Nga dr. Yllka FILIPI/
Ditën e diel më 22 Nëntor 2015 në Katedralen e Shën Gjergjit apo e njohur ndryshe si Kisha e Fan Nolit në Boston, SH.B.A u mbajt Meshë përkujtimore dhe Simpozium Shkencor me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së Fan Nolit lidhur me veprën dhe figurën e tij poliedrike. Në këtë aktivitet madhështor mori pjesë edhe Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë në emër të së cilës referuan zonja Raimonda Moisiu dhe Dr. Yllka Filipi, Kryetari i Vatrës Shqiptare z. Gjon Bucaj, Drejtoresha e Bibliotekës Fannoliane zonja Neka Doko, profesorë, pedagogë, dashamirës të artit dhe letërsisë si edhe adhurues të figurës së Fan Nolit dhe veprës që na ka lënë trashëgimi. Takimi u hap nga At Arthur Liolini i cili mbajti meshën e shenjtë të përnderimit të jetës dhe arritjeve të kryepeshkop Fan S. Nolit. Më pas vijoi intermexo muzikore me Lidiana Morcka, në Piano Sonata “Drita e hënës” nga Beethoven, Valentin Veizi, Kompozime dhe shoqërim në piano si edhe Bashkim Pacuku, Aria e Vertere nga opera “Werther” e Jules Massenet. “Run o Solder a Marathon”, Saint George Sunday School students, interpretuan mjeshtërisht poemën e Nolit “Rend or Maratonomak”. Përshëndeti të pranishmit dhe përkujtoi punën e palodhur të Fan Nolit, Konsulli i nderit të Shqipërisë në Masacusets, z.Van Christo. U referuan në vijim kumtesat shkencore lidhur me trashëgiminë dhe vlerat e veprimtarisë noliane. Dr. Gjon Bucaj, President i Vatrës u prezantua me kumtesën me titull: “Duke e dashur si gjënë më të shtrenjtë pasurinë noliane” Megjithatë Noli, përveç veprave origjinale në letërsi, – shpreh Bucaj, – histori e muzikë, ka lanë edhe disa nga kryeveprat botnore të përkthyeme në një shqipe që lexohet me andje si t’ishin origjinale e që, ndonjë herë, tingllojnë edhe ma mirë, si në rastin e refrenit “Kurrë më” te “Korbi”.(…) Nolit i dedikohet pranimi i Shqipnisë në “Lidhjen e Kombevet” në dhetor të vitit 1920. Përmbajta e fjalimit, gjuha e përsosun anglishte e Harvard-it, si dhe kryqi i Peshkopit mbi gjoks, ishin dishmi bindëse për delegatët e shteteve të mëdha se kombi i përfaqsuem nga folësi impresionues, nuk mund të ishte i përbamë prej fisesh primitive që nuk mund të formojshin shtet dhe se Shqipnia nuk ishte një “Turqi e vogël” në Ballkan, si propagandojshin delegatët e anmiqvet tanë.(…)Prandej jemi mirënjohës e të lumtun këtu sot dhe krenohemi me Bibliotekën Fan Noli dhe me Kishën e krijuar prej tij. Agron Alibali me punimin me titull: “Fan S Noli, lider i Qeverisë shqiptare të ligjshme në mërgim në 1918” solli disa hipoteza dhe fakte shokuese për publikun: Zyra eVatrë-s dhe apartamenti i Nolit në atë kohë ishin të vendosur në skajin jugor dhe Back Bay, dhe të dy këto vende u bënë objekt i një mbikqyrje shumë intensive . Diktofonët, apo pajisjet më të avancuara përgjuese të kohës, u vendosën në zyrat eVatrë-s dhe në dyqanin e frutave të Chris Kirkës, një nga udhëheqësit e Vatrë-s dhe bashkëpunëtori dhe miku më i mirë i Nolit. Noli dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë ishin në shenjestër nga agjentët [ F ] BI-së. Apartamenti i Nolit në 53 Clarendon Street dhe zyra e tij kontrolloheshin në mungesë të tij dhe pa urdhër. Por në krye të hetimeve u has në një problem të vështirë : përkthimin e produktit të mbikqyrjes nga shqipja në anglisht. Prandaj, autoritetet amerikane përdoret tri burime : aktivistin greko- shqiptar, Liolion , botues i një gazete greko- amerikane në Worcester ; Giorgio La Piana , një shqiptaro- italian ose arbëresh, i cili më vonë u bë profesor në Harvard Divinity School , dhe motrat Qiriazi . Këta persona ndihmuan [ F ] BI në orë të panumërta dëgjimi dhe mbikëqyrjeje të VATRë-s, liderit të saj Fan S. Noli dhe bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë shqiptaro- amerikanë. Produkti i këtij materiali të pasur arkivor është jashtëzakonisht i vlefshëm për të na ndihmuar sot gati pothuajse një shekull më vonë, të rishqyrtojnë dhe të hedhim dritë mbi historikun, punën e shquar të VATRë-s si qeveria de facto e Shqipërisë në mërgim në vitin 1918. Burimet arkivore tregojnë se VATRA në të vërtetë mori elementet themelore dhe funksionet bazë, dhe në shumë aspekte, ka vepruar, si qeveri shqiptare në mërgim në atë kohë. Mal Berisha prezantoi kumtesën me titull “Busti I Fan Nolit ne Ibrik Tepe” ku ndë të tjera u shpreh: (…) Kur unë deklarova se jam shqiptar, udhërrëfyesi ngadalë ktheu kokën drejt meje dhe tha: (…) E di që shqipja është një gjuhë e pasur dhe se përkthyesi i famshëm me emrin Fan Noli ka sjellë Shekspirin për lexuesin shqiptar dhe e ka bërë në një mënyrë të mrekullueshme.(…) Fan Noli është një hero për ne të gjithë dhe frymëzim për brezat e rinj shqiptarë që guxojnë ëndrrën e madhe sikur Ai. Franklin Zdruli/St. Mary’s Curch, Worcester/*Nga Kisha e Shën Marisë në Uster theksoi: Sot të vlerësojmë dhe përkujtojmë Fan Nolin dhe dedikimin e tij është një detyrë morale në radhë të parë për të gjithë Shqiptarët, pasi vepra e jetës së tij është shkëndija dhe zjarri që vloi zemrën e Shqiptarëve në rilindjen e identitetit të tyre kombëtar. Shpirti Shqiptar nje forcë të tillë nuk e kishte provuar që në kohën e Gjergj Kastriotit. Të dy këta udhëheqës janë nga të vetmit në historinë e kombit shqiptar që përmbajnë në vetvete të njëjtin karakter, vlerësim dhe përkushtim ndonëse kanë qenë të ndarë prej një periudhe kohore afër pesë shekullore. Nga i pari trashëguam komunitetin e parë më jetegjatë shqiptar, pa ndërprerjen e besimit në komunitetin arbëresh, kurse nga Fan Noli trashëguam ndër te tjera, institucionin e parë shqiptar, Kishën Orthodokse Shqiptare, mbi të cilën u ndërtua identiteti shqiptar. Raimonda Moisiu me punimin e saj “Fan Noli ndërmjet botës hyjnore dhe njerëzore”ndër të tjera theksoi se Noli i madh ka qenë “hebre” i fjalës së përkorë. (…) si një punonjës i arit apo i zembrekëve të orës… Aq poezi sa na ka lënë, janë që të gjitha, të derdhura në flori, ku nuk ke kurajon të heqësh a të redaktosh, qoftë edhe një rrokje. Pra, duhet të përkulemi me nderim përditë te “profesor” Noli për përzgjedhjen dhe koncizitetin e fjalëve. Falë kishës së themeluar prej tij, shqiptarët e Amerikës ishin dhe janë të bashkuar më shumë se në asnjë vend tjetër të botës. “Ditët e fundit” – ishte kjo një Letër nga Prof. Nasho Jorgaqi, Unë jam hiri, atje ku ishte zjarri. (George G. Byron) Fillimi i marsit e rëndoi akoma më shumë gjendjen e të sëmurit. Dhembjet iu bënë të padurueshme…(…) Në mes dorëshkrimeve të këtyre ditëve, do të gjendej në komodinën e tij dhe teksti i një lutjeje, shkruar me dorën e vetë. “Kur ju, o mbret i gjithë qiejve, thuhej aty, do të vini në tokë, me fuqi e lavdi, e tërë bota do të dridhet nga frika, lumenj zjarri do të rrjedhin përpara gjykatores së tmerrshme, librat atëherë do të hapen dhe mëkatet e fshehura do të zbulohen. Oh, shpëtomë nga zjarri i përjetshëm dhe i pashuar dhe vendosmë në të Djathtën tënde në Parajsë, o gjykatës i drejtë dhe i mëshirshëm!”Ç’ishte kjo lutje e Nolit në ditët e fundit të jetës? Dita e 13 marsit gdhiu …Katër qirinj të mëdhenj, të vendosur në formë kryqi, lëshoni dritë mbi të. Ai dukej sikur flinte, në gjumin e tij të përjetshëm. “Fytyra si në bronz, shkruante reporteri i “Diellit”, e zbehtë, pa shumë rrudha. Një jetë e tërë, një jetë e lashtë, ishte njeriu nga më njerëzorët e shqiptarëve të Amerikës, gjeniu dhe njeriu i thjeshtë”. Përqark kishte një det me lule, aq shumë sa që trupi i tij dukej sikur voziste nëpër to. Ndërsa ditën rridhte lumi i njerëzve, natën, sipas zakonit shqiptar, do ta ruanin gratë. Dëshira e Nolit kish qenë të varrosej thjesht, pa madhështi, me sa më pak shpenzime, ashtu siç e kish jetuar jetën. Po sipas amanetit të tij, pas varrimit u shtrua në mjediset e Katedrales së Shën Gjergjit një drekë modeste, vetëm me bukë, djathë dhe ullinj. Për ditë me radhë do të mbërrinin në adresë të Kishës, të Vatrës e të “Diellit” me qindra telegrame e letra ngushëllimi. Shprehej dhembje, po një dhembje krenare, dhembja e gjithë kombit shqiptar për këtë humbje të pazëvendësueshme. Cilësohej “humbje e thellë”, “pikëllim për të cilin fjalët s’mjaftojnë”, “hidhërim i patreguar”, kurse për atë vetë, “burrë i madh dhe prijës i madh”, “themelues i shkëlqyer i Kishës Ortodokse Shqiptare”, “shkëmb i binomit atdhe dhe fe”, “thesar diturie”, “fetar i devotshëm”, “shkrimtar i jashtëzakonshëm”. (…) I gjejmë ato te “Dielli” dhe “Liria”, në gazetat e diasporës e akoma më shumë në shtypin e Tiranës. Vdekja e tij tërhoqi dhe vëmendjen e shtypit vendës. Gazeta qendrore “The New York Times”, do të botonte ato ditë artikullin “Bishop Fan S. Noli once led Albania” (“Peshkop Fan Noli dikur ka drejtuar Shqipërinë”), ku bashkë me biografinë e tij politike dhe shoqërore, vihej në dukje emri i nderuar prej studiuesi dhe udhëheqësi fetar. Në mënyrë të veçantë do t’i bënte jehonë ngjarjes së hidhur të bashkësisë shqiptaro-amerikane, shtypi i Bostonit, me një pjesë të të cilit Noli kish bashkëpunuar, si“Boston Herald”, “Boston Globe”, “The Boston Sunday Globe”, po dhe të qyteteve të tjerë, si “Worcester Daily Telegraph”, “The Evening Gazette”, “Post Journ,” etj. Ai u takonte atyre njerëzve, vlerat e të cilëve përmblidhen aq bukur në fjalët e Plinit të ri, që do të përmendeshin me këtë rast: “Më duket se vdekja është gjithmonë e parakohshme dhe e pakohë, kur u vjen njerëzve që janë të angazhuar në punë të pavdekshme.(…) ata që mendojnë për pasardhësit dhe përpiqen të fitojnë famë të pavdekshme me punë të mira, për ta vdekja është e parakohshme”. Dr. Yllka FILIPI u prezantua me kumtesën “Fan Noli, simbol i vetëflijimit për hir të interesave kombëtare”, ku midis të tjerash tha: Është fjala për një luftëtar të përgjakur të cilin e thërret nëpër mjegull, Liria. Identifikimi i Figurës së Nolit shkrihet në një me atë të personazhit që krijon në vetvete, duke simbolizuar gjithë sakrificën e figurës së tij në vite: Ty të thërrasin e ty të presin o luftëtar! Ky lejtmotiv dhe kjo thirrje e kanë ndjekur pas gjithë jetën Nolin, duke i hapur shtigjet drejt zgjidhjes së fateve të mëmëdheut. Atij fati që përsëritet çdo mot, që e ndërron lëkurën si gjarpër, i bardhë a i zi, sidoqoftë: Autori shpreson shumë tek shqiptarët : Mjaltin e zemrës suaj o vëllezër, mbajeni për veten tuaj, mos ua hidhni armiqve!Ja si klith Rilindasi i fundit në lutjen dëshpëruese drejtuar Perëndisë: “O Zoti madh, i drejtë dhe i dhembshur, shpëtoje popullin dhe vendin tonë të mjerë dhe nderoje përsëri me liri nën flamurin tonë, flamurin e Skënderbeut, flamurin e kuq me shkabën e zezë me dy krerë!” Luftëtari i brengosur për fatet e kombit-mallit të tij të vazhdueshëm, brenda kumteve, shenjave gjuhësore, u bë kështu symbol i një epoke, arsye, intuitë, dëshmi, kuptim, esencë për të ngritur ura në sheshimin e mosmarrëveshjeve universale të veprimtarisë së tij poliedrike. Gulçimi i frymëmarrjes së maratonës noliane ndërkontinentale do të ndjehet në ankthin e lexuesve të shumë brezave që do të vijnë, por me një ndryshim: Vrapi i tij do të rendë nëpër kohëra, si maratonë e përjetësisë ku strehohet liria globale. Dhe do të arrijë shpejtësinë e dritës: Rron, or rron, nuk vdes shqiptari!-përfundoi autorja. Prof. Sami Repishti nën titullin “Kryepeshkop Fan Noli, mendje e ndritur që na mungon sot”… më 1962, e dëgjova të fliste. Ishte kontakti im i parë me dikë të cilin e kisha idealizuar si një nga figurat më të shquara politiko-kulturore të Rilindjes shqiptare. Zëri i tij ishte i fuqishëm, shkathtësia e mendjes e pakrahasueshme, gjuha shumë e pasur, substanca e ligjëratës dritë për mendimin. Në heshtje të thellë salla shikonte folësin, mijëra sy të ngulitur drejt tij si drejt shenjtit dhe një respekt i thellë të cilin që nuk e kisha parë kurrë më parë. Ishte një atmosferë elektrizuese. (…) Mbeta pa fjalë! Në atë trup të brishtë një mendje aq brilante… më bënte mua të ndjehesha krenar për gjuhën e nënës.(…) Ai i përkiste shpirtit më sublim elitar dhe jo përkohësisë së dekoratave qeveritare me ngjyra të ndezura e shkëlqim verbues ari. Sot, siç kam bërë pesëdhjetë vjet më parë, unë nuk mund të pushoj së menduari çfarë arritje e jashtëzakonshme do të jetë për ne shqiptarët të krijojmë një Katedër studimi të letrave shqipe të quajtur ” Fan S.Noli”, në një universitet amerikan, mundësisht në Boston…Dhe kjo ishte një nga ëndrrat më të mëdha të Nolit. Neka Doko, Drejtoresha e Bibliotes Fan NOLI, paraqiti punime dixhitale nga arkiva noliane,arkiva kombëtare e Shteteve te Bashkuara te Amerikës. Biblioteka “Fan Noli”, – u shpreh ajo,- si një mikrocelulë shqiptaro-amerikane në bërthamë, lindi nga trashëgimia noliane në zemrën e komunitetit më të vjetër shqiptar të Amerikës. E njohur si qendër memoriale me arkivë të pasur ndërshqiptare, është një institucion ndërgjuhësor, ndërkulturor i pandërprerë që nga krijimet e saj nga Kancelari i katedrales së Shën Gjergjit, i përndershmi At Arthur Liolin në fund të viteve 60-të e deri më sot. E përfshirë në këtë sistem, biblioteka “Fan Noli” projektoi sistemin e saj të parë informativ në vitin 2005. Menjëherë pas katalogimit gradual të gjithë arsenalit të saj verbal, ndihmoi dhe investoi në formë individuale pë r realizime numerike të disa projekteve të përvjetorëve të plotë a te ngjarjeve në komunitetin shqiptaro-amerikan të katedrales së Shën Gjergjit dhe më gjerë në shtetin e Masacusets. Projekti i dytë numerik do të lindte në pranverë të vitit 2012 kur kërkoja në emër të bibliotekës Fan Noli, për të plotësuar dosjen numerike të Fan Nolit nga studimet universitare në Harvard. Punova rreth dy muaj në arkivat e universitetit të Harvard-it. U largova me fotokopjet e të gjitha dokumentave origjinale te tij. Gjatë verës 2012, krijuam dokumentarin integral të Fan Nolit në Universitetin e Harvard-iti cili u hodh në CD para kremtimit të 100-vjetorit të diplomimit të Nolit nga Universiteti I Harvard-it. Ekspozita numerike arkivore e hapur në sallën e baptizimeve të Katedrales së Shën Gjergjit në 5 prill 2015 pas liturgjisë përkujtimore të 50 vjetorit të vdekjes së Fan Nolit përbën hapin e parë të komunikimit ndërkulturor të komunitetit shqiptaro- amerikan të Boston-it me trashëgimine noliane. Ky simpozium është pjesë integruese e projekteve numerike të përkujtimit dhe kremtimit të ngjarjeve të 50 vjetorit të prehjes së Fan Nolit. Duke e mbyllur këtë vit nolian me një simpozium domethënës që lakoi të gjitha dimensionet e personalitetit dhe arritjeve të Fan S. Nolit që nga ardhja në Amerikë e deri në jetëndrimin e tij, biblioteka dhe arkiva e tij tanimë u pasuruan me një material numerik interesant e variativ për të realizuar në vazhdim një punim numerik të plotë të vitit 2015, i quajtur Viti Nolian. Së fundi një projekt dy vjeçar për të përfshirë të gjitha rekordet akademike të Fan Nolit në Universitetin e Boston-it. Prof. Thanas Gjika evidentoi se mendimet e Imzot Nolit janë për shqiptarët aktuale dhe orientuese edhe sot. Ndricim Bejko Skulptor, paraqiti portretin e Nolit “Relievi i Fan Nolit me vizion të kthjellët”. Profesor i Merituar, Nikolla Pano serviri “Trashëgimia dhe amaneti i Fan Nolit” (lexon Stephanie Callahan) J.Nenshati, E. Joseph e tre nxënës nga Shkolla Shqipe interpretuan poezi e përkthime nga Fan Noli. A. Jasperse përshëndeti në emër të shoqatës Maas Besa. Një falenderim special nga të pranishmit shkoi për zonjen e nderuar Neka Doko, për mbështetjen e fuqishme profesionale, historike e kombëtare që i jep At Arthur Liolinit dhe Bibliotekës fannoliane. Nën shembullin e Nolit të madh, sa e sa klerikë të nderuar, si At Arthur Liolini, i mbajnë të bashkuar shqiptarët! Në fund u shtrua një darkë solemne për të pranishmit.
Pëgatiti:
Dr. Yllka FILIPI
N.J, U.S.A