptareve u duhet nji shtet. Pikerisht per kete Abaz Aga e gjeti vedin ne ate filozofi qe dalengadale u personifikua me te. Hoti argumentoi edhe faktin pse Mbreti Zog ia besoi Abas Kupit mbrojtjen e Durresit.
Në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës ka folë zv/Kryetari Asllan Bushati.Pasi foli për figurën e Abas Kupit dhe lidhjen e familjes së tij me Mbretin Zog e Abas Kupin, ai propozoi:
Së pari, këtej e tutje, sygjeroj të përkujtohet e të festohet , ditëlindja e Abaz Kupit. Pra 6 gushti të këthehet në një festë popullore,ku të përcillen në mënyrë festive cdo gjë që ka lidhje me figurën dhe veprimtarinë e tij. Kjo jo vetën nga familja, por nga gjithë organizmat shoqëror e shtetror.Festimi të ketë kumtesa, këngë, valle,muzikë, pije dhe ushqim.
Së dyti: Monografia që është bërë për Abaz Kupin duhet të ri shkruhet ,sepse kanë dalë shumë dokumenta , kujtime e materiale të rëndësishme të cilat nuk janë përfshirë në këtë botim. Por në të njejtën kohë, botimi i ri të nxjerrë më mirë në pah gjithë dimensionet e figurës së Abaz Kupit .
Së treti: Eshtrat e trupit të pajetë të heriot popullor Abaz Kupit e kanë vendin pranë munomentit “Nëna Shqipëri” në Tiranë. Këtë detyrim e ka komuniteti shqiptar i Amerikës dhe Partia e Legalitetit, (madje edhe Vatra e shoqatat etjera duhet të ndihmojë ),në kordinim me autoritet shtetrore në Tiranë .
Së katërti: Një bust i bronxtë i Abaz Kupit në qytetin e Krujës, do ti bënte nder gjithë shqiptarisë. Shpenëzimet për të duhet ti marrë përsipër Partia e Legalitetit në bashkpunim me komuniteti shqiptaro-amerikan dhe Bashkinë e Krujës.
Ne fund ai përcolli mesazhin e Vatrës: “Të nderuar pjesëmarres, në emër të Federatës Panshqiptare Vatra, dhe në emrim tim, i shpreh ndiesitë më të larta Familjes Kupi dhe ju që ishit të pranishëm në këtë përkujtimore. I nderuar qoftë për mot e jetë kujtimi dhe vepra e Abaz Kupit.”
Ish i perndjekur Muharrem Xhydellari(Hudenishti) solli si fillim deklaraten e Abas Kupit te 24 tetorit 1944: ” C’prej momentit te pare qe u sulmua toka jone e shenjte prej armiqeve fashist. Ne kemi qene ate qe kemi bere cmos per te shpetuar nderin kombetar. Jemi perpjekur per bashkim te pergjitheshem dhe bashkveprim me te gjithe Shqipetaret pa dallim rryme e ideologjije. Jemi perpjekur per bashkimin e vellazerimin e Shqipetareve per ta larguar luften civile dhe per te siguruar luften e perbashket per shporrjen e okupatorit prej tokes tone te shenjte”…
Abas Kupi, tha Xhydellari, nuk ka folur asnjehere ne veten e pare por ne shumesin e Shqipetareve. Abaz Kupi perfaqsonte Shqiperine ne rezistence antifashiste e nuk ka qene nje luftetar lokal, sic shprehet nje i ashtu quajturi historian komunist Pellumb Xhufi.
Veprimtari Sali Bollati tha se nderimi i figures se Abas Kupit na ben nder te gjitheve. Partia e Levizjes se Legalitetit, tha ai, duhet te kthehet ne nje cerdhe patriotizmi.
Veterani nacionalist Enver Ramadani, solli kujtimet per Abas Kupin nga banoret e fshatarve ku ai ksihte dhene mesim.Ka pershendet tubimin edhe publicisti Tom Paloka.
Editori i Dielli Dalip Greca, solli përmes kumtesës së tij atmosferën e para 40 viteve, duke shfletuar numrin special të Diellit në pasvdekjen e Abas Kupit. Dielli, tha editori Greca, shënon në kronikën e rastit se Abas Kupi vdiq më 9 Janar 1976 dhe u varros më 14 Janar . Në varrimin e Tij mori pjesë dhe Mbreti Leka I, i cili udhëtoi nga Madridi së bashku me Ministrin e atëhershëm të Oborrit Dr. Selim Damani. Dielli shkruante se Familja Mbretërore e adhuronte Abas Kupin si një Hero Kombëtar të çmuar,dhe ndjeu një hidhërim të madh për vdekjen e tij.
Në kronikën e Diellit shënohet se në varrim ishte i pranishem edhe z. Alexander Macmillan, i biri i ish Kryeministrit të Anglisë, i cili udhëtoi nga Londra, enkas për këtë rast, Julian Emery dhe te tjere miq nga Anglia dhe Amerika.
Dielli përshkruante miqësinë dhe vlerësimin e madh që i bënë heroit shqiptar oficerët e lartë anglez, veçanërisht Julian Emri me grupin e vet që kishin qëndruar e luftuar pranë Shtabit të Abas Kupit në vitet e Luftës së Dytë Botërore.
Greca solli dhe elegjinë e përcjellë në ditëpercjelljen e heroit Kombëtar nga “Zonja e Vatrës”, Nexhmie Zaimi, në atë kohë kryetare e Vatrës për Nju Jork -Nju Xhersi, ku ishte i anëatrësuar edhe Abas Kupi. Zonja Zaimi e pat cilësuar Abas Kupin Hero Kombëtar dhe vatran besnik.
Interesante ishte edhe elegjia e Shefki Mirakut, që Dielli e pat botuar në numrin e 30 Janarit 1976 me titull:”Vizuer Vigan:Abas Kupi”. Po ashtu Greca solli edhe komentin qe pat bere Imzot noli, tek festohej 28 Nentori i okupuar i vitit 1939. Pas Meshës Peshkop Fan Noli, kishte mbajtë një fjalim të gjatë, ku midis të tjerave kishte thënë edhe këto: Vjet(28 nëntor 1938) ishim mbledhë këtu që festuam Ditën e Flamurit, dhe ishim të gjithë të gëzuar se kishim një Shqipëri të Lirë. Kurse sot jemi të gjithë të helmuar, shkaku se Shqipëria është zaptuar nga armiku i huaj dhe e humbi lirinë e saj Kombëtare. Do të na kish mbetë merak po të mos kishim lufuar; atë merak e nxuarrëm se neve luftuam, ata tre fishekë që patëm i zbrazëm dhe i treguam tërë botës se armiku hyri në Shqipëri duke derdhur gjak…Ata tre fishekë i zbrazi Abas Kupi me një grusht ushtarë trima dhe nderoi Kombin shqiptar përpara tërë Botës. Pak më parë se të zaptohesh Shqipëria prej fashistëve italianë, u zaptua Çekosllovakia nga nazistët gjermanë,po çekët nuk zbarzën asnjë pushkë, sido që kishin një ushtri të armatosur mirë, shkruante Dielli.
Editoriali përfundonte me fjalinë:”Shqipëria qe e lumtur që pati një Hero Kombëtar si Abas Kupi, i cili nderoi Kombin shqiptar….
Kryetari Mena më pas lexoi përshëndetjen e Kryetarit të Partisë Lëvizja e Legalitetit, z. Sulejman Gjana. Në përshëndetje thuhej: Me rastin e ceremonisë përkujtimore që organizoni sot për 40-vjetorin e vdekjes së Heroit të rezistencës së 7 prillit 1939 dhe figurës së shkëlqyer të nacionalizmit dhe patriotizmit shqiptar, Gjeneral Abaz Kupit, kam nderin t’ju drejtohem nëpërmjet këtij mesazhi për t’ju shpreh se të gjithë legalistët bashkohen dhe përulen bashkë me ju para veprës së udhëheqësit historik të “Levizjes së Legalitetit” dhe nacionalizmit shqiptar.
Me plot arsye, PLL është krenare për trashëgiminë që na ka lënë Gjeneral Abaz Kupi, për rezistencën që organizoi kundër pushtimit fashist në zbatim besnik të urdhërave të Mbretit Zog, për luftën e pa kompromis që zhvilloi dhe udhëhoqi kundër diktaturave nazi-fashiste dhe sllavo-komuniste, për angazhimin e tij për t’ju ofruar Shqiptarëve lirinë, demokracinë, sigurinë dhe zhvillimin në një shtet unitar, me institucione legjitime e legale, dhe për vendosmërinë e tij për ta radhitur Shqipërinë në kampin perendimor.

Jemi krenarë sepse veprimtaria e Gjeneral Abaz Kupit, në Shqipëri dhe në mërgim, ishte shembullore dhe e pa përlyer dhe si e tillë do të mbetet gjithmonë referencë dhe frymëzim për shqiptarët e ndershëm se si mund t’i shërbehet Atdheut dhe Kombit.
Në këtë vit jubilar të 40-vjertorit të vdekjes së personalitetit që bashkëluftëtarët dhe bashkëpunëtorët e tij e emëruan “Kryetar nderi të përjetshëm i Legalitetit”, ne jemi më të vendosur se asnjëherë tjetër për të vazhduar përpjekjet tona derisa të realizohen idealet e Gjeneral Abaz Kupit dhe të Etërvë tanë shpirtërorë.
Pavarësisht se Legaliteti dhe legalistët kanë dijtë të vlerësojnë figurën e Gjereral Abaz Kupit duke organizuar në çdo përvjetor të vdekjes së tij një ceremoni përkujtimore në shtetin mik Amerikan ku prehen akoma eshtrat e Tij, nuk mund të fshehim keqardhjen tonë për faktin që qeveritarët Shqiptarë të tranzicionit, ende nuk janë shkëputur plotësisht nga mendësia komuniste sepse, po të ishte ndryshe, do të kishte qenë në nderin e tyre dhe të Shtetit Shqiptar që të riatdhesoheshin zyrtarisht eshtrat e Gjeneral Abaz Kupit dhe të shkruhej emëri i Tij në historinë dhe historiografinë zyrtare, krahas emërit të atdhetarëve dhe patriotëve më të mëdhenjë të vendin tonë,
Në këto kushte është pra detyrë e jona dhe e djemve dhe vajzave të atyre që ndërtuan shtetin shqiptar dhe e mbrojtën pavarësinë, lirinë dhe nderin e Shqiptarëve në kohërat më të vështira, që të tregojmë se sakrificat e të parëve tanë ishin të drejta.
Duhet të vazhdojmë të mbrojnë, promovojmë dhe jetësojmë vlerat morale, politike dhe kombëtare të nacionalistëve si Gjeneral Abaz Kupi dhe të ndjekim shembullin e Tij dhe të patriotëve të tjerë me në krye Mbretin Zog, pasi vetën kështu do të kryejmë detyrën tonë ndaj Atdheut dhe Kombit dhe do të kontribuojmë që brezat e ardhshëm të gëzojnë një Shqipëri të lirë, të sigurt, të zhvilluar dhe të bashkuar; – atë Shqipëri për të cilën lindi dhe jetoi Gjeneral Abaz Kupi.
I paharrueshëm qoftë kujtimi i Tij !
Pas pjesës ceremoniale, pjesmarrësit shkuan tek varri i Abas Kupit dhe vendosën lule në nderim të tij dhe bënë fotografi.(Korersp. i Diellit)

Filed Under: Komunitet Tagged With: dalip greca, i vdekjes, se Abas Kupit, U perkujtua 40 vjetori

SOT DITA E LINDJES E ATIT TE KOMBIT, ATIT TE KISHES AUTOQEFALE, ATIT TE VATRES, IMZOT NOLIT

January 6, 2016 by dgreca

FAN S NOLI lindi më 6 janar 1882 në Qytezë (turqisht: Ibrik Tepe), fshat shqiptar në Trakë, jo shumë larg nga Edreneja. Si disa fshatra të tjerë të asaj krahine të banuar me shqiptarë, Qyteza kishte ruajtur me kohë gjuhën, doket dhe kostumet e të parëve. Noli e mbante fisin e vet me prejardhje nga Qyteza e Kolonjës. I ati, Stiliani, ndonëse trashëgoi një pronë tokë, nuk u mor me bujqësi, po shërbeu si psalt në kishën e fshatit. E ëma, Maria, ishte shtëpiake. Familja u shtua shumë dhe erdhi një kohë që jetesa u bë e vështirë për të. Sa qe i mitur Noli hoqi sëmundje të rënda, prandaj shkollën e nisi me vonesë. Filloren dhe të mesmen i bëri greqisht. Por me shumë ndikoi tek ai krenaria e fshatit shqiptar për të kaluarën historike dhe dashuria për shkrimin shqip. Që në bankat e shkollës iu shfaqën karakteri i pavarur dhe fryma e revoltës. Për këtë shkak nuk iu dha diploma në kohën e duhur, gjë që e pengoi të emërohej mësues atë vit shkollor. Më 1900 vajti në Greqi, me qëllim që të nxirrte jetesën dhe të ndiqte fakultetin e filozofisë. Në Athinë u lidh me një shoqëri belge, e cila zotëronte tramvajet me kuaj. S’i eci mbarë. Studime nuk i bëri. Atëherë u hodh në punë të tjera, si kopist, sufler dhe aktor pranë një trupe greke teatri shëtitës. Tek punonte atje, iu ngjall dëshira të mërej me dramaturgji. Më 1903 kaloi në Egjipt, ku zuri punë si mësues i greqishtes. Ndërkohë, njihet me lëvizjen kombëtare. I ndihmuar nga patriotë, nis veprimtarinë politike dhe letrare: shkruan artikujt publicistikë, përkthen greqisht »Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet« të Sami Frashrit. Me 1906 mberrin ne SHBA, ku behet promotor I Levizjes Kombetare shqiptare en SHBA. Bashkepunoi me Sotir Pecin ne gazeten KOMBI. Eshte ne krye te Shoqerise Besa-Besen. Eshte themekues Kishes Autoqefale Ortodokse shqiptare.Me 15 Shkurt 1909 vihet ne krye te gazetes Diellit, si gazete e Besa Besen deri ne ardhjen e Konices si editor. Më 1912 kryen studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit, të cilat i përfundon me cum laude në Bachelor of Arts. Eshte bashkethemelues i Federates PanShqiptare VATRA. Me 4 korrik 1918 u takua me Presidentin Wilson , te cilit I mori fjalen per te ndihmuar Shqiperine. Me 1921 eshte deputete ne Parlamentin Shqiptar. Kryesoi delegacionin Shqiptar ne Gjeneve ne Lidhjene Kombeve. Në fund të jetës së tij shkon në Florida. Atje, në banesën e tij, në Fort Lauderdale, vdiq më 13 mars 1965, larg atdheut të shtrenjtë, që e deshi me zjarr të pashuar.

Emri i Fan Nolit, Theofan Stilian Noli, është lidhur me gjithë kulturën e re shqiptare të shekullit tonë. Për fat të keq si shumë artistë të mëdhenj shqiptarë, ai lindi dhe vdiq larg atdheut. Por midis këtyre dy datave zemra e tij e madhe rrahu vetëm për Shqipërinë, shpirti i tij krijoi gjëra madhështore që e lartësuan dinjitetin e shqiptarit, kurse në veprimtarinë energjike të përditshme iu përkushtua pavarësisë e tërësisë tokësore të atdheut dhe sidomos demokratizimit të jetës shqiptare.

Vendlindja, Ibrik-tepeja ose Qyteza, një fshat shqiptar në Traki, afër Adrianopojës, si dhe disa fshatra të tjera afër tij ishin për Nolin nga mënyra e jetesës, zakonet e temperamenti, si një copëz e shkëputur nga Shqipëria. Aty shpirti i tij thithi të pastër botën shqiptare, kulturën e gjerë popullore, mori informacionin e parë për historinë e Shqipërisë e jetën e kryetrimit Skënderbe. Pasi kreu në greqisht shkollën fillore dhe gjimnazin, në vitin 1900, në moshën 18 vjeçare, ai u largua nga vendlindja për të mos u kthyer dot më dhe shkoi në Athinë.
Në gjimnazin grek ai ishte njohur me letërsinë antike greke, me letërsinë evropiane e sidomos me veprën e Shekspiri.
Kjo gjë i kishte ngjallur atij dëshirën për ta zgjeruar kulturën e vet, dëshirë që mbeti e zjarrtë në shpirtin e tij deri sa vdiq. Kështu ky djalosh i ri , me interesa të gjera, shëndetlig, por i guximshëm e me një intuitë të zhvilluar, i hyri rrugës së studimeve, që për të ishte mjaft e vështirë, sepse i mungonin mjetet financiare. Pikërisht prej kësaj mungese ai shpejt i ndërpreu ato, të cilat do të mund t`i vazhdonte shumë më vonë, në një moshë të madhe. (Vetëm më 1912 ai kreu studimet e larta dhe u diplomua për arte , kurse më pas në moshën 55-vjeçare, mbaroi konservatorin, dhe në moshën 63-vjeçare mori doktoratën e filozofisë për histori). Për të siguruar jetesën hyri në një shoqëri tramvajesh e me pas si sufler në një teatër. Herë-herë luante edhe ndonjë rol të vogël , por puna në teatër nuk i vleu më tepër, sepse e nxiti të shkruante dramën “Zgjimi”, në greqisht, (e cila u ndalua të shfaqej sepse aludonte për lëvizjen shqiptare për liri), dhe me vonë dramën në shqip “Izraelitë e filistinë”. Më 1903 shkoi në Egjipt ku punoi për dy vjet si mësues. Gjatë kësaj kohe ai u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit: Thanas Tashkon e Jani Vruhon, të cilët luajtën një rol të rëndësishëm për drejtimin që do të merrte jeta e Fan Nolit. Ata e lidhën atë me lëvizjen patriotike shqiptare edhe ai po në këtë kohë përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç`ka qenë, ç`është e ç`do të bëhet”. Më 1906 Noli u dërgua në Amerikë nga patriotët e kolonisë së Egjiptit për organizimin e lëvizjes kombëtare të shqiptarëve të atjeshëm. Brenda një kohe të shkurtër Noli krijoi shoqërinë “Besa-besë”, që më pas u shkri në federatën “Vatra”si dhe gazetën “Dielli”. Në Amerikë ai u detyrua të bëjë një punë të rëndë që të siguronte jetesën.
Nga gjithë veprimtaritë e kësaj periudhe të jetës politike të Nolit, më e rëndësishmja është shkëputja e kishës ortodokse shqiptare dhe lufta kundër propagandës shoviniste greke. Për këtë qëllimin më 1908 ai u dorëzua prift dhe duke vazhduar traditën e nisur nga Kristoforidhi përktheu shumë libra të ndryshëm të kishës në gjuhën shqipe.

Kur u shpall Pavarësia, Noli përshëndeti qeverinë e Ismail Qemalit, ndërkohë që kishte bërë edhe një udhëtim nëpër Evropë për të mbrojtur çështjen shqiptare. Periudha më e rëndësishme e aktivitetit të tij në të gjitha fushat është dekada 1920-1930. Më 1920 ai, së bashku me patriotë të tjerë, u përpoq dhe arriti të sigurojë pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Më 1921 ai botoi edhe veprën e rëndësishme “Historia e Skënderbeut”.
Gjatë viteve `20-24, në krye të opozitës demokratike, Noli zhvilloi një luftë të ashpër në Parlament dhe jashtë tij kundër gjithë forcave reaksionare dhe feudale, duke ngritur zërin për vendosjen e lirive demokratike dhe zbatimin e reformës agrare. Fjalimi i tij mbi varrin e Avni Rrustemit në Vlorë shënoi fillimin e Revolucionit Demokratik në Shqipëri.
Me fitoren e revolucionit Noli u caktua kryetari i qeverisë së re, që doli prej tij, që ishte qeveria me përparimtare në Ballkan. Ajo shpalli një program revolucionar e demokratik, por nuk arriti ta realizojë. Revolucioni Demokratik në Shqipëri u gjend menjëherë i rrethuar nga qëndrimi armiqësor i Fuqive të Mëdha, monarkive dhe qeverive evropiane të shteteve ballkanike. Nolit iu desh të bënte një përpjekje të jashtëzakonshme që qeveria shqiptare të njihej. Por ndërkohë gjithë forcat reaksionare të vendit, të kryesuara nga A. Zogu dhe të ndihmuara nga qeveria jugosllave si nga ana financiare, ashtu edhe me mercenarë bjellogardistë arritën ta rrëzojnë qeverinë demokratike, e cila duke mos pasur kohë të realizojë reformat e shpallura, sidomos reformën agrare, mbeti e shkëputur nga populli. Noli u detyrua të mërgojë jashtë vendit në Austri dhe u dënua me vdekje në mungesë. Gjithë demokratët revolucionarë në mërgim themeluan në Vjenë Komitetin Nacional Revolucionar (Konare) me Nolin si kryetar. Në organin “Liria Kombëtare”
Të këtij Komiteti që dilte në Gjenevë, Noli botoi shumë artikuj që demaskonin Zogun dhe armiqtë e Shqipërisë, fashizmin dhe reaksionin si edhe disa nga poezitë e tij më të mira. Noli u end nëpër Evropë plot tetë vjet, duke mos pushuar së punuari për Shqipërinë, me shpresë se do të vinte një ditë që ai të kthehej përsëri. Por më 1932, kur Zogu arriti të forconte mjaft pushtetin e tij despotik, ai e humbi shpresën dhe u largua për në Amerikë për të mos e parë më kurrë atdheun. Më mirë se gjithçka, gjendjen e rëndë shpirtërore të tij në këtë kohë e shpreh poezia “Moisiu në mal”.
Noli
Kryeprofetit dita i ngryset
Dhe shpirtkëputur përdhe përmbyset
Me lot në sy, me zemër të ngrirë
I lyp mëshirë.

Pse kaçë gjatë, Zot, m`arratise,
Pse më përplase, më përpëlise,
Pse shpresën dyzetvjet ma ushqeve,
Dhe sot ma preve?

Përveç veprimtarisë shumë të rëndësishme politike, poetike e publicistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, Rubairat e Omar Khajamit, Don Kishotin e Servantesit etj. Në gjithë këtë veprimtari politike, patriotike, artistike e shkencore Noli mbeti demokrat konsekuent. Vegjëlia ishte shtresa e vetme që ai vlerësonte, shtresa, tek e cila ai besonte, kurse feudalizmi ishte klasa që ai urreu për vdekje, klasa për të cilën ai s`pati kurrë ndonjë iluzion. Megjithatë si politikan e udhëheqës shteti ai humbi në ndeshjen me feudalizmin, pasi nuk deshi kurrë të përdorej dhuna.
Pasi u vendos në ShBA, u mor me krijimtari letrare, me studime të ndryshme, siç ishte “Bethoveni dhe Revolucioni Francez” etj. dhe me organizimin e veprimtarive të kishës shqiptare në Amerikë, e cila shërbente si qendër e lidhjes së kolonisë shqiptare. Fan Noli mbeti deri në fund të jetës së tij një demokrat i shquar.
Ky vigan i demokracisë e i kulturës shqiptare, te i cili vepron me të njëjtën forcë intuita e artistit shkencëtarit dhe e politikanit, ky patriot i madh që shkriu gjithçka për Shqipërinë, për fat të keq vdiq larg saj më 13 mars 1965 në ShBA, ku ndodhen edhe sot eshtrat e tij.

POEZI NGA FAN S.NOLI

Hymni I Flamurit

O Flamur gjak, o flamur shkabë,
O vënd e vatr’ o nën’ e babë,
Lagur me lot, djegur me flagë,
Flamur i kuq, flamur i zi.

Fortesë shkëmbi tmerr tirani,
S’të trëmp Romani, as Venecjani,
As Sërp Dushani, as Turk Sulltani,
Flamur i math për Vegjëli

Flamur që lint Shën Kostandinin,
Pajton Islamn’ e Krishtërimin,
Çpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi.

Me Skënderben’ u-lavdërove
Dhe në furtun’ i funtmi u-shove,
Me Malon prapë lart vrapove,
Yll i pavdekur për Liri.

Sa shpesh pastaj për-dhe u-shtrive
Me zjarr e zi u-ndeze u-nxive,
Po çdo mizor me shpat’ e grive,
O fushë-kuq, o shkabë-zi.

Përpjetë pri-e Shqipërinë,
Përlintj’a shpirtin dhe fuqinë,
Diell për vllanë, yrnek për fqinë
Për botën ëndr’ e qjell i ri.
Fryn Moj Ere

-Ngaj po na vjen, moj erë e rreptë?
Pse vërshëllen me aq mallëngjim?
-Vij drejt nga malet e Shqipërisë,
për të përhapur zi e vajtim.
Fryn, moj erë, moj erë e shkretë fryn,
drejt më zëmër, më zëmër time hyn.

-Nga ata male, moj erë trime,
ç’lajme të reja po na ke siell?
Pse je e vrerët dhe e helmuar?
qiellë me zi përse na e mbiell?
Fryn, moj erë, etj.

Pse e ke synë të trubulluar
e rent kaluar mi t’zeza re?
Pse të pikojnë lottë të zeza,
lottë të zeza posi rrëke?
Fryn, moj erë, etj.

Syri m’u err nga ato që pashë
Ah! nukë mbahem, nuk duroj dot.
Pashë një gjëmë, gjëm të tmeruar,
rent ta haroj, po rentkam më kot.
Fryn, moj erë, etj.

Atje tek losnja në fush’ të Korçës,
duke u hedhur lis më lis,
një qivur pashë me nj’çup’ të virgjër,
ma vrau shpirtin ay filis.
Fryn, moj erë, etj.

Tokat pushonin, prift nukë dukej,
e pakënduar na u varros;
mihnë dëborën, i bënë varrë,
shpirt nuk më mbeti, forca m’u sos.
Fryn, moj erë, etj.

Atje mi varrë qante një grua,
një grua qyqe me mallëngjim;
burrën të qante më par’a çupën,
për kë të bënte më par’vajtim?
Fryn, moj erë, etj.

Renda e ika e fluturova,
po dhëmbjen time ku do ta fsheh?
Çava oqeane, dete dhe male,
po vajtoj edhe sikundër sheh.
Fryn, moj erë, etj.

-Moj er’e rreptë, erë malsore,
shpirti m’u ndes, zëmra më shkriu;
sytë m’u errë si ty dhe mua,
mëndja në kokë më bubullin.
Fryn, moj erë, etj.

Qëndro të lutem, të kam për t’dhënë
dhe un’i varfri një porosi:
një re të madhe dërgo të zbresë
e ta ngarkojmë me lott’e mi.
Fryn, moj erë, etj.

E kur të kthehesh nga Shqipëria,
Atje në kopshtin, atje t’qëndrosh,
dhe lott’e mia si vesë qjelli
dalë nga dalë do t’i pikosh.
Qaj, moj erë, moj er’e shkretë qaj,
derthmi lottë atje mi varr’e saj.

Jepni Per Nenen

Ç’thot’ ajo e ve e gjorë,
-Mbretëreshë pa kurorë-
Faqe-çjerrur, lesh-lëshuar,
Shpirt e zëmër përvëluar;
Gjysm’ e vdekur: “O Shqiptarë,
Nënës mos ia bëni varrë!”
Mbahu, Nëno, mos kij frikë
Se ke djemtë n’Amerikë.

Qan e lutet Nën’ e mjerë,
Kërkon vatrën edhe nderë,
Do lirinë dhe atdhenë,
Si ç’e pat me Skënderbenë,
Bijt’ e besës thërret pranë.
Kur i thirri dhe s’i vanë?
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.

Cilët jan’ ata tiranë
Që të pren’ e që të vranë
Që të therrë bij e bija,
Dhe t’u-nxi, t’u-mbyll shtëpija?
Derthni plumba, o Shqiptarë,
Gjakn’ e Nënës për të marrë,
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.

Cilët bij të trathëtuan
Dhe të doqnë dhe të shuan
Dhe të lan’, o Shkab’ e ngratë
Pa fole, pa zog, pa shpatë?
Këta qena, o shok’ i mbytni,
Mbushni gjyle që t’i shtypni.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.

Sa kërkon e sa të duhen?
Burrat nga detyra s’ndruhen!
Trim i mirë do të japë,
S’kursen jetën as paratë;
Hithni, hithni tok dollarë,
Të mos mbetemi të sharë.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë.
Se ke djemtë n’Amerikë.

Do të ndihim pa kursyer
Për ty, Nëna jon’ e vyer,
Që me drit’ e nder të thuresh
Dhe me bijt’ e tu të mburesh.
Cila Nënë lyp paranë?
Cilët bij me shpirt s’i dhanë?
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.

Armë dhe fishekë mblithni,
Qesen edhe shpirtin hithni:
Për lirin’ e vëndit t’onë,
Sot -se nesër është vonë-
Jepni, Nënën të shpëtoni,
Komb e vatra të nderoni.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë
Se ke djemtë n’Amerikë.

1917

Anës Lumenjve

Arratisur, syrgjynosur,
rraskapitur dhe katosur
po vajtonj pa funt, pa shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së.
ku e lam’ e ku na mbeti,
vaj-vatani e mjer mileti,
anës detit i palarë,
anës dritës i paparë,
pranë sofrës i pangrënë,
pranë dijes i panxënë,
lakuriq dhe i dregosur,
trup e shpirt i sakatosur.

se ç’e shempnë derbederët,
mercenarët dhe bejlerët,
se ç’e shtypnë jabanxhinjtë,
se ç’e shtrythnë fajdexhinjtë,
se ç’e pren’ e se ç’e vranë,
Ç’e shkretuan anembanë,
nënë thundrën e përdhunës
anës vjosës, anës bunës.

Çirem, digjem i vrerosur,
sakatosur, çarmatosur,
as i gjall’, as i varrosur,
pres një shenj’ e pres një dritë,
pres me vjet’ e pres me ditë,
se ç’u tera, se ç’u mpaka,
se ç’u çora, se ç’u mplaka,
lark prej vatrës dhe prej punës,
anës rinit, anës tunës.
Çakërdisur, batërdisur,
përpëlitur dhe zalisur,
ËndËronj pa funt, pa shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së.

dhe një zë vengon nga lumi,
më buçet, më zgjon nga gjumi,
se mileti po gatitet,
se tirani lebetitet,
se pëlcet, kërcet furtuna,
fryhet vjosa, derdhet buna,
skuqet semani dhe drini,
dridhet beu dhe zengjini,
se pas vdekjes ndriti jeta
dhe kudo gjëmon trumbeta.
ngrehuni dhe bjeruni,
korini dhe shtypini,
katundar’ e punëtorë,
që nga shkodra gjer në vlorë!

ky ilaç e ky kushtrim
më bën djal’ e më bën trim,
më jep forc’ e më jep shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së.
se pas dimrit vjen një verë,
që do kthehemi njëherë,
pranë vatrës, pranë punës,
anës vjosës, anës bunës.

arratisur, syrgjynosur,
raskapitur e katosur,
brohoras me bes’ e shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së.

Shpell’e Dragobise

(Elegji për Bajram Currin)

Kur tufani e çthuri fenë,
Kur tirani e krrusi atdhenë,
Mi një brek të Dragobisë
Priret Flamur’ i lirisë.

Atje nisi, atje mbaroj,
Atje krisi, atje pushoj,
Rrufe-shkab’ e Malësisë,
Në një shkëmb të Dragobisë.

Vendi dridhej, ay mbeti
Se s’tronditej nga tërrmeti.
Dif drangoj i Dragobisë,
Trim tribun i Vegjëlisë.

0 Bajram, bajrak i gjallë,
More nam me gjak në ballë,
Te një shpell’ e Dragobisë,
Yll i rrall’ i burrërisë.

Thon’ u-shtri e thon’ u-vra,
Po ti s’vdiqe, or Baba,
As te shkëmb’ i Dragobisë,
As te zëmr’ e Djalërisë.

As je vrar’ e as po vritesh
Legjendar Ante po rritesh.
Dithiramb i Dragobisë,
Tmerr, panik i mizorisë.

Me Zjarr Shenjt u-ndrit kjo shpellë.
Gjer në qjell u-ngrit Kështjellë
Për çlirimn’ e Shqipërisë
Katakomb’ e Dragobisë.

Syrgjyn -vdekur

(Elegji për Luigj Gurakuqin)

Nëno moj, mbaj zi për vllanë,
Me tre plumba na i ranë,
Na e vran’ e na e shanë,
Na i thanë trathëtor.

Se të deshte dhe s’të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin,
Se të veshte kur të çveshnin,
Nëno moj, të ra dëshmor.

Nëno moj, vajto, merr malin,
Larot t’a përmbysnë djalin
Që me Ismail Qemalin
Ngriti flamur trimëror.

Nëno moj, m’a qaj në Vlorë
Ku të dha liri, kurorë,
Shpirt i bardhë si dëborë;
Ti s’i dhe as varr për hor.

Nëno moj, ç’është përpjekur
Gojë-mjalt’ e zëmër-hekur,
Syrgjyn-gjall’ e syrgjyn-vdekur,
Ky Vigan Liberator.

Shen Pjetri Ne Mangall

Fryn’ e çfryn veriu,
Ngrin, mërdhin i ziu
Dhe mangallit i afrohet
Që të ngrohet.

Krishtin brënda e gjykojnë
Dhe pas ligjës e dënojnë,
E goditin dhe e shtyjnë,
E pështyjnë.

S’del askush që t’a shpëtonjë,
Roma do t’a kryqësonjë,
Triumfon Legaliteti
Dhe Laneti.

Kur e rrahin dhe e tallin
Pjetri ngulet mbi mangallin;
Kur e pa, u-koll këndezi
Nga qymezi.

Dhe një shërbëtore i tha:
“Je dhe ti një nga ata!”
Po Shën Pjetri proteston,
E mohon.

Kruspull mbi mangallin mblidhet,
Po djek dorën dhe përdridhet;
Se ç’këndon bandill këndezi
Nga qymezi:

“S’ka e s’ka si heroizma,
Edhe si idealizma,
Po kur dimër del behari
S’ka si zjarri.”

-“Nga ata je!”- thot’ ajo,
E mohon Shën Pjetri: -“Jo!
As e njoh, as e kam parë,
Moj e marrë!”

Kruspull mbi mangallin mblidhet,
Po djek mjekrën dhe përdridhet;
Se ç’këndon bandill këndezi
Nga qymezi:

“Shkab’ e shkëmb me poz’ e fjalë,
Se ç’na dolle shkrumb e galë,
Në je trim këtu tregoje,
Shko shpëtoje.”

Thot’ajo: -“Je, mos gënje!”
Pjetri e mohon me be:
-“Jo, për Zotin, moj aman,
S’jam e s’jam.”

Kruspull mbi mangallin mblidhet,
Po djek gjuhën dhe përdridhet;
Se ç’këndon bandill këndezi
Nga qymezi:

-“Simon Pjetër, Bar Jona,
Kështu ndahet kjo dynja:
Kryqi andej, këtej buxhaku
Dhe allçaku.

Se ç’ e dogje, se ç’ e fike,
Gjel me gjëmb’ e këng’ armike.
Dhe ndërgjegjen se ç’ ia çpove,
Se ç’ia zgjove.

Se ç’vajton Shën Pjetri hidhur,
Lesh-lëshuar, duar-lidhur,
Tri her’ e mohoj pa gdhirë,
Faqe-nxirë.

Plak Topall Dhe Ashik

Dale, moj, se kam një fjalë,
Se më rjedhin djersët valë;
Dale, moj, se s’jam më djalë
Dhe më s’ecënj dot.

Dale, moj, se më kapite,
Më këpute, më sfilite,
Prite, moj, ashikun, prite
Që të vjen me not.

E arriva dhe ia thashë,
Asnjë gur pa tundur s’lashë,
Dhe mëgjunjazi i rashë,
Ç’u mundova kot.

Hapi gojën, dhe vajtova,
Qenkam plakur, e kuptova,
M’ardhi keq, po s’e mohova,
Syri m’u-përlot.

Dhe nga jeta u mërzita,
Dhe nga lumi u vërvita
Që të vdes, se u korita
Dy-tri herë sot.

Po ti, Zot, më ngushëllove
Pas një tjatre më lëshove,
Dhe nga mbytja më shpëtove,
Lavdi paç, o Zot.

Dale, moj, se kam një fjalë,
Se më rrjedhin djersët valë;
Dale, moj, se jam i çalë
Dhe më s’ecënj dot.

Sofokliu

Sofokliu ishte budalla,
Kur u mplak, edhe Kupidi e la,
Tha: “Shpëtova nga një maskara!”
Goja, pra, iu tha.

Sofokliu nuk e kishte mirë:
Plaku s’ka takat, po ka dëshirë,
Gjalpë s’ka po ka një pus me hirrë,
Furrë dhe trazirë.

Kam Ferid Asllanin si shahit,
Tetëdhjet’ e pesë vjeç ashik:
Amerika, Evropa u-çudit,
Nuse desh kur vdiq!

Flamurin që la e trashëgova,
Nat’ e ditë çupa, gra kërkova,
Se ç’u batërdisa, se ç’u shova,
Se ç’u përvëlova.

Kur të vdes, dhe kur të më mbuloni,
Çupa, gra, në varr mos më vajtoni.
Do t’ju dua prapë, siç më doni.
Dolla! Mos më zgjoni.
Kryqezimi

Po troket çekani
Po kërcet mejdani,
Dor’ e këmb’ i çpon,
Krishtin kryqëson.

Me tërbim goditin
Me gjëmim e ngjitin
Turma ulërin
Nëna blegërin.

Çdo peronë plagë
Përvëlon si flagë
Çurka gjak buron
Fryhet dhe pikon.

Kryqet ngulen, shtisen,
Tallen, qesëndisen;
Sipër Kryqe tre,
Tri Mari për-dhe.
(Dielli-Arkiv)

Filed Under: Histori Tagged With: 6 Janar, dalip greca, noli, Sot Dita e Linjdes

MESAZHET E NJE PROMOVIMI NE VATER

December 30, 2015 by dgreca

“VETVRASJA E NJË KOMBI” U PROMOVUA NË VATËR/
Libri”Vetvrasja e një Kombi” hap një dritare, nga ku mund të shihet se djajt(kolaboracionistët) nuk qenë aq djaj dhe shenjtërit(patriotët & komunistët) , jo aq shenjtër…/
Të Dielën me 13 Dhjetor 2015 Federata Vatra promovoi librin “Vetvrasja e një Kombi” , lënë në dorshkrim nga Kol Bib Mirakaj dhe botuar nga i biri, Lek Mirakaj, anëtar i Këshillit Drejtues të Vatrës.Pjesmarrja ishte më e madhe se herët e tjera, edhe pse mungonin disa anëtarë të Këshillit të Vatrës.
Promovimin e ka hapë dr. Gjon Buçaj, i cili u uroi mirëseardhjen pjesmarrësve dhe më pas tregoi arsyet përse po e promovonte Vatra këtë libër. Ai tha se: Librin “Vetëvrasja e një kombi” Vatra e promovon kryesisht si kontribut për zbardhjen e realitetit të periudhës së Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, e cila është trajtuar në mënyrë të njëanëshme nga historiografia komuniste”. Lexuesi, tha dr. Buçaj, të marri faktet nga libri, për komentet të përdorë mendjen e vet. Më pas dr. Buçaj, solli dëshmi, përjetesa,rrëfime, që dëshmonin karakterin dhe kontributin e Kol Bib Mirakës.(Shih kumtesën e botuar në këtë numër në f.28)
Editori i Diellit,Dalip Greca, ka prezantuar moderatorin e veprimtarisë z. Viktor M. Daragjati, i cili paraqiti botuesin e librit, të birin e autorit , Lek Mirakaj. Anëtari i Kishillit të Vatrës, falenderoi pjesmarrësit dhe Vatrën për organizimin e veprimtarisë promovuese, si një kontribut të rëndësishëm për të hedhur vështrimin mbi ngjarjet e të kaluarës historike duke u nisur nga një qasje e re dhe e ndryshme nga ajo zyrtare. Duke iu përgjigjur pyetjeve të shumta se përse libri nuk erdhi më parë tek lexuesit, Leka tha se për 70 vjet historiografia shqiptare ka përdorë vetëm dy ngjyra; bardh dhe zi. Ai solli si konkretizim shprehejen e prof. dr. Muharren Dizhgiu : “I kemi bërë djaj pa qenë djaj dhe i kemi shpallë shenjtë, pa qenë shenjtë dhe tash jemi të detyruar të qëndrojmë tek ai model që krijuam!”
Në këtë logjikë, botimi dhe promovimi i këtij libri,nuk është asgjë më shumë së sa një përpjekje modeste,si e vlerëson vetë autori,për të hapur një dritare, ku mund të shihet se djajt nuk qenë aq djaj dhe shenjtërit jo aq shenjtër, tha Lek Mirakaj. Po ashtu mund të nxirren mësime,që gabimet që sollën dramën që përjetoi populli shqiptar të mos të përsëriten .Jam i sigurtë, tha ai, se nëse ky libër do ishte botuar kohë më parë,do shihej si blasfemi,si një fyerje që i bëhej Luftës Nacionalçlirimtare,si një mohim dhe denigrim i bashkëpunimit me aleatët e mëdhenj.Dhe duke qenë se ky liber dokumenton realitete që nuk mund të kundërshtohen me fakte dhe argumente,me siguri do ishte bërë e pamundura, që të vërtetat e hidhura, që dokumenton libri të përcilleshin në bodrumet e harresës.
Dokumentimi që i bënë ngjarjeve të kohës autori në librin “Vetvrasja e një Kombi”, demaskon teorinë dhe praktikën komuniste,si dhe rezultateve që ajo demagogji prodhon, ç’ka shqiptarët vazhdojnë t’i vuajnë edhe sot.
Njeriu i ri ose Jeniçeri i ardhshëm i bolshevizimit, siç e quan autori,ka 25 vjet që dominon jetën politiko shoqërore në Shqipëri, ndërsa dëshirën për liri dhe demokraci,për prosperitet dhe përparim të popullit shqiptar ,e ka katandisur në një ëndërr, që shqiptarët e presin, por nuk po e arrijnë dot.
Libri përmes kujtesës dhe dokumentimit nxjerr në dritë faktin se gjatë asaj periudhe, që autori dëshmon, jo vetëm u eksperimentua,po u realizua në praktikë bashkimi i pjesës më të madhe të trojeve shqiptare,në një shtet të vetëm-Shqipëria natyrale, që ishte shumë funksional.Fatkeqsisht politikanët e sotëm nuk janë të gatshëm ta marrin përsipër edhe sikur të krijoheshin kushtet. Në kushtet e pushtimit,qeveritarët e atëhershëm jo vetëm hapën shkollat shqipe në Kosovë,po edhe në Shqipërinë e vjetër ndërtuan 200 shkolla të reja,ndërsa sot në zonat rurale,sidomos në veri të vendit,përqindja e analfabetizmit ka marrë përmasa aq të frikshme,sa të dy palët e politikës i friken së vërtetës dhe i fshehin shifrat e vërteta të kësaj plage me pasoja katastrofike për të ardhmen e kombit.Një e vërtetë tjetër, që evidentohet në libër, është fakti se Shqipëria jo vetëm u braktis në rastin e pushtimit italian,po iu vu në pikëpytje edhe ruajtja e kufijve të 1913 pas mbarimit të luftës. Folësi iu referua dëshmisë që sjell libri për takimin dhe bisedimit të Kol Bibës me majorin anglez Neell, kur Kol Biba i paraqiti anglezve kërkesa e kushte të prera për të bashkëpunuar, ku ruajtaj e pavarësisë dhe e integritetit të Shqipërisë, ishte kusht i panegocueshëm.Ne faqen 195 të librit, autori shkruan: “Majori Neell(tash kolonel i RAFit) ashtë gjallë,burrë me ndërgjegje dhe intelektual.Jam i sigurtë se po të jetë nevoja,do ti dëshmojë fjalë për fjalë këto shënime të mia”.
-Dhe sot,- tha Lek Mirakaj, kam kënaqësinë e veçantë t’ju paraqes dosjen e Ministrisë së Jashtme angleze, në të cilën majori Neell vërteton thelbin e takimit dhe kërkesat e Kol Bib Mirakës.Fakt që vërteton se aleatët nuk garantonin as kërkesat minimale që Shqipria duhet ti kishte të garantuara në mbarim të luftës.Në mbyllje dua të përsëris atë që autori ka theksuar.Ky liber nuk është asgjë më shumë se një dokument, që i lihet historianve të ardhshëm,për t’i ndihmuar në thellimin dhe nxjerrjen e të vërtetave historike të asaj periudhe të mjegullt, edhe për vetë historianët. Eshtë krejt e natyrshme që të ketë edhe ineterpretime të kundërta,po një fakt mbetet i pa ndryshuar.Fakti që nga ajo ndeshje titanësh në luftën e dytë,populli shqiptar kaloi nga një pushtim i huaj në një diktaturë që me të drejtë konsiderohet si pushtimi më i egër që i ka ndodhur ndonjëherë,por që këtë radhë pushtuesit nuk ishin të huaj,por pushtues shqipfolës.
Më pas përmes projektorit për të pranishmit u shfaq në ekran dosja e Ministrisë së Jashtme angleze, në të cilën majori Neell vërteton thelbin e takimit dhe kërkesat e Kol Bib Mirakës. Mesazhin e redaktorit të librit”Vetvrasja e një Kombi” z. Fritz Radovani, me banim në Australi, e lexoi moderatori Viktor M. Daragjati. Mesazhi i Radovanit(publikuar në Dielli online) përfundon : ” Një fakt sot dihet i sigurt: Historia e vertetë do të shkruhet!
Studiuesi Idriz Lamaj, që e mori fjalën në vijim, tha: Librin e Kol Bibë Mirakajt: “Vetrasja e një kombi” e kam lexue me vemendje. Kjo vepër, pa marrë paraysh se çfarë debati mund të ngrejë sot ose nesër, asht me randësi të veçantë historike. Për mendimin tim, kambëngulja e autorit për qendrim të pamshirshëm ndaj rrymës komuniste, dhe kritikat për përçamjen e krenve të nacionalizmit, janë shumë të drejta. Sot mund të kundërshtohet ky mendim, por në qoftë se analizohen në hollësi tmerret që i solli komunizmi kombit tonë dhe damet që sollën përçamjet e krenve të nacionalizmit gjatë asaj periudhe nuk ka si mos të simpatizohet Kolë Bib Mirakaj për shprehjen e mendimeve të tij shkoqun dhe guximshëm në këtë vepër historike me titull tronditës: “VETVRASJA E NJË KOMBI”. Fundi i fundit ai ishte pjesëmarrës i dalluem në ato zhvillime historike-politike dhe i njoftun për sakrificat personale, familjare dhe farefisnore ndaj çeshtjes shqiptare, gjatë asaj përiudhe. Prandaj, mendimet e tij të shprehura burrnisht qendrojnë në çdo kohë.
Më pas Lamaj, përcolli një shkrim të prof. Ernest Koliqit,të shkruar 47 vjet më parë me rastin e vdekjes të Kolë Bibës, që iku në një kohë, siç shkruan Koliqi, “kur mërgata ndiente ma tepër se kurr nevojen për hovin e pashterrshëm të ndiesive patriotike dhe për rysnin e tij njerzore e shoqnore. Mund të thuhet se Vdekja e gjet në kambë, në llogor të qëndresës së ngrehun kundra mohuesave të traditave ma të shëndoshta shqiptare, kundra zotnuesave qi përpiqen me i a tha tharmet jetësore kombit t’onë. Ai, dikur luftar trim e i vaditun në përdorim të pushkës, tashi në megrim zhvillonte nji luftë idenash me armët kalorsiake të ndiesive të zjarrta të veta. Ushqente bindje të patrandun në vërtytet rilindëse të popullit prej shtresave ma gjenuine të cilit ai rridhte. Sipas Koliqit, Kolë Biba jo vetem kreu mbrenda rrethanave qi fati i parashtroi detyren e vet si Shqiptar gjallnik e zemër-ndezun, por u naltësue nëpërmjet flijes së trupit të vet dhe të gjakut farefisnuer, në kambën e atyne atdhetarvet qi fuqizuen rrajën e shqiptarizmit. (“Shejzat”, 1968. Nr. 4-6, fq. 247).
Z. Lamaj, citoi vlerësimin e prof. Rexhep Krasniqi, historian i njohur në kohen e tij dhe Kryetar i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, i cili shkruante ndër të tjera me rastin e vdekjes të Kolë Bibë Mirakajt:
“ …Me 17 Maj ndrroi jetë bashkatdhetari Kolë Bib Mirakaj. Jeta dhe veprat e tij në sherbim të çashtje shqiptare janë të njoftuna prej të gjithve dhe me gjithë anmiqësitë që ka krijue në sheshin politik, të gjithë ata që e kanë njoftë kanë qenë të detyruem me e çmue për burrninë dhe virtytet e tij të nalta, tipike të krahinavet tona malore…”
I përlotur, moderatori Viktor Daragjati, solli fjalët e mbrame të gjyshit të tij Kol Bib Mirakaj: “Fjalët e mbrame të Gjyshit tim të paharrueshëm Kol Bib Mirakaj, janë këto:
“PSE?
– Pse, kur isha zyrtar në Tiranë, në kohën e okupacionit italian, mora në dorë pushkën si vullnetarë, dhe i dola para kërcnimit pushtues Anglo – Serb në Malësinë e Shkodrës, tue rrezikue jetën sëbashku me trimat bujarë të atyne Maleve.
-Pse, kur pata mundësinë me shpëtue Shqiptarët dhe Izraelitët të dënuem me vdekje prej autoriteteve ushtarake, nuk pranova asnji shpërblim prej tyne, as në Shqipni, as në mërgim, por e çmova “shpërblim” ma të madh, kryemjen e detyrës sime humanitare!
-Pse, gjatë kohës në të cillën isha në detyra të ndryshme politike dhe qeveritare, nuk mbajta asnji rrogë per vedi, po ua dhurova të hollat nji konviktit jetimor!”
Nju Jork, 17 Maji 1968.
Kumtesën e studiuesit Lekë Tasi e lexoi anëtari i kryesisë së Vatrës z. Mithat Gashi, ndërsa atë të kryetarit të Shoqatës të Përndjekurëve Demokratë të Tiranës, z. Reshat Kripa, e lexoi editori i Diellit.
Moderatori Viktor Daragjati shfaqi përmes projektorit dokumente, urdhra të lëshuara prefektuarave, dokumente të familjeve të qytetarëve izraelitë, që u shpëtuan nga Kol Bib Mirakaj.
Më pas u bënë diskutime nga salla. Diskutuan Sali Bollati, Nazo Veliu dhe Asllan Bushati, të cilët vlerësuan librin dhe personalitetin e Kol Bib Mirakës.(Korresp. i Diellit)

Filed Under: Analiza Tagged With: dalip greca, MESAZHET E NJE PROMOVIMI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 83
  • 84
  • 85
  • 86
  • 87
  • …
  • 135
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • E vërteta do të vazhdojë të flasë…
  • Luigji Pirandelo njihte gjuhën shqipe, a ishte arbëresh?
  • KRONIKA E KOHËS SË REVOLTËS…
  • A BIG DAY FOR KOSOVA IN THE U.S. CONGRESS
  • “Helmimet në Kosovë 1990-1992”
  • Rikornizimi i Luftës së Trojës: Një luftë e harruar civile pellazge
  • Shqipëria e çudisë letrare…
  • Kursit i mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare “Sevasti Qiriazi” në Katerini, si kontribut atdhetar në mërgatën shqiptare të Greqisë
  • Sounds of Albania…
  • Fuqia e vërtetë…
  • Qyteza dardane në Kodren e Pecës – Kukës
  • Realiteti i përballueshmërisë për amerikanët
  • IL PICCOLO DI TRIESTE (1913) / INTERVISTA EKSKLUZIVE ME PRENK BIB DODËN, PRINCIN E MIRDITËS, MBI DORËZIMIN E SHKODRËS DHE FATIN E ARDHSHËM TË SHQIPËRISË
  • NYC Flag Raising for Albania’s Independence Day – Recognition of our Community’s Contributions and History
  • Data 10 Dhjetor shënon Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT