• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova-Mbahet konferenca “Diaspora – Investimet dhe Punësimi”

May 30, 2016 by dgreca

Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Kosova e lirë dhe e pavarur, angazhime edhe për zhvillim ekonomik – kryeqyteti, Prishtina/

 -Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets: Diaspora mund të luajë një rol shumë të madh duke transmetuar dijen dhe përvojat në vendin e vet. Për zhvillimin e vendit, nuk janë të mjaftueshme remitancat, por nevojiten investimet/

– Në Strategjinë Kombëtare për zhvillim 2016-2021, diaspora është përfshirë në dy shtylla. Diaspora dhe përfaqësuesit e saj, bashkë me partnerët e tyre, kanë potencial për të investuar në Kosovë, u tha në konferencë/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 30 Maj 2016/ Në Prishtinë, sot, mbi 200 investitorë të huaj e vendorë janë bërë bashkë për të investuar në Kosovë, në konferencën “Diaspora – Investimet dhe Punësimi”.

Janë mbi 100 investitorë nga shtetet gjermanofolëse (Gjermani, Zvicër e Austri), dhe mbi 100 biznese vendore, para të cilëve institucionet qendrore e lokale të Kosovës prazantojnë projekte konkrete të investimeve.

Në hapje, kryetari i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Samir Krasniqi, falënderoi shtetin gjerman për mbështetjen e parezervë të kësaj konference. “Mërgata është e fuqishme në diasporë dhe kjo dëshmohet me investimet e suksesshme të bëra në Kosovë”,  u shpreh ai.

Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, theksoi se, “diaspora mund të luajë një rol shumë të madh duke transmetuar dijen dhe përvojat në vendin e vet”, ndërsa shtoi se, “për zhvillimin e vendit, nuk janë të mjaftueshme remitancat, por nevojiten investimet”.

Ministri kosovar i Diasporës, Valon Murati, theksoi se, diaspora sot përbën potencial shumëfish më të madh, jo vetëm financiar, por edhe profesional.

“Për ta lëvizur këtë potencial, Ministria e Diaspores ka filluar dhe po vazhdon me sukses krijimin e lidhjeve brenda diasporës sonë përmes implementimit të projektit të rrjetëzimit. Efektet e këtij rrjetëzimi janë të dyfishta: krijon mundësi për zhvillimin e mëtutjeshëm të bizneseve të diasporës përmes bashëpunimit mes tyre, si dhe përmes projekteve të përbashëkta midis nesh krijon mundësinë për zhvillimin  e tyre  dhe të vendit. Gjithashtu, në Strategjinë Kombëtare për zhvillim 2016-2021, diaspora është përfshirë në dy shtylla: njëra ka të bëjë me kapitalin njerëzor dhe tjetra merret me industritë konkurruese, potenciali investues i diasporës sonë dhe mundësia që ajo të shërbejë si konsumatore e shërbimeve dhe e prodhimeve të Kosovës“, tha ministri Murati.

Ministrja e Tregtisë e Industrisë, Hykmete Bajrami, tha se Qeveria e Kosovës ka punuar me vendosmëri për zbatimin e reformave, sidomos në sferën e investimeve.

“Në këtë drejtim është përmirësuar legjislacioni, politikat fiskale,  si dhe janë mënjanuar shumë barriera për lehtësimin e bizneseve. I inkurajomë bizneset që të mos rreshtin me kërkesat e tyre, kritikat e tyre karshi institucioneve,  sepse vetëm kështu e bëjmë Kosovën më të mirë”, tha ajo.

Afaristi i suksesshëm nga Gjermania, njëherësh kryetari i Unionit të Bizneseve  Shqiptare në Gjermani, Nazmi Viqa, paraqiti edhe kërkesa konkrete për Qeverinë e Kosovës.  “Diaspora dhe përfaqësuesit e saj, bashkë me partnerët e tyre, kanë potencial për të investuar në Kosovë, për t’i ngritur kapacitetet për zhvillimin ekonomik të bizneseve. Unioni i Bizneseve i ka disa propozime, ndër to të ketë siguri juridike, stimulime  dhe infrastruktura e klima për investime të jetë serioze”, theksoi Viqa.

Arban Abrashi, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, tha se diaspora e Kosovës ka një rëndësi të veçantë jo vetëm për zhvillimin ekonomik përmes investimeve , por edhe përmirësimit të imazhit  të vendit  jashtë. “Qëllimi i kësaj konference është të krijohen lehtësi për investimet në diasporë, si dhe ato të përfitojnë nga fuqia  punëtore”, bëri të ditur ai.

Konferenca vazhdon punimet gjatë tërë ditës me prezentimet rreth mundësive për investime, ndërsa nga pjesëmarrësit u theksua se brenda një viti Kosova nga diaspora pranon 600 deri 700 milionë euro.

Nesër, në kuadër të këtij organizimi, kompani nga Kosova, rajoni dhe tre shtetet gjermanofolëse do të mbajnë edhe Panairin e Punës, për të cilin tashmë janë paralajmëruar se do të ketë mbi 900 vende të lira.

Ky organizim, i pari i përmasave të tilla në Kosovë, bëhet nga Oda Ekonomike Gjermano Kosovare, mbështetur nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), Qendra Informative Gjermane për Migracion, Arsim dhe Karrierë (DIMAK) dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrinë e Diasporës, Agjencinë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Programin Global për Migrim dhe Zhvillim (PME), Qendrën për Migrim Ndërkombëtar dhe Zhvillim (CIM) dhe për herë të parë në Kosovë me konkurse të hapura do të marrë pjesë edhe Agjencioni Federal për Punë (ZAV).

Pos prezantimit të projekteve për investime, në konferencë do të debatohet edhe për mundësitë që ofron legjislatura e re në Gjermani, si shansë reale e punësimit të qytetarëve të Kosovës në këtë shtet, por edhe për specifika të veçanta për çështje që ndërlidhen dikert me avansimin dhe përgatitjen profesionale të të rinjëve kosovarë.

Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë u numëran 1.739. 825  banorë rezidentë, por, numri  është më i madh, meqë nuk ka përfshirë edhe një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.

Filed Under: Mergata Tagged With: diaspora, investime, Konference, kosova

DIASPORA- Mësimi i shqipes në Greqi

March 9, 2016 by dgreca

Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi hapi një tjetër shkollë të gjuhës shqipe në qytetin e Artemisës, në zonën e Atikës në Greqi.
Në Ditën e 7 Marsit, Federata tha se, shkolla ishte kontribut i mësuesve të komunitetit të emigrantëve shqiptarë që jetojnë në këtë zonë. “Është detyrim i të gjithëve ,u shpreh Kryetari i Federatës Edmond Guri, të përpiqemi për hapjen e sa më shumë kurseve të mësimit të gjuhës shqipe dhe të ruajmë identitetin kombëtar shqiptar “. Disa kurse të mësimit të shqipes funksionojnë prej 15 vitesh në disa qytete të Greqisë, ndërkohë që nevojat e fëmijëve të komunitetit të emigrantëve shqiptarë për të ruajtur gjuhën amtare janë të mëdha. Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi dhe organizata të tjera kanë shprehur nevojën e mbështetjes me tekste mësimore dhe bazë materiale nga Ministria shqiptare e Arsimit. Në qytetin e Selanikut, Shoqata Nënë Tereza organizoi një ceremoni festive me prindër dhe fëmijë për 7 Marsin. Mësuesit e gjuhës shqipe u kërkojnë autoriteteve shqiptare që të kthejnë vëmendjen nga mbështetja e këtij komuniteti. Kriza ekonomike në Greqi e ka vënë në vështirësi komunitetin e emigrantëve shqiptarë që emigroi në këtë vend pas viteve nëntëdhjetë. Brezi i parë i fëmijëve të emigrantëve shqiptare është përballur me sfidën e ruajtjes dhe mësimit të gjuhës shqipe. Ndonëse nuk ka të dhëna zyrtare, vlerësohet se në dhjetëra kurse të mësimit të shqipes të hapura ne Greqi nga vetë komunitetet e shqiptarëve mësojnë çdo vit rreth 1500 fëmijë shqiptarë. Gjithsesi duhet të na shqetësojë numuri i pakët i fëmijëve shqiptarë që mësojnë shqip në Greqi, pasi këtu ndodhet shumica e emigrantëve shqiptarë mbas viteve ’90, ndërkohë që afërsia me fqinjin jugor, favorizon transportin e teksteve me cdo mjet e rrugë, s’është njëlloj si të cosh një abetare në SHBA dhe në Greqi.

Filed Under: Mergata Tagged With: diaspora, Mësimi i shqipes, ne Greqi

KRIJUESIT E DIASPORES SHQIPTARE NE SHBA

February 18, 2016 by dgreca

Bashkëbisedim me shkrimtarin shqiptaro-amerikan Pierre-Pandeli Simsia me banim në Nju Jork në studion e Televizionit ILIRËT, Chicago/

*“Mbetet enigmë e paspjegueshme, furnizimi me libra në pikat e ndryshme të shitjes së librit jashtë Shqipërisë në Spanjë, në Gjermani… dhe që shiten në euro me dyfishin e çmimit përkatës pa lejen dhe të drejtën e autorit!/

*Mendoj se tani duhet ndjekur rruga ligjore, sepse është cënuar e drejta e autorit (copyright) për të cilën mbahen edhe përgjegjësitë penale. /

– Zoti Simsia, mirseerdhët në studion e televizionit ILIRËT.

– Mirsejugjeta zoti Borova. Ju faleminderit për ftesën që më  bëtë. Falenderoj televizionin ILIRËT, producentin Gëzim Muhaj. Është nder, kënaqësi dhe privilegj të ndodhem këtu mes jush.

-Edhe ne ju falenderojmë që morët mundimin të vinit nga Nju Jorku i largët.

– Zoti Simsia, më parë se të kalojmë tek krijimtaria juaj letrare, është kënaqësia ime dhe e teleshikusit, të dijmë nga vini, çfarë keni studiuar, dhe pastaj do kalojmë tek librat që ju keni botuar në emigracion.

– Unë jam lindur dhe rritur në qytetin e lashtë, në Berat, familje autoktone qytetare beratase. Kam jetuar në Berat deri në moshën tridhjetë vjeçare. Jam diplomuar për ekonomi finacë, por, letërsia dhe muzika, kanë qenë të ngulitura në shpirtin tim, ushqimi shpirtëror që më kanë shoqëruar gjithë jetën time, pa të cilat, nuk mund të jetoj…

– Ju thoni, që keni lindur në Berat. Nuk ka mundësi,  që një qytet si Berati,  të mos ju ketë dhënë atë frymëzim, atë shtytjen e parë për të shkruar diçka. Mund të na flisni pak, ju lutem?

– Është fat i madh të lindesh dhe të rritesh në Berat. Është fat i madh të quhesh beratas. Është nder dhe krenari për cilindo qytetar ta prezantojë Beratin, sepse, Berati njihet për kulturën e tij të lashtë sa ç’është vetë mosha e tij gati 2500 vjeçar. Por, në rininë time, Berati ka patur një jetë të pasur kulturore artistike letrare, madje, të larmishme.

Berati ka patur lidhjen e shkrimtarëve, Berati ka patur estradën profesioniste, Berati ka patur teatrin profesionist, berati ka patur orkestrën simfonike, bandën e qytetit, grupin karakteristik me këngët qytetare beratase, berati ka patur ansamblin e valleve popullore, Berati ka patur poetë, shkrimtarë, aktorë, regjisorë, muzikantë të talentuar dhe të suksesshëm… Pra, jeta letrare kulturore në Berat ka qenë shumë aktive…

– Ju sapo thatë, se letërsinë e keni ushqim shpirtëror. Cili ka qenë krijimi juaj i parë?

– Meqenëse më përmende fëmijërinë, më parë së të përgjigjem për krijimin tim të parë, dua të them se, letërsia lind tek njeriu, por është edhe një shtysë nga familja.

Përshembull, në në  familjen tonë jemi marrë me letërsi. Unë kur shikoja motrat, prindërit e mi, sidomos babin e ndjerë që lexonte shumë, edhe unë kisha njëfarë “xhelozie”. Pra, vetvetiu më lindte edhe mua dëshira për të lexuar. Ne në shtëpinë tonë kemi patur një bibliotekë shumë të pasur me librat e kohës, gjë që më nxiste edhe mua të lexoja. Sa për pyetjen tuaj për krijimin tim të aprë, unë kam qenë një nxënës që vlerësohesha me notën maksimale në  shkollë. Në shkollën tetvjeçare nuk mund të them se kam shkruar vjersha, por, hartimet në shkollë në atë kohë, kanë qenë edhe krijimtaritë e mija letrare të para. Në shkollën tetvjeçare, ne kemi patur këndin e letrarit të ri, ku mësuesi i gjuhë-leximit në atë kohë, përzgjidhte krijimet letrare më të mira dhe i vendoste në këndin e letrarit të ri. Pra, përzgjedhja e krijimtarisë letrare ishte edhe një nxitje. Si gjithmonë, nuk mund të ri pa përmendur dy mësueset e mija të mrekullueshme të lëndës gjuhë letërsi: Parashqevi Sahatçi, Lira Zaka, Elpiniqi Papa dhe Zyma Berisha nga Kosova, të cilat i përshëndes me dashuri dhe respektin më të madh.

-Dhe menjëherë, pas viteve 90-të, si shumica e të gjithë shqiptarëve në atë kohë edhe ju emigruat. Ju, kaluat direkt në SH.B.A. apo në ndonjë shtet tjetër?

– Unë jam larguar nga Berati, nga Shqipëria, më 2 prill, 1991 për në Greqi. Atje u vendosa në Athinë. Sigurisht, si çdo fillim i vështirë me një vend, me një jetë krejtësisht të panjohur, me një sistem krejt ndryshe nga ai që ishim rritur ne dhe që e lamë pas, edhe pse letërsinë e kisha në shpirt, në gjak, nuk mund të shkruaja.Në atë kohë, në Athinë dilte gazeta EGNATIA, një tribunë e shkëlqyer shqiptare për të gjithë emigrantët shqiptarë. Unë atje në fillim u njoha me shkrimtarin Albert Zholi.Por, dua të përmend shkrimtarin Kolec Traboini, i cili në fshehtësi të madhe, në kushtet e tmerrshme, me frikën e madhe, sepse ishta koha kur policia greke zhvillonte operacionin FSHESA dhe ata njerëz të nderuar, i gjithë stafi që punonte për atë gazetë, u munduan të nxirrnin atë tribunë shqiptare. Edhe unë u aktivizova me publicistikë. Shkrimet e mija ia jepja Albert Zholit, meqenëse kishte kontakte më të shpeshta dhe nëpërmjet tij, botoheshin në gazetë.

– Le të kalojmë pak tek letërsia e mirëfilltë në emigracion, sepse edhe qellimi i këtij emisioni ky është. A botuat libër në Greqi, tregime, poezi…?

– Në Greqi nuk botova tregime, por, po i rikthehem edhe njëherë viteve të shkollës së mesme. Unë shkruaja vjersha në ato vite, madje disa prej tyre janë bërë edhe këngë nga kompozitorët: Teki Luari, Asqeri Kadëna dhe Fatmir Agalliu.

Në Athinë, tregimet që shkruaja në fletore i mbaja në sirtarë, në shtëpi. Por nuk mund ti botoja edhe pr arsye të kushteve ekonomike.

Pas gjashtë vjet qendrimi në Athinë, në korrik të vitit 1997, familjarisht, unë, bashkëshortja dhe dy djemtë tanë dy dhe katër vjeçë, emigruam si fitues të llotarisë amerikane për të qenë banor i përhershëm i Amerikës. në Sh.B.A. në Nju Jork, ku vazhdojmë të jetojmë edhe sot.

Atëhere, le të kalojmë tek botimi juaj i parë, që është përmbledhja me tregime: “Le të jem unë Zamira…” Nga e marrin jetën tregimet, mund të na flisni ju lutem?

Para se të botoja vëllimin me tregimie “Le të jem unë Zamira…” siç të thash, kisha shkruar në fletore tregime dhe i mbaja në sirtar për të pritur ditën e botimit. Por, kur erdha në Nju Jork, u njoha me miq dhe shokë të rinj edhe nëpërmjet gruplistave të ndryshme ku shkëmbenim mendime të ndryshme me njëri tjetrin. madje fillova të shpërndaja disa nga ato tregime në ato gruplistat e ndryshme. Miku im, në atë kohë, virtual, shkrimtari Petraq Pali që jeton në Virginia, më informon se në Sh. B.A. është krijuar Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.

Petraq Pali, që në atë kohë ka qenë sekretar i shoqatës më sugjeron që të anëtarësohem në shoqatë. Por, sipas rregullit të shoqatës, për t’u anëtarësuar, duhet të paktën të kesh botuar një libër letrar. Pra, mua më duhej që të botoja libër për t’u anëtarësuar. Ky libër “Le të jem unë Zamira…” është botuar në vitin 2005 nga Shtëpia Botuese ARBËRIA, por jo se unë këto tregime i kam shkruar në vitin 2005. Le të jem unë Zamira… është titulli i një prej tregimeve në libër nga i cili e ka marrë edhe titullin.

Zamira pagon haraçin e njohjeve të moshës. Një dashuri e rastit, i prishi komplet jetën e saj të ardhme sipas konceptit të asaj kohe.

Në libër janë edhe tregime të tjera si: “Mëkati” “Në kërkim të varrit”, “Arturi”. “1 Prilli”, “E vërteta”…

Tregimi “1 prilli”, për vetë titullin që ka, është një tregim humoristik. Ndërsa po të përqendrohem tek tregimi “Arturi”, është një jalë i ri që ëndëron Amerikën dhe pas shumë peripecive në Evropë, arrin ta prekë ëndrrën amerikane dhe vjen në Nju Jork, i cili, në fillim nuk gjen Amerikën e ëndrrave. Por, shumë shpejt amerikanizohet me jetën, madje edhe libersalizohet sipas jetës që bëhet këtu.

Nëse lexuesi do ketë në dorë këtë libër, çfarë mesazhi iu transmetoni ju nëpërmjet tregimeve tuaja?

Po të lexohen tregimet e ndryshme të këtij vëllimi, përshembull, lexuesi do njihet edhe me vështirësitë e jetës së paimagjinueshme që kemi jetuar.

Sot, është e pakonceptueshme, është qeharake, jo vetëm për ne që e kemi jetuar atë kohë, por  edhe për fëmnijët tanë, brezat e ardhshëm, vetë amerikanët nuk e besojnë, se si një familje shqiptare i takonte të shpenzonte vetëm 100 gram kafe në muaj. Ose një rast tjetër; është tepër e dhimbshme, kur një fëmij i sapolindur që i vdes mamaja në lindje e sipër, gjyshi i djalit, mes lutjeve i përlotur kërkon sheqer për ti bërë foshnjes sherbet, meqenëse nuk ka qumësht. Dhe të mendojmë, se edhe sheqeri në atë kohë ishte i racionuar me tollona për familje.

Mesazhin që unë i jap lexuesit sipas pyetjes suaj, është, që ne duhet të kthejmë kokën pas nga e kaluara jonë. Nëse brezi i sotëm rritet mes shumë të mirave, duke lexuar këtë libër, mëson edhe për jetën e vështirë që kanë kaluar prindërit e tyre.

Por nëse një  i ri që është lindur dhe rritur në Amerikë  dhe i bie në dorë libri “Le të jem unë Zamira…” mendon se do emocionohet?

Unë sapo iu përgjigja edhe kësaj pyetje, por, në tregimet në libër ka shumë dhimbje. Më lejo të them edhe diçka; unë shkruaj vetëm me imagjinatën time, por që imagjinata ka lidhje me jetën reale. Nuk më pëlqen të shkruaj një histori të dëgjuar apo edhe një ngjarje të jetuar vetë. Pra, e ripërsëris edhe njëherë, unë gjithmonë shkruaj me imagjinatën time, por që ka lidhje me jetën reale.

Po të jap një  fakt në lidhje me përgjigjen e pyetjes tënde. Kur ky libër u promovua në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Tiranë, një pjesëmarrës, që unë nuk e njihja fare, pasi mbaroi promovimi dhe ne po bisedonim me miq e shokë, vjen dhe më përqafon dhe më tha: “Të lumtë, 70% në libër jam unë…” Ndërsa një i ri që është lindur dhe rritur në Amerikë, siç më pyete, konceptin e personazheve Aureli dhe Lorenci, do e quaj qesharake, sepse është më se normale…

Le të kalojmë në një tjetër botim, romani “Një dashuri e vrarë” i cili është vlerësuar me çmimin “Pena e Artë” në konkursin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.

Një dashuri e vrarë. Që nga titulli, të fut në një gjendje që diçka është shuar që nuk jeton më…

Romani “Një dashuri e vrarë” është botuar pas vëllimit me tregime “Le të jem unë Zamira…” nga e njëjta shtëpi botuese “Arbëria” në Tiranë. Është ribotuar dhe pritet të ribotohet prap. Kjo tregon se është mirëpritur nga lexuesi dhe nga kritika letrare. Madje një pjesë e mirë e lexuesve janë shprehur se ky libër duhet të bëhet film, sepse nuk ka nevojë fare për ndërhyrje; skenari, pothuajse është i gatshëm.

Para 25 viteve, unë kur jam larguar nga Shqipëria, kam patur dy brenga, dy pengje, në veten time. Janë ato plagë, që edhe sot vazhdojnë të pikojnë dhimbje; pra, janë prostitucioni dhe gjakmarrja. Gjakmarrja ka qenë një plagë e vjetër e dhimbshme dhe, pas viteve 90-të, nëse ajo plagë kishte filluar koren e saj, korja e saj u gërvish dhimbshëm. Prandaj them se ajo plagë vazhdon të pikojë dhimbje. Ndërsa plaga tjetër që iu hap shoqërisë shqiptare pas viteve 90-të, është prostitucioni, trafikimi i vajzave të pafajshme për qellime përfitimi. Dhe unë këtë plagën e dytë, jam munduar ta pasqyroj në romanin “Një dashuri e vrarë”

Pra,  një plagë, që edhe sot e kësaj dite, siç u shprehe edhe ti shumë bukur, vazhdon të pikojë dhimbje.

Kanë kaluar 25 vite dhe e ripërsëris, kjo plagë e rëndë vazhdon të pikojë dhimbje. Por, më i dhimbshëm është fakti, se të gjitha këto zhvillohen në hundën e shtetit shqiptar.

Çdo vajzë e re apo djalë i ri sot kërkon të largohet nga Shqipëria për të studiuar jashtë shtetit, apo edhe për një jetë mëse normale.

Mendoj se ky libër është domethënës, sepse, jo çdokush janë Dorina. Dorina është personazhi kryesor në libër, është ajo vajza e re 17 vjeçare e pafajshme që ëndëronte një jetë të re, të bukur, një të ardhme me perspektivë. Por, e zhgënjyer nga i dashuri i saj, Saimiri, i cili i premtoi jetën e lumtur, jetën e ëndëruar jashtë Shqipërisë. Por, kur të dy me Saimirin mbëritën në tokën e huaj dhe menjëherë mësoi se ajo nuk ishte e fejuara e tij, por ishte gjuetia e radhës që kishte rrënë pre e një grupi të poshtër prostitucioni, ajo mendoi që, më mirë të sakrifikojë jetën e saj, sesa të ushtrojë atë profesion të ndyrë. Nuk janë të gjithë vajzat shqiptare prostituta, ashtu siç mund ti mendojë Evropa hipokrite. Mund të them se jam ndër të paktët që e përmend fjalën Evropa hipokrite në krijimtari letrare.

Po të jetonit në Shqipëri, do ta kishit shkruar këtë libër?

Po!

Me të njëjtat parametra që e keni shkruar në emigracion? Apo kur jeton në një vend si Sh. B. A. ti e ndjen më thellë atë plagë që e miundon vendin tonë?

Unë ju thash, kam 25 vite larguar nga Shqipëria dhe jetën atje e njoh nëpërmjet internetit, nëpërmjet lajmeve. Nëse do isha në Shqipëri, unë ndoshta do ta shkruaja edhe më dhimbshëm, sepse do ta jetoja më nga afër, megjithëse edhe në këtë libër, mendoj se është pasqyruar bukur dhimbja.

Nga romani “Një dashuri e vrarë” ju kaloni në një vëllim tjetër me tregime, të titulluar “KAFEJA”

Unë ju thash që në fletore kisha shkruar tregime të ndryshme që prisnin dritën e botimit, madje ju thash që nuk më pëlqen të shkruaj një ngjarje të jetuar apo të dëgjuar, por vetëm me imagjinatën time. Por, po ua them; i vetmi tregim, pothaujse 100% personal është tregimi Kafeja, titullin e të cilit e mban edhe ky vëllim me tregime.

Pra, në këtë vëllim, po të lexojmë tregimin Kafeja, jeni ju.

Po! Ishte si një “detyrim” ndaj jetës sime, ndaj prindërve të mi të ndjerë, ishte pengu i madh në jetën time…

Mos vazhdo më tej; le t’ia lëmë lexuesit. Përveç tregimit Kafeja, në tregimet e tjera, nga i merrni temat? Janë tema që i keni marrë në emigracion, apo janë tema të marra nga Shqipëria?

Në vëllim me tregime, janë edhe tregimet e tjerë: “Ridi”, ‘Çanta e panjohur’ “Pas festimit të Shën Valentinit”, “Diploma universitare”, “Gazetari”…

Janë tema edhe nga emigracioni edhe nga Shqipëria. Unë kam shpërndarë disa prej tyre në rrjetet e ndryshme sociale. Përshembull, tregimin “Ridi” është një tregim i dhimbshëm, ku, për fatin e tij të keq, nuk i shpëton kthetrave të vdekjes së mallkuar, sepse prindërit e tij nuk kanë mundësi financiare për ta dërguar jashtë shtetit për kurim… Ose tregimi “Diploma universitare” kam trajtuar temën e blerjes së diplomave nga studentë të ndryshëm me një shumë të majme dollarësh, vetëm e vetëm për të patur atë diplomë universitare online, e cila vetëm në Shqipëri mund ta kishte derën e hapur për të gjetur vend pune.

Zoti Simsia! Pse ju pikërisht i përmbaheni temave nga vendi ynë dhe nuk trajtoni temat që shqetësojnë familjet shqiptare këtu.

Unë kam trajtuar edhe temat e shqiptare këtu, madje në romanin tim të fundit: “Nuse në derën e hasmit ” i kam trajtuar gjerësisht. Por, nëse ke qenë i vëmendshëm në shtypin shqiptar “DIELLI” dhe “LLLYRIA”që botohet këtu në Sh.B.A. janë botuar dy tregimet e mija me temën amerikane dhe shqiptaro-amerikane. Por, për ta plotësuar pyetjen tuaj, po ua them se, së shpejti do keni në dorë një roman me këtë temë që cituat ju.

Më pas, ju  dilni përpara lexuesit me një libër tjetër voluminoz: “FALEMINDERIT Shënime nëpër vite” ku janë përmbledhur publicistikë, reportazhe, recensione librash, esse, bashkbisedime… pse kaluat për botim nga letërsia e mirëfilltë tek një libër voluminoz, që ju e keni titulluar me titullin e mësipërm?

U botua ky libër voluminoz, sepse unë shkruaj edhe publicistikë, edhe esse, edhe recensione librash… dhe mendova që të gjitha ato çfarë kisha shkruar nga gjinitë e ndryshme letrare ti përmblidhja në një libër të vetëm. Madje, në këtë libër janë përmbledhur gjysma e kësaj krijitarie; gjysma tjetër do përmblidhet në një vëllim tjetër, sigurisht, që edhe do botohet.

Pra, të gjitha këto përmbledhje janë shkruar në emigracion këtu në Amerikë?

Po! E gjithë përmbledhja në këtë libër është nga emigracioni. madje janë përmbledhur edhe biografia artistike e disa këngëtarëve që unë i kam njohur nëpërmjet ekranit të televizorit si teleshikues në vite të ndryshme. Përshembull, unë kam shkruar: “Lindita Theodhori në udhën e bukur të këngës” kam shkruar për këngëtarë të tjrë si: Alida Hisku, Kozma Dushi, Tonin Tërshana, Frederik Ndoci, Ema Qazimi, Luan Zhegu, Ludmilla Baballëku, Eduard Jubani,Liliana Kondakçi…

Unë kam shumë libra që edhe m’i kanë dhuruar autorë të ndryshëm këtu në Amerikë dhe, sigurisht, ata libra që më kanë tërhequr kam shkruar mendimin tim në formë recensioni. Pra janë përmbledhur recensione librash.

Çuditërisht, hap rastësisht librin dhe lexoj: Në Chicago, në promovimin e dy librave të autores Diana Seitaj. Sinqerisht e them, e hapa rastësisht. Nëse një lexues e merr në dorë këtë libër voluminoz, çfarë do gjej këtu? Pra, a do ketë durim për ta përfunduar së lexuari? Ku është ajo që ju i ofroni bashkatdhetarëve tanë?

Unë kam qenë pjesëmarrës në shumë aktivitete të ndryshme të larmishme letrare kulturore artistike, madje edhe politike në shtete të ndryshme të Amerikës.

Durimi i lexuesit për të përfunduar një libër, varet, nëse ai libër është tërheqës apo jo. Ti, rastësisht, hape një fletë libri dhe lexove titullin e një reportazhi nga promovimi i librave të autores Diana Seitaj në Chicago. Si ky reportazhi kaq i bukur, kaq mbresëlënës që ju e dini edhe vetë, sepse keni qenë pjesëmarrës dhe drejtues, madje. Por, unë, siç e thash edhe më sipër, kam qenë pjesëmarrës në shumë aktivitete të ndryshme të larmishme. pra, një lexues nëpërmjet reportazheve do njihet me jetën letrare kulturore që zhvillojnë shqiptarët në shtete të ndryshme në Amerikë.

A ka gjë më të bukur, kur lexuesi npërmjet reportazheve që unë kam pasqyruar në libër njihet edhe me aktivitetet e ndryshme që zhvillohen në Amerikë? Ceremonia e përvitshme e ngritjes së Flamurit Shqiptar në sheshin Bowllin Green pranë Bashkisë së Nju Jork-ut, organizuar nga Akademia e Shkencave Shqiptaro-Amerikane dhe ku Flamuri ynë Kombëtar valvitet shtatë ditë rresht përkrah Flamurit Amerikan. Dhe shumë aktivitete të ndryshme…

Pra, këto nuk janë të marra shabllon, por ka punuar edhe pena juaj duke i dhënë edhe ngjyrat një aktiviteti.

Po ju jap shembull aktivitetin e përvitshëm “Ditët e Letërsisë Shqipe në Michigan” që zhvillohet nën kujdesin e zotit Pjetër Jaku. Pra, ai aktivitet është një vlerë për komunitetin tonë, ashtu siç është vlerë edhe aktiviteti tjetër i rëndësishëm i përvitshëm “Festivali Folklorik” që zhvillohet në Nju Jork organizuar nga Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës”.

Por, unë duke qenë pjesëmarrës për disa vite, duke e jetuar nga afër atë aktivitet, madje kam qenë për gjashtë vite anëtar jurie, si mund të rija unë pa e pasqyruar ato aktivitete kaq të bukura, kaq të larmishme, festa e letërsisë…

Pra, ky libër, sjell atë çfarë kanë bërë shqiptarët në Sh.B.A.

Po! ky është edhe mesazhi që unë i jap lexuesit nëpërmjet kësaj përmbledhje voluminoze; të njihet me jetën kulturore letrare artistike, të njihet me ata shkrimtarë, librat e të cilëve nuk i kanë lexuar…

Në këtë bashkbisedim, nuk do lëmë pa përmendur edhe një libër tjetër monografik që ju keni botuar: “Dr. Selahedin Velaj, Legjenda Vlonjate në Amerikë”

Dr. Selahedin Velaj nuk jeton më, u nda nga jeta në janar të vitit 2015. Unë personalisht, nuk e njihja, këtu në Amerikë u njoha me emrin e tij dhe veprimtaritë e shumta që ai zhvillonte në shërbim të komunitetit, në shërbim të çështjes shqiptare, në shërbim të mbarë Kombit Shqiptar. Bashkatdhetarë të shumtë flisnin me admirim dhe respekt të veçantë për atë njeri. Kishte mbi 70 vjetë që kishte ardhur në Sh.B.A. dhe gjuhën shqipe e fliste dhe e shkruante në mënyrë të shjkëlqyer. Tek ai njeri, unë konstatova një atdhetar të jashtzakonshëm. Para pak vitesh, Dr. Velaj, siç e thërrisnim ne të gjithë, kaloi një ngjarje të dhimbshme në jetën e tij; papritur, i vdes djali i tij me profesionin mjek. Por prap, me gjithë dhimbjen e madhe në shpirt, ai çështjen kombëtare e kishte në plan të parë. Në moshën e tij 90-të vjeçare, Dr. Selahedin Velaj na mblodhi ne një grup intelektualë bashkatdhetarë në Nju Jork, ku, pas diskutimeve të ndryshme, dolëm me një peticion, të cilin ia drejtuam Parlamentit Evropian, Parlamentit Shqiptar, Qeverisë Shqiptare, për mosfaljen e një pjesë të detit tonë Greqisë, tema e diskutuar e asaj kohe. Gjatë gjithë jetës së tij, ai kishte zgjedhur të heshtte, por nuk hesht puna e tij, nuk heshtin dokumentat në arshivat e Vatrës.

Ne sot, shohim dhe lexojmë që shumë njerëz i bëjnë propagandë vetes, punës së tyre për interesat dhe qellimet e tyre personale si me hapjen e shkollave shqipe, etj. etj.

Gjatë gjithë jetës së tij, Dr. Selahedin Velaj hapi tre herë shkollat shqipe, madje edhe duke ndihmuar financiarisht, por asnjëherë nuk e ngriti zërin për ato që bënte. Mua këto të gjitha, m’i kanë thënë dëshmitarët okularë që e kanë njohur nga afër Dr. Velaj. Madje, në fund të librit, unë kam bashkangjitur edhe mendimet e disa bashkatdhetarëve që kanë njohur nga afër veprimtaritë e tij të shumta.

Ky libër pati sukses. Promovimi i tij u bë në Vlorë, nga e ka edhe origjinën, në bibliotekën publike “Shevqet Musaraj”

Tani të kalojmë në botimin tuaj të fundit, romani “Nuse në derën e hasmit” Po ta mendosh pak librin, hasmi, nuk besoj se do të pranoj nuse në derë, sepse është hasëm. Nga e merr temën ky libër?

Tema në libër është, gjakmarrja. Pra, është ajo brenga ime e dytë që unë doja ti trajtoja, plaga e shoqërisë së sotme shqiptare që, bashkë me prostitucionin, ende vazhdojnë të pikojnë dhimbje.

Vetë titulli i librit të bën të mendosh se si janë trajtuar ngjarjet dhe se si do jetë përfundimi.

Unë jam autori dhe nuk më lejohet të flas për librin, sepse, është lexuesi ai që jep vlerësimin e tij, pozitiv apo negativ qoftë.

Përse pikërisht këtë titull “Nuse në derën e hasmit”?

Ishte thjesht imagjinata ime se si unë duhet të trajtoja fenomenin e gjakmarrjes. Gjakmarrja është një fenomen i njohur. Shumë kanë shkruar për gjakmarrjen, por, çdo krijues, çdo shkrimtar (unë nuk e rendis veten time në shkrimtar, unë them jam krijues letrar) ka metodën e tij në trajtimin e ngjarjeve. Edhe unë e mendova kështu siç edhe e kam shkruar në libër. Ngjarjet i kam vendosur, fillimisht në Nju Jork, pastaj deri në mbyllje të librit, ngjarja zhvendoset në Shqipëri.

Në kopertinën e librit prapa është një fragment i shkëputur nga libri. Hasmi është besimtar tek Zoti; shkon në kishë, falet, prek ikonat e shenjta si për të marrë bekimin e tyre dhe, është po e njëjta dorë që shkrep armën vrastare për të marrë jetë njeriu të pafajshëm. Madje, vite të shkuara, unë këtë fenomen e kam trajtuar edhe në shtyp kur Kosova dhe populli i saj ishin në luftë. Faktikisht, kriminelët serbë i përkasin fesë ortodokse dhe, sipas fesë, kryqi bëhet me tre gishtat e dorës që presupozon trininë e shenjtë. Por, si mund të pretendosh ti se je besimtar në Zot, kur, e njëjta dorë vrastare, të njëjtat gishta që bëjnë kryqin, shkrepin edhe armën ndaj një popullsie të pafajshme shqiptare, siç ishte populli i Kosovës…

Botimi i romani “Nuse në derën e hasmit” u mundësua nga Shtëpia Botuese TOENA dhe promovimi i tij u bë në sallën e Ministrisë së Kulturës në Tiranë.

Si mund të bëhet e mundur, që një ditë edhe këtu në Sh.B.A. lexuesi mund të gjejë për ta blerë këtë libër, meqenëse thatë se libri gjendet vetëm në Shqipëri në të gjitha pikat e shitjes me të cilët TOENA ka marrëveshje.

Unë nuk kam ndonjë ide se si mund të bëhet shitja edhe këtu në Amerikë, por, më nxorre vetë në shteg për atë shqetësim të madh që unë kam. Nëse kërkon në google emrin tim Pierre-pandeli Simsia shkruani edhe titullin e romanit Nuse në derën e hasmit, do të shikoni se ky libër shitet në shtete të ndryshme në Evropë, në Spanjë, Gjermani… pa dijeninë time që jam autori dhe pa të drejtën e autorit. Madje shitja bëhet me një çmim të majmë që variojnë nga 18-20 euro libri.

Më fal, por këto kopje libri si kanë rënë në ato pika shitje në Evropë?

Pikërisht! Kjo është shqetësimi dhe enigma që unë mbaj në veten time; kush i furnizon këto pika shitjesh me libra në Evropë të shesin librat me dyfishin e çmimit ekzistues? Edhe ku? Në Gjermani, në Spanjë… Nëse ky libër çmimin e shitjes e ka 10 dollarë, në këto shtete që po të them unë, shitet me 18-20-30 e më shumë euro. Pra dy, trefish e gjysëm me çmimin e shitjes në dollarë.

Ky është një problem shqetësues që unë do ta trajtoj edhe me autorë të tjerë. por, më çudit fakti që, nëse ju keni botuar një libër me një numër kjopjesh të caktuara, kush i furnizon ato pika shitjesh në Evropë.

Unë vitin e kaluar kontaktova edhe me Shtëpinë Botuese TOENA, madje, kjo ishte edhe qellimi i ikjes sime i paparashikuar në Shqipëri. Edhe vetë presidentja e Shtëpisë Botuese TOENA shprehu habi, pra nuk ishte në dijeni të këtij fakti edhe pse ne e gjetëm në google dhe e lexuam.

Mbetet enigmë e paspjegueshme se si furnizohen ato pika shitjesh jashtë shtetit. Mendoj se tani duhet ndjekur rruga ligjore, sepse është cënuar e drejta e autorit (copyright) për të cilën mbahen edhe përgjegjësitë penale. Si mund të shitet libri në një shtet evropian pa lejen dhe të drejtën e autorit…?

Ju faleminderit zoti Simsia për këtë bashkbisedim të ngrohtë dhe miqësor që zhvilluam. Ju uroj suksese në krijimtarinë tuaj letrare dhe, së shpejti me një libër të ri.

Edhe unë ju falenderoj shumë për ftesën që më bëtë. Ishta kënaqësia ime të isha i ftuar, pjesëmarrës në studion tuaj televizive.

Faleminderit.

 

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Cikago, diaspora, Krijuesit, Pierre-Pandeli Simsia, Studio Iliret

DIASPORA-Arritje e kënaqshme e arsimit të lartë të fëmijëve shqiptar në Suedi

January 14, 2016 by dgreca

Për shkak të faktit se shumica e shqiptarëve kanë marrë shtetësinë suedeze, është vështirë të merret një shifër e sakët se sa fëmijë shqiptar studiojnë apo kanë marrë diplomë fakulteti, mirëpo mund lirshëm të konstatohet se numri i tyre është i kënaqshëm/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Sipas të dhënave statistikore, që mund të gjesh edhe në internet, në Suedi tash për tash jetojnë rreth 60 mijë shqiptarë, shumica prej të cilëve tashmë kanë marrë shtetësinë suedeze. Në këtë vend të largët skandinav kanë ardhur nga pjesë të ndryshme etnike shqiptare, nga Shqipëria, Labëria, Ilirida, Çamëria e më së shumti nga Kosova. Ky numër kaq i madh i komunitetit shqiptar në këtë vend, pa dyshim, dëshmon qartë ekzistimin e një kombi mijëvjeçar, pastaj edhe ekzistencën e një gjuhe, po ashtu, të lashtë e të ëmbël. Sa emocione të mëdha e të fuqishme jep komunikimi në gjuhën e mëmës, sa bukur tingëllon ajo në një vend të huaj. Këtë gjuhë të bukur të trashëguar brez pas brezi, flitet edhe nga fëmijët e komunitetit shqiptar në Suedi. Për ta ruajt e kultivuar këtë dhuratë kaq të mrekullueshme për kombin tonë, në këtë vend organizohet mësimi plotësues në gjuhën amtare, në të cilën janë të angazhuar mësimdhënës të kualifikuar. Po ashtu në këtë punë të rëndësishme, pa dyshim, se kontribut të madh po japin edhe prindërit të cilët në shtëpi flasin vetëm gjuhën shqipe. S’do mend se në këtë rrugë të mirë të “ frenimit” të asimilimit të fëmijëve tanë kontribut kanë dhënë e po japin edhe institucionet e organet tjera kompetente arsimore të shtetit suedez, që me ligj të veçantë lejojnë dhe materialisht ndihmojnë mbajtjen e mësimit plotësues, dhe në këtë mënyrë nxënësit shqiptar kanë guximin dhe durimin që këtu, në këtë vend me një demokraci më të lartë në botë, fëmijët tanë të ruajnë identitetin shqiptar duke i mësuar shkronjat e fjalët e bukura shqipe. Edhe arsimtarët shqiptar me përkushtim të madh e dinjitoz po kontribuojnë aq shumë karshi kombit dhe edukimit të fëmijëve shqiptar.
Pothuajse nuk ka degë e fakultet në tërë vendin që nuk ka studentë shqiptarë
Fëmijët tanë me kënaqësinë më të madhe, me emocion e entuziazëm të veçantë, duke u dalluar edhe nga kolegët suedez, në mënyrë “ spektakulare” e të mrekullueshme realizuan me aq kujdes ëndrrën e prindërve por edhe të tyren për t’u bërë mjek, inxhinier, jurist, ekonomist, regjisor, artist, piktor e profesione të tjera të ndryshme e të rëndësishme. Karriera e këtyre të rinjve shqiptar është e ndritshme dhe tash dhe në të ardhmen do ta nderojnë kombin e atdheun. Pos në fakultete të rinjtë shqiptar kanë vazhduar arsimimin e tyre edhe me tutje duke marrë grada të larta akademike si magjister e doktor shkencash. Disa sish janë të inkuadruar në dhënien e dijes së tyre po në ato institucione prej nga i morën diplomat e tyre, ndërsa të tjerë janë duke dhënë kontributin e tyre të madh në avancimin e mjediseve ku ata punojnë. Thënë me gjuhën e fakteve, nuk ka degë apo fakultet në tërë Suedinë që nuk ka studentë shqiptar. Ky numër kaq i madh i kuadrove shqiptare është një dëshmi se mërgata jonë në këtë vend skandinav ka qenë dhe është një ndër pjesët më të organizuara dhe e arrirë e diasporës. Arritjet e këtyre fëmijëve, pra, tejkalojnë përmasat e një aktiviteti thjesht arsimor e edukativ. Përkundrazi, ky nivel i shkollimit janë zjarr i pashuar që identifikon identitetin tonë kulturor ilir në këtë vend të largët. Me një fjalë, duke arritur këtë shkallë të lartë të shkollimit po dëshmohen vlerat etnike dhe kulturore të kombit shqiptar. Kësisoj, fëmijët shqiptar janë bërë gur i fort në marrëdhëniet ndërmjet kombit shqiptar dhe atij suedez.

Filed Under: Mergata Tagged With: arritje, diaspora, Xhavit Citaku

Kosovë-Diaspora: Viti 2015, regjistrohen 200 mijë bashkatdhetarë

December 26, 2015 by dgreca

Ne foto: Ministri i Diasporës në qeverinë e Republikës së Kosovës, Valon Murati dhe korrespondenti në Kosovë i Gazetës Dielli, Behlul Jashari, në Prishtinë në ambientet e Ministrisë/
-Ministri i Diasporës, Valon Murati: Procesi i regjistrimit do të vazhdojë edhe në vitin 2016, për të pasur kështu një publikim përfundimtar të shifrave të detajuara në fillim të vitit 2017/
-Ministri Murati theksoi veçmas marrëveshjen Shqipëri-Kosovë nënshkruar mes dy qeverive për mësimin plotësues të gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë, si dhe memorandumin e përbashkët për “Ditët e Kulturës Shqiptare në diasporë”/
-Në kornizën historike të diasporës shqiptare, personalitetet e mëdha të kombit, Fan Noli e Faik Konica, themeluesit e gazetës Dielli/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 26 Dhjetor 2015/ Ministria e Diasporës e qeverisë së Republikës së Kosovës këtë vit ka regjistruar rreth 200 mijë bashkatdhetarë në botë, tha ministri Valon Murati. Në konferencën për shtyp të fundvitit 2015 i shpalosi objektivat e arritura të Ministrisë, veçanërisht një nga projektet më të rëndësishme – procesin e regjistrimit të diasporës dhe mërgatës.
Ai tha se procesi i regjistrimit do të vazhdojë edhe në vitin 2016, për të pasur kështu një publikim përfundimtar të shifrave të detajuara në fillim të vitit 2017.
“Falë fushatës së suksesshme gjatë muajve të verës dhe punës së palodhshme, kemi arritur që t’i regjistrojmë rreth 200.000 bashkatdhetarë, por nuk do të ndalemi me kaq. Puna do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm”, theksoi ministri Murati.
Ai paralajmëroi se në këtë proces do të përfshihen edhe ambasadat dhe konsullatat, në mënyrë që bashkatdhetarëve t’u bëhet më i lehtë regjistrimi i tyre, ndërsa në të ardhmen Ministria e Diasporës do të përqendrohet edhe në regjistrimin “online”.
Në konferencën për shtyp, ministri Murati theksoi veçmas marrëveshjen Shqipëri-Kosovë nënshkruar mes dy qeverive për mësimin plotësues të gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë, si dhe memorandumin e përbashkët Kosovë-Shqipëri për “Ditët e Kulturës Shqiptare në diasporë” .
Ministri Murati e theksoi edhe tarifën për sigurimin kufitar.
“Me nismën e Ministrisë së Diasporës dhe në bashkëpunim me institucionet e tjera është arritur të bëhet ulja e tarifës për sigurimin kufitar për 50 për qind. Synimi është të zgjidhet përfundimisht ky problem, për çka do të vazhdojmë të angazhohemi edhe në vitin 2016”, u shpreh ministri Murati.
Në konferencën për shtyp, u prezantuan edhe projekte të tjera të rëndësishme, si themelimi i rrjeteve të përbashkëta të të rinjve shqiptarë dhe i atyre të bizneseve shqiptare në diasporë.
Ndërsa, sa i përket numrit të bizneseve jashtë vendit, ministri Murati tha se me inicimin e Ministrisë së Diasporës janë themeluar 20 rrjete të bizneseve në diasporë, të cilat kanë krijuar një strukturë të përbashkët, konkretisht rrjetin e përbashkët të bizneseve shqiptare në diasporë.
“Kemi vazhduar të punojmë në zgjerimin dhe forcimin e rrjeteve të bizneseve të diasporës, të jemi zëri i tyre në institucionet e shtetit. Si rezultat i angazhimit në këtë fushë, sot jemi pjesë e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, në kuadër të të cilit e udhëheqim grupin e punës për tërheqjen e investimeve nga diaspora”, tha ministri Murati.
Në konferencën me përfaqësuesit e mediave, ministri Murati kërkoi përkrahje për afirmimin e procesit të regjistrimit, si dhe sensibilizimin e bashkatdhetarëve për mësimin plotësues të gjuhës shqipe.
Në takimin me përfaqësuesit e mediave, ku ishte edhe korrespondenti në Kosovë i Gazetës Dielli, Ministria kosovare dhuroi kornizën me fotografi të personaliteteve të shquara të diasporës. Në kornizën historike të diasporës shqiptare janë edhe personalitetet e mëdha të kombit, Fan Noli e Faik Konica, themeluesit e Gazetës Dielli, më të herëshmes shqiptare, organ i Federatës Mbarëshqiptare të Amerikës Vatra, e cila në vitin e ri 2016 do festojë 107 vjetorin, e që lexohet edhe në Shqipëri, Kosovë e trojet tjera etnike dhe kudo ku ka shqiptarë në botë, si dhe nga të tjerë informacionet në anglisht.
Ministria e Diasporës e Kosovës në prag të Vitit të Ri bëri edhe lançimin e uebfaqes e re, të freskuar si për nga përmbajtja, ashtu edhe për nga dizajni.
NJË E TRETA E KOSOVARËVE JETOJNË E PUNOJNË JASHTË VENDIT
Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, 92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 % serbë, 1.08 % turqë, etj.
Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen e veriut në regjistrim. Në veri të Mitrovicës dhe tre komuna tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan, ku është refuzuar regjistrimi i popullsisë, sipas një shifre që e kanë përmendur autoritetet kosovare, jetojnë rreth 40 mijë serbë.
Kosova para më shumë se gjysëm shekulli arrinte numrin prej një milion banorëve. Në 6 korrikun e vitit 1962, gazeta tradicionale kosovare Rilindja shkruante se Kosova “fitoi këto ditë banorin e njimilionit…”
Sipas statistikave kosovare, në regjistrimin e popullsisë së vitit 1981, ku u përfshinë të gjitha etnitë, Kosova kishte një popullsi prej 1.584.440 banorësh.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, diaspora, Ministri Valon Murati, regjistrimi i diaspores

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT