Dr. Dorian Koçi/
Kryengritjet e mëdha të viteve 1910-1912 përbëjnë një faqe të re, një shkallë më të lartë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ato kishin si objektiv kryesor plotësimin e programit kombëtar të lëvizjes shqiptare, të përcaktuar qysh në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, krijimin e shtetit autonom e më pas të pavarur shqiptar. Lëvizja shqiptare e viteve 1910-1912 luajti një rol të rëndësishëm edhe në rrafshin e jashtëm, në zhvillimin e ngjarjeve politike në Turqinë Evropiane, në mënyrë të veçantë në dobësimin e pozitave të Perandorisë Osmane në këtë zonë. Kryengritjet e mëdha shqiptare dhe lufta italo-turke e kishin dobësuar pozitën e Turqisë në Ballkan dhe u kishin krijuar popujve të kësaj zone kushte të favorshme për zhdukjen e plotë të sundimit osman. Krahas luftës së armatosur që zhvillohej në Shqipëri, deputetët shqiptarë që bënin pjesë në parlamentin turk, nën udhëheqjen e Ismail Qemalit dhe të Hasan Prishtinës, e sulmuan haptas qeverinë xhonturke, për politikën e mohimit të të drejtave kombëtare, të njihte kombësinë shqiptare dhe të drejtën e saj për t’u vetëqeverisur.
Më 11 janar 1912 Hasan Prishtina, në emër të grupit të deputetëve shqiptarë, paralajmëroi qeverinë e Stambollit se po të vazhdonte të shkelte të drejtat kombëtare që u takonin bashkatdhetarëve të vet, në Shqipëri do të shpërthente së shpejti një kryengritje e re. Mohimit të vazhdueshëm të kombësisë nga Perandoria Osmane , deputetët shqiptarë që në vitin 1909 kur ministri brendshëm në parlament guxoi ta mohonte kombësinë shqiptare në Perandorinë Osmane, iu përgjigjën të gjithë pothuajse në kor, “Var, Effendim, var”-egziston zotëri egziston.Por qeveria turke e pushtuar nga nacionalizmi dhe dëshira për të turqizuar popujt e Perandorisë Osmane nuk hoqi dorë nga nga politika e saj antishqiptare. Ky qëndrim i xhonturqve dhe sidomos dhuna e mashtrimi që ata përdorën gjatë fushatës elektorale që u zhvillua në pranverën e vitit 1912, krijuan kushtet për shpërthimin e një kryengritjeje të re, të kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912. Kur zemërimi i shqiptarëve kishte arritur në kulm, në pranverën e vitit 1912, nën kryesinë e Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, Bajram Currit, e të tjerëve filloi në Kosovë kryengritja e armatosur. Brenda pak ditëve kryengritja e Kosovës mori përpjesëtime të mëdha. Nga mesi i korrikut forcat kryengritëse zotëronin pothuajse gjithë territoret shqiptare dhe numri i tyre arriti deri në 50.000 veta.
Më 30 korrik 1912 udhëheqësit politikë të kryengritjes shqiptare kërkuan që parlamenti osman të shpërndahej brenda 48 orësh dhe një qeveri e re të zevendësonte qeverinë egzistuese që dominohej nga figura centralizuese të Komitetit “Bashkim dhe Përparim”. Osmanët nuk kishin asnë mundësi tjetër përveçse të binin dakort me kërkesat e kryengritësve shqiptarë, kur ata prezantuan kërkesën e tyre specifike për autonomi; katër vilajet e Shkodrës, Kosovës, Janinës dhe Manastirit të bashkoheshin në një provincë, ushatarët shqiptarë të shërbenin vetëm në vendin e tyre, gjuha shqipe të ishte gjuha e administratës shtetërore dhe e arsimimit të popullsisë, të ardhurat nga taksat të shpenzoheshin brenda vendit, të gjithë shqiptarët të kishin të drejtë të mbanin armë, dhe disa politikanë xhonturq në Stamboll të dënoheshin për aktet e tyre të dhunës ndaj shqiptarëve. Qeveria osmane kundërshtoi shërbimin ushtarak brenda provincës dhe dënimin e politikanëve xhonturq por udhëheqja politike shqiptare këmbënguli në zbatimin e të gjitha kushteve.
Fitimi i autonomisë dhe krijimi i një shteti autonom shqiptar në territore që përfshin katër vilajetet i vuri në alarm mbretëritë ballkanike që pretendonin përfshirjen e shumë territoreve shqiptare brenda shteteve të tyre. Në këto kushte shpërtheu Lufta e Parë Ballkanike vjeshtën e vitit 1912. Më 8 tetor, Mali i Zi i shpalli luftë Turqisë. Më 17 tetor, i shpallën asaj luftë Serbia e Bullgaria dhe një ditë më vonë Greqia. Fuqitë e Mëdha fillimisht besonin se Perandoria Osmane do të mund të rezistonte por raporti i forcave kësaj radhe ishte ndryshe në terren. Mbretëritë e Ballkanit kishin rekretuar rreth 715.000 trupa ndërsa osmanët kishin rreth 320.000 pa guxuar të sjellin në Ballkan forca nga Azia dhe Arabia sepse i druheshin një sulmi rus dhe britanik. Ushtritë e vendeve ballkanike ishin më mirë të armatosura dhe shumë më tepër të motivuara për të fituar pasi prej rreth 100 vjetësh disa breza ishin rritur me urrejtjen ndaj osmanëve dhe të përfshirë nën ethet e nacionalizmit, ideologjisë shtetformuese që mbizotëronte në vendet e tyre dëshironin të dëbonin përfundimërisht osmanët dhe islamin nga Ballkani. Ushtria bullgare filloi luftimet për shkak të pozicioneve të saj afër Stambollit. Ushtria bullgare fitoi betejën e tyre të parë të rëndësishme më 22 tetor në Kirk Killisa duke i detyruar trupat osmane të tërhiqeshin nga linja e Burgas Lule. Pas një javë luftimesh të ashpra trupat bullgare përparuan drejt linjës Chatalja përpara Stambollit.Pas një muaji të luftimeve banorët e Stambollit dëgjonin topat e ushtrisë bullgare afër linjës Chatalja.
Vetëm Edërneja dhe Stambolli vazhdonin të rezistonin ndaj forcave fitimtare bullgare. Ndërsa forcat bullgare ishin të zëna në luftë me osmanët në drejtim të Stambollit, forcat serbe, malazeze dhe greke triumfuan në perëndim. Në 19 tetor forcat serbe kaluan kufijtë në Maqedoni dhe pesë ditë më vonë thyhen linjën vendimtare për mbrojtjen e Maqedonisë në Kumanovë. Më andej dërguan një pjesë të trupave të tyre për të ndihmuar forcat bullgare në rrethimin e Edernesë dhe pjesën tjetër për të pushtuar Sanxhakun e Novi Pazarit sëbashku me forcat malazeze. Pjesa kryesore e ushtrisë serbe vazhdoi drejt juglindjes , duke ndjekur turqit nga Prilepi, dhe duke përparuar drejt Ohrit dhe Manastirit. Duke pushtuar Kosovën, Maqedoninë Perëndimore, dhe Sanxhakun e Novi Pazarit, trupat serbe u kthyhen tashmë drejt perëndimit dhe pushtuan Durrësin duke iu ardhur në ndihmë forcave malazeze në rrethimin e Shkodrës. Ndërkohë forcat greke përparuan drejt veriut pa hasur shumë rezistencë. Ata pushtuan Grebenë më 31 tetor, Prevezën më 3 nëntor, dhe fitoren më të madhe Selanikun më 8 nëntor. Një detashment bullgar arriti gjithashtu në Selanik por me një ditë vonesë. Forcat greke i lejuan që të hynë në qytet por pasi e kishin bërë të qartë se nuk do të ndanin autoritetin mbi qytetin me ta. Kontigjente të forcave greke hynë dhe në Epir, ku rrethuan Janinën më 10 nëntor. Pothuajse brenda një muaji nga shpërthimi i luftës, ushtritë osmane filluan të thyheshin dhe të tërhiqeshin. Duke ndjekur ushtritë osmane, divizionet serbe, greke dhe malazeze marshuan në drejtim të territoreve shqiptare me shpresë se duke i pushtuar këto territore dhe duke u mbështetur në të drejtën e fitimtarit, do të siguronin aneksimin e tyre. Në këtë situatë kaq të zymtë për fatin e Shqipërisë, kur lindi rreziku që të mos përfilleshin të drejtat kombëtare shqiptare, politikani dhe patrioti i nohur shqiptar, Ismail Qemali lëshoi idenë për mbledhjen e kongresit kombëtar në një vend të lirë të Shqipërisë, i cili të vendoste dhe të merrte masat më të përshtatshme dhe më të ngutshme për të shpëtuar vendin nga rreziku i ri. I ngarkuar nga rrethet patriotike të vendit, në pragun e Luftërave Ballkanike shkoi në Stamboll për ta bindur qeverinë osmane t’u jepte Shqiptarëve autonominë. Pas fillimit të Luftës së Parë Ballkanike ndërmori, së bashku me Luigj Gurakuqin, një aksion të ri politik për të shpëtuar atdheun e për të shpallur Pavarësinë e Shqipërisë. Në mbledhjen e Bukureshtit më 5 nëntor 1912 gjeti përkrahjen e kolonisë shqiptare të atjeshme dhe prej andej shkoi në Vjenë, ku u takua me personalitete politike austro-hungareze e me përfaqësues diplomatikë të Fuqive të Mëdha dhe siguroi përkrahjen e tyre për çështjen shqiptare. Ismail Qemal Vlora ndoqi me kujdes ndryshimin e shpejtë të qëndrimit politik të Fuqive të Mëdha ndaj Perandorisë Osmane dhe arriti në përfundimin se duhej thelluar kërkesa politike, duke e çmuar shpalljen e pavarësisë si të vetmin mjet për shpëtim. Nga Bukureshti, Ismail Qemali i shoqëruar nga Luigj Gurakuqi, Pandeli Cale e disa patriotë të tjerë, kaloi në Budapest, pastaj në Vjenë. Para se të nisej në Shqipëri, Ismail Qemali kërkoi telegrafisht nga të gjitha krahinat e Shqipërisë zgjedhjen e përfaqësuesve për mbledhjen sa më parë të Kongresit Kombëtar, në Durrës ose në Vlorë. Të gjitha krahinat e Shqipërisë, me gjithë afrimin e ushtrive ballkanike zgjodhën menjëherë përfaqësuesit e tyre.
Gjate rrugës së Ismail Qemalit për ngritjen e flamurit dhe shpalljes së pavarsisë do shoqërohej nga Luigj Gurakuqi dhe pas shume ndalesash në vende të ndrysme më 21 nëntor 1912 do mbërinin në Durrës. Më 28 nëntor 1912 u mblodh Kuvendi i Vlorës, i cili zgjodhi si kryetar të qeverisë Ismail Qemalin. Në këtë Kuvend, që u mblodh nën kryesinë e tij më 28 nëntor 1912, lexoi deklaratën e Shpalljes Pavarësisë së Shqipërisë dhe ngriti Flamurin Kombëtar. Ismail Qemali ndër të tjera tha: Të bëhet Shqipëria më vehte nën një Qeveri të Përkohshme; të zgjidhet një pleqësi për ndihmë e kontroll të Qeverisë, të dërgohet një komision në Europë për të mbrojtur çështjen shqiptare përpara Mbretërive të mëdha. Të gjithë delegatët me një zë i pëlqyen fjalët e Ismail Qemal Beut dhe vendosën që: Shqipëria të bëhet që sot më vehte, e lirë, e pamvarur nën një Qeveri të Përkohshme. Pо atë ditë (28 nëntor 1912), Kongresi i Vlorës ngarkoi Ismail Qemalin të formonte qeverinë e parë shqiptare. Më datën 3 dhjetor Perandoria Osmane arriti një armëpushim me Serbinë dhe Bullgarinë, ndërsa Greqia dhe Mali i Zi refuzuan ti bashkoheshin këtij armëpushimi pasi Greqia dëshironte që të vazhdonte rrethimin e Janinës dhe bllokadën detare ndaj Perandorisë Osmane, ndërsa Mali i Zi rrethimin e Shkodrës. Brenda dy muajve osmanët kishin humbur gjithëka në Ballkan përveçse fortesave të Shkodrës, Janinës , Edernesë dhe Stambollit.
Një ditë më vonë në Shqipëri, më 4 dhjetor 1912 Ismail Qemali miratoi qeverinë e përkohshme, si vijon: Kryeministër dhe Ministër i Jashtëm, Ismail Qemali; Zv.Kryeministër, Dom Nikoll Kaçorri; Ministër i Brendshëm, Myfit Libohova; Ministër i Luftës, Mehmet pashë Dërralla; Ministër i Financave, Abdi bej Toptani; Ministër i Drejtësisë, Petro Poga; Ministër i Arsimit, Luigj Gurakuqi; Ministër i Punëve Botore (Publike), Mithat Frashëri; Ministër i Bujqësisë, Pandeli Cale; Ministër i Postëtelegrafëve, Lef Nosi. Kjo qeveri mori masa për reformimin e administratës gjyqësore, mbledhjen e taksave, fillimin e vitit shkollor 1913-1914 dhe nënshkroi disa marrëveshje koncensionare. Kuvendi Kombëtar i zhvilloi punimet prej 28 nëntorit deri më 7 dhjetor 1912. Gjatë kësaj kohe ai zgjodhi qeverinë, pleqësinë dhe caktoi komisionin që do të mbronte të drejtat e kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Këtu shihen dhe bazat e para të organizimit të shtetit shqiptar dhe aktet e tij të para legjislative. Megjithëse i formuar dhe i mbledhur në rrethana të jashtëzakonshme, kur Shqipëria ishte bërë fushë luftimesh ndërmjet ushtrive turke dhe ballkanike, Kuvendi Kombëtar i Vlorës, që përfshinte delegatë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, përfaqësonte efektivisht vullnetin e gjithë kombit dhe u bë organi më i lartë i shtetit shqiptar, mbajtësi dhe shprehësi i sovranitetit shtetëror. Prandaj vendimet e tij kishin vlerën e vendimeve kushtetuese që sanksiononin vullnetin e popullit shqiptar për shkëputjen nga Perandoria Osmane dhe për krijimin e një shteti të pavarur.
Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë dhe caktimi i kufijve të saj ishin guri i fundit i mozaikut të krijimit të shteteve kombëtarë në Ballkan. Për shkak se këto ngjarje të rëndësishme diplomatike , jo vetëm për popullsinë dhe etninë shqiptare që po materializonte një proces që popullsitë dhe etnitë e tjera të Ballkanit e kishin realizuar më herët, por edhe për vetë rajonin që për shumë kohë ishte kthyer në një skakierë diplomatike ku luanin kryesisht interesat e dy Perandorive të Mëdha, asaj Austro-Hungareze dhe Ruse si dhe të një Fuqie të re të Madhe ambicioze si Italia, shpallja e pavarësisë së Shqipërisë i dha fund rebusit mbi lidhjet e Perandorisë Osmane me Ballkanin. Vendimet e Konferencës së Londrës, rreth 8 muaj më vonë, 29 korrik 1913, njohën pavarësinë e Shqipërisë, por në një territor të cunguar. Shteti i ri kombëtar shqiptar pa një hapësirë të madhe të territoreve të banuara nga shqiptarët t’iu jepej vendeve fqinjë. Serbia në përfundim të Luftës së Dytë Ballkanike pushtoi 19 000 km (Kosovën dhe Maqedoninë), duke u zgjeruar në 82% territor, me një popullsi prej afro një milion shqiptarësh; Mali i Zi pushtoi 62% territor, ku jetonin 190 mijë shqiptar, gati po aq sa kishte vet shteti malazez; Greqia pushtoi 68 % të Çamërisë ku jetonin 67 % popullsi shqiptare.
Pavarësisht mbështetjes ndërkombëtare të përbërë kryesisht nga Austro-Hungaria dhe Italia, foshnja më e re e Europës kishte lindur e gjymtuar. Vendimet e mbrapshta të Konferencës së Londrës dhe Paqes së Bukureshtit në përfundim të Luftës së Dytë Ballkanike u shndrruan në instrumenta që mbajnë ndezur fitilin e konflikteve etnike për fat të keq edhe sot në Ballkan.