• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ermal Mamaqi si kamerdarja e fundit e Edi Ramës

January 2, 2019 by dgreca

Ilir-Levonja-300x298

Nga Ilir Levonja/Dielli

2 ermal

Më bëri përshtypje një spot publicitar i këtij Ermal Mamaqit që fatkeqësisht Shqipëria e mban për një showman. Një spot nga ato me porosi nga lart me ca britma karagjozësh se kur do të flas a kur do të flasim. Ku në ‘të e sipër ndërfutej edhe Edi Rama. Nuk është e vështirë të kuptohet se e gjitha është një aludim flagrant me refuzimin e studentëve për të negociuar për ato nëntë pika a nëntë kërkesa që ata kërkojnë tu plotësohen. Edi Rama çfarë nuk bëri, çfarë nuk sajoi, gjithfarësoj skenarësh me studentë freshistë, marksista të Bashës dhe Fahrisë, a pedagogë të gazhdares shto edhe makinerinë mediatike të tij për bisedime. Jemi deshmitarë të gjithë, të këtyre ngjarjeve të fundvitit, dhejtorit a pranverës së hershme shqiptare për ndryshime të mëdha, por nuk ia arriti.

Tani që studentët janë pranë familjeve të tyre, në këtë ndërthyrje vitesh, në këto ditë bulevardesh pa trafik të rënduar, për shkak të relaksit nga ushqimet e rënduara dhe me bollëk nitrati. Me shtypistat që promovojnë suksesin e tyre të dështuar të 2018-ës, si fasadat me modele xheli a çmimet e pafundme etj., del në skenë me vishtullëk fytyra e shtrembëruar e Ermalit dhe Edit të parruar me britmat se kur do të flasin dhe se na çmeni ky Mamaqi. Janë nga ato raste kur abuzimi me lirinë e kohës së shqiptarëve është një pushtim i dhunshëm, pasi gjatë gjithë një viti kalendarik shtëpitë e tyre janë plot me pështyma kuvendi, a personazhesh politike. Dhe tani në këtë vegjetim dy javor, me surretërit që shtrembërohen si e si të kanalizojnë gjithçka në jetën e tyre rozë me gjoja skupe sikur aty të jetë zhvendosur Hollywoody i viteve pesëdhjetë. Dhe me thënë të drejtën, ka një degradim kaq total sa na ka mbytur malli për estradat e kohës, pasi kishin personazhe në skenë, kishin burra e zonja të rënda, kishin karaktere, dekor, kurse sot ngërdheshje dhe xhel, zhargon e banalitet.

Por më e keqja është kur penetrojnë deri nën sqetullat e politikanëve, në strategjitë e tyre për të thyer deri protestat e studentëve. Dhe ky spot publiçitar që transmetohet gjithë këto ditë, me diçiturën se kur do të flasim, për të shtunën në orën 21 në Xing me Ermalin nuk është asgjë tjetër po një nga stërkëmbëshat që Edi Rama u përpoq t’ua vinte studentëve ndër këmbë në protestat e dhjetorit të kaluar. Vetëm në Shqipërinë postdiktaturë ka ndodhur që ca valixhedrunja nga Macukulla a ndonjë skaj tjetër, të bëhen milionerë a showman as, në më pak se dy vjet. Pastaj të flasin për vaskat a masazhet në Karaibe duke harruar opingat dhe rrugët plot baltë të rrethinës nga ata vijnë. Madje flasin a pozojnë me presidentin për kura ecjesh në male, sikur ta ketë shok lagjeje dhe se mund të ndërhyjnë kur të duan. Kjo është në vazhdën e atij degradimi me përdorimin e lirisë dhe të të kuptuarit të misionit tënd. Pa e ditur asnjëherë se arti në përgjithësi është një opozitarizëm i fortë. Jo një bashkëpunim me pushtetin… Edhe pse koha ka njohur plot raste që figura të njohura kanëbashkëpunuar deri me diktarorë, si rasti i Gabriele D’Annunzios…, por ai ishte një hero lufte, një politikan, aristokrat etj. Megjithatë një pakicë në totalitetin ajkës që për dreq frymëzuan deri koka si Mussolini etj. Dhe me që i përmenda emrin, i kërkoi ndjesë universit italian të kulturës duke e sjellur këtu, në këtë katrahurë karagjozësh të artit aktual shqiptar. Të atij soji që pasi e kanë lënë vendin pa një strukturë kombëtare artorë e kulture, që nuk kanë lexuar një libër janë sot ”ajka” e degradimit tonë. Unë e kam përsëritur me dhjetra herë që liria e shqiptarëve sot është e pushtuar nga këta ngërdhëshist e fytyrës, nga ERTV-ja, lali Eri dhe politika me studiot, telenovelat e Turqisë etj., duke zëruar pa mëshirë realitetin e vërtetë shqiptar. Sikur ato para që investohen për blerjen e telenovelave, ose e gjysma e tyre, kushedi se sa skenarë nga sirtarët e shqiptarëve do të bulëronin. Kushedi se sa emisione do bëheshin për katër qoshet e kombit. Histori shqiptare apo Marin Mema nuk do ishin të vetmit. Vijeni re se si ka gjashtë muaj që një kryeministër i përdor në mënyrë brutale idetë a inisiativat e grupeve si një e shtunë ndryshe, a unë jam një lule dielli, duke bërë shtëpi për të varfrit, pa u dhënë asnjëherë llogari shqiptarëve se me çfarë parash, si e qysh. Me çfarë mjetesh ligjore etj. Megjithatë jemi tek këta showmenët, që çfarë nuk bëjnë të fshehin të ardhurat e tyre, deri zbythje kuvendi, pa e vrarë mendjen asnjëherë se 80% e atyre që punojnë me ta janë pa siguracione dhe statut nënpunësi. Mjafton xhepat e tyre, mjafton të flasin studiove për fëmijët e tyre, për shoqërinë e qokave, përqindjet dhe honorarët, pa të tjerat kush po pyet. Sidoqoftë ata studentë e kanë parë, po e shohin dhe nuk asnjë diskutim që këtë intrigë çunash Tirone po e përtypin në vend të çamçakëzit. Ato pankarta dhjetori, kanë qënë trëndafilët a luleborët e pranverës së vërtetë shqiptare. Kanë qënë bizhuteritë më të bukura stinore dhe nuk ka asnjë diskutim që do lulëzojnë rishtas. Sado të përpiqen grafomanë të tillë, sado të kërkojnë ta mbajnë me dhëmbë shtrënguar shakaxhiun e tyre, theqafja ka nisur.

Filed Under: Politike Tagged With: e Edi Rames, Ermal Mamaqi, Ilir Levonja, si kamerdarja e fundit

Nje kujtesë për kukësianët: Kujdes nga intrigat e Edi Ramës!

April 5, 2018 by dgreca

2 enver-Bytyci-130124481_1937068956306353_718812413922639872_n

Shkruan:  Enver Bytyçi/Ne foto-Nga protestat e sotme. Kreu i Opozites Lulzim Basha ne Vore/

Sot ishte ditë “ballfaqimi” e qeverisë me realitetin e krijuar në Kukës. Në parlament dhe përmes një video-konference kryeministri Rama foli për taksën e Rrugës së Kombit. Tha se “nuk kemi bërë transparencë”, por “jo për neglizhencë”. Tha se do të rishikojmë taksën, por jo se do ta heqim. Tha se “u kërkoj ndjesë banorëve të Kukësit”, por “ne nisemi nga praktika ndërkombëtare”! Nuk po i rendis të gjitha thëniet dhe kundërthëniet e kryeministrit të vendit tim, sepse kjo analizë do të mbushej me një retorikë të tillë pambarim. Por dua të përmend se ai la të kuptojë që nuk do ta zgjidhë konfliktin. Tha se “do të gjejmë zgjidhjen më të mirë të mundshme-të mundshme”, duke ritheksuar fjalën “të mundshme”! Por pa artikuluar asnjë detaj për këtë! Një fjalim që fillon me një fjali pohuese e më pas shoqërohet me një fjali kundërshtuese, është fjalim i stilit të Ramiz Alisë. Kujdes nga ky lloj diskursi. Në këtë lloj diskursi fshihet mashtrimi, intriga, pabesia. Nuk po flas për pyetjet retorike të tipit “Kush do të donte të vinte taksë”?! “Pse unë dua të ve taksë”?! “Unë jam model i ri udhëheqësi, nuk jam nga ata që dua të duartrokitem”! Të gjitha këto kanë brenda fabulën e mashtrimit të detyrueshëm! Pse shkoi në këtë lloj diskursi Edi Rama? Ai është në dilemë: Ose duhet të heqë dorë nga taksa në Rrugën e Kombit, ose duhet ta mbajë atë. Duket qartë se është i vendosur t’i shkojë aventurës së tij deri në fund. Për këtë mund të ketë vetëm arësye personale. Unë bëj pjesë tek ata që asnjë arësye shtetërore nuk e justifikon një taksë të tillë për banorët më të varfër të Europës! Duhet “europianizuar” pjesa tjetër e Shqipërisë më të pasur sesa qarku I Kukësit e më pas të shkohet në Kalimash. Rama nuk është aq trim sa të shpallë një sfidë të hapur me kukësianët. Prandaj i duhet maska. Modelin e maskës e ka të gatshëm, prej paraardhësit të tij, Ramiz Alia. Shkurt, si çdo lider në krizë, edhe Edi Ramës i duhet të fitojë kohë. Dhe kohën dëshiron që ta shfrytëzojë jo thjesht për të ulur gjakrat, por për ta përçarë faktorin kukësianë. Ai do të përdorë të gjitha mjetet për ta realizuar përçarjen e tyre. Do përdorë e po përdorë akuzat e tipit “kukësianët janë të manipuluar”. E bën këtë, sepse e ka kapluar frika. Protesta e Kukësit ishte e para protestë pas atyre të vitëve 1990-1992 e pasponsorizuar. Nuk u sponsorizua as politikisht, as materialisht, as financiarisht! Prandaj dhe ishte e do të mbetet si risi në të gjitha protestat e zhvilluara në 25 vitet e fundit. Protesta e kukësianëve ishte e fuqishme, me mesazhe të qarta dhe frika e Edi Ramës është se kjo protestë bëhet virus, u jep zemër të gjitha qyteteve dhe krahinave të tjera të Shqipërisë, të cilat nuk kanë më pak probleme me qeverinë sesa ka qarku i Kukësit. Prandaj Edi Rama gjeti këtë mënyrë komunikimi. Adaptoi një stil skuthi, që vetëm se e thellon mosbesimin midis palëve. Marrëdhënia në shoqëri ose është marrëdhënie besimi, ose nuk ekziston. Deri më sot Edi Rama nuk ka dhënë në asnjë rast shembullin e tij të një marrëdhënieje korrekte, besimi e mirëbesimi me palët politike dhe me publikun. Prandaj i duhet retorika e mashtrimit dhe intrigës! I tillë ishte sot diskursi i bashkëbisedimit me kukësianët. Sa herë flet kryeministri ynë dëshmon se di të manipulojë me fjalën, por nuk di dhe nuk do që të qeverisë vendin në interes të qytetarëve. Ndryshe nuk kanë si shpjegohen kooptimet e kriminelëve në parlament e administratën shtetërore. Di të artikulojë dhe di që brenda artikulimit të fshehë intrigën e tij, por nuk di të jetë transparent dhe i sinqertë në ato që thotë. Di të betohet e përbetohet e me këtë aftësi di të mbulojë gjithashtu aferat e veta e të qeverisë! Di të përballet, të replikojë e batutojë, por nuk do që të jetë serioz në punët e shtetit e të qeverisjes, sepse të qenit serioz e nxjerr bllof! Di të “tërhiqet”, por edhe kur “tërhiqet” ka planifikuar një reng, pra tërheqjen e sheh si mjet për arritjen e qëllimit përfundimtar! Di të sulmojë, atëherë kur nuk mund të mbrohet! Di të shpifë, atëherë kur i duhet të tërheqë vëmendjen e opinionit nga aferat dhe implikimi i ministrave të tij në krimin e organizuar! Pra di të jetë mjeshtër i përkryer i vepravë që dëmtojnë interesin publik, pikërisht duke përdorur diskursin publik! Të gjitha këto cilësi ai i shfaqi në video-konferencën e sotme me kukësianët. Tha se është bërë padrejtësi me mostransparencën ndaj qytetarëve, por nuk tha se kush mban përgjegjësi politike e logjore për këtë. Nuk i përmendi protestuesit e dënuar me burg, sepse nuk tërhiqet nga vendimi i tij politik për ndëshkimin e tyre, ndërkohë nuk komunikoi asnjë masë për atë që ai e quan përgjegjësi të mostransparencës. Foli për “transparencë”, por nuk foli për bashkëvendimmarrje. Të gjitha këto fakte, të cilat janë thjesht një pjesë e atyre që u përmenden sot e që gjenden midis rrjeshtave të fjalës së kryeministrit, dëshmojnë se kukësianët nuk duhet të gënjehen nga mashtrimet e Edi Ramës. Kërkesat duhet të jenë thjesht dy: 1. Të hiqet krejtësisht taksa e Rrugës së Kombit e bashkë me të kabinat e mbledhjes së saj, sa kohë që ajo shihet si taksë diskriminuese. Arësyet që përmend Edi Rama për këtë taksë janë të njëjta për të gjitha rrugët në Shqipëri. Pse Rruga e Kombit duhet të ketë taksë dhe rrugët që të çojnë në Durrës, Elbasan, Fier, Vlorë etj nuk duhet ta kenë këtë taksë?! Të gjitha rrugët kanë nevojë për mirëmbajtje, të gjitha rrugët kanë nevojë për ristrukturim, të gjitha rrugët kanë një kosto ndërtimi e mirëmbajtjeje. Prandaj është mashtrues arësyetimi se rruga është “parrugë”, siç thotë Edi Rama! Pesë vite ishin të mjaftueshme që kryeministri “Rrugët t’i bënte me rrugë”! Eshtë mashtrues arësyetimi se Rruga e Kombit “ka kushtuar shumë”! Të gjitha rrugët kanë kushtuar shumë. Prapa këtij sllogani fshihet hakmarrja e kryeministrit me arësyetimin se “Për Rrugën e Kombit paskan paguar shqiptarët dhe përfitojnë kukësianët e kosovarët”?! Nuk ka asnjë arësye që taksimi të fillojë nga Rruga e Kombit, aty ku kalojnë qytetarët më të varfër të Shqipërisë. 2. Kërkesa e dytë e panegocueshme duhet të jetë lirimi pa kusht i të gjithë protestuesve në arrest me burg, në arrest shtëpie e me detyrim paraqitje. Madje kërkimi i ndjesës për sjelljen barbare dhe çuarjen para gjyqit të prokurorëve, policëve dhe gjyqtarëve që falsifikuan dhe zbatuan urdhërat politikë për dënimin e kukësianëve. Ky akt do të duhet të ishte kusht i panegocueshëm për bisedime me kryeministrin e vendit! Ata që sot bashkëbiseduan me kryeministrin mme dashje ose pa dashje u bënë palë kundër viktimave të protestës! 3. Dhe së fundmi: Kukësianët duhet të zgjedhin një përfaqësi të besueshme dhe të denjë që të bisedojë me kryeministrin. Ata që thërrasin “Kemi besim te ju zoti kryeministër”, janë në konflikt interesi me këtë përfaqësim! Besimi krijohet me vepra e më pas edhe e marrëveshje të besueshme. Asgjë nga këto nuk pamë në bashkëbisedimin e sotëm. Nuk mund të përfaqësojnë protestuesit, ata që janë ndëshkuar e familjarët e tyre, nëse del dhe thotë “Protesta është manipuluar”, “protesta është keqpërdorur”! Kjo ishte dhe do të mbetet protesta e paqes, e drejtësisë, e shpresës dhe e guximit qytetar! Tiranë, më 05.05.2018

Filed Under: Analiza Tagged With: e Edi Rames, Enver Bytyci, NJË KUJTESE, për kukësianët: Kujdes nga intrigat

Shqipëria, pronë private e Edi Ramës

August 14, 2016 by dgreca

1 stadiumi ok

Nga Gavrosh Levonja/

Ende dita nuk ka ague/

T’ndërtojmë na muzej n’Shqipni/

Me kuletë t’shpueme n’gji/

Se për tash muzeu do lane/

Kur ne jemi bark pa ngranë/

Këto vargje nga “Gomari i Babatasit” më vijnë nëpër mend sa herë që Edi Rama flet për të ashtuquajturën “Rilindje urbane” ose kur paralajmëron ndërtime apo shembje objektesh. Natyrisht, nuk kishte si të ndodhte ndryshe kur ai paralajmëroi ndërtimin e një teatri të ri në kryeqytet. Jo vetëm kaq, po shpalli se do të ndërtohet mbi “rrënojat e Institutit të Hidrologjisë” diku në njërën nga rrugët që të cojnë në parkun e liqenit, madje bëri të njiohur dhe emrin e tij “Turbina”. Që nga mënyra, me të cilën publikut i bëhet i njohur ndërtimi i një objekti të rëndësishëm në kryeqytet cdo njeri normal arrin në përfundimin se në Shqipëri shteti nuk funksionon. Ashtu si të gjitha punët e projektet “Rama” as mund të bëht fjalë qoftë dhe për një minimum transparence. Normalisht, publiku duhej të ishte njohur prej kohësh me zhvillimet përsa i përket idesë së shndërrimit të godinës së institutit në fjalë në një teatër “modern”, duke filluar nga diskutimet në aspektin urbanistik, për të vazhduar më tej me fizibilitetin, sa e rëndon buxhetin e shtetit, kur dihet se ky nuk është në gjendje të plotësojë nevojat minimale të një pjese të popullsisë e mbi të gjitha a ka nevojë Tirana për një teatër të ri në raport me aktivitetin artistik që zhvillohet aktualisht. Kështu, para kryeministrit duhej të kishim dëgjuar zërin e ndonjë përfaqsuesi të Këshillit të Rregullimit të Teritorit, kryebashkiakun e Tiranës, ministrin e Financave apo ndonjë zyrtar të këtij, ministren e Kulturës etj. Por, duke dëgjuar gjithcka nga goja e kryeministrit nuk ka si të mos krijohet përshtypja se ky sillet me pasuritë publike si t’i kishte pronë personale a thua se i ka të trashëguara nga familja e tij. I teket të ndërtojë ose të shkatërrojë një objekt, teatër, stadium, pallat, rrugë duke përcaktuar dhe kompanitë private qo të ekzekutojnë projektet e tij apo do t’i marrin në koncesion pasi të jenë ndërtuar dhe, të gjitha i bën pa e carë kokën për askënd. Ndërkohë Himara është bërë shembulli i asaj që kryeministri aktual po sillet dhe si zot edhe i pronave private të himariotëve duke u rrekur t’u shembë shtëpitë e ngritura nga paraardhësit dhjetra vite më parë. Gjitmonë, pa pyetur askënd duke u mjaftuar vetëm me nxjerrjen e ndonjë sejmeni në funksionin e amplifikatorit të fjalëve të tij. Por më shume se trillet e kryministrit shqetësues është fakti që si nuk i del ndonjë zyrtar me dy para mend në kokë dhe me një minimum ndershmërie që t’i thotë: “ndal, kjo nuk ka logjikë…” në kohën që të tjerë të cilët nuk varen prej tij mund t’i a thonë më copë: “mjaft më o i cmendur”. Por, duket se dhe Edi Rama e ka njohur mirë karakterin e shqiptarit që nuk e can kokën fare për atë që është publike, pos hapsirës që ndodhet nën catinë e tij. Po të vazhdojë të jetë kryeministër dhe për disa vite, jam i sigurt se jo shumë vonë mund të asistojmë në shembjen e pallateve “Agimi”, Shallvareve etj per t’i zevendësuar me ndërtesa të reja, sic predikonte muaj më parë një arkitekt italian i lidhur me Ramën & Co. Kjo do të ishte dhe mënyra e vetme për të vazhduar me ndërtime tashmë kur nuk ka më hapsira boshe. Nuk jam kundër ndërtimit të objekteve social kulturore, por ai vend ka nevojë për gjëra të tjera jetike. Para stadiumeve e teatrove që në fund të fundit janë objekte “qejfi”, ku njerzit shkojnë për t’u argëtuar, duke kaluar kohën e lirë, paratë e buxhetit duhen shpenzuar për objekte që krijojnë punë ose që kthejnë shpenzimet e bëra brenda një kohe sa më të shkurtër duke krijuar mundësi financiar për investime të tjera, pa pasur nevojë që të përdoret koncesioni si gomë shpetimi. Ka ca kohë që po flitet për dhënien me koncesion të “Rrugës së Kombit” më duket për nja tridhjetë vjet. Koncesioni është një mekanizëm i cili përdoret përgjithsisht në situata kur shteti nuk i ka mundësitë financiare për të ndërtuar apo menaxhuar me efikasitet një objekt të caktuar. Por dhënia apo marrja me koncesion kërkon eksperience dhe aftësi në një nivel të lartë ekonomike, financiare dhe në specialitetin përkatës të objektit të caktuar për t’u dhënë me koncesion. Nuk mund të japësh dicka me koncesion si të japësh një kothere bukë. Një koncesion i pastudiuar, i bërë në bazë llogaritjesh të përcipta, pa përmendur aspektin korruptiv i shkakton humbje të konsiderueshme arkës së shtetit dhe pasojat bien mbi xhepin e qytetarëve. Konkretisht koncesionet e dhëna nga qeveritë shqiptare duke filluar që nga Rinasi për të përfunduar tek koncesionet qesharake të viteve të fundit në shëndetësi kanë rezultuar me pasoja për shqiptarët. Duke i u kthyer koncesionit të “Rrugës së Kombit” mendoj se po të mos i conte paratë për stadiume, për shembje objektesh, për mobilim zyrash etj do t’i kishte fondet që I duheshin për të ndërtuar infrastrukturën e nevojshme që do të mundësonte mbledhjen e taksës së kalimit në “Rrugën e Kombit”. Në këtë mënyrë, ato para që do t’i mblidhte koncesionari do të shkonin në arkën e shtetit për t’i shpenzuar pastaj në mirëmbajtjen e përmirësimin e saj. Logjikisht koncesionari llogarit fitimin përndryshe nuk ka pse i hyn një ndërmarrjeje të tillë, a thua se ka para tepër për të humbur. Duke devijuar fitimin e koncesionarit në drejtim të arkës së shtetit Edi Rama mund të kënaqë trillet e tij për të ndërtuar stadiume e teatro si dhe të zbukurojë zyrat. Nuk ka dyshim, se shteti me mjetet që nevojiten i ka të gjitha mundësitë që t’i a dalë mbanë menaxhimit të “Rrugës së Kombit” dhe shumë gjërave të tjera për të cilat ka në majë të gjuhës koncesionin tashmë të maskuar nën “partneritet publik privat”. Në kohën e komunizmi një ndërmarrje si “Rruga-Ura” mirëmbante gjithë rrugët e vendit, vallë kaq i pafuqishëm të jetë shteti i sotëm sa të mos ketë mundësi e mjete për t’u kujdesur për 60 km rrugë, apo për ndërtimin e tetë sporteleve ku drejyuesit e mjeteve të paguajnë taksën e kalimit?

Filed Under: Analiza Tagged With: e Edi Rames, Gavrosh Levonja, pronë private, shqiperia

70 vjet nga Çlirimi i Tiranes, Enveri ne kujtimin e Edi Rames

November 18, 2014 by dgreca

Nga Gjergj Lacuku/ Jacksonville/
Me ardhjen ne pushtet te se ashtu-quajteres Parti Socialiste ku si moto kishte Rilindjen, nuk asht e çuditshme qe e vetmja gja qe rilindi ishte pikerisht figura e Diktatorit famekeq,Enver Hoxhes.
Shpesh here degjoj teza te ndryshme qe ne Shqipni nuk ka as te majte as te djathte por thjeshte forca politike ose mafje te ligjerume. Po te i referohemi shkalles se korrupsionit , padyshim se asht e kjarte se çdo gja bahet per interesat e ngushta klanore.
Por ajo çka asht thelbesore ne kete ndarje , ku nga njana ane jane te majtit dhe nga ana tjeter jane te djathit, asht shfaqja ndër festa zyrtare e portretit Hoxhe.Ketu qendron nje ndamje e madhe ideologjike, dhe Partia Socialiste qe asht ne pushtet , po fyen nji popull ,po legjitimon krimet monstruoze dhe kjo mbase ska se si te ndodhe ndryshe kur keto akte sadiste jane kry pikerisht nga baballaret e tyne. Kryeminstri jone , qe dojme apo s’dojme ne,po tregon hipokrizine ma te ulet ne syte e botes politike. Lind pyetja; Çfare vlere demokratike dhe dinjitoze kishte pritja qe i bane Papes ne aeroport? Ç’ vlera humanizmi dhe nderimi kishte kujtimi dhe vendosja e fotografive te martirve te fese ne sheshin e Tiranes ? Valle a nuk ishte pikerisht ai diktator qe i vrau gjthe keto martire nen akuzen si agjente te Vatikanit. Zoti Rama , un nuk e di se me ke jeni. Nese je me Enverin , s’mund te jesh me Papen, e nese je me Papen s’mund te jesh me Enverin. Njeriu nga natyra, lind me nji identitet dhe jo me dy, e aq ma teper kur bahet fjale per lider te nji vendi. Mos valle duhet te pajtohemi me ate shprehjen se politikani asht produkt i shoqnise ku ban pjese , e ne kete rast un po kam frike se jemi nji shoqni me krize identiteti.
Ne fund te fundit , çdo te thote te jesh Socialist Shqiptar?
Disa prej pergjigjeve qe mora jane si ma poshte:
Do te thote te jesh komunist i kamufluar.
Do te thote te jesh regres per shoqnine
Do te thote te jesh ujk me lekure qengji
Do te thote te jesh kriminel i heshtur
Shpresoj qe keto te jene thjeshte vetem fjale dhe te mos jene pjese e Rilindjes Ramhoxhjane.

Filed Under: Opinion Tagged With: 70 vjet nga Çlirimi i Tiranes, e Edi Rames, Enveri ne, Gjergj Lacuku, kujtimin

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT