• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Politikanët e Shqipërisë në delir për Brexit, parashikojnë BExit, SHBAexit!

July 6, 2016 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

(Grotesk)/

Politikanët e Shqipërisë londineze me maçkë e me kuçkë janë në eufori të plotë duke shijuar Brexit!I ka kapur aq shumë entusiazmi analizues sa kanë vendosur që me punimet e këtyre dy-tri ditëve botuar në shtypin e Tiranës të mbrojnë në Universitetin e metropolit Europianist nga një Ph.D. për të marrë titullin Brexit-ologë!

Janë gjetur po ashtu sponsorët për një seri botimesh dhe përkthimin e tyre në gjuhët angleze, franceze, gjermane, kineze dhe hindu.

Do të ketë edhe një çmim me emrin David Cameron për Brexit-ologun më të thekshëm shqiptar. Thuhet se do të vijë vetë Cameron në një Gala që do të jepet live në të gjithe televizionet kombëtare shqiptare përfshi BBC.

Maçkë e kuçkë e përdor si eufemizëm përkatërisht për opinionistët dhe portalët  që po shkruajnë e botojnë me një bollëk të paparë oped-e, opinione, editoriale, shkrime, analiza, komente, reagime, polemika, debate, dialogje, monologje duke shkaktuar zili deri në Oksford për mënyrën se si janë duke i qarë hallin dhe përshkruar tash e mbas vetminë e madhe të Anglisë.

Po e analizojnë situatën në nivel kombëtar, kontinental dhe global se çfarë pritet pas referendumit të 23 qershorit, që për koincidencë përkon me datën e zgjedhjeve në Shqipëri, tri vite më parë.

Politikanët e Shqipërisë londineze po shqetësohen tmerrësisht për fatin e botës anglo-saksone, kur ata imagjinojnë shkëputjen e Skocisë nga Britania e Madhe, ditë e ëndërruar që nga koha e Sir Walter Scott e deri tek Sir Sean Connery, kryespiuni 007, më i famshëm i Mbretëreshës.

Pas shkëputjes së Skocisë i vjen rradha Irlandës së Veriut që t’i bashkangjitet Republikës së Irlandës.

Politikanët e Shqipërisë londineze po u qajnë hallin bursave, miliardave që shkrumbohen, uljes të vlerës së Pound-it, ndërsa nga ana tjetër e shohin legjitime që të qeshin nën hundë me të gjithë ish-Ambasadorët e Britanisë së Madhe në Tiranë që u jepnin leksione me qëllim integrimin e Shqipërisë në BE!

Dezintegrimin e ishullit, politikanët e Shqipërisë londineze, e shohin si hapin e parë të një efekti domino apo reaksion zinxhir, quajeni si të doni, a nuk doli Marine Le Pen menjëherë me thirrjen për Frexit, që pritet të shkojë deri tek dezintegrimi i BE-së. Nga BE të bëhet BExit!

Në këtë pikë politikanët shqiptarë me maçkë e kuçkë nuk përmbahen, nuk pyesin fare për sjelljen diplomatike dhe tallen për fushë!  Sidomos me zyrtarët e BE-së dhe veçanërisht e kanë pikën e tyre të dobët Ambasadoren Vlahutin e cila do të mbetet pa punë kur të dezintegrohet BE-ja!

Kur të mbetet pa punë, parashikojnë  politikanët shqiptarë,  Ambasadorja Vlahutin do të bëhet ish-Ambasadorja Vlahutin dhe më në fund do ta mbyllë gojën e nuk do t’i lodhë me reformën në drejtësi. E çfarë i duhet Shqipërisë reforma për drejtësi tani kur të gjithë po dalin exit!

Por, politikanët shqiptarë nuk ngopen as me Brexit dhe as me BExit, pas dezintegrimit të BE-së syrin e parashikimeve e kanë përtej oqeanit, aty e kanë pikën e qejfit,  sepse sipas tyre kur arrin të dezintegrohet ish-Mbretëresha e Deteve e përse të mos dezintegrohen sidomos SHBA-të, një ish-koloni e Brexit!

Dhe pastaj ajo puna e reformës në drejtësi is over. Mbyllet përfundimisht.

Nga dezintegrimi i SHBA do të krijohen 50 shtete, që do të kenë 50 DASH e në Shqipëri do të hapen 50 ambasada; nga çdo shtet i ish-SHBA do të dalë një president që do të emërojë në Shqipëri seicili nga një ambasador!

Ndërsa ky aktuali s’do të ketë çfarë të bëjë, aq më tepër që e ka tepruar shumë duke ndërhyrë deri në punët e brendëshme e shkelur sovranitetin!

Dezintegrimit dhe shkërmoqjes i shpëton vetëm Sali Berisha me të tijtë, Edi Rama me të tijtë, Ilir Meta me të tijtë, plus maçkat dhe kuçkat, sidomos ky Fatmir Mediu, me të gjithë të emëruarit në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, me gjithë presidentin, kryeprokurorin e shefin e SHIK-ut.

23 qershori 2016 do të do të hyjë në historinë botërore si data e startExit, ndërsa për klasën politike shqiptare kjo datë përkon me triumfin në rrang global të sistemit të tyre model dhe sfidues ndaj BE, SHBA, NATO, CIA, FBI, Interpol, ku të gjithë rrezikojnë të dezintegrohen përveç sistemit të Shqipërisë londineze që shkëlqen si fener ndriçues i mafies demokratike.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, politikanet shqiptare, SHBA exit

Petro Zheji, shenjtori, mentori, i persekutuari i gjithë elitës shqiptare këtë çerekshekulli dhe dy fjalë për Artur Zhejin

July 5, 2016 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Në shtypin shqiptar është ribotuar një biografi jo vetëm e Artur Zhejit, por e gjithë familjes së tij, me nënë e babë, me listë familje nga Kastriot Myftaraj. Për hir të së vërtetës, do të shpreh mendimin tim.

Nuk kisha menduar kurrë se mund të fliste dikush pa superlativa për Petro Zhejin.

Nuk kisha menduar se mund të dilte dikush e mund të hidhte pluhur në figurën e tij poliedrike të një gjeniut-patriot dhe altruistit të përmasave të Petro Zhejit.

Nuk di në botën shqiptare një altruist të tillë përveç Nënë Terezën.

E adhuronin të gjithë, miq e armiq, intelektualë, akademikë, profesorë, ziliqarë, spiunë.

Petro Zheji mund të ishte Kryetari i Akademisë të Shkencave;

Petro Zheji mund të ishte Ministër i Kulturës,

Petro Zheji mund të ishte Ambasador i Shqipërisë në SHBA, Francë, Itali, Gjermani.

Nëse në Shqipëri do të ishte rrëzuar me të vërtetë nga themelet ngrehina e diktaturës.

Petro Zheji është figura më e ndritur e një shqiptari.

I fundmi shqiptar me të gjitha ato vyrtyte, superinteligjencë, mirësi, kulturë, sakrifica, që përbën farën shqiptare.

E gjithë elita e sotme politike në Shqipëri ka dalë prej hundës së Petro Zhejit.

Të gjithë nxënës të përulur të tij, ai në përmasat e Shenjtorit në një apartament të mjerë, ku gjithë rinia elitare shqiptare shkonte dhe i falej.

Sepse ai i mësonte se si të mbeteshin njerëz!

Sepse Petro Zheji rrezatonte dituri, rrezatonte kulturë, rrezatonte shqiptari, rrezatonte antikomunizëm, rrezatonte antikonformizëm, rrezatonte mirësinë e Zotit.

Im atë, i persekutuar nga diktatura e njihte Petro Zhejin kur punonin bashkë në Shtëpinë Botuese Naim Frashëri, Petro Zheji ishte përkthyes, ndërsa im atë redaktor.

Im Atë e adhuronte Petro Zhejin, Im Zot Fan Noli i dukej nxënës përpara gjenisë së Petro Zhejit.

Edhe nëse Im Zot Fan Noli do të ishte gjallë ashtu do të ndihej përpara gjigandit të gjuhës shqipe.

Kur nuk më doli e drejta e Universitetit, im atë i shkoi Petro Zhejit në shtëpi dhe iu lut nëse do të ishte e mundur të më jepte mua, bijës së tij të vetme, leksione të frëngjishtes.

Petro Zheji pranoi menjëherë. Shtëpia e tij dhe jona ishin në dy cepe të kundërta të Tiranës. Ai nuk mungoi asnjëherë. Ai nuk mori asnjëherë asnjë lek.

Dita e javës kur na vinte në shtëpi për ne ishte festë e madhe.

Ishte simboli i së mirës dhe ndershmërisë. Tek ne fliste pa doreza, talleshim dhe qeshnim me kukullat e regjimit dhe të pseudoelitës.

Ishte besimtar i madh dhe nuk ka shkelur kurrë dikë në besë. Ka ndihmuar kë ka mundur, cilido që i ka kërkuar ndihmë pa i kërkuar kurrë shpërblim, pa i marrë kurrë shpërblim.

Regjimi komunist me superstrukturën e ka urryer sepse përpara tij ishin liliputë, ndërsa ai gjigandi i mirë.

Familja e Petro Zhejit mund të konsiderohet me gojën plot një nga Familjet e Mëdha të Shqipërisë. Që nga Spiro, i jati, të gjithë të ditur, të shkolluar, të pasur dhe sidomos patriotë, çka binte ndesh me logjikën e diktaturës së proletariatit dhe të çakejve të sodit.

Në fushën e përkthimit, njohjes të gjuhëve, erudicionit, kulturës, poligloti Petro Zheji është unik për kohën që jetoi, për shekullin XX-XXI.

Unë nuk gjej sot një kokë shqiptare që ta krahasoj me të.

Ishte punëtor i madh. I mblidhte të gjitha fjalorët e dialekteve të shqipes për të qëmtuar një perlë të gjuhës shqipe;

Është i pari që e ka mbrojtur tezën se gjuha shqipe është nëna e të gjitha gjuhëve, nga ky plan i kalon të gjithë shkencëtarët dhe linguistët shqiptarë prej Eqrem Çabejit e këtej.

Në lidhje me ndryshimin e mbiemrave. Në diktaturë të ndërroje emrin e familjes ishte mënyrë për t’i shpëtuar ferrit të persekutimit, për t’i shpëtuar rrezes së shikimit të diktaturës kriminale.

Marr një shembull brenda gjakut tim, dy dajat e nënës time nga Starova e bënë mbiemrin Darova.

Por Petro Zheji është njohur vetëm me këtë emër. Sikur e gjithë familja e tij. Nga familja e Petro Zhejit kanë dalë intelektualë të elitës, Gjergj Zheji, Vera Zheji e me radhë.

Nuk kam dëgjuar asnjë shqiptar që t’i akuzojë këta emra apo t’i marrë nëpër gojë ! Kanë mbetur të respektuar nga fillimi në fund, me jetë të pastër nga nisja në finish.

Ndërsa Petro Zheji ishte përjashtimi, antirregulli, antirryma, antikonformisti, tallësi dhe përqeshësi ndaj të keqes, adhurues i lirisë, dhe luftëtar i paepur i saj, ishte adhurues i dijes dhe dijetar i përmasave kozmike, ishte adhurues i kulturës dhe ishte një diell që buronte kulturë. E njihte kulturën Perëndimore, të Francës, Italisë, Gjermanisë që zor mund ta njihnin kokat e këtyre vendeve. I adhuronte SHBA, Perëndimin sepse aty e kishte shpresën për shpëtimin e Shqipërisë dhe Shqiptarëve.

Mbeti i persekutuar në diktaturë, por edhe gjatë çerek shekulli në post diktaturë, sepse u persekutua nga dishepuj e tij, nga ata që Petro u përpoq me gjithë shpirt që t’u mësonte diçka.

Në lidhje me SHBA nëse Petro Zheji paska thënë se  “aty paska gjetur komunistë” nuk besoj kurrëqysh të jetë kjo arsyeja e kthimit të tij.

Në fakt, Petro Zheji ishte ithtar i së vërtetës, ka thënë atë që shumë e kanë thënë pas tij, sepse të parët që shkuan në Amerikë ishin komunistët, ish-sigurimsat, njerëzit e diktaturës dhe Ramiz Alisë, pasi ata kishin mundësi që të merrnin viza, pasi i kishin në dorë të gjitha instrumentat e shtetit.

Arsyeja që është kthyer në Shqipëri mund të ketë qenë zhgënjimi apo malli për vendin e tij, sepse Petro Zheji është Shqiptari më i madh i kohës sonë.

Arsye e kthimit në Shqipëri dhe e jetës së tij është padyshim Artur Zheji. Kur Petro Zheji kishte një zemër për të dashur të gjithë botën, e si të mos e deshte të birin e tij, të cilit i kushtoi jetën.

Artur Zheji nga ana e tij ishte produkt i të jatit dhe një aktoreje të shquar. Ishte i lindur mes kulturës, i rrethuar prej librave, prej dijes, prej elitarizmit. S’kishte nga të dilte ndryshe. Ishte i përkëdhelur. Padyshim që ishte. Por nuk e përkëdhelte shteti, e përkëdhelnin prindërit e tij, rrethi i tij.

Të fillojmë e të diskutojmë jetën private të gjithësecilit do të thotë të vemë në lëvizje logjikën e regjimit kriminal.

Ta kthejmë në krim një  histori dashurie të Artur Zhejit kur ishte 23 vjeçar, është çmenduri. Aq më tepër kur ai ka treguar kujdes atëror për frutin e dashurisë së tij. Nuk e braktisi vajzën asnjëherë.

Në lidhje me formatin e Artur Zhejit. Mos harrojmë se Petro dhe Arturi u larguan nga Shqipëria si refugjatë në vitin 1990, ndërsa në moshën 29 vjeçare Artur Zheji punonte gazetar tek Radio Radicale dhe ishte miku i të madhit Marco Panella! Njihte italishten në mënyrë perfekte dhe kishte fituar një vend pune që ia kishte zili çdo kush sot e jo 25 vjet më parë dhe këtë gjë e kishte arritur me forcat e veta!

Kthimi i Artur Zhejit në Shqipëri mund të shpjegohet me faktin e ngopjes me Perëndimin. Këtë shpjegim e jap duke u nisur nga eksperienca e refugjatëve, që pasi e shohin se çfarë është Perëndimi, kërkojnë të kthehen në vendin e tyre duke shpresuar për një copy paste apo kushedi çfarë.

Fakti është se u kthyen në Shqipëri Ati dhe i Biri, Petro Zheji nga SHBA dhe Arturi nga Italia. Zoti mbeti në qiell, ndërsa shqiptarët nuk gjenjë ende forca që të ringjallen dhe e vetmja mënyrë për të mbijetuar është konformizmi.

Të jetosh në Tiranë nuk ke si të mos konformohesh. Dhe vetëm këtu mund të jem dakord me Kastriot Myftarajn, por kësaj kilisheje nuk i shpëton dot askush, kush dëshiron që të jetojë në Atdheun e tij. Dhe konformizmi shihet si një sakrificë për qëllime patriotike, deri sa elita vijon të dergjet mjerueshëm duke merituar mëshirën dhe neverinë. S’ka Samaritan të Mirë në Tiranë! Asnjë! Petro Zheji po, ishte Samaritani i Mirë!

Më vjen mirë që skulptori i mirënjohur amerikan Thomas Marsh, autor i statujës në nderim të viktimave të komunizmit  “Goddess of Democracy” e vendosur ne Washington, DC ka treguar gadishmëri të plotë të krijojë  statujën e Petro Zhejit, të gjuhëtarit antikomunist dhe të elitarit elitarist, statuja e të cilit e ka vendin përpara Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Ashtu sikur edhe Akademia e Shkencave do të nderohej me emrin e Petro Zhejit.

Filed Under: ESSE Tagged With: Elida Buçpapaj, i elitës shqiptare, i persekutuari, mentori, Petro Zheji, shenjtori

Anëtarësimi i Kosovës në NATO

May 26, 2016 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Washington Vlora Çitaku ka sjellë lajmin e mirë se “në kuadër të Veprimit të Autorizuar të Mbrojtjes – Defense Authorization Act, Kongresi Amerikan me unanimitet të plotë votoi amendamentin ku i bëhet thirrje administratës amerikane që të përgatisë Kosovën për Partneritet për Paqe me NATO-n”.Amerika, Aleate jetike e shqiptarëve hedh hapin e parë të nevojshëm e të domosdoshëm me vizion afatgjatë për sigurinë e rajonit dhe vetë Europës!

Megjithatë jam me atë pjesë që ndajmë opinionin e njëjtë se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të duhej të kryhej që më 1999 ose në vitet e para të shekullit XXI.

Kështu kam shkruar jo sot, por menjëherë posa trupat e NATO-s e çliruan Kosovën nga makineria kriminale e Milosheviçit.

S’ka alternativë tjetër Kosova. Normalisht çdo shtet i Europës, përfshi edhe Serbinë deri edhe Rusinë, do të duhet të jenë anëtarë të Aleancës Euro-Atlantike, por Kosova ka arsye shumë më tepër sepse vijon të mbetet pré e qëllimeve gllabëruese.

Emri i Kosovës ka qenë i lidhur me atë pjesë të Ballkanit njohur me sintagmën – Fuçi baruti e Europës – “Powder keg of Europe”. Dhe për ta hequr nga fjalori këtë term në vetvete balistik, duhet që kjo zonë të shndërrohet realisht në zonë paqe dhe sigurie afatgjatë.

Ky duhet të ishte synim i BE-së, por nëse BE është gjithmonë e vonuar, i NATO-s duhet të jetë patjetër.

Në 12 qershorin e këtij viti mbushen 17 vjet prej hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, e megjithatë Ballkani nuk është oaz paqeje. Sepse duke e lënë Kosovën jashtë NATO-s dhe BE-së, ka vijuar të ushqehet mitomania se ka ende shpresë për ta kthyer Kosovën pas, në mos të tërën, por të paktën pjesët e saj esenciale.

Në vend që Serbia të harxhonte energji për reforma që i duhen për t’u integruar në BE, gjithë diplomacinë dhe kanalet e shtetit i ka përqëndruar tek minimet e sukseseve të Kosovës, lobimi për pengimin e Kosovës për t’u integruar në institucionet ndërkombëtare apo për të mos e  njohur Kosovën shtet të pavarur çka e ka kthyer dialogun Kosovë-Serbi një farsë të vërtetë.

Integrimi i Kosovës në NATO duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur, për disa arsye themelore:

Së pari, anëtarësimi i Kosovës në NATO do t’i japë fund ankthit të Serbisë për të rimarrë Kosovën apo pjesë të integritetit dhe sovranitetit të saj territorial po ashtu pretendimeve se insitucionet fetare që i takojnë trashëgimisë serbe janë të rrezikuara.

Së dyti, sovraniteti territorial i Kosovës është prej 17 vitesh nën administrimimin e trupave të KFOR-it. Shumë i domosdoshëm, por prapë duhet të jetë i limituar deri kur Kosova të jetë anëtare me të drejta të plota e NATO-s.

Së treti, Kosova nën juridiksionin e Serbisë deri më 1999, ishte një vend pa ushtri, pa polici, pa shërbim inteligjent, sepse gjithçka ishte në duart e Beogradit, ndërsa UÇK lindi si një njësi ushtarake me baza vullnetare për të marrë në mbrojtje popullsinë civile nga genocidi dhe dëbimet masive që ka operuar në bashkërendim me trupat e NATO-s.

Së katërti, pas përfundimit të luftës në Kosovë më 1999,  UÇK-ja, në respekt të plotë të kërkesës të Perëndimit, u çarmatos menjëherë duke u transformuar në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës. Në 2009 TMK u shpërbë në Forca e Sigurisë së Kosovës, e monitoruar nga NATO, por paçka se kanë kaluar 7 vjet, ende jo e shndërruar në Forcë e Armatosur e Kosovës, dmth në ushtri të saj, për shkakun kryesor se Serbia është kundër.

Megjithëse Serbia ishte shteti agresor, jo vetëm që nuk e pranon ftesën e NATO-s për të qenë pjesë e saj, por pretendon që Kosova të mos ketë ushtri, të mos ketë njohje, të mos jetë e integruar në asnjë institucion ndërkombëtar! Paçka se prej disa vitesh vijon dialogu Kosovë-Serbi!

Kosova nuk ishte kundër dialogut me Serbinë, por kundër farsës po. Kosova nuk është as kundër që Serbia të jetë anëtare e NATO-s.

Serbia i është bashkangjitur programit të Partneritetit për Paqe në vitin 2006. Ndërsa Kosova është në prag të këtij programi në vitin 2016, pra dhjetë vite më vonë!

Ky është mirëfilli absurditet.

Nëse Kosova do të ishte integruar në NATO menjëherë, që në 1999 ose në fillim të milenarit të ri, rajoni, Ballkani do të ishte qetësuar. Serbisë nuk do t’i ishin dhënë 17 vite kohë t’i përdorur kundër interesave të shtetit të Kosovës me shpresë se ka kthim prapa.

Serbia përmes Rusisë dhe diplomacisë të saj ka arritur të vonojë Kosovën por edhe të zgjasë mosstabilitetin e rajonit.

Serbia ka përfituar edhe prej ndryshimit të administratave në SHBA dhe një punë e nisur nga administrata Clinton, e vijuar me sukses prej asaj Bush, do të duhej të kishte përfunduar me kohë nga administrata Obama, për të mirë të paqes, sigurisë, lirisë dhe barazisë. Serbia është uniforme në qëndrimin e saj në raport me Kosovën këta 17 vjet, BE laramane, ndërsa SHBA do të duhej të ishte më e vendosur.

NATO nuk është forcë sulmuese, agresive, por është mbrojtëse dhe garantuese e sovranitetit të Europës, pra Kosova në NATO është garanci edhe për e sovranitetin e Serbisë.

Hyrja e Kosovës në NATO me kohë, do ta kishte shpëtuar Kosovën nga stanjacioni, nga statusi i getos me praninë e trupave të KFOR-it, do të ishte urëlidhëse jo vetëm me BE, por edhe me vetë Serbinë, do të kishte ndikim pozitiv për investitorët e huaj, do të ishte më imune nga korrupsioni, krimi dhe ndikimi i terrorizmit fetar dhe në fund të fundit zona dikur e quajtur Fuçi Baruti do të ishte një territor zyrtar i NATO-s, çka do të thotë se ai definocion arkaik dhe i frikshëm do të zhdukej nga fjalorët, duke u transformuar në një zonë të sigurisë afatgjatë dhe pajtimit.

Historia ka vërtetuar se shqiptarët paçka se janë europianë, etiketa europiane nuk i ka shpëtuar as nga të qënit viktimë dhe nga të qënit pré e shqiptarofobisë me baza etnike dhe fetare prej fqinjve. Jo më kot Ibrahim Rugova e përsëriste si refren, atë që e thashë që në krye, se shqiptarët janë në aleancë jetike me SHBA. Dhe për të mirën e përbashkët, pa dallim, të serbëve, shqiptarëve, amerikanëve apo europianëve, Kosova duhej të kishte hyrë në NATO me kohë.

Prandaj, ndërsa opinioni e priti me gëzim lajmin se Kosova është në prag të hyrjes në programin e Partneritet për Paqe me NATO, unë i bëj pyetjen vetes: “O Zot e sa do të zgjasë tmerri deri kur Kosova të jetë pjesë e NATO-s!”

Sepse sa kohë që Kosova nuk është pjesë e NATO-s, Ballkani është Fuçi Baruti!

Me këtë rast kujtoj administratën Bush që duhet t’i jemi mirënjohës të gjithë mbarë për anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën Verio-Atlantike, si pjesë e kësaj force në mbrojtje të vlerave dhe parimeve të Perëndimit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, kosova, NATO

Nderim Gruas!

April 29, 2016 by dgreca

Nderim Gruas! Nderim Ema Andreas! Poshtë errësira dhe obskurantizmi!/

Nga Elida Buçpapaj/

Nderim Gruas! Kështu e titullon poezinë e tij Friedrich Schiller. Honor to woman! – Würde der Frauen ! Dhe vazhdon në vargjet e pastajme. “Gruas i është caktuar ta kthejë në kopsht tokën duke e mbjellë me trëndafilët e parajsës!”

Me shumë të drejtë Maya Angelou do të krenohej në emrin e të gjithave grave duke deklaruar “jam një grua e hatashme”.  Ashtu si e ka sanksionuar në vargjet e tij Tagora “Oh grua, ju jeni kryevepër e Perëndisë, por edhe e burrave, sepse këta janë bërë nga bukuria e zemrave tuaja”. Kur një grua ishte duke e pritur Walt Whitman, “botës nuk i mungonte më asgjë, sepse ajo i ka të gjitha” Ndërsa Robert Browning do të zbulonte se tek fjala e gruas është vetë dashuria.

Siç e shihni, ju përmenda vetëm vargje poetësh. Dedikuar gruas! Edhe gruas shqiptare! Dmth edhe Ema Andreas!

Nderim gruas, këtë varg në imperativ të Schillerit po ua dërgoj atyre burrave shqiptarë që fyejnë gratë shqiptare! Të veshur me kostume të pushtetit apo të futur nën këllëfin e pushtetit!

Kushdo qofshin, kush i fyen gratë kthehet automatikisht në anonimat.

Se ne gratë jemi të dërguarat e Zotit në tokë, jemi nënat, vajzat, gjyshet, bashkëshortet, motrat që dimë të japim vetëm dashuri!

Në Shqipëri gratë ose i vrasin barbarisht, ad literam ose i vrasin me fjalë!

Si në mesjetë, si në kohën e inkuizicionit!

Ema Andrea reagoi emocionalisht, në emrin e të gjitha grave shqiptare që kanë përjetuar 1997, që kanë përjetuar atë tmerr kur jeta e fëmijëve të tyre ishte në rrezik!

Ema Andreas iu duk me të drejtë fashiste deklarata e Berishës, kur ai tha se populli duhet të armatoset !

Ema Andrea ka të drejtë të shprehë mendimin e saj! Pushtetarët kanë për detyrë të respektojnë kushtetutën e vendit, ku thuhet se fjala e lirë është e garantuar me ligj!

Pa mendoni se sa i dëgjon populli gjepurat e politikanëve shqiptarë në Kuvendin e Shqipërisë, me sa durim, me shpresë se më në fund këtyre do t’u vijë mendja dhe do t’i thërrasin arsyes. I keni dëgjuar se si e shajnë njeri tjetrin, me një fjalor rrugësh. Populli i dëgjon të gjitha marrëzitë e pushtetarëve, sepse në çdo kanal të televizioneve të Shqipërisë, ata janë live natë e ditë. Ema Andrea nuk e shprehu mendimin e saj nëpër televizionet, sepse aty ajo nuk lejohet! Ema Andrea e shprehu mendimin e saj në Facebook!

Do ta censurojnë edhe Facebook-un pushtetarët  shqiptarë !

Ema Andrea është grua dhe aktore që shprehu mendimin e saj. Berisha kërkoi të armatoset populli, Ema Andrea tha se ky qendrim është fashist!

Reagimi berishian ishte agresiv ndaj Ema Andreas. Agresiv ishte Berisha edhe ndaj gazetares të Oranews. Gazetaren e Oranews e akuzoi si “zëdhënësen e Shullazit”.

Kush nuk pranon mendimet e Berishës duhet të jetë ose me Shullazin ose me Edi Ramën, ose kurtizane!

Po kjo logjikë është barbare!

Ti thuash një gruaje kurtizane, qoftë edhe kurtizane është barbare!

Por Ema Andrea ka emrin, identitetin që e ka krijuar me punën e saj. Ema Andrea nuk është as e bija e pushtetit, as gruaja e pushtetarëve, është bijë e popullit që çdo gjë e ka arritur me djersë e mund dhe natyrisht  ka të drejtën të shprehë mendimin,  sepse në Shqipëri gjithçka është në degradë, mjafton të shihni se si vriten gratë shqiptare nga kriminelë që bëhen trima sepse dëgjojnë e shohin se si shahen dhe si trajtohen gratë në Shqipëri nga pushteti!

Shikoni se sa deputetë të PD i kanë lënë gratë e tyre dhe janë martuar për të dytën herë. Prandaj duke mos pasur moral ata s’kanë të drejtë të bëjnë moral. Aq më tepër kur janë përgjegjës për diskriminimin që u bëhet grave shqiptare, sepse është i pari pushteti politik që i fyen dhe mban qendrim mizogon, kur gratë mbajnë qendrime të ndryshme nga pushteti.

Disa ditë më parë Berisha i doli në mbrojtje Ilva Tares, të cilën e talli Edi Rama. Berisha ishte hipokrit dhe recidiv, sepse e kopjoi edhe më keq Edi Ramën duke e fyer Ema Andrean, ashtu si dikur kishte fyer ish-prokuroren e përgjithëshme, pasi politika shqiptare ka një mendësi staliniste, pasi kur nuk je me ta, duhet të jesh patjetër me kundërshtarët e tyre!

Kjo mendësi është mjerane dhe dritëshkurtër.

Gruaja vetë është drita po të citoja prapë një varg të Robert Browning! Gruaja është vetë jeta, sepse ajo e lind jetën që vjen, gruaja e lind të ardhmen.

Të fyesh një grua, do të thotë të jesh errërira, obskuriteti, obskurantizmi vetë!

Popullit shqiptar i duhet dritë, ai kërkon civilizimim dhe civilizimi fillon duke nderuar gruan!

Si thotë Schilleri!

Nderim gruas!

Nderim Ema Endreas!

Nderim të gjitha grave shqiptare!

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Ema Andreas!, Nderim Gruas! Nderim, Poshtë errësira

Të zbardhet “gojëdhëna” se Agim Ramadanin e kanë vrarë shqiptarët!

April 16, 2016 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Mbushen 17 vjet nga dita kur është vrarë Agim Ramadani, në lulen e moshës, kur nuk i kishte mbushur ende 36 vjeç. Ai ishte njëri nga strategët e Luftës Çlirimtare të Kosovës për liri e pavarësi.

Agim Ramadani, artisti, poeti, ushtaraku, intelektuali dhe njeriu që i mungon sot Kosovës më tepër se kurrë, sepse ishte njeri i dijes dhe profesionist i formuar.

E kemi njohur Agimin në Zvicër, e kishim mik, bisedonim me të për letërsinë, poezinë, pikturën dhe për çështjen kombëtare. Vitin e mbrapshtë 1997 Agimi e përjetoi me shumë dhimbje, sepse tek shteti Amë ai mbështeste shpresën për të ardhmen e Kosovës.

Gjatë viteve 1996-1997, në takimet me diasporën, kishte një segment që e paragjykonte Agim Ramadanin, për faktin e vetëm, se ai kishte kryer Akademinë Ushtarake në Zagreb, pra se ishte një njeri i kompletuar.

Kur takoheshim me Agimin, një njeri i edukuar, paqësor, i kultivuar, poet, artist, shumë elitar e kishe të vështirë të besoje se do të kishe përpara një epror të ardhshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, paçka se shqetësim i jetës së tij ishte thyerja e kufirit ndërshqiptar dhe çlirimi i Kosovës, çka ai e shprehte si në bisedat me ne ashtu edhe përmes artit, në poezitë dhe pikturat e tij.

Jemi takuar për së fundit herë me Agim Ramadanin në Lozanë, posa kishte nisur vera e vitit 1997 në ekspozitën e tij, ku mbizotëronte e kuqja dhe e zeza, simbolet tona kombëtare.

Përpara se të vritej, kur erdhi në Zvicër në janarin e  vitit 1999, për një seri takimesh sensibilizuese me diasporën, na kërkoi në redaksi, por ne atë ditë nuk ndodheshim aty dhe na ka mbetur peng që nuk mundëm të takoheshim dot, sepse me Agim Ramadanin ishim gjithmonë në sintoni.

Vrasja e Agim Ramadanit, sikur e gjithë Eprorëve të UÇK-së, është tragjedi kombëtare e dyfishtë, për faktin se në Botën Shqiptare qarkullon gjithmonë varianti se Agim Ramadanin e kanë vrarë shqiptarët, ashtu sikur edhe Sali Çekajn, sikur do të vrisnin edhe Komandant Drinin e Komandantë të tjerë.

Nëpër tubimet e diasporës në Zvicër kjo “gojëdhanë” ndihet. E turpëshme është për ata që e dëgjojnë dhe qendrojnë indiferentë sikur t’i kenë veshët e dyllosur apo sikur të mos e kenë fare shqisën e dëgjimit. Gojëdhana ndëgjohet dhe ndërkohë mbetet temë tabu.

Midis viteve 1999-2000 kam botuar dy intervista me Shukrie Ramadanin, bashkëshorten e Agim Ramadanit. Ajo nuk është shprehur rreth kësaj teme, as unë nuk e kam pyetur, veç ka treguar pengun e saj se për faj të largësisë nuk kishte mundur të shihte trupin e Agimit përpara se të varrosej.

Kur ia kam marrë intervistën e parë, mesa kujtoj, lufta nuk kishte mbaruar ende, ndofta gaboj, por intervistat janë të botuara, kështu është lehtë të shihen datat, Shukria kishte sjellë në redaksi fletore të Agimit, të shkruara me një kaligrafi dhe me një shqipe të përsosur, impresionuese për çdokënd. Ra fjala për Tahir Zemën. Shukria më tha se në front thuhej se Tahir Zemaj kishte braktisur luftën, unë i thashë se Kolonel Zemaj ishte larguar nga fronti sepse ishte i këcënuar me jetë. Këtë pohim e mbështesja pasi vetë Tahir Zemaj kishte ardhur në redaksi dhe na e kishte treguar këtë fakt. Dhe vrasja e trefishtë disa vite më vonë, në Kosovën e çliruar, e vërtetoi atë çka na tregoi Tahir Zemaj me gojën e tij atëherë.

Megjithëse Agim Ramadani është një nga figurat e nderuara dhe respektuara, pas vdekjes, nga shteti i ri Kosovës, ai është Hero i Kosovës që ka dhënë jetën për lirinë dhe bashkimin e kufirit ndërshqiptar, gjithësesi për sa kohë do të ekzistojë i pazbardhur varianti i gojëdhënës se Agim Ramadani është vrarë nga shqiptarë që kanë përfaqësuar krahun jo institucional, pra jo atë që përfaqësonte Ministri i Mbrojtjes Ahmet Krasniqi, edhe ky i vrarë barbarisht në mes të Tiranës, kjo do të mbetet njollë e zezë e institucioneve të Kosovës dhe faqe e zezë e shtetarëve të saj.(voal.ch)

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, se Agim Ramadanin e kanë vrarë shqiptarët!, Të zbardhet “gojëdhëna”

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT