Nga Xhemail Peci/
Për librin me poezi: Thërras gjërat e harruara/
Ajo është më e thella /
fjalë./
Fjala dashuri buron/
në gjak, në shpirt/
dhe përtej…/
Më pastaj më përftohet/
Atdheu -/
Dashuria përmbi të gjitha dashuritë./
…
Jan tri dashuri:
Ajo për Shqipërinë,
njëra për jetën
dhe tjetra për të dashurën.
Në nëntor i festojmë
tana dashuritë.
(Jeton Kelmendi: Ku Buron Fjala Dashuri)
Poeti
Jeton Kelmendi është poet i ndjenjës së hollë lirike i cili me shprehjen e tij poetike e meditative e ka formuar individualitetin e tij të veçantë krijues.Bota e tij poetike shquhet për një kthjelltësi lirike dhe për një qartësi shprehjeje e cila vie dhe bie si një shkëputje e mitit gërshetuar me historinë, si një mishërim i të djeshmes me të sotmen. Përmasa poetike e bashkëbisedimit lirik shtrihet tej kreshtabardhave e në alkiminë e fjalës ai i falet dhe i përfalet një misioni gati-gati të paracaktuar, gjithsesi pjesë e një universi ku shenja të shenjta të shfaqura dhe të rishfaqura në diksursin e tij poetik, e kanë frymëzuar dhe e frymëzojnë, ia kanë gacmuar dhe ia ngacmojnë neurasteninë krijuese, e cila si pe të kuq koinativ ka kryevargun në të cilin: engjëllizohen fjalët.
Jeton Kelmendi është poeti i cili lirisë i ka kënduar me penë, por edhe me pushkë.Ai është poeti i cili e përfaqëson një brez të tërë, i cili e ka gjakuar aq shumë lirinë, por fatkeqësisht edhe është shtrënguar për të jetuar dhe krijuar jashtë hapësirës në të cilën ka luftuar për lirinë e shumëpritur.
Jeton Kelmendi është pra poeti i cili jo rastësisht përmbledhjes së tij poetike e ka titulluar Thërras gjërat e harruara, ndoshta si një koincidencë apo edhe remenishencë e shprehjes aq kuptimplote që na la Ernest Koliqi: Jeta premton shumë, e ofron pak!
Duke ia kushtuar përmbledhjen e tij poetike babait të tij (Librinia përkushtoj babait tim, Kadriut, i cili u largua nga kjo jetë më 12 prill 2013), Jeton Kelmendi e ka përtëri trashëgiminë e denjë kombëtare në të cilën përmendorja e fjalës i falet pelerinatës së gjakut.
Peja
Tek e ka hapur kështu përmbledhjen e tij poetike me poezinë Peja në pesë të mëngjesit, e ku gradacioni i fjalës dhe ritmi i shprehjes shoqërohet me pikën si shenjë paralajmëruese, ai e ka shkruar një epitaf me të cilin është shpalosur bukur shpesh kronika e paralajmëruar e kohës:
Në Rugovë,
burrat vdesin hijshëm,
se ashtu i mëson natyra.
Pra, mendimit të njohur të cilin e kishin shfaqur hapur, si Pashko Vasa ashtu edhe Elena Gjika, se ka diçka teatrale në ecjen e shqiptarit, Kelmendi ia shton edhe një pjesë tjetër, sa mallëngjyese po aq edhe krenare, sfond ky në të cilin natyra e Rugovës me epikën e saj e ka shpalosur ate si shamibardhën e atdheut.
Duke proceduar më tej në poezinë prelud të përmbledhjes së tij poetike, Jeton Kelmendi nëpërmejt evokimit poetik e ka shpalosur në projekcionin e strukturës së këtij vargëzimi, sfondin tjetër në të cilin Breznitë Orëmira “parakalonin nëpër zemra/ dhe bëheshin amshim”, sfond ky që në kapërcyell të historisë shpesh ngërtheu në vete ëndrrën e lirisë së gjakuar me shekuj:
Atdheun të lirë
deri diku e la,
edhe pse me njëqind ankime.
Bijtë pranë vetes:
Kështu i ka mbyllur sytë,
Pa i parë gjelbërimet e pranverës
Baba.
Kur vijnë shkuarjet
Duke e strukturuar përmbledhjen e tij poetike Thërras gjërat eharruara në tri pjesë: Kur vijnë shkruarjet, Imazh i shpërfillur, Gjumi i zgjuarjeve (e ku siç vërehet në emërtimin e këtyre pjesëve mbisundon kontrasti i shprehjes si veçori e theksimit të kuptimësisë së thellë, me të cilën sikur paralajmërohet bota e cila do të shpaloset brenda këtyre pjesëve), poeti nëpër vende të ndryshme, brenda dhe jashtë atdheut, ka rrugëtuar me poezinë. Prandaj, poezia e tij shquhet për reflekset meditative, për dashurinë ndaj atdheut, ndaj njerëzve të afërt dhe ndaj miqve, por edhe ndaj figurave letrare e historike. Veçori e kësaj poezie është ndjenja e mallit, e dhembjes, e kujtesës, por edhe mendimi i thelluar, qasja hera-herës filozofike e meditative e rrethuar me realitetin të cilin poeti e ka bartur në hijeshinë e fjalës, por edhe e ka sfiduar – jo vetëm me të.
Të ecuri në hap me kohën vërehet në temat dhe në motivet që ngërthen kjo poezi, të cilës poeti i vë në ballë citate të përzgjedhura si një lexim i dyfishtë, por edhe si dëshmi e një kulture letrare të fomruar me shije e me përkushtim.
Një poezi e tillë, çfarë e shkruan Jeton Kelmendi, është edhe poezi e ndjenjës atdhetare, poezi e ndjenjës krenare që në thelb ka etninë dhe gjeografinë shqiptare (Dëshira ime Çamëri):
Mollën e Kuqe në Çamëri dua ta kafshoj
së paku vetë ta marr me dorë prej gemit.
Çamërisht t’më presë çamja e bukur
që ia thotë këngës për Dardaninë,
Dashuri yjesh – krejt ky përkushtim zemre.
Sikur të shtrihesha trup e tërthorazi
një ditë pa u rrudhur, pa u strukur,
e t’më vijnë çamët, t’më dalin përpara:
Mirë se vjen vëlla në Çamëri, në Shqipëri!
Nuk do mend se Jeton Kelmendi e shkruan një poezi gjithë atdhedashuri, por jo patetike. Ai di në shpalim të shprehjes poetike të ngërthej shumëçka nga epika dhe historia, por ai di gjithashtu edhe të prekë lexuesin e vargjeve të tij në një mënyrë kaq elegante.
Nuk kam dhimbje më të madhe
Dije – Shpirti im,
se sa ëndrrën e përmotshme,
si ta bëjmë dasmën atje –
Të ardhmen ta mbjellim me shpresa.
Duke qenë poet i ndnjenjës së hollë e i shprehjes së latuar poetike, Jeton Kelmendi e dëshmon se as ndjenja e dashurisë (peozia Afromu pak!) nuk është më vakët se sa ndjenja e atdhedashurisë:
Shpirtin ta shpaloj si librin
e shenjtë.
Të mësoj qysh me dashtë
thekshëm.
Një vargëzim që ma kujton zemër-klithjen e poetit erudit Ernest Koliqit: E prej dashntie, unë mësova se si të vdiset!Por spektri i poezisë së Jeton Kelmendit ngërthen edhe paradokset e politikës zhurmëmadhe. Poeti gjendet kështu përballë politikanit, të cilin e karakterizon si “Egoisti më i madh i sodit” (peozia Zhurma). Paradokset dhe kontrastet nuk e lënë të qetë: “Çuditërisht,/ sa e largët është kjo afërsi!” (Fuqia e një paumndësie). Dhe më tej:
S’shihem edhe kur sytë
i hedhim njëri-tjetrit,
takohen shpirtrat
edhe kur s’puqen mendimet
…
Shkojnë e vijnë
dy gjëra të kundërta:
Arsyeja dhe e paarsyeshmja
…
Unë dua të ik prej vetes
…
Në mes ballit bjeri kohës!
Dili vetes nga vetvetja,
nga pamundësia!
Fuqishëm nxirre fjalën
e mendimit
se është e jotja!
Në poezinë Dashuri në kohë lufte, në fund të së cilës ka vënë shënimin Nëntor 1999, diku gjatë luftës në Kosovë, Kelmendi e ka shpalosur autoportretin e tij nëpërmjet vargjeve që në vete mbartin kuptimin e thellë prej aforizmash të skalitura në ballin e mendimeve: Nganjëherë dua të ndodhin krejt gjërat ndryshe…
…
Por edhe në më t’përgjakshmet luftëra,
ushtari mendjen s’e heq prej dashurisë.
Atë kohë vetë e kam parë.
Por, sikur të gjithë të mbjellin vdekjen,
kush do ta korrte dashurinë?
Poeti mendon se dashuritë më të mëdha,
lindin në kohë luftërash,
Thjesht, dashuria është një luftë tjetër,
më e përjetshmja luftë, më e gjatë
Nuk ka dyshim se dashuria është këtu një forcë ringjallëse e ripërtëritëse, ajo është shpresa që vret terrin, lindja që mund vdekjen, edhe pse: Natë e vonë…
Dhe hëna sikur ka harruar të dalë.
Figura e babait është ajo që shfaqet dhe rishfaqet në poezinë e meditimit dhe të kujtimeve të së kaluarës, me të cilat autori bashkëjeton dhe bashkëudhëton brenda dhe jashtë atdheut. Portreti i babait zë kështu një vend të theksuar në filozofonië poetike të vargut (poezia Mall):
Mendoj se po më ndjek pas
Udhëtimeve të gjata të mendimeve
…
Qëllimi im është pagëzimi i të paemërtave,
ku e dukshmja dhe e padukshmja,
Do të trajtohen drejt.
Më ndjek si hija trupin
dhe ndalet pikërisht në mua.
…
E unë çmalljen e kam
të përmallshme.
…
por edhe më ndjek
agsholeve të jetës sime
…
Çdo gjë
që ndan mëngjesin prej natës,
përmallshëm
ma kujton shkuarjen e tij
si feniks
dhe porosinë:
“Ma mirë tri ditë njeri
Se tridhjetë seri”!
E një dimenzioni të njëjtë është edhe kuptimësia, por edhe dashuria për figurën tjetër të pandashme në rrugëtimin lirik, Fjala Nanë:
Nanë
mbetet më madhja fjalë,
më e ëmbla,
më shtrenjta.
Në rrugëtimin e gjatë “për të arritur deri te vetvetja”, në poezinë e titulluar Si shkohet për te vetëvetja, Jeton Kelemendi nëpërmjet shprehjes lirike të gdhendjes së vargut (“Rrugëtar i shoqëruar nga ditë e net”) krijon një pamje sa meditative e refleksive, po aq edhe një tablo deskriptive ku hijeshia e fjalës njëjtësohet me bardhësinë e ndjenjës:
Në qiell m’shndritin sytë tu.
Sa i gjatë
Udhëtimi im.
Kur kalova vijën EGNATIA,
dy zonja ulur në bar
më prisnin.
Njëra më shfaqej
si Diell,
Tjetra si Hënë.
Përmes shprehjes ekspresive: “Sa shumë i zbrazëm/krojet e fjalëve!” krijohet tabloja e shfaqjes së Zanës: “m’përfitoi një Zanë Mali”, prapa të cilës mund të jetë simbolikisht edhe dashuria, apo edhe poezia. Sido që të jetë, kundruar nga prizmi krahasimtar, përderisa fjala vjen Ernest Koliqi lëshonte zemër-klithjen: “Zanë! Ah, katileshë mizore!”, Jeton Kelmendi është më përgjërues: “e luta: Mos m’shito”.
Në shtegun e dritës e në shtegun e fjalës, ku vargu s’është gjë tjetër veçse një etje ylberi, poeti e vazhdon rrugëtimin e tij:
Dhe me ferk të mëngjesit
mbërrita
te porta e shpirtit.
Dy rreze më prisnin.
Hej njeri!
Sërish u takuam.
Ti dhe unë e princesha ime.
Tani më duhet të pranoj
se Ti në mua,
je vetë Unë.
Gjithë ky rrugëtim,
për të arritur deri te vetvetja.
Mendimet dhe shpirti janë të pandasshme në filozofinë e vargut të latuar poetik (poezia Mendimet e shpirtit):
dy shikime shkrihen në njëra-tjetrën
Është gjysmë-ndodhi, gjysmë legjendë
Më pak diellore, më shumë hënore
…
Sa herë
Ta thërras emrin
më engjëllzohen fjalët.
Engjëllushja ime
sa herë hesht,
flet me mimikën që më thotë
shumë më shumë.
Kështu janë mendimet e shpirtit.
Pra, në lajtmotivim e frymëzimit të tij dhe në thelbin e meditimit të tij poetik, diçka tepër e veçantë e shtynë Jeton Kelmendin që të “engjëllzohen fjalët”, përderisa në poezinë tjetër Zonja e parë e mendimeve:
Rreshtuar si deputetët në parlament,
mendimet e mia
debatojnë për kohën
dhe ditët që rrjedhin.
Shkurtimi i largësive është simbolika tjetër e shprehjes:
Përtej së nesërmes,
sërish një natë tjetër.
Jam më afër teje.
Unë dhe ti ëndërrojmë njëri-tjetrin.
Dhe kështu koha po ecën.
Ne ia numërojmë
ditët dhe netët.
E nga “mendimet e shpirtit” (poezia me të njëjtin titull), fjala mëton tek Pagëzimi i Shpirtit:
Me të parin emër
pagëzoj kohën.
Me të dytin,
mendimet që na afrojnë:
Këtë kohë
Ti je vetë mendim.
Dhe në këto mendime,
Ti je vetë koha.
Dua
që Dielli të lindë përtej
lindjes sime,
të rrezojë mes nesh
e të perëndojë
përtej teje.
Duke e pagëzuar shpirtin në përmasa të tilla gjeografike dhe poetike, Jeton Kelmendi gati-gati si në një qasje konceptuale lasgushiane të valles së yjeve, në gjuhën e vargut të veshur me rreshk bukurie nuk i ndahet një filozofie e cila që moti është quajtur me të drejtë fenomenologjia e shpirtit, e që këtu (poezia Dil në anën time) jepet përmes diftongut ue, si një rrjedhë e dlirë e ujit të kulluar në amzën e dikurshme të rrëfimeve mbrujtur me mite dhe me legjendat:
Vetëm frymëmarrja ime
di me t’kuptue
sa të ngjashme jemi
Ti
ma imiton dëshirën.
Kryeshpirt bëhesh në shpirtat
e mi.
Ose
Dëshira është krejt si ti.
Mua më ke te porta e shpirtit.
Kapërce gardhin e heshtjes!
Në poezinë kuptimplote kushtuar poetit Ali Podrimja (Ti vetëmike prej vapës), Kelmendi ia ka falur Podrimjes epitetin me të cilin lidhet krijimtaria e tij letrare: “Pse kaq shpejt, o Lum Poeti?!”
Për më tepër se kaq, ai e ka dëshmuar sa njohjen, po aq edhe dhembjen për poetët e tjerë të cilët në vargun shqip shpalosën shpirtin e tyre të ndieshëm lirik:
Përtej zhgjëndrrës
Tani ka dalë të të presë
Pano Taçi.
Edhe Ndoc Gjetja po të prêt
në Lezhë.
Të lumtur janë
n’atë botë, lum Poeti.
…
Mik i dashur,
ti vetëm ike prej vapës.
Polisemia e tekstit poetik është përmbledhur në mënyrë të veçantë në poezinë Kem ecur rrugës së të tjerëve, ku ideja shpaloset përmes “bashkëbisedimit” me të dashurën:
Çdo gjë ecën rrugës
së vet.
Vetëm unë rrugës
së të tjerëve.
…
Ritmet e mendimeve
Ngjasojnë me mua.
Duke krijuar tablo përmes krontrastit i cili arrihet përme shprehjes poetike-meditative si: “Nata m’i ka ngatërruar/rrugët”; “Nata ma ka humbur rrugën”, poeti gati-gati si në një siluetë e ka vënë në sfond auto-portretin e tij, i vetëdijshëm se “nata është e mistershme”, për të sforcuar kështu gradacionin e mendimit të shprehur, shoqëruar me të papriturën si pjesë e një gjendjeje emocionale ku ka mall, mërzi, heshtje, e ankth në të cilin “Orët parakalojnë/si ushtarët”, e ku jo vetëm koha bën gjumë kaçaku:
Paskam qenë ëndërr e dashur.
As në ëndërr s’po të gjej.
Ku m’i ke fshehur
Gjurmët?
Në cilin qiell fle?
Nesërmbrëma,
të vij ta bëj
një sy gjumë kaçaku me ty.
Sonte vetëm kam ecur
rrugës së të tjerëve.
Në dy poezitë përmbyllëse të pjesë së parë të vëllimit të tij poetik, për të mos i mbetur borxh dashurisë, Jeton Kelmendi i ngre asaj një himn të cilin e ka ngritur në lartësitë e persiatjes poetiko-filozofike duke shprehur kështu idenë me të cilën edhe e ka titulluar poezinë e tij – Dashuria ka dy jetë:
Na hyn në këngë,
në poezi.
Të gjitha paqartësive
u jep kuptim.
Pushteti i të gjitha
mrekullive
s’ka moshë.
Ajo nuk plaket,
nuk thinjet.
Ne vijmë e shkojmë,
Ajo vetëm takon e përcjell.
Dashuria ka dy jetë:
Njërën si tonën,
tjetrën si magjia vet.
Jeta ka dy dashuri:
Njërën me dashtë,
Tjetrën
mos me urrejtë.
Gjithsesi: e urrej urrejtjen, dhe “reduktimi i gjithësisë në një qenie të vetme”, ashtu siç ka shkruar Viktor Hygo.Në poezinë e fundit (Ku buron fjala dashuri) të ciklit të parë (Kur vijnë shkuarjet), Kelmendi ka vënë thënien e Sami Frashërit: Atdheu është dashuria vetë.Duke e cituar pra kështu Samiun e Frashëllinjve, i cili sa bukur ka thënë që e pastë bekimin aty ku ka rënë: “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet?” – 1899, poeti e ka bartur motivin e dashurisë nga ajo romantikja-intimja-filozofikja, në një sferë tjetër – e cila për dallim nga ajo e “lutjes së infinit të ultë drejtuar infinitit të lartë”(Viktor Hygo), është sa sipërore po aq edhe me përmasa të bekimeve hyjnore.Pra, duke u frymëzuar edhe nga programatika monumentale e Sami Frashërit, poeti Jeton Kelmendi me atë stilin e tij lakonik nëpërmjet të cilit me pak fjalë mëton dhe ia del të thotë shumë, me bukurinë e shprehjes, me gdhendjen e fjalës, me hijeshinë e saj dhe me bukurinë e vargut, ka mëtuar për ta bërë një sintezë të historisë së Shqipërisë nëpërmjet dashurisë për të:
Ajo është më e thella
fjalë.
Fjala dashuri buron
në gjak, në shpirt
dhe përtej…
Më pastaj më përftohet
Atdheu –
Dashuria përmbi të gjitha dashuritë.
Sivjet ia festojmë njëqind
Vjetorin,
Njëqind vjet më parë
Buroi në Vlorë
një zhgjëndërr me kurorë
kuq e zi.
…
Janë tri dashuri:
Ajo për Shqipërinë,
njëra për jetën
dhe tjetra për të dashurën.
Në nëntor i festojmë
tana dashuritë.
Imazh i shpërfillur
Imazh i shpërfillur është pjesa e dytë e vëllimit me poezi, në të cilën meditimi lirik shpalos sërish një botë të ndieshme mendimesh ballafaquar me realitetin, me përditshmërinë, me dashurinë, me mitin dhe gjurmët, me kujtesën dhe harresën, me enigmat e shumta si dhe me qëllimin për zbërthimin e tyre nëpërmjet vargut.
Ky cikël hapet me poezinë kushtuar Bekim Fehmiut (Emri i njëylli), e ku Lumi sërish hyn në përmasat e një poezie që në nderim të figurave të artit e të kulturës, pikësynim ka përmendoren e fjalës:
Ia dha besën lumit,
Lum Bardhit në Prizren.
dhe u nis përpjetë jetës.
Mori me vete kujtimet
për etninë, Trungun Shqiptar
me lumin në shpirt
dhe shpirtin nëpër valë.
…
U bë pluhur kozmosi
dhe u nis brigjeve
të Arbrit drejt përjetësisë.
Kështu jeta i pagëzon yjet.
Duke u vënë në kërkim të gjërave të harruara e në thirrje të kujtesës, nëpërmjet një vargu të menduar thellë, poeti bën një bashkëbisedim me një “shpirt brilant engjëllor”, por gjithsesi edhe një shetitje nëpër kohë:
Që atë ditë e sot,
sa frymët e netët
kanë kaluar!
E gjërat tona prapë
i kam gjetur atje.
Te fryma, ku ishte ajo kodrina,
kujtesë e mbajtur
në mendje
dhe mbrëmja e munguar.
Në zbërthim të mitit si dhe të padrejtësive historike (poezia e titulluar Mitike) sërish është kujtesa ajo që shpaloset në gjurmët e shekujve:
Kësisoji rrugëtohej nëpër vite
dhe erdhën e shkuan mijëra vjet
deri te zëri i fjalës
Atdhe.
Kjo fjalë e zëshme
të kthen pas te Albanët
deri te Adami e Eva.
Gjithë këtë kohë,
poshtë e kishim djallin,
lart Zotin –
falë i qofshim, na solli deri
këtu.
E thënë ishte,
e bërë u bë.
Fjala dhe zëri
janë liria që i solli koha.
Esenca mitike
është përtej mitikes.
Në kërkim të gjurmëve stërgjyshore është edhe vargëzimi në poezinë Gjurmë, e cila përmbyllet sa me një klithje po aq edhe me një krenari:
M’i shlyen gjurmët
dallgët e motive të liga.
…
Duke ecur jetës,
gjurmëve që na sollën
në shekullin Njëzet e Një.
Koha la gjurmë të pashlyera në ne.
Dy mijë vjet më parë,
ecjeve Ilirikut, nëpër gadishull,
ato pra janë gjurmët e mëdha.
Ah gjurmët e mia!
Rrënjë jete është poezia e një prizmi të njëjtë, në të cilën zëri i poetit përfaqëson zërin e atdheut e të kombit:
Kapërceva mileniume dhe shekuj
vitet dhe stinët e errëta
m’i brenin gjenet.
Sërish më pyesnin për gjenezë bime,
ku Zoti e njeriu ishin
dakord.
Jeta nis prej rrënjëve.
Edhe qindra mija ardhje
e shkuarje
do të shfaqen e zhduken
jeta tek vazhdon rrugëtimet e veta.
Një gjenezë
pret e përcjellë kohët,
derisa shekujt, vetëm ia sforcojnë
origjinën e lashtësisë.
Ky pra është gjeni im.
Poezia Mos me harrua është një sfidë që poeti i bën harresës. Duke hyrë “brenda mendimeve të lira”, siç shprehet vetë, ai “pa asnjë hile” ia kërkon rrënjët të sotmes. Ai është pra poeti i cili realitetin historik e shikon gjithmonë në prizmin dje-sot-nesër, por me poentën e qartë: “mos me harrue”. I vetëdijshëm se:
Historianët thonë
se ishte vjeshtë me fat.
Edhe pse fatkeqësisht
mbi gjysma e Atdheut
mbeti jashtë hartës.
Jeton Kelmendi i thërret sërish kujtesës historike:
Mos me harrue,
ky rrugëtim i shkurtër
është kaq i gjatë.
Në mënyrë të veçantë ate e shqetëson me të drejtë paradoksi i përsëritur përgjatë gjithë historisë, paradoksi që e shtynte Ernest Koliqin të klithte: Iliri! Iliri! Tokë e pafat! Paradoksi që e shtynte poetin Pano Taçi ta quante tokën arbërore: “Lis Dodone, i prerë në pesë dega”. Prandaj Kelmendi shtron pyetje:
Kush mund ta marrë me mend?
Akoma në Mëmëdhe
për të shkuar
më duhet pasaportë.
Cili jam unë?
…
Në televizor
herë dëgjoj se jam kosovar,
herë shqiptar.
Madje kur iu duhet,
si dikujt-dikujt
na rrëfejnë për projekte
madhore, kombëtare, patriotike e tjera.
Me rëndësi është
cili jam unë me ditë.
Kjo pyetje gjithnjë pa përgjigje.
Jeton Kelmendi është poet për të cilin data 27 dhe 28 Nëntor:
Manifeston dy kumte që m’shndrijnë
në këtë jetë dhe
në atë jetë.
Kohë lufte përmbajnë poezitë Kah shtrihen kufijtë e mendimit, Kur shkon në Sarajevë, si dhe poezia Kur u bëra ushtar. Në të parën shpaloset urtësia e mendimit që pyet për kufijtë, përderisa paradoksi shekullor sfidohet sërish:
Në Ballkan
një hije e zezë ziliqare,
gati njëqind vjet më ndau nga nëna.
Pika më e afërt kufitare me vetveten.
…
N’Ballkan, n’Shqipëri
më vunë e më shtyn shumë herë
kufij.
Në jetë shumëçka më ndaluan,
por mendja më shpëtoi mirë
pa kufij.
Murin e madh të ndarjes e të padrejtësive e tejkalojnë mendimet, sepse siç shprehet poeti “dashuria dhe liria kapërcejnë të gjithë kufijtë”, sepse:
Përetj një ëndrre të bukur
kur del,
mendimet janë të pushtetshme.
Ato kufizohen vetëm me
qiejt.
Në poezinë Kur shkon në Sarajevë, vargu kapërthen trishtimin e mureve “për kohën kur jeta kushtonte/ pesëdhjetë cent,/ sa ç’kushton një plumb./ Një plumb barazi me një jetë/ të humbur.” Në Sarajevë, “kryepersonazh/ është Vdekja.”
Kjo është tragjika e përsëritur dhe e ri-përsëritur në ciklin e hordhive të çmendura. Kontrasti i shprehjes dhe tragjika e jetës e përbëjnë konstanten e kësaj poezie:
Vrimat e plumbave
nëpër muret e shtëpive
bashkëjetojnë me të mbijetuarit,
varreza të shumta me gurë
të larta, të bardha.
Sikur i bëjnë pararojë
Historisë.
Tani,
merre me mend ironinë
e fatit,
apo fatin e njëjtë me Sarajevën
dhe atdheun tim.
Poezia Kur u bëra ushtar, është një shfletim i ditëve të luftës e që tek poeti ka lënë gjurmët e saj të pashlyeshme. Nuk ka dyshim se kjo është një poezi e ndjenjës atdhetare e projektuar përmes shprehjes racionale e që flet për një brez të tërë, për një ëndërr të bardhë brezash dhe gjeneratash, por edhe për zhgënjimin të dukshëm. Poezia në ballë të saj ka kushtimin tejet domethënës e të përmasave epike:
Për ata që përbeshëm ishin ushtarë,
Me rastin e pesë vjetorit të (pa) varësisë së Kosovës.
Fjala pavarësi këtu është ndarë në dysh – përmes kllapave. Në dysh është e ndarë edhe zemra e poetit. Aq më shumë sepse ai ka qenë luftëtar i lirisë dje, dhe luftëtar i dritës – sot.
Struktura e poezisë sikur e shpalos vetë përmbajtjen e historisë së parqaitur në projekcionin poetik: dje-sot-nesër, e ku poeti i përfshinë majat kulmore të qenies sonë ekzistenciale:
Kur u bëra ushtar,
m’u duk sikur nuk isha unë.
Dikush tjetër hyri në mua.
Më dha pak the shpate
të Kastriotit,
pak kurorë të Teutës,
një besë të Lek Dukagjinit
dhe nisa të besoj
se liria është diçka e përkryer.
Shpirtit ia veshëm flamurin,
Trupit ia armatosëm duart,
sytë kah liria
dhe morëm rrugën drejt vdekjes,
drejt jetës.
…
Kur u bëra ushtar,
Atdheun përmbi të gjithë
Thamë.
Gjurmëve të të parëve,
shkuam, Isa Boletinin duke kënduar.
Mendonim se edhe ne mirë jemi
Kur është mirë Shqipëria.
Ah, Kosova, bre!
Kjo dhimbë e bukur.
Sakaq, ëndrra tretet diku në kancelaritë e mjekrrave të thinjura të diplomacisë së sofistikuar, e cila mbi gjurmë gjaku lë “vija dhe vrragë” të thella në ballin e luftëtarëve të lirisë:
Ato ditë:
Liria kushtonte më shumë se jeta
…
Kujtojmë se jeta është bërë lule.
Vetëm e nesërmja ka mbetur pa kërkuar.
Krejt çka erdhi deri më sot,
njëqind e një rrenë më shumë.
Shumë miq më pak.
Asgjë tjetër dhe pikë.
…
Kur u bëra ushtar,
mendonim, Atdheun duhet dashur ndryshe.
Disi më shumë se kaq sa sot.
As ëndërr s’kam mund me pa.
Flamurin që iu kam betuar,
ma hoqën, ohhh!
Në atdhe sa herë shkoj,
akoma më kërkojnë pasaportë.
Diçka e ngjashme me poezinë e Asdrenit “Çpërblim për Republikën”! Ngjyrën e gjakut dikush e ka fshi nga flamuri:
Ushtari i vërtetë
kurrë s’e shkel benë e vet.
As flamurin s’e ndërron jo,
se liria si ka kuptim.
N’qafë na paçin ata që na mashtruan!
E megjithatë në qëndresën epike shpërthen zemërthirrja:
por për ushtar prapë veten e marr
Ëndrrën deri ta bëjë t’vërtetë:
Shqipërinë një Shqipe ta kemi,
përndryshe,
Skëndërbeut s’kemi si t’i shkojmë n’at’jetë.
Një pjesë e mirë e poezive ka për subjekt dashurinë, si fjala vjen në poezinë Takohemi atje, ku takimi projektohet në lartësitë e yjeve:
Le të pushojmë atje
në majë të mendimevve, mes yjeve
përmbi dëshira tona.
…
Unë do nisem me ty, nën përcjelljen
e dritës së Diellit.
Në poezinë Të gjitha shenjat e mia, poeti ndodhet për një çast mes dy zjarreve: dashurisë dhe poezisë. E para sikur bën garë me të dytën, sikur mëton t’ia zë vendin. Poeti vetë për pak mëdyshet se a të bie në krahët e dashurisë a të poezisë:
Një herë,
kur desha me dashtë,
si në ëndërr m’u shfaq poezia.
…
Pak i lodhur e pak i llastuar,
erdha në përfundim:
T’i ve pikë vargut, pikë çuditëse poezisë.
T’i kthehem variantit tjetër
të dashurisë.
Lirika e kësaj poezie është e përshkuar me tone melankolike dhe me persiatje rreth binomit dashuri-poezi, e ku dashuria: “Trungun e ka te poezia,/ te liria”, në ndërkohë që poeti: “Nxjerr një çiflig dashuri nga poezia,/ një poezi nga dashuria.” Thelbi i meditimit lirik të kësaj poezie qëndron në konstatimin se “ritet e magjisë” së një binomi të tillë, shpesh janë të pazbërthyeshme, gjë që shprehet edhe përmes kontrastit:
Me varg në shpirt, me poezi lirike
m’ofrojnë ndarjet, më ndajnë afërsitë.
Në konceptin poetik, për Jeton Kelmendin: “Fjalët janë planete” (poezia Fjalët banojnë në kokën e mendimit), dhe se: “Ato bëjnë jetesën planetare”. Nëpërmes fjalës ai i falet misionit të vet në Ecje lirike (poezia me të njëjtin titull), ku: “Yjet i buzëqeshin nostalgjisë”, e ku poeti është ai që vazhdon ecjen lirike: “Marr me vete kohën dhe fatin”, por që fati nuk ka perkëdhelur gjithmonë:
Njëherë moti,
kur desha me dashtë,
kohët nuk kishin kohë.
Më vonë,
kur nisën me ardhë
Shkuarjet,
Loja ndryshoi rregullat e të luajturit.
Portret i deshifruar titullohet poezia ku sërish bëhet njëjtësimi i dashurisë me poezinë (“Ti je si kjo poezi/ që shkruhet për ty,/ Fjalët si frymëmarrja jota/ në aktet e dashurisë”).
Në përpjekjen për ta zbërthyer një fragment të një kënge të vjetër dashuri në Rugovë (Prej një shpati t’i lëshova sytë – si pandan me thirrjen e Sokol Halilit: E unë, Tanushën e kam pa!), fjala e thënë herë si lutje, herë si përgjërim e herë si aforizëm, është në të vërtetë vetë mishërimi i jetës:
Ardhja
arrin bashkë me fjalën.
Ma jep durimin tënd heshtje
t’u dal përballë erërave
që fryjnë.
Vetëm durimi yt u përballon
të gjitha furtunave.
Në poezinë Ndoshta rrugët tona kryqëzohen, nëpërmjet shprehjeve ekspresive jepet një frymëzim i çastit:
Si ta pagëzojmë pamjen
që shkrihet kepshëm,
ëndrrave të mbetura përgjysmë?
Kështu po ligjëron në mua
momenti,
që dita-ditës po më largon edhe
më tej nga ti.
Përditshmëria me ritmet dhe motivet e saj e përfshirë në vargje, vërehet edhe në poezinë Me arsye: “Shesim e blejmë arsyetime”, ndërsa në poezinë Zoti i tha njeriut, misioni është i qartë: “për t’i zgjuar netët/ prej gjumit./ Kam menduar tërë ditën e djeshme/ si ta bëj më të ndritshme të nesërmen.”; e që më tej përmes një përshkallëzimi poetik dhe evokimit të bashkëbisedimit mes hyjnores dhe njerëzores, poenta vihet tek kujdesi që njeriu duhet të ketë me vetveten:
Ëndrrën ta shohësh si jetën
Jetën ta shohësh bukur nëpër ëndrra.
Zoti i tha njeriut:
Kur t’i dhashë këto,
porosi t’kam lënë:
Kujdes me vetveten,
të kujdesësh edhe për të tjerët.
Alkemia e fjalës e ka preokupuar poetin edhe tek poezia Metamorfoza e Materjes, ku thuhet me të drejtë se “Me folë nuk është aq punë e madhe”, por duhet kushtuar kujdes para se fjala të del në sfondin e saj, veçmas sepse: “dikujt-dikujt i flasin edhe heshtjet/gjuha e Perëndisë me yjet”, prandaj duke qëndruar mes fjalës dhe heshtjes, poeti është ai që thërret me të drejtë:
Mos t’ia presim rrugën heshtjes.
Më mirë ta mësojmë gjuhën e saj,
kur s’ke gjë për të thënë.
Gjuha e thjeshtë por kuptimplote është e veçanta e poezisë Dialog pa hile me miken pa emër, ku bëhet identifikimi me ëndrrat: “Heshtja ime të sheh e të dëgjon”, e në pasqyrën e vetvetes: “Pranverën e shpirtit prisnim/ të çelnin si lulet./ Ah! Lulet që i thau harrimi.” Mesazhi që përçon fjala e sinqertë, është ky:
Larg,
sa larg na rrinë
fjalët
e kaq afër ëndrrat.
Prandaj
dialogu është pa hile.
Poezia tjetër, e titulluar Cilën jetë ta jetosh, në vet engërthen përballjen me “lumenjtë e furishëm” dhe drojën nga “tallazet e harrimit”. Në kërkim të yllit të fatit (“Në cilin yll është fati?”), poeti ka si qëllim “t’i zgjidhi gjurmët e lëna”, duke besuar thellësisht se:
Kudo çojnë rrugët e jetës.
Besimin ta kesh me vete, për së mbari
do të mbash shikimin.
Poezia e radhës, me titullin domethënës Jeta është një ëndërr e trishtë, është e konceptur mbi kontrastin:
Një herë në jetë prisnim të na largoheshin
afërsitë.
Kaq e ëndërt është jeta,
posa është i trishtë rrëfimi.
…
Pastaj gjërat dhe asgjëtë
bëhen një
e ëndrra bëhet jetë
në jetën ëndërr-trishtë.
Premisat e këtilla ekzistencialiste vërehen edhe në poezinë Materje, ku thuhet qartë se fjala është materia “nga e cila zu krijimi”, për të përfunduar me konceptin tjetër poetik sipas të cilit:
Në çdo ritëm të jetës,
ritet e tua të zemrës,
në materie kanë epilogun
që i thonë dashuri.
Dashuria, kjo zeje e shpirtit
Vendin e ka tek unë, tek ti.
E përmasave të tilla është edhe poezia tjetër Dy të huaj nëVaxjo, ku poeti në majë të penës vë shprehjen “parakaluan katër stinët e dashurisë”, kur: “Në qytet/ dy të huaj i ranë trup/ e tërthorë natës”, sfond ky që përforcohet në përmbylljen e poezisë:
Nata e Vaxjo-es
kishte katër stinë dashurie
për dy të huaj.
Tek poezia I hyra shpirtit brenda, poeti Jeton Kelmendi i kthehet sërish binomit tjetër: mendja-shpirti:
dhe ia ndeza dritat mendjes
ia dhashë gojën heshtjes.
…
Mendja bëhet urë kaluese,
kur e njeh veten nga brenda.
Shpirti dhe mendja,
bashkërisht, kurrë nuk gabojnë.
Binomi poezi-dashuri është ai që e përmbyllë ciklin e dytë të kësaj përmbledhjeje poetike, në poezinë Do të kthehem nëvargje. Një thirrje e tillë, një gjakim i tillë, gjithsesi e ka arsyen e vet, pa të cilën nuk frymon dot as poezia e as gjallon dot poeti:
Të shihem përmallshëm,
dhe pak të vallëzojmë strofave
të kësaj poezie.
…
Kam dëgjuar të thonë,
zëri i zemrës
është zëri më i largët, apo afërt,
më i kumbueshëm.
…
Do të bëhem sonte
Fjalë
të të thur një fjali.
Vetëm ti t’më rish bukur
strofave.
Pas çdo shenje pikësimi,
të lexoj përsëri.
Do të bëhem këtë natë
lexim i bukur.
Ta mësoj si ç’lexohet zemra.
Faqet e kënaqësive të t’i shfletoj,
vetëm e vetëm të di më shumë për ty.
Gjumi i zgjuarjeve
Pjesa e tretë dhe e fundit e këtij vëllimi poetik, e cila titullohet Gjumi i zgjuarjeve, ngërthen kryesisht motivin e dashurisë dhe të atdhedashurisë, por edhe persiatjet për mbrëmjen dhe ëndrrat: “i shfletova të gjitha mrekullitë/ e të ëndërruarit” (Mbrëmë), meditime për të dashurën, ku gërshetohen fjala dhe dashuria, ëndrra dhe psherrëtima: “Fjalët e mia si dashuria jote./ Jam ulur në vetminë time/ Po shkruaj ëndrra për ty.” Dhe më tej: “Zemra kur të flet,/ fluturon nëpër planete e galaktika” (Hapësira ime pafund). Në këtë poezi, Jeton Kelmendi e dëshmon se ai është poeti për të cilin nuk vlenë më ajo thënia e moçme se të gjitha rrugët çojnë në Romë. Përkundrazi, siç shprehet ai:
ecja e rrugëve të mia,
të të gjitha drejtimeve
që më çojnë tek ti.
Përderisa vargu i një poezie si kjo ka edhe fanitje e vegim prej llahtarisë lasgushiane (“Dashuria me aziaten-mrekulli”), tek poezia e titulluar E vërteta, lajtmotivi kryesor është pra realja:
Lumi i të pathënave
ka vetëm një burim, rrjedhje:
Të vërtetën.
As s’është pronë, as ka pronarë.
Fjala
Është materia e krijimit
dhe qeliza e trupit kumti.
Në përpjekjen për të ikur nga vetvetja, në poezinë I ika vetesnjëherë prej lëkure, jepet në fakt pamundësia për të dalë nga lëkura. Pyetja e shtruar: “është apo nuk është ky dheu/ i atdheut?” si dhe konstatimi se: “Fjalët e kanë të tjerët./ Ata që atdheun po e hanë/ si ujqit prenë e vet”, në vete ka tragjiken dhe absurden e një paradoksi që mjerisht ri-përsëritet gjatë gjithë historisë sonë, por pikërisht për shkak të gjithë këtyre mëdyshjeve dhe sfidave, poeti nuk dorëzohet sepse thellë në ndërgjegjën e tij ka zënë rrënjë besimi se:
Janë do gjëra që duhet dashur
edhe kur s’të duhen,
edhe kur s’të duan.
Atdheu është kryefjala e krejt
dashurive.
Zgjimi i ëndrrave është poezia e cila nuk sesi të mos na e kujtojë zemër-klithjen tjetër të Ernest Koliqit: Këtu banon gjumi! Prandaj nga fjala në fjalë, ashtu si “prej lules në lule”, poeti ka gjakuar: “sa herë kam dashur me t’ëndrrue,/ nata s’kishte natë./ Ditët zgjoheshin fjetjet/…Me ty kam ecur tehut të një bote.” Simbolika e zgjimit këtu merr përmasa më të gjëra se zgjimi i të dashurës, kurse në poezinë Bunacë, nëpërmejt shprehjeve dikush, dikujt, dikur është krijuar tabloja e gjallë e të papriturave në të cilën: “Frytet e një fjale të dhënë moti,/ dikush i ka ngrënë./ Më kot mpreh dhëmbët e sotmja/ e kësaj feste./ E vërteta është krejt diku tjetër.”Asht Malësori është poezia që në vete ka tone epike, e në të cilën shpaloset e bardha e Rugovës nëpërmjet trimërive të brezave që i dolën krah atdheut. Epikë me gjurmë stralli, e cila fillin e ka në të bëmat kreshnike: “Tek len dielli e perëndonHana,/ Zhujë Selman ma nuk ban nana. Një portret malësori me “Atdheun veshur si xhubletën” e “Ti lis i madh i fisit”, për emër ka Rexhep Ibishin e poeti është ai që e nxjerrë edhe më në dritë dielli figurën epike të bashkëvendasit të tij:
Janë krojet e bardha nga fytyra
Që të rrodhën, nga shpirti kaltërsia.
…
asht ti, asht malësori.
Rugovas shkove, rugovas linde
Rugovisht u rrite e jetove.
Në Rugovë thonë:
Trimat nuk vdesin, kapërcjenë botën pupë
dhe vetëm heshtin.
…
Bjeri pak fyellit, si i bije dikur
Rugovas.
Vashat n’dritare të dalin
të të dëgjojnë
frymë si po i merr, gishtat si po ia luan.
Pas majash ka maje tjera,
Përndryshe s’i thonë Rugovë.
…
Flej tash malësor
në gjumin e gjatë pa ëndrra.
Rugovasit gjithmonë
kanë me t’kujtua.
Se lufta ka lënë gjurmë të pashlyeshme në memorien e poetit, këtë e dëshmon edhe poezia Nëna e të zhdukurve të luftës. Në një tabllo epike një zemër nëne lutet me gjithë forcën e shpirtit të saj të bardhë:
I përbeu vetes në kokë të tyre
Mos qaj, Atdhe po të vjen liria!
Ata janë këtu, qofshin edhe të zhdukur,
por, ne s’mund t’i shohim
këtu në themel të Dardanikus-it
…
Ua sjell ndërmend pushtetarëve, o Zot!
Bëji më të kujtueshëm!
Pa gjakun e derdhur, s’mund të ishim sot këtu.
…
Bekoji tash pashë Zotin. Zot i Madh!
Ata janë dhimbja jonë.
Ata na mungojnë.
Ani çka nëse s’vjen, është poezia e cila ndonëse ka një titull si ky, megjithatë nuk është pa shqetësimin e një bote të ndieshme lirike:
Në mungesën e një ardhjeje
të paraljmëruar,
pritja ka rënduar
shkrimin.
Kështu,
ditë pas dite
koha po bëhet pritje.
Me pritje të gjata e dënove
E megjithatë, poeti i dashurisë – ashtu si dhe luftëtari i lirisë, nuk e njeh kurrë dorëzimin:
Në lojë
Nuk është gjithçka e përfunduar
nëse dëshira e mund mundësinë.
Ti e di se poezia i ka rregullat e veta
ashtu si edhe dashuria.
Poeti tha:
Mes mishit e thoit,
mes Qiellit e Tokës ne.
Eja tani m’u afro pak
shpirtrave t’u falim pak dashuri.
Dashuria si ndjenjë, si lajtmotiv dhe si gjakim për një paqe të përhershme, të përjetshme në kaosin e këtij universi të trazuar kaq shumë, shfaqet dhe ri-shfaqet në frymëzimin poetik të Jeton Kelmendit. Kështu fjala vjen, në poezinë Tani kur koha ka hyrë në javën e re, e re është edhe përmasa e dashurisë:
Tani që kemi hyrë në javën e re,
planifikojmë dashuri jashtë orarit.
Duhemi më rrjedhshëm.
Dritë-hijet e kohës kanë shpalosur kontraste dhe paradokse të reja, prandaj në poezinë Polemikë imagjinare thuhet se: “Koha nuk ka kohë për dashurinë sonte.” Kjo ide bartet mëpastaj në dy sfonde: në mes të kotësisë dhe padukshmërisë së gjërave si dhe në mes të bredhjes në kujtime e zhytjes në mejtime:
Shpeshherë ndodh,
në mungesë të një ideje
të përkryer,
imagjinoj dashuri fantastike.
Vetëm me dashtë, kur me urrye. Kjo është poenta e kësaj poezie, por edhe poenta jetësore:
kur sonte
lundroj shpirtit të saj-timit,
përtej skenarit të një paraloje.
Natë.
…
dhe shpërfillshëm krejt imagjinatave
jam ulur po të pres.
Polemikë imagjinare, apo imagjinatë polemikash?!
Fundja njësoj janë, ndryshe unë dhe ti
do kemi pak kohë sonte.
Së paku sa për një pikë dashuri.
Dua të afrohem është poezia tjetër e kontrasteve që ka dashuria. Mendimi për të dashurën zë fill “kur perëndon Dielli”, por që nga kjo pikë zë fill edhe klithja tjetër: “kur po futem në natë pastaj, po m’humb”. Në synim të përafrimit pastaj vargu me zë gjaku:
Më hyn në kokë,
ma bën mendjen zjarr.
Zjarrin, dashuri për ty.
Mbase kështu mundet vetëm ideja,
Dashurinë përhap, si zogu fluturimthi
nëpër qiell.
Çuditërisht, përditë afrohem drejt teje
dhe ti m’i fsheh rrobet e të menduarit.
Poezia Çelësi është edhe një thurje e bukur me kuptimësi të veçantë, në të cilën theksi vihet sërish mbi përmasat e ndjenjës të cilën poeti priret t’i falet si një planeti që përbën “mbretërinë e ëndrrave”, si “krye-ëndrra qiellore”, për të pohuar pastaj në mënyrë më të drejtpërdrejtë se:
Çelësi i të gjitha mbylljeve
është vetëm dashuria.
Për ndjeshmërinë e hollë poetike të një bote lirike si kjo e Jeton Kelmendit, një fuqi planetare s’ka se si të jetë ndryshe pos:
Një stinë që i lulëzon fjalët,
i shpirtëron shpirtat.
Kupat dhe kokat i përmbush
plotësi.
Gradualisht, shfaqja e një emri e zbardhëllon edhe më përmasën e sfondit në të cilin vargu bie si një qëndismë e mëndafshtë e butësisë së fjalës:
Tek porta e madhe
e ngjarjeve të vogla,
emrit tënd “FATBARDHA”, iu afrova.
Për dritare më shikoi buzëqeshja.
Gaz më mbushi dhe hare
si sot, si dje,
si nesër.
e imja se imja është jeta.
Dashuria që kam për ju,
dy majat më të larta të dhimbjes,
të gëzimit.
Më të bukurat kuptime:
Atdhe,
Njeri.
Pse
të mos i besoj dashurisë
kur çdo dry e çel?
Përderisa shtron një pikëpyetje të tillë, nuk ka dyshim se në sfondin lirik të poezisë së Jeton Kelmendit, një prej gjërave që ai e thërret më së shumti është dashuria, por tek gërshetohet me kujtimet e fëmijërisë së tij, ajo bartet në sfondin e një binomi tjetër: Atdhe-Njeri: Liria është çelësi i së ardhmes.
I hap derën
Shpirtit.
Dashurisht lidh njeriun
me atdheun,
dy fenomenet më të dashura.
Jeton Kelmendi e dëshmon kështu se ai e shkruan një poezi të ndjenjës së sinqertë, spontane por që parapëlqen të ngritet në sferat më të larta, atje ku rrijnë tok e të paprekura: shpirti, liria dhe dashuria:
Dëshirat e dashura nuk bien,
nuk ngrijnë.
Ato rrijnë lart.
Nga atje vërshojnë gjërat
që po ndodhin.
Çelin çdo motiv për jetën.
Atje pra, është çelësi im.
Atje lart
më afër Zotit.
Duket se një epilog i tillë i kësaj poezie, është në të vërtetë prologu më i mirë për ta qetësuar kaosin, gjë që zbërthehet më tutje në poezinë Emërimi i një parashikimi kaotik. Pra përkundër një titulli të tillë, sërish poeti e nxjerrë në sipërfaqe misionin e tij, qëllimin e tij, gjakimin e tij:
Të ardhmen me projektue,
si një pranverë me lule, veç gjelbërim.
Në verë me hy më rehat.
Thjesht me parapa mrekullinë,
Parajsën me përjetua n’këtë jetë.
Që mos me i harruar dashuritë.
As rrugëve që na ndanë
netëve pa hënë.
…
Kthe shikimin, prej Qiellit në Tokë, e hesht!
Lutu, dashuri të ketë zemra!
…
Koordinatat
m’ia vu sipas arkitekturës – barok.
Kur kryearkitekt është mendja,
shpirti vetëm ndërton.
Poezia Koha e tij kushtuar Ismail Kadaresë është gjithashtu një pagëzim i qëlluar për kohën që merr emrin e shkrimtarit të madh:
Nëse fjalën e ka t’magjishme,
Shpirtin e ka shqiptar.
Prandaj,
Kohës i ka vënë vulë,
emrin adresë të kohës, të letrave.
Në palcë të shikimeve,
gjenin evropian
në gojë zërin e Arbrit e të Arbëris.
Më tej, poeti e modifikon aq bukur dhe në funksion të një kuptimësie të re, njërin prej kryevargjeve të Poetit të Hymnit Kombëtar, Aleksandër Stavri Drenova-Asdrenit, se Zoti vetë e tha me gojë:
Punë e madhe,
nëse s’është dakord ai dreqi i zi.
Ai që nuk na do, në trupin tonë,
kështu si na krijoi natyra.
Dashuria është më e madhe se vuajtja,
madje edhe më e madhe se qindra vjet robëri.
Se Zoti e tha me gojë:
Populli i Kastriotit, e i Nënë Terezës,
Në mileniumin e tretë,
të hyjë i lirë.
Një veçori tjetër e poezisë së Jeton Kelmendit është përpjekja që vargu të qëndron në vete, i pavarur në kuptimësinë e tij nga vargu tjetër, por që gjithsesi lidhet më tej edhe struktualisht me pjesën tjetër të poezisë (Ku rriten bimët e dashurisë):
piqen farat e fateve
…
Pejzash ngjarjesh të çuditshme.
Pranvera mban emrin e vet.
…
Kjo ditë i ka rrënjët në mars.
Në muajin që sjell pranverën, që përcjell dimrin.
Në ty që kalëron shpres.
Në mua që mbjell vargje lirike.
…
Dielli gjelbëronte lulet e buzëqeshjes.
Parisi veç dashuri sjell.
…
kujtesa po shfleton librin e histroisë sonë
…
Dua të duhemi sot
siç u deshëm,
ditën kur e mbollëm farën e dashurisë.
Atje larg, atje afër
ku rriten bimët e dashurisë,
jetojmë dhe vdesim dashurisht.
Gati-gati një strukturë e njëjtë poetike përdoret edhe në poezinë Në veten tonë e kemi njëri-tjetrin:
Nata të mbështjellë me vetmi
…
më gërmon mungesa jote
…
Rrugët e gjata në ëndrra të shkurta
më shfaqen në ty
Ndërsa, një natë të përgjumë ty,
një tjetër mua.
Duhemi vetëm me mesazhe.
Në fjalën time të shkruar,
në poezinë time të shpërfillur,
të kërkoj përmallshëm.
Të thërras kumbueshëm:
Eja të flemë pak se gjumi
m’ka mërguar në qytetin tënd.
Poezia e fundit Takim miqsh, e ciklit të tretë dhe njëkohësisht edhe e vëllimit poetik Thërras gjërat e humbura, e sjellë të freskët atmosferën e njerëzve të fjalës së shkruar, por edhe mesazhin e qartë se arti afron njerëzit e ngre ura miqësie:
Të gjitha rrugët e bisedave
dhe gotat duke u zbrazur me verë
që i përcjellin fjalët,
çonin tek porta
ku jeta dhe rrëfimi
njësoj janë.
Kristale mendimesh
Jeton Kelmendi është krijues i cili lexuesit të poezisë së vet mëton për t’i dhënë një lexim të dyfishtë të fjalës së bukur poetike, prandaj ai edhe ka përzgjedhur mendime-citate të njerëzve të shquar të fushave të ndryshme:
Vetëm përpara në rrugën gati zbrazur/ Plotësisht dy herë këmbët t’i ndal,/ Prap mos u ndal. (Tomas Transtromer, Nobelist 2011); Gjersa gjë tjetër nuk të mbetet,/Vepro kështu: vdis e ngrihu!-/Ti s’je veç një vizitor i trishtuar,/ në këtë tokë të martë. (J. W. Gëte); Ji i marrë, por mëso si të jesh i marrë/ pa qenë në qendër të vëmendjes!/ Mos u shqetëso: do të mbijetosh dhe do të kesh shumë fat”. (Paulo Coelho); Një moment do ta pranojë edhe koha./ S’ka si të ndodhë ndryshe kur duhen njerëzit. (Odiseas Elitis); Të imagjinosh do të thotë/ të vizatosh një ylber në përditshmërinë tënde! (Ruth Mayer); Dashuro me mendimin se një ditë do të urresh./ Dhe urre me mendimin se një ditë do të dashurosh. (Bias De Priene); Atdheu është dashuria vetë (Sami Frashëri, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet?” – 1899); Sa herë dëgjoj për vdekjen e një njeriu të vendit tim,/ vdes edhe një pjesë e imja (Ibrahim Rugova); Në jetë, megjithatë, dikush duhet mbetur./ ishim shumë në këtë djerrinë dhe secilit,/ në ballë dukshëm i ka gjethuar bima e keqe. (Abdullah Sidran); Prej një shpati t’i lëshova sytë,/ Kur t’i pashë o rruazat në fyt,/ Krejt prej mendjes jam habitë…(Këngë e vjetër dashurie në Rugovë); Të shkruarit është nga kënaqësitë më të mëdha për mua./ Gjithashtu është edhe një torturë e madhe./ Por është e vetmja gjë që më mban gjallë./ Është si dashuria ose si seksi. (Alice Munro). Një betejë e shpirtit tënd kundër fantazmës së/ besnikërisë. (James Joyce); Nëpër një shteg amfib/ Kristalet janë të dafinshme. (Frederiko Garcia Lorka); Ti e njeh pranverën vetëm nga lulet… (Paul Geraldy); Kujtimet ju ngrohin nga jashtë./Por ato ju shqyejnë copë nga brenda (Haruki Murakami); Qava sonte për Më vjen turp ty Arbëri/, Nuk më vjen turp pse qava/, pse s’munda të bëj tjetër/,nga turpi qava. (Azem Shkreli); Ata që deshëm dhe na lanë, athua se dinë gjë për ne? (Johan Volfgang Goethe); Sidoqoftë, ekzistonte një tunnel në s’kishte tjetër./ I errët dhe i vetmuar tuneli im. (Ernesto Sabato); E vërteta është si drita./ Ajo shkëlqen gjithmonë. (Albert Camus); Mjaft pashë…mjaft pata…mjaft njoha…(Artyr Rembo)
Në vend të përfundimit
Pavarësisht se ku e shkruan poezinë e tij, në Rugovë apo në Bruksel, në Prishtinë a në Volos të Greqisë, diku gjatë luftës në Kosovë apo në Paris, në Lubjanë apo në Sarajevë, në Suedi apo në Den Hagë të Holandës, në Milano apo në Tiranë, në Dukaj të Rugovës apo Luksemburg, në Krakovë të Polonisë apo në Vaxjo të Suedisë, në Oslo a në Auderghem, në Budapest apo “Në Jettair, Bruksel-Prishtinë”, në Avenue Victor Hugo të Parisit apo në Selanik, poeti Jeton Kelmendi: thërret gjërat e harruara.
Duke thirrur gjërat e harruara ai ia ka krijuar poezi me vlera të veçanta ideore, stilistike e estetike, si: Peja në pesë të mëngjesit, Dëshira ime në Çamëri, Dashuri në kohë lufte, Ku buron fjala dashuri, Kur u bëraushtar, Asht Malësori si dhe poezia Nëna etë zhdukurve të luftës.
E thënë me shprehjet e vargëzimit të tij: Në rrugëtimin e mendimeve të tij, zonja e parë e mendimeve të tij është fjala. Fjala e shpalosur në përmasa planetare është frymëmarrja magjike e dashurisë, është planet në vete nëpërmjet të cilës shkohet deri tek sferat më të larta, duke filluar nga njerëzorja e duke arritur deri tek hyjnorja; kurse poezia është ecje, është prekje lirke.
Në poezinë e tij, në mendimet e shpirtit – engjëllzohen fjalët sepse në artikulimin poetik të Jeton Kelmendit Fjalët janë planete, Fjalët sifrymëmarrja jote; Fjala/ është material ekrijimit/ dhe qeliza e trupit kumti.
Mbi poezinë e tij bien pamjet e natyrës së Rugovës, një zog i shenjtë që çau qiellin ndër shekujt ngritet kreshtabardhave e gjakimi për lirinë dhe për dashurinë flet me shpirt brilantengjëllor.
Në thirrjen që u bën ai gjërave të harruara zhveshen mitet dhe shpalosen realitetet, çjerren maskat e lartësohet liria, hyjnizohet dashuria e sfidohet hipokrizia.
Në dritën e fjalës ai ka shpalosur pasyqrën e shpirtit, në ligjërimin lirik e në vargëzimin spontan ai ka projektuar përjetësinë për lirinë, duke i vënë kështu në piadestal çlirimtarët dhe duke sfiduar mashtruesit dhe mëkatarët e lirisë së gjakuar kaq shumë.
Gjithsesi, ai është poeti që e ka gdhendur kronikën e kohës në ballin e thërmuar të kujtimeve: Për ata që përbeshëm ishin ushtarë; Shpirtit ia veshëm flamurin; Shpirtave t’u falim pak dashuri; vetëm me dashtë, kurrë mos me urrye; Shqipërinë një Shqipe ta kemi; Zemra kur të flet/fluturon nëpër planete e galaktika; Dashuria, kjo zeje e shpirtit; Atdheu është kryefjala e krejt/ dashurive; Dashuria në diskursin e tij poetik është krye-ëndrra qiellore, çelësi i të gjitha mbylljeve; Një stinë që i lulëzon fjalët, i shpirtëron shpirtat; Liria është çelësi i së ardhmes./ I hap derën/ Shpirtit./ Dashurisht lidh njeriun/ me atdheun,/ dy fenomenet më të dashura, më fantastike/; sepse: Kur kryearkitek është mendja,/ shpirti vetëm ndërton, prandaj: Dashuria është më e madhe se vuajtja,/ madje edhe më e madhe se qinda vjet robëri.Poezia – ashtu si edhe Peja, është fatbardha e tij.