• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Duka Brunswick, Saimir Mane, Edi Rama dhe sipërmarrja mafioze

July 20, 2018 by dgreca

PYBWzEUU-Nëse në Zvicër do të dilte ndonjë individ si kryeministri Edi Rama me kazma e rruspa për të rrënuar ndonje objekt me vlerë identitare për Konfederatën, ai do të përfundonte ose në bangën e të akuzuarve, ose në ndonjë klinikë psikiatrike për mani monumento o kulturoklaste, ndërsa në Shqipëri numri një i qeverisë po e shemb Teatrin Kombëtar, pa marrë parasysh se është pronë publike dhe trashëgimi kulturore e Sovranit. Sipas skenarit të tij makabër, teatri do të shembet nga sipërmarrësi abuziv, i cili do ta ndërtojë teatrin e ri falas, në këmbim të territorit prej të cilit do të përfitojë të paktën 10-20 fish të vlerës.-

1 elida3

Nga Elida Buçpapaj/

Monumenti Brunswick në zemër të Gjenevës, i klasifikuar si monument historik, është një nga mrekullitë e qytetit buzë Liqenit Léman. Kush e viziton qytetin, nuk mund të mos impresionohet nga ky Mauzole me stil gotik, sipas modelit të Arche Scalgari di Verona, një kryevepër e artit monumental e shekullit XIV që ndau Mesjetën nga Rilindja.

Duka Brunswick Charles d’Este-Guelph, linguist, muzikolog, kalorës, i lindur në një dukat të Gjermanisë të sotme më 1804 detyrohet të shpërngulet në egzil më 1930 në Londër, Paris dhe në fund në Gjenevë, ku vdes në vitin 1873 dhe gjithë pasurinë në vlerë 24 milionë franga, që sot konvertohen në 1 miliardë franga, ia dhuron qytetit me kusht të një funerali të dinjitetshëm dhe ndërtimit të një monumenti që do të mbante emrin e tij.

Kërkesa e tij shkaktoi debat, por në fund u pranua. Monumenti i Brunswick, që ndodhet në Quai du Mont Blanc, është një varr i ndërtuar sipas modelit të Arche Scalgari të Veronës, dëshirë që Duka e kish shprehur në testament, përfundoi në vitin 1879 dhe sot shteti zviceran e njeh në inventarin e monumenteve të kulturës të Konfederatës Helvetike si një objekt me rëndësi kombëtare.

Ky monument me rëndësi kombëtare i dedikohet një aristokrati gjerman në egzil, që dashurinë për qytetin e tregoi duke ia falur pasurinë. Dhe Gjeneva e bëri të pavdekshëm, duke shkëmyer dashurinë me dashuri. Merrni me mend se i çfarë rëndësie kombëtare është Teatri Kombëtar i një vendi!

E solla këtë histori për të vënë në spikamë vlerat e Monumenteve të Kulturës që i merr në mbrojtje shteti. E solla këtë histori për të vënë në dukje edhe kontributet e individit. Kështu ndodh në Zvicër dhe në çdo vend të civilizuar në Perëndim. Sipërmarrja i kontribuon kulturës, sportit, vendit pa shpërblim! Krejt ndryshe me çka po ndodh në Shqipëri, ku kryeministri i vendit dhe një sipërmarrës mafioz i janë përveshur rrafshimit të Teatrit Kombëtar, që përfaqëson një Monument të identitetit tonë kombetar.

Nëse në Zvicër do të dilte ndonjë individ si kryeministri Edi Rama me kazma e rruspa për të rrënuar ndonje objekt me vlerë identitare për Konfederatën, ai do të përfundonte ose në bangën e të akuzuarve, ose në ndonjë klinikë psikiatrike për mani monumento o kulturoklaste, ndërsa në Shqipëri numri një i qeverisë po e shemb Teatrin Kombëtar, pa marrë parasysh se është pronë publike dhe trashëgimi kulturore e Sovranit. Sipas skenarit të tij makabër, teatri do të shembet nga sipërmarrësi abuziv, i cili do ta ndërtojë teatrin e ri falas, në këmbim të territorit prej të cilit do të përfitojë të paktën 10-20 fish të vlerës.

Kjo sipërmarrje është mafioze, edhe për sipërmarrësin, edhe për kontraktuesin, që është kryeministri dhe 75 deputetët e maxhorancës, që Edi Rama i detyroi të kalonin në Parlament një ligj që mbështetet në shpërdorimin e pronës publike.

Edhe ministri i financave, një portavoce i kryeministrit, e justifikoi këtë aferë të pastër korruptive të ligjëruar me votë, gjoja si vepër bamirësie me kosto 37 milionë Euro e firmës ndërtuese që do “t’ia kursejë” arkës së shtetit për ndërtimin e teatrit të ri. Në fakt, firma sipërmarrëse do të përfitojë disa qindra milionë Euro.

Prandaj e solla historinë e Dukës Charles II Brunswick, për të treguar historinë e një vepre të vërtetë bamirësie përballë një vepre mafioze nga ana e firmës profitere, kryeministrit të Shqipërisë dhe 74 deputetëve që votuan një ligj abuziv.

Për të ndalur rrënimin e Teatrit Kombëtar ekziston një zgjidhje jo tamam alla Brunswick.

Shoh çdo ditë se si e ftojnë dhe i lëpihen televizionet e Tiranës sipërmarrësit më të pasur në Shqipëri.

Ai është Saimir Mane. Pasurinë e tij e ka bërë këtë tranzicion.

Do t’iu bëja thirrje aktorëve dhe përfaqësuesëve të elitës e politikës që t’i drejtoheshin atij me kërkesën për të mbrojtur, përmes një vepre bamirësie, një monument me përmasa kombëtare sikur është rikonstruktimi i Teatrit Kombëtar, në këmbim të asgjëje materiale, veç të mirënjohjes dhe një statuje që në gjallje në oborrin e Teatrit Kombëtar, me kushtimin se bamirësi i kontribuoi kulturës shqiptare pa e rrjepur as popullin dhe as pronën publike, sikur po vepron Edi Rama bashkë me jeniçerët e tij në Kuvendin e Shqipërisë.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Elida Buçpapaj, Saimir Mane, sipermarrja mafioze

President Trump, Ju lutem mos dilni në foto me kryepolitikanët shqiptarë!

July 20, 2018 by dgreca

1 Trump ElidaNga Elida Buçpapaj/Shqipëria dhe Kosova vuajnë krizën e keqqeverisjeve, të mosfunksionimit të sistemit, vuajnë prej mungesës së shtetit ligjor, prej korrupsionit, shpërdorimit të pushtetit, nepotizmit, klientelizmit, mercenarizmit që ka paralizuar tregun dhe iniciativën e lirë, që ka paralizuar konkurencën e ndershme, shanset për punë, që ka rritur pasigurinë, papunësinë, pabarazinë sociale, varfërinë, shtimin e shtresave vulnerabël dhe në nevojë.

Nga ana tjetër kemi fuqizimin e një kaste politike që ka uzurpuar çdo instancë të shtetit, përmes një sistemi zgjedhor të degraduar që fuqizon pushtetin e njëshit. Kjo kastë shumë e fuqishme, e privilegjuar, është pasuruar në bashkëjetesë me krimin e organizuar dhe taksave që i merr një populli në mjerim.

Kjo klasë politike ka humbur plotësisht besimin e Sovranit, sepse pasurimi i saj është në përpjestim të drejtë me varfërinë e Sovranit, sa më tepër pasurohet kasta, aq më tepër vuajtjet e popullit agravohen. Në raste të tilla, në një sistem normal demokratik, populli do të kishte shpëtuar me kohë prej tyre, por me një shtet antiligjor, kryepolitikanët janë mbi ligjin, kryepolitikanët e bëjnë ligjin, kryepolitikanët janë vetë ligji!

Qëllimi i tyre është përjetësimi i pushteti. Presidentëve të SHBA në kushte normale Kushtetuta u lejon të zgjidhen vetëm në dy mandate, ndërsa kasta politike në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni është e përhershme. Kjo kastë riciklohet, bën aleanca interesi, por janë gjithmonë ata, të pasuruar, të gjithëpushtetshëm që kanë fatin e popullit në dorë dhe synojnë fuqizimin e tyre edhe përmes lobingjeve në metropolet e Perëndimit, përfshi edhe Washington D.C.

Kjo klasë politike që urrehet nga populli synon të fitojë kredenciale duke u fotografuar me liderët dhe figurat më të fuqishme të politikës botërore, që janë përfaqësuesit e vlerave të Perëndimit, e sidomos me Presidentin e SHBA.

Duke dalë nëpër foto me Ju:

Së pari, ata mashtrojnë popullin, sepse pjesa më e varfër e elektoratit, që nuk ka kushte minimale vetëdijësimi të pavarur, kujton se politikanët shqiptarë që dalin me Ju, janë burra të mirë dhe kësisoj vijojnë e japin votën;

Së dyti, kjo kastë politike, tek e cila Sovrani nuk beson më, kërkon të riparojë imazhin e sterrosur dhe rrënuar,

Së treti, ata synojnë t’i diktojnë popullit se qëndrojnë në pushtet pasi kanë mbështetjen e SHBA !

Populli shqiptar, elita dhe gjithë shqiptarët e ndershëm kanë shpresë të madhe tek Amerika që na ka shpëtuar disa herë nga zhbërja, sepse besojnë me të drejtë se SHBA është vendi i lirive dhe demokracisë së vërtetë.

Fotot Tuaja me kryepolitikanët shqiptarë janë në respekt të plotë me një rit protokollar zyrtar, si konfirmim i marrëdhënieve ndërshtetërore, por politikanët tanë i përdorin për interesa të tyre. Këto foto  nolens volens krijojnë një kontraversëri, sepse Ju duke përfaqësuar shtetin e së drejtës takoheni me shkaktarët e degradimit të sistemit, shtetit ligjor dhe të varfërisë e mjerimit të Sovranit.

Këta kryepolitikanë faqezinj Ju përdorin për të bërë demagogji dhe për të mashtruar Sovranin.

Kur shqiptarët Ju shohin nëpër foto me kryepolitikanët që sillen si sulltanë me Sovranin më së paku po them se dëshpërohen shumë dhe bëhen edhe më shpresëhumbur! Sepse gjatë këtij tranzicioni mbi çerek shekulli janë ndërruar pesë presidentë dhe SHBA, ndërsa shqiptarëve iu ka mbetur mbi kurriz e njëjta kastë, që po ua le rininë  pa të ardhme!

Prandaj, Ju lutem, mos dilni më në foto për publikun me kryepolitikanët shqiptarë, sepse ky stanjacion që po vuajnë shqiptarët u dedikohet atyre.

Populli shqiptar meriton foto me Ju, por jo kryepolitikanët!

Populli shqiptar meriton të integrohet në BE, meriton të ketë një sistem demokratik, ku të mbretërojë ligji dhe shteti i së drejtës!

 

*Ky opinion ribotohet, sepse kryepolitikanët shqiptarë dështimet e tyre kërkojnë t’i fshehin duke u fotografuar me kryeburrashtetasin e botës!

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, President Trump

U shua Fadil Hasa …e vrau shteti përmes injorimit

July 20, 2018 by dgreca

In Memoriam Fadil Hasa: Seriale turke & shtet kriminal ndaj Artit, Artistëve e Kulturës Shqiptare!/1 elida FadilNga Elida Buçpapaj/

U shua edhe një tjetër yll i humorit shqiptar i mbuluar nga heshtja dhe harrimi.

E vrau shteti përmes injorimit!

Na bënte të qeshnim e të harronim hallet e diktaturës dhe tranzicionit.

E qeshura thonë të zgjat jetën!

Edhe kur e ke barkun bosh, kur qesh e sfidon të keqen!

Fadil Hasa ishte lënë në harrim qëllimshëm nga shteti shqiptar, i cili po na shkombëtarizon, duke na kthyer në një kope bagëtish, pa identitet.

Në Shqipëri janë me dhjetra televizione, disa syresh të ashtuquajtura edhe kombëtare në të cilat ditën e natën shfaqen serialet turke, ndërsa s’ka vend as për historinë dhe as për kulturën shqiptare.

Nëpër televizionet e Tiranës shfaqen në mënyrë invaduese live oligarkët e politikës dhe serialet turke. E njëjta situatë edhe në Kosovë.

Qendrimi im nuk ka të bëjë me asnjë lloj ksenofobie apo turkofobie, por me të drejtat kushtetuese të një vendi, shteti i të cilit ka për detyrë që të përhapë dhe mbrojë kulturën, artin dhe historinë kombëtare.

Ekranet e Tiranës na japin nonstop seriale të historisë së Sulltanëve, të perandorisë turke prej ngjizjes, të haremeve, të sulltaneshave, eunukëve. Këto seriale Turqia i prodhon për turqit kryesisht, por që ka interes të bëjë invadim kulturor aty ku mund. Dhe mund në Shqipëri e Kosovë, ku qeveritë janë të kapura, dmth antishqiptare!

A do të lejonte zoti Tajip Erdogan që nëpër televizionet turke të shfaqeshin natë e ditë serialet shqiptare, ku nëpër këto seriale të vihej në epiqendër vepra heroike e Skënderbeut, se si ai i mundi dhe e shpartalloi hordhitë turke, se si e shpartalloi Sulltan Muratin e Sulltan Mehmetin duke i dhënë për çerek shekulli goditje mu në zemër Perandorisë Otomane ?!

Jo nuk e lejon.

Unë nuk them të veprojmë si Presidenti Erdogan. Unë them që vendin e kulturës shqiptare nuk duhet ta uzurpojë kultura dhe historia e një vendi të huaj.

Natyrisht që shqiptarët kanë të drejtë legjitime të shohin prodhimet më të mira të kinematografisë dhe televizioneve botërore, ku nuk përjashtohen as prodhimet turke, por jo kësisoj, një invadim të vërtetë në dëm të kulturës shqiptare, artit dhe artistëve shqiptarë.

Brezi i ri shqiptar nuk e njeh fare Fadil Hasen, nuk e njeh as historinë, nuk i njeh as krimet e diktaturës apo kulturën kombëtare, por harxhon orë të tëra duke parë seriale turke trash që shiten për dy lira ose që jepen falas!

Fadil Hasa deri sa e dha frymën e fundit kishte të drejtë që të ishte i pranishëm në skenat apo përmes ekranit në vatrat tona, por atij iu mohua kjo e drejtë.

Tri ditë përpara Fadil Hasës u shua operatori i shquar Ilia Tërpini i lënë po ashtu në harrim dhe i kujtuar veç ditën kur iku nga kjo botë! Kështu edhe me poetët, shkrimtarët. Kujtohen vetëm dy-tre të kohës së diktaturës dhe të tjerët varrosen edhe si kujtesë. Prandaj ky shtet është kriminal.

Edi Rama për shembull nuk ka harruar që t’i vejë emrin e të jatit Kristaq Rama rrugëve në Durrës dhe shkollave të Tiranës, ndërsa Poetin Kombëtar Gjergj Fishta e ka varrosur shtatë pashë përmes injorimit!

Ju lutem kërkoni emrat e Fadil Hasës në google dhe po ashtu të kryepolitikanëve shqiptarë të këtij tranzicioni kriminal. Do të gjeni miliona fajle, foto e video të kryepolitikanëve tanë që nuk vlejnë asnjë grosh ndërsa nga Fadil Hasa do të gjeni disa video krejt të një cilësie të mjerë.

Fadil Hasa ishte Mik në familjet tona, Mik i mirëpritur, por i larguar me dhunë nga shteti shqiptar. Prania nëpër shtëpitë tona e Artit, Artistëve dhe Kulturës shqiptare është e drejta jonë si spektatorë, teleshikues, qytetarë dhe shqiptarë.

Shikoni se çfarë qytetarësh na kanë katandisur! Ne na e mohojnë të drejtën e edukimit me historinë, artin dhe kulturën kombëtare, ndërsa përfaqësuesit e kulturës dhe Artistët i trajtojnë si skllevër, si lypsa ose i poshtrojnë përmes injorimit, ndërsa këtë boshllëk kombëtar e mbushin me seriale të rëndomta turke.

Turqia është vend mik i shqiptarëve. Erdogani përsërit shpesh “populli vëlla shqiptar”! Nuk e kuptoj se në çfarë konteksti, ndofta se në Turqi jeton një komunitet prej 20 milionësh shqiptarë, kryesisht mjerisht të asimiluar, apo se Qemal Ataturku, krijuesi i Turqisë moderne ishte shqiptar apo se shqiptarët kanë luajtur një rol parësor në jetën e Perandorisë, pasi në Perandorinë Otomane ka patur të paktën 28 sadrazemë (kryeministra) dhe 36 vezirë (ministra) me origjinë shqiptare ?

Turqia është vend anëtar i NATO-s dhe padyshim ne jemi aleatë, por duke patur në themel respektin reciprok bilateral pa qene e nevojshme aspak që vendin e kulturës shqiptare ta zenë mallrat turke me shumicë.

Kultura shqiptare duhet të kthehet vendi që i takon, mohuar nga një klasë politike me banditë, si ky kryebanditi me atlete që ka 20 vjet që i ka shkrepur të shembë Teatrin Kombëtar duke i konsideruar Artistët shqiptarë askusha, kur është vetë hiçi i hiçit!

Në vend të buqetës me lule për ty i dashur Fadil Hasa, në vend të lotëve, po i shkruaj këto rradhë për t’i kujtuar shqiptarëve se ata janë stërnipat e Skënderbeut, se Skënderbeu bëri gjithçka jo që të pushtojë të tjerët, por që të mbrojë vendin e Arbërit!

Filed Under: ESSE Tagged With: Elida Buçpapaj, Fadil Hasa, shteti

Rrëzojeni atë që kërkon të rrënojë e rrëzojë Teatrin Kombëtar !

July 9, 2018 by dgreca

 Rrëzojeni Edi Ramën!/*Elida 1Nga Elida Buçpapaj/

Gjithë bota e qytetëruar i ndërton dhe i mbron si Monumente të identitetit kulturor Teatrot e veta Kombëtare.

Teatrot Kombëtare janë pasuri kombëtare. Ato janë të paprekëshme, të pacënueshme.

Kush i prek Teatrot kombëtare ka prekur integritetin dhe sovranitetin e identitetit kulturor të vendit!

Kush synon të cënojë integritetin territorial të Teatrove Kombëtare, duke i shembur ato, i ka shpallur luftë atij vendi!

Një vendi mund t’i shpallësh luftë kur i hyn me ushtri ose kur ia rrënon Monumentet e Kulturës Kombëtare. Teatri Kombëtar është Monument Kulture.

Sovranitetin kulturor të Shqipërisë është duke e sulmuar kryeministri Edi Rama!

Popull shqiptar, mos e lejo! Popull shqiptar, mbroje identitetin tënd kulturor, mbroje Teatrin Kombëtar!

Vendi duhet të mbrohet kur sulmohet nga barbaria, që identifikohet me emrin e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i cili synon ta rrafshojë dhe rrëzojë të vetmin Teatër Kombëtar që ka Shqipëria.

Edi Rama po i shtyp shqiptarët me diktaturën e varfërisë dhe duke ua rrafshuar çdo ndjenjë të krenarisë së tyre kombëtare! Ju, të ashtuquajtur intelektualë, ku jeni ? Nëse jeni, shfaquni për të ndalur këtë neronizëm!

Edi Rama synon rrëzimin e një Monumenti unik të Kulturës Kombëtare në skenën e të cilit ka kaluar gjithë plejada e aktorëve më të famshëm shqiptarë! Ajo skenë është e lidhur me emrat e kollosëve të artit skenik shqiptar, që Edi Rama kërkon t’a rrafshojë! Mos e lejoni!

Teatri ka lindur me njerëzimin! Një vend pa teatër është shkretëtirë!

Teatri ka lindur që nga antikiteti dhe është i lidhur me emrat më të famshëm të qytetërimit botëror, duke filluar nga antikiteti grek nga vjen edhe emri.

Në Greqinë e lashtë teatrot ishin të shpërndarë  në Athinë, Thrakë, Epir. Teatri i Dionisit i vendosur në Akropolis konsiderohet teatri i parë në botë dhe më i rëndësishmi i Antikitetit Grek. Aty janë interpretuar tragjeditë dhe komeditë e Eskilit, Euripidit, Aristofanit.

A mund të mendohet Greqia e Lashtë pa emrat e atyre gjigandëve, veprat e të cilave luhen edhe sot e kësaj dite nëpër skenat e teatrove të botës? Jo!

Në Athinën e sodit ka me qindra teatro, por ka vetëm një Teatër Kombëtar të Greqisë, ku kanë debutuar Dimitris Horn, Maria Callas, Melina Mercouri etj. etj etj. Ky teatër është ndërtuar në vitin 1880.

Në SHBA, vetëm në Broadway janë të vendosura 40 teatro të kualifikuara si “Broadway theaters”, ku mund të performohet për çmimet “Tony Awards”, por ndërkohë po në Manhattan, janë më tepër se 500 qendra teatrore kur performohet çdo ditë.

Teatri është i lidhur me emrat më të famshëm të shkrimtarëve dhe aktorëve që kanë bërë histori dhe të atyre që sot duan të ndikojnë përmes artit skenik për një botë më të mirë.  Le të kujtojmë Teatrin e Shekspirit, i njohur me emrin “Globe Theatër”, i inauguruar në vitin 1599 dhe i ristrukturuar së fundmi në vitin 1999.  Ky teatër i kohës elizabetiane, me konstrukt druri, që mund të digjej me një fill shkrepse nga çdo diktator me mendësinë e Edi Ramës, ruhet ndër shekuj si thesar i Kulturës angleze. Për nder të Sheksipirit, në qytetin e tij të lindjes Stratford-upon-Avon në vitin 1879 është inauguruar Royal Shakespeare Theatre . Për fat të keq teatri u dogj në vitin 1926 dhe u rikonstruktua përsëri. Prej kohës kur janë ndërtuar e deri sot, në Britaninë e Madhe janë ndërruar me qindra kryeministra të cilëve u është harruar emri, por Glob Theatër apo Royal Shakespeare Theatre mbeten aty si dëshmi e gjallë e gjenisë kulturore të anglezëve! Ndërkohë, po të shohësh teatrot në Britaninë e Madhe, është një listë pa fund, për t’i përballuar kohës, ato janë rikonstruktuar, por kurrë nuk janë rrëzuar! Sepse janë dëshmitarë të identitetit kulturor! Anglia po ashtu ka edhe Teatrin Kombëtar i njohur si Royal National Theatre i Britanisë të Madhe.

Dhe mund t’ju sjell shembuj pa fund. Vendet e civilizuara kanë me qindra teatro, por kanë edhe Teatrin Kombëtar apo Teatrin e Shtetit, si pjesë e thesarit të trashëgimisë kulturore që ruhet dhe mbrohet nga shteti. Le të marrim Operan Kombëtare të Parisit e themeluar në vitin 1669 nga Luigji XIV, sot nën kujdesin e Ministrisë të Kulturës të Republikës Franceze; Vienna State Opera, Operan Shtetërore të Vjenës, Wiener Staatsoper e inaguruar më 1869 mbrohet nga shteti; Teatri Kombëtar i Pragës konsiderohet Monument Kombetar i Republikës Çeke; Teatri Mbretëror Danez është institucion kombëtar i ndërtuar dhe themeluar në vitin 1748, në fillim i njohur si teatër mbretëror e pastaj si teatër kombëtar, sot mbrohet nga shteti dhe mbulohet nga Ministria e Kulturës, e cila garanton mbarëvajtjen, suksesin dhe vijimësinë. Apo La Scala mbrohet nga shteti si pronë e bashkisë të Milanos. Në Zvicër, Opera Shtetërore në Zyrich është organizuar si një kompani “Opernhaus Zürich AG” nën autoritetin e kantonit të Cyrihut me partnerë dy nga bankat kryesore zvicerane, UBS dhe Credit Suisse; Teatri i Bernës, i njohur si Stadttheater Bern mbahet nga qyteti; në qytetin e Gjenevës Grand Théâtre de Genève po ashtu mbahet nga qyteti. Vetëm për rikonstruktimin e Teatrit qyteti dhe kantoni i Gjenevës kanë bërë një financim prej 20 milionë frangash me një vizion largpamës për mbarëvajtje teknike deri në vitin 2050!

Ndërsa në Shqipëri Teatri Kombëtar është i vetmi Monument Kombëtar që i ka mbijetuar rrënimit dhe që tani po rrezikohet nga rrënuesi që është shteti një dordolec në duart e satrapit Edi Rama! Momentalisht në skenën e tij po luhet tragjedia më e madhe live, ku një vandal kryeministër ka vendosur që ta shfarosë, me qëllim shfarosjen e memories kombëtare të kulturës shqiptare.

Mos e lejoni barbarin! Mos e lejoni krybarbarin e shtetit shqiptar të rrëzojë Teatrin Kombëtar si i vetmi institucion skenik ku kanë interpretuar të gjithë gjigandët e skenës shqiptare! Barbari Edi Rama është liliput përpara artit të kollosëve të skenës shqiptare!

Rrëzojeni atë që kërkon të rrënojë dhe rrëzojë teatrin Kombëtar të Shqipërisë!

Rrëzojeni Edi Ramën, i cili qëkur ishte ministër i dekulturimit të shqiptarëve dhe po ashtu kryetar i bashkisë, ia kishte vënë syrin Teatrit Kombëtar për ta shembur dhe në vend të tij të ndërtonte kulla fitimprurëse për xhepat e oligarkëve apo për të ngopur maninë e tij të çmendur për të shembur çdo vlerë kulturore shqiptare që barazohet me kombin.

Ne pjesa më e madhe e shqipëtarëve të Shqipërisë Londineze jetojmë në zemër të Europës. Askund nuk preket ajo që është ndërtuar në shekuj, vetëm rikonstruktohet, ruhet dhe mbrohet. E mbron shteti dhe qytetarët. Në qendrat e qyteteve europiane nuk ka rrokaqiej, por mbrohet tradita, memoria kulturore e këtyre kombeve. Memorien kulturore e mbron shteti dhe qytetarët. Teatrin Kombëtar të Shqipërisë duhet ta mbrojë shteti dhe qytetarët. Kur shteti që përfaqësohet nga Edi Rama synon ta rrëzojë Teatrin Kombëtar, atëherë populli duhet të rrëzojë Edi Ramën që të mbrojë identitetin e vet kulturor.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Rrëzojeni Edi Ramen, Teatri Kombetar

Siguria kombëtare kërkon largimin e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj!

July 6, 2018 by dgreca

Për dijeni Znj.Kathleen A. Kavalec, Ambasadore e SHBA & Znj Federica Mogherini, BE/

2-elidaNga Elida Buçpapaj/Fatmir Xhafaj nuk do të duhej të ishte përfshirë në asnjë lloj qeverie, që kur për vëllain e tij ekzistonte një fletë arresti e paekzekutuar nga vitit 2002.

Vëllai i Fatmir Xhafajt akuzohej nga drejtësia italiane për përfshirje në trafik droge, ndërsa shteti shqiptar, përfshirë edhe Ministrin e Brendshëm e linte të vëllain në liri të plotë !

Vetëm ky fakt e bënte të papranueshëm Fatmir Xhafajn që kryeministri t’i besonte portofolin e kryepolicit!

Emërtimi i Famir Xhafajt në këtë post e bën pis edhe integritetin e kryeshtetarit !

Dorëzimi i të vëllait autoriteteve italiane me 16 vjet vonesë nga ana e Ministrit të Brendshëm pas ekspozimit të një telefonate, ku vëllai i Fatmir Xhafajt ishte i përfshirë në një bisedë komprometuese, e vë në spikamë shkeljen e ligjit  nga të dy vëllezërit.

I vëllai i Fatmir Xhafajt ka shkelur ligjin duke trafikuar, ndërsa Fatmir Xhafa ka shkelur ligjin duke mos ia dorëzuar për 16 vjet drejtësisë trafikantin!

Natyrisht që Fatmir Xhafajn nuk e fajëson faji i të vëllait, por e fajëson mosdorëzimi i të vëllait për 16 vite, ku Fatmir Xhafaj ka ngjitur lart e më lart shkallët e pushtetit!

Vrasja e shoferit të Ministrit të Brendshëm është fundi pa nder i karrierës politike të Fatmir Xhafajt, që do të thotë se largimi i tij nga posti i Ministrit të Brendshëm duhet të jetë i menjëhershëm.

Ministra të përlyer e përlyejnë jo vetëm figurën e tyre, por edhe qeverisjen dhe sidomos atë që i ka zgjedhur, dmth kryetarin e qeverisë, Edi Ramën, i cili zgjedh dhe  mbron njerëz të gabuar.

Kujtoni lidhjet e ngushta të Edi Ramës me Sajmir Tahirin, lidhjen e ngushtë të Edi Ramës me kryebashkiakun e Kavajës dhe tani me Fatmir Xhafajn!

Vrasja e shoferit të Ministrit të Brenshëm Fatmir Xhafaj i ngjan një trilleri mafioz nga Hollywood-i, por në fakt realiteti i frikshëm që sundon në Shqipëri e tejkalon atë.

Tek çdokush lind dyshimi se shoferi i Ministri i Fatmir Xhafajt duhet të ketë ditur më tepër se duhej.

Kjo është një pistë dyshimi që nuk e kundërshton dot askush!

Menjëherë pas vrasjes, shteti doli me variantin e vetëvrasjes të të ndjerit, pastaj shtypi botoi një deklaratë të familjes dhe në fund, për ta plotësuar skenarin, një mesazh që i ndjeri ia dërgonte nënës së tij.

Na lini të qetë, thosh familja! Natyrisht që ashtu do të thosh. Edhe vëllai tjetër i shoferit të Fatmir Xhafajt është i punësuar në Gardën e Republikës! E kush do të guxonte nga familjarët të merrej me Fatmir Xhafajn me pushtet të pakufizuar.

Sa për mesazhin e të ndjerit për nënën, vrasësit nuk e kanë patur të vështirë ose ta detyronin viktimën, ose ta shkruanin vetë atë, pra mesazhi vetëm e thellon dyshimin.

Vrasja e shoferit të Ministrit Fatmir Xhafaj ia humb totalisht Ministrit të Brendshëm besueshmërinë dhe kredibilitetin.

Gjatë regjimit diktatorial Fatmir Xhafaj ka qenë pjesë e hetuesisë së regjimit barbar! Edhe kjo e dhënë nuk duhej të tejkalohej.

Ministri Fatmir Xhafaj ngjan si një kërcënim për sigurinë kombëtare. Edhe ai që e ka zgjedhur, nëse nuk e largon nga detyra ose e detyron që të japë dorëheqjen!

Edhe sikur shoferi i ndjerë të ketë kryer vetëvrasje duke qenë në shërbim të Ministrit të Brendshëm, kjo vrasje që hedh dyshime të forta, ndikon negativisht dhe shërben si terror psiqik për qytetarët, sepse ngjan si terror shtetëror, eleminim fizik nga ana e shtetit. Prandaj largimi i menjëhershëm i Fatmir Xhafajt është i detyrueshëm për t’i dhënë kredibilitet institucionit që siguron mbrojtjen e rendit publik.

Fatmir Xhafaj do të duhej të kishte dhënë dorëheqjen që ditën që dorëzoi të vëllain përpara drejtësisë italiane. Sepse përmbushi një detyrim të harruar prej tij për 16 vjet!

Nëse nuk do ta jepte dorëheqjen menjëherë sa e dorëzoi të vëllain, Fatmir Xhafajn duhej ta largonte kryeministri.

Në rastin e vrasjes apo vetëvrasjes të shoferit të ndjerë të Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj i pashkarkuar dhe i padorëhequr merr pamjen e një mafiozi. Dhe këtë profil i jep edhe qeverisë, edhe kryetarit të qeverisë që e ka zgjedhur dhe që e mban në krye të Ministrisë të Brendëshme!

Filed Under: Politike Tagged With: Elida Buçpapaj, Fatmir Xhafaj, kryeministri Rama

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT