• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Bostoni pagëzoi vitin 2015 si Vitin Nolian

November 28, 2015 by dgreca

Nga dr. Yllka FILIPI/

Ditën e diel më 22 Nëntor 2015 në Katedralen e Shën Gjergjit apo e njohur ndryshe si Kisha e Fan Nolit në Boston, SH.B.A u mbajt Meshë përkujtimore dhe Simpozium Shkencor me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së Fan Nolit lidhur me veprën dhe figurën e tij poliedrike. Në këtë aktivitet madhështor mori pjesë edhe Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë në emër të së cilës referuan zonja Raimonda Moisiu dhe Dr. Yllka Filipi, Kryetari i Vatrës Shqiptare z. Gjon Bucaj, Drejtoresha e Bibliotekës Fannoliane zonja Neka Doko, profesorë, pedagogë, dashamirës të artit dhe letërsisë si edhe adhurues të figurës së Fan Nolit dhe veprës që na ka lënë  trashëgimi. Takimi u hap nga At Arthur Liolini i cili mbajti meshën e shenjtë të përnderimit të jetës dhe arritjeve të kryepeshkop Fan S. Nolit. Më pas vijoi intermexo muzikore me Lidiana Morcka, në Piano Sonata “Drita e hënës” nga Beethoven, Valentin Veizi, Kompozime dhe shoqërim në piano si edhe Bashkim Pacuku, Aria e Vertere nga opera “Werther” e Jules Massenet. “Run o Solder a Marathon”, Saint George Sunday School students, interpretuan mjeshtërisht poemën e Nolit “Rend or Maratonomak”. Përshëndeti të pranishmit dhe përkujtoi punën  e palodhur të Fan Nolit, Konsulli i nderit të Shqipërisë në Masacusets, z.Van Christo. U referuan në vijim kumtesat shkencore lidhur me trashëgiminë dhe vlerat e veprimtarisë noliane. Dr. Gjon Bucaj, President i Vatrës u prezantua me kumtesën me titull: “Duke e dashur si gjënë më të shtrenjtë pasurinë noliane” Megjithatë Noli, përveç veprave origjinale në letërsi, – shpreh Bucaj, – histori e muzikë, ka lanë edhe disa nga kryeveprat botnore të përkthyeme në një shqipe që lexohet me andje si t’ishin origjinale e që, ndonjë herë, tingllojnë edhe ma mirë, si në rastin e refrenit “Kurrë më” te “Korbi”.(…) Nolit i dedikohet pranimi i Shqipnisë në “Lidhjen e Kombevet” në dhetor të vitit 1920. Përmbajta e fjalimit, gjuha e përsosun anglishte e Harvard-it, si dhe kryqi i Peshkopit mbi gjoks, ishin dishmi bindëse për delegatët e shteteve të mëdha se kombi i përfaqsuem nga folësi impresionues, nuk mund të ishte i përbamë prej fisesh primitive që nuk mund të formojshin shtet dhe se Shqipnia nuk ishte një “Turqi e vogël” në Ballkan, si propagandojshin delegatët e anmiqvet tanë.(…)Prandej jemi mirënjohës e të lumtun këtu sot dhe krenohemi me Bibliotekën Fan Noli dhe me Kishën e krijuar prej tij. Agron Alibali me punimin me titull: “Fan S Noli, lider i Qeverisë shqiptare të ligjshme në mërgim në 1918” solli disa hipoteza dhe fakte shokuese për publikun:  Zyra eVatrë-s dhe apartamenti i Nolit në atë kohë ishin të vendosur në skajin jugor dhe Back Bay, dhe të dy këto vende u bënë objekt i një mbikqyrje shumë intensive . Diktofonët, apo pajisjet më të avancuara përgjuese të kohës, u vendosën në zyrat eVatrë-s dhe në dyqanin e  frutave të  Chris Kirkës, një nga udhëheqësit e Vatrë-s dhe bashkëpunëtori dhe miku  më i mirë i Nolit. Noli dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë ishin në shenjestër nga agjentët [ F ] BI-së. Apartamenti i Nolit në 53 Clarendon Street dhe zyra e tij  kontrolloheshin në mungesë të tij dhe pa urdhër. Por në krye të hetimeve u has   në një problem të vështirë : përkthimin e produktit të mbikqyrjes nga shqipja në anglisht. Prandaj, autoritetet amerikane përdoret tri burime :  aktivistin greko- shqiptar, Liolion , botues i një gazete greko- amerikane në Worcester ; Giorgio La Piana , një shqiptaro- italian ose arbëresh, i cili më vonë u bë profesor në Harvard Divinity School , dhe motrat Qiriazi . Këta persona ndihmuan [ F ] BI në orë të panumërta dëgjimi dhe mbikëqyrjeje të  VATRë-s, liderit të saj Fan S. Noli dhe bashkëpunëtorëve të  tij më të ngushtë shqiptaro- amerikanë. Produkti i këtij materiali të pasur arkivor është jashtëzakonisht i vlefshëm për të na ndihmuar sot gati pothuajse një shekull më vonë, të rishqyrtojnë dhe  të hedhim dritë mbi historikun, punën e shquar të VATRë-s si qeveria de facto e Shqipërisë në mërgim në vitin 1918. Burimet arkivore tregojnë se VATRA në të vërtetë mori elementet themelore dhe funksionet bazë, dhe në shumë aspekte, ka vepruar, si qeveri shqiptare në mërgim në atë kohë. Mal Berisha  prezantoi kumtesën me titull “Busti I Fan Nolit ne Ibrik Tepe” ku ndë të tjera u shpreh: (…) Kur unë deklarova se jam shqiptar, udhërrëfyesi ngadalë ktheu kokën drejt meje dhe tha: (…) E di që shqipja është një gjuhë e pasur dhe se përkthyesi i famshëm me emrin Fan Noli ka sjellë Shekspirin për lexuesin shqiptar dhe e ka bërë në një mënyrë të mrekullueshme.(…) Fan Noli është një hero për ne të gjithë dhe frymëzim për brezat e rinj shqiptarë që guxojnë ëndrrën e madhe sikur Ai. Franklin Zdruli/St. Mary’s Curch, Worcester/*Nga Kisha e Shën Marisë në Uster theksoi: Sot të vlerësojmë dhe përkujtojmë  Fan Nolin dhe dedikimin e tij është një detyrë morale në radhë të parë për të gjithë Shqiptarët, pasi vepra e jetës së tij është  shkëndija dhe zjarri që vloi zemrën e Shqiptarëve në rilindjen e identitetit të tyre kombëtar. Shpirti Shqiptar nje forcë të tillë nuk e kishte provuar që në kohën e Gjergj Kastriotit. Të dy këta udhëheqës janë nga të vetmit në historinë e kombit shqiptar që përmbajnë në vetvete të njëjtin karakter, vlerësim dhe përkushtim ndonëse kanë qenë të ndarë prej një periudhe kohore afër pesë shekullore. Nga i pari trashëguam komunitetin e parë më jetegjatë shqiptar, pa ndërprerjen e besimit në komunitetin arbëresh, kurse nga Fan Noli trashëguam ndër te tjera, institucionin e parë shqiptar, Kishën Orthodokse Shqiptare, mbi të cilën u ndërtua identiteti shqiptar.  Raimonda Moisiu me punimin e saj “Fan Noli ndërmjet botës hyjnore dhe njerëzore”ndër të tjera theksoi se Noli i madh ka qenë “hebre” i fjalës së përkorë. (…) si një punonjës i arit apo i zembrekëve të orës… Aq poezi sa na ka lënë, janë që të gjitha, të derdhura në flori, ku nuk ke kurajon të heqësh a të redaktosh, qoftë edhe një rrokje. Pra, duhet të përkulemi me nderim përditë te “profesor” Noli për përzgjedhjen dhe koncizitetin e fjalëve. Falë kishës së themeluar prej tij, shqiptarët e Amerikës ishin dhe janë të bashkuar më shumë se në asnjë vend tjetër të botës.  “Ditët e fundit” – ishte kjo një Letër nga Prof. Nasho Jorgaqi, Unë jam hiri, atje ku ishte zjarri. (George G. Byron) Fillimi i marsit e rëndoi akoma më shumë gjendjen e të sëmurit. Dhembjet iu bënë të padurueshme…(…) Në mes dorëshkrimeve të këtyre ditëve, do të gjendej në komodinën e tij dhe teksti i një lutjeje, shkruar me dorën e vetë. “Kur ju, o mbret i gjithë qiejve, thuhej aty, do të vini në tokë, me fuqi e lavdi, e tërë bota do të dridhet nga frika, lumenj zjarri do të rrjedhin përpara gjykatores së tmerrshme, librat atëherë do të hapen dhe mëkatet e fshehura do të zbulohen. Oh, shpëtomë nga zjarri i përjetshëm dhe i pashuar dhe vendosmë në të Djathtën tënde në Parajsë, o gjykatës i drejtë dhe i mëshirshëm!”Ç’ishte kjo lutje e Nolit në ditët e fundit të jetës? Dita e 13 marsit gdhiu …Katër qirinj të mëdhenj, të vendosur në formë kryqi, lëshoni dritë mbi të. Ai dukej sikur flinte, në gjumin e tij të përjetshëm. “Fytyra si në bronz, shkruante reporteri i “Diellit”, e zbehtë, pa shumë rrudha. Një jetë e tërë, një jetë e lashtë, ishte njeriu nga më njerëzorët e shqiptarëve të Amerikës, gjeniu dhe njeriu i thjeshtë”. Përqark kishte një det me lule, aq shumë sa që trupi i tij dukej sikur voziste nëpër to. Ndërsa ditën rridhte lumi i njerëzve, natën, sipas zakonit shqiptar, do ta ruanin gratë. Dëshira e Nolit kish qenë të varrosej thjesht, pa madhështi, me sa më pak shpenzime, ashtu siç e kish jetuar jetën. Po sipas amanetit të tij, pas varrimit u shtrua në mjediset e Katedrales së Shën Gjergjit një drekë modeste, vetëm me bukë, djathë dhe ullinj. Për ditë me radhë do të mbërrinin në adresë të Kishës, të Vatrës e të “Diellit” me qindra telegrame e letra ngushëllimi. Shprehej dhembje, po një dhembje krenare, dhembja e gjithë kombit shqiptar për këtë humbje të pazëvendësueshme. Cilësohej “humbje e thellë”, “pikëllim për të cilin fjalët s’mjaftojnë”, “hidhërim i patreguar”, kurse për atë vetë, “burrë i madh dhe prijës i madh”, “themelues i shkëlqyer i Kishës Ortodokse Shqiptare”, “shkëmb i binomit atdhe dhe fe”, “thesar diturie”, “fetar i devotshëm”, “shkrimtar i jashtëzakonshëm”. (…) I gjejmë ato te “Dielli” dhe “Liria”, në gazetat e diasporës e akoma më shumë në shtypin e Tiranës. Vdekja e tij tërhoqi dhe vëmendjen e shtypit vendës. Gazeta qendrore “The New York Times”, do të botonte ato ditë artikullin “Bishop Fan S. Noli once led Albania” (“Peshkop Fan Noli dikur ka drejtuar Shqipërinë”), ku bashkë me biografinë e tij politike dhe shoqërore, vihej në dukje emri i nderuar prej studiuesi dhe udhëheqësi fetar. Në mënyrë të veçantë do t’i bënte jehonë ngjarjes së hidhur të bashkësisë shqiptaro-amerikane, shtypi i Bostonit, me një pjesë të të cilit Noli kish bashkëpunuar, si“Boston Herald”, “Boston Globe”, “The Boston Sunday Globe”, po dhe të qyteteve të tjerë, si “Worcester Daily Telegraph”, “The Evening Gazette”, “Post Journ,” etj. Ai u takonte atyre njerëzve, vlerat e të cilëve përmblidhen aq bukur në fjalët e Plinit të ri, që do të përmendeshin me këtë rast: “Më duket se vdekja është gjithmonë e parakohshme dhe e pakohë, kur u vjen njerëzve që janë të angazhuar në punë të pavdekshme.(…) ata që mendojnë për pasardhësit dhe përpiqen të fitojnë famë të pavdekshme me punë të mira, për ta vdekja është e parakohshme”. Dr. Yllka FILIPI u prezantua me kumtesën “Fan Noli, simbol i vetëflijimit për hir të interesave kombëtare”, ku midis të tjerash tha: Është fjala për një luftëtar të përgjakur të cilin e thërret nëpër mjegull, Liria.  Identifikimi i Figurës së Nolit shkrihet në një me atë të  personazhit që krijon në vetvete, duke simbolizuar gjithë sakrificën e figurës së tij në vite: Ty të thërrasin e ty të presin o luftëtar!  Ky lejtmotiv dhe kjo thirrje e kanë ndjekur pas gjithë jetën Nolin, duke i hapur shtigjet drejt zgjidhjes së fateve të mëmëdheut. Atij fati që përsëritet çdo mot, që e ndërron lëkurën si gjarpër, i bardhë a i zi, sidoqoftë:  Autori shpreson shumë tek shqiptarët : Mjaltin e zemrës suaj o vëllezër, mbajeni për veten tuaj, mos ua hidhni armiqve!Ja si klith Rilindasi i fundit në lutjen dëshpëruese  drejtuar Perëndisë: “O Zoti madh, i drejtë dhe i dhembshur, shpëtoje popullin dhe vendin tonë të mjerë dhe nderoje përsëri me liri nën flamurin tonë, flamurin e Skënderbeut, flamurin e kuq me shkabën e zezë me dy krerë!”   Luftëtari i brengosur për fatet e kombit-mallit të tij të vazhdueshëm, brenda kumteve, shenjave gjuhësore, u bë kështu symbol i një epoke, arsye, intuitë, dëshmi, kuptim, esencë për të ngritur ura në sheshimin e mosmarrëveshjeve universale të veprimtarisë së tij poliedrike. Gulçimi i frymëmarrjes së maratonës noliane ndërkontinentale do të ndjehet në ankthin e lexuesve të shumë brezave që do të vijnë, por me një ndryshim: Vrapi i tij do të rendë nëpër kohëra, si maratonë e përjetësisë ku strehohet liria globale. Dhe do të arrijë shpejtësinë e dritës: Rron, or rron, nuk vdes shqiptari!-përfundoi autorja. Prof. Sami Repishti nën titullin “Kryepeshkop Fan Noli, mendje e ndritur që na mungon sot”… më 1962, e dëgjova të fliste. Ishte kontakti im i parë me dikë të cilin e kisha idealizuar si një nga figurat më të shquara politiko-kulturore të Rilindjes shqiptare. Zëri i tij ishte i fuqishëm, shkathtësia e mendjes e pakrahasueshme, gjuha shumë e pasur, substanca e ligjëratës dritë për mendimin. Në heshtje të thellë salla shikonte folësin, mijëra sy të ngulitur drejt tij si drejt shenjtit dhe një respekt i thellë të cilin që nuk e kisha parë kurrë më parë. Ishte një atmosferë elektrizuese. (…) Mbeta pa fjalë! Në atë trup të brishtë një mendje aq brilante… më bënte mua të ndjehesha krenar për gjuhën e nënës.(…) Ai i përkiste  shpirtit më sublim elitar dhe jo përkohësisë së dekoratave qeveritare me ngjyra të ndezura e shkëlqim verbues ari. Sot, siç kam bërë pesëdhjetë vjet më parë, unë nuk mund të pushoj së menduari çfarë arritje e jashtëzakonshme do të jetë për ne shqiptarët të krijojmë një Katedër studimi të letrave shqipe të quajtur ” Fan S.Noli”, në një universitet amerikan, mundësisht në Boston…Dhe kjo ishte një nga ëndrrat më të mëdha të Nolit. Neka Doko, Drejtoresha e Bibliotes Fan NOLI, paraqiti punime dixhitale nga arkiva noliane,arkiva kombëtare e Shteteve te Bashkuara te Amerikës. Biblioteka “Fan Noli”, – u shpreh ajo,- si një mikrocelulë shqiptaro-amerikane në  bërthamë, lindi nga trashëgimia noliane në  zemrën e komunitetit më  të  vjetër shqiptar të  Amerikës. E njohur si qendër memoriale me arkivë  të  pasur ndërshqiptare, është  një  institucion ndërgjuhësor, ndërkulturor i pandërprerë  që  nga krijimet e saj nga Kancelari i katedrales së  Shën Gjergjit, i përndershmi At Arthur Liolin në fund të  viteve 60-të  e deri më  sot. E përfshirë  në  këtë  sistem, biblioteka “Fan Noli” projektoi sistemin e saj të  parë  informativ në  vitin 2005. Menjëherë  pas katalogimit gradual të  gjithë  arsenalit të  saj verbal, ndihmoi dhe investoi në  formë  individuale  pë r realizime numerike të  disa projekteve të  përvjetorëve të  plotë  a te ngjarjeve në  komunitetin shqiptaro-amerikan të  katedrales së  Shën Gjergjit dhe më gjerë  në  shtetin e Masacusets. Projekti i dytë  numerik do të  lindte në  pranverë  të  vitit 2012 kur kërkoja në  emër të  bibliotekës Fan Noli, për të  plotësuar dosjen numerike të  Fan Nolit nga studimet universitare në  Harvard. Punova rreth dy muaj në  arkivat e universitetit të  Harvard-it. U largova me fotokopjet e të  gjitha dokumentave origjinale te tij. Gjatë  verës 2012, krijuam dokumentarin integral të  Fan Nolit në  Universitetin e Harvard-iti cili u hodh në  CD para kremtimit të  100-vjetorit të  diplomimit të  Nolit nga Universiteti I Harvard-it. Ekspozita numerike arkivore e hapur në  sallën e baptizimeve të  Katedrales së  Shën Gjergjit në  5 prill 2015 pas liturgjisë  përkujtimore të  50 vjetorit të  vdekjes së  Fan Nolit përbën hapin e parë  të  komunikimit ndërkulturor të  komunitetit shqiptaro- amerikan të Boston-it me trashëgimine noliane. Ky simpozium është  pjesë  integruese e projekteve numerike të  përkujtimit dhe kremtimit të  ngjarjeve të  50 vjetorit të  prehjes së  Fan Nolit. Duke e mbyllur këtë  vit nolian me një simpozium domethënës që  lakoi të  gjitha dimensionet e personalitetit dhe arritjeve të  Fan S. Nolit që  nga ardhja në  Amerikë  e deri në  jetëndrimin e tij, biblioteka dhe arkiva e tij tanimë  u pasuruan me një  material numerik interesant e variativ për të  realizuar në  vazhdim një  punim numerik të  plotë  të  vitit 2015, i quajtur Viti Nolian. Së  fundi një  projekt dy vjeçar për të  përfshirë  të  gjitha rekordet akademike të  Fan Nolit në  Universitetin e Boston-it. Prof. Thanas Gjika evidentoi se mendimet e Imzot Nolit janë për shqiptarët aktuale dhe orientuese edhe sot. Ndricim Bejko Skulptor, paraqiti portretin e Nolit “Relievi i Fan Nolit me vizion të kthjellët”. Profesor i Merituar, Nikolla Pano serviri “Trashëgimia dhe amaneti i Fan Nolit” (lexon Stephanie Callahan) J.Nenshati, E. Joseph e tre nxënës nga Shkolla Shqipe interpretuan poezi e përkthime nga Fan Noli. A. Jasperse përshëndeti në emër të shoqatës Maas Besa. Një falenderim special nga të pranishmit shkoi për zonjen e nderuar Neka Doko, për mbështetjen e fuqishme profesionale, historike e kombëtare që i jep At Arthur Liolinit dhe Bibliotekës fannoliane. Nën shembullin e Nolit të madh, sa e sa klerikë të nderuar, si At Arthur Liolini, i mbajnë të bashkuar shqiptarët! Në fund u shtrua një darkë solemne për të pranishmit.

Pëgatiti:

Dr. Yllka FILIPI

N.J, U.S.A

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Bostoni pagëzoi vitin 2015, dr, si Vitin Nolian, Yllka Filipi

Federata Pan-Shqiptare e Amerikes “VATRA” mbajti Kuvendin Vjetor në Jacksonville – Florida

May 4, 2015 by dgreca

Kryetar u ri-zgjodhë me aklamacion Dr. Gjon Buçaj/
Nga Beqir SINA-nga Jacksonville, Florida/
JACKSONVILLE FL : Kuvendi Vjetor i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, VATRA, u mbajt kësaj radhe për herë të parë pas çerek shekulli, jashtë Nju Jork-ut, shtetit ku është aktualisht edhe qendra e Vatrës, prej transferimit të saj nga Bostoni Nolian. Ky kuvend për koicindencë, u mbajt në qytetin Jacksonville të Floridës, jo shumë larg vendit, ku është edhe sot shtëpia, ku mbylli sytë imzot Nolit në Fort Lauderdale të Florida-s, shtëpi që Federata Pan Shqiptare “Vatra”, i pat blerë si dhuratë peshkopit shqiptar më 1954.
Në këtë Kuvend, morën pjesë rreth 100 delegatë dhe të ftuar, nga Nju Jorku, dhe zona e “Tri Shteteve”< NJ, CT, Detrioiti, Uashingtoni, Florida, Bostoni, Çikago, Toronto, Pensillvenia, dhe Karolina e Veriut. Kuvend i 2 Maj 2015, në Jacksonville (Ramada Jacksonville/Baymeadows Hotel & Conference Center ), u mbajt në një frymë tejet demokratike, ku nuk munguan edhe debatet e forta konstruktive, nga ana e kryetarëve të degëve dhe disa delegatëve. Kuvendin e dretojë në cilësinë e Kryetarit të këtij Kuvendi profesor Mithat Gashi me dy ndihmësit e tij, zoterinjte Ali Lushnja, e Kujtim Porja. Kuvendi i Vatrës, i nisi punimet në orën 9-të mëngjesit, simbas rregullores së përcaktuar nga Kanunorja- (Kushtetuta) e saj. Mbas zgjedhjes së Komisionit, prej tre vetësh, për verifikimin e kredencialeve të delegatëve, Kryetari i Kuvendit të Vatrës, u votua professor Mit'hat Gashi, sekretarë u zgjodhën Merita Bajraktari-McCormack, dhe Naze Veliu, të cilët ndoqën dhe procedurën e këtij Kuvendi në bazë të Kanunores së federatës VATRA. Më pas u kënduan Hymnet kombëtare të SHBA dhe Shqipërisë nga këngëtari i mirënjohur Frederik Ndoci. Kurse, udhëheqësi i këtij Kuvendi, kryetari, Profesor Mit'hat Gashi, kërkoi që me një minutë heshtje të pranishmit të nderonin të gjithë të rënët e Kombit amerikan dhe të Shqipërisë. Anëtari i kryesisë së Vatrës, zoti Zef Bala, një veprimtar i njohur, dhe anëtari i Bordit të Drejtorëve të Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane, solli një përshëndetëje të veçantë në këtë Kuvend, drejtuar punës së Kuvendit Kombëtar të Vatrës, në emër të presidentit të saj ish kongresitit Joe DioGuardit, i cili udhëheq lobin e parë shqiptar në Amerikë, dhe të vetëmit dedikuar çështjes kombëtare shqiptare në SHBA. "Ju lutem përcillni urimet e mia më të mira, për Vatrën dhe kryetarin e saj dr Bucaj si dhe anëtarët e tjerë të Bordit të Vatrës me rastin e Kuvendit që po mbahet në Florida, duke ju uruar punë të mbarë, thuhej në mesazhin e DioGuardit. " Ne së bashku kemi shumë për të bërë, theksohej në mesazh, për të ndjekur atë rrugën historike të kombit shqiptarë. Luftën për lirinë dhe pavarësinë e popullit shqiptar, 15.000.000 shqiptarëve në botë, duke përfshirë 7.000.000 në Ballkan, 3.500.000 në Shqipëri dhe 750.000 në SHBA, dhe le të mos harrojmë 250,000 arbëresh në Itali, që prej nga koha e Skënderbeut, të cilët presin ma shumë nga kombi shqiptarë, deri në bashkimin tonë kombëtarë". Punimet e Kuvendit të Vatrës, nisen me raportin e kryetarit dorëheqës, Dr. Gjon Buçaj, duke vijuar me raportin mbi gjendjen financiare nga Arkëtari i deritanishëm, z. Marjan Cubi, i cili foli edhe për raportin e Fondacionit "Vatra Foundation, Inc.". Raportii i Fondit të Studentave "Vatra Educational Foudation", u mbajt nga z. Mithat Gashi dhe së fundi ka qenë raporti i Editorit të gazetës "Dielli", z. Dalip Greca. Më pas kryetarët e Degëve të Vatrës- folën mbi aktivitetet e degeve, cilat ishin arritjet e degëve gjate mandatit që shkoi dhe cilat janë objektivat e degëve të tyre deri në kuvendin e ardhshëm. Më pasë ata kaluan në diskutimet e tyre duke dhanë dhe disa propozime për propozimet në ndryshimet në Kanunoren e Vatrës. Propozimet të gjitha kaluan me votimin nga delegatët e rregulltë, ashtu, siç i parasheh Kanunorja e vjetër, të shoqëruara me pyetje, spjegime dhe rekomandime mbi raportet dhe aprovimi i tyre. Në pika mjaft të rëndësishme e morën fjalën Kryetarët e Degëve të Vatrës në të gjithë territorin e SHBA, duke filluar nga : Dega Washington DC, Znj. Merita Bajraktari-McCormack, Dega Michigan, z. Alfons Grishaj , Dega South Florida, z. Kolec Ndoja, Dega Hudson Valley, z. Pashko Camaj, Dega Jacksonville, Florida, z. Adriatik Spahiu, Dega Hartford, CT, prof. Prend Çeta, Dega Orlando, Fl. znj. Florisiana Ahmetaj-Metollari, Dega Tampa, Fl., z. Tasim Ruko Seanca e parë e Kuvendit të Vatrës, vazhdoi punën e saj, me mesazhe përshëndetëse nga dy veteranët e Vatrës, Zef Përndocaj, dhe Zef Balaj, z. Asllan Bushati, Naze Veliu dhe Adriatik Zoto. Një përshendetje majft të ngrohtë, u solli vatranëve në këtë kuvend, Dr Ana Kohen Presidente e organizatës së Gruas Shqiptare Motrat Qiriazi" Gjatë senacave çdo propozim për ndryshim në Kanunore, dhe vendosjen e rregullores së re, u votua dhe kaloi me shumicë votash. Propozimet e degeve kalaun nëpër një proces të shoqëruar jo vetëm nëpërmjet debatesh të forta - por edhe kundërshtive -"përlasjeve", deri në atë të gjetjes së konsuesit në disa raste. Mbasi ishte bër më parë dorëheqja, u vazhdua me shpalljen e kandidaturave(propozimeve), pas asaj të kryetarit të dorëhequr, dr Gjon Buçaj, duke nisur edhe proceduara e zgjedhjes së kryetarit. Gara për kryetar të Vatrës, nisi me vetëm një kandidat – Dr Gjon Buçaj, të propozuar, nga veterani i Vatrës, anëtari i kryesisë zoti Zef Përndocaj, mbasi nuk pati asnjë kandidatur tjetër të paktën të shpallur në Kuvend. Kryetari i mandatit të kaluar, Dr Gjon Buçaj, u zgjodh me aklamacion - duke zgjedhur më pas sipas Kanunores, edhe drejtuesit e lart të Vatrës për një mandat të dytë dhe të fundit.Në këtë mynyrë Kuvendi i Vatrës, votoi unanimisht dr. Gjon Buçajn si kryetar të Vatrës, deri në Kuvendin e ardhshëm.. Kryetari i Vatrës, dr. Gjon Bucaj me këtë rast shpalli edhe listën e zyrtarëve të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, e cila organizoi Kuvendin më 2 Maj 2015 në Jacksonville - Florida. Pas nisjes së konsultimeve, dr. Bucaj tha se lisa e zyrtarëve të lart që i përkasin strukturave të Vatrës, vazhdon me dy nën kryetar : zotin Agim Rexhaj, dhe Asllan Bushati, secretar i Përgjithëshëm: Nazo Veliu, sekretar i thesarit (arkatari) Marjan Cubi, President of Vatra Foundation, Inc. Dr. Nexhat Kalici, President of Vatra Educational Foundation Prof. Mithat Gashi dhe Editor i gazestës “Dielli” Dalip Greca. Dr. Gjona Buçaj, mbasi ri-mori detyrën e kryetarit, shpalosi pikpamjet e tij për Vatrën, duke u folë gjerësisht për të ardhmen e Vatrës, në kushtet e një zhvillimi dhe përparimit të saj, me qëllim, intensifikimin e përpjekjeve për gjallërimin e aktivitetit të Federatës më të vjetër të shqiptarëve në diasporë., Me këtë rast Kuvendi i Vatrës, vlerësoi kontributin e dr. Gjon Buçaj, i cili realisht ka qenë një ndihmës i afërt i kryetarit Karagjozi, dhe ka kryer disa vite detyrën e nën/kryetarit të Vatrës, dhe është treguar i palodhur dhe i përkushtuar. Kryetari i ri-zgjedhur për edhe një mandat të dytë, i cili sipas Kanunores është i fundit për Dr. Gjon Bucaj,në fjalën përmbyllëse falënderoi të gjithë vatranët për besimin që i dhanë, duke e ngarkuar me drejtimin e Vatrës deri në Kuvendin e ardhshëm dhe përfundimin e mandatiti të tij. “I vetëdijshëm për përgjegjësinë e rëndë të kësaj detyre,” shtoi ai, ” e pranoj duke u mbështetur në besimin e të gjithë Vatranëve se do të punojmë edhe më shumë së bashku për realizmin e të gjtiha premtimeve që dhamë për Vatrën“. Ky Kuvend si në të kaluarën ka shprehur edhe një her një vlerësim të merituar për z. Agim Karagjozi, i cili e ka nderuar dhe e ka udhëhequr me përkushtimin e tij atdhetar dhe kombëtar Vatrën e kolosëve të kombit shqiptarë. Zoti Karagjozi është President Nderi i Vatrës, për dy dekada ka qenë kryetar historik i Vatrës, dhe për 55 vjet një vatran, i flakët duke ia kushtur gjithë jetën çështjes Kombëtare, kujtohet më dashuri dhe respekt në rradhët e vatranëve bashkë luftëtarve të tij. Për nder të mbylljes me sukses të punës së Kuvendit të Vatrës, në lokalin e bukur Ramada Jacksonville/Baymeadows Hotel, u shtrua një darkë. Gjatë darkës iu dha çmimi“AWARD OF MERIT” kryetarit të degës së Jacksonvillit zotit Adriatik Spahiu dhe disa vatranëve, të dalluar për merita në vitet e fundit.Me këtë rast duhen thënë fjalë miradie për mikëpritësit e këtij Kuvendi, të cilët ishin Vatranët e Degës Jacksonville, për organizmin mjaft të bukur dhe dinjitoz .

Filed Under: Vatra Tagged With: Beqir Sina, dr, Gjon Bucaj, Jacksonville, Kuvendi i Vatres

DR. AGIM LEKA, MJEKU QË KUROI PLAGËT E KOMBIT DHE U SHËRBEU PËR 50 VJET SHQIPTARËVE TË AMERIKËS

June 9, 2014 by dgreca

NGA DALIP GRECA/
Një mbrëmje të ftohtë të marsit 2014, së bashku me dr. Skënder Murtezanin, udhëtuam nga Bronxi drejt Baldwin, një qytezë, e vendosur në pjesën jugore të Long Island- ishullit më të populluar në të gjithë Amerikën- për dendësinë e popullsisë, renditet i 17-ti në Botë.Nëse do të ishte shtet Long Island, do të renditej i 13-ti në Amerikë, në SHBA-pas Virginias. Dendësia e popullsisë është 5402 banorë për një milje katrore (2,086 për km2.). Ishulli ka një popullsi prej 7,740, 208 (Sipas statistikave të 2013-ës), ndërsa qyteza e Baldwin, sipas Censusit prill 2010, regjistronte një popullsi prej 23.455 banorë. Baldwin është një njësi banimi që klasifikohet e pasur; të ardhurat mesatare për çdo familje janë $72.456. Pikërisht këtu është vendosur dr. Agim Leka me familjen, që në vitin 1960, ku hapi zyrën e tij të shërbimit shëndetsor. Në muzg shtëpia ka një pamje magjike, veçanërisht në lindje dhe perëndim të diellit, tabloja që përfitohet është e rrallë.Qëndrojmë një copë herë duke vëzhguar diellin që po “zhytet” në oqean, ndërsa dr. Murtezani bën telefonatën e mbërritjes. Dr. Agimi i shoqëruar nga zonja Elisabeth dalin në paradhomë dhe na presin me përzemërsi shqiptare. Edhe pse nga shëndeti nuk janë mirë, duken plot gjallëri dhe gëzimi për vizitën, u lexohet ndër sy.
Pas përshëndetjeve, dr. Leka propozon që të shkojmë për darkë në restorantin Oak Schalet , që është jo më larg se 7 minuta prej shtëpisë së tyre.
Është një restorant me klientelë të zgjedhur, ku gjithçka të mbetej në mendje, që nga tavolinat me dru lisi, kthinat, dhe gjellët karakteristike të kuzhinës gjermane, e deri tek gjysëm ndriçimi, që krijon një mjedis romantik. Biseda nis që aty dhe dr. Agimi, kujton rininë, luftën, shkollimin të shtrirë në shumë shtete, ardhjen në Amerikë, studimet universitare, praktikën mjeksore, specializimin, njohjen me bashkëshorten Elizabeth, punën studimore, shërbimin ndaj komunitetit shqiptar, pa harruar veprimtarinë e tij në mjekimin e plagëve të Kombit, artikujt në The New York Times… dhe këtë shërbim e ka nisë që në rininë e tij…Shqetësimi për plagët e Kombit ka qenë pjesë e vetëdijes së tij kombëtare.
Vonë kthehemi sërish në shtëpinë e dr. Lekës dhe vazhdojmë aty bisedën e nisur në restorant Oak Schalet. Zonja Elizbeth duket pak e lodhur, por fisnikëria nuk e lejon që të largohet. Ulet në një nga kolltukët dhe e ndjek bisedën tonë.
Dr. Agim Leka ka se çfarë tregon nga jeta e tij 90 vjeçare, e cila që në rini është e mbushur përplot ngjarje, ku ai ka qenë protagonist. Më tregon se ka qenë me fat për trashëgiminë familjare dhe për shkollimin, që e ka kryer në shkollat më të mira të kohës.
Edukata familjare la gjurmë tek dr. Agim Leka dhe i përcaktoi orientimin kombëtar.Shërbimin ndaj Kombit, ai e ka konsideruar detyrë, si testament i trashëguar nga gjyshi; Ibrahim Leka Borshi, i cili pat kryer detyrën e Qark/komandantit të Beratit dhe Lushnjës, dhe gjyshi tjetër Nebi Sefa. Ende sot rrëfehen shërbimet e gjyshit të tij atdhetar, i cili shpëtoi Ismail bej Qemalin nga arrestimi, duke e udhëhequr drejt Vloës përmes Myzeqesë. Po ashtu ai krenohet me gjyshin nga nëna, Nebi Sefa, i cili ishte delegat i Lusnjës në Kuvendin e Shpalljes së pavarësisë në Vlorë dhe nënshkrues i aktit historik, si dhe kontribues kryesor në Kongresin kombëtar të Lushnjës. Po nuk kishte se si të mos ndikonte tek ai dhe babai, një intelektual i spikatur i kohës së tij. Juristi Rakip Leka dha një kontribut të vlefshëm profesional në shtetin e pavarur shqiptar, duke shërbyer në poste të larta në Ministrinë e Drejtësisë.
Dr. Leka, thotë se i është mirënjohës babait të tij, që i shpjegoi me detaje vuajtjet e popullit kosovar nën Serbi, vuajtje që ngjanin si dy pika ujë me vuajtjet e shqiptarëve të Jugut nga represioni dhe masakrat greke. Babai i dr. Agimit, Rakip Leka, e kishte përjetuar në moshën 16 vjeçare djegien e fshatit të tij, Borsh nga andartët grekë. Rrefimet e të atit i dhanë kahje nacionaliste vetëdijes së tij.
Dr. Agim Leka më tregon se ishte me fat që njohu apostullin e shqiptarizmës, Mit’hat Bej Frashërin, me të cilin i pat nisë takimet në librarinë e tij në Tiranë dhe mbeti një nxënës i zellshëm i ideve të tij. Në edukimin e tij nacionalist lanë gjurmë edhe Prof. Vasil Andoni, Prof. Abaz Ermenji dhe nacionalistë të tjerë.

NË RRUGËT E LUFTËS DHE TË JETËS

Dr. Leka nuk e ka të vështirë ta kthejë pas shiritin e kujtesës. Ai kujton se pushtimi fashist i Shqipërisë e gjeti në radhët e demonstruesëve në Korçë, ku kryente studimet në Lice. Organizimi i Batalionit të Liceut të Korçës, në mars 1939, e gjeti në radhët e tij, si luftëtar, nën komandën e Prof. Abaz Ermenji. Ishte më i riu i batalionit, vetëm 15 vjeç. Në pranverën e vitit 1943 ai është në radhët e luftëtarëve të ballit nën komandën e Abaz Ermenjit në Skrapar. Atje pati rastin të takohej me udhëheqësin e misionit anglez në Shqipëri, kolonel McLean. Po atë pranverë Agim Leka është pjesmarrës-vëzhgues, në Kongresin e Ballit në Berat. Dy nga fotografitë e kësaj pjesmarrje, janë botuar nga publicisti Ylli Polovina në Gazetën Illyria në New York.
I riu Agim leka, pati fatin që të ishte në Konferencën e Mukjes, ku komunistët e prishën marrveshjen e nënshkruar nga diktati i Jugosllavëve sepse në të njihej e drejta e vetëvendosjes për Kosovën, trevat e tjera etnike në Maqedoni e Mal të Zi si dhe Çamërinë shqiptare, sipas Kartës së Atlantikut.
Dr. Leka, kujton se me 28 nëntor 1943 me një grup djelmoshash të Ballit Kombëtar, realizuan një takim me heroin e 7 prillit, Abaz Kupin. Aty, thotë dr. Leka,- mbajta një fjalë të zjarrtë ku kërkova bashkimin e ballistëve me Legalistët. Fati e deshi, thotë dr. Leka, që me 9 janar 1976, heroi i 7 prillit, Abaz Kupi, ndërroi jetë nën përkujdesjet e tij mjeksore, pas një operacioni të rëndë në spitalin Mercy Medical Center në Rockeville Center, NY.
-Fati ka qenë me mua,- thotë dr. Leka. “U largova nga Shqipëria pa mbaruar lufta. Me 2 maj 1944, së bashku me 100 studentë shqiptarë, duke qenë se lufta i kishte ndërprerë shkollat në Shqipëri, udhëtuam drejt Vienës për të vazhduar studimet.”
Pas një viti ai përfundoi me sukses studimet në Gjimnazin e Salzburgut. Diploma e Salzburgut i dha mundësi që të regjstrohej në Universitetin”La Sapienza” të Romës. Nga ajo kohë ruan një kujtim; ishte ndalur në Milano para se të shkonte në Romë. Në Milano ai ishte pjesmarrës i rastësishëm në një manifestim popullor në Piazzale Loreto, ishin varur nga partizanët italianë, trupat e udhëheqësit fashist Benito Musolini dhe së dashurës së tij Clara Petacci.
– Më bëri përshtypje, thotë dr. Leka se si ai popull që kishte thirrur për vite me radhë”Rroftë Duçja” ,tash qëllonte kufomat me zemrim! Turmat entuziazmohen, manipulohen, zemrohen…

SHKOLLIMI- NGA KORÇA E TIRANA, NË FIRENCE, SALZBURG, ROMË, NEW YORK…

Shkollimi i dr. Agim Leka u bë në shkollat më të njohura të vendit dhe jashtë tij. Për shkak të luftës atij iu desh që të arsimohej në disa shkolla. Filloi në Liceun Francez të Korçës, më i miri në vend. Për katër vite studioi aty dr. Leka. Më pas u zhvendos në Liceun “Francesco Krispi” në Tiranë, për t’u zhvendosur më pas në Liceun”Cicognini” në Firenze të Italisë. Maturën do ta kurorëzonte në Salzburg të Austrisë.
Studimet universitare dr. Leka i kreu në Fakultetin e Mjeksisë në Universitetin e njohur “La sapienza” të Romës, ku u diplomua si mjek kirurg më 1953. Pas diplomimit ai vjen në SHBA për të kryer intership në Jersey City në New Jersey. Beteja për studimet mjekësore nuk kishte mbaruar ende. Ai vazhdoi specializimin në Universitetin e Nju Jork-ut dhe në “Graduate School” të Universitetit të Pensilvanisë, ku u specializua për sëmundjet e brendshme, me përqëndrim të posaçëm në Kardiologji. Ky specializim i mori dr. Agim Lekës, jo pak, por pesë vjet, nga viti 1953 deri në vitin 1958.

NGA KENTUCKY NË NEW YORK

Pas specializimit dr. Agim Leka, në qershor të vitit 1958, u emërua specialist internist në spitalin e veteranëve në Louisville, Kentucky, spital i Qeverisë amerikane. Po ashtu ai ishte në të njëtën kohë dhe pedagog në Universitetin e Lousville, Shkollë e Mjekësisë. Përvoja dyvjeçare që fitoi në Kentucky ishte me vlerë. Pas dy vjetësh ai u kthye në Nju Jork. Dr. Leka nuk e harron datën 1 korrik 1960. Ajo ishte një ditë e veçantë sepse pikërisht me 1 korrik hapi zyrën e tij mjekësore në Baldwin në Long Island, New York. Dalëngadalë qyteza e vogël u bë pjesë e jetës së tij, ndërsa ai një mjek i papërtuar, që ishte përherë pranë pacientëve të tij.
Kalendari kronologjik i shërbimeve të tij mjekësore është i pasur me data e kontribute. Në vitin 1978 dr. Leka emërohet Instruktor i Mjekësisë së Brendshme në Stony Brook University në Long Island. Ky është një ndër universitetet e njohura në fushën hulmtimit publik, edhe pse është relativisht i ri, renditet ndër më të njohurit në Amerikën e Veriut.Kontributi i dr. Agim Lekës edhe në këtë institucion ishte me vlera.
Në vitin 1994. Dr. Agim Leka u emërua asistent –profesor i sëmundjeve parandaluese në New York Medical College në Valhalla, NY. Këtë pozitë ai do ta mbante deri në 31 Dhjetor 2002, kur për arsye të moshës e mbylli veprimtarinë akademike, për ta vazhduar ende atë profesionale.
Shërbimet e dr. Agim Lekës janë me vlerë. Ai ishte anëtar i Komitetit Edukativ i “Mercy Medical Centre” në Rockville Centre, NY. Në atë kohë dr. Leka kreu një shërbim me vlerë për komunitetin.Arriti që të ndërlidhte Universitetin e Harvardit në Boston me Mercy Medical Centre në Long Island. Kjo u bë për të parën herë dhe tërhoqi vëmendjen e medias.
-Kjo, thotë dr. Leka, ishte e para dhe e vetmja lidhje që Universiteti i famshëm i Harvardit, realizonte me një Institut jashtë Bostonit. Ardhja e profesorëve të Harvardit në Long Island bëri përshtypje të madhe dhe solli një përvojë të çmuar. Zbulimet e fundit të shkencëtarëve të arritura në Universitetin e famshëm të Harvardit u publikuan nga profesorët në konferencat e Harvardit në Long Island.
Kjo ngjarje nuk i shpëtoi as gazetës The New York Times, e cila në numrin e saj të 26 prillit 1975, shkroi:”Bashkëshoqërimi i Harvardit me Mercy Hospital, një nga katër spitalete Dioqezës të Rockville Centre, që përmbledh tërë rajonin e Long Island-it, u krye prej dr. Agim Lekës nga Baldwin, anëtar i Komitetit Edukativ.
Dr. Agim Leka, tha se pasi ka frekuentuar kurse në shkollën mjekësore të Harvardit, ai pa nevojën për ta prurë atë program”afër vendit ku jeton dhe të lidhur me vendin e punës…”.

NË SHËRBIM TË KOMUNITETIT SHQIPTAR

Dr. Agim Leka është i njohur për shumë familje shqiptare në shtetin e New York-ut. I janë mirënjohës doktorit, veçanërisht shqiptarët e porsaardhur në Amerikë, të cilët për shkak të gjuhës, i trokisnin shpesh në derë doktorit.
Dr. Leka, më tregon se, veprimtaria e tij humanitare mjeksore për një gjysëm shekulli të ushtrimit të profesionit, u shërbeu pacientëve të shtresave të ndryshme shoqërore, që nga diplomatët, ministra të qeverive shqiptare postkomuniste të ardhur këtu për mjekime e ekzaminime, nacinonalistë të ikur nga Shqipëria pas luftës së Dytë Botërore, Heroi Kombëtar antifashist Abaz Kupi, shqiptarëve nga Kosova dhe viseve të tjera etnike, që vuajtën nën genocidin e sllavëve, si dhe ish të përndjekurit e burgjeve të diktaturës komunsite, që erdhën pas vitit 1990 në Amerikë.Janë të shumtë emigrantët që kanë marrë shërbimin dhe këshillat e tij mjekësore.
Dr. Leka, me zërin e tij të butë,me zemrën plot dashuri e atdhetarizëm, thotë se si mjek, si shqiptar, u ka shtrirë dorën dhe u ka shërbyer me zemër, të gjithë shqiptarëve që i kanë trokitë në derë.
Shërbimi i tij në ndihmë të komunitetit shqiptar nisi që në vitin 1960, kur hapi zyrën në Baldwin.
Dr. Leka i ka shërbyer falas komunitetit shqiptar me vizita, vaksina e shërbime të tjera. Ja se çfarë i ka deklaruar ai Revistës”Jeta Katolike” të majit 1972, kur përshkruan përvojën e tij me fëmijët shqiptarë gjatë vaksinimit, të mbledhur në Kishën “Zoja e Këshillit të Mirë:” Rrallëherë e kam ndjerë veten time aq të kënaqur me ushtrimin e profesionit se sa kur, pa ansjë interes lëndor, i jap ndihmën time mjeksore, bashkësisë shqiptare, popullit tim, që ka nevojë, dhe që është pjesë e pandarë e racës sonë…”.
Por në tërësi, Komuniteti Shqiptar, e ka prekur shumë herë kontributin e dr. Lekës. Ai ka kryer shërbime të vlefshme për komunitetin. Dr. Leka për të ndihmuar bashkësinë shqiptare të New York-ut me rrethe, siguroi ndërlidhjen me Qendrën Mjeksore ”Our Lady of Mercy Medical Centre” në Bronx dhe shkollën mjeksore “ New York Medical College” në Valhalla, në Westchester County; krijoi “Qendrën Mjeksore Shqiptare” me 3 Qershor 1994. Kjo Qendër u përurua nga klerikët e të tri feve, nga diplomatët shqiptarë në Kombet e Bashkuara dhe nga përfaqësues të politikës amerikane. Me këtë rast, kongresmeni demokrat Eliot Engel, i dha dr. Lekës një çmim të veçantë. Pllaka me këtë çmim u lexua nga Kongresmeni Engel edhe në Kongresin Amerikan me 26 Maj 1994. Në çmim evidentohet roli kryesor që dha Dr. Leka në krijimin e “Qendrës Shqiptare të Shëndetit”. Edhe kjo ngjarje nuk kaloi pa u pasqyru në shtypin e kohës. Gazeta “The Bronx Times Reporter” e 9 qershorit 1994, Studio TV Victoria dhe gazeta ILLYRIA i kushtuan shkrime dhe kronika televizive kësaj ngjarje.
Dr. Agim Leka, vazhdoi për 12 vjet të punonte me përkushtim në shërbim të bashkësisë shqiptare në Bronx, duke kryer vizita dy herë në javë në klinikën e hapur në Bronx, përveç asaj në Baldwin. Për arsye të moshës, me 31 dhjetor 2006, ai e kishte të vështirë të udhëtonte nga Long Island në Bronx.
Një vit më vonë, me 30 qershor 2007, po për arsye të moshës, dr. Leka do të mbyllte veprimtarinë aktive edhe në zyrën ku shërbeu për gati 50 vite, në Baldwin. Ishte 83 vjeç, një jetë të tërë në roje të shëndetit të qytetarëve.
***
Dr. Leka i ka shërbyer komunitetit shqiptar edhe në fusha të tjera, përveç mjekësisë. Në shtator të vitit 1967 dr. Leka me bashkëshorten Elizabeth, profesoreshë e gjuhëve të huaja, dhe një grup edukatorësh shqiptarë të devotshëm në përkushtim Kombëtar, hapën shkollën shqipe të Qendrës Shqiptare në Woodhaven, Jamica, New York. Dr. Leka drejtonte funksionimin administrativ të shkollës, ndërsa zonja e tij, Elizabeth, drejtonte anën akademike. Çifti Leka pati fat se në këtë nismë iu bashkuan edhe Prof. Sami dhe Diana Repishti, që të dy profesorë të njohur dhe të regjistruar në Shtetin e Nju Jork-ut. Elizabeth Leka, çifti Repishti, Dr. Ramazan Turdiu, Nesti Andrea, morën përsipër mësimin e gjuhës shqipe dhe historisë shqiptare, dr. Leka mori përsipër mësimin e shqipes në klasën e më të rriturve. Në këtë nismë kontribuan edhe: Albert dhe Joan Fundo, zonja Mini Domni dhe të tjera zonja kontribuan për mësimin e valleve dhe këngëve shqiptare. Qyteti i Nju Jork-ut vuri në dispozicion të bashkësisë shqiptare shkollën publike nr. 60 në Woodhaven, Jmaica, NY. Shkolla shqipe ishte e ndarë në pesë klasa nga 5 vjeç deri në 16 vjeç. Shkollën e frekuentuan 80 nxënës.

NË NDIHMË TË SHQIPËRISË DEMOKRATIKE

Rrëzimi i Murit të Berlinit dhe ngjarjet që pasuan, ngjallën shpresa edhe tek dr. Agim Leka. Nisja e ndryshimeve në Shqipëri e gjeti atë të gatshëm për kontribute konkrete.
Ai u ndje mirë, kur djali i tij, Donald Leka, ndërmjetësoi për lidhje ndërmjet Shqipërisë dhe shtetit të Oklahomes. Donald Leka në pozicionin e kryetarit të Shoqatës Amerikane Sirius Systems Inc, inicioi bijësimin ndërmejt Universitetit të Oklahomes dhe Universitetit të Tiranës, i pari në historinë e dy kombeve. Dr. Leka së bashku me Donaldin vizituan Universitetin e Oklahomes së bashku me një delegacion nga Universiteti i Tiranës realizon lidhjen. Marrëveshja u nënshkrua nga Rolanda Dhimitri, zv/ rektorja e universitetit të Tiranës dhe pala tjetër.
Më 1992, dr. Leka së bashku me Joan Fultz Kontos, e bija e profesorit të shquar amerikan Harry Fultz, ish drejtor i Shkollës Teknike të Tiranës e hapur që më 1922, Donald Leka dhe një grup dashamirësisht të Shqipërisë, ndërmjet tyre dhe ambasadori William Kontos, bashkëshorti i Joana Fultz, krijuan Fondacionin Edukativ Shqiptaro-Amerikan Harry Fultz”. Fondacioni u ndihmua financiarisht nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe nga Fondacioni SOROS. Qëllimi i fondacionit ishte rihapja e Shkollës teknike Harry Fultz në Tiranë. Mijëra studentë e kanë frekuentuar këtë shkollë. Dr. Leka ishte nënkryetar i Fondacionit deri në 31 Mars 2006. Donald Leka, një nga themeluesit e fondacionit, u emërua drejtor ekzekutiv, pozitë që e mbajti për shtatë vjet, kohë kur u trasferua me zonjën e tij Claire Leka në New York.
Gjithësesi, dr. Leka ndjehet mirë, që i biri i tij, Donaldi nuk është ndarë nga Shqipëria as sot e kësaj dite. Para pak ditësh ai ishte sërish në Shqipëri, ku media shqiptare e kishte në qendër të vëmendjes.

GJITHË JETËN DUKE MJEKUAR PLAGËT E KOMBIT

Që në rini Agim Leka ishte i kthjellët në qëndrimin nacionalist. Reagimet e tij janë pjesë e vetëdijes kombëtare. Ishte vetëm 18 vjeç kur me 5 Maj 1942 përktheu dhe botoi librin”Skandali Cordignano dhe Mbrojtja e Kombit Shqiptar” në gjuhën italiane me titullin” Risposta a Cordignano su suoi giudizi nei riguardi degli Albanesi”. Ishte një aventurë e gjatë botimi i këtij libri, që dr. Leka ma tregon me detaje. Nuk ishte e lehtë, duheshin kaluar shumë pengesa sepse në Shqipëri ishin italianët, por ai arriti që ta botonte librin në 2 mijë kopje përmes Shtypshkronjës ”Kastrioti”. Libri u shoqërua me një parathënie të shkruar nga i riu Agim Leka”Prefazione e traduzione di Agim Leka(Borshi)”. Ai spjegonte aty nevojën për botimin e librit në gjuhën italiane gjatë pushtimit fashist. Punimi në origjinal ishte shkruar me pseudonimin Nike Barcolla. Autori i vërtetë ishte kleriku atdhetar Don Nikollë Mazrreku, që aso kohe ishte ndihmës famullitar në famullinë Katolike të Tiranës. Libri mbronte Kombin shqiptar, kundër një artikulli denigrues përkundrejt Kombit shqiptar shkruar nga prifti katolik italian Fulvio Cordignano, i cili pat botuar një punim antishqiptar në “Rivista d’Albania” me titull” L’Albania nella storia e nella vita ossia visione panoramica di un piccolo mondo primitive”. Botimi i priftit fashist shkaktoi indinjatë, ndërkohë që studentët shkodranë i dorëzuan rektorit të Jezuitëve në Shkodër peticionin, ku kërkonin që At Fulvio Cordignano, të tërhiqte publikisht artikullin, ndërsa grupi i profesorëve të Liceut të Shkodrës, botuan një broshurë me titull” Cordignano në gjyq para botës”! Punimi i Don Nikollë Mazrrekut “Skandali Kordignano dhe mbrojtja e Kombit shqiptar” ishte një përgjigje e merituar. Pas botimit Don Mazrreku u internua në fshatrat e malësisë për mënjanuar ndikimin e tij në kryeqytet, ndërsa libri i shkruar në shqip, u sekuestrua me urdhër të Mëkëmbsit të Mbretit Viktor Emanueli…
Dr. Leka ka qenë përherë i vëmendshëm ndaj zhvillimeve që kishin të bënin me Shqipërinë. Ja një shembull: Gazeta amerikane The New York Times e 7 shtatorit 1957 botoi shkrimin e dr. Agim Leka(me pseudonimin “Illyricus”) me titull”Për Lirinë e Shqipërisë, kërkohet një politikë pozitive amerikane për të nxitur çlirimin nga Sovjetikët”. Në artikull dr. Leka shkruante:”Deklarata e Ministrit të Jashtëm të Amerikës z. Dulles se”Qeveria amerikane nuk do të pushojë përpjekjet e saja të shohi Shqipërinë të lirë është e mirëpritur pa dyshim nga shumica e madhe e Kombit shqiptar, e cila e sheh demokracinë amerikane , drejtimin shpirtëror të botës. Atë që shqiptarët duan ta shohin si shtojcë e kësaj deklarate, është një garanci nga z. Dulles që SHBA nuk do të lejojnë një tjetër shqyerje të Kombit shqiptar, i cili është gjysëm i coptuar.”
Më 1961, dr. Leka protestoi në redaksinë e Enciklopedisë Britanike për jetshkrimin e gabuar për heroin Kombëtar Shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që paraqitej me origjinë serbe. Dr. Leka ishte shqetësuar dhe i kërkoi ndihmë Metropolitan Fan S Noli, për të dokumentuar prejardhjen shqiptare të Gjergj Kastriotit. Përgjigja erdhi nag Peshkop Noli me 21 gusht 1961. Letra shoqërohej me dokumente të botuar në librin e Nolit”George Kastrioti Scanderbeg”. Dr. Leka i dërgoi dokumentet dhe u korrigjua gabimi. Në ribotimin e vitit 1967, Enciklopedia Britanike botoi, jo më shkrimin me burim serb, por shkrimin jeshkrues të Tajar Zavalanit për heroin Kombëtar të Shqiptarëve.
Në bisedë, i kujtoj dr. Lekës ,se në arkivin e Federatës Vatra kam gjetë një kronikë të veprimtarive të organizuara me rastin e 60 vjetorit të gazetës Dielli, ku morën pjesë edhe arbëreshët e italisë. Në kronikë shkruhej se në konferencën shkencore, përshkruhej dhe një ligjëratë juaja për një dokumentar televiziv në NBC. A mund të kujtoni detaje, çfarë përshkruante dokumentari dhe cili ishte reagimi?
Spjegimi i dr. Lekës:- Me 29 Dhjetor 1968, një vit para se të vinin arbëreshët në ceremonitë madhështore të 60 vjetorit të Diellit, ishte shfaqur në kanalin NBC dokumentari “Sicilia e Rosselinit”. Në dokumentar Rosselini thoshte:” Prania greke akoma ndjehet në Sicili. Ky fshat është “Piana Dei grecci”, fjalë për fjalë”Rrafshina e grekëve”. Ndikimi i Greqisë kristiane duket haptazi këtu:”Musolini urdhëroi që emri të ndryshohet në Piana degli albanesi”(rrafshina e shqiptarëve”, por kjo nuk e bëri punën. Prapë Piana është akoma greke në dukje dhe zakonet e vjetra mbahen të pa prekura.”
Cili ishte reagimi juaj, dr. Leka?
“ I dërgova një letër të hapur regjizorit italian Roberto Rosellini me anë të Kanalit Televiziv NBC duke i dokumentuar shqiptarsinë e Arbëreshëve dhe i kërkova kanalit televiziv që ky dokumentar nuk duhej shfaqur më për pasaktësi. Po ashtu, ua dërgova arbëreshëve letërkëmbimin me kanalin televiziv NBC , duke iu kërkuar që të mbronin origjinën e tyre. Reagimi ishte i menjëhershëm, Kanali televiziv ktheu përgjigje se dokumentari nuk do të shfaqej më. Dhe kështu ndodhi.”
Dr. Leka përherë ka qenë i ndjeshëm ndaj Kombit të vet. Ngjarjet në Kosovë në fundvitet ’60 ai i përjetoi me dhimbje. Me 18 janar 1969, Gazeta The New York Times, botoi një letër të gjatë të dr. Lekës me titull”Shqiptarët e Jugosllavisë.” Kjo letër ishte e frymëzuar nga një shkrim që vetë gazeta kishte botuar rreth vrasjes të një djali shqiptar në demonstratën e 28 nëntorit 1968 në Prishtinë.
Shkëpusim një fragment nga letra:” Qeveria Jugosllave mund të fitojë dashamirësinë e Botës së qytetëruar dhe të vetë kosovarëve, po qe se i trajton demonstruesit në mënyrë njerëzore.Gjithashtu, qeveria jugosllave mund të mësojë nga eksperienca amerikane, se demonstratat e zhvilluara në mënyrë paqsore mund tu vënë në dukje autoriteteve dhe botës mbarë padrejtësira, të cilat po të ndreqen me kohë, do të mund të ndihmojnë në fuqizimin e shtetit… Tito duhet t’i japë Kosovës pozitën politike që sot kërkon…”
Vëmendjen e dr. Lekës e kanë tërhequr edhe lëvizjet e shtetit grek në Jug të Shqipërisë. Nisja e shkrirjes së akujve në marrdhëniet mes Shqipërsië dhe Greqisë pas 31 vjet ngrirje, sollën reagimin e dr.Lekës. Në një letër me titull” Lidhjet e Shqipërisë me Greqinë”, që The New York Times e botoi me 17 Korrik 1971 në faqen editoriale, dr Agim Leka, pasi denonconte politikën absurde dhe kërkesat po absurde të Greqisë mbi Shqipërinë e Jugut, coptimin e saj, dhe pushtimin e Çamërisë, shkruante:”Konferenca e Paqes së Parisit 1919-20, përfundoi me coptimin e Kombit Shqiptar ndërmjet fqinjëve të saj duke lejuar pjesë të mëdha të trevave shqiptare të përvetohen nga shteti Jugosllav dhe shteti Grek”.
Rrallë gjejmë ndonjë intelektaul që të ketë reaguar kaq kthjelltsisht si dr. Leka. Me 12 shkurt ai i bëri një thirrje shkrimtarit disident jugosllav Milovan Djilas, i cili kishte qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Titos, të cilit i kërkoi që të ngrinte zërin për lirimin e kolegut shkrimtar Adem Demaçi.
Detyra e atdhetarit nuk mbaroi këtu; dr. Leka u lidh me Komitetin për të Drejtat e Njeriut në NY, për të ndihmuar bashkësinë shqiptare në NY për të grumbulluar e dërguar pako ndihmash për të burgosurit shqiptarë në burgjet jugosllave. Ky Komitet u lidh me Ambasadën amerikane në Beograd që të ndërmjetësonte për dorëzimin e pakove tek të burgosurit shqiptarë.
Disa herë dr. Leka ka reaguar ndaj veprimeve antishqiptare të lobit greko-amerikan. Me 28 Janar ai shkroi kongresistit greko-amerikan Gus Yatron në lidhje me seancat e Kongresit Amerikan që ai drejtonte, dhe i bënte thirrje që ta ndalonte promovimin e kërkesave shoviniste greke në Shqipëri. Në seanca nuk ishte thirrë asnjë shqiptar që të mbronte tezën përkundër asaj greke se në Shqipëri keqpërdorej minoriteti grek.
Janë të njohura sulmet antishqiptare të shkrimtarit dhe ish gazetarit greko-amerikan Nicholas Gage kundër Shqipërisë së Jugut. Në një shkrim Gage botoi në Washington Post më 11 prill 1983 me titull”Kosova, fuçi baruti”, ku krahasohej Kosova me minoritetin grek në Shqipëri dhe kërkohej nga faktori ndërkombëtar trajtim i njëllojtë. Dr. Agim Leka replikoi në maj 1983 dhe me fakte ia hodhi poshtë Gage krahasimin e pa vend.Janë të njohura edhe reagimet e tij në mbrojtje të Ramush Haradinaj dhe çështjes së drejtësisë të luftës për çlirimin e Kosovës.
Shqetësimet për çështjen kombëtare dr. Leka i ka pasqyruar edhe në shtypin shqiptar, këtu dhe në Kosovë.
.. Ja kështu, dr. Leka, krahas detyrës humane si mjek, ka mjekuar dhe plagët e Kombit…

VLERËSIME

Dr. Agim Leka ndjehet i vlerësuar për çfarë ka bërë në jetë. Po vlerësimi i të tjerëve për të? Ai u ndje shumë i nderuar kur me 19 Mars 2011, Shoqata Mjekësore Shqiptaro-Amerikane organizoi një Mbrëmje madhështore kushtuar përkushtimit të tij gjysëm shekulli në shërbim të shëndetit të qytetarëve. Vlerat e këtij nderimi i shtoi edhe pjesmarrja dhe dorëzimi i çmimit që iu akordua prej shoqatës, nga Nobelisti Dr. Ferid Murat, kryetar nderi i shoqatës. Darka u shtrua në klubin prestigjioz të Universitetit të Harvardit.
Në këtë veprimtari vlerësuese kishin ardhë për ta nderuar dr. Lekën edhe Presidenti i Shoqatës Amerikane të Mjeksisë Dr. Peter Karmel dhe drejtori rajonal i Ministrisë Amerikane të Shëndetësisë dhe të Shërbimeve Njerëzore Dr. Jamie R Torres, të cilët edhe përshëndetën dhe e përgëzuan dr. Agim Lekën.
Dr. Agim Leka është nderuar edhe në Kongresin Amerikan me 26 Maj 1994, për hapjen e Qendrës Mjeksore Shqiptare.
Një vlerësim të veçantë i ka bërë dr. Lekës Mercy Medical Center në Rockville , duke e nderuar me motivacionin”Në mirënjohje të sinqertë dhe vlerësim për shërbim të dalluar, përkushtim dhe dhe angazhim në 40 vjetë.”
Në prill 2013, Shoqata Mjekësore e Shtetit të Nju Jorkut, i dha dr. Lekës një pllakë mirënjohje më mbishkrim”Në mirënjohje për 50 vjet përkushtimi, shërbimi ndaj publikut, në ushtrimin e profesionit të mjekut.”
Një vlerësim emocionues i bëri dr. Lekës në dhjetor të vitit 2006 ,Our Lady of Mercy Medical Center”, që shtroi një darkë madhështore dhe i dha mirënjohje me motivacion”në vlerësim, urimet më të mira për një jetë të gjatë dhe të lumtur me rastin e mbylljes karrierës profesionale-nga miqtë dhe kolegët”.(Ne foto: Gjate intervistes ne shtepine e dr. Agim Lekes)
New York, Maj 2014

Filed Under: Komunitet Tagged With: 50 vjet, Agim Leka, dalip greca, dr, ne Sherbim, te Amerikes, te shqiptareve

Dorëheqja e Papës është një akt i guximshëm

February 13, 2013 by dgreca

Dr Gëzim Alpion, ligjërues në Sociologji në Departamentin e Shkencave Politike dhe Studimeve Ndërkombëtare në Universitetin e Birmingamit në Angli, i cili specializohet në sociologjinë e fesë, u intervistua mbi rëndësinë e dorëheqjes së papritur të Benediktit XVI-të nga Pete Morgan i radios BBC WM më 12 shkurt 2013.
Dr Alpion, i cili ka trajtuar në botimet e tij shkencore marrëdhëniet e Nënë Terezës me Vatikanin, temë të cilës i rikthehet edhe në librin që po shkruan tani për këtë misionare, dhe për të cilin do të zhvillojë së shpejti një turne leksionesh në Indi dhe Australi, e vlerësoi vendimin e Papës për të dhënë dorëheqjen si një akt të guximshëm. Kjo tregon se, ndryshe nga para-ardhësi i tij, Gjon Pali II-të, i cili nuk ishte në gjendje të drejtonte Kishën gjatë viteve të fundit të papatit të tij për arsye shëndetësore dhe si rezultat i moshës së thyer, Bendedikti XVI-të e kupton se në kohën tonë dinamike Kishës i duhet jo një figurë kukull, por një udhëheqës aktiv.
I pyetur nëse emërimi i papës së ri do të rezultojë në një Kishë Katolike të ndryshuar, Alpion u shpreh se Vatikani është nga natyra konservator dhe për pasojë, asnje papë, pavarësisht nga autoriteti i tij, nuk mund ta ndryshojë rrënjësisht një institucion thellësisht tradicional. Nga ana tjetër, dorëheqja nuk duhet të shqetësojë Kishën Katolike dhe besimtarët katolikë pasi largimi i Benediktit XVI-të nuk do të rezultojë në përçarjen e Vatikanit, sic mund të kishte ndodhur në mesjetë. Papa i ri do të ketë mbështetjen e Benediktit XVI-të.
Në lidhje me procesin e zgjedhjes së papës së ri, Alpion argumentoi se, edhe pse Benedikti XVI-të nuk do të ketë të drejtën e votës, ai do të luaj një rol të rëndësishëm, edhe pse në mënyrë indirekte, në seleksionimin e kandidatëve dhe emërimin e pasardhësit të tij. Vlen të përmendet se Benedikti XVI-të ka emëruar një numër të konsiderueshëm të kardinalëve të cilët i janë mirënjohës për përkrahjen që u ka dhënë dhe ndajnë me të të njëjtin vizion konservator.
Alpion përfundoi se Benediktit XVI-të nuk i ka pëlqyer kurrë publiciteti, gjë që shpjegohet pjesërisht nga fakti që ai është pikësëpari një dijetar. Disponimin e tij shkencore shtron pyetjen se përse ai pranoi të merrte drejtimin e Kishës në vitin 2005.
Intervista e Dr Alpion mund të ndiqet deri më 18 Shkurt 2013 në – http://www.bbc.co.uk/programmes/p014chwg – (2.34.00 – 2.39.55).

Filed Under: Interviste Tagged With: akt i guximshem, doreheqja e papes, dr, Gezim Alpion

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT