• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PËR NJË PËRFAQËSIM TË MIRËFILLTË TË DIASPORËS

October 7, 2013 by dgreca

KNSH, pa pjesëtar të diasporës ?! /

Nga Xheladin Zeneli/

Me 29 Shtator, 2013 u zhvilluan zgjedhjet e reja të Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi, me ç’rast u zgjodhën edhe 16 anëtarë të ri të kuvendit të elektorëve.Që në fillim, iu uroi zgjedhjen anëtarëve të rinj të KNSH-së dhe iu dëshiroi  suksese në punën e tyre në realizimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Mal të Zi.
Megjithate, nuk mund dhe të mos vërehet një mangësi në përbërjen e anëtarësisë së kuvendit të elektorëve.Kjo mangësi,sipas mendimit tim, është se në kuvendin e KNSH-së nuk ka asnjë anëtarë apo përfaqësues të diasporës shqiptare(!?).
Diaspora shqiptare përbën afër gjysmës së popullsisë shqiptare në Mal të Zi ( kryesisht në SHBA) dhe deri më sot nuk është e përfaqësuar në asnjë organ legjitim në vendin e origjinës së vet. Pse gjithë ky anashkalim i diasporës në aspektin e përfaqësimit të saj?
Mendoi se të gjithë pajtohemi me faktin se diaspora shqiptare , respektivisht diaspora shqiptare me prejardhje nga trojet e veta etnike në Mal të Zi, ka dhënë dhe gjithënjë vazhdon të jap një kontribut të çmuar për atdheun dhe vendlindjen dhe  tashmë është koha që po e njëjta diasporë të përfaqësohet me dinjitet dhe të jetë prezent me zërin e vet në proceset ku vendoset apo këshillohet e ardhmja dhe fati i kombit,si pjesë e cilit eshtë edhe vetë diaspora.
KNSH u themelu në vitin 2008 në përputhje me standardet eurupiane për drejtat e popujve pakicë dhe është organi më i lartë përfaqësues i shqiptarëve në Mal të Zi i cili në përbërjen e vet ka, përveç përfaqësuesve të faktorit politik edhe përfaqësuses të profileve të ndryshme që nga fusha e arsimit, informimit, artit e kulturës e deri tek sektori joqeveritar dhe i pavarur.Njikohësisht në Këshillë janë të përfaqësuar pothuajse të gjitha trevat shqiptare në Mal të Zi.
Gjysma e elektorëve të Kuvendit të KNSH-së (16 anëtarë ), sipas pozitës dhe funksionit që mbajnë në skenën politike shqiptare në Mal të Zi,me automatizëm janë pjesë e kuvendit të elektorëve, kështu që do të ishte e udhës që ,gjithashtu me automatizëm, disa anëtarë të diasporës shqiptare të jenë po ashtu pjesë e këtij kuvendi.Kjo do ti shërbente marrëdhenieve të mirëfillta në mes diasporës dhe vendlindjes si dhe do të dëshmonte respektin e merituar të vendlindjes ndaj diasporës së vet.Përmes përfaqësuesëve të vet diaspora shqiptare do të ishte në gjendje të komunikonte drejtë për drejti çështjet që në rend të parë preokupojnë vetë diasporën por njikohësisht edhe çështjet që kanë të bëjnë me statusin e shqiptarëve në përgjithësi në Mal të Zi.
Vetë Statuti i KNSH-së potencon bashkëpunimin me diasporën.Në pjesën ku përshkruhen qëllimet e Këshillit ( neni 8), në mes tjerash thuhet : “… Bashkëpunimi dhe avancimi i marrëdhënieve me shqiptarët në diasporë, me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të tyre qytetare dhe politike, si dhe avancimi i identitetit të tyre nacional, kulturor, gjuhësor dhe fetar…”.Gjthashtu,në kuadër të KNSH-së egziston edhe “Komisioni për bashkëpunim me shqiptarët në vendet e tjera”.
Pra, ky bashkëpunim dhe avancim i marrëdhënieve me shqiptarët e diasporës mund të arrihet në atë mënyrë që diaspora të kenë përfaqësuesit e vet në KNSH. Vërtetë  që KNSH është vetëm organ këshillëdhënës dhe nuk ka kompetenca vendim-marrëse, megjthate pjesëmarrja e diasporës në kuvendin e këtij Këshilli do të ishte shumë domethënëse.
E kam cekur edhe në shkrimet e mëparshme se është  tepër e rëndësishme që diaspora mos të shikohet ekskluzivisht si burim i ndihmave financiare ndaj vendlindjes ,por njokohësisht edhe si partner i vërtetë në marrjen e vendimeve të përbashkta.Rruga e bashkëpunimit nuk duhet të jetë rrugë një drejtimi por gjithëmonë rrugë dy drejtimesh. Inkuadrimi i diasporës shqiptare në proceset vendim-marrëse për çështjet me rëndësi jetike për popullin shqiptar është ,jo vetëm i nevojshëm por edhe i domosdoshëm ,posaçërisht tani kur pozita e shqiptarëve në Mal të Zi vazhdon gjithënjë të jetë e pafavorshme dhe kërkohen forca dhe energji të përbashkta në angazhimin e zgjidhjes së saj.
6 Tetor 2013
Nju Jork

Filed Under: Featured Tagged With: diaspora, KNSH, xheladin Zeneli

Diaspora- Studentët kosovarë paguajnë para të majme për të punuar në Gjermani

April 5, 2013 by dgreca

Për çdo vit, 180 studentë nga Kosova lejohen të shkojnë në Gjermani për të punuar. Por, një kompani e ka shndërruar këtë në një biznes fitimprurës për veten, shkruan FAZ/

Gazeta prestigjioze gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkruan në numrin e saj të të enjtes për një keqpërdorim në nivel të skandalit, që sipas saj e bën një agjenci për ndërmjetësimin e punëtorëve nga Kosova në Gjermani.

“Për çdo vit, 180 studentë nga Kosova lejohen të shkojnë në Gjermani për të punuar. Në fakt, ata duan të fitojnë para, por një kompani e ka shndërruar këtë në një biznes fitimprurës për veten”, shkruan gazeta.

Në Kosovë, të rinjtë, nëse janë me fat, mund të gjejnë ndonjë punë si kamerier në ndonjë restorant apo për t`i rregulluar shtretërit në një hotel. Të tjerë mund të punojnë mbase në bujqësi, ose në pastrim. Puna është e rëndë dhe e kufizuar kryesisht për tre muaj. Për këtë arsye, këtu në Prishtinë, kërkohet vetëm një gjë: Puna në Gjermani.

Për çdo vit, Agjencia Federale e Punësimit ofron punë verore për rreth 180 studentë nga Prishtina. Kjo është detyrë e një zyre për ndërmjetësim (ZAV), një sektori të Agjencisë për punësim, e cila rekruton po ashtu edhe specialistë të informatikës dhe mjekë nga jashtë. Në këtë rast ajo ofron vende pune për të cilat në Gjermani pothuaj nuk ka të interesuar. Në Kosovë, ndërkaq, konkurrojnë për to me qindra studentë. Në rastet kur mund ta bëjnë këtë! Për faktin se vetë konkurrimi kushton, shkruan gazeta, plot 105 euro.

“Partneri kooperues i ZAV në Kosovë, AFK, nga procesi konkurrues ka bërë një biznes fitimprurës. 105 euro i kërkon gjatë këtij viti për ndërmjetësim “Abeitsförderung Kosovo” (AFK). Kështu njoftojnë studentët dhe kështu del edhe nga dokumentet e Ministrisë kosovare të punës. Nga 180 ndërmjetësime, në këtë mënyrë mblidhen afër 20 mijë euro.

Dhe problemi këtu është se ZAV, i ka konfirmuar gazetës se partneri kooperues nga Kosova në fakt nuk do të duhej të merrte fare para nga studentët kosovarë që i ndërmjetëson. Por, ZAV po ashtu, gjatë gjithë pesë viteve të kaluara nuk e ka kontrolluar asnjëherë punën e AFK-së.

“Kjo është vërtetë para e madhe. Ai që fare ka mundësi të punojë në Kosovë si student fiton ne mes 100 dhe 150 euro në muaj”, thotë Fisniku. Ai ndjek studimet në semestrin e gjashtë të gjermanistikës ndërsa i financon ato përmes punës verore në Gjermani. Vitin e kaluar Fisniku ka bartur paketa dhe ka shpërndarë letra, në Wiesbaden. 105 eurot për të konkurruar, ia kishte huazuar një i afërm i tij që t`ia kthente pas punës verore.

“Unë nuk kam tjetër mundësi të vi në Gjermani”, thotë ai dhe prandaj as nuk është ankuar për çmimin e lartë të pagesës për ndërmjetësim.

– Ministria, ka vërejtje për rritjen e pagesës por është e kënaqur se studentët nuk ndalen në Gjermani

Gjatë termineve me rastin e konkurrimit në AFK asnjëri nga studentët nuk kishte guxim të vinte në pikëpyetje procedurën. “Ne jemi gjithnjë dy veta në zyrë. Biseda me zyrtarin gjerman zgjat pesë minuta. “Ai pyet se prej nga vijmë dhe përse duam të shkojmë në Gjermani. Pastaj ai kryqëzon në formular se çfarë pune mund të bëjmë ne atje. Kundrejt dhjetë eurove të tjera, zyrtari i AFK-së të jep një certifikatë për njohjen e gjuhës…”

Terminet për konkurrim bëhen në një zyrë të Ministrisë së Punës, në një ndërtesë përdhese në afërsi të qendrës së Prishtinës. “Migrations-Service-Center” quhet zyra. Hafiz Leka, shef, i sektorit për punësim në Ministrinë e Punës flet për suksesin e bashkëpunimit shumëvjeçar me ZAV. Por shpejt shihet se ai në këtë rast nuk ka parasysh interesin e studentëve.

“Deri më tash të gjithë janë kthyer nga Gjermania, gjithmonë me kohë dhe gjithmonë vullnetarisht. Asnjëri nuk ka provuar të mbetet  atje”.  I pyetur për bashkëpunimin me AFK ai tregon për një memorandum nga viti 2008. Me të është sqaruar se AFK merr përsipër administrimin dhe gjithë komunikimin me institucionet gjermane. Ministria jep në dispozicion falas lokalet për terminet për konkurrim pasi që AFK nuk posedon zyra të vetat në Prishtinë, thotë Leka. Një nëpunëse e ministrisë i pranon aplikacionet për punë dhe i bën gati ato. Pastaj, i dërguari nga ZAV i kryen bisedat me aplikuesit.

Por, Ministria e Punës ka shprehur interesimin që ta udhëheqë projektin drejtpërdrejt me ZAV, pa pjesëmarrjen e AFK-së. Kjo, sepse, duket qartë, edhe nëpunësit e ministrisë janë habitur me zhvillimet rreth pagesave që duhet të bëjnë studentët për aplikim. Ato janë rritur në vazhdimësi që nga nënshkrimi i memorandumit në vitin 2008 e këtej.

Nga 20 euro sa ishin në fillim, qenë bërë 40 dhe së fundi janë ngjitur në 105 euro, thotë Leka. Si përgjigje për kërkesën për sqarim që e ka bërë ministria, AFK ka “sqaruar” se: 5 euro duhet të paguajnë studentët për aplikim, 20 euro “për shpenzimet administrative” si dhe një “kaucion” prej 80 eurosh. Këto të fundit u kthehen studentëve vetëm në rastet kur atyre nuk u gjendet punë. Ndërkaq, shpenzimet për certifikatën gjuhësore nuk figurojnë fare në llogari. “Paratë shkojnë të tërat në AFK. Puna e ministrisë është falas”, thotë Leka. Ministria ka po ashtu kapacitetin që gjithë procedurën e aplikimit ta bëjë pa pagesë”.

– Qendra në Gjermani nuk di asgjë!

Por ky informacion nuk ka arritur fare në adresë të ZAV. Kjo pranon se e ka ditur që kërkohen 40 euro në emër të një paushalli për përpunimin e aplikimeve, si posta, pagesat e telefonatave etj. Kjo shumë është vlerësuar si e arsyetueshme. Parimisht ZAV punon vetëm me partnerë që emërohen nga autoritetet zyrtare. Në këtë rast nga ministria kosovare e punës. Por tash do të rishikohet besueshmëria e AFK-së.

Nga ana tjetër punëtori gjerman i AFK- së, i cili mbikëqyr i vetëm punën në Kosovë i hedh poshtë akuzat, në një kundërshtim me shkrim. Sipas tij, nuk ka marrëveshje me ZAV që do t`ia ndalonte atij rritjen e çmimit të shërbimeve të ndërmjetësimit. Ai thotë se faturat e paraqitura janë të fryra. Sipas tij, shumë studentëve u janë zbritur pagesat. Ai nuk jep shifra të sakta por vetëm e prezanton dhënien e certifikatës për gjuhën prej 10 eurosh si “çmim më të ulët në treg”.

Fisniku dhe kolegët e tij ndërkohë shikojnë për mundësi të tjera. Në Kosovë, persona privatë kanë hapur agjenci ndërmjetësimi të cilat ofrojnë punë në Gjermani ose në Itali. Këto agjenci janë edhe më të shtrenjta se AFK. Kush nuk arrin t`i paguajë, mbetet rrugëve. Ashtu sikurse Arsimi, i cili vitin e kaluar ka pjekur hamburgerë në Göttingen, në një pompë benzine në autostradën A7.

“Këtë vit nuk pata paratë e nevojshme për të konkurruar në ZAV”, thotë ai. Pa të hyra plotësuese, Arsimi nuk mund t`i vazhdojë studimet. Tashti, ai shpreson se një mik i tij nga Gjermania do t`ia sigurojë një punë. Në çfarëdo mënyre. “Kryesorja: me punue”.

(B.SH.-Albinfo.ch)

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: diaspora, ne Gjermani, studentet kosovare

Diaspora dhe diplomacia e ndërmjetme

January 30, 2013 by dgreca

Gjatë rrjedhës së dy dekadave të fundit, shumë miq amerikanë janë shfaqur në skenën kombëtare shqiptare. Këta miq nuk duhet të lejohen të veniten. Tërheqja e “The Albright Group” nga investimi në Kosovë duhet të përçojë valë drithëruese në shpinën shqiptare dhe nuk duhet të lejohet të përsëritet. Interesat thelbësore të një investimi të tillë janë shumë më të mëdha se vetë investimi monetar. Miqtë si sekretarja Madeleine Albright duhet të nxiten të mbesin të përfshirë në suksesin tonë./

 Nga Martin Vulaj/

Fjala “diasporë” rrjedh nga fjala greke “diaspeirin”, që do të thotë shpërndarje. Hebrenjtë e kanë përdorur fjalën “galuth”, që do të thotë azil, në të njëjtin kontekst. Diaspora shqiptare ka një histori të gjatë të kontributit për kauzën shqiptare dhe shtetin shqiptar, e cila është po aq e gjatë sa vetë historia e shtetit shqiptar. Qëllimi i këtij artikulli nuk është shprehja e mendimeve për historinë shqiptare, për ç’gjë nuk jam i kualifikuar. Historianë ka me bollëk në mesin e shqiptarëve. Sidoqoftë, edhe vështrimi më i përciptë i historisë shqiptare pasqyron rolin kritik të diasporës në zhvillimin e kombit, shtetit dhe aftësisë për bashkëveprim kombëtar dhe ndërkombëtar. Prej Skënderbeut, figurave të rilindjes shqiptare, rezistencës kombëtare të kosovarëve e deri te guximi i jashtëzakonshëm i pararendësve dhe themeluesve të UÇK-së, është e qartë se roli i diasporës ka qenë kritik në çdo fazë të zhvillimit të vetëdijes kombëtare shqiptare.
Gjatë diskutimit të rolit modern të diasporës shqiptare bëhet e qartë se ndihma e mundësuar nga diaspora në Evropë në aspekt të fondeve (si remitancat dhe fondet e ndara për kauza të veçanta, lëvizje apo edhe armë) ka qenë e pazëvendësueshme, por ajo që ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara është unike dhe meriton një vëmendje të veçantë.
Përveç ndihmës së njëjtë në formë të remitancave, fondeve të ndara, mbështetjes morale dhe teknike, diaspora në Shtetet e Bashkuara ka arritur të ketë qasje në vetë levat e pushtetit të shtetit, dhe të ndikojë drejtpërdrejt në aplikimin e fuqisë së butë dhe të fortë. Kjo nuk është bërë në saje të natyrës individuale të secilës diasporë, pasi që, si farat e bujkut që shpërndahen, diku më të mira e diku më të dobëta, në përgjithësi ekziston një shpërndarje bajagi e barabartë në aspekt të cilësisë. Kështu ka qenë edhe shpërndarja e diasporës ndërmjet Evropës dhe Shteteve të Bashkuara. Kjo është bërë kryesisht falë: 1. modelit të demokracisë në Shtetet e Bashkuara dhe kontratës unike sociale ndërmjet qytetarit dhe shtetit, që jo vetëm i mundëson, por edhe aktivisht e inkurajon qytetarin të përfshihet në procesin demokratik. Një përfshirje e tillë është kryesisht e kufizuar vetëm nga aftësitë e ndryshueshme të qytetarit; dhe 2. Politikave kryesisht jodiskriminuese sociale të SHBA-së, që mundësojnë veprimtari të shpejtë ekonomike të qytetarit.
Diaspora në Shtetet e Bashkuara ka arritur të shfrytëzojë të dyja këto aspekte të shoqërisë amerikane dhe të gjenerojë sasi të konsiderueshme parash brenda një gjenerate, dhe më pas t’i shfrytëzojë ato para duke i zbatuar ato në procesin e hapur politik për të fituar qasje të drejtpërdrejt te politikëbërësit dhe vendimmarrësit, dhe rrjedhimisht për të ndikuar te ta nëpërmjet theksimit të politikave që janë në interes të përbashkët të SHBA-së dhe kombit shqiptar.
Kulmimi i këtij aktiviteti ka qenë ndërhyrja e udhëhequr nga SHBA-ja në Kosovë. Ndërhyrja, natyrisht, nuk ka ardhur vetëm falë aktiviteteve të diasporës, por roli i saj në ushtrimin e ndikimit te qeveria amerikane nuk duhet të nënvlerësohet. Pas ndërhyrjes, me themelimin e shtetit të ri të Kosovës dhe me Shqipërinë në rrugë drejt demokracisë së qëndrueshme dhe përfshirjes në Evropë, energjia e konsiderueshme që ka gjeneruar diaspora është dukur të jetë dobësuar nga mungesa e një zëri unanim. Kjo nxit pyetjen, “Quo vadis, diaspora?”. Me aftësinë e jashtëzakonshme që ka treguar diaspora në SHBA, me potencialin e pamasë që ofron qeveria amerikane (dhe komuniteti i biznesit), me nevojat e thekshme të kombit shqiptar në rritje, dhe me gatishmërinë e qeverisë amerikane për të inkuadruar qytetarët në procesin demokratik, potenciali për të realizuar një rritje dhe forcim të interesave të përbashkët karshi SHBA-së dhe kombit shqiptar është i qartë. Që kjo të ndodhë, janë të nevojshme disa gjëra:
Një, diaspora duhet të vazhdojë të ushtrojë ndikim te Kongresi dhe Departamenti amerikan i Shtetit, por në një mënyrë të strukturuar. Komisionet kryesore që kanë të bëjnë me çështjet tona janë ato që merren me çështje ndërkombëtare dhe ndarje parash për një çështje të caktuar. Ka edhe të tjera, natyrisht, por vëmendja dhe resurset duhet të përqendrohen te këto katër (2 në Senat, 2 në Dhomën e Përfaqësuesve).
Megjithatë, diaspora duhet të shikojë përtej Kongresit dhe Departamentit të Shtetit si mekanizma të vetëm të ndryshimit, dhe të fitojë qasje dhe ndikim edhe te departamentet e tjera. Bashkëveprimi me “Capitol Hill”-in dhe “C Street”-in duhet të vazhdojë, ndërsa Kongresi është veçanërisht i rëndësishëm për realizimin e objektivave, pasi ata munden t’i realizojnë ato, ose drejtpërdrejt, ose tërthorazi, nëpërmjet forcës së parave, legjislacionit apo hijeve të tyre. Diaspora duhet të përqendrohet në objektiva të prekshme, si ndihma bujqësore, mjekësore dhe ushtarake, krijimi i një korpusi modern dhe profesional diplomatik, forcimi i organizatave qytetare dhe i teknologjisë që do të shërbenin për të joshur investime. Por, kjo nuk mund të bëhet pa bashkëveprimin strukturor me vendimmarrësit shqiptarë; Dy, përderisa ekziston një aftësi e dukshme në rritje e korpuseve diplomatike shqiptare (lexo: kosovare dhe maqedonase, gjithashtu), vendet pritëse duhet të kuptojnë se diplomacia tradicionale i ka kufizimet dhe kufijtë e saj. Diaspora nuk i ka. Duhet të ekzistojë një marrëdhënie e institucionalizuar me diasporën dhe Tiranën, Prishtinën dhe Shkupin, ku idetë dhe informatat shkëmbehen lirshëm. Vlen të theksohet se, mbase deri së fundmi, këto kryeqytete nuk kanë pasur njohuri për mundësitë mbresëlënëse të ofruara nga Departamenti i Bujqësisë, Departamenti i Shëndetësisë dhe i Shërbimeve Njerëzore, Departamenti i Energjisë, e të tjerë. Për shembull, Departamenti i Bujqësisë ka programe në të cilat marrësit i jepet një sasi e një produkti që ekziston me tepricë (drithi, për shembull) për ta shitur në vendin pritës dhe për t’i shfrytëzuar të ardhurat për të investuar në vend për të nxitur zhvillimin.
Në arkat e këtyre burokracive ndodhen shuma të jashtëzakonshme parash, dhe burokratë të cilët detyrë të vetme e kanë dhënien e tyre. Natyrisht, nuk flitet gjithmonë për para të gatshme, por edhe për programe dhe ndihma që mund të ndryshojnë jetë dhe të ndikojnë në drejtimin kombëtar. Aftësia e korpuseve formale diplomatike për të shfrytëzuar mundësitë e tilla është e kufizuar, por jo edhe e diasporës, e cila jeton në një botë të diplomacisë së ndërmjetme, dhe qarkullon ndërmjet “Capitol Hill”-it, “C Street”-it dhe agjencive të tjera qeveritare derisa të përmbushen objektivat e caktuar. Prandaj nevojitet një strategji dhe prandaj duhet të ndikohet të Kongresi. Unë ju siguroj se takimi me një përfaqësues të agjencisë është shumë më i ndryshëm kur atë ta ketë kërkuar një senator, apo edhe më mirë, kur një senator merr vetë pjesë në të.
Natyrisht, është detyrë e USAID-it të merret me ndihmat, por është Kongresi ai që cakton buxhetin dhe komisioni për ndarje parash ai që e mbikëqyr dhe ushtron ndikim të drejtpërdrejt mbi të; Tre, diaspora dhe kombi shqiptar nuk duhet ta shohin këtë ndihmë si bamirësi, por si një tregti në mes të partnerëve. Përveç marrëdhënies së forcuar dhe interesit strategjik që i shërben Shteteve të Bashkuara, diaspora ka për të ofruar diçka shumë më të rëndësishme: eksportimin e idealit amerikan! Shtetet e Bashkuara janë të ndërtuara mbi konceptin e sovranitetit të individit; se secili individ gëzon të drejta të patjetërsueshme. Raportet reciproke të individëve sovranë kombinohen për të bërë një kolektiv sovran, prandaj këto raporte dhe cenimi i cilësdo të drejtë mbrohet nga ligji.
Përderisa për disa ky mund të jetë një formulim i ditur, graviteti dhe vlera e tij nuk mund të mbivlerësohen. Përderisa këtu në SHBA ai është, apo është bërë, i rëndësisë së dytë, ne vetëm duhet t’i shikojmë vendet e Lindjes së Mesme për të parë se çfarë vlere ka në fakt ky koncept, ky ideal, ky realitet. Prandaj, nocioni i ndihmës në shkëmbim të zgjerimit dhe forcimit të idealit amerikan është marrëveshje e mirë për Shtetet e Bashkuara. Diaspora është mekanizmi kyç për këtë. Vetëm nëpërmjet diasporës kjo mund të bëhet esenciale dhe organike për organizmin shqiptar. Nga lart poshtë kurrë s’mundet;
Katër, zhvillimi organizativ i diasporës duhet të ecë përpara. Diaspora ka arritur të sigurojë fonde të ndara drejtpërdrejt nëpërmjet bashkëveprimit me komisionin për ndarje parash. Vlen të theksohet këtu se kjo është arritur vetëm falë Jim Xhemës, luanit të vjetër të komunitetit, dhe lidhjes së tij me senatorin Mitch McConnell, i cili ka qenë kryetar asokohe. Megjithatë, kjo përbën vetëm një pikë të vogël të potencialit ekzistues. Lidhjet e tjera, si lidhja speciale që Harry Bajraktari ka me Elliot Engelin, dhe ato që ka Joe DioGuardi kanë prodhuar shumë rezultate. Arbën Xhaferi i ndjerë njëherë më pat thënë se “Joe DioGuardi na ka treguar neve se ku ndodhet Uashingtoni, kur ne as nuk e dinim adresën”. Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan ka pasur sukses dhe i ka dhënë komunitetit një qasje të re dhe më të sofistikuar, por që prej pavarësisë së Kosovës ai është dukur i pakoordinuar. Luanët e vjetër, si Jimmy, Harry, Joe dhe shumë të tjerë nuk duhet të lejohen të veniten. Që prej fundit të luftës në Kosovë, mijëra shqiptaro-amerikanë janë rritur, kanë diplomuar nga universitetet dhe shkollat profesionale, dhe i janë bashkuar forcës punëtore. Ky talent i ri duhet të shfrytëzohet për të vazhduar atë që kanë krijuar luanët, dhe për të shtyrë komunitetin përpara me një strategji koherente. Institucionalizimi i këtij roli është kritik për suksesin e të gjitha palëve, por nuk mund të bëhet pa Tiranën dhe Prishtinën në veçanti;
Pesë, gjatë rrjedhës së dy dekadave të fundit, shumë miq amerikanë janë shfaqur në skenën kombëtare shqiptare. Këta miq nuk duhet të lejohen të veniten. Tërheqja e “The Albright Group” nga investimi në Kosovë duhet të përçojë valë drithëruese në shpinën shqiptare dhe nuk duhet të lejohet të përsëritet. Interesat thelbësore të një investimi të tillë janë shumë më të mëdha se vetë investimi monetar. Miqtë si sekretarja Madeleine Albright duhet të nxiten të mbesin të përfshirë në suksesin tonë. Shqipëria po ndërton rrugë që do ta lidhin atë jo vetëm me Evropën, por edhe me vetë të ardhmen e saj. Kosova po shton njohjet vazhdimisht përderisa po konsolidon institucionet e saj. Në Maqedoni, shqiptarët janë bërë pjesë përbërëse e shtetit. Të gjithë kanë sfida, por ajo që është e pamohueshme është se shqiponja është duke i hapur krahët e saj gjithandej. Ajo duhet të vazhdojë t’i shtrijë krahët e saj në një mënyrë të qëndrueshme dhe të parashikueshme, për të frymëzuar vetëbesim në vend të pasigurisë. Diaspora duhet t’u përshtatet nevojave aktuale dhe të ndihmojë për ta udhëhequr ndryshimin drejt së ardhmes.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe diplomacia, diaspora, Martin Vulaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9

Artikujt e fundit

  • Kosova pret “Defender Europe 23”
  • E KEQJA VJEN CDO DITE NGA PAK…
  • KALLUSHI, RUGOVA DHE XHEMA…
  • Rikthimi i grekoproblemit në Himarë për shkak të korrupsionit shqiptar
  • LEONARD NEWMARK OBITUARY
  • U mbajt Akademi përkujtimore dhe promovimi i librit FRROK GOJANI PEDAGOG DHE MISIONAR I DENJË I SHKOLLËS SHQIPE
  • V I K T O R G J I K A…
  • Figurat
  • SHKOLLA DHE SPITALE APO ARSIM DHE KUJDES SHËNDETËSOR?
  • Miqtë apo vartësit e Fatos Baxhakut?
  • PER KRISTAQ DHAMON…
  • TË ARRITURAT E AMBASADORËVE TË KULTURËS, GJUHËS DHE TRADITËS SHQIPTARE NË SKANDINAVI NUK KANË TË NDALURA
  • Në Prishtinë hapet Seminari i 40-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare
  • Një atentat për shqiptarët dhe një dhuratë për Serbinë !
  • Kryeministri Kurti e Presidentja Osmani pritën në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT