Vendlindja e njërit prej burrështetasve më të mëdhejnë shqiptarë të shek.XIX ishte Gjakova.Në histori njihet si themelues i veprës “Projekti i Ushtrisë Shqiptare” për tu bërë njëri nga strategët më të njohur dhe diplomat i arrirë në qarqet ndërkombëtare. Kur Napoleon Banaparta preku fundin e tij si perandor pas krijimit të” Lidhjes së Shejtë”ngjarjet tronditëse në kontinentin e lashtë reflektuan në perceptimin ndaj jetës për Sylejmanin.Fati i shumë popujve të Evropës shkruhej në vulën e gjakut dhe të barutit dhe për këtë Sylejmanin nuk e lente të qetë vuajtja e popullit të tij.Nga gjithë këto ngjarje të pandërprera që kapluan kohën e tij, ai kishte një qëllim të vetëm ruajtjen e kombit shqiptarë nga zhdukja pasi që Rusia dhe Turqia ende ishin superfuqi dhe bënin kalkulime mbi kokat e shqiptarëve. Në moshë shumë të re bëhet pjesë e Lëvizjes së Kallfëve, për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin e njerëzve të thjeshtë,për të vazhduar pastaj me aktivitetin kundër shfrytëzimit dhe shtypjes që i bëhej popullit shqiptar nga pushteti qendror Osman, me mbështetjen e Fuqive të Mëdha. Reformat e përcaktuara nga pushteti Osman nuk njihnin asnjë të drejtë fetare dhe kombëtare ndaj shqiptarëve,përkundrazi bënin ç’mos që t’i shkombëtarizonin ata.Për këtë gjë Sylejman Vokshi ishte aktiv në konfliktin shqiptaro-osman prej vitit 1839 e cila njihet si periudha e Tanzimatit. Lufta e tij e vazhdueshme kishte një qëllim të vetëm, bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet autonom të vetëm. Qëndresa e tij e palodhshme e bëri Vokshin një ndër personalitetet më të mëdha jo vetëm ndër shqiptarë por edhe më gjërë. Kështu Kriza Lindore dhe Traktati i Shën Stefanit bënë që Vokshi me atdhetarët tjerë shqiptarë të nisin krijimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, organizatë me karakter mbarëkombëtar në rrafshin, ushtarak,politik, pushtetor dhe kulturo-arsimor. Ç ështjen e shtetit shqiptar autonom si dhe kërkesat e saj Lidhja e Prizrenit përveç Portës së Lartë të sulltanit, i shtroi edhe para Kongresit botëror në Berlin ku merrete pjesë gjithë diplomacia ndërkombëtare. Në luftën e tij të pakompromis ndaj forcave feudale çifligare dhe Lidhjes së Myslimanëve të Vërtetë a Fraksionit të sulltanit, Partisë së Portës, në Kuvendin e Përgjithshëm Kombëtar të Lidhjes në Prizren Sylejman Vokshi nuk ndaloi. Ky konflikt i hapur e i pakompromis, çoi në vrasjen e prijësit Abdullah pashë Drenit dhe të mareshalit Mehmet Ali pashë Maxharri, misionar i sulltanit, që kishte ardhur të vinte në jetë vendimet e padrejta të Kongresit të Berlinit për cungimin e viseve shqiptare. Fraksionit të sulltanit, Partisë së Portës, në Kuvendin e Përgjithshëm Kombëtar të Lidhjes në Prizren Sylejman Vokshi nuk ndaloi. Ky konflikt i hapur e i pakompromis, çoi në vrasjen e prijësit Abdullah pashë Drenit dhe të mareshalit Mehmet Ali pashë Maxharri, misionar i sulltanit, që kishte ardhur të vinte në jetë vendimet e padrejta të Kongresit të Berlinit për cungimin e viseve shqiptare. Veç tjerash dhe në luftën ndaj malazezëve në Plavë dhe Guci, Hot e Grudë u vunë në pah aftësitë luftarake dhe komanduese të Sylejman Vokshit me trimat tjerë shqiptarë. Si hartues i veprës “Projekt i Ushtrisë Shqiptare”, burrat e Lidhjes së Re e zgjodhën shef të Seksionit Ushtarak me cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes e të Kryekomandantit të Ushtrisë. Figura e tij mbetet madhështore duke i dhënë lavdinë dhe sa ishte gjallë.Sa ishte Vokshi Malësia e Gjakovës u shndërrua në kështjellë të pathyeshme për armikun. Përpjekjet e tij për ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës kombëtare dhe gjuhës shqipe shënojnë një kthesë historike, ai shkollën shqipe e shihte si tempull të formimit e të edukimit atdhetar. Vepra e tij i takon përjetësisë duke u bërë frymëzim për brezat.
Anton Logoreci, shkrimtari, gazetari, diplomati; nje atdhetar i pashoq në shërbim të kombit
Nga Pjeter Logoreci/Wien-Austri/
“Dekadat e diktaturës i mohuan kulturës sonë kombëtare një mision veprues shumë të fuqishëm, atë të diasporës./
Një element me vlerë të kësaj hapësire kulturore që pret t’i pohohet sa më shpejt kulturës kombëtare dhe të vetëdijësohet sa më parë në ndërgjegjen popullore, sidomos në atë të rinisë, e përbën trashëgimia shpirtërore e Anton Logorecit. Ky personalitet i fuqishëm i kulturës sonë i takon asaj radhe intelektualësh shqiptarë që, e kuptoi dëmin kombëtar të komunizmit dhe iu kundërvu atij me gjithë aftësinë intelektuale, vullnetin shpirtëror dhe zjarrminë e pasionit.”
E nisa shkrimin tim mbi intelektualin e atdhetarin Anton Logoreci me këtë pasazh shumë domethenës nga një artikull i botuar në shtypin shqiptar nga studiuesi i njohur shkodran Anton Cefa, me titull: Anton Logoreci, përfaqësues i denjë i kulturës së diasporës shqiptare.Intelektuali Anton Logoreci ose Ndoci, sic e thërrisnin shkodranët, lindi në Shkoder me 19 korrik 1910, në një familje me tradita atdhedashëse. E ëma Maria, bijë nga familja elitare Toska, pat nëntë fëmijë, shtatë djem dhe dy vajza, ndër të cilët Antoni ishte fëmija i parë. I ati, Pjetri, për të ushqyer familjen e madhe punonte si argjendar, por ishte dhe shumë aktiv në levizjet politike e shoqërore të kohës. Për këtë, gjatë qeverisjes së tij, Noli e emroj atë nënperfekt të Malsisë së Madhe, ndërkohe që vëllezërit e tij Matia e Paloka, i ishin përgjigjur thirrjes së xhaxhait të tyre, Arqipeshkvit të Shkupit Andrea Logoreci, për të punuar si mësues për përhapjen e arsimit e gjuhës shqipe në Kosovë ( Prizren e Gjakovë).Që fëmijë, Antoni, pat kontakte me figura madhore të rilindjes sonë kombëtare si Filip Shiroka, Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Ndre e Lazer Mjeda, të cilët ishin miq të familjes, por dhe farefis (Ndre e Lazër Mjeda) me Logorecët. Ai nisi mësimet në kalasat fillore të etërve franceskane, për të kaluar më vonë, në klasat për të rritur të kolegjit jezuit të qytetit të Shkodres. Si fëmijë, Antoni, ishte gjithmonë aktiv dhe premtonte një personalitet të spikatur artistik e letrar. Ai ishte një nder fëmijët e talentuar, pjesë e grupit teatror të shkollës, ku arriti të shpalosë dëshirën e pasionin e tij për skenën ndër rolet e melodramave historike e patriotike që luheshin në kolegj.
Në një shënimim biografik për Logorecin, z. Fan Sotir Kristo, shqiptaro amerikani i njohur nga Bostoni, shkruan në volumin 12 të Buletinit Katolik Shqiptar të botuar në San Francisko si dhe në rrjetin amerikan informativ FROSINA këto kujtime:
“… Gruaja ime Jane dhe unë patëm fat, shumë vite më parë, për të takuar Anton Logorecin në Londër gjatë vizitave tona në atë qytet historik ku shpejt u bëmë miq të mirë me të dhe me gruan e tij të bukur, Doreen me te cilen ai u njoh ne BBC, ku punuan se bashku gjate luftes se dyte boterore.
Anton Logoreci,… ishte thesari më i fundit që i jepej botës nga nje familje katolike shqiptare. Të aferm te familjes se tij ishin, Arqipeshkvi i Shkupit – Andrea Logoreci, prindërit e Nënë Terezës, Mati Logoreci- xhaxhai i tij i cili punoi shume për të ruajtur kulturën shqiptare në Kosovë dhe për të ndihmuar në formulimin e një alfabeti të perbashket për gjuhën shqipe. Gjatë fëmijërisë së tij Antoni ndoqi ne Shkoder shkollën fillore françeskane, ku dhe shërbeu në altarin e kishës së Shën Antonit, aty afer. Ai i si fëmijë i pat shërbyer rregullisht Meshës së At Gjergj Fishtës, autorit të madh shqiptar dhe poetit laureat. “
Në vitin 1922, me themelimin nga Kryqi i Kuq Amerikan të Kolegjit Teknik Amerikan në Tiranë, familja e dërgoj Antonin në këtë kolegj, i cili ndikoj shumë në formimin përendimor të tij. Ambienti, gjuha angleze, programi mësimor, aktivitetet e shumta si dhe mesuesit e specialistët e shkollës ishin elemente të fuqishëm në pregaditjen e shumë anëshme mësimore e disiplinore të cdo studenti, që do ti shërbente më pas për të krijuar bazat e një karrierë të fuqishme. Përvec pregaditjes së një kaste teknikësh që më vonë do ti shërbente rindërtimit të vendit në të gjitha fushat, Kolegji qe një nga bazat e fuqishme të krijimit të elementeve përparimtare që me kulturen e marrë aty i tregonin botës se vinin nga një shoqëri e emancipuar dhe e denjë europiane.
Antoni me sjelljen e telentin e tij letrar u bë një ndër studentet e zgjedhur të drejtorit Fultz i cili drejtonte kolegjiumin e redaksisë të revistës së shkollës LABOREMUS, të cilën e kishte krijuar vetë. Antoni ishte një nder redaktorët e revistës, por edhe shumë aktiv me shkrimet e tija në këtë organ. Falë inteligjencës së tij, kjo periudhë i sherbeu atij që të kuptonte sekretet e shkrimit në prozë, që më pas e ndihmoi për punën e tij të përherëshme në Radio Londra, por edhe për të shkruar artikuj, tregime, novela e libra të suksësshëm.
Pasi u diplomua në vitin 1927, Antonit ju dha mundësia të ishte shoqërues dhe përkthyes i gjeneralit britanik Jocelyn Percy të cilin Presidenti Zog e ngarkoj me organizimin dhe trajnimin e xhandarmerisë shqiptare. Puna në skuadren e gjeneralit anglez e ndihmoj Logorecin të krijojë një këndvështrim të saktë për demokracinë, diplomacinë, politikën e po ashtu të përcaktonte rrugen e studimeve dhe karrierës së tij të ardhëshme. Pasi perfitoj një bursë, për rezultate të larta, nga shteti, në vitin 1937 filloj studimet dhe u diplomua për ekonomi e shkenca politike në universitetin shtetëror në Londër, LSE (London School of Economics and Political Science), një nga universitetet më në zë të botës nga ku dolën përsonalitete të politikës botërore, shumë mbajtës të cmimit Nobël, sipërmarrës nga më të suksesshmit e botës, gazetarë të famëshëm si dhe dhjetra profesorë që mësuan pastaj në gjithë anët e globit.
Në Shqiperi, Antoni, edhe pse në moshë të re, arriti të krijojë lidhje të shumta me personalitete të shquara të kohës nga të gjitha fushat si Edith Durham, Ernest Koliqi, Branko Merxhani, Ismet Toto, Tajar Zavalani, Eqerem Cabej, Karl Gurakuqi, Petro Marko, Odise Paskali… Ai kishte një bashkëpunim të përherëshëm, nëpërmes botimeve të tija, me revistat dhe gazetat shqiptare të kohës. NOLOGUS ishte pseudonimi me të cilin ai u paraqit me shkrimet e tija në organet e shtypit, si mbrenda dhe jashtë vendit.Në vitin 1940, qeveria angleze, duke vlerësuar situatën e krijuar ndërkombëtare, vëndosi të hapë një program në gjuhën shqipe në rrjetin njohur BBC. Kjo dritare informacioni do ti shërbente shqiptarve të cilët vuanin nën pushtimin fashist për të kuptuar situatën e luftës, por edhe për tu ndergjegjësuar kundër okupatorit. Me propozimin e sekretarit të ambasadës shqiptare Dervish Duma, drejtimin e këtij programi e mori Anton Logoreci. Duma e njihte mirë Logorecin, qysh në shkollën e Fultzit, ato ishin miq dhe bashkëpunëtorë të ngushtë, në të mirë të Shqipërisë, gjithë jetën.
…„Nuk ka shqiptar që të mos e ketë dëgjuar çdo mbrëmje zërin e Anton Logorecit nga qendra
transmetuese e BBCsë, që ishte një institucion edukimi politik e demokratik edhe për të. Ai aty nuk punoi si folës i thjeshtë por edhe si komentator, si përgjegjës i sektorit për Shqipërinë e më vonë si përgjegjës i BBC-se per sektorin e tërë Evropës Lindore“, shkruan Albulena Stojaku në shtypin shqiptar në artikullin: NOLOGUS, NJE PERSONALITET I HARRUAR… dedikuar Anton Logorecit…
“Ai ishte një nga komentatorët më të kualifikuar të Evropës Lindore dhe më vonë u bë shkrimtar e gazetar i programit për Evropën Qendrore dhe mbeti një komentator i vlefshëm për BBC për vite me radhë, duke u specializuar për problemet e të drejtave të njeriut në Evropën Lindore si dhe zhvillimet në Shqipëri.
Logoreci ishte arsyja e vetme për vëmendjen që Shqipëria mori pas luftës. Qe ne fillim, ai e akuzoj Enver Hoxhën për diktaturën e tij, duke theksuar se e ardhmja e Shqipërisë duhet ti perkase demokracisë perëndimore dhe jo komunizmit. Logoreci ishte një mbrojtës i autonomisë, kulturës dhe traditave të Kosovës. Komentet e tij ishin të largpamese dhe shpesh profetikë”…shprehet njohësi i ceshtjes shqiptare, kolegu dhe miku i tij shqiptaroamerikan Fan Kristo në Buletinin Katolik të shqiptarve të Californisë. Anton Logoreci njihej në mbare diasporën shqiptare, jo vetëm si rezultat i përhapjes së zërit e komenteve të tija në shqip nga Radio Londra, por edhe nga botimet e tija, si shkrimtar e gazetar. Ishte deshira e tij e jetës që ti përkushtohej kësaj fushe. Krijimet e tija në prozë përshkoheshin nga një stil i zhdërvjedhët e modern, që e veconte atë nga shkrimtarët e tjerë bashkëkohorë. Në shkrimet e tij plot pasion, ai sillte me mjeshtri para lexuesit bukurinë e trojeve shqiptare, freskinë e luleve në oborret shkodrane, karakteret e bashkëqytetasve me problemet e tyre sociale e mallin e tij që e digjte për atdhe.Me ardhjen e komunistëve në pushtet, si rezultat i komenteve dhe kritikave që Logoreci percillte nëpërmes Radio Londrës, familja e tij në Shkoder vuajti kalvarin e mundimeve, burgjet dhe diskriminimin. Rregjimi burgosi vëllaun e tij më të vogël, të sapo dalë nga bangat e gjimnazit, Filipin, i cili vuajti, i mbyllur por i pa dënuar, në burgun e Shkodres ku i prenë gjymtyrët, ku u sëmur rëndë nga tuberkulozi që i shkaktoj vdekjen në sanatorium. Shokët e tij të burgut tregojnë që:.. sa herë që në emisionin shqip të Radio Londrës përmendej emri i diktatorit, monstrat injorante, kapterrat komunistë të burgut, torturonin pa mëshirë deri në prag të vdekjes të vellaun Filipin.Familja e Antonit në Shkoder ishte vazhdimisht pre e bastisjeve dhe kontrolleve nga njësitet e sigurimit, që kërkonin të gjenin një shkak që të burgosnin vllezërit e tjerë. Falë personalitetit, njohjeve e kontakteve të mira të Antonit, Logorecët patën edhe ndonjë periudhë të shkurtër “qetësie”. Në memorjen e cdo pjestari të familjes Logoreci ka mbetur e fiksuar marrja e tyre nën mbrojtje, gjatë një raprezalje, nga shkrimtari Petro Marko, që me statusin e komandantit gjindej me shërbim në Shkoder, i cili, sapo dëgjoj që në familjen e Anton Logorecit po bëheshin bastisje, që pjestarët e familjes i kishin lidhur në pranga, ndërhyri personalisht duke larguar nga shtëpia e tyre njësitin e sigurimit e duke penguar burgosjen e Gasprit, vëllaut tjetër të Antonit, i cili mbet vetëm pak ditë në burg.
Po ashtu ato nuk mund të harrojnë rrëfimin e komunistit (antarit të komitetit qëndror) Fadil Pacrami, për takimin e tij me Antonin në Londër. Sipas Pacramit:…ai ishte dërguar në Londër nga diktatori për ti kërkuar Antonit “kthimin” në Shqipëri, ….me arsyetimin: …që ka më “nevojë” Shqipëria për ty se Londra…
Logoreci, i cili e njihte më mirë se kushdo tjetër bëmat e pabesinë e komunistëve shqiptare, nuk pranoj, pasi ishte i bindur se po të kthehej do ta priste pushkatimi apo burgosja për jetë. Si aktivist i të drejtave të njeriut në forumet ndërkombëtare, ai kontaktonte dhe merrte informacione nga të gjithë të arratisurit politik shqiptarë që delnin në perëndim, për këtë shkak ishte kurdoherë i mirëinformuar dhe aktual në emisionet e tij të Radio Londrës. Gjithashtu ai e njihte mjaft mirë edhe hakmarrjen e kriminelit Mehmet Shehu, të cilin e kishte pasur bashkënxënës në kolegjin amerikan të Fultzit. Dihej nga të gjithë që Mehmet Shehu, arrestoj, burgosi apo pushkatoj gati të gjithë kolegët e tij të shkollës amerikane, për “fajin” e vetëm se kishin qenë nxënës të “spijunit” Harry Fultz…
Gjatë viteve të formimit të tij profesional, si dhe të angazhimeve të tij për Shqipërinë, Antoni pat bashkëpunim të ngushtë me personalitete të kulturës shqiptare në diaspore si … Dom Zef Shestani, Arshi Pipa, Martin Camaj, Zef Skiroi, At Daniel Gjecaj, Ernest Koliqi…
Në shtëpinë e tij në Londër, vite me radhë, Logoreci, priti dhe strehoj shumë bashkëatdhetarë të arratisur e studentë nga Shqiperia, që prisnin të udhëtonin drejt botës së lirë, Amerikës e vendeve të tjera.
Në vitin 1977, Anton Logoreci botoi në Londër librin e tij “The Albanians – Europe´s Forgotten Survivors” ose të shkruar në shqip “Shqiptarët – të mbijetuarit e harruar të Europës”, një libër i shkruar me profesionalizëm dhe që u bë pikë reference për të gjithë studiuesit e ceshtjes shqiptare e ballkanike. Libri ishte një analizë e thellë e shkaqeve të lëngimit të gjatë të atdheut nga komunizmi, izolimi, konfliktet ndërkombëtare, mardhëniet me fqinjët si dhe vuajtjet dhe prespektivën e lirisë së Kosovës martire.
Gazetarja dhe kritikja angleze Elisabeth Barker shkruan: …Logoreci i dha librit të tij “The Albanians” një titull kuptimplotë – Europe´s Forgotten Survivors” – TE MBIJETUARIT E HARRUAR TE EUROPES. Ai ka treguar në libër historinë e një prej kombëve më të vegjël e më të vjetër europiane, të cilët banojnë në malet e tyre shkëmbore në bregdetin lindor të Adriatikut, një popull përherë i sulmuar, por, kurrë i nënshtruar nga pushtuesit e huaj, i rrethuar nga fqinjë armiqësore, e në pjesën më të madhe të historisë së tij, i harruar nga bota.
Po ashtu, gazetari i politikës ndërkombëtare dhe specialist i njohur i Ballkanit James H. Seroka e ka vlersuar librin me këto fjalë: …përshkrim interesant dhe korrekt i Shqipërisë bashkëkohore, që përmban përshkrime nga historia, kultura, ekonomia, politika, sociologjia e politika e jashtme e vendit, por jo si librat e tjerë, ky është i shkruar nga një shqiptar me prespektivë….. libri është burimi i vetëm më i mirë, për Shqiperinë, i shtypur deri më sot….
Eshtë për të ardhur keq, shkruan Prof. Anton Cefa, që tragjedia vazhdon ende. Libri është shkruar e botuar, por nuk ka rënë ende në dore të shqiptarëve, nuk është përkthyer, pra nuk është lexuar.
Edhe pse me një jetë e familje të realizuar, Antoni, i cili kishte dekada që ishte larguar, në pamundësi të vizitës në vendin e lindjes, digjej nga malli për atdheun. Kjo pasqyrohej qartë ndër skicat e tregimet e tij për atdheun e sidomos për Shkodren. Ai po thuajse cdo vit, i shoqëruar nga një pjestar i familjes mike Kovaci nga Ulqini, ngjitej në një pikë të lartë të malit të Taraboshit, për të kundruar Shkodren e tij të dashtun, per të shuar mallin për vendin e lindjes dhe gjysmën tjetër të familjes, që përpëlitej në ferrin komunist shqiptar. Kurdoherë nga Taraboshi, ai merrte me vehte dhe shtërngonte në gji, një grusht dhe apo gurë nga toka e nënës, Shqipëria.
Antoni vdiq me 23 shtator 1990, pa arritur të kthehet në atdhe dhe në qytetin e lindjes Shkoder, por arriti të shohë agoninë dhe rrëzimin e bishës komuniste, si në atdheun e tij dhe në të gjithë Europen lindore, gjë për të cilën punoj gjithë jetën. Per aktivitetin e tij politik dhe atdhetar, ne vitin 1993, presidenti i Shqiperise e nderoj me medaljen “Pishtar i Demokracise”.
Ka rreth 12 vjet që Bashkia e Shkodres neglizhon dhënien e një titulli nderi apo emertimin e një rruge për të perjetësuar emrin e Anton Logorecit, që me veprimtarinë e tij në Londër i bëri nder kombit dhe qytetit të Shkodres. Por keqdashja dhe injoranca e drejtuesve të administratës lokale nuk do të arrijë të zbehin madhështinë e Anton Logorecit, birit të një familje, gur i fortë në themelet e historisë së qytetit e të kombit shqiptar.
Wien, me 10.5.2017
Homazh për atdhetarin e diplomatin e shquar, Gani Azemi
Nga Prof. As. Dr. Enver Bytyçi/
Në historinë tonë kombëtare brezat kanë lënë një trashëgimi të pashtershme, e cila i frymëzon shqiptarët në udhën e lirisë, demokracisë dhe prosperitetit. Ndërsa periudha e dekadave të fundit të shekullit XX ishte për Kosovën koha e rilindjes së saj, për shkak se djemtë dhe vajzat e Kosovës u shkolluan dhe mësuan se nuk mjafton vetëm pushka për ta fituar lirinë. Ndër këta më të spikaturit ishte padyshim Gani Azemi, një personalitet politik, diplomat, gazetar, veprimtar i shquar dhe pse jo edhe krijues e poet i talentuar. Gani Azemi lindi më 1951 në fshatin Babush, afër Gadimes së njour në Kosovë për shpellën e saj të famshme me kristalet e mrekullueshme. Ndoshta këtu, ku dhe mbaroi studimet e para, ai u formua si idealist i kristaltë, me shpirtin e lirisë dhe dashurinë e pakufishme për vendin e tij, Kosovën. Mbaroi normalen e Ferizajt e më pas universitetin e Prishtinës. Ai ishte vetëm 17 vjeç kur u përfshi në protestat dhe demonstratat e vitit 1968 për “Kosovën Republikë” dhe natyrshëm një protestues i kësaj moshe nuk mund ta tradhëtonte veten e tij në asnjë moshë tjetër. Prandaj nuk iu nda veprimtarisë patriotike për një Kosovë të lirë e të pavarur, derisa nën presionin e forcave të sigurisë e të shërbimit të fshehtë serb u detyrua më 1978 të arratiset nga vendi e të kërkonte azil në Bruksel. Eshtë interesant fakti se kur Ganiu u arratis nga Kosova në Perendim po kryente shërbimin ushtarak në armatën jugosllave. Të guxoje të ikje nga ai shërbim ishte një guxim i dyfishtë, që shprehte veç tjerash vendosmërinë e tij për të sfiduar regjimin e Beogradit në Kosovë. Një sfidë, të cilën pak njerëz e kanë realizuar. Dhe për këtë arësye Gani Azemi ishte në shënjestër të goditjeve dhe të atentateve të UDB-së. Shërbimi sekret serb nuk mund të pranonte këtë sfidë, si dhe devotshmërinë dhe punën atdhetare të tij me qëllim lirinë e shqiptarëve në Kosovë. Prandaj u përpoq që ta likuidontë atë fizikisht, siç kishte bërë me patriot të mëdhenj të asaj kohe si Jusuf e Bardhosh Gërvalla (1981) apo Enver Hadrin më vonë (1990). Ai u largua dhe dezertoi nga ustria jugosllave pas një dhune e torture të zgjatur në kohë, për ç’shkak ishte dobësuar dhe do të përballes edhe me ndonjë sëmundje. Ashtu, I dobët, por me vullnet të fortë Ganiu i tha “JO” shërbimit ushtarak, i tha “JO”, torturës e dhunës fizike e psikologjike të regjimit të Beogradit. Gani Azemi u shfaq në Bruksel asokohe jo si një punëkërkues, por si një luftëtar lirie. Shpirti i lirisë ishte dhe shpirti i Kosovës, e cila pak më vonë do të bëhej përsëri pre e dhunës dhe terrorit serb. Ndodhën ngjarjet e vitit 1981, të krahasueshme me ato të vitit 1968, dhe Prishtina e qytete të tjera të vendit u pushtuan nga tanket, ushtria dhe policia federative e Jugosllavisë (saktësisht Serbisë). Zoti Azemi prej këtij momenti organizoi mërgatën e Brukselit, më pas të të gjithë shqiptarëve në Belgjikë e më vonë me ndikim tek e gjithë mërgata në Europë e deri në Amerikë, për të denoncuar dhunën shtetërore të Beogradit në Kosovë. Denoncimi i atyre veprimeve antihumane e antishtetërore ishte një detyrë parësore për shumë arësye. – Sepse Serbia ishte shfaqur para opinionin europian si viktima e shqiptarëve dhe e kombeve të tjera në Ballkan dhe me evidentimin e dhunës serbe e denoncimin e saj, ajo do të shihej me sytë e një realiteti ekzistues. – Sepse shqiptarët, ata në Shqipëri dhe shumë shqiptarë të Kosovës në diasporë nën ndikimin e ideologjisë komuniste hoxhiane, u shfaqën në opinionin perendimor si nacionalistë, si njerëz problematikë, që duan të ndryshojnë hartën e Ballkanit me dhunë. Ky qëndrim i Shqipërisë pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën, duke thirrur në ndihmë të pushtetit nacionalizmin e përforcoi përceptimin se “serbët janë vërtet viktima të shqiptarëve”. Në vend të ankoheshin shqiptarët, ankoheshin serbët, në vend që shqiptarët të qanin për varret që hapeshin, ata mburreshin me heroizmat e tyre dhe me dëshmorët fiktivë të tyre, duke e ndihëmuar procesin e viktimizimit të Serbisë e të serbëve. Me përkushtimin e jashtëzakonshëm të tij, Gani Azemi punoi me mish e me shpirt për bashkimin e diasporës shqiptare në botën e Perendimit dhe për këtë qëllim bashkëpunoi ngushtë me shumë patriot të tjerë me emër, si Jusuf Gërvalla në Gjermani e Hysen Gërvalla në Zvicër. Në këto përpjekje ai u shpreh gjithnjë kundër indoktrinimit të shqiptarëve me ideologjinë komuniste, që vinte si propagandë e regjimit komunist të Tiranës. Sipas tij “nuk fitohet përkrahja e botës demodratike me parulla komuniste, por vetëm duke kërkuar mbrojten e të drejtave të njeriut dhe të popullit për shqiptarët të Kosoves”. Duket se Deklarata e të Drejtave Universale të Njeriut si dhe zhvillimet që kishte marrë mbrojtja e këtyre të drejtave pas Konferencës së Helsinkit kishin shënuar një ndikim të jashtëzakonshëm te ai. Bashkatdhetarët e tij mërgimtarë e mbajnë mend Gani Azemin si një personalitet me cilësitë e një njeriu të mençur e të urtë, karizmatik e më një zë të fuqishëm si vocal e në përmbajtje, si një intelektual që ushqente besim, krijonte atmosferë entusiazmi dhe dëshmonte fuqinë e mendimit të tij patriotic e demokratik. Vokali i tij ndoshta ishte i trashëguar nga babai, i cili ishte një imam (hoxhë) I zoti në fshatin e tij të lindjes. Gani Azemi nuk u tundua nga kjo lloj megalomania, u tërhoq nga vetëmburrja. Ashtu i qetë, paqësor, dukë prodhuar gjithnjë energji positive ai iu ngjiz jo vetëm fakteve, ngjarjeve, të dhënave, argumenteve që prodhonte sidomos grupi për të Drejtat e Njeriut, të cilin ai e drejtonte bashkë me Enver Hadrin, por i tillë u shfaq para bashkëbiseduesve europianë. Rastësisht ose jo ai jetoi dhe militoi në kryeqytetin e Europës së Bashkuar. Aty gjeti bashkëbisedues të shumtë, me të cilët kontaktoi çdo ditë e çdo orë, duke ndarë me ta ngjarjet e Kosovës, sidomos dhunën e terrorin serb që ushtrohej mbi shqiptarët. Nuk u ndal asnjë moment dhe punoi me përkushtim në marrëdhënie të ngushtë me politikanët e diplomatët europianë të Brukselit, me median europiane, me personalitete të kulturës dhe shkencës. Bashkëshortja e tij, Mejreme Azemi, e cila është ende sot e angazhuar me shtypin dhe medien në Bruksel, u bë një mbështetje e jashtëzakonshme për Gani Azemin, duke krijuar kështu një çift të aftë e të suksesshëm në përpjekjet e mundimshme në ndihmë të çeshtjes kombëtare shqiptare. Natyrisht që dalja e Dr. Ibrahim Rugova ne skenën politike dhe të lidershipit të Kosovës krijoi një hapësirë të re për përpjekjet e vazhdueshme të diasporës shqiptare në ndihmë të çlirimit të vendit nga sundimi e dhuna e Serbisë. Duhet thënë se diaspora e shqiptarëve të Kosovës mund e duhet shënuar si kontribuesja kryesore e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, edhe për shkak të pamundësive për të vepruar në territorin e saj. Gani Azemi kishte shumë arësye të ishte në një linjë me Rugovën e të bëhej krahu i djathtë i tij në kryeqytetin europian, ku vendimmarrja ishte shumë domethënëse për lirinë e shqiptarëve. Ai kishte një profil të lartë intelektual, kishte kapërcyer, ashtu si edhe Rugova, nëpër shumë realitete të dhimbshme për vendin, kishte marrë pjesë në barrikadat e luftës për liri, kishte një përvojë të gjatë të luftës “guerile” kundër pushtetit e dhunës serbe në Kosovë. Nga ana tjetër kishte një temperament të qetë, e urrente protagonizmin, por punonte fort për të informuar botën demokratike për çka po ndodhte në Kosovë. Ai ishte i urtë, i kthjellët, karakteristika këto që i pëlqenin liderit historik të Kosovës. Për të gjitha këto arësye mund të thuhet se Rugova dhe Gani Azemi u mirëkuptuan që së paku në Bruksel të plotësonin njëri-tjetrin. Nëpërmjet Gani Azemit Ibrahim Rugova ishte çdo ditë i pranishëm në Parlamentin Europian e në Komisionin Europian, por edhe në Këshillin e Europës. Ai u bë urëlidhëse midis Prishtinës e Brukselit si dhe mbështetja kryesore e Ibrahim Rugovës në ndërtimin e promovimin e çeshtjes shqiptare të Kosovës në Bruksel. Dhe jo vetëm në institucionet europiane, por edhe në selinë e NATO-s Gani Azemi u gjend kurdoherë si bashkëbisedues dhe ndërlidhës i politikave të lëvizjes çlirimtare të Kosovës me interesat, konjukturat dhe rrethanat në të cilat duhej të vepronte Aleanca e Atlantikut. Nëse ka patur ndonjë lidhje të qëndrueshme e të pakompromis për lirinë e Kosovës midis dy personaliteteve, si dhe midis Kosovës dhe Europës, midis Prishtinës dhe Brukselit, kjo lidhje padyshim mund ta marrë emrin si lidhja midis Dr. Rugovës dhe Gani Azemit. Në këtë mënyrë zoti Azemi u bë “ambasadori” i parë i presidentit Rugova në Bashkimin Europian, u formua praktikisht e teorikisht si një diplomat i klasit të lartë, u shqua për një marrëdhënie miqësore, mirëkuptimi e kompromisi me partnerët e tij të politikës dhe diplomacisë euripiane e euro-atlantike, duke shkuar hap pas hapi te krijimi i bindjes se “Kosova vuan një regjim aparteidi”, dhe se “duhet dalë nga kjo situatë dhune e terrori të pandërprerë të regjimit të Milosheviçit”. Sa më shumë shtohej terrori serb në Kosovë, aq më shumë i rriste Gani Azemi kredencialet e vendit të tij dhe përçonte argumentet e ndërhyrjes nga jashtë për zgjidhjen e konfliktit. Por edhe kur lindi UÇK, ai me shumë maturi e largpamësi dalloi se lëvizja paqësore e Dr. Rugovës dhe Lëvizja e Armatosur për Çlirimin e Kosovës ishin dy aleatë të pandashëm për lirinë e saj. Qenë shumë pak ata njerëz që Luftën dhe UÇK-në e kuptuan dhe e interpretuan si të tillë, si zgjatim i përpjekjeve të shqiptarëve për liri e pavarësi, fillimisht përmes lëvizjes paqësore active të refuzimit të regjimit serb në Kosovë. Ndër ta spikati Gani Azemi, duke dhënë mesazhin e bashkimit të shqiptarëve në luftën kundër përpjekjeve të Milosheviçit për asgjësimin e tyre. Pas Luftës Gani Azemi thjesht iu gëzua çlirimit të Kosovës dhe mbeti gjithnjë besnik i vijës së urtë e filozofisë përbashkuese të presidentit Rugova. Ndërsa pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, qeveria e Kosovës e emëroi Gani Azemin si këshilltar-Ministër në ambasadën e saj në Bruksel. Nuk e di nëse do të gjendej apo u gjet ndonjë diplomat tjetër si ai për ta përfaqësuar Kosovën si ambassador në kryeqytetin europian! Por ky aspekt nuk është çeshtje që mund të trajtohet në këtë homazh me rastin e 4 vjetorit të asaj dite të dhimbshme, kur njeriu i urtë e besnik i Rugovës dhe i Kosovës ndërroi jetë. Kam pasur fatin ta njoh Gani Azemin, të bisedoj me të, madje në librin tim “Ibrahim Rugova: Filozofia politike dhe nacionale”, kam vënë disa vargje të poemës që ai i kushtoi presidentit historik të Kosovës, Dr. Rugovës. Me këtë dua të përmend faktin se Gani Azemi nuk ishte thjesht një politikan dhe diplomat, ishte gjithashtu poet, eseist, gazetar dhe një personalitet, vepra e të cilit mund të konsiderohet shumëdimensionale, para së gjithash humane e shoqëruar me vendosmërinë, përkushtimin dhe devotshmërinë e pafund për t’i dhënë Kosovës lirinë e pavarësinë e saj.
Ndahet nga jeta ish-gazetari, diplomati, deputeti Qazim Tepshi
Të premten, më 21 qershor 2015, gazetari, diplomati e deputeti durrsak, 73-vjeçari Qazim Tepshi, ka gjetur vdekjen pas një ataku kardiak. Qazimi mbaroi studimet e larta për gjuhë e letërsi shqipe. Në vitin 1966 ishte mësues në shkollën e mesme të përgjithshme “Nako Spiru” (sot shkolla 9-vjeçare “Marie Kaçulini”). Pastaj filloi punën si korrespodent i “Durrësit” dhe më vonë redaktor në të përditshmen “Bashkimi”. Për shkak se njihte gjermanishten e gjuhë të tjera, edhe pse jo anëtar i PPSH, u tërhoq në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ka qenë ambasador në Itali, Greqi dhe Republikën Çeke. Në vitet 2001-2005 u përfshi në politikë, duke iu bashkuar ish-Partisë Demokratike të Reformuar dhe doli deputet i saj në Kuvendin e Shqipërisë nga Durrësi. Ka botuar dhe një libër për problemin e Kosoves.
Sh.K
Studiuesi, diplomati dhe pedagogu Dr. Pjetër Ndoc Pepa (1942 -2014)!?
Këto ditë pranvere qyteti martir i Shkodrës, me tradita të lashta historie dhe kulture, humbi sot një bir të denjë të vetin. Me vdekjen e Dr. Pjeter Pepës, bashkëqytetarët tanë, kanë humbur një intelektual të nderuar dhe respektuar. Prof. Pepa, gjatë gjithë kohës, hulumtoi dhe punoi papushim si bleta punëtore, me përkushtim dinjitoz, për të nxjerrë në dritë të Diellit, malin e madh të kalvarit dhe mundimeve mbinjerëzore, që kaloi mbi shpinën e përvuajtur qyteti ynë. Pikërisht, gjenocidit e madh dhe më makabër në llojin e vet, të ushtruar padrejtësisht prej 1944-1990, nga diktatura dhe diktatori ndaj djepit të qytetërimit dhe identitetit të pastër shqiptar Shkodrës dhe Shqipërisë, studiuesi shkodran Dr. Pepa, e mblodhi dhe botoi në shumë libra më profile të ndryshme./
Nga Klajd Kapinova/
Ditë dhimbje për vendlindjen
Dr. Pjetër Pepa (1942), lindi në qytetin e Shkodrës, në lagjen e famshme Arra e Madhe, ku, kreu mësimet fillore e të mesme. Në vitet 1960-1965, kryen me rezultate të larta Fakultetin e Mjekësisë, dega Stomatologji. Ai emërohet mjek stomatolog, në klinikën e qytetit të Shkodrës.
Falë pasionit për mjeksinë, merr pjesë aktive, në sesionet e para shkencore në shkallë vendi, që zhvillohen në vitin 1967, në vendlindje e rrethet të tjera të Shqipërisë, sidomos ato të Fakultetit në kryeqytet.
Në vitet 1969-1970, shërben në lokalitetin e thellë malor të Dukagjinit, ku, vijon të mbledhë materiale e botojë tema shkencore, përkthime e botime të ndryshme.
Gjatë vitit 1974, specializohet pranë Katedrës së Stomatologjisë për Ortodonti. Falë pasionit të spikatur, për dijën dhe kulturën kombëtare dhe të huaj, ai jep provimet pasuniversitare, në gjuhët: italisht, frëngjisht, rusisht etj.
Më vonë, me dëshirë të madhe mëson gjuhën e bukur gjermane. Pengohet, për motive politike, të mbrojë disertacionin, për gradën Doktor i Shkencave, të cilën e merr në vitin 1992, me temën: “Epidemiologjia e sëmundjeve stomatologjike në fëmijtë e qytetit të Shkodrës”.
Në periudhën 1990-1997, përfshihet në proçeset demokratike, duke u zgjedhur deputet i Kuvendit Popullor për dy Legjislatura rradhazi.
Profesor Pepa, kryen detyrën e diplomatit si Ambasador i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë (Vatikan), Romë gjatë vitit 1997.
Më 1998, kthehet në profesion të lirë dhe përkohësisht si pedagog i jashtëm, pranë Fakultetit të Mjekësisë, në profilin e Ortodontisë.
Botimet e para shkencore, i ka filluar në vitin 1966, në revistat periodike: “Shëndeti”, “Shëndetësia Popullore”, “Buletini Shkencave Mjeksore”, “Buletini Stomatologjik”, në organet e shtypit periodik, ku, ka botuar artikuj të karakterit historik dhe kulturor. Eshtë autor i afro 100 botimeve shkencore.
Studiuesi Dr. Pepa, ka botuar, disa libra politikë dhe kulturorë. Ka qenë antar i Këshillit Shkencor të rrethit të Shkodrës dhe Kolegjumit të Stomatologjisë, pranë Ministrisë së Shëndetësisë, për periudha të ndryshme kohore.
Në vitin 1972, ka përfunduar me sukses kursin 3-mujor në Universitetin Shteteror Tiranë, ku, ka dhënë disa provime mbas universitare, në Fakultetin e Histori-Filologjisë për gjuhët perëndimore, si: italisht, frëngjisht dhe gjermanisht.
Dy vjet më vonë, më 1974, është specializuar pranë Katedrës së Stomatologjisë për Ortodonti. Për 10 vjet, ka drejtuar në mënyrë profesionale repartin e shërbimit të fëmijëve në qytetin e lindjes.
Gjithashtu kujtojmë, se ai mbante detyrën e Shefit të Shërbimit të Pedodontisë, pranë ‘Universitetit Shqiptar’ (Albania University) dhe Shefi Sektorit Shkencor të Departamentit të Stomatologjisë të Universitetit.
Duke parë punën e madhe shkencore historike, mbi shumë figura të shquara të klerit katolik shqiptar dhe njohur nga afër jetën dhe veprën e shumë martirëve, studiuesi Dr. Pepa, ishte Anëtar i Komisionit Historik, për Kanonizimin e Martirëve Shqiptarë, për Selinë e Shenjtë në Vatikan.
Për punë me përkushtim dhe merita civile, ai është dekoruar nga Presidenti i Republikës me “Medaljen e Trimërisë”.
Dr. Pjetër Pepa, ishte i zgjedhur nga Kuvendi Popullor, me detyrën e Anëtarit të Bordit Drejtues të Institutit Studimor për Krimet e Komunizmit në Shqipni.
Botime të autorit
I – Botime shkencore:
1. “Të njohim sëmundjet stomatologjike”, 1980.
2. “Stomatologjia praktike” (Përkthim), 1981.
3. “Anomalitë e numurit të dhëmbëve”, 1981.
4. “Epidemiologjia e sëmundjeve të gojës tek fëmijtë”, 2002.
5. “Stomatologjia Terapeutike” (Përkthim, 600 faqe), Për botim.
II – Botime politike:
6. “Dosja e diktaturës”, 1995.
7. “Paggine sulla dittatura”, Terlizzi, 1998.
8. “The Criminal File Of Albania’s Comunist Dictator”, 2003.
9. “Tragjedia dhe Lavdia e Kishës Katolike ne Shqipëri”, 2007.
10. “Dosja e Diktatures e plotesuar”, Ribotim, 2009.
III – Botime kulturore:
11. “Pranë dhe Larg”, 2000.
12. “Proverba nga gjithë bota”, 2001.
13. “Gjosho Vasija – Meteor i humorit shqiptar”, 2001.
14. A. Shopenhauer, “Arti si të jemi të lumtur” (Përkthim), 2001.
15. A. de Mello, “Urtia popullore e Lindjes” (Përkthim), 2002.
Quod non feccerunt Barbari feccerunt Barbarini (Atë që nuk e benë të huajt e bënë barbarët tanë)
(Refleksione rreth librit të Dr. Pjetër Pepës: “DOSJA E DIKTATURËS” (“The Criminal File Of Albania’s Comunist Dictator”), Ribotim i plotësuar me dokumente të reja, Tiranë, 2009)
“Kur një shkrimtar e qortuan, se kishte marrë një skenë nga tragjedia e dikujt, ai u përgjigj: Ishte një vajzë, që e largova nga shoqëria e keqe, për t’a dërguar tek një më e mirë. Mora dhe unë dëshmi e fakte, deklarata e këshilla, mendime e thënie proverbiale, nga dijetarë e profetë, filozofë e martirë e si lule të bukura i grumbullova dhe i thura në kete “kurore”, që si këngë e mjelmës, vepër e parë dhe e fundit, ia kushtova dhëmbjes shqiptare.”
Dr. Pjetër Pepa, Ish Ambasador i Shqipërisë së Selinë e Shenjtë në Vatikan
Me këtë hyrje, autori në vitin 1995, plot 19 vjet më parë, boton librin: “Dosja e Diktaturës”, një ndër veprat më të bukura dhe të sukseshme për lexuesit shqiptarë në vendlindje dhe diasporë.Në mënyrë sintetike dhe dokumente origjinale arkivore, studiuesi i palodhur Dr. Pjetër Pepa, na jep me fakte tronditëse historinë e martirizimit të bijëve më të mirë të popullit shqiptar. Hulumtuesi shkodran, përmes malit të pafund të dosjeve, ofron para lexuesve mbarëshqiptarë fakte autentike, që nxjerrin në pah peshën e madhe të pasqyrimit të diktaturës së egër komuniste në Shqipëri, prej vitëve 1944-1990.
Për këtë vepër, ambasadori italian në Shqipëri i asaj periudhe, diplomati Dr. Paolo Foresti, do të shkruante:
“…Ky libër, është një deshmi e mrekullueshme mbi një nga çastet më tragjike të jetuara nga Shqipëria gjatë diktaturës enveriste. Për të gjithë ata, që pyesin si nuk u revoltuan shqiptarët ndaj një rregjimi kaq përvers, shifrat e këtij gjenocidi të dokumentuar në faqet e këtij libri mbetën përgjigja më bindëse….”.
Ndërsa Kardinal i Parë, në trojet etnike shqiptare tash 2000-vjet të krishtërimit ndër shqiptarë, Shkëlqësia e Tij Imzot Mikel Koliqit (1902-1997), do të shkruante:
“Të lumtë! Një meritim i madh, për të mbetë në histori. Populli, që vjen mbas nesh, ka për të pa me dokumenta ç’ka asht ba në vendin tonë. Në veçanti Mons. Gjini, ka kenë një figurë e shqueme. Ngjarjet i kam ndjeke nga burgu dhe me pikëllim thojsha: A do të vinte ajo ditë, që të dalë pafajësia e atyne njerëzve fatkeq!?. Tash po vdes kondend, se e pashë me sytë e mi, që ti e bane këtë me librin tënd.”
“Në kohë mllefesh dhe inatesh”- do të shkruante, po për veprë në fjalë Mandela i shqiptarëve, Kryetari i Kuvendit Popullor, shkrimtari Pjetër Arbnori, është fisnikëri të zbulosh të vërtetën, për martirët dhe viktimat e rena nën kosën e diktaturës. Studiesi pasionant Dr. Pjetër Pepa, me punën e tij shkencore dhe voluminoze, ka bërë një punim serioz, që duhet marrë si shembull nga historianët, që punojnë të ndriçuar nga faktet dhe liria.”
Ky libër, që u prit aq mirë nga lexuesi, pothuajse u zhduk (ble) menjëherë nga vitrinat e librarive edhe pse viti i botimit ishte 1995, ai do të botohej i përkthyer italisht me titullin: “Paggine sulla dittatura -Terlizzi 1998”, dhe në anglisht, me titullin: “The Criminal File Of Albania’s Comunist Dictator” – në vitin 2003.
Duke e mbyllur librin me ngjarjet tronditëse të 2 Prillit 1991, në qytetin e tij të lindjes (Shkodër), në paragrafin e tij të fundit autori, do të shkruante:
“Eshte ky “post – scriptumi”, i birit tënd, që nesër për të vërtetën, që rrëfeu mund të përfundojë në një tufë lulesh …”.
Por jo. Ishte premtuar, që të ndodhte ndryshe. Hulumtuesi i palodhur Dr. Pjeter Pepa, mbasi kalonte disa vite në politikën shqiptare (deputet i Kuvendit Popullor), pak kohë në diplomacinë shqiptare (Ambasador pranë Selisë së Shenjtë), e më pas në profesion të lirë dhe pedagogjik, nuk do të ndahej nga shkrimet e shumta, në organet e ndryshme të shtypit, në internet dhe botimet, qofshin ato kulturore, politike apo shkencore.
Një tjetër vepër madhore kuptimplote dhe shumë e mirë është: “Tragjedia dhe Lavdia e Kishës Katolike në Shqiperi” (2007), ku, mbas dhjetë vitësh hulumtime dhe kërkime të gjata në arkivat e të gjitha niveleve brënda e jashtë vendit, Dr. Pepa, në dy vëllime (me rreth 1500 faqe), paraqet denjësisht dhe gjerësisht gjithë gjenocidin e madh, që pësoi Kleri dhe Kisha Katolike në Shqipëri, gjatë 50 viteve të diktaturës ateiste komuniste.
Ndërsa “Dosja e Diktatures”, iu dhurua përsonalisht me autograph Atit të Shenjtë, Papa Gjon Palit II, me rastin e dorëzimit të Letrave Kredenciale dhe Të Lumes Nënë Terezës, me rastin e ngjarjeve tragjike të vitit 1997 në Shqipëri. Është me interest ë theksohet, se ky dy-vëllimesh i vyer, autori Pepa, ia përkushtoj pikërisht dy figurave madhore, për Vatikanin dhe Botën, Të Lumturuarve Papa Gjon Pali II dhe bijës apo krenarisë mbarëshqiptare Nënës Terezes, i cili, ia dorëzon përsonalisht në vitin 2009 Papa Benediktit XVI, në Shjeshin e Shën Pjetrit në Romë…
Në fundvitin 2009, studiuesi i palodhur Dr. Pjetër Pepa, rishfaqet mbas 15 vjetesh, me ribotimin e veprës: “Dosja e Diktaturës”, e plotësuar dhe përmirësuar në cilësi dhe përmbajtje, duke shtuar në vepër edhe pjesën e dytë, në paraqitjen e së cilës shkruan:
“Plot 15 vjet më parë, fillova të qemtoj ndër arkiva dhe të mbledh materiale historike, për tubime përkujtimore, që çuan shpejt në një libër, që me sugjerimin miqësor të një poeti (Visar Zhitit), mori titullin: “Dosja e Diktatures”, që u pëlqye dhe më përgëzuan gjithandej.
E thashë, që në fillim, se ajo që permblodha nuk ishte veçse maja e një “ajzbergu” të asaj diktature. Mblodha me vonë dhe botova tjera materiale dhe pas 15 vjetesh, tashti qe po behet ribotimi i “Dosjes”, mendova të fus edhe diçka, që u mblodh e u shkrua gjatë kësaj periudhe 15 vjeçare.
Pra, të bëhet një dalje përtej asaj periudhe 15-vjeçare, të bëhet një kalim i shpejtë nëpër tjera raste të dhimbshme e tragjike, që pësuan fatkeqet e pafajshem gjatë asaj diktature të zezë. Rastet që shtohen, tashmë në pjesën e dytë, i përkasin shtrirjes kohore disa vjeçare dhe kanë kryesisht figura të shquara klerikësh e intelektualësh.
Shpresojmë, që kjo t’i ketë shtuar diçka me vlerë “Dosjes së Diktaturës”, që u prit kaq mirë nga lexuesi i parë. Urojmë të ja kem arritur qëllimit.”
Pas kësaj hyrjeje të pjesës së dytë, futemi sërish në “qeli e burgje”, për të vuajtur më të pafajshmit, që torturohen e vritën barbarisht jo nga të huajt, por nga vetë shqiptarët, duke aplikuar mjerisht atë thënjen lapidare: “Quod non feccerunt Barbari feccerunt Barbarini.” (Atë që nuk e benë të huajt e bënë barbarët tanë) dhe, sërish edhe në këtë pjesë, lexuesi tronditet, kur në copëza të shkurta e konçize lexon e jeton çaste të dhimbshme, për të gjithë ata, posaçërisht klerikë, që vuajtën, u torturuan e vdiqën nën egërsinë e një diktature të paprecedent.
Cilët janë disa nga temat e librit?
Lexuesi, menjëherë do të përballet me tituj tronditës si: “Kleriku që e hëngrën qentë e Sh’Palit, Mirditë – Dom Mark Gjani”, “Visaret e Kombit të përgjakur nga diktatura – At Bernardin Palaj”, “Bab e bir të denjë për njeri – tjetrin – Hafiz Ali Kraja (Tari) e Mehdi Kraja”, “Si e pushkatuan në Permet meshtarin e ri – Dom Dede Maçaj”, “Si u vra i katërti i universit Gazullian – Dom Nikoll Gazulli”, “Ikja nga Ferri i pushkatimeve – Imz. Zef Shestani, Imz. Frano Karma, Imz. Zef Oroshi etj.
Sërisht vijojnë momentet e ankthit, tek lexon, si: “Vdiq apo e helmuan oratorin e sapo shuguruar – D. Matish Lisna”, “Kardinali fatkeq shqiptar – Dom Kolec Prendushi”, “Martirët e Revolucionit famkeq kulturor – Dom Zef Bici, Dom Mark Dushi, Dom Shtjefën Kurti”, “Nga altari tek morgu i studentëve të mjekësisë – fati tragjik i një kleriku – Dom Mikel Beltoja”, “Meshtari që dihej si i vdekur – At Anton Luli”, “Recquiem për autorin e këngës ‘Kacurrelat e tu’ – seminaristin Gac Çuni”, “Si u mbyt në tortura Dom Engjell Deda?”, “Si u pushkatua Imzoti më i ri i botës – Imzot Gjergj Volaj”, “Si u pushkatuan misionarët gjerman – Dom Alfons Tracki e Dom Zef Marksen”, “Odiseja e klerikut patriot nga Mirdita – Dom Nikoll Kimza”, “Funerali që solli shumë viktima – Imz. Gasper Thaëi”, “Kleriku i parë martir nga Korça – At Papa Pandi”, “Meshtari, që u detyrua të ndërpresë rrugën meshtarake – At Petraq Isaku”, “Si vdiq në tortura i pari ipeshkëv katolik – Imzot Frano Gjuraj”, “Të mbyturit ndër tortura – në Koplik: Dom Aleksandër Sirdani e Dom Pjetër Çuni; në Lezhë: At Serafin Koda, Dom Jak Bushati etj.”, “Kleriku i parë martir i diktaturës komuniste – At Lekë Luli”, “Si e vranë regjentin – P. Anton Harapi”, “Klerikët shqiptare nën plumbat e komunistëve jugosllavë – At Leonard Tagaj, At Bernardin Llupi, Dom Nikoll Tusha”, “U mbyt baltërave të Maliqit – At Josif Papamihajli”, “Si e vranë kolegun – Dom Luigj Pici etj…”
Libri mbyllet me materialin historik, që i kushtohet “Gjenocidit komunist mbi Klerin katolik ne Shqipëri”, ku, ndër të tjera autori Dr. Pepa, paraqet, që në hyrje sakrificën e tyre me fjalet: “Ata bënë nëntë shekuj shkollim të lartë në pesëdhjetë e pesë universitete në dhjetë shtetëve të botës për Atdheun e tyre. Ata u shperblyen me pesëmbëdhjetë shekuj torturë, hetuesi e burgje nga Atdheu i tyre!”
Më poshtë, me dokumenta e fakte rrënqethëse diplomati studiues Dr. Pjetër Pepa, rrëfen se çfarë ndodhi me Klerin Katolik në Shqipëri, duke paraqitur një tabelë shumë të shkurtë, por tepër domethënëse:
Nga të gjithë ata që diktatura gjeti gjallë, rezulton se:
1. Janë pushkatuar 29 klerikë (13%)
2. Janë mbytur ndër tortura 29 klerikë (13%)
3. Janë burgosur dhe internuar 93 klerikë (41%)
4. Kaluar ndër kriza mendore deri në çmendi 6 klerikë (3%)
5. Janë detyruar të arratisën ose s’jane lejuar të kthehen në atdhe 35 klerikë (15%)
6. Janë përjashtuar nga shërbimi 19 klerikë (8%)
7. Kanë vdekur në ankth e dhimbje pjesa e mbetur 15 klerikë (7%)
Këto dhe shumë si këto, veç sa tjerash, si: replika politike me Ramiz Alinë, Nexhmije Hoxhën, politikanë të kohës etj., lexuesi do të ketë mundësi t’i shohë tashmë në faqet e “Dosjës “ së ribotuar.
Janë rreth 500 faqe dhimbje e sakrifice, vuajtje e gjakderdhje, hetime e tortura, dënime e pushkatime të shkruara me një ndjenjë të veçantë dashurie e faljeje kristiane, që hulumtuesi i kujdeshmëm Dr. Pepa reflekton, në çdo faqe e në çdo figurë të përshkruar.
Lexuesi gjithashtu, mund të mësoj me dhimbje e dashuri në këtë libër, që sapo ribotohet me materiale, që dalin për herë të parë nga arkivat e Mininistrisë së Punëve të Brendshme (Sigurimi të Shtetit ose Policisë Sekrete të Shqipërisë) e shumë burime tjera arkivore brenda e jashtë vendit.
Në mbyllje, libri paraqet disa nga opinionet e falënderimet, që i kanë ardhur autorit, mbas botimit të “Dosjës” së parë nga qytetarët shqiptarë brenda e jashtë atdheut, por edhe prej ambasadorëve të vendeve të tjera të botës, titullarë të Selisë së Shenjtë në Vatikan etj.
Një kopertinë e bukur e mjaft domethënëse e përpunuar nga piktori i talentuar Jozef Martini, dhe një biografi e shkurtë për autorin, që hijshëm e shoqëron këtë vepër historike.
Ribotimi i librit, u mundësua nga Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve dhe u botua me profesionalizëm, nën kujdesin e Shtëpisë Botuese “Kumi”.klajdkapinova@yahoo.com