• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MESHA E LIRISË

November 4, 2020 by dgreca

Shkruan : Sokol PAJA – 30 vjet më parë Dom Simon Jubani pasi kishte vuajtur padrejtësisht 26 vjet në burgjet komuniste celebron meshë për herë të parë pas 23 vitesh ateizëm zyrtar në Shqipërinë pa Zot. Mesha e parë e lirisë në Shqipërinë komuniste më 4 nëntor 1990 në Kapelën e Varrezave të Rrmajit në Shkodër, shënoi pluralizmin fetar dhe fillimin e fundit të regjimit ateist që sundoi në Shqipëri për  afro 50 vjet. Mesha e parë e lirisë ishte një hap i guximshëm i klerikut Dom Simon Jubanit dhe besimtarëve katolik që u pasua 2 javë më vonë me faljen në Xhaminë e Plumbit, duke shënuar rikthimin e besimit të  mohuar padrejtësisht nga diktatura komuniste. Mesha e lirisë ishte një rikthim edhe më i fuqishëm institucional, shpirtëror, fetar dhe ideologjik në zbraztirën që shkaktoi ateizmi në Shqipërinë totalitare. Me ardhjen në pushtet komunistët shqiptarë ushtruan një terror dhe raprezalje fizike dhe institucionale ndaj klerit të gjitha besimeve në Shqipëri. Institucionet, faltoret, kuvendet, shtypshkronjat, mediat dhe drejtuesit më të lartë fetar u persekutuan në mënyrë të pashëmbullt. Mesha e lirisë ishte një thirrje mbarë popullore për liri dhe vetëdijësim patriotik për Shqipërinë dhe lirinë që do vinte më pas. Humnera ateiste po mbushej me frymën dhe shpirtin e Zotit të shpallur armik  për më shumëse dy dekada në Shqipërinë moniste. Meshtari i lirisë Dom Simon Jubani lindi në Shkodër më 8 mars 1927 dhe ndërroi jetë më 12 korrik 2011. U burgos dhe u përndoq nga regjimi diktatorial me 26 vjet burg duke vuajtur në burgjet më të tmerrshme të diktaturës shqiptare. Dom Simon Jubani, ishte prifti i guximshëm Jezuit, atdhetar e shqiptar i madh që e donte shumë lirinë, përparimin e zhvillimin e kombit e shtetit pa diktaturë por me liri, progres e zhvillim. Dom Simon Jubani sfidoi regjimin ateist shqiptar me kremtim të Meshës së Shenjtë në varreza të Rrmajit në Kapelën e Shenjtë në një kohë kur ende Sigurimi  i Shtetit vazhdonte e përndiqte këdo që shfaqte prirje jo vetëm fetare por  gjithçka që binte ndesh me diktaturën komuniste. Në moshën 16-vjeçare Dom Simoni filloi seminarin në shkollën Jezuite në Shkodër. Në vitin 1958 mori urdhërat e meshtarisë dhe u dërgua në Mirditë si famullitar. U lirua nga burgu më 13 prill 1989. 

DOM SIMON JUBANI DHE PREDIKIMI NË MESHËN E LIRISË 

“Vllazën dhe Motra! Le t’i kujtojmë për një minutë në heshtje të gjithë këta të vdekun që kemi ndër këto vorreza dhe të gjithë ata Vllazën e Motra tona, që kanë ra për një Shqipni Europjane gjatë këtyne 46 vjetve të shkueme. Në vitin 1443, kur Heroi i ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, u arratis prej Stambollit dhe u kthye në Atdhe, e përshëndeti Popullin Shqiptar me këto fjalë: “Lirinë nuk ua solla unë por e gjeta midis jush!” Unë, i padenjë për këte mision po ju tham: Se, fenë nuk ua pruna unë, por e gjeta të ndezun ndër zemrat Tueja! Shkodra qytet me një histori ma të lashtë se dymijvjeçare, Shkodra dikur kryeqyteti i Ilirisë, Shkodra e Gentit e Teutës e Agronit, Shkodra që deri para 50 vjetësh i ka dhanë gjithë Shqipnisë tonin moral kulturor, politik, fetar e ekonomik, kjo Shkoder asht gati edhe sot me bashkpunue me Tiranën e me të gjitha qytetet e Shqipnisë, sepse trashigimtarët e Gjergj Balshës së madh dhe të Marin Barletit, mbasardhësit e Bushatlive, të Fishtës, të Oso Kukës, të Don Ndoc Nikës, të Don Ndre Mjedjës, të Gurakuqit, trashigimtarët e Frashërlive, të Konicës, të Fan Nolit gjinden këtu në këto troje Shqiptare, të gatshëm me e ripërtri edhe njëherë traditën e autoritetin që ka gëzue Shqipnia mbrendë e jashtë Atdheut! Amen.”.

DOM SIMON JUBANI NGA “MESHA E PARË” TE “BURGJET E MIA”

Dom Simon Jubani i la lexuesit shqiptar një trashëgimi të jashtëzakonshme kryeveprat e tij : “Mesha e parë” dhe “Burgjet e mia”. Në këto dy libra Dom Simoni rrëfen çdo detaj të ferrit komunist  që kaluan jo vetëm klerikët fetarë por mbarë populli shqiptar për gjysmë shekulli. Në librin “Mesha e parë” Dom Simoni shprehet se: “gjatë diktaturave, askush nuk e din vedin të sigurtë sepse nuk e din cilin ke pro e cilin kundra, orë e çast i ban analizë ndërgjegjes së vet: mos ja kam prishë humorin sovranit, mos fola me ndokënd pak si tepër, mos kam ngjallë dyshime me ndonji llafe të pa matun, me dy kuptime, mos i buzqesha pak, duhej të më shkonte buza vesh më vesh prej servilizmit, mos nuk u tregova i rreptë sa duhet me armikun e klasës”. Në lidhje me  ridënimet e të burgosurve brenda burgjeve e kampeve të punës në librin “Burgjet e mia” Dom Simon Jubani shpjegon zinxhirin e spiunëve dhe shprehet se: “Mbas zyrës së përkthimeve, vijshin spijujtë tjerë pa shkollë: kuzhinieri, pastruesi, marangoni, këpucari, rrobaqepësi, llogaritari, magazinieri. Këta na delshin dishmitarë, kur duhet të dënoheshin rishtaz”. Dom Simon Jubani te kryevepra e tij “Burgjet e mia” thotë se në diktatura ishte e domosdoshme rebelimi ndaj nënshtrimit diktatorial.  Prifti Jezuit shpjegon ankthin e tmerrshëm në diktaturë: “Ndër regjimet diktaktoriale, ma mirë se kushdo, jeton ai që rebelohet, që nuk i dhimbet jeta. Të tjerët, që nga ma i randësishmi, deri te ma i mbrami shërbëtor i diktatorit, jetojnë të gjithë në ankth, pa e dijtë ke kanë mik e kë anmik, tue pritë kur po ngrihet trekambëshi e po bahet gati stoli. E sigurisht s’i bjen kurrë ndër mend me marrë pjesë ndër komedinat që kemi luajtë gjithë zell e qejf në birucat e burgut. Sepse, qyqarët, lejnë e desin në skenën e tragjedisë”. Dom Simon Jubani në kryeveprën e tij “Mesha e parë” arsyeton persekutimin e kishës katolike prej komunistëve: “Komunistat donin ta shembnin tue vra, tue burgosë, tue internue, suprimue të gjitha institucionet kristiane në Shqipëri. Këta ndërtuen qindra institucione dhe shkolla ateiste por s’mundën të zëvendësonin kristianizmin me fletushkat e Marksit. Komunizmi na bani edhe ma të famshëm se na shtoi numrin e martirëve” arsyeton tragjizmin dhe persekutimin ndaj klerit fetar në Shqipëri, në librin e tij kryevepër, Dom Simon Jubani.

Filed Under: Featured Tagged With: Dom Simon Jubani, MESHA E LIRISË, Sokol Paja

Dom Simon Jubani, legjenda e qendresës dhe e lirisë

July 11, 2016 by dgreca

Me rastin e 5 vjetorit të vdekjes/

Nga Pjeter Logoreci/ Vjenë/

Po afrohet, ndër ditët në vijim, pesvjetori  i vdekjes së Dom Simon Jubanit, burrit të lavdishëm që me lëvizjet e veta bëri histori, e që ka mbetur  i pashlyer në kujtesën e cdo shqiptarit. Mbasi e njihja nga afër dhe na lidhte miqësia, e ndjej sidetyrim shpirtërore qytetar që me këtë shkrim ta perkujtoj këtë gjigand të lirisë, demokracisë e të besimit në Zotin.

Sa herë qëvizitoja qytetin tim të lindjes, gjatë daljeve të mija në qytet,duke kaluar para katedrales,kontaktin e parë me njerzit me rastiste që ta kisha me Dom Simonin, i cili sapo hapeshin dyert e katedrales, ndodhej aty për ti sherbyer besimtareve të shumtë që vinin posaqërisht për te.  Mund të them që, vitet e fundit ai ishte i pakënaqur,i zhgënjyer dhe i vrarë shpirtërisht, jo nga vuajtjet e burgut apo nga shtrembërimet që vërente në ndërtimin e demokracisë së brishtë në vend, por nga kolegët dhe drejtuesit e kishës në Shkodër. Nëato kohë, shtëpia e tribunit të lirisë e të besimit, DomSimon Jubanit, ishte bërë një vend i rëndësieshëm për shumë besimtarë që vinin nga të katër anët e vendit, edhe nga besimet e tjera, për të biseduar e marrë bekimin e dishepullit të atdheut e të fesë. Sic duket popullariteti i Dom Simon Jubanit, mbrenda dhe jashtë vendit, takimi i tij (si i pari klerik shqiptar) me papën në Vatikan, por edhe qëndrimi i tij kritik ndaj paaftësisë dhe mosnjohjes së problemeve tona (shqiptare) nga drejtues joshqiptare të klerit, i verboj këto të fundit të cilët “gjetënshkelje” për të “marre masa” ndaj heroittë kombit, të demokracisë e të kishës.

Shpirti dhe sedrae Dom Simonit, që nuk arritën ti thyenin 26 vite të vështira burgu nën diktaturën mëtë egër të globit, u goditën nga padrejtësia e vendimit të pamerituar nga drejtuesit e arqipeshkvisë së Shkodrës, …për ti hequr atij të drejtën e ushtrimit tëdisa shërbimeve fetare …., goditje që la një plagë të thellë e të pashërueshme tek ai. Atij që në strofullën e bishave kriminale të diktaturës, në burgun famëkeq të Burrelit, kremtonte meshën shenjtë për të gjithë të burgosurit pa dallim feje, ju mohua e drejta që të shërbente në altarin e kishës. Edhe pse i gjymtuar nga makinacionet e “eprorve”, popullariteti i tij ndër njerzit e thjeshtë u rrit pa masë, mbasi cdokush ishte i bindur në personalitetin dhe karakterin e tij të drejtë. Drejtësia mund të vonojë por jo të humbasë.

Kush ishte Dom Simon Jubani?

…. Linda  në Shkoder me 5 mars 1927. Prindët e mi, Zefi dhe Cilja i falën kishës dhe atdheut një martir intelektual, Dom Lazer Jubanin, helmuar me arsenik nga policia sekrete komuniste me 1982…. – shkruan ai në librin e tij autobiografik “BURGJET E MIA”….., si dhe Simonin e Kinin.

Dom Simoni, filloren e bëri në shkollën franceskane si dhe (pas mbylljes sësaj) në gjimnazin e shtetit në Shkoder. Mbasi mbaron në Tiranë kursin për radiologji,  fillon të punojë si radiolog në spitalin ushtarak të kryeqytetit.  Në kohën e konfliktit me Greqinë, ai mobilizohet ushtar dhe dërgohet në front. Pas tre vitesh shërbimi ushtark kthehet në Shkoder dhe fillon të punojë në Sanatoriumin e qytetit si radiolog, ndërsa , ….sic shprehet ai:….për ta mbajtë trupin në formë, fillova sportin që më pëlqente aq shumë: atletikën e lehtë e  më pas edhe futbollin. Më pranuen menjëherë si anëtar i ekipit të Vllaznisë e, ma vonë, edhe të ekipit kombëtar të futbollit….

Për kënaqësinë e tij, në vitet 1957 (si gjakon) e 1958 (si prift) merr urdhërat e meshtarisë dhe dërgohet në Mirditë si famullitar, me qëllim të rindertojë besimin dhe kishat e shkatrrueme nga dhuna komuniste.

                “…Por çka më pëlqente mue, …shkruen ai, ….nuk i pëlqente komunistave, të cilët më vunë prangat e më banë me u nisë për një rrugë të gjatë e të mundimshme (drejt burgut të Burrelit), ku u mbylla për 26 vjet me rradhë, tue lanë kudo gjurmë gjaku…..Në Burrel kam krye “Universitetin e Burgut Komunist”. Mësova me shkrue e me folë Latinisht, Greqisht, Italisht, Frengjisht, Anglisht që ma vonë mëshërbyen me i ba miq Shqipnisë në tanë rruzullin toksor, tue i tregue se cka ka ndodhë nëvendin tem, tue fitue kshtu epitetin “ Profeti”….

Për sa i përket jetës së tij, vuajtjeve në burg, ai shprehet:….Nëse ndonjë piktori do ti tekej me pikturue simbolikisht jeten teme, do ti duhej me ble nji kalëbojë të zezë….

Ai u lirua nga burgu në sajë tëperestrojkës  dhe zhvillimeve politike në botë, me 13 prill 1989, së bashku me shumë klerikë të tjerë, duke i mbetur “borgj” Komitetit Qendror, 14 vite burgu.Të gjitha ato që e kanë njohur Domin, e dijnë që dita më e zezë e jetës së tij nuk ishte dita e arrestimit, por dita e vdekjes së nënës, e cila përjetoj për së gjalli vdekjen e të birit Dom Lazër Jubanit (të helmuem nga sigurimi) dhe zingjirët e roberisë së djalittë vogël Simonit.

Me kthimin e tij në liri, ai nispërpjekjet  dhe bën një aktivitet të dendur për tërifilluar ushtrimin e lirë të fesë. Si rezultat i këmbënguljes dhe kurajos së tij qytetare, arrin që me 4 nandor 1990 të kremtojë Meshën e Parë publike në varrezat e Rrmajit të qytetittë Shkodres, në praninë e 200 – 300 besimtareve. Kjo meshë u pasua nga ajo e 11 nandorit, ku edhe pse nën represionin e terrorine egër qëushtroj sigurimi dhe policia e rregjimit komunist, morën pjesë të gjithë qytetarët e Shkodres, pamvarsisht nga besimi. Kush nuk e kujton këtë ditë të shënuar për lirinë e besimit dhe të fjalës, ku Dom Simoni, edhe pse bëlbëzonte fizikisht, mbajti një fjalim të mirëpregatitur programatik që do të thyente heshtjen 23 vjecare.

Për kontribut të cmueshem mbarëkombëtar, Univesiteti i San Franciskos nëKaliforni në vitin 1991, i akordon titullin dhe diplomen “Doctor Honoris Causa” në shkencat humane me motivacionin: PROTAGONIST I NJE EPOKE SE RE NE SHQIPERI…

Më vonë, në vitin 1996-të, shteti i Miciganit e nderoj me një diplomë të posacme me motivacioni: NISMETAR I LIRISE SE FJALES DHE SHTYPIT….

Sic shkruan ai në shenimet e tija: … jam i pari shqiptar, që pas Perestrojkes, së bashku me shumë përsonalitete të tjera botnore (senatorë, kongresmenë, ministra, Andreottin, mbretin e Belgjikës), jam thirrë në audiencë nga Papa Gjon Pali i dytë në Vatikan. Jam i pari klerik pa kurrfarë grade që ftohet dy herë nga administrata amerikane në Washington, një herë nga parlamenti rus, një herë nga Spanja, Izraeli, Egjypti, Turqia,  shumë herë nga Franca, Italia, Belgjika, Gjermania, ndërsa kam refuzue me vizitue Kinen, Taivanin, Meksiken, Argjentinen…

Gjatë punës së tij baritore, ai krijoj famullinë katoliketë Spitenit, Kaftallit si dhe qendrën (fetare, kulturore, shëndetsore, sportive) të Kalivacit.

… Per me ruejte pamvarsine e mendimit, nuk kam pranue grada – tregon ai – … nuk pranovakurrë që prej altarit të kishës tëbajshe politike, që ti bajsha thirrje popullit të votonte për partinënë pushtet…Unë baj pjesë në partinë e të vorfënve, të masakruemve, të viktimave të së djeshmes e të së sotmes…

Kush lexon librin e tij autobiografik BURGJET E MIA, mund të krijojë një ide të plotërreth botës së mbrendëshme shpirtërore e punës së pashoqe që Dom Simon Jubani bëri për shoqërinë dhe popullin shqiptar. Edhe pse kurdoherë,…për guximin, idealizmin, atdhetarinë dhe qëndresën; ai për miqtë dhe popullin e thjeshtë… ishte një hero, …pat ndonjë keqdashës (edhe nga rradhët e kolegëve)që e etiketoj  “i marri”…

Me kërkesën e popullit të Shkodres, me 4 nandor 2010, Bashkia e qytetit i akordoj titullin e shumë merituar –  QYTETAR NDERI I SHKODRES – .

Dom Simoni vdiq në moshën 84 vjecare me 12 korrik 2011, duke na lënë pas një trashëgimi të pasur arritjesh nga puna e tij si dhe kujtimin e një figure tëpashoqe simbol i vuajtjes dhe qëndresës nga terrori i diktaturës komuniste. Për kalvarin  e vuajtjeve, sakrificat, vetmohimin e tij, për atdheun dhe kishën katolike, mendoj që ai duhet ti shtohet  listës së martireve të kishës shqiptare.

LAVDI KUJTIMIT DHE VEPRES SE TIJ.

Vjenë, me 06.07.2016

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: dhe e lirisë, Dom Simon Jubani, e qendresës, legjenda, Pjeter Logoreci

25 VJET MA PARE, ME 11 NANDOR 1990, DON SIMON JUBANI , NA TREGOI SI SHEMBET KOMUNIZMI

November 10, 2015 by dgreca

Ne Foto:Don Simon JUBANI(1928 – 2011)/
Shkruan:Fritz RADOVANI: Pjesa e II./
RRËMAJI… SHKODER… 11 Nandor 1990, ora 11.00 p. dr…
Ishim mbi 50.000 vetë mbrenda murit rrethues të Vorrezave, kur nder tarraca dhe skuta, në vagona e magazina, sampistët e sigurimit shtetit prisnin urdhën me shkrepë shnajpert mbi kokat tona… Pa asnjë mbrojtje përveç rreth 300 vllazenve Musliman t’ armatosun…
Dhe, “Dorës së Zotit”, që gjithmonë ishte pranë Atyne Çinarëve…
Fjala e Don Simon JUBANIT në MESHEN E PARË…
VLLAZEN DHE MOTRA !
Le t’ i kujtojmë per nji minut në heshtje të gjithë Këta të vdekun që kemi nder këto vorreza dhe të gjithë Ata Vllazen e Motrat tona, që kanë ra per nji Shqipni Europjane gjatë këtyne 46 vjetëve të shkueme!..
Në vjetin 1443 kur Heroi i ynë Kombtar, Gjergj Kastrioti, u arratis prej Stambollit dhe u kthye në Atdhe e pershndeti Popullin Shqiptar me këto fjalë:
“Lirinë nuk ua pruna unë, por e gjeta midis jush!”
Unë i padenjë per ketë mision po Ju tham se Fenë nuk ua pruna unë, por e gjeta të ndezun nder zemrat Tueja!
Se kjo Fe ka kenë gjithmonë e flakët nder zemrat tona e deshmon ardhja e Juej sot në ket Vend të Shejtë prej të kater anëve të Shqipnisë, per me adhurue, per me falnderue, per me lavdue të Madhin Zot per ketë Mrekulli të madhe që po shohim sot me sy.
Se ky Besim ka kenë perherë i ndezun në Shpirtnat tonë e verteton restaurimi i kësaj Kishëze vorrezash ku kanë dhanë kontributin e vet me punë e me të holla, edhe vllaznit tonë myslimanë dhe ortodoksë.
Se kjo Fe ka kenë gjithmonë inkandeshente në mendjet e zemrat tona e deshmon edhe ma mirë Shejtnoria e Shna Ndout në Laç, kur midis terrorit mbi ato germadha kanë rrâ mija Shqiptarë per çdo vjetë, sejcili në Fenë e vet, sejcili në gjuhen e vet, vazhdimisht tue Ju lutun Zotit dhe Shejtit Shna Ndue, per të gjitha nevojat shpirtnore dhe trupore, dhe këto lutje u kunorzuen sot me ketë panair plebishitar.
Per të Madhin Zot e per Fenë e Tij, ma bukur se unë flitni Ju, me ato ngushllimet e panumerta që gjeni nga kjo Fe që i ngushllon, i forcon, i zhdrivillon, i zbutë, i qytetnon mendjet e zemrat e të gjithë njerzimit.
Per të Madhin Zot e per Shejtnit e Tij, ma bukur se unë flasin shurdhët që ndijnë, pagojcët që flasin, sakatat që ecin, psikopatët dhe epileptikët që sherohen…
Sikurse ajri që thithim asht i domosdoshem per ekzistencën tonë fizike, njashtu per ekzistencën tonë shpirtnore asht e domosdoshme Nji Kenje e Mbinatyrshme që na ndihmon me perballue vishtirsitë e kësaj jetë me optimizem, entuzjazem, kurajo, dhe Kjo Kenje e Mbinatyrshme, na ban me e pa me sytë e Shpirtit Lumninë e Parrizit, që na pret mbas kësaj jetë të shkurtë, njashtu sikurse shohim me sytë e trupit bukuritë e rruzullit toksor.
Kudo nëper Botë si nëper qytetet e modernizueme ashtu edhe në katundet ma të harruemet naltohen kah qiella kupola, minare xhamijash, kumonare të cilat janë simboli i kontakteve, i lidhjeve që njerzimi mban perherë me qiellin, me Perëndinë. Majat e Tyne të mprehta u perngjasin heshtave të nji ushtrije në heshtje, që u bajnë roje vlerave morale e kulturore, që rraca njerzore ka krijue nder shekuj.
Çfarë interesash botnore perfaqson Feja?
Kush i zbuti barbarët e Kohës së Mesme, gotët, vizigotët, hunët, vandalët, përveçse Jezu Krishtit, përveçse murgjëve dhe murgeshave që i zbutën hordhitë e egersinave me Kryq në dorë e me lutje në gojë?
Kush ja dha Europës unitetin shpirtnor, kulturor dhe politik përveçse Kristjanizmi?
Krejtë zhvillimi moral dhe intelektual i Europës e ka burimin te filozofia dhe te teologjia kristjane.
Kush i shliroi Vendet Arabe në shekullin e shtatë nga paganizmi, politeizmi dhe i fali monoteizmin, dhe nga fiset primitive u ngritën në shtet të organizuem dhe ma vonë në perandori arabe, përveçse Islamizmit dhe profetit të Tij, Muhametit?
Po në shkallë kombtare çfarë rolit qytetnues ka luejtë Feja?
Në aspektin moral Feja asht nji digë. Diga nuk i lejon ujnat me vershue dhe me shpartallue tokat pjellore e shtëpijat e banimit. Njashtu Feja asht nji digë morale që nuk i lejon veset, perversionet, degjenerimin, korrupsionin, me depertue nëper mendjet e zemrat e njerzimit, dhe në këte drejtim Feja jep kontributin ma të madh per rendin publik. Në aspektin kulturor: Të gjitha shkollat fillore e gjimnazet, të gjitha institucionet kulturore e shoqnore në vendin tonë janë krijue dhe drejtue nga Baziljanët, Benediktinët, Jezuitët, Françeskanët etj. Deri shtypshkronja e parë, deri ferma e parë moderne në Bardhaj asht themelue prej murgjëve të Shën Injac Lojolës.
Por Feja asht determinante edhe në mbrojtjen e Atdheut.
Në pamundësi idetë e shekullit me ua dhanë Shqiptarëve Bashkimin Politik, vetem Feja dijti me i bashkue Princat Shqiptarë të Shekullit Pesmbdhjetë kunder anmikut tonë të përbashkët të Perandorisë Osmane. Të gjitha mbledhjet janë zhvillue në Kishen e Shenkollit të qytetit Lezhë, dhe në ketë Kishë janë marrë të gjitha Vendimet për të gjitha operacionet politike dhe ushtarake që ka zbatue Beslidhja. Por Bota e qytetnueme na njeh edhe famëmadhen Lidhja e Prizrendit. Kryetari i Lidhjes, Haxhi Ymer Efendi Prizrendi, s’ bashkut me krenët e tjerë muhamedanë, ortodoksë e katolikë si, Eljaz Pashë Dibra, Vaso Pasha e Abdyl Frashëri, të gjitha mbledhjet i kanë zhvillue në Xhaminë e Prizrendit e prej kësaj Xhami, kanë dalë të gjitha direktivat.
I Madhi Zot per t’ i ushqye Shqiptarët me bollek e ka paisë Shqipninë tonë me dy mushkni, me tokë e me det. Per ketë frymëmarrje të shndoshtë me token e me detin jetuen, luftuen dhe vdiqën Princat Shqiptarë të Shekullit XV, si edhe Fatosat e Kreshnikët e Lidhjes së Prizrendit.
Vjeti 1989 ka kenë Vjeti i Paqës dhe i Lirisë per të gjithë Boten, sepse në ketë Vit u shemben të gjitha muret dhe perdet e hekurta që ndanin vende dhe popuj, por ma teper ndanin zemrat e njerzve. Në ketë vit pushoi së rrjedhunit gjaku, po fshihen lotët, mbaroi djersa e pashperblyeme e mori fund lufta e të gjithëve, dhe njerzimi ka hy në nji Epokë të Re paqëje, lirije, mirësije, armonije, begatije. Begatia dhe armonija e nji Populli mvaren nga Liritë që u akordohen qytetarëve.
Lirija në kuptimin filozofik të fjalës asht progresi gradual i ndergjegjes dhe i kulturës njerzore.
Këto Liri e këto të drejta po na epen gradualisht dhe me rrugë paqësore.
Rruga paqësore asht tipar i nji Populli të qytetnuem. Dhuna e brutaliteti s’ kanë zgjidhë kurrë probleme kombtare as familjare.
Duhet t’ i qendrojmë tundimit e s’duhet të perdorim dhunen, as brutalitetin kunder njeni – tjetrit per me kerkue të Drejtat e Liritë që na tokojnë, sepse të gjitha këto Liri e të Drejta, po na epen gradualisht e me rrugë paqsore.
Vetem kështu do t’ ua mbyllim gojen atyne që na quejnë shprehje gjeografike, tokë e pazbulueme, tokë e askujt, vetem kështu, do t’ ua mbyllim gojen anmiqëve tonë, që na konsiderojnë nji popull kopil i gjetun midis katër rrugëve nga Nana Histori.
Shkodra qytet me nji Histori ma të lashtë se dymijvjeçare, Shkodra dikur Kryeqyteti i Ilirisë, Shkodra e Gentit e Teutës dhe Agronit, Shkodra që deri para 50 vjetësh i ka dhanë Shqipnisë tonin moral, kulturor, politik, fetar e ekonomik, Kjo Shkoder, asht gati edhe sot me bashkpunue me Tiranën e me të gjitha qytetet e Shqipnisë, sepse, trashigimtarët e Gjergj Balshës së Madh dhe të Marin Barletit, mbasardhësat e Bushatlive, të Fishtës, të Oso Kukës, të Don Ndoc Nikës, të Don Ndre Mjedës, të Gurakuqit, trashigimtarët e Frashërlive, të Konicës, të Fan Nolit gjinden këtu, në këta Troje Shqiptare, të gatshem me e ripertrij edhe njiherë traditen dhe autoritetin që ka gëzue Shqipnia mbrendë e jashtë Atdheut! Amen.
***
Shenim nga FR: Ky material historik asht marrë nga origjinali, pa asnjë ndryshim.
Botohet me rasen e 25 vjetorit të Meshës së Parë, mbas “Revolucionit Kulturor të 1967”.
Një Pllakë përkujtimore tek Kapela e Vorrezave të Rrëmajit, asht shumë pak per me Perjetsue Vepren e një Atdhetari të Madh si Don Simon Jubani, me 4 e 11 Nandor 1990.
Melbourne, Nandor 2015.

Filed Under: Histori Tagged With: 11 nandot, Dom Simon Jubani, Fritz radovani, shembja e komunizmit

JEHONA E VIZITËS SË DOM SIMON JUBANIT NË AMERIKË, MAJ 1991

November 6, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Katër nëntori shënoi 25-vjetorin e Meshës së Parë, pas një periudhe prej 45 vjetësh persekutimesh fetare në Shqipëri, meshë e cila u celebrua nga kleriku i njohur dhe guximtar, Dom Simon Jubani, më 4 nëntor, 1990 në Shkodër. Konsiderohet kjo si mesha që shënoi fillimin e shëmbjes së komunizmit dhe rivendosjen e lirive, përfshirë lirinë fetare, në Shqipëri. Të mërkurën, në qytetin e Shkodrës u përkujtua ky përvjetor me ceremoni fetare nga udhëheqës të Kishës Katolike, ku morën pjesë edhe përfaqsues të feve të tjera. Të pranishëm ishin gjithashtu zyrtarë të lartë politik të vendit, përfshirë Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Ia vlen që me rastin e këtij përvjetori të kujtohet edhe vizita e parë e protagonistit kryesor të kësaj ngjarjeje me rëndësi, Dom Simon Jubanit në Amerikë, në maj të vitit 1991 dhe pritjes madhështore që iu bë atij në atë kohë anë e mbanë Amerikës, në qarqet amerikane si edhe në komunitetet shqiptaro-amerikane dhe nga besimtarët shqiptarë të tre feve.
Protagonisti një epoke të re në Shqipëri! Kështu qe cilësuar Dom Simon Jubani gjatë vizitës së tij në maj të vitit 1991 në Universitetin e San Franciscos në Shtetet e Bashkuara, universiteti që i akordoi atij doktoratën e nderit. Në maj të vitit 1991, Dom Simon Jubani, i mbijetuari i burgjeve të Enver Hoxhës, vizitoi një numër shtetesh dhe qytetesh amerikane, përfshirë San Franciskon, Los Angjelesin, New Jorkun, Detroitin dhe Washingtonin. Gjatë vizitës së tij në Shtetetet e Bashkuara, kudo shkoi, ai u prit me entuziazëm dhe si hero, ndërkohë që i ishin rezervuar nderimet dhe pritjet më të mëdha, jo vetëm nga komuniteti shqiptaro-amerikan, por edhe nga vet amerikanët, zyrtarë dhe joyzrtarë, me të cilët ai takua gjatë qëndrimit të tij në Amerikë, e të cilët tani kishin dëgjuar për aktin e tij guximtar. Shtypi i kohës, si ai amerikan ashtu edhe shtypi i komunitetit shqiptaro-amerikan, përfshirë Buletinin Katolik Shqiptar, mbuluan vizitën e tij dhe këto shënime janë nga burime të ndryshme dhe nga kujtimet e mia të asaj vizite të paharrueshme.

Në San Francisco, Dom Jubanit iu akordua doktorata e nderit nga Universiteti i San Franciskos, i treti shqiptar, pas Nën Terezës dhe At Shtjefën Gjeçovit që është nderuar me atë titull nga i njëjti universitet, me motivacionin:
“Për qëndrimin tuaj të guximshëm ndaj lirisë së fesë madje edhe me mohimin e lirisë, duke paguar një kosto të lartë prej 26 vjetë burgim dhe kampe pune. Për përpjekjet tuaja të palodhshme dhe për thirrjet tua për një pajtim kombëtar në Shqipërinë e re postkomuniste, ashtuqë falja dhe drejtësia të kenë mundësi të zëvendsojnë shtypjet totalitare komuniste. Për bashkpunimin tuaj ekumenik me vëllëzërit e krishtërë dhe për bashkpunimin tuaj ndërfetar me besimtarët myslimanë dhe hebrejë. Dhe për praninë tuaj profetike këtu, duke përfaqësuar një numër të madh shqiptarësh të cilët kanë vuajtur persekutimet fetare dhe të cilët kanë dhënë jetën për besimin e tyre, për drejtësinë dhe për paqën.” Ky ishte motivacioni për nderimin e lartë akademik dhe njohja publike që iu akordua Dom Simon Jubanit në Amerikë — të burgosurit shqiptar të ndërgjegjës fetare dhe apostullit të lirisë fetare, nga Universiteti i San Franciskos më 4 maj, 1991.

Tepër i emocionuar nga ky nderim që iu akordua atij nga një universitet amerikan, Dom Simon Jubani nuk mundi të përmbante entuziazmin dhe kënaqësinë e tij të madhe për praninë e tij aty dhe për nderimin që iu akordua atij, duke thënë, ndër të tjera se në të vërtetë, ky ishte një nderim që i bëhej mbarë kombit shqiptar dhe vazhdoi duke thënë: “Unë nuk jam ipeshkëv, por një prift i thjeshtë katundi. Jam përpjekur të jetoj sipas besimit tim dhe të inkurajojë gjithashtu popullin tim që t’i rrij besnik Perëndisë dhe besimeve të veta fetare. Për këtë aktivitet, unë dhe vëllai im Lazëri, gjithashtu prift, kemi kaluar gjithsejt 62 vjetë në burgjet dhe në kampet e punës në Shqipërinë komuniste. Vëllai im Lazëri ishte me fat sepse vdiq atje si martir i Kishës. Por siç duket, ishte caktuar prej Zotit që unë të jem sot para jush një dëshmitar i vuajtjeve dhe martirizimit të katolikëve dhe besimtarëve të tjerë në Shqipëri. Unë e pranojë me kënaqësi këtë nderim akademik të çmueshëm, jo për meritat e mia, por në emër të klerit katolik shqiptar dhe të gjithë atyre besimtarëve të feve të tjera të cilët gjithashtu kanë vuajtur dhe kanë dhënë jetën për fe, për drejtësi dhe për liri. Sot, në të vërtetë, ju po nderoni mbarë kombin shqiptar”, përfundoi Dom Jubani fjalimin e tij me rastin e dekorimit nga Universiteti San Francisco, ndërkohë që në emër të popullit shqiptar falenderoi universitetin dhe të pranishmit. Në takimet e tija në San Francisco dhe në të vërtetë gjatë gjithë asaj vizite, Dom Jubani fliste më shumë për të tjerët se sa për veten, duke thënë se të tjerët kanë vuajtur më shumë se ai, dhe se i mbarë populli shqiptar ishte një viktimë e pafajshme e një regjimi të ashpër e të mbrapsht, që promovonte aktivitetet kundër besimit, ndërkohë që kishte shpallur Shqipërinë vendin e parë ateist në botë, diçka e pa dëgjuar dhe e pa parë më përpara në botë, duke i shpallur luftë edhe Perëndisë.

Ndërkaq, duke falenderuar Dom Jubanin për praninë e tij aty, Presidenti i Universitetit San Francisco, At Lo Schiavo u tha të pranishëmve se Dom Simon Jubani ishte, “Një inspirim për të gjithë ne në këtë universitet, si dëshmitar heroik i fesë. Për më tepër”, shtoi ai Dom Jubani, “Është simbol i feve të shqiptarëve, kështuqë besoj se duke nderuar atë, ne nderojmë shqiptarët e të gjitha feve, për heroizmin dhe për besinkërinë e tyre ndaj besimeve të veta gjatë asaj periudhe aq të vështirë për ta. Kam bindjen”, shtoi presdienti i Universitetot San Francisco se, “Ceremnia e sotëme shpreh unitetin dhe solidaritetin tonë me popullin shqiptar. Ne shpresojmë se liria e tyre në përgjithësi dhe ajo fetare në veçanti, do të rritet e do të konsolidohet dhe se besimi në Perëndinë do të përhapet jo vetëm në Shqipëri, por anë e mbanë botës, përfshirë vendin tonë.”

Pas vizitës San Francisco ai vizitoi Los Angjelesin ku sipas Buletinit Katolik Shqiptar, Dom Jubani gjatë qëndrimit atje, ka thënë një meshë për shqiptarët e të gjitha besimeve dhe se gjatë predikimit i kishte këshilluar shqiptaro-amerikanët që të mbeten qytetarë të mirë, besnikë dhe të denjë të Amerikës, duke shtuar se duhet të ishin mirënjohës që ishin larguar nga ferri dhe ardhur në parajsë dhe si të tillë duhet të respektojnë mikpritjen që u është ofruar atyre. Gjatë turneut të tij në Amerikë dhe pas largimit nga Kalifornia, Dom Simon Jubani vizitoi komunitetet e mëdha shqiptaro-amerikane në New York dhe në Detroit, ku u prit si hero jo vetëm nga besimtarët katolikë, por edhe nga udhëheqsit fetarë të besimeve të tjera dhe nga besimtarët e tyre.
Ndonëse në bisedë me të gjatë vizitës në Washintgton ai nuk mungonte të ishte kritik ndaj Shteteve të Bashkuara dhe e quante Amerikën si vendi i paradokseve, gazeta katolike Register njoftonte në atë kohë se gjatë një vizite në një shkollë fillore në Holivud ai u kishte thënë nxensëve, se “Amerika është kampione e demokracisë, e paqës dhe e përparimit. Europa kishte të gjitha luftërat. Amerikanët janë paqësorë e duan paqën. Edhe ju duhet të jeni paqësor dhe të doni njëri tjetërin – të falni dhe të harroni”. Megjithë kritikat e tija, në të vërtetë ky ishte mesazhi kryesor i Dom Jubanit gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara dhe sidomos gjatë qëndrimit të tij në Washington.
Dom Simon Jubani, kishte rezervuar gjithashtu disa ditë për të vizituar kryeqytetin amerikan ku pat zhvilluar një numër takimesh me anëtarë të njohur të Kongresit të Shteteteve të Bashkuara që dalloheshin si mbrojtës të të drejtave të njeriut, Senatori dennis De Concini dhe Chris . përfshirë Senatorin Dennis DeConcini, Deputetin Cristopher Smith e të tjerë. Ndër takimet e tjera në kryeqytetin amerikan, Dom Simon Jubani u prit gjithashtu edhe në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe u takua me udhëheqës të lartë të Kishës Katolike Amerikane. Në takimet e tija me zyrtarët e lartë amerikanë, ai bëri thirrje për ndihma urgjente ekonomike dhe humanitare për Shqipërinë. Ndërkaq, Kongresi Amerikan shënoi vizitën e tij në Amerikë me një kryeartikull në gazetën zyrtare të Kongresit (Congressional Record) me titull: Përshëndetje dhe nderim për Dom Simon Jubanin, një mbijetues i kampeve të vdekjes në Shqipëri (SALUTE TO FATHER JUBANI, A BRAVE SURVIVOR OF ALBANIAN DEATH CAMPS). Miku i Shqiptarëve, deputeti nga shteti Michigan, William Broomfield për informacion për kolegët e tij shkruante më 25 qershor, 1991: “Për 26 vjetë, Dom Simon Jubani mbahej në burgjet e Shqipërisë sepse refuzonte të mohonte fenë e vet. I izoluar në një dhomë të vogël me viktima të tjera të atij regjimi shtypës, ai u rrah dhe u mundua, nën kushte të rënda dhe shumë të tmershme. Vëllai i tij, gjithashtu një klerik katolik, u helmua nga rojet e burgut. Dom Jubani mbijetoi dhe u lirua nga burgu në vitin 1989. Sot e mbarë Shqipëria po çlirohet nga komunizmi… Ashtu siç mori fund tmerri i gjatë i Dom Jubanit, le të shpresojmë se edhe terri i natës së gjatë dhe pikëllues për Shqipërinë, të marrë fund këtë vit me fitoren e lirisë mbi forcat e territ.”

Në këtë 25-vjetor të meshës së parë nga Dom Simon Jubani dhe të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, kujtojmë guximin e Dom Jubanit, bashkvuajtësit e tij dhe të gjitha vikimat e komunizmit në Shqipëri, pa dallim feje ose krahine. Gjatë vizitës në Amerikë, Dom Jubani u prit me entuziazëm dhe dashuri nga të gjithë, e pa dallim, si përfaqsues i të gjithë atyre që vuajtën dhe dhanë jetën, vetëm e vetëm, sepse donin të gëzonin lirinë e fesë dhe liritë e tjera themelore të njeriut. 25-vjetë më vonë, shpresojmë që nga ajo vizitë edhe Dom Jubani të jetë këthyer në atdhe me përshtypje të mira nga pritja entuziaste dhe nderimet që iu akorduan atij nga bashkatdhetarët e vet të të gjitha feve dhe nga përfaqsues të lartë politikë dhe fetarë të Shteteve të Bashkuara.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dom Simon Jubani, Frank shkreli, vizita ne SHBA

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT