• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AKDEMIK MARK KRASNIQI: “KURRË MOS HIQNI DORË NGA BASHKIMI KOMBËTAR”

August 26, 2016 by dgreca

Në një vjetorin e vdekjes së akademik Mark Krasniqit/

 

2 KrisniqiNGA HARRY BAJRAKTARI*/

Sot në një vjetorin e ndarjes nga jeta të akademik Mark Krasniqit, dua ta përkujtoj atë si intelektual e shkencëtar, si figurë të shquar të kombit, si veprimtar dhe mik timin personal, me të cilin pata shumë takime si në Kosovë, ashtu edhe në SHBA. Ishte mik i familjes sime, i babait tim, i gjyshit dhe i Bajraktarëve të tjerë në Vranoc. Na lidhte edhe një gjë emocionale se të dy i përkisnim fisit te Krasniqeve. Familjet tona historikisht mbanin lidhje miqësore dhe ishim bashkë në kohët më të vështira, të pandashëm dhe këmbëngules në çështjen kombëtare, sidomos për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

U lind në  Gllavoçicë të Pejës, jo larg vendlindjes sime. Njihte jashtëzakonisht mirë historinë, gjeografinë dhe etnologjinë e Lugut të  Baranit. Ishte shumë i sinqertë dhe i hareshëm në bisedë, komunikativ dhe i hapët, i dashur dhe i gjallë për të gjithë. Sa herë që ka ardhur në New York është kthyer në shtëpinë time. Ka qenë edhe në vitet e 90-ta kur u bë pajtimi i gjaqeve në SHBA. Ishte me Anton Çettën, Ramiz Kelmendin, Bajram e Nekibe Kelmendin, Azem Shkrelin, Riza Llukën e të tjerë. Për nder të këtij aksioni kombëtar bashkë me babain tim shtruam një darkë, ku akademik Mark Krasniqi foli për rëndësinë e këtyre pajtimeve edhe në diasporë. Gjatë kësaj periudhe kam mësuar shumëçka prej tij.

Ishte koha e Lëvizjes masive në Kosovë, ku edhe komuniteti ynë në SHBA, ishte pjesë e saj. Disa herë kam qenë me të në Washington për çështje të Kosovës, ashtu edhe në New York. Ka qenë shumë i dhënë pas kombit dhe bashkimit kombëtar. Thoshte, një komb i ndarë, perspektivën e ka vetëm në bashkimin e tij.

Në qershor të vitin 1991, kur doli numri i parë i gazetës Illyria, akademik Mark Krasniqi shkroi eskluzivisht  për këtë gazetë një punim shkencor që trajtonte shtrirjen e ilirëve në Ballkan. Ai vazhdoi të jetë një prej bashkëpunëtorëve më të afërt me ne.

Të rrallë janë njerëzit e tillë që me aq dashuri iu përkushtua bashkimit kombëtar që, pushtuesit në të kalurën, na copëtuan territorin tonë etnik. Amaneti i tij, para se të jepte shpirt, kishte kuptimin e një thirrje të përgjithshme: “Kurrë mos hiqni dorë nga bashkimi kombëtar”. Kjo ishte edhe ëndrra dhe kërkesa e Rilindasëve që nga Lidhja e Prizrenit e më herët, që Shqipëria jonë të ngrihej në këmbë të veta.

Akademik Mark Krasniqi ishte shkencëtar, etnograf, shkrimtar, gazetar, publicist dhe ka ushtruar disa funksione në institucionet e arsimit, kulturës dhe shkencës në Kosovë, e mbi të gjitha ishte nacionalist, njeri me kulturë të lartë dhe civilizim evropian.

Ka qenë disa herë prodekan e dekan i Fakultetit Juridik-Ekonomik, nënkryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1970) dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës.  Pas vetes la mbi 25 vepra të kategorive të ndryshme, shkencëtore e letrare.

Akademik Krasniqi ishte nderi i kombit dhe do të përkujtohet gjithnjë si njeri, veprimtar dhe shkencëtar. Me shkrimet e tij ngriti tema jetike për arsimimin e popullit shqiptar në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, fill pas Luftës së Dytë Botërore. Nepërmjet publikimeve shkencore si akademik u angazhua t’ i rrëzonte tezat hegjemoniste e nacionaliste të akademikëve serbë, të cilët Kosovën pretendonin ta nxirrnin si “Serbi të Vjetër”.

Kur në Fakultetin Juridiko-Ekonomik në Prishtinë, Akademik Krasniqi iu kundërvu përpjekjeve serbe që Kosovën ta përvetësonin si rajon të Serbisë, atë e larguan nga vendi i punës si profesor, duke shpallur nacionalist dhe, mund të thuhet se, nëse dikujt do t’ i përkiste epitetit disident në atë kohë, ky ishte Akademik Krasniqi.

Në shumë shkrime të tij ka afirmuar tolerancën fetare dhe ishte njëri prej atyre që kudo e ka theksuar këtë element të rëndësishëm për bashkimin e shqiptarëve. Ai përsëriste se shqiptarët janë një popull me një traditë dhe kulturë të vjetër ndërfetare në rajon.

Duke qenë i lidhur ngusht me të, kur vdiq, nga New York-u shkova të mirrja pjesë në ceremoninë e varrimit të këtij njeriu të madh të dijes në Kosovë, të cilit konsideroja se i kisha mbetur borxh. Gjok Geci dhe familja Krasniqi në shënjë falenderimi ma dhuruan flamurin kombëtar me të cilin ishte i mbështjellë arkivoli i tij. Këtë flamur të nderit do ta ruaj si kujtim për mikun tim të paharruar, akademik Mark Krasniqin.

Në pamundësi apo më mirë të themi në mungesë të një buçeti lulesh mbi varr nga dora ime, nga këtu ku jam në New York, e përkujtova me këto fjalë mikun tim, akademik Mark Krasniqin, vepra e të cilit do të mbetet kurorë e kombit.

New York, Gusht 2016

*Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në SHBA.

Filed Under: ESSE, Featured Tagged With: e vdekjes, Harri Bajraktari, Mark Krasniqi, ne 1 vjetorin

Vatra përkujtoi Fan Nolin, në 50-vjetorin e vdekjes

March 15, 2015 by dgreca

Nga Beqir SINA/
BRONX NEW YORK : Në kujtim të 50-vjetorit të ndarjes nga jeta të diplomatit, shtetarit, përkthyesit, priftit, poetit e historianit shqiptar të shquar, Fan S. Nolit, Federata PanShqiptare e Amerikës, mbajti, dje, një sesion përkujtimor në selinë e saj në Bronx, New York, për ta përkujtuar edhe si një nga themeluesit kryesorë të saj.
Më 13 Mars diten qe bëhen 50 vjet që kur Kryepeshkopi Theofan Stilian Noli, vdiq në Florida – SHBA, ishte Vatra, me komunetin shqiptar te Amerikës në përkujtim të 50 vjetorit të ditës, kur u nda nga jeta Noli, e kujtojë me nderim dhe respekt Imzot Nolin, themeluesin kryesor te saj – si një patriot të madh dhe klerik largpamës që bëri të mundur krijimin e Kishës Autoqefale Shqiptare, me bindjen se ne jemi të gjithë, pa dallim feje, motra dhe vëllezër Shqiptarë.
Sesionin përkujtimor e hapi Kryetari i Vatrës, dr. Gjon Bucaj, me një përshëndetje rasti. Përveç hymneve kombëtare, kumboi edhe Hymni i Vatrës, i cili u dhurua, në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, nga arkiva e shtetit në Shqipëri, nga ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Moderatori i këtij sesioni përkujtimor ishte editori i Diellit, Dalip Greca.
Pastor fr. Nathan Preston nga Kisha Ortodokse St. Nicholas bekoi takimin dhe lexoi mesazhin e Atë Arthur Liolin, Kryekancelarit të Kishës së Nolit, dërguar enkas për këtë rast. Më pas, u shfaq dokumentari ”Me Zërin e ngrohtë të Nolit”, nga Arkivi i Vatrës, i përgatitur nga “TV Albanian Culuture”.
Disa nga studiuesit e njohur të komunitetit shqiptar, erdhën në këtë sesion përkujtimor, me ligjëratat e tyre të shkurtra (mbasi të plota do të botohen në organin e Vatrës – “Dielli”): – Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu paraqiti kumtesën: “Pranimi i Shqiperise ne Lidhjen e Kombeve dhe roli i Fan Nolit”; – Poeti, studiuesi, ish editor i Diellit- Anton Cefa: “Vatra”, Noli, Konica dhe Wilsoni”, – Gazetari dhe ish drejtori i Zërit të Amerikës për Europën dhe Azinë, Frank G. Shkreli “Noli dhe Gurakuqi, Role të mëdha në fatin e kombit” – Ish gazetari i TV të Prishtinës, ish kryeredaktor i gazetës “Illyria”, Sinan Kamberaj: “Noli në fushën e letrave, poet, përkthyes e historian” – Ish gazetari i “Zërit të Amerikës”, studuesi Idriz Lamaj “Noli, Konica, Mbreti Zog- përpjekjet për një Qeveri në mërgim – Letra origjinale” – Editori i Diellit, Dalip Greca “Vatra, Dielli dhe Përcejellja e Imzot Nolit 50 vite të shkuara nga Shqiptarët e Amerikës. Veprimtaria e poetesha Rita Saliu, përshëndeti me një pozi kushtuar Nolit.
Nepermjet kumtesave iu dha nje rendesi e vecante vendit qe kishte diaspora shqiptare në SHBA, sidomos Vatra dhe Noli për ate periudhë historike të kombit shqiptar.

Filed Under: Featured Tagged With: 50-vjetorin, Beqir Sina, e vdekjes, Vatra përkujtoi Fan Nolin

ELEZ ISUFI NE NJE PULLE POSTE NE 90-VJETORIN E VDEKJES

March 3, 2015 by dgreca

Posta Shqiptare me rastin e 90 vjetorit të heroit kombëtar, mbrojtësit të kufijëve nga dyndjet e sllavëve, Elez Isufit, Gjeneralit me shajak- dekoruar edhe nga Perandori Franc Jozef, ka emetuar një pullë postare me portretin e heroit, i cili me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë u nderua nga Presidenti I Shqipërisë, Bujar Nishani, me urdhërin”Nder Ii i Kombit”. Pulla me portretin e Elez Isufit ka përmasat 30 x 40 mm.
PO KUSH ESHTE ELEZ ISUFI, ARUSHA E MALIT-GJENERALI ME SHAJAK?
Risjellim nga arkivi i Diellit artikullin e Naim Plakut me titull:
ELEZ ISUFI- FUQI, BESË, SHPËTIM DHE SHPRESË PËR KOMBIN /
Në analet e historisë sonë kombëtare, nga kohërat më të lashta e gjer tek më të rejat, Dibra ka qenë kurdoherë e pranishme dhe ka pasur peshë të rëndësishme, shpesh dhe përcaktuese, në lëvizjet tona kombëtare për liri dhe pavarësi, duke u dhënë këtyre pasazheve dhe peisazheve pikante ngjyrën e gjakut të kulluar të lirisë. Pozicioni i saj gjeofizik, një luginë e bukur e pjellore plot dritë e gjelbërim në rrjedhën e mesme të Drinit të Zi, me ujëra të kulluar e pyje madhështorë, përtej dallgëve të kripura të detit, kënetave dhe moçaleve, të verdha e të mpira, e mbrojtur nga një kurorë malesh të lartë në perendim e në lindje, tërhoqi lakmitë e pushtuesve duke filluar nga falangat e ushtrive romake e gjer te urditë shoviniste sërbe. Prandaj themi me të drejtë se Dibra ka histori. Kjo histori ka brenda saj ngjarje, perpjekje, luftëra, qëndresë madhore, ka tym të zi e gjak të pastër, besë të rëndë dhe hakmarrje vigane, ka luftëtarë e martirë, dëshmorë e heronj të vërtetë, prijësa të shquar e trima mejdani, ka varre lapidarë dhe këngë frymëzuese…
Ngjarjet që ndodhën në gjysmën e dytë të shek XIX dhe fillimin e shek.XX që shënojnë dhe fundin e sundimit otoman dhe kurorëzohen me shpalljen e Pavarësisë e bëjnë Dibrën epiqendër të përpjekjeve shqiptare për liri e pavarësi. Mjerë kush s’e njeh dhe s’e do! Le të kujtojmë qëndresën vigane kundër reformave të Tanzimatit, kontributin dibran në Lidhjen e Prizrenit, përpjekjet për gjuhën dhe shkollën shqipe, kryengritjet antiosmane për shpalljen e Pavarësisë, kuvendet, kararet dhe itifaket, besëlidhjet e famshme, prologun e gjithë atyre betejave legjendare, nga dolën heronjtë pishtarë të qëndresës popullore. Kurora e lavdisë dibrane është, padyshim, epopeja e luftrave 9-vjeçare kundër pushtuesve sërbë 1912-1921, përcaktuese në kufinjtë që kemi sot, e dhimbshme gjer në palcë, por madhështore gjer në pavdekësi, të cilën gishta të shkapërderdhur historianësh ose e kanë prekur pak, ose e kanë shkruar keq. Mjerë ata që luajnë me të vërtetën!
Sado të keqinerpretohen apo të keqpërdoren, memoria e shëndoshë e kombit kurrë nuk do të fshijë emrat e mëdhenj të patriotëve tanë. Ata janë si lulet që mbijë e lulëzojnë, sa herë fryjnë erëra të ngrohta behari. Të tillë janë Cen Leka e Salë Markja, Sheh Zerqani e Fejzë Bulqiza, Dan Cami e Iljaz Dibra, Selman Alia e Llan Kaloshi, Selim Rusi e Jusuf Bageri, Sefedin Pustina e Ismail Strazimiri, Baftjar Doda e Mustafë Lita, Hoxhë Voka e Hoxhë Muglica, Elez Isufi e Sufë Xhelili e plot të tjerë.
Elez Isufi hyri si meteor plot dritë e shkëlqim në orbitën e përpjekjeve shqiptare për liri dhe pavarësi, kur ishte djalë i ri 17 vjeç. Familja e tij kishte pak kohë që ishte vendosur në një mjedis interesant. Një shtëpi e thjeshtë majë një kodre mes gjelbërimit dushkor të Lugjepravës, në të djathtë të Drinit, që shpejt do të kthehej në një copëz parajse me bimë e pemë gjithfarësh dhe me një kullë-fortesë majë kodrës. Djali i ri, i pajisur nga natyra me dhunti të jashtëzakonshme, i rrahur që fëmijë nga erërat e luftës dhe barotit, i pjekur në kuvende burrash, i rritur dhe i kalitur në mejdane trimërie, nën kujdesin e një nëne malësore të mençur dhe bujare, të ashpër e kryelartë, por dhe të dashur e fisnike, ziente përbrenda si një vullkan që priste për të shpalosur mrekullitë e shpirtit shpërthyes e liridashës, të një mendjeje të ndritur e të një pasioni të fuqishëm, me sy të mprehtë e vëzhgues, me atë gjoks të gjërë e të rëndë si shkëmbi majë një mali, tërë forcë e energji vepruese për të nisur vepra të mëdha. Kështu e gjejnë atë ngjarjet e Lidhjes së Prizrenit. Vëllai i tij Xhelili, sapo ishte kthyer nga misioni historik në roje të besëlidhjes së madhe të Prizrenit së bashku me Xhafer e Baftjar Dodën, kur vdiq papritur në një moshë të re. Nga kjo kohë Elez Isufi mbajti mbi supe barrën e rëndë të familjes dhe misionin e lavdishëm të mbrojtjes së atdheut, në një nga periudhat më kritike të historisë sonë. Emri i tij shpejt do të bëhej i njohur, por dhe i frikshëm për armiqtë dhe tradhtarët. Ai do të bëhej udhëheqësi më popullor dhe më i besueshëmi, më i thjeshti dhe më i dashuri, prijësi i lavdishëm i vegjëlisë. Ai ishte simboli i besës dhe i bujarisë, i sakrificës dhe i trimërisë, burri i mençur i Dibrës dhe strategu i luftrave popullore, heroi i betejave legjendare, kreshniku i maleve tona dhe diplomati i pagabueshëm me opinga lëkure e kësulë të rrafshët dibre që u jepte drejtim kthesave më të vështira historike.
Janë mbi 46 vjet të jetës së tij të mbushura me shqetësime të panumërta për mbijetesë kombëtare, vite luftërash e betejash, vite qëndrese, krenarie e lavdie në mbrojtje të trojeve tona, të nderit e të dinjitetit shqiptar. Po të ecësh në gjurmët e këtij gjysëmshekulli të jetës së tij, nuk do të gjejsh asnjë vit të papërgjakur, asnjë muaj pa tym betejash e plagë lufte, asnje ditë të qetë e pa krisma pushke. Të gjitha mbulohen, si për çudi, me një aureolë të ndritshme, me një piskamë tronditëse të thirrjes së fuqishme “ A besë-a- besë, o burra, për hatër të këtij vatani”! Dhe ngriheshin 7 e 70, përmbysej nata dhe vraponin malet, konak e oxhak mblidheshin tek pesë krismat e pushkës habertare. Dhe gjithkush pyet me të drejtë:- Ku e kishte, vallë, gjithë këtë fuqi ky njeri, ky djalë, ky bir, ky burrë? Ai e kishte fjalën fjalë e besën besë. Nga syri i tij plot dritë buronte mirënjohja dhe nderimi për njeriun e mirë, dora e tij e bardhë shtronte bujari dhe nga gishti tregues shpërthente flaka hakmarrëse për armiqtë.
Çdo beteje çiftelia i vinte pas. Tregojnë se kanë qenë mbi 20 këngë që trimëria i ka kënduar pushkës dibrane dhe prijësit të saj Elez Isufit. Ne kemi arritur të mbledhim të plota rreth 13 prej tyre, pa llogaritur këngët që i janë kushtuar atij pas vdekjes. Kënga në atë kohë ishte vlerësimi më dinjitoz për dike që e meritonte. Ishte medaljon, urdhër, ishte titull nderi e lavdie, ishte dekoratë, lapidar e monument. Kënga bënte portretin heroit, por edhe te tradhtarit. Ndaj kënga dibrane, si më e fuqishmja në trevat shqiptare, ka bërë vlerësime dinjitoze. Elez Isufin e ka quajtur arushë mali, që s’i tutet as mbretit e as kralit, burrë zotni, që Petre Kralit i rri karshi, trim me shtatë zemra, shqipja e malit që faron asqerët e kralit, ylli i mejdanit, besa e burrit, salltanet ndër krala, etj. duke i dhënë urimin e zemrës:”Gjeç rahmet, o Elez Aga”! Në dy vargje të një kënge popullore jepet qartë qëndrimi që mban populli ndaj dy figurave:
Ahmet beg, nip i Toptanit, (Është fjala për tradhtarin Esat Toptanin).
Elez aga, arusha e malit.
Duke ecur gjurmë pas gjurme të jetës së tij e shohim se si rritet dhe madhohet në sytë e popullit personaliteti i udhëheqësit. E nisi rininë e hershme si bari dhish dhe shpejt e shohim të ngrihet si një zë të fuqishëm kryengritës kundër shtypjes e padrejtësive. Vihet në krye të një çete komitësh si dalëzotës i mallit në fshatrat e Rekës duke vendosur rendin e qetësinë. Gradën si çaush i një poste e shfrytëzoi për të përzënë turqit e Sllovës dhe ky akt do të ishte prologu i gjithë kryengritjeve të mëvonshme antiosmane deri në shpalljen e Pavarësisë. Në vitin 1899 është pjesëmarrës në Kuvendin e Qarnanicës krahas burrave të pjekur për miratimin e vendimeve të Lidhjes së Pejës, për unifikimin e veprimeve luftarake të kërkesave të parashikuara nga besëlidhja e madhe.Turqit e shikojnë si një element shumë të rrezikshëm dhe kërkojnë ta eleminojnë. E arrestojnë dhe e burgosin në Manastir. Në vitin 1902 arratiset nga burgu. Udhëheq një çetë të armatosur, e cila kryen disa aksione të guximshme në Dibër të Poshtme. Në vitin 1908 Elez Isufi me çetën e tij siguron zhvillimet normale të punimeve të Kongresit të Manastirit. Ai tashmë ishte njohur dhe miqësuar me shqiptarët më me peshë të Perandorisë dhe kishte përvetësuar platformën e rilindasve. Në maj 1910 në krye të më se 2000 dibranëve shkon në mbrojtje të Kosovës dhe merr pjesë në luftimet e përgjakshme të Qafë-Prushit. Arrestohet dhe dërgohet në burgun e Manastirit. Më 27 mars 1912 nën kryesinë e tij dhe Selman Alisë shkrepi krisma e parë e çetave kryengritëse dhe formohet Komiteti Nacional i Dibrës. Elez Isufi ishte flamurtari më i flaktë i sulmit të përgjithshëm. Kryeson delegacionin që niset në Prishtinë më 6 gusht dhe takohet në Ferizaj me Hasan Prishtinën, Bajram Currin e Isa Boletinin, të cilët do t’i lidhë, siç dëshmojnë ngjarjet e mëvonshme, miqësia e përjetshme. Caktohet delegat për në Vlorë, por ngjarjet që rrodhën me vërtik, e penguan këtë udhëtim historik. Me Ismail Qemalin ai do të takohej më 14 gusht 1913, pak muaj pas shpalljes së Pavarësisë duke mbyllur kështu njërën prej faqeve të historisë së lavdishme.
Lufta me sërbët është padyshim më tragjikja për Dibrën. Elez Isufin e kemi në krye të kësaj epopeje 9-vjeçare. Në nëntor, 20 ditë para shpalljes së Pavarësisë sërbët hyjnë në Lumë, Shkodra rrethohet nga malazestë. Elez Isufi me një pjesë të dibranëve kthen nga rruga për në Shkodër dhe hidhet në betejën e famshme të Kolosnjanit, kundër armikut rezil që tashmë kishte trokitur te porta e nderit. Fitorja e kësaj beteje qe befasuese. Bisha tërbohet dhe më tepër dhe mësyn e pushton Dibrën e Madhe dhe viset gjer në Dri, pikërisht një ditë para se Plaku i Vlorës të ngrejë flamurin e lirisë. Një natë të bekuar ai me shumë zgjuarsi arrin të çajë rrethimin e kullës dhe të shpëtojë 70 anëtarët e familjes dhe vetë arratiset në mal. Sërbët djegin kullën, por flamurtarit të rezistencës i rritet nami fort, sa që fillon ta dëgjojë dhe Evropa e shurdhër. Në shtator fillon kryengritja e madhe dhe brenda një nate korret një fitore tjetër historike. Në tetor fillon ofensiva sërbe me terror të padëgjuar në masën e popullsisë. Digjen e shkretohen tërë viset shqiptare në dy anët e Drinit të Zi. Shpërngulën mbi 20.000 dibranë. Elez Isufi shkon pak kohë të luftojë në Shkodër kundër malazezve. Në vitin 1914 qeveria e Durrësit e ngarkon të ruajë rendin e qetësinë nga provokacionet sërbe. Në mars 1915 mblidhet një kuvend i madh në Sohodoll dhe vendoset për të luftuar lëvizjen esadiste. Në dhjetor të atij viti ndizet Lufta e Kaushit, një ndër kulmet e fitoreve, ku futet në darën e hakmarrjes popullore një divizion sërb që priste të kalonte në Durrës. Në tetor 1918 Dibra bije sërish nën kthetrat sërbe, tashmë krejt e lodhur dhe e përgjakur.
Në gusht 1920 formohet ajo që njihet si qeveria e Arrasit. Mblidhet kuvendi i madh dhe zgjidhet një komitet lufte me komandant të forcave kryengritëse Elez Isufin. Shpërtheu kryengritja që ndezi mbarë Dibrës flakën e fitores. Në Lanë-Lurë, në një ditë breshëri dhe shiu, ndizet beteja e përgjakshme e vendimtare për fitore. Elez Isufi qe kundër synimeve diktatoriale dhe mbështeti gjithmonë krahun e demokratëve përparimtarë si Hasan Prishtina, Ramiz Daci, Ramiz Dibra,etj. Në dhjetor 1921 i tërheq vemendjen parlamentit për të thirrë Asamblenë Kushtetuese. Në prill 1922 gjykata ushtarake e dënon me vdekje. Udhëheq Lëvizjen e Marsit dhe falanga e tij me malësorë, e kalitur në qindra beteja, pas luftimeve të ashpra, hyn triumfalisht në Tiranë:
Meleq Frashni, mor budallë,
Mos u dil para Reç-e-Dardhë!
Reç-e-Dardhë mos u dil para,
Çe nand vjet luftojnë me krala!
Ahmet Zogu fillon spastrimet me vrasjen e kundërsharëve. Me Plakun e Sllovës fillimisht nuk pati sukses, se ai e mbante pushkën për syri ngulur te kulla e Ndreut, e cila në preludin e Revolucionit të Qershorit mblodhi në gjirin e saj qindra patriotë e malësorë duke u kthyer në qendër organizative për tërë Dibrën. Demokratët e vërtetë e mbështetën këtë revolucion, sepse e shikonin si një mundësi për realizimin e aspiratave të tyre, megjithatë ishin të detyruar ta mbanin syrin dhe veshin zgjuar, sepse diçka e zezë po lëvizte matanë dhe përbindshi i kahershëm sërb duke derdhur arin si ujë në xhepat e lakmitarëve tradhtarë, rigjallëroi shëmtyrat e kombit dhe vuri në lëvizje kthetrat e gjakosura të hasmit të vjetër. Kështu zbritën nga Skërteci në mesin e dhjetorit hordhitë mercenare e tradhtare, rusë të bardhë e sërbë të zinj të Pashiqit, drejt Peshkopisë, ku ishin forcat vullnetare me në krye Elez Isufin. Disa nga paria dibrane, e zverdhur e xheloze, dinake dhe tinzare, e shitur për pesë pare, duke shkelur mbi gjakun e kulluar të lirisë, shtriu dorën e zezë të tradhtisë dhe vrau në pabesi shqiponjën e betejave liridashëse, Sufë Xhelilin dhe kreshnikun e maleve Elez Isufin, ata që kënga do t’u vinte pas vit pas viti e brez pas brezi:
Çou, Elez, thërrasin malet
Besë-a-besë përmbi urdi,
Herë me mbret e herë me kralët
Për vatan e për liri!
Kam shpresë se historia do të trokasë shpejt në mendjet e turbulluara, do të zhvishet nga gjethet e thara dhe do të zbulojë fytyrën e bukur të së vërtetës e do t’iu thotë me zë të qartë: – Ja ku jam e kush jam!
Janë disa burra të cilët nuk e kanë ndjekur lavdinë, por ajo u ka shkuar pas. Dhe nuk kanë nevojë fare as për grada, as për lavdi e as për monumente. Elez Isufi dekorohet nga perandori i Austro-Hungarisë me urdhërin “Franc Jozef Orden” për luftë kundër sërbëve. Për meritat e tij si udhëheqës gradat më të larta ia vuri në gjoks populli i tij: Komandant, gjeneral, burrë burrash, shqipe mali, i pari i të parëve, kreshniku i Dibrës, bajraku i mejdanit, diplomat, Plaku i urtë i Sllovës, njeriu që i ka fry hizri në gojë, etj.
Për Elez Isufin u shkrua shumë në shtypin e kohës duke i veshur cilësitë më të larta. Janë shkruar e vazhdojnë të shkruhen biografi, monografi, vepra letrare, këngë, poezi, drama, romane, kujtime, etj. Ai është përfshirë gati në të gjitha botimet historike të peridhës që jetoi, diku më pak e diku më shumë, sepse dhe më të padëshiruarit i ngecet penda para veprës së tij dhe s’mund të bëjë kapërcime revansh. Shumë historianë e kanë quajtur strateg luftërash, kryetrim, Roja e Kufirit Shqiptar. Të huaj e vendas janë ndalur shpesh te figura e Elez Isufit. Roze Lang, shkrimtare amerikane e quan Trim i Dibrës dhe britaniku Barnes patriot të madh. Vrasja e albanalogut kroat Milan Shuflaj që u thirr urgjentisht nga sërbët pas vizitës në shtëpinë e Elez Isufit ishte e sajuar nga ana e tyre për të eleminuar një personalitet me rëndësi që do të shkruante të vërtetën për trimin e Dibrës. Nermin Vlora i quan Elez Isufin dhe Isuf Xhelilin trima madhështorë që u vlon ndër deje gjak shqiptar. Filozofi Isuf Luzaj e quan njeri të hekurt që i tansformonte njerëzit e thjeshtë në heronj. Fan Noli flet me simpati për gegën e mençur, trim e të pashoq. Skëndër Luarasi në librin që i kushtohet Isa Boletinit tregon për dy netët e këndshme që kaloi në kullën e Plakut të Sllovës, kur po udhëtonte drejt Vlorës. Por shkrimet më të mira që e ngrejnë lart figurën e tij si patriot, -thotë në kujtimet e tij Ismail Strazimiri, – janë burimet e shumta arkivore sërbe që flasin me mllef të pashoq për heroin tonë.
Një monografi dinjitoze për gjeneralin me shajak ka shkruar Xhafer Martini. Haki Sharofi ka lënë në dorëshkrim kujtimet e tij me vlerë. Haki Stërmilli e ka personazh kryesor në dramat e tij historike, Rexhep Krasniqi e quan shtyllë të sigurtë të vijës kufitare verilindore, Ibrahim Farka i thotë trim legjendar, Abdulla Çanga kujdestar plot pasion për shkollën dhe arsimin shqip, që bën epokë dhe sjell pavekësinë shprehet për të historian Gafurr Zoto, ndërsa një ndër personalitetet më premtuese e më të talentuara, prifti shkodran Dom Lazër Shantoja, i pushkatuar më 1946 nga diktatura, e ka personazhin kryesor të dramës së tij historike “Kuvendi i dëshmorëve”. Ai e vizitoi në Sllovë dhe shkruan me shumë simpati për personin që çdo send tjetër para tij humb interesin. Në këto 5 rrokje secili shqiptar shef njeriun me famë legjendare, që ari i sërbisë nuk mundi me e thye kurrë. Elez Isufi! Fuqi, shpresë, kërcënim!- shkruan ai, i cili, siç thotë Irfan Tërshana, u thirr nga Perandori si njohës i shkëlqyer i gjermanishtes, të përkthente fjalët e malësorit të Dibrës, që e kishte ofruar për dekorim.

***
I solla këto jo se ata janë pak të njohura, por më shumë si një kujtesë historike në këtë 100-vjetor të krenarisë kombëtare, ku secila figurë duhet të gjejë vendin e vet. Trimi, ku ka vënë këmbën, ka ngritur dhe muranën. Është një vend këtu në Tiranë që quhet “Qoshja e Elezit”. A thua nuk e meriton një përmendore? Fatmirësisht pasardhësit e kësaj dere të ndritur nuk e kanë humbur shkëlqimin. Unë u ndala te lufta e Dibrës dhe posaçërisht tek njera prej figurave të saj, për të cilin, fatkeqësisht, historia e ka mbyllur njerin sy. Por, nga kjo dritare shfaqen e gëlojnë qindra e qindra ngjarje dhe figura të ndritura të Dibrës, që, padyshim, duhen vënë sipas meritës në pjedestalin e lavdisë kombëtare dhe kurrë sipas shijeve dhe interesave personale.

Filed Under: Histori Tagged With: e vdekjes, Elez Isufi, NE 90-VJETORIN, NE NJE PULLE POSTE

Dënime për predikuesit e vdekjes

April 5, 2014 by dgreca

Fakti se grupet terroriste në Siri,luftuakan për një shteti islamik,ishte arsye e mjaftueshme që vahabistat e infiltruar në vendin tonë,të lidhur me rrjetin terrorist “Al-Kaida” në shtetin mbi shtet të Naim Tërnavës që vepron jo vetëm në-por mbi Kosovë, të dërgojnë djem të ri shqiptar si “ushtarë të allahut” për të shkaktuar terror dhe mbjell vdekje e shkatërrim në vende të huaja.

Këto grupe militantësh vahabisto-salafist,bashkë me luftëtarët e indoktrinuar që do kthehen nga andej, ëndërrojnë që jo vetëm në Siri e Irak, por edhe në Kosovë të krijojnë një shtet islamik me kryetar Shqfqet Krasniqin,ku do të qeverisej sipas “ligjeve” të sheriatit dhe rregullit të kamxhikut,prerjes së duarve dhe sakatimit të pjesëve tjera të trupit në mënyrën më primitive dhe kriminale, siç veprohet në vendet përhumbura arabe me stad mesjetar zhvillimi.

Brengës se në Siri u vranë dhjetëra terroristë shqiptarë ku luftojnë disa qindra sish nga Kosova, Shqipëria dhe trojet tjera etnike,këto ditë i`u shtua edhe një rast i një kamikazi trushpëlar nga “fjalimet” me porosi islamiko-terroriste të Shefqet Krasniqit, i cili vrau hiq më pakë se 52 irakian të pafajshëm në atdheun e tyre të përçarë, ani pse me shqiptarët dhe vendin tonë, ata nuk patën kurrë luftë as konflikt.

Fajtor për të gjitha këto sa ndodhin me të rinjtë tanë të varfër e të papunë, janë imamët e tipit ekstremistë, vahabisto-salafist, të cilët nëpër xhamitë e Kosovës, kanë përjashtuar historinë dhe traditën tonë kombëtare e humane, duke i zëvendësuar ato me xhihad e doktrina islamiko-vrastare, dhe rekrutuar pa dijen e prindërve, dhjetëra e qindra të rinj për agjendat e “Al-Kaidës” dhe terrorizmit ndërkombëtar, si në Siri, Turqi e Irak deri më tani,e kushedi edhe në sa vende tjera nesër dhe në të ardhmen.

Krasniqi dhe disa hoxhallarë të tjerë që me sa duket poshtërimin dhe nëpërkëmbjen e popullit shqiptar e kanë shndërruar në pjesë të jetës dhe misionit të tyre antikombëtar, derisa edhe festimin e ditëlindjes së të rinjve shqiptar e konsiderojnë devijim, në anën tjetër mu ata nuk prajnë duke mashtruar dhe keqpërdor pozitën për të rekrutuar të rinj,nxitur urrejtje e dhunë mes njerëzve,me keqpërdorimin e fesë për luftëra, terrorizëm,dërgim shqiptarësh në beteja të huaja dhe kontrabandim të gjithfarë-llojshëm antikombëtar.

Mashtrues të prapambetur dhe agresiv si Shefqet Krasniqi, Enis Rama, Fuad Ramiqi, Irfan Salihu e të tjerë, janë kthyer jo vetëm në rrezik serioz për vendin, por edhe si predikuesit më vdekjeprurës për të rinjtë tanë, të cilët me Kuran në dorë dhe “allahun” në gojë, pa kursyer jetërat dhe vuajtjet e tyre, i vjedhin nga familjarët pa paralajmërim për ti quar në luftëra dhe fushëbeteja të huaja, pa i njoftuar kurrë mbi shkakun as destinimin.

Ata keqpërdorin pa asnjë respekt traditat,tolerancën dhe të kaluarën tonë njerëzore,duke shfrytëzuar çdo mundësi veprimi, përfshi edhe keqpërdorimin e mjeteve të informimit publik për nxitjen e mosdurimit, shpërndarjen e urrejtjes në mes të njerëzve dhe shkelur me të dy këmbët mbi historinë,të kaluarën dhe të tashmen tonë,të cilët jo vetëm se sot përdhunojnë kushtetutën e vendit,por nesër mund të kërkojnë shtet islamik me ligje të sheriatit edhe në Kosovë.

Heqja e kokave, dhe prerja e njerëzve për së gjalli (në anën e sipërme të qafës) me shpata dhe hanxhar, shoqëruar me ulërima trishtuese “allahu akbar”, para masës se ekzaltuar, është vepër terroriste, është terrorizmi vet .Kjo nuk ka të bëj asgjë me fe as me Zot.

Se nga e morën këtë ide oportuniste dhe utopike hamam- imamët e tillë, se Zoti i pranuaka shqiptarët vetëm si vrasës në parajsë, këtë nuk mund ta dijë askush përveç “kogjabashëve”(qeveritarëve) vendor të cilët, pasi që e rjepën shtetin me hajni,nepotizëm e korrupsion,nuk e patën aspak problem tu epnin aq shumë fushëveprim dhe liri të pafund edhe folkloristëve agresiv të terrorizmit islamik në vendin tonë.

Atyre të cilët pa fije turpi, ndrojtje as kontrolli ligjor ,për vite të tëra vazhdojnë ti mashtrojnë të rinjtë tanë dhe ti dërgojnë në vdekje të parakohshme, duke i mashtruar dhe mësuar mbrapsht se tek “perëndia shkohet vetëm duke vrarë”,duhet treguar vendi, dhe paguar haku,një orë e më parë, siç e duan rregullat e ligjit kundër terrorizmit dhe civilizimit mbarënjerëzor kudo në Botë.

Përveç qindra arsyeve tjera, kemi edhe aktin më tragjik të këtyre ditëve nga një shqiptarë i indoktrinuar nga Shefqet Krasniqi, i cili kreu një sulm terrorist në Irak,ku la 52 të vrarë.

Përveç qeverisë e cila u ka hequr tërë frenjat predikuesve të terrorizmit islamik në Kosovë, na bëri të gjithëve ta përjetojmë rëndë këtë ngjarje dhe ktheu kujtesën e plagëve tona të cilat ende kullojnë gjak, që nga lufta jonë -jo e largët, kur islamistët jo vetëm se solidarizoheshin me vrasjen e fëmijëve tanë, që kryenin pushtuesit, por ndanin një m… bashkë me ta, siç vazhdojnë ta hanë edhe sot me Serbinë, shumica prej tyre.

Ndaj në këtë rast,natyrshëm ne solidarizohemi me familjarët e viktimave të pa fajshme nga një terrorist që për fat të keq doli të jetë pjesëtar i kombit tonë dhe nxënës i Shefqet Krasniqit i cili sipas mësimeve të tij “hyjnore” u mori jetën pa hak as hile gjithë atyre njerëzve në vend të vet.

Poashtu çdo shqiptar i Kosovës që e ndjen veten ende të tillë dhe besimtar i ndershëm e tradicional, pajtohet plotësisht me deklaratën e SPBI (Sindikata e Punëtorëve të Bashkësisë Islame) e cila me të drejtë theksoi se të gjithë ata imam të cilët thërrasin të rinjtë tanë për të shkuar në fushëluftime të huaja,janë njerëzit më të ligë të fesë dhe të kombit.

Kjo edhe për faktin se ne si popull liridashës, për afro një shekull robëri,kemi bërë luftë e përpjekje për çlirim,por kurrë nuk kemi përdor, as kundër pushtuesve tanë akte terroriste.

Vrasja tinëzare dhe hedhja në erë duke marrë jetën e mbi 50 shtetasve të huaj dhe lënë jetim qindra fëmijë të pafajshëm, në vendet e popujve tjerë, pa qenë në konflikt as në luftë me ta,nuk kanë qenë kurrë karakteristika të popullit tonë.
Ky, akt terrorist dhe turp i papresedan,mund të jenë vetëm mësime të terroristëve islamik dhe predikuesve të vdekjes-vahabisto “shqiptar” ndaj, në mënyrë që akte të tilla të mos përsëriten më,këta predikues duhet gjykuar dhe dënuar, sa më shpejtë, rëndë dhe me shumë vite burg.

Të gjithë ata të ashtuquajtur imam që për vite të tëra guxojnë të nxisin urrejtje dhe mbjellin terror në shpirtrat e të rinjve tanë,duke i dërguar edhe në luftëra të huaja për ti bërë mish për top, në vende të largëta e të panjohura për ne, me të cilat dëshirojmë të rrimë në distancë kështu si jemi dhe nuk duam as vdekja të na bashkojë,duhet izoluar në karantina të veçanta,vënë shenjat dalluese të vdekjes në ballë, dhe të vendosen tabela me shënime për rrezikun që u kanoset të gjithë atyre që bien në kontakt me ta.

Predikuesit shqipfolës të vdekjes dhe tradhtarët më të rrezikshëm që tash për tash ka kombi shqiptar me aktet e tyre duan që bota e civilizuar e cila ndihmoi çlirimin e vendit tonë,të na kthej shpinën përgjithmonë. Ata, janë shëndrruar në një drogë psikike të cilët pa asnjë ndrojtje, mashtrojnë dhe marrin në qafë fëmijët tanë të pafajshëm. Ndaj,sa nuk është mbytur çdo masë durimi dhe shpërthyer ndonjë luftë civile, e cila nëse vazhdojnë këto trende,nuk mund të shkojë largë,të mbyllen ideatorët dhe programuesit e vrasjeve. Përndryshe një ditë do të detyrohemi që me të gjitha mjetet, ti mbrojmë fëmijët tanë nga indoktrinimi dhe përgatitja për vdekje të paarsyeshme dhe të parakohshme nga predikuesit e terrorizmit. Dhe sa s’është bërë vonë, duhet medoemos që për kategorinë e përmendur të keqbërsëve, të vihen në fuqi ligjet e luftës dhe frymëzuesit e këtyre tragjedive të ndiqen penalisht për terrorizëm ndërkombëtar.

Të njëjtit “predikues”dje kërkonin shamia,sot luajnë me luftë e eksploziv në Siri, Turqi e Irak, nesër do të kërkojnë bomba për hedhjen në erë të besimtarëve shqiptar nëpër faltoret tona, nxënësve nëpër shkolla, udhëtarëve nëpër stacione trenash, autobusësh,aeroport etj, ndaj për të çliruar plotësisht shpirtin e popullit tonë të shumëvuajtur nga “katil” të tillë të shpirtit dhe jetës së njerëzve të pafajshëm, duhet që sa më parë, të gjithë predikuesve shqipfolës të vdekjes dhe terrorizmit në vendin tonë, me urgjencë tu hiqet shtetësia dhe dëbohen përgjithmonë në vendet me mësime terroriste, prej nga kanë ardhë, pa të drejtë kthimi në Kosovë, Shqipëri dhe të gjitha trojet tona shqiptare kudo që ato janë.

Gani Qarri Cyrih 4 Prill 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: Denime per predikusit, e vdekjes, Gani Qarri, grupet terroriste në Siri

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT