Lek Mirakaj/
Pas librit “Mbi Varkën e Karontit” dëshmi e arrestimit dhe hetuesisë, shkrimtari desident Dine Dine i cili kaloi rreth katër dekada nëpër kampet e internimit dhe ferrin e burgjeve të komunizmit, vjen para lexuesit me një libër voluminoz, ku në cilësinë e protogonistit, na sjell me cilësi artistike, të vërtetën e hidhur të përjetuar në burgun famëkeq të Spaçit. Është shkruar, por jo aq sa duhet mbi njërin nga institucionet më çnjerëzore dhe të turpshme, që pushtuesit shqipfolës, duke marrë eksperiencën më të keqe të gulagëve stalinian, për dyzet vjet e përdorën si instrument dhune dhe nënshtrimi në Shqipëri. Shumë bashkëvuajtës e kanë trajtuar temën e burgjeve ne diktaturë, Visari, Fatosi, Agimi, Zydiu, Maksi e plot të tjerë, kanë krijuar atë që ka hyre në fjalorin e letërsisë me termin “letërsi e burgjeve”. Një emër që po imponohet me cilësi dhe autoritet është pa dyshim Dine Dine. Libri më i fundit i Dines ‘Burgu i Spaçit ” është mbresëlënës, ku karakteret e figurave që autori, në shumicën e rasteve i ka shokë e miq të tij, i përshkruan me dashuri por edhe me vërtetësi. Për ne që kemi pasur fatin e keq dhe të mirë njëkohësisht, me i jetu në vetë të parë shumë nga episodet dhe karakteret që Dine na i sjell në kujtesë, mund të them se na vijnë të freskëta sikur të kishin ndodhur dje. Për të mos u keqkuptuar, kur thashë fatin e keq dhe të mirë, kisha parasysh se krahas fatkeqësisë ne kishim fatin për të qenë një grup shokësh që ishim rritur së bashku nëpër kampet e internimit dhe e kuptonim dhe donim njëri-tjetrin pa interes. Dinja na sjell të freskëta, si njerëz që e meritojnë të quhen “Njerez”, portretin e të cilëve Dinja e përshkruan me dashuri, si portreti i dajë Veliut, kushëriri i nënës së Naimit, apo figura simpatike si intelektuali Islam Spahiu e të tjerë. Po ashtu nuk i shpëtojnë ironisë dhe një farë gjykimi moral, kur portretizon njerëz që kishin humbur diçka nga dinjiteti. Për një lexues që nuk e ka eksperiencën e burgjeve, mënyra që ka zgjedh autori për të treguar të përditshmen e jetës në burg, të krijon idenë se në fund të fundit në burgje nuk e paskeni kaluar shum keq. Dinja përshkruan drekat e përbashkëta, humorin, e një farë jetë jo shum të ngarkuar emocionalisht. Edhe mua që jam njëri nga personazhet, leximi në shikim të parë më krijoi një shije jo të këndshme, po duke u zgjatur në lexim, fillova ta ndiej dhe ta kuptoj Dinen, i cili nuk mund të dalë nga natyra e tij, një Dine që nuk përton të tallet edhe me vehten, një Dine i tej ndjeshëm kur flet për nënën, për gruan e re apo djalin qe e ka lënë një vjeçar, por që ngelet një optimist i pa ndreqshëm, si në rini edhe gjatë jetës së burgjeve. Unë nuk e di a ka qenë një rastësi mënyra se si e përshkruan atmosferën e burgut autori, apo ka qenë një gjetje e qëllimshme, që unë duke njohur që fëmijë Dinen, mendoj se ka qenë e qëllimshme për ti thënë lexuesit, se edhe në konditat antihumane të regjimit të urisë, të galerive, ku hynje dhe nuk e dinje a dilnje, ne nuk u thyem, ne edhe në ato kondita dinim ti jepnim jetës një kuptim. Është shkruar shumë mbi torturat, ridenimet, urinë, e sa e sa privimeve fizike e shpirtërore, po asnjë autor nuk ka bërë gjetjen artistike të Dines dhe moralin që përcjell autori. Edhe në ferr na thotë autori, se ferr i vërtetë ishte Spaçi, nese ke vendosur të jesh njeri, ka vend edhe për çaste të vogla, ku harrohet realiteti. Për këtë duhet të falënderojmë autorin që nëpërmjet zgjedhjes aristike që ka bërë, na ka thënë ca të vërteta që, në mënyrë të qëllimshme, autorët e krimit i injorojnë. Duke lexu librin, lexuesi do mësojë edhe ca të vërteta që janë lënë jashtë të vërtetës së madhe që krahas dhunës kishte dhe rezistencë që manifestohesh edhe nepermjet atyre episodeve që autori i ka përshkruar me dashuri e vërtetësi si momenti i përsëritjes së apelit e pse jo edhe nëpërmjet atyre drekave, ku nuk mungon edhe humori…Jam i sigurtë, megjithëse Dinja asnjëherë nuk kuptohet, kur flet seriozisht e kur bën shaka, lexuesi së shpejti do ketë edhe një libër për burgun famëkeq të Qafë Barit, që me librin e parë mbi Varken e Karontit, burgun e Spaçit do plotësojë trilogjinë e burgjeve.